RUAJE GJUHËN TËNDE

Mësimi 38 | Karakteri i Krishterë

Askush nuk do të çuditej po të mësonte se e folura e të krishterit është barometër i karakterit të tij. «Sepse ç’ka zemra qet goja» (Mt. 12:34). Thjesht duke dëgjuar bisedën e dikujt, mund thuash se ku është ai frymërisht.

Jakobi na kujton për të që sapo kemi folur nga përvoja – se edhe pse gjuha është e vogël, ajo është në gjendje për të mira të mëdha dhe të këqija të mëdha. Megjithëse njeriu mund të zbutë çdo krijesë të egër, askush nuk mund ta zbutë gjuhën. «Është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës». Ndryshe nga gjërat e tjera në jetë, gjuha mund të prodhojë të kundërta, siç është e ëmbla dhe e hidhura, bekimi dhe mallkimi (Jak. 3:1-12).

Edhe pse ne s’mund ta zbutim gjuhën, ne mund të jemi përjetësisht mirënjohës që Perëndia mund ta bëjë. Përmes fuqisë së Frymës, Ai mund ta bëjë gjuhën therëse të sjellshme dhe gjuhën llafazane ta bëjë ndërtuese.

Ja disa nga cilësitë që duhet të karakterizojnë të folurit tonë:

Ai duhet të jetë i vërtetë. Zoti ynë ishte i hapur dhe i sinqertë. Ai nuk gënjeu apo nuk e errësoi të vërtetën kurrë. Ai nuk iu drejtua kurrë zmadhimit apo lajkatimit. «Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili të flasë të vërtetën me të afërmin e tij, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit» (Efe. 4:25). Përderisa Perëndia nuk mund të gënjejë, Ai nuk mund t’ia japë këtë leje askujt tjetër. Kjo përfshin gënjeshtrat e vogla, gënjeshtrat e bardha, zmadhimet, lajkat dhe premtimet e shkelura. Raportet e rezultateve në shërbesën e krishterë nuk duhet të zmadhohen. Sekretarja nuk duhet të thotë që shefi nuk është në zyrë kur ai është. Fëmijët nuk duhet të nxiten të gënjejnë kur vjen një vizitor i paftuar.

Nëse dikush është i ndershëm ai s’ka pse të ketë një kujtesë të mirë. E. Stenli Xhouns (E. Stanley Jones) ka thënë: «Nëse thua një gënjeshtër, ty të duhet një kujtesë e mirë për të mbuluar gënjeshtrat; por nëse thua të vërtetën në çdo kohë, ty s’të duhet një kujtesë e mirë – ti thjesht thua të vërtetën. Kjo është e thjeshtë».

Ai duhet të jetë i denjë. «Asnjë fjalë e keqe [e korruptuar] le të mos dalë nga goja juaj…» (Efe. 4:29a). Këtu fjala e korruptuar do të thotë cilësi e dobët, e papërshtatshme për përdorim, e padenjë. Kur dolën magnetofonët për herë të parë, ishte një lojë argëtuese që ta fshihnim një të tillë dhe të regjistronim bisedën në tavolinë. Kur dëgjohej kaseta folësit viheshin shpesh në siklet nga boshllëku i dukshëm i bisedës së tyre. Jezusi paralajmëroi se «ditën e gjyqit njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë» (Mt. 12:36). Prandaj, fjalët boshe duhet të rrëfehen si mëkat dhe të largohen nga jetët tona.

Admirali Hajmen Rikavër (Hyman Rickover) i marinës së SHBA-së ka thënë: «Mendjet e mëdha diskutojnë ide. Mendjet mesatare diskutojnë ngjarje. Mendjet e vogla diskutojnë njerëz». Ai mund të kishte shtuar se mendjet më të mëdha diskutojnë të vërteta të përjetshme.

Ai duhet të jetë ndërtues. «…por ajo që është e mirë për ndërtim» (Efe. 4:29b). Me fjalë të tjera, ne duhet të kërkojmë vazhdimisht të ndërtojmë të tjerët me atë që themi. H. A. Ajrënsajdi e drejtonte gjithnjë bisedën në tema ndërtuese. Ai do të pyeste shpesh: «Çfarë mendoni se do të thotë ky varg?» dhe më pas do të citonte një tekst problematik. Nëse personi tjetër nuk e dinte [përgjigjen], Ajrënsajdi do të sugjeronte me mirësjellje: «A mendoni se ai do të thotë kështu?» Shpjegimet e tij ishin të paharrueshme.

