Habakuku

Habakuku nuk ishte një njeri egoist, që shqetësohej vetëm me ngushëllimin dhe sigurinë e vetes dhe të familjes së tij. Si një patriot i vërtetë që ishte, shqetësohej thellë për gjendjen morale dhe frymërore të tij. Ai e donte kombin e tij dhe e dinte se po shkonte afër greminës së shkatërrimit duke vazhduar të shkelte ligjin e Perëndisë. Prandaj dy pyetje plot ankth dalin nga buzët e tij: për sa kohë dhe pse ?Richard W. De Haan

I. Vendi unik në Kanun

Habakuku 2:4 dallohet sepse është cituar tri herë në DhR (shikoni më poshtë). Te Veprat e Apostujve 13:40, 41 apostulli Pal e mbyll predikimin e tij në sinagogën e Antiokisë së Pisidisë duke cituar Habakuku 1:5, një ilustrim tjetër se si një libër i shkurtër i DhR, në dukje i zymtë, mund të ketë përmbajtje të pasur doktrinore. Gjithashtu, krahasoni Habakuku 3:17,18 me Filipianeve 4:4, 10-19. Si profeti ashtu edhe apostulli gëzohen në Perëndinë e tyre, pavarësisht se cilat mund të jenë rrethanat e jashtme të jetës.

Për sa i përket stilit, studiuesi i krishterë hebre Çarls Feinberg (Charles Feinberg) shkruan:

Të gjithë i japin Habakukut një vend shumë të lartë midis profetëve hebrenj. Pjesa poetike e kapitullit 3 është lavdëruar me të drejtë nga çdokush si poezia më madhështore hebraike. Gjuha e librit është shumë e bukur [1].

II. Autorësia

Ne nuk dimë pothuajse asgjë rreth këtij profeti. Emri Habakuk [2] mund të nënkuptojë përqafim apo mundje.

Meqë ai është njëri midis një sasie të vogël që e quajnë veten profetë, disa studiues besojnë se ai jo vetëm kishte dhuntinë e profecisë, por edhe detyrën (Danieli, për shembull, ishte një burrë shteti në thirrje, por një profet prej dhuntisë). Meqë Habakuku u referohet veglave muzikore në kapitullin 3, është hedhur ideja se ai mund të ketë marrë pjesë në korin e tempullit, edhe pse kjo është vetëm një hamendje.

III. Data

Ngaqë Habakuku nuk përmend asnjë mbret, profecisë së tij të vogël është e vështirë t’i caktojmë një datë. Ka gjasa të jetë nga viti 600 para K., edhe pse, sigurisht, disa kritikë racionalistë mendojnë të jetë shkruar më vonë për disa arsye të tyret. Studiuesit konservativë e vënë kryesisht profetin gjatë mbretërimeve të Manasit, Josias apo Jehojakimit, tërë mbretër të shekullit VII para K. Mbretërimi i mbretit të fundit të përmendur është mbase zgjedhja më e mirë, me një datë afër Betejës së Karkemishit (605 para K.), në të cilën Babilonia doli fitimtare.

IV. Sfondi dhe tema

Gjallërimi fetar nën mbretin Josia nuk zgjati shumë. Moralet publike, të ndikuara edhe një herë tjetër nga Baali i shthurur moralisht dhe kultet e Ashtarothit, ishin shumë të ulta. Padrejtësia ishte mjaft e përhapur. Këto ishin kushte për të ardhur keq, me të cilat duhet të merrej Habakuku.

Ky profet i foli Judës para robërisë babilonase (586 para K.). Meqë emri i tij mund të nënkuptojë “mundës”, është e përshtatshme që ai të jetë ndeshur, përpjekur, luftuar me Jehovahun për mëkatin dhe ndëshkimin e popullit të Judës.

Duke parapëlqyer domethënien “përqafoj”, Feinbergu citon nga Martin Luterin si vijon:

Habakuk do të thotë një përqafues, apo ai që përqafon një tjetër, duke e marrë në krahët e vet. Ai e përqafon popullin e tij dhe i merr ata në krahët e tij, pra, ai i ngushëllon dhe i ngre lart, ashtu siç përqafon dikush një fëmijë që qan për ta qetësuar me sigurinë se, nëse do Perëndia, do të bëhet më mirë së shpejti [3].

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. PROFETI ËSHTË NË MËDYSHJE, SE PERËNDIA NUK NDËSHKON PAUDHËSINË E JUDËS (1:1-4)
II. ZOTI PËRGJIGJET SE AI DO TË PËRDORË BABILONASIT PËR TË NDËSHKUAR JUDËN (1:5-11)
III. TASHMË HABAKUKU PYET PERËNDINË PËR ZGJEDHJEN E TIJ TË NJË KOMBI MË TË LIG PËR TË NDËSHKUAR JUDËN (1:12-17)
IV. PËRGJIGJJA E PERËNDISË ËSHTË SE POPULLI I DREJTË I JUDËS DO TË MBIJETOJË, POR KALDEASIT E PADREJTË DO TË SHFAROSEN (kapitulli 2)
A. Habakuku pret përgjigjen e Perëndisë (2:1)
B. Udhëzimet për të shkruar përgjigjen dhe pritja e përmbushjes së saj (2:2,3)
C. I drejti do të jetojë me anë të besimit dhe kaldeasit e padrejtë do të vdesin (2:4)
D. Katalogu i mëkateve të kaldeasve (2:5-19)
1. Oreksi i pafund për pushtim (2:5-8)
2. Lakmia dhe krenaria (2:9-11)
3. Pasurimi me anë të gjakderdhjes (2:12-14)
4. Prishja e fqinjëve (2:15-17)
5. Idhujtaria (2:18,19)
E. Heshtja e shijuar para stuhisë së gjykimit të Perëndisë (2:20)
V. HABAKUKU LUTET DHE BESON (kapitulli 3)
A. Ai i drejtohet Perëndisë që të veprojë për popullin e Tij (3:1,2)
B. Ai përmbledh kujdesin e Perëndisë për Izraelin nga Egjipti për në Kanaan (3:3-15)
C. Ai pret që armiku të ndëshkohet (3:16)
D. Ai do të besojë në Perëndinë, forcën e tij, pavarësisht se çfarë do të ndodhë (3:17-19)






Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (Hyrje) Charles Lee Feinberg, Habakkuk, Zephaniah, Haggai and Malachi, f. 12. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (Hyrje) Pjesa më e madhe e njerëzve e theksojnë emrin në rrokjen e parë, por theksimi në rrokjen e dytë parapëlqehet në anglisht. Në hebraisht theksohet rrokja e fundit (Ha-ba-KUK). ↵ Kthehu mbrapa
  3. (Hyrje) Feinberg, Habakkuk, f. 11. ↵ Kthehu mbrapa