Apostujt e Mesias-Mbret dërgohen në Izrael (Mateu 9:35-10:42)

A. Nevoja për punëtorë në të korrat (9:35-38)

9:35 Ky varg fillon atë që njihet si Turneu i Tretë Galileas. Jezusi udhëtoi nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke predikuar lajmin e mirë të mbretërisë, pra, që Ai ishte Mbreti i Izraelit dhe që nëse kombi do të pendohej e do ta pranonte Atë, Ai do të mbretëronte mbi ta. Një ofertë autentike e mbretërisë iu bë Izraelit në këtë kohë. Çfarë do të kishte ndodhur nëse Izraeli do të ishte përgjigjur? Bibla nuk i përgjigjet pyetjes. Ne dimë se përsëri Krishti do të duhej të vdiste që të siguronte një bazë të drejtë përmes së cilës Perëndia të mund të shfajësonte mëkatarët e çdo epoke. Ndërsa Krishti mësoi dhe predikoi, Ai shëroi të gjitha llojet e sëmundjeve. Ashtu sikurse mrekullitë karakterizuan Ardhjen e Parë të Mesias, në hir dhe përulësi, po kështu do të shënojnë ato Ardhjen e Dytë të Tij, në fuqi dhe në lavdi të madhe (shih Hebrenjve 6:5: «mrekullitë e jetës së ardhshme»). 9:36 Ndërsa i nguli sytë mbi turmat e trazuara dhe të pambrojtura të Izraelit, Ai i pa ato si ato delet që s’kanë një bari. Zemra e Tij e madhe plot dhembshuri shkoi tek ata. Oh, sikur të dinim më shumë nga ai mall për të mirën frymërore të atyre që janë të humbur e të vdekur. Sa nevojë kemi që vazhdimisht të lutemi:
Bëj që ta shoh turmën, siç e pa Shpëtimtari im, Gjersa sytë e mi të mbushen me lot Bëj që delet endacake t’i shoh me mëshirim T’i dua ngaqë të dua Ty, Zot.
9:37 Një punë e madhe korrjeje frymërore nevojitej të bëhej, por punëtorët ishin pak. Problemi ka mbetur i tillë deri në ditën e sotme. Nevoja është gjithmonë më e madhe sesa krahu i punës. 9:38 Zoti Jezus u tha dishepujve që t’i kërkonin Zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e Tij. Vini re këtu që nevoja nuk përbën një thirrje. Punëtorët nuk duhet të shkojnë pa qenë dërguar.
Biri i Perëndisë, Krishti më ka dërguar në vende nga terri të mbuluara; E imja e madhja detyrë që m’është caktuar nga duart e Tij të shpuara. – Frances Bevan
Jezusi nuk e njëjtësoi Zotin e të korrave. Disa mendojnë se është Fryma e Shenjtë. Te Mateu 10:5, Vetë Jezusi i dërgon dishepujt. Kështu duket e qartë se Vetë Krishti është Ai, të cilit ne duhet t’i lutemi në lidhje me ungjillëzimin e botës.

B. Dymbëdhjetë dishepuj të thirrur (10:1-4)

10:1 Në vargun e fundit të kapitullit 9, Zoti i porositi dishepujt e Tij që të luteshin për më shumë punëtorë. Për ta bërë atë kërkesë me sinqeritet, besimtarët duhet të jenë të gatshëm për të shkuar vetë. Kështu këtu ne shohim Zotin duke thirrur të dymbëdhjetë dishepujt e tij. Ai i kishte zgjedhur që më parë ata, por tani Ai i thërret për një mision të veçantë ungjillëzues te kombi i Izraelit. Bashkë me thirrjen u dha edhe autoriteti për të dëbuar frymëra të ndyra dhe për të shëruar të gjitha llojet e sëmundjeve. Këtu vërehet se Jezusi ishte i pashembullt. Njerëz të tjerë kishin bërë mrekulli, por askush tjetër nuk u kishte dhënë ndonjëherë pushtet të tjerëve. 10:2-4 Të dymbëdhjetë apostujt ishin:
  1. Simoni, i quajtur Pjetër. Si njeri i vrullshëm, zemërgjerë dhe i dashur që ishte, ai kishte lindur për të qenë një udhëheqës.
