Viti i parë i shërbesës së Birit të Perëndisë (Gjoni 1:19-4:54)

A. Dëshmia e Gjon Pagëzorit (1:19-34)

1:19 Kur në Jerusalem mbërriti lajmi që një burrë i quajtur Gjon po i thoshte kombit të pendohej sepse Mesia po vinte, Judenjtë dërguan një grup priftërinjsh dhe levitësh për zbuluar se kush ishte ky njeri. Priftërinjtë ishin ata që kryenin shërbesa të rëndësishme në tempull, ndërkohë që Levitët ishin shërbëtorë që kryenin detyra të zakonshme aty. “Kush je ti?,” pyetën ata. “A je ti Mesia i shumëpritur?”
1:20 Njerëz të tjerë mund ta kishin kapur këtë mundësi për të fituar famë duke shpallur se ishin Krishti. Por Gjoni ishte një dëshmitar besnik. Dëshmia e tij thoshte se ai nuk ishte Krishti (Mesia).
1:21, 22 Judenjtë prisnin që Elia të kthehej në tokë përpara ardhjes së Krishtit (Mal. 4:5). Kështu që ata arsyetonin duke menduar se nëse Gjoni nuk ishte Mesia, atëherë ai ishte Elia. Por Gjoni i siguroi ata duke u thënë se ai nuk ishte Elia. Në Ligji i Perterire 18:15, Moisiu kishte thënë, “Zoti Perëndia yt do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu, atë keni për ta dëgjuar.” Judenjtë mbanin mend këtë parashikim dhe menduan se Gjoni mund të ishte profeti për të cilin fliste Moisiu. Por përsëri Gjoni tha që nuk ishte kështu. Delegacioni mund të kishte turp të kthehej në Jerusalem pa një përgjigje të saktë, dhe kështu i kërkuan Gjonit një thënie për të treguar se kush ishte ai.
1:23 Ai tha “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë.” Në përgjigje ndaj pyetjes së tyre, Gjoni citoi nga Isaia 40:3, ku ishte profetizuar që një pararendës do të shfaqej për të shpallur ardhjen e Krishtit. Me fjalë të tjera, Gjoni tha se ai ishte pararendësi për të cilin ishte profetizuar. Ai ishte zëri dhe Izraeli ishte shkretëtira. Për shkak të mëkatit dhe ndarjes së tyre nga Perëndia, njerëzit ishin bërë të thatë dhe të shkretë si një shkretëtirë. Gjoni e quajti vetveten thjesht një zë. Ai nuk u shfaq si një njeri i madh i cili kërkonte admirim dhe lavdi, por si një – për të mos u parë, por vetëm për t’u dëgjuar. Gjoni ishte zëri, por Krishti ishte Fjala. Fjala ka nevojë për një zë që të njihet dhe zëri nuk ka vlerë pa një fjalë. Fjala është pafundësisht më e madhe se zëri, por mund të jetë privilegji ynë gjithashtu, që të jemi një zë për Të.
Mesazhi i Gjonit ishte, “drejtoni udhën e Zotit.” Me fjalë të tjera, “Mesia po vjen. Hiqni çdo gjë nga jeta juaj që do t’u pengojë për të mos e pranuar Atë. Pendohuni nga mëkatet tuaja, që Ai të mund të vijë dhe të mbretërojë mbi ju si mbreti i Izraelit.”
1:24, 25 Farisenjtë formonin një sekt strikt të Judenjve që mburreshin me njohurinë për ligjin dhe me përpjekjet e tyre për të zbatuar edhe gjërat më të imta të DhV. Në të vërtetë, shumë prej tyre ishin hipokritë të cilët përpiqeshin të dukeshin fetarë, por që jetonin në mëkat. Ata donin të dinin çfarë autoriteti kishte Gjoni për të pagëzuar, nëse nuk ishte një nga personat e rëndësishëm që ata përmendën.
1:26, 27 “Unë pagëzoj me ujë,” tha Gjoni. Ai nuk donte që asnjë prej njerëzve të mendonte se ishte i rëndësishëm. Detyra e tij ishte thjesht të përgatiste njerëzit për ardhjen e Krishtit. Kur dëgjuesit e tij pendoheshin për mëkatet e tyre, ai i pagëzonte në ujë si një simbol i jashtëm i ndryshimit të tyre të brendshëm. “Midis jush është një që ju nuk e njihni,” vazhdoi të thoshte Gjoni, duke iu referuar padyshim Jezusit. Farisenjtë nuk e njohën Atë si Mesia i shumëpritur. Në fakt, Gjoni ishte duke u thënë farisenjve, “Mos më shikoni mua si njeri të madh. Ai të cilit ju duhet t’i kushtoni vëmendje është Zoti Jezus; e përsëri ju nuk e njihni se kush është Ai në të vërtetë.” Ai është i Denji. Ai erdhi pas Gjon Pagëzorit, e përsëri Ai meriton gjithë lavdinë dhe parësinë. Ishte detyra e një shërbëtori ose skllavi të zgjidhte lidhësen e sandaleve. Por Gjoni nuk e konsideroi veten të denjë për të kryer një shërbesë të tillë të ulët për Krishtin.
1:28 Vendodhja e saktë e Betabarës (ose Betanisë, nga NKJV), nuk dihet. Por ne dimë që ishte një vend në anën lindore të Lumit Jordan. Nëse ne pranojmë Betaninë, kjo nuk mund të jetë Betania afër Jerusalemit.
1:29 Të nesërmen pas vizitës së Farisenjve nga Jerusalemi, Gjoni ngriti sytë lart dhe pa Jezusin duke shkuar drejt tij. Në emocionet dhe drithërimat e atij momenti, ai thirri, “Ja, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!” Qengji ishte një kafshë flijimi për Judenjtë. Perëndia i kishte mësuar popullit të Tij të zgjedhur të therte një qengj dhe ta spërkiste gjakun e tij si një sakrificë. Qengji therej si një zëvendësues dhe gjaku i tij derdhej me qëllim që mëkatet të mund të faleshin.
Megjithatë, gjaku i qengjave të therur gjatë periudhës së DhV nuk e hoqi dot mëkatin. Këta qengja ishin hije ose tipa që tregonin përreth faktit se një ditë Perëndia do të siguronte një Qengj që në të vërtetë do të hiqte mëkatin. Nëpër rrjedhën e viteve, Judenjtë e perëndishëm kishin pritur për ardhjen e këtij Qengji. Tani më në fund, koha kishte ardhur, dhe Gjon Pagëzori shpallte me triumf ardhjen e Qengjit të Perëndisë.
Kur ai tha që Jezusi heq mëkatin e botës, ai nuk nënkuptoi që mëkatet e të gjithëve janë falur. Vdekja e Krishtit ishte e mjaftueshme në vlerë për të paguar për mëkatet e të gjithë botës, por vetëm ata mëkatarë që pranojnë Zotin Jezus si Shpëtimtar janë të falur. J. C. Jones thotë se ky varg shpall shkëlqimin e shlyerjes së të Krishterëve:

1. Ky shkëlqim shquhet në NATYRËN e viktimës. Ndërkohë që sakrificat e Judaizmit ishin vetëm qengja, d.m.th. kafshë, sakrifica e Krishterimit është Qengji i Perëndisë.
2. Ai shquhet në EFEKTSHMËRINË e veprës së kryer. Ndërkohë që sakrificat e Judaizmit s’ bënin gjë tjetër veçse kujtonin mëkatet çdo vit, sakrifica e Krishterimit e hoqi mëkatin. “Ai e hoqi mëkatin me anë të sakrifikimit të Vetvetes.”
3. Ai shquhet në SFERËN e veprimit të tij. Ndërkohë që sakrificat e Judaizmit ishin për të mirën e një kombi të vetëm, sakrifica e Krishterimit ishte për të gjitha kombet; “ai heq mëkatin e botës.” {{2}}

1:30, 31 Gjoni nuk u lodh kurrë së kujtuari njerëzit që ai ishte duke përgatitur udhën për Dikë që ishte më i madh se ai vetë. Jezusi ishte më i madh se Gjoni në të njëjtën shkallë që Perëndia është më i madh se njeriu. Gjoni u lind pak muaj përpara Jezusit, por Jezusi kishte ekzistuar nga përjetësia. Kur Gjoni tha, “Unë nuk e njihja,” kjo nuk do të thotë që ai nuk e kishte parë Atë kurrë më parë.
Meqë ishin kushërinj, ka mundësi që Gjoni dhe Jezusi të ishin tepër të afërt. Por Gjoni nuk e pati njohur Kushëririn e tij si Mesia deri në kohën e pagëzimit të Tij. Misioni i Gjonit ishte të përgatiste udhën e Zotit, dhe më pas t’ua tregonte njerëzve të Izraelit kur Ai të shfaqej. Ishte për këtë arsye që Gjoni pagëzoi njerëz në ujë – për t’i përgatitur ata për ardhjen e Krishtit. Qëllimi nuk ishte tërheqja e njerëzve te vetja e tij.
1:32 Referimi këtu i takon kohës kur Gjoni pagëzoi Jezusin në Jordan. Pasi Zoti i ngrit nga uji, Fryma e Perëndisë zbriti si një pëllumb dhe qëndroi mbi Të (Mt. 3:16). Shkrimtari vazhdon më tej për të shpjeguar domethënien e kësaj.
1:33 Perëndia i kishte zbuluar Gjonit që Mesia po vinte dhe që kur Ai të vinte, Fryma do të zbriste mbi Të dhe do të qëndronte mbi Të. Prandaj, kur kjo gjë ndodhi me Jezusin, Gjoni kuptoi se ky ishte Ai që do të pagëzonte me Frymën e Shenjtë. Fryma e Shenjtë është një Person, një nga tre personat e Hyjnisë. Ai është i barabartë me Perëndinë At dhe me Perëndinë Bir.
Ndërkohë që Gjoni pagëzoi me ujë, Jezusi do të pagëzonte me Frymën e Shenjtë. Pagëzimi me Frymën e Shenjtë ndodhi ditën e Rrëshajave (Veprat 1:5; 2:4, 38). Në atë kohë, Fryma e Shenjtë zbriti nga qielli për të banuar në trupin e çdo besimtari dhe për ta bërë çdo besimtar një anëtar të kishës, të Trupit të Krishtit (1 e Korintasve. 12:13).
1:34 Duke u bazuar në atë çfarë pa në pagëzimin e Jezusit, Gjoni dëshmoi për faktin se Jezusi i Nazaretit ishte Biri i Perëndisë për të cilin ishte parashikuar se do të vinte në këtë botë. Kur Gjoni tha që Krishti ishte Biri i Perëndisë, ai nënkuptoi se Ai ishte Perëndia Bir.

B. Thirrja e Andreas, Gjonit dhe Pjetrit (1:35-42)

1:35, 36 Të nesërmen, i referohet ditës së tretë të përmendur. Gjoni ishte me dy prej dishepujve të tij. Këta burra kishin dëgjuar predikimin e Gjonit dhe kishin besuar ato që ai pati thënë. Por ata ende nuk e kishin takuar Zotin Jezus. Tani Gjoni e dëshmoi publikisht Zotin. Në ditën e mëparshme, ai kishte folur për Personin e Tij (Qengji i Perëndisë) dhe veprën e Tij (që heq mëkatin e botës). Tani ai thjesht drejton vëmendjen mbi Personin e Tij. Mesazhi i tij ishte i shkurtër, i thjeshtë, pa përfshirë vetveten por vetëm Shpëtimtarin.
1:37 Me anë të predikimit të tij, Gjoni humbi dy nga dishepujt e tij, por ishte i kënaqur që i pa ata duke ndjekur Jezusin. Kështu ne duhet të duam më tepër që shokët tanë të ndjekin Jezusin, sesa të mendojnë shumë mirë për ne.
1:38 Shpëtimtarit i interesojnë gjithmonë ata që e ndjekin. Këtu Ai tregoi interesimin e Tij duke iu kthyer dy dishepujve me pyetjen, “Ç’kërkoni?” Ai e dinte përgjigjen e kësaj pyetjeje; Ai dinte gjithçka. Por Ai donte që ata ta shprehnin dëshirën e tyre me fjalë. Përgjigjja e tyre , “Rabi, ku banon?” tregoi se ata dëshironin të ishin me Zotin dhe ta njihnin Atë më mirë. Ata nuk ishin të kënaqur thjesht duke e takuar Atë. Ata dëshironin me zjarr të kishin përbashkësi me Të. Rabi është fjala hebraike për Mësues (fjalë për fjalë “i madhi im”).
1:39 Ai iu përgjigj atyre, “Ejani e shikoni.” Asnjeri që ka një dëshirë të sinqertë për të mësuar më shumë për Shpëtimtarin nuk është larguar nga ana e Tij. Jezusi i ftoi të dy në vendin ku Ai po qëndronte në atë kohë – ndoshta një vend tepër i varfër, nëse e krahasojmë me shtëpitë moderne.
Ata shkuan dhe e panë ku banonte Ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me Të (ishte rreth orës dhjetë). Këta njerëz nuk ishin nderuar kurrë më parë kaq shumë. Ata e kaluan atë natë në të njëjtën shtëpi me Krijuesin e universit. Ata ishin ndër anëtarët e parë të kombi Jude që njohën Mesian.
Ora dhjetë është ose ora dhjetë e paradites ose ora katër e mbasdites. Zakonisht preferohet ora e parë (ora romake).
1:40 Një nga të dy dishepujt ishte Andrea. Sot Andrea nuk është aq i njohur sa vëllai i tij Simon Pjetri, por është interesante të shohim që ai ishte i pari nga ata të dy që takoi Jezusin.
Emri i tjetrit nuk na është dhënë, por shumica e mësuesve të Biblës pranojnë që ai ishte Gjoni – ai që shkroi Ungjillin e tij. Ata arsyetojnë duke thënë që përulësia e tij ishte ajo që nuk e lejoi për ta shkruar emrin e tij.
1:41 Kur një njeri gjen Jezusin, ai dëshiron që edhe të afërmit e tij ta takojnë Atë. Shpëtimi është aq i mirë saqë nuk mund të mbahet për vete. Kështu Andrea shkoi me nxitim te vëllai i tij Simoni me lajmin drithërues “E gjetëm Mesian!” Çfarë shpallje befasuese ishte kjo! Për të paktën katër mijë vjet, njerëzit kishin pritur për Mesian e premtuar, për të Vajosurin e Perëndisë. Tani Simoni dëgjon nga buzët e vëllait të tij lajmin tronditës që Mesia kishte ardhur. Në të vërtetë ata po jetonin aty ku po shkruhej historia. Sa i thjeshtë ishte mesazhi i Andreas. Vetëm tre fjalë – “E gjetëm Mesian!” – e përsëri Perëndia i përdori këto fjalë për të fituar Pjetrin. Kjo na mëson që nuk duhet të jemi predikues të mëdhenj ose folës të zgjuar. Ne duhet t’u flasim njerëzve për Zotin Jezus me fjalë të thjeshta, dhe për të tjerat do të kujdeset vetë Perëndia.
1:42 Andrea e çoi vëllain e tij në vendin e duhur dhe te Personi i duhur. Ai nuk e çoi atë në kishë, në besim apo te kleriku. Ai e çoi tek Jezusi. Çfarë veprimi i rëndësishëm që ishte ky! Për shkak të interesit të madh të Andreas, Simoni më pas u bë një peshkatar i madh njerëzish, dhe një nga apostujt e parë të Zotit. Simoni ka fituar më shumë popullaritet sesa i vëllai, por pa dyshim që Andrea do të ketë pjesë në shpërblimin e Pjetrit sepse ishte ai që e çoi Pjetrin tek Zoti. Zoti e dinte emrin e Simonit pa ia thënë. Ai dinte gjithashtu që Simoni kishte një karakter të paqëndrueshëm. Dhe së fundi, Ai e dinte se karakteri i Simonit do të ndryshohej dhe që ai do të bëhej një shkëmb i palëvizshëm. Si i dinte Jezusi të gjitha këto? Sepse Ai ishte dhe është Perëndi.
Emri i Simonit u ndryshua në Pjetër (fjala aramaike për gur), dhe ai u bë një burrë me një karakter të fortë, veçanërisht pas Ngjitjes së Zotit dhe Zbritjes së Frymës së Shenjtë.

