Praktike: Pali mbron lirinë e krishterë në frymë (Galatasve 5:2-6:18)

A. Rreziku i legalizmit. (5:2-15)

5:2 Legalizmi e bën të pavlefshëm Krishtin. Judaistët këmbëngulnin në rëndësinë e rrethprerjes së Johebrenjve për të qenë të shpëtuar. Pali, duke folur me autoritetin e një apostulli, ngul këmbë duke thënë që të ngulësh këmbë në rrethprerje do të thotë ta bësh Krishtin të pavlefshëm. Jack Hunter thotë:

Në situatën e galatasve, rrethprerja nuk ishte thjesht një operacion kirurgjikal për Palin, dhe as një kremtim i thjeshtë fetar. Ajo përfaqësonte një sistem shpëtimi me anë të veprave të mira. Ajo deklaronte një ungjill të përpjekjeve njerëzore larg nga hiri hyjnor. Ishte ligji që i zinte vendin hirit, Moisiu që i zinte vendin Jezusit; pasi t’i shtoje Krishtit ishte të merrje nga Krishti. Krishti i plotësuar ishte Krishti i zëvendësuar. Krishti është Shpëtimtari i vetëm – i vetmi dhe i zgjedhuri. Rrethprerje nënkupton prerje nga Krishti. {{19}}

5:3 Legalizmi i kërkon njeriut të zbatojë të gjithë ligjin. Njerëzit nën ligj s’mund t’i pranojnë urdhëresat e thjeshta dhe i hedhin poshtë të tjerat. Nëse një person përpiqet t’i pëlqejë Perëndisë duke u rrethprerë, atëherë ai është i detyruar të zbatojë të gjithë ligjin. Kështu një njeri është plotësisht nën ligj ose nuk është fare nën të. Pra nëse ai është plotësisht nën ligj, Krishti nuk ka vlerë për të. Zoti Jezus nuk është vetëm një Shpëtimtar i plotë, por edhe i zgjedhur. Pali nuk flet në këtë varg për dikë që ka qenë i rrethprerë në të shkuarën, por vetëm për ata që mund ta mendojnë këtë rit si një domosdoshmëri për një shfajësim të plotë, për ata që e shpallin zbatimin e ligjit detyrim për t’u pranuar nga Perëndia.

5:4 Legalizëm do të thotë braktisje e Krishtit si shpresa e vetme e drejtësisë. Ky varg ka shkaktuar shumë diskutime. Janë ofruar shumë interpretime të cilat mund të përmblidhen në tre klasa si më poshtë:

  1. Shumë mendojnë që Pali këtu mëson që është e mundshme për një person të jetë me të vërtetë i shpëtuar, më pas të bjerë në mëkat, dhe kështu të bjerë nga hiri dhe të jetë përgjithmonë i humbur. Kjo është e njohur si doktrina e “humbjes së shpëtimit.”

Ne besojmë që një interpretim i tillë është i pabazuar për dy arsye të forta: Së pari, vargu nuk përshkruan njerëz të shpëtuar që bien në mëkat. Në fakt, këtu nuk ka përmendje të të rënit në mëkat. Për më tepër vargu flet për ata që jetojnë jetë të moralshme, të respektueshme dhe që shpresojnë të shpëtohen si rrjedhim. Kështu vetë pjesa kundërshton ata që e përdorin atë për të mbështetur doktrinën e “humbjes së shpëtimit.” Ata mësojnë që një i krishterë duhet të zbatojë ligjin, të jetojë një jetë të përsosur dhe të përmbahen nga mëkati për të qenë të shpëtuar. Megjithatë ky Shkrim ngul këmbë që të gjithë ata që kërkojnë të shfajësohen nëpërmjet veprave të ligjit ose nga vet-përpjekjet kanë rënë poshtë nga hiri.

Së dyti, ky interpretim është në kundërshtim me komplet dëshminë e Dhjatës së Re në faktin që çdo besimtar i vërtetë në Zotin Jezus është përjetësisht i shpëtuar, që asnjë dele e Krishtit nuk do të humbasë dhe që shpëtimi varet komplet në veprën e kryer të Shpëtimtarit dhe jo në përpjekjet e dobëta të njeriut. (Gjo. 3:16, 36; 5:24; 6:47; 10:28)

  1. Një interpretim i dytë i vargut është ai që i referohet atyre që ishin të shpëtuar në fillim nëpërmjet besimit në Zotin Jezus, por që më pas e vendosën veten nën ligj për të arritur shenjtëri. Me fjalë të tjera, ata ishin shpëtuar me anë të hirit, por tani kërkonin të mbaheshin nga ligji. Në këtë rast, të biesh poshtë nga hiri është, siç e thotë Philip Mauro, “të kthehesh nga rruga e Perëndisë ku të shenjtët përsosen nëpërmjet punës së Frymës në ta dhe të kërkosh ta gjesh përsosjen nëpërmjet kremtimeve të riteve dhe ceremonive të jashtme të cilat i kremtojnë edhe njerëzit mishërorë.”

Kjo pikëpamje nuk është sipas Shkrimeve, se pari sepse vargu nuk përshkruan të krishterët që kërkojnë shenjtëri apo shenjtërim, por për më tepër përshkruan persona e pashpëtuar që kërkojnë shfajësim nëpërmjet zbatimit të ligjit. Vini re formulimin – ju që kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit. Dhe së dyti, ky shpjegim i vargut nënkupton mundësinë që njerëzit e shpëtuar mund të shkëputen nga Krishti, dhe kjo gjë nuk është në përputhje me pikëpamjen e drejtë të hirit të Perëndisë.

  1. Interpretimi i tretë është ai që thotë se Pali është duke folur për njerëz që mund të shpallin se janë të krishterë, por që nuk janë të shpëtuar me të vërtetë. Ata kërkojnë të shfajësohen nëpërmjet zbatimit të ligjit. Apostulli është duke u thënë atyre që ata nuk mund të kenë dy shpëtimtarë; ata duhet të zgjedhin Krishtin ose ligjin. Nëse ata zgjedhin ligjin, atëherë ata shkëputen nga Krishti i cili është shpresa e vetme për drejtësi; ata kanë rënë poshtë nga hiri. Hogg dhe Vine e shprehin këtë gjë mjaft qartë:

Krishti duhet të jetë gjithçka ose asgjë në jetën e një njeriu; për Të nuk është e pranueshme një besim i përkufizuar ose besnikëri e ndarë. Njeriu që është i shfajësuar me anë të hirit të Zotit Jezus Krisht është një i krishterë; njeriu që kërkon të shfajësohet nëpërmjet veprave të ligjit nuk është. {{20}}

5:5 Apostulli tregon që shpresa e një besimtari të vërtetë është shumë e ndryshme nga ajo e një legalisti [ai që merret me legalizëm]. I krishteri pret për shpresën e drejtësisë. Ai shpreson për kohën kur Zoti Jezus do të vijë, kur ai do të marrë një trup të lavdëruar dhe kur ai të mos mëkatojë më. Vini re që pjesa nuk thotë që i krishteri shpreson për drejtësi; ai tashmë ka një pozicion të drejtë përpara Perëndisë nëpërmjet Jezus Krishtit (2 Kor. 5:21). Por ai pret për çastin kur ai do të jetë plotësisht i drejtë në vetvete. Ai nuk shpreson ta arrijë këtë gjë me anë të diçkaje që ai mund të bëjë, por për më tepër nëpërmjet Frymës dhe besimit. Fryma e Shenjtë do ta bëjë këtë gjë dhe besimtari thjesht vështron me besim nga Perëndia i cili do ta realizojë. Legalisti, nga ana tjetër, shpreson të fitojë drejtësi me anë të veprave të tija, zbatimit të ligjit ose kremtimeve fetare. Është një shpresë e kotë, sepse drejtësia nuk mund të arrihet në këtë mënyrë.

