VETËM MË TË MIRËN PËR PERËNDINË

Mësimi 11 | Dishepullimi i krishterë

Përmes Shkrimeve të Shenjta kalon një fill i artë mendimi, një e vërtetë që rishfaqet vazhdimisht në gërshetimin e Fjalës së Perëndisë. Kjo e vërtetë është: Perëndia do vendin e parë dhe Perëndia do më të mirën. Ai do vendin e parë në jetët tona dhe Ai do më të mirën që ne kemi për t’i ofruar.

Bibla fillon me një thënie të një vlere historike: «Në fillim Perëndia…». Por këto fjalë duhet të jenë të vërteta në jetët tona. Perëndia duhet të jetë i pari. Ai që është i denjë për vendin e parë nuk do të kënaqet me diçka më pak.

Kur Zoti caktoi Pashkën, Ai i udhëzoi izraelitët të sillnin një qengj pa të meta (Eks. 12:5). Ata nuk duhet t’i sakrifikonin kurrë Atij një kafshë të çalë, të verbër apo me ndonjë të metë a dëmtim (LiP. 15:21; 17:1). Kjo do të ishte e neveritshme.

Duhet të jetë e qartë që Perëndisë nuk i nevojitet ndonjë kafshë që njeriu mund t’ia ofrojë. Tërë kafshët e pyllit janë të Tijat dhe po ashtu edhe bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male (Psa. 50:10). Përse, atëherë, nxori Ai këtë ligj që vetëm kafshët e përsosura mund t’i ofroheshin Atij? E bëri këtë për të mirën e njeriut dhe jo për Veten e vet. E bëri këtë si një shembull për t’i mësuar popullit të Tij një të vërtetë themelore, që do të thotë, se ata mund të gjejnë gëzimin, kënaqësinë dhe plotësimin vetëm duke i dhënë Atij vendin e duhur në jetët e tyre.

Në Eksodi 13:2 Perëndia e urdhëroi popullin të veçonin bijtë e tyre të parëlindur dhe kafshët e tyre të parëlindura për Të. «Më shenjtëro çdo të parëlindur mashkull. I parëlinduri i çdo barku midis izraelitëve më përket mua, qofshin njerëz apo kafshë» (NIV). Në kulturat e lashta i parëlinduri përfaqësonte atë që ishte më e mira dhe ajo që vlerësohej së tepërmi. Prandaj Jakobi foli për Rubenin, të parëlindurin e tij, si «forca ime, filli i fuqisë sime, i dalluar për dinjitet dhe për forcë» (Zan. 49:3). Për Zotin Jezus flitet si «i parëlinduri i çdo krijese» (Kol. 1:15) në kuptimin që Ai është jashtëzakonisht i shkëlqyer dhe që Ai ka pozitën më të lartë të nderit mbi çdo krijesë.

Duke i kërkuar popullit që t’i shenjtëronin Atij bijtë e tyre të parëlindur, Ai ishte duke prekur një nerv tepër të ndjeshëm, pasi djali më i rritur zinte një vend të veçantë dashurie në zemrën e prindërve të tij. Megjithatë ky ligj kishte për qëllim t’i mësonte ata të thonin kështu:

Objekti më i shtrenjtë që kam njohur, çfarëdo qoftë ai,

ndihmomë ta shkul nga froni, që adhurimi të vijë vetëm te Ti.

(Uilliam Kouper)

Abrahami e mësoi këtë mësim mbi Malin Moriah (Zan. 22). Tani pasardhësit e tij duhet të mësojnë të njëjtin mësim.

Pas kësaj, Perëndia i udhëzoi bujqit që të çonin prodhimet e para të fryteve të para të tokës në shtëpinë e Zotit (Eks. 23:19). Kur filizat e grurit fillonin të piqeshin, bujku duhet të shkonte në fushë, të korrte një krah nga gruri i parë i pjekur dhe t’ia paraqiste atë si një ofertë Zotit. Ky grumbull nga frytet e para e pranonte Perëndinë si Dhënësin e korrjes dhe premtonte që Ai do të merrte pjesën e Tij. Përsëri është e qartë se Perëndisë nuk i duhej gruri, por njeriut i nevojitej kujtimi i vazhdueshëm që Zoti është i denjë për të parën dhe më të mirën.

