Një letër me pak fjalë, por e plotë me fjalë të fuqishme të hirit qiellor.Origeni
I. Vendi unik në Kanun
Sikurse Luka fillon Veprat e Apostujve me historinë e krishtere, Juda ka zgjedhur për të shkruar librin e parafundit të DhR, i cili nganjëherë quhet “Veprat e Femohuesve.” Juda do të dëshironte të shkruante rreth shpëtimit të përbashkët që ai kishte me lexuesit e tij, por mësimet e rreme po bëheshin aq të zakonshme saqë ai ishte i detyruar të bënte një thirrje “. . . luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.”
Juda nuk përdor fjalë të ëmbla! Ai flet haptas për të zbuluar ata heretikë të këqinj duke përdorur ilustrime nga natyra, DhV, dhe tradita Judease që të nxisë ata që janë besnikë.
Megjithëse Letra ka një ton të ashpër, ajo është formuar në mënyrë të mrekullueshme sidomos në përdorimin e disa herë ”të treshes (triadës)” (p.sh. shih v11 për 3 të këqijat). Përshkrimet e femohuesve janë të gjalla, plot me kuptim, dhe të paharrueshme.
Kisha i është borxhli Judës për bekimin me të cilin ai mbaron Letrën e tij. Megjithëse Letra e tij është e shkurtër, ajo është tepër e domosdoshme në këto ditë ku mohimi i besimit (apostazia) po rritet.
II. Autorësia
Evidenca e jashtme
Megjithëse Letra është e shkurtër, ajo përdor disa materiale jashtë Biblës, dhe nuk shkruhet nga një apostull (v17), Juda ka më shumë mbështetje nga evidenca e jashtme sesa 2 Pjetrit.
Hermas, Polikarpi, dhe ka mundësi dhe Athenagoras kanë përdorur pjesë nga Letra e Judës. Tertulliani i referohet përdorimit të Enokut nga Juda. Eusebio e vë Judën midis librave me dyshim (antilegomena), por Kanuni Muratorian mbron frymëzimin e Judës.
Evidenca e brendshme
Juda (hebraisht Yehudah) ishte një emër Judeas shumë i zakonshëm. Janë shtatë njerëz që kanë këtë emër në DhR, dhe nga ata tre janë më të mundshëm që të jenë “Juda . . . vëllai i Jakobit.”
-
Apostulli Judë (jo Iskarioti që vrau vetveten). Ky prezantim do të ishte më i goditur nëse ky mund të ishte një apostull. Meqë vargu 17 në dukje bën dallim midis autorit dhe apostujve, ai nuk është një kandidat i mundshëm.
-
Juda, një njeri i zgjedhur që u dërgua në Antioki me Palin, Barnabën, dhe Silën (Veprat e Apostujve 15:22). Ky është i mundshëm, por nuk ka asnjë provë që lidh këtë njeri me Letrën.
-
Juda, një vëlla i Zotit tonë (vetëm prej nëne), dhe vëllai i Jakobit. Ai është kandidati më i mundshëm. Ai i ngjan Zotit Jezus dhe Jakobit në përdorimin e tij të ilustrimeve nga natyra dhe në stilin e tij të kontrasteve. Ne pranojmë këtë pikëpamje.
Si vëllai i tij Jakob, edhe Juda ishte i përulur dhe nuk shfrytëzoi marrëdhënien familjare që ai kishte me Shpëtimtarin. Mbi të gjitha, është marrëdhënia frymërore që ka vlerë. Vetë Krishti ka thënë, “Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë” (Mt. 12:50). Një herë tjetër Ai tha që më tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë se sa të jesh një i afërm (Lu. 12:27-28). Si Jakobi edhe Juda zgjodhi vendin e “shërbëtorit.” Meqë të dy vëllezërit nuk e besonin vëllain hyjnor (vetëm prej nëne) në fillim (deri tek ringjallja), kjo frymë e përulur ishte krejtësisht e përshtatshme që ta tregonin. Juda ishte i martuar dhe merrte me vete bashkëshorten gjatë udhëtimeve ungjillore të tij (1 e Korintasve 9:5). Niprit e Judës u sollën përpara perandorit Domitian me padinë që ata ishin të krishterë. Duke parë duart e tyre që ishin forcuar nga puna e shumë viteve në bujqësi, perandori i lëshoi si njerëz të parrezikshëm.