Vini re që Pali përdor përemrin “ne” në këtë varg, duke iu referuar të krishterëve të vërtetë, ndërsa në vargun 4 ai përdor përemrin “ju” kur u flet atyre që kërkojnë shfajësim nëpërmjet veprave të ligjit.

5:6 Legalizmi s’ka vlerë. Përsa i përket një njeriu që është në Krishtin (pra, një të krishteri), rrethprerja nuk e bën atë më mirë dhe mosrrethprerja nuk e bë atë më keq. Ajo çfarë Perëndia kërkon në një besimtar është besimi që vepron me anë dashurie. Besimi është plotësisht vartësi tek Perëndia. Besimi nuk është sipërfaqësor; ai e shpreh veten në një shërbesë jo egoiste për Perëndinë dhe njeriun. Motivi i një shërbese të tillë është dashuria. Kështu besimi punon me anë dashurie; ai nxitet nga dashuria, jo nga ligji. Kjo është e vërteta që gjendet në Shkrimet – që Perëndisë nuk i interesojnë ritet, por realiteti i një jete të perëndishme.

5:7 Legalizmi është mosbindje ndaj së vërtetës. Galatasit patën një fillim të mirë në jetën e krishtere, por dikush i kishte penguar ata. Ishin Judaistët, legalistët, apostujt e rremë. Duke pranuar mësimet e tyre të gabuara, të shenjtët nuk po i bindeshin të vërtetës së Perëndisë.

5:8 Legalizmi nuk është një mësim hyjnor. Bindje këtu do të thotë besim ose doktrinë. Ai që ju thërret i referohet Perëndisë. Kështu besimi që rrethprerja dhe zbatimi i ligjit duhet t’i shtohen besimit në Krishtin nuk vjen nga Perëndia, por nga djalli.

5:9 Legalizmi të çon gjithnjë e më shumë tek djalli. Majaja në Shkrimet është një simbol i zakonshëm i së keqes. Këtu i referohet doktrinës së keqe të Judaistëve. Tendenca e natyrshme që ka majaja për të ndikuar gjithë brumin me të cilin bie në kontakt, është përdorur këtu për të treguar që pak gabim me siguri që të çon në më shumë. E keqja nuk rri kurrë në vend. Ajo duhet të mbrojë gënjeshtrat e saj duke shtuar gënjeshtra të tjera. Legalizmi është si hudhra; për të nuk mund të thuash pak. Nëse pak njerëz në një kishë mbështesin një doktrinë të rreme, ata do të mbledhin gjithnjë e më shumë pasues nëse nuk qortohen ashpër.

5:10 Legalizmi sjell gjykim mbi mësuesit e tij. Pali kishte besim që galatasit do t’i kundërshtonin mësimet e rreme. Besimi i tij ishte në Perëndinë, çfarë mund të nënkuptojë që Zoti i kishte dhënë siguri Palit në këtë çështje. Ose, duke e njohur Perëndinë ashtu si ai e njihte, ai ishte i sigurt që Bariu i Madh do ta ndreqte delen e Tij të humbur, ndoshta edhe me anë të Letrës që Pali ishte duke u shkruar atyre.

Përsa i përket mësuesve të rremë, ata do të dënoheshin nga Perëndia. Është një gjë serioze të mësosh të gabuarën e si rrjedhim të prishësh një kishë (1 Kor. 3:17). P.sh. është akoma më keq të mësosh që pija është e lejueshme sesa të jesh një pijanec vetë, pasi mësuesi i rremë i hap plagë të tjerëve ashtu si vetvetes.

5:11 Legalizmi i jep fund skandalit të kryqit. Pali tani i përgjigjet akuzës absurde që thotë se edhe ai dikur predikoi domosdoshmërinë e rrethprerjes. Ai është ende duke vuajtur persekutimet në duart e Judenjve. Ky persekutim do të ndalonte menjëherë nëse ai do të predikonte rrethprerjen, pasi do të thoshte që ai kishte braktisur predikimin e kryqit. Kryqi është një skandal për njeriun. Ai e skandalizon apo e pengon atë pasi i tregon atij që nuk ka asgjë që ai mund të bëjë për të fituar shpëtimin. Nuk i lë vend mishit dhe përpjekjeve të tij. Ai shqipton një fund të veprave njerëzore. Nëse Pali do të paraqiste veprat duke predikuar rrethprerjen, atëherë ai do të linte mënjanë gjithë kuptimin e kryqit.

5:12 Dëshira e apostullit që turbulluesit të mund të gjymtoheshin vetë, mund të kuptohet kështu: ai dëshiron që ata të ishin tredhur. Ata ishin të zellshëm në përdorimin e thikës për të rrethprerë të tjerët; le të përdorej thika tani për t’i bërë ata eunukë. Ndoshta është më e preferueshme t’i marrësh fjalët në kuptimin figurativ të tyre; me një fjalë, Pali dëshiron që mësuesit e rremë të priteshin nga mbledhja së bashku e galatasve.

Ungjilli i hirit është akuzuar gjithmonë që lejon njeriun të jetojë si të dojë. Njerëzit thonë: “Nëse shpëtimi është vetëm nëpërmjet besimit, atëherë nuk ka asnjë kontroll mbi sjelljen e mëpasshme të njeriut.” Por apostulli nxiton të tregojë që liria e krishtere nuk do të thotë një licencë për të mëkatuar. Standardi i besimtarit është jeta e Zotit Jezus dhe dashuria për Krishtin e nxit atë të urrejë mëkatin dhe të dojë shenjtërinë.

Ndoshta ishte veçanërisht e domosdoshme për Palin t’i lajmëronte lexuesit e tij kundër lirisë së tepërt. Kur njerëzit kanë qenë nën zinxhirët e ligjit për një kohë dhe më pas u sigurohet liria, gjithmonë ekziston rreziku i të shkuarit nga ekstremi i skllavërisë së tyre në atë të pakujdesisë. Balanca e duhur është ajo liri që shtrihet midis ligjit dhe lirisë së tepërt. I krishteri është i lirë nga ligji, por jo pa ligj.