  2. Andrea, vëllai i tij. Ai u njoh me Jezusin nga Gjon Pagëzori (Gjoni 1:36, 40), pastaj çoi vëllain e tij, Pjetrin, tek Ai. Pas kësaj, ai u impenjua t’i çonte njerëzit te Jezusi.
  3. Jakobi i Zebedeut, që më vonë u vra nga Herodi (Veprat e Apostujve 12:2) – i pari nga të dymbëdhjetët që vdiq si dëshmor.
  4. Gjoni, vëllai i tij. Edhe ky një nga bijtë e Zebedeut. Ai ishte dishepulli që Jezusi e deshi. Ne i detyrohemi atij për Ungjillin e katërt, tri Letra dhe Zbulesën.
  5. Filipi. Një qytetar nga Betsaida. Ai solli Natanaelin te Jezusi. Nuk duhet ngatërruar me ungjilltarin Filip te libri i Veprave.
  6. Bartolomeu. Besohet të ketë qenë Natanaeli, Izraeliti në të cilin Jezusi nuk gjeti mashtrim (Gjoni 1:47).
  7. Thomai, gjithashtu i quajtur Didim, që do të thotë «binJakobit» Zakonisht i njohur si «Thoma dyshuesi.» Dyshimet e tij i dhanë udhë një rrëfimi madhështor të Krishtit (Gjoni 20:28).
  8. Mateu. Tagrambledhësi i dikurshëm që shkroi këtë Ungjill.
  9. Jakobi, i Alfeut. Pak gjëra të tjera njihen qartë rreth tij.
  10. Lebeu, i mbiquajtur Tade. Gjithashtu ai është i njohur si Juda, biri i Jakobit (Luka 6:16). E vetmja e folur e shënuar e tij gjendet te Gjoni 14:22.
  11. Simon Kananeasi, të cilin Luka e quan zelot (Luka 6:15).
  12. Judë Iskarioti, tradhtari i Zotit tonë.
Ka mundësi që dishepujt të kenë qenë rreth njëzet deri tridhjetë vjet në këtë kohë. Të marrë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe të rinj me aftësi mesatare, madhështia e vërtetë e tyre qëndron në shoqërimin me Jezusin.

C. Misioni në Izrael (10:5-33)

10:5-6 Pjesa tjetër e kapitullit përmban urdhërat e Jezusit lidhur me një udhëtim predikimi të posaçëm te shtëpia e Izraelit. Kjo nuk duhet ngatërruar me dërgesën e mëvonshme të të shtatëdhjetëve (Luka 10:1) apo me Mandatin e Madh (Mateu 28:19-20). Ky ishte një mision i përkohshëm me qëllimin e veçantë të shpalljes se Mbretëria e qiejve ishte pranë. Ndërsa disa nga parimet kanë vlerë të vazhdueshme në të gjitha epokat për popullin e Perëndisë, fakti që, më vonë, disa parime u tërhoqën nga Zoti Jezus vërteton se ato nuk ishin menduar që të ishin të qëndrueshme (Luka 22:35-36). Së pari, itinerari është treguar. Ata duhej të mos shkonin ndër johebrenj apo te samaritanët, një racë e përzier që urrehej nga judenjtë. Në këtë kohë shërbesa e tyre kufizohej te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 10:7 Mesazhi ishte shpallja se Mbretëria e qiejve u afrua. Në qoftë se Izraeli do të refuzonte, nuk do të kishte justifikim, sepse një shpallje zyrtare do t’u bënte vetëm atyre. Mbretëria ishte afruar në Personin e Mbretit. Izraeli duhet të vendosë ta pranojë ose ta hedhë poshtë Atë. 10:8 Dishepujve