Biri i Njeriut zgjeron shërbesën e Tij (Luka 7:1 – 9:50)

A. Shërimi i Shërbëtorit të Centurionit (7:1-10)

7:1-3 Në përfundim të bisedës së Tij, Jezusi e la turmën dhe hyri në Kapernaum. Aty Ai u rrethua nga disa pleq Judenj, që kishin ardhur për të kërkuar ndihmë për një shërbëtor centurioni Johebre. Duket që ky centurion ishte veçanërisht i sjellshëm me Judenjtë, aq sa u kishte ndërtuar atyre një sinagogë. Si gjithë centurionët e tjerë të Dhjatës së Re, ai është parë nga një kënd vështrim i mirë (Luka 23:47; Veprat 10:1-48).

Është tepër e pazakontë që një pronar të sillet kaq zemërgjerësisht me një skllav si ky centurion. Kur shërbëtori u sëmur, centurioni u tha pleqve Judenj që t’i kërkonin Jezusit ta shëronte. Ky oficer Romak është i vetmi që kërkoi bekim nga Jezusi për një shërbëtor, me sa dimë ne.

7:4-7 Ishte një pozicion i vështirë për pleqtë. Ata nuk besonin tek Jezusi, por miqësia me centurionin i detyroi që të shkonin tek Jezusi në një kohë nevoje. Në lidhje me centurionin ata thanë që ai e meritonte. Por kur centurioni takoi Jezusin i tha që “nuk jam i denjë,” që do të thotë “nuk jam i rëndësishëm aq sa duhet.”

Sipas Mateut, centurioni shkoi direkt tek Jezusi. Këtu në Luka, ai dërgoi pleqtë. Të dyja janë të drejta. Së pari ai dërgoi pleqtë dhe më pas shkoi vetë tek Jezusi.

Përulësia dhe besimi i centurionit janë të paharrueshme. Ai nuk e konsideroi veten e tij të denjë që Jezusi të hynte në shtëpinë e tij. Dhe as e konsideroi veten të denjë të shkonte vetë personalisht tek Jezusi. Por ai besonte që Jezusi mund ta shëronte pa qenë prezent trupërisht. Një fjalë e Tij do ta largonte sëmundjen.

7:8 Centurioni vazhdoi të shpjegonte që ai dinte diçka për autoritetin dhe përgjegjësinë. Ai kishte eksperiencë të konsiderueshme në këtë fushë. Ai vetë ishte nën autoritetin e qeverisë Romake dhe ishte përgjegjës për të përmbushur rregullat e saj. Plus kësaj ai kishte ushtarë nën kontrollin e tij të cilët i bindeshin menjëherë urdhrave të tij. Ai kuptoi që Jezusi kishte të njëjtin autoritet mbi sëmundjet, ashtu si qeveria Romake kishte mbi të, dhe si ai vetë kishte mbi ata që ishin poshtë tij.

7:9,10 Pa dyshim që Jezusi u mrekullua prej besimit të këtij centurioni Johebre. Asnjë në Izrael nuk kishte bërë një rrëfim kaq të guximshëm për autoritetin absolut të Jezusit. Një besim kaq i madh nuk mund të lihej pa shpërblyer. Kur u kthyen në shtëpinë e centurionit, ata panë që shërbëtori ishte shëruar plotësisht.

Kjo është një nga dy herët në Ungjij ku thuhet se Jezusi u mrekullua. Ai u mrekullua nga besimi i këtij centurioni Johebre dhe nga mosbesimi i Izraelit (Marku 6:6).

B. Ringjallja e Birit të së Vesë (7:11-17)

7:11-15 Naini ishte një qytet i vogël në jugperëndim të Kapernaumit. Kur po i afrohej atij Jezusi pa një funeral që po largohej nga qyteti. Ishte funerali i birit të vetëm të një të veje. Zoti pati dhembshuri për nënën e mbetur pa shpresë. Duke prekur arkivolin ku mbahej trupi – me sa duket duke dashur të ndalonte procesin e funeralit – Jezusi e urdhëroi djaloshin të çohej. Menjëherë jeta iu kthye trupit dhe i vdekuri u çua. Kështu pra Ai që është Zot mbi vdekjen dhe mbi sëmundjen ia ktheu djalin nënës së tij.

7:16, 17 Njerëzit u mrekulluan. I vdekuri ishte ringjallur. Ata besonin që Zoti Jezus ishte një profet i madh i dërguar nga Perëndia. Por kur ata thanë “Perëndia e vizitoi popullin e vet,” me siguri që nuk e kishin kuptuar që Jezusi Vetë ishte Perëndia. Për më tepër ata ndjenë që mrekullia ishte një fakt që tregonte se Perëndia ishte duke punuar mes tyre në një lloj mënyre pavetore. E thëna e tyre rreth kësaj mrekullie u përhap anembanë krahinës përreth.

Libri i doktor Lukës mban në vetvete tre shënime që flasin për “fëmijë të vetëm”: i biri i së vesë; e bija e Jairit (8:42); dhe fëmija i idemonizuar (9:38).

C. Biri i Njeriut e Siguron përsëri Pararendësin e Tij (7:18-23)

7:18-20 Lajmi i mrekullive të Jezusit depërtoi deri tek Gjon pagëzori që gjendej në burg në kështjellën e Makaerusit, në bregun lindor të Detit të Vdekur. Nëse Jezusi ishte me të vërtetë Mesia, përse nuk ushtronte fuqinë e Tij për ta çliruar Gjonin nga duart e Herodit? Kështu pra Gjoni dërgoi dy nga dishepujt e tij për ta pyetur Jezusin nëse Ai ishte me të vërtetë Mesia, apo nëse u duhej të prisnin akoma për ardhjen e Krishtit. Ne mund të na duket e çuditshme se si Gjoni vuri në dyshim faktin që Jezusi ishte Mesia. Por duhet të mos harrojmë që vuajtja e njeriut sjell rënie në besimin e tij. Gjithashtu edhe stresi fizik shpie në depresione të ndryshme mendore.

7:21-23 Jezusi iu përgjigj pyetjes së Gjonit duke i kujtuar atij që Ai ishte duke kryer mrekulli ashtu si profetët kishin profetizuar se do të kryheshin nga Mesia (Isaia 35:5, 6; 61:1). Më pas Ai shtoi, si një shënim për Gjonin, “I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej Meje.” Kjo mund të kuptohet edhe si një qortim; Gjoni ishte skandalizuar nga fakti se Jezusi kishte dështuar të kapte frenat e autoritetit dhe ta shfaqte Veten në mënyrën që e prisnin njerëzit. Por gjithashtu mund të interpretohet si një nxitje për Gjonin për të mos braktisur besimin e tij.

C. G. Moore thotë:

Nuk njoh orë të tjera në të cilat besimi mund të vihet në provë sesa ato orë në të cilat Jezusi shumëzon faktet e fuqisë së Tij dhe nuk e përdor atë … Ka nevojë për shumë hir kur lajmëtarët kthehen duke thënë: “Po, Ai ka gjithë fuqinë, dhe është ashtu si ti ke menduar; por Ai nuk tha asnjë fjalë për çlirimin tënd nga burgu….” Pa shpjegim; besimi u ushqye; dyert e burgut mbetën të mbyllura; dhe më pas mesazhi, “I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej Meje.” Kjo është e gjitha! {{1}}

D. Biri i Njeriut Lavdëron Pararendësin e Tij (7:24-29)

7:24 Çfarëdo që mund t’i kishte thënë Jezusi Gjonit privatisht, në publik nuk kishte gjë tjetër për të përveç lavdërimit. Kur njerëzit ishin derdhur për në shkretëtirën afër Jordanit, ç’kishin pritur të gjenin? Një oportunist të lëkundur e pakarakter? Askush nuk mund ta akuzonte Gjonin se ishte një kallam që e tund era.

7:25 A kishin pritur ata një djalë të stilit Hollivudian, të veshur në mënyrë moderne që zhgërryej në luks dhe rehati? Jo, një person i tillë është ai që gjendet në pallatet e mbretërve, duke kërkuar të gëzojë të gjitha kënaqësitë e pallatit dhe duke bërë takime të pafundme për të siguruar përfitimet e tij.

7:26 Ata dolën për të parë një profet – një ndërgjegje të trupëzuar që deklaronte Fjalën e Perëndisë së gjallë pa marrë parasysh çmimin. Në të vërtetë ai ishte më shumë se një profet.

7:27 Ai vet ishte subjekt i profecisë dhe kishte privilegjin unik për të prezantuar Mbretin. Jezusi citoi nga Malakia 3:1 për të treguar që Gjoni ishte premtuar në Dhjatën e Vjetër, por duke bërë këtë, Ai bëri një ndryshim në përemrat. Në Malakia 3:1, ne lexojmë, “Ja unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën përpara meje.” Por Jezusi e citoi kështu, “Ja unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatisë rrugën Tënde përpara Teje.” Përemri Meje u ndryshua në Teje.

Godet e shpjegon këtë ndryshim si më poshtë:

Në vështrimin e profetit, Ai që po dërgonte, dhe Ai përpara të cilit do përgatitej rruga ishin të njëjtë dhe i njëjti person, Jehovah. Prandaj në Malakia është shprehja përpara meje. Por për Jezusin, i cili, duke folur për Veten, nuk e ngatërron kurrë Veten me Atin; një dallim ishte i nevojshëm. Nuk është Jehovah që flet për Veten, por Jehovah duke folur me Jezusin; prandaj është forma përpara Teje. Me anë të cilës dëshmie, a nuk mund të thuhet se nga ky citim rrjedh që, në mendjen e profetit ashtu si edhe në atë të Jezusit, shfaqja e Mesias është shfaqja e Jehovait? {{2}}

7:28 Jezusi vazhdoi ta lavdërojë Gjonin duke shtuar që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori. Ky lloj superioriteti nuk i referohet karakterit të tij personal, por pozicionit të tij si pararendës i Mesias. Kishte burra të tjerë që ishin po aq të mëdhenj në zell, në nder dhe në përkushtim. Por askush tjetër nuk kishte privilegjin e shpalljes së ardhjes së Mbretit. Në këtë pikë Gjoni ishte i vetmi. E përsëri Zoti shtoi, më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se Gjoni. Të gëzosh bekimet e mbretërisë është diçka më e madhe sesa të jesh pararendësi i Mbretit.