5:13 Liria e krishtere nuk e lejon mëkatin; për më tepër ajo inkurajon një shërbesë me dashuri. Dashuria shihet si motivi i të gjithë sjelljes së krishtere, ndërsa nën ligj, motivi është frika e dënimit. Findlay thotë: “Skllevërit e dashurisë janë të lirët e vërtetë.”

Liria e të krishterit është në Krishtin Jezus (2:4) dhe kjo përjashton çdo mendim të mundshëm që mund të nënkuptojë liri për të mëkatuar. Ne s’duhet ta kthejmë kurrë lirinë tonë në një bazë veprimesh për mishin. Ashtu si një ushtri pushtuese do të kërkojë një pikëmbështetje dhe do ta përdorë atë si bazë veprimesh për një pushtim tjetër, kështu mishi do të shfrytëzojë pak liri për të zgjeruar territorin e tij.

Një dalje e duhur për lirinë tonë është kjo: “Bëjeni zakon të jeni skllevërit e njëri-tjetrit.”

A. T. Pierson thotë:

Liria e vërtetë gjendet vetëm në bindjen ndaj kufijve të caktuar. Një lumë gjen liri për të rrjedhur vetëm midis buzëve të tij, nëse këto nuk do të ekzistonin ai do të përhapej në një pellg të madh. Planetet, të pakontrolluar nga ligji do t’i sillnin shkatërrim vetes dhe universit. I njëjti ligj që na rrethon ne brenda, rrethon të tjerët jashtë; kufijtë që rregullojnë lirinë tonë, gjithashtu e sigurojnë dhe e mbrojnë atë. Nuk është kontrolli, por mënyra e duhur e kontrollit dhe një bindje e çiltër që krijon njeriun e lirë. {{21}}

5:14 Në fillim duket e çuditshme që Pali duhet të paraqisë ligjin këtu pas theksimit të tij në gjithë letrën ku thuhet se besimtari nuk është nën ligj. Ai nuk është duke u bërë thirrje dëgjuesve të kthehen në ligj; ai është duke treguar që ajo çfarë ligji kërkoi, por që nuk mund të prodhohej është pikërisht ajo gjë që rezulton nga liria e krishtere.

5:15 Legalizmi çon në mënyrë të pashmangshme në grindje dhe pikërisht këtë gjë kishte bërë në Galati. Sa e çuditshme! Këtu kishte njerëz që donin të ishin nën ligj. Ligji u kërkonte atyre të donin të afërmit e tyre. Por e kundërta kishte ndodhur. Ata kishin gjuajtur prapa shpine dhe kishin përpirë njëri-tjetrin. Kjo sjellje buron nga mishi, të cilit ligji i jep një vend dhe mbi të cilin ai vepron.

B. Fuqi për Shenjtëri (5:16-25)

5:16 Besimtari duhet të ecë sipas Frymës, jo sipas mishit. Të ecësh sipas (ose në) Frymës do të thotë ta lejosh Atë të bëjë punën e Tij. Të jesh në bashkësi me Të. Të marrësh vendime në dritën e shenjtërisë së Tij. Të merresh me Krishtin, pasi shërbesa e Frymës është ta lidhë besimtarin me Zotin Jezus. Kur ne ecim sipas Frymës, mishi ose jeta e vetvetes trajtohet si e vdekur. Ne nuk mund të merremi në të njëjtën kohë me Krishtin dhe me mëkatin.

Scofield thotë:

Problemi i jetës së krishtere është bazuar në faktin që për sa kohë që i krishteri jeton në këtë botë, ai është, si të thuash dy pemë – pema e vjetër e mëkatit dhe pema e re e natyrës hyjnore e mbjellë me anë të lindjes së re, dhe problemi në vetvete është, si ta mbash të tharë pemën e vjetër dhe ta bësh frytdhënëse pemën e re. Problemi zgjidhet duke ecur në Frymë. {{22}}

Ky varg dhe ato që vijnë më pas tregojnë që mishi është ende me të krishterin; ideja e asgjësimit të natyrës mëkatare hidhet poshtë.

5:17 Fryma dhe mishi janë në një konflikt të vazhdueshëm. Perëndia mund ta kishte hequr natyrën mishërore nga besimtarët në kohën e kthimit të tyre, por Ai nuk zgjodhi ta bëjë këtë gjë. Përse? Ai donte që t’i mbante gjithmonë ata në kujtimin e asaj që ata janë të dobët; t’i mbante të varur vazhdimisht në Krishtin, Priftin dhe Avokatin e tyre, dhe t’i bënte ata të lavdëronin pa pushim Atë që shpëtoi krimba të tillë. Në vend të heqjes së natyrës së vjetër, Perëndia na dha ne Frymën e Shenjtë për të banuar në ne. Fryma e Perëndisë dhe mishi ynë janë gjithmonë në luftë dhe do vazhdojnë të jenë në luftë derisa ne të merremi në shtëpi në qiell. Pjesa e besimtarit në këtë konflikt është t’i dorëzohet Frymës.

5:18 Ata që janë të drejtuar nga Fryma nuk janë nën ligj. Ky varg mund të nënkuptohet në dy mënyra: të udhëhequr nga Fryma është një përshkrim i të gjithë të krishterëve. Prandaj, asnjë i krishterë nuk është nën ligj; ata nuk mbështeten në përpjekjet e vetvetes. Është Fryma që i reziston lëvizjeve të të ligut brenda tyre, jo ata vetë. Gjithashtu, të udhëhiqesh nga Fryma do të thotë të ngrihesh mbi mish dhe të merresh me Zotin. Kur dikush është shumë i zënë, ai nuk mendon për ligjin apo mishin. Fryma e Perëndisë nuk i drejton njerëzit ta shohin ligjin si mënyrë për t’u shfajësuar. Për më tepër, Ai i drejton ata tek një Krisht i ringjallur si baza e vetme e pranimit përpara Perëndisë.

5:19-21 Ne kemi përmendur më parë që ligji bën thirrje drejt energjisë së mishit. Çfarë lloj veprash prodhon natyra e rënë njerëzore? Nuk ka vështirësi për të dalluar veprat e mishit. Ato janë të zbuluara. Kurorëshkelja {{23}} është mosbesnikëri në marrëdhëniet martesore. Kurvëria është një marrëdhënie seksuale e paligjshme. Ndyrësia është sjellje e paturpshme që përfshin mungesë të vetpërmbajtjes. Shthurja është sjellja e paturpshme pa vetkontroll. Idhujtaria nuk është vetëm adhurimi i idhujve, por gjithashtu imoraliteti që shoqëron adhurimin e demonëve. Magjia është shtrigëri, fjala greke që lidhet me ilaçet (pharmakeia). Për shkak se ilaçet përdoreshin në magji, fjala nënkupton bashkëpunim me frymëra të këqija, ose përdorimi i thënieve magjike. Mund të përfshijë gjithashtu supersticion, “fat i keq,” etj.. Armiqësimi është ndjenjat e forta të keqdashjes që drejtohen ndaj individëve të ndryshëm. Grindjet janë debate dhe zënie. Xhelozitë janë mosbesim, dyshime. Mëritë janë inat e zemërim që kemi me një tjetër. Zënkat janë grindje midis njerëzve duke përfshirë shpërthimin e mërisë apo pasioneve. Mëritë dhe zënkat shumë shpesh shkaktohen nga përpjekjet e vetes për të qenë i “pari” qoftë edhe në kurriz të dikujt tjetër. Përçarjet janë ndarje të shkaktuara nga mospërputhje mendimesh. Tarafet janë sekte të formuara nga njerëzit me opinione të formuara nga vetja e tyre. Smira është hidhërimi në suksesin apo përparimin e dikujt. Vrasjet {{24}} janë vrasjet e paligjshme të të tjerëve. Të dehurit i referohet toksikimit të brendshëm të formuar nga pije të forta. Grykësia është mbledhjet e harlisura për zbavitje e të shoqëruara me dehje.

