MËSIMET REVOLUCIONARE | Pjesa 3

Mësimi 5 | Dishepullimi i krishterë | LUKA 6:39-49

Shërbesa e dishepujve të krishterë është një shërbesë karakteri. Ndershmëria e tyre frymërore dhe ajo morale janë burimet kryesore për ta. Ajo që ata janë është shumë më e rëndësishme sesa çdo gjë që bëjnë a thonë. Ajo që ka vlerë është kultivimi i një karakteri të fortë të krishterë.

Faktikisht, në Dhiatën e Re gjenden vetëm disa nxitje për fitimin e shpirtrave me vendosmëri, por ka me qindra nxitje për një jetë të shenjtë. Kur Jezusi tha: «Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish», Ai e bëri zhvillimin e një jete që ka cilësitë e Krishtit kushtin paraprak për fitimin me sukses të shpirtrave.

Më lejoni t’ju jap disa shembuj se si funksionon kjo. Një marinari të pashpëtuar i kishte bërë përshtypje sjellja e një shoku të krishterë. I krishteri ishte gjakftohtë, i përmbajtur dhe i ndershëm. Ai mund të vazhdonte një bisedë pa përdorur fjalë të këqija. Një natë Tiku i tha shokut të tij: «Berti, ti je ndryshe. Ti ke diçka që unë nuk e kam. Nuk e di se çfarë është, por dua ta kem edhe unë». Ishte e lehtë për Bertin për ta drejtuar Tikun te Zoti atë natë.

Kur një student në universitet u bë i neveritshëm nga pija e tepruar, shokët u kthyen kundër tij. Faktikisht, shoku i dhomës e urdhëroi të largohej. Askush nuk e donte. Përfundimisht një besimtar i zjarrtë dëgjoi për gjendjen e tij të vështirë dhe e ftoi të rrinte në dhomën e tij. Pijaneci ishte i neveritshëm, por samaritani i mirë përgatiste ushqime për të dhe kujdesej për larjen e rrobave të tij. Shpesh atij i duhej t’i fshinte të vjellat, ta lante dhe ta çonte në shtrat. Përfundimisht kjo e bëri pijanecin që të reagonte.

Një ditë ai bërtiti me inat: «Dëgjo këtu! Përse po e bën këtë? Çfarë kërkon?»

I krishteri u përgjigj qetë: «Po kërkoj shpirtin tënd». Ai e fitoi atë.

Është edhe historia e zotit Henri M. Stenli i cili shkoi në Afrikë për të kërkuar David Livingstonin, eksploruesin misionar. Më vonë Stenli shkroi:

Shkova në Afrikë si i njëanshëm kundër fesë, si i pafeu më i keq në Londër. Për një korrespondent si unë, të cilit i duhej të merrej vetëm me luftëra, mbledhje masive dhe grumbullime politike, çështjet sentimentale ishin krejt jashtë kompetencës sime. Por erdhi për mua një kohë e gjatë reflektimi. Gjendesha atje larg nga bota materialiste. Pashë atje këtë plak të vetmuar (Livingstonin) dhe e pyeta veten: «Pse ka ndaluar ai në një vend të tillë? Çfarë e frymëzon?»

Për muaj pasi u takuam, isha duke e dëgjuar atë, duke vrarë mendjen për fjalët që nxirrte burri i vjetër: «Hiqni dorë nga gjithçka dhe më ndiqni mua». Por pak nga pak, duke parë përkushtimin, butësinë, zellin, sinqeritetin e tij dhe në ç’mënyrë të qetë punonte, u ktheva në besim prej tij, ndonëse ai nuk ishte përpjekur në asnjë mënyrë për këtë.

Bota e jashtme na studion më tepër neve sesa Biblën. Njerëzit thonë, bashkë me Edgar Gestin: «Parapëlqej më tepër të shikoj një predikim, sesa të dëgjoj një të tillë një ditë». Dhe shpesh ata janë të detyruar të thonë: «Ajo që ti je flet aq fort, që nuk mund të të dëgjoj çfarë thua». Kur njëfarë predikuesi ishte në katedër, bashkësia dëshironte që të mos largohej prej saj. Kur ai nuk ishte atje, ata dëshironin që të mos shkelte kurrë atje. Ishte një predikues i madh, por jeta e tij nuk shkonte me predikimin e tij. Secili prej nesh është ose një Bibël ose një shpifje.

Një poet na kujton:

Ti po shkruan një ungjill, një kapitull për mua,

me veprat që bën dhe fjalët që thua.

Njerëzit lexojnë çfarë shkruan, për mirë a për keq,

Më thuaj! A ka nevojë ungjilli yt që ta ndreq?

Kur dikush u pyet se cili ishte ungjilli i tij i parapëlqyer, ai u përgjigj: «Ungjilli sipas nënës sime». Xhon Uesli ka thënë në të njëjtën mënyrë se ka mësuar rreth krishterimit më tepër nga nëna e tij sesa nga gjithë teologët e Evropës.

