NJIHE BIBLA TËNDE

Mësimi 26 | Jeta e Krishterë

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë (2 Tim. 3:16-17).

Mendo për mrekullinë e këtij Libri, Biblën. Përfytyrojeni! Ajo është Fjala e Perëndisë! Zotërimi ynë më i vyer këtu në tokë, Bibla e Shenjtë! Ne duhet të jemi burra e gra që të kemi bindje për këtë. Sot njerëzit e vërtitin shumë fjalën për Biblën. Ka njerëz në qarqet kishtare të cilët mund të të flasin nga të dy anët e buzës. Ata nuk ngurrojnë të flasin për autoritetin e Biblës, por ata nuk thonë se ajo është Fjala «e frymëzuar» e Perëndisë. Ne duam të jemi burra dhe gra me bindje, të cilët e dimë se çfarë besojmë në lidhje me Shkrimet dhe që jemi të gatshëm të qëndrojmë për të dhe që kemi besim tek ajo.

Bibla është një nga ato pak gjëra që i kemi këtu në tokë dhe që do t’i kemi edhe në qiell. A nuk është kjo e mrekullueshme? «Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë» (Psa. 119:89). «Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë» (Mt. 24:35). Ja ku është, pra, teksti i përjetësisë. Çfarë sfide!

Në këtë Libër ne kemi të vërtetën. Jezusi tha: «Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta» (Gjo. 17:17). Ndonjëherë mendoj se e dëgjojmë këtë aq shpesh, saqë ajo nuk arrin të lërë ndonjë përshtypje në ne. Mjafton t’i bëjë engjëjt të hapin gojën nga habia. Bibla, e vërteta e Perëndisë.

Shkruesi i Psalmit 119 mund të mendonte për gati njëqind e shtatëdhjetë e shtatë gjëra që ai mund të thoshte rreth Fjalës së Perëndisë. Sa mund të mendojmë ti e unë? Është një sfidë, apo jo? Psalmisti vazhdon e vazhdon pa përsëritur vetveten dhe thotë gjithçka që kjo Fjalë e vyer nënkupton për të.

Le të jemi burra dhe gra me bindje. Le të jemi të bindur për frymëzimin e Shkrimeve. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia». Kur njerëzit u ulën për të shkruar, ata shkruan ashtu si Fryma e Shenjtë e Perëndisë i shtyu ata. Ne nuk e kuptojmë plotësisht këtë mekanizëm. As nuk është e nevojshme që ta kuptojmë. Mjafton të dimë se Bibla ka jo vetëm autoritet, por që ajo është e frymëzuar nga Perëndia.

Ne duam të jemi të bindur jo vetëm për frymëzimin e përgjithshëm të Shkrimeve, por edhe për frymëzimin gojor të Shkrimeve. Për këtë unë i drejtohem 1 Korintasve 2. Në këtë kapitull, apostulli Pal na jep tri gjëra. Ai na jep zbulim (v. 10). Pastaj ai vazhdon me temën e frymëzimit (v. 13a). Së fundi ai trajton ndriçimin (v. 13b). Ju lutem shikoni vargun 13. Ndërsa trajton frymëzimin, Pali po flet për veten dhe jo për ty e për mua. Ai po flet për veten dhe për apostujt dhe profetët e tjerë të shekullit të parë të cilët na dhanë Dhiatën e Re. «Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë…».

Tani ju duhet të plotësoni një fjalë midis, por dhe të mësuara. Kjo nënkuptohet. Dhe cila është ajo fjalë? Ajo është fjalë. Tani lexoje përsëri vargun. «Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por [fjalë] të mësuara nga Fryma e Shenjtë». Kjo do të thotë se çdo fjalë e Shkrimeve është e frymëzuar. Bibla është e frymëzuar gojarisht. Perëndia nuk i tha Isaias: «Isaia, ja ku e ke planin e përgjithshëm dhe thjesht formuloje ashtu siç ti e di më mirë…». Isaia u ul dhe shkroi po ato fjalë që i dha Perëndia përmes Frymës së Shenjtë – fjalë të mësuara nga Fryma e Shenjtë.

Pastaj Pali trajton ndriçimin. «Duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore». Pa dyshim që kjo është një frazë e vështirë. Unë sugjeroj se ajo do të thotë «duke përçuar të vërteta frymërore me fjalë të dhëna nga Fryma». Kjo përshkuan se si ai na e përçoi të vërtetën. Ai na mësoi doktrina frymërore me fjalë të frymëzuara.

