Hiri dhe përgjegjësia njerëzore

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

PËRVEÇ shumë pjesëve të Shkrimit të diskutuara tashmë, kalvinistët kanë një numër pjesësh të tjera të parapëlqyera që i citojnë në mbështetje të TULIP-it dhe sidomos të hirit të papërballueshëm. Një numër i mjaftueshëm i këtyre pjesëve do të paraqitet këtu për t’u lejuar lexuesve kalvinistë të paraqesin argumentet e tyre më të mira.

Një pjesë e përdorur më shpesh dhe me sigurinë më të madhe është Gjoni 6:37, 44: “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë…. Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati […] nuk e tërheq”. Vër re entuziazmin me të cilin Uajti “vërteton” tezën e tij nga kjo pjesë e Fjalës së Perëndisë:

Nëse të besosh se njeriu është “aq i vdekur” në mëkat që ai është i paaftë të shkojë te Krishti vetë është “kalvinizëm i skajshëm”, atëherë Zoti Jezus e ka thënë para Kalvinit që prej 1500 vjetësh me predikimin e Tij në sinagogë të shkruar te Gjoni 6. Këtu kemi Zotin që mëson gati gjithçka që Norman Gajsleri e njëjtëson si “kalvinizëm të skajshëm”. Jezusi mëson se Perëndia është sovran dhe vepron në mënyrë të pavarur nga “vullneti i lirë” i njerëzve. Ai mëson në mënyrë të ngjashme se njeriu është i paaftë për besimin shpëtues jashtë mundësisë së dhënë nga Ati. Më pas Ai e kufizon këtë tërheqje për të njëjtët individë që i janë dhënë Birit nga Ati. Më pas Ai mëson hirin e papërballueshëm për të zgjedhurit (jo për ata që “duan”) kur pohon se të gjithë ata që i janë dhënë Atij do të vijnë tek Ai. Gjoni 6:37-45 është shtjellimi më i qartë i asaj që [Gajsleri] e quan “kalvinizëm i skajshëm” në Bibël.

Ka arsye të fortë se pse [Gajsleri] pengohet në këtë pikë: nuk ka asnjë interpretim domethënës të mundshëm të pjesës jashtë Reformimit….

Le të dëgjojmë Jezusin që mëson “kalvinizmin e skajshëm” rreth 1500 vjet para se të lindte Kalvini…. “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë…”. Veprimi i të dhënit nga Ati vjen para veprimit të shkuarjes te Krishti nga individi. Dhe meqë të gjithë ata që janë dhënë vijnë në mënyrë të sigurt, kemi këtu si zgjedhjen e pakushtëzuar ashtu edhe hirin e papërballueshëm […] brenda nëntë fjalëve…!

Meqë veprimi i shkuarjes është i pavarur nga veprimi i dhënies, mund të shohim se nuk është thjesht e mundshme nga ana interpretuese [për të mohuar] rezultatet e dhënies nga Perëndia në ardhjen e njeriut. Shpëtimi i takon Zotit… [1].

“Zgjedhja e pakushtëzuar dhe hiri i papërballueshëm” hasen në këtë pjesë? Jarbrou (Yarbrough) [2], Pajpëri [3], D. A. Karsoni [4] dhe J. I. Pakeri [5] (midis të tjerëve) mendojnë gjithashtu të njëjtën gjë. Megjithatë, fjalët “i pakushtëzuar”, “i papërballueshëm” dhe “hir” nuk ndodhen aty – as mund të gjenden në ndonjë vend në Bibël. Dhe Perëndia “e kufizon këtë tërheqje për njëjtët individë që i janë dhënë Birit nga Ati”? Krishti nuk po thotë këtë. Çfarëdo lloj gjëje të ketë nënkuptuar Krishti, ajo duhet të jetë në përputhje me mesazhin e tërë Fjalës së Perëndisë – dhe si zgjedhja e pakushtëzuar ashtu edhe hiri i papërballueshëm e kundërshtojnë tërë përmbajtjen e Shkrimit.

Sigurisht, “aftësimi” nga Perëndia është thelbësor jo vetëm për shkuarjen te Krishti, por për gjithçka që bën një njeri i shpëtuar apo i pashpëtuar – madje edhe për të marrë frymë. Megjithatë, aftësimi është larg shkaktimit të papërballueshëm të detyruar të veprimit të njeriut. Megjithatë Jarbrou pohon: “Kushdo që shkon te Biri e bën këtë si rezultat i tërheqjes së detyruar të Atit” [6]. Të detyruar? Ku gjendet një mësim i tillë në këtë pjesë?

Sprouli ngul këmbë se një “pikë vendimtare e diskutimit midis Romës dhe Reformimit [me këtë nënkupton kalvinizmin] […] ishte efikasiteti i hirit hyjnor. A është hiri i papërballueshëm apo i frytshëm në vetvete, apo është i papërballueshëm dhe i varur nga bashkëpunimi njerëzor?”. Duke pohuar se është i papërballueshëm, ai citon Tomas Akuinin (Thomas Aquinas) për mbështetje. Por Akuini është i ndarë në dy mendje: “Ndihma hyjnore […] ndihma e Perëndisë […] ndihma e hirit etj.” [7]. Të ndihmosh dikë nuk do të thotë ta detyrosh në mënyrë të papërballueshme. Ne i ndihmojnë njerëzit të bëjnë atë që dëshirojnë të bëjnë; pa një dëshirë të tillë nga ana e tyre, një “ndihmë” e tillë do të ishte një shtrëngim!