C. Thirrja e Filipit dhe e Natanaelit (1:43-51)

1:43 Kjo tani është dita e katërt për të cilën ne kemi lexuar në këtë kapitull. Bosch vë në dukje që ditën e parë ne pamë vetëm Gjonin (v 15-28); në të dytën ne shohim Gjonin dhe Jezusin (v 29-34); në të tretën ne shohim Jezusin dhe Gjonin (v 35-42); dhe në të katërtën ne shohim vetëm Jezusin (v 43-51). Zoti eci drejt veriut për në vendin e njohur si Galile. Aty Ai gjeti Filipin dhe e ftoi për të qenë një ndjekës i Tij. “Më ndiq!” Këto janë fjalë të mëdha sepse janë fjalët e Atij si dhe për shkak të privilegjit të madh që ofrojnë. Shpëtimtari ende është duke ua bërë këtë ftesë të thjeshtë, por tepër sublime, të gjithë njerëzve kudo që janë.
1:44 Betsaida ishte një qytet në brigjet e Detit të Galilesë. Pak qytete në botë kanë pasur këtë lloj nderi. Zoti kreu disa nga mrekullitë e Tij aty (Luka 10:13). Ishte shtëpia e Filipit, Andreas dhe Pjetrit. E përsëri ky qytet e hodhi poshtë Shpëtimtarin dhe si rezultat i kësaj u shkatërrua në atë mënyrë saqë sot nuk i dihet vendodhja.
1:45 Filipi dëshironte ta ndante gëzimin e tij të ri me dikë tjetër, kështu që shkoi dhe gjeti Natanaelin. Të sapokthyerit janë fituesit më të mirë të shpirtrave të tjerë. Mesazhi i tij ishte i thjeshtë dhe hynte drejt e në thelb. Ai i tha Natanaelit se kishte gjetur Mesian për të cilin kishin folur Moisiu dhe profetët – Jezusin nga Nazareti. Në të vërtetë mesazhi i tij nuk ishte plotësisht i saktë. Ai e përshkroi Jezusin si birin e Jozefit. Sigurisht që Jezusi kishte lindur nga e Virgjëra Mari dhe nuk kishte një baba njerëzor. Jozefi e adoptoi Jezusin dhe u bë babai i tij i ligjshëm, edhe pse nuk ishte babai i Tij i vërtetë. James S. Stewart komenton:
Nuk ka qenë kurrë në karakterin e Krishtit që Ai të kërkonte një besim të plotë për një fillim. Nuk ka qenë kurrë mënyra e Tij që Ai të pengojë një dishepull për shkakun e mungesës së themelit doktrinal të plotë. Dhe sigurisht që dhe sot është po kështu. Ai e vë veten përkrah vëllezërve të tij. Ai pret që ata të bashkohen me të në çdo mënyrë që munden. Ai i merr ata me atë besim që mund t’i ofrojnë. Ai është i kënaqur me këtë gjë si fillim; dhe nga ky besim ai i drejton më tej miqtë e tij, siç drejtoi grupin e parë, hap pas hapi, drejt sekretit më të brendshëm për t’u treguar se kush është dhe drejt lavdisë së plotë të dishepullimit. {{3}}
1:46 Natanaeli kishte probleme. Nazareti ishte një qytet i përbuzur i Galilesë. Atij iu duk e pamundur që Mesia të lindte në një qytet të tillë të varfër. Dhe kështu bëri pyetjen që i pushtoi mendjen. Filipi nuk u grind me të. Ai ndjeu që mënyra më e mirë për të përballuar kundërshtimet ishte t’i prezantonte njerëzit direkt me Jezusin – një mësim me vlerë për të gjithë ata që kërkojnë të fitojnë të tjerët për Krishtin. Mos u grind. Mos u fut në diskutime të gjata. Thjesht ftoi njerëzit të vijnë dhe të shohin.
1:47 Vargu 37 tregon që Jezusi dinte gjithçka. Pa patur asnjë kontakt me Natanaelin më parë, Ai i tha atij se me të vërtetë ishte një Izraelit, në të cilin nuk kishte as dredhi e as mashtrim. Natanaeli nuk ishte si Jakobi, i cili kishte fituar një famë jo të mirë që fliste për një përdorim jo krejt të ndershëm të metodave të biznesit. Por Natanaeli ishte një Izraelit në të cilin nuk gjendej asnjë “Jakob.”
1:48 Natanaeli u habit shumë që një njeri plotësisht i huaj i foli sikur ta kishte njohur për vite të tëra. Në dukje ai ishte plotësisht i fshehur atje nën fik. Padyshim që degët e dendura të fikut nuk lejonin që të tjerët ta shihnin. Por Jezusi e pa, megjithëse ishte aq i fshehur.
1:49 Ndoshta ishte fuqia e Zotit Jezus për ta parë atë në një kohë kur nuk mund të shihej nga syri njerëzor, që e bindi Natanaelin, ose kjo njohuri iu dha atij në një mënyrë të mbinatyrshme. Sidoqoftë, ai tani e dinte që Jezusi ishte Biri i Perëndisë dhe Mbreti i Izraelit.
1:50 Zoti i pati dhënë Natanaelit dy prova që tregonin se Ai ishte Mesia. Ai i përshkroi karakterin e tij, dhe e pa Natanaelin në një moment kur syri njerëzor nuk mund ta shihte. Këto dy prova ishin të mjaftueshme për Natanaelin, dhe ai besoi. Por tani Zoti Jezus i premtoi se ai do të shihte prova më të mëdha se këto.
1:51 Sa herë që Jezusi zuri në gojë fjalët Në të vërtetë (fjalë për fjalë “Amen, amen {{4}}), Ai ishte gati për të thënë diçka tepër të rëndësishme. Këtu Ai i dha Natanaelit një përshkrim të së ardhmes kur Ai do të vinte për të mbretëruar mbi gjithë tokën. Atëherë bota do ta shohë që biri i marangozit i cili jetoi në Nazaretin e përbuzur ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë dhe Mbreti i Izraelit. Në atë ditë qielli do të hapet. Dora e Perëndisë do të jetë mbi Mbretin kur Ai të mbretërojë, me Jerusalemin si kryeqytetin e Tij.
Ka mundësi që Natanaeli të kishte qenë duke medituar mbi shkallën e Jakobit (Zanafilla. 28:12). Ajo shkallë, me engjëjt që ngjiteshin dhe zbrisnin, është një pikturë e Vetë Zotit Jezus Krisht, hyrja e vetme për në qiell. Engjëjt e Perëndisë do të ngjiten dhe do të zbresin mbi Birin e Njeriut. Engjëjt janë shërbëtorët e Perëndisë, që udhëtojnë si flakët e zjarrit në punët e Tij. Kur Jezusi mbretëron si Mbret, këta engjëj do të udhëtojnë nga qielli në tokë dhe anasjelltas, duke përmbushur vullnetin e Tij.
Jezusi po i thoshte Natanaelit që ai kishte parë vetëm pak demonstrime nga Mesia. Në Mbretërimin e Ardhshëm të Krishtit, ai do të shihte Zotin Jezus të zbuluar plotësisht si Biri i Vajosur i Perëndisë. Atëherë gjithë njerëzimi do të shohë që nga Nazareti pati dalë Dikush që ishte i mirë.

D. Shenja e parë: Shndërrimi i ujit në verë (2:1-11)

2:1 Dita e tretë, pa dyshim që i referohet ditës së tretë të qëndrimit të Zotit në Galile. Në 1:43 Shpëtimtari shkoi në atë zonë. Ne nuk e dimë me saktësi se ku ndodhej Kana, por informohemi nga vargu 12 i këtij kapitulli që ajo ishte pranë Kapernaumit dhe në një vend më të lartë.
Po bëhej një dasmë në Kanë në këtë ditë të veçantë, dhe nëna e Jezusit ishte atje. Është interesante të shohësh që Maria është quajtur nëna e Jezusit. Shpëtimtari nuk ishte i famshëm se ishte i Biri i të Virgjërës Mari, por ajo ishte e mirënjohur sepse ishte nëna e Zotit tonë. Shkrimet gjithmonë i japin Jezusit një vend parësor dhe jo Marisë.
2:2 Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë. Ishte një vendim me mend nga ana e organizatorëve të dasmës të ftonin Krishtin. Kështu është ende një vendim me mend kur njerëzit ftojnë Zotin në dasmën e tyre. Që një gjë e tillë të ndodhë, duhet që edhe nusja edhe dhëndri të jenë besimtarë të vërtetë në Zotin Jezus. Gjithashtu, ata duhet të dorëzojnë jetët e tyre tek Shpëtimtari dhe të vendosin që shtëpia e tyre do të jetë një vend ku Ai dëshiron të jetë.
2:3 Sasia e verës ishte mbaruar. Kur nëna e Jezusit kuptoi se çfarë kishte ndodhur, çoi problemin përpara Birit të saj. Ajo e dinte që Ai mund të kryente një mrekulli për të siguruar verë, dhe ndoshta ajo dëshironte që i Biri ta zbulonte Vetveten si Biri i Perëndisë. Vera në Shkrimet shpesh flet për gëzim. Kur Maria tha, “Nuk kanë më verë,” ajo dha një përshkrim të saktë mbi gratë dhe burrat që nuk janë të shpëtuar. Për jobesimtarët nuk ka gëzim të vërtetë, dhe nëse ka gëzim, ai mbaron shpejt.
2:4 Përgjigjja e Zotit ndaj nënës së Tij duket e ftohtë dhe e largët. Por nuk është një qortim i fortë siç mund të na duket ne. Fjala grua e përdorur këtu, është një titull respekti, i ngjashëm me fjalën që ne përdorim “zonjë.” Kur Zoti pyeti, “Ç’ke me mua o grua?” Ai tregoi që në kryerjen e misionit të Tij hyjnor, Ai nuk merrte udhëzime nga nëna e Tij, por vepronte plotësisht në bindje ndaj vullnetit të Atit të Tij qiellor. Maria kishte dëshiruar ta shihte Jezusin të përlëvduar, por Ai duhet t’i kujtonte asaj që ajo kohë nuk kishte ardhur akoma. Përpara se t’i shfaqej botës si Krishti fitimtar, Ai duhet t’i ngjitej altarit të sakrificës, dhe këtë Ai e bëri në kryqin e Kalvarit.
Williams shkruan kështu:
Shprehja “Ç’ke me mua, o grua?,” shfaqet disa herë në Bibël. Ajo do të thotë, “Çfarë kemi ne të përbashkët?” Përgjigjja është, “Asgjë.” Davidi e ka përdorur këtë shprehje dy herë duke iu drejtuar kushërinjve të tij, bijve të Zeruias. Sa e pamundur ishte që ata të kishin diçka të përbashkët me të në jetën frymërore! Eliseu e përdor atë në e 2 Mbretërve 3 për të shprehur se sa e thellë ishte humnera midis tij dhe Jehoramit, birit të Ahabit. Tre herë, demonët, duke përdorur të njëjtën shprehje, zbulojnë që Satani nuk ka asgjë të përbashkët me Krishtin, ose Krishti me Satanin. Dhe së fundi, Zoti Jezus e përdori atë duke iu drejtuar së Virgjërës Mari, për të treguar sa e pakapërcyeshme është humnera midis Hyjnishmërisë së Tij të pamëkatë dhe njerëzishmërisë së saj mëkatare, dhe që vetëm Një Zë ka autoritet mbi veshin e Tij. {{5}}
2:5 Maria kuptoi domethënien e fjalëve të Tij, dhe i udhëzoi shërbëtorët të bënin gjithçka që do t’u thoshte Ai. Fjalët e saj janë tepër të rëndësishme për secilin prej nesh. Vini re që ajo nuk i udhëzoi njerëzit t’i bindeshin asaj, ose ndonjë qenieje tjetër njerëzore. Ajo i drejtoi ata tek Jezusi dhe u tha atyre që Ai ishte personi të cilit duhet t’i bindeshit. Mësimet e Zotit Jezus na janë dhënë në faqet e DhR. Ndërkohë që lexojmë këtë libër të çmuar, ne duhet të mos harrojmë fjalët e fundit të Marisë, “Bëni gjithçka që Ai t’ju thotë.”
2:6 Në vendin e dasmës, ndodheshin gjashtë enë prej guri, që nxinin dy ose tre masa. Ky ujë përdorej nga Judenjtë për të pastruar veten nga papastërtia. Për shembull, nëse një Jude prekte një trup të vdekur, ai konsiderohej i papastër derisa plotësonte një ceremoni të veçantë pastrimi.
2:7 Jezusi dha udhëzime për t’i mbushur enët me ujë. Shërbëtorët e bënë këtë gjë menjëherë. Zoti përdorte mjetet rrethanore kur ishte gati për të kryer një mrekulli. Ai i lejoi njerëzit të siguronin enët dhe t’i mbushnin ato me ujë, por më pas Ai bëri atë që njerëzit nuk mund ta bëjnë kurrë – e shndërroi ujin në verë! Ishin shërbëtorët dhe jo dishepujt që i mbushën enët me ujë. Në këtë mënyrë, Zoti shmangu mundësinë e ndonjë mashtrimi apo dredhie. Gjithashtu, enët u mbushën deri në grykë, kështu që asnjë të mos thoshte se vera ishte hedhur mbi ujin.
2:8 Tani ndodhi mrekullia. Zoti i udhëzoi shërbëtorët për të nxjerrë disa nga enët dhe për t’i çuar ato tek i pari i festës. Nga kjo duket qartë që mrekullia kishte ndodhur në një moment të vetëm. Uji nuk u bë verë pas një periudhe të caktuar, por në një sekondë. Ashtu si dikush ka shkruar në një mënyrë poetike, “Ujërat e pavetëdijshme panë Perëndinë e tyre dhe u skuqën.”
2:9 I pari i festës ishte ai që kishte për detyrë organizimin e tavolinave dhe ushqimit. Kur ai e provoi verën, kuptoi që diçka e pazakontë kishte ndodhur. Ai nuk e dinte se nga kishte ardhur kjo verë, por e pa që vera ishte e një cilësie të lartë dhe thirri dhëndrin.
Cili duhet të jetë qëndrimi i të krishterëve kundrejt verës sot? Vera ndonjëherë është përshkruar si një ilaç, dhe kjo është plotësisht në përputhje me mësimet e DhR (1. Tim. 5:23). Për sa i përket përdorimit të verës në tavolinë, të krishterët duhet të sillen me frenim në çdo situatë dhe në çdo kulturë të kërkojnë përpara së gjithash lavdinë e Perëndisë dhe të mos kënaqin dëshirat egoiste të mishit. Duke mos refuzuar dhuratat e mira të Perëndisë, besimtari duhet të kujtojë paralajmërimet e Shkrimit në lidhje me dehjen (Rom. 13:13; Gal. 5:21; Efesianeve 5:18; 1Pje 4:3), dhe në lidhje me 1 e Korintasve 6:12 që thotë që çdo gjë lejohet, por jo gjithçka është e dobishme. Si përfundim, besimtarët duhet të shmangin sjellje që mund të pengojnë tjetrin (Rom. 14:21).
2:10 I pari i festës tërheq vëmendjen drejt ndryshimit të dukshëm midis mënyrës në të cilën veproi Zoti Jezus dhe mënyrës me të cilën veprojnë njerëzit. Zakonisht në një dasëm vera e mirë shërbehet në fillim me qëllim që njerëzit ta shijojnë shijen e saj. Më pas, pasi kanë ngrënë dhe pirë, ata nuk janë në gjendje për të dalluar shumë mirë cilësinë e pijes alkoolike. Në këtë dasëm të veçantë, vera më e mirë doli në fund. Këtu ka një domethënie frymërore për ne. Zakonisht bota u ofron njerëzve në fillim gjënë më të mirë që mund t’u ofrojë. Ajo shfaq para të rinjve gjërat e saj më tërheqëse. Më pas kur ata kanë shpenzuar jetët e tyre në kënaqësi boshe, bota nuk mund t’u ofrojë asgjë njerëzve të moshuar përveç fundërrinave të saj. Jeta e krishtere është komplet ndryshe. Ajo sa vjen dhe bëhet më e mirë. Krishti e mban verën e mirë deri në fund.
Kjo pjesë e Shkrimeve ka një zbatim të drejtpërdrejtë për popullin Jude. Në atë kohë në Judaizëm nuk mund të gjeje gëzim të vërtetë. Njerëzit kremtonin një sërë ritesh dhe ceremonish, por jeta për ta ishte pashije. Ata nuk e njihnin gëzimin hyjnor. Zoti Jezus po kërkonte t’u mësonte atyre që ta vendosnin besimin e tyre tek Ai. Ai do ta kthente ekzistencën e tyre monotone në plotësinë e gëzimit. Uji i ritit dhe ceremonisë së Judenjve mund të kthehej në verën e realitetit të gëzueshëm në Krishtin.
2:11 Thënia që ky ishte fillimi i shenjave flak tutje mendimet e disave që Jezusi kishte kryer mrekulli edhe gjatë fëmijërisë së Tij. Këto mendime gjenden në të ashtuquajturin “Ungjilli i Pjetrit.” Ato flasin për mrekulli që Zoti kishte kryer në fëmijërinë e Tij, por kjo është diçka krejt blasfemuese. Duke e parashikuar një gjë të tillë Fryma e Shenjtë ruajti këtë periudhë të jetës së Zotit dhe të karakterit të Tij, me anë të kësaj thënieje të shkurtër.
Shndërrimi i ujit në verë ishte një shenjë, që do të thotë, një mrekulli me një domethënie. Ishte një veprim mbinjerëzor me një domethënie frymërore. Këto mrekulli kishin si synim të tregonin se Jezusi ishte me të vërtetë Krishti i Perëndisë. Duke kryer këtë shenjë, Ai shfaqi lavdinë e Tij. Ai i tregoi njerëzimit se ishte me të vërtetë Perëndia – i shfaqur në mish. Dishepujt e Tij besuan në Të. Sigurisht, që nga njëra anë ata kishin besuar në Të që më parë, por tani besimi i tyre u forcua dhe ata i besuan akoma më shumë. Cynddylan Jones shkruan:
Mrekullia e parë e Moisiut ishte kthimi i ujit në gjak; në të gjendej një element i ashpër shkatërrues. Por mrekullia e parë e Krishtit kthimi i ujit në verë; në të gjendej një element qetësues dhe ngushëllues. {{6}}