Le të jemi të bindur për frymëzimin gojor të Shkrimeve. Le të jemi të bindur edhe për frymëzimin plenar [e plotë] të Shkrimeve. Ky libër është i frymëzuar nga Zanafilla deri te Zbulesa. Zoti Jezus tha se frymëzimi përfshin jo vetëm fjalët, por çdo jotë e pikë. Pika [ose shenjë diakritike] nuk ishte një fjalë, madje nuk ishte as një germë. Ajo ishte një vizë ndarëse. Ajo ishte një shenjë diakritike për një shkronjë. Do të ishte baras me vijën e poshtme të shkronjës «E» që shkronja «F» nuk e ka. Zoti tha se asnjë jotë a asnjë pikë nuk do të kalojë, para se të gjitha këto gjëra të plotësohen.

Gjithashtu frymëzimi shtrihet deri në dallimin midis njëjësit dhe shumësit të një emri. Në Galatasve 3:16 Pali i kushton vëmendje ndryshimit midis pasardhës [shumës] dhe Pasardhje [njëjës]. «Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe Pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: «Edhe pasardhësve» si të ishin shumë, por të një të vetme: «Dhe Pasardhjes sate», pra Krishti».

Ne duhet të jemi të bindur jo vetëm për frymëzimin e Shkrimeve, por edhe për faktin që Bibla është zbulesa përfundimtare e Perëndisë për njeriun. Juda, në vargun e 3-të të letrës së tij, flet «për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë». Një herë e përgjithmonë! Asnjë gjë nuk mund t’i shtohet atij.

Gjithashtu ne duam të jemi të bindur për mjaftueshmërinë e Biblës. Pjetri na e kujton këtë tek 2 Pjetrit 1:3: «Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet». Vini re shprehjen «të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë».

Ne besojmë në mjaftueshmërinë e Fjalës së Perëndisë. Jo në Fjalën e Perëndisë plus në Librin e Mormonëve. Jo në Fjalën e Perëndisë plus në [librin] «Shkenca dhe shëndeti me çelësa për të kuptuar Shkrimet». Jo në Fjalën plus në traditën e kishës katolike, apo qoftë edhe në kulturën bashkëkohore. Jo në Biblën plus në përvojën. Jo në Biblën plus në «Komentari i Biblës për Besimtarët». Jo në Biblën plus në psikologjinë apo filozofinë apo në në ndonjë prej këtyre gjërave. Vetë Bibla është e mjaftueshme. Dhe më pëlqen ajo çka lexoj në 2 Timoteut 3:17: «që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer [i plotë]». Ajo fjalë «i plotë», në fakt, do të thotë i përshtatshëm [i mjaftueshëm]. Kjo do të thotë se ai që e lexon, që e studion, që e mendon thellë, që e shtie në zemër dhe që i bindet Fjalës së Perëndisë bëhet person i përshtatshëm.

Veç kësaj, ne duam të jemi të bindur për pagabueshmërinë e Shkrimeve gjithashtu. Zoti Jezus tha në Gjoni 18:31-32: «Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; [dhe] do ta njihni të vërtetën». Asnjë zbulim i vërtetë i shkencës nuk do të bie ndonjëherë ndesh me interpretimin e vërtetë të Shkrimeve. Kjo do të ishte e pamundur, sepse Perëndia është Autori i të dy librave. Ai është Autori i Biblës dhe Ai është autori i shkencës së vërtetë gjithashtu. Sot ne dëgjojmë njerëz që e stërhollojnë fjalën për këtë. Madje dëgjon edhe sugjerimin se Bibla përmban gabime. Në një nga të ashtuquajturit seminare ungjillore në Shtetet e Bashkuara, një mësues tha: «Ne e dimë se Bibla përmban gabime. Jezusi tha se fara e sinapit është më e vogla nga të gjitha farërat. Ne e dimë se fara e sinapit nuk është më e vogla nga të gjitha farërat, prandaj, Bibla përmban gabime». Është me të vërtetë për të ardhur keq të mendosh se një profesor në një seminar të pranojë diçka të tillë, sikur Zoti Jezus të ishte duke dhënë një fjalim shkencor rreth farës së sinapit. Kjo nuk kishte të bënte fare me këtë. Mund të arrij të shoh ata njerëz ndërsa ecin në pazar dhe shohin të gjitha erëzat e rreshtuara në rafte për shitje, ose ndoshta atë gruan që sheh erëzat që ka në dollapin e shtëpisë dhe fara e sinapit është më e vogla. E kuptoni se kur ai e tha këtë, nuk është se Bibla përmban gabime, se Jezus Krishti mund të gabonte. Le të jemi të bindur për sa i përket pagabueshmërisë së Fjalës së Perëndisë.