III. Data
Diskutohet nëse Pjetri e përdori Judën, apo Juda e përdori Letrën e dytë të Pjetrit (ose të dy përdorën një burim tjetër të përbashkët). Ngjashmëria midis të dy letrave është aq e madhe sa që nuk mund të jetë një koincidencë e rastit. Meqë Pjetri shkruan në Letrën e dytë të tij (2 Pjetrit 2:1 dhe 2 Pjetrit 3:3) që do të jenë mësues të rremë dhe përqeshës, dhe Juda thotë që disa njerëz “depërtuan ndërmjet jush” (v4), ka mundësi që Juda u shkrua pas 2 Pjetrit. Një datë midis 67 dhe 80 e.s. është e mundshme. Meqë Juda nuk përmend shkatërrimin e Jeruzalemit (70 e.s.), ka mundësi që kjo sugjeron që shkatërrimi akoma ishte në të ardhmen, pra, që një datë midis 67-70 është shumë e mundshme. Sidoqoftë, kjo mund të thotë që shkatërrimi kishte ndodhur shumë kohë përpara (nëse Juda u shkrua në 80 e.s. ose më vonë – duke supozuar që Juda jetoi aq shumë). Një mundësi tjetër është që ngjarja [shkatërrimi i Jeruzalemit] ishte akoma aq e freskët dhe e dhembshme në mendjen e njerëzve, sa që asnjë Jude i mençur nuk do ta kishte përdorur si një ilustrim.
IV. Sfondi dhe Temat
Juda merret me femohimin. Edhe në kohën e tij, Kisha tashmë ishte depërtuar nga njerëz që paraqiteshin si shërbëtorë të Perëndisë por që në të vërtetë ishin armiq të kryqit të Krishtit. Qëllimi i Judës është të zbulojë këta tradhtarë dhe të përshkruajë fatin e tyre përfundimtar.
Një femohues është një person që thotë që është një besimtar i vërtetë, por në të vërtetë nuk është i rilindur. Ndoshta ai është i pagëzuar dhe merr pjesë në të gjitha aktivitetet e një kishe lokale. Por me kalimin e kohës, ai e braktis vullnetarisht Shpëtimtarin, ai mohon hyjninë e Krishtit, veprën e shpengimit të Tij të Kalvarit, ringjalljen trupore të Tij, dhe doktrina të ndryshme të besimit.
Nuk është çështja që ai ka rënë pak në besim. Femohuesi nuk ka qenë kurrë i shpëtuar. Ai nuk mërzitet fare rreth braktisjes së tij të rrugës të vetme të shpëtimit. Ai ngurtësohet në mosbesimin e tij dhe me kokëfortësi kundërshton Krishtin e Perëndisë.
Femohimi [apostazia] nuk është vetëm kur dikush e mohon Shpëtimtarin siç bëri Pjetri. Ai ishte një besimtar i vërtetë që u tundua nga presioni i një krize. Por ai e donte Zotin vërtetë dhe më vonë e vërtetoi me realitetin e besimit të tij kur ai u pendua dhe vazhdoi në përbashkësi me Të.
Juda Iskarioti ishte një femohues. Ai tha që ishte një dishepull; ai udhëtoi me Zotin Jezus për afërsisht tre vjet. Madje ai u shërbente të dymbëdhjetëve duke mbajtur qesen e parave. Por me kalimin e kohës ai zbuloi karakterin e vërtetë të vetvetes kur e tradhtoi Zotin për tridhjetë sikla argjendi.
Femohimi është një mëkat që çon në vdekje, një mëkat që është jashtë përgjegjësisë së lutjes së besimtarëve (1 Gjonit 5:16b). Është e pamundur ta sjellësh femohuesin përsëri në pendim, sepse ai, për vete të tij, e kryqëzon përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtëron (Heb. 6:6). Për ata që mëkatojnë kështu me dashje mbasi kanë marrë dijeni të së vërtetës “nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet, por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët” (Heb. 10:26-27).
