Mësimi 4 | Dishepullimi i krishterë | LUKA 6:27-38
Ndërsa dishepujt hyjnë në betejë, është e domosdoshme që ata të kenë një armë të përshtatshme, kështu që Shpëtimtari zbulon tani një armë sekrete nga arsenali i Perëndisë. Kjo është dashuria. Dashuria e Tij është revolucionare; jo e urrejtjes, por e dashurisë; jo e dhunës, por e mirësisë.
Kjo dashuri është e ndryshme nga gjithçka që ka njohur bota. Ajo është një dashuri e mbinatyrshme, jo e kësaj bote. Nuk është thjesht dhembshuri njerëzore, për të cilën edhe jobesimtarët janë të aftë. Është diçka që vetëm ata që kanë jetë hyjnore mund ta shfaqin. Madje edhe besimtarët nuk mund ta tregojnë atë me anë të forcës së tyre. Ajo mund të tregohet vetëm nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë që banon në ta.
Kjo dashuri është më tepër çështje e vullnetit sesa e ndjenjave, megjithëse edhe ndjenjat sigurisht që përfshihen. Nuk është diçka që ulet, si një ftohje e lehtë, por diçka që kultivohet në këmbët e Jezusit. Ajo nuk vjen nga Hollivudi, por nga qielli. Ndërsa lakmia s’rri dot pa marrë, dashuria s’rri dot pa dhënë.
Të pakthyerit në besim mbeten me gojë hapur kur ata ndeshin këtë lloj dashurie. Ata mbeten të hutuar. Ata dinë si t’i përgjigjen dhembshurisë njerëzore dhe patjetër mund të kundërpërgjigjen kur ndeshin armiqësi. Por kur për harbutëritë e tyre tregohet mirësi, ata nuk dinë ç’të mendojnë, të thonë a të bëjnë.
Në vargjet 27 deri në 31 Shpëtimtari tregon si i trajton dashuria të tjerët. Për shembull, ajo shtrihet deri tek armiqtë dhe jo vetëm për miqtë. Kjo nuk është e natyrshme. Të duash armiqtë është përtej karakterit të natyrës njerëzore. Apo të tregosh vepra mirësie ndaj atyre që të urrejnë. Apo të kërkosh bekimin e Perëndisë për ata që të mallkojnë. Apo të lutesh për ata që na keqtrajtojnë. E megjithatë, «Kjo është rruga ku eci Mësuesi. A nuk do të shkelin shërbëtorët e Tij në po atë rrugë?»
A i ndikon me të vërtetë njerëzit kur të krishterët i duan armiqtë e tyre dhe luten për persekutuesit e tyre? Më lejoni t’ju tregoj një histori.
Mitsuo Fushida ishte piloti japonez që drejtoi sulmin mbi Perl Harbor në dhjetor të vitit 1941. Ishte ai që shpalli me radiodhënës në Tokio mesazhin: «Tora, Tora, Tora», duke bërë të ditur suksesin e plotë të misionit. Ai ishe tepër i gëzuar për fitoren derisa rrjedha e luftës ndërroi drejtim më vonë. Përfundimisht vendit të tij i duhej të dorëzohej.
Duke qenë i dërrmuar nga disfata, Fushida vendosi që fitimtarët duhej të gjykoheshin për krime lufte përpara një gjykate ndërkombëtare. Për të mbledhur prova, ai intervistoi ushtarakë japonezë që ishin mbajtur të burgosur lufte në Shtetet e Bashkuara. Në vend që të dëgjonte për mizori, ai dëgjoi vazhdimisht për një grua të krishterë që vizitonte kampin e ushtarëve të kapur në luftë, që u tregonte atyre mirësi dhe që u jepte një Libër të krishterë të quajtur Dhiata e Re. Kur ata e pyesnin se përse ajo sillej kaq mirë me të burgosurit armiqësorë, ajo u tregonte atyre se prindërit e saj kishin qenë misionarë në Filipine, që ata qenë ekzekutuar nga japonezët, por që para se të vdisnin, ata kishin thënë një lutje të caktuar. Ishte për shkak të asaj lutjeje që ajo kishte vendosur t’i donte dhe të kujdesej për nevojat e të burgosurve japonezë.
Mitsuo Fushidës nuk i dilte nga mendja historia e asaj lutjeje misterioze. Kjo e bezdiste atë vazhdimisht. Ai gjeti një pjesë në Bibël dhe filloi të lexojë. Kur arriti te Luka 23:34, ai e dinte plotësisht që e kishte zbuluar lutjen: «O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë». «Ai s’mendoi më gjatë për gruan amerikane apo të burgosurit japonezë të luftës, por për veten, një armik i egër i Krishtit, të cilin Perëndia ishte i gatshëm ta falte si përgjigje ndaj lutjes së Shpëtimtarit të kryqëzuar. Në po atë çast ai kërkoi falje dhe e gjeti atë si dhe jetë të përjetshme nëpërmjet besimit në Krishtin». Mitsuo Fushida e kaloi pjesën tjetër të jetës duke predikuar pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit në mbarë botën.
