Është mirë të gjesh një kampion të denjë të të varfërve, që ka guxim dhe fuqi të paraqesë një mesazh të frytshëm. Duke njohur bashkëkombësit e tij aq ngushtë, Mikea mundi të paraqiste, me ngjyra të gjalla, sfidën për drejtësi dhe konsideratë. Simpatia e tij e thellë për popullin e shtypur u shfaq me fjalë të paharrueshme. Fryma e tij digjej nga zemërimi i drejtë ndërsa pa padrejtësinë e ulët të fqinjëve dhe të miqve të tij. Fshatrat e mjerë të Judës kishin në mes tyre një kampion në këtë predikues të ri e të fuqishëm.Kyle M. Yates
I. Vendi unik në Kanun
Libri i Mikeas është i katërti për sa i përket madhësisë nga profetët e vegjël. Ai citohet pesë herë në DhR, një herë nga Zoti ynë. Citimi më i famshëm (Mt. 2:6) është nga Mikea 5:2, vargu që parashikon se Mesia do të lindej në Betlehem Efratah (kishte një Betlehem tjetër më në veri).
Një cilësi tjetër mahnitëse e Mikeas është prirja e profetit për “paronomazinë” apo më thjeshtë “lojërat e fjalëve”. Shumë njerëz kënaqen kur lozin me fjalë. Në kulturat anglishtfolëse kjo nuk konsiderohet një formë serioze letrare (edhe pse Shekspiri e përdorte shpesh). Megjithatë, në hebraisht shkrime të tilla serioze (si DhV) kanë shumë lojëra fjalësh. Mikea paraqet te 1:10-15 një shembull të famshëm, që disa e kanë krahasuar me poetin orator latin Ciceronin. Fatkeqësisht, ky është lloji më i vështirë i letërsisë për t’u përkthyer, meqë nuk ka dy gjuhë që të shprehin të njëjtat kuptime (shikoni shënimet fundore të versionit NKJ dhe përkthimit të Moffatt-it, cituar më poshtë për përpjekjet për të shprehur këto lojëra fjalësh në anglisht).
II. Autorësia
Emri Mikea (një formë e shkurtër e Mikayah dhe Mikayahu [kush është si Jehovahu]) paralajmëron faktin se profeti ishte një shërbëtor i Perëndisë së vërtetë, Perëndisë së Izraelit. Ashtu si shumë profetë ai kishte emrin e Perëndisë (-el) apo Jahve [Jehovah] (-yah) si pjesë të emrit të vet. Ai mbase bën një lojë fjalësh me vetë emrin e tij te 7:18 kur pyet: “Cili Perëndi është si ti?”.
Mikea ishte një bashkëkohës i Isaias, por nga një shtresë më e ulët shoqërore. Ai vinte nga Moreshethi, afër Gathit, rreth 40 km në jugperëndim të Jerusalemit.
III. Data
Mikea profetizoi nga viti 740 në 687 para K., gjatë mbretërimeve të Jothamit, Ashazit dhe Ezekias. Edhe pse mesazhi kryesor ishte për Judën, Mikea parashikoi robërinë e Mbretërisë Veriore, që ndodhi më 722/721 para K. Datat për shpalljen e mesazhit, që përbëjnë profecinë e tij të shkurtër, mund të kenë qenë diku para se t’i shkruante në letër.
IV. Sfondi dhe tema
Rreth shekullit VIII para K. sistemi i vjetër agro-kulturor në Izrael dhe Judë, me shpërndarjen e drejtë të pasurisë, u zëvendësua shkallë-shkallë nga një shoqëri lakmitare, materialiste dhe e egër, që i ndau njerëzit ashpër në “të kamur” dhe “skamës”. Pronarët e pasur të tokës pasuroheshin dhe bujqit e varfër rrënoheshin. Këta të fundit migronin në qytete, që karakterizoheshin nga varfëria, përkrah luksit të shtresave të larta dhe, gjithashtu, mizorisë së tyre ndaj të mjerit.
Tregtia me kombet pagane i futi, gjithashtu, në kultet e tyre të rreme fetare dhe moralet e ulta.
Me pak fjalë, gjërat ishin pak e shumë si në krishterimin e botës perëndimore sot.
Kundër këtij sfondi të errët e botëror Mikea shkruan profecinë e tij, duke e drejtuar kryesisht ndaj tri qyteteve: Samarisë, Jerusalemit dhe Betlehemit.
PARAQITJE E PËRGJITHSHME
I. PARASHIKIMI I ZEMËRIMIT KUNDËR IZRAELIT DHE JUDËS (kapitulli 1)
II. RRËNIMI I SHTYPËSVE TË PASUR (2:1-11)
III. PREMTIMI I PËRTËRITJES (2:12,13)
IV. PADITJA E KRERËVE, E PROFETËVE TË RREMË DHE PRIFTËRINJVE (kapitulli 3)
V. LAVDIA E MBRETËRIMIT MIJËVJEÇAR TË KRISHTIT (kapitulli 4)
VI. PREMTIMI I ARDHJES SË MESIAS (kapitulli 5)
VII. IZRAELI NË GJYQ (kapitulli 6)
VIII. KOMBI VAJTON GJENDJEN E TIJ TË TRISHTUAR (7:1-10)
IX. BEKIMI I ARDHSHËM I IZRAELIT (7:11-20)