u ishin dhënë kredencialet për ta vërtetuar mesazhin e tyre. Ata do të shëronin të sëmurët, do të pastronin lebrozët, do të ngjallnin të vdekurit [1] dhe do të dëbonin demonët. Judenjtë kërkonin shenja (1 e Korintasve 1:22). Kështu Perëndia, plot hir, denjoi t’u jepte shenja atyre. Përsa i përket shpërblimit, përfaqësuesit e Zotit duhej të mos kërkonin që të paguheshin për shërbimet e tyre. Ata i kishin marrë bekimet e tyre pa çmim dhe kështu duhej t’i shpërndanin ato në të njëjtën mënyrë. 10:9-10 Atyre nuk do t’u kërkohet që të bëjnë përgatitje përpara për udhëtimin. Në fund të fundit, ata ishin izraelitë që po u predikonin izraelitëve dhe ishte një parim i njohur midis judenjve që punëtori meriton ushqimin e tij. Kështu nuk do të ishte e nevojshme për ta që të merrnin ar, argjend, bakër, trasta me ushqim, dy palë tunika, sandale apo shkop. Ka mundësi që fjala të jetë për sandale më tepër apo një shkop më tepër. Nëse, tashmë, e kishin një shkop, ata mund ta merrnin (Marku 6:8). Ideja është që nevojat e tyre do të plotësoheshin nga dita në ditë. 10:11 Çfarë masash duhej të merrnin ata për t’u strehuar? Kur të hynin në një qytet, ata duhej të kërkonin të gjenin një njeri mikpritës të denjë – një që do t’i priste ata si dishepuj të Zotit e që do të ishte i hapur ndaj mesazhit të tyre. Sapo të gjenin një njeri të tillë mikpritës, ata duhej të rrinin me të për aq kohë sa do të qëndronin në qytet, më tepër se sa do të lëviznin për të gjetur kushte më të favorshme jetese. 10:12-14 Nëse një shtëpi do t’i pranonte, dishepujt duhej ta përshëndetnin familjen, duke treguar mirësjellje dhe mirënjohje ndërsa pranonin një mikpritje të tillë. Nga ana tjetër, nëse një shtëpi do të refuzonte t’i strehonte lajmëtarët e Zotit, ata nuk ishin të detyruar të luteshin për paqen e Perëndisë mbi të. Kjo do të thotë se ata nuk do të shpallnin një bekim mbi atë familje. Dhe jo vetëm kaq, por ata duhej ta dramatizonin pakënaqësinë e Perëndisë duke shkundur pluhurin nga këmbët e tyre. Duke refuzuar dishepujt e Krishtit, një familje ishte duke refuzuar Atë. 10:15 Ai paralajmëroi se një refuzim i tillë do të sillte një ndëshkim më të rreptë në ditën e gjyqit sesa çoroditja e Sodomës dhe e Gomorës. Kjo vërteton se në ferr do të ketë nivele ndëshkimi. Përndryshe, si mund të ketë më shumë tolerancë për disa sesa për disa të tjerë? 10:16 Në këtë seksion, Jezusi i këshillon të dymbëdhjetët në lidhje me sjelljen e tyre përballë përndjekjes. Ata do të ishin si dele në mes të ujqërve, të rrethuar nga njerëz të mbrapshtë, të prirur për t’i shkatërruar ata. Ata duhej të ishin të mençur si gjarpërinjtë, duke shmangur sulmet e panevojshme dhe duke mos u mashtruar në situata komprometuese. Gjithashtu, ata duhet të jenë të pastër si pëllumbat, të mbrojtur nga parzmorja e një karakteri të drejtë dhe e një besimi të çiltër. 