BIRI I NJERIUT NË JERUZALEM (19:28-21:38)

A. Hyrja triumfuese (19:28-40)

19:28-34 Ishte tani e Diela përpara kryqëzimit të Tij. Jezusi i ishte afruar anës lindore të Malit të Ullinjve në rrugën për në Jeruzalem. Kur Ai iu afrua Betfagës dhe Betanias … dërgoi dy nga dishepujt e vet në një fshat për të marrë një kërriç për hyrjen e Tij në Jeruzalem. Ai u tha atyre saktësisht se ku do ta gjenin kafshën dhe se çfarë do t’u thoshin atyre pronarët e saj. Pasi dishepujt u shpjeguan detyrën e tyre, të zotët u dukën tepër të gatshëm për t’ua dhënë kërriçin për ta përdorur për Jezusin. Ndoshta ata ishin bekuar më parë nga shërbesa e Zotit dhe ofruan ndihmën e tyre për Të në këtë kohë që Ai kishte nevojë.

19:35-38 Dishepujt bënë një jastëk ose një shalë kali për Zotin me rrobat e veta. Shumë të tjerë shtronin rrobat e tyre në rrugë përpara Tij ndërkohë që Ai po ngjitej nga rrëza perëndimore e Malit të Ullinjve për në Jeruzalem. Më pas ndjekësit e Jezusit shpërthyen në një zë duke lavdëruar Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë. Ata e përshëndetën Atë si Mbretin e Perëndisë dhe kënduan duke thënë që rezultati i ardhjes së Tij ishte paqe në qiell dhe lavdi në vendet më të larta. Është tepër domethënëse që ata thirrën “Paqe në qiell” dhe jo “paqe në tokë.” Nuk mund të kishte paqe në tokë sepse Princi i Paqes ishte hedhur poshtë dhe së shpejti do të vritej. Por do të kishte paqe në qiell si rezultat i vdekjes së afërt të Krishtit në kryqin e Kalvarit dhe ngjitjes së Tij në qiell.

19:39, 40 Farisenjtë u indinjuan shumë kur panë se Jezusi u nderua publikisht në këtë mënyrë. Ata sugjeruan që Ai duhet t’i qortonte dishepujt e Tij. Por Jezusi u përgjigj duke thënë që një brohoritje e tillë ishte e pashmangshme. Nëse dishepujt do të pushonin, gurët do të thërrisnin! Kështu Ai i qortoi farisenjtë të cilët ishin më të fortë sesa dhe gurët e pashpirtshëm dhe të pagojë.

B. Biri i Njeriut qan për Jeruzalemin (19:41-44)

19:41, 42 Ndërkohë që Jezusi iu afrua Jeruzalemit, Ai filloi një vajtim mbi qytetin që kishte humbur mundësinë e tij të artë. Nëse njerëzit do ta kishin pranuar Atë si Mesia, për ta kjo do të kishte thënë paqe. Por ata nuk e kuptuan që Ai ishte burimi i paqes. Tani ishte tepër vonë. Ata tashmë e kishin vendosur se çfarë do të bënin me Birin e Perëndisë. Për shkak të kundërshtimit që i bënë Atij, sytë e tyre ishin të verbër. Ngaqë ata nuk e panë Atë, nuk do të mund ta shihnin më.

Një pauzë këtu për të reflektuar mbi mrekullinë e lotëve të Shpëtimtarit. Siç ka thënë W. H. Griffith Thomas, “Le të ulemi në këmbët e Jezusit derisa të mësojmë sekretin e lotëve të Tij, dhe duke vënë re mëkatet dhe trishtimet e qytetit dhe gjithë vendit, të qajmë dhe ne mbi ta.”{{54}}

19:43, 44 Jezusi dha një parashikim solemn mbi rrethimin e Titit – si do ta qarkonte qytetin ai gjeneral Romak, si do t’i kapte banorët, do t’i masakronte të rinj dhe të vjetër dhe do të rrëzonte për tokë muret dhe ndërtesat. Gur mbi gur nuk do të lihej aty. Dhe gjithë kjo do të ndodhte sepse Jeruzalemi nuk e njohu kohën kur u vizitua. Zoti kishte vizituar qytetin me ofertën e shpëtimit. Por njerëzit nuk e deshën Atë. Ata nuk kishin vend për ta në planin e tyre.

