PRIT PA DITUR ENGJËJ

Mësimi 46 | Shërbesa e Krishterë

Një nga treguesit e një dishepulli të vërtetë është që ai është mikpritës. Shtëpia e tij është e hapur për familjen e besimit si dhe për jo të krishterët. Kjo është një nga mënyrat përmes të cilës ai mund të shfaqë dashuri të krishterë.

Llazari, Maria dhe Marta kishin një mikpritje bujare. Shtëpia e tyre ishte një vend ku Jezusi kishte dëshirë të ishte. Çdo shtëpi e krishterë mund të jetë e tillë. Kur ne presim dikë në emrin e Tij është njëlloj sikur të prisnim Atë.

Një zonjë nga Anglia bleu dikur një shtëpi në malin e ullinjve që ajo të mund t’i shërbente Jezusit çaj kur Ai të kthehej. Këtë ajo mund ta kishte bërë çdo ditë duke i shërbyer çaj ndonjërit prej ndjekësve të Tij. Por tani ajo ka ikur dhe Jezusi nuk është kthyer ende.

Mikpritja jonë nuk duhet kufizuar ndaj të afërmve dhe miqve tanë. Jezusi vuri në pah atë prirjen tonë tepër njerëzore kur tha:

Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos edhe ata të ftojnë ty sërish dhe kështu ta kthejnë shpërblimin. Por, kur të bësh një gosti, thirr të varfrit, sakatët, të çalët, të verbrit; dhe do të jesh i lumtur, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve (Lu. 14:12-14).

Ne duhet ta trajtojmë çdo mik siç do ta trajtonim Atë. Ky është një standard i lartë.

Sipas traditës së Lindjes së Mesme mikpritësi është përgjegjës për sigurinë e të ftuarit të tij, edhe nëse atij nuk i pëlqen veçanërisht ai. Kjo shpjegon shprehjen te Psalmi 23: «Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi». Armiqtë qëndrojnë në distancë, duke vështruar me inat të ftuarin, por ai është i sigurt nën kujdesin e bariut.

Është mirësjellje e zakonshme që të mos flasësh keq për një mik pas largimit të tij, pavarësisht se si mund të ketë qenë sjellja e tij.

Njerëzve që udhëtojnë nëpër vende të ndryshme për veprën e Zotit shpesh u tregohet mirësia e Perëndisë për hir të Jezusit. Bëhet e rehatshme të jesh gjithnjë në anën marrëse. Por këta njerëz duhet të jenë gjithashtu modele të mikpritjes. Edhe shtëpia e tyre duhet të jetë e hapur për njerëzit e Zotit.

Ajo që është e vërtetë për individë duhet të jetë e vërtetë edhe për asambletë. Shpesh mendoj se çfarë mundësi të mrekullueshme ka një asamble që të mirëpresë vizitorët që vijnë për herë të parë dhe të sigurohen që ata janë ftuar për drekë në shtëpinë e dikujt apo në një restorant. Kjo është një praktikë kaq e pazakonshme që vizitorët nuk do ta harrojnë kurrë. Edhe nëse ata kanë ndonjë plan tjetër, kur atyre u tregohet një dashuri e tillë bën që ata të ndiejnë ngrohtësi. Sot shumë janë në asamble, jo për shkak të mësimit rreth profecisë apo kishës, por sepse ata u ftuan për një vakt që herën e parë kur erdhën.

Me lejoni të kaloj dy skenarë para jush:

