7:1 Midis kapitujve 6 dhe 7 kishte një boshllëk kohor prej disa muajsh. Jezusi mbeti në Galile. Ai nuk dëshironte të qëndronte në Jude, që ishte një qendër për Judenjtë, sepse ata kërkonin ta vrisnin. Në përgjithësi pranohet që Judenjtë {{25}} e këtij vargu u referohen krerëve ose drejtuesve. Ata e urrenin Jezusin më shumë nga gjithë të tjerët dhe kërkonin mundësi për ta vrarë Atë.
7:2 Festa e tabernakujve ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit Jude. Ajo ishte në kohën e korrjeve, dhe festonte faktin që Judenjtë jetuan përkohësisht në çadra pasi dolën nga Egjipti. Ishte një pushim festiv dhe i gëzueshëm që mezi priste ditën e ardhshme kur Mesia do të mbretëronte dhe kombi i shpëtuar Jude do të jetonte në tokë në paqe dhe begati.
7:3 Vëllezërit e Zotit përmendur në vargun 3 ishin bijtë e Marisë lindur pas Jezusit (disa thonë kushërinj apo të afërm të largët). Por nuk ka rëndësi sa e afërt ishte lidhja midis Zotit Jezus dhe atyre, ky fakt nuk i shpëtonte ata. Ata nuk besonin me të vërtetë në Zotin Jezus. Ata i thanë Atij se duhet të shkonte në Festën e Tabernakujve në Jerusalem dhe të kryente disa prej mrekullive të Tij kështu që dishepujt e Tij të mund ta shihnin se çfarë bënte Ai. Dishepujt e përmendur këtu nuk ishin të dymbëdhjetët, por ata që rrëfenin se ishin ndjekës të Jezusit në Jude.
Megjithëse ata nuk besonin në Të, ata dëshironin që Ai të shfaqej haptazi. Ndoshta ata dëshironin vëmendjen që do të binte mbi ta si të afërm të Jezusit. Ose ka mundësi, ata kishin zili për famën e Tij dhe e nxitnin që të shkonte në Jude me shpresën që të vritej.
7:4 Ndoshta këto fjalë ishin një sarkazmë e vërtetë. Të afërmit e Tij duket sikur donin të thoshin që Zoti po kërkonte një reklamë. Ndryshe përse do t’i kryente gjithë ato mrekulli në Galile nëse nuk dëshironte të bëhej i famshëm? “Tani është shansi yt i madh,” thanë ata në të vërtetë. “Ti ke kërkuar të bëhesh i famshëm. Ti duhet të shkosh në Jerusalem për festën. Qindra njerëz do të jenë atje, dhe Ti do të kesh mundësinë për të kryer mrekulli për ta. Galilea është një vend i qetë, dhe këtu Ti je duke i kryer mrekullitë e tua në një vend sekret. Përse e bën këtë kur ne e dimë që Ti dëshiron të bëhesh i famshëm?” Më pas ata shtuan, “Kur ti do të bësh gjëra të tilla tregoju botës.” Mendimi këtu duket se është ky, “Nëse ti je me të vërtetë Mesia, dhe nëse po i bën këto mrekulli për të provuar këtë fakt, përse nuk i bën këto gjëra në një vend që ka vlerë si Judea?”
7:5 Vëllezërit e Tij nuk kishin me të vërtetë një dëshirë për ta parë Atë të lartësuar. Ata nuk besonin me të vërtetë që Ai ishte Mesia. Dhe as dëshironin t’ia besonin veten e tyre Atij. Ajo çfarë thanë ishte thjesht një sarkazmë. Zemrat e tyre nuk ishin të drejta përpara Zotit. Duhet të kishte qenë në veçanti e hidhur për Zotin që vëllezërit e Tij kishin dyshime për fjalët dhe veprat e Tij. E përsëri sa shpesh ndodh që ata që janë besnikë ndaj Perëndisë gjejnë kundërshtim të hidhur nga ata që janë më të dashur dhe më të afërt për ta.
7:6 Jeta e Zotit ishte e organizuar që nga fillimi dhe deri në fund të saj. Çdo ditë dhe çdo lëvizje ishte në përputhje me një skedë të para-organizuar. Koha për ta shfaqur Veten haptazi për gjithë botën, nuk kishte ardhur ende. Ai e dinte saktësisht se çfarë gjendej para Tij, dhe nuk ishte vullneti i Perëndisë që Ai të shkonte në Jerusalem në atë kohë për ta prezantuar veten e Tij publikisht. Por Ai i kujtoi që koha e tyre ishte gjithmonë gati. Ata e jetonin jetën sipas dëshirës së tyre dhe nuk i bindeshin vullnetit të Perëndisë. Ata mund të bënin planet e tyre dhe të udhëtonin sipas dëshirës, sepse ata ishin të vendosur për të bërë vullnetin e tyre.
7:7 Botanuk mund t’i urrente vëllezërit e Zotit sepse ata i përkisnin botës. Ata ishin në anën e botës, kundër Jezusit. Jetët e tyre ishin në harmoni me botën. Bota këtu i referohet sistemit që njeriu kishte ndërtuar dhe në të cilën nuk ka vend për Perëndinë ose për Krishtin e Tij: bota e kulturës, artit, edukimit, ose fesë. Në fakt, Judea ishte veçanërisht bota e fesë, përderisa krerët e Judenjve ishin ata që e urrenin Krishtin më shumë se gjithë të tjerët.
Bota e urreu Krishtin sepse Ai dëshmonte kundër veprave të saj të mbrapshta. Është një koment i trishtueshëm mbi natyrën e rënë të njeriut që kur një Njeri i pamëkatë dhe i panjollë erdhi në botë, bota kërkoi ta vriste. Përsosmëria e jetës së Krishtit tregoi se sa e papërsosur ishte jeta e çdo njeriu. Ashtu si një vijë e drejtë nxjerr në pah se sa e shtrembër është një vijë zigzage kur vendosen krah për krah, kështu edhe ardhja e Zotit në botë shërbeu për të zbuluar mëkatshmërinë e njeriut. Njeriu u zemërua me këtë zbulim të vetvetes. Në vend që të pendohej dhe t’i thërriste Perëndisë për mëshirë, ai kërkoi të shkatërronte Atë që zbuloi mëkatin e tij.
F. B. Meyer komenton:
Ah, është një nga qortimet më të tmerrshme që Dashuria e Mishëruar mund të bëjë, kur thotë për dikë sot ashtu siç ka thënë për disa në ditët e mishit të saj: “Bota nuk mund t’ju urrejë” Jo të jesh i urryer nga bota; të duhesh dhe lajkatohesh nga bota – është një nga pozicionet më të tmerrshme në të cilat mund të gjendet një i krishterë. “Ç’të këqija kam bërë,”pyeti i urti i lashtë, “që ai të flasë mirë për mua?” Mungesa e urrejtjes së botës provon që ne nuk dëshmojmë që veprat e saj janë të mbrapshta. Ngrohtësia e dashurisë së botës provon që ne jemi të sajët. Miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë. Kushdo pra që do të jetë një mik me botën është armik i Perëndisë (Gjoni 7:7, 15:19; Jakobit 4:4). {{26}}
7:8 Zoti u tha vëllezërve të Tij të ngjiteshin në këtë festë. Në këtë kishte diçka tepër të trishtueshme. Ata pretendonin të ishin njerëz fetarë. Ata do të festonin këtë festë të Tabernakujve. E përsëri Krishti i Perëndisë qëndronte në mes tyre dhe ata nuk kishin dashuri të vërtetë për Të. Njeriut i pëlqejnë ritet fetare sepse ai mund t’i kryejë ato pa asnjë interes zemre. Por sille atë njëherë ballë për ballë me Personin e Krishtit dhe ai sëmuret menjëherë. Jezusi tha se Ai nuk do të ngjitej ende {{27}} në këtë festë sepse koha e Tij nuk ishte plotësuar ende. Ai nuk donte të thoshte se nuk do të shkonte fare në festë, sepse ne mësojmë nga vargu 10 që Ai shkoi atje. Për më tepër Ai donte të thoshte që Ai nuk do të shkonte me vëllezërit e Tij dhe nuk do të shpallej publikisht. Nuk ishte koha për një gjë të tillë. Kur të shkonte, Ai do të shkonte qetësisht dhe me reklamimin më të vogël.
7:9 Kështu Zoti mbeti në Galile pasi vëllezërit e Tij u ngjitën në festë. Ata e kishin lënë mbrapa Atë që mund t’u jepte atyre gëzimin dhe lumturinë për të cilat fliste Festa e Tabernakujve.
B. Jezusi mëson në tempull (7:10-31)
7:10 Pasi vëllezërit e Tij u ngjitën për në Jerusalem, Zoti Jezus udhëtoi qetësisht për atje. Si një Jude i devotshëm, Ai dëshironte të merrte pjesë në festë. Por si Biri i bindur i Perëndisë, Ai nuk mund ta bënte këtë haptazi, por si fshehurazi.
7:11 Judenjtë që e kërkonin në festë ishin padyshim krerët që kërkonin ta vrisnin. Kur ata pyetën, “Ku është ai?” ata nuk interesoheshin për ta adhuruar, por për ta shkatërruar.
7:12 Duket qartë që prania e Zotit shkaktonte një rrëmujë midis njerëzve. Mrekullitë që Ai kryente i tërhiqnin njerëzit gjithnjë e më tepër për të vendosur në mendjet e tyre se kush ishte Ai me të vërtetë. Në bisedën e festës qarkullonin dy mendime: a ishte Ai një profet i vërtetë apo i rremë. Disa thanë, “Ai është i mirë!”; të tjerë thoshin, “Jo … Ai e mashtron popullin.”
7:13 Kundërshtimi i krerëve Judenj ndaj Jezusit ishte rritur aq shumë saqë asnjë nuk guxonte të fliste në favor të Tij. Padyshim shumë nga njerëzit e zakonshëm kuptuan që Ai ishte Mesia i Izraelit, por nuk guxonin të dilnin hapur dhe të thoshin sepse kishin frikë se mos krerët i persekutonin.
7:14 Festa e Tabernakujve zgjati për disa ditë. Pasi kishte kaluar gjysma e saj, Jezusi u ngjit në zonën e jashtme të tempullit (i njohur si portiku ku njerëzit lejoheshin të mblidheshin) dhe mësonte.
7:15 Ata që dëgjonin Shpëtimtarin mrekulloheshin. Padyshim që njohuria e Tij mbi DhV ishte ajo që i habiste më shumë. Por vëmendjen e tyre e tërhiqte edhe aftësia e Tij për të mësuar. Ata e dinin që Jezusi nuk kishte ndjekur asnjë nga shkollat e famshme fetare të asaj kohe, dhe nuk mund ta kuptonin si mund të kishte Ai një edukim të tillë. Bota shfaq ende habi për besimtarët që nuk kanë pasur asnjë trajnim fetar dhe që janë në gjendje të predikojnë dhe të mësojnë Fjalën e Perëndisë.
7:16 Përsëri ne shohim që Zoti Jezus refuzonte të merrte lavdi për vete, por thjesht përpiqej të lartësonte Atin e Tij. Jezusi iu përgjigj thjesht duke thënë se mësimet e Tij nuk ishin nga vetja e Tij, por që vinin nga Ai që e kishte dërguar. Çdo gjë që Ai foli dhe mësoi ishin gjëra që Ati i kishte dhënë për të folur dhe mësuar. Ai nuk vepronte i pavarur nga Ati i Tij.
7:17 Nëse Judenjtë dëshironin me të vërtetë të dinin nëse mesazhet e Tij ishin të vërteta apo jo, do të ishte më e thjeshtë për ta që ta kuptonin. Nëse dikush dëshiron me të vërtetë të bëjë vullnetin e Perëndisë, Perëndia do t’ia zbulojë atij nëse mësimet e Krishtit janë hyjnore apo që Zoti ishte duke u mësuar gjëra që Ai dëshironte t’u mësonte. Këtu ka një premtim të mrekullueshëm për ata që ndershmërisht kërkojnë të dinë të vërtetën. Nëse një person është i sinqertë dhe me të vërtetë kërkon të dijë se cila është e vërteta, Perëndia do t’ia zbulojë. “Bindja është burimi i njohurisë frymërore.”
7:18 Kushdo që flet nga vetja e tij, pra sipas vullnetit të tij, kërkon lavdinë e vet. Por me Zotin Jezus nuk ishte kështu. Ai kërkoi lavdinë e Atit që e kishte dërguar. Për shkak se motivet e Tij ishin absolutisht të pastra, mesazhi i Tij ishte absolutisht i vërtetë. Në Të nuk kishte asnjë padrejtësi.
Jezusi ishte i vetmi për të cilin mund të fliteshin fjalë të tilla. Çdo mësues tjetër ka pasur sado pak egoizëm në shërbesën e tij. Duhet të jetë ambicja e çdo shërbëtori të Zotit të lartësojë më shumë Perëndinë sesa vetveten.
7:19 Më pas Zoti bëri një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj Judenjve. Ai u kujtoi atyre se Moisiu kishte qenë ai që u kishte dhënë ligjin. Ata mburreshin me faktin që ata zotëronin ligjin. Ata harruan që nuk kishte asnjë virtyt vetëm në të zotëruarit e ligjit. Ligji kërkonte bindje ndaj urdhëresave të tij. Megjithëse ata lëvdoheshin në ligjin, askush prej tyre nuk e zbatonte atë, dhe kërkonin të vrisnin Jezusin. Ligji ndalonte vrasjen. Ata po e shkelnin ligjin me anë të qëllimit të tyre për ta vrarë Zotin Jezus Krisht.
7:20 Turma ndjeu anën e mprehtë të akuzës së Jezusit, por duke mos e pranuar që Ai kishte të drejtë, filluan ta shanin. Ata thanë se Ai kishte një demon. Ata e vunë në dyshim thënien e Tij se dikush dëshironte ta vriste.
7:21 Jezusi tani iu kthye shërimit të njeriut të paralizuar të Betesdës. Ishte pikërisht kjo mrekulli që nxiti urrejtjen e krerëve Judenj kundër Tij, dhe ishte në këtë kohë kur ata filluan të thurrnin komplotin e tyre për vrasjen e Tij. Zoti u kujtoi atyre se Ai bëri një vepër dhe ata të gjithë u mrekulluan me të. Jo që ata u mrekulluan duke e admiruar, por për më tepër që Ai bënte një gjë të tillë në ditën e Shabatit.
7:22 Ligji i Moisiut kërkonte që një fëmijë mashkull duhet të rrethpritej tetë ditë pas lindjes së tij (Në fakt rrethprerja nuk filloi me Moisiun, por ishte praktikuar nga “etërit”, pra nga Abrahami, Isaku, Jakobi, etj.). Madje edhe nëse dita e tetë binte të shtunën, Judenjtë nuk e konsideronin të gabuar të rrethprisnin një djalë. Ata mendonin se ishte diçka e nevojshme dhe që Zoti i lejonte për një gjë të tillë.
7:23 Nëse ata rrethprisnin një fëmijë në Shabat, me qëllim që t’i bindeshin ligjit të Moisiut në lidhje me rrethprerjen, përse e quanin gabim kur Jezusi shëronte tërësisht një njeri të shtunën? Nëse ligji lejonte diçka që ishte e nevojshme, a nuk do të lejonte ai një vepër mëshire?