Pali i paralajmëron lexuesit e tij, ashtu siç u kishte thënë më parë, që ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Pjesa nuk mëson që një pijanec nuk mund të shpëtohet, por thotë që jeta e atyre që karakterizohet nga lista e mësipërme e veprave të mishit nuk janë të shpëtuar. {{25}}

Përse duhet që Pali t’u shkruante në këtë mënyrë kishave të të krishterëve? Arsyeja është që jo të gjithë ata që thonë se janë të krishterë janë fëmijë të Perëndisë. Kështu në gjithë Dhjatën e Re, Fryma e Shenjtë shpesh ndjek paraqitjen e të vërtetave të mrekullueshme frymërore me paralajmërimet më solemne ndaj gjithë atyre që rrëfejnë emrin e Krishtit.

5:22,23 Është kuptimplote që apostulli bën ndarje midis veprave të mishit dhe frytit të Frymës. Veprat prodhohen nga energjia njerëzore. Fryti rritet kur dega qëndron në hardhi (Gjoni 15:5). Ato ndryshojnë siç ndryshon një fabrikë nga një kopësht. Vini re që fryt është në njëjës e jo në shumës. Fryma e Shenjtë prodhon një lloj fryti, që është ngjashmëri me Krishtin. Të gjitha virtytet që janë rreshtuar përshkruajnë jetën e një fëmije të Perëndisë. Dr. C. I. Scofield ka thënë që çdo njëra prej tyre është e huaj për tokën e zemrës njerëzore.

Dashuria është çfarë Perëndia është dhe çfarë ne duhet të jemi. Ajo është përshkruar mjaft bukur në 1 Korintasve 13 dhe është shpallur me gjithë plotësinë e saj në kryqin e Kalvarit. Gëzimi është kënaqësia me Perëndinë dhe me veprat e Tij. Krishti e shfaqi atë në Gjoni 4:34. Paqja mund të përfshijë paqen e Perëndisë si dhe lidhjen e harmonishme midis të krishterëve. Për paqen në jetën e Shpengimtarit shiko Lluka 8:22-25. Durimi është besnikëri në mesin e përpjekjeve, persekutimeve dhe mërzitjeve. Shembulli suprem i Tij gjendet në Lluka 23:34. Mirëdashja është butësia, e shprehur më së miri në qëndrimin e Zotit ndaj fëmijëve në Marku 10:14. Mirësia është dashamirësia e treguar ndaj të tjerëve. Për të parë mirësinë në veprim na duhet të lexojmë Llukën 10:30-35. Besnikëri mund të nënkuptojë besim tek Perëndia, besim në vëllezërit tanë të krishterë, përpikmëri apo mbështetje. Kjo e fundit mund të jetë kuptimi këtu. Zemërbutësia është marrja e vendit më të ulët ashtu siç bëri Jezusi kur pastroi këmbët e dishepujve (Gjoni 13:1-17). Vetkontroll do të thotë të përmbash veten, veçanërisht përsa i përket seksit. Jetët tona duhet të jenë të disiplinuara. Pasionet, orekset dhe epshi duhet të kontrollohen. Ne duhet të praktikojmë përmbajtje. Ashtu siç ka shkruar Samuel Chadwick:

Në gjuhën e përditshme vargu lexohet kështu: fryti i Frymës është një prirje e dashur; një shpirt i rrezatueshëm dhe një temperament i gëzueshëm; një mendje e qetë dhe një sjellje e qetë; një durim vetëpërmbajtës në rrethana provokuese dhe me njerëz të mërzitshëm; një mprehtësi dashamirëse dhe një ndihmesë e matur; gjykim bujar dhe një bamirësi shpirtmadhe; besnikëri dhe mbështetje në çdo rrethanë; përulësi që harron veten në gëzimin e të tjerëve; në çdo gjë i vetëkontrolluar, që është dhe shenja e fundit e përsosmërisë. Sa e dukshme është kjo në lidhje me 1 Korintasve 13! {{26}}

Pali e mbyll këtë listë me komentin e zgjuar: “Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.” Sigurisht që jo! Këto virtyte janë të kënaqshme për Perëndinë, në dobi të të tjerëve dhe të mira për veten tonë. Por si prodhohet ky fryt? A është nga përpjekjet e njeriut? Aspak. Ai prodhohet kur të krishterët jetojnë në bashkësi me Zotin. Kur ata vështrojnë Shpëtimtarin me dashuri dhe përkushtim, dhe i binden Atij në jetën e përditshme, Fryma e Shenjtë bën një mrekulli të përsosur. Ai i transformon ata në ngjashmëri me Krishtin. Ata bëhen si Ai duke e soditur Atë (2 Kor. 3:18). Ashtu si dega merr të gjithë ushqimin e saj nga hardhia, kështu besimtari në Krishtin e merr fuqinë nga Hardhia e Vërtetë dhe është kështu në gjendje të jetojë një jetë të frytshme për Perëndinë.

5:24 Ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin. Koha {{27}} e foljes këtu tregon diçka që ka ndodhur në të kaluarën. Diçka që ndodhi në kohën e kthimit tonë. Kur ne u penduam, ekzistonte një ndjenjë në të cilën ne gozhduam natyrën e vjetër, të korruptuar dhe të keqe në kryq, me gjithë epshet dhe pasionet. Ne vendosëm që ne nuk do të jetonim më për të ushqyer natyrën tonë të rënë, që ajo të mos kryesonte më. Sigurisht ky vendim duhet të rinovohet vazhdimisht në jetën tonë. Ne duhet ta mbajmë vazhdimisht mishin në vendin e vdekjes.

5:25 Fjala nëse këtu mban kuptimin e “përderisa.” Përderisa kemi jetë të përjetshme nëpërmjet punës së Frymës së Shenjtë në ne, le të jetojmë jetën e re me anë të fuqisë së të njëjtit Frymë. Ligji s’mund të japë kurrë jetë dhe kurrë s’është menduar të ishte rregulli i jetës për një të krishterë.