Dashuria nuk hakmerret, as nuk paguan me të njëjtën monedhë. Për më tepër ajo kthen faqen tjetër. «Duke kthyer faqen tjetër e çarmatos armikun tënd. Ai të godet në faqe dhe ti, me anë të guximit moral, e godet atë në zemër duke i kthyer faqen tjetër. Armiqësia zhduket. Armiku largohet. Ti çlirohesh nga armiku duke hequr qafe armiqësinë tënde […] Bota është në këmbët e Atij Njeriu i cili kishte fuqinë të kundërpërgjigjej, por i cili kishte fuqinë të mos kundërpërgjigjej. Kjo është fuqi – fuqia më e madhe» (E. Stenli Xhouns).
Aq pak e interesuar është dashuria mbi zotërimet materiale, saqë ajo ndan me gëzim më tepër sesa i kërkohet. Arsyeja pse është kaq e vështirë që të ndjekim këtë shembull është, sepse ne zotërojmë shumë dhe kjo na mbërthen.
Dashuria manifestohet në të dhënët.
Dashuria vetëm dhuron, shfajëson, jeton,
dhe ajo gjithmonë ndihmon.
Dhe ndërsa jeton ajo dhuron,
Se ky është privilegji i saj –
të ndajë, të ndajë dhe vetëm të ndajë.
Dishepujt duhet ta dinë që në fillim se shërbesa e tyre është një shërbesë dhënieje. Pyetja nuk është: «Çfarë do të fitoj nga kjo?», por «Si mund të jap gjithnjë e më shumë?» Ata nuk duhet të presin të jenë në anën e marrësit, por në anën e dhënësit. Ata do të shohin shpesh raste ku vërtet ka nevojë dhe, ndonëse të varfër vetë, atyre do t’u krijohet mundësia të kontribuojnë. Rasti i vetëm kur nuk do t’u kërkohet të japin është kur kjo do të dëmtonte dikë, qoftë duke përkrahur përtacinë ose duke financuar një zakon të keq. Nëse është në dyshim, dishepulli do të gabojë në kurriz të hirit.
Rregulli themelor është që ndjekësit e Krishtit duhet t’i trajtojnë të tjerët ashtu si ata duan të trajtohen. Kjo do të thotë se ata duhet të jenë të sjellshëm, zemërgjerë, të durueshëm, bujarë, të paanshëm, zemërbutë, ndihmues – lista është e pafund.
Tani Jezusi vazhdon të theksojë që sjellja jonë duhet të jetë më e lartë se ajo e njerëzve jo të rilindur (v. 32-35). Nuk mjafton të duam të afërmit dhe miqtë. Edhe gangsterët e bëjnë këtë. Nuk mjafton t’u tregojmë mirësi atyre që na trajtojnë me mirësi. Vrasësit dhe kurorëshkelësit janë në gjendje të bëjnë një gjë të tillë. Nuk mjafton të japim hua me shpresën e shlyerjes së borxhit. Kompanitë huadhënëse vendore e bëjnë këtë. Ne duhet të shkojmë përtej asaj që është thjesht njerëzore tek ajo që manifeston jetë hyjnore nëse duam të ndikojmë botën. Këtë mund ta bëjmë duke dashur të pakëndshmit, të ligjtë dhe mosmirënjohësit, duke u bërë mirë atyre që nuk e meritojnë dhe duke dhënë hua pa patur shpresën e të marrit përsëri. Perëndia do ta shpërblejë bujarisht këtë lloj dishepullimi dhe ne do të jemi fëmijë të më të Lartit. Ne nuk bëhemi kështu fëmijë të më të Lartit. E vetmja mënyrë për t’u bërë i tillë është duke u penduar para Perëndisë dhe duke besuar në Zotin Jezus Krisht. Por kjo është se si ne i tregojmë botës që jemi fëmijë të Perëndisë. Ne e vërtetojmë ngjashmërinë familjare duke qenë të sjellshëm me mosmirënjohësin dhe të ligun.
Në shërbesën e Zotit, të dymbëdhjetët do të ndesheshin me të gjitha llojet e nevojave njerëzore – të sëmurë, të verbër, të shurdhër, të çrregullt, të çmendur, të demonizuar, të vetmuar, të varfër dhe të pastrehë. Do të kishte raste kur ata do të tundoheshin që të ishin të paduruar, kur do të ishin të lodhur fizikisht dhe të rraskapitur nga ana emocionale dhe kur do t’ju dukej sikur po qortonin të pafatët. Jezusi u kujtoi atyre se duhet të ishin të mëshirshëm, ashtu si Ati i tyre qiellor.
«Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni». Shumë veta që janë në padije të pjesës tjetër të Biblës e dinë këtë varg dhe e përdorin atë si një kopaçe për të ndaluar çdo kritikë apo ndreqje. Nëse do të shqyrtonin pjesën tjetër të Biblës, ata do të mësonin që ka raste kur duhet të gjykojmë si edhe raste kur nuk duhet.