10:17 Ata duhej të ruheshin nga judenjtë jobesimtarë, që do t’i tërhiqnin me forcë ata në gjyqe kriminelësh e do t’i fshikullonin në sinagogat e tyre. Sulmi kundër tyre do të ishte si civil ashtu edhe fetar. 10:18 Ata do të zvarriteshin përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për hir të Krishtit, por kauza e Perëndisë do të ngadhënjente mbi të keqen e njeriut. «Njeriu ka ligësinë e tij, por Perëndia ka rrugën e Tij.» Në çastin e një mposhtjeje të tyre, në dukje, dishepujt do të kishin privilegjin e pakrahasueshëm për të dëshmuar përpara sundimtarëve dhe johebrenjve. Perëndia do të jetë duke bërë që të gjitha gjërat të veprojnë së bashku për mirë. Krishterimi ka vuajtur shumë nga autoritetet civile, megjithëse «asnjë doktrinë s’ka qenë aq e dobishme për ata që kanë qenë caktuar për të qeverisur.» 10:19-20 Ata s’kanë nevojë ‘të bëjnë prova’ për atë që do të thonë kur janë në sprovë. Në kohën e duhur, Fryma e Perëndisë do t’u japë atyre urtësi hyjnore për t’u përgjigjur në mënyrë të tillë që të përlëvdohet Krishti dhe që t’i përshtjellojnë e t’i mundin plotësisht paditësit e tyre. Dy skaje duhen shmangur në interpretimin e vargut 19. I pari është supozimi naiv që një i krishterë s’ka kurrë nevojë ta përgatisë që më parë një mesazh. I dyti është pikëpamja se vargu nuk ka të bëjë me ne sot. Është me vend dhe e dëshirueshme që një predikues të presë në lutje përpara Perëndisë për fjalën e duhur në lidhje me një rast të veçantë, por, gjithashtu, është e vërtetë se, në ngjarje vendimtare, të gjithë besimtarët mund të pretendojnë premtimin e Perëndisë, që Ai t’u japë atyre urtësi për të folur me intuitë hyjnore. Ata u bënë zëdhënës për Frymën e Atit të tyre. 10:21 Jezusi i paralajmëroi dishepujt e Tij se ata do të duhej të përballeshin me pabesi dhe tradhti. Vëllai do të paditë vëllanë. Ati do të tradhtojë të birin. Bijtë do të bëhen informatorë kundër prindërve, gjë që do të çojë në ekzekutimin e tyre. J. C. Macaulay e thotë mirë:
Ne nuk jemi të vetmit që përballojmë urrejtjen e botës…. Shërbëtori le të mos presë trajtim më të mirë në duart e armikut sesa ai që iu bë Vetë Zotit. Në qoftë se bota s’kishte asgjë më të mirë për Jezusin sesa një kryq, ajo nuk do të ketë një karrocë mbretërore për ndjekësit e tij; në qoftë se kishte vetëm ferra për të, nuk do të ketë kurora lulesh për ne…. Veçse le të shohim mirë që urretja e botës ndaj nesh të jetë me të vërtetë «për hir të Krishtit» e jo për shkak të ndonjë gjëje të urryeshme në ne e të padenjë për Zotin e hirshëm që ne përfaqësojmë [2].