Rrethprerja është një operacion i thjeshtë i bërë mbi një fëmijë mashkull. Dihet që shkakton dhimbje, dhe përfitimet e tij fizike janë të pakta. Në kontrast me këtë, Zoti Jezus shëroi tërësisht një njeri ditën e shtunë. Dhe Judenjtë mendonin se ishte gabim.
7:24 Problemi i Judenjve ishte se ata i gjykonin gjërat sipas pamjes së jashtme dhe jo sipas realitetit të brendshëm. Gjykimi i tyre nuk ishte i drejtë. Veprat që dukeshin ligjërisht të përsosura kur kryheshin prej tyre dukeshin absolutisht gabim kur kryheshin nga Zoti. Natyra njerëzore gjithmonë është e prirur për të gjykuar sipas pamjes së jashtme dhe jo sipas realitetit. Zoti Jezus nuk e kishte shkelur Ligjin e Moisiut; ishin ata që po e shkelnin me anë të urrejtjes së tyre të pakuptimtë kundër Tij.
7:25 Deri në këtë kohë në Jerusalem dihej mjaft mirë që krerët Judenj ishin duke komplotuar kundër Shpëtimtarit. Këtu disa nga njerëzit e zakonshëm pyetën nëse ky ishte Ai për të cili komplotonin krerët e tyre.
7:26 Ata nuk mundeshin ta kuptonin që Zotit Jezus i lejohej të fliste kaq hapur dhe me guxim. Nëse krerët e urrenin Atë aq shumë, atëherë përse e lejonin të vazhdonte? Ka mundësi që ata kishin ardhur për të zbuluar që Ai ishte me të vërtetë Mesia, ashtu siç Ai shpallte.
7:27 Njerëzit që nuk besonin se Jezusi ishte Mesia, mendonin se e dinin nga vinte Ai. Ata besonin se Ai ishte nga Nazareti. Ata e njihnin nënën e Tij Marinë dhe supozonin që Jozefi ishte babai i Tij. Nga shumë Judenj besohej se kur Mesia do të vinte, Ai do të vinte në mënyrë të papritur dhe të mistershme. Ata nuk e kishin idenë që Ai do të lindej si një Foshnjë dhe do të rritej si një Njeri. Ata duhet ta kishin ditur nga DhV që Ai do të lindej në Betlehem, por dukej që ata ishin krejt në padije për detajet në lidhje me ardhjen e Mesias. Prandaj ata thanë, “Kur Krishti të vijë askush nuk do ta dijë prej nga është.”
7:28 Në këtë moment Jezusi u thirri njerëzve që ishin mbledhur dhe po dëgjonin bisedën. Ata në fakt e njihnin Atë, dhe e dinin se prej nga ishte Ai. Me siguri që këtu Ai po thoshte që ata e njihnin Atë thjesht si Jezusi i Nazaretit. Por ajo që ata nuk dinin ishte fakti se Ai ishte Perëndi. Pikërisht këtë vazhdoi të shpjegonte Ai në vargun e mëtejshëm.
Për sa i përket njerëzishmërisë së Tij, Ai jetoi në Nazaret. Por ata duhet të kuptonin gjithashtu se Ai nuk erdhi nga Vetvetja, por që ishte dërguar nga Perëndia At, të cilin këta njerëz nuk e njihnin. Në këto fjalë, Zoti Jezus bëri një shpallje të drejtpërdrejtë të barazisë së Tij me Perëndinë. Ai nuk erdhi nga vetja, pra me autoritetin e Tij dhe për të bërë vullnetin e Tij. Për më tepër, Ai ishte dërguar në botë nga Perëndia i vërtetë dhe këtë Perëndi ata nuk e njihnin.
7:29 Por Ai e njihte Atë. Ai kishte banuar me Perëndinë nga përjetësia dhe ishte i barabartë në të gjitha aspektet me Perëndinë At. Kur Zoti tha që ishte nga Perëndia, Ai nuk donte të nënkuptonte thjesht që Ai ishte dërguar nga Perëndia, por që Ai gjithmonë kishte jetuar me Perëndinë dhe ishte i barabartë me Të në të gjitha aspektet. Në shprehjen “Ai më dërgoi,” Zoti shpalli qartë në mënyrën më të qartë të mundshme që Ai ishte Krishti i Perëndisë, i Vajosuri që Perëndia kishte dërguar në botë për të kryer punën e shpengimit.
7:30 Judenjtë e kuptuan domethënien e fjalëve të Jezusit dhe që Ai po e shpallte veten Mesi. Ata e konsideruan këtë një blasfemi të vërtetë dhe u përpoqën për ta arrestuar, por nuk ishin në gjendje të vinin duart mbi Të, sepse ora e tij nuk kishte ardhur akoma. Fuqia e Perëndisë e ruante Jezusin nga skemat e liga të njeriut derisa të vinte koha kur Ai do të ofrohej si një sakrificë për mëkatin.
7:31 Në fakt shumë veta besuan në Zotin Jezus. Neve na pëlqen të mendojmë që besimi i tyre ishte i vërtetë. Arsyetimi i tyre ishte ky. Çfarë gjëje më shumë mund të bënte Jezusi për të provuar që Ai ishte Mesia? Kur Krishti të vinte, nëse Jezusi nuk ishte Mesia, a do të ishte në gjendje Ai të bënte shenja më të mrekullueshme sesa ato që Jezusi kishte bërë? Me sa duket nga pyetjet e tyre ata besonin që mrekullitë e bëra nga Jezusi provonin se Ai ishte Mesia i vërtetë.
C. Armiqësia e Farisenjve (7:32-36)
7:32 Ndërkohë që farisenjtë lëviznin nëpër turmë, ata dëgjonin këto biseda. Turma po murmuriste për Shpëtimtarin, jo në kuptimin e ankesës kundër Tij, por duke zbuluar në fshehtësi admirimin e tyre për Të. Farisenjtë kishin frikë se mos e gjithë kjo kthehej në një lëvizje për të pranuar Jezusin dhe kështu dërguan roje për ta kapur.
7:33 Fjalët e vargut 33 ishin folur padyshim për rojet që erdhën ta arrestonin, ashtu si dhe për Farisenjtë dhe njerëzit në përgjithësi.
Zoti Jezus nuk i dobësoi aspak shpalljet e Tij të mëparshme. Ai në fakt i përforconte ato. Ai i kujtoi ata se do të ishte me ta edhe për pak kohë, dhe më pas do të kthehej te Perëndia At që e kishte dërguar. Padyshim që kjo gjë i zemëroi akoma më shumë Farisenjtë.
7:34 Një ditë në të ardhmen, farisenjtë do ta kërkonin, por nuk do ta gjenin. Në jetën e tyre do të vinte një kohë kur ata do të kishin nevojë për një Shpëtimtar, por do të ishte shumë vonë. Ai do të ishte kthyer në qiell dhe për shkak të mosbesimit dhe ligësisë së tyre, ata nuk do të ishin në gjendje ta takonin Atë atje. Fjalët e këtij vargu janë tepër solemne. Ato na kujtojnë që ekziston një gjë që quhet lënie pas dore e mundësisë. Njerëzit mund të kenë mundësinë për t’u shpëtuar sot; nëse e hedhin poshtë një gjë të tillë ata ndoshta kurrë nuk do ta kenë më mundësinë e shpëtimit.
7:35 Judenjtë dështuan të kuptonin domethënien e fjalëve të Zotit. Ata nuk e kuptuan që Ai po kthehej në qiell. Ndoshta ata menduan që Ai do të niste një udhëtim ungjillëzues ndaj Judenjve të shpërndarë midis Grekëve, dhe ndoshta edhe duke mësuar edhe Grekët.
7:36 Përsëri ata shprehën habinë e tyre me fjalët e Tij. Çfarë donte të thoshte Ai kur tha që ata do ta kërkonin por nuk do të ishin në gjendje ta gjenin? Ku do të shkonte Ai ku ata nuk do të ishin në gjendje ta ndiqnin? Judenjtë këtu ilustrojnë verbërinë e mosbesimit. Nuk ka zemër më të errët sesa zemra e atij që refuzon të pranojë Zotin Jezus. Është një shprehje “nuk ka më të verbër se ata që nuk duan të shohin.” Kështu ishte edhe këtu. Ata nuk donin ta pranonin Zotin Jezus dhe prandaj nuk mundën.
D. Premtimi i Frymës së Shenjtë (7:37-39)
7:37 Megjithëse nuk është përmendur në DhV, Judenjtë kishin një ceremoni në të cilën merrnin ujë nga Pellgu i Siloamit dhe e derdhnin atë në një legen të argjendtë afër altarit të ofertës së djegur për çdo shtatë ditësh të parë të Festës së Tabernakujve. Ditën e tetë, kjo gjë nuk bëhej. Kjo bëri që oferta që Krishti bëri për ujin e gjallë të jetës të ishte akoma më e mrekullueshme. Judenjtë e kishin zbatuar këtë rit dhe përsëri zemrat e tyre nuk ishin të kënaqura pasi ata nuk e kishin kuptuar akoma domethënien e festës. Përpara se ata të niseshin për në shtëpitë e tyre, ditën e fundit të festës, ditën e madhe të festës, Jezusi u çua dhe thirri duke u folur atyre. Ai i ftoi ata të vinin tek Ai për të gjetur kënaqësi frymërore në Të. Kushtojuni vëmendje të veçantë këtyre fjalëve. Ftesa e Tij ishte për të gjithë. Ungjilli i Tij ishte një ungjill universal. Nuk kishte asnjë që nuk mund të shpëtohej nëse ai thjesht do të vinte te Jezusi.
Por vini re kushtin. Shkrimi thotë, “nëse dikush ka etje.” “Etja” këtu nënkupton nevojën frymërore. Nëse një person nuk e di që është një mëkatar, ai nuk do të dëshirojë kurrë të shpëtohet. Nëse nuk kupton që është i humbur, ai nuk do të ketë kurrë dëshirë për t’u gjetur. Nëse dikush nuk është i vetëdijshëm për mungesën e madhe frymërore në jetën e tij, ai nuk do të dëshirojë kurrë të shkojë te Zoti për ta plotësuar këtë mungesë. Shpëtimtari e ftoi shpirtin e etur të vijë te Ai – jo në kishë, jo te predikuesi, jo te ujërat e pagëzimit dhe as në Darkën e Zotit. Jezusi tha, “le të vijë te Unë.” Askush dhe asgjë tjetër nuk mund të bëjë gjë. “Le të vijë te unë dhe të pijë.” Të “pish” këtu do të thotë ta bësh Krishtin tëndin. Do të thotë ta pranosh Atë si Zot dhe Shpëtimtar. Do të thotë ta marrësh Atë në jetën tënde siç do të merrje një gotë uji në trupin tënd.
7:38 Vargu 38 provon se të vish te Krishti dhe të pish, është njësoj si të besosh në Të. Të gjithë ata që besojnë në Të do të marrin plotësimin e nevojave të tyre dhe burime të bekimeve që do të burojnë nga ai te të tjerët. Në gjithë DhV është mësuar se ata që pranonin Mesian do të ndihmonin vetveten dhe do të ishin kanale bekimesh për të tjerët (Isa 55:1). Shprehja “nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë,” do të thotë nga pjesët e brendshme të një personi ose nga jeta e brendshme do të burojnë lumenj me dëshirën për të ndihmuar të tjerët. Scott thotë që ne pimë me gllënjka të vogla, por këto shumohen në lumenj madhështorë. Temple paralajmëron: “Nuk ka asnjë që banohet nga Fryma e Shenjtë e Perëndisë dhe që e mban atë Frymë vetëm për vete. Aty ku gjendet Fryma, Ai buron; nëse nuk ka burim, Ai nuk është atje.”
7:39 Është thënë qartë që shprehja “ujë i gjallë” i referohet Frymës së Shenjtë. Vargu 39 është shumë i rëndësishëm sepse mëson që të gjithë ata që pranojnë Zotin Jezus Krisht marrin gjithashtu Frymën e Shenjtë. Me fjalë të tjera, nuk është e vërtetë siç thonë disa që Fryma e Shenjtë vjen për të banuar te një njeri pas kohës së kthimit të tij. Ky varg thotë qartë që të gjithë ata që besojnë në Krishtin marrin Frymën. Në kohën që Jezusi tha këto fjalë, Fryma e Shenjtë nuk ishte dhënë akoma. Fryma e Shenjtë zbriti në ditën e Rrëshajave, pra vetëm pasi Zoti Jezus u ngjit në qiell. Që nga ajo kohë e më pas, çdo besimtar i vërtetë në Zotin Jezus Krisht është banuar nga Fryma e Shenjtë.
E. Opinione të ndryshme në lidhje me Jezusin (7:40-53)
7:40, 41 Shumë nga ata që dëgjuan u bindën që Zoti Jezus ishte profeti për të cilin kishte folur Moisiu në Ligji i Perterire 18:15, 18. Të tjerët madje dëshironin të shpallnin që Jezusi ishte Krishti, Mesia. Por disa menduan që kjo ishte e pamundur. Ata besuan që Jezusi ishte nga Nazareti në Galile dhe nuk kishte profeci në DhV që Krishti do të vinte nga Galilea.
7:42 Këta Judenj kishin të drejtë që besonin se Krishti do të vinte nga Betlehemi dhe do të ishte pasardhës i Davidit. Nëse do të kishin marrë mundimin për të kërkuar pak, do të kishin parë që Jezusi kishte lindur në Betlehem dhe që ishte një pasardhës i drejtpërdrejtë i Davidit nëpërmjet Marisë.
7:43 Për shkak të këtyre opinioneve të ndryshme dhe për shkak të paditurisë së tyre të përgjithshme, pati përçarje në turmë për shkak të Krishtit. Edhe sot është po kështu. Burra dhe gra ndahen kur vjen puna për Krishtin. Disa thonë se Ai ishte thjesht një Njeri si ne. Të tjerë duan të pranojnë që ai ishte Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Por ata që e besojnë Fjalën e Perëndisë e dinë që “Krishti … është përmbi çdo gjë, Perëndi, i bekuar përjetë” (Rom. 9:5).
7:44 Ende vazhdonin përpjekjet për ta arrestuar Zotin Jezus, por asnjë prej tyre nuk kishte sukses. Për sa kohë që një njeri ecën sipas vullnetit të Perëndisë, nuk ka fuqi në tokë që ta ndalë. “Ne jemi të pavdekshëm derisa të bëjmë punën që na është dhënë.” Koha e Zotit nuk kishte ardhur ende prandaj njerëzit ishin të paaftë për ta dëmtuar Atë.
7:45 Tani farisenjtë dhe kryepriftërinjtë kishin dërguar roje për ta kapur Jezusin. Rojet ishin kthyer por pa Zotin. Kryeprifti dhe farisenjtë u mërzitën dhe i pyetën rojet përse nuk e kishin sjellë Atë.
7:46 Këtu ishte një moment kur njerëzit po flisnin mirë për Shpëtimtarin, madje edhe pse vetë ata nuk e pranonin Atë. Fjalët e tyre të paharrueshme ishin, “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.” Padyshim që këta roje kishin dëgjuar shumë njerëz të mirë në kohën e tyre, por kurrë nuk kishin dëgjuar dikë me një autoritet, hir dhe urtësi si Ai.
7:47, 48 Për t’i frikësuar rojet, Farisenjtë i akuzuan duke u thënë se ishin mashtruar nga Jezusi. Ata u kujtuan atyre që asnjë nga krerët e kombit Jude nuk kishte besuar në Të. Çfarë argumentimi i tmerrshëm që ishte ky! Ishte për turp të tyre që krerët e kombit Jude nuk kishin mundur të njihnin Mesian në kohën e ardhjes së Tij.
