«Për pajisjen e shenjtorëve për veprën e shërbimit» (Efesianeve 4:12, NASB)
Mprehtësi revolucionare! Dhuntitë në Efesianëve 4 janë dhënë për të përsosur shenjtorët për veprën e shërbimit. Posa shenjtori mund të vazhdojë punën, dhuntia mund të ecë përpara.
Kjo do të thotë se suksesi në veprën e krishterë është që të punosh për veten në kohën më të shkurtër të mundshme, që më pas të kërkosh botë të reja për të pushtuar.
Kjo është ajo që bëri Pali. Ai shkoi në Thesaloniki, për shembull, u predikoi judenjve për tre shabatë [të shtuna] dhe la prapa një asamble vepruese. Pa dyshim ai ishte një përjashtim për sa i përket shpejtësisë së ngritjes së një vepre. Koha më e gjatë që Pali qëndroi ndonjëherë në një vend gjatë një vizite ishte dy vjet. Ky vend ishte Efesi.
Perëndia nuk pati kurrë si qëllim që shenjtorët të jenë të varur vazhdimisht në ndonjë nga dhuntitë e përmendura. Dhuntitë janë të përdorshme. Nëse shenjtorët ngelen shijues të predikimeve profesionale, duke mos u përfshirë kurrë në veprën e shërbimit, ata nuk zhvillohen kurrë frymërisht siç duhet dhe bota nuk do të ungjillëzohet kurrë ashtu siç synoi Perëndia.
Uilliam Diloni (William Dillon) tha se një misionar i huaj i suksesshëm nuk ka kurrë një pasues të huaj. Kjo duhet të jetë njëlloj e vërtetë për punëtorët në mëmëdhe – kur puna e punëtorit të ketë përfunduar, vetë shenjtorët duhet të marrin drejtimin dhe të fillojnë të kërkojnë një predikues tjetër.
Shumë shpesh ne predikuesit e shohim pozitën tonë si një funksion për tërë jetën. Ne arsyetojmë që të tjerët nuk mund ta bëjnë punën më mirë. Ne e justifikojmë vazhdimësinë tonë me faktin që pjesëmarrja do të bjerë nëse ne largohemi. Ne ankohemi që të tjerët nuk mund t’i bëjnë gjërat mirë dhe që ata nuk janë të besueshëm. Por fakti është se ata duhet të mësojnë. Dhe për të mësuar atyre duhet t’u jepen mundësi. Duhet të ketë trajnim, delegim të përgjegjësive dhe vlerësim të progresit.
Kur shenjtorët arrijnë në pikën kur besojnë se mund të ecin më tej pa një predikues apo mësues të veçantë, nuk ka arsye që ai të varë buzët apo të shfaq ndjenja të plagosura. Ky është një rast për festim. Punëtori është i lirë të shkojë atje ku nevojitet më shumë.
Është një skenë e keqe kur puna e Perëndisë bazohet përherë rreth një njeriu, sado me dhunti qoftë. Qëllimi i tij i madh duhet të jetë shumëzimi i efikasitetit të tij duke i ndërtuar shenjtorët deri në pikën ku ata të mos jenë më të varur tek ai. Në një botë si kjo e jona, ai nuk ka pse të rrijë kurrë pa punë në vende të tjera.