Mësimi 40 | Karakteri i Krishterë
Teksti ynë i artë për këtë kapitull është Eksodi 2:9: «Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua dhe unë do të të jap pagën tënde». Për prindërit besimtarë, fjalët kyç janë për mua. Ne jemi autorizuar që t’i rritim fëmijët tanë për Krishtin. Jo për botën, por për Zotin. Jo për ferrin, por për qiellin.
Një hap vendimtar në këtë proces është që t’i japim Fjalës së Perëndisë një vend të gjithanshëm në shtëpi.
Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. Do t’i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua (LiP. 6:6-9).
Nuk ka asnjë trashëgimi më të mirë që prindërit mund t’u japin fëmijëve të tyre se një themel të fortë në Bibël.
Lutja duhet të ketë një rol zotërues në edukimin e një fëmije. Ndoshta ai do të mësojë më shumë rreth asaj përmes shembullit, sesa nga tërë librat që do të lexojë. Një nga kujtimet më të vyera në jetë është ai i një nëne që i lodh gjunjët në lutje për pasardhësin e saj.
Një pjesë e madhe e kujdesit prindëror është edukimi. Çdo fëmijë duhet të mësojë respektin për nënën dhe babanë, bindjen ndaj autoriteteve, zgjedhjen e shoqërisë së mirë, kundërshtimin e tundimeve mëkatare, zellin për punën dhe rregullat e thjeshta të mirësjelljes.
Bindja ndaj prindërve është e detyrueshme. Ngulite në mendje që t’i duhet ta japësh urdhrin vetëm një herë. Përsërite atë dhe ke për ta dobësuar. Mos i lejo fëmijët të të kthejnë fjalën apo të përgjigjen paturpësisht.
Bindja ndaj autoriteteve ka të bëjë me shkollën, punësimin, qeverinë dhe kishën. Në çdo rend shoqëror duhet të ketë kryesi dhe duhet të ketë nënshtrim (përveç në rastet kur ky nënshtrim dhunon besnikërinë ndaj Krishtit). Pa këtë rend ka anarki. Fëmijët duhet ta mësojnë këtë herë në jetë.
Etërit duhet të kenë kujdes që të mos i provokojnë fëmijët për zemërim (Efe. 6:4). Kjo është prirja natyrale. Një atë mund ta provokojë fëmijën për zemërim duke e lënë pas dore, duke bërë kërkesa të tepruara, duke folur negativisht për fëmijën ose duke përdorur njohurinë e tij më të lartë për ta bërë fëmijën të ndjehet më i ulët.
Tendenca e një nëne është që ta llastoj fëmijën. Cila është me e keqe?
Fëmijët duhet të mësojnë si të zgjedhin një shoqëri të mirë. Shumë shpesh prindërit duhet të pranojnë me lot: «Ai (apo ajo) hyri në shoqëri të keqe».
Prindërit janë përgjegjës të flasin me fëmijët e tyre mbi tundimet mëkatare, veçanërisht në fushën e seksit, përndryshe ata do ta mësojnë atë në rrugë. Sot të rinjtë jetojnë në një botë ku mbizotëron mania për seksin, pornografinë dhe ndjenjat. Ata duhet të jenë të aftë në përdorimin e telekomandës së televizorit. Ata duhet të mësojnë t’i thonë «Jo» joshjeve të botës dhe dëshirave të liga të mishit.
Është dashamirësi që t’i mësosh të rinjtë të punojnë në shtëpi. Ata mund të inkurajohen veçanërisht në ato fusha që duket se ata kanë një prirje natyrale. Ata etër dhe nëna që bëjnë çdo gjë për fëmijët e tyre janë duke mos i trajnuar ata.
Janë prindërit ata që përcaktojnë nëse fëmijët e tyre do të jenë të sjellshëm apo jo. Ata djem dhe vajza që mendojnë për të tjerët, që ndajnë me të tjerët, që vendosin të tjerëve përpara vetes kanë sjellje të mira. Kjo do t’i ndihmojë gjatë gjithë jetës.
Të ngrohet zemra kur dëgjon një fëmijë në fund të një vakti të thotë: «Kishe bërë një darkë të shkëlqyer, mami». Por mirënjohja nuk është e lindur. Ajo duhet të mësohet.
Njerëzit pëlqejnë të rrinë me fëmijë që i kanë mësuar këto mësime. Ata nuk i vlerësojnë fëmijët kokëfortë, domethënë, ata fëmijë që nuk janë nën kontroll.
Pashmangshmërisht, çdo fëmijë do të ketë nevojë të korrigjohet. A nuk thotë Bibla: «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj»? (Fja. 22:15). Arsyeja për disiplinën duhet të shpjegohet. Disiplina nuk duhet kryer në inat e sipër. Ajo duhet t’i përshtatet mosbindjes. Pasi ajo të ketë mbaruar, prindi duhet të ripohojë dashurinë e tij për fëmijën. Kjo tregon se ati apo nëna nuk po refuzon fëmijën, por po refuzon sjelljen. Qëllimi i disiplinës është t’i mësojë bindjen. Është dashuri ta disiplinosh fëmijën; është urrejtje kur ajo nuk jepet (Fja. 13:24).
Prindërit duhet të jenë të bashkuar në dhënien e disiplinës. Fëmijët janë aq të aftë sa të zbulojnë çdo dobësi te nëna apo babai dhe ata do ta përdorin njërin kundër tjetrit.
