MËSIMET REVOLUCIONARE TË JEZUSIT

Mësimi 2 | Dishepullimi i krishterë

Zoti Jezus Krisht ishte një revolucionar. Por kur themi këtë nuk do të thotë që Ai ishte një terrorist i armatosur që kërkonte të shkatërronte qeverinë. Revolucioni i Tij ishte një revolucion dashurie, jo urrejtjeje; shërbimi, jo tiranie; shpëtimi, jo shkatërrimi. Kur themi se Jezusi ishte një revolucionar, ne duam të themi se mësimet e Tij ishim mësimet më rrënjësore që ishin përhapur ndonjëherë në këtë planet.

Në të gjithë literaturën nuk ka diçka të atillë si Predikimi në Mal. Asnjë udhëheqës i madh nuk ka parashtruar kurrë çështje të tilla kaq të thella për dishepullimin si Zoti Jezus. Asnjë mësim tjetër nuk ka prodhuar kurrë të tilla ndryshime frymërore, morale dhe etike si ka bërë besimi i krishterë.

Problemi është se ne i kemi përdorur kaq shumë vend e pa vend fjalët e Jezusit, saqë kemi humbur kuptimin e domethënies së tyre revolucionare. Është një tragjedi që t’i lexojmë ato dhe përsëri të rrimë rehat. Ato nuk janë dhënë kurrë që të na bëjnë të ndihemi rehat. Ato kanë si qëllim të transformojnë jetët tona dhe të bëjnë që të ecim përpara si pishtarë të gjallë, si lajmëtarë me një pasion të zjarrtë.

Ne mendojmë shpesh se do të kishte qenë një eksperiencë e mrekullueshme të udhëtonim me Jezusin kur Ai ishte këtu në tokë. Ne mund ta përfytyrojmë Atë dhe dishepujt e Tij duke shkuar rrotull kudo, duke shijuar një konferencë të vazhdueshme biblike. Por nuk ishte ashtu. Ishte më tepër një eksperiencë e nxehtë ku dishepujt mësuan sa mëkatarë dhe dështakë ishin dhe që ishin thirrur në një shteg të persekutimit, vuajtjes dhe vdekjes.

Nëse i lexojmë urdhërimet e Jezusit dhe jemi përsëri rehat, atëherë nuk i kuptojmë ato siç duhet. Nëse i lexojmë dhe mendojmë se janë të lehta, atëherë nuk e kemi kapur thelbin. Kërkesat e Jezusit janë nga ana njerëzore të pamundura. Jeta e dishepullimit të krishterë mund të jetohet vetëm nëpërmjet fuqisë së mbinatyrshme brendabanuese të Frymës së Shenjtë.

Njeriu modern ka zhvilluar artin e rrezikshëm e marrjes së mësimeve radikale të Zotit Jezus duke i larguar ato nga kuptimi i tyre i vërtetë aq sa nuk mbetet më për të bërë supë për një karkalec të sëmurë. Në vend që ta marrim fjalën e Tij fjalë për fjalë, ne shpikim gjashtëdhjetë mendime teologjike për justifikime.

Rezultati është që ka një ndryshim të madh ndërmjet krishterimit që shohim sot dhe atij të Dhiatës së Re. Sot ka kuptimin e frekuentimit të kishës kur kam kohë, dhënien e parave në ofertë dhe duke i kushtuar Krishtit një pjesëz të mbrëmjes. A është ky krishterimi i vërtetë? Jo! Krishterimi i vërtetë është një jetë shërbimi dhe dishepullimi rrënjësor duke sakrifikuar dhe një jetë nënshtrimi tërësisht te Biri i Perëndisë. Do të thotë të kërkosh më parë mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij.