Këta Farisenj, jo vetëm që nuk dëshironin vetë të besonin në Të, por nuk lejonin as të tjerët për të besuar. Kështu është edhe sot. Shumë prej atyre që nuk duan të shpëtohen, bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të penguar të afërmit dhe miqtë e tyre për të mos u shpëtuar.
7:49 Këtu farisenjtë e quajtën turmën e njerëzve të paditur dhe të mallkuar. Ata mendonin që njerëzit e zakonshëm duke mos ditur asgjë në lidhje me Shkrimet, nuk do të mund ta njihnin Mesian kur Ai të vinte. Farisenjtë ishin shumë të gabuar.
7:50 Në këtë moment Nikodemi u foli. Ishte ai që kishte shkuar te Jezusi natën dhe që kishte mësuar se duhet të rilindte. Mund të duket sikur Nikodemi kishte besuar tashmë te Jezusi dhe ishte i shpëtuar. Këtu ai del përpara dhe thotë një fjalë për Zotin e tij në mes të krerëve Judenj.
7:51 Ajo që Nikodemi donte t’u thoshte Judenjve ishte se ata nuk i kishin dhënë Jezusit shansin e duhur. Ligji i Judenjve nuk gjykonte një njeri përpara se të kishin dëgjuar çështjen e tij. Kjo ishte ajo që ata po bënin. A kishin ata frikë nga faktet? Duket qartë që përgjigjja ishte po.
7:52 Tani krerët i kthehen njërit prej shokëve të tyre, Nikodemit. Ata e pyetën me një ironi të madhe duke i thënë nëse edhe ai ishte bërë një nga ndjekësit e Jezusit nga Galilea? A nuk e dinte ai që DhV nuk fliste për ndonjë profet të dalë nga Galilea? Këtu krerët treguan injorancën e tyre. Vallë nuk kishin lexuar ata për profetin Jona? Ai ishte prej Galilesë.
7:53 Tashmë Festa e Tabernakujve kishte mbaruar. Njerëzit u kthyen në shtëpitë e tyre. Disa kishin takuar Shpëtimtarin ballë për ballë dhe kishin besuar në Të. Por shumica e kishin hedhur poshtë dhe krerët e Judenjve ishin më të vendosur se kurrë për ta hequr qafe Jezusin. Ata e konsideronin një kërcënim ndaj fesë dhe mënyrës së tyre të jetesës.
F. Gruaja që kishte shkelur kurorën (8:1-11)
8:1 Ky varg është i lidhur ngushtë me vargun e fundit të kapitullit 7. Lidhja duket më qartë nëse ne i vendosim këto dy vargje së bashku si më poshtë: “dhe secili u kthye në shtëpinë e tij, por Jezusi shkoi në malin e Ullinjve.” Zoti kishte thënë me të vërtetë, “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole, por Biri i Njeriut nuk ka ku të mbështesë kokën e Tij.”
8:2 Mali i Ullinjve nuk ishte larg nga tempulli. Si zbardhi dita, Zoti Jezus zbriti nga njëra anë e tij , përshkoi Luginën e Kidronit dhe u ngjit përsëri në qytet, atje ku ndodhej tempulli. Gjithë populli erdhi tek Ai dhe Ai u ul dhe u mësonte.
8:3 Skribët (një grup njerëzish të cilët kopjonin Shkrimet dhe jepnin mësim për to) dhe Farisenjtë mezi prisnin ta kapnin Zotin Jezus duke thënë diçka të gabuar me qëllim që të kishin përse ta akuzonin. Ata sapo kishin sjellë një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën, dhe e kishin lënë në mes të turmës, ndoshta përballë Jezusit.
8:4 Akuza e kurorëshkeljes që i bëhej kësaj gruaje ishte me siguri e vërtetë. Nuk ka asnjë arsye të dyshohet nëse kjo grua ishte kapur pikërisht gjatë kryerjes së këtij mëkati të tmerrshëm apo jo. Por ku ishte burri? Shpesh në jetë gratë janë ndëshkuar ndërkohë që burrat të cilët kanë qenë po aq fajtorë janë lënë të lirë.
8:5 Loja e tyre tani ishte tepër e qartë. Ata dëshironin që Zoti Jezus të kundërshtonte Ligjin e Moisiut. Nëse do të kishin sukses në këtë gjë, ata mund ta kthenin popullin e thjeshtë kundër Jezusit. Ata i kujtuan Zotit se Moisiu, në ligj kishte urdhëruar që një person i zënë gjatë aktit të kurorëshkeljes duhet të vritej me gurë për vdekje. Për qëllimet e tyre të këqija, Farisenjtë shpresonin që Jezusi nuk do të ishte dakord, dhe kështu që i kërkuan Atij të thoshte diçka mbi këtë çështje. Ata menduan që drejtësia dhe Ligji i Moisiut kërkonin që ajo duhet të bëhej një shembull. Ashtu si thotë Darby:
Zemra e çoroditur e njeriut ngushëllohet dhe qetësohet nëse ai gjen një person më të keq se veten e tij: ai mendon që mëkati më i madh i tjetrit e justifikon atë; dhe duke akuzuar dhe fajësuar dikë tjetër, ai harron ligësinë e tij. Ai kështu gëzohet në shkeljen e tij. {{28}}
8:6 Ata nuk kishin akuzë të vërtetë ndaj Zotit dhe përpiqeshin të ndërtonin një të tillë. Ata e dinin që nëse Ai do ta linte gruan të lirë, do të binte në kundërshtim me Ligjin e Moisiut dhe ata do ta akuzonin për padrejtësi. Nëse, në anën tjetër, Ai do ta dënonte gruan me vdekje, ata mund ta përdornin këtë për të treguar se Ai ishte një armik i qeverisë Romake dhe mund të thoshin gjithashtu se Ai nuk ishte i mëshirshëm. Jezusi u përkul dhe shkruante me gisht në dhe. Është e pamundur për të kuptuar se çfarë shkroi Ai. Shumë njerëz janë tepër të bindur se e dinë se çfarë ka shkruar, por fakti i thjeshtë është se Bibla nuk thotë asgjë.
8:7 Të pakënaqur, Judenjtë ngulnin këmbë që Ai të jepte një përgjigje. Kështu Jezusi thjesht tha se dënimi i ligjit duhet të zbatohej, por duhet të vihej në zbatim nga ata që nuk kishin kryer mëkat. Kështu Zoti miratoi Ligjin e Moisiut. Ai nuk tha që gruaja duhet të lihej e lirë dhe të mos dënohej. Por ajo që Ai bëri ishte se Ai akuzoi secilin prej këtyre burrave duke thënë se ata vetë kishin mëkatuar. Ata që dëshirojnë të gjykojnë të tjerët duhet të jenë vetë të pastër. Ky varg shpesh është përdorur për të justifikuar mëkatin. Qëndrimi është që ne jemi të lirë nga fajësimi sepse të gjithë kanë bërë gjëra që janë gabim. Por ky varg nuk shfajëson mëkatin. Për më tepër, ai dënon ata që janë fajtorë edhe pse ata nuk janë kapur kurrë duke mëkatuar.
8:8 Edhe njëherë Shpëtimtari u përkul dhe shkroi me gisht në dhe. Këto janë shënimet e vetme në Bibël ku thuhet se Zoti Jezus ka shkruar diçka dhe ajo që Ai shkroi është fshirë shumë kohë më parë nga toka.
8:9 Ata që akuzuan gruan ishin të bindur nga ndërgjegjja. Nuk kishin se çfarë të thoshin. Ata filluan të largoheshin, një nga një. Ishin të gjithë fajtorë, nga më i vjetri deri te më i riu. Jezusi mbeti vetëm me atë grua që qëndronte atje.
8:10 Me një hir të mrekullueshëm Jezusi i tregoi asaj gruaje se të gjithë ata që e kishin akuzuar ishin zhdukur. Ata nuk gjendeshin gjëkundi. Në gjithë atë turmë nuk ndodhej asnjë njeri i vetëm që guxonte ta dënonte.
8:11 Fjala Zot këtu ndoshta ka kuptimin “Zotëri.” Kur gruaja tha, “Askush, Zotëri,” Zoti tha këto fjalë të mrekullueshme, “As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më.” Zoti nuk shpalli se kishte një autoritet civil në një çështje të tillë. Kjo fuqi i ishte veshur qeverisë Romake, dhe Ai ia la asaj. Ai as e dënoi dhe as e fali atë. Ky nuk ishte funksioni i Tij gjatë asaj kohe. Por Ai i dha një paralajmërim se ajo duhet të hiqte dorë nga mëkati.
Në kapitullin e parë të Gjonit, ne mësuam se “hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezus Krishtit.” Këtu kemi një shembull të kësaj. Në fjalët “As unë nuk të dënoj,” ne kemi një shembull të hirit; fjalët “shko dhe mos mëkato më,” janë fjalë të së vërtetës. Zoti nuk tha, “Shko dhe mëkato sa më pak të jetë e mundur.” Jezus Krishti është Perëndi, dhe standardi i Tij është përsosmëria absolute. Ai nuk mund ta miratojë mëkatin në asnjë lloj shkalle. Dhe kështu Ai vendos përpara saj standardin e përsosur të Vetë Perëndisë. {{29}}
G. Jezusi Drita e Botës (8:12-20)
8:12 Skena tani kalon në vendin e thesarit të tempullit (shiko v 20). Një turmë ishte akoma duke e ndjekur Atë. Ai iu kthye atyre dhe bëri një ndër deklaratat më të mëdha për sa i përket të qenurit të Tij Mesi. Ai tha, “Unë jam drita e botës.” Natyrisht që bota është në errësirën e mëkatit, injorancës dhe kotësisë. Drita e Botës është Jezusi. Përveçse me anë të Tij nuk ka çlirim nga errësira e mëkatit. Përveçse me anë të Tij, nuk ka drejtim për në udhën që të çon në jetën e përjetshme, nuk ka njohuri për kuptimin e vërtetë të jetës dhe mbi përjetësinë. Jezusi premtoi se çdo njeri që do ta ndjekë Atë nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.
Të ndjekësh Jezusin do të thotë të besosh në Të. Shumë njerëz kanë idenë e gabuar se ata mund të jetojnë siç jetoi Jezusi pa një rilindje. Të ndjekësh Jezusin do të thotë të vish tek Ai me pendim, ta besosh Atë si Zot dhe Shpëtimtar, dhe më pas t’ia dorëzosh jetën plotësisht Atij. Ata që bëjnë këtë kanë drejtim në jetë dhe një shpresë të qartë dhe të shkëlqyer që shkon përtej varrit.
8:13 Farisenjtë tani duan ta sfidojnë Jezusin në një pikë të ligjit. Ata i kujtuan Atij se Ai po dëshmonte për Vetveten. Dëshmia e një personi nuk konsiderohej e mjaftueshme sepse është e qartë që qenia njerëzore është e prirur të mbajë anën e saj. Farisenjtë nuk shqetësoheshin për faktin se ishin duke dyshuar mbi fjalët e Jezusit. Në fakt ata dyshonin krejtësisht mbi vërtetësinë e tyre.
8:14 Zoti e dinte që zakonisht ishte e nevojshme të kishe dy ose tre dëshmitarë. Por në rastin e Tij, dëshmia e Tij ishte absolutisht e vërtetë sepse Ai është Perëndia. Ai e dinte që kishte ardhur nga qielli dhe që do të kthehej përsëri në qiell. Por ata nuk e dinin nga kishte ardhur Ai dhe ku po shkonte. Ata menduan se Ai ishte thjesht një njeri si gjithë të tjerët dhe nuk do të besonin që Ai ishte Biri i përjetshëm, i barabartë me Atin.
8:15 Farisenjtë i gjykonin të tjerët nga pamja e jashtme dhe sipas standardeve njerëzore. Ata e shihnin Jezusin si Marangozin Nazareas dhe kurrë nuk rreshtën së menduari se Ai ishte një njeri si gjithë të tjerët që kanë jetuar në këtë tokë. Zoti Jezus tha se Ai nuk gjykon asnjeri. Kjo mund të nënkuptojë që Ai nuk i gjykonte njerëzit sipas standardeve njerëzore, ashtu si bënin farisenjtë. Ose ka më shumë të ngjarë që qëllimi i ardhjes së Tij në botë nuk ishte për të gjykuar njerëzit, por për t’i shpëtuar ata.
8:16 Nëse Zoti do të gjykonte, gjykimi i Tij do të ishte i drejtë dhe i vërtetë. Ai është Perëndi dhe gjithçka që Ai bën është bërë në partneritet me Atin që e dërgoi. Përsëri Zoti Jezus u theksoi farisenjve unitetin e Tij me Perëndinë At. Dhe ishte pikërisht kjo gjë që nxiti në zemrat e tyre armiqësinë e hidhur kundër Tij.
8:17, 18 Zoti shpalli se dëshmia e dy dëshmitarëve kërkohej nga vetë Ligji i Moisiut. Asgjë që Ai pati thënë nuk kishte synim për ta mohuar këtë fakt.
Nëse ata ngulnin këmbë në domosdoshmërinë e dy dëshmitarëve, nuk ishte e vështirë për Të, për t’i nxjerrë ata. Para së gjithash, Ai dha dëshmi për Vetveten me anë të jetës së Tij të pamëkatë dhe me anë të fjalëve që kishin dalë nga goja e Tij. Së dyti, Ati dha dëshmi për Zotin Jezus me anë të thënieve të Tij publike nga qielli dhe me anë të mrekullive që Ai i dha Zotit Jezus për të bërë. Krishti përmbushi profecitë e DhV në lidhje me Mesian, dhe përsëri duke qenë përballë kësaj evidence të fuqishme, krerët Judenj nuk dëshironin të besonin.
8:19 Padyshim që pyetja tjetër e Farisenjve u bë me përbuzje. Ndoshta ata ishin duke parë përreth turmës kur thanë, “Ku është Ati Yt?” Jezusi u përgjigj atyre duke u thënë se ata as Atë nuk e njohën se kush ishte me të vërtetë dhe as Atin e Tij. Padyshim që ata do të mohonin rreptësisht një padije të tillë rreth Perëndisë. Por ja që ishte e vërtetë. Nëse do ta kishin pranuar Zotin Jezus ata do ta kishin njohur edhe Atin e Tij. Por asnjë nuk mund ta njohë Perëndinë At, përveçse me anë të Jezus Krishtit. Kështu, kundërshtimi që ata i bënë Shpëtimtarit e bëri të pamundur që ata të shpallnin ndershmërisht që e njihnin dhe që e donin Perëndinë.
8:20 Këtu ne mësojmë që skena e vargjeve të mëparshme ishte në vendin e thesarit në tempull. Përsëri Zoti është rrethuar nga mbrojtja hyjnore, dhe asnjë nuk është në gjendje të verë dorë mbi Të për ta arrestuar apo për ta vrarë. Ora e Tij nuk kishte ardhur ende. Ora e Tij i referohet kohës kur Ai do të kryqëzohej në Kalvar për të vdekur për mëkatet e botës.