7:29 Ka mundësi që Jezusi të jetë ende duke folur në vargun 29 dhe kështu që shprehja “e dëgjoi dhe . . . e pranuan” do të thotë “e dëgjoi Gjonin dhe . . . e pranuan Gjonin“, jo “e dëgjoi Krishtin dhe . . . e pranuan Krishtin.” Ai është duke u kujtuar njerëzve që ata e kishin pranuar predikimin e Gjonit. Njerëz të zakonshëm dhe ata që njiheshin haptazi si mëkatarë, si tagrambledhësit, ishin penduar dhe pagëzuar në lumin Jordan. Duke besuar mesazhin e Gjonit dhe duke vepruar sipas tij, ata kishin pranuar drejtësinë e Perëndisë, që do të thotë se ata kishin pranuar që Perëndia kishte të drejtë mbi faktin se Izraeli duhej të pendohej më parë e më pas Krishti do të mund të mbretëronte mbi të. Përdorimi i fjalës pranuan drejtësinë e Perëndisë tregon qartë se nuk ka kuptimin bënë të drejtë; askush nuk mund ta bëjë Perëndinë të drejtë. Për më tepër do të thotë ta pranosh Perëndinë të drejtë në dekretet dhe kërkesat e Tij.

E. Biri i Njeriut Qorton Brezin e Tij (7:30-35)

7:30-34 Farisenjtë dhe mësuesit e ligjit refuzuan t’i nënshtroheshin pagëzimit të Gjonit dhe kështu ata refuzuan planin e Perëndisë që ishte për të mirën e tyre. Në fakt, brezi, në të cilin ata ishin krerë drejtues, nuk u kënaq me Jezusin. Jezusi i përngjasoi ata me fëmijët që luajnë ndër sheshe. Ata nuk donin të luanin as dasmash dhe as funeralesh. Ata ishin të korruptuar, të dalë udhe, të paparashikueshëm dhe të pabindur. Nuk kishte rëndësi se çfarë shërbese përdorte Perëndia mes tyre, ata e refuzonin. Gjon Pagëzori u dha atyre një shembull ashpërsie, asketizmi dhe vet-mohimi. Ata nuk e pëlqyen, por e kritikuan atë si një i idemonizuar. Biri i Njeriut hëngri dhe piu me tagrambledhësit dhe mëkatarët, që do të thotë se Ai u identifikua me ata të cilët erdhi t’i bekonte. Por përsëri farisenjtë nuk ishin të gëzuar; ata e quanin Atë një grykës dhe pijanec. Agjërim apo festë, funeral apo dasëm, Gjon apo Jezus – asgjë dhe askush nuk i kënaqte ata!

Ryle paralajmëron:

Ne duhet të heqim dorë nga ideja për t’u përpjekur për t’i kënaqur të gjithë. Kjo gjë është e pamundur dhe përpjekja për të është thjesht një humbje kohe. Ne duhet të jemi të kënaqur duke ecur në hapat e Krishtit dhe ta lëmë botën të thotë çfarë dëshiron. Të bëjmë ç’të duam, ne kurrë nuk do ta kënaqim botën, dhe kurrë nuk do të mund të qetësojmë natyrën e saj të sëmurë. Ajo në fillim i gjeti gabim Gjon Pagëzorit dhe më pas Pronarit të tij. Dhe do të vazhdojë duke gjetur gabime dhe duke u ankuar për hiçmosgjë përreth dishepujve të atij Pronari, për aq kohë sa ata do të jenë mbi këtë tokë. {{3}}

7:35 “Por urtisë i japin të drejtë gjithë bijtë e saj.” Urtia këtu paraqet Shpëtimtarin Vetë. Minoranca e dishepujve që e nderojnë Atë janë bij të urtisë. Megjithëse masa e njerëzve e hedh poshtë Atë, përsëri ndjekësit e vërtetë të Tij do të vërtetojnë thëniet e Tij me anë të jetëve të mbushura me dashuri, shenjtëri dhe përkushtim.

F. Një Mëkatare Vajos Shpëtimtarin (7:36-39)

7:36 Në incidentin që pason, na është dhënë një ilustrim ku urtësia justifikohet nga një prej fëmijëve të saj, e ashtuquajtura mëkatarja. Siç ka thënë Dr. H. C. Woodring, “Kur Perëndia nuk gjen krerë fetarë që vlerësojnë Krishtin, Ai gjen prostituta që bëjnë këtë gjë.” Simon fariseu e kishte ftuar Jezusin në shtëpinë e tij për të ngrënë me të, ndoshta nga kurioziteti ose nga armiqësia.

7:37, 38 Në të njëjtën kohë në dhomë shfaqet një mëkatare. Ne nuk e dimë se cila ishte; traditës që thotë se ajo ishte Maria Magdalena i mungon mbështetja. Kjo grua solli një enë të tejdukshme parfumi. Ndërkohë që Jezusi rrinte ulur në një divan duke ngrënë me kokën e Tij afër tryezës, ajo qëndroi prapa tek këmbët e Tij. Ajo i lau këmbët e Tij me lot dhe i fshiu me flokët e saj dhe ia puthte pa pushim. Më pas ajo ia vajosi këmbët me parfumin e kushtueshëm. Një adhurim dhe sakrificë e tillë zbuloi bindjen e saj që asgjë nuk mund të ishte tepër e mirë për Jezusin.

7:39 Qëndrimi i Simonit ishte krejt ndryshe. Ai mendonte që profetët, si farisenjtë duhet të ishin veç mëkatarëve. Nëse Jezusi ishte me të vërtetë një profet, mendoi ai, Ai nuk duhet të kishte lejuar një mëkatare të tregonte një dashuri të tillë për Të.

G. Shëmbëlltyra e Dy Huamarrësve (7:40-50)

7:40-43 Jezusi lexoi mendimet e tij dhe me mirësjellje i kërkoi Simonit lejë për t’i thënë diçka. Me një aftësi të përsosur, Zoti i tregoi historinë e huadhënësit dhe dyhuamarrësve. Njëri i kishte borxh pesëdhjetë dollarë dhe tjetri pesë. Kur asnjëri prej tyre nuk mund ta paguante borxhin, ai i anuloi të dyja borxhet. Në këtë pikë Jezusi e pyeti Simonin; cili borxhli do ta dontemë shumë huadhënësin. Dhe fariseu u përgjigj në mënyrë të drejtë, “Ma do mendja ai të cilit i fali më shumë.” Duke thënë këtë ai dënoi veten, siç i tregoi më pas Jezusi.

7:44-47 Që nga koha që Zoti kishte hyrë në shtëpi, ajo grua kishte treguar dashuri për të. Fariseu në të kundërt, e kishte pritur ftohtë pa ndjekur madje as zakonet e tyre si larja e këmbëve të mikut, puthja në faqe dhe dhënia e vajit për kokën e Tij. Përse kishte ndodhur kështu? Arsyeja ishte që gruaja ishte në dijeni të faktit që ishte falur shumë, ndërsa Simoni nuk kishte ndjerë që ishte një mëkatar i madh. “Por kujt i falen pak, do pak.”

Jezusi nuk sugjeroi që Fariseu s’ishte një mëkatar i madh. Për më tepër ai theksoi që Simoni kurrë nuk kishte pohuar me të vërtetë fajin e tij të madh dhe nuk ishte falur. Nëse do të kishte bërë një gjë të tillë, ai do ta kishte dashur Zotin aq thellë sa ajo prostitutë. Ne të gjithë jemi mëkatarë të mëdhenj. Ne të gjithë mund të njohim një falje të madhe. Ne të gjithë mund ta duam Zotin shumë.

7:48 Më pas Jezusi i shpalli publikisht gruas që mëkatet e saj ishin falur. Ajo nuk ishte falur për shkak të dashurisë së saj ndaj Krishtit, por dashuria e saj ishte një rezultat i faljes. Ajo deshi shumë sepse iu fal shumë. Jezusi përdori këtë rast për të shpallur publikisht faljen e mëkateve të saj.

7:49, 50 Të ftuarit e tjerë dyshonin brenda vetes së tyre të drejtën e Jezusit për faljen e mëkateve. Zemra natyrore e urren hirin. Por Jezusi përsëri e siguroi gruan duke i thënë se besimi i saj e kishte shpëtuar dhe ajo mund të shkonte në paqe. Kjo është diçka që nuk mund të bëhet nga psikiatristët. Ata mund të përpiqen të shpjegojnë komplekset e krijuara nga faji, por ata kurrë nuk mund të japin gëzimin dhe paqen që jep Jezusi.