Kur kafshët e sakrificave thereshin, priftërinjtë nganjëherë lejoheshin të merrnin disa pjesë dhe ata që ofronin lejoheshin të hanin disa pjesë të tjera, por yndyra i ofrohej gjithmonë Zotit (Lev. 3:16).{{1}} Yndyra konsiderohej të ishte pjesa më e çmuar dhe më e mirë e kafshës dhe si pasojë ajo i përkiste Jehovait. Vetëm më e mira ishte mjaft e mirë për Të.

Detyrimi për të vendosur Perëndinë të parin shtrihej në çdo fushë të jetës, jo vetëm në vendin e adhurimit, por edhe në kuzhinë gjithashtu. Populli i Zotit ishte udhëzuar të ofronte një pjesë nga prodhimi i parë i brumit të tyre si një ofertë të lartë: «Nga prodhimi i parë i brumit tuaj do t’i jepni Zotit një ofertë të lartë për gjithë brezat tuaj» (Num. 15:21). Përzierja e një sasie brumi duket si një punë vërtet e zakonshme, një punë që sidomos nuk është frymërore. Por duke i ofruar Zotit prodhimin e parë të brumit, një jude i perëndishëm ishte duke pranuar që Perëndia duhet të ketë vendin e parë në çdo gjë të jetës. Ai ishte gjithashtu duke mohuar ndonjë dallim midis së zakonshmes dhe të shenjtës. Megjithëse ai e dinte se Perëndisë nuk i duhej brumi, ai kuptoi që Zoti do parë si Dhënësi i bukës së përditshme të njeriut.

Jehovai e vuri Veten në rrezik kur i udhëzoi levitët: «Nga të gjitha gjëra që ju kanë dhuruar, do t’i ofroni ofertën e lartë Zotit, nga pjesa më e mirë, pjesën e shenjtëruar» (Num. 18:29). Duke qenë se njeriu bëhet objekt adhurimi, është nevojë urgjente që ai të ketë një vlerësim të duhur të Perëndisë. Mendimet e ulëta për Perëndinë janë shkatërruese. Krijesa mund të ngrihet mbi natyrën njerëzore dhe të arrijë dinjitetin për të cilën është krijuar vetëm kur ajo i jep Krijuesit vendin që meriton.

Ndërsa ndjekim këtë fill mendimi përmes Dhiatës së Vjetër, ne e shohim këtë mësim në veprim kur Elia takoi një të ve varfanjake në një vend që quhet Sarepta (shih 1 Mbr. 17:7-16). Ai i kërkoi gruas pak ujë dhe një copë bukë. Ajo i kërkoi të falur duke i thënë që gjithçka kishte ishte vetëm një dorë miell dhe pak vaj – që mjaftonin vetëm për të bërë një vakt të fundit për djalin e saj dhe për veten para se të vdisnin nga uria.

«Mos u shqetëso», i tha profeti, «por më parë bëj një kulaç të vogël për mua, […] pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd».

Kjo duket si një kërkesë tmerrësisht egoiste, apo jo? Duke sikur profeti ishte fajtor për sjellje të keqe dhe të pafalshme. Neve gjithmonë na është mësuar të kujdesemi që të tjerët të shërbehen para nesh. Të thuash «Më shërbe mua të parit» është një e çarë e pashpirt e rregullave të mirësjelljes. Por duhet të kuptojmë që Elia ishte përfaqësuesi i Perëndisë. Ai po qëndronte atje në vend të Perëndisë. Ai nuk ishte fajtor për egoizëm apo vrazhdësi. Ai ishte duke thënë: «Shiko, unë këtu jam njeriu i Perëndisë. Duke më shërbyer mua të parit, ti je duke i dhënë me të vërtetë Perëndisë vendin e parë dhe për sa kohë që e bën këtë, ty nuk do të të mungojnë kurrë nevojat e jetës. Ena e miellit nuk do të të mbarojë kurrë dhe qypi i vajit nuk do të të pakësohet kurrë». Dhe ndodhi pikërisht kështu.