H. Debati i Judenjve me Jezusin (8:21-59)
8:21 Përsëri Jezusi tregoi se kishte njohuri të përsosur për të ardhmen. Ai u tha kritikëve të Tij se po shkonte – duke iu referuar kështu jo vetëm vdekjes dhe varrosjes së Tij, por edhe ringjalljes dhe ngjitjes në qiell. Judenjtë do të vazhdonin të kërkonin Mesian, duke mos kuptuar se Ai tashmë i kishte vizituar ata dhe që ata e kishin hedhur poshtë Atë. Për shkak të kundërshtimit të tyre, ata do të vdisnin në mëkatin e tyre. Kjo ndoshta nënkupton që ata do të ishin përjetësisht të privuar nga hyrja për në qiell, atje ku po shkonte Zoti. Kjo është një e vërtetë solemne! Ata që refuzojnë të pranojnë Zotin Jezus nuk kanë shpresë për në qiell. Sa e tmerrshme të vdesësh në mëkatet e tua, pa Perëndinë, pa Krishtin, pa shpresë përgjithmonë!
8:22 Judenjtë nuk e kuptuan që Zoti po fliste për kthimin e Tij në qiell. Çfarë donte të thoshte Ai me fjalët “po shkoj”? A donte të thoshte Ai se do të shpëtonte nga komploti që ata po i kurdisnin për ta vrarë duke vrarë Veten e Tij? Ishte e habitshme që ata të mendonin një gjë të tillë. Pse? Ai tha “Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini.” Nëse Ai do të vriste veten, atëherë edhe ata mund të vrisnin veten duke ndjekur Jezusin për në varr. D.m.th., fjala e Tij, “ju nuk mund të vini.” nuk do të qëndronte. Por ky ishte një shembull tjetër që fliste mbi errësirën e mosbesimit. Duket e habitshme që ata ishin kaq të turbullt dhe injorantë mbi ato çfarë Shpëtimtari ishte duke thënë.
8:23 Duke patur parasysh referimin e marrë për vetëvrasje që menduan ata, Zoti u tha atyre se ishin nga këtu poshtë. Kjo do të thoshte që ata kishin një botkuptim tepër të ulët mbi gjërat. Ata nuk mund të ngriheshin mbi domethënien e drejtpërdrejtë të gjërave dhe kohës. Tek ata nuk ekzistonte të kuptuarit frymëror. Në të kundërt të kësaj, Krishti ishte prej së larti. Mendimet, fjalët dhe veprat e Tij ishin qiellore. Gjithçka që ata bënin kishte shijen e kësaj bote, ndërsa e gjithë jeta e Tij tregonte se Ai vinte nga një tokë shumë më e pastër nga kjo botë.
8:24 Jezusi shpesh përdori përsëritjen për të theksuar gjërat. Këtu Ai i paralajmëroi ata solemnisht se do të vdisnin në mëkatet e tyre. Nëse ata vazhdonin të refuzonin besimin tek Ai, nuk kishte mundësi tjetër. Përveçse me anë të Zotit Jezus nuk ka asnjë rrugë me anë të së cilës mund të merret falja e mëkateve, dhe ata që vdesin me mëkate të pafalura nuk mund të hyjnë në asnjë mënyrë në qiell. Vargu është shkruar kështu: “Po të mos besoni se Unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja.” Ne shohim në fjalët Unë jam një shpallje tjetër që Zoti Jezus i bën hyjnishmërisë së Tij.
8:25 Judenjtë ishin tepër të hutuar nga mësimet e Zotit Jezus. Ata e pyetën hapur duke i thënë se kush ishte Ai. Ndoshta ata e thanë këtë me një sarkazëm, sikur donin të thoshin, “Kush mendon Ti se je që na flet në këtë mënyrë?” Ose ndoshta ata mezi prisnin të dëgjonin çfarë do të thoshte Ai në lidhje me Veten e Tij. Përgjigjja e Tij ia vlen të shihet me kujdes: “Pikërisht atë që ju thashë.” Ai ishte Mesia i premtuar. Judenjtë e kishin dëgjuar Atë aq shpesh, por zemrat e tyre refuzonin të përuleshin ndaj së vërtetës. Por përgjigjja e Tij mund të ketë një domethënie tjetër – Zoti Jezus ishte pikërisht çfarë Ai predikonte. Ai nuk thoshte një gjë dhe bënte një gjë tjetër. Ai ishte mishërimi i gjallë i asaj që predikonte dhe mësonte. Jeta e Tij ishte në përputhje me mësimet e Tij.
8:26 Domethënia e vargut 26 nuk është e qartë. Duket sikur Zoti po thoshte se kishte shumë gjëra të tjera që Ai mund të thoshte dhe të gjykonte lidhur me Judenjtë mosbesues. Ai mund të zbulonte mendimet e këqija dhe motivet e zemrave të tyre. Megjithatë, Ai ishte duke iu bindur Atit në thënien e atyre gjërave të cilat Ati ia kishte dhënë për të thënë. Dhe përderisa Ati është i vërtetë, Ai është i denjë të besohet dhe të dëgjohet.
8:27 Në këtë pikë Judenjtë nuk e kuptuan që Ai po u fliste për Perëndinë At. Duket sikur mendjet e tyre sa vinin dhe bëheshin akoma më të mjegullta. Më parë, kur Zoti Jezus shpalli se ishte Biri i Perëndisë, ata e kuptuan që Ai ishte duke e shpallur veten të barabartë me Perëndinë At. Por nuk po ndodhte më kështu [që ata kuptuan].
8:28 Përsëri Jezusi profetizoi çfarë do të ndodhte. Para së gjithash, Judenjtë do ta lartonin Birin e Njeriut. Kjo i referohet vdekjes së Tij në kryq. Pasi të bënin këtë, ata do të njihnin që Ai ishte Mesia. Ata do ta njihnin nga tërmeti dhe nga errësira, por, mbi të gjitha me anë të ringjalljes së Tij trupore prej së vdekurish. Vini re me kujdes fjalët e Zotit, “Atëherë do të njihni se Unë jam.” Kuptimi më i thellë është, “atëherë do të njihni se unë jam Perëndia.” Atëherë ata do të kuptonin se Ai nuk bëri asgjë nga Vetvetja, pra me autoritetin e Vet. Për më tepër, Ai erdhi në botë si Një i varur nga dikush tjetër, duke folur vetëm ato gjëra të cilat Ati i kishte mësuar të thoshte.
8:29, 30 Marrëdhënia e Zotit me Perëndinë At, ishte shumë intime. Secila nga këto shprehje ishte një shpallje për barazinë e Tij me Perëndinë. Gjatë gjithë shërbesës së Tij tokësore, Ati ishte me Të. Asnjëherë Jezusi nuk u la vetëm. Gjatë gjithë kohës, Ai bëri gjërat që i pëlqenin Perëndisë. Këto fjalë mund të thuheshin vetëm prej një Qenieje të pamëkatë. Asnjë njeri i lindur nga prindër njerëzorë nuk mund t’i thotë këto fjalë me të vërtetë, “Unë bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë.” Shumë shpesh ne bëjmë gjëra për të kënaqur vetveten. Ndonjëherë ne frymëzohemi për të kënaqur ata që na rrethojnë. Vetëm Zoti Jezus ishte plotësisht i përfshirë nga dëshira për të bërë gjërat që kënaqnin Perëndinë.
Ndërsa thoshte këto gjëra të mrekullueshme, Jezusi pa se shumë rrëfyen se besuan në Të. Padyshim që disa ishin të sinqertë në besimin e tyre. Të tjerët mund të ishin të nxitur thjesht për një shërbesë që ishte e tillë vetëm në fjalë.
8:31 Më pas Jezusi bëri një dallim midis atyre që janë dishepuj dhe atyre që janë me të vërtetë dishepuj. Një dishepull është kushdo që rrëfen se është një nxënës, por një që është me të vërtetë dishepull është ai që përfundimisht ia ka dorëzuar vetveten Zotit Jezus Krisht. Ata që janë besimtarë të vërtetë kanë këtë karakteristikë – ata qëndrojnë në fjalën e Tij. Kjo do të thotë se ata vazhdojnë me mësimet e Krishtit. Ata nuk largohen prej Tij. Besimi i vërtetë gjithmonë ka cilësinë e qëndrueshmërisë. Ata nuk shpëtohen duke qëndruar në fjalën e Tij, por ata qëndrojnë në fjalën e Tij sepse janë të shpëtuar.
8:32 Premtimi është bërë ndaj çdo dishepulli të vërtetë që ai do ta njohë të vërtetën dhe e vërteta do ta bëjë të lirë. Judenjtë nuk e njihnin të vërtetën dhe ata ishin në një formë të tmerrshme skllavërie. Ata ishin nën skllavërinë e padijes, gabimit, mëkatit, ligjit dhe supersticionit [p.sh. horoskopi, magjia, shortaria, etj.]. Ata që e njohin me të vërtetë Zotin Jezus janë të çliruar nga mëkati, ata ecin në dritë dhe drejtohen nga Fryma e Shenjtë e Perëndisë.
8:33 Disa nga Judenjtë që po qëndronin aty, dëgjuan fjalët e Zotit mbi të qenurit i lirë. Ata u fyen menjëherë. Ata u mburrën me prejardhjen e tyre nga Abrahami dhe thanë që kurrë nuk kishin qenë skllevër. Por kjo nuk ishte e vërtetë. Izraeli kishte qenë nën skllavërinë e Egjiptit, Asirisë, Babilonisë, Persisë, Greqisë dhe tani të Romës. Por shumë më tepër se kaq, ndërkohë që ishin duke folur me Zotin Jezus, ata ishin nën skllavërinë e mëkatit dhe të Satanit.
8:34 Është e dukshme që Zoti ishte duke folur për skllavërinë e mëkatit. Ai u kujtoi dëgjuesve të Tij Judenj që kushdo që bën mëkatin është skllav i mëkatit. Këta Judenj pretendonin se ishin shumë fetarë, por e vërteta ishte që ata ishin të pandershëm, të parespektueshëm, dhe së shpejti do të ishin edhe vrasës – pasi që tani ata po komplotonin vdekjen e Birit të Perëndisë.
8:35 Më pas Jezusi krahason pozicionet relative të një skllavi dhe të një biri në një shtëpi. Skllavi nuk ka asnjë siguri se do të jetojë aty përgjithmonë; ndërsa biri është në shtëpinë e tij. Nuk mund të themi me siguri se fjala “bir” i referohet Birit të Perëndisë apo atyre që bëhen bij të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin Jezus, por një gjë është e qartë: Zoti Jezus ishte duke u thënë Judenjve se ata nuk ishin bij, por skllevër që një ditë do të nxirreshin jashtë.
8:36 Nuk ka asnjë pikë dyshimi mbi faktin se fjala Bir në këtë varg i referohet Vetë Krishtit. Ata që bëhen të lirë prej Tij, bëhen me të vërtetë të lirë. Kjo do të thotë se kur një person vjen te Shpëtimtari dhe merr jetë të përjetshme prej Tij, ai person çlirohet nga skllavëria e mëkatit, legalizmi, supersticioni dhe demonizimi.
8:37 Zoti vuri në dukje se për sa i përkiste vijës së prejardhjes fizike, këta Judenj ishin pasardhës të Abrahamit (fjalë për fjalë “fara” e Abrahamit). Por ishte tepër e dukshme që ata nuk ishin fara frymërore e Abrahamit. Ata nuk ishin njerëz të perëndishëm ashtu siç ishte Abrahami. Ata kërkuan të vrisnin Zotin Jezus sepse mësimet e Tij nuk gjenin vend në ta. Kjo do të thotë se ata nuk lejonin që fjalët e Krishtit të kishin efekt në jetët e tyre. Ata u rezistuan doktrinave të Tij dhe nuk iu nënshtruan.
8:38 Gjërat që Jezusi u mësoi atyre ishin gjëra që Ati vetë ia kishte ngarkuar t’ua mësonte. Ai dhe Ati i Tij ishin aq të barabartë saqë fjalët që Ai foli ishin fjalët e Perëndisë At. Zoti Jezus e përfaqësoi në mënyrë të përsosur Atin e Tij gjatë kohës që ishte këtu në tokë. Në të kundërt, Judenjtë bënin ato gjëra që kishin mësuar prej etërve të tyre. Zoti Jezus nuk donte të fliste për atin e tyre fizik në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, por për më tepër për djallin.
8:39 Edhe njëherë Judenjtë përmendin farefisninë e tyre me Abrahamin. Ata mburreshin me faktin që Abrahami ishte ati i tyre. Megjithatë, Zoti Jezus theksoi se megjithëse ata ishin pasardhja e Abrahamit [fara] (v 37), ata nuk ishin bij të tij. Zakonisht fëmijët shikojnë, ecin dhe flasin si prindërit e tyre. Por nuk ishte kështu me këta Judenj. Jetët e tyre ishin të kundërta me atë të Abrahamit. Megjithëse sipas mishit ata ishin pasardhës të Abrahamit, moralisht ata ishin ende bij të djallit.
8:40 Zoti vazhdoi duke u dhënë atyre një shembull të qartë që tregonte ndryshimin midis atyre dhe Abrahamit. Jezusi kishte ardhur në botë dhe nuk u thoshte atyre asgjë tjetër përveç së vërtetës. Ata ishin ofenduar dhe penguar nga mësimet e Tij dhe kështu përpiqeshin ta vrisnin Atë. Abrahami nuk e bëri këtë gjë. Ai zuri vendin e tij përkrah të vërtetës dhe drejtësisë.
8:41 Ishte shumë e qartë se kush ishte ati i tyre, sepse ata vepronin si ai. Ata bënin veprat e atit të tyre, pra të djallit. Judenjtë fare mirë mund të ishin duke e akuzuar Zotin si të lindur nga kurvërimi. Por shumë studiues të Biblës shohin në fjalën kurvërim një referim të bërë ndaj idhujtarisë. Judenjtë ishin duke thënë se ata kurrë nuk kishin bërë një shkelje kurore për sa i përket anës frymërore. Ata gjithmonë kishin qenë të vërtetë ndaj Perëndisë. Ai kishte qenë i Vetmi të cilin ata e kishin shpallur si Atin e tyre.
8:42 Zoti tregoi falsitetin e shpalljes së tyre duke u kujtuar atyre se nëse e donin Perëndinë do të donin edhe Atë që Perëndia kishte dërguar. Është marrëzi kur dikush shpall se e do Perëndinë dhe në të njëjtën kohë urren Zotin Jezus Krisht. Jezusi tha se Ai kishte ardhur nga Perëndia. Kjo do të thotë se Ai ishte Biri i Përjetshëm i Perëndisë. Nuk kishte një kohë të caktuar në të cilën Ai kishte lindur si Biri i Perëndisë, por marrëdhënia e Birit me Atin ekzistonte që nga përjetësia. Ai gjithashtu u kujtoi atyre se Ai kishte ardhur nga Perëndia. Duket qartë që këtu Ai ishte duke shpallur para-ekzistencën e Tij. Ai banonte me Atin në qiell shumë më përpara se të vinte këtu në tokë. Por Ati e dërgoi Atë në tokë për të qenë Shpëtimtari i botës, dhe kështu Ai erdhi si Biri i bindur.
8:43 Ka një ndryshim në vargun 43 midis thënies dhe fjalës. Fjala e Krishtit i referohet gjërave që Ai mësoi. Thënia e Tij i referohet fjalëve me të cilat Ai shprehu të vërtetat e Tij. Ata madje nuk mundën të kuptonin as thënien e Tij. Kur Ai foli për bukën, ata menduan thjesht bukën fizike. Kur Ai u foli për ujin, ata nuk e krijuan kurrë lidhjen me ujin frymëror. Përse vallë nuk mundeshin të kuptonin thënien e Tij? Kjo ndodhte sepse ata nuk dëshironin të toleronin [pranonin] mësimet e Tij.