Në librin e tij «Lindur pas mesnate», A. W. Tozeri shkruan:

Krishti i kërkon njeriut të mbajë një kryq; ne ju kërkojmë atyre të bëjnë qejf në emrin e Tij. Ai u kërkon atyre të braktisin botën; ne i sigurojmë ata që përveç Jezusit bota është peshku i tyre. Ai i thërret ata për të vuajtur; ne i thërrasim ata të shijojnë çdo rehati borgjeze të kohës që duan. Ai u kërkon atyre vetëmohim dhe vdekje. Ne ju themi atyre të përhapin vetveten si pemishte të gjelbra dafine ose ndoshta edhe të bëhen yje mëshirëplotë në një shkallë të pestë të zodiakut fetar. Ai i thërret ata në shenjtëri; ne i ftojmë në një lumturi të lirë (jo të shtrenjtë) për pak gjë që do të ishte refuzuar me përbuzje nga filozofi më i ulët{{1}}.

Në një vend tjetër Tozeri tha:

Zoti ynë i thërret njerëzit ta ndjekin Atë, por Ai nuk tha kurrë se kjo rrugë do të ishte e lehtë. Përkundrazi, Ai la përshtypje të qarta se kjo rrugë do të ishte tepër e vështirë.

Herë pas here Ai u tha dishepujve apo atyre që do të bëheshin të tillë më pas gjëra të cilat me shumë takt do t’i shmangim së përsërituri sot kur përpiqemi të fitojmë njerëz për Të. Cili prej ungjilltarëve të sotëm do të marrë guximin t’i thotë një kureshtari: «Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë». Dhe as nuk japim shpjegime të gjata kur dikush na pyet se çfarë donte të thoshte Jezusi kur tha: «Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën».

Lloji i vjetër dhe i fortë i krishterimit i është lënë ndonjë misionari të rastit ose disa besimtarëve prapa njërës prej perdeve të ndryshme të botës. Numri i madh i të krishterëve të deklaruar thjesht nuk ka forcën morale që t’i aftësojë ata të marrin një shteg kaq të drejtë dhe përfundimtar si ky. Klima e sotme morale nuk e favorizon atë lloj besimi aq të ashpër dhe të fortë si ai që u shpall nga Zoti ynë dhe nga dishepujt e Tij. Shenjtorët e dobët dhe të brishtë që prodhohen nga serat e sotme fetare vështirë se mund të krahasohen me besimtarët e përkushtuar dhe të bindur të cilët dikur dëshmuan midis njerëzve. Përgjegjësi kanë edhe drejtuesit tanë; ata janë tepër të ndrojtur për t’u treguar njerëzve gjithë të vërtetën. Tani ata janë duke iu kërkuar njerëzve t’i japin Perëndisë atë që atyre nuk iu kushton asgjë. Këto ditë kishat tona janë mbushur, ose një çerek e tyre, me një lloj të butë të krishterësh të cilët duhet të ushqehen me një dietë argëtimi të padëmshme që të mos u shuhet interesimi. Ata pothuaj nuk dinë aspak rreth teologjisë. Është e rrallë të gjesh ndonjë prej tyre që të ketë lexuar qoftë edhe një prej librave të autorëve klasikë të krishterë. Por shumë prej tyre e njohin letërsinë artistike fetare dhe filmat frikësues dhe drithërues. Nuk është për t’u çuditur që kushtetuta e tyre morale dhe frymërore është kaq e brishtë. Njerëz të tillë s’mund të quhen ndryshe veçse pasues të dobët të një besimi që kurrë nuk e kanë kuptuar vërtet{{2}}.

E. Stenli Xhounsi ka thënë diçka të ngjashme:

Njerëzit nuk e hedhin poshtë krishterimin; ata thjesht do ta paraqesin atë si jo të rrezikshme. Ata do t’i vaksinojnë njerëzit me një formë të butë krishterimi që të mbrohen kundër asaj të vërtetë (në [librin] «Në Krishtin si një alternative për të mos qenë komunist»).