C. Pastrimi i dytë i Tempullit (19:45, 46)

Jezusi e pati pastruar tempullin në fillim të shërbesës së Tij publike (Gjo. 2:14-17). Tani që shërbesës së Tij po i vinte fundi, Ai hyri në zonën e shenjtë dhe dëboi jashtë ata që e kishin bërë shtëpinë e lutjes një shpellë kusarësh. Gjithmonë ekziston rreziku i futjes së tregtisë në gjërat e Perëndisë. Krishterimi sot është brumosur me këtë të keqe: pazaret e Kishës, fushatat e organizuara financiare, predikime për fitime – dhe të gjitha bëhen në Emër të Krishtit.

Krishti citoi Shkrimet (Isaia 56:7 dhe Jer. 7:11) për të mbështetur veprimin e Tij. Çdo reformim fyes në kishë duhet të ndërtohet mbi Fjalën e Perëndisë.

D. Mësimet e përditshme në tempull (19:47, 48)

Çdo ditë Jezusi mësonte në zonën e tempullit – jo brenda tempullit, por në oborret ku lejohej publiku. Krerët fetarë dëshironin aq shumë të gjenin ndonjë arsye për ta vrarë Atë, por njerëzit e zakonshëm ishin ende të habitur nga Nazareasi çudibërës. Koha e Tij nuk kishte ardhur akoma. Por së shpejti do të vinte ora, dhe atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe farisenjtë do të ishin shumë afër vrasjes së Tij.

Tani është e Hënë. Dita tjetër, e Marta, që ishte dita e fundit e mësimeve të Tij publike, është përshkruar në 20:1-22:6.

E. Vihet në pikëpyetje autoriteti i Birit të Njeriut (20:1-8)

20:1, 2 Çfarë pamje! Zoti Mësues duke shpallur pa u lodhur lajmin e mirë në hijet e tempullit dhe krerët e Izraelit në mënyrë të pacipë duke u përpjekur të ndalonin të drejtën e Tij për të mësuar. Për ta Jezusi ishte një marangoz i paedukuar nga Nazareti. Ai kishte shumë pak edukim, nuk kishte grada akademike dhe as akreditim nga ndonjë trup kishtar. Cilat ishin letrat e Tij kredenciale? Kush ia jepte Atij këtë autoritet për të mësuar, për t’u predikuar të tjerëve dhe për të pastruar tempullin? Ata donin ta dinin!

20:3-8 Jezusi u përgjigj duke u bërë atyre një pyetje. Nëse ata do t’i përgjigjeshin ashtu si duhet, atëherë do të merrnin përgjigjen për pyetjen e tyre. A ishte i miratuar pagëzimi i Gjonit nga Perëndia, apo ishte thjesht nga një autoritet njerëzor? Ata u zunë ngushtë. Nëse thoshin që Gjoni predikoi me leje hyjnore prej së larti, atëherë përse nuk iu bindën mesazhit të tij duke u penduar dhe duke e pranuar Mesinë që ai shpalli? Por nëse do të thoshin se Gjoni ishte një predikues tjetër profesional, ata do të nxisnin zemërimin e njerëzve që ende e shpallnin Gjonin një profet të Perëndisë. Kështu ata thanë, “ne nuk e dimë nga e mori Gjoni autoritetin e tij.” Jezusi tha, “Mirë, nëse është kështu, as Unë nuk do t’ju them se me autoritetin e kujt mësoj.” Nëse ata nuk mund të tregonin për Gjonin, atëherë përse vinin në dyshim autoritetin e dikujt që ishte më i madh se Gjoni? Ky paragraf tregon se thelbi i të mësuarit të fjalës së Perëndisë duhet të jetë i mbushur me Frymën e Shenjtë. Ai që ka një pajisje të tillë mund të triumfojë mbi ata fuqia e të cilëve mbështillet nga gradë, tituj njerëzorë dhe ndere.

“Ku je diplomuar? Kush të ka caktuar ty?” Pyetjet e vjetra, të krijuara nga xhelozia, pyeten ende sot. Predikuesi i suksesshëm i ungjillit, i cili nuk ka shkelur në korridoret teologjike të ndonjë universiteti me emër, kundërshtohet në përshtatshmërinë e tij dhe në vlefshmërinë e urdhëresës së tij.