Të ngrënurit e Zotit në tryezën e fariseut keqpërdoret nga disa të krishterë për të mbrojtur sjelljen e tyre në ruajtjen e intimitetit me njerëz të pashpëtuar, duke shkuar në argëtimet e tyre dhe duke u zhytur në kënaqësitë e tyre. Ryle jep këtë paralajmërim:

Ata që përdorin një argument të tillë do të bënin mirë të kujtonin sjelljen e Zotit në këtë rast. Ai mbante me vete “punët e Atit të Tij” në tryezën e fariseut. Ai dëshmoi kundër mëkatit shqetësues të fariseut. Ai i shpjegoi fariseut natyrën e faljes falas të mëkateve dhe sekretin e dashurisë së vërtetë ndaj Tij. Ai deklaroi natyrën shpëtuese të besimit. Nëse të krishterët që argumentojnë në favor të intimitetit me njerëz të pashpëtuar, do t’i vizitojnë shtëpitë e këtyre njerëzve në frymën e Zotit tonë dhe do të flasin e sillen ashtu siç bëri Ai, le të vazhdojnë me të gjitha mënyrat në këtë lloj praktike. Por a flasin dhe a sillen ata në tryezat e miqve të tyre të pashpëtuar ashtu siç bëri Jezusi në tryezën e Simonit? Kjo është një pyetje që ata do të bënin mirë t’i përgjigjeshin. {{4}}

H. Disa Gra i Shërbejnë Jezusit (8:1-3)

Është mirë të kujtojmë që Ungjijtë përmbajnë vetëm pak incidente nga jeta dhe shërbesa e Zotit tonë. Fryma e Shenjtë zgjodhi ato subjekte të cilat vendosi t’i përfshijë në Shkrime, por anashkaloi shumë të tjera. Këtu ne kemi një thënie të thjeshtë që tregon se Jezusi shërbeu në çdo qytet dhe fshat të Galilesë. Ndërsa predikonte Ai shpallte lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë, dhe Ai me sa duket shërbehej për sa i përket ushqimit dhe banimit, nga gra që ishin bekuar nga Ai. Për shembull njëra prej tyre ishte Maria Magdalena. Disa mendojnë që kjo ishte një zonjë e quajtur kështu për shkak të vendit të quajtur në të njëjtën mënyrë Magdala (Migdol). Sidoqoftë, ajo ishte çliruar prej shtatë demonësh. Ishte edhe Joana, burri i së cilës ishte administrator i Herodit. Suzana ishte një tjetër, dhe si ajo kishte dhe shumë të tjera. Mirësia që ato treguan ndaj Zotit tonë nuk shkoi pa u vënë re apo pa u shënuar. Ato ndoshta nuk menduan fare kur ndanë me Zotin Jezus pronën e tyre, që të krishterët e epokave që do të vinin do të lexonin për bujarinë dhe mikpritjen e tyre.

Subjekti i shërbesës së Zotit ishte lajmi i mirë i mbretërisë së Perëndisë. Mbretëria e Perëndisë nënkupton fushën e dukshme apo të padukshme, ku pohohet qeverisja e Perëndisë. Mateu përdor fjalën “mbretëria e qiellit,” por mendimi në thelb është i njëjtë; ai thjesht do të thotë që “Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve” (Dan. 4:17) ose që “Qielli sundon” (Dan. 4:26).

Ka disa faza të zhvillimit të mbretërisë në DhR:

  1. Së pari, ishte shpallur nga Gjon Pagëzori që mbretëria ishte afër (Mt. 3:1, 2).

  2. Më pas mbretëria ishte aktualisht e pranishme në Personin e Mbretit (“mbretëria e Perëndisë është në mesin tuaj,” Luka 17:21, JND). Ky ishte lajmi i mirë i mbretërisë që Jezusi shpalli. Ai ofroi Veten si Mbret i Izraelit (Luka 23:3).

  3. Më pas ne shohim që mbretëria e Perëndisë hidhet poshtë nga kombi i Izraelit (Luka 19:14; Gjoni 19:15).

  4. Sot mbretëria është në një formë të mistershme (Mt. 13:11). Krishti, Mbreti, mungon përkohësisht, por qeverisja e Tij është pohuar në zemrat e disa njerëzve në tokë. Në një farë mënyre mbretëria sot përqafon të gjithë ata që madje rrëfejnë se pranojnë qeverisjen e Perëndisë, megjithëse nuk mund të jenë me të vërtetë të shpëtuar. Kjo sferë e rrëfimit të jashtëm shihet në shëmbëlltyrën e mbjellësit dhe farës (Luka 8:4-15); gruri dhe egjra (Mt. 13:24-30), dhe peshku në rrjetë (Mt. 13:47-50). Por në kuptimin e thellë të saj, mbretëria përfshin vetëm ata që janë kthyer (të shpëtuar) (Mt. 18:3) ose që janë lindur sërish (Gjoni 3:3). Kjo është sfera e realitetit të brendshëm. (Shiko diagramën në Mt. 3:1, 2).

  5. Mbretëria një ditë do të vendoset në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, këtu në tokë dhe Zoti Jezus do të mbretërojë për njëmijë vjet si Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve (Zbulesa 11:15; 19:16; 20:4).

  6. Faza finale është ajo që ne e njohim si mbretëria e përjetshme e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krishtit (2 Pjetrit 1:11). Kjo është mbretëria në përjetësi.

I. Shëmbëlltyra e Mbjellësit (8:4-15)

8:4-8 Shëmbëlltyra e mbjellësit përshkruan mbretërinë në aspektin e tanishëm të saj. Ajo na mëson që mbretëria e Perëndisë përfshin si rrëfimin [i krishterë vetëm me emër] ashtu edhe realitetin, dhe ajo formon bazën për paralajmërim solemn për sa i përket mënyrës se “si dëgjojmë ne fjalën e Perëndisë.” Nuk është një gjë e thjeshtë ta dëgjosh Shkrimin të predikuar dhe të mësuar. Ata që dëgjojnë janë më shumë përgjegjës sesa ishin kur nuk kishin dëgjuar fare. Nëse ata mbledhin supet ndaj mesazhit, ose e konsiderojnë bindjen një çështje fakultative, bëjnë këtë në humbje të tyre. Por nëse dëgjojnë dhe i binden, ata vendosin veten e tyre në një pozicion nga mund të marrin më tepër dritë nga Perëndia. Shëmbëlltyra iu tha një turme të madhe dhe më pas iu shpjegua dishepujve.

Shëmbëlltyra fliste për një mbjellës, farën e tij, katër llojet e tokës ku u hodh fara, dhe katër përfundimet.

Lloji i tokës Rezultati
1. Përgjatë rrugës Shkelur nga njerëzithe ngrënë nga zogjtë.
2. Mbi gurishte Tharë për mungesë vlage
3. Ferrat Ferrat i zunë frymën
4. Tokë e mirë Mbiu dhe dha fryt njëqindfish

Zoti e përfundoi shëmbëlltyrën me fjalët, “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!” Me fjalë të tjera, kur dëgjoni Fjalën e Perëndisë, kini kujdes mbi faktin se në çfarë mënyre e pranoni ju atë. Fara duhet të bjerë në tokë të mirë me qëllim që të japë fryt.

8:9, 10 Kur dishepujt e Tij i bënë pyetje në lidhje me domethënien e shëmbëlltyrës, Zoti Jezus shpjegoi që misteret e mbretërisë së Perëndisë nuk do të kuptohen nga çdo njeri. Ngaqë dishepujt dëshironin të besonin dhe bindeshin, atyre do t’ju jepej mundësia për të kuptuar mësimet e Krishtit. Por Jezusi me qëllim i paraqiti shumë të vërteta në formën e shëmbëlltyrave ata të cilët nuk kishin një dashuri të vërtetë për Të të mos kuptonin; që ata të cilët shihnin të mos shihnin dhe ata që dëgjonin të mos kuptonin. Në një farë kuptimi ata panë dhe dëgjuan. P.sh., ata e dinin që Jezusi kishte folur për një mbjellës dhe farën e tij. Por ata nuk kuptonin domethënien e thellë e atij ilustrimi. Ata nuk kuptuan që zemrat e tyre ishin një tokë e fortë, e papërshkueshme dhe gjembore, dhe që ata nuk përfitonin nga fjala që kishin dëgjuar.

8:11-15 Zoti e shpjegoi shëmbëlltyrën vetëm për dishepujt. Ata tashmë e kishin pranuar mësimin që kishin marrë dhe kështu që do t’u jepej më shumë. Jezusi u shpjegoi që fara është Fjala e Perëndisë, e vërteta e Perëndisë – mësimet e Tij.

Dëgjuesit përgjatë rrugës e dëgjuan fjalën vetëm në një mënyrë sipërfaqore. Ajo mbeti në sipërfaqe të jetëve të tyre. Dhe kjo ia lehtësoi punën djallit (zogjve të ajrit) për ta rrëmbyer atë fjalë.

Dëgjuesit mbi gurishte e dëgjuan fjalën, por nuk e lejuan atë fjalë që t’i thyente. Ata mbetën të papenduar. Farës nuk iu dha asnjë lloj inkurajimi (vlage), kështu që ajo u vyshk dhe u tha. Ndoshta ata në fillim bënë një rrëfim të shkëlqyer të besimit, por në të nuk kishte realitet. Dukej sikur kishte jetë, por nën sipërfaqe nuk kishte rrënjë. Kur shqetësimet erdhën, ata braktisën rrëfimin e tyre të krishterë.

Dëgjuesit e ferrave duket se ia kalonin mirë për një farë kohe, por e treguan që nuk ishin besimtarë të vërtetë me anë të dështimit që patën në vazhdimësinë me këmbëngulje. Shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e jetës morën drejtimin dhe fjala u mbyt dhe u mbulua.

Toka e mirë paraqet besimtarët e vërtetë zemrat e të cilëve ishin të ndershme dhe të mira. Ata jo vetëm që e pranuan fjalën, por dhe e lejuan atë që të punonte në jetët e tyre. Ata ishin të mësueshëm dhe të bindur, duke zhvilluar një karakter të vërtetë të krishteri dhe duke prodhuar fryt për Perëndinë.

Darby e përmblodhi mesazhin e këtij paragrafi si më poshtë:

Nëse gjatë të dëgjuarit, arrij ta zotëroj atë që dëgjoj, jo thjesht duke u gëzuar për atë që mora, por ta zotëroj atë si diçka timen, atëherë ajo bëhet pjesë e thelbit të shpirtit tim, dhe do të marr akoma më tepër; sepse kur e vërteta bëhet një pjesë e shpirtit tim, ekziston një kapacitet për të marrë akoma më shumë. {{5}}

J. Përgjegjësia e Atyre që Dëgjojnë (8:16-18)

8:16 Në shikim të parë duket sikur nuk ka shumë lidhje midis kësaj pjese dhe asaj që sapo ka kaluar. Megjithatë ekziston një vazhdimësi mendimesh. Shpëtimtari ende është duke theksuar rëndësinë e asaj që bëjnë dishepujt me mësimet e Tij. Ai e ngjason Veten me një njeri që ka ndezur një llambë, të cilën nuk e mbulon dhe nuk e fut nën shtrat, por e vë mbi mbajtësen e vet me qëllim që të gjithë të shohin dritë. Duke u mësuar dishepujve parimet e mbretërisë së Perëndisë, Ai ishte duke ndezur një llambë. Çfarë duhet të bënin ata me të?

