BËJ MIQ ME PARA

Mësimi 9 | Dishepullimi i krishterë | LUKA 16:1-15

Në shikim të parë duket e pazakontë që kjo histori të gjendet në Bibël. Problemi është se ajo duket sikur lavdëron pandershmërinë. Pa dyshim që shumë besimtarë vihen në siklet nga përfshirja e saj në Shkrimet e Shenjta. Ndoshta disa shpresojnë që nëse nuk do ta shohin, ajo do të largohet.

Por nuk ka asgjë për të patur frikë. Nëse kuptohet si duhet, historia ka një kuptim të pasur. Ajo nuk lavdëron mashtrimin. Por ajo mëson që ka një anë pozitive ku duhet të imitojmë këtë administrator largpamës.

Pronari merr vesh që administratori i biznesit të tij po i vjedh fondet. Reagimi i tij kuptohet: ai e heq shpërdoruesin nga puna, por i kërkon një llogari të hollësishme para se të largohet. Kuptohet që punëdhënësi kërkon të dijë nivelin e humbjes.

Kjo e bën vjedhësin ta kapë paniku. Tani ai nuk ka ndonjë mënyrë të dukshme mbështetjeje dhe ndonjë siguri për të ardhmen. Ai është tepër i moshuar të bëjë punë të rëndë fizike dhe i vjen shumë turp të lypë. Çfarë të bëjë?

Papritmas një dritë ndizet në mendjen e tij; atij i erdhi një ide gjeniale. Ai do të ndërmarrë hapa të cilat do të garantojnë që të ketë gjithmonë miq. Atij do t’i hapen gjithnjë dyert dhe do të jetë kurdoherë i mirëpritur të hyjë dhe të hajë.

I thirri një nga një klientët e pronarit.

«Sa detyrohesh?» i thotë të parit.

«Unë detyrohem rreth 800 gallonë{{1}} vaj ulliri».

«Mirë, të them unë ç’të bësh. Paguaj 400 gallonë dhe jemi në rregull bashkë».

Klienti i dytë: «Po ti, sa detyrohesh?»

«Sipas faturës detyrohem për afro 1100 shinikë{{2}} grurë».

«Do të bëjmë një marrëveshje bashkë. Paguaj 880 shinikë dhe do t’i vë faturës tënde vulën E PAGUAR!»

Administratori vazhdonte ende me dredhitë e tij mashtruese. Ai nuk kishte asnjë të drejtë të bënte pazare të tilla. Paratë i përkisnin punëdhënësit dhe jo atij. Kjo është ajo që e bën vargun 8 kaq të çuditshëm. Ai thotë: «Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm»{{3}}.Në vështrim të parë, kjo duket jo vetëm që lejon pandershmërinë, por edhe që e lavdëron atë.

Gjenden dy çelësa që zgjidhin vështirësinë.

Çelësi #1. Lavdërimi nuk është dhënë për pandershmërinë, por për planifikimin e mençur. «Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm, se kishte vepruar me mençuri». E veçanta në mënyrën e zgjuar të të vepruarit të tij ishte në garantimin që do të kishte miq në të ardhmen.

Çelësi #2. E ardhmja e të krishterit nuk është në këtë botë, por në qiell. «Bijtë e kësaj botë, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës». Me fjalë të tjera, të pakthyerit në besim shpesh kanë më tepër largpamësi se besimtarët. Ashtu si burri në shëmbëlltyrë, të pakthyerit në besim ndërmarrin hapa për të siguruar se do të kenë miq në të ardhmen e tyre, domethënë, të ardhmen e tyre këtu mbi tokë. Të krishterët nuk kanë një interesim të ngjashëm për të patur miq në të ardhmen e tyre në qiell.

Tani Zoti Jezus është gati ta lidhë shëmbëlltyrën me dëgjuesit e Tij. «Unë, pra, po ju them: Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t’ju mungojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme» (v. 9). Pasuria e padrejtë është paraja. Megjithëse paraja nuk është as e mirë, as e keqe në vetvete, Jezusi e quan atë të padrejtë, sepse shpesh ajo fitohet pandershmërisht dhe përdoret shpesh për qëllime jo të drejta. Ai Vetë shumë shpejt do të tradhtohet për 30 sikla argjendi. Madje edhe sot ne flasim për paranë si para të pista. Pali na kujton që «lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave» (1 Tim. 6:10a).

Dhe megjithatë ne mund të bëjmë për vete miq me para. Si mund ta bëjmë këtë? Duke i përdorur paratë për të përhapur ungjillin. Duke investuar para për Bibla, Dhiata dhe pjesë të Shkrimeve. Duke mbështetur punën misionare. Duke kontribuar në transmetimet e ungjillit në mbarë botën. Me pak fjalë, duke investuar në veprën e Zotit. Ata që shpëtohen përmes këtyre mënyrave janë miqtë tanë në përjetësi.