F. Shëmbëlltyra e vreshtarëve të këqinj (20:9-18)

20:9-12 Dëshira e madhe dhe këmbëngulëse e zemrës së Perëndisë për popullin e Izraelit është shënuar edhe një herë në këtë shëmbëlltyrë vreshtari. Perëndia është ai njeri që ua besoi vreshtin (Izraelin) vreshtarëve (krerëve të kombit – shiko Isaia 5:1-7). Ai dërgoi disa shërbëtorë tek vreshtarët për të marrë nga prodhimi i vreshtit për Veten e Tij. Këta shërbëtorë ishin profetët e Perëndisë, si Isaia dhe Gjon Pagëzori, të cilët kërkuan ta thërrisnin Izraelin në pendim dhe besim. Por krerët e Izraelit i persekutuan vazhdimisht profetët.

20:13 Më së fundi Perëndia dërgoi Birin e Tij të dashur, me mendimin se ata do ta respektonin Atë (megjithëse Perëndia e dinte me siguri që Krishti do të hidhej poshtë). Vini re që Krishti e dallon Vetveten nga të tjerët. Ata ishin shërbëtorë; Ai është Biri.

20:14 Duke qenë besnikë ndaj historisë së tyre të vjetër, vreshtarët vendosën ta hiqnin qafe trashëgimtarin. Ata dëshironin të drejta ekskluzive si krerë dhe mësues të popullit – “që trashëgimia të na mbetet neve.” Ata nuk do t’ia dorëzonin pozicionin e tyre fetar Jezusit. Nëse do ta vrisnin, fuqia e tyre në Izrael nuk do të kishte sfidues – kështu mendonin ata.

20:15-17 Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Në këtë moment, Jezusi pyeti dëgjuesit Judenj se çfarë do t’u bënte i zoti i vreshtit këtyre vreshtarëve të këqinj. Në Mateu, kryeprifti dhe pleqtë dënuan vetveten duke thënë që ai duhet t’i vriste ata (Mat. 21:41). Këtu vetë Zoti dha përgjigjen, “Ai do të vijë, do t’i vrasë ata vreshtarë dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve.” Kjo do të thoshte që Judenjtë të cilët kishin hedhur poshtë Krishtin do të shkatërroheshin dhe që Perëndia do të vendoste të tjerët në vendin e privilegjit. “Të tjerët” mund t’i referohet Paganëve ose Izraelit të rigjeneruar të ditëve të fundit. Judenjtë e kundërshtuan një sugjerim të tillë. “Kështu mos qoftë!” thanë ata. Zoti konfirmoi atë që tha duke cituar Psalmin 118:22. Ndërtuesit Judenj e kishin hedhur poshtë Krishtin, Gurin. Ata nuk kishin vend në planet e tyre për Të. Por Perëndia ishte i vendosur që Ai të kishte vendin parësor, duke e bërë Atë gurin e qoshes, një gur që është i domosdoshëm dhe që ka një vend tepër të nderuar.

20:18 Dy ardhjet e Krishtit janë treguar në vargun 18. {{55}} Ardhja e Tij e Parë është paraqitur si një gur për tokë; njerëzit pengoheshin me përulësinë e Tij, dhe bëheshin copë-copë kur e hidhnin poshtë Atë. Në pjesën e dytë të vargut, guri shihet duke rënë nga qielli dhe duke i dërrmuar jobesimtarët në pluhur.

G. Taksa ndaj Cezarit dhe ndaj Perëndisë (20:19-26)

20:19, 20 Krerët e priftërinjve dhe skribët kuptuan që Jezusi kishte folur kundër tyre, kështu që dëshironin akoma më shumë të vinin dorë mbi Të. Ata dërguan disa spiunë për ta zënë në gabim për të cilin Ai mund të arrestohej dhe të gjykohej nga guvernatori Romak. Këta spiunë së pari e lavdëronin Atë si dikush që ishte besnik ndaj Perëndisë çfarëdo që të ishte çmimi dhe pa patur frikë nga njerëzit – duke shpresuar që Ai do të fliste kundër Cezarit.

20:21, 22 Këta e pyetën nëse ishte e drejtë për një Jude t’i paguante taksën Cezarit. Nëse Jezusi do të thoshte “jo,” atëherë ata do të mund ta akuzonin për tradhëti dhe ta dorëzonin për t’u gjykuar nga Romakët. Nëse do të thoshte “po,” Ai do të armiqësonte Herodianët (dhe masën e madhe të Judenjve, për atë çështje).