Farat e femohimit tashmë ishin mbjellë në kishën e parë. Pali i paralajmëroi pleqtë e kishës efesiane që pas largimit të tij, do të hynin midis atyre ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursenin tufën, edhe vetë midis atyre do të dilnin njerëz që do të flisnin gjëra të çoroditura që të tërhiqnin pas vetes dishepujt (Veprat e Apostujve 20:29-30). Në Letrën e parë të tij, Gjoni foli rreth atyre antikrishtëve të cilët ishin në kisha të krishtera, por që shfaqën mashtrimin e tyre kur dolën mes besimtarëve, d.m.th. kur ata e braktisën besimin e tyre (1 Gjonit 2:18-19).
Në 2 Thes. 2:2-4 mësojmë që do të vijë rënia e madhe [apostazia] përpara se të vijë Dita e Zotit. Siç e kuptojmë ne, radha e ngjarjeve do të jetë kështu:
E para, Zoti do të vijë në ajër për të rrëmbyer kishën e për ta çuar në shtëpinë e Atit (Gjoni 14:1-3; 1 Thes. 4:13-18).
Pastaj ata që janë besimtarë të rremë dhe që mbeten pas Rrëmbimit do ta braktisin krejtësisht besimin.
Pastaj njeriu i mëkatit do të shfaqet publikisht përpara botës.
Pastaj Dita e Zotit do të fillojë – periudha e mundimit prej shtatë vitesh.
Njeriu i mëkatit do të jetë femohuesi më i madh duke kundërshtuar Krishtin dhe duke kërkuar që njerëzit ta adhurojnë si Perëndi.
Pjetri jep shumë detaje rreth mësuesve të rremë që do të ngrihen në ditët e fundit (2 Pje 2). Ajo pjesë i ngjan shumë përshkrimit të Judës. Ngjashmëria duket kur ne krahasojmë këto vargje:
Juda 2 Pjetrit
v4 2:1-3
v7 2:6
v8 2:10
v9 2:11
v10 2:12
v16 2:18
Megjithatë, ndryshimet midis Judës dhe Pjetrit janë më të rëndësishme se ngjasimet. Juda nuk përmend Noeun, përmbytjen, ose Lotin. Pjetri nuk përmend izraelitët që u shpëtuan nga Egjipti, Mikaelin, Kainin, Koreun, ose profecinë e Enokut. Pjetri nuk jep aq shumë informacion rreth engjëjve sa Juda jep. Ai flet për mësuesit të rremë që mohojnë Zotërinë që i bleu ata. Kurse Juda shpjegon më shumë duke shtuar që ata “e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet dhe mohojnë të vetmin Zotëri Perëndi, dhe Zotin tonë Jezu Krisht” (Juda 1:4).
Atëherë, ne nuk duhet të mendojmë që të dy kapitujt (Juda dhe 2 Pje 2) janë kopje e njëra-tjetrës. Përkundrazi duhet të kuptojmë që Fryma e Shenjtë ka zgjedhur material që t’i përshtasë qëllimet e Tij që Ai ka për secilin libër, dhe të kuptojmë që këta dy kapituj nuk i ngjajnë njëri-tjetrit aq shumë sa kemi menduar në fillim. Ata që kanë studiuar të katër ungjijtë ose kanë studiuar Efesianët dhe Kolosianët kanë kuptuar që Fryma e Shenjtë asnjë herë nuk përsërit diçka kot. Mësimet frymërore janë lidhur bashkë me ndryshimet dhe me ngjasimet.
PËRMBLEDHJE
I. PËRSHËNDETJA (v1-2)
II. FEMOHUESIT ZBULOHEN (v3-16)
III. PËRGJEGJËSIA E BESIMTARIT NË MESIN E APOSTAZISË (v17-23)
IV. BEKIMI I BUKUR (v24-25)