Një prirje shqetësuese

Vëmendja është tërhequr tashmë për një mungesë shqetësuese të dukshme të dhembshurisë për të humburit nga kalvinistët. Dhe si mund të ndodhë ndryshe? Ata nuk do të guxonin të kishin dhembshuri për ata të cilët Perëndia ka pëlqyer t’i paracaktojë për rrënim të përjetshëm.

Një teori e tillë çon logjikisht në apati ndaj ungjillëzimit, edhe pse shumë kalvinistë nuk dorëzohen ndaj pasojave praktike të besimit të tyre. Kustansi arsyeton: “Nëse zgjedhja garanton shpëtimin e të gjithëve që janë paracaktuar për t’u shpëtuar, pse duhet të shqetësohemi për ungjillëzimin…? Çfarë ndryshimi të mundshëm ka nëse u flasim ose jo njerëzve?” [8]. Ka të drejtë.

Për kalvinistin do të ishte e arsyeshme të mendojë vetëm: “Unë jam një prej të zgjedhure. Ata që Perëndia i ka dënuar le të jenë të dënuar; nuk ka asgjë që mund të bëj për ta. Të shqetësohesh do të thotë të ankohesh kundër Perëndisë që i ka paracaktuar sipas fatit të tyre të drejtë”. Por ndërgjegjja që Perëndia ka vendosur brenda çdo jobesimtari e dënon një qëndrim të tillë.

Megjithatë, vetë Perëndia a nuk i do mjaftueshëm të humburit për t’i shpëtuar të gjithë? Atij i mungon mëshira e mjaftueshme për të humburit për t’u dhënë besimin për të besuar për shpëtim – dhe lavdërohet më tepër duke dënuar në mënyrë sovrane aq shumë dhe duke shpëtuar kaq pak? A është ky Perëndia biblik?

Muri shkruan me miratim: “Kalvini mësoi se Perëndia i donte të zgjedhurit dhe planifikoi shenjtërimin dhe shpëtimin e tyre, ndërsa […] i urrente të mallkuarit dhe planifikoi mëkatin dhe dënimin e tyre” [9]. “Planifikoi” edhe mëkatin e tyre? Po, edhe “gabimin e një daktilografisti – ky është kalvinizmi! Nëse ky është Perëndia i Biblës, kalvinizmi është i vërtetë. Nëse jo, kalvinizmi duhet të dënohet për shtrembërimin e tij të Perëndisë.

Dëshmia dërrmuese e Shkrimit

Qindra pjesë të Shkrimit shprehin shqetësimin e vërtetë të Perëndisë për Izraelin rebel. Ai dërgon profetët e Tij për t’iu lutur atyre të pendoheshin në mënyrë që Ai të mos i ndëshkonte. Me siguri Pali pasqyron zemrën e Perëndisë në dëshirën e tij për të vuajtur edhe dënimin e përjetshëm nëse kjo do të shpëtonte vëllezërit e tij, judenjtë, nga ferri. Ai ka një pasion të njëjtë për shpëtimin e johebrenjve – një pasion altruist, që mund të vijë vetëm nga banimi i Frymës së Shenjtë. Zoti Jezu Krisht qau për Jerusalemin, duke e njëjtësuar Veten si Jahve, Ai që qau për bijtë e Tij rebelë (Isaia 1:1-9) për shekuj me radhë.

Kemi dëgjuar Jezusin të thërriste këdo që ishte i lodhur, i rënduar apo i etur: “Ejani tek unë”. Kemi dëgjuar Zotin tonë të pohojë në mënyrë të përsëritur se kushdo që do të besonte në Të do të shpëtohej. Dhe kemi parë shumë pjesë të Shkrimit që i ofrojnë shpëtim tërë botës dhe pohojnë se Perëndia dëshiron që tërë njerëzimi të shpëtohet, se Ai dha Birin e Tij për shpëtimin e tërë botës, që Ai nuk do që ndokush të humbasë dhe se Krishti vdiq për mëkatet e të gjithëve.

Kalvinisti, për të anuluar këtë mësim të qartë të Shkrimit, e ndryshon fjalën “botë” në “të zgjedhurit” në njëzet pjesë të Shkrimit. Ai ndryshon fjalën “kushdo” dhe “të gjithë” me “të zgjedhurit” në të paktën gjashtëmbëdhjetë herë. Përveç kësaj, ai e ndryshon shprehjen “çdo njeri” në “të zgjedhurit” gjashtë herë dhe “cilindo” në “të zgjedhurit” tri herë. Në asnjë rast nuk ka diçka në tekst që të justifikojë zëvendësimin me “të zgjedhurit”. Ndryshimi është bërë vetëm për një arsye: të mbështetet kalvinizmi! Kështu, kur Krishti thotë se Ai do të tërheqë “të gjithë” te Vetja (Gjoni 12:32), kalvinisti pohon: “Fjala ‘të gjithë’ i referohet në mënyrë të qartë të gjithë të zgjedhurve nga Perëndia” [10]. Në mënyrë të qartë? Vetëm nëse dikush është kalvinist.