Vite më parë hasa këtë citim nga B. H. Carroll dhe më bëri vë buzën në gaz. Më ka ngelur në mendje që atëherë. Ai tha: «Kur isha fëmijë, gjeta një mijë kontradikta në Bibël. I shënova. Atëherë kisha rreth një mijë kontradikta më shumë, sesa kam tani. Tani kam një gjysmë duzinë gjëra në Bibël që nuk mund t’ia shpjegoj në mënyrë të kënaqshme vetes, por kam parë të bashkohen dhe të harmonizohen nëntëqind e nëntëdhjetë e katër nga ato një mijë sikurse bashkohen dy tela». Dhe ai tha: «Jam i prirur të mendoj se nëse do të kisha pak më shumë gjykim, do të pajtoja edhe ato gjashtë». Kaq! Është krejtësisht e saktë! Le të jemi të bindur për pagabueshmërinë e Fjalës së Perëndisë.

Le të jemi të përkushtuar në leximin e Fjalës së Perëndisë. Kjo është shumë e rëndësishme. Për ata që e lexojnë Fjalën e Perëndisë është shprehur një bekim i veçantë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për librin e Zbulesës, por kjo zbatohet edhe për të gjithë Biblën: «Lum ai që lexon dhe lum ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe që ruajnë ato që janë shkruar në të, sepse koha është afër» (Zbu. 1:3).

Nuk mjafton vetëm të lexosh Biblën. Le të jemi të përkushtuar për ta studiuar Fjalën e Perëndisë. Më kujtohet se si një i ri, m’u bë e qartë se nuk do të dija gjithçka kur të shkoja në qiell. Kisha menduar gjithnjë se në lavdi do të dija gjithçka, kështu që përse duhet ta studioja Biblën tani? Por pastaj lexova Efesianëve 2:7: «Për të treguar në epokat që do të vijnë…». Perëndia do të tregojë. Mendova se nëse Perëndia do të tregojë, unë do të jem duke mësuar. Mendova, në rregull, nëse unë do të mësoj, atëherë qielli do të jetë një shkollë, Perëndia do të jetë Mësuesi, Bibla do të jetë teksti mësimor, semestri do të jetë përjetësia. Deri në atë kohë mendoja se tregtia ishte gjëja kryesore në jetë. Kështu që studiova për biznes dhe u bëra bankier. Por pastaj mendova, hëm. Dhe në moshën tridhjetë vjeçare e kuptova. Mendova, ky është libri i përjetësisë. Dhe një ditë do të ulem me patriarkët, Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në mbretërinë e Atit. «Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve» (Mt. 8:11). Dhe ne do të bashkëbisedojmë! Por me sa zgjuarsi do të jem në gjendje të bisedoj me ta? Sidomos nëse ulem pranë Abdias apo Sofonias! A do ta besoni se me ata e fillova studimin e zellshëm të Fjalës së Perëndisë? Mendova, në rregull, është një punë shumë e madhe, MekDonald. Gjashtëdhjetë e gjashtë libra. Mendova, ama e di se një punë e madhe përbëhet nga shumë punë të vogla. Unë s’mund të bëj një punë të madhe, por mund të bëj shumë punë të vogla. Fillova studimin sistematik, varg pas vargu. Në disa ditë nuk bëja më tepër se pesë vargje. M’u deshën tridhjetë vjet që ta mbaroja. Studiova çdo varg, duke pyetur se çfarë po thotë Perëndia këtu? U përballa me pjesë të vështira për të cilat njerëz të mëdhenj e të perëndishëm kanë interpretime të ndryshme. Mendova për ato interpretime. Cili interpretim është më i miri? Cili prej tyre përputhet më së miri me kontekstin dhe kusurin e Biblës?

Po, ky është teksti mësimor i përjetësisë. Ju thoni, po gjithkush do të jetë i lumtur në përjetësi. E di, por disa njerëz do të jenë më të lumtur se të tjerët. Kupa e çdo besimtari do të jetë plot, por disa do të kenë kupa më të mëdha se të tjerët. Kushdo do të gëzohet në Zotin, por disa do të kenë një kapacitet më të madh për t’u gëzuar në Të se të tjerët. Dhe ne jemi duke përcaktuar këtë kapacitet këtu poshtë sipas asaj se çfarë bëjmë me Fjalën e Perëndisë. Ne të gjithë do ta gëzojmë qiellin, por ne jemi duke përcaktuar kapacitetin tonë për gëzimin e lavdive të qiellit sipas asaj se çfarë jemi duke bërë tani me Fjalën. Kur kuptova këtë, kjo më nxori nga bota e shiritit të kapitaleve dhe më futi në rrugën e dividendëve [1] të mëdhenj. Shpresoj se kjo do të jetë një sfidë për ju.

