Mësimi 32 | Karakteri i Krishterë
DISA SUGJERIME TË PËRGJITHSHME
Vish rroba të pastra e modeste. Ji një shembull për të tjerët. Kujto fjalët e Osvald Çembërsit: «Shkujdesja është fyerje ndaj Frymës së Shenjtë».
Ji në kohë për takimet. Nuk është diçka e zgjuar të jesh vonë. Është si të thuash që koha jote është e rëndësishme dhe që koha e tjetrit nuk është. Nëse e kupton se do të vonohesh, telefono dhe shpjego. Kur disa njerëz ishin vonë për një takim lutjeje, zonja Uedhërell Xhonson i këshilloi ata që kjo të mos ndodhte më. Ajo tha: «Mos fyeni madhështinë e Frymës së Shenjtë».
Shmang erën [e keqe] të trupit e të gojës. Përdor një parfum dhe pastro e laji dhëmbët rregullisht. Një kokërr mentë të ndihmon shumë.
Mos ji një njeri që flet tepër. Ata njerëz që nuk ndalojnë kurrë për të marrë frymë janë të bezdisshëm. Ji një dëgjues i mirë dhe do të çuditesh se sa shumë mund të mësosh.
Ji i ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve. Mos u tall kurrë me ta dhe mos fol negativisht për ta – për veshjen e tyre, për modelin e flokëve, për pamjen, për aftësitë etj.
Ji i ndjeshëm ndaj zakoneve sociale e kulturore të vendit dhe përpiqu të përshtatesh sa të mundesh. Kjo zbatohet veçanërisht për veshjen. Kur je ftuar për të folur në një takim, kërko të dish se si vishen drejtuesit dhe ndiq shembullin e tyre.
Burrat shtrëngojnë duart me burrat kur takohen. Kur një burrë takohet me një grua, ai duhet të presë derisa ajo të shtrijë dorën.
Sigurohu që të huajt të paraqiten në një grup.
Gjithmonë një burrë ngrihet për t’i folur një gruaje që është në këmbë. Është një ide e mirë të ngrihesh edhe për një njeri të moshuar.
Mos ndërhy kurrë në një bisedë që ka nisur mes të tjerëve.
Mos e ndërprit kurrë një njeri që është duke lexuar a që është i zënë.
Mos hyj në një dhomë ku [njerëz] janë duke u lutur ose kur Shkrimet janë duke u lexuar. Prit.
Kur përdor makinën e dikujt, zëvendëso gjithnjë naftën e harxhuar.
Kur ke marrë të ftohur, mos i rrufit hundët. Përdor shami hundësh.
Ki një zemër shërbëtori. Kërko të gjesh mënyra se si mund t’iu shërbesh të tjerëve dhe këtë bëje pa i rënë trumbetës e pa fanfarë. Kërko gjëra për të bërë dhe bëji.
Nëse e fton dikë për të shkuar në një restorant me ty, është përgjegjësia juaj të paguani faturën. Por pavarësisht nëse e fton apo jo, mos ji gjithnjë në anën marrëse. Ndaje përgjegjësinë për të paguar faturën.
Kur je në shoqërinë e të tjerëve, mos lexo, pasi kështu e largon veten nga biseda. Kjo mund të lërë përshtypjen se ti nuk e konsideron bisedën e tyre të denjë për të dëgjuar. Për më tepër kjo është pasjellshme.
Nëse je në shoqërinë e të tjerëve në një dhomë dhe duhet të largohesh para të tjerëve, kërko ndjesë njerëzisht dhe thuaj mirupafshim. Mos dil pa rënë në sy.
Ji menjëherë falënderues për të gjitha dhuratat. Përdore shkrimin e një letre si një mundësi për t’iu shërbyer njerëzve frymërisht. Pali bëri pikërisht këtë kur u shkroi letrën filipianëve.
Kur i përgjigjesh një pyetjeje, mos thuaj «Sigurisht». Kjo do të thotë të ulësh tjetrin. Është si të thuash: «Po, o teveqel».
Përdore celularin privatisht, jo në tryezë, në shoqërinë e të tjerëve a në publik. Fike kur je në një takim. Mos i kërko njërit telefonues të presë që ndërkohë t’i përgjigjesh një thirrjeje tjetër hyrëse. Nuk është e sjellshme.
SI MIK NË NJË SHTËPI
Nëse do të jesh me kohë të plotë në veprën e Zotit ju do të jeni mik në shtëpitë e njerëzve të Zotit. Është e rëndësishme që ju të dini se si të silleni. Ju nuk doni që të keni një reputacion si harbut. Bëju të njohur mikpritësve kohën e pritshme të mbërritjes dhe mënyrën e transportit. Nëse udhëtoni me avion, përmend aeroportin, linjën ajrore, numrin e fluturimit dhe orarin. Ndonjëherë në një zonë ka dy aeroporte, prandaj sigurohu të thuash se cili është prej tyre.
Mos sill të tjerë me vete, veçse nëse je marrë vesh më parë. Në përgjithësi është e pranueshme që të të shoqërojë gruaja, por edhe në këtë rast, sigurohu që të njoftosh që më parë. Kur tekanjozi z. Buhman i dha dorën znj. Hiben, i tha:
– Zoti më tha që t’i marr për darkë edhe këta tri burra.
– Ashtu, unë s’mendoj kështu.
– Përse jo?
– Sepse, – iu përgjigj znj. Hiben, – Perëndia është zotëri fisnik.