Zoti Jezus është duke kërkuar sot ata njerëz që janë të gatshëm të pranojnë fjalë për fjalë mësimet e Tij dhe t’iu binden atyre edhe sikur të mos shihnin askënd tjetër duke iu bindur atyre. Ai është duke kërkuar ata burra dhe ato gra, të rinj dhe të reja që janë lodhur së jetuari jetë egoiste; që kanë kuptuar se gjërat materiale nuk sjellin lumturi, që kuptojnë se të krishterët janë këtu për një punë shumë më të madhe sesa fitimi i parave. Ai është duke kërkuar ata dishepuj që e urrejnë tiraninë e paradave të modës, e panaireve të ushqimit, e rrëmujave sociale dhe e kultit të bukurisë së trupit. Është për të ardhur keq, por edhe e vërtetë, se shpesh shohim se ka më shumë realitet në komunistin e zakonshëm apo në kultistin e zakonshëm, sesa shohim në të krishterin e zakonshëm. Njerëzit janë të gatshëm të bëjnë më shumë për çështje politike dhe sociale, sesa ne jemi të gatshëm të bëjmë për Shpëtimtarin e botës. Ata tregojnë më shumë devotshmëri ndaj feve të rreme, sesa bëjmë ne për Krishtin e Perëndisë. Ata janë më shumë të motivuar nga leku, sesa jemi ne nga dashuria e Shpëtimtarit.

Lavdi Zotit që ka një uri, sidomos midis të rinjve, për diçka më të mirë. Kohët e fundit fola në një takim për disa të rinj të përkushtuar të cilët po gjejnë plotësim në jetët e shërbimit sakrifikues jashtë vendit. Pasi isha kthyer në shtëpi, mora letrën e mëposhtme nga një vajzë e re që kishte qenë në takim. Ajo e kishte titulluar atë: Realiteti – Si gjendet?

«Gjatë disa viteve të kaluara ne kemi qenë duke dëgjuar për guximin, përndjekjen dhe jetën sakrifikuese të disa të rinjve në shtetet e Evropës dhe të Azisë. Ata kanë gjetur REALITET në jetën e krishterë, diçka për të cilën unë dhe qindra të rinj të tjerë e  kemi kërkuar për një kohë të gjatë. Unë e dëshiroj atë realitet më shumë se çdo gjë në botë. E megjithatë jam zënë në grackë. Kjo pasi ne të rinjtë e Amerikës kemi çdo artikull luksi, çdo rehati, çdo mundësi për të dëshmuar, nuk ka më ndonjë sfidë, nëse e di se çfarë dua të them – asgjë për të cilën të luftosh. Dëshiroj me dëshpërim t’i heq qafe të gjitha gjërat dhe ambiciet egoiste për shkak të Krishtit, por kjo duket një betejë e humbur. A e di se si ndjehet kjo? Është një kurth, një kurth i ngritur nga djalli që duket se nuk jam në gjendje ta depërtoj. Jam e sëmurë, e sëmurë, e sëmurë së jetuari për vetveten. Unë dua dhe kam nevojë për një sfidë. Një mundësi për ta harruar veten dhe të jetoja për Zotin. Do të jepja gjithçka për një mundësi ku të kisha uri për hir të Perëndisë, të burgosesha, të përndiqesha etj., gjithçka, por këtu në SHBA-në e shkolluar nuk ka asnjë sfidë, asnjë kundërshtim dhe për këtë ne të rinjtë s’mund të bëjmë gjë tjetër veçse të ngelemi të vetëkënaqur dhe mishorë. Ju lutem, më ndihmoni, duhet të jetë gjithçka për Perëndinë ose asgjë për aq sa kuptoj. A ka ndonjë përgjigje?»

E filluam duke thënë se mësimet e Zotit Jezus janë revolucionare. Le t’i kthehemi tani Dhiatës së Re për të parë pikërisht se sa revolucionare dhe rrënjësore janë ato. Mendoj se nëse thjesht do ta lexonim Dhiatën e Re për herën e parë, do të kuptonin se çfarë libri revolucionar është ai.

Para së gjithash, Zoti Jezus i mësoi dishepujt e Tij se ata duhet të adoptojnë një standard revolucionar jetese. Te Luka 14:33 Ai tha: «Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im». Dhe Pali e pasqyron këtë tek 1 Timoteut 6:8 ku ai thotë: «Kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq». Shpëtimtari thotë se ne duhet të heqim dorë nga të gjitha ato që kemi. Pali thotë se ne duhet të jemi të kënaqur me ushqimin dhe veshjen. Tani ky është një standard revolucionar jetese. Ai të çon te një jetë me thjeshtësi. Ai të çon te një mënyrë jetese sakrifikuese.