E. Biri i Perëndisë pastron Shtëpinë e Atit të Tij (2:12-17)

2:12 Shpëtimtari tani u largua nga Kana dhe zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij. Ata qëndruan në Kapernaum pak ditë. Shumë pak kohë pas kësaj, Jezusi u ngjit në Jerusalem.
2:13 Duke filluar nga ky moment, ne kemi dëshminë e parë të Zotit në qytetin e Jerusalemit. Kjo fazë e shërbesës së Tij vazhdon deri tek kapitulli 3 vargu 21. Ai e filloi dhe e mbaroi shërbesën e Tij duke pastruar tempullin në kohën e Pashkës (Mt. 21:12, 13; Mr. 11:15-18; Luka 19:45, 46). Pashka ishte një festë vjetore që bëhej në përkujtim të çlirimit të bijve të Izraelit nga Egjipti, koha kur ata kaluan nëpër Detin e Kuq për në shkretëtirë dhe më pas në tokën e premtuar. Festimi i parë i Pashkës është shënuar në Eksodi 12. Duke qenë një Jude i përkushtuar, Zoti Jezus u ngjit në Jerusalem për këtë ditë të rëndësishme të kalendarit Jude.
2:14 Duke iu afruar tempullit, Ai pa se ai ishte shndërruar në një vend tregtie. Qe, dele e pëllumba shiteshin aty, dhe këmbyesit e monedhave bënin punën e tyre. Kafshët dhe zogjtë u shiteshin adhuruesve për t’u përdorur si sakrifica. Këmbyesit e monedhave merrnin paratë e atyre që kishin ardhur nga vende të tjera dhe i ndërronin në monedha që Judenjtë përdornin, me qëllim që shtegtarët të mund të paguanin taksën e hyrjes në tempull. Dihet që këta këmbyes parash përfitonin në mënyrë të padrejtë nga ata që vinin nga një distancë e largët.
2:15 Kamzhiku që Zoti bëri, ishte ndoshta një kamzhik i vogël i përbërë prej litarësh. Nuk është shkruar diku që ky kamzhik u përdor mbi ndonjë person. Ndoshta, ai ishte thjesht një simbol autoriteti që Ai zotëronte në dorën e Tij. Duke fshikulluar kamzhikun, Ai i dëboi tregtarët jashtë tempullit dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të monedhave.
2:16 Ligji i lejonte të varfërit të ofronin një çift pëllumbash, pasi ata nuk mund të siguronin kafshë të shtrenjta. Atyre që shisnin pëllumba, Zoti u tha që t’i hiqnin ato gjëra që andej. Nuk ishte e përshtatshme që ata ta bënin shtëpinë e Atit të Tij një shtëpi tregtie. Në të gjitha kohërat, Perëndia i ka paralajmëruar njerëzit e Tij që të mos i përdorin shërbesat fetare si mjete përfitimi. Në këto veprime nuk kishte asgjë të padrejtë apo mizore. Për më tepër, ato flisnin për shenjtërinë dhe drejtësinë e Tij.
2:17 Kur dishepujt panë se çfarë po ndodhte, atyre iu kujtua Psalmi 69:9 ku profetizohej që kur Mesia do të vinte, Ai do të konsumohej tërësisht nga një zell i zjarrtë për gjërat e Perëndisë. Tani ata panë Jezusin duke manifestuar vendimin që adhurimi i Perëndisë duhet të jetë i pastër, dhe kuptuan që Ai ishte Personi për të cilin Psalmi kishte shkruar.
Ne duhet të mos harrojmë që trupi i të krishterit është tempulli i Frymës së Shenjtë. Ashtu si Zoti Jezus ishte i shqetësuar për ta mbajtur tempullin e Jerusalemit të pastër, kështu edhe ne duhet të kemi kujdes që trupi ynë të jetë përpara Zotit për një pastrim të vazhdueshëm.

F. Jezusi parashikon vdekjen dhe ringjalljen e Tij (2:18-22)

2:18 Duket që Judenjtë ishin gjithmonë duke kërkuar të shihnin një shenjë ose një mrekulli. Ata thoshin në fakt, “Nëse Ti kryen ndonjë shenjë apo mrekulli për ne, atëherë do të besojmë.” Megjithëse Zoti kreu mrekulli pas mrekullie, zemrat e tyre ishin ende të mbyllura për Të. Në vargun 18, ata vunë në dyshim autoritetin e Tij në dëbimin e biznesmenëve jashtë tempullit. Ata kërkuan që Ai të kryente ndonjë shenjë me qëllim që të provonte shpalljen e Tij se Ai ishte Mesia.
2:19 Me anë të përgjigjes së Tij, Zoti Jezus tha një thënie të mahnitshme në lidhje me vdekjen dhe ringjalljen e Tij. Ai u tha atyre se ata do ta shkatërronin tempullin e Tij, por për tre ditë Ai do ta ngrinte përsëri. Në këtë varg shihet përsëri hyjnia e Krishtit. Vetëm Perëndia mund të thotë, “Dhe unë për tre ditë do ta ngre përsëri.”
2:20 Judenjtë nuk e kuptuan. Ata kishin më shumë interes mbi gjërat materiale sesa mbi ato frymërore. I vetmi tempull për të cilin ata mund të mendonin ishte tempulli i Herodit që në atë kohë ishte në Jerusalem. Ishin dashur dyzetë e gjashtë vjet për ta ndërtuar atë tempull dhe ata nuk mund ta imagjinonin ndërtimin e tij brenda tre ditëve.
2:21 Zoti Jezus ishte duke folur për trupin e Tij, që ishte tempulli në të cilin banonte gjithë plotësia e Hyjnisë. Ashtu si këta Judenj kishin ndotur tempullin në Jerusalem, ashtu do ta çonin Atë drejt vdekjes pak vite më pas.
2:22 Më pas, pasi Zoti Jezus ishte kryqëzuar dhe ishte ringjallur prej së vdekurish, dishepujt e vet u kujtuan se Ai kishte premtuar se do të ringjallej prej së vdekurish në tre ditë. Me një përmbushje të tillë të mrekullueshme të profecisë përpara syve të tyre, ata u besuan Shkrimeve dhe fjalëve që u kishte thënë Jezusi.
Shpesh ne ndeshemi me të vërteta që janë të vështira për t’u kuptuar. Por ne mësojmë këtu se duhet ta ruajmë si thesar Fjalën e Perëndisë në zemrat tona. Më vonë Zoti do ta bëjë të kuptueshme për ne, edhe pse ne nuk e kuptojmë dot tani. Kur thuhet se ata besuan Shkrimet, do të thotë se ata besuan profecitë e DhV në lidhje me ringjalljen e Mesias.

G. Shumë veta shpallin se besojnë në Krisht (2:23-25)

2:23 Si rezultat i shenjave që Jezusi kreu në Jerusalem për festën e Pashkës, shumë veta besuan në emrin e Tij. Kjo nuk do të thotë me patjetër që ata ia dorëzuan jetët e tyre Atij me një besim të thjeshtë; për më tepër do të thotë se ata shpallën se e pranuan Atë. Në veprimin e tyre nuk kishte ndonjë realitet; ishte thjesht një shfaqje e jashtme e ndjekjes së Jezusit. Ishte e njëjta gjendje me kohën e tanishme në botë, kur shumë njerëz thonë se janë të krishterë, por që nuk kanë rilindur kurrë nëpërmes besimit në Zotin Jezus Krisht.
2:24 Megjithëse shumë besuan në Të, Jezusi nuk u zinte besë atyre. Ai kuptoi që ata shkonin tek Ai vetëm për të shuar kuriozitetin e tyre. Ata kërkonin diçka spektakolare dhe të bujshme. Ai i njihte të gjithë – mendimet dhe motivet e tyre. Ai e dinte përse ata vepronin ashtu. Ai e dinte nëse besimi i tyre ishte i vërtetë ose thjesht një imitim.
2:25 Askush nuk mund ta njihte zemrën e një njeriu më mirë se Zoti Vetë. Ai nuk kishte nevojë që dikush ta mësonte mbi këtë temë. Ai kishte njohuri të plotë për atë që ndodhej përbrenda njeriut dhe përse njeriu sillej në atë mënyrë.