Dikush do të mendojë se dëshmia mahnitëse e Shkrimit se Perëndia është dashuri, se Ai është i mëshirshëm me të gjithë dhe do që të gjithë të njohin të vërtetën, do të pranohet me mirënjohje dhe gëzim nga të gjithë ndjekësit e vërtetë të Krishtit dhe se ky lajm i mirë do t’i shpallet botës ashtu siç ka urdhëruar Krishti. Në vend të kësaj, kemi parë se në ato vende ku pohohet në mënyrë të qartë dëshira e Perëndisë për shpëtimin e tërë njerëzimit, kalvinistët ngulin akoma këmbë se Perëndia ka zgjedhur të shpëtojë vetëm një grup të zgjedhur. Bëhet një përpjekje e madhe për të mohuar atë që pohohet në mënyrë të qartë për dashurinë e pamerituar dhe të pakufizuar të Perëndisë për të gjithë.

Dikush duhet të interpretojë pjesë të tilla si “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë” (Gjoni 6:37) dhe “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati […] nuk e tërheq” (Gjoni 6:44) në harmoni më tërë mesazhin e dashurisë së Perëndisë për këdo. Megjithatë Pajpëri pretendon aq shumë sa të “tregojë nga Shkrimi se ekzistenca e njëkohshme e vullnetit të Perëndisë që ‘të gjithë njerëzit të shpëtohen’ (1 Timoteut 2:4) dhe vullnetit të tij për të zgjedhur në mënyrë të pakushtëzuar ata që do të shpëtohen në fakt [Gjoni 6:37 është midis vargjeve të adresuar] nuk është një shenjë e skizofrenisë hyjnore apo pështjellimit interpretues” [11]. Në fakt, ky është një kundërshtim i pashpresë nëse dikush nuk pranon fuqinë e zgjedhjes së njeriut të dhënë nga Perëndia.

Shiko fjalët e Krishtit: “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë” nuk thotë se “gjithçka që tërheq Ati do të vijë tek unë”. Gjithashtu: “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati […] nuk e tërheq” nuk thotë se të gjithë ata që Ati tërheq shkojnë te Krishti. Dhe me siguri: “Unë do ta ringjall atë në ditën e fundit” (Gjoni 6:40, 44, 54) i referohet atyre që në fakt shkojnë te Krishti dhe jo të gjithë atyre që tërhiqen – me siguri jo ata që tërhiqen dhe më pas “tërhiqen prapa për humbje” (Hebrenjve 10:39). Le të pranojmë atë që në fakt thotë Krishti.

Pika më e fortë e kalvinistëve

Duke mbrojtur nderin dhe karakterin e Perëndisë tonë, jemi kujdesur të kuptojmë me përpikëri kalvinizmin. Kështu le të konsiderojmë me kujdes argumentet e Uajtit ndërsa i zhvillon nga Gjoni 6:37-45, një pjesë e Shkrimit që ai e quan “shtjellimi më i qartë i asaj që [kritikët] e quajnë ‘kalvinizëm i skajshëm’”. Uajti shkruan:

Jezusi thotë në mënyrë të fjalëpërfjalshme: “Asnjeri nuk është i aftë të vijë tek unë”. Këto janë fjalë paaftësie dhe vihen në një kontekst universal. Të gjithë njerëzve […] u mungon aftësia të shkojnë te Krishti vetë…. Kjo është ajo që Pali e quan “të vdekur në mëkat” (Efesianëve 2:1) dhe “nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë” (Romakëve 8:8). Ёshtë doktrina e reformuar e shthurjes së plotë: paaftësia e njeriut [këtu fillon të] mësohet nga Zoti që njeh zemrat e tërë njerëzve….

Të gjithë njerëzit do të liheshin në pozicion e pashpresë të “paaftësisë për të shkuar” nëse Perëndia nuk do të hynte në veprim dhe Ai e bën këtë duke tërhequr [disa, por jo të gjithë] njerëz te Krishti…. Asnjeri nuk mund të “dojë” të shkojë te Krishti jashtë kësaj tërheqjeje hyjnore…. Studiuesit e reformuar pohojnë se ata që tërhiqen janë ata që i janë dhënë Birit nga Ati, pra, të zgjedhurit….

Nuk mund të pohohet se […] Ati po tërheq çdo qenie njerëzore individuale [përndryshe] do të rezultonte universalizmi [gjithkush është i shpëtuar], sepse të gjithë që janë tërhequr në të njëjtën mënyrë do të ringjallen në ditën e fundit [12].

Ku e përmend Jezusi në këtë pjesë “shthurjen e plotë”, “të vdekur në mëkat”, “paaftësi”, “nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë” apo ndonjë gjë tjetër rreth “të zgjedhurve”? Asnjë prej këtyre teorive kalviniste nuk ndodhet aty – as nuk kemi ndonjë nënkuptim për ndonjë pjesë të TULIP-it. Jezusi nuk thotë se tërheqja duhet të jetë e kufizuar për të zgjedhurit, ose rezultati do të jetë universalizmi. Gjithashtu nuk thotë se tërheqja është e papërballueshme apo e pakushtëzuar. Megjithatë Sprouli thotë se “tërheq” do të thotë “detyroj” [13] dhe Pinku ngul këmbë se do të thotë “imponoj” [14]. Jarbrou shkruan: “Ёshtë e vështirë të imagjinosh një përshkrim më të qartë të veprimtarisë tërheqëse përzgjedhëse dhe të frytshme të Zotit” [15].

Përkundrazi, këto ide imponohen ndaj tekstin sepse i kërkon kalvinizmi. Ato nuk pohohen nga Krishti.

