Shtojca B | Manuali i Dishepullit | nga Andreas Lindner
Ungjillëzimi konsiderohet shpesh si një fushatë, ose si një ngjarje, kur ungjilli i paraqitet dikujt në një mënyrë të fuqishme. Por pak janë ata që janë të gatshëm të dëgjojnë dhe akoma më pak të gatshëm që t’i përgjigjen mesazhit të mrekullueshëm të ungjillit. Ata nuk janë të interesuar, nuk shohin ndonjë lidhje të ungjillit me jetën e tyre. Çfarë mund të bëjmë?
«Ngulmoni në lutje […] që Perëndia të na hapë neve një derë të fjalës, për të folur misterin e Krishtit, për shkakun e të cilit jam edhe i lidhur, në mënyrë që ta bëj të njohur, duke e folur siç duhet» (Kol. 4:2-4). Në kërkesën e lutjes së Palit ne shohim se si punonte ai. Ai do të lëvizte në një zonë të re, do të shpallte ungjillin dhe do të korrte një korrje frymërore. Për këtë lloj ungjillëzimi ai kishte nevojë për një derë të hapur për fjalën. Në çdo vend ai do të përpiqej të gjente ata që ishin të përgatitur për mesazhin. Në sinagogë ai do të gjente ata që ishin të përgatitur nga Perëndia përmes mesazhit të Dhiatës së Vjetër (Vep. 16:13; 17:1-3). Zoti i drejtoi apostujt tek individë të tjerë që ishin gati për ta pranuar fjalën (Vep. 16:30). Pastaj Pali do t’i mësonte besimtarët e rinj, do të formonte një kishë dhe do të lëvizte në vende të tjera. Sigurisht, besimtarët e rinj duhet të mësojnë të vazhdojnë veprën, duke përfshirë ungjillëzimin. Por si do t’i fitojnë ata njerëzit me ungjillin?
«Ecni me urtësi ndaj të jashtmëve duke shfrytëzuar kohën. Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit» (Kol. 4:5-6). Përderisa të gjitha që ishin të hapur ishin bërë besimtarë, Pali nuk u kërkon atyre që të ndjekin shembullin e tij duke përdorur të njëjtën metodë ungjillëzimi si ai. Ai nuk u kërkon atyre që të predikojnë në sinagoga apo në sheshin e tregjeve. Kjo kishte qenë e frytshme me Palin dhe ishte marrë një korrje. Ata që ishin të përgatitur ia kishin dhënë jetën e tyre Zotit. Tani procesi i ungjillëzimit kishte nevojë që të niste nga e para me mbjelljen. Mënyra se si ata ecin dhe u flasin njerëzve përreth është e rëndësishme. Kjo do t’i bëjë ata kureshtarë, do t’i bëjë që të fillojnë të mendojnë dhe që të bëjnë pyetje. Jeta jonë mund të jetë një ndihmë ose një pengesë për të tjerët. Prandaj ne kemi nevojë për urtësi në ecjen dhe bisedat e përditshme.
Ungjillëzimi duhet të bëhet një mënyrë jetese për të gjithë besimtarët. Ata nuk duhet ta shohin atë si një ngjarje si në rastin kur një ungjilltar ka një fushatë ungjillëzimi, por si një mënyrë jetese. Një jetë e mbushur me dashuri për njerëzit përreth tyre për t’i fituar ata për Zotin. Ata njerëz që Perëndia ka vendosur rreth nesh janë ata që Ai dëshiron që ne t’i fitojmë me ungjillin. Kjo mund të jetë familja jonë, fqinjët, kolegët e punës ose të tjerë që i takojmë vazhdimisht. Si një burrë që u shërua nga pushtimi i demonëve, ne duhet të kthehemi tek ata (Lu. 8:39). Përderisa një profet nuk nderohet në qytetin apo në familjen e vet (Mt. 13:57), ne nuk duhet të sillemi si një profet apo si një predikues ungjilli, por si një anëtar i familjes, i skuadrës apo i komunitetit. Ne mund të tregojmë se i duam duke u shërbyer në një mënyrë të durueshme dhe miqësore. Kjo duhet të shoqërohet me biseda të mençura, që nuk i acarojnë nervat e njerëzve, por që që i respekton mendimet e tyre edhe nëse janë të gabuara. Madje ndonjëherë është më mirë të jesh i heshtur, kur duam që të fitojmë njerëzit që janë shumë afër nesh (1 Pje. 3:1-2). Mund të kërkojë kohë derisa miqtë dhe të afërmit tanë të jenë gati për të dëgjuar më shumë.