H. Jezusi mëson Nikodemin mbi rilindjen (3:1-21)

3:1 Historia e Nikodemit është një kontrast i asaj që pamë më parë. Shumë nga Judenjtë në Jerusalem shpallnin se besonin në Zot, por Ai e dinte që besimi i tyre nuk ishte i vërtetë. Nikodemi ishte një përjashtim. Zoti dalloi në të një dëshirë të sinqertë për të njohur të vërtetën. Vargu 1 duhet të fillojë me një lidhëz: “Por {{7}}, ishte një njeri me emrin Nikodem, kre i Judenjve.”
Nikodemi njihej si një mësues mes njerëzve. Ndoshta ai erdhi te Zoti për udhëzime, kështu që të mund të kthehej tek Judenjtë me më shumë njohuri.
3:2 Bibla nuk thotë përse shkoi Nikodemi natën tek Jezusi. Shpjegimi më i mundshëm do të ishte që ai kishte turp të shihej nga të tjerët duke shkuar tek Jezusi, pasi Jezusi nuk ishte pranuar nga shumica e Judenjve. Megjithatë ai shkoi tek Jezusi. Nikodemi pranoi që Jezusi ishte një mësues i dërguar nga Perëndia, përderisa asnjë tjetër nuk mund të kryente mrekulli të tilla pa ndihmën e Perëndisë. Pavarësisht se Nikodemi ishte tepër i mësuar, ai nuk e njohu Zotin si Perëndia i shfaqur në mish. Ai ishte si shumë të tjerë sot që thonë se Jezusi ishte një njeri shumë i mirë, një mësues i mrekullueshëm, një shembull i përsosur. Të gjitha këto thënie janë shumë larg të vërtetës së plotë. Jezusi ishte dhe është Perëndi.
3:3 Në pamje të parë, përgjigjja e Zotit Jezus duket si pa lidhje me atë që Nikodemi kishte thënë pak më parë. Zoti ynë është duke thënë, “Nikodem, ti ke ardhur te unë për të mësuar, por ajo për të cilën ti ke nevojë është rilindja. Pikërisht këtu duhet të fillosh. Ti duhet të lindësh prej së larti. Ndryshe ti nuk ke për ta parë mbretërinë e Perëndisë.”
Zoti i paraqiti këto fjalë të mrekullueshme me shprehjen: “Në të vërtetë, në të vërtetë” (fjalë për fjalë Amen, amen). Këto fjalë na zgjojnë duke na thënë se diçka e rëndësishme është thënë.
Si një Jude, Nikodemi kishte qenë duke pritur që Mesia të vinte për ta çliruar Izraelin nga skllavëria e Romës. Perandoria Romake në atë kohë kishte kontroll mbi gjithë botën, dhe Judenjtë ishin nën ligjet dhe qeverisjen e saj. Nikodemi mezi priste kohën kur Mesia do të vendoste mbretërinë e Tij në tokë, kur kombi Jude do të ishte në krye të të gjitha kombeve, dhe kur të gjithë armiqtë e tyre do të shkatërroheshin. Tani Zoti Jezus e informoi Nikodemin që për të hyrë në këtë mbretëri, njeriu duhet të rilindë. Ashtu si lindja e parë është e rëndësishme për një jetë fizike, ashtu edhe lindja e dytë është e domosdoshme për një jetë hyjnore. (Shprehja i rilindur mund të nënkuptojë “i lindur prej së larti”). Me fjalë të tjera, në mbretërinë e Krishtit mund të hyjnë vetëm ata jetët e të cilëve kanë ndryshuar. Përderisa mbretëria e Tij do të jetë një mbretëri e drejtë, edhe nënshtetasit e saj duhet të jenë të drejtë gjithashtu. Ai nuk mund të mbretërojë mbi njerëz të cilët vazhdojnë të jetojnë në mëkatet e tyre.
3:4 Përsëri këtu ne shohim sa e vështirë është për njerëzit të kuptojnë fjalët e Zotit Jezus. Nikodemi nguli këmbë në marrjen e çdo fjale në kuptimin e saj të drejtpërdrejtë. Ai nuk mund ta kuptonte se si një i rritur mund të rilindej përsëri. Ai mendonte pamundësinë e një njeriu për të hyrë përsëri në barkun e nënës së tij me qëllim që të lindte përsëri.
Nikodemi ilustron që “njeriu i zakonshëm nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë, pasi për të ato janë marrëzi; ai as mund t’i dijë ato pasi dallohen vetëm në mënyrë frymërore” (1 e Korintasve. 2:14).
3:5 Në një shpjegim të mëtejshëm, Jezusi i tregoi Nikodemit që ai duhet të lindte nga uji dhe nga Fryma. Ndryshe ai nuk mund të hynte në mbretërinë e Perëndisë.
Çfarë donte të thoshte Jezusi? Shumë veta ngulin këmbë duke thënë që këtu bëhet fjalë për ujin e zakonshëm dhe që pagëzimi është një mjet i domosdoshëm për shpëtim. Megjithatë, një mësim i tillë është në kundërshtim me pjesën tjetër të Biblës. Në gjithë Fjalën e Perëndisë ne lexojmë që shpëtimi është nëpërmjet besimit në Zotin Jezus Krisht dhe në asgjë tjetër. Pagëzimi është për ata që tashmë janë të shpëtuar; ai nuk është një mjet për shpëtim.
Disa sugjerojnë që uji në këtë varg i referohet Fjalës së Perëndisë. Në Efesianëve 5:25, 26 uji është i lidhur ngushtë me Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu në 1 Pjetrit 1:23 dhe Jakobi 1:18, lindja e re ndodh nëpërmjet Fjalës së Perëndisë. Prandaj është shumë e mundshme që uji në këtë varg t’i referohet Biblës. Ne e dimë që nuk mund të ketë shpëtim pa Shkrimet. Është mesazhi që përmban Fjala e Perëndisë që duhet kuptuar nga mëkatari përpara se të ndodhë lindja e re.
Por uji mund t’i referohet gjithashtu Frymës së Shenjtë. Në Gjoni 7:38, 39 Zoti Jezus foli për lumenj uji të gjallë dhe na është thënë veçanërisht që kur Ai përdori fjalën ujë, Ai ishte duke folur për Frymën e Shenjtë. Nëse në kapitullin 7 uji i referohet Frymës, përse të mos ketë të njëjtin kuptim si në kapitullin 3?
Megjithatë, duket sikur dalin vështirësi nëse pranohet ky lloj interpretimi. Jezusi thotë, “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.” Nëse fjala ujë merret me kuptimin e Frymës, atëherë kjo fjalë është përmendur dy herë në të njëjtin varg. Por fjala e përkthyer “dhe” mund të ishte përkthyer edhe “madje.” Kështu vargu do të ishte “Kush nuk ka lindur nga uji, madje Fryma, ai nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ne besojmë që ky është kuptimi i drejtë i vargut. Lindja fizike nuk mjafton. {{8}} Duhet të ketë edhe lindje frymërore për dikë që dëshiron të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Kjo lindje frymërore prodhohet nga Fryma e Shenjtë kur një person beson në Zotin Jezus Krisht. Ky interpretim mbështetet në faktin se shprehja “i lindur nga Fryma” gjendet dy herë në vargjet pasuese (v 6, 8).
3:6 Madje edhe sikur Nikodemi të kishte mundësi të hynte në barkun e nënës së tij për të lindur përsëri, natyra e keqe e tij nuk do të rregullohej. Shprehja ç’ka lindur nga mishi është mish, do të thotë se fëmijët e lindur nga prindër njerëzorë linden në mëkat dhe janë të pashpresë për sa i përket shpëtimit të vetvetes. Nga ana tjetër, ç’ka lindur nga Fryma është frymë. Një lindje frymërore ndodh kur një person beson në Zotin Jezus. Kur një person lind përsëri nëpërmjet Frymës, ai merr një natyre të re, dhe bëhet i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.
3:7 Nikodemi nuk duhet të mrekullohej prej këtyre fjalëve të Zotit Jezus. Ai duhet të kuptonte se dikush duhet të lindte përsëri dhe të kuptonte paaftësinë e natyrës njerëzore për të rregulluar gjendjen e saj të rënë. Ai duhet të kuptonte se me qëllim që të ishte një anëtar i mbretërisë së Perëndisë, një njeri duhet të ishte i shenjtë, i pastër dhe frymëror.
3:8 Ashtu siç bënte shpesh, Zoti Jezus përdori natyrën për të ilustruar të vërtetën frymërore. Ai i kujtoi Nikodemit që era fryn ku të dojë dhe një person mund ta dëgjojë zërin e saj, por ai nuk e di nga vjen dhe as ku po shkon. Lindja e re është shumë e ngjashme me erën. Para së gjithash, ajo ndodh sipas vullnetit të Perëndisë. Nuk është një fuqi të cilën njeriu e ka nën kontrollin e tij. Së dyti, lindja e re është e padukshme. Ju nuk mund ta shihni atë kur ndodh, por mund të shikoni rezultatet në jetën e një njeriu. Kur një njeri shpëtohet, në të shihen ndryshime. Gjërat e këqija që ai më parë i donte, tani i urren. Gjërat e Perëndisë që më parë i përbuzte, tani i do. Ashtu si askush nuk mund ta kuptojë plotësisht erën që fryn, kështu edhe lindja e re është një vepër e mrekullueshme e Frymës së Perëndisë, të cilën njeriu nuk është në gjendje ta kuptojë plotësisht. Akoma më shumë, lindja e re, ashtu si era, është e paparashikueshme. Nuk është e mundur të thuhet se kur dhe ku do të ndodhë.
3:9 Përsëri, Nikodemi ilustroi paaftësinë e mendjes njerëzore për të hyrë në gjërat hyjnore. Pa dyshim që ai ishte ende duke u përpjekur për ta menduar lindjen e re si një ngjarje të natyrshme apo fizike, dhe jo si diçka frymërore. Dhe kështu që e pyeti Zotin Jezus: “Si mund të ndodhin këto gjëra?”
3:10 Jezusi iu përgjigj duke i thënë se si një mësues i Izraelit, Nikodemi duhet ti kuptonte këto gjëra. Shkrimet e DhV mësonin qartë që kur Mesia të vinte përsëri në tokë për të vendosur mbretërinë e Tij, Ai së pari do të gjykonte armiqtë e Tij dhe do të shkatërronte të gjitha gjërat që ishin në shkelje me ligjin. Vetëm ata që kishin rrëfyer dhe braktisur mëkatet e tyre do të hynin në mbretëri.
3:11 Më pas Zoti Jezus nënvizoi pagabueshmërinë e mësimeve të Tij dhe mosbesimin e njeriut në lidhje me to. Që nga përjetësia Ai e kishte ditur të vërtetën e kësaj dhe kishte mësuar vetëm ato që dinte dhe që kishte parë. Por Nikodemi dhe shumica e Judenjve të atyre ditëve refuzonin të besonin dëshminë e Tij.
3:12 Cilat ishin gjërat tokësore të cilave u referohet Zoti në këtë varg? Ishte mbretëria e Tij tokësore. Si një student i DhV, Nikodemi e dinte se një ditë Mesia do të vinte dhe do të vendoste një mbretëri këtu në tokë me Jerusalemin si kryeqytet të saj. Ajo që Nikodemi nuk kuptonte ishte fakti që për të hyrë në këtë mbretëri duhej një lindje e re. Atëherë cilat ishin gjërat qiellore për të cilat flet Zoti? Ato janë të vërtetat e shpjeguara në vargjet e mëposhtme – mënyra e mrekullueshme me anë të së cilës një njeri merr këtë lindje të re.
3:13 Vetëm një person ishte i kualifikuar për të folur për gjërat qiellore, përderisa Ai ishte i Vetmi kishte qenë në qiell. Zoti Jezus nuk ishte thjesht një mësues njerëzor i dërguar nga Perëndia, por Ai kishte jetuar me Perëndinë At që nga përjetësia, dhe zbriti në botë. Kur Ai tha që askush nuk u ngjit në qiell, Ai nuk donte të thoshte që të shenjtët e DhV si Enoku apo Elia nuk ishin ngjitur në qiell, por që ata ishin marrë lart, ndërkohë që Ai u ngjit në qiell me fuqinë e Tij. Një shpjegim tjetër është se asnjë qenie njerëzore nuk mund të hynte në praninë e Perëndisë në një mënyrë të vazhdueshme ashtu si Ai kishte bërë. Ai mund të ngjitej në vendbanimin e Perëndisë në një mënyrë unike pasi Ai kishte zbritur nga qielli këtu në tokë. Madje edhe në kohën kur Zoti Jezus ishte në tokë, duke folur me Nikodemin, Ai tha se ishte në qiell. Si ishte e mundur kjo gjë? Këtu është një thënie që i takon faktit se, si Perëndi, Zoti ishte kudo dhe në çdo kohë. Kjo është ajo çfarë ne nënkuptojmë kur themi se Ai është i Gjithëpranishëm. Ndërkohë që disa përkthime moderne lënë jashtë fjalët që është në qiell, ato mbështeten nga dorëshkrimet dhe i përkasin tekstit.
3:14 Zoti Jezus tani ishte gati për t’i zbuluar të vërtetën qiellore Nikodemit. Si mund të ndodhë lindja e re? Gjoba e mëkateve të njeriut duhet të paguhej. Njerëzit nuk mund të shkojnë në qiell me mëkatet e tyre. Ashtu si Moisiu ngriti lart gjarprin në shkretëtirë kur të gjithë bijtë e Izraelit ishin pickuar nga gjarpërinjtë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i Njeriut. (Lexo Numrat 21:4-9). Duke u endur nëpër shkretëtirë drejt tokës së premtuar, bijtë e Izraelit u dekurajuan dhe u bënë të padurueshëm. Ata filluan të ankoheshin kundër Zotit. Për t’i ndëshkuar, Zoti dërgoi gjarpërinj helmues ndër ta, dhe shumë njerëz vdiqën. Kur mbijetuesit i thirrën Zotit me pendim, Zoti i tha Moisiut të bënte një gjarpër prej bronzi dhe ta vendoste në një shkop. Izraeliti i pickuar nga gjarpëri që shikonte gjarprin prej bronzi, shërohej në mënyrë të mrekullueshme.
Jezusi citoi këtë ngjarje të DhV për të ilustruar se si ndodh lindja e re. Burra dhe gra janë pickuar nga mëkati dhe janë të dënuar me vdekje të përjetshme. Gjarpëri prej bronzi ishte një hije e Zotit Jezus. Bronzi në Bibël flet për gjykim. Zoti Jezus ishte i pamëkatë dhe nuk duhet të dënohej kurrë, por Ai mori vendin tonë dhe mbarti gjykimin që ne meritonim. Shkopi flet për kryqin e Kalvarit mbi të cilin u kryqëzua Zoti Jezus. Ne shpëtohemi duke e parë Atë me besim.
3:15 Shpëtimtari u bë mëkat për ne, Ai që nuk njihte mëkat, që ne të mund të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të. Kushdo që beson në Zotin Jezus Krisht merr jetën e përjetshme si një dhuratë falas.
3:16 Ky është një nga vargjet më të njohura të Biblës, pasi jep ungjillin kaq qartë dhe kaq thjesht. Ai përmbledh atë që Zoti Jezus i mësoi Nikodemit në lidhje me mënyrën me të cilën merret lindja e re. Perëndia, lexojmë, aq e deshi botën. Bota këtu përfshin gjithë njerëzimin. Perëndia nuk do mëkatet e njeriut apo sistemin e prishur të botës, por Ai do njerëzit dhe nuk dëshiron që ata të humbasin.
Shtrirja e dashurisë së Tij është treguar me anë të faktit që Ai dha Birin e Tij të vetëmlindurin. Perëndia nuk ka tjetër Bir si Zoti Jezus. Ishte një shprehje e dashurisë së Tij të pafund që Ai dha birin e Tij të vetëm për racën e mëkatarëve rebelë. Kjo nuk do të thotë që të gjithë janë të shpëtuar. Një person duhet të pranojë atë që Krishti ka bërë për të që Perëndia t’i japë jetën e përjetshme. Prandaj janë shtuar fjalët, “që kushdo që beson në të, të mos humbasë.” Nuk ka përse njerëzit të humbasin. Është siguruar një mënyrë me anë të së cilës mund të shpëtohen të gjithë, por një person duhet ta pranojë Zotin Jezus Krisht si Shpëtimtarin personal. Kur ai bën këtë merr jetën e përjetshme si një zotërim të tij. Boreham thotë:
Kur Kisha të kuptojë dashurinë me të cilën Perëndia e deshi botën, ajo nuk do të ndihet e qetë dhe nuk do të pushojë derisa perandori të mëdha të jenë pushtuar dhe madje edhe ishujt më të vegjël të jenë fituar për Krishtin. {{9}}
3:17 Perëndia nuk është një drejtues i ashpër, i egër dhe mizor që të zbrazë zemërimin e Tij mbi njerëzimin. Zemra e Tij është e mbushur me dashuri për njeriun dhe Ai pagoi atë çmim që është i pallogaritshëm për ta shpëtuar njeriun. Ai mund ta kishte dërguar Birin e Tij për ta dënuar botën, por nuk e bëri. Në të kundërt, Ai e dërgoi Atë këtu për të vuajtur, për të derdhur gjak dhe për të vdekur që bota të mund të shpëtohej me anë të Tij. Vepra e Zotit Jezus kryer në kryqin e Kalvarit është e një vlere të tillë të jashtëzakonshme saqë mund të shpëtojë çdo mëkatar kudo qoftë ai, nëse e pranon Atë.
3:18 Tani i gjithë njerëzimi është i ndarë në dy klasa: njerëzit ose janë besimtarë ose jobesimtarë. Fati ynë i përjetshëm është përcaktuar nga qëndrimi që mbajmë ne ndaj Birit të Perëndisë. Ai që beson në Shpëtimtarin nuk dënohet, por ai që nuk beson në Të, është i dënuar tashmë. Zoti Jezus përfundoi veprën e shpëtimit, dhe tani është në dorën e çdo individi të vendosë nëse do ta pranojë apo do ta kundërshtojë Atë. Është një gjë e tmerrshme të kundërshtosh një dhuratë të tillë dashurie. Nëse një njeri nuk do të besojë në Zotin Jezus, Perëndia nuk mund të bëjë gjë tjetër përveçse ta dënojë atë.
Të besosh në emrin e Tij është njësoj si të besosh në Të. Në Bibël “emri” ka domethënien e personit. Nëse i besoni emrit të Tij, ju besoni në Të.
3:19 Jezusi është drita që erdhi në botë. Ai ishte Qengji i patëmetë dhe i pamëkatë i Perëndisë. Ai vdiq për mëkatet e gjithë botës. Por a e duan njerëzit Atë për këtë gjë? Jo – ata e kundërshtojnë Atë. Ata preferojnë mëkatet e tyre në vend të Shpëtimtarit të tyre dhe kështu e hedhin poshtë. Ashtu si disa lloje zvarranikësh struken [largohen] nga drita, kështu edhe njerëz të këqij ia mbathin nga prania e Krishtit.
3:20 Ata që e duan mëkatin urrejnë dritën, sepse drita nxjerr në shesh mëkatshmërinë e tyre. Kur Jezusi ishte këtu në botë, njerëzit mëkatarë nuk ndiheshin rehat në praninë e Tij, sepse Ai zbulonte gjendjen e tyre të tmerrshme me anë të shenjtërisë së Tij. Mënyra më e mirë për të zbuluar se sa i shtrembër është një shkop, është të vendosësh një shkop të drejtë përbri tij. Duke ardhur në botë si një Njeri i Përsosur, Zoti Jezus zbuloi shtrembërimin e njerëzve të tjerë me anë të krahasimit.
3:21 Nëse një njeri është me të vërtetë i ndershëm përpara Perëndisë, ai do të vijë në dritë, pra te Zoti Jezus, dhe do të kuptojë mëkatshmërinë dhe pavlefshmërinë e vet. Më pas ai do të besojë në Shpëtimtarin për veten e tij dhe kështu do të lindë përsëri me anë të besimit në Krishtin.