Jo vetëm kaq, por Zoti Jezus mësoi atë çka ne mund ta quajmë një jetë sociale revolucionare. Ai tha te Luka 14:12-14:

«Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata një herë të të ftojnë ty dhe dhe kështu ta kthejnë shpërblimin. Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbrit; dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve».

Këto fjalë të Zotit Jezus i japin një goditje politikës së zakonshme midis burrave dhe grave sot që ftojnë ata njerëz të cilët nga ana e tyre do t’i ftojnë ata, një lloj dyanshmërie. Dhe pikërisht kjo gjendet në shumë shoqëri moderne. Por Zoti Jezus tha që të mos e bësh këtë kur fton miq. Bëju ftesë atyre që nuk mund të të shpërblejnë dhe do të shpërblehesh në ringjalljen e të drejtëve.

Më pas Zoti Jezus mësoi se ne duhet të kemi një qëndrim revolucionar ndaj marrëdhënieve tokësore dhe ndaj vetë jetëve tona. Ai tha te Luka 14:26: «Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im».

Por unë mendoj se pjesa më revolucionare e këtij vargu është ajo shprehja: «madje edhe jetën e vet». «Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren […] madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im». Kjo sigurisht do të thotë se ne duhet ta vendosim kauzën e Krishtit përpara vetë jetëve tona; ne duhet të jemi të gatshëm ta flakim trupin dhe shpirtin tonë që Perëndia t’i lodhi ato nga puna e tepërt. Në një vend tjetër Zoti Jezus thotë se nëse ndokush e do jetën e vet ai do ta humbasë atë, por nëse ai e urren jetën e vet për hirin e Krishtit dhe të ungjillit ai do ta gjejë atë.

Më pas te Mateu 6:33, Shpëtimtari mësoi se arsyeja kryesore e ekzistencës tonë është të kërkojmë para së gjithash mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij. Ai tha: «Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen». Kjo është revolucionare. Shumë njerëz mendojnë se kanë lindur në botë për t’u bërë hidraulikë apo inxhinierë elektrikë apo doktorë apo mësues apo infermierë apo diçka të këtij lloji, por ekziston një dallim midis thirrjes dhe profesionit tonë. Thirrja e një fëmije të Perëndisë është t’i shërbejë Zotit Jezus Krisht. Profesioni i tij është thjesht një mënyrë për të patur «buke e kripë» mbi tavolinë, por jo për t’u pasuruar apo për të gjetur plotësim në të. Pali ishte një punues çadrash, por ai nuk i fillon kurrë letrat e tij me fjalët: «Pali i thirrur për të qenë një punues çadrash». Ai gjithmonë tha: «Pali i thirrur për të qenë një apostull». Thirrja e tij në jetë ishte për të qenë një apostull dhe ai bëri çadra për të siguruar nevojat e tij të përkohshme.

Më pas te Mateu 19:19, Zoti Jezus tha diçka që disa e konsiderojnë si thënien më revolucionare të Tij. Ai tha: «Duaje të afërmin tënd si veten tënde». Tani ne jemi mësuar kaq shumë me këto fjalë, saqë në fakt ato nuk na mbërthejnë dhe ne nuk arrijmë të kuptojmë pikërisht sa të fuqishme janë ato. Thjesht mendo për ato për një çast: «Duaje të afërmin tënd si veten tënde». Mendo se si e duam ne veten tonë, se si kujdesemi për veten tonë, se si sigurohemi se kemi ngrënë dhe se si i lajmë dhëmbët tona dhe se si kujdesemi për trupin tonë dhe që kemi Bibla sa të duash dhe të gjitha të mirat e jetës. Jezusi tha: «Duaje të afërmin tënd si veten tënde». Kush është i afërmi tim? Kushdo që është në nevojë. Nëse e dua me të vërtetë të afërmin tim si vetveten, unë nuk do të jem i kënaqur derisa çdo burrë dhe grua në mbarë botën të jetë prezantuar me Zotin Jezus dhe derisa ata të kenë kopje të Fjalës së Perëndisë gjithashtu.