20:23, 24 Jezusi e kuptoi komplotin kundër Tij. Ai u kërkoi një denar; ndoshta Ai nuk kishte një të tillë. Fakti që ata zotëronin dhe përdornin monedha të tilla tregonte se ata ishin skllevër të një fuqie pagane. “E kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?” pyeti Jezusi. Ata e pranuan që ishin të Cezarit.

20:25, 26 Atëherë Jezusi i qetësoi me urdhërin, “I jepni, pra Cezarit atë që është e Cezarit dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.” Dukej hapur që ata ishin të shqetësuar përsa i përket interesave të Cezarit, por nuk interesoheshin aspak për Perëndinë. “Paraja i takon Cezarit dhe ju i përkisni Perëndisë. Lëreni botën të ketë monedhat e saj, por lëreni Perëndinë të ketë krijesat e Tij.” Është kaq e thjeshtë t’i bësh bisht gjërave të vogla ndërkohë që lë pas dore gjërat themelore të jetës. Dhe kaq e thjeshtë të shlyesh borxhet ndaj njerëzve ndërkohë që vjedh Perëndinë duke mos paguar “taksat” që i takojnë Atij.

H. Saducenjtë dhe enigma e tyre mbi ringjalljen (20:27-44)

20:27 Për shkak se përpjekja për ta kapur Jezusin në një gabim politik dështoi, disa nga saducenjtë iu afruan me një gjëegjëzë teologjike. Ata mohonin mundësinë e ringjalljes së trupave të të vdekurve dhe kështu që kërkuan që me anë të një ilustrimi ekstrem ta bënin doktrinën e ringjalljes të dukej qesharake.

20:28-33 Ata i kujtuan Jezusit që në Ligjin e Moisiut një burrë duhej të martohej me të venë e vëllait të tij me qëllim që të çonte përpara emrin e familjes dhe të siguronte pasurinë e saj (LiP. 25:5). Një grua u martua me shtatë vëllezër njëri pas tjetrit sipas historisë së tyre. Kur i shtati vdiq, ajo ishte ende pa fëmijë. Më pas edhe ajo vdiq. “Në ringjallje e kujt do të jetë grua?” dëshironin të dinin ata. Ata menduan se ishin shumë të zgjuar në gjetjen e një pyetjeje të tillë të papërgjigjshme.

20:34 Jezusi iu përgjigj duke u thënë që marrëdhëniet martesore ishin vetëm për këtë jetë; kjo gjë nuk do të vazhdonte në qiell. Ai nuk tha që burrat dhe gratë nuk do ta njihnin njëri-tjetrin në qiell, por që marrëdhënia e tyre atje do të ishte mbi një bazë krejt të ndryshme.

20:35 Shprehja “ata që do të gjenden të denjë të kenë pjesë në botën tjetër” nuk do të thotë se ka njerëz që janë të denjë për qiellin: e vetmja vlerë që mund të kenë mëkatarët është vlera e Zotit Jezus Krisht. “Të denjë janë ata që gjykojnë vetveten, që përligjin Krishtin dhe që pranojnë që gjithë vlera e tyre i takon Atij”{{56}}. Fraza ringjallja e të vdekurve i referohet vetëm ringjalljes së besimtarëve. Fjalë për fjalë nga Greqishtja do të thotë ringjallje nga mesi i të vdekurve [d.m.th. të shpëtuarit nga mesi i të gjithë njerëzve të vdekur]. Ideja e një ringjalljeje të përgjithshme në të njëjtën kohë si e atyre që janë të shpëtuar dhe e atyre që nuk janë, nuk gjendet në asnjë vend në Bibël.

20:36 Superioriteti i gjendjes qiellore është treguar akoma më shumë në vargun 36. Nuk ka më vdekje; dhe nga kjo anë njerëzit do të jenë si engjëjt. Gjithashtu ata do të shfaqen si bij të Perëndisë. Besimtarët tashmë janë bij të Perëndisë, por jo në pamjen e jashtme. Në qiell, ata do të shfaqen dukshëm si bij të Perëndisë. Fakti që ata morën pjesë në ringjalljen e parë e siguron këtë. “Por dimë se, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim se si është Ai” (1 Gjo. 3:2). “Kur të shfaqet Krishti jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me Të” (Kol. 3:4).