Për shembull, ne duhet të gjykojmë mësuesit dhe doktrinën e tyre sipas Fjalës (1 Kor. 14:29). Ne duhet të gjykojmë nëse të tjerët janë besimtarë të vërtetë, përndryshe nuk mund t’i bindemi ndalimit kundër hyrjes në një zgjedhë jo të njëllojtë (2 Kor. 6:14). Ne duhet të gjykojmë grindjen midis besimtarëve (1 Kor. 6:1-6). Ne duhet të gjykojmë mëkatin në jetët tona (1 Kor. 11:31). Kisha lokale duhet të gjykojë format e rënda të mëkatit (1 Kor. 5:12). Kisha lokale duhet të gjykojë nëse burrat janë të përshtatshëm për t’u bërë pleq dhe dhjakë (1 Tim. 3:1-13).
Por ka fusha të tjera që nuk duhet të gjykojmë. Ne s’duhet të gjykojmë motivet e të tjerëve pasi vetëm Perëndia e di se çfarë po ndodh në mendjet e tyre. Ne s’duhet të gjykojmë shërbesën e shërbëtorëve të Zotit (1 Kor. 4:5). Vetëm Njëri e di nëse ata po ndërtojmë me ar, argjend, gurë të çmuar apo me dru, sanë dhe kashtë (1 Kor. 3:12). Ne s’duhet t’i gjykojmë ata që ndahen në mendime me ne për çështje që janë moralisht të parëndësishme apo jothelbësore (Rom. 14:3-4, 13). Përfundimisht, ne s’duhet të gjykojmë sipas pamjes së jashtme (Gjo. 7:24), apo të tregojmë njëanshmëri midis njerëzve (Jak. 2:1-4).
«Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni». Nëse dishepujt do të ishin tërë kohës duke dënuar të tjerët kjo do të përcillte një pamje të gabuar të Shpëtimtarit. Jezusi nuk erdhi të dënojë, por të shpëtojë. Ndjekësit e Tij s’duhet të jenë përbuzës, kritikë apo kritikues. Patjetër që ata duhet të luftojnë [me zell] për besimin, por kjo nuk do të thotë të kemi me domosdo një shërbesë vazhdimisht negative. Ata që tërë kohën dënojnë të tjerët i tërheqin njerëzit ashtu si vetja e tyre dhe fundi i një bashkësie të tillë është pa dyshim ndarja!
«Falni dhe do të jeni të falur». Kjo është falja prindërore dhe duhet të dallohet nga falja juridike. Kur një mëkatar beson te Shpëtimtari ai merr falje juridike, domethënë, Perëndia Gjykatës e çliron atë përgjithmonë nga paga e dënimit për mëkatet e tij. Por kur një i krishterë mëkaton, ai ka nevojë për faljen prindërore. Kjo falje është e kushtëzuar. Perëndia nuk e jep faljen që kthen përbashkësinë familjare nëse besimtari refuzon të falë një vëlla të penduar. Çdo fëmije të Perëndisë i janë falur miliona; ai duhet të jetë i gatshëm të falë disa qindarka (Mt. 18:23-25).
Një ndër mësimet e para që dishepujt duhet të mësojnë është se ata nuk mund t’ia kalojnë Zotit. Nëse ata duan me të vërtetë të jenë bujarë, Perëndia do të sigurojë që atyre të mos u mungojnë kurrë mënyrat për të qenë të tillë. Nëse ata hapin me lopatë, Perëndia do të mbyllë me lopatë dhe Perëndia ka një lopatë më të madhe. Vëreni sa e ndryshme është kjo nga praktika e zakonshme për ta përdorur shërbesën si një mënyrë për të siguruar anën financiare. Mënyra biblike nuk është «Merrni ç’të mundni nga kjo», por «Hidhni ç’të mundni në të».
Kur çdo gjë tjetër dështon, dashuria triumfon. Në një nga fabulat e Ezopit, dielli kishte një garë me erën për të parë se kush mund ta bënte një burrë të hiqte pallton e tij. Sa më shumë frynte era, aq më fort e shtrëngonte burri pallton rreth vetes. Kur dielli shkëlqeu mbi të, ai ndaloi së dridhuri dhe hoqi pallton. Ngrohtësia kishte fituar.
Një djalë i vogël po luante në një lugore ku kishte një jehonë të dallueshme. Ai thërriti «Të urrej» dhe fjalët u kthyen mbrapsht «Të urrej». Çdo herë që ai bërtiste më fort, fjalët ktheheshin me më shumë zë. Ai vrapoi duke qarë te mamaja e tij, duke i shpjeguar: «Është një djalë i vogël në lagje që më urren». Me mençuri e ëma i sugjeroi që t’i thoshte atij djali që e donte». Dhe vërtet, çdo herë që ai thërriste «Të dua» ai dëgjonte jehonën e mirëpritur «Të dua».
Bota është e etur për pak dashuri. Krishti i thërret dishepujt e Tij të ecin me dashurinë e Perëndisë të derdhur në zemrat e tyre.
[previous][next]