Mund ta quaj me të vërtetë këtë libër (të Psalmeve) një anatomi të gjithë pjesëve të shpirtit, sepse askush nuk mund të ndiejë një lëvizje të frymës që nuk pasqyrohet në këtë pasqyrë. Tërë brengat, shqetësimet, frikët, dyshimet, shpresat, dhimbjet, mëdyshjet dhe zemërimet shpërthyese me anë të të cilave përpëliten zemrat e njerëzve janë përshkruar këtu në jetën e vërtetë.
Zhan Kalvin (John Calvin)
I. Vendi unik në Kanun
Nëse do të të linin në një ishull të pabanuar vetëm me njërin prej librave të Biblës, cilin do të zgjidhje?
Me ndershmëri, shpresoj që të mos më takojë ta bëj këtë zgjedhje, por nëse po, mendoj se do të zgjidhja Psalmet! Shtrirja e temave të tyre është shumë e gjerë, katalogu i përvojave të jetës është shumë i plotë dhe adhurimi i tyre shumë i ngritur saqë do të pajisesha më së miri me ushqim të mirë frymëror dhe karburant të fuqishëm për të lavdëruar dhe për t’u lutur për të ardhmen.
Citimi i mësipërm tregon se Kalvini mbase do të kishte zgjedhur Psalmet.
Graham Skrogi (Graham Scroggie) mbase do të kishte hedhur votën për Psalmet. Ai ka thënë:
Sa arsye të shumta ka për të falënderuar Perëndinë për Psalmet! Tastiera e Krijimit, parashikimi dhe shpengimi janë që të gjitha të përfshira nga shpirti ngazëllues; dhe qielli e toka, deti e qielli, frymorët dhe jofrymorët mblidhen për të lavdëruar Zotin1Graham Scroggie, Daily Notes of the Scripture Union..
Në fillim kur studiojmë Psalmet zakonisht shtyhemi në bazë të aftësisë sonë për të gjetur një rrjedhë të rregullt të mendimit në disa prej tyre. Duket se vazhdimësia është ndonjëherë e gabuar, ndonjëherë e fshehur dhe herë të tjerë nuk ekziston fare. Dy vëzhgimet e bëra nga Albert Barnsi (Barnes) dhe Ljuisi (C. S. Lewis) mund të na ndihmojnë. Barnsi (Barnes) thotë:
Psalmet janë kryesisht poezi lirike, pra, poezi të përshtatura për harpën apo lirën, për t’u përdorur bashkë me vegla muzikore, për t’u kënduar dhe jo për t’u lexuar2Albert Barnes, Notes on the Book of Psalms, I:xix..
Ljuisi (Lewis) në mënyrë të ngjashme shpjegon:
Në mënyrë më të theksuar Psalmet duhet të lexohen si poema, si lirika, me tërë licencën dhe tërë formalitetet, hiperbolat, me ngjyrimet emocionale më tepër sesa ato logjike, që i shkojnë përshtat poezisë lirike3C. S. Lewis, Reflections on the Psalms, f. 10..
Këto mendime mund të hapin një shteg të ri që ne mund të na bëjnë të kuptojmë më mirë.
II. Autorësia
Psalmet zakonisht quhen “Psalmet e Davidit”, por vetëm gjysma (shtatëdhjetë e tre) i atribuohen “këngëtarit të ëmbël të Izraelit”. Dymbëdhjetë i atribuohen Asafit, dhjetë bijve të Koreut, dy Salomonit dhe nga një përkatësisht Moisiut, Ethanit, Hemanit dhe Esdrës. Dyzet e nëntë, apo afërsisht një e treta e Psalmeve janë anonimë.
Kur na vijnë nëpër mend Psalmet, duhet të na vijë nëpër mend jeta e Davidit. Një autor anonim e shpreh këtë në mënyrë të mrekullueshme:
Harpa e Davidit akoma tingëllon në veshët tanë dhe Fryma e Shenjtë ka pastruar për ne lutjet dhe lavdërimet e birit të Isait. Dikush ka thënë se arkitektura ishte muzikë e vrarë nga bryma. Psalmet janë muzika e zemrës, ndonjëherë me brenga dhe e trishtuar, ndonjëherë e gëzuar dhe ngazëlluese, ndonjëherë plot me errësirë dhe ankth, ndonjëherë e qetë dhe e lumtur – muzika e shpirtit të Davidit, e ruajtur nga Fryma që, duke dëgjuar këtë, mund të ndihemi të nxitur për t’iu afruar Perëndisë.
Psalmi | Përshkrimi | Përmbushja |
---|---|---|
2:7 | Biri i Perëndisë I lavdëruar nga fëmijët | Mateu 3:17 Mateu 21:15,16 |
III. Data
Psalmet u shkruan përgjatë një periudhë njëmijëvjeçare, nga Moisiu tek Esdra (rreth viteve 1400-400 para K.). Megjithatë, shumë prej tyre u shkruan përgjatë treqind viteve nga Davidi tek Ezekia (rreth viteve 1000-700 para K.). Prandaj Psalmet u shkruan gjatë së njëjtës periudhë kohe me tërë DhV (megjithëse Jobi mund të jetë shkruar para Moisiut).
IV. Sfondi dhe Temat
Psalmet janë ndarë në pesë libra, secili prej të cilëve mbyllet me një himn që përmban fjalë lavdërimi kushtuar Perëndisë. Himni lavdërues i librit 5 është i tërë psalmi 150.