20:37, 38 Për të provuar ringjalljen, Jezusi i referohet Eksodit 3:6 ku Moisiu citoi Zotin duke e quajtur Vetveten Perëndia i Abrahamit, … Isakut dhe … Jakobit. Nëse saducenjtë do të ndalonin një moment për të menduar, do të mund të kuptonin që: (1) Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve. (2) Abrahami, Isaku dhe Jakobi të tre ishin të vdekur. Përfundimi që duhet të nxirret është që Perëndia duhet t’i ringjallë ata prej së vdekurish. Zoti nuk tha “Unë isha Perëndia i Abrahamit …,” por “Unë jam ….” Karakteri i Perëndisë, si Perëndi i të gjallëve, kërkon ringjallje.

20:39-44 Disa skribë duhet të pranonin forcën e argumentimit. Por Jezusi nuk kishte mbaruar. Ai iu drejtua edhe njëherë Fjalës së Perëndisë. Në Psalmin 110:1 Davidi e quajti Mesinë Zotin e Tij. Në përgjithësi Judenjtë kishin të njëjtin mendim në lidhje me faktin që Mesia do të ishte Bir i Davidit. Si mund të ishte Ai edhe Zoti edhe Biri i Davidit në të njëjtën kohë? Vetë Zoti Jezus ishte përgjigjja e kësaj pyetjeje. Ai vinte nga vija e Davidit si Biri i Njeriut, e përsëri Ai ishte Krijuesi i Davidit. Por ata ishin shumë të verbër për ta parë këtë gjë.

I. Paralajmërim kundër Skribëve (20:45-47)

Dhe Jezusi e paralajmëroi turmën kundër skribëve. Ata visheshin me rroba të gjata për t’u qenë përshëndetur. Atyre u pëlqente të thirreshin me tituj të ndryshëm kur ecnin nëpër sheshe. Ata manovronin për të zënë vendet e para nëpër sinagoga dhe bankete. Por ata u vidhnin grave të veja e të pambrojtura kursimet e tyre, duke mbuluar të këqijat e tyre me anë lutjesh të gjata. Një hipokrizi e tillë duhet të dënohej ashpër.

J. Dy paret e së vesë (21:1-4)

Ndërkohë që Jezusi shikonte pasanikët duke hedhur dhuratat e tyre në arkën e thesarit të tempullit, Ai u habit nga kontrasti midis të pasurve dhe një të veje të varfër. Ata dhanë diçka, por ajo dha gjithçka. Në sytë e Perëndisë ajo dha më shumë se të gjithë ata së bashku. Ata jepnin nga tepricat e tyre. Ajo dha në varfërinë e saj. Ata dhanë atë që ju kushtonte shumë pak ose asgjë. Ajo dha gjithçka që kishte për të jetuar. “Arin e bollëkut që jepet sepse nuk duhet më, Perëndia e flak në gropën e pafund,  por bakrin e nxjerrë me gjak, Ai e ngre dhe e puth si arin e përjetësisë.” {{57}}

K. Përmbledhje e ngjarjeve të ardhshme (21:5-11)

Vargjet 5-33 përbëjnë një ligjëratë profetike. Megjithëse ngjan me Ligjëratën e Malit të Ullinjve te Mateu 24 dhe 25, nuk është identike me të. Edhe një herë ne duhet të kujtojmë që ndryshimet midis  Ungjijve kanë një domethënie të thellë.

Në këtë ligjëratë, ne e shohim Zotin duke folur me radhë për shkatërrimin e Jeruzalemit në 70 e.s. dhe më pas për kushtet që do të pararendin Ardhjen e Tij të Dytë. Është një ilustrim i ligjit të referimit të dyfishtë – parashikimet e Tij së shpejti do të kishin një përmbushje të pjesshme nën rrethimin e Titit, por do të kishin një përmbushje të plotë dhe të mëtejshme në fund të Periudhës së Mundimit të Madh.

