MOS JI NAIV

Mësimi 33 | Karakteri i Krishterë

Të krishterët priren të jenë naivë. Ata mendojnë se meqë dashuria i beson të gjitha gjërat, edhe ata duhet të besojnë çdo gjë. Dy shoferë autobusësh kishin ndaluar në një visore malore që turistët të zbritnin e të mund të shijonin pamjen e bukur.

Njëri nga shoferët i tha tjetrit:

– Unë kam një grup të krishterësh.

– Vërtet. E çfarë besojnë ata?

– Ata besojnë çdo gjë që u them.

Perëndia nuk dëshiron që mendjet tona të ndrydhen kur ne bëhemi të krishterë. Ai dëshiron që ne të jemi mendjemprehtë. Ai dëshiron që ne të dallojmë çfarë është e mirë dhe e keqe, e vërtetë dhe e rremë si dhe e shenjtë dhe profane. Kjo temë haset shpesh në Bibël:

Në rast se ti ndan të çmuarën nga ajo që s’ka vlerë [e ulët, e ndyrë], ti do të jesh si goja ime (Jer. 15:19b).

Do t’i mësojnë popullit tim të dallojë atë që është e shenjtë nga ajo që është profane dhe do t’i bëjnë të njohur ndryshimin midis asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër (Eze. 44:23, duke iu referuar Lev. 10:10).

Por njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë, sepse ato hetohen frymërisht (1 Kor. 2:14).

Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët […] një tjetri, të dallojë frymërat (1 Kor. 12:7, 10).

Jini foshnja për të ligën, por jini të pjekur nga mendja (1 Kor. 14:20).

Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim [perceptim] (Fil. 1:9).

Të gjitha i provoni, të mirën mbajeni (1 Thes. 5:21).

Sepse kushdo që ushqehet me qumësht është pa përvojë në fjalën e drejtësisë, sepse është foshnjë; kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, meqë janë mësuar, i kanë ndjesitë të stërvitura për të dalluar të mirën dhe të keqen. (Heb. 5:13, 14).

Të dashur, mos i besoni çdo fryme, por i vini në provë frymërat nëse janë prej Perëndisë, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë (1 Gjo. 4:1).

NE DUHET TË MËSOJMË TË DALLOJMË

Bibla është baza e çdo dallimi.

Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë (Isa. 8:20).

Si e dalloni një vijë të shtrembër? Kemi të bëjmë më një që nuk është e drejtë. Si zbuloni se një rrobë është e pistë? Thjesht krahasoje atë me një që është e pastër.

Më poshtë jepen disa mostra të marra nga fusha të ndryshme ku neve na nevojitet të ushtrojmë mprehtësi [dallim].

Ne ishim në gjendje të gjykonim cilët botues të krishterë janë të besueshëm. Disa nga më të besueshmit kanë shkarë nga spirancat e tyre.

Ne ishim në gjendje të gjykonim kolegje dhe seminare të ndryshme të Biblës, nëse i kishin qëndruar besnikë besimit apo jo. Tani për shumë prej tyre duhet thënë: «Lavdia është larguar».

Për vite të tërë prindërit e krishterë i rritën fëmijët e tyre sipas librit të dr. Spekut – Foshnja dhe kujdesi për fëmijët . Në vend që t’i bindeshin Biblës dhe sidomos librit të Fjalëve të Urta rreth disiplinës së fëmijëve, ata ndoqën dr. Spokun në mbështetjen e tij të një pikëpamjeje të dobët rreth çështjeve disiplinore.

Vite më vonë, dr. Spoku tha: «Pazotësia për të qenë të qëndrueshëm është, për mendimin tim, problemi më i zakonshëm i prindërve sot». Për këtë sjellje të pashtruar [te fëmijët] ai fajësoi pjesërisht ekspertët, psikiatërit e fëmijëve, psikologët, mësuesit, punonjësit socialë dhe pediatërit, siç ishte edhe vetë. Ai arriti në përfundimin se nënshtrimi prindëror vetëm sa i nxit fëmijët të jenë më tepër të bezdisshëm dhe tekanjoz, e cila, nga ana tjetër, i bën prindërit gjithnjë e më tepër të mëritur […] derisa përfundimisht kjo shpërthen në një shfaqje zemërimi – i madh apo jo – që e bind fëmijën të dorëzohet.