Para së gjithash, ata nuk duhet ta mbulonin me një enë.Mateu 5:15, Marku 4:21 dhe Luka 11:33 (KJV), ena është një babunë. Kjo është një njësi matëse që përdorej në botën e tregtisë. Kështu pra të fshehurit e dritës me një babunë do të ishte njësoj me errësimin e dëshmisë së dikujt nga vrulli i jetës së biznesit. Do të ishte më mirë që llamba të vendosej në majë të babunës, që do të thotë, praktikim i Krishterimit në sheshet e tregut, dhe përdorimi i vendit të punës si një kanal për të shpallur ungjillin.

Së dyti, dishepujt nuk duhet ta fshihnin llambën nën shtrat. Shtrati flet për rehatinë, ngathtësinë dhe plogështinë. Sa shumë e pengojnë këto dritën që të shkëlqejë! Dishepulli duhet ta vendosë llambën në një mbajtëse, me fjalë të tjera, ai duhet ta jetojë dhe ta predikojë të vërtetën në mënyrë që secili mund ta shohë.

8:17 Vargu 17 duket se bën një sugjerim të tillë; nëse ne e lejojmë mesazhin të izolohet për shkak të punës apo të dembelizmit, dështimi dhe neglizhenca jonë do të duken sheshit. Fshehja e së vërtetës do të zbulohet dhe mbajtja e saj sekret do të dalë në dritë.

8:18 Prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm për sa i përket faktit se si dëgjojmë. Nëse ne jemi besnikë me ndarjen e së vërtetës me të tjerët, atëherë Perëndia do të na zbulojë të vërteta të reja dhe më të thella. Nëse nga ana tjetër, ne nuk kemi shpirtin e zellit për ungjillëzim, Perëndia do të na privojë nga e vërteta që ne mendojmë se e kemi. Atë që nuk e përdorim e humbasim. G. H. Lang komenton:

Dishepujt dëgjuan me një mendje të etur për të kuptuar dhe gati për të besuar dhe për t’u bindur; të tjerët dëgjuan ose me kuriozitet, ose me plogështi, ose me një kundërshtim të vendosur. Të parëve u garantohet më tepër njohuri; të tjerëve u privohet ajo njohuri që ata mendojnë se e kanë. {{6}}

Ne duhet ta ndajmë atë gjë të mirë që vjen nga lart;
sepse nëse vazhdojmë të mos e japim,
ne heqim dorë nga të pasurit;
I tillë është ligji i dashurisë.

-R. C. Trench

K. Vëllezërit dhe Nëna e Vërtetë e Jezusit (8:19-21)

Në këtë pikë të bisedës së Tij, Jezusit iu tha që nëna dhe vëllezërit e Tij ishin duke pritur për ta parë Atë. Për shkak të turmës, ata nuk mund t’i afroheshin Atij. Përgjigjja që Zoti dha tregoi se marrëdhënia e vërtetë me Të nuk varej në lidhje të natyrshme, por në bindjen ndaj Fjalës së Perëndisë. Ai njeh si anëtarë të familjes së Tij të gjithë ata që dridhen nga fjala, që e pranojnë atë me thjeshtësi dhe që i binden asaj pa dyshuar. Asnjë turmë nuk mund ta ndalojë familjen e Tij shpirtërore nga të qenurit në prezencën e Tij.

L Biri i Njeriut Qetëson Stuhinë (8:22-25)

8:22 Në pjesën që mbetet nga ky kapitull Jezusi është parë duke ushtruar të qenurit Zot të Tij mbi elementet, mbi demonët, mbi sëmundjet, madje edhe mbi vdekjen. Të gjitha këto gjëra i binden fjalës së Tij; vetëm njeriu e refuzon.

Stuhi të dhunshme ngrihen me shpejtësi në Detin e Galilesë duke e bërë të rrezikshëm lundrimin në të. Ndoshta kjo stuhi e veçantë ishte me origjinë satanike; mund të kishte qenë një përpjekje për të shkatërruar Shpëtimtarin e botës.

8:23 Jezusin e kishte zënë gjumi kur shpërtheu stuhia; fakti që Ai flinte provon njerëzishmërinë e vërtetë të Tij. Por kur Jezusi foli, stuhinë e zuri gjumi; dhe ky fakt provon hyjnishmërinë e Tij absolute.

8:24 Dishepujt e zgjuan Shpëtimtarin, duke shprehur frikën dhe ankthin për sigurinë e tyre. Me një ekuilibër të përsosur, Ai i bërtiti erës dhe dallgëve dhe gjithçka u qetësua. Atë që Jezusi bëri me Detin e Galilesë mund ta bëjë edhe sot me një dishepull të parpalitur nga ndonjë stuhi.

8:25 Ai i pyeti dishepujt, “Ku është besimi juaj?” Ata nuk duhet të ishin shqetësuar. Ata nuk kishin nevojë ta zgjonin Atë. “Asnjë det s’mund ta përpijë anijen ku shtrihet Padroni i oqeaneve, tokës dhe qiellit.” Të jesh me Krishtin në varkë do të thotë të jesh absolutisht i sigurt.

Dishepujt nuk e vlerësuan plotësisht shtrirjen e fuqisë së Zotit të tyre. Të kuptuarit e tyre mbi Të ishte i mangët. Ata u mrekulluan që elementet iu bindën Atij. Ata nuk ishin ndryshe nga ne. Në stuhitë e jetës, ne shpesh dëshpërohemi. Më pas kur Zoti vjen për të na ndihmuar, ne habitemi me shfaqjen e fuqisë së Tij. Dhe ne habitemi se si nuk i besuam më tepër Atij.

M. Shërimi i të Idemonizuarit Gadareas (8:26-39)

8:26, 27 Kur Jezusi dhe dishepujt e Tij arritën në breg, ata u gjendën në zonën e Gadareasve. {{7}} Atje ata takuan një njeri të pushtuar nga demonët. Mateu përmend dy të idemonizuar, kurse Marku dhe Luka flasin vetëm për një. Një mospërputhje e tillë në dukje, tregon që mund të kenë qenë dy raste të ndryshme, ose që një shkrimtar ka dhënë një përshkrim më të plotë se të tjerët. Ky rast i veçantë i pushtimit prej demonëve e kishte detyruar viktimën e saj të flakte tej rrobat e tij, t’i shmangej shoqërisë dhe të jetonte ndër varreza.

8:28, 29 Kur pa Jezusin iu lut që ta linte të qetë. Sigurisht që ishte fryma e ndyrë ajo që foli nëpërmes këtij njeriu të mjerë.

Pushtimi nga demonët është diçka e vërtetë. Këta demonë nuk ishin thjesht ndikues. Ata ishin qenie të mbinatyrshme që pushtonin njerëzit duke banuar në ta dhe duke kontrolluar gjithë mendimet, të folurit dhe sjelljen e tyre. Këta demonë të veçantë ishin shkak i dhunës që ushtronin ata njerëz – dhe kjo dhunë ishte aq e fortë saqë kur ai njeri gjendej në një nga këto kriza të dhunshme, mund të thyente zinxhirët që i viheshin për ta mbajtur dhe largohej në shkretëtirë. Dhe kjo gjendje nuk është për t’u habitur, pasi në një njeri mund të banonin aq demonë sa ishin të mjaftueshëm për të shkatërruar një tufë prej dy mijë derrash (Marku 5:13).

8:30, 31 Emri i burrit ishte Legjion sepse ai ishte i pushtuar nga një legjion demonësh. Këta demonë e njihnin Jezusin si Bir i Shumë të Lartit Perëndi. Ata e dinin gjithashtu që dënimi i tyre ishte i pashmangshëm dhe që Ai do ta bënte të mundur këtë dënim. Por ata i kërkuan një lehtësim të dënimit, duke iu lutur që të mos i urdhëronte të shkonin menjëherë në humnerë.

8:32, 33 Ata kërkuan lejë, pasi u nxorën jashtë prej njeriut, për të hyrë në një tufë të madhe derrash afër një mali. Leja u dha me rezultatin që derrat të turreshinnga gremina në liqen dhe të mbyteshin. Sot Zoti kritikohet për shkatërrimin e pronës së dikujt tjetër. Megjithatë, nëse ruajtësit e derrave ishin Judenj, ata ishin duke u marrë me një biznes të papastër dhe ilegal. Qofshin Judenj apo Johebrenj, ata duhet ta kishin vlerësuar një njeri më shumë sesa ata dymijë e ca derra.

8:34-39 Lajmi u shpërnda shpejt në të gjithë atë vend. Kur një turmë e madhe ishte mbledhur, ata panë ish të idemonizuarin të restauruar në një gjendje normale njerëzore. Gadarenasit u habitën aq shumë saqë i kërkuan Jezusit të largohej. Ata menduan më shumë për derrat e tyre sesa për Shpëtimtarin; më shumë për pronën e tyre sesa për vetë shpirtrat e tyre. Darby shkruan:

Bota i kërkon Jezusit të largohet, duke dëshiruar rehatinë e tyre, e cila prishet më tepër nga prezenca e fuqisë së Perëndisë sesa nga një legjion djajsh. Ai largohet. Njeriu që u shërua … dëshironte të qëndronte me Të; por Zoti e kthen atë mbrapsht … për të qenë një dëshmitar i hirit dhe i fuqisë subjekt i të cilave ai kishte qenë vetë. {{8}}

Më pas kur Jezusi vizitoi Dekapolisin, e takoi një turmë simpatike (Marku 7:31-37). A mund të kishte qenë kjo një rezultat i dëshmisë besnike të idemonizuarit të shëruar?

N. Shërimi i të Pashërueshmes dhe Ringjallja e të Vdekurit (8:40-56)

8:40-42 Jezusi u kthye nëpërmes Detit të Galilesë në bregun e tij perëndimor. Atje një turmë tjetër ishte duke pritur për Të.Jairi, një kryetar sinagoge, mezi po priste për ta takuar sepse ai kishte një vajzë dymbëdhjetë vjeçare që ishte duke vdekur. Ai iu lut urgjentisht Jezusit për të shkuar me të sa më shpejt. Por turmat shtyheshin përreth Tij, duke e penguar që Ai të bënte përpara.