Një predikues i mirënjohur kishte një vëlla që ishte mjek. Një ditë një zonjë erdhi te dera e predikuesit, por u hutua se kush vëlla jetonte aty. Kur iu afrua derës ajo pyeti: «Më falni, por a jeni ju doktori që predikon apo ai që praktikon?» Kjo pyetje e befasoi predikuesin dhe kështu ai vendosi të praktikojë më mirë të vërtetat që predikonte.

Para shumë vitesh shkrova këto vargje depërtuese me tingëllimë përpara Biblës sime:

Nëse pamja e vetme që për Të ata mund të kenë

Është çfarë në ty prej Tij ata vërejnë

MekDonald, çfarë shohin ata?

Është një kujtesë e shëndoshë që ne jemi pamja e vetme e Shpëtimtarit që shumë njerëz do të mund të kenë ndonjëherë.

Luka 6:39-49, Zoti ynë flet për karakterin e dishepujve të Tij dhe se sa e rëndësishme është kjo. Së pari, Ai nxjerr në pah që ka disa caqe në lidhje me hapësirën për të ndihmuar të tjerët. I verbëri nuk mund të prijë të verbrin. Nëse kemi disa vende të errëta në jetën tonë – ndonjë dobësi të dukshme karakteri – ne s’mund të mësojmë dikë si të dalë fitimtar. Nëse provojmë ta bëjmë, ai mund të thotë: «Doktor, shëro vetveten».

Mësuesi mund ta çojë dishepullin deri në atë pikë që ka arritur vetë, por ai s’mund të presë që dishepulli të përparojë më tej. Qëllimi i dishepullimit është që nxënësi të bëhet si mësuesi i tij.

Jezusi përdori ilustrimin e lëmishtes dhe të traut për të dalë atje ku duhet. Duke përdorur pak imagjinatë të shenjtëruar, ne përfytyrojmë dikë duke ecur pranë një shtrese shirjeje. Befas një shkulm ere ngre një grimcë pluhuri dhe e ngec mirë në syrin e tij të majtë. Ai e fërkon dhe e fërkon dhe sa më shumë që e fërkon, aq më keq bëhet. Rreth tij mblidhen miq duke patur mënyra të ndryshme zgjidhjeje. Njëri thotë: «Lëvize qepallën që të prekë pjesën e poshtme të syrit». Por asgjë nuk bën punë. Pastaj vij unë me një shtyllë telefoni në syrin tim dhe i ofroj ndihmë me dashamirësi. Çfarë ndodh? Ai i ngre sytë e përskuqur drejt meje dhe më thotë: «Nuk mendon se duhet të heqësh shtyllën nga syri yt?»

Është e qartë që nuk mund të ndihmoj dikë që vuan nga një problem moral apo frymëror nëse unë kam të njëjtin problem dhe sidomos nëse këtë problem e kam në një shkallë të tepruar. Do të bëja mirë të rregulloja jetën time para se të përpiqem të ndihmoj të tjerët.

Jezusi përdori ilustrimet e pemës së mirë dhe asaj të keqe, të njeriut të mirë dhe atij të mbrapshtë dhe të ndërtuesit të mençur dhe atij të pamend për të theksuar që mesazhi i tyre është vetë njeriu. Pemët e mira japin fryte të mira. Ato pemë që nuk janë në gjendje të shëndetshme japin fryte të sëmura dhe me krimba. Pema njihet nga frytet që jep. Ferrat s’mund të prodhojnë fiq dhe as gjembat të rritin rrush.

Është e njëjta gjë edhe me njerëzit. Një njeri i mirë shërben fjalë ndërtimi, ngushëllimi dhe inkurajimi për të tjerët. Jeta e tij është një bekim për ata me të cilët ka lidhje. Një njeri i mbrapshtë, nga ana tjetër, flet në një mënyrë të ndotur, të dëmshme dhe të thatë. Cilësia e shërbesës së dikujt përcaktohet nga ajo që ai është përbrenda. Bashkëbisedimi është një barometër për karakterin.

Ndërsa Zoti Jezus arrin në fund të predikimit të Tij në fushë, duke e ditur sa radikal dhe revolucionar është, Ai parashikon tundimin në anën e dishepujve për ta dëgjuar, por mos e zbatuar atë. Ata do ta thërrasin atë «Zot, Zot», por s’do të bëjnë atë që u thotë. Kështu që Ai përcakton dishepullin e mençur dhe atë të pamend. Njeriu i mençur i dëgjon fjalët e Tij dhe i zbaton ato. Jeta e këtij njeriu është ndërtuar mbi një themel të fortë. Kur stuhitë vijnë në jetën e tij dhe ato do të vijnë, atë se luan topi. Jeta e tij është ndërtuar mbi parimet e shëndosha të dishepullimit të krishterë që Zoti sapo ka mësuar.

Njeriu i pamend është ai që dëgjon, por nuk zbaton. Ai mbështetet mbi mençurinë dhe arsyetimin e vet. Ai është i mendimit që programi i Shpëtimtarit nuk mund të funksionojë kurrë në një botë si kjo e jona. Kur stuhitë vijnë, jeta që ai ka ndërtuar është fshirë nga faqja e dheut. Shpirti i tij mund të shpëtohet, por jeta e tij ka humbur. Ai s’ka asgjë për të treguar mbi vitet e humbura. Të harxhosh jetën kot është e tmerrshme.

[previous][next]