8:44 Tani Zoti Jezus doli hapur duke u thënë se djalli ishte ati i tyre. Kjo nuk do të thotë se ata kishin lindur nga djalli në mënyrën që besimtarët lindin nga Perëndia. Për më tepër do të thotë, ashtu siç ka thënë Augustine, që ata janë bij të djallit nëpërmjet imitimit. Ata treguan lidhjen e tyre me djallin duke jetuar ashtu si ai jetoi.”Dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj,” shpreh qëllimin apo tendencën e zemrave të tyre.
Djalli ishte vrasës që nga fillimi. Ai i solli vdekjen Adamit dhe gjithë racës njerëzore. Ai jo vetëm që ishte një vrasës, por ishte edhe një gënjeshtar. Ai nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur ai tha një gënjeshtër, ai ishte thjesht duke folur nga vetvetja. Gënjeshtrat formonin një pjesë të vetë ekzistencës së tij. Ai është gënjeshtar dhe ati i rrenës. Judenjtë ishin duke e imituar djallin në këto dy mënyra. Ata ishin vrasës sepse qëllimi i zemrës së tyre ishte vrasja e Birit të Perëndisë. Ata ishin gënjeshtarë sepse thanë që Perëndia ishte Ati i tyre. Ata pretendonin se ishin njerëz të perëndishëm, njerëz frymërorë, por jetët e tyre ishin të ndyra.
8:45 Ata që janë shumë të dhënë pas gënjeshtrave duket se e humbasin kapacitetin për të dalluar të vërtetën. Këtu qëndronte Zoti Jezus përpara këtyre njerëzve dhe Ai gjithmonë kishte thënë të vërtetën. E përsëri ata nuk e besonin. Kjo tregon se karakteri i tyre i vërtetë ishte i keq. Lenski ka thënë:
Kur mendja e korruptuar takohet me të vërtetën, ajo kërkon të gjejë vetëm të meta; kur ajo takon atë që është ndryshe nga e vërteta, shikon dhe kërkon arsye për ta pranuar këtë ndryshim. {{30}}
8:46 Vetëm Krishti, Biri i pamëkatë i Perëndisë, mund të fliste me të vërtetë fjalë të tilla. Nuk kishte asnjë person në botë që ta bindte Atë qoftë edhe për një mëkat të vetëm. Në karakterin e Tij nuk kishte asnjë defekt. Ai ishte i përsosur në të gjitha rrugët e Tij. Ai foli vetëm fjalë të së vërtetës, dhe përsëri ata nuk besuan në Të.
8:47 Nëse një njeri e do me të vërtetë Perëndinë, ai do të dëgjojë dhe do t’i bindet fjalëve të Perëndisë. Judenjtë treguan me anë të kundërshtimit që i bënë mesazhit të Shpëtimtarit, se ata nuk i përkisnin me të vërtetë Perëndisë. Është e qartë nga vargu 47 që Zoti Jezus shpalli se Ai fliste pikërisht fjalët e Perëndisë. Nuk mund të ketë një keqkuptim rreth kësaj.
8:48 Edhe një herë Judenjtë u mbështetën në gjuhën abuzive, sepse nuk mund t’i përgjigjeshin fjalëve të Zotit Jezus në ndonjë mënyrë tjetër. Duke e quajtur Atë një Samaritan, ata përdorën një njollë etnike. Ishte njësoj sikur të thoshin se Ai nuk ishte një Jude i pastër, por ishte një armik i Izraelit. Gjithashtu, ata e akuzuan Atë si të kishte një demon. Me këtë ata padyshim që donin të thoshin se Ai ishte i çmendur. Për ta, vetëm një njeri i luajtur nga mendtë do të bënte shpallje të tilla si këto të Jezusit.
8:49 Vini re mënyrën e qetë me të cilën Jezusi u përgjigjet armiqve të Tij. Mësimet e Tij nuk ishin fjalë të një njeriu që kishte një demon, por të Dikujt që kërkoi të nderonte Perëndinë At. Dhe ishte pikërisht për këtë që ata po e çnderonin Atë, jo se Ai ishte i çmendur, por se ishte krejtësisht i zënë me interesin e Atit të Tij në qiell.
8:50 Ata duhet ta dinin që Ai asnjëherë nuk kërkoi lavdinë e Tij. Gjithçka që Ai bëri ishte llogaritur për t’i sjellë lavdi Atit të Tij. Megjithëse Ai i akuzoi duke u thënë se ata po e çnderonin Atë, kjo nuk do të thotë se Ai ishte duke kërkuar lavdinë e Vet. Më pas Zoti shtoi fjalët, “Ka kush e kërkon dhe e gjykon.” Ky person sigurisht që i referohet Perëndisë. Perëndia At do të kërkonte lavdi për Birin e Tij të dashur, dhe do të gjykonte të gjithë ata që dështuan dhe nuk i dhanë Atij lavdi.
8:51 Përsëri kemi një nga ato thëniet madhështore të Zotit Jezus, fjalë që mund të thuhen vetëm nga Një që ishte Perëndia Vetë. Fjalët janë paraqitur me anë të shprehjes theksuese “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them.” Jezusi premtoi se nëse dikush zbaton fjalën e Tij, ai person nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë. Kjo nuk mund t’i referohet vdekjes fizike sepse shumë besimtarë në Zotin Jezus vdesin përditë. Kjo i referohet vdekjes frymërore. Zoti ishte duke thënë se ata që besojnë në Të janë të çliruar nga vdekja e përjetshme dhe nuk do të vuajnë kurrë ankthet e ferrit.
8:52 Judenjtë tani ishin më të bindur se kurrë që Jezusi ishte “i çmendur.” Ata i kujtuan Atij se Abrahami dhe profetët ishin të gjithë të vdekur. E përsëri Ai pati thënë që kushdo që do të zbatonte fjalën e Tij nuk do ta shijonte kurrë vdekjen përjetë. Si mund të pajtohen bashkë këto dy gjëra?
8:53 Ata kuptuan se Zoti në fakt ishte duke shpallur se ishte më i madh se ati i tyre Abrahami dhe se profetët. Abrahami kurrë nuk çliroi dikë nga vdekja, dhe as veten nuk mund ta lironte nga vdekja. Po kështu edhe profetët. E këtu ishte Dikush që shpallte se mund të ishte në gjendje të çlironte miqtë e Tij nga vdekja. Ai duhet ta konsideronte veten më të madh se etërit.
8:54 Judenjtë mendonin se Jezusi po kërkonte të tërhiqte vëmendjen e të tjerëve tek Vetvetja. Jezusi i kujtoi ata se nuk ishte kështu. Ishte Ati që po e nderonte Atë, vetë Perëndia që ata rrëfenin se e donin dhe i shërbenin.
8:55 Judenjtë thanë që Perëndia ishte Ati i tyre, por në të vërtetë ata nuk e njihnin Atë. E përsëri ata ishin duke folur me Një që e njihte Perëndinë At, Një që ishte i barabartë me Të. Ata donin që Jezusi të mohonte barazinë e Tij me Atin, por Ai tha që nëse do ta bënte një gjë të tillë, do të ishte një gënjeshtar. Ai e njihte Perëndinë At dhe i bindej fjalës së Tij.
8:56 Përderisa Judenjtë ngulnin këmbë duke e sjellë Abrahamin në argumentin e tyre, Zoti i kujtoi ata se Abrahami kishte pritur me padurim ditën e Mesias, dhe ai në të vërtetë e kishte parë atë me anë të besimit, dhe ishte gëzuar. Zoti Jezus po thoshte se ishte pikërisht Ai për të cilin Abrahami kishte pritur me padurim. Besimi i Abrahamit qëndronte në ardhjen e Krishtit.
Kur e pa Abrahami ditën e Krishtit? Ndoshta ishte kur shpuri Isakun në Malin Moria për ta sakrifikuar si një ofertë për Perëndinë. E gjithë drama e vdekjes dhe e ringjalljes së Mesias ishte shfaqur në atë kohë dhe është e mundur që Abrahami ta ketë parë atë me anë të besimit. Kështu Zoti Jezus shpalli se ishte përmbushja e gjithë profecive të DhV në lidhje me Mesian.
8:57 Edhe njëherë tjetër Judenjtë shfaqën paaftësinë e tyre për të kuptuar të vërtetën hyjnore. Jezusi pati thënë, “Abrahami ngazëllohej që të shihte ditën time,” por ata u përgjigjën sikur Ai të kishte thënë se e kishte parë Abrahamin. Këtu ka një ndryshim të madh. Zoti Jezus shpalli për veten e Tij një pozitë më të madhe sesa ajo e Abrahamit. Ai ishte objekti i mendimeve dhe shpresave të Abrahamit. Abrahami mezi priste me anë të besimit ditën e Krishtit.
Judenjtë nuk mund ta kuptonin këtë. Ata arsyetonin duke thënë se Jezusi nuk i kishte mbushur ende të pesëdhjetat. (Në të vërtetë Ai ishte vetëm tridhjetë e tre vjeç në atë kohë). Si mund ta kishte parë Ai Abrahamin?
8:58 Zoti Jezus këtu bëri një shpallje tjetër tepër të qartë të të qenurit Perëndi. Ai nuk tha, “para se të kishte lindur Abrahami, Unë kam qenë.” Kjo thjesht mund të nënkuptonte që Ai erdhi në ekzistencë përpara Abrahamit. Për më tepër, Ai përdori Emrin e Perëndisë: UNË JAM. Zoti Jezus kishte banuar me Perëndinë At që nga përjetësia. Nuk kishte kurrë një kohë në të cilën Ai erdhi në ekzistencë, ose një kohë kur Ai nuk ekzistonte. Prandaj Ai tha, “para se të kishte lindur Abrahami, UNË JAM.”
8:59 Menjëherë Judenjtë u përpoqën ta vrisnin Jezusin, por Ai u fsheh dhe doli nga tempulli. Judenjtë kuptuan me saktësi atë që donte të thoshte Jezusi kur tha, “para se të lindte Abrahami, UNË JAM.” Ai po shpallte se ishte Jehovah! Dhe ishte pikërisht për këtë arsye që ata donin ta vrisnin me gurë, sepse për ta kjo ishte një blasfemi. Ata nuk kishin dëshirë të pranonin faktin që Mesia po qëndronte në mes tyre. Ata nuk donin që Ai të mbretëronte mbi ta!
I. Shenja e gjashtë: Shërimi i një të linduri të verbër (9:1-12)
9:1 Ky incident mund të ketë ndodhur gjatë kohës që Jezusi po largohej nga tempulli ose mund të ketë ndodhur pak kohë më pas ngjarjeve të kapitullit 8. Është shkruar që ky njeri kishte qenë i verbër që nga lindja për të treguar gjendjen e tij të pashpresë dhe mrekullinë që i dha atij të parit.
9:2 Dishepujt i bënë një pyetje tepër të çuditshme. Ata donin të dinin nëse verbëria ishte shkaktuar nga mëkati i vetë burrit apo nga mëkati i prindërve të tij. Si mund të ishte shkaktuar verbëria e tij nga mëkati i tij përderisa ai kishte lindur i verbër? A besonin ata në ndonjë formë rimishërimi, domethënë në rikthimin e shpirtit të një të vdekuri pas vdekjes së tij në një trup të ri? Apo sugjeronin që ai mund të kishte lindur i verbër për shkak të mëkateve që Perëndia e dinte se ai do të kryente pas lindjes së tij? Është e qartë që ata menduan se verbëria ishte e lidhur drejtpërsëdrejti me mëkatin në familje. Ne e dimë që kjo nuk është domosdoshmërisht kështu. Megjithëse të gjitha sëmundjet, vuajtjet dhe vdekja erdhën në tokë përfundimisht si një rezultat i mëkatit, nuk është e vërtetë që në çdo rast të veçantë një person vuan për shkak të mëkateve që ai ka kryer.
9:3 Jezusi nuk donte të thoshte që ai burrë nuk kishte mëkatuar, ose që prindërit e tij nuk kishin mëkatuar. Për më tepër, Ai donte të thoshte se verbëria nuk ishte një rezultat i drejtpërdrejtë i mëkatit në jetët e tyre. Perëndia kishte lejuar që ky njeri të lindte i verbër me qëllim që ai të bëhej një vegël për të shfaqur veprat e mrekullueshme të Perëndisë. Përpara se ky njeri të lindte, Zoti Jezus e dinte se Ai do t’u jepte dritë atyre syve të verbër.
9:4 Zoti Jezus dinte që Ai kishte rreth tre vjet shërbesë publike përpara se të kryqëzohej. Çdo moment i asaj kohe duhet të shpenzohej duke punuar për Perëndinë. Këtu ndodhej një njeri që kishte lindur i verbër. Zoti Jezus duhet të kryente një mrekulli shërimi mbi të, megjithëse ishte dita Shabatit. Koha e shërbesës së Tij do të mbaronte së shpejti, dhe Ai nuk do të ishte më këtu mbi tokë. Ky është një kujtim solemn për çdo të krishterë, pasi dita e jetës kalon shpejt dhe nata vjen kur shërbesa jonë këtu mbi tokë do të mbarojë njëherë e përgjithmonë. Prandaj ne duhet ta përdorim kohën që na është dhënë për t’i shërbyer Zotit në një mënyrë të miratuar prej Tij.
9:5 Kur Jezusi ishte në botë si një Njeri, Ai ishte drita e botës në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të veçantë. Kur Ai ishte aty duke kryer mrekulli dhe duke i mësuar njerëzit, ata panë dritën e botës përpara syve të tyre. Zoti Jezus është ende drita e botës, dhe të gjithëve atyre që vijnë tek Ai u premtohet se nuk do të ecin në errësirë. Megjithatë, në këtë varg Zoti ishte duke folur në veçanti për shërbesën e Tij publike këtu në tokë.
9:6 Ne nuk na është thënë përse Jezusi përzjeu baltë e pështymë dhe e vendosi në sytë e të verbërit. Disa sugjerojnë duke thënë se ai i verbër nuk kishte qepalla dhe kështu Zoti Jezus thjesht i krijoi ato me anë të baltës. Të tjerët sugjerojnë se duke i dhënë të parit të verbërit, Zoti Jezus përdori metoda që përçmoheshin në sy të botës. Ai përdorte gjëra të dobëta dhe pa një domethënie për të përmbushur qëllimet e Tij. Madje edhe sot, për t’i dhënë të parit atij që është i verbër shpirtërisht, Perëndia përdor burra dhe gra që janë të krijuar nga pluhuri i tokës.
9:7 Zoti futi besimin e këtij burri në punë duke i thënë të shkonte dhe të lahej në pellgun e Siloamit. Megjithëse ishte i verbër, ai me sa duket e dinte vendodhjen e pellgut dhe ishte në gjendje të bënte atë që iu kërkua. Shkrimi shënon që fjala Siloam do të thotë Dërguar. Ndoshta kjo është një referim për Mesian (“I Dërguari”). Ai që po kryente këtë mrekulli ishte Ai që qe dërguar në botë nga Perëndia At. I verbëri shkoi dhe u la në pellg dhe mori të parit. Ky nuk është një rast ku shikimi i tij u rregullua, pasi ai nuk kishte parë kurrë më përpara. Mrekullia ishte e menjëhershme dhe burri ishte në gjendje t’i përdorte sytë e tij menjëherë. Çfarë surprize e mrekullueshme duhet të ketë qenë për atë të shihte për herë të parë mbi botën në të cilën kishte jetuar!
