Shtojca F | Manuali i Dishepullit
Një i krishterë duhet të mësojë që të ketë mendimet e Perëndisë sipas Tij. Kjo përfshin refuzimin e standardeve të botës dhe adoptimin e atyre të mbretërisë. Mbi të gjitha, prova e vetme për çdo gjë është se si duket ajo në sytë e Zotit Jezus. Ato gjëra që vlerësohen nga njerëzit e kësaj bote janë të kundërta me ato që vlerësohen nga mendja e Krishtit. Ose që t’i marrim fjalët e Jezusit: «Ajo që vlerësohet shumë ndër njerëzit është gjë e neveritshme para Perëndisë» (Lu. 16:15).
Të varfrit. Zoti ynë nuk thërret shumë njerëz të ditur, të fortë apo fisnikë. Përkundrazi, Atij i pëlqen që të përdorë të varfrit për të përmbushur qëllimet e Tij. Salomoni na dha pikëpamjen e kundërt të botës se «paraja iu jep përgjigje të gjitha gjërave». Nëse thjesht ke mjaft para ju mund të bëni çdo gjë. Kjo ide ka hyrë tinëzisht në kishë. Na thuhet se sot nevoja më e madhe në veprën e Zotit është paraja. Por kjo është e gabuar. Perëndia nuk është një varfanjak. Ai paguan për atë që kërkon pa patur nevojë për thirrje dhe përgjërime të fuqishme për para. Kur njerëz të varfër kryejnë akte heroike të mëdha për Jezusin, atëherë është e qartë për të gjithë se nderimi i takon Zotit. Ai e merr lavdinë. Hadsën Tejlëri kishte të drejtë kur tha se ajo për të cilën duhet të kemi shumë frikë nuk është mungesa e parave, por mungesa e parave të shenjtëruara.
Të dobëtit. Fuqia e Zotit përsoset në dobësi. A mund të ketë dobësi më të madhe se Dikush i gozhduar këmbë e duar mbi një kryq? Sidoqoftë, mendoni për miliona njerëz që janë shpëtuar nga gjykimi i përjetshëm përmes asaj dobësie. Kontradikta në dukje është përshkruar mirë nga Whitlock Gandy.
Me dobësi dhe disfatë
ai fitoi kurorën e lavdishme;
i shkeli me këmbë tërë armiqtë
duke u shkelur vetë.
Fuqinë e Satanit përuli;
u bë mëkat, mëkatin e mposhti;
iu nënshtrua varrit, kështu e shkatërroi,
vdekjen e mposhti duke vdekur.
Të ulëtit. Këta janë njerëz të cilët kanë një vend apo pozitë të ulët. Ata gjenden në këmbëzat e fundit të shkallës shoqërore. Xhon Bunjan ishte një kallajxhi. Megjithëkëtë Perëndia e ngriti për të shkruar «Rruga e shtegtarit». Për vite të tëra ky libër ka qenë i dyti pas Biblës për nga shitjet. Ne lexojmë për minatorë skocezë të pamësuar që mbas pune, do të shkonin në shtëpi, do të laheshin, do të hanin darkë dhe do të studionin Biblën. Ata e shpallën ungjillin me fuqi dhe mund të shihnin më shumë në gjunjët e tyre, sesa mund të shihnin skolastikët në majat e gishtave. Ata e lavdëruan mrekullisht Perëndinë.
Të përçmuarit. Këtu kemi një të krishterë të përkushtuar nga një minoritet i përbuzur, që mban varur një tabelë në qendër të qytetit me paralajmërimin: «Përgatitu të takosh Perëndinë tënd». Kalimtarët ose nënqeshin me qesëndi, ose iu vjen keq për Atë. Ose kemi një ungjilltar shëtitës që predikon në godinën e universitetit. Disa dhëmbë i ka mangët. Si Pali, ai mban në trupin e tij «shenjat e Zotit Jezus». Mos e përbuzni atë. Ai është një nga shërbëtorët e zgjedhur të Zotit, i cili nuk kërkon lavdi për veten, por vetëm lavdinë e Zotit Jezus.
Unë kam parë të krishterë që takohen në dhoma pritjeje, në salla të vogla dhe dyqane me qira. Njerëzit janë tallur me ta. Nuk kishin organo, dritare me xhama me ngjyrë apo stola me jastëk. Por Zoti ishte atje dhe Fryma e Shenjtë vepronte fuqishëm.
Gjërat që nuk janë. Perëndia ka një ëndje të veçantë që të përdorë ato gjëra të cilat konsiderohen nga bota si të padobishme dhe ata njerëz të cilët shihen me përçmim si askushë, njerëz si Spërxhënët, Tozerët dhe Ajrënsajdët. E kam fjalën për njerëz që nuk kanë patur kurrë tituj të fryrë, që nuk kishin grada në sporte dhe që nuk u është dashur kurrë të durojnë prezantimin e tepruar. Ata ishin njerëz që luteshin, si Çarls Uesli:
Më mbaj të vogël e të panjohur,
të dashur dhe të vlerësuar vetëm nga Krishti.
Marrëzia. Ungjilli është për njerëzit absurditet i madh. Ideja që dikush mund të shpëtohet nëpërmjet besimit në Krishtin dhe krejtësisht pa vepra të mira të çdo lloji është qesharake.
E vërteta është se Lajmi i Mirë është urtësia e Perëndisë. Në fakt, marrëzi është urtësia e botës. Ungjilli është fuqia e Perëndisë përmes së cilit shpëtohen njerëzit mëkatarë. Ajo që duket si marrëzi nga ana e Perëndisë, në fakt, i shpëton ata që besojnë. Ajo që duket si marrëzi është më e mençur se njerëzit dhe ajo që duket si dobësi është më e fortë se njerëzit.
Besimi kundrejt shikimit. Ja një mënyrë tjetër ku Perëndia mendon ndryshe nga bota. Bota thotë: «Të shikosh do të thotë të besosh». Perëndia thotë: «Të besosh do të thotë të shikosh».
Jezusi i tha Martës: «A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë» (Gjo. 11:40).
Te kryqi njerëzit thirrën: «Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë» (Mk. 15:32). Por Jezusi e dinte që ata nuk do të besonin, edhe kur Ai të ngrihej nga të vdekurit (Lu. 16:31).
Më vonë Zoti i ringjallur i tha Thomait: «Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!» (Gjo. 20:29).
Zoti ynë nuk kënaqet me atë lloj besimi që kërkon shikim.
Një mënyrë tronditëse ku Perëndia mendon ndryshe nga njeriu është në çështjen e udhëheqjes. Ja se si e shpjegoi Zoti këtë ndryshim:
Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: «Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato, por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve (Mt. 20:25-28).
Jeta e krishterë shoqërohet nga poshtërimi sipas mësimeve të Krishtit. Njerëzit do të mendojnë se ju jeni i çuditshëm. Ata nuk do t’ju pëlqejnë, sepse nuk jeni si ata. Atyre nuk do t’ju vijë mirë që ju nuk merrni pjesë në të gjitha aktivitetet e tyre. Ata do t’ju tallin. Kjo është mundësia jote e madhe për të dalë «drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij» (Heb. 13:13). Mendo si Perëndia.
[previous][next]