Në shtëpi, përpiqu të përshtatesh sa të mundesh me orarin familjar. Telashet të jenë në minimum. Mos e pushto banjën. Ji në kohë për vaktet e ngrënies. Shko të flesh në një kohë të arsyeshme.
Pastro vaskën dhe lavamanin pas çdo përdorimi. Ato do të përdoren nga dikush tjetër.
Don’t help yourself to sende personale në shtëpi si kolonjë, pastë dhëmbësh etj.
Mos e përdor telefonin pa leje. Nëse e përdor me leje, mos harro të paguash para se të largohesh.
Rregullo krevatin në mëngjes dhe lëre dhomën të rregullt.
Tregohu i gatshëm të japësh ndihmën tënde për ndonjë punë në shtëpi, si të lash e të thash enët. Mos u shqetëso nëse mikpritësi ankohet me përzemërsi se ju po lini një shembull të keq për të.
Mos këqyr korrespondencën, dosjet, dollapët apo sirtarët e mikpritësit tënd.
Falëndero mikpritësit para se të largohesh dhe dërgo gjithmonë një pusullë falënderimi për mikpritjen bujare.
NË TRYEZËN E NGRËNIES
Prit të ulesh pasi të të jetë dhënë një sinjal nga mikpritësi. Një burrë duhet të ndihmojë zonjën në të djathtë të tij për t’u ulur (veçse nëse burri i saj është në anën tjetër. Në këtë rast është detyra e tij).
Mos fillo të hash derisa të fillojë mikpritësi. Kjo zbatohet për fillimin e vaktit dhe për çdo pjatë pasuese.
Përpiqu të jesh i matur dhe kujdesu që t’u shërbesh të tjerëve. Mos lejo që të gjitha gatimet të ndalojnë përballë teje.
Kur të kërkohet të kalosh diçka, mos i shërbej vetes më parë.
Shmang bisedat që nuk shkojnë me të ngrënit e mirë.
Mbaji bërrylat jashtë tryezës. Shmang çdo sjellje të pashije.
Kontrollo oreksin. Merr sasi të pakta ushqimi dhe sigurohu se ka mjaft për ata që vijnë pas teje. Shërbimet e dyta janë të pranueshme. Mbi të gjitha mund të lësh përshtypjen se je grykës.
Mos ji një ngrënës nazeli. «Hani gjithçka që t’ju vihet përpara, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes» (1 Kor. 10:27). Ky është trajnim i mirë misionar.
Mos shko vërdallë për një rehati më të mirë. A nuk tha Jezusi të qëndrojmë në shtëpinë e parë ku ju mirëpresin dhe të mos kalojmë nga një shtëpi në një tjetër (Lu. 10:5-7)?
Efesianëve 4:29 është një rregull i artë për të folurit e të krishterit: «Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimi, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë». «E keqe» këtu shkon përtej asaj që është e ndyrë, vulgare dhe profane tek ajo që është e padobishme. Ne nuk duhet të shkojmë pas bisedave të parëndësishme, por të përpiqemi vazhdimisht për ta drejtuar bisedën drejt asaj që do t’i ndërtojë dëgjuesit.
Kur një shërbëtor i Zotit është në shoqërinë e të tjerëve, atyre u pëlqen të dëgjojnë nga ai për triumfin e ungjillit dhe për incidente në shërbesën e tij. Ai duhet ta disiplinojë veten që ta mbajë bisedën në një nivel frymëror.
Përpiqu t’i përfshish fëmijët dhe të rriturit e heshtur në bisedë që ata të mos ndihen «të harruar».
Shmang mungesën e tepërt të seriozitetit. Mos lejo që të tjerët të të mbajnë mend si një shakaxhi. Çështjet e besimit të krishterë janë serioze. Shumë predikues mendojnë se ata mund të kenë marrëdhënie [të mira] e të rinjtë duke treguar vazhdimisht shaka. Shumica e të rinjve presin diçka më serioze dhe më të vlefshme prej tyre.
Mos thuaj kurrë diçka që do ta vinte në siklet dikë. Kur një predikues po jepte një ilustrim dhe pa një person në auditor për të cilin tregimi nuk do të ishte i favorshëm, ai ndaloi në mes. Mbas takimit dikush e pyeti atë se përse lejoi që tregimi të mbaronte fluturimthi. Ai iu përgjigj: «Më mirë të prishësh një tregim të mirë, sesa të lëndosh një njeri të mirë».
GRUAJA JUAJ
Duaje gruan tënde ashtu si Krishti e deshi kishën (Efe. 5:25). Asnjë grua nuk do të kundërshtojë që t’i nënshtrohet një burri të tillë.
Trajtoje gruan tënde si një zonjë. Hapi asaj derën e makinës për të hyrë e për të dalë. Kur ecën mbaje atë në anën e buzës së trotuarit.
Mos e kritiko kurrë, mos e kundërshto ose mos e ul në publik. Përkundrazi, një falënderim dhe një fjalë lavdërimi në publik nuk janë kurrë të pavend.
DHE PËR TA PËRMBLEDHUR
Nëse je ndonjëherë në dyshim për një situatë të caktuar, thjesht trajtoji të tjerët ashtu siç do të doje që ata të të trajtonin ty. Mirësjellje do të thotë të vlerësosh të tjerët më mirë se veten. Kjo do të thotë të imitosh Zotin Jezus në çështje shoqërore. Mirësjellja është një lubrifikues që e bën jetën të lëvizë më ëmbël, që të ruan nga turpërimi dhe që i jep jetës një shkëlqim të këndshëm.
[previous][next]