I. Shërbesa e Gjon Pagëzorit në Jude (3:22-36)

3:22 Pjesa e parë e këtij kapitulli përshkruan dëshminë e Zotit Jezus në qytetin e Jerusalemit. Nga ky varg deri në fund të kapitullit, Gjoni përshkruan shërbesën e Krishtit në Jude, ku padyshim që Ai vazhdoi të shpallë lajmin e mirë të shpëtimit. Kur njerëzit vinin në dritë, ata pagëzoheshin. Mund të duket nga ky varg që vetë Jezusi pagëzonte, por ne mësojmë nga Gjoni 4:2 që pagëzimi bëhej nga dishepujt e Tij.
3:23 Gjoni për të cilin flet ky varg është Gjon Pagëzori. Ai ishte ende duke predikuar mesazhin e pendimit në zonën e Judesë dhe duke pagëzuar ata Judenj që dëshironin të pendoheshin për t’u përgatitur për ardhjen e Mesias. Gjoni pagëzonte në Enon … sepse aty kishte shumë ujë. Kjo gjë nuk tregon saktësisht që pagëzimi bëhej me zhytje, por nënkupton në një farë mënyre që mund të bëhej në një mënyrë të tillë. Nëse ai pagëzonte me spërkatje apo me derdhje uji nuk do të ishte nevoja për shumë ujë.
3:24 Ky varg është dhënë për të shpjeguar vazhdueshmërinë e shërbesës së Gjonit dhe përgjigjen e Judenjve të përkushtuar ndaj saj. Në një të ardhme të afërt, Gjoni do të hidhej në burg dhe do t’i prihej koka për shkak të dëshmisë së tij besnike. Por gjatë kësaj kohe ai ishte këmbëngulës për të çuar deri në fund detyrën që i ishte ngarkuar.
3:25 Duket mjaft qartë nga ky varg që disa nga dishepujt e Gjonit hynë në një diskutim me Judenjtë rreth pastrimit. Cili është kuptimi i gjithë kësaj? Pastrimi këtu ndoshta i referohet pagëzimit. Ishte në diskutim fakti se pagëzimi i kujt ishte më i mirë, ai i Gjonit apo ai i Jezusit. Cili pagëzim kishte fuqi më të madhe? Cili kishte vlerë më të madhe? Ndoshta disa prej dishepujve të Gjonit flisnin pa mend kur thoshin se nuk kishte pagëzim më të mirë sesa ai i mësuesit të tyre. Ndoshta farisenjtë përpiqeshin t’i bënin dishepujt e Gjonit xhelozë në lidhje me Jezusin dhe famën e Tij.
3:26 Ata erdhën te Gjoni për një vendim. Ata duket sikur ishin duke thënë, “Nëse pagëzimi yt është më i mirë përse kaq shumë njerëz po largohen nga ti dhe po shkojnë pas Jezusit?” (Shprehja “Ai që ishte me ty përtej Jordanit” i referohet Krishtit). Gjoni dëshmoi për Zotin Jezus dhe si rezultat i kësaj, shumë nga dishepujt e tij u larguan dhe filluan të ndjekin Jezusin.
3:27 Nëse përgjigjja e Gjonit i referohej Zotit Jezus, ajo do të thotë që çdo sukses që po arrinte Shpëtimtari ishte një tregues i aprovimit të Perëndisë për Të. Nëse Gjoni është duke iu referuar vetvetes, ai po thoshte se ai kurrë nuk kishte pretenduar të ishte një njeri i madh dhe i rëndësishëm. Ai nuk kishte thënë kurrë që pagëzimi i tij ishte më i madh se ai i Jezusit. Ai thjesht tha se ai nuk kishte asgjë tjetër përveç asaj që kishte marrë prej qiellit. Kjo është e vërtetë për të gjithë ne, dhe në këtë botë nuk ka asnjë arsye për të cilën ne mund të jemi krenarë dhe për të cilën ne mund të kërkojmë të jemi diçka në sytë e njerëzve.
3:28 Gjoni u kujtoi dishepujve të tij se ai herë pas here u kishte thënë se nuk ishte Krishti, por ishte dërguar vetëm për të përgatitur rrugën për Mesian. Përse atëherë argumentonin përreth kësaj gjëje? Përse kërkonin të formonin një parti rreth tij? Ai nuk ishte i rëndësishmi; ai thjesht përpiqej t’i drejtonte njerëzit te Zoti Jezus.
3:29 Zoti Jezus Krisht ishte dhëndri. Gjon Pagëzori ishte thjesht miku i dhëndrit. Nusja nuk i përket shokut të dhëndrit, por vetë dhëndrit. Prandaj ishte diçka e përshtatshme që njerëzit të ndiqnin Jezusin dhe jo atë. Nusja është përdorur këtu për t’iu referuar në përgjithësi gjithë atyre që do të bëheshin dishepuj të Zotit Jezus. Në DhV, Izraeli ishte quajtur si nusja e Jehovait. Më pas në DhR, ata që janë anëtarë të kishës së Krishtit janë përshkruar nën figurën e një nuseje. Por këtu në Ungjillin e Gjonit, fjala ishte përdorur në një domethënie më të gjerë për të përfshirë ata që e lanë Gjon Pagëzorin kur u shfaq Mesia. Kjo fjalë nuk nënkuptonte as Izraelin as kishën. Gjoni nuk u mërzit nga humbja e dishepujve. Ishte gëzimi i tij më i madh të dëgjonte zërin e dhëndrit. Ai ishte i kënaqur që Jezusi merrte gjithë vëmendjen. Gëzimi i tij ishte i plotë kur Krishti lavdërohej dhe nderohej nga njerëzit.
3:30 Në këtë varg është përmbledhur gjithë objektivi i shërbesës së Gjonit. Ai punoi pa pushim për t’i drejtuar burrat dhe gratë te Jezusi, dhe t’i ndihmonte ata të kuptonin vlerën e Tij të vërtetë. Duke bërë këtë, Gjoni kuptoi se atij i duhet të qëndronte në sfond. Për një shërbëtor të Krishtit, dëshira për të tërhequr vëmendjen te vetja e tij, është një formë e vërtetë mosbesnikërie.
Vini re tre fjalët “duhet” në këtë kapitull: për Mëkatarin (3:7); për Shpëtimtarin (3:14); dhe për të Shenjtin (3:30)
3:31 Jezusi është Ai që vjen nga lart dhe është përmbi të gjithë. Kjo thënie kishte si synim të tregonte origjinën e Tij qiellore dhe pozicionin e Tij suprem. Për të provuar inferioritetin e tij, Gjon Pagëzori tha që ai vetë ishte nga dheu dhe fliste për dheun. Kjo thjesht donte të thoshte se për sa i përket lindjes së tij, ai ishte një njeri i lindur nga prindër njerëzorë. Ai nuk i takonte një rangu qiellor dhe nuk mund të fliste me të njëjtin autoritet si Biri i Perëndisë. Ai ishte inferior ndaj Zotit Jezus sepse Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë. Krishti është Sovrani suprem i universit. Prandaj është e drejtë që njerëzit të ndjekin Atë dhe jo lajmëtarët e Tij.
3:32 Por kur Zoti Jezus foli, Ai foli me autoritet. Ai u tha njerëzve ato që kishte parë dhe dëgjuar. Nuk kishte asnjë mundësi gabimi apo mashtrimi. Dhe përsëri, sa e habitshme të thuhet se askush nuk e pranon dëshminë e Tij. Shprehja askush nuk duhet marrë në një kuptim të përgjithshëm. Ka individë që pranojnë fjalët e Zotit Jezus. Megjithatë, Gjoni e shihte njerëzimin në përgjithësi dhe thjesht po thoshte se mësimet e Shpëtimtarit ishin hedhur poshtë nga shumica e njerëzve. Jezusi ishte Ai që zbriti nga qielli, por të paktë ishin ata që dëshironin ta dëgjonin.
3:33 Vargu 33 përshkruan ata të paktë të cilët i pranuan fjalët e Zotit si fjalë të vetë Perëndisë. Me pranimin e tyre, ata vulosën që Perëndia është i vërtetë. Kështu është edhe sot. Kur njerëzit pranojnë mesazhin e ungjillit, ata kalojnë në anën e Perëndisë kundër vetes së tyre dhe kundër pjesës tjetër të njerëzimit. Ata kuptojnë që nëse Perëndia ka thënë diçka, ajo duhet të jetë e vërtetë. Vini re sa qartë mëson vargu 33 mbi hyjninë e Krishtit. Ai thotë se kushdo që beson dëshminë e Krishtit pohon se Perëndia është i vërtetë. Kjo është një mënyrë tjetër e të thënit që dëshmia e Krishtit është dëshmia e Perëndisë, dhe që të pranosh njërin do të thotë të pranosh edhe tjetrin.
3:34 Jezusi ishte Ai që Perëndia kishte dërguar. Ai foli fjalët e Perëndisë. Për të mbështetur këtë thënie, Gjoni shpalli që Perëndia nuk e jep Frymën e Tij me masë. Krishti ishte vajosur me anë të Frymës së Shenjtë e Perëndisë në një mënyrë që nuk ishte e vërtetë për asnjë person tjetër. Të tjerët ishin të vetëdijshëm për ndihmesën e Frymës së Shenjtë në shërbesën e tyre, por asnjë njeri nuk kishte një shërbesë të mbushur me Frymën e Shenjtë ashtu si Biri i Perëndisë. Profetët morën një zbulesë të pjesshme nga Perëndia por “Fryma zbuloi në dhe me anë të Krishtit diturinë e vërtetë dhe zemrën e vërtetë të Perëndisë tek njerëzit me gjithë dashurinë e Tij të pafund.”
3:35 Kjo është një nga të shtatë herët e Ungjillit të Gjonit ku na thuhet se Ati e do Birin. Këtu kjo dashuri është shfaqur në faktin se Perëndia i ka dhënë Birit kontroll mbi gjithçka. Mes këtyre gjërave mbi të cilat Shpëtimtari ka kontroll të plotë janë edhe fatet e njerëzve, siç është shpjeguar më pas në vargun 36.
3:36 Perëndia i ka dhënë Krishtit fuqinë për t’u siguruar jetë të përjetshme gjithë atyre që besojnë në Të. Ky është një nga vargjet më të qarta në Bibël i cili flet për mënyrën me të cilën mund të shpëtohet një person. Është thjesht me anë të besimit në Birin. Kur lexojmë këtë varg, ne duhet të kuptojmë se Ai që flet është Perëndia. Ai po bën një premtim që nuk mund të shkelet kurrë. Ai thotë qartë dhe prerë që kushdo që beson në Birin e Tij ka jetë të përjetshme. Për të pranuar këtë premtim nuk është një hap drejt errësirës. Është thjesht të besosh diçka që nuk mund të jetë e rreme. Ata që nuk i binden Birit të Perëndisë nuk do të shohin jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi ta tashmë. Nga ky varg ne mësojmë që fati ynë i përjetshëm varet në atë çfarë ne bëjmë me Birin e Perëndisë. Nëse ne e pranojmë Atë, Perëndia na jep jetën e përjetshme si një dhuratë falas. Nëse ne e hedhim poshtë Atë, ne kurrë nuk do të gëzojmë jetë të përjetshme, dhe jo vetëm kaq, por zemërimi i Perëndisë tashmë varet mbi ne, gati për të rënë në çdo moment. Vini re që në këtë varg nuk ka asgjë që flet për zbatim të ligjit, për bindje ndaj ndonjë Rregulli të Artë, për vajtje në kishë, për bërjen e asaj që kemi mundësi të bëjmë ose për të siguruar vetë rrugën për në qiell.