Krishti nuk thotë se gjithkush që do të tërhiqet do të shkojë në fakt tek Ai dhe do të shpëtohet. Megjithatë Uajti përqafohet nga një mori njerëzish të tjerë që e konsiderojnë këtë si një prej “pjesëve kryesore të paracaktimit” [16] dhe një tekst provë për hirin e papërballueshëm. Vansi citon jo më pak se trembëdhjetë autorë të kësaj bindjeje [17]. Shrajneri dhe Uehri (Ware) pohojnë gjithashtu se “ai që është tërhequr do të ngjallet gjithashtu ditën e fundit” [18]. Megjithatë Krishti thotë qartë se janë ata që shkojnë në fakt tek Ai ata të cilët Ai do t’i ngjallë ditën e fundit. Kalvinistët lexojnë në fjalët e Krishtit atë që nuk ekziston. Ai thotë në fakt:

  1. Gjithçka që më jep Ati [jo gjithçka që tërheq Ai] do të vijë tek unë;
  2. dhe atë që vjen tek unë [jo atë që tërheq Ati], unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë.
  3. Ky është vullneti i Atit […] që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë [jo nga të gjitha ato që tërheq Ai], por t’i ringjall në ditën e fundit.
  4. Kushdo që sheh Birin dhe beson në të [jo të gjithë ata që janë tërhequr], të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall….
  5. Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq [të gjithë që shkojnë janë tërhequr – jo të gjithë që janë tërhequr shkojnë] dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit [të gjithë ata që do të ringjallen janë tërhequr, por jo të gjithë që janë tërhequr do të ringjallen].

Lexo tërë tekstin përsëri me kujdes (Gjoni 6:35-65). Krishti nuk thotë se të gjithë ata që Ati tërheq, por të gjithë ata që Ai i jep Birit, do të shkojnë tek Ai dhe Ai nuk do të humbasë asnjë nga ata që Ati i jep Atij; ata do të ringjallen të gjithë prej së vdekurish ditën e fundit. Për kë po flet Krishti? Kemi parë se Bibla mëson se në paranjohjen e Perëndisë Ai e dinte se kush do të besonte dhe kush do të refuzonte ungjillin. Të parët janë ata që Ati i ka dhënë Birit. Nuk ka asgjë këtu për të shkaktuar një numër të përzgjedhur që të besojnë për shpëtim dhe të zgjedhë të mos shpëtojë pjesën tjetër të njerëzimit.

Krishti thotë se askush nuk mund të shkojë tek Ai nëse Ati nuk e tërheq. Por Ai nuk thotë se gjithkush që Ati tërheq do të shkojë në fakt te Biri dhe të shpëtohet. Tërë Shkrimi dëshmon për një dëshirë të vërtetë nga ana e Perëndisë për tërë njerëzimin. Shpëtimi është siguruar nga Krishti dhe i ofrohet në mënyrë të vërtetë kujto që beson – por jo gjithkush beson. Dëshira e sinqertë e Perëndisë që të gjithë të shpëtohen pohohet shpesh dhe qartë nga profetët, Krishti dhe apostujt e Tij saqë ne nuk guxojmë të shohim ndonjë interpretim të kundërt në këtë pjesë.

Elementi i Atit që “tërheq” përmendet nga Krishti vetëm në këtë pjesë. Nga ana tjetër, premtimi haset në mënyrë të përsëritur në tërë ungjillin e Gjonit “që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme…. Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë…. Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” etj. (Gjoni 3:16, 17, 36; 7:37).

Pohimi i Krishtit është i qartë se jo gjithkush që është tërhequr, por “kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme…”(Gjoni 6:40). Në këtë pjesë nuk ndeshim zgjedhjen e pakushtëzuar apo hirin e papërballueshëm, por përgjegjësinë njerëzore.

Barra e provës

Pa dyshim Shkrimi paraqet në mënyrë të përsëritur dashurinë, dhembshurinë dhe shqetësimin e Perëndisë për tërë Izraelin dhe tërë botën të shpëtohet. Nuk ka asnjë dyshim se Ai ia ofron shpëtimin të gjithëve në gjuhën më të qartë të mundshme. Përkundrazi, nuk mund të paraqitet asnjë pjesë e Shkrimit ku të pohohet qartë ndonjë prej përmbajtjeve të kalvinizmit. Barra e provës është mbi kalvinistin të tregojë se ku mëson qartë Bibla doktrinën e tij. Megjithatë, edhe në këtë pjesë, të cilën Uajti e quan “shtjellimin më të qartë të kalvinizmit”, teoria nuk pohohet qartë, por duhet të lexohet si e tillë.

Pa diskutim, shprehjet e përfaqësuara nga katër shkronjat e para në akronimin TULIP nuk shfaqen kurrë në Bibël. Ky fakt flet shumë. Bibla nuk thotë kurrë se njerëzit janë nga natyra të paaftë të besojnë ungjillin apo të kërkojnë Perëndinë. Nuk thotë kurrë se një grup i përzgjedhur është zgjedhur në mënyrë të pakushtëzuar për shpëtim, apo se hiri është i papërballueshëm, apo që Krishti vdiq vetëm për të zgjedhurit. Kurrë nuk mësohet rilindja sovrane si pararendëse e besimit në Krishtin. Kalvinisti nuk mund të paraqesë për ndonjë pjesë të TULIP-it një pohim të qartë, të padyshimtë nga ndonjë pjesë e Shkrimit! Por ne mund të tregojmë qindra pjesë që refuzojnë TULIP-in.

