Mundimet dhe vdekja e Shërbëtorit (Marku 14-15)

A. Komploti për të vrarë Jezusin (14:1-2)

Ishte e mërkura e asaj jave vendimtare. Dy ditë dhe vinte Pashka, që shënonte fillimin e Festës së të Ndormëve prej shtatë ditësh. Udhëheqësit fetarë ishin të vendosur që ta asgjësonin Zotin Jezus, por nuk donin që ta bënin këtë gjatë festave fetare, sepse shumë veta e konsideronin Jezusin ende një profet. Megjithëse krerët e priftërinjve dhe skribët vendosën të mos e vrisnin Atë gjatë festës, Providenca hyjnore i mbizotëronte ata. Kështu Qengji Pashkor i Perëndisë u ther pikërisht në kohë (shih Mt. 26:2).

B. Jezusi vajoset në Betani (14:3-9)

Sikurse një argjendar e vë një diamant në një sfond kadifeje të zezë, Fryma e Shenjtë dhe shkrimtari i Tij njerëzor Marku nxjerrin në pah me mjeshtëri rrezatimin e dashurisë së një gruaje për Zotin tonë midis komplotit të errët të hierarkisë fetare dhe atij të Judës. 14:3 Simon lebrozi shtroi një gosti për nder të Shpëtimtarit, ndoshta në shenjë mirënjohjeje për shërimin që i kishte bërë. Një grua anonime (ka mundësi Maria e Betanisë, Gjoni 12:3) e vajosi pa kursim kokën e Jezusit me një parfum shumë të kushtueshëm. Dashuria e saj për Të ishte e madhe. 14:4-5 Disa nga mysafirët menduan se ky ishte një shpërdorim i jashtëzakonshëm. Ajo ishte moskokëçarëse, planprishëse. Pse nuk e kishte shitur ajo parfumin për t’ua dhënë paratë të varfërve? Treqind denarë ishte rroga e një viti. Njerëzit akoma mendojnë se është shpërdorim t’i japësh një vit të jetës tënde Zotit. Aq më shumë do ta konsideronin shpërdorim ata po t’ia japësh tërë jetën tënde Zotit! 14:6-8 Jezusi e qortoi murmuritjen e tyre. Ajo kishte dalluar mundësinë e saj të artë për t’i bërë këtë nderim Shpëtimtarit. Po të ishin kaq në merak për të varfërit, ata do të ishin gjithmonë në gjendje për t’i ndihmuar ata, sepse të varfër do të kishte gjithmonë. Por shpejt Zoti do të vdiste e do të varrosej. Kjo grua donte ta shfaqte këtë mirësi sa kishte mundësi. Ajo mund të mos ishte në gjendje të kujdesej për trupin e Tij në vdekje, kështu që ajo do ta demonstronte dashurinë e saj ndërsa Ai ishte ende gjallë. 14:9 Era e mirë e atij parfumi vjen deri tek brezi ynë. Jezusi tha se ajo do të kujtohet në mbarë botën. Dhe kjo ka ndodhur nëpërmes tregimit të Ungjillit.

C. Tradhtia e Judës (14:10-11)

Gruaja e çmoi shumë Shpëtimtarin. Në të kundërt, Juda e vlerësoi Atë tepër lehtë. Megjithëse kishte jetuar me Zotin Jezus të paktën për një vit dhe s’kishte marrë tjetër prej Tij veçse mirësi, Juda iku tinëz te kryepriftërinjtë me një premtim se do ta tradhtonte Birin e Perëndisë duke e dorëzuar në duart e tyre. Ata e kapën ofertën me gëzim, duke i ofruar se do ta paguanin për tradhtinë e tij. Gjithçka që mbetej për t’u bërë tani prej tij ishte përpunimi i hollësirave.

D. Përgatitjet për Pashkë (14:12-16)

Megjithëse kronologjia e saktë nuk është e sigurt, ka mundësi që tani të kemi mbërritur tek e enjtja e Javës së Pashkës. Dishepujt nuk kuptuan shumë mirë se kjo do të ishte përmbushja dhe kulmi i të gjitha Pashkëve që ishin mbajtur ndonjëherë. Ata i kërkuan Zotit udhëzime se ku do ta kremtonin Pashkën. Ai i dërgoi ata në Jerusalem duke i udhëzuar që të kërkonin një njeri, që bart një kanë …me ujë, gjë e rrallë kjo pasi enët e ujit zakonisht i bartnin gratë. Ky njeri do t’i drejtonte ata tek shtëpia e duhur. Pastaj ata do t’i kërkonin të zotit të shtëpisë që t’u tregonte një dhomë ku Mësuesi mund të hante Pashkën me dishepujt e Tij. Është e mrekullueshme ta shohësh Zotin duke zgjedhur dhe urdhëruar në këtë mënyrë. Ai vepron si Sundimtari Sovran i njerëzve dhe i pronave. Gjithashtu është e mrekullueshme të shohim zemra përgjegjëse që veten dhe pronat e tyre i vënë në dispozicion të Tij. Është mirë për ne kur Ai ka hyrje të menjëhershme dhe të gatshme te çdo dhomë e jetës sonë.

E. Jezusi parathotë tradhtimin e Tij (14:17-21)

Po atë darkë, Ai erdhi me të dymbëdhjetët tek dhoma e sipërme që ishte përgatitur. Ndërsa ata u mbështetën dhe po hanin, Jezusi bëri të ditur se njëri prej dishepujve do ta tradhtonte. Ata të gjithë njohën prirjet e liga të natyrës së tyre. Me një mosbesim të shëndoshë në vetveten, secili kërkoi nëse fajtori ishte ai. Pastaj Jezusi zbuloi se tradhtari ishte ai që ngjeu bukën me Të në lëngun e mishit, pra ai të cilit Ai i dha copën e bukës. Biri i Njeriut po shkonte drejt vdekjes së Tij siç ishte parathënë, tha Ai, por dënimi i tradhtarit të Tij do të ishte i madh. Në fakt, do të ishte më mirë… që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!