J. Kthimi i një gruaje nga Samaria (4:1-30)

4:1, 2 Farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po pagëzonte më shumë dishepuj sesa Gjoni dhe që fama e Gjonit me sa duket po binte. Ndoshta ata kishin si synim ta përdornin këtë fakt për të krijuar rrëmujë dhe xhelozi midis dishepujve të Gjonit dhe atyre të Jezusit. Në fakt, nuk pagëzoi Jezusi Vetë. Kjo u bë nga dishepujt e Tij. Megjithatë, njerëzit pagëzoheshin si ndjekës apo dishepuj të Zotit.
4:3 Duke lënë Judenë dhe duke udhëtuar për në Galile, Jezusi nuk i lejoi Farisenjtë të kishin sukses në komplotin e tyre për të shkaktuar ndarje. Por në këtë varg ka diçka tjetër me domethënie. Judea ishte qendra e fesë së Judenjve, ndërkohë që Galilea njihej si një vend pagan. Zoti Jezus kuptoi që krerët Judenj tashmë e kishin hedhur poshtë Atë dhe dëshminë e Tij dhe kështu Ai kthehet ndaj Johebrenjve me mesazhin e shpëtimit.
4:4 Samaria ishte përgjatë rrugës nga Judea për në Galile. Por shumë pak Judenj ndiqnin këtë rrugë për të shkuar atje. Vendi i Samarisë ishte aq i përbuzur nga Judenjtë saqë ata shpesh merrnin një rrugë të tërthortë që kalonte nga Perea për të shkuar nga veriu në Galile. Kështu që kur thuhet se Jezusi duhet të kalonte nëpër Samari, domethënia është diçka tjetër larg rrethanave gjeografike, por për më tepër për faktin që në Samari gjendej një shpirt që kishte nevojë për ndihmë.
4:5 Duke udhëtuar nëpër Samari, Zoti Jezus iu afrua një fshati të vogël të quajtur Sihar. Jo shumë larg atij fshati ndodhej një vend toke që Jakobi ia kishte dhënë Jozefit, birit të tij (Zanafilla. 48:22). Gjatë gjithë kohës që udhëtonte nëpër këtë vend, gjithë skenat e historisë së kaluar ishin vazhdimisht përpara syve të mendjes së Tij.
4:6 Aty ndodhej një pus i njohur me emrin pusi i Jakobit. Ky pus i lashtë mund të shihet ende nga vizitorët, pasi është një nga vendodhjet e pakta Biblike që mund të identifikohet qartë edhe sot.
Ishte rreth orës së gjashtë pasdite kur Jezusi arriti tek pusi. Ai ishte i lodhur si rrjedhim i ecjes së gjatë dhe kështu u ul pranë pusit. Megjithëse Jezusi është Perëndia Bir, Ai është gjithashtu Njeri. Si Perëndi, Ai nuk do të ishte lodhur kurrë, por si Njeri, Ai u lodh. Ne e kemi të vështirë t’i kuptojmë këto gjëra. Por Personi i Zotit Jezus Krisht kurrë nuk mund të kuptohet plotësisht nga mendja njerëzore. E vërteta që Perëndia mundi të vinte në botë dhe të jetonte si një Njeri mes njerëzve është një mister që tejkalon të kuptuarit tonë.
4:7 Ndërkohë që Zoti Jezus rrinte ulur afër pusit, erdhi një grua nga fshati për të mbushur ujë. Nëse, siç thonë disa prej shkollarëve, ishte pasdite, ishte një kohë e pazakontë për një grua të shkonte në pus për ujë, pasi ishte koha më e nxehtë e ditës. Por kjo grua ishte një mëkatare imorale, dhe ajo mund të kishte zgjedhur këtë kohë si shenjë turpi, pasi e dinte që në atë kohë nuk do të kishte asnjë grua tjetër në pus. Sigurisht që Zoti e dinte që ajo do të ishte aty në atë kohë. Ai e dinte që ajo ishte një shpirt në nevojë, dhe kështu vendosi ta takonte dhe ta shpëtonte nga jeta e saj e mëkatshme.
Në këtë pjesë ne gjejmë Shpëtuesin e Shpirtrave në punë, dhe bëjmë mirë të studiojmë metodat që Ai përdori për ta sjellë këtë grua në një ndjenjë nevoje dhe më pas i ofroi asaj zgjidhjen e problemit. Zoti Jezus i foli kësaj gruaje shtatë herë. Edhe gruaja foli po shtatë herë – gjashtë herë me Zotin dhe një herë me njerëzit e qytetit të saj. Ndoshta nëse i flasim Zotit aq herë sa ajo, ne mund të kemi suksesin që ajo pati kur u dëshmoi njerëzve të qytetit hapur për Të. Jezusi e hapi bisedën duke i kërkuar asaj një nder. I lodhur nga udhëtimi i Tij, Ai i tha “Më jep të pi.”
4:8 Vargu 8 shpjegon përse, nga një pikëvështrim njerëzor, Zotit i duhej t’i kërkonte asaj ujë. Dishepujt e Tij kishin shkuar në Sihar për të blerë ushqime. Zakonisht ata mbanin enë për të mbushur ujë, por i kishin marrë me vete. Kështu pra në pamje të jashtme, Zoti nuk kishte ndonjë mjet për të mbushur ujë nga pusi.
4:9 Gruaja e njohu Jezusin si një Jude dhe u mahnit që ai po fliste me atë, një Samaritane. Samaritanët shpallnin se rridhnin nga Jakobi dhe e shihnin vetveten si Izraelitë të vërtetë. Në fakt ata ishin me një prejardhje të përzjerë Judenje dhe pagane. Mali Gerizim ishte vendi i tyre zyrtar për adhurim. Ky ishte një mal në Samari që dukej qartë nga vendi ku Zoti po fliste më këtë grua. Judenjtë nuk i donin Samaritanët. Ata i konsideronin si njerëz me gjysëm racë. Prandaj gruaja i tha Zotit Jezus, “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” Ajo nuk kuptoi se po fliste me Krijuesin e saj, dhe që dashuria e Tij tejkalon çdo ndarje të krijuar nga njerëzit.
4:10, 11 Duke i kërkuar një nder, Zoti kishte shkaktuar tek ajo interes dhe kuriozitet. Ai i ngre akoma më shumë këto të dyja duke e quajtur veten Perëndi dhe Njeri në të njëjtën kohë. Ai ishte para së gjithash, dhurata e Perëndisë – Ai që Perëndia e kishte caktuar të ishte Shpëtimtari i botës, Biri i Tij i vetëm. Por Ai ishte gjithashtu Njeri – Ai që ishte lodhur me udhëtimin e tij dhe që i kërkoi asaj pak ujë. Me fjalë të tjera, nëse ajo do ta kishte kuptuar se Ai me të cilin po fliste ishte Perëndia i shfaqur në mish, ajo do t’i kishte kërkuar një bekim dhe Ai do t’i kishte dhënë asaj ujë të gjallë. Gruaja s’mund të mendonte gjë tjetër veç ujit të zakonshëm dhe veç pamundësisë që kishte Ai për ta marrë ujin pa mjetet e nevojshme. Ajo nuk kuptonte që fliste me Zotin dhe nuk kuptonte fjalët e Tij.
4:12 Hutimi i saj u thellua akoma më shumë kur ajo mendoi për Jakobin, i cili kishte dhënë këtë pus. Ai e kishte përdorur vetë këtë pus dhe si ai edhe bijtë dhe bagëtitë e tij. Tani, shekuj më vonë, këtu ishte një udhëtar i cili kërkoi ujë nga pusi i Jakobit dhe që shpallte se ai ishte në gjendje të jepte diçka më të mirë sesa uji që u kishte dhënë Jakobi. Nëse Ai kishte diçka më të mirë, përse kërkonte të pinte ujë nga pusi i Jakobit?
4:13 Kështu Zoti filloi të shpjegonte ndryshimin midis ujit të pusit të Jakobit dhe ujit që do t’i jepte Ai. Kushdo që pinte nga ky ujë kishte përsëri etje. Sigurisht që gruaja samaritane mund ta kuptonte fare kollaj këtë gjë. Ajo kishte ardhur për ditë aty për të mbushur ujë dhe asnjëherë etja nuk ishte shuar. Dhe kështu është me të gjitha puset e kësaj bote. Njerëzit kërkojnë të gjejnë kënaqësitë e tyre në gjërat tokësore, por këto gjëra nuk janë në gjendje të shuajnë etjen e zemrës njerëzore. Ashtu siç Augustine tha në Rrëfimet e tij, “O Zot, ti na ke krijuar për Veten Tënde dhe zemrat tona nuk kanë paqe derisa ta gjejnë atë tek Ti.”
4:14 Uji që jep Jezusi kënaq me të vërtetë. Kushdo që pi nga bekimet dhe mëshirat e Krishtit nuk do të ketë kurrë etje. Përfitimet e Tij jo vetëm që mbushin zemrën, por edhe derdhen prej saj. Ato janë si një burim që derdhet vazhdimisht, jo vetëm në këtë jetë, por edhe në atë të përjetshmen. Shprehja që gufon në jetë të përjetshme, do të thotë që përfitimet e ujit që jep Krishti nuk janë të kufizuara në këtë botë, por do të vazhdojnë pa mbarim. Kontrasti është tepër i gjallë. Gjithçka që kjo botë mund të sigurojë nuk është e mjaftueshme për të mbushur zemrën njerëzore. Por bekimet që Krishti siguron, jo vetëm që mbushin zemrën, por janë tepër të mëdha për t’u mbajtur brenda asaj zemre.
E gjithë bota nuk mjafton
për të mbushur të treja qoshet e zemrës,
dhe përsëri ajo kërkon diçka;
Vetëm Triniteti që e krijoi
mundet të përmbushë zemrën e gjerë të njeriut.
-George Herbert
Kënaqësitë e kësaj bote janë për pak kohë, por kënaqësitë që Krishti siguron vazhdojnë në jetë të përjetshme.
4:15 Kur gruaja dëgjoi për këtë ujë të mrekullueshëm, dëshiroi që ta kishte menjëherë. Por ajo ende ishte duke menduar për ujë të zakonshëm. Ajo nuk dëshironte të vinte çdo ditë në pus për të mbushur ujë dhe për ta çuar atë në shtëpi me enën e saj të rëndë. Ajo nuk e kuptoi që uji për të cilin kishte folur Zoti Jezus ishte frymëror, që Ai po u referohej të gjitha bekimeve që vijnë në shpirtin e njeriut nëpërmjet besimit në Të.
4:16 Ne këtë moment ka një ndryshim të menjëhershëm të bisedës. Ajo sapo i kishte kërkuar ujë dhe Zoti Jezus i tha të shkonte dhe të thërriste burrin. Përse? Përpara se të shpëtohej kjo grua duhet të pranonte se ishte një mëkatare. Ajo duhet të vinte te Krishti me një pendesë të vërtetë, duke rrëfyer fajin dhe turpin e saj. Zoti Jezus dinte gjithçka për jetën plot mëkate që ajo kishte jetuar, dhe Ai do ta drejtonte hap pas hapi, që edhe ajo ta shihte këtë gjë.
Vetëm ata që e shohin vetveten të humbur mund të shpëtohen. Të gjithë njerëzit janë të humbur, por jo të gjithë e pranojnë këtë gjë. Duke kërkuar që të fitojmë njerëz për Krishtin, ne nuk duhet t’i shmangim kurrë pyetjet rreth mëkatit. Ata duhet të sillen ballë për ballë me faktin që janë të vdekur në faje dhe në mëkate, që kanë nevojë për një Shpëtimtar, që nuk mund ta shpëtojnë vetveten, që Jezusi është Shpëtimtari për të cilin kanë nevojë dhe që Ai do t’i shpëtojë nëse pendohen për mëkatet e tyre dhe nëse besojnë në Të.
4:17 Në fillim gruaja u përpoq ta fshihte të vërtetën pa gënjyer. Ajo tha, “Unë nuk kam burrë.” Ndoshta në një kuptim ligjor, thënia e saj ishte e vërtetë. Por kjo gjë kishte si synim të fshihte faktin që ajo ishte duke jetuar në mëkat me një burrë që nuk ishte burri i saj:
Ajo flet për fe, diskuton teologji, përdor pak ironi, pretendon se habitet – bën gjithçka me qëllim që Krishti të mos e shihte shpirtin e saj të ikur që përpiqej të arratisej nga vetvetja. (Daily Notes of Scripture Union)
Zoti Jezus, si Perëndi, dinte gjithçka përreth kësaj. Dhe kështu i tha, “Mirë the ‘Unë nuk kam burrë’.” Megjithëse ajo mund të ishte në gjendje ta bënte budalla tjetrin, ajo nuk ishte në gjendje ta bënte budalla këtë Njeri. Ai dinte gjithçka për të.
4:18 Zoti Jezus kurrë nuk e përdori gjithëdijen e Tij për të ekspozuar turpin e dikujt kur nuk ishte e nevojshme. Por e përdori atë, si te ky rast, për ta çliruar një person nga skllavëria e mëkatit. Sa e habitur duhet të ketë qenë ajo, kur Ai i tregoi historinë e saj të shkuar! Ajo kishte patur pesë burra, dhe ai me të cilin po jetonte tani nuk ishte burri i saj.
Ka disa opinione të ndryshme në lidhje me këtë varg. Disa thonë se pesë burrat e mëparshëm të kësaj gruaje ose kishin vdekur ose e kishin braktisur, dhe që në marrëdhëniet e saj nuk kishte asgjë të mëkatshme. Nëse kjo gjë është e vërtetë ose jo, nga pjesa e fundit e vargut duket qartë që kjo grua ishte një shkelëse e kurorës. “Ky që ke tani nuk është burri yt.” Kjo është pika e rëndësishme. Gruaja ishte një mëkatare, dhe derisa ajo nuk do ta pranonte këtë fakt, Zoti nuk do ta bekonte me ujin e gjallë.
4:19 Kur jeta e saj u hap përpara syve të saj, gruaja e kuptoi që Ai me të cilin po fliste nuk ishte një person i zakonshëm. Megjithatë ajo ende nuk e kuptoi që Ai ishte Perëndia. Vlerësimi më i lartë që ajo formoi për të ishte thënia “ti je një profet,” pra një zëdhënës i Perëndisë.
4:20 Duket sikur tani gruaja u bind për mëkatet e saj, dhe u përpoq për të ndryshuar bisedë duke paraqitur një pyetje në lidhje me vendin e duhur të adhurimit. Padyshim ajo tha, “Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal” dhe tregoi me gisht Malin Gerizim aty pranë. Më pas ajo i kujtoi Zotit (pa qenë nevoja) se Judenjtë shpallnin Jerusalemin si vendin e duhur ku duhet të adhurohet.
4:21 Jezusi nuk e shmangu komentimin e saj, por e përdori për t’i mësuar të vërteta të tjera frymërore. Ai i tha se po vinte koha në të cilën as Mali Gerizim dhe as Jerusalemi nuk do të ishin vendet e adhurimit. Në DhV, Jerusalemi ishte vendosur nga Perëndia si qyteti prej të cilit duhej t’i drejtohej adhurimi. Tempulli në Jerusalem ishte vendbanimi i Perëndisë dhe Judenjtë e devotshëm shkonin në Jerusalem me flijimet dhe ofertat e tyre. Sigurisht, që në epokën e ungjillit, nuk është më kështu. Perëndia nuk ka ndonjë vend të caktuar mbi tokë ku njerëzit duhet të shkojnë për ta adhuruar. Zoti e shprehu këtë gjë mjaft qartë në vargjet që pasojnë.
4:22 Kur Zoti tha, “Ju adhuroni atë që s’e njihni,” Ai dënoi mënyrën e adhurimit të Samaritanëve. Ky është një kontrast i rëndësishëm për ata mësues fetarë që thonë se të gjitha fetë janë të mira dhe se të gjitha të çojnë në parajsë në fund. Zoti Jezus e informoi këtë grua se adhurimi i Samaritanëve nuk ishte autorizuar nga Perëndia, dhe as që miratohej prej Tij. Ai ishte shpikur nga njerëzit dhe zbatohej pa asnjë miratim të Fjalës së Perëndisë. Nuk ishte kështu me adhurimin e Judenjve. Perëndia i kishte hequr mënjanë Judenjtë si populli i Tij i zgjedhur tokësor. Ai u kishte dhënë atyre udhëzime të plota për sa i përket mënyrës në të cilën ata duhet të adhuronin.
Duke thënë që “shpëtimi vjen nga Judenjtë,” Zoti po mësonte se Judenjtë ishin caktuar nga Perëndia për të qenë lajmëtarët e Tij, dhe Shkrimet u ishin dhënë pikërisht atyre. Gjithashtu, Mesia ishte dhënë nëpërmjet kombit Jude. Ai u lind nga një nënë Judease.
4:23 Më pas Jezusi e informoi gruan që, me ardhjen e Tij, Perëndia nuk do të kishte një vend të caktuar mbi tokë ku mund të adhurohej. Tani ata që besojnë në Zotin Jezus Krisht, mund ta adhurojnë Perëndinë në çdo kohë dhe në çdo vend. Adhurim i vërtetë do të thotë që një njeri hyn në prani të Perëndisë me anë të besimit dhe aty ai lavdëron dhe adhuron Atë. Trupi i tij mund të jetë në burg, në fushë ose në shtrat, por fryma e tij mund t’i afrohet Perëndisë në shenjtoren qiellore me anë të besimit. Jezusi i tha gruas se prej asaj kohe dhe më pas adhurimi i Atit do të bëhej në frymë dhe në të vërtetë. Judenjtë e kishin reduktuar adhurimin në forma të jashtme dhe ceremoni. Ata mendonin se me anë të zbatimit të ligjit, dhe me anë të kryerjes së disa riteve fetare, ata ishin duke adhuruar Atin. Por adhurimi i tyre nuk ishte një adhurim i frymës. Ishte diçka e jashtme dhe jo e brendshme. Trupat e tyre mund të përuleshin deri në dhe, por zemrat e tyre nuk ishin të drejta përpara Perëndisë. Ndoshta ata ishin duke shtypur të varfërit, ose duke përdorur metoda të ndryshme mashtrimi.
Nga ana tjetër samaritanët, kishin një formë adhurimi, por ajo ishte e rreme. Nuk kishte autoritet nga Shkrimet. Ata e kishin filluar vetë fenë e tyre dhe po e vazhdonin sipas mendjes së tyre. Kështu pra kur Zoti tha se adhurimi duhet të jetë në frymë dhe në të vërtetë, Ai ishte duke qortuar si Judenjtë ashtu edhe Samaritanët. Por ishte duke i lajmëruar se tani që Ai kishte ardhur, ishte e mundshme që njerëzit t’i afroheshin Perëndisë me një pendim të vërtetë nëpërmjet Tij. Mendo për këtë! Të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është i interesuar në adhurimin e njerëzve të Tij. A merr Ai një adhurim të tillë prej meje?
4:24 Perëndia është frymë, është një përkufizim i qenies së Perëndisë. Ai nuk është një njeri i thjeshtë, subjekt i gjithë gabimeve dhe kufizimeve të njerëzimit. Ai nuk mund të kufizohet në një vend në një kohë të caktuar. Ai është një Person i padukshëm i cili është i pranishëm në të gjitha vendet në të njëjtën kohë, Ai është i gjithëdijshëm dhe i gjithpushtetshëm. Ai është i përsosur në të gjitha rrugët e Tij. Prandaj ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetë. Nuk duhet të ketë shtirje apo hipokrizi. Nuk duhet të ketë pretendime mbi të qenurit fetarë, kur jeta e brendshme është e korruptuar. Nuk duhet të ekzistojë ideja se duke kryer disa rite fetare, Perëndia mund të kënaqet. Madje edhe pse disa prej këtyre rregullave janë vendosur nga Perëndia, Ai ende ngul këmbë që njeriu duhet t’i afrohet Atij me një zemër të përulur dhe të penduar. Në këtë kapitull janë gjetur dy “duhet” më shumë – “duhet” për fitimin e shpirtrave (4:4) dhe “duhet” për adhuruesin (4:24).
4:25 Kur gruaja nga Samaria e dëgjoi Zotin, ajo filloi të mendonte për ardhjen e Mesias. Fryma e Shenjtë e Perëndisë kishte nxitur në të një dëshirë për ardhjen e Mesias. Ajo shprehu sigurinë e saj se kur të vinte Ai do t’i mësonte gjithçka. Në këtë thënie na tregohet se një njeri kupton shumë qartë qëllimet e mëdha të ardhjes së Krishtit.
Shprehja “Mesia që e quajnë Krisht” është thjesht një shpjegim i faktit që këto dy fjalë kanë të njëjtën domethënie. Mesia është fjala Hebraike për të Vajosurin e Perëndisë; Krishti është fjala ekuivalente Greke.
4:26 Ajo që Jezusi i tha asaj ishte kjo: “Unë jam Ai që po të flet.” Fjala Ai nuk është pjesë e tekstit origjinal. Megjithëse fjalia është më e qartë me përfshirjen e kësaj fjale, përsëri ekziston një domethënie më e thellë në fjalët e Zotit Jezus. Duke përdorur fjalët “Unë jam,” Ai përdori një nga emrat që Perëndia përdori për Vetveten në DhV. Ai tha “Unë Jam-i është duke folur me ty,” ose me fjalë të tjera “Jehovah është ai që po flet me ty.” Ai po i shpallte asaj të vërtetën e mrekullueshme që Ai me të cilin ajo po fliste ishte Mesia që ajo po kërkonte dhe që Ai ishte Vetë Perëndia. Jehovah i DhV është Jezusi i DhR.
4:27 Kur dishepujt u kthyen nga Sihari e gjetën Jezusin duke folur me këtë grua. Ata u habitën që Ai po fliste me të, pasi ajo ishte një samaritane. Gjithashtu, ata mund ta kishin kuptuar që ajo ishte një mëkatare. E përsëri askush nuk e pyeti Zotin se çfarë kërkonte nga ajo grua ose përse po fliste me të. Është thënë mirë, “Dishepujt u mrekulluan që Ai po fliste me atë grua; ndoshta do të kishin bërë më mirë të mendonin se si Ai kishte folur me ta!”
4:28 Gruaja e la kovën e saj! Kova simbolizon gjërat e ndryshme që ajo kishte përdorur në jetë për të kënaqur vetveten. Gjithçka e kishte zhgënjyer. Tani që gjeti Zotin Jezus, nuk kishte më nevojë për gjërat që më parë kishin zënë një vend kryesor në jetën e saj.
Unë provova çisternat e çara o Zot,
por ah! Ujërat ishin të shtershme!
Dhe kur u ula për të pirë, ato ikën
dhe u tallën me mua kur qava.
Tani askush tjetër përveç Krishtit,
nuk mund të më kënaqë,
nuk ka asnjë emër tjetër për mua;
dashurinë, jetën dhe gëzimin e pafund
i gjeta tek Ti Zoti Jezus.
-B. E.
Ajo jo vetëm që la kovën, por u nis për në qytet. Kur një person shpëtohet, ai ose ajo fillon të mendojë menjëherë për ata që kanë nevojë për ujin e jetës. J. Hudson Taylor ka thënë, “Disa janë xhelozë duke dashur të jenë pasardhës të Apostujve; unë do të doja të isha një pasardhës i gruas samaritane, e cila, kur ata shkuan për ushqim, harroi kovën e saj nga zelli që e kishte përfshirë për shpëtimin e shpirtrave.”
4:29, 30 Dëshmia e saj ishte e thjeshtë, por e efektshme. Ajo i ftoi të gjithë njerëzit e qytetit për të shkuar dhe për të parë një Njeri që i kishte treguar asaj gjithçka që ajo kishte bërë. Gjithashtu, ajo ngriti në zemrat e tyre interesin pasi u tha që ky Njeri mund të ishte me të vërtetë Mesia. Në mendjen e saj s’kishte dyshim pasi Ai sapo i kishte thënë se ishte Krishti. Por ajo ngriti në mendjen e tyre një pyetje me qëllim që ata të shkonin dhe të shihnin me sytë e tyre. Pa dyshim që kjo grua kishte një nam të keq në atë fshat për shkak të mëkatit të saj. Sa e çuditshme do të kishte qenë për njerëzit kur e panë atë duke qëndruar në sheshin e qytetit, duke dëshmuar publikisht Zotin Jezus Krisht! Dëshmia e gruas ishte e efektshme. Njerëzit e fshatit lanë shtëpitë e tyre dhe punën e tyre dhe filluan të shkonin për të gjetur Jezusin.
K. Kënaqësia e Birit në bërjen e Vullnetit të Atit të Tij (4:31-38)