Shkrimi nuk pohon kurrë se Perëndia dëshiron që miliarda njerëz të humbasin dhe se është pëlqimi i Tij i mirë (dhe madje për lavdinë e Tij) të refuzojë nga ata shpëtimin. Dashuria e Perëndisë nuk kufizohet kurrë vetëm për një grup të përzgjedhur të cilin dëshiron të shpëtojë. Në kontrast me pak vargje që kalvinistët duhet të shtrydhin për të mbështetur TULIP-in, qindra shpallin dashurinë dhe dëshirën e qartë të Perëndisë për shpëtimin e të gjithëve.

Barra e provës është mbi kalvinistin për të treguar qartë nga Bibla se doktrina e tij është e vërtetë – dhe ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Ata që tërhiqen prapa për humbje”

Edhe në këtë pjesë rreth tërheqjes së Atit nuk ka asgjë që të tregojë se vetëm disa tërhiqen apo se tërheqja është e papërballueshëm apo pa dëshirën e atyre që janë tërhequr. Për më tepër, të “tërheqësh” dikë në kuptimin e zakontë të asaj fjale nuk do të thotë se ata do të shkojnë patjetër, as në greqishte apo në kontekst nuk kemi një sugjerim, aq më pak të kërkohet, ky përfundim.

Qindra herë në tërë Dhiatën e Vjetër Perëndia i bën thirrje përmes profetëve të vet Izraelit, të uriturve dhe të eturve, të gjithëve që do të pendohen, të kthehen tek Ai, të kërkojnë Atë, të “provojnë dhe shohin sa i mirë është Zoti” (Psalmi 34:8). Me siguri Ai përpiqet t’i “tërheqë” ata te Vetja. Asnjëherë nuk kemi ndonjë sugjerim se Perëndia do të shkaktojë në mënyrë të papërballueshme dikë të shkojë tek Ai, aq më pak se Ai do të bëjë këtë jo për të gjithë. Dhe kështu është në të gjithë Dhiatën e Re. Thirrja i bëhet “kujtdo që dëshiron” herë pas here. Ftesa është e hapur për të gjithë ata që duan. Që kalvinisti të përpiqet ta bëjë Gjonin 6 përjashtimin që mbështet TULIP-in do të thotë të shtrembërojë mesazhin e qartë të tërësisë së Shkrimit.

Në kundërshtim me interpretimin e detyruar ndaj këtij teksti për të prodhuar një tërheqje të papërballueshme te Krishti (gjë të cilën Ai nuk e mësoi kurrë), shumë shpirtra janë tërhequr deri në njëfarë pike te Krishti nga Ati dhe më pas tërhiqen prapa: “’Në qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të’. Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë në shpëtimin e shpirtit” (Hebrenjve 10:38, 39).

E njëjta fjalë greke apoleia haset tetë herë në Dhiatën e Re. Përkthehet zakonisht “humbje” dhe në çdo rast do të thotë dënim i përjetshëm. Pajpëri pranon se “Pjesa më e madhe e komentuesve pajtohen se […] [apoleia] tregon në mënyrë të qartë humbjen e përjetshme…” [19]. Shiko vargjet më poshtë: “gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë” (2 Pjetrit 3:7); “Dhe bisha […] shkon në përhumbje” (Zbulesa 17:11). Në mënyrë të qartë, “ata që tërhiqen prapa për humbje” nuk mund të jenë midis të zgjedhurve të kalvinizmit meqë të zgjedhurit nuk mund të humbin shpëtimin e tyre dhe të dënohen. Megjithatë “ata që tërhiqen prapa për humbje” duhet të jenë tërhequr në njëfarë mënyre. Përndryshe, fjala “tërhiqen prapa” do të ishte e pakuptim.

Uajti e shmang Hebrenjve 10:38 e 39. Po kështu Pinku, Sprouli, Pajpëri dhe një mori kalvinistësh të tjerë, të paktën në librat e tyre që kemi qenë në gjendje të lexojmë. Vansi, në shtjellimin e tij të gjerë, nuk është në gjendje të citojë një kalvinist të vetëm që të komentojë këtë pjesë.

Një prej letrave të ngjashme që kam marrë pohonte: “Ti e paraqet Perëndinë një person të dobët qiellor që me siguri do të donte të shpëtonte njerëzit, por se nuk mund ta bëjë këtë nëse ata nuk bashkëpunojnë. Por Perëndia i Biblës është i madh për të shpëtuar dhe Ai e bën këtë pavarësisht nga vullneti krenar, kryeneç dhe i vetëkënaqur i mëkatarëve të rënë!”.

Kështu Perëndia mund të shkaktojë këdo dhe gjithkënd të besojë ungjillin dhe ta tërheqë në mënyrë të papërballueshme në qiell – por e bën vetëm për një numër të përzgjedhur? Ky është kalvinizmi – qoftë nëse dikush e quan “të moderuar” apo “të skajshëm”! Ai i është imponuar Biblës si shkelje e tërë përmbajtjes së Shkrimit nga Zanafilla te Zbulesa. Ai është një fyerje ndaj karakterit të Perëndisë, një mohim i natyrës së dashurisë dhe një fyerje ndaj ndërgjegjes të cilën Perëndia e ka vendosur në zemrën e çdo njeriu.