Dr. Spoku tha: «Me fjalë të tjera, nënshtrimi prindëror nuk e shmang sjelljen e pakëndshme; ai e bën atë të pashmangshme».

Si të krishterë bereas (shih Veprat 17:10-11), ne duhet të mësojmë të vlerësojmë pikat që vijojnë:

  • Urtësia e kohës është se madhësia përbën sukses. Statistikat e rritjes së kishës e vënë theksin mbi kongregacionet e mëdha. A është kriteri numri i anëtarëve apo shenjtëria e tyre?
  • Përkrahësit e lëvizjes ekumenike thonë: «Doktrina ndan, shërbimi bashkon». Si do t’i përgjigjesh kësaj?
  • Në shumë takime pentakostale dhe karizmatike folësi e prek dikë dhe ai «goditet në Frymë», duke rënë përdhe. Këtu përsëri na nevojitet mprehtësia. Ku e gjejmë këtë në Bibël?
  • Shtoji kësaj fushatat e shërimeve, ku teleungjilltarët pretendojnë të zgjatin këmbë, të shërojnë kancerin dhe të zgjidhin shumë probleme të tjera fizike. Po a nuk besojnë ne në shërimin hyjnor? Po, ne besojmë, por dimë edhe se shumë [të ashtuquajtur] shërues përdorin metoda dinake që trillojnë shërime.
  • Doktrina e begatisë i merr premtimet e begatisë materiale në Dhiatën e Vjetër dhe i zbaton ato për kishën sot. A është e drejtë të veprojmë kështu?
  • Neve na nevojitet mprehtësi në vlerësimin e lëvizjes së shenjave e mrekullive. A përputhet ajo me atë që mëson Bibla?
  • Një problem i vazhdueshëm me të cilin përballen shumë besimtarë është ai i lëvizjes së gjuhëve nëse është apo jo sipas Fjalës. Çfarë thoni ju?
  • A është me vend që gratë të predikojnë apo të zënë pozita kryesimi në kishë?
  • Deri në çfarë mase duhet t’u besojmë ndjenjave në çështjet frymërore?
  • Një mësim i përhapur është se s’mund ta duash Perëndinë nëse nuk e do vetveten. A është kjo e vërtetë?
  • Një doktrinë tjetër që qarkullon është se një i krishterë nuk i rrëfen kurrë mëkatet e tij; ai thjesht e falënderon Perëndinë që është falur.
  • Një vajzë e krishterë sapo është vrarë dhe sulmuesi i saj është tani në burg. Nëna e vajzës shkon në burg dhe e siguron vrasësin se ajo e ka falur atë. A është kjo e drejtë?
  • Disa mësues thonë se kur ne lutemi, ne nuk duhet të themi kurrë: «Nëse është vullneti yt». Kjo tregon mungesë besimi. A mendoni kështu?
  • Lavdëroni Perëndinë për gjithçka  ishte tema e një libri që pati një shitje prej mijëra kopjesh. Në fund të fundit, a nuk thotë Bibla «për çdo gjë falënderoni?»
  • Ata që kundërshtojnë kryesimin e burrave në shtëpi mësojnë nënshtrimin reciprok të burrave dhe grave. Ata citojnë Efesianëve 5:21: «…nënshtrojuni njëri-tjetrit në frikën e Perëndisë». Ne duhet të jemi në gjendje të japim një përgjigje.
  • Kultet vijnë te dera e shtëpisë me një Bibël dhe me literaturë fetare, kështu njerëzit mendojnë se ata duhet të jenë në rregull. Ne duhet të jemi në gjendje të provojmë mësimet e tyre me Shkrimet e Shenjta.
  • Ne nuk duhet të ngutemi për të besuar histori të pavërtetuara që u pëlqejnë të krishterëve naivë. Ata duan t’u besojnë atyre.
  • Është një trakt që thotë se Darvini e rrëfeu Krishtin para se të vdiste. Kjo histori është një rreng. Një tjetër histori thotë se Nikita Krushçevi u kthye te Perëndia dhe kjo është arsyeja që ai u hoq nga pushteti në Bashkimin Sovjetik. Kur isha fëmijë lexova një trakt që thoshte se gurët për tempullin, të përbërë nga gurët gëlqerorë të Indianës, ruheshin në një depo në Nju Jork, gati për t’u transportuar në Izrael.