C. Këshilla praktike. (5:26-6:10)

5:26 Në këtë varg ka tre qëndrime që duhen shmangur:

  1. Mburrja – Le të mos jemi mburravecë, pra të mos mbahemi pas një opinioni të rremë ose bosh për vetveten. Perëndia nuk do që të krishterët të jenë mburravecë të fryrë; kjo gjë nuk përputhet me të qenurit një mëkatar i shpëtuar me anë të hirit. Njerëzit që jetojnë nën ligj shpesh bëhen krenarë të arritjeve të tyre të mjera dhe tallin ata që nuk arrijnë në standardet e tyre. Të krishterët ligjëzues shpesh përbuzin të krishterët e tjerë që nuk kanë të njëjtën listë të kufizimeve që ata dënojnë.

  2. Provokimi – Duke provokuar njëri-tjetrin. Provokimi apo sfida që u bëhet të tjerëve për t’u matur me pikëpamjet private të dikujt, është një mohim i jetës të mbushur me Frymë. Askush nuk mund të dijë problemet dhe tundimet e zemrës së një personi tjetër nëse s’ka ecur kurrë në këpucët e tij.

  3. Smira – Duke pasur smirë njëri-tjetrin. Smira është veçanërisht mëkati i të dëshiruarit të diçkaje që i përket dikujt tjetër. Smira ka zili suksesin e një personi tjetër, talentet, pronat ose mirëqenien. Personat që kanë pak talente apo që kanë një karakter të dobët janë të prirur për të patur smirë ata që duken se janë ligj-zbatues më të mirë. Qëndrime të tilla janë të huaja për hirin. Një besimtar i vërtetë duhet t’i vlerësojë të tjerët më shumë se veten. Ata që zbatojnë ligjin kërkojnë lavdi të rreme. Madhështia e vërtetë është të shërbesh pa u vënë re, të punosh pa u parë.

6:1 Këtu është një shprehje e dashur se si duhet të trajtohet nga të krishterët e tjerë një besimtar që mëkaton. Sigurisht që është në një kontrast të thellë me ligjin i cili kërkon gjykim mbi fajtorët. Të biesh në ndonjë faj, përshkruan një njeri që ka kryer një mëkat dhe jo një që është zakonisht mëkatar. Me një person të tillë duhet të merren të krishterët frymërorë. Një i krishterë mishëror mund të bëjë më shumë keq sesa mirë. Gjithashtu edhe shkelësi nuk do të pranonte një këshillë nga dikush që nuk është në bashkësi me Zotin.

Ky varg ngre një pyetje interesante. Nëse një njeri është me të vërtetë frymëror, a duhet ta pranojë atë? A nuk janë ata që janë më frymërorë më të vetëdijshmit për shkeljet e tyre? Atëherë kush do të bënte punën e restaurimit, nëse duke bërë këtë gjë ai do të vlerësohet si një njeri frymëror? A nuk do të tradhëtonte një mungesë modestie? Përgjigjja është kjo: Një njeri i vërtetë frymëror nuk do të mburrej kurrë për kushtet e tij, por ai ka një zemër të butë të një bariu, duke e bërë atë të dojë të rregullojë shkelësin. Ai nuk do të veprojë në një frymë krenarie apo superioriteti, por në një frymë butësie, duke kujtuar që ai gjithashtu mund të tundohet.

6:2 Barrët i referohet dështimeve, tundimeve, sprovave. Në vend të të qëndruarit larg në një distancë dhe të të qortuarit, ne duhet të fluturojmë në anën e një vëllai në hall dhe ta ndihmojnë atë në çdo mënyrë të mundshme.

Ligji i Krishtit përfshin të gjitha urdhëresat e Zotit Jesus për njerëzit e Tij në Dh.R.. Ai mund të përmblidhet nga urdhëresa, “që ta doni njëri-tjetrin” (Gjo. 13:34; 15:12). Ne e përmbushim këtë kur mbajmë barrët e njëri-tjetrit. Ligji i Krishtit është shumë ndryshe nga ai i Moisiut. Ligji i Moisiut premtoi jetë në rast bindjeje, por nuk dha fuqi për t’u bindur dhe vetëm sa mund të inkurajonte bindje me anë të frikës së dënimit. Ligji i Krishtit, nga ana tjetër, është një udhëzim dashurie për ata që e kanë tashmë jetën. Besimtarët janë në gjendje të zbatojnë principet e tij nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe motivi i tyre është dashuria ndaj Krishtit.

6:3 Ne të gjithë jemi bërë nga i njëjti pluhur. Kur shohim një vëlla në mëkat, ne duhet të kujtojmë që mund të kishim qenë ne. Nëse një i krishterë mendon se është më superior se të tjerët, ai mashtron veten. Sigurisht që ne nuk duhet të mendojmë kurrë që mbajtja e barrës së tjetrit është nën dinjitetin tonë.

6:4 Ky duket se është një paralajmërim kundër zakonit të të krahasuarit të vetes sonë me të tjerët dhe kështu gjejmë një shkak për vetëkënaqësi. Apostulli tregon që ne do të shqyrtohemi individualisht dhe jo duke u krahasuar me të tjerët kur të dalim përpara gjykimit të Krishtit. Prandaj, ne duhet të tregohemi të kujdesshëm që të jemi në gjendje të gëzohemi më tepër në veprën tonë sesa në dështimin e të tjerëve.

6:5 Në vargun 2 Pali mëson që ne duhet të jemi pjestarë në hidhërimet e të tjerëve, në vuajtjet dhe në problemet e kësaj jete. Në vargun 5, mendimi është që secilit nga ne do të mbajë barrën e vet të përgjegjësisë në Fronin Gjykues të Krishtit.

6:6 Besimtarët janë përgjegjës të mbajnë dhe mbështesin mësuesit e tyre të krishterë. Ta bëjë pjestar të të gjitha të mirave të tij, do të thotë të ndash me ta të mirat materiale të jetës dhe gjithashtu t’i mbështesësh ata me lutje dhe me një interesim të perëndishëm.

6:7 Megjithëse të tjerët mund të mos e shohin lënien pas dore nga ana jonë të shërbëtorëve të Perëndisë, Ai e sheh këtë gjë dhe jep një shpërblim sipas asaj. Ne korrim atë që mbjellim, dhe korrim më tepër sesa mbjellim. Kur bujku mbjell grurë, ai korr grurë, ndonjëherë 30 fish, 60 fish ose 100 fish. Scofield shënon që: “Fryma këtu nuk u flet mëkatarëve për mëkatet e tyre, por shenjtorëve për lakminë e tyre.”

Sigurisht që është e vërtetë në një kuptim më të gjerë që “ata që lërojnë paudhësinë, mbjellin mjerimin” (Jobi 4:8) dhe që ata që “mbjellin erë do të korrin furtunë” (Osea 8:7). Historiani, J. A. Froude tha: “Një mësim, dhe vetëm një, historia mund të thuhet se përsëritet me përpikmëri, që bota është ndërtuar disi mbi themele morale, që në vrapimin e gjatë është mirë me të mirin dhe keq me të keqin.” {{28}}

6:8 Megjithëse është e vërtetë në një kuptim të përgjithshëm që ne korrim atë që mbjellim, duhet vënë re që ky kujtim pasohet nga një thirrje mbi dhënien e krishtere. E parë në këtë këndvështrim, ne shohim që të mbjellurit në mish do të thotë të harxhosh paratë për vetveten, për kënaqësitë dhe rehatinë tënde. Të mbjellësh në Frymë do të thotë t’i përdorësh paratë e tua për interesin e Perëndisë.