10:22-23 Dishepujt do të urrehen nga të gjithë – jo nga të gjithë pa përjashtim, por nga të gjitha kulturat, kombësitë dhe shtresat e njerëzve. «Por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.» E marrë më vete, kjo mund të duket sikur nënkupton që shpëtimi mund të arrihet me anë të një qëndrese të patundur. Ne e dimë se nuk mund të ketë këtë domethënie, sepse kudo në Shkrimet shpëtimi është paraqitur si një dhuratë falas e hirit të Perëndisë me anë të besimit (Efesianeve 2:8-9). Gjithashtu, vargu nuk do të thotë se ata që i qëndrojnë besnikë Krishtit do të shpëtojnë nga vdekja fizike; vargu i mëparshëm parashikon vdekjen e disa dishepujve besnikë. Shpjegimi më i thjeshtë është se qëndresa është vula e të shpëtuarit të vërtetë. Ata që, në kohë përndjekjeje, qëndrojnë deri në fund, me anë të ngulmimit të tyre tregojnë se janë besimtarë të vërtetë. I njëjti pohim gjendet te Mateu 24:13, ku referim i bëhet një mbetjeje besnike të popullit judaik gjatë Mundimit, që nuk pranon të kompromentojë besnikërinë ndaj Zotit Jezus. Qëndresa e tyre tregon se ata janë dishepuj të vërtetë. Në pasazhe biblike që kanë të bëjnë me të ardhmen, shpesh Fryma e Perëndisë zhvendoset nga e ardhmja e afërt në të ardhmen e largët. Një profeci mund të ketë një domethënie të pjesshme e më të afërt, por, gjithashtu, edhe një përmbushje të plotë e më të largët. Për shembull, të dyja Ardhjet e Krishtit mund të shkrihen në një pasazh të vetëm pa shpjegim (Isaia 52:14-15; Mikea 5:2-4). Në vargjet 22 dhe 23, Zoti Jezus bën këtë lloj kalimi profetik. Ai i paralajmëron të dymbëdhjetë dishepujt për vuajtjet që do të kalojnë për hir të Tij. Pastaj duket se ai i shikon ata si një figurë e ndjekësve judenj të tij të devotshëm gjatë Mundimit të Madh. Nga sprovat e të krishterëve të parë, Ai hidhet përpara tek ato të besimtarëve para Ardhjes së Tij të Dytë. Pjesa e parë e vargut 23 mund t’u referohet të dymbëdhjetë dishepujve: Por «kur do t’ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër….» Ata nuk ishin të detyruar të qëndronin nën tiraninë e armiqve të tyre, në qoftë se kishte një rrugë të ndershme për t’iu shmangur rrezikut. «Nuk është e gabuar t’i shmangesh rrezikut, por e gabuar është vetëm t’i shmangesh detyrës.» Pjesa e fundit e vargut 23 na çon përpara në ditët që i papraprijnë ardhjes së Krishtit për të mbretëruar: ju «…nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.» Kjo nuk mund t’i referohet misionit të të dymbëdhjetëve, sepse Biri i njeriut ka ardhur tashmë. Disa mësues të Biblës, këtë e kuptojnë si një referim që i është bërë shkatërrimit të Jeruzalemit në vitin 70 m.K. Megjithatë, është e vështirë të shohësh se si ky olokaust mund të quhet «një ardhje e Birit të njeriut.» Duket shumë më bindëse që këtu të gjesh një referim që i bëhet Ardhjes së Dytë të Tij. Gjatë Mundimit të Madh, vëllezërit judenj besnikë të Krishtit do të dalin me Ungjillin e mbretërisë. Ata do të kërkohen e do të përndiqen. Përpara se ata të arrijnë në të gjitha qytetet e Izraelit, Zoti Jezus do të kthehet për t’i gjykuar armiqtë e Tij dhe për të vendosur mbretërinë e Tij. Mund të duket se ka një kundërshtim midis vargut 23 dhe Mateu 24:14. Këtu është pohuar se nuk do të arrihen të gjitha qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut. Atje thotë se Ungjilli i mbretërisë do të predikohet në të gjithë botën përpara Ardhjes së Tij të Dytë. Megjithatë nuk ka kundërshtim. Ungjilli do të predikohet në të gjitha kombet, megjithëse jo medoemos çdo individi. Por ky mesazh do të ndeshë në një qëndresë të ashpër dhe lajmëtarët do të përndiqen rreptë e do të pengohen në Izrael. Kështu, jo të gjitha qytetet e Izraelit do të arrihen. 