E di se çfarë po mendojnë disa nga ju. Një lojë bejsbolli apo një dokumentar televiziv është shumë herë më emocionues se studimi i Biblës. Por ai është më emocionues vetëm nëse e sheh nëpërmjet syve të mishit. Nëse e sheh nëpërmjet syve të besimit, Bibla është më e rëndësishme, sepse ajo që t’i bën me këtë libër ka vlerë në përjetësi. Vendos syzet e besimit tënd. Shiko nëpërmjet syve të besimit dhe do të kuptosh se vetëm ajo që është e përjetshme ka vlerë me të vërtetë. Rezultati i asaj loje futbolli do të harrohet shpejt.

Një qëllim i lavdërueshëm është që të bëhesh një student i zellshëm i Fjalës së Perëndisë, të jesh i aftë për Biblën. Dhe edhe sikur të studiosh vetëm disa vargje çdo ditë, lëri të grumbullohen dhe do të çuditesh me përparimin që do të bësh. Ke në dispozicion të gjitha llojet e ndihmave për studimin e Biblës. Shfrytëzoi ato.

Në studimin e Fjalës së Perëndisë merre atë fjalë për fjalë kudo që mundesh. Ne besojmë në interpretimin e fjalëpërfjalshëm të Shkrimeve. Kjo është arsyeja përse ne besojmë në Rrëmbimin para mundimit. Kjo është arsyeja përse ne besojmë në kthimin e Krishtit para mijëvjeçarit, sepse nëse kuptimi i parë ka kuptim, ti nuk kërkon të gjesh ndonjë kuptim tjetër. Ky është rregulli i parë i interpretimit të Biblës.

Dhe mos u përpiq të sheqerosësh ndonjë pjesë të vështirë që nuk të pëlqen. Kjo është tundim. Ka shumë fjalë të forta të Jezusit në Dhiatën e Re. Dhe është një tundim i madh kur përballesh me to dhe përpiqesh që t’i sheqerosësh ato. Për shembull, «argumenti i kulturës». «Mirë, po ajo ishte vetëm për kulturën e asaj kohe». Këtë e dëgjon vazhdimisht.

Erwin Lutzeri i Kishës Moody shkroi: «Ne jemi dhënë kaq shumë pas frymës së kësaj epoke që, si një kameleon, ne kemi ndryshuar ngjyrat për t’u përzier me ngjyrimin më të fundit të kësaj bote». Kur aktivistët për të drejtat e homoseksualëve argumentojnë se homoseksualiteti është vetëm një alternativë tjetër e preferencave seksuale, ne shohim disa ungjillorë që shkruajnë libra mbështetës. Ata thonë se në fund të fundit Bibla nuk e dënon homoseksualizmin.

Kur feministët paraqesin kërkesat e tyre për barazi, disa predikues kanë ristudiuar Dhiatën e Re vetëm për të gjetur se Pali nuk donte të thoshte atë që tha. Ose akoma më e frikshme është përfundimi i një ungjillori që Pali e kishte plotësisht gabim për temën e feminizmit.

Dhe kështu ne i përshtatim Shkrimet me çfarëdolloj ere që rastis të fryjë. Ne pushtohemi kaq shumë nga kultura tonë, saqë ne s’kemi asgjë për t’i thënë asaj. Nga zelli ynë për t’iu përshtatur kohës, ne kemi humbur zërin tonë profetik. Sa herë që bëjmë një kompromis doktrinor, armiqtë e krishterimit forcohen.

Ja një ilustrim se sa larg mund të shkojë argumenti i kulturës. Peshkopi episkopal John Spong nga Njuark, në Nju Xhersi, tha në një artikull se «konceptet tradicionale të ringjalljes dhe të ngritjes së Jezusit si edhe pjesët e famshme nga Dhiata e Re që citohen për të dënuar homoseksualitetin nuk mund të merren fjalë për fjalë dhe duhet të vihen në kontekstin e kohës në të cilën u shkruan». Bibla i flet çdo epoke si edhe çdo kulture. «Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë» (Psa. 119:89). Mos u lëkund nga «argumenti i kulturës».

Mos u lëkund nga «argumenti i traditës», «Ne nuk e kemi bërë kurrë atë kështu». Kur Zoti Jezus ishte në tokë Ai e dënoi këtë lloj të menduari. Ja ku kemi një baba të moshuar jude dhe ai është shumë i varfër. Ai shkon tek i biri i cili është bërë shumë i pasur, shumë i suksesshëm në tregti dhe që ka shumë para dhe i thotë: «Bir, të rritëm dhe ja ku jemi në fund të jetës dhe ne s’kemi asgjë». Ishte një traditë midis judenjve që thoshte se gjithçka që i biri duhet të bënte ishte të thoshte «Kurban» dhe kjo e lironte nga çdo detyrim karshi të atit. Kurban do të thoshte «gjithçka që mund të bëja për ty i është kushtuar tempullit». Kjo s’do të thoshte se paratë i mori tempulli. Ishte thjesht një traditë nga njerëzit, një formulë gojore.