4:31 Tani që dishepujt u kthyen me ushqimin e tyre, ata e inkurajuan Zotin të hante. Me sa duket ata nuk ishin në dijeni të ngjarjeve që po ndodhnin. Në këtë moment historik kur një qytet samaritan po prezantohej me Zotin e Lavdisë, mendimet e tyre nuk mund të shkonin më tej sesa ushqimi për trupat e tyre.
4:32 Zoti Jezus kishte gjetur ushqim dhe mbështetje duke fituar adhurues për Atin. Në krahasim me këtë gëzim, ushqimi fizik kishte shumë pak rëndësi për Të. Në jetë ne marrim atë pas së cilës rendim. Dishepujt ishin të interesuar për ushqimin. Ata u kthyen në fshat për të marrë ushqim dhe u kthyen me të. Zoti Jezus ishte i interesuar për shpirtrat. Atij i interesonte shpëtimi i burrave dhe grave nga mëkati dhe dëshironte t’u jepte atyre ujin e jetës. Ai, gjithashtu, gjeti atë pas së cilës rendi. Cila është gjëja që na intereson?
4:33 Për shkak të pikëpamjes së tyre tokësore, dishepujt dështuan të kuptonin domethënien e fjalëve të Zotit. Ata nuk e vlerësuan faktin që “gëzimi dhe lumturia e suksesit frymëror mund ta ngrejnë njeriun mbi gjithë nevojat që ka trupi dhe mund të zëvendësojnë mishin dhe pijen.” Dhe kështu ata menduan se dikush do të kishte ardhur dhe do t’i kishte dhënë ushqim Zotit Jezus.
4:34 Përsëri Jezusi u përpoq ta tërhiqte vëmendjen e tyre nga gjërat materiale në ato frymërore. Ushqimi i Tij ishte të bënte vullnetin e Perëndisë, dhe të kryente veprën që Ai i kishte dhënë për të bërë. Kjo nuk do të thotë se Jezusi kishte hequr dorë nga të ngrënit, por për më tepër do të thotë se qëllimi dhe objektivi i jetës së Tij nuk ishte për të kënaqur orekset e trupit, por për të bërë vullnetin e Perëndisë.
4:35 Ndoshta dishepujt kishin qenë duke folur për të korrat e ardhshme. Ose ndoshta ishte një proverb i njohur midis Judenjve, “Katër muaj pas mbjelljes së farës dhe vinte korrja.” Sidoqoftë, Zoti Jezus përsëri përdori faktin fizik të korrjes për t’u dhënë një mësim frymëror. Dishepujt nuk duhet të mendonin se koha e korrjes ishte e largët. Ata nuk duhet të përpiqeshin për ta kaluar jetën duke siguruar ushqim dhe veshje, me mendimin se vepra e Perëndisë mund të bëhej më vonë. Ata duhet ta kuptonin që fushat tashmë ishin gati për korrje. Fushat, këtu pa dyshim, i referohen botës. Në atë moment kur Zoti po thoshte këto fjalë, Ai ishte në mes të një fushe korrjesh që përmbante shpirtra samaritanë burrash dhe grash. Ai po u thoshte dishepujve se para tyre shtrihej një punë e madhe korrjesh, dhe që ata duhet t’i kushtoheshin kësaj pune menjëherë dhe me zell.
Kështu sot, Zoti u thotë atyre që janë besimtarë, “Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.” Ndërkohë që ne harxhojmë kohë duke grumbulluar nevojat e mëdha të botës, Zoti do të vendosë në zemrat tona një barrë për shpirtrat e humbur që na rrethojnë. Atëherë do të jetë në dorën tonë të shkojmë përpara për Të duke kërkuar të sjellim kallinjtë e grurit të shirrë.
4:36 Tani Zoti Jezus ishte duke i udhëzuar dishepujt në lidhje me punën për të cilën ata ishin thirrur. Ai i kishte zgjedhur ata për të qenë korrës. Ata jo vetëm që do të fitonin shpërblim në këtë jetë, por do të mblidhnin fryte për gjithë përjetësinë. Shërbesa për Krishtin ka shumë shpërblime në të tashmen. Por një ditë në të ardhmen, korrësit do të kenë gëzimin e të parit të shpirtrave të shpëtuar në qiell për shkak të shpalljes me besnikëri që ata i patën bërë ungjillit.
Vargu 36 nuk mëson që një person fiton jetën e përjetshme nëpërmjet korrjes me besim, por për më tepër që fryti i asaj pune do të vazhdojë në përjetësi.
Në qiell, si mbjellësi ashtu edhe korrësi do të gëzojnë së bashku. Në jetën e përditshme, fusha duhet përgatitur më parë për farën dhe më pas hidhet fara. Më vonë korret gruri. Kështu është edhe në jetën frymërore. Para së gjithash, mesazhi duhet të predikohet dhe më pas duhet ujitur me lutje. Por kur vjen koha e korrjes, të gjithë ata që kanë marrë pjesë në punë gëzohen së bashku.
4:37 Në këtë, Zoti pa një përmbushje të thënies që ishte e zakonshme në ato ditë, “Një mbjell e tjetri korr.” Disa të krishterë janë thirrur për të predikuar ungjillin për shumë vjet pa parë shumë fryt nga puna e tyre. Të tjerë vijnë në fund të atyre viteve dhe shumë shpirtra kthehen tek Zoti.
4:38 Jezusi po i dërgonte dishepujt e Tij në zona që tashmë ishin përgatitur nga të tjerë. Gjatë gjithë periudhës së DhV, profetët kishin parashikuar ardhjen e Mesias dhe epokën e ungjillit. Më pas edhe Gjon Pagëzori erdhi si një pararendës i Zotit, duke kërkuar të përgatiste zemrat e njerëzve për ta pranuar Atë. Zoti Vetë kishte mbjellë farën në Samari dhe kishte përgatitur një fushë për korrësit. Tani dishepujt ishin gati për të shkuar në fushat e korrjes dhe Zoti donte që ata të dinin se megjithëse ata do të kishin gëzimin të shihnin shumë shpirtra që ktheheshin te Krishti, ata duhet të kuptonin se po hynin në punën e të tjerëve.
Shumë pak shpirtra shpëtohen me anë të shërbesës së një personi të vetëm. Shumë njerëz e dëgjojnë ungjillin disa herë përpara se të pranojnë Shpëtimtarin. Prandaj, ai që e drejton përfundimisht një person te Zoti nuk duhet ta lartësojë veten sikur të ishte i vetmi instrument që Perëndia përdori në këtë vepër të mrekullueshme.
L. Shumë samaritanë besojnë në Jezusi (4:39-42)
4:39 Si rezultat i dëshmisë së thjeshtë dhe të drejtë të gruas samaritane, shumë nga njerëzit e saj besuan në Zotin Jezus. Gjithçka që ajo tha ishte, “Ai më tregoi gjithçka kam bërë,” dhe përsëri kjo ishte e mjaftueshme për t’i çuar të tjerët te Shpëtimtari. Ky duhet të jetë një inkurajim për gjithësecilin prej nesh për të qenë të thjeshtë, me kurajë dhe të drejtpërdrejtë në dëshminë që ne japim për Krishtin.
4:40 Pranimi që samaritanët i bënë Zotit Jezus ishte një kontrast i fortë midis tyre dhe Judenjve. Samaritanët duket se kishin një vlerësim të vërtetë në lidhje me këtë Person të mrekullueshëm, dhe iu lutën të qëndronte me ta. Si rezultat i ftesës së tyre, Zoti qëndroi atje dy ditë. Mendoni sa i privilegjuar ishte ky qytet i Siharit që mbajti në gjirin e tij Zotin e Jetës dhe të Lavdisë!
4:41, 42 Dy bashkëbisedime nuk janë kurrë të ngjashme. Disa besuan për shkak të dëshmisë së gruas. Shumë të tjerë besuan për shkak të fjalëve të Vetë Zotit Jezus. Perëndia përdor mënyra të ndryshme për t’i afruar mëkatarët te Vetja e Tij. Thelbi është që duhet të ketë besim te Zoti Jezus Krisht. Është kaq e mrekullueshme të dëgjosh këta samaritanë me një dëshmi të tillë të qartë për Shpëtimtarin. Në mendjet e tyre nuk kishte asnjë fije dyshimi. Ata kishin siguri të plotë shpëtimi, që nuk bazohej në fjalët e një gruaje, por në fjalët e Vetë Zotit Jezus. Pasi e dëgjuan dhe pasi i besuan fjalëve të Tij, samaritanët mësuan se ky ishte me të vërtetë Krishti {{10}}, Shpëtimtari i botës. Vetëm Fryma e Shenjtë mund t’u kishte dhënë atyre një aftësi të tillë në mendje. Judenjtë mendonin se Mesia do të ishte vetëm për ta. Por samaritanët kuptuan se përfitimet e misionit të Krishtit do të shtriheshin në të gjithë botën.
M. Shenja e dytë: shërimi i të birit të nëpunësit mbretëror (4:43-54)
4:43, 44 Pasi kaluan ato dy ditë që Ai i kaloi mes samaritanëve, Zoti i kthehu hapat e Tij drejt Galilesë. Vargu 44 duket sikur paraqet një vështirësi. Ai thotë se arsyeja e lëvizjes së Zotit nga Samaria për në Galile ishte se një profet nuk nderohet në vendlindjen e tij. Dhe në fakt Galilea ishte vendi i Tij, pasi Nazareti ishte një qytet që ndodhej në atë zonë. Ndoshta ajo çfarë vargu do të thotë është se Jezusi shkoi në disa vende të tjera të Galilesë dhe jo në Nazaret. Sidoqoftë, është e vërtetë thënia që një person nuk vlerësohet shumë në vendlindjen e tij aq sa mund të vlerësohet në ndonjë vend tjetër. Miqtë dhe të afërmit mendojnë se ai është thjesht njëri prej tyre. Dhe pa dyshim që Zoti Jezus nuk u vlerësua nga njerëzit e Tij ashtu si duhet të ishte vlerësuar.
4:45 Kur Zoti u kthye në Galile, Ai u prit mirë pasi njerëzit kishin parë gjërat që Ai kishte bërë në Jerusalem për festë. Sigurisht Galileasit për të cilët flitet këtu ishin Judenj. Ata kishin zbritur në Jerusalem për të adhuruar. Atje ata kishin parë Zotin dhe kishin dëshmuar për veprat e Tij të mrekullueshme. Tani ata kishin dëshirë ta kishin Atë në mes tyre në Galile, jo sepse mendonin se ishte Biri i Perëndisë, por sepse ishin kuriozë për Atë që shkaktonte aq shumë komente kudo që shkonte.
4:46 Përsëri fshati i Kanës u nderua nga një vizitë tjetër e Zotit. Në vizitën e parë, disa nga njerëzit e kishin parë Atë duke kthyer ujin në verë. Tani atyre u duhej të dëshmonin një mrekulli tjetër të bërë prej Tij, ndikimi i së cilës do të shtrihej deri në Kapernaum. I biri i një nëpunësi mbretëror … ishte i sëmurë në Kapernaum. Ky njeri ishte pa dyshim një Jude i punësuar nga mbreti Herod.
4:47 Ai kishte dëgjuar se Jezusi kishte qenë në Jude dhe që tani ishte kthyer në Galile. Ai duhet të kishte patur besim në aftësinë e Krishtit për të shëruar sepse ai erdhi direkt te Ai dhe iu lut që të zbriste dhe ta shëronte birin e tij që ishte i sëmurë për vdekje. Duke patur parasysh këtë gjë, ai duket se kishte besim më të madh se gjithë bashkatdhetarët e tij.
4:48 Duke mos i folur vetëm nëpunësit të mbretit, por gjithë popullit Jude në përgjithësi {{11}}, Zoti u kujtoi atyre një karakteristikë kombëtare; ata dëshironin të shihnin mrekulli përpara se të besonin. Në përgjithësi ne shohim se Zoti Jezus nuk ishte aq i kënaqur me besimin që bazohej në mrekullitë e Tij sesa në besimin që bazohej vetëm në Fjalën e Tij. Ai nderohet më shumë kur besojmë një gjë thjesht sepse Ai e tha, sesa kur Ai jep një provë të dukshme. Është në karakterin e njeriut që të shohë përpara se të besojë. Por Zoti Jezus na mëson se më parë duhet të besojmë dhe më pas do të shohim.
Shenjat dhe mrekullitë i referohen çudive. Shenjat janë çudi që kanë një domethënie të thellë. Mrekullitë janë çudi që e bëjnë njeriun të habitet për shkak të cilësive të tyre të mbinatyrshme.
4:49 Nëpunësi, me këmbënguljen e një besimi të vërtetë, besoi që Zoti Jezus do t’ia shëronte djalin, dhe dëshironte një vizitë nga ana e Zotit më shumë se çdo gjë tjetër. Nga njëra anë besimi i tij ishte i mangët. Ai mendoi se Jezusi duhet të ishte pranë shtratit të djalit të tij përpara se ta shëronte. Megjithatë Shpëtimtari nuk e qortoi atë, por e shpërbleu për masën e besimit që ai kishte shfaqur.
4:50 Këtu ne shohim që besimi i burrit rritet. Ai ushtroi atë besim që kishte dhe Zoti i dha atij më shumë. Jezusi e dërgoi në shtëpi me premtimin, “Biri yt jeton.” Biri i tij ishte shëruar. Pa asnjë mrekulli apo provë të dukshme, ai njeri i besoi fjalës së Zotit Jezus dhe u nis për në shtëpi. Ky është besim në veprim!
4:51, 52 Kur ai po zbriste afër shtëpisë, shërbëtorët e vet dolën për ta takuar atë me lajmin e mirë që biri i tij ishte shëndosh e mirë. Njeriu nuk u habit fare nga ky lajm. Ai e kishte besuar premtimin e Zotit Jezus dhe pasi e kishte besuar, tani do të shihte provat. Ati u kërkoi shërbëtorëve se kur i ishte shëruar i biri. Përgjigjja e tyre zbuloi se shërimi i tij nuk kishte qenë gradual, por i menjëhershëm.
4:53 Nuk mund të kishte fije dyshimi për këtë mrekulli të dukshme. Orën e shtatë të ditës së mëparshme, Jezusi i kishte thënë nëpunësit në Kana, “Biri yt jeton.” Po në atë orë në Kapernaum, djali ishte shëruar dhe ethet e kishin lënë. Nga kjo nëpunësi mësoi se për Zotin Jezus nuk ishte e nevojshme të ishte fizikisht i pranishëm për të kryer një mrekulli ose për t’ju përgjigjur një lutjeje. Kjo duhet t’i inkurajojë të gjithë të krishterët në jetën e tyre të lutjes. Ne kemi një Perëndi të fuqishëm që dëgjon kërkesat tona dhe që është në gjendje të plotësojë synimet e Tij në çdo pjesë të botës dhe në çdo kohë.
Nëpunësi vetë besoi dhe bashkë me të edhe e gjithë shtëpia. Duket qartë nga ky varg dhe nga vargje të tjera në DhR që Perëndia dëshiron t’i shohë familjet të bashkuara në Krishtin. Nuk është dëshira e Tij që në qiell të ketë familje të ndara. Ai ka kujdes dhe shënon në Fjalën e Tij që e gjithë shtëpia besoi në Birin e Tij.
4:54 Shërimi i birit të nëpunësit nuk ishte mrekullia e dytë në gjithë shërbesën e Zotit. Ajo ishte shenja e dytë që Jezusi kreu në Galile pasi ishte kthyer nga Judea.