10:24-25 Shpesh dishepujt e Zotit do të kenë rast të pyesin se pse do t’u duhet të përballojnë keqtrajtime. Nëse Jezusi ishte Mesia, pse ishin duke vuajtur dishepujt e Tij në vend që të mbretëronin? Në vargjet 24 dhe 25, Ai i del përpara hutimit të tyre dhe i përgjigjet atij duke u kujtuar atyre marrëdhënien që kanë me Të. Ata ishin dishepujt; Ai ishte Mësuesi i tyre. Ata ishin shërbëtorë; Ai ishte Pronari i tyre. Ata ishin pjesëtarë të shtëpisë; Ai ishte i zoti i shtëpisë. Dishepullim do të thotë të ndjekësh Mësuesin e jo të jesh më lart Tij. Shërbëtori nuk duhet të presë të trajtohet më mirë sesa Pronari i tij. Në qoftë se njerëzit quajtën «Beelzebub» («zot i mizave,» një perëndi ekronit, emri i të cilit u përdor nga judenjtë për satanin) të zotin e denjë të shtëpisë, ata do t’i sulmojnë me fyerje akoma më të mëdha pjesëtarët e shtëpisë së tij. Dishepullimi përfshin pjesëmarrjen në refuzimin që i bëhet Zotërisë. 10:26-27 Tri herë u tha Zoti dishepujve të Tij që të mos kenë frikë (v 26, 28, 31). Së pari, ata s’duhet t’ia kenë frikën fitores në dukje të armiqve të tyre. Në një ditë të ardhme, kauza e Tij do të fitojë në mënyrë të lavdishme të drejtën që i takon. Deri atëherë, Ungjilli kishte qenë pak a shumë i fshehtë (i mbuluar) dhe mësimet e Tij kishin qenë mjaft sekret (të fshehta), por shpejt dishepujt duhej të shpallnin me guxim mesazhin e krishterë që, deri në atë çast, atyre u ishte thënë në intimitet, domethënë në veçanti. 10:28 Së dyti, dishepujt s’duhet t’ia kenë frikën tërbimit vrastar të njerëzve. Gjëja më e keqe që njerëzit mund të bëjnë është të të vrasin trupin. Vdekja fizike nuk është një tragjedi e madhe për të krishterin. Të vdesësh do të thotë të jesh me Krishtin dhe kjo është shumë më mirë. Është çlirim nga mëkati, pikëllimi, sëmundja, vuajtja dhe vdekja. Gjithashtu është transferim për në lavdinë e përjetshme. Kështu, gjëja më e keqe që njerëzit mund të bëjnë, në një kuptim të vërtetë, është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një fëmije të Perëndisë. Dishepujt nuk duhet të kenë frikë nga njerëzit, por duhet të kenë frikë, plot nderim, nga Ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena. Kjo është humbja më e madhe, ndarja e përjetshme nga Perëndia, nga Krishti dhe nga shpresa. Vdekja frymërore është humbja që nuk mund të matet dhe fatkeqësia që duhet shmangur me çdo kusht. Fjalët e Jezusit, në vargun 28, sjellin kujtimet e të perëndishmit John Knox, në epitafin e të cilit lexohet: «Këtu shtrihet një që e druajti Perëndinë aq shumë, saqë kurrë s’pati frikë nga faqja e ndonjë njeriu.» 10:29 Në mes të sprovave të egra, dishepujt duhet të kenë besim të plotë në kujdesin e Perëndisë. Zoti Jezus e dha këtë mësim duke marrë shembullin e harabelit të kudogjendur. Dy nga këta zogj, që s’kanë ndonjë farë vlere, shiten për një aspër. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk ngordh pa dashjen e Atit, pa dijeninë apo pa praninë e Tij. Siç ka thënë dikush: «Perëndia merr pjesë në varrimin e çdo harabeli.» 10:30-31 I njëjti Perëndi, që interesohet Vetë për harabelin e vockël, mban një llogari të saktë të flokëve të kokës së çdo fëmije të Tij. Një fije floku ka shumë më pak vlerë sesa një harabel. Kjo tregon se njerëzit e Tij vlejnë më tepër se shumë harabela për Të, prandaj, pse duhet të kenë frikë ata? 10:32 Duke patur parasysh konsideratat e mëparshme, a ka gjë më të arsyeshme sesa fakti që dishepujt e Krishtit duhet ta rrëfejnë Atë përpara njerëzve? Çdo turpërim apo sharje që mund t’u bëhet, do t’u shpërblehet me bollëk në qiell, kur Zoti Jezus t’i rrëfejë ata përpara Atit të Tij. Këtu, rrëfimi i Krishtit përfshin angazhimin ndaj Tij si Zot dhe Shpëtimtar si dhe njohjen, rrjedhimisht, të Tij me jetë dhe me gojë. Kjo ka bërë që shumica e të dymbëdhjetëve ta rrëfejnë Zotin për herë të fundit si dëshmorë. 10:33 Mohimi i Krishtit mbi tokë do të paguhet me mohimin përpara Perëndisë në qiej. Në këtë kuptim, të mohohet Krishti do të thotë të refuzohet t’i njihet e drejta që Atij i takon mbi jetën e një personi. Jetët e atyre që, në të vërtetë, thonë: «Unë nuk Të kam njohur kurrë Ty,» do ta dëgjojnë Atë në fund t’u thotë: «Unë s’ju kam njohur kurrë.» Zoti nuk e ka fjalën për një mohim të përkohshëm të Tij, nën trysni, si në rastin e Pjetrit, por i referohet atij mohimi që është i zakonshëm dhe përfundimtar.