Pastaj është «argumenti jo fjalë për fjalë». Njerëzit thonë: «Jezusi nuk e kishte atë fjalë për fjalë». «Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im» (Lu. 14:33). Ai s’mund ta ketë patur fjalë për fjalë! Ai e di se mua më duhet të jetoj, apo jo? Një i ri ia tha njëherë këtë Spërxhënit i cili po e përballte atë me pohimet e Krishtit. Ai tha: «Mirë, po mua më duhet të jetoj, apo jo?» Dhe Spërxhëni tha: «Nuk e pranoj këtë. Ne duhet t’i bindemi Perëndisë». Ja, pra. Ne duhet t’i bindemi Perëndisë edhe sikur kjo të shkojë kundër karakterit të natyrës njerëzore.

Mos u lëkund nga «argumenti i përjashtimit». Këtë e dëgjoj shpesh. Është pak a shumë kështu: «E di se çfarë thotë Bibla, por në rastin tim Zoti dëshiron të bëjë një përjashtim». A e ke dëgjuar ndonjëherë këtë? Këto janë mënyra me të cilat ne i anulojmë urdhërimet e Perëndisë. Perëndia po kërkon burra dhe gra, të rinj dhe të reja të cilët do të dridhen para Fjalës së Tij. Ja, pra, çfarë është Ai duke kërkuar, njerëz që do t’i përkulin trutë e tyre para Fjalës së Perëndisë. Burra që e duan Fjalën e Perëndisë dhe gra që e duan Fjalën e Perëndisë. Njerëz që kanë këtë qëndrim: «Nëse Perëndia e thotë këtë, unë do t’i bindem».

Më pëlqen të tregoj për një të ri i cili ishte një student në [Shkollën Biblike] Emaus vite më parë. Ai e quante veten një humbalaq në Emaus. Do të doja të kishim më shumë humbalaqë si ai. Ai kishte një besim të thjeshtë, jo të ndërlikuar. Para se të shpëtohej ai ishte kaq i ndruajtur që nuk mund të fliste me njerëz. Pastaj ai u shpëtua në Fayettville, në Karolinën e Veriut dhe u bë një forcë për Perëndinë. Dhe ai kishte atë qëndrim kur bëhej fjalë për Fjalën e Perëndisë. Ai do të thoshte: «Nuk e vras mendjen nëse askush tjetër nuk po e bën këtë; nëse kjo është ajo çfarë Zoti thotë, kjo është ajo që unë dua». Dhe kam qenë me atë të ri në Francë duke shkuar derë më derë; ai flet rrjedhshëm frëngjisht. Sot ai predikon nëpër sheshe në Gjermani. Ai mësoi një pjesë të mirë të një dialekti indian. Ai flet polonisht dhe pak rusisht. Si e bëri ai këtë? Nuk ishte KI-ja [koeficienti i inteligjencës] e tij e lartë. Ishte pikërisht ai qëndrim. «Unë dua të bëj atë që Fjala e Perëndisë më thotë të bëj».

Dhe pastaj është argumenti i «urtësisë» ose i «mendimit praktik». Jezusi tha:

Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin (Mt. 6:19-20).

Mirë, pra, ti duhet të përdorësh mendimin praktik, apo jo? Duhet të marrësh masat për një ditë në nevojë, apo jo? E kupton, ky është mendim praktik. Ka diçka më të mirë se mendimi praktik dhe kjo është zbulesa hyjnore. Nëse drejtohemi nga mendimi praktik, ne nuk do ta kishim kurrë ungjillin e hirit të Perëndisë. Unë po ju them se e vërteta e Perëndisë shkon përtej mendimit praktik apo urtësisë. Dhe kur Zoti tha se ne nuk duhet të mbledhim thesare mbi tokë, Ai donte të thoshte saktësisht atë që Ai tha.

Më kujtohet kur George Verwer u shpëtua në fillim dhe Dale Rhoton po e dishepullonte. Dale do e vinte përpara disa prej atyre pjesëve të vështira dhe do e pyeste: «Çfarë do të thotë kjo, George?»

George do përgjigjej: «Bibla o thotë atë që thotë, ose ne duhet ta flakim atë». Perëndia e nderoi atë qëndrim. Ata dy studentë filluan t’i jetonin ato parime dhe jehonat janë dëgjuar kudo nëpër botë.