Përmbledhja e ligjëratës duket se është si më poshtë:

1. Jezusi paratha shkatërrimin e Jeruzalemit (v. 5, 6).

2. Dishepujt pyetën se kur do të ndodhte kjo (v. 7).

3. Jezusi së pari dha një pamje të përgjithshme të ngjarjeve që do të pararendnin Ardhjen e Tij të Dytë (v. 8-11).

4. Më pas Ai dha një pamje të rënies të Jeruzalemit dhe të epokës që do të pasonte (v. 12-24).

5. Së fundi, Ai u tregoi për shenjat që do të pararendnin Ardhjen e Tij të Dytë, dhe u bëri thirrje ndjekësve të Tij të jetonin duke pritur ardhjen e Tij (v. 25-26).

21:5, 6 Kur disa nga njerëzit po admironin madhështinë e tempullit të Herodit, Jezusi i paralajmëroi ata që të mos merreshin me gjëra materiale që së shpejti do të zhdukeshin. Po vinin ditët kur tempulli do të rrënohej plotësisht.

21:7 Dishepujt menjëherë u bënë kureshtarë për të ditur se kur do të ndodhte kjo gjë dhe se çfarë shenje do ta paraprinte këtë ngjarje. Pa dyshim që pyetja e tyre i referohej shkatërrimit të Jeruzalemit.

21:8-11 Përgjigjja e Shpëtimtarit së pari duket sikur i çoi ata në fundin e epokës kur tempulli do të shkatërrohej përsëri përpara vendosjes së mbretërisë. Do të kishte mesi të rremë dhe fjalë të rreme, luftra dhe trazira. Nuk do të kishte vetëm konflikte midis popujve, por edhe katastrofa të mëdha të natyrës – tërmete, … zi buke dhe murtaja, terrore, dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

L. Periudha përpara fundit (21:12-19)

21:12-15 Në pjesën pararendëse Jezusi përshkroi ngjarjet që do të ndodhnin menjëherë para fundit të epokës. Vargu 12 është paraqitur me anë të shprehjes “Por para të gjitha këtyre gjërave…” Kështu ne besojmë që vargjet 12-24 përshkruajnë periudhën midis kohës së ligjëratës dhe Periudhës së Mundimit të ardhshëm. Dishepujt e Tij do të arrestoheshin, persekutoheshin, gjykoheshin përpara forcave fetare dhe qeveritare dhe burgoseshin. Mund të duket si një dështim dhe tragjedi e tyre, por Zoti do ta përdorë gjithë këtë si një dëshmi për lavdinë e Tij. Atyre nuk u duhej të parapregatisnin mbrojtjen e tyre. Në orën e krizës, Perëndia do t’u jepte atyre diturinë e veçantë për të thënë gjëra të cilat do t’i hutonin plotësisht kundërshtarët e tyre.

21:16-18 Do të kishte pabesi brenda familjeve, prindërit e pashpëtuar do të tradhëtonin të krishterët, dhe disa edhe do të vriteshin për shkak të zgjedhjes që kishin bërë për të ndjekur Krishtin. Duket sikur ka një kundërshtim midis vargut 16, “dhe disa prej jush do t’i vrasin,” dhe vargut 18 “por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë.” Kuptimi i vetëm që këto vargje mund të kenë është se megjithëse disa do të vdesin si dëshmorë për Krishtin, mbrojtja e tyre shpirtërore do të ishte e plotë. Ata do të vdisnin, por nuk do të humbnin.

21:19 Vargu 19 tregon që ata që durojnë shumë për Krishtin, në vend që të heqin dorë prej Tij, do të provojnë vërtetësinë e besimit të tyre. Ata që janë me të vërtetë të shpëtuar do të qëndrojnë të vërtetë dhe besnikë çfarëdo qoftë çmimi. RSV shkruan, “me durimin tuaj do të fitoni jetët tuaja.”

M. Rrënimi i Jeruzalemit (21:20-24)

Duket qartë që tani Zoti merr në konsideratë subjektin mbi shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 70 e.s.. Kjo ngjarje do të sinjalizohej nga rrethimi i qytetit nga ushtritë Romake.

