RRITJA E KISHËS PËRMES UNGJILLËZIMIT

Mësimi 52 | Shërbesa e Krishterë

Çdo asamble që dëshiron të rritet duhet të përballet me këtë fakt: midis 80% dhe 90% e besimtarëve të rinj janë takuar fillimisht nga besimtarë individë brenda kontekstit të jetëve të tyre të përditshme, qoftë në punë, në shkollë apo në lagje. Kjo nuk ua ul vlerat metodave të tjera të ungjillëzimit, por tregon se ungjillëzimi përmes jetës, pra, ai personal, ngrihet mbi gjithë të tjerat.

Ne nuk duhet të çuditemi. Kjo ishte mënyra se si u përhap besimi në ditët e hershme të kishës. Këta të krishterë i morën seriozisht fjalët e Shpëtimtarit të ringjallur: «…ju do të bëheni dëshmitarët e mi» (Vep. 1:8b). Ata «shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën» (Vep. 8:4). Bota nuk do të ungjillëzohet kurrë në ndonjë mënyrë tjetër.

Ne duhet ta braktisim idenë e përhapur, por të gabuar, se përgjegjësia e vetme e besimtarit është që t’i sjellë të pashpëtuarit në takime që predikuesi të mund t’u paraqesë ungjillin dhe më pas t’i drejtojë te Krishti. Çdo besimtar duhet të jetë duke bërë punën e një ungjilltari. Ai duhet të jetë në gjendje t’u paraqesë rrugën e shpëtimit personave me të cilët takohet. Më pas kur ai kupton se Fryma e Shenjtë i ka bindur ata plotësisht për mëkat, ai duhet të jetë në gjendje t’i drejtojë te Krishti si e vetmja shpresë e tyre për në qiell.

Kjo nuk do të thotë se ungjillëzimi ynë duhet të jetë i palidhur me asamblenë lokale. Ndërsa qëllimi ynë kryesor është që t’i shohim njerëzit të shkojnë te Krishti, ne gjithashtu duam t’i shohim ata që t’i shtohen përbashkësisë. Ne i sjellim të pashpëtuarit në takime për të konfirmuar dëshminë që tashmë u kemi dhënë. Ose, nëse tashmë i kemi drejtuar te Krishti, ne i sjellim ata në asamble me qëllim që t’i shohim të dishepullohen në përputhje me Mandatin e Madh.

Një asamble ungjillëzuese është një asamble lutëse. Vendi për të filluar është në lutje. Puna kryhet pikërisht këtu. Shenjtorët duhet të jenë të dëshpëruar para Perëndisë duke ndërmjetësuar me zjarr për të afërmit, miqtë apo komshinjtë e humbur. Asnjë numër programesh apo marifetesh nuk mund të zënë ndonjëherë vendin e lutjes. Ne jemi në një betejë frymërore dhe ajo duhet të luftohet me armë frymërore.

Një asamble ungjillëzuese është një asamble e shenjtë. Dëshmia e efektshme nuk mund të ndahet nga jeta e shenjtëruar. Fryti që jep një pemë është pasqyrim i gjendjes së vetë pemës. Një pemë e shëndoshë jep fryt të mirë. Ata që mbajnë enët e Zotit duhet të jenë të pastër.

Një asamble ungjillëzuese është një asamble e dashur. Ajo ka një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore. Ajo ia shtrin dorën të huajve, atyre që janë të lënduar, atyre që janë në nevojë. Ajo është e orientuar te njerëzit. Ajo e shfaq dashurinë e saj duke qenë mikpritëse. Ajo është e shoqërueshme dhe jo e mbyllur. Ajo kujdeset.

Një asamble ungjillëzuese është një asamble e bashkuar. Shenjtorët janë të bashkuar në entuziazmin e tyre që të shohin shpirtra të shpëtuar. Ata janë të bashkuar në shpresën e tyre të përbashkët dhe lutëse. Dhe ata janë të bashkuar në gëzimin e tyre të njëjtë kur njerëzit kthehen në besim.