«…sepse, kur këto do t’ju mungojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme». Versionet e Biblës ndryshojnë këtu. Disa thonë: «kur ti mbaron», të tjera «kur ai/ajo [gjinia asnjanëse, ang. “it”] mbaron». Por ndryshimi nuk është i rëndësishëm, sepse kur dishepulli mbaron ose vdes, edhe paraja e tij mbaron. Ajo nuk ka më vlerë për të. Ai duhet ta përdorë atë ndërsa është ende gjallë ose mos e përdorë fare. Kur ai vdes, ajo nuk i përket më atij, por pronës së tij.

«…[ata] t’ju pranojnë në banesat e përjetshme». «Ata» këtu i referohet atyre që janë kthyer në besim përmes investimit të fondeve tona në veprën e Zotit. Banesat e përjetshme janë banesat e shumta në shtëpinë e Atit tonë (Gjoni 14:2). Miqtë e bërë me pasuritë e padrejta shërbejnë si një komitet mikpritës kur ne të arrijmë portat e lavdisë. Kjo është përmbushja e dëshirës së këtij poeti të panjohur:

Dhe kur në banesat lart

të shpëtuarit do të shfaqen rreth meje

dua të dëgjoj dikë të thotë

«Jam ftuar këtu pikërisht prej teje». (Anon)

Më lejoni t’ju jap një ilustrim se si vepron kjo. Kur një i krishterë i devotshëm po i afrohej ditëlindjes së tij të 80-të, djemtë dhe vajzat e tij donin t’i bënin një surprizë me një festë dhe disa dhurata që të vlerësoheshin vërtet nga ana e tij. Por ata nuk mund të vendosnin për një dhuratë që të ishte vërtet domethënëse. Në fund të fundit, çfarë i duhet një 80-vjeçari? Përfundimisht ata shkuan tek ai dhe e pyetën se çfarë dhurate donte të kishte për ditëlindje. Ai mendoi për disa minuta, pastaj tha: «Do të doja të shihja një pjesë nga Shkrimet e Shenjta të shtypur në një gjuhë që nuk është shtypur më parë».

Kjo nuk ishte saktësisht ajo që familja kishte në mendje, por ata vendosën t’ia plotësojnë kërkesën. Kështu që shkuan në Shoqërinë Biblike dhe i treguan për kërkesën e çuditshme të atit të tyre.

«Shumë interesante», tha drejtori, «ne tani sapo po përgatitemi të botojmë Ungjillin sipas Gjonit në një dialekt të Afrikës për herë të parë».

Kur familja pyeti për sa i përket çmimit, në fillim ata shtangën, por nuk kishte kthim mbrapsht. Ata i mblodhën paratë me entuziazëm dhe ia dhuruan Shoqërisë Biblike me rastin e ditëlindjes së 80-të të babait të tyre. Burri i moshuar ishte i ngazëlluar.

Tani le ta hedhin veten 100 vjet në të ardhmen. Një ditë, ndërsa ky i krishterë i devotshëm (s’është më i moshuar) është duke ecur nëpër rrugën e artë, takon një vëlla në Krishtin (në qiell nuk ka të huaj). Biseda shkon pak a shumë kështu:

«Si erdhe këtu në qytetin qiellor?»

«Po, ja – unë jetoja në Afrikë, i zhytur në idhujtari pagane. Por dikush u kujdes për mua dhe popullin tim që përktheu Ungjillin sipas Gjonit dhe e botoi atë në gjuhën tonë. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë kur ata Ungjij erdhën në fshatin tonë. Kur lexova historinë e mrekullueshme të dashurisë së Shpëtimtarit, i shkatërrova idhujt që kisha, u pendova për mëkatet e mia dhe e pranova Jezusin si të vetmen shpresë për në qiell».

Kush mund ta përshkruajë gëzimin e atij burri kur ai takon këtë trofe të hirit i cili ishte fituar për Zotin përmes dhuratës së ditëlindjes të 80-të të tij?

Edhe tani që jam duke shkruar këtë, shikoj një letër nga Përkthyesit e Biblës Uiklif që thotë, pak a shumë: «Pikërisht ditët e fundit mora një çek për 83.000 dollarë nga një afarist 89-vjeçar për të patur Dhiatën e Re në tre dialekte të ndryshme të Ganës. Sipas nipit të tij, ai nuk zotëron as fonde, as obligacione{{4}} apo ndonjë aktiv{{5}} tjetër kryesor, por dëshiron të japë atë që Zoti i ka besuar sa më shpejt që të jetë e mundshme. Ai e kupton nevojën e ngutshme e ndarjes së Fjalës së Perëndisë përreth botës». Mendo për mirëseardhjen që do t’i jepet atij kur të shkojë në shtëpi!