D. Jo paqen, por shpatën (10:34-39)

10:34 Fjalët e Zotit tonë duhen kuptuar si një figurë letrare, ku rezultatet e dukshme të ardhjes së Tij janë shpallur si qëllimi i dukshëm i ardhjes së Tij. Ai thotë se unë nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. Në të vërtetë, Ai erdhi për të bërë paqe (Efesianeve 2:14-17); Ai erdhi që bota të shpëtohej përmes Tij (Gjoni 3:17). 10:35-37 Çështja këtu është se kurdo që individët bëhen ndjekës të Tij, familjet e tyre do të kthehen kundër tyre. Një baba i kthyer do të kundërshtohet nga biri i tij jobesimtar, një nënë e krishterë nga bija e saj e pashpëtuar. Një vjehërr e rilindur do të urrehet nga nusja e parilindur e të birit. Kështu, shpesh do të duhet të bëhet një zgjedhje midis Krishtit dhe familjes. Asnjë lidhje natyrore s’mund të lejohet që ta mënjanojë një dishepull nga besnikëria e plotë ndaj Zotit. Shpëtimtari duhet të ketë përparësi mbi babain, nënën, birin dhe bijën. Njëri nga çmimet e dishepullimit është përjetimi i tensionit, i konfliktit dhe i ftohjes së familjes së personit. Shpesh kjo armiqësi është edhe më e hidhur nga ajo që ndeshet në fusha të tjera të jetës. 10:38 Por ka diçka që priret më shumë sesa familja që t’i heqë Krishtit vendin që i takon. Kjo është dashuria që ka njeriu për jetën e vet. Kështu Jezusi shtoi: «Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.» Sigurisht, kryqi ishte një mjet ekzekutimi. Të marrësh kryqin dhe të ndjekësh Krishtin do të thotë të jetosh në një braktisje aq të devotshme ndaj Tij saqë edhe vetë vdekja të mos jetë një çmim tepër i lartë për t’u paguar. Jo të gjithë dishepujve u është kërkuar që t’i japin jetët e tyre për Zotin, por të gjithëve u është bërë thirrje që ta vlerësojnë Atë aq shumë saqë të mos i llogaritin si të çmuara jetët e tyre për vetveten. 10:39 Dashuria për Krishtin duhet të mbisundojë instinktin e vetëruajtjes. Kush do ta gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hir të Krishtit, do ta gjejë përsëri. Tundimi është për ta shtrënguar jetën, duke u përpjekur që të shmangësh dhimbjen dhe humbjen e një jete të angazhuar tërësisht. Por një gjë e tillë është shpërdorimi më i madh që mund t’i bëhet jetës – ta kalosh atë duke kënaqur veten. Përdorimi më i mirë që mund t’i bëhet jetës është kalimi i saj në shërbim të Krishtit. Personi që do ta humbasë jetën e vet në devotshmëri ndaj Tij, do ta gjejë atë përsëri në plotësinë e saj të vërtetë.