I krishteri i ditëve të para – viti 70 e. s – kishte një shenjë të veçantë për të paraqitur shkatërrimin e Jeruzalemit dhe rrënimin e tempullit të mrekullueshëm: “Kur të shihni Jeruzalemin të rrethuar me ushtri, ta dini që pushtimi është i afërt.” Kjo duhet të ishte një shenjë pozitive për shkatërrimin e Jeruzalemit, dhe kur kjo shenjë të shfaqej ata duhet t’ia mbathnin. Mosbesimi mund të thoshte se me një ushtri gjigande jashtë mureve të qytetit largimi do të ishte i pamundur, por Fjala e Perëndisë nuk bie kurrë poshtë. Gjenerali Romak i tërhoqi ushtritë e tij për një periudhë të shkurtër, duke u dhënë kështu besimtarëve Judenj mundësinë për t’u larguar. Dhe këtë gjë bënë ata duke shkuar në një vend të quajtur Pella, ku u mbrojtën.{{58}}

Çdo përpjekje për të rihyrë në qytet do të ishte fatale. Qyteti ishte gati për t’u dënuar si pasojë e hedhjes poshtë të Birit të Perëndisë. Gratë shtatzëna dhe ato që mëndnin do të ishin në një pozitë të pafavorshme. Ato do të pengoheshin për t’i shpëtuar gjykimit të Perëndisë mbi tokën e Izraelit dhe mbi njerëzit Judenj. Shumë do të vriteshin dhe mbijetuesit do të merreshin si pengje në toka të tjera.

Pjesa e fundit e vargut 24 është një profeci e rëndësishme që tregon se qyteti i lashtë i Jeruzalemit do të ishte subjekt i qeverisjeve pagane që nga ajo kohë deri sa të plotësohen kohët e paganëve [johebrenjve]. Kjo nuk do të thotë që Judenjtë nuk mund të kenë kontroll mbi të në periudha të shkurtra kohore; mendimi është që ai do të jetë vazhdimisht subjekt i pushtimeve pagane dhe i ndërhyrjeve derisa të plotësohen kohët e paganëve [johebrenjve].

DhR bën një dallim midis pasurive të paganëve, plotësimit të paganëve dhe kohëve të paganëve.

1. Pasuritë e paganëve (Rom. 11:12) i referohet vendit të privilegjit që gëzojnë paganët gjatë kohës së tanishme ndërkohë që Izraeli është lënë mënjanë nga Perëndia.

2. Përmbushja e paganëve (Rom. 11:25) është koha e Rrëmbimit kur Nusja e Krishtit [e përbërë kryesisht nga johebrenj] do të plotësohet dhe do të merret nga toka dhe kur Perëndia do të rinisë punimet e Tij me Izraelin.

3. Kohët e paganëve (Lluka 21:24) fillon në të vërtetë me pushtimin Babilonas, 606 p.e.s. dhe do të zgjasë deri në kohën kur kombet pagane nuk do të ushtrojnë më kontroll mbi qytetin e Jeruzalemit.

Gjatë shekujve që nga koha e fjalëve të Shpëtimtarit, Jeruzalemi ka qenë kontrolluar gjerësisht nga fuqi pagane. Perandori Julian Heretiku (331-363 e.s.) kërkoi të diskretitojë Krishterimin duke hedhur poshtë profecinë e Zotit. Prandaj ai i inkurajoi Judenjtë për të rindërtuar tempullin. Ata iu futën punës me padurim, madje përdorën edhe lopata të argjendta në ekstravagancën e tyre dhe mbartën pisllëqet në vele të purpurt. Por ndërkohë që ishin duke punuar, u ndërprenë nga një tërmet dhe nga topa të zjarrtë që dilnin nga toka. Atyre iu desh ta braktisnin projektin e tyre.{{59}}

N. Ardhja e Dytë (21:25-28)

Këto vargje përshkruajnë tronditjet e natyrës dhe kataklizmat në tokë që do të pararendin Ardhjen e Dytë të Krishtit. Do të ketë çrregullime që do të përfshijnë diellin … hënën dhe yjet, të cilat do të jenë tepër të dukshme këtu në tokë. Trupat qiellorë do të lëvizin nga orbitat e tyre. Kjo mund ta bëjë tokën të zhvendoset nga boshti i saj. Do të ketë dallgë të mëdha që do të lëshohen mbi tokë. Paniku do të përfshijë njerëzimin për shkak të trupave qiellorë që mund të përplasen me tokën. Por ka shpresë për të perëndishmit:

Atëherë do të shohin Birin e Njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe. Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër.