Skenari #1: Tomi dhe Filla u shpërngulën në një lagje të re kohët e fundit. Vjen mëngjesi i së dielës dhe ata vendosin të kërkojnë një kishë të mirë. Dhe kështu në orën 10:15 ata futen në një kishë, paksa të trembur. Njerëzit janë të zënë duke u takuar me njëri-tjetrin. Një burrë u del përpara, shtrëngojnë duart dhe komentojnë mbi motin e mirë. Ata lëvizin me shpejtësi midis tufës së njerëzve për t’u ulur diku – drejt pjesës së pasme të kishës. Shërbesa vazhdon sipas planit – këngë të mira, mesazh i mirë. Ora dymbëdhjetë. Lutja mbyllëse. Njerëzit ngrihen për t’u larguar. Aty-këtu disa shenjtorë afrohen te njëri-tjetri dhe pëshpëritin: «Kush janë ata të huaj?» – pothuaj sikur ata të ishin furacak. Të tjerë flasin gjallërisht me miqtë e tyre, duke u u zhytur në lajmet e javës. Tomi dhe Filla janë pothuaj te dera kur një plak i kishës i përshëndet: «Ishte kënaqësi që ishit me ne sot. Shpresojmë që do të vini përsëri». Ata largohen dhe shkojnë te një vend ku gatuhen ushqime të shpejta për një hamburger.

Skenari #2: Roni dhe Ruthi, euforikë nga lindja e fëmijës së tyre të parë, vendosin se duhet të fillojnë të frekuentojnë kishën. Ata nuk duan që djali i tyre të rritet si një pagan. Ata i afrohen derës së kishës të shqetësuar. Një dhjak i përshëndet ngrohtësisht, jep shpjegime për dhomën e fëmijëve dhe u thotë se do të ftohen për darkë. Ata nuk e dinë këtë, por në asamble është një rregull i qëndrueshëm se të gjithë të huajt do të ftohen për të dalë me dikë nga kisha. Dhe kështu para fillimit të shërbesës një çift i këndshëm e paraqet veten dhe i ftojnë të sapoardhurit në shtëpi për një vakt. Roni dhe Ruthi janë më të qetë dhe ndiejnë një ngrohtësi për këtë kishë. Kjo nuk u ka ndodhur kurrë më parë.

Përpara darkës mikpritësi falënderon për ushqimin. Biseda është e thjeshtë – një kohë thjesht për t’u njohur. Del se Roni dhe Ruthi kanë një sfond të krishterë, por asnjë prej tyre nuk është një besimtar. Vizita është e dobishme sa për të thyer akullin. Të sapoardhurit ndiejnë se kanë gjetur disa njerëz të dashur.

Pyetje: Cili çift ka më shumë mundësi që të kthehet?

Përgjigje: Tomi dhe Filla nuk u kthyen kurrë. Roni dhe Ruthi janë tani të shpëtuar dhe në një përbashkësi të lumtur. Rezultatet flasin vetë.

Pse ngurrojmë kaq shumë për të pritur të huaj kur kjo ka dhënë kaq shumë fryt në të kaluarën? Frika është ndoshta një nga arsyet kryesore – frika e së panjohurës, frika e një situate të re, frika e njerëzve të rinj, frika e të mos diturit se çfarë të bësh apo se si ta bësh. Dhe, sigurisht, është edhe frika e të mos diturit se për çfarë të flasësh, e të mos qenit mjaft «frymëror», e të mos qenit në gjendje për të dëshmuar në mënyrë të efektshme.

Një arsye e dytë është se ne kemi plane të tjera për pasditen e së dielës dhe marrja e të huajve në shtëpi do të binte ndesh me këto përgatitje.

Veç kësaj ne mendojmë për punën shtesë që kjo përfshin, një shtëpi të pastër, përgatitja e ushqimit, pastaj pastrimi më vonë. Dhe përpjekjet për të pritur njerëzit në të njëjtën kohë.

Mikpritja mund të kushtojë, në varësi të menysë dhe kjo mund të dekurajojë ata që duhet të veprojnë me një buxhet të kufizuar.

Një arsye e fundit për të mos qenë mikpritës. Një numër i paktë në asamble ngarkohen me këtë përgjegjësi përherë. Ata janë të vetmit që e bëjnë këtë dhe pas njëfarë kohe kjo bëhet e përsëritur.