Në vargun 10 Zoti tregoi që mënyra se si i trajtojmë paratë është një instrument matës për besnikërinë tonë në fusha të tjera. Ai flet për paratë si «të vogla»{{6}}. Sigurisht që kjo është plotësisht e kundërta e asaj që mendon njeriu modern; ai i vlerëson paratë si «ato që janë më të shumta». Nëse në atë që na është administruar jemi besnikë në gjëra aq të parëndësishme si paratë, neve mund të na besohet të jemi besnikë në çështje që kanë një rëndësi frymërore dhe të përjetshme. Ai që nuk është i besueshëm me pasuritë e padrejta do të jetë po i tillë edhe më pasuritë e vërteta (v. 11). Duke krahasuar paratë dhe pasuritë e vërteta Shpëtimtari përgënjeshtron mitin që mirëqenia materiale e bën dikë të pasur. Pasuritë e vërteta janë ato bekime në Krishtin Jezus që janë tonat: përbashkësia në mbarë botën e familjes së Perëndisë, privilegji për t’i shërbyer Zotit, të vërtetat e mëdha të Biblës.

«Dhe, në qoftë se nuk keni qenë besnikë në përdorimin e asaj që është e tjetrit, kush do t’ju japë atë që është tuaja?» (v. 12, nasb). Fjalët «e asaj që është e tjetrit» kanë si qëllim të na kujtojnë që paratë që kemi vërtet nuk janë aspak tonat. Ato i përkasin Perëndisë dhe ne jemi administratorë që kemi për detyrë t’i administrojmë për Atë. Nëse Ai nuk mund të na besojë në përdorimin e mençur të parave të Tij, si mund të presim që të na japë atë që është e jona? Me fjalë të tjera, si mund të na japë në të ardhmen miq, miq të fituar përmes administrimit tonë? Si mund të na japë të vërteta frymërore të thella nga Fjala? Si mund të na japë shpërblime në Gjyqin e Krishtit?

Për të dytën herë në Ungjijtë, Jezusi tha që është një pamundësi absolute që të jetosh për Perëndinë dhe për paranë në të njëjtën kohë. Ekziston lufta e interesave dhe përçarja e besnikërisë. Pavarësisht nga vendosmëria me të cilën Ai e ka thënë këtë, të krishterët vazhdojnë ende të bëjnë këtë gjë. E çuditshme! Kur farisenjtë dëgjuan Jezusin që kishte këtë pikëpamje të ulët për paranë, ata e tallën. Ata mendonin që dinin më mirë. Ndoshta e shikonin pasurinë e tyre si provë të miratimit hyjnor. Ata e dëshironin paranë dhe donin të kishin sa më shumë. Ata ishin të mençur sipas mënyrave të botës. Jezusi i demaskoi si mashtrues fetarë. Ata kërkonin të dukeshin të drejtë para njerëzve, por brenda ishin të korruptuar. Pasuritë që ata vlerësonin ishin të neveritshme për Perëndinë. Ata ishin fetarë lakmitarë dhe varfanjakë frymërorë. Ata e kanë vendin e tyre pranë administratorit mashtrues – të pabesë në ato që janë më të vogla, të pasigurt në atë që është e Tjetrit, të padenjë për të marrë pasuri të vërteta.

[previous][next]
[[1]]Gallon – njësi matëse për lëngjet e barabartë me afro 3.79 litra [Shënim nga përkthyesi].[[1]] [[2]]Shinik – enë druri e rrumbullakët, që shërben si masë drithi dhe që ka madhësi të ndryshme sipas krahinave (nxë nga 25 deri në 100 okë); sasia e drithit që nxë një enë e tillë [Shënim nga përkthyesi].[[2]] [[3]]Versioni i Mbretit Xhejms është: «dhe zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm». Nuk është e qartë nëse kjo i referohet Zotit Jezus apo punëdhënësit të administratorit. Në fakt, kjo nuk është se bën ndonjë dallim. Lavdërimi do të ishte i vërtetë pavarësisht se kush e tha atë, siç e diskutuan.[[3]] [[4]]Letër me vlerë, që u jepet nga shteti qytetarëve në vend të parave që ka marrë hua prej tyre dhe që shlyhet pas një kohe të caktuar [Shënim nga përkthyesi].[[4]] [[5]]Pjesë e bilancit ekonomik të një ndërmarrjeje, që përfshin të gjitha vlerat e saj materiale, shumën e parave në arkë, të ardhurat dhe detyrimet që i kanë ndërmarrjet e tjera [Shënim nga përkthyesi].[[5]] [[6]]Versioni NKJV shkruan: «ato që janë më të vogla» ose «ato që janë më të pakta» [Shënim nga përkthyesi].[[6]]