9:8,9 Fqinjët e tij shtangën. Ata nuk po mundnin të besonin që ky ishte i njëjti njeri që kishte ndenjur ulur dhe që kishte lypur për një kohë të gjatë. (Kështu duhet të jetë edhe kur një person shpëtohet. Fqinjët tanë duhet të jenë në gjendje të vënë re ndryshimin që ka ndodhur në ne). Disa ngulnin këmbë duke thënë se ishte i njëjti njeri. Të tjerë, duke mos qenë shumë të sigurt, dëshironin të pranonin që kishte një ngjashmëri mes tyre. Por burri hoqi gjithë dyshimet duke thënë se ai ishte personi që kishte lindur i verbër.
9:10 Sa herë që Jezusi kryente një mrekulli, në zemrat e njerëzve lindnin pyetje të të gjitha llojeve. Shpesh herë këto pyetje i japin një besimtari mundësi për të dëshmuar për Zotin. Këtu njerëzit e pyetën atë burrë se si kishte ndodhur gjithçka.
9:11 Dëshmia e tij ishte e thjeshtë, por përsëri bindëse. Ai numëroi faktet e shërimit të tij, duke nderuar Atë që kishte kryer mrekullinë. Në këtë kohë, burri nuk kishte kuptuar se kush ishte Zoti Jezus. Ai thjesht iu referua Atij si “një njeri që quhet Jezus.” Por më pas të kuptuarit e burrit u rrit dhe ai arriti të njihte se kush është Jezusi.
9:12 Kur ne dëshmojmë në lidhje me Zotin Jezus Krisht, ne shpesh krijojmë një dëshirë në zemrat e të tjerëve për ta njohur Atë.
J. Kundërshtim gjithnjë e në rritje nga ana e Judenjve (9:13-41)
9:13 Me sa duket me një entuziast të sinqertë për mrekullinë, disa nga Judenjtë e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër. Ata me sa duket nuk e merrnin me mend se si do të reagonin këta krerë fetarë ndaj faktit të shërimit të këtij të verbëri.
9:14 Jezusi e kishte kryer këtë mrekulli ditën e Shabatit. Farisenjtë kritikë nuk e kishin kuptuar që Perëndia nuk kishte patur kurrë si synim që Shabati t’i privonte njerëzit nga një akt mëshire apo mirësie.
9:15 Burri kishte një mundësi tjetër për të dëshmuar për Jezusin. Kur farisenjtë e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve, ata dëgjuan edhe njëherë po atë histori të thjeshtë. Burri këtu nuk e ka përmendur emrin e Jezusit, ndoshta jo sepse kishte frikë të bënte një gjë të tillë, por sepse kishte kuptuar që të gjithë e dinin kush e kishte bërë këtë vepër të fuqishme. Në këtë kohë, Zoti Jezus ishte i mirënjohur në Jerusalem.
9:16 Tani filloi një përçarje tjetër mbi faktin se kush ishte Jezusi. Disa nga farisenjtë shpallën me guxim që Jezusi nuk mund të ishte një Njeri i perëndishëm sepse Ai kishte shkelur Shabatin. Të tjerët arsyetonin duke thënë se një njeri mëkatar nuk mund të kryente një mrekulli të tillë. Jezusi shpesh shkaktonte përçarje midis njerëzve. Njerëzit ishin të detyruar të ishin ose nga ana e Tij ose kundër Tij.
9:17 Farisenjtë e pyetën të verbërin se çfarë mendonte ai për Jezusin. Ai ende nuk e kishte kuptuar që Jezusi ishte Perëndi. Por besimi i tij kishte arritur në atë pikë saqë ai dëshironte të pranonte se Jezusi ishte një profet. Ai besonte se Ai që i kishte dhënë të parit ishte i dërguar nga Perëndia dhe kishte një mesazh hyjnor.
9:18, 19 Shumë nga Judenjtë ende nuk dëshironin të besonin që një mrekulli kishte ndodhur. Dhe kështu ata thirrën prindërit e atij njeriu për të parë se çfarë do të thoshin ata.
Kush mund ta dinte më mirë se vetë prindërit nëse fëmija e tyre kishte lindur i verbër apo jo? Pa dyshim që dëshmia e tyre do të ishte vendimtare. Kështu farisenjtë i pyetën ata nëse ai ishte djalli i tyre dhe se si e kishte marrë të parit.
9:20, 21 Dëshmia e prindërve të tij ishte shumë pozitive. Ky ishte djalli i tyre dhe ata e dinin për aq shumë vite të dhimbshme që ai kishte qenë gjithmonë i verbër.
Por ata nuk dëshironin të shkonin përtej kësaj. Ata nuk e dinin se si i kishte ardhur të parit dhe nuk e dinin se kush ishte personi që kishte kryer një gjë të tillë. Ata i drejtuan farisenjtë tek djalli i tyre. Ai mund të fliste vetë për veten e tij.
9:22, 23 Vargu 22 shpjegon druajtjen e prindërve. Ata kishin dëgjuar që çdo njeri që e shpallte Jezusin Mesi, do të përjashtohej nga sinagoga. Ky përjashtim ishte një çështje shumë serioze për shumë Judenj. Ata nuk dëshironin të paguanin një çmim të tillë. Kjo do të thoshte humbje e mjeteve të jetesës, bukës së gojës, si dhe humbje e të gjitha privilegjeve të fesë së Judenjve.
Ishte pikërisht për shkak të frikës së Judenjve që prindërit e shtynë dëshminë tek djalli i tyre.
9:24 “Jepi lavdi Perëndisë!” mund të ketë dy kuptime. Para së gjithash, kjo mund të jetë një formë betimi. Ndoshta farisenjtë ishin duke thënë, “Tani thuaj të vërtetën. Ne e dimë që ky burrë është një mëkatar.” Ose ndoshta do të thotë që farisenjtë po kërkonin që për këtë mrekulli t’i jepej lavdi Perëndisë dhe të mos i jepej asnjë nder Jezusit, sepse farisenjtë e konsideronin Atë një njeri mëkatar.
9:25 Farisenjtë shikonin dështim në çdo hap që ndërmerrnin. Çdo herë që ata përpiqeshin të çnderonin Zotin Jezus, rezultati ishte më shumë nder dhe lavdi për Të. Dëshmia e burrit këtu ishte shumë e bukur. Ai nuk dinte shumë rreth Personit të Jezusit, por ai e dinte shumë mirë që kishte qenë i verbër dhe tani shihte. Kjo ishte një dëshmi që askush nuk mund ta mohonte.
Kështu është në rastin e atyre që kanë rilindur. Bota mund të dyshojë, të tallet dhe të na përqeshë, por askush nuk mund ta mohojë dëshminë tonë kur ne themi që dikur ishim të humbur dhe tani jemi të shpëtuar me anë të hirit të Perëndisë.
9:26, 27 Përsëri, ata rihapën bisedën duke i kërkuar atij të përsëriste detajet. Ai që dikur kishte qenë i verbër, u mërzit në këto momente. Ai i kujtoi ata duke u thënë se tashmë ai ua kishte thënë të gjitha faktet dhe ata nuk e kishin dëgjuar. Përse dëshironin t’i dëgjonin përsëri? A ishin ata të interesuar për t’u bërë dishepuj të Jezusit? Me sa duket kjo gjë ishte pyetur në sarkazmë. Ai e dinte shumë mirë që ata e urrenin Jezusin dhe nuk kishin dëshirë për ta ndjekur.
9:28 Është thënë që “kur prokurori nuk ka prova të sigurta kundër të paditurit, që të fitojë gjyqin taktika e tij është të sulmojë të paditurin.” Dhe pikërisht kjo është ajo që ka ndodhur këtu. Farisenjtë përfundimisht kishin dështuar të trondisnin dëshminë e këtij njeriu, kështu që filluan ta shanin atë. Ata e akuzuan duke i thënë se ishte një dishepull i Jezusit, sikur kjo të ishte gjëja më e keqe në botë! Më pas ata thanë se ishin dishepuj të Moisiut, sikur kjo të ishte gjëja më e madhe që mund të ekzistonte.
9:29 Farisenjtë thanë që Perëndia i foli Moisiut, por ata folën me mospërfillje për Jezusin. Nëse ata do t’u kishin besuar shkrimeve të Moisiut, do ta kishin pranuar Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre. Gjithashtu, nëse ata do të kishin menduar sado pak, do të kishin kuptuar që Moisiu kurrë nuk i kishte dhënë të parit një njeriu që kishte lindur i verbër. Në mes tyre ishte një më i madh se Moisiu dhe ata nuk e kuptonin këtë.
9:30 Sarkazma e burrit tani u bë më therëse. Ishte diçka që farisenjtë nuk e prisnin. Burri në fakt u tha atyre, “Ju jeni drejtuesit në Izrael. Ju jeni mësuesit e Judenjve. Dhe përsëri në mesin tuaj ndodhet një Njeri që ka fuqinë për t’i dhënë të parit syve të verbër dhe ju nuk e dini se nga është Ai. Sa turp për ju!”
9:31 Tani burri mori guxim në dëshminë e tij. Besimi i tij po rritej. Ai u kujtoi atyre se si një parim themelor, Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët dhe nuk bën mrekulli me anë të tyre. Perëndia nuk i miraton të padrejtët, dhe nuk u jep fuqi njerëzve të tillë për të kryer mrekulli. Nga ana tjetër, adhuruesit e Perëndisë, pranojnë urdhërimet e Perëndisë dhe janë të sigurt për miratimin e Perëndisë.
9:32, 33 Ky burrë kuptoi se ishte i pari në gjithë historinë njerëzore që kishte lindur i verbër dhe që kishte marrë dritën e syve. Ai nuk e kuptonte se si Farisenjtë donin të gjenin gabim në Personin që kreu një mrekulli të tillë.
Nëse Zoti Jezus nuk ishte nga Perëndia, Ai kurrë nuk do të kishte bërë një mrekulli të kësaj natyre.
9:34 Përsëri farisenjtë iu kthyen sharjeve. Ata ishin duke thënë tërthorazi që verbëria e këtij njeriu ishte rezultat i drejtpërdrejtë i mëkateve. Ç’të drejtë kishte ai t’i mësonte ata? E vërteta është që ai kishte çdo të drejtë në botë, siç ka thënë Ryle, “Mësimet e Frymës së Shenjtë shihen më shpesh mes njerëzve të një shkalle më të ulët sesa mes njerëzve të një shkalle dhe edukimi më të lartë.” Kur thuhet, e nxorën jashtë, kjo ndoshta do të thotë më shumë se sa thjesht nxjerrjes jashtë nga sinagoga. Ndoshta do të thotë se ai u përjashtua nga feja e Judenjve. Dhe cili ishte shkaku i përjashtimit? Një të verbëri iu dha shikimi ditën e shtunë. Sepse ai nuk mund të fliste keq për Atë që kishte kryer atë mrekulli, u përjashtua.
9:35 Tani Jezusi kërkon këtë burrë. Është njësoj sikur Jezusi të thoshte, “Nëse ata nuk të duan, Unë do të të marr.” Ata që përjashtohen për shkak të Jezusit nuk humbasin gjë, por fitojnë një bekim më të madh në mirëpritjen dhe bashkësinë e Tij personale. Shikoni pra se si Zoti Jezus e drejtoi këtë njeri drejt besimit personal tek Ai si Biri i Perëndisë! Ai thjesht i bëri pyetjen, “A beson ti në Birin e Perëndisë?” {{31}}
9:36 Megjithëse ky burrë kishte marrë të parit fizik, ai ishte në nevojë për të parit frymëror. Ai e pyeti Zotin se kush ishte Biri i Perëndisë, që të mund të besonte në Të. Duke përdorur fjalën “Zot” këtu, ky njeri ishte thjesht duke thënë fjalën “Zotëri.”
9:37 Tani Jezusi ia paraqet Vetveten këtij njeriu si Biri i Perëndisë. Nuk ishte thjesht një njeri ai që i kishte dhënë atij të parit dhe kishte kryer këtë mrekulli të pamundur në jetën e tij. Ishte Biri i Perëndisë, që ai kishte parë dhe me të cilin ishte duke folur.
9:38 Në këtë moment, ky burrë me thjeshtësi dhe ëmbëlsi vendos besimin e tij në Zotin Jezus dhe bie përmbys duke e adhuruar Atë. Ai tani ishte një shpirt i shpëtuar ashtu siç ishte edhe një njeri i shëruar. Çfarë dite madhështore kishte qenë kjo në jetën e tij! Ai kishte marrë si shikimin fizik ashtu edhe atë frymëror.
Vini re që i verbëri nuk e adhuroi Zotin derisa kuptoi që Jezusi ishte Biri i Perëndisë. Duke qenë një Jude inteligjent, ai nuk do të kishte adhuruar një njeri. Por sapo mësoi që Ai që e kishte shëruar ishte Biri i Perëndisë, ai e adhuroi Atë – jo për atë që kishte bërë, por për atë që Ai ishte.
9:39 Në pamje të parë duket sikur ky varg bie në kontradiktë me Gjonin 3:17, “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e Tij në botë që ta dënojë botën …” Por në fakt nuk ka një konflikt të vërtetë. Qëllimi i ardhjes së Krishtit në botë nuk ishte për të dënuar, por për të shpëtuar. Megjithatë, gjykimi është një rezultat i pashmangshëm për të gjithë ata që dështojnë ta pranojnë Atë.
Predikimi i ungjillit ka dy efekte. Ata që e pranojnë se nuk shohin, marrin të parit. Por ata që ngulin këmbë se shohin në një mënyrë të përsosur, pa Zotin Jezus, konfirmohen në verbërinë e tyre.
9:40 Disa nga farisenjtë kuptuan se Zoti Jezus ishte duke folur për ta dhe për verbërinë e tyre. Kështu shkuan tek Ai dhe me paturpësinë më të madhe e pyetën nëse Ai donte të thoshte se edhe ata ishin të verbër. Pyetja e tyre priste një përgjigje negative.
9:41 Përgjigjja e Zotit mund të parafrazohet si më poshtë: “Nëse ju pranoni se jeni të verbër dhe mëkatarë, dhe që keni nevojë për një Shpëtimtar, atëherë mëkatet tuaja mund të falen dhe ju mund të shpëtoheni. Por ju shpallni se nuk keni nevojë për asgjë. Ju shpallni se jeni të drejtë dhe se nuk keni mëkat. Prandaj për ju nuk ka falje mëkatesh.” Kur Jezusi tha, “nuk do të kishit asnjë mëkat,” Ai nuk donte të thoshte se ata do të ishin absolutisht pamëkatë. Por Ai nënkuptoi se duke bërë krahasimin me ç’ishin, ata do të ishin pamëkatë. Nëse ata do të kishin pohuar verbërinë e tyre në mosnjohjen e Tij si Mesia, mëkati i tyre nuk do të ishte asgjë në krahasim me mëkatin e rrëfimit se shihnin, ndërkohë që nuk mundeshin ta njihnin Atë si Birin e Perëndisë.
K. Jezusi, Dera e Deleve (10:1-10)
10:1 Këto vargje janë të lidhura ngushtë me pjesën e fundit të kapitullit 9. Aty Zoti Jezus kishte qenë duke folur me farisenjtë, të cilët rrëfenin se ishin barinjtë e drejtë të popullit të Izraelit. Këtu Zoti Jezus u është drejtuar atyre në veçanti. Karakteri solemn i asaj që Ai do të thoshte është treguar me anë të fjalëve “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them.”