Ne përmendëm se mënyra më e efektshme e lidhjeve të reja është përmes dëshmisë së përditshme të besimtarëve. Por ka edhe metoda të tjera që duhet të përmenden. Për shembull, kemi vizitat shtëpi më shtëpi. Sigurisht, kjo e bën të njohur në komunitet praninë e asamblesë. Kemi studimet e Biblës në shtëpi, të cilat janë përdorur shumë për të hedhur një themel doktrinor tek ata të cilët më vonë i besojnë Zotit. Kemi ungjillëzimin në godinat e universitarëve, një mënyrë kjo e mirë për të arritur të rinjtë për Zotin dhe për asamblenë. Kemi shërbesën e literaturës; mundësitë e saj janë të pamasa (shih Shtojca G). Kemi fushata ungjillëzimi të veçanta, me një predikues të vajosur të ungjillit. Këto janë përdorur mrekullisht në disa vende dhe fatkeqësisht kanë qenë të pafrytshme në vende të tjera. Një asamble mund të reklamojë oraret e takimeve të saj në gazetën lokale. Perëndia e ka përdorur këtë metodë për të drejtuar individë të izoluar në takimet e kishës. Më pas, sigurisht, kemi programet e veçanta, filmat dhe ngjarjet muzikore.

Për të ndaluar rezistencën e natyrshme që ndodh kur dikush shkon për herë të parë në një asamble, disa përbashkësi kanë përdorur me sukses metoda më pak formale: piknik, lojëra futbolli apo volejbolli dhe mikpritje nëpër shtëpi. Duke ardhur në këto takime njerëzit njihen me të krishterët vendas dhe mund të binden më lehtë për të frekuentuar takimet e kishës.

Në mënyrë që besimtarët të jenë entuziastë për t’i sjellë njerëzit që takojnë në takimet e asamblesë, ata duhet të sigurohen se shërbesa do të jetë e një cilësie të lartë frymërore. Ky fakt duhet t’i bëjë pleqtë e kishës që të kalojnë shumë kohë përpara Zotit për ata të cilëve planifikojnë që t’u shërbejnë Fjalën e Perëndisë. Të krishterët nuk do t’i sjellin miqtë e tyre për të dëgjuar një predikim të hallakatur. Ata duan të sigurohen se do të jepet një paraqitje bona fide [besnike] e ungjillit dhe se do të jepet një mësim i fortë për ata që tashmë janë besimtarë.

A do të thotë kjo se folësit duhet të jenë burra që kanë ndjekur një seminar [shkollë teologjike] apo që kanë certifikata arsimore të përparuara? Aspak! Thjesht njohuritë e mëdha shkollore pa gjendjen e thellë frymërore mund të jenë një gjë e mërzitshme dhe e lodhshme. Njohuria krekos, por dashuria ndërton. Një mesazh prej dijetari mund të arrijë kokën pa zbritur ndonjëherë në zemër. Ajo që nevojitet është një shërbesë e fuqizuar nga Fryma e Shenjtë, një shërbesë e vajosur, një shërbesë që prodhon bindje, pendim, shndërrim dhe shenjtërim. Shumë shpesh Perëndia përdor burra të thjeshtë dhe të pamësuar për këtë punë, që lavdia t’i jepet Atij dhe jo njeriut. Janë të pakta ato gjëra po aq të mira sa një asamble që sheh rregullisht shpirtra të shpëtuar. Kjo sjell një ngazëllim të ngjashëm me atë të pavijonit të maternitetit. Dhe kjo mund të jetë përvoja e çdo asambleje që është e gatshme t’ia përkushtojë veten ungjillëzimit sipas Dhiatës së Re. Por ne duhet të kemi tmerr të shenjtë kur vitet ikin një nga një pa parë asnjë që të kthehet në besim. Dhe duhet të jemi të gatshëm që të përdorim metoda të reja në ato raste kur të vjetrat dalin të pafrytshme vetëm. Ne marrim atë që kërkojmë në jetë. Le të kërkojmë të kapim shpirtra.

[previous][next]