Salomoni e përforcoi të drejtën e mëparshme të Perëndisë mbi jetët tona me fjalët e njohura: «Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke» (Fja. 3:9). Kjo do të thotë që çdo herë që kemi një ngritje të rrogës, ne duhet të sigurohemi që Zoti të jetë i pari që të marrë pjesën e Tij.

Kur mbërrijmë në Dhiatën e Re ne dëgjojmë Zotin Jezus i cili kërkon me ngut që Perëndia duhet të ketë vendin e parë. «Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen» (Mt. 6:33). Është po ajo e vërtetë që Elia ndau me gruan e ve: ata që i japin Zotit vendin e zotërimit në jetët e tyre nuk kanë pse të shqetësohen kurrë për nevojat bazë të jetës.

Ndoshta ne e njohim kaq shumë Lutjen e Zotit (Mt. 6:9-13), saqë e shmangim rëndësinë e renditjes së saj. Ajo na mëson ta vendosim Perëndinë të parin («Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt») si edhe interesat e Tij («Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell»). Vetëm pas kësaj dhe jo më parë ne jemi të ftuar të parashtrojmë kërkesat tona («Bukën tonë të përditshme na e jep sot» etj.).

Ashtu siç duhet t’i jepet Perëndisë Atë vendi i parësisë, po kështu duhet t’i jepet Zotit Jezus duke qenë një Anëtar i Hyjnisë. Prandaj ne lexojmë në Kolosianëve 1:18, NASB: «…që Ai Vetë të mund të ketë vendin e parë në çdo gjë».

Shpëtimtari nguli këmbë që dashuria që njerëzit e Tij duhet të kishin për Të duhet të ishte aq e madhe, saqë të gjitha dashuritë e tjera të ishin urrejtje në krahasim me dashurinë për Të. «Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im» (Lu. 14:26). Jezusi duhet të zërë vendin e parë të dashurisë tonë.

Është për të ardhur keq, por Zoti nuk zë gjithmonë vendin e parë dhe nuk merr më të mirën nga populli i Tij. Në ditët e Malakias, kur vinte koha për t’i bërë Zotit një flijim, bujku do të ruante kafshët më të mira për mbarështim apo për shitje dhe do t’i jepte Zotit ato të lëna pas dore. Ai thoshte se çdo gjë është mjaft e mirë për Zotin. Kështu përfitimi në pazar vinte i pari. Prandaj Malakia bërtet me të madhe: «Kur ofroni për flijim një kafshë të verbër, a nuk është keq? Kur ofroni një kafshë të çalë ose të sëmurë, nuk është keq? Paraqite, pra, te qeveritari yt. A do të jetë i kënaqur prej teje? Do të të pranojë me kënaqësi?» (Mal. 1:8).

Por kjo ishte në ditët e Malakias. Po sot? Si mund t’i japim Zotit të parën dhe më të mirën? Si mund ta bëjmë këtë praktike në jetët tona? Këtë ne mund ta bëjmë në punë duke iu bindur atyre që janë mbi ne; duke punuar me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit; duke kuptuar që ne jemi duke i shërbyer Krishtit, Zotit (Kol. 3:22-25). Nëse kërkesat e punës fillojnë të kenë përparësi mbi kërkesat e Krishtit, ne duhet të jemi gati t’u themi atyre: «Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare» (Job. 38:11). Ne duhet të kemi dëshirën të bëjmë më tepër për Shpëtimtarin, sesa do të mund të bëjnë ndonjëherë për një korporatë.

Këtë ne mund ta bëjmë nëpër shtëpitë tona duke patur besnikërisht altarin familjar, një kohë gjatë së cilës ne lexojmë Biblën dhe lutemi së bashku. Vërtet, këtë ne mund ta bëjmë duke rritur fëmijë për Zotin dhe jo për botën, për qiellin dhe jo për ferrin.

Jep nga bijtë e tu të mbartin mesazhin e lavdishëm;

jep nga pasuria jote, në këtë rrugë t’i shpejtosh;

zbraze zemrën për ta në lutje fuqishëm;

dhe Jezusi do të të kthejë çfarë të shpenzosh.