Pa dyshim, shpëtimi është dhuratë e dashurisë së Perëndisë. As dhurata, as dashuria, ashtu siç i ka planifikuar Perëndia dhe ashtu siç i paraqet Bibla, nuk mund të detyrohen ndaj atij që nuk do, as edhe nga Perëndia. Kjo nuk tregon ndonjë dobësi nga Perëndia, aq më pak ta bësh atë një “person të dobët”, por thjesht pasqyron natyrën e dashurisë dhe të dhuratës, ashtu siç kemi treguar gjerësisht.

Që njeriu mund të rebelohet kundër Perëndisë, mund të mos i bindet ligjeve të Tij dhe mund të refuzojë ofertën e Perëndisë si dhuratë e hirit të Tij, në asnjë mënyrë nuk e zvogëlon sovranitetin e Perëndisë. Në fakt, në sovranitetin e Tij Ai ka caktuar që dashuria dhe një dhuratë duhet të kërkojnë një zgjedhje dhe Ai e bën këtë të qartë në Fjalën e Tij. Një letër tjetër tregonte në mënyrë të ngjashme:

Ti thua se Perëndia do çdo person në botë dhe është vullneti i Tij se çdokush të shpëtohet…. Madje të mendosh se Perëndia i lejon njeriut në mënyrë sovrane të refuzojë vullnetin e Tij hyjnor është heretike, duke zvogëluar madhështinë e Perëndisë dhe një shpikje mitike e mendjes për të përshtatur paragjykimet e tua. Perëndia kontrollon çdo kafshë, çdo person dhe çdo ndodhi…. Pikëpamjet e tua, vëlla i dashur, e bëjnë vullnetin e Perëndisë vartës të vullnetit të njeriut dhe e paraqesin planin e shpëtimit të Perëndisë si dështim meqë tërë njerëzit nuk janë shpëtuar… [20].

Ata që mbështetin këtë pozicion zor se e kanë menduar kryq e tërthor. Ne kemi vënë re atë që është e qartë: Nëse Perëndia kontrollon çdo person dhe ndodhi, atëherë përdhunimi, vrasja dhe çdo lloj krimi, lufte dhe vuajtjeje duhet të jetë sipas vullnetit të Tij – zor se është kështu. Në këshillën e vullnetit të Tij Ai lejon atë që nuk është vullneti i Tij i përsosur për t’i dhënë njeriut fuqinë e zgjedhjes. E keqja është sigurisht e kundërta e vullnetit të Perëndisë. Prandaj, ne duhet të jemi të sigurt se nuk është vullneti i Perëndisë që e keqja të mbretërojë në tokë. Satani është perëndia i kësaj bote dhe “se gjithë bota dergjet në ligësi [pra, në të ligun, Satanin]” (1 Gjonit 5:19). Perëndia e lejoi këtë gjendje problemesh vetëm për një kohë të shkurtër.

Pa fuqinë e zgjedhjes ne nuk mund të duam Perëndinë, as njëri-tjetrin. Njeriut i është dhënë përgjegjësia e mrekullueshme për të zgjedhur vetë. Fatkeqësisht, shumë zgjedhin të keqen në krahasim me të mirën dhe veten në vend të Perëndisë. Ai nuk ia detyron shpëtimin njeriut ashtu siç nuk detyron ndokënd t’u bindet Dhjetë Urdhërimeve.

A është e gjithë kjo një parodi?

Kalvinisti pohon se Perëndia, në sovranitetin e Tij (nëse do të dëshironte kështu), mund të ndalonte mëkatin dhe të shkaktonte gjithmonë këdo të zbatonte Dhjetë Urdhërimet në mënyrë të përsosur. Kjo do të ishte e mundur vetëm nëse njeriu nuk ka vullnet të lirë. Megjithatë, nëse kjo do të ishte e vërtetë, për ç’arsye u dha Ligji? Perëndia mund të kishte kontrolluar mendimet, fjalët dhe veprat njerëzore në mënyrë që pa e njohur madje Ligjin, gjithkush të jetonte saktësisht pa atë që kërkonte Ligji.

Në mënyrë të pabesueshme, kalvinizmi mëson se Perëndia i dha Dhjetë Urdhërimet, e shkaktoi njeriun të mos u bindej, më pas e dënoi për këtë veprim. Kështu Bibla kthehet në një parodi, njeriu në një marionetë dhe Perëndia në një përbindësh të cilin ateistët e refuzojnë me të drejtë.

Megjithatë, nuk mund të ketë asnjë dyshim se njeriu, jo Perëndia, është shkaktari i të keqes në tokë, ngaqë ka zgjedhur në mënyrë egoiste dhe të marrë për të kundërshtuar vullnetin e Perëndisë. Gjithashtu nuk mund të kihet dyshim se Fryma e Perëndisë ka shkruar ligjet e Tij në çdo ndërgjegje dhe kërkon të tërheqë të gjithë njerëzit te Krishti. Megjithatë, fatkeqësisht, edhe atyre të cilëve Perëndia u është shfaqur me fuqi të madhe dhe mrekulli janë rebeluar shpesh dhe kanë shkuar në ferr.

Perëndia i tha Izraelit: “Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve […] sepse Zoti ju do” (Ligji i Përtërirë 7:6-8). Pohime të tilla bëhen në tërë Dhiatën e Vjetër, ku madje Perëndia e quan Izraelin gruan e Tij. Përsëri: “Kur Izraeli ishte fëmijë, unë e desha…. I tërhiqja […] me lidhje dashurie…. Populli im synon të largohet nga unë…” (Osea 11:1-8). Tërë Izraeli u tërhoq – shumë u tërhoqën prapa.