Një miku im filloi të thotë diçka negative rreth dikujt tjetër. Tingëlloi sikur biseda po shkonte drejt një njëfarë përgojimi. Por ai ndaloi në mes të fjalisë dhe tha: «Jo! Kjo nuk do të jetë ndërtuese». Që prej asaj kohe kam patur një dëshirë të madhe për kureshtje, por mësova një mësim të vlefshëm atë ditë se si ta disiplinoj gjuhën.

Të folurit tonë duhet të jetë i përshtatshëm. «Asnjë fjalë jo e dobishme le të mos dalë nga goja juaj, por vetëm fjalë të tilla që janë të mira për ndërtim, sipas nevojës së momentit…» (Efe. 4:29c, nasb). Zoti ynë iu përgjigj tundimeve të Satanit në shkretëtirë me tri pjesë të duhura nga Ligji i Përtërirë. Është një dhunti e madhe të jesh në gjendje të thuash gjënë e duhur në momentin e duhur. Si ai plaku i perëndishëm që u mbështet te krevati i një shenjtori që po vdiste dhe citoi Kënga e Këngëve 8:5: «Kush është ajo që del nga shkretëtira duke u mbështetur tek i dashuri i saj?» Apo ajo gruaja e krishterë që shkroi Isaia 49:4 në fund të një letre drejtuar një predikuesi të dekurajuar: «Por unë thoja: “Më kot jam lodhur; për hiç gjë dhe pa dobi kam harxhuar forcën time; por me siguri e drejta ime është pranë Zotit dhe shpërblimi im pranë Perëndisë tim».

Kur dr. Aleksandër Uhajt (Alexander Whyte) hyri në dhomën e një avokati, ai shtangu nga pyetja: «A ke ndonjë mesazh për një mëkatar të vjetër?» Ai përsëriti tekstin mbi të cilin kishte qenë duke përsiatur: «[Atij] i pëlqen të jetë i mëshirshëm» (Mik. 7:18). Avokati e falënderoi për të vetmen fjalë që do t’i kishte dhënë atij ngushëllim. Këto fjalë ishin sipas nevojës së momentit. Pra, «një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi» (Fja. 25:11). Dhe «sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur» (Fja. 15:23).

Ai duhet të jetë i sjellshëm. Të folurit tonë duhet të jetë jo vetëm i përshtatshëm, por edhe i sjellshëm. «Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir…» (Kol. 4:6a). Zoti ynë ishte i sjellshëm, aq sa njerëzit «mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij» (Lu. 4:22). A nuk ishte hir për Të, një jude, që t’i kërkonte ujë për të pirë një gruaja samaritane të përbuzur (Gjo. 4:7)? Dhe s’ishte gjë tjetër veçse hir kur Ai i tha gruas së strukët që u kap duke shkelur kurorën, «As unë nuk të dënoj» (Gjo. 8:11b)? Hiri kërkon që ne të shmangim vërejtjet e tharta e therëse; nga aluzionet e tërthorta dhe të ashpra te sarkazmat me gjemba. Zonja Astor ka thënë: «Zoti Uinston, po të isha gruaja juaj, do të të hedhja helm në kafe». Të cilës z. Çërçill iu përgjigj: «Zonja Astor, po të isha burri juaj, do ta pija». Tmerrësisht zbavitëse, por jo tmerrësisht e sjellshme!

Por të folurit tonë duhet edhe të ndreqet me kripë. «Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë» (Kol. 4:6). Po ai Zot që tha: «Më jep për të pirë», tha edhe: «Shko, thirre burrin tënd» (Gjo. 4:16). Pasi tha: «As unë nuk të dënoj», Ai shtoi: «Shko dhe mos mëkato më». Fjalët kanë mprehtësi në vetvete; ato janë djegëse». Gjithashtu kripa është mjet ruajtës; ajo pengon prishjen. Dhe kripa sjell etje. Prandaj me të folurit tonë ne duhet të ruajmë standardet e ndershmërisë morale dhe të stimulojmë një etje për ujin e gjallë që ofron Krishti.

Sigurisht, të folurit e besimtarit duhet të jetë i pastër. «Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush; as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falënderime» (Efe. 5:3-4). Sa më lirshëm që flasim për mëkatin dhe imoralitetin, aq më pak serioze duken ato për ne dhe për ata që na dëgjojnë. Ato marrin një familjaritet vdekjeprurës dhe ne nuk tmerrohemi më prej tyre. Është e vërtetë që ndonjëherë Bibla flet për mëkate të neveritshme, por kjo bëhet gjithnjë në një mënyrë të tillë për të shkaktuar një urrejtje për ato dhe asnjëherë në një mënyrë të tillë për t’i justifikuar, për t’i marrë ato lehtë apo për të krijuar dëshirën për t’i kryer ato.