Fëmijët duhet të inkurajohen të shkojnë te prindërit e tyre në çdo kohë me sigurinë që ata do të gjejnë një vesh të hapur.
Bëjani të ditur se ju i doni vërtet. Nuk bëni keq nëse i përqafoni. Shumë shpesh dëgjojmë të rinjtë duke thënë: «Im atë nuk më tha kurrë se më donte». Thuajini këtë përpara se të jetë tepër vonë.
Është mirë që një fëmijë të merret me sporte në grup. Ato u mësojnë punën në grup dhe aftësi të mira sportive. Nëse një i ri mëson të luajë një vegël muzikore, ai zhvillon bashkërendim të mendjes e të muskujve dhe vlerësim për muzikën e mirë.
Prindërit duhet të shmangin mbajtjen e një djali a një vajze nën presion për të pranuar Krishtin. Ekziston rreziku që ata të bëjnë një rrëfim të rremë besimi. Është më mirë që të lutesh për hyrjen e tyre në mbretëri.
Edhe në vitet e tyre të hershme, fëmijët mund të formohen që të qëndrojnë për Krishtin dhe për të vërtetën. Ata mund të mësojnë që të ndajnë të çmuarën nga ajo që s’ka vlerë, që është e keqe (Jer. 15:19). Ata mund të zhvillojnë bindje dhe t’u qepen atyre përballë talljes dhe kundërshtimit. Historitë e dëshmorëve të krishterë janë të shkëlqyera.
Meqë ra fjala, prindërit duhet të kenë shtëpinë të mbushur me literaturë të mirë të krishterë. Nëna e Hadsën Tejlërit (Hudson Taylor) la një trakt mbi një tavolinë të dhomës së pritjes, pastaj u largua për një punë të ngutshme. Hadsëni e lexoi traktin dhe i besoi Krishtit. Perëndia e përdori atë që të çonte ungjillin në brendësi të Kinës.
Ne vetëm sa kemi parë në sipërfaqe. Mund të shkruhen vëllime të tëra mbi këtë temë. Por ndoshta këshillat e mësipërme do të mjaftojnë derisa të jenë futur me sukses në familjen tënde të krishterë.
Zoti ka një koncept tjetër drejtimi. Njeriu e barazon drejtimin me zotërimin. Por nga pikëpamja hyjnore, drejtuesi i vërtetë është një shërbëtor. I madh në mbretërinë e Tij është ai që përkulet për të shërbyer (Mt. 20:25-27).
Atij nuk i lë përshtypje bollëku material (Lu. 18:24-27). Njeriu e vlerëson vlerën e të tjerëve sipas bollëkut të tyre. Sa të vlefshëm janë ata? Pasuritë frymërore janë ato të vërteta. Një grumbull parash mund ta mbajë dikë jashtë parajsës.
Perëndia nuk gjykon në bazë të shifrave (Gjy. 7:2). Në kundërshtim me atë që tha Volteri, Perëndia nuk është në anën e batalioneve të mëdha. Gedeoni kishte tepër ushtarë. Zoti e zvogëloi ushtrinë e tij nga 32.000 në 300 dhe e fitoi betejën. Pak është shumë nëse Perëndia është në të.
Beteja nuk i përket të fortit, gara nuk i përket të shpejtit. Erik Lidëll (Eric Liddell) vendosi një rekord të ri botëror në lojërat olimpike të vitit 1924 edhe pse stili i vrapimit të tij ishte shumë i keq. Ai e kishte nderuar Perëndinë duke mos vrapuar në ditën e Zotit dhe Perëndia e nderoi nga ana e tij.
Zoti ynë ka një dashuri të veçantë për të varfrit (Jak. 2:3). Edhe ne do t’i zgjedhim ata kur të mendojmë siç mendon Ai.
Ai udhëhiqet nga nevoja, jo nga lakmia. Kjo tregohet në shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht (Mt. 20:1-16). I zoti i tokës i pagoi punëtorët që i kishte marrë të parët me mëditje aq sa kishin rënë në ujdi. Ata morën drejtësi. Gjithë të tjerët i besuan pronarit që t’u jepte atë që ishte e drejtë. Ata morën hir. Ai e dinte se atyre u nevojiteshin para për të mbajtur familjet, prandaj u dha atë që ai mendonte se u nevojitej. Ata që u morën të parët me mëditje u ankuan, pasi udhëhiqeshin nga lakmia dhe jo nga nevoja.
Ai udhëhiqet nga besnikëria, jo nga suksesi (Mt. 25:21, 23). Ne të gjithë mund të jemi besnikë, por suksesi vjen nga Ai.
Ai udhëhiqet nga dëshira si dhe nga arritja. Davidi u nderua për ndërtimin e tempullit, sepse dëshira ishte në zemrën e tij (1 Mbr. 8:18). Në fakt, ishte Salomoni ai që e ndërtoi atë.
Të bekuar në sytë e Zotit janë ata që përçmohen nga bota (Mt. 5:3-10). Familja e Jezusit mendoi se Ai ishte i çmendur (Mr. 3:21). Kritikët e Palit thanë se ai nuk ishte në vete (2 Kor. 5:13). Nëse jemi si Krishti, bota do të quajë të marrë. Vrasja dhe kurorëshkelja fillojnë në zemër (Mt. 5:21-22; 27-30). Vrasja fillon me urrejtje dhe kurorëshkelja me një shikim epshor. Ndotja vjen nga përbrenda (Mt. 15:11).
[previous][next]