8:43 Në atë turmë ishte një grua e druajtur dhe e dëshpëruar, që kishte qenë sëmurë me një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh. Luka, doktori, pranon faktin që ajo kishte shpenzuar gjithë pasurinë e saj dhe të ardhurat nëpër mjekë pa marrë asnjë lloj ndihme. (Marku shton që ajo madje ishte bërë më keq!)

8:44, 45 Ajo ndjeu që tek Jezusi kishte fuqi për ta shëruar atë, kështu që çau nëpër turmë për t’iu afruar. Duke u përkulur, ajo preku cepin e rrobës së Tij, palën ose thekën që formohet në fund të veshjes së një Judeu (Num. 15: 38, 39; Ligji i Perterire 22:12). Në atë çast iu pre rrjedhja e gjakut dhe ajo u shërua plotësisht. Ajo u përpoq për t’u larguar fshehurazi, por u ndalua nga pyetja që i drejtoi Jezusi, “Kush më preku?” Pjetri dhe të tjerët menduan që një pyetje e tillë ishte e pakuptimtë; lloj-lloj njerëzish ishin duke e prekur dhe duke e shtyrë Atë!

8:46 Por Jezusi ndjeu një prekje që ishte ndryshe nga të tjerat. Si dikush ka thënë, “Mishi grumbullohet, mizëron, por besimi prek.” Ai e dinte që besimi e kishte prekur, sepse kishte ndjerë një rrjedhje të fuqisë – fuqinë që shëroi gruan. Ai ndjeu që një fuqi kishte dalë prej Tij. Sigurisht, që kjo nuk do të thotë se Ai ishte më i pafuqishëm se më parë, por thjesht që ky shërim i kushtoi diçka. Kishte një lloj shpenzimi.

8:47, 48 Gruaja erdhi duke u dridhur e tëra përpara Tij dhe i dha një shpjegim shfajësues ku tregonte përse e kishte prekur, dhe një dëshmi mirënjohëse të asaj që i kishte ndodhur. Rrëfimi i saj publik u shpërblye me një aprovim të besimit të saj nga Jezusi, dhe me një shpallje publike të paqes së Tij mbi të. Asnjë nuk mund ta prekë Jezusin me besim pa dijeninë e Tij dhe pa marrë një bekim. Asnjë nuk e rrëfen Atë hapur pa qenë i forcuar në sigurinë e shpëtimit.

8:49 Shërimi i gruas me fluks gjaku ndoshta nuk e vonoi shumë Jezusin, por ishte e mjaftueshme që një lajmëtar të mbërrinte me lajmin e vdekjes së bijës së Jairit, dhe si rrjedhim shërbesa e Mësuesit do të ishte e panevojshme. Ekzistonte besimi që Ai mund të shëronte, por jo që mund të ringjallte të vdekurit.

8:50 Megjithatë, Jezusi nuk do të hiqte dorë kaq kollaj. Ai u përgjigj me fjalë ngushëlluese, inkurajuese dhe premtuese. “Mos druaj, ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë.”

8:51-53 Sapo mbërriti në shtëpi, shkoi në dhomë, duke marrë me Vete vetëm Pjetrin, Jakobin dhe Gjonit, bashkë me prindërit. Të gjithë ishin duke qarë me dëshpërim, por Jezusi u tha të ndaleshin sepse vajza nuk kishte vdekur, por po flinte. Kjo gjë bëri që ata të talleshin me Të, sepse ishin të sigurt që ajo vajzë kishte vdekur.

A ishte ajo e vdekur, apo ishte në një gjumë të thellë si në një koma? Shumica e komentuesve thonë që ajo ishte e vdekur. Ata i referohen faktit kur Jezusi tha për Llazarin që po fle, duke nënkuptuar që ishte i vdekur. Sir Robert Anderson thotë që vajza nuk kishte vdekur me të vërtetë. {{9}} Argumentet e tij janë si më poshtë:

  1. Jezusi tha që vajza “do të shërohej.” Fjala që Ai përdori është e njëjtë me fjalën e përdorur në vargun 48 të këtij kapitulli, ku ajo i referohet shërimit dhe jo ringjalljes. Fjala nuk është përdorur kurrë në DhR për ringjallje prej së vdekurish.
  2. Jezusi përdori një fjalë tjetër për të fjeturit në rastin e Llazarit.

  3. Njerëzit mendonin që ajo kishte vdekur, por Jezusi nuk do të thoshte që ai do ta ringjallte atë prej së vdekuri kur Ai e dinte që ajo ishte duke fjetur.

Anderson thotë që është thjesht çështja se kujt doni t’i besoni. Jezusi tha që ajo ishte duke fjetur. Të tjerët mendonin që ata e dinin se ajo ishte e vdekur.

8:54-56 Sidoqoftë, Jezusi i tha asaj, “Vajzë çohu.” Dhe ajo u ngrit menjëherë. Pasi ua dha vajzën prindërve, Jezusi u tha tyre të mos e bënin të ditur mrekullinë. Atij nuk i interesonte fama, entuziazmi i paqëndrueshëm publik, kurioziteti i kotë.

Kështu pra përfundon viti i dytë i shërbesës publike të Jezusit. Kapitulli 9 hap vitin e tretë të shërbesës me dërgimin e të dymbëdhjetëve.

O. Biri i Njeriut Dërgon Dymbëdhjetë Dishepujt e Tij (9:1-11)

9:1-2 Kjo ngjarje ngjan shumë më ngjarjen e paraqitur në Mateu 10:1-15, por ka disa ndryshime që bien në sy. P.sh., në Mateu, dishepujve iu tha që të shkonin vetëm tek Judenjtë si dhe që të ringjallnin të vdekurit ashtu si dhe të shëronin të sëmurët. Me siguri që ka një arsye për versionin e përmbledhur që Luka ka dhënë, por se cila ka qenë kjo arsye nuk duket qartas. Zoti jo vetëm që kishte fuqi për të kryer mrekulli, por Ai e akordoi këtë fuqi dhe autoritet edhe tek të tjerët. Fuqi do të thotë forcë ose aftësi. Autoritet do të thotë e drejta për ta përdorur këtë fuqi. Mesazhi i dishepujve verifikohej nga shenjat dhe mrekullitë (Heb. 2:3, 4) në mungesë të Biblës së plotësuar në formën e saj të shkruar. Perëndia mund të shërojë në një mënyrë të mrekullueshme, por nuk është e thënë që shërimi duhet të shoqërojë ende predikimin e ungjillit.

9:3-5 Tani dishepujt do të kishin një mundësi për të praktikuar parimet që ua kishte mësuar Zoti Jezus. Ata duhet të besonin tek Ai për plotësimin e nevojave të tyre materiale – s’ kishin as çantë, as ushqim dhe as para. Ata duhet të jetonin shumë thjeshtë – pa pasur gjëra të tepërta ose një veshje më shumë. Ata duhet të qëndronin në atë shtëpi ku mirëpriteshin – pa u vërtitur për të gjetur strehime më të mira apo më të rehatshme. Ata nuk duhet të qëndronin më gjatë apo të ushtronin presion mbi ata që nuk e pranonin mesazhin, por duhet të shkundnin edhe pluhurin nga këmbët e tyre si dëshmi kundër atyre njerëzve.

9:6 Siç duket dishepujt predikuan ungjillin dhe shëruan të sëmurët në qytetet e Galilesë. Duhet përmendur që mesazhi i tyre kishte të bënte me mbretërinë – shpalljen e prezencës së Mbretit në mesin e tyre dhe dëshirën e Tij për të mbretëruar mbi njerëzit e penduar.

9:7 Herod Agripa ishte tetrark në Galile dhe në Perea në atë kohë. Ai mbretëroi në mbi një të katërtën e territorit që ishte përfshirë në mbretërinë e atit të tij, Herodit të Madh. Tek ai mbërriti fjala që Dikush ishte duke kryer mrekulli madhështore në territorin e tij. Menjëherë në ndërgjegjen e tij lindën disa pyetje. Atë e shqetësonte ende kujtesa e Gjon Pagëzorit. Herodi e kishte bërë të heshtte atë zë pafrikë duke i prerë kokën Gjonit, por ende i fanitej fuqia e asaj jete. Cili ishte ai që e bënte Herodin të mendonte papushim për Gjonin? Kishin dalë fjalë që Gjoni ishte ringjallur prej së vdekurish.

9:8, 9 Të tjerë mendonin se ai ishte Elia ose një nga profetët e tjerë të DhV. Herodi u përpoq ta largonte ankthin e tij duke u kujtuar të tjerëve që ai ia kishte prerë kokën Gjon Pagëzorit. Por frika mbetej ende. Cili ishte ky njeri? Ai kërkonte që ta shihte Atë, por nuk mundi deri në çastet para kryqëzimit të Shpëtimtarit.

Fuqia e një jete të mbushur me Frymën e Shenjtë! Zoti Jezus, Marangozi i thjeshtë i Nazaretit, e bëri Herodin të dridhej qoftë edhe pa e takuar Atë. Kurrë mos e nënvlerësoni efektin e një personi të mbushur me Frymën e Shenjtë!

9:10 Kur u kthyen apostujt, ata ia raportuan drejtpërdrejt përfundimet e misionit të tyre Zotit Jezus. Ndoshta kjo do të ishte një politikë e mirë për të gjithë punëtorët e krishterë. Shpesh herë publikimi i punës shpie në xhelozi dhe ndarje. G. Campbell Morgan komenton që “pasioni ynë për statistika përqendrohet tek vetvetja, ai është nga mishi dhe jo nga Fryma.” Zoti Jezus i mori me vete dishepujt në një vend të shkretë që quhej Betsaida(shtëpi peshkimi). Duket sikur në këtë kohë kishte dy Betsaida, një në pjesën perëndimore të Detit të Galilesë dhe kjo në lindje. Vendodhja e saktë nuk dihet.