Askush nuk e kundërshton pak humor të pastër, por e vërteta është se mendjelehtësia e tepruar çon në humbje të fuqisë frymërore. Fryma e Shenjtë është shuar shpesh në takimet e kishës nga një lumë tregimesh qesharake. Anekdotat zbavitëse kanë larguar seriozitetin e një thirrjeje për të pranuar ungjillin. Ne nuk jemi thirrur për të qenë komikë.

Biseda tonë nuk duhet të përforcohet me betime. «…Mos u betoni fare, as për qiellin […] as për dheun […] mos u beto as për kokën tënde…. Por fjala juaj të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu» (Mt. 5:34-37). «Por, para së gjithash, vëllezër të mi, mos u betoni as për qiellin, as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë «po»-ja jua «po» dhe «jo»-ja juaj «jo», që të mos bini nën dënim» (Jak. 5:12). E folura e të krishterit duhet të jetë vazhdimisht e ndershme që atij të mos i duhet kurrë për ta përforcuar atë me një betim. Sikurse ka thënë dikush: «Betimet janë të padobishme. Një njeri i mirë nuk ka nevojë për një të tillë dhe një njeri i keq nuk nuk ia vë veshin një betimi të tillë».

Mirë, po për sa i përket betimit në gjyq? Kur Zoti ynë ishte duke u gjykuar, kryeprifti i tha: «Po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash nëse ti je Krishti, Biri i Perëndisë». Të përbetohesh do të thotë të urdhërosh me betim. Si një jude nën ligjin, Jezusi ishte i detyruar të dëshmonte me betim (Lev. 5:1) dhe Ai e bëri. Kjo e zgjidh çështjen për shumë të krishterë. Por nëse ata kanë ende një ndërgjegje kundër betimit gjyqësor, në Shtetet e Bashkuara ata lejohen të dëshmojnë me pohim gjyqësor. Kjo do të thotë t’u përgjigjesh pyetjeve ose të japësh prova pa u betuar për Perëndinë.

Ne të gjithë e dimë se është e gabuar që ta përdorim kot emrin e Zotit dhe që të përdorim fjalë të ndyra e fyese. Po për sa i përket betimeve të zbutura, pra, eufemizma në vend të fjalëve të ndaluara? Për shembull, «gosh» dhe «golly» për Perëndi; «gee» apo «geez» për Jezus; «jeepers creepers» për Jezus Krisht; «darn» për «damn»; «heck» për ferr. Këto i dhunojnë Shkrimet po aq sa edhe plotësit e tyre më të qartë.

Të folurit tonë duhet të jetë me respekt. Ne nuk duhet të flasim lehtë apo pa respekt për gjërat e shenjta. Ne nuk duhet të bëjmë lojëra fjalësh me Shkrimet, domethënë, të citojmë një varg nga Bibla në mënyrë qesharake dhe jashtë kontekstit.

Shërbëtorët e Krishtit duhet të shmangin epigramat [fjalët me thumba] dhe vërejtjet e fryra dhe të hidhura. Lakmia për të ndërhyrë në çdo bisedë me buzëqeshje thumbuese, apo të dalësh si më i mirë në tregimin e shakave sjell për dikë famën e merituar të një amatori frymëror.

Të folurit tonë duhet të jetë pa ankesa. Ankesat janë një fyerje për providencën e Perëndisë. Kjo do të thotë se Ai nuk di se çfarë po bën. Ankesat e paditin Atë për gabim a gjykim të gabuar. Kjo do të thotë se Ai nuk kujdeset. Ne duhet të kujtojmë këtë kur tundohemi për t’u ankuar. Më mirë ta largojmë nga mendja këtë mendim ose t’i gëlltitim fjalët dhe të themi: «Sa për Perëndinë, rruga e Tij është e përsosur» (Psa. 18:30).

Të folurit tonë duhet të jetë i shkurtër dhe me vend. «Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë» (Fja. 10:19). Me fjalë të tjera, sa më shumë që flasim, aq më shumë priremi që të mëkatojmë. Ne mund ta shmangim këtë rrezik duke i rezistuar nxitjes për të thënë gjithmonë diçka. «Mos u nxito me gojën tënde dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë ndonjë fjalë përpara Perëndisë, sepse Perëndia është në qiell dhe ti mbi tokë; prandaj fjalët e tua të jenë të pakta» (Pre. 5:2). Ndonëse kjo i referohet veçanërisht betimeve që i bëhen Perëndisë, këshilla është e mirë për përdorim të përgjithshëm.