Një vathë ishte një vend i rrethuar në të cilin delet strehoheshin gjatë natës. Ishte një sipërfaqe e rrethuar nga një gardh dhe që kishte një të hapur që shërbente si derë. Këtu vatha i referohet kombit Jude.
Shumë kishin ardhur tek kombi Jude duke shpallur se ishin krerët dhe drejtuesit e tij frymërorë. Ata ishin të vetquajturit mesi të kombit. Por ata nuk kishin ardhur në mënyrën që ishte shkruar në DhV. Ata ishin ngjitur nga një anë tjetër. Ata e paraqisnin vetveten përpara kombit Jude në një mënyrë që ata vetë e zgjidhnin. Këta njerëz nuk ishin barinj të vërtetë, por ishin vjedhës dhe kusarë. Vjedhës janë ata që marrin diçka që nuk u takon atyre dhe kusarë janë ata që përdorin dhunën për të bërë të njëjtën gjë. Farisenjtë ishin vjedhës dhe kusarë. Ata kërkonin të qeverisnin mbi Judenjtë dhe bënin gjithçka me anë të fuqisë së tyre për t’i penguar ata për të mos pranuar Mesian e vërtetë. Ata persekutonin ata që ndiqnin Jezusin dhe në të vërtetë do ta çonin Jezusin deri në vdekje.
10:2 Vargu 2 i referohet Vetë Jezusit. Ai erdhi tek delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Ai ishte bariu i vërtetë i deleve. Ai hyri nga dera, që do të thotë se Ai erdhi në përmbushjen e saktë të profecive të DhV në lidhje me Mesian. Ai nuk ishte një Shpëtimtar i vetquajtur, por erdhi në një bindje të përsosur ndaj vullnetit të Atit të Tij. Ai i plotësoi të gjitha kushtet.
10:3 Ekziston një mospërputhje mendimesh për sa i takon identitetit të portierit të përmendur në këtë varg. Disa mendojnë që kjo shprehje i referohet profetëve të DhV të cilët parathanë ardhjen e Krishtit. Të tjerët besojnë se i referohet Gjon Pagëzorit, përderisa ai ishte pararendësi i Bariut të vërtetë. Ndërkohë që të tjerë janë po kaq të sigurt që portieri në këtë varg është Fryma e Shenjtë që hap derën për hyrjen e Zotit Jezus në zemrat dhe jetët e njerëzve.
Delet dëgjuan zërin e bariut. Ato njohën zërin e tij si zërin e bariut të vërtetë. Ashtu si delet e vërteta njohin zërin e bariut të tyre, ashtu ishin edhe ata [njerëz] që ndodheshin mes kombit Jude që njohën Mesian kur Ai u shfaq. Nëpër gjithë Ungjillin ne kemi dëgjuar Bariun duke thirrur delet e Tij me emër. Ai thirri dishepujt në kapitullin 1 dhe ata dëgjuan zërin e Tij dhe iu përgjigjën. Ai thirri të verbërin në kapitullin 9. Zoti Jezus ende thërret ata që do ta pranojnë Atë si Shpëtimtar, dhe kjo thirrje është personale dhe individuale.
Shprehja dhe i prin jashtë mund t’i referohet faktit që Zoti Jezus drejtoi ata që dëgjuan zërin e Tij jashtë vathës së Izraelit. Aty ata ishin të mbyllur, pasi nuk kishte liri nën ligj. Zoti i prin delet e Tij në lirinë e hirit të Tij. Në kapitullin e fundit, Judenjtë e nxorën jashtë atë njeri që kishte lindur i verbër. Duke bërë këtë ata kishin ndihmuar në veprën e Zotit pa e ditur.
10:4 Kur bariu i vërtetë i nxjerr delet e Tij, ai nuk i ndjek ato, por i prin. Ai nuk u kërkon atyre të shkojnë në një vend ku Ai vetë nuk ka shkuar më parë. Ai është gjithmonë përpara deleve si Shpëtimtari i tyre, Drejtuesi dhe Shembulli i tyre. Ata [njerëz] që janë delet e vërteta të Krishtit e ndjekin Atë. Ata nuk bëhen dele duke ndjekur shembullin e Tij, por duke lindur përsëri. Më pas kur shpëtohen ata kanë dëshirë për të shkuar atje ku i prin Ai.
10:5 I njëjti instikt që e mundëson një dele të dallojë zërin e bariut të vërtetë, e nxit atë të ikë larg një të huaji. Të huajt ishin farisenjtë dhe drejtues të tjerë të Judenjve të cilët kujdeseshin për delet vetëm për interes të tyre. Një ilustrim i kësaj është burri që mori të parit. Ai e njohu zërin e Zotit Jezus, por e dinte që farisenjtë ishin të huaj. Prandaj ai refuzoi t’u bindej atyre, megjithëse kjo do të thoshte përjashtim për të.
10:6 Tani është thënë mjaft qartë që Jezusi përdori këtë shëmbëlltyrë për farisenjtë, por ata nuk e morën vesh – arsyeja ishte se ata nuk ishin dele të vërteta. Nëse do të kishin qenë të tilla, ata do ta kishin dëgjuar zërin e Tij dhe do ta kishin ndjekur.
10:7 Prandaj Jezusi përdori një shëmbëlltyrë tjetër. Ai nuk po fliste më për derën e vathës, si në vargun 2. Tani Ai po prezantonte Veten e Tij si dera e deleve. Nuk ishte më një çështje e të hyrit në vathën e Izraelit, por piktura ishte përreth deleve të zgjedhura të Izraelit që po dilnin nga Judaizmi dhe po vinin tek Krishti, dera.
10:8 Të tjerë kishin ardhur përpara Krishtit, duke shpallur autoritet dhe pozitë. Por delet e zgjedhura të Izraelit nuk i dëgjuan ata sepse ato e dinin që ata po shpallnin diçka që nuk u përkiste atyre me të drejtë.
10:9 Vargu 9 është një nga ato vargje të këndshme që është tepër i thjeshtë për t’u kuptuar nga fëmijët e takimit të fëmijëve, e përsëri është një varg që edhe mësuesit e Biblës nuk lodhen ta përdorin. Krishti është dera. Krishterimi nuk është një besim apo një kishë. Për më tepër është një Person, dhe ky Person është Zoti Jezus Krisht. “Nëse dikush hyn nëpërmjet meje.” Shpëtimi mund të merret vetëm nëpërmjet Krishtit. Këtë gjë nuk mund ta bëjë pagëzimi dhe as Darka e Zotit. Ne duhet të hyjmë nëpërmjet Krishtit dhe me anë të fuqisë që Ai jep. Ftesa është e hapur për çdo njeri. Krishti është Shpëtimtari i Judenjve dhe Johebrenjve. Por që të shpëtohet një njeri duhet të hyjë brenda. Ai duhet ta pranojë Krishtin me besim. Është një veprim personal, pa të cilin nuk ka shpëtim. Ata që hyjnë janë të shpëtuar nga dënimi, fuqia dhe përfundimisht nga vetë prania e mëkatit.
Pas shpëtimit, ato hyjnë dhe dalin. Ndoshta mendimi këtu është që ato hyjnë në prani të Perëndisë me anë të besimit për ta adhuruar dhe më pas ato dalin në botë për të dëshmuar për Zotin. Sidoqoftë, është një pikturë e një sigurie dhe lirie të përsosur në shërbesë për Zotin. Ato që hyjnë gjejnë kullotë. Krishti nuk është vetëm shpëtimtari, dhe Ai që jep liri, por Ai është gjithashtu Mbështetësi dhe Plotësonjësi i kënaqësive. Delet e Tij gjejnë kullotë në Fjalën e Perëndisë.
10:10 Qëllimi i vjedhësit është të vjedhë, të vrasë dhe të shkatërrojë. Ai vjen për motive krejt egoiste. Me qëllim që të përmbushë kënaqësitë e veta, ai madje edhe do të vrasë dele. Por Zoti Jezus nuk vjen në zemrën e njeriut për arsye egoiste. Ai vjen për të dhënë, jo për të marrë. Ai vjen që njerëzit të kenë jetë, e ta kenë me bollëk. Ne marrim jetë në momentin që e pranojmë Atë si Shpëtimtarin tonë. Pasi ne shpëtohemi, sidoqoftë, ne shohim që ka shkallë të ndryshme të kënaqësisë në këtë jetë. Sa më shumë që i lëmë jetët tona nën drejtimin e Frymës së Shenjtë, aq më shumë ne kënaqemi me jetën që na është dhënë. Atëherë ne jo vetëm që kemi jetë, por e kemi atë me bollëk.
L. Jezusi, Bariu i Mirë (10:11-18)
10:11 Shumë herë Zoti Jezus ka përdorur shprehjen “Unë jam,” një titull ky i Hyjnisë. Secilën herë Ai ishte duke shprehur një barazi me Perëndinë At. Ai këtu e prezanton veten si bariu i mirë i cili jep jetën e vet për delet. Zakonisht, delet thirren për të dhënë jetët e tyre për bariun. Por Zoti Jezus vdiq për tufën.
Kur do derdhur gjaku i një viktime,
Ky Bari u shty nga mëshira,
Për të qëndruar midis nesh dhe armikut,
Dhe vdiq në vendin tonë nga dashuria.
Thomas Kelly
10:12 Një rrogëtar shërben për para. Për shembull, një bari mund të paguajë një njeri tjetër për t’u kujdesur për delet e tij. Farisenjtë ishin rrogëtarë. Interesi i tyre për njerëzit ishte shtyrë nga paraja që merrnin si shpërblim. Rrogëtari nuk i ka delet të vetat. Kur rreziku erdhi, ai vrapoi dhe i la delet në mëshirën e ujkut.
10:13 Ne bëjmë atë që bëjmë sepse jemi ata që jemi. Rrogëtari shërbeu për para. Ai nuk u kujdes për delet. Ai ishte më i interesuar në mirëqenien e tij sesa në të mirën e tyre. Në kishë sot ka shumë rrogëtarë – njerëz që zgjedhin shërbesën si një punë të rehatshme, pa një dashuri të vërtetë për delet e Perëndisë.
10:14 Përsëri Zoti flet për Vetveten si bariu i mirë. I mirë (Gr, kalos) do të thotë “ideal, i denjë, i përsosur, i zgjedhur.” Ai i ka të gjitha këto. Më pas Ai flet për marrëdhënien intime që ekziston midis Tij dhe deleve të Tij. Ai i njeh të vetët dhe të vetët e njohin Atë. Kjo është një e vërtetë e mrekullueshme.
10:15 Është fatkeqësi që ky varg është pikësuar si një fjali e re. Në të vërtetë, është më mirë të lexohet si më poshtë: .”.. dhe unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin.” Kjo është me të vërtetë një e vërtetë drithëruese! Zoti e krahasoi marrëdhënien e Tij me delet, me marrëdhënien që ekziston midis Atij vetë dhe Atit të Tij. I njëjti unitet, përbashkësi, intimitet dhe njohuri që ekziston midis Atit dhe Birit, ekziston gjithashtu midis Bariut dhe deleve. “Dhe lë jetën time për delet,” tha Ai. Përsëri ne kemi një nga shumë thëniet e Zotit Jezus në të cilat Ai mezi priste kohën kur do të vdiste në kryq si një Zëvendës për mëkatarët.
10:16 Vargu 16 është çelësi i gjithë kapitullit. Delet e tjera të cilave u referohet Zoti këtu ishin Johebrenjtë. Ardhja e Tij në botë ishte e lidhur veçanërisht me delet e Izraelit, por Ai kishte gjithashtu në mendje shpëtimin e Johebrenjve. Delet Johebrenje nuk ishin nga vatha e Judenjve. Por zemra e madhe plot mëshirë e Zotit Jezus shkoi edhe tek këto dele, dhe Ai ishte nën shtrëngimin hyjnor për t’i sjellë këto dele tek Vetvetja. Ai e dinte që ato do të ishin më të gatshme se populli Jude për të dëgjuar zërin e Tij.
Në pjesën e fundit të vargut qëndron ndryshimi tepër i rëndësishëm nga vatha e Judaizmit për tek tufa e Krishterimit. Ky varg jep një paraqitje të shkurtër të faktit që në Krisht, Judenjtë dhe Johebrenjtë do të bëheshin një, dhe që dallimet e mëparshme midis këtyre dy popujve do të zhdukeshin.
10:17 Në vargjet 17 dhe 18, Zoti Jezus shpjegoi çfarë Ai do të bënte me qëllim që t’i sillte si Judenjtë ashtu edhe Johebrenjtë e zgjedhur tek Vetvetja. Ai mezi priste kohën e vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes së Tij. Këto fjalë do të ishin fare pa vend nëse Zoti Jezus do të ishte një njeri i thjeshtë. Ai foli për lënien dhe marrjen e jetës me anë të fuqisë së Tij. Ai mund ta bënte këtë vetëm se është Perëndi. Ati e deshi Zotin Jezus për shkak të dëshirës së Tij për të vdekur dhe për t’u ringjallur sërish, me qëllim që delet e humbura të mund të shpëtoheshin.
10:18 Askush nuk mund t’ia merrte jetën Zotit. Ai është Perëndia, dhe kështu është më i madh sesa të gjitha komplotet vdekjeprurëse të krijesave të Tij. Ai kishte fuqi në Vetvete për ta lënë jetën e Tij dhe kishte gjithashtu fuqi për ta marrë atë përsëri. Por a nuk e vranë njerëzit Zotin Jezus? Po, kështu është. Kjo është thënë qartë në Veprat 2:23 dhe në 1Thes 2:15. Zoti Jezus i lejoi ata për ta bërë një gjë të tillë, dhe kjo ishte një shfaqje e fuqisë së Tij për ta lënë jetën. Për më tepër, Ai “dha Frymën e Tij” (Gjoni 19:30) si një vepër e fuqisë dhe e vullnetit të Tij.
“Ky është urdhëri që kam marrë nga Ati im,” tha Ai. Ati e kishte urdhëruar ose e kishte udhëzuar Zotin ta linte jetën e Tij dhe të ringjallej prej së vdekurish. Vdekja dhe ringjallja e Tij ishin vepra thelbësore në përmbushjen e vullnetit të Atit. Prandaj, A u bë i bindur deri në vdekje, dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve.
M. Ndarje midis Judenjve (10:19-21)
10:19 Fjalët e Zotit Jezus shkaktuan një përçarje midis Judenjve. Hyrja e Krishtit në botë, në shtëpi dhe në zemra, prodhon një shpatë më tepër sesa paqe. Vetëm kur njerëzit e pranojnë Atë si Zot dhe Shpëtimtar, njohin paqen.
10:20, 21 Zoti Jezus ishte Njeriu i vetëm i përsosur që ka jetuar ndonjëherë. Ai kurrë nuk tha një fjalë të gabuar dhe kurrë nuk kreu një vepër të keqe. Dhe përsëri ligësia e zemrës së njeriut ishte aq e madhe saqë kur Ai erdhi, duke folur fjalë dashurie dhe urtësie, njerëzit thanë që Ai kishte një demon dhe ishte i çmendur, dhe nuk ia vlente ta dëgjoje. Kjo ishte me siguri një njollë e zezë në historinë e racës njerëzore. Të tjerët mendonin ndryshe. Ata i njohën fjalët dhe veprat e Zotit Jezus si gjëra të një Personi të mirë dhe jo të një demoni.