Ata që bëjnë të parën korrin zhgënjim dhe humbje pikërisht këtu në tokë sepse mësojnë ndërsa koha kalon që mishi për të cilin ata jetuan prishet dhe vdes. Dhe në jetën që vjen ata humbin shpërblimet e përjetshme. Ata që mbjellin për Frymë do të korrin nga Fryma jetë të përjetshme. Ka dy mënyra në Bibël në të cilat është përdorur fjala jetë e përjetshme: (1) Është zotërimi që ka tani çdo besimtar (Gjoni 3:36); (2) Është ajo çfarë besimtari do të marrë në fund të jetës këtu në tokë (Rom. 6:22). Ata që mbjellin për Frymën gëzojnë jetën e përjetshme këtu dhe tani në një mënyrë që të krishterët e tjerë nuk e gëzojnë. Gjithashtu ata do të korrin shpërblimet që shoqërojnë besnikërinë kur ata do të arrijnë shtëpinë e tyre qiellore.

6:9 Që dikush të mos dekurajohet, Pali u kujton lexuesve të tij që shpërblimet janë të sigurta, edhe pse jo të menjëhershme. Ju nuk korrni një fushë një ditë pasi e keni mbjellë. Kështu në fushën frymërore, shpërblimet sigurisht ndjekin mbjelljen besnike në kohën e vet.

6:10 Familja e besimit përfshin ata që janë të shpëtuar, pa ndarje apo sekte. Mirësia jonë nuk duhet të kufizohet për besimtarët, por duhet t’u tregohet atyre në një mënyrë të veçantë. Objektivi ynë nuk duhet të jetë negativ – d.m.th. sa pak dëm mund të bëjmë, por pozitiv – sa shumë mirë mund të bëjmë. John Wesley tha në mënyrë të përmbledhur: “Bëni të gjithë të mirën që mundeni, në të gjitha mënyrat që mundeni, tek të gjithë njerëzit që mundeni, sa më shumë që të mundeni.”

D. Përfundim (6:11-18)

6:11 Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju kam shkruar me dorën time! Në vend që t’ia diktonte ndonjërit, ashtu siç bënte shpesh, Pali e kishte shkruar vetë letrën. Shkronjat e mëdha me të cilat ai shkroi mund të kenë treguar ndjenjën e tij të thellë që luftonte kundër ligjëruesve dhe se sa serioz e kishte konsideruar ai gabimin e Judaistëve, ose që shikimi i Palit ishte i dobët, siç e kanë sugjeruar disa. Ne mendojmë që këndvështrimi i dytë është i saktë.

6:12 Judaistët donin të dukeshin të mirë në mish, duke formuar një grup të madh pasuesish. Ata mund ta bënin këtë gjë duke ngulur këmbë në rrethprerjen. Shpesh njerëzit dëshirojnë të kremtojnë rite dhe ceremoni përsa kohë u kërkohet të mos ndryshojnë zakonet e tyre. Sot është e zakonshme ndërtimi i kishave me një anëtarësi të madhe duke zbutur standardet. Pali sheh përtej pasinqeritetit të këtyre mësuesve të rremë dhe i akuzon ata që kërkonin të shmangnin përndjekjen për kryqin e Krishtit. Kryqi nënkupton dënimin e mishit dhe përpjekjeve të tij për t’i pëlqyer Perëndisë. Kryqi shqipton vdekje për natyrën mishërore dhe përpjekjet e tij fisnike. Kryq do të thotë ndarje nga i ligu. Prandaj njeriu e urren mesazhin e lavdishëm të kryqit dhe i persekuton ata që e predikojnë atë.

6:13 Legalistët në të vërtetë nuk ishin të interesuar në zbatimin e ligjit. Ajo që ata dëshironin ishte një rrugë e thjeshtë për të fituar të kthyer, kështu që ata të mburreshin me një listë të mbushur me njerëz. Boice thotë: “Ishte një përpjekje për të fituar të tjerët në atë që ishte në vetvete një falimentim; pasi edhe ata që ishin të rrethprerë nuk ishin në gjendje të zbatonin ligjin.”

6:14 Mburrja e Palit nuk është në mishin e njeriut, por në kryqin e Zotit tonë Jezus. Në atë kryq bota vdiq për Palin dhe Pali për botën. Kur një njeri shpëtohet, bota i thotë atij lamtumirë dhe ai i thotë botës të njëjtën gjë. Ai është indiferent përsa i përket botës sepse ai nuk është më i interesuar në kënaqësitë e saj; bota e ka humbur tërheqjen për të, sepse ai ka gjetur Dikë që kënaq plotësisht. Findlay thotë: “Ai s’mund të besojë më kurrë në të, kurrë s’mund të krenohet me të dhe as ta nderojë atë më. Ajo është zhveshur nga lavdia dhe nga fuqia e saj për ta joshur apo për ta drejtuar atë.” Kështu kryqi është një pengesë apo një vijë ndarëse midis botës dhe fëmijës së Perëndisë.

6:15 Megjithëse në pamje të parë mund të mos duket kështu, ky varg është një nga thëniet më të rëndësishme të së vërtetës së krishtere në gjithë letrën.

Rrethprerja ishte një kremtim i jashtëm, një ritual. Mësuesit Judenj e bënë çdo gjë të varej në kremtimin e kësaj ceremonie. Rrethprerja ishte themeli i Judaizmit. Pali e fshin atë me një thënie – “rrethprerja nuk është asgjë.” As ritet, as Judaizmi dhe as legalizmi nuk vlen. E më pas Pali shton – as parrethprerja. Ka njerëz që e mburrin vetveten në mungesë të riteve. Gjithë shërbesa e tyre kishtare është një revoltë kundër ceremonive. As kjo nuk ka ndonjë vlerë.

Ajo që vlen për Perëndinë është krijesa e re. Ai dëshiron të shohë një jetë të transformuar. Findlay shkruan: “Krishterimi i vërtetë është ai që e kthen njeriun e lig në të mirë, ai që transformon skllavin në bir të Perëndisë.” Të gjithë njerëzit janë në një nga dy krijimet. Si të lindur në botë ata janë mëkatarë, të pashpresë dhe të dënuar. Të gjitha përpjekjet për të shpëtuar vetveten, ose për të ndihmuar Perëndinë në shpëtimin e tyre me anë të karakterit të mirë apo veprave të mira, janë boshe dhe i lënë ata të pandryshuar. Krijesa e re drejtohet nga Krishti i ringjallur dhe përfshin gjithë ata që janë shfajësuar nga mëkati dhe që u është dhënë një jetë e re në Të. Ngaqë krijesa e re është e gjitha e Krishtit nga fillimi deri në fund, ajo lë jashtë çdo mendim të të fituarit të dashamirësisë së Perëndisë nëpërmjet karakterit të veprave. Një jetë e shenjtërisë vjen si rezultat, jo nga kremtimet e riteve, por nga dorëzimi tek Krishti dhe nga lejimi që i bëhet Atij për të drejtuar jetën e besimtarit. Krijesa e re nuk është një përmirësim apo një shtesë tek e vjetra, por diçka krejtësisht e re.