Në fakt, ai që ka prirjen vetëm të flasë bëhet i mërzitshëm. Ai nuk ndalon kurrë për të marrë frymë. Askush tjetër nuk ka mundësi të thotë një fjalë as edhe për anash. Ai i bën monopol gjithë bisedës si dhe tërë kohës e vëmendjes së dëgjuesit të pafat.

Gjuha duhet të ndjekë mendimin dhe jo ta drejtojë atë. Ki më shumë fjalë pendimi se heshtje. Ai që flet mbjell, por ai që dëgjon korr.

Ne nuk duhet të shkojmë pas përgojimeve. Disa vite më parë ishte ky artikull në gazetën «Atlanta Journal»:

Jam më vdekjeprurës se gëzhoja ulëritëse e një obusi. Fitoj pa vrarë. Prish shtëpi, thyej zemra dhe shkatërroj jetë. Udhëtoj me krahët e erës. Asnjë pafajësi nuk është aq e fortë, sa të më frikësojë, asnjë pastërti aq e pastër, sa të më zbutë. Nuk kam aspak kujdes për të vërtetën, aspak respekt për drejtësinë, aspak mëshirë për të pambrojturin. Viktimat e mia janë po aq të shumta sa rëra e detit dhe shpesh po aq të pafajshme. Unë nuk harroj kurrë dhe fal rrallë. Emri im është Përgojimi! (Choice Gleanings)

Ndoshta Jakobi po mendonte veçanërisht për mëkatin e përgojimit kur shkroi: «…të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, ai është njeri i përsosur, në gjendje t’i vërë fre edhe gjithë trupit» (Jak. 3:2).

Është kaq e lehtë dhe e natyrshme që të merremi me përgojime dhe kaq e vështirë që ta thyejmë këtë zakon. Çfarë është përgojimi? Wm. R. Marshalli thotë se është arti i të thënit asgjë që nuk lë asgjë pa thënë. Bill Gothard thotë se është t’i ndash informatat me dikë që nuk është pjesë as e problemit, as e zgjidhjes së tij. Ne mund ta zgjerojmë përkufizimin duke thënë se ai është të flasësh në mënyrë poshtëruese për dikë që nuk është i pranishëm. Përgojimi i nxjerr viktimat e tij në dritë jo të favorshme; ai thotë gjëra që nuk janë të sjellshme, ndërtuese apo të nevojshme. Përgojim do të thotë të prozhmosh për dikë pas shpine në vend që të përballesh me të. Ai është një formë e vrasjes së karakterit.

Autori i Fjalëve të Urta e ka thënë mirë: «Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj» (Fja. 18:21). Bibla e qorton shumë këtë praktikë. «Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd» (Lev. 19:16a). «Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato» (Fja. 11:13. Shih edhe 20:19). «Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë» (Fja. 16:28). «Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë» (Fja. 18:8). «Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund» (Fja. 26:20).

Në Romakëve 1:30 Pali e rendit përgojimin (shpifësit) bashkë me vrasësit dhe njerëzit e pamoralshëm.

Ndonjëherë ne përpiqemi t’i maskojmë përgojimet duke pretenduar se jemi duke e ndarë atë informacion si një pikë lutjeje: «E përmend këtë vetëm që ju të lutemi për të, por e dini se…». Ose ne mendojmë se po e shmangim fyerjen duke e treguar atë në fshehtësi. Rezultati është shpesh si vijon.

Dy gra po flisnin në Bruklin.

– Drita më tregoi se ti i tregove asaj atë sekretin që unë të kisha thënë më mos ia tregoje asaj.

– Ajo paska qenë e poshtër. I thashë Dritës që mos të të tregonte atë që i tregova asaj.

– Po edhe unë i thashë Dritës që nuk do të të thoja ty atë që ajo më tha – prandaj mos i trego asaj se të thashë.

Në librin e tij «Stinët e jetës», Çarls Suindëll (Charles Swindoll) merret me thashethemexhinjtë, një fjalë tjetër për përgojimin. Ja se çfarë thotë:

Ata që ushqehen me thashetheme janë shpirtra të vegjël, të dyshimtë. Ata gjejnë kënaqësi të qarkullojnë në rrugica dritëpakë, duke hedhur bomba tinëzare që shpërthejnë në mendjet e të tjerëve duke ndezur kapsollën e dyshimit. Ata gjejnë rehati duke qenë thjesht një kanal «i pafajshëm» i një informacioni të pasigurt […] duke mos qenë asnjëherë burimi. Shprehjet «thonë» apo «a ke dëgjuar?» apo «Kam dëgjuar nga të tjerët» i japin siguri përhapësit të thashethemeve.