Një udhëheqës i krishterë i tha Xhim Eliotit: «Djalosh, tashmë ne kemi dyzet vjet që kemi hyrë në mbretërimin mijëvjeçar të Krishtit dhe kjo është një llogaritje konservatore». Kjo ishte në 2 janar 1956{{1}}!

Qarkulloi një raport se një kompjuter në Belgjikë shpjegon ditën e gjatë në Jozueu 10 (kur dielli u ndal). Ndoshta është i njëjti kompjuter që thuhet se njihet si 666.

Thuhet se një rrugëtar i ka thënë shoferit që e mori në makinë dhe gruas së tij se Jezusi do të vinte pothuajse menjëherë. Disa minuta më vonë shoferi vështroi mbrapa në makinë. Pasagjeri ishte zhdukur, edhe pse makina po ecte me 100 km në orë.

Ne duhet të jemi dallues kur dëgjojmë thirrje për të dhuruar financiarisht nga ungjilltarë në radio a televizion. Ata ofrojnë të dërgojnë rroba lutjeje, bekime, ujë të shenjtë nga Jordani, kryqe të shenjta etj. Disa ofrojnë të luten përditë për dhuruesin. Mijëra të krishterë janë mashtruar nga sharlatanë fetarë. Skemat ponzi, skemat piramidale dhe lotaritë nxitin lakminë në natyrën njerëzore. Të krishterë, ruhuni! Nuk ka dreka falas.

UNGJILLI I VËRTETË

Ka rëndësi të dorës së parë që ne të jemi burra e gra të Librit. Ne duhet ta lexojmë Biblën, ta studiojmë Biblën, ta mësojmë përmendsh Biblën, të përsiatim mbi Biblën, t’i bindemi Biblës dhe t’i provojmë të gjitha gjërat me Biblën.

Sot njerëzit po bëhen gjithnjë e më shumë analfabetë në lidhje me Biblën. Kjo është arsyeja përse është kaq e lehtë që të përhapen mësime të rreme.

Ne duhet të jemi të qartë për ungjillin e vërtetë të hirit të Perëndisë. Ja një përmbledhje:

Ka vetëm dy fe në tërë botën – shpëtimi me anë të veprave dhe shpëtimi me anë të hirit nëpërmjet besimit. Vetëm besimi i krishterë i vërtetë e mëson këtë të dytën. Ungjilli është shumë unik.

  • Vetëm mëkatarët mund të shpëtohen.
  • Vetëm Krishti mund t’i shpëtojë.
  • Vetëm Ai vdiq si një Zëvendësues për mëkatarët.
  • Vetëm gjaku i Tij mund të lajë mëkatet.
  • Vetëm besimi në Të si Zot e Shpëtimtar na shpëton.
  • Të vetmit që do të jenë në qiell do të jenë mëkatarë të shpenguar nga gjaku i Krishtit.

Si përmbledhje, mos jini si të krishterët në autobusin me turistët që besonin çdo gjë që u thoshte shoferi.

[previous][next]
[[1]]Elisabeth Elliot, Shadow of the Almighty, New York: Harper Collins, 1989, fq. 115.[[1]]