Më kujtohet kur u luta me Ray Lentzsch në një qytet të vogël në Belgjikë. Më kujtohet që Ai tha: «Zot, mendimi praktik është helm minjsh!» Ai kishte më shumë të drejtë se gabim. Kur vjen puna për interpretimin e Shkrimeve, shko përtej mendimit praktik. Fjala e Perëndisë është zbulesë hyjnore.

Dhe, sigurisht, kemi edhe argumentin «mos ofendo kurrë». Ti s’do të doje ta bëje këtë nëse do të ofendoje dikë, apo jo? Miq, më duket se çdo gjë që ne bëjmë si të krishterë e ofendon dikë. Ungjilli është ofendues, apo jo? Ungjilli nuk e lë dikë të mbështetet as mbi një këmbë. Ai e heq tërë dheun poshtë tij. Ai i thotë atij që është një mëkatar i mjerë! Ai i tregon atij se gjëja më e mirë që mund të thuash për të nuk është më e mirë se një rrobe e ndotur dhe gjëja më keqe që mund të thuash për të është se ai vrau Perëndinë e tij! Mos më fol mua për argumentin «mos ofendo kurrë». Nëse Bibla e thotë, ne e bëjmë. Dhe ne s’kemi çfarë të bëjmë nëse kjo i ofendon apo jo njerëzit!

Më kujtohet kur m’u kërkua që të flisja në një funeral në Çikago. Zonja që kishte përgjegjësi për këtë më tha: «Tani, një nga motrat e mia është e martuar me një jude dhe një nga vëllezërit është i martuar me një katolike dhe ne jemi luterianë dhe nuk do të doja që të thoje diçka që do të ofendonte».

I thashë: «Atëherë, bën mirë të gjesh dikë tjetër që të predikojë mesazhin».

«Jo, jo, jo, ne duam që ta predikosh ti mesazhin!»

«Po, bën mirë të gjesh dikë tjetër nëse je e shqetësuar se mos ofendoj dikë». Ne predikuam atë ditë. Ne predikuam ungjillin. Nuk mund të them se asnjë nuk u ofendua.

Kemi edhe argumentin «hajpër-dispensacionalist». Më lejoni të ndaloj këtu dhe të them se unë jam një dispensacionalist [2]. Nuk mendoj se do ta kuptoja Biblën nëse nuk do të shihja përndarje kohore. Do të isha duke ofruar sakrifica kafshësh nëse nuk do të isha një dispensacionalist. Mendoj se shumë njerëz që e luftojnë përndarjen kohore janë, në fakt, dispensacionalistë. Ata kanë një Bibël që është e ndarë në dy përndarje kohore, në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re. Por kemi edhe hajpër-dispensacionalizmin që i heq Predikimit në Mal, që i heq Ungjijve dhe që të zhvat gjithçka veç Letrave të Burgut. Nuk do ta dëshifroja këtë. Do të doja të nxirrja mjaltë nga e gjithë Fjala e Perëndisë, apo jo? Respekto përndarjet kohore, por shmang hajpër-dispensacionalizmin.

Pastaj është «argumenti i miqësisë». E. J. Carnell shkroi një libër të titulluar Çështja e ortodoksisë. Në fakt libri ishte një sulm frontal kundër krishterimit themelor. Këtë nuk do ta prisje kurrë nga titulli, Çështja e ortodoksisë. Carnell shkroi: «Adami shumë bukur mund ta ketë marrë trupin e tij nga një majmun që kishte evoluar më parë dhe kështu Zanafilla mund të jetë johistorike dhe joshkencore». Libri në fjalë argumenton kundër protestantizmit themelor dhe pagabueshmërisë së Shkrimeve.

Kur John Whitcomb, i cili në atë kohë ishte president i Seminarit të Hirit në Indiana, po e kritikonte librin para George Elden Ladd, Ladd iu përgjigj: «Po shiko, ti nuk e njeh atë personalisht sikurse unë. Ai është një burrë zemërbardhë, një njeri i perëndishëm».

Unë pyes: «Çfarë lidhje ka kjo me çështjen në fjalë? Ai po flet kundër frymëzimit të Shkrimeve. Shumë prej liberalëve dhe modernistëve militantë janë njerëz zemërbardhë. Ata kanë një reputacion të tillë. Kjo nuk ka të bëjë fare me çështjen». Kjo më bën të mendoj për punishten e karpentierit që kishte një tabelë përpara: «Këtu kryhen të gjitha llojet e shtrembërimeve dhe rrotullimeve».