– A ke dëgjuar se Kisha Përkujtimore do të ndahet?

– Kam kuptuar se Ferdinandi dhe Flora janë përpara një divorci […] thonë se ajo ishte e pabesë.

– Thuhet se prindërit e tij kanë shumë para.

– A ke dëgjuar se pastorit Elfinstonski iu kërkua të ikte nga kisha e tij e parë?

– Më thanë se djali i tyre merrte drogë […] se u kap duke vjedhur në një dyqan.

– Dikush tha se ata duhet të martoheshin.

– Dikush përmendi se ai është një pijanec i pandreqshëm.

– Dëgjova se ajo është bishtdredhur […] ruhuni nga ajo.

– Fjala ka dalë […] përfundimisht, ai arriti në këtë pozitë me mashtrime.

– Është një shqetësim për shumë veta që atij nuk mund t’i zihet besë [1].

Ne të gjithë e dimë se si shtohen përgojimet dhe thashethemet kur ato udhëtojnë nga njëri te tjetri. Secili i shton një pikë negative derisa historia përfundimtare ka pak ngjashmëri me origjinalin.

Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se Pali foli me qëndrim kritik për Imeneun dhe Aleksandrin (1 Tim. 1:19, 20); për Figelin dhe Hermogenin (2 Tim. 1:15) dhe për Aleksandrin, rremtarin (2 Tim. 4:14). Dhe Gjoni nuk e kurseu Diotrefin (3 Gjonit 9-10). Kjo dëshmi është e vërtetë. Por qëllimi ishte që të paralajmëroheshin besimtarët për këta njerëz dhe jo për t’i sulmuar ata me përbuzje.

Është shpesh e nevojshme që drejtuesit të diskutojnë çështjen e një individi kur disiplina apo korrigjimi është i nevojshëm. Por kjo ka si qëllimi që ta ndihmojë personin e përfshirë dhe jo që ta rrënojë. Kjo nuk është njëlloj si përgojimi.

Ka disa hapa pozitivë që mund të ndërmarrim në lidhje me përgojimin. Së pari, mund t’i kërkojmë personit të identifikojë burimin. Pali na la një shembull tek 1 Korintasve 1:11 – «sepse më është treguar për ju, o vëllezër, nga ata të shtëpisë së Kloes, se në mes jush ka grindje».

Së dyti, ne mund të kërkojmë leje t’ia citojmë thashethemexhiun personit në diskutim. «A keni kundërshtime nëse do t’i tregoja atij atë që sapo thatë për të?»

«Oh, mos e bëj këtë. Ky do të ishte fundi i miqësisë sonë!»

Ose ne mund të refuzojmë që ta dëgjojmë përgojimin. Këtë ne mund ta bëjmë duke thënë si njeri që do të ishte më mirë për të mos e dëgjuar ose mund ta ridrejtojmë bisedën në një kanal më ndërtues. «Nëse askush nuk do t’i dëgjonte përgojimet, askush nuk do të merrej me to. Bëje auditorin të shurdhët dhe do ta bësh përgojimin memec» (Wm. R. Marshall). Një proverb turke na kujton: «Ai që të tregon thashetheme do të thotë thashetheme për ty».

Në mbyllje më lejoni të citoj një përmbledhje të ngjeshur. Nuk e di se kush e shkroi, por do të doja që ai të isha unë.

Çfarë duhet të bëjë një i krishterë me gjuhën e tij? Ai duhet ta kontrollojë atë, duke mos kërkuar kurrë që ta mbizotërojë bisedën. Ai duhet ta mësojë atë që të thotë më pak sesa mundet. Ai nuk duhet ta përdorë atë kurrë për gënjeshtra, për gjysmë të vërteta, për ligësi, aluzione, sarkazma, për të folur të papastër apo llafe të kota. Ai duhet ta përdorë atë gjithmonë atje ku rrethanat kërkojnë të dëshmojë, të rrëfejë apo kur duhet një fjalë inkurajimi. Nëse ai është një nga ata njerëzit e çuditshëm që e kanë të vështirë të thonë «faleminderit», ai duhet ta mësojë gjuhën që t’i shqiptojë këto fjalë dhe të merret me krenarinë e mbrapshtë që i pengon ata.

[previous][next]



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Swindoll, Charles, Growing Strong in the Seasons of Life, Portland, OR: Multnomah Press, 1983, fq. 105-106. ↵ Kthehu mbrapa