6:16 Për çfarë rregulli po flet Pali këtu? Është rregulli i krijimit të ri. Ai shpall bekimin e dyfishtë të paqes dhe mëshirës mbi ata që gjykojnë të mësuarit me anë të pyetjes – “a është nga krijimi i ri?” – dhe, pastaj hedhin poshtë mësime që nuk janë nga krijimi i ri.

Edhe për Izraelin e Perëndisë. Shumë kanë menduar se i është drejtuar Kishës. Megjithatë, Izraeli i Perëndisë i referohet atyre Judenjve që e pranojnë Zotin Jezus si Mesia. Nuk kishte as paqe dhe as mëshirë për ata që ecnin nën ligj, por që të dyja janë pjesë e atyre që janë në krijimin e ri.

6:17 Pali, dikur skllav i mëkatit, ishte çliruar nga ajo skllavëri nëpërmjet Zotit Jezus. Tani, me plot vullnet, ai i përkiste Zotit si një shërbëtor. Ashtu si skllevërit damkoseshin me shenjën e zotërisë së tyre, kështu Pali në trupin e tij kishte shenjat që i përkiste Zotit Jezus. Cilat ishin ato? Ato ishin plagët që ai kishte marrë nga duart e persekutorëve. Tani ai thotë: “asnjë të mos më trazojë. Asnjë të mos më flasë për shenjën e rrethprerjes, që tregon skllavëri ndaj ligjit. Unë kam veshur damkën e Zotërisë tim të ri, të Jezus Krishtit.”

6:18 Tani apostulli është gati për të lënë lapsin e tij. Por ai duhet ta mbyllë më një fjalë shtesë. Cila është ajo? HIR – është fjala që karakterizon Ungjillin e tij. Hir dhe jo ligj. Ishte tema me të cilën ai filloi (1:3); është tema me të cilën ai e mbyll. Hiri i Zotit tonë Jezus Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.

MBI LEGALIZMIN

Duke përfunduar një studim mbi Galatasit dikush mund të thotë që Pali i ka mundur mësuesit e legalizmit në një mënyrë kaq efektive saqë ai problem nuk do ta shqetësonte më Kishën. Por Historia dhe eksperienca provojnë të kundërtën! Legalizmi është bërë një pjesë aq e rëndësishme e Krishterimit saqë shumica e njerëzve aktualisht besojnë që i përket me të vërtetë atij.

Po, legalistët janë ende me ne. Çfarë tjetër mund t’i quajmë këta shërbëtorë të shpallur të Krishtit që mësojnë, p.sh., që pagëzimi apo anëtarësia në një kishë janë të domosdoshme për shpëtim; që ligji është rregulli i jetës së besimtarit; që ne jemi të shpëtuar nga besimi, por mbahemi nga veprat? Çfarë është tjetër përveç se Judaizëm i sjellë mbi Krishterim kur ne na kërkohet të pranojmë një priftëri të caktuar nga njerëz me veshjen e tij të veçantë, ndërtesa si tempuj me altaret e tyre të skalitur dhe ritualet e stërholluara dhe një kalendar kishe me festat, agjërimet dhe stinët e Kreshmeve?

Dhe çfarë është tjetër përveçse herezisë së galatasve kur besimtarët paralajmërohen se duhet të respektojnë Shabatin nëse duan të shpëtohen përfundimisht? Predikuesit modernë të legalizmit janë duke bërë depërtime të tmerrshme midis atyre që shpallin besim tek Krishti dhe për këtë arsye çdo besimtar duhet paralajmëruar për mësimet e tyre dhe duhet të udhëzohen si t’u përgjigjen atyre.

Profetët e Shabatit zakonisht fillojnë duke predikuar Ungjillin e shpëtimit nëpërmjet besimit tek Krishti. Ata përdornin himne të dashura ungjillizuese për të joshur të pakujdesshmin dhe duken sikur vendosin theksin e tyre mbi Shkrimet. Por para se të kalojë shumë kohë, ata i vendosin ndjekësit e tyre nën Ligjin e Moisiut, veçanërisht nën urdhëresën e respektimit të Shabatit. (Shabati është dita e shtatë e javës ose e shtuna).

Si guxojnë ata ta bëjnë këtë gjë në dritën e mësimit të qartë të Palit që thotë se i krishteri është i vdekur për ligjin? Përgjigjja është që ata bëjnë një ndarje të mprehtë midis ligjit moral dhe atij ceremonial. Ligji moral është dhjetë urdhëresat. Ligji ceremonial përfshin rregullat e tjera të dhëna nga Perëndia, si p.sh. rregullat në lidhje me ushqimet e papastra, lebrën, ofertat drejtuar Perëndisë dhe kështu me radhë.

Ata thonë që ligji moral nuk është hequr kurrë. Ai është një shprehje e së vërtetës së brendshme të Perëndisë. Ligji ceremonial, megjithatë, është hequr në Krishtin. Prandaj ata nxjerrin përfundimin që kur Pali na mëson që i krishteri është i vdekur për ligjin, ai flet për ligjin ceremonial dhe jo për Dhjetë Urdhëresat.

Përderisa ligji moral është ende i efektshëm, të krishterët janë të detyruar ta zbatojnë atë. Kjo do të thotë që ata nuk duhet të punojnë në atë ditë. Ata pohojnë që një nga papat e Kishës Katolike Romake urdhëroi ndryshimin nga kremtimi i Shabatit në kremtimin e të dielës, një dhunim akoma më i madh i Shkrimeve.

Ky arsyetim duket sikur tingëllon i logjikshëm. Megjithatë, cilësia e tij e madhe dënuese është që ai është plotësisht në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë! Vini re pikat e mëposhtme:

  1. 2 Kor. 3:7-11, është thënë që Dhjetë Urdhëresat janë “anuluar” për besimtarin në Krishtin. Në vargun 7, ligji është përshkruar si “shërbimi i vdekjes, i gdhendur me shkronja mbi gurë.” Kjo mund të nënkuptojë vetëm ligjin moral, jo atë ceremonial. Vetëm Dhjetë Urdhëresat u shkruan në gur nga gishti i Perëndisë (Eksodi 31:18). Në vargun 11, ne lexojmë që shërbimi i vdekjes, edhe pse i lavdishëm, u anulua. Asgjë nuk mund të jetë më vendimtare se kaq. Shabati nuk ka çfarë kërkon mbi të krishterin.
  2. Asnjë Johebre nuk ishte urdhëruar të respektonte Shabatin. Ligji i ishte dhënë vetëm kombit të Izraelit (Eks. 31:13). Megjithëse vetë Perëndia pushoi ditën e shtatë, Ai nuk urdhëroi askënd të bënte një gjë të tillë derisa dha ligjin tek fëmijët e Izraelit.