Kur ndodhin gjëra në familjen tonë dhe një anëtar duhet të disiplinohet nga kisha lokale, është e habitshme se si njerëzit mund t’i shtrembërojnë Shkrimet për të justifikuar fajtorin. Gjaku është përsëri më i trashë se uji. Ne mund t’i marrin vargjet nga Shkrimet dhe t’i shtrembërojmë nëse ato godasin dikë të familjes sonë. Fjala e Perëndisë zbatohet për këdo, jo vetëm për ata jashtë rrethit tonë familjar.

Veç kësaj është «argumenti akademik» apo «shkencor». Një i ri më dha para ca kohësh: «E gjej të vështirë ta përputh Biblën me shkencën». Ai është duke thënë që shkenca ka të drejtë dhe se Bibla duhet t’i përshtatet asaj. Përse e thotë ai këtë? Ndonjëherë është dëshira për respekt intelektual ose akademik. Kjo mund të jetë vdekjeprurëse kur kemi të bëjmë me trajtimin e Fjalës së Perëndisë.

Dhe, sigurisht, është edhe argumenti «Perëndia është shumë i mirë». «Perëndia është shumë i mirë dhe si rrjedhojë nuk e mbështet ferrin e përjetshëm». Kjo është e fortë në rrethet ungjillore sot, mohimi i ndëshkimit të përjetshëm për të ligun. Por Bibla e mëson këtë. Bibla thotë: «Dhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në shekuj të shekujve» (Zbu. 14:11). Ajo thotë: «Atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket» (Mr. 9:44). Megjithatë njerëzit thonë se Perëndia është shumë i mirë dhe si rrjedhojë nuk e mbështet ferrin e përjetshëm. Ata harrojnë se Perëndia nuk e ndërtoi kurrë ferrin për njerëzit. Ata harrojnë se Perëndia i mishëruar vdiq për t’i shpëtuar njerëzit nga ferri. Ata nuk e kuptojnë se Perëndia kërkon keqardhjen më të vogël për të shpëtuar njeriun dhe për ta çuar atë në shtëpinë qiellore. Nëse njeriu thjesht pendohet dhe e pranon Zotin Jezus Krisht si Shpëtimtarin e tij, ai nuk ka pse të shkojë kurrë në ferr.

Ne duhet t’i përkushtohemi jo vetëm studimit të Fjalës së Perëndisë. Ne duhet t’i përkushtohemi edhe mësimit përmendsh të saj.

«Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde. E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje» (Psa. 119:9, 11).

Ne mësojmë përmendsh vargje dhe pjesë nga Shkrimet që Fryma e Shenjtë të ketë nga të nxjerrë në momentet e mëdha të jetës. Shpata e Frymës është Fjala e Perëndisë. Këtu Fjala e Perëndisë do të thotë pikërisht vargu i duhur për atë rast të veçantë. Por këtë Fryma nuk mund ta bëjë nëse ne nuk e kemi shtënë Fjalën në zemrat tona.

Gjithashtu ne duhet t’i përkushtohemi përsiatjes së Fjalës. Druaj se përsiatja është një art i humbur. Ne jemi tepër të zënë. Por «Perëndia nuk na kërkon aq punë të zëna të cilat nuk lënë aspak kohë për t’u ulur në këmbët e Tij. Qëndrimin e durueshëm të përsiatjes Ai e konsideron shpesh si shërbesën më të plotë». Ti pyet: «Por si të përsiat?»

Po ja, merr një varg nga Bibla dhe ashtu si lopa e përtyp për së dyti ushqimin, po ashtu edhe ti vret mendjen rreth atij vargu. Ja një shembull. Unë kam një tekst në mur përballë krevatit tim me fjalët: «I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë dhe pasurinë dhe diturinë dhe forcën dhe nderin dhe lavdinë dhe bekimin» (Zbu. 5:12). Ky varg më bën të vras mendjen. Si mund të marrë Zoti Jezus më shumë prej këtyre gjërave, sesa Ai tashmë ka? «I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë…». Ai ka gjithë fuqinë. Si mund të marrë Ai më shumë? Dhe pastaj ai thotë: «pasurinë». E tija është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. Nuk arrij ta kuptoj se si mund të marrë Ai më tepër pasuri, sesa ka tani. Dhe pastaj: «Të marrë […] dhe diturinë dhe forcën dhe nderin dhe lavdinë dhe bekimin…». Pastaj më hapen sytë. Ai mund të marrë fuqinë time (talentet e mia). Ai mund të marrë pasurinë time (thesaret e mia tokësore). Ai mund të marrë diturinë time (fuqitë e mia më të mira intelektuale). Ai mund të marrë më të mirën e forcës sime fizike, më të mirën e lavdërimit dhe adhurimit tim. Shkurt, Ai mund të marrë gjithçka që unë jam dhe kam. Ai është i denjë për gjithçka timen. Unë mund të vij e t’i lë të gjitha në këmbët e Tij të bekuara. Tani vargu ka marrë një domethënie të re! Nuk po them se ky është interpretimi i saktë, por kjo është ajo çka do të thotë për mua ndërsa ulem dhe përsiat për të. Le t’i përkushtohemi përsiatjes së Fjalës së Perëndisë.