9:11 Shpresa për të kaluar një kohë të qetë së bashku u shua shpejt. Një turmë njerëzish u mblodh shumë shpejt. Zoti Jezus ishte gjithmonë i arritshëm. Ai nuk e konsideroi këtë një ndërprerje të bezdisshme. Ai kurrë nuk ishte tepër i zënë për të bekuar. Në fakt është cituar që Ai i mirëpriti ata, duke i mësuar për mbretërinë e Perëndisë dhe duke shëruar ata që kishin nevojë.

P. Të Ushqyerit e Pesë Mijëve (9:12-17)

9:12 Ndërkohë që ra mbrëmja, të dymbëdhjetët filluan të shqetësoheshin. Aq shumë njerëz që kishin nevojë për ushqim! Një situatë e pamundur. Kështu që ata i kërkuan Zotit që ta largonte turmën. Sa e ngjashme me ta është zemra jonë! Në çështje që kanë të bëjnë me veten tonë, ne themi si Pjetri, “Më urdhëro të vij tek Ti…” Por sa e thjeshtë që është të themi për të tjerët, “Nisi të shkojnë.”

9:13 Jezusi nuk do t’i dërgonte ata në fshatrat përreth për të siguruar ushqim. Përse duhet të shkonin dishepujt në vende të tjera për t’u shërbyer njerëzve dhe të linin pas dore ata që ishin tek pragu i tyre? Le ta ushqenin ata turmën. Ata protestuan duke thënë që kishin vetëm pesë bukë dhe dy peshq, duke harruar që kishin edhe burimet e pafundme të Zotit Jezus.

9:14-17 Ai thjesht u kërkoi dishepujve të ulnin turmën e përbërë prej pesë mijë burrash plus gratë dhe fëmijët. Dhe më pas duke falënderuar, theu bukën dhe vazhdoi t’ua jepte atë dishepujve. Ata më pas e shpërndanin tek njerëzit. Kishte shumë ushqim për çdo njeri. Në fakt, kur të gjithë mbaruan së ngrëni, mbeti më shumë ushqim sesa ishte në fillim. Me ato që mbetën u mbushën dymbëdhjetë shporta, një për çdo dishepull. Ata që përpiqen të shpjegojnë mrekullinë thjesht sa mbushin faqe të tëra me konfuzione.

Kjo ngjarje është e mbushur me domethënie për dishepujt të cilëve u është ngarkuar ungjillëzimi i botës. Të pesëmijët përfaqësojnë njerëzimin e humbur që vdes urie për bukën e Perëndisë. Dishepujt paraqesin të krishterët e pafuqishëm, me burime të cilat duken se janë të kufizuara, që nuk duan ta ndajnë me të tjerët atë që kanë. Urdhërimi i Zotit, “Ju jepuni atyre diçka për të ngrënë,” është thjesht një rithënie e Urdhëresës së Madhe. Mësimi është ky: nëse ne i japim Jezusit atë që ne kemi, Ai mund ta shumëfishojë atë për të ushqyer turmën shpirtërisht të uritur. Ajo unazë me diamant, siguracioni, ajo llogari bankare, ajo pajisje sportive! Të gjitha këto mund të shndërrohen në literaturë ungjillore, për shembull, gjë që do të rezultojë në shpëtimin e shpirtrave të cilët do të jenë adhurues të Qengjit të Perëndisë në gjithë përjetësinë.

Bota mund të ungjillëzohet në këtë brez nëse të krishterët do t’ia dorëzojnë Krishtit gjithçka që ata kanë dhe janë. Ky është mësimi i durimit që shfaqet në të ushqyerit e pesëmijëve.

Q. Rrëfimi Madhështor i Pjetrit (9:18-22)

9:18 Menjëherë pas të ushqyerit të mrekullueshëm të turmës ne kemi rrëfimin madhështor që Pjetri bën për Krishtin në Filipi të Cezaresë. Vallë ndoshta ajo mrekulli e bukëve dhe peshqve ua hapi sytë dishepujve për të parë lavdinë e Jezusit si i Vajosuri i Perëndisë? Kjo ngjarje në Filipi të Cezaresë njihet si kurrizi ujëndarës i shërbesës mësimdhënëse të Shpëtimtarit me të dymbëdhjetët. Deri në këtë pikë Ai kishte qenë duke i çuar ata tepër qetësisht drejt një vlerësimi ndaj asaj se kush ishte Ai dhe se çfarë mund të bënte me anë të tyre. Tani Ai ia kishte arritur qëllimit, dhe kështu mund të lëvizte vendosmërisht drejt kryqit. Jezusi u lut vetëm. Nuk është shkruar që Zoti Jezus u lut ndonjëherë me dishepujt. Ai u lut për ta, Ai u lut në prezencën e tyre, dhe Ai i mësoi ata si të luten, por jeta e Tij e lutjes ishte e ndarë nga e tyrja. Pas njërës prej atyre stinëve të lutjes, Ai i pyeti dishepujt se çfarë thoshnin turmat për identitetin e Tij.

9:19, 20 Ata i raportuan një sërë opinionesh: Disa thanë Gjon Pagëzori; të tjerë thanë Elia; dhe disa të tjerë thanë se ishte një nga profetët e Dhjatës së Vjetër që ishte ringjallur. Por kur Ai i pyeti dishepujt, Pjetri rrëfeu plot besim që Ai ishte Krishti (ose Mesia) i Perëndisë.

Komentet e James Steward në lidhje me këtë ngjarje në Cezare janë kaq të mrekullueshme saqë ne po i citojmë ato gjerësisht:

Ai filloi me një pyetje jo personale – “Kush thonë njerëzit se jam unë?” Që, sidoqoftë, nuk ishte një pyetje e vështirë. Sepse në çdo anë njerëzit ishin duke thënë gjëra të ndryshme për Jezusin. Qarkullonte një dyzinë mendimesh. Një sërë opinionesh dhe zërash të ndryshëm gjendeshin kudo. Jezusi ishte në çdo gojë. Dhe njerëzit nuk ishin thjesht duke thënë gjëra për Jezusin; ata ishin duke thënë gjëra të mëdha përreth Tij. Disa mendonin se Ai ishte Gjon Pagëzori i kthyer nga vdekja. Disa thoshnin se Ai u sillte ndërmend Elian. Disa të tjerë e quanin Jeremia ose ndonjë profet tjetër. Me fjalë të tjera, ndërkohë që opinionet që qarkullonin nuk ishin unanime për sa i përkiste identitetit të Jezusit, ato ishin po aq unanime rreth faktit që Ai ishte një njeri i madh. Vendi i Tij ishte ndër heronjtë e racës së Tij.

Ia vlen të përmendet këtu që historia ishte duke u përsëritur. Edhe një herë Jezusi është në çdo gojë. Sot Ai përfshihet në bisedat që kalojnë jashtë rrethit të Kishës së Krishtere. Dhe e madhe është shtrirja e verdikteve rreth Tij. [Tani pasojnë opinionet e disa jobesimtarëve]. Papini, duke parë Jezusin, sheh Poetin. Bruce Barton sheh Njeriun e Veprimit. Middleton Murry sheh Mistiken. Njerëzit që kanë informacion përreth së vërtetës biblike janë gati ta ngrejnë lart Jezusin si përsosmëria e shenjtorëve dhe si kapiten të të gjithë drejtuesve moralë, njëherë e përgjithmonë. “Madje edhe tani,” tha John Stuart Mill, “nuk do të jetë e thjeshtë edhe për një jobesimtar për të gjetur një domethënie më të mirë të rregullës reale së virtytit të vërtetë sesa të jetojë siç jetonte Krishti që Ai do të aprovonte jetët tona.” Ashtu si njerëzit e kohës së tij, të cilët e quajtën atë Gjon, Eli, dhe Jeremi, njerëzit e ditëve tona janë të një mendjeje që Jezusi qëndron mbi të gjithë heronjtë dhe shenjtorët e të gjitha kohërave.

Por Jezusi nuk ishte i kënaqur me atë lloj njohjeje. Njerëzit thoshin që Ai ishte Gjoni, Elia, Jeremia. Por kjo do të thoshte që ai ishte një i radhës. Që do të thotë se kishte precedentë dhe paralelë, dhe megjithëse Ai qëndronte në krye të radhës, ai ende mbetej thjesht primus inter pares, d.m.th. i pari mes të barabartëve. Por sigurisht që kjo nuk ishte ajo që shpallte Krishti i Dhjatës së Re. Njerëzit mund të jenë dakord me shpalljen e Krishtit, ose mund të mos e pranojnë atë; por për sa i përket vet faktit të shpalljes, nuk ka pikë dyshimi. Krishti shpalli se ishte dikush pa precedentë, pa paralelë, pa rivalë dhe unik (për shembull Mt. 10:37; 11:27; 24:35; Gjoni 10:30; 14:6). {{10}}

9:21, 22 Pas rrëfimit historik të Pjetrit, Zoti i urdhëroi ata të mos i tregonin askujt; asgjë nuk duhet ta ndërpriste udhën e Tij për në kryq. Më pas Shpëtimtari u zbuloi atyre të ardhmen e Tij të afërt. Atij i duhej të vuante, të hidhej poshtë prej drejtuesve fetarë të Izraelit, i duhej të vritej dhe të ringjallej ditën e tretë. Kjo ishte një thënie befasuese. Le të mos harrojmë që këto fjalë ishin thënë nga Njeriu i vetëm i drejtë dhe i pamëkatë që ka jetuar ndonjëherë mbi këtë tokë. Ato fjalë u thanë nga Mesia i vërtetë i Izraelit. Ato ishin fjalët e Perëndisë së shfaqur në mish. Ato na tregojnë ne që jeta e përmbushjes, jeta e përsosur, jeta që i bindet vullnetit të Perëndisë përfshin vuajtje, kundërshtim, vdekje të çfarëdo forme, dhe ringjallje në një jetë që është e pavdekshme. Është një jetë e derdhur për të tjerët.