  3. Të krishterët nuk e bënë kalimin nga Shabati në ditën e parë të javës për shkak të dekretit të ndonjë pape. Ne lamë mënjanë ditën e Zotit në një mënyrë të veçantë për adhurim dhe për shërbesë sepse Zoti Jezus u ringjall prej së vdekurish në atë ditë, një provë që tregon se vepra e shpengimit ishte kryer (Gjo. 20:1). Gjithashtu në atë ditë dishepujt e hershëm takoheshin për të thyer bukën, duke përkujtuar vdekjen e Zotit (Veprat e Apostujve 20:7) dhe ishte dita e caktuar nga Perëndia që të krishterët të linin mënjanë ofertat ashtu si Zoti i kishte bekuar ata (1 Kor. 16:1,2). Për më tepër Fryma e Shenjtë ishte dërguar nga qielli në ditën e parë të javës.

Të krishterët nuk “kremtojnë” Ditën e Zotit si një mënyrë për të arritur shenjtëri ose nga frika e dënimit; ata e bëjnë atë për shkak të përkushtimit me dashuri ndaj Atij që dha Veten e Tij për ta.

  1. Pali nuk bën ndarje midis ligjit moral dhe atij ceremonial. Për më tepër ai ngul këmbë që ligji është një i vetëm dhe që mallkimi qëndron mbi ata që kërkojnë të fitojnë drejtësi me anë të tij, por që përsëri dështojnë në zbatimin e tij të plotë.
  2. Nëntë nga Dhjetë urdhëresat janë përsëritur në Dh.R. si udhëzime morale për fëmijët e Perëndisë. Ato merren me gjëra që janë në mënyrë karakteristike mirë apo gabim. Urdhëresa që është lënë jashtë është ligji i Shabatit. Respektimi i një dite nuk është nga natyra mirë apo gabim. Nuk ka porosi për të krishterët të respektojnë Shabatin. Për më tepër Shkrimi thotë në mënyrë të qartë që i krishteri nuk mund të dënohet nga dështimi i respektimit të tij! (Kol. 2:16)

  3. Dënimi për shkeljen e Shabatit në Dh.V. ishte vdekja (Eks. 35:2). Por ata që ngulin këmbë që besimtarët duhet të respektojnë Shabatin sot nuk zbatojnë dënimin e shkelësit. Ata kështu çnderojnë ligjin dhe shkatërrojnë autoritetin e tij duke dështuar të ngulin këmbë në atë që kërkesat e tij duhen plotësuar. Ata thonë në të vërtetë, “Ky është ligji i Perëndisë dhe ju duhet ta zbatoni, por nëse e thyeni asgjë nuk do t’ju ndodhë.”

  4. Krishti, dhe jo ligji, është rregulli i jetës për një besimtar. Ne duhet të ecim ashtu siç eci Ai. Ky është madje një standard më i lartë nga ai i vendosur nga ligji (Mat. 5:17-48). Ne jemi të fuqizuar për të jetuar një jetë të shenjtë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ne duam të jetojmë jetë të shenjta për shkak të dashurisë që kemi për Krishtin. Drejtësia e kërkuar nga ligji përmbushet nga ata që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës (Rom. 8:4).

Kështu të mësuarit që të krishterët duhet të respektojnë Shabatin është drejtpërsëdrejti në kundërshtim me Shkrimet (Kol. 2:9) dhe është thjesht një “ungjill tjetër” përmbi të cilin Perëndia shqipton një mallkim (Gal. 1:7, 9).

Secilit iu dhëntë dituri nga Perëndia për të dalluar doktrinën e ligë të legalizmit në çfarëdo forme që të shfaqet! Le të mos kërkojmë kurrë shfajësim apo shenjtërim nëpërmjet ceremonive njerëzore apo përpjekjeve njerëzore, por të varemi plotësisht dhe vetëm në Zotin Jezus për çdo nevojë. Gjithashtu le të kujtojmë gjithmonë që legalizmi është një fyerje ndaj Perëndisë, sepse zëvendëson hijen për Realitetin – ceremoninë për Krishtin.

[[19]] (5:2) Jack Hunter, What the Bible teaches, Galatians – Philemon, fq. 74.[[19]] [[20]] (5:4) C. F. Hogg dhe W. E. Vine, Epistle of Paul to the Galatians. fq. 241[[20]] [[21]] (5:13) Arthur T. Pierson.[[21]] [[22]] (5:16) C. H. Scofield, In Many Pulpits with Dr. C. I. Scofield, fq. 234[[22]] [[23]] (5:19-21) Teksti Kritik lë jashtë fjalën kurorëshkelje. Fjala kurvëri (porneia) shpesh është përkthyer imoralitet seksual, gjë që mund të përfshijë edhe kurorëshkelje. Megjithatë, është e pamundshme që Pali do ta linte jashtë listës së ligësive të mishit këtë mëkat të besnikërisë martesore.[[23]] [[24]] (5:19-21) Teksti kritik lë jashtë fjalën vrasës (phonoi). Përderisa ngjan me fjalën përpara smirë mund të lihet kollaj jashtë tekstit kur u kopjua.[[24]] [[25]] (5:19-21) Shiko shënimin mbi 1 Kor. 6:9.[[25]] [[26]] (5:22,23) Samuel Chadwick. U citua nga James A. Stewart, Pastures of Tender Grass, fq. 253.[[26]] [[27]] (5:24) Përkthimi është dhënë në kohën e tashme të kryer, por theksimi është mbi veprimin dhe jo mbi rezultatet.[[27]] [[28]] (6:7) J. A. Froude.[[28]]
BIBLIOGRAFI

Cole, Alan. The Epistle of Paul to the Galatians. Grand Rapids: Wm. B. Erdmans Publishing Company, 1965.

Eadie, John. Commentary on the Epistle of Paul to the Galatians. Edinburg: T. and T. Clark, 1884.

Harrison, Norman B. His Side Versus Our Side. Minneapolis: The Harrison Service, 1940.

Hogg, C. F., and W. E. Vine. Epistle to the Galatians. Glasgow: Pickering and Inglis, 1922.

Ironside, Harry A. Expository Messages on the Epistle of the Galatians. New York: Loizeaux Brothers, 1941.

Kelly, William. Lectures on the Epistle of Paul the Apostle to the Galatians. London: G. Morrish.

Lightfoot, J. B. The Epistle of Paul to the Galatians. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, 1962.

Macintosh, C.H., Genesis to Deuteronomy, Neptune, N.J.: Loizeaux Bros.

Stott, John. R. Only One Way: The Message of Galatians. Downers Grove. IL: Inter-Varsity Press, 1968.


[previous][next]