Zoti ynë mësoi një pikëpamje revolucionare të madhështisë. Në mbretërinë e Tij madhështi do të thotë të zbatosh dhe të mësosh urdhërimet e Tij (Mt. 5:19b), t’i shërbesh, madje të jesh skllavi i të tjerëve (Mt. 20:1-16; Lu. 17:7-10; 22:26) dhe të zësh vendin më të ulët (Lu. 9:48). Sa ndryshon kjo nga pikëpamja e botës. Atje më i madhi është ai që sundon si tiran, që jep urdhra duke ulëritur dhe që bëhet zot mbi të tjerët.

Përfundimisht, Zoti Jezus mësoi një pikëpamje revolucionare sigurie për të ardhmen. Mateu 6:19, 20 thotë:

«Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe vjedhin».

Dhe më pas në vargun 25 të të njëjtit kapitull, Ai tha: « …Mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja?» Patjetër që këtu Zoti Jezus nuk i lejoi dishepujt që t’i harxhonin jetët e tyre duke kursyer për një kohë nevoje. Në fakt Ai u thotë atyre: «Dëgjoni, në radhë të parë vendosni interesat e mia. Punoni shumë për të plotësuar nevojat tuaja të zakonshme dhe nevojat e familjes tuaj. Vendosni çdo gjë mbi të në veprën e Zotit dhe Ai do të kujdeset për të ardhmen tuaj. Unë iu thërras të ecni në një jetë besimi, në një jetë që të besoni në mua për sigurimin e nevojave tuaja. Dhe nëse para së gjithash ju kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, atëherë të gjitha këto gjëra do t’ju jepen».

Një varg i fundit është Gjoni 3:3. Jezusi tha: «Në të vërtetë, në të vërtetë po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë». Nikodemi, një udhëheqës fetar, erdhi te Zoti Jezus natën dhe Zoti Jezus e vuri atë përballë kësaj të vërtete revolucionare. Ai tha: «Nikodem, duhet të lindësh përsëri nëse mendon ta shohësh mbretërinë e Perëndisë: Lindja e re është një domosdoshmëri absolute». Dhe meqë ra fjala, është pikërisht këtu që fillon jeta e dishepullimit. Nuk bëhesh i krishterë duke jetuar jetën e dishepullimit, por e jeton jetën e dishepullimit mbasi bëhesh i krishterë dhe bëhesh i krishterë duke lindur përsëri.

Sigurisht që kjo ngre këtë pyetje: «Si mund të lindë sërish një njeri?» dhe përgjigjja është, para së gjithash, duke u penduar nga mëkatet e tij. Që të shpëtohet njeriu duhet të pranojë se ai është një mëkatar dhe se ai meriton të shkojë në ferr. Kur të arrijë në këtë pikë, ai atëherë duhet të kuptojë që Zoti Jezus vdiq si Zëvendësuesi i tij mbi kryqin e Kalvarit, që Ai pagoi dënimin për mëkatin e mëkatarit. Më pas nëpërmjet një akti të qartë besimi ai duhet ta vendosë besimin e tij në Zotin Jezus Krisht. Po në këtë kapitull, Zoti Jezus tha: «Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme» (Gjo. 3:16). Në çastin që pranon Shpëtimtarin e mëkatarëve nëpërmjet një akti të qartë besimi,  mund të dish me anë të autoritetit të Fjalës së Perëndisë se je i(e) shpëtuar, se ke lindur përsëri. A dëshiron të fillosh rrugën si një dishepull i Zotit Jezus? Atëherë, vendose besimin dhe shpresën tënde tek Ai dhe shko t’i tregosh mbarë botës cilësitë e Tij të shkëlqyera.

Në kapitujt që pasojnë, ne do të shohim me më tepër hollësi disa nga mësimet rrënjësore të Zotit.


[[1]]Tozer, A. W., Born After Midnight, Camp Hill, PA: Christian Publications, 1989, fq 141.[[1]] [[2]]Tozer, A. W., That Incredible Christian, Camp Hill, PA: Christian Publications, 1964, fq. 87.[[2]]
[previous][next]