Sigurisht që kjo ishte plotësisht e kundërta e konceptit që njerëzit kishin për rolin e Mesias. Njerëzit kërkonin një drejtues zhurmëmadh që të shkatërronte armiqtë e tij. Duhet të ketë qenë një goditje për dishepujt. Por nëse, ashtu siç rrëfyen ata, Jezusi ishte me të vërtetë Krishti i Perëndisë, ata s’kishin përse të dekurajoheshin apo të zhgënjeheshin. Nëse Ai është i Vajosuri i Perëndisë, kauza e Tij nuk mund të dështojë kurrë. Nuk kishte rëndësi çfarë mund t’i ndodhte Atij ose atyre, ata ishin në anën fituese. Fitorja dhe hakmarrja ishin të pashmangshme.

R. Ftesa për të marrë me vete kryqin (9:23-27)

9:23 Pasi kishte folur për të ardhmen e Tij, Zoti i ftoi dishepujt ta ndiqnin Atë. Kjo do të thoshte të mohonin vetveten dhe të merrnin kryqin e tyre. Të mohosh veten do të thotë të heqësh dorë me dëshirë nga e ashtuquajtura e drejtë për të planifikuar apo për të zgjedhur, dhe të njohësh të qenurit Zot të Tij në çdo fushë të jetës. Të marrësh kryqin do të thotë të zgjedhësh në mënyrë të lirë llojin e asaj jete që Ai vet jetoi. Kjo përfshin:

  • Kundërshtim nga ana e të dashurve të zemrës.
  • Qortim nga bota.
  • Braktisje e familjes, shtëpisë, pronave dhe rehative të kësaj jete.
  • Vartësi e plotë tek Perëndia.
  • Bindje ndaj drejtimit të Frymës së Shenjtë.
  • Shpallje e një mesazhi jo të zakonshëm.
  • Një udhë vetmie.
  • Sulme të organizuara nga drejtues të ndryshëm fetarë.
  • Vuajtje për hir të drejtësisë.
  • Tallje dhe turp.
  • Derdhja e vetvetes për të tjerët.
  • Vdekje për veten dhe për botën.

Por gjithashtu përfshin zotërim të jetës që është me të vërtetë jetë! Do të thotë gjetja më në fund e arsyes për ekzistencën tonë. Dhe do të thotë edhe një shpërblim i përjetshëm. Instiktivisht ne zmbrapsemi nga një jetë kryq-mbartëse. Mendjet tona s’kanë dëshirë të besojnë që ky mund të jetë vullneti i Perëndisë për ne. Megjithatë fjalët e Krishtit “Nëse dikush do të vijë pas meje” nënkuptojnë që askush nuk përjashtohet.

9:24 Tendenca e natyrshme është t’i shpëtojmë jetët tona me anë të ekzistencave egoiste, rutine, të vetkënaqura dhe të parëndësishme. Ne mund të kënaqim orekset tona duke u ngrohur në rehati, luks dhe kollajllëk, duke jetuar për të tashmen, duke tregëtuar talentet tona më të mira në botë, në shkëmbim të disa viteve të një sigurie të rreme. Duke vepruar kështu, në fakt, ne humbasim jetët tona, që do të thotë se ne humbasim qëllimin e vërtetë të jetës dhe kënaqësinë e thellë frymërore që shkon bashkë me të! Në anën tjetër, ne mund t’i humbasim jetët tona për hir të Shpëtimtarit. Njerëzit na mendojnë të çmendur kur ne i hedhim në erë ambicjet tona egoiste, nëse kërkojmë më parë mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, nëse ia nënshtrojmë veten tonë pa kursim Atij. Por kjo jetë që përfshin braktisje është një jetë e vërtetë. Ajo ka një gëzim, një shkujdesje të shenjtë dhe një kënaqësi të brendshme të thellë që nuk mund të përshkruhen me fjalë.

9:25 Kur Shpëtimtari foli me të dymbëdhjetët, kuptoi që dëshira për të mira materiale mund të ishte një frenim i fuqishëm kundër nënshtrimit të plotë. Dhe si rrjedhim Ai tha, në fakt, “Supozoni sikur të mund të mblidhnit të gjithë arin dhe argjendin e të gjithë botës, të mund të zotëronit të gjithë pronat dhe pasuritë e patundshme – gjithçka që kishte një vlerë materiale – dhe supozoni që në përpjekjen tuaj të tërbuar për të siguruar gjithë këto, do të humbisnit qëllimin e vërtetë të jetës, ç’të mirë do të kishit? Të gjitha ato gjëra do t’i kishit vetëm për pak kohë; e më pas do t’i linit përgjithmonë. Do të ishte një pazarllëk i çmendur të shisje atë jetë të shkurtër për pak çikërrima pluhuri.

9:26 Një mjet frenues tjetër që kundërshton nënshtrimin total ndaj Krishtit është frika e turpit. Është krejtësisht e paarsyeshme që një krijesë të ketë turp për Krijuesin e vet, që një mëkatari t’i vijë turp për Shpëtimtarin e vet. Dhe përsëri cili nga ne nuk është fajtor për një gjë të tillë? Zoti dinte mbi mundësinë e këtij lloj turpi dhe paralajmëroi solemnisht kundër kësaj. Nëse ne e shmangim turpin duke jetuar një jetë të krishtere të vakët, jetë që është e tillë vetëm në emër, duke u konformuar me botën, Birit të Njeriut do t’i vijë turp për ne kur të vijë në lavdinë e vet, në lavdinë e Atit dhe në lavdinë e engjëjve të shenjtë. Ai thekson lavdinë trefish të shkëlqyeshme të Ardhjes së Tij të Dytë sikur do të thotë që çdo turp ose tallje që ne mund të durojmë për Të tani, do të duket trefish në krahasim me turpin e atyre që e mohojnë Atë tani, kur Ai të shfaqet në lavdi.

9:27 Kjo përmendje që Ai i bën lavdisë së Tij formon lidhjen me atë që do të pasojë. Ai tani parashikon që disa nga dishepujt që qëndronin atje, do ta shihnin mbretërinë e Perëndisë përpara se të vdisnin. Fjalët e Tij gjejnë përmbushje në vargjet 28-36, me ngjarjen që ndodh në Malin e Shpërfytyrimit. Dishepujt ishin Pjetri, Jakobi dhe Gjoni. Në mal ata panë një pamje të asaj që do të ndodhë kur Zoti Jezus do të vendosë mbretërimin e Tij këtu mbi tokë. Në fakt Pjetri e thotë këtë në Letrën e tij të Dytë:

Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezus Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okularë të madhështisë së Tij. Sepse Ai mori nder dhe lavdi nga Ati, kur i erdhi ky zë nga qielli: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.” Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me Të në malin e shenjtë (1:16-18).

Vini re vijueshmërinë e mësimit që Zoti ka dhënë në këtë pjesë. Ai sapo kishte shpallur kundërshtimin e afërt që do i bëhej Atij, vuajtjet dhe vdekjen. Ai i kishte thirrur dishepujt e Tij ta ndiqnin Atë në një jetë vetëmohuese, vuajtjeje dhe sakrifice. Tani Ai thotë në fakt, “Por mos harroni! Nëse vuani me Mua, do të mbretëroni me Mua. Përtej kryqit qëndron lavdia. Shpërblimi është në përpjestim me çmimin.”

S. Shpërfytyrimi i Birit të Njeriut (9:28-36)

9:28, 29 Ishte përafërsisht tetë ditë më vonë që Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin dhe u ngjit në mal për t’u lutur. Vendodhja e këtij mali nuk dihet, megjithatë Mali i lartë dhe me borë i Hermonit ka mundësi të ketë qenë vendi i kësaj ngjarjeje. Ndërkohë që Zoti ishte duke u lutur pamja e Tij e jashtme filloi të ndryshonte. Një e vërtetë intriguese – ndër shumë gjëra që lutja ndryshon është edhe fytyra e njeriut. Fytyra e Tij u ndriçua nga një shkëlqim i fortë dhe veshja e Tij u bë e bardhë vezulluese. Siç u përmend edhe më lart, kjo paraqiti lavdinë që do të jetë e Tija gjatë mbretërisë së Tij të ardhshme. Kur Ai ishte këtu në tokë, lavdia e Tij ishte mbuluar në trupin e Tij të mishtë. Ai ishte këtu në përulësi, si një Shërbëtor. Por gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, lavdia e Tij do të jetë zbuluar plotësisht. Të gjithë do ta shohin Atë në madhështinë dhe shkëlqimin e Tij.

Profesor W. H. Rogers ka thënë mjaft bukur:

Në atë shpërfytyrim ne kemi në miniaturë gjithë veçoritë e dukshme të mbretërisë së ardhshme. Ne shohim Zotin të veshur në lavdi dhe jo në rroba përulësie. Ne shohim Moisiun në një gjendje të përlëvduar, përfaqësuesin e gjithë të rilindurve që kanë kaluar nëpërmjet vdekjes në mbretëri. Ne sodisim Elian të mbështjellë në lavdi, përfaqësuesin e të shpenguarve që kanë hyrë në mbretëri nëpërmjet rrëmbimit. Këtu ndodhen tre dishepuj, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, të cilët nuk janë të përlëvduar, përfaqësues të Izraelit në mish gjatë mijëvjeçarit. Më pas është edhe turma në këmbë të malit, përfaqësuese e kombeve që do të sillen në mbretëri pasi ajo të jetë inaguruar. {{11}}

9:30, 31 Moisiu dhe Elia biseduan me Jezusin për ikjen e Tij (fjalë për fjalë eksodin e Tij) që do të kryhej së shpejti në Jerusalem. Vini re që këtu vdekja quhet si një përmbushje, si kryerja e diçkaje. Gjithashtu vini re që vdekja është vetëm një exodus – jo ndalim i ekzistencës, por nisje nga një vend në një vend tjetër.