Grenti (F. W. Grant) hedh idenë se Psalmet janë mbledhur sipas tematikës4F. W. Grant, “Psalms”, në The Numerical Bible, III:10.. Ai përmbledh secilin nga pesë librat e Psalmeve, gjetur në Biblën hebraike, si vijon:
- Krishti në këshillin e Perëndisë, burimi i tërë bekimeve për popullin e Tij Izraelin (Kapitujt 1-41).
- Shkatërrimi i tyre, por shpengimi në ditët e mëvonshme (Kapitujt 42-72).
- Shenjtëria e Perëndisë në marrëveshjet e Tij me ta (Kapitujt 73-89).
- Njeriu i Parë i dështuar i zëvendësuar me të Dytin dhe nënshtrimi i botës ndaj Tij (Kapitujt 90-106).
- Përfundimi moral sipas rrugëve hyjnore në të cilat Perëndia dhe njeriu shihen së bashku (Kapitujt 107-150).
Mund të ketë edhe një paralelizëm midis këtyre ndarjeve dhe pesë librave të Moisiut. Për shembull, ndarja e dytë përshtatet me shpengimin nga Egjipti; e treta përkon me Levitikun në theksimin prej tij të shenjtërisë.
Vetë Psalmet mund të ndahen në disa klasifikime, megjithëse disa psalme mund të përshtaten në më shumë se këto klasa:
- Klasifikimi historik – në lidhje me disa ngjarje apo ndodhi të përcaktuara në historinë e Izraelit, apo në jetën e psalmistit.
- Klasifikimi mesianik – në lidhje me vuajtjet e Krishtit dhe lavditë që pasojnë.
- Klasifikimi profetik apo mijëvjeçar – duke pasur si pikësynim mundimin e ardhshëm të Izraelit dhe epokën e mëvonshme të paqes dhe begatisë.
- Klasifikimi i pendimit – ruajtja e rrëfimit të thellë të mëkateve të psalmistit dhe zemra e tij e thyer që thërret për falje.
- Klasifikimi në bazë të mallkimit – lutjet ndaj Perëndisë që të marrë hak mbi armiqtë e popullit të Tij.
Shumë psalme të tjera janë shprehje e lavdërimeve vetjake a kolektive dhe adhurim ndaj Perëndisë; të tjerë janë tregime të marrëveshjeve të Zotit me popullin e Tij.
Interpretimi i Psalmeve
Dallimi midis Izraelit dhe Kishës ruhet në tërë Komentarin Biblik për Besimtarin (KBB). Shumë prej psalmeve, sidomos ato që përshkruajnë mallkimet mbi të ligjtë, ishin tërësisht të përshtatshme për judenjtë që jetuan nën ligj, por nuk janë gjuhë e përshtatshme për besimtarët e kohës së Kishës. Në këtë kohë ne nxitemi të duam armiqtë tanë dhe të bëjmë të mirën ndaj atyre që na përçmojnë. Nëse nuk pranojmë këtë ndryshim të rëndësishëm dallues, do të hasim probleme të ndryshme në interpretimin e Psalmeve.
Çdo lexues i kujdesshëm i Psalmeve do të vërë re menjëherë se ka një paralelizëm të ngushtë midis përvojave të psalmistit, kombit të Izraelit dhe Zotit Jezus Krisht. Të tri (Davidi, kombi dhe Krishti) kaluan përndjekjet, vuajtjet, brengat, urrejtjet dhe braktisjet e përjetuara – po ashtu edhe përlëvdimin, lavdinë dhe kremtimin. Ne i paraqesim shpesh këto ngjashmëri në KBB.
Zbatimi i Psalmeve
Edhe pse jo e tërë Bibla nuk është shkruar drejtpërdrejt për Kishën, tërë Shkrimi është i dobishëm për të. Ne mund të gjejmë ngushëllim, mësim, qortim dhe nxitje në Psalmet ndërsa shohim përvojat tona të pasqyruara në ato të psalmistit.
Ne në kishë mund të nxjerrim mësime të rëndësishme nga mësimet që janë më së pari judaike. Tempulli i judenjve mund të mbahet si një përfytyrim i trupit të Krishtit, i formuar nga tërë besimtarët dhe i banuar nga Fryma e Shenjtë. Betejat te Psalmet na flasin për luftën tonë frymërore kundër principatave dhe pushteteve, kundër fuqive të errësirës në vendet qiellore. Bekimet materiale të Izraelit në tokë na flasin për bekimet tona frymërore në vendet qiellore në Krishtin – dhe kështu me radhë.
Nëse përdorim këto çelësa, Psalmet bëhen me të drejtë kuptimplotë për ne dhe shumë prej problemeve të interpretimit do të zhduken.
Titujt e Psalmeve
Titujt e Psalmeve janë shumë të lashtë dhe janë mundësisht pjesë e tekstit të shenjtë. Megjithatë domethënia dhe qëllimi i shumë prej tyre janë bukur të mjegullta dhe për këtë arsye kemi lënë pa komentuar një pjesë të mirë të tyre. Do të ishte e dobishme sikur vetëm të përsëritnim: “Ne nuk e dimë se çfarë do të thotë kjo!”.
PARAQITJE E PËRGJITHSHME
I. LIBRI 1 (Psalmet 1 – 41)
II. LIBRI 2 (Psalmet 42 – 72)
III. LIBRI 3 (Psalmet 73 – 89)
IV. LIBRI 4 (Psalmet 90 – 106)
V. LIBRI 5 (Psalmet 107 – 150)
POSHTËSHËNIME
- 1Graham Scroggie, Daily Notes of the Scripture Union.
- 2Albert Barnes, Notes on the Book of Psalms, I:xix.
- 3C. S. Lewis, Reflections on the Psalms, f. 10.
- 4F. W. Grant, “Psalms”, në The Numerical Bible, III:10.