Në përgjigje të kundërshtimit të parë nuk ka asnjë nevojë reale për të patur frikë. Ne thjesht duhet të vendosim të jemi këta që jemi, që njerëzit të na shohin ashtu siç jemi. Nuk është e domosdoshme që t’ua detyrojmë atyre ungjillin. Thjesht falënderimi për ushqimin, ndarja e ndonjë dëshmie apo vargje që lexohen pas vaktit janë të mjaftueshme.

Është e vërtetë se nëse duam të jemi mikpritës, kjo mund të bie ndesh me planet që kemi për të dielën. Ne duhet të vendosim që më parë se kjo do të jetë një nga shërbesat tona kryesore.

Mikpritja kërkon vërtet punë dhe parehati, por ne nuk duhet t’i ofrojmë Zotit atë që nuk na kushton gjë. Dhe duhet të mbajmë mend se ajo që bëhet në emrin e Tij llogaritet si të jetë bërë për vetë Atë. Përfytyro të kesh Jezusin në shtëpi për drekë.

Mikpritja nuk duhet të jetë e kushtueshme. Ne s’kemi pse të gatuajmë ushqim luksoz. Një vakt i thjeshtë në një shoqëri të këndshme është gjithçka që nevojitet.

Por shërbesa e mikpritjes nuk duhet t’i lihet njërit apo dy vetave në asamble. Nëse kjo shërbesë do të bëhej nga mjaft familje, mund të priten shumë të huaj pa e rënduar askënd.

Ja disa sugjerime praktike se si janë rritur disa asamble përmes mikpritjes.

Një njërën, pleqtë dhe gratë e tyre i ftojnë vazhdimisht vizitorët në shtëpitë e tyre. Nëse nuk ka mjaft vizitorë, atëherë ata ftojnë disa shenjtorë nga asambleja të cilëve mund t’u shërbejnë në një mënyrë apo një tjetër. S’është e nevojshme të përmendet, por shembulli i pleqve u flet besimtarëve të tjerë.

Një asamble tjetër ka atë që quhet «Komiteti i Engjëjve». Çdo të diel dy çifte caktohen të sjellin një tavë të mirë, sallatë, simite dhe ëmbëlsirë. Dhjakët i drejtojnë vizitorët tek ata për një vakt në dhomën e ngrënies së kishës pas shërbesës së mëngjesit. Kështu shenjtorët presin pa ditur engjëj duke ngritur lart emrin e komitetit të tyre. Dhe prapë, nëse nuk ka mjaft vizitorë, mikpritësit janë të lirë të ftojnë miq nga asambleja.

Shumë asamble kanë një mikpritëse e cila cakton vizitorë të dielave të veçanta. Theksi është arritja e atyre që frekuentojnë asamblenë për herë të parë.

Shumë asamble kujdesen që folësi vizitues të ftohet në shtëpinë e dikujt për një vakt. Ajo që ata nuk kuptojnë është se shpesh predikuesi do të parapëlqejë të refuzojë këtë privilegj nëse do ta dinte që po tregohej mikpritje për të huaj.

Nëse një familje nuk pranon nga frika e të mos qenit në gjendje për të drejtuar një bisedë të dobishme, do të ishte mirë të ftonin folësin bashkë me të huajt për t’u marrë me këtë pjesë të shërbesës.

Nëse të krishterët kanë frikë të ftojnë të huaj, ata duhet të dinë se shumë shpesh edhe vizitorët janë po aq të frikësuar për të hyrë në një situatë të re. Dhe shpesh vizitorët nuk mund ta pranojnë ftesën, sepse tashmë ata kanë plane të tjera. Por fakti që janë ftuar u jep atyre një ndjenjë ngrohtësie dhe pranimi.

Qindra njerëz në asamble sot do të dëshmojnë se u tërhoqën, jo nga rregulli i kishës sipas Dhiatës së Re, apo nga predikimi, apo nga mësimi, por nga mikpritja e dashur që iu tregua atyre që në vizitën e parë. Mos ndoshta për shkak të përpjekjeve tona të harbuara për të përhapur rritjen e kishës, ne jemi duke e kaluar anash një nga metodat më të qarta dhe më të suksesshme?