[[2]] (1:29) J. Cynddylan Jones, Studies in the Gospel According to St. John, f. 103.[[2]] [[3]] (1:45) James S. Stewart, The Life and the Teaching of Jesus Christ, f. 66, 67.[[3]] [[4]] (1:51) Vetëm Gjoni shkruan “amenin e dyfishtë” (NKJV, në të vërtetë). Ungjijtë e tjerë, duke mbledhur shprehjen e Zotit, shkruajnë “amen.”[[4]] [[5]] (2:4) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 194.[[5]] [[6]] (2:11) Jones, Studies, f. 148.[[6]] [[7]] (3:1) Lidhësa greke de mund të nënkuptojë dhe, tani, por, etj. Biblat e reja në anglisht kanë prirje për t’i fshirë vazhdimisht këto lidhësa. Ky është një nga vendet e pakta ku KJV ka vepruar kështu dhe pas tij edhe NKJV.[[7]] [[8]] (3:5) Një interpretim tjetër i vlefshëm që i përshtatet kontekstit të krahasimit midis lindjes fizike dhe asaj frymërore, është që uji i referohet lindjes fizike dhe Fryma i referohet Frymës së Shenjtë. Mësuesit e ligjit përdornin fjalën “ujë” për farën e burrit. Uji gjithashtu mund t’i referohet edhe qeses së ujrave që çahet kur lind fëmija.[[8]] [[9]] (3:16) F. W. Boreham, dokumentacion i mëtejshëm.[[9]] [[10]] (4:41, 42) Teksti kritik (NU) e lë jashtë fjalën Krishti.[[10]] [[11]] (4:48) Në Greqisht ka forma të ndara për t’iu referuar një personi (Anglishtja e vjetër thou, thee), dhe ka forma të ndara për t’iu referuar shumë personave (anglishtja e vjetër ye, you). Këtu është përdorur shumësi.[[11]]


[previous][next]