Mësimi 55 | Shërbesa e Krishterë
Një organizatë parakishtare është një shërbesë që punon përkrah kishave. Ajo është zakonisht e organizuar si një biznes dhe nuk merret me funksione të tilla si pagëzimi dhe Darka e Zotit.
Është formuar një polemikë e konsiderueshme për këto organizata. A ka vend për ato në komunitetin e krishterë apo kisha është agjencia e vetme për drejtimin e veprës së Tij? Ndoshta mënyra më e paanshme është që të konsiderojmë argumentet pro dhe kundër këtyre kompanive.
PRO
- Organizatat parakishtare drejtojnë shërbesa që kisha nuk mund t’i bëjë, apo që duhet t’i bëjë por që nuk po i bën, p.sh., përkthim, botim, radio, TV, puna në burgje, ungjillëzim, dishepullim, këshillim etj. Është vështirë të shohësh se si një përbashkësi lokale mund të bëjë punën që tani drejtohet nga shoqëritë e Biblës.
- Ato arrijnë segmente të mëdha të popullatës që nuk janë prekur nga kishat. Ne nuk mund të mohojmë se miliona njerëz kanë dëgjuar ungjillin nëpërmjet tyre.
- Shërbesat parakishtare mund të arrijnë në mënyrë të efektshme shumë njerëz që janë të mbyllur ndaj kishës. Ata duket se e shmangin gjembin e dëgjuar shpesh: «gjithçka që kërkon kisha janë paratë e tua».
- Në misione, shërbime sociale, ungjillëzim dhe mbjelljen e kishave, organizatat parakishtare kanë marrë drejtimin. Ato shërbejnë si një zekth për kishat, duke i motivuar ato drejt një zelli më të madh në veprën e Zotit.
- Ndërsa kisha e organizuar kërkon shpesh një përgatitje formale për punëtorët me kohë të plotë, organizatat parakishtare përgatitin njerëz të thjeshtë dhe i futin në punë.
- Ato sigurojnë mundësi për shërbesë të cilat të krishterët nuk i gjejnë në kishat lokale. Ata të krishterë që kishat i kanë lejuar [të hyjnë] në atrofi në jetë plogështie, gjejnë një vend për ambiciet dhe talentet e tyre.
- Ato sigurojnë punësim me një pagesë të respektueshme për disa. Në shumë raste këto janë të ardhurat kryesore për një familje.
- Ato janë duke sjellë fryt në mënyrë të efektshme. Perëndia po i bekon ato. Gideons{{1}}, për shembull, mund të dokumentojnë konvertimin e mijëra njerëzve që janë shpëtuar nga Biblat e lëna në hotele.
- Kishat priren të theksojnë më tepër godinat se misionet. Paratë e shpenzuara në tulla dhe beton mund të përdoren më mirë në shpërndarjen e literaturës për ungjillin.
- Kishat janë të ngurta, të pandryshueshme. Organizatat parakishtare janë një përgjigje për mungesën e kësaj lakueshmërie.
Kjo është vetëm një anë e pikturës. Tani le të konsiderojmë disa nga problemet që kanë lidhje me këto shërbesa parakishtare.
KUNDËR
- Organizatat parakishtare janë jobiblike. Ato nuk gjenden kurrkund në Veprat e Apostujve apo gjetkë në Dhiatën e Re. Kisha është njësia e Perëndisë në tokë për përhapjen e besimit. Kudo që shkuan, apostujt mbollën kisha. Kudo që shkojmë, ne ngremë organizata parakishtare.
- Koha dhe talentet e burrave dhe grave largohet nga kisha lokale. Predikuesit, mësuesit dhe drejtuesit largohen nga shërbesa e tyre primare dhe ulen mbrapa një tavoline si administratorë.
- Paratë largohen nga kisha lokale dhe nga ana tjetër këto organizata varen nga kishat për mbështetjen e tyre.
- Ata që shërbejnë me një organizatë parakishtare nuk mund të zbatojnë Mandatin e Madh: «duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat». Duke qenë se varen nga një spektër i gjerë kishash për mbështetje, ato nuk mund të shpallin këshillën e plotë të Perëndisë. Duke u përpjekur që të lidhen me shumë kisha të ndryshme, ato priren të dobësojnë pozitën e tyre doktrinore.
- Ka përplasje dhe konkurrencë shërbesash, me fraksione, xhelozi dhe rivalitet. Kjo është e pashmangshme kur organizatat publikojnë arritjet e tyre dhe lëvdohen për suksesin e tyre.
- Ato janë përgjegjëse ndaj askujt tjetër veç vetes së tyre. Është shpesh e vërtetë se shumë prej drejtuesve të tyre janë topa të lëshuar dhe kjo mund të çojë në probleme morale, tregtare dhe doktrinore.
- Disa njerëz parakishtarë priren të jenë kundër kishës. Ata e shohin punën e tyre dhe atë të organizatës së tyre si më të lartë.
- Të tjerë që kanë një mendësi parakishtare e shohin shpesh të vështirë që të përshtaten me përbashkësinë e një kishe lokale dhe të punojnë me përzierjen e gjerë të njerëzve që gjenden në shumicën e kongregacioneve. Ata e konsiderojnë veten (dhe shpesh janë) një grup të zgjedhur njerëzish të përkushtuar.
- Ato uzurpojnë funksione dhe përgjegjësi që u përkasin kishave.
- Në vend që t’i ushqejnë të konvertuarit në kishat lokale, organizata priren të zërë vendin e kishës në jetët e njerëzve. Atyre u jepen detyra që i largojnë nga takimet e kishës.
- Ata reklamojnë profesionalizmin, ngjitjen në shkallën e korporatës etj.
Ka disa argumente kundër organizatave parakishtare që mund të jetë njëlloj të vërteta edhe për kisha:
- Ato nuk vdesin kollaj, por shpesh rivendosen pasi e kanë kaluar dobishmërinë e tyre.
- Ekziston rreziku i përqendrimit te një drejtues karizmatik dhe kështu vendoset një kult personaliteti.
- Ato nuk i plotësojnë nevojat e plota të njerëzve.
- Ato janë shpesh rezultat i paaftësisë së dikujt për të punuar me të tjerët. Në mërzitje e sipër ai fillon një punë ku mund të jetë i pavarur.
Tani cili është konkluzioni i çështjes? Ndoshta e gjejmë te Luka 9:49-50. Një ditë dishepujt i thanë Jezusit: «Ne pamë një që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse ai nuk të ndjek bashkë me ne». Zoti iu përgjigj: «Mos ia ndaloni, sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne». Organizatat parakishtare ungjillore janë të angazhuara në të njëjtën betejë frymërore si ne. Ne nu duhet t’i ndalojmë ato. Ato janë me ne.
[previous][next][[1]]Gideons është një organizatë e krishterë ungjillore që i është përkushtuar shpërndarjes së kopjeve të Biblës në mbi 80 gjuhë dhe mbi 180 vende të botës. [Shënim i përkthyesit] [[1]]