9:32, 33 Dishepujt ishin në gjumë kur e gjithë kjo ndodhte. Bishop Ryle thotë:

Le të vëmë re që të njëjtët dishepuj që ishin në gjumë gjatë vizionit të lavdisë, u gjendën në gjumë edhe gjatë agonisë në kopshtin e Gjetsemanisë. Me të vërtetë që mishi dhe gjaku kanë nevojë për ndryshim përpara se të hyjnë në qiell. Të mjerët trupa tanë të dobët, as mund ta vështrojnë Krishtin në kohën e Tij të vuajtjes dhe as të rrinë zgjuar me Të në përlëvdimin e Tij. Përbërja jonë fizike duhet të ndryshohet shumë përpara se ne të gëzojmë parajsën. {{12}}

Kur u zgjuan plotësisht, ata panë lavdinë e shndritshme të Krishtit. Me një përpjekje për të ruajtur karakterin e shenjtë të këtij rasti, Pjetri propozoi ngritjen e tre çadrave apo tabernakujve, një për nder të Jezusit, një për Moisiun dhe një për Elian. Por ideja e tij ishte e bazuar mbi një zell pa njohuri.

9:34-36 Zëri i Perëndisë doli nga një re që i mbuloi ata, duke shpallur Jezusin si Birin e Tij të dashur, dhe duke u thënë atyre ta dëgjonin dhe t’i bindeshin Atij. Sapo kaloi zëri, Moisiu dhe Elia u zhdukën. Vetëm Jezusi qëndronte atje. Kështu do të jetë edhe në mbretëri; Ai do të ketë parësinë në çdo gjë. Ai nuk do ta ndajë lavdinë e Tij. Dishepujt u gjendën në një ndjenjë frike aq të thellë saqë nuk e diskutuan ngjarjen me të tjerët.

T. Shërimi i një djali të idemonizuar (9:37-43a)

9:37-39 Nga mali i lavdisë, Jezusi dhe dishepujt ditën tjetër u kthyen në fushën e nevojës njerëzore. Jeta ka çastet e saj të ngritjes frymërore, por Perëndia i balancon ato me mundimet dhe sfilitjet e përditshme. Nga turmaerdhi për ta takuar Atë, doli një baba i dëshpëruar, duke iu përgjëruar Jezusit për të ndihmuar djalin e tij që ishte pushtuar nga një demon. Ishte fëmija i tij i vetëm, pra kënaqësia e zemrës së tij. Çfarë trishtimi i papërshkrueshëm ishte për atë baba ta shihte birin e tij të pushtuar nga kriza demoniake. Këto shkundje vinin pa paralajmërime. Fëmija thërriste dhe më pas i dilte shkumë nga goja. Vetëm pas një lufte të frikshme, demoni largohej dhe e linte fëmijën të mavijosur.

9:40 Babai i dëshpëruar kishte shkuar më përpara tek dishepujt për ndihmë, por ata ishin të pafuqishëm. Përse nuk ishin në gjendje dishepujt të ndihmonin atë djalë? Ndoshta ata ishin bërë profesionistë në shërbesën e tyre. Ndoshta ata mendonin që mund të mbështeteshin në një shërbesë të mbushur me Frymë, pa ushtrime të vazhdueshme shpirtërore. Ndoshta ata nuk ishin aq të fuqishëm në gjëra frymërore siç mendonin.

9:41 Zoti Jezus u trishtua nga gjithë ky spektakël. Pa zënë në gojë asnjë emër, Ai tha, “O brez mosbesues dhe i çoroditur…” Kjo thënie mund t’u ishte adresuar dishepujve, babait të fëmijës, ose të gjithëve së bashku. Ata ishin të gjithë kaq të pafuqishëm përballë nevojës njerëzore, pavarësisht nga fakti se ata mund të merrnin nga burimet e Tij të pafundme të fuqisë. Edhe sa kohë i duhet të rrinte me ta dhe t’i duronte? Më pas i tha babait, “Sille këtu djalin tënd.”

9:42, 43a Ndërsa fëmija po i afrohej Jezusit, u kap përsëri nga demoni dhe u hodh në tokë me forcë. Por Jezusi nuk u frikësua nga kjo shfaqje e fuqisë së një fryme të keqe; ishte mosbesimi i njerëzve që e pengonte Atë më tepër sesa fuqia e demonizmit. Ai e nxori jashtë frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet. Të gjithë njerëzit mbetën të mahnitur. Ata kuptuan që Perëndia kishte bërë një mrekulli. Ata panë tek kjo mrekulli një shfaqje të madhështisë së Perëndisë.

U. Biri i Njeriut parashikon Vdekjen dhe Ringjalljen e Tij (9:43b – 45)

9:43b, 44 Ndoshta dishepujt ishin të prirur të mendonin që Zoti i tyre do të vazhdonte të kryente mrekulli deri sa gjithë kombi do ta shpallte Atë mbret. Për t’i hapur sytë e mendjeve të tyre për sa i përkiste një kombi të tillë, Zoti u kujtoi edhe një herë atyre se Biri i Njeriut do të binte në duart e njerëzve, që do të thotë se do të vritej.

9:45 Përse nuk e kuptuan ata një parashikim të tillë? Thjesht sepse ata e mendonin Mesian si një hero kombëtar. Sipas mendimit të tyre vdekja e Tij do të ishte një humbje për kauzën e tyre. Shpresa e tyre ishte aq e fortë saqë ata nuk ishin në gjendje të pranonin ndonjë pikëpamje të kundërt. Nuk ishte Perëndia që fshihte të vërtetën prej tyre, por kundërshtimi i tyre i vendosur për të mos besuar. Ata madje edhe druanin të pyesnin për sqarime – sikur të kishin frikë se druajtja e tyre do të konfirmohej!

V. Madhështia e vërtetë në Mbretëri (9:46-48)

9:46 Dishepujt jo vetëm që prisnin që mbretëria të shpallej së shpejti, por edhe aspironin të kishin pozita të larta në atë mbretëri. Tashmë ata ishin duke u grindur me njëri-tjetrin se kush do të ishte më i madhi.

9:47, 48 Duke e ditur faktin që po i trazonte ata, Jezusi mori një fëmijë të vogël pranë vetes dhe u shpjegoi që kushdo që pranonte një fëmijë të vogël në emrin e Tij kishte pranuar Atë. Në pamje të parë, kjo duket sikur nuk ka lidhje me pyetjen që kishin dishepujt në lidhje me faktin se kush ishte më i madhi mes tyre. Por megjithëse nuk është e dukshme lidhja duket se është kjo: madhështia e vërtetë shihet në kujdesin që tregohet ndaj të vegjëlve, ndaj atyre që janë të pambrojtur, ndaj atyre që bota i kalon pa i vënë re. Kështu pra, kur Jezusi tha që “më i vogli nga ju të gjithë do të jetë më i madhi,” Ai iu referua atij që e përul vetveten për t’u shoqëruar me besimtarë që janë të parëndësishëm, të papërfillshëm dhe të përbuzur.

Në Mateu 18:4 Zoti tha që më i madhi në mbretërinë e qiejve është ai që e përul vetveten si një fëmijë i vogël. Këtu në Luka është çështja e identifikimit të vetes me më të ultin ndër fëmijët e Perëndisë. Në të dyja rastet, përfshin një vend përulësie, ashtu siç bëri dhe Vet Shpëtimtari.

X. Biri i Njeriut ndalon Sektarizmin (9:49, 50)

9:49 Ky incident duket se ilustron sjelljen që Zoti u kishte thënë dishepujve se u duhej të shmangnin. Ata kishin gjetur dikë që i dëbonte demonët në emrin e Jezusit. Ata e ndaluan atë për të vetmen arsye se ai nuk ishte një nga ndjekësit e tyre. Me fjalë të tjera, ata kishin refuzuar të pranonin një fëmijë të Zotit në emër të Tij. Ata ishin sektarë dhe zemërngushtë. Ata duhet të ishin të kënaqur që demoni ishte dëbuar nga ai njeri. Ata nuk duhet të ishin kurrë xhelozë për ndonjë njeri apo grup që mund të dëbonte më shumë demonë se ata. Çdo dishepull duhet të ruhet nga dëshira për të përjashtuar të tjerët – për një monopol prestigji dhe fuqie frymërore.

9:50 Jezusi i tha: “Mos ia ndaloni, sepse kush nuk është kundër nesh është me ne.” Për sa i përket Personit dhe veprës së Krishtit, nuk mund të ketë neutralitet. Nëse njerëzit nuk janë me Krishtin janë kundër Tij. Por për sa i përket shërbesës së Krishtere, A. L. Williams thotë:

Të krishterët e sinqertë duhet të mbajnë mend që kur të jashtmit bëjnë diçka në Emër të Krishtit, në tërësi, duhet që të çojë përpara kauzën e Tij … Përgjigjja e Zotit përmbante një të vërtetë largpamëse dhe të hapur. Asnjë shoqëri tokësore, sado e shenjtë, nuk do të ishte në gjendje që të shpallte eksklusivisht fuqitë Hyjnore të lidhura në një mënyrë të pandashme me një përdorim të vërtetë dhe besnik të Emrit të Tij. {{13}}

[[1]] C. G. Moore, cituar nga W. H. Griffith Thomas, Outline Studies in the Gospel of Luke, fq. 129.[[1]] [[2]] F. L. Godet, Commentary on the Gospel of Luke, I. 350.[[2]] [[3]] Ryle, St. Luke, I:230.[[3]] [[4]] Ryle, St. Luke, fq. 239.[[4]] [[5]] J. N. Darby, The Gospel of Luke, fq. 61.[[5]] [[6]] G. H. Lang, The Parabolic Teaching of the Scripture, fq. 60.[[6]] [[7]](8:26, 27) Këtu dhe në vargun 37 teksti NU shkruan Garasenes.[[7]] [[8]] Darby, Synopsis, III:340.[[8]] [[9]] Sir Robert Anderson, Misunderstood Texts of the New Testament, fq. 51.[[9]] [[10]](9:19, 20) Stewart, Life and Teaching, fq. 109, 110.[[10]] [[11]](9:28, 29) W. H. Rogers, dokumentacion i mëtejshëm.[[11]] [[12]](9:32, 33) Ryle, Gospels, St. Luke, I:320.[[12]] [[13]] A. L. Williams, dokumentacion i mëtejshëm.[[13]]


[previous][next]