Izraeli quhet i zgjedhuri i Perëndisë si në Dhiatën e Vjetër ashtu edhe në të Renë (Isaia 45:4; 65:9, 22; Mateu 24:31; etj.). Nuk ka dyshim që Perëndia e zgjodhi Izraelin, e thirri dhe e tërhoqi me “lidhje dashurie” (Osea 11:4) te Vetja. Megjithatë pjesa më e madhe e izraelitëve ra në idhujtari, refuzoi të pendohej dhe me siguri nuk ishin midis të shpenguarve. Perëndisë iu desh të thotë në mënyrë të përsëritur: “Populli im më ka harruar nga një numër shumë i madh ditësh” (Jeremia 2:32); “U djegin temjan idhujve të kotë” (Jeremia 18:15).

Shumë që janë tërhequr te Zoti refuzojnë të besojnë tek Ai për shpëtim. Krishti tha: “Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur” (Mateu 20:16; 22:14). Madje edhe disa që janë zgjedhur nuk duan të përmbushin thirrjen e tyre, por e tradhtojnë Atë për të cilin pohojnë se ishte Zoti i tyre. Jezusi tha: “’A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall’. Por ai fliste për Judë Iskariotin…” (Gjoni 6:70, 71).

Jezusi e thirri Judën, e tërhoqi dhe e zgjodhi të ishte një dishepull. Juda e ndoqi Jezusin me dishepujt e tjerë, e quajti Jezusin “Zot” dhe doli me dishepujt e tjerë “të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët” (Luka 9:2). Por Juda ishte si ata që do të thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët […] a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme…?” (Mateu 7:22, 23). Këta nuk e kanë humbur shpëtimin e tyre, meqë ata nuk kanë qenë kurrë të shpëtuar. “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë” do të jetë shpallja e Krishtit ndaj atyre që u tërhoqën tek Ai, por kurrë nuk shkuan plotësisht për ta njohur Atë si Shpëtimtar dhe Zot.

“Po qe se Ati nuk e tërheq”: Çfarë do të thotë kjo?

Askush nuk e ndjek Zotin në mënyrë natyrale; ne të gjithë ndjekim dëshirat tona egoiste dhe askush nuk mund të shkojë te Krishti po qe se Ati nuk e tërheq. Por Fryma e Shenjtë është në botë për të bindur të gjithë për mëkatin dhe nevojën e tyre (Gjoni 16:8-11), ungjilli po predikohet, Ati po tërheq këdo (edhe përmes dëshmisë së krijimit dhe ndërgjegjes). Fatkeqësisht, shumë si Juda vijnë deri në njëfarë pike, madje duket se janë dishepuj, pastaj tërhiqen prapa për humbje.

Jezusi nuk mësoi dhe nuk mund të mësonte një tërheqje të papërballueshme në këtë pjesë apo në pjesë të tjera, sepse do të kundërshtonte pjesën tjetër të Shkrimit. Perëndia kërkoi të tërhiqte Izraelin, në tërë historinë e tij me telashe, përmes profetëve të përlotur. Disa herë ai dëgjoi, por brezi tjetër “tërhiqej prapa për humbje”. Marrëveshjet e Tij me Izraelin japin provë të dëshirës së Perëndisë për shpëtimin e tërë njerëzimit, të cilët i tërheq të gjithë – edhe pse vetëm disa përgjigjen.

Po, Krishti tha në mënyrë të qartë: “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati […] nuk e tërheq”. Uajti pohon se ky pohim tregon një paaftësi të plotë nga ana e njeriut për të shkuar te Krishti – se njeriu nuk mund të bashkëpunojë në asnjë mënyrë, por ai duhet të tërhiqet në mënyrë të papërballueshme pa besim apo miratim. Kjo nuk do të thotë të tërhiqesh, por të shtyhesh kundër vullnetit.

Iluzion eizegjetik

Uajti, për të mbështetur pohimet e tij, citon Kalvinin, të cilit i referohet me admirim të madh. Me sa duket, sundimi tiran i Kalvinit në Gjenevë, ku ai iu drejtua madje torturimit të atyre që nuk pajtoheshin me të, nuk i jep asnjë shkak për të dyshuar arsyetimin e Kalvinit dhe besnikërinë e tij ndaj Shkrimit.

Në fakt, një sjellje e tillë, në kundërshtim të plotë me Frymën e Krishtit dhe Fjalën e Perëndisë, është një tregues detyrues se arsyetimi i Kalvinit rreth sovranitetit, mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë ishte me të meta. Apostulli Gjon shkruan: “Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë [të sillet] edhe vetë sikurse ka ecur ai [Krishti]” (1 Gjonit 2:6). Ky standard vlen për çdo të krishterë kudo në çdo kohë të historisë – dhe ndonjëherë – Kalvini veproi aq larg tij saqë asnjë gjë nuk mund të justifikojë sjelljen e tij.

Megjithatë, me sa duket e qartë nga faktet historike, duke pasqyruar një admirim të zakontë midis kalvinistëve, Uajti shkruan:

Xhon Kalvini admirohet, edhe nga armiqtë e tij, se ka qenë një interpretues i mahnitshëm i Shkrimit. I paanshëm dhe i hollë, komentarët e Kalvinit vazhdojnë edhe në këtë kohë me një dobi dhe përdorim të madh për studiuesin e Shkrimit. Këtu kemi komentet e tij rreth Gjonit 6:44:

“Të shkosh te Krishti e përdorur këtu në mënyrë metaforike për besimin, ungjilltari, për të zbatuar metaforën në fjalinë e kundërt, thotë se janë tërhequr ata persona arsyetimin e të cilëve Perëndia e ndriçon dhe zemrat e të cilëve ai i përkul dhe i formon drejt bindjes ndaj Krishtit […] kështu që rrjedh se nuk janë tërhequr të gjithë, por se Perëndia ua jep këtë hir atyre që ai ka zgjedhur.