O. Pema e fikut dhe pemët e tjera (21:29-33)

21:29-31 Një shenjë tjetër që do të tregojë afrimin e Ardhjes së Tij është mugullimi [çelja] i pemës së fikut dhe pemëve të tjera. Pema e fikut është një figurë e kombit të Izraelit; në ditët e fundit ajo do të shfaqë shenja jete. Sigurisht që nuk është pa domethënie fakti që pas shekujsh të tërë errësire dhe shpërndarjeje, kombi i Izraelit u rivendos në vitin 1948 dhe tani njihet si një anëtar i familjes së kombeve.

Mugullimi i pemëve të tjera mund të simbolizojë rritjen fenomenale të kombësive dhe emergjencën e shumë qeverive të reja si shtete të reja të zhvilluara në këtë botë. Këto shenja do të thonë që mbretëria e lavdishme e Krishtit do të vendoset së shpejti.

21:32 Jezusi tha që ky brez nuk do të kalojë derisa këto gjëra të kenë ndodhur. Por çfarë donte të thoshte Ai me fjalët “ky brez”?

1. Disa mendojnë që Ai po i referohej atij brez që jetonte në kohën kur Ai foli këto fjalë dhe që gjithçka u përmbush me shkatërrimin e Jeruzalemit. Por nuk mund të jetë kështu sepse Jezusi nuk u kthye mbi një re me fuqi dhe lavdi.

2. Të tjerë besojnë që “ky brez” i referohet njerëzve që ishin duke jetuar kur këto shenja filluan të ndodhnin dhe që ata që jetuan dhe panë fillimin e shenjave do të jetonin për të parë edhe kthimin e Krishtit. Pra të gjitha ngjarjet e parashikuara do të ndodhnin brenda një brezi. Ky është një shpjegim i mundshëm.

3. Një mundësi tjetër është që “ky brez” t’i referohet kombit Jude në qëndrimin e tij armiqësor ndaj Krishtit. Zoti po thoshte që raca Judease do të mbijetonte, e shpërndarë por e pathyeshme, dhe që qëndrimi i saj kundrejt Tij nuk do të ndryshonte për shekuj me radhë. Ndoshta numrat 2 dhe 3 bashkë janë të saktë.

21:33 Qiejtë atmosferikë dhe yjorë do të kalonin. Kështu do të ndodhte dhe me tokën në formën e saj të tanishme. Por këto parashikime të Zotit Jezus nuk do të kalonin pa u përmbushur.

P. Paralajmërim për të qenë zgjuar dhe për t’u lutur (21:34-38)

21:34, 35 Gjatë kësaj kohe, dishepujt e Tij duhet të ruheshin për të mos qenë tepër të zënë me të ngrënit, të pirit dhe shqetësimet e botës, me qëllim që ardhja e Tij të mos i zinte në befasi. Kjo është mënyra në të cilën kjo ardhje do të vijë mbi ata që e mendojnë tokën si vendin e përhershëm të banimit të tyre.

21:36 Dishepujt e vërtetë duhet të rrinë zgjuar dhe të luten në çdo kohë, duke e ndarë veten e tyre nga kjo botë e çoroditur që është përgatitur për të përjetuar zemërimin e Perëndisë dhe ta identifikojnë vetveten me ata që do të dalin në një mënyrë të pranueshme përpara Birit të Njeriut.            
21:37, 38 Çdo ditë Zoti mësonte në zonën e tempullit, por natën Ai fjeti në Malin e Ullinjve, pa shtëpi në botën që Ai vetë krijoi. Herët në mëngjes gjithë populli u mblodh tek Ai për ta dëgjuar me një mendje të freskët.

[[54]] (19:41, 42) Griffith Thomas, Luke, fq. 303.[[54]]
[[55]] Të tjerë mendojnë se guri i referohet mëkatarit të penduar duke rënë në pendim para Jezusit me një thyerje të vërtetë dhe si rrjedhim shpëtimi i tij, ndërsa ai që kundërshton Krishtin do të kthehet në pluhur në gjykimin e ardhshëm.[[55]]
[[56]] Coates, Luke’s Gospel, fq. 252.[[56]]
[[57]] Dr. Joseph Parker, dokumentacion i mëtejshëm.[[57]]
[[58]] Christian Truth Magazine, November 1962, fq. 303.[[58]]
[[59]] Edward Gibbon, The Decline and the Fall of the Roman Empire, II:95-101.[[59]]


[previous][next]