E. Një gotë me ujë të freskët (10:40-42)

10:40 Jo gjithkush do ta refuzojë mesazhin e dishepujve. Disa do t’i njohin ata si përfaqësues të Mesias dhe do t’i pranojnë me dashamirësi. Dishepujt do të kenë aftësi të kufizuar për ta shpërblyer një mirësi të tillë, por ata s’duhet të bëhen merak; çdo gjë e bërë për ta do të llogaritet si të ishte bërë për Vetë Zotin, prandaj do të shpërblehet. Të pranoje dishepullin e Krishtit do të ishte njëlloj si të pranoje Vetë Krishtin. Të pranoje Krishtin ishte njëlloj si të pranoje Atin që e ka dërguar, meqenëse i dërguari përfaqëson dërguesin. Të pranosh një ambasador, që qëndron në vend të qeverisë që e ka autorizuar, do të thotë të gëzosh marrëdhënie diplomatike me vendin e tij. 10:41 Kushdo që pranon një profet ngaqë ai është një profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit. A. T. Pierson komenton:
Për judenjtë shpërblimi i profetit ishte shpërblimi më i madh, sepse, ndërsa mbretërit sunduan në emër të Zotit dhe priftërinjtë shërbyen në emrin e Zotit, profeti erdhi nga Zoti për të urdhëruar si priftin ashtu edhe mbretin. Krishti thotë se në qoftë se ti s’bën tjetër veçse e pranon një profet në cilësinë e profetit, i njëjti shpërblim që i jepet profetit do të të jepet ty, nëse ti e ndihmon atë. Mendo për këtë në qoftë se je i prirur të kritikosh një folës! Në qoftë se e ndihmon atë që të flasë për Perëndinë dhe i jep zemër, ti do të kesh pjesë nga shpërblimi i tij, por në qoftë se ia vështirëson kryerjen e shërbesës, ti do të humbasësh shpërblimin tënd. Është gjë e madhe të ndihmosh dikë që po përpiqet të bëjë mirë. Nuk duhet t’i shohësh veshjen, qëndrimin, mënyrën e të sjellurit apo zërin, por duhet të vështrosh përtej këtyre gjërave e të thuash: «A është mesazhi i Perëndisë për mua? A është ky njeri një profet i Perëndisë për shpirtin tim?» Në qoftë se ai është, pranoje atë, lëvdo fjalën dhe veprën e tij dhe merr pjesë nga shpërblimi i tij. [3]
Kush pranon të drejtin sepse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. Ata që i gjykojnë të tjerët në bazë të fuqisë tërheqëse fizike që kanë apo sipas begatisë materiale nuk ia arrijnë të kuptojnë se, shpesh, vlera e vërtetë morale fshihet pikërisht në një paraqitje të përulur. Mënyra se si njëri trajton dishepullin më të thjeshtë është mënyra se si trajton Vetë Zotin. 10:42 Asnjëherë nuk do të kalojë pa u vënë re mirësia e treguar ndaj një ndjekësi të Jezusit. Madje edhe një gotë uji të freskët do të shpërblehet shumë në qoftë se i është dhënë një dishepulli ngaqë ai është një ndjekës i Zotit. Kështu e përmbyll Zoti detyrën e Tij të veçantë që ua ngarkon të dymbëdhjetëve, duke i veshur ata me dinjitet mbretëror. Është e vërtetë që ata do të kundërshtohen, do të refuzohen, do të arrestohen, do të nxirren në gjyq, do të burgosen e ndoshta edhe do të vriten. Por le të mos harrojnë kurrë ata se ishin përfaqësues të Mbretit dhe se privilegji i tyre i lavdishëm ishte të flasin e të veprojnë për Të. [1] Shumica e dorëshkrimeve nuk e kanë «ngjallni të vdekurit» këtu.[[1]] [2] J. C. Macaulay, Obedient Unto Death: Devotional Studies in John’s Gospel, II:59.[[2]]

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (10:41) Arthur T. Pierson “The Work of Christ for the Believer,” The Ministry of Keswick, First Series, fq. 114. ↵ Kthehu mbrapa