Ji i përkushtuar për t’iu bindur Fjalës së Perëndisë. Kam folur tashmë për Larry Smith, mikun tim në Gjermani, i cili kishte një dëshirë të madhe për t’iu bindur Fjalës së Perëndisë. Bindja është organi i njohjes frymërore.

Mendo për këtë. Bindja është organi i njohjes frymërore. A do që të njohësh më tepër rreth Biblës? Bindju asaj që di. Perëndia do të të japë më shumë. Kjo është mënyra se si funksionon. Është interesante të mendosh se mund të arrish një fazë të caktuar dhe pastaj bllokohesh. Ka diçka atje që nuk do që t’i bindesh dhe ti rrëshqet ose madje shkon poshtë. «Sepse atij që ka, do t’i jepet, por atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo që ka» (Mr. 4:25). Le t’i përkushtohemi bindjes së Fjalës së Perëndisë.

«Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime» (Isa. 66:2). Dhe Zoti Jezus tha: «Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë» (Gjo. 8:31-32).

Le të jemi të përkushtuar ndaj mësimit dhe predikimit të Fjalës. «Ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë» (2 Tim. 4:2). Nuk thotë prediko psikologjinë. Nuk thotë prediko filozofinë. Nuk thotë prediko vetëvlerësimin. Nuk thotë prediko shëndet dhe begati. Vargu thotë: «Prediko Fjalën». Është Fjala e Perëndisë ajo që ka fuqi. Një varg i vetëm nga Shkrimet vlen sa një mijë argumente. Le të kumbojë ky mesazh në zemrën tënde. Prediko Fjalën. Kurrë nuk do të vijë një kohë në historinë e tokës që metoda e Perëndisë nuk do të jetë predikimi i Fjalës së Perëndisë.

Ne duhet të jemi të përkushtuar që të provojmë gjithçka me Fjalën e Perëndisë. Kohët e fundit mora një letër nga një besimtar i ri në moshë ku pyeste: «Cili është autoriteti yt biblik që thua këtë?» Unë them: «Lavdi Zotit për atë të ri besimtar». Ai është një bereas (Vep. 17:30). Ai donte të dinte autoritetin biblik për atë. Ne kemi nevojë për më shumë të tillë. «Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë» (Isa. 8:20). I shkrova atij një letër ku e lavdërova për këtë qëndrim. Prova e madhe është: «Çfarë thotë Bibla?» Shumë prej nesh janë rritur me këtë pyetje: «Çfarë thotë Fjala? Provo gjithçka me Fjalën e Perëndisë».

Nëse Bibla nuk është Fjala e Perëndisë, ne s’kemi asgjë. Shumë mirë ne mund të mbledhim plaçkat dhe të shkojmë në shtëpi. Por Bibla është Fjala e Perëndisë. Bibla është Fjala e Perëndisë për ne ku Ai na ka treguar gjithçka që na nevojitet për jetën dhe perëndishmërinë. Nëse Bibla nuk është Fjala e Perëndisë, Krishti nuk është ringjallur dhe ungjilli është i pasigurt. Por Bibla është Fjala e Perëndisë.

Gjatë kurorëzimit të një monarku anglez, Bibla i dorëzohet atij apo asaj me këto fjalë:

Ne të paraqesim këtë Libër, gjëja më e vlefshme që bota ofron. Këtu është urtësia. Këtu është ligji mbretëror. Këta janë orakujt e gjallë të Perëndisë. Unë ju them: «Unë ju paraqes këtë Libër. Gjëja më e vlefshme që bota ofron. Këtu është urtësia. Këtu është ligji mbretëror. Këta janë orakujt e gjallë të Perëndisë». E porosit secilin që e lexon këtë libër, ji i përkushtuar ndaj Fjalës së Perëndisë. Ki bindje rreth Fjalës së Perëndisë. Dhe kur të vijë një ditë largimi dhe mohimi, qëndro i fortë për Fjalën e Perëndisë.

[previous][next]



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Pjesa e fitimit që merr secili aksionist i një ndërmarrje kapitaliste sipas kapitalit që ka derdhur. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Përndarës, shpërndarës – përndarja: mënyra në të cilën Perëndia merret me njerëzit gjatë një periudhe të caktuar të historisë. ↵ Kthehu mbrapa