Prandaj Zoti shpjegon se ungjillëzimi është një proces. Ai e krahason atë me punën në një fermë (Gjo. 4:35-38). Që një të mundësohet një korrje fermeri duhet të përgatitë fushën, të mbjellë farën, ta ujitë, të heqë barërat e këqija dhe të presë. Procesi kërkon kohë. Kur gruri të bëhet i bardhë, atëherë fermeri do të korrë. Mbas korrjes procesi i mbjelljes dhe korrjes duhet të fillojë nga e para.
Nga kjo mund të mësojmë disa mësime: Paraqitja e ungjillit është vetëm një nga hapat e fundit në ungjillëzim. Ai është krahasuar me korrjen. Për të pasur një korrje frymërore, duhet të ketë plugim, heqje të barërave të këqija, mbjellje dhe ujitje. Dhe kjo do të kërkojë kohë.
Ne mund të marrim pjesë në këtë proces. Duke i vëzhguar dhe dëgjuar njerëzit rreth nesh, ne mund të kuptojmë se ku janë ata frymërisht. Ata mund të besojnë se nuk ka Perëndi, ose që mbrapa natyrës ekziston një fuqi e madhe. Disa mendojnë se Perëndia ekziston dhe se ata janë përgjegjës para Tij. Të tjerë mund të dinë më shumë—ata ndihen fajtorë për atë që kanë bërë. Më vonë ata do kuptojnë se kanë mëkatuar dhe se janë të humbur. Më pas do të shohin nevojën për shpëtim, do të kuptojnë rrugën e shpëtimit dhe përfundimisht do të shpëtohen. Ungjillëzimi duhet të jetë për t’i ndihmuar ata drejt Zotit, që të ecin një hap më shumë.
Një mënyrë e mirë për të marrë pjesë në procesin e ungjillëzimit është që të zhvillosh lidhje miqësie të thella me të tjerët. Apostulli Pal kishte shumë miq të ngushtë midis drejtuesve fetarë të Efesit (Vep. 19:31). Qëllimi i tij ishte që të fitonte me ungjillin të gjithë llojet e njerëzve (1 Kor. 9:19). Për ta bërë këtë, ai iu afrua atyre sa më afër që të ishte e mundur, ai u bë një jude për judenjtë (1 Kor. 9:20-23). Ai mund të ishte miku i tyre, pa u bërë një mik i botës.
Zoti Jezus ishte një mik për mëkatarët. Ai kaloi kohë me ata, deri në pikën që të tjerët u ankuan. Zoti iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët» (Mt. 9:12). Doktori duhet të shkojë te të sëmurët, edhe nëse ata kanë një sëmundje ngjitëse. Ata kanë nevojë për atë dhe është profesioni i tij që të shkojë tek ata. Por kur shkon te të sëmurët, ai bën gjithçka të mundshme për të shmangur marrjen e sëmundjes. Ai i përdor të gjitha llojet e masave higjienike. Në mënyrë të ngjashme ne duhet të shkojmë te mëkatarët (Mt. 28:19). Ata kanë nevojë për Zotin Jezus. Duke shkuar tek ata ne duhet të bëjmë gjithçka të mundshme për të shmangur rënien në mëkat.
Ne duhet të jemi aq afër me jobesimtarët rreth nesh, sa ata të shohin jetën tonë dhe të dëgjojnë fjalët tona. Ne duhet të jemi aq larguar nga jobesimtarët rreth nesh, sa të mos humbim përbashkësinë tonë me Zotin. Ne e humbim dëshminë tonë kur zhvillojmë zakone mëkatare.
Tani disa sugjerime se si të thellojmë lidhjet aktuale dhe si të ndërtojmë lidhje të reja. Le të jetë përparësi për ty që të kalosh kohë me ata. Bëni bashkë diçka që iu pëlqen të dyve. Flisni për bindjet, vlerat dhe vështirësitë tuaja dhe mësoni të dëgjoni. Përpiqu të kuptosh se përse ai e sheh jetën në atë mënyrë. Lutu që Zoti të të japë ide se çfarë të bësh dhe çfarë të thuash.
Kur miqtë e tu të jenë të interesuar, ju mund t’i ftoni ata për të lexuar bashkë nga ungjijtë dhe të eksploroni jetën dhe mësimet e Zotit Jezus. Ose mund t’i ftoni ata në një takim të përshtatshëm ku ata mund të dëgjojnë ungjillin ose ku mund të mësojnë më shumë për Zotin. Këto janë disa mënyra se si ju mund t’i përgatisni njerëzit rreth jush që edhe ata të mund të njohin Zotin Jezus.
[previous][next]