Në të vërtetë është e drejtë për sa i përket llojit të tërheqjes, e cila nuk është e dhunshme, për të detyruar njerëzit nga ndonjë forcë e jashtme [si ajo që vetë Kalvini përdori!]; por akoma është një shtysë e fuqishme e Frymës së Shenjtë, që i bën njerëzit, që më parë nuk donin dhe ngurrues, të duan. Prandaj, është një pohim i rremë dhe i përdhosur se askush nuk tërhiqet, përveç atyre që duan të tërhiqen, sikur njeriu të bëhej vetë i bindur ndaj Perëndisë me anë të përpjekjeve të tij…” [21].

 

Kalvini e kishte mirë që Krishti përdor “të shkuarit tek Ai” për “besimin në Të”. Shrajneri dhe Uehri shkruajnë: “’Të shkuarit’ e Gjonit 6:37 është sinonim me ‘besimin’. Që fjalët shkoj dhe besoj janë mënyra të ndryshme që përshkruajnë të njëjtin realitet konfirmohet me anë të asaj që thotë Jezusi te Gjoni 6:35: ‘Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje’” [22].

Përsëri shohim se besimi në Krishtin përmes ungjillit e pararend dhe është kushti i lindjes së re dhe shpëtimit (1 Korintasve 4:15). Besimi nuk jepet pasi dikush është rilindur. Fakti se të shkuarit është e njëjta gjë me besimin e kundërshton gjithashtu zgjedhjen e pakushtëzuar dhe hirin e papërballueshëm, për të cilët “të shkuarit” duhet të jetë pa besim, ashtu sikur një i vdekur të transportohej nga të tjerët. Po, Ati i tërheq njerëzit te Krishti – por nëse nuk besojnë me të vërtetë në Të, ata nuk kanë “shkuar” fare, por janë tërhequr parapa për humbje.

 



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. James R. White, The Potter’s Freedom (Amityville, NY: Calvary Press Publishing, 2000), 155-156. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Robert W. Yarbrough, “Divine Election in the Gospel of John”. Te Still Sovereign: Contemporary Perspectives on Election, Foreknowledge, and Grace, redaktor Thomas R. Schreiner dhe Bruce A. Ware (Grand Rapids, MI: Baker Books, 2000), 50-51. ↵ Kthehu mbrapa
  3. John Piper, “Are There Two Wills In God?”. Te Schreiner and Ware, Still, 107. ↵ Kthehu mbrapa
  4. D. A. Carson, “Reflections on Assurance”, Westminster Theological Journal, Vëll. 54. ↵ Kthehu mbrapa
  5. J. I. Packer, “The Love of God: Universal and Particular”. Te Still, 283. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Yarbrough, “Divine”. Te Still, 50. ↵ Kthehu mbrapa
  7. R. C. Sproul, Faith Alone: The Evangelical Doctrine of Justification (Grand Rapids, MI: Baker Books, 1995), 137-138. ↵ Kthehu mbrapa
  8. Arthur C. Custance, The Sovereignty of Grace (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1979), 277. ↵ Kthehu mbrapa
  9. Robert A. Morey, Studies in the Atonement (Southbridge, MA: Crowne Publications, 1989), 296. ↵ Kthehu mbrapa
  10. Arthur W. Pink, Exposition of the Gospel of John (Grand Rapids, MI: Zondervan Publishing House, 1975), 682. ↵ Kthehu mbrapa
  11. Piper, “Two Wills”. Te Still, 107. ↵ Kthehu mbrapa
  12. White, Potter’s, 158-160. ↵ Kthehu mbrapa
  13. R. C. Sproul, Chosen by God (Carol Stream, IL: Tyndale House Publishers, Inc., 1986), 69. ↵ Kthehu mbrapa
  14. Pink, Exposition, 338. ↵ Kthehu mbrapa
  15. Yarbrough, “Divine”. Te Still, 51. ↵ Kthehu mbrapa
  16. D. A. Carson, Divine Sovereignty and Human Responsibility (Atlanta, GA: John Knox Press, 1981), 174. ↵ Kthehu mbrapa
  17. Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (Pensacola, FL: Vance Publications, botim i shqyrtuar, 1999), 508. ↵ Kthehu mbrapa
  18. Schreiner and Ware, Hyrje e Still Sovereign, 15. ↵ Kthehu mbrapa
  19. John Piper, The Justification of God: An Exegetical and Theological Study of Romans 9:1-23 (Grand Rapids, MI: Baker Books, 2000), 201. ↵ Kthehu mbrapa
  20. Për Dave Hunt, n. d., marrë më 10 shtator 2000. Në dosje. ↵ Kthehu mbrapa
  21. John Calvin, Commentary on the Gospel of John, The Comprehensive John Calvin Collection (Ages Digital Library, 1998); cituar te White, op. Cit., 161. ↵ Kthehu mbrapa
  22. Schreiner and Ware, Still, 14. ↵ Kthehu mbrapa