RRUGËT E ZOTIT, JO RRUGËT TONA

Mësimi 41 | Karakteri i Krishterë

Në Romakëve 12:1-2 apostulli Pal na kujton se ne jo vetëm që duhet t’i paraqesim trupat tanë si një fli të gjallë te Perëndia, por edhe «transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj». Kjo do të thotë se ne duhet të braktisim mënyrën e të menduarit të botës dhe të mësojmë që të mendojmë siç mendon Zoti ynë. Bibla na tregon se si mendon Perëndia.

Vetë Zoti e ka bërë të qartë se ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, po kështu janë edhe mendimet dhe rrugët e Tij më të larta se ato të njeriut (Isa. 55:8-9). Ndryshimi është rrënjësor.

Për shembull, le të marrim ungjillin. Në përgjithësi njeriu beson se në qiell shkohet përmes karakterit të mirë dhe veprave të mira. Pra, duhet ta meritosh apo ta fitosh atë. «Nuk është kështu», thotë, në fakt, Perëndia. «Të vetmit njerëz që shkojnë në qiell janë ata që nuk e meritojnë atë, por që e pranojnë Zotin Jezus si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre. Shpëtimi është çështje besimi, jo veprimi».     

Ungjilli është marrëzi për njerëzit. Është tepër i lehtë. Ta pranosh atë si një dhuratë nëpërmjet besimit nuk ka kuptim. Por marrëzia e Perëndisë është me e ditur se njerëzit. Kushdo mund të shpëtohet sipas mënyrës së Perëndisë. Askush nuk mund të shpëtohet sipas mënyrës së njerëzve.

Ja disa mënyra të tjera ku ne duhet të ndreqim të menduarit tonë.

Perëndia nuk gjykon sipas pamjes. Ai e di se jo gjithçka që ndrit është ar. Njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën (1 Sam. 16:7).

Atij nuk i bën përshtypje bukuria fizike. «Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet» (Fja. 31:30). Ai nuk magjepset as nga aftësitë atletike. «Ai nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut» (Psa. 147:10). «Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij» (Psa. 147:11).

Njeriu natyror pëlqen të shoqërohet me të pasurin dhe të famshmin dhe i ngre emrat e autokratikëve. Sa ndryshe nga Zoti ynë. Ai nuk thërret shumë nga njerëzit tepër të arsimuar, nga të fuqishmit apo nga klasat e larta. Por Ai përdor askushë të marrë, të dobët dhe jo fisnikë për të kryer gjëra të mëdha (1 Kor. 1:26-27).

Njeriu e ripërkufizon mëkatin si sëmundje. Me kë po tallen ata? Perëndia nuk i dërgon njerëzit në ferr për ndonjë sëmundje.

Bota thotë me Shekspirin: «Ji i vërtetë për vetveten». Pali thotë me frymëzim hyjnor: «Secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten» (Fil. 2:3).

Perëndia do mëshirë dhe jo flijime (Mt. 9:13). E dhjeta nuk është mjaft nëse lëmë pas dore drejtësinë, mëshirën dhe besimin (Mt. 23:23).

Madhështia në mbretëri është të jesh si një fëmijë i vogël (Mt. 18:4).

Njerëzve u pëlqejnë titujt e nderit. Ato duhet t’i marrë vetëm Perëndia (Mt. 23:9-10). Gjithashtu njerëzve u pëlqejnë rrobat e veçanta, të cilat mendohet se tregojnë një shkallë sipërore të shenjtërisë apo të pozitës fetare (Mt. 23:5). Krishti e zbrazi veten e Tij.

Nuk është ari ai që e shenjtëron tempullin; është tempulli ai që e shenjtëron arin (Mt. 23:18-22). Nuk është ari ai që i dha tempullit vlerën e tij. Ishte një privilegj i veçantë për arin që të përdorej në shtëpinë e Perëndisë. Është tempulli ai që e veçoi arin në një vend të veçantë nderi. Po kështu është altari ai që e shenjtëron ofertën që është mbi të.

Rruga lart është poshtë. Ai që e përul veten do të lartësohet (Mt. 23:12).

Përkufizimi i Perëndisë për dashurinë shtrihet tek armiqtë (Lu. 6:27). Njerëzit e kësaj bote i duan ata që i duan.

Perëndia bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët (Mt. 5:45). Ne duhet të imitojmë paanësinë e Tij, edhe pse ajo bie ndesh me karakterin njerëzor. Pra, këto janë vetë disa shembuj se si ndryshojnë mendimet dhe rrugët e Perëndisë nga ato të njeriut. Ata duhet të shërbejnë si një fillim për ne që të përpiqemi të mendojmë siç mendon Ai. Bibla është një zbulim i plotë i proceseve mendore hyjnore.

Për një trajtim më të plotë mbi këtë temë, shiko Shtojca F

[previous][next]