N. Jezusi provoi të ishte Krishti me anë të veprave të Tij (10:22-39)
10:22 Në këtë pikë ka një pushim në ngjarje. Zoti Jezus nuk ishte më duke u folur farisenjve, por Judenjve në përgjithësi. Ne nuk dimë se sa kohë kishte kaluar midis vargut 21 dhe 22. Incidentalisht, kjo është përmendja e vetme në Bibël në lidhje me Festën e Kushtimit, në Hebraisht ajo quhet Hanukkah. Në përgjithësi besohet që kjo festë u vendos nga Judas Makabeus kur tempulli u dedikua përsëri pasi ishte prishur nga Antiochus Epiphanes, në vitin 165 p.e.s. Ishte një festë vjetore, e vendosur nga Judenjtë dhe jo nga Zoti. Nuk ishte dimër vetëm në anën kalendarike, por edhe në anën frymërore.
10:23, 24 Shërbesës publike të Zotit po i vinte fundi, dhe Ai ishte gati të demonstronte përkushtimin e Tij të plotë ndaj Perëndisë At, me anë të vdekjes së Tij në kryq. Portiku i Salomonit ishte një zonë e mbuluar ngjitur me tempullin e Herodit. Ndërkohë që Jezusi shkoi atje, shumë Judenj duhet të ishin mbledhur rreth Tij. Judenjtë e rrethuan dhe i thanë, “Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas.”
10:25, 26 Jezusi përsëri i kujtoi ata për fjalët dhe veprat e Tij. Ai u kishte thënë shpesh atyre se ishte Mesia, dhe mrekullitë që Ai kishte bërë provonin vërtetësinë e thënies së Tij. Përsëri Ai i kujtoi Judenjtë që Ai i kryente mrekullitë me anë të autoritetit të Atit të Tij dhe për lavdi të Atit të Tij. Duke bërë këtë, Ai tregoi se ishte me të vërtetë Ai që Ati kishte dërguar në botë.
Mosdashja e tyre për të pranuar Mesian provoi që ata nuk ishin nga delet e Tij. Nëse ata do të ishin hequr mënjanë për t’i përkitur Atij, ata do të kishin treguar dëshirë për të besuar në Të.
10:27 Këto pak vargje në vazhdim na mësojnë në terma të pagabueshme që asnjë dele e Krishtit nuk do të humbasë. Siguria e përjetshme e besimtarit është një fakt i lavdishëm. Ato që janë dele të vërteta të Krishtit dëgjojnë zërin e Tij. Ato e dëgjojnë atë kur predikohet ungjilli, dhe i përgjigjen duke besuar në Të. Më pas, ato e dëgjojnë zërin e Tij çdo ditë dhe i binden fjalës së Tij. Zoti Jezus i njeh delet e veta. Ai e njeh secilën me emër. Asnjë prej tyre nuk mund t’i shpëtojë vëmendjes së Tij. Asnjë nuk mund të humbasë për shkak të një pakujdesie nga ana e Tij. Delet e Krishtit e ndjekin Atë, së pari duke ushtruar besim shpëtues tek Ai, e më pas duke ecur me Të me bindje.
10:28 Krishti u jep jetë të përjetshme deleve të Tij. Kjo është një jetë që do të zgjasë përgjithmonë. Nuk është një jetë që kushtëzohet nga sjellja e tyre. Ajo është jetë e përjetshme, dhe kjo do të thotë pa fund. Por jeta e përjetshme është gjithashtu një cilësi e jetës. Është jeta e Vetë Zotit Jezus. Është një jetë e cila është e aftë të kënaqet me gjërat e Perëndisë këtu poshtë, dhe një jetë që do të jetë e përshtatshme për shtëpinë tonë qiellore. Vini re me kujdes fjalët e mëposhtme. “Nuk do të humbasin kurrë”{{32}}. Nëse njëra prej deleve të Krishtit do të humbte, atëherë Zoti Jezus do të ishte fajtor për mosmbajtjen e premtimit të Tij, dhe kjo gjë nuk është e mundur. Jezus Krishti është Perëndi, dhe Ai nuk mund të dështojë. Ai ka premtuar në këtë varg se asnjë nga delet e Tij nuk ka për ta kaluar përjetësinë në ferr.
A do të thotë kjo që një njeri mund të shpëtohet dhe më pas të jetojë jetën që atij i pëlqen? A mund të shpëtohet ai dhe më pas të jetojë me kënaqësitë e mëkatshme të kësaj bote? Jo, ai nuk dëshiron më për të bërë të tilla gjëra. Ai dëshiron të ndjekë Bariun. Ne nuk jetojmë një jetë të krishterë me qëllim që të bëhemi të krishterë ose që të arrijmë shpëtimin tonë. Ne jetojmë një jetë të krishtere sepse ne jemi të krishterë. Ne dëshirojmë të jetojmë një jetë të shenjtë, jo nga frika se mos humbasim shpëtimin, por nga mirënjohja që kemi për Atë që vdiq për ne. Doktrina e sigurisë së përjetshme nuk inkurajon një jetesë të pakujdesshme, po për më tepër është një motiv i fuqishëm për një jetesë të shenjtë.
Asnjë nuk është i aftë të rrëmbejë një besimtar nga dora e Krishtit. Dora e Tij është e plotfuqishme. Ajo krijoi botën; dhe tani madje është ajo që e mban botën. Nuk ka asnjë lloj fuqie që të rrëmbejë një dele nga krahët e Tij.
10:29 Besimtari jo vetëm që është në dorën e Krishtit; por Ai është në të njëjtën mënyrë edhe në dorën e Atit. Kjo është një siguri e dyfishtë. Perëndia At është më i madh se të gjithë; askush nuk mund ta rrëmbejë një besimtar nga dora e Atit.
10:30 Tani Zoti Jezus shton një shprehje tjetër të barazisë së Tij me Atin: “Unë dhe Ati jemi një.” Këtu mendimi ndoshta është që Krishti dhe Ati janë një në fuqi. Jezusi ishte duke folur për fuqinë që mbron delet e Krishtit. Prandaj Ai shtoi shpjegimin që fuqia e Tij është e njëjtë me fuqinë e Perëndisë At. Sigurisht që e njëjta gjë është e vërtetë për të gjitha atributet e tjera të Hyjnisë. Zoti Jezus Krisht është Perëndi në kuptimin e plotë të fjalës dhe është i barabartë me Atin në çdo drejtim.
10:31 Në mendjet e Judenjve nuk kishte asnjë pikë dyshimi mbi atë që Shpëtimtari donte të thoshte. Ata kuptuan që Ai po fliste për hyjninë e Tij në mënyrën më të thjeshtë. Prandaj ata morën gurë për ta vrarë Atë.
10:32 Përpara se të hidhnin gurët Jezusi u kujtoi atyre veprat e mira që Ai kishte kryer sipas urdhërit të Atit të Tij. Ai më pas i pyeti se për cilën nga këto mrekulli donin ta vrisnin me gurë.
10:33 Judenjtë thanë se nuk ishte për veprat e mira që kërkonin ta vrisnin. Për më tepër, ata donin ta vrisnin sepse e ndjenë që Ai kishte folur blasfemi duke e shpallur veten të barabartë me Perëndinë At. Ata refuzuan të pranonin që Ai ishte më shumë se një njeri. E përsëri për ta ishte shumë i qartë fakti që Ai e bëri Veten Perëndi, për sa i përkiste shpalljeve të Tij. Ata nuk mund ta toleronin një gjë të tillë.
10:34 Këtu Zoti Jezus u citoi Judenjve nga Psalmi 82:6. Ai e quajti këtë një pjesë të ligjit të tyre. Me fjalë të tjera, ishte marrë nga DhV që ata e pohonin si fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Vargu i plotë është si më poshtë: “Unë thashë, ‘Ju jeni perëndi, dhe të gjithë ju jeni bij të Shumë të Lartit;'”. Psalmi u ishte adresuar gjykatësve të Izraelit. Ata ishin quajtur “perëndi,” jo sepse ata ishin hyjnorë në të vërtetë, por sepse përfaqësonin Perëndinë kur gjykonin njerëzit. Fjala hebraike për “perënditë” (elohim) do të thotë fjalë për fjalë “të plotfuqishmit” dhe mund të përdoret për figura të rëndësishme siç janë për shembull gjykatësit. (Është e qartë nga pjesa tjetër e vargut që ata ishin thjesht njerëz dhe jo hyjni sepse ata gjykonin padrejtësisht, tregonin respekt për njerëzit dhe shtrembëronin drejtësinë.)
10:35 Zoti e përdori këtë varg nga Psalmet për të treguar që Perëndia përdori fjalën perëndi për të përshkruar njerëz të cilëve iu ishte drejtuar fjala e Perëndisë. Me fjalë të tjera këta njerëz ishin zëdhënësa të Perëndisë. Perëndia i foli popullit të Izraelit me anë të tyre. “Ata shfaqnin Perëndinë në vendin e Tij të autoritetit dhe gjykimit dhe ishin fuqia që Perëndia kishte urdhëruar prej së larti.” “Dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë,” tha Zoti, duke shprehur besimin e Tij në frymëzimin e Shkrimeve të DhV. Ai flet për to si shkrime të padështueshme që duhet të përmbushen dhe që nuk mund të mohohen. Në fakt, çdo fjalë e Shkrimit është e frymëzuar, jo thjesht idetë apo mendimet e tij. I gjithë argumenti i Tij është mbështetur në një fjalë të vetme perëndi.
10:36 Zoti po argumentonte nga më e vogla tek më e madhja. Nëse gjykatësit e padrejtë ishin quajtur “perëndi” në DhV, sa më tepër të drejtë kishte Ai për të thënë se ishte Biri i Perëndisë. Fjala e Perëndisë erdhi tek ata; Ai ishte dhe është Fjala e Perëndisë. Ata ishin quajtur perëndi; Ai ishte dhe është Perëndi. Për ta nuk mund të thuhej kurrë që Ati i kishte shenjtëruar dhe i kishte dërguar në botë. Ata kishin lindur në botë si gjithë bijtë e tjerë të Adamit të rënë. Por Jezusi ishte shenjtëruar nga Perëndia At nga gjithë përjetësia për të qenë Shpëtimtari i botës dhe Ai u dërgua në botë nga qielli ku Ai kishte banuar gjithmonë me Atin e Tij. Kështu Jezusi kishte çdo të drejtë për të shpallur barazinë e Tij me Perëndinë. Ai nuk ishte duke blasfemuar kur shpalli se ishte Biri i Perëndisë, i barabartë me Atin. Vetë Judenjtë përdorën termin “perëndi” për t’iu referuar njerëzve të korruptuar të cilët ishin thjesht zëdhënësa apo gjykatës për Perëndinë. Sa më shumë duhet ta përdorte Ai këtë titull pasi Ai në të vërtetë ishte dhe është Perëndi. Samuel Green ka thënë me të drejtë:
Judenjtë e akuzuan Atë sepse Ai e bëri veten Perëndi. Ai nuk mohon që duke folur në këtë mënyrë, Ai e bëri veten Perëndi. Por Ai mohon që blasfemoi duke përdorur një argument nga Shkrimi që shfajësoi pretendimet e Tij që Ai ishte hyjnor, pra që ishte Mesia, Biri i Perëndisë dhe Emanuel. Duket qartë nga armiqësia e mëtejshme e shprehur nga ana e tyre, që Judenjtë nuk e konsideruan Atë ashtu siç ishin thëniet e Tij. Shikoni vargun 39. {{33}}
10:37 Përsëri Shpëtimtari u drejtohet mrekullive të kryera si një provë për autorizimin e Tij hyjnor. Megjithatë, vini re shprehjen “veprat e Atit tim.” Mrekullitë në vetvete nuk janë një provë e hyjnisë. Ne lexojmë në Bibël që qenie djallëzore ndonjëherë kanë fuqi për të kryer mrekulli. Por mrekullitë e Zotit ishin veprat e Atit të Tij. Ato provonin se Ai ishte Mesia në dy mënyra. Së pari, ato ishin mrekullitë të cilat DhV i kishte parashikuar se do të kryheshin nga Mesia. Së dyti, ato ishin mrekulli të mëshirës dhe dhembshurisë, vepra për të mirën e njerëzimit dhe që nuk mund të kryheshin nga një person i lig.
10:38 Vargu 38 është parafrazuar nga Ryle mjaft mirë:
Nëse Unë bëj veprat e Atit tim, atëherë, megjithëse ju nuk mund të bindeni nga ato që Unë them, binduni nga ato që Unë bëj. Megjithëse ju i rezistoni evidencës së fjalëve të mia, përuluni për të mësuar dhe besuar që Unë dhe Ati im jemi me të vërtetë një, Ai në mua dhe Unë në Të, dhe Unë nuk flas blasfemi kur shpall se jam Biri i Tij.
10:39 Përsëri Judenjtë kuptuan që në vend që të mohonte thëniet e Tij të mëparshme, Zoti Jezus s’kishte bërë tjetër veçse i kishte forcuar ato. Kështu që ata bënë një përpjekje tjetër për ta arrestuar, por Ai u shpëtoi atyre edhe një herë më tepër. Tani nuk ishte tepër e largët koha kur Ai do ta lejonte Vetveten të merrej prej tyre, por ora e Tij nuk kishte ardhur ende.
[[25]] (7:1) Është e dobishme të dimë që fjala Greke për “Jude” (Ioudaios) mund të ketë këto kuptime (1) një Judeas (psh, jo një njeri nga Galilea, por nga Judea); (2) Një Jude të çfarëdo lloji (përfshi edhe një që pranon Krishtin); (3) ose një kundërshtar të Krishterimit, sidomos një drejtues fetar. Gjoni e ka përdorur më tepër në kuptimin e fundit, megjithëse ai vetë ishte një Jude i llojit të dytë.[[25]] [[26]] (7:7) Meyer, Tried, f. 129.[[26]] [[27]] (7:8) Teksti kritik (NU) lë jashtë fjalën “ende,” dhe kjo është një fatkeqësi. Sepse duket sikur nënkupton mashtrim nga ana e Zotit tonë.[[27]] [[28]] (8:5) J. N. Darby, dokumentacion i mëtejshëm.[[28]] [[29]] (8:11) 7:53 deri 8:11 nuk shfaqet në shumicën e dorëshkrimeve të hershme të Gjonit, por është gjetur në mbi 900 dorëshkrime Greke. Ka pyetje nëse këto vargje janë pjesë e tekstit origjinal apo jo. Ne besojmë që është e përshtatshme t’i pranojmë si një pjesë e tekstit të frymëzuar. Gjithçka që ato mësojnë është në përputhje me pjesën tjetër të Biblës. Augustine shkruan që disa e përjashtuan këtë pjesë nga frika se mos krijonte pikëpamje të shthurura morale.[[29]] [[30]] (8:45) R. C. H. Lenski, The Interpretation of Colossians, Thessalonians, Timothy, Titus, Philemon, f. 701, 02.[[30]] [[31]] (9:35) Teksti NU shkruan “Biri i Njeriut” këtu, gjë që nuk shkon me kontekstin e adhurimit si dhe me shumicën e shkrimeve.[[31]] [[32]] (10:28) Greqishtja ka një negativitet të dyfishtë për theksimet (kjo gjë nuk lejohet në Anglisht).[[32]] [[33]] (10:36) Samuel Green, “Scripture Testimony to the Deity of Christ,” f. 7.[[33]]