(Maria A. Tomson)

Një nënë e krishterë mendonte se ishte duke e vënë Krishtin të parin, por kur vajza u kthye nga shkolla e Biblës dhe i tha: «Mami, Perëndia më ka thirrur në fushën e misionit», nëna iu përgjigj: «Kur të kalosh mbi kufomën time, Izabel».

Një nënë tjetër ishte duke punuar shumë në kuzhinë ndërsa një predikues po bisedonte me djalin e saj në dhomën e pritjes. Predikuesi po diskutonte për mundësitë e mrekullueshme të aftësive të këtij të riu për në veprën e Zotit. Në atë kohë një zë i ashpër erdhi nga kuzhina: «Mos fol ashtu me tim bir. Nuk është kjo ajo që kam menduar për të».

Në një shënim me vend, Spërxhëni i tha kështu të birit: «Biri im, nëse Perëndia të thërret në fushën e misionit, nuk dua të të shoh të llafosësh si një mbret».

Këtë ne mund ta bëjmë në asamblenë lokale duke marrë pjesë rregullisht dhe me entuziazëm. Xhorxh Mallone tregon për një plak në kishë i cili hodhi poshtë ftesën për një drekë presidenciale në Shtëpinë e Bardhë pasi mbrëmjeve ai nuk ishte i lirë për shkak të përgjegjësive baritore të tij. Mbasi Mikael Faradei kishte dhënë një shpjegim të shkëlqyer mbi natyrën dhe vetitë e magnetit, audienca vendosi t’i jepej një fjalë përgëzimi. Por Faradei nuk ishte atje për ta marrë këtë. Ai kishte ikur pa rënë në sy në takimin e lutjeve që bëhej në mes të javës në kishën e tij, një kishë që asnjëherë nuk kishte më shumë se njëzet anëtarë.

Ne mund ta vëmë Perëndinë të parin në administrimin që i bëjmë gjërave materiale. Këtë ne e bëjmë duke pranuar një mënyrë jetese të thjeshtë që gjithë teprica të shkojë në veprën e Zotit. Këtë ne e bëjmë duke ndarë me ata që kanë nevoja frymërore dhe fizike. Që t’i biem shkurt, këtë ne e bëjmë duke investuar për Perëndinë dhe përjetësinë.

Por mënyra më e madhe që ne mund t’i japim Perëndisë vendin e parë është duke i paraqitur Atij jetët tona, duke ia përkushtuar veten Atij jo vepër për shpëtim, por edhe për shërbim. Kur mendojmë për gjithçka që Ai ka bërë për ne, asgjë më pak se kjo nuk është e mjaftueshme.

Mençuria e kohës është që të krishterët t’i shfrytëzojnë jetët e tyre duke fituar para, duke jetuar në salltanete dhe rehati dhe t’i japin Zotit vitet e tyre të pensionit. Në atë moshë shumë vuajnë nga lodhja e madhe dhe i kanë mbetur pak vite jetë. Një mençuri më e madhe është që t’i dorëzohemi Krishtit në pranverën e jetës kur forca, dashuria dhe entuziazmi janë në nivelin më të lartë. Më mirë të bësh këtë, sesa t’i japësh Atij ato që Tomas Gilli i quajti dëshirat tona të dobëta, anën tonë më të mjerë e më të turpshme, pasionet tona që veniten, hirin e zemrave tona.

Perëndia do vendin e parë dhe Perëndia do më të mirën.

Ai është i denjë për të dyja.

E vetmja pyetje që ka mbetur është: «A do t’i marrë Ai këto – nga unë?»

[previous][next]
[[1]]Disa nga ligjet e mira të Perëndisë kishin gjithashtu si qëllim të mbronin shëndetin e popullit të Tij. Këtu, për shembull, ndalimi kundër ngrënies së yndyrës mund të mbronte popullin nga arterioskleroza, që mendohet se shkaktohet nga kolesterina e tepërt. Por synimi kryesor i kësaj ishte të mësonte popullin që t’i jepte Perëndisë më të mirën.[[1]]