F. Darka e parë e Zotit (14:22-26)

Pasi mori bukën, Juda doli natën (Gjoni 13:30). Atëherë Jezusi themeloi atë që ne njohim si Darkë të Zotit. Kuptimi i saj skicohet në mënyrë të mrekullueshme në tri fjalët: (1) Ai mori – njerëzinë mbi Veten e Tij; (2) Ai theu – Ai ishte gati për t’u thyer në kryq; (3) Ai dha – Ai dha Vetveten për ne. Buka simbolizonte trupin e Tij të dhënë, ndërsa kupa gjakun e Tij të derdhur. Me anë të gjakut të Tij, Ai ratifikoi Besëlidhjen e Re. Për Të nuk do të kishte më gëzim festiv derisa Ai të kthehej në tokë për të ngritur mbretërinë e Tij. 14:26 Në atë pikë, ata kënduan një himn, ndoshta një pjesë nga Haleli i Madh (Psalmet 113-118). Pastaj ata dolën nga Jerusalemi, përmes Kidronit, nga mali i Ullinjve.

G. Vetbesimi i Pjetrit (14:27-31)

14:27-28 Rrugës, Shpëtimtari i paralajmëroi dishepujt se ata të gjithë do të kishin turp dhe frikë që të njiheshin si ndjekësit e Tij në orët që do të vinin. Do të ndodhte siç kishte parathënë Zakaria; Bariu do të goditej dhe delet e Tij do të shpërndaheshin (Zakaria 13:7). Por Ai, plot hir, i siguroi ata se nuk do t’i mohonte; pasi të ngrihej nga të vdekurit, Ai do t’i priste ata në Galile. 14:29-30 Pjetri ishte i indinjuar me mendimin për mohimin e Zotit. Të tjerët? Ka mundësi. Po ai? Kurrë. Jezusi e zëvendësoi atë “Kurrë!” me “Shpejt.” Para se gjeli të këndonte dy herë, Pjetri do ta kishte mohuar Shpëtimtarin tri herë. 14:31 “Është absurde,” – bërtiti Pjetri. “Unë do të vdes përpara se të të mohoj!” Pjetri nuk ishte i vetmi që u mburr aq zhurmshëm. Ata të gjithë u përfshinë në pohime të ngutshme, të sigurt në vetvete. Të mos e harrojmë kurrë këtë, sepse nuk është se ne jemi ndryshe. Ne të gjithë duhet të njohim frikën dhe dobësinë e zemrave tona.

H. Agonia e Gjetsemanit (14:32-42)

14:32 Errësira kishte rënë mbi atë vend. Po kalonte nata e së enjtes për t’i lënë vendin mëngjesit të së premtes. Kur ata arritën në një pjesë toke e rrethuar që quhej Gjetsemani, Zoti Jezus la tetë dishepuj pranë hyrjes. 14:33-34 Ai mori… me Vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin në thellësi të kopshtit. Atje Ai provoi një peshë mbytëse mbi shpirtin e Tij të shenjtë ndërsa Ai i paraprinte bërjes një ofertë mëkati për ne. Ne s’mund ta perceptojmë çfarë donte të thoshte për Të, për të Shenjtin, të bëhej mëkat për ne. Ai i la të tre dishepujt me udhëzime për të qëndruar aty dhe zgjuar. 14:35 Ai shkoi pak përpara në kopësht, i vetëm. Kështu do të shkonte Ai te kryqi, vetëm, duke bartur gjykimin e tmerrshëm të Perëndisë kundër mëkateve tona. Duke u çuditur dhe mrekulluar, ne e shohim Zotin Jezus të rënë përmbys në tokë, duke iu lutur Perëndisë. A po kërkonte Ai që të justifikohej për të mos shkuar te kryqi? Aspak; ky ishte qëllimi i ardhjes së Tij në botë. Së pari, Ai lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej Tij ajo orë. Po të ekzistonte ndonjë mënyrë tjetër përmes së cilës mëkatarët të mund të shpëtoheshin, përveçse me anë të vdekjes, varrimit dhe ringjalljes së Tij, le ta zbulonte Perëndia atë rrugë. Qiejt ishin të heshtur. Nuk ekzistonte asnjë mënyrë tjetër përmes së cilës ne të mund të shpengoheshim. 14:36 Përsëri Ai u lut: “Abba, Atë, çdo gjë për Ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do Ti.” Vini re se Ai iu drejtua Perëndisë si Atit të Tij të dashur me të cilin çdo gjë… është e mundur. Këtu nuk ishte dhe aq një çështje mundësie fizike sa ç’ishte morale. A mund të gjente Ati i Gjithpushtetshëm ndonjë kriter tjetër të drejtë mbi të cilin Ai t’i shpëtonte mëkatarët e paperëndishëm. Qiejt e heshtur treguan se nuk ekzistonte tjetër mënyrë. Biri i Shenjtë i Perëndisë duhej të derdhë gjakun që mëkatarët të çlirohen nga mëkati! 14:37-40 Duke u kthyer, Ai i gjeti të tre dishepujt duke fjetur, një përshkrim i trishtueshëm ky i natyrës së rënë njerëzore. Jezusi e paralajmëroi Pjetrin që të mos flinte në atë orë vendimtare. Vetëm pak më parë, Pjetri ishte mburrur për besnikërinë e tij të pavdekshme. Tani ai s’mund të rrijë as zgjuar. Nëse një njeri s’mund të lutet për një orë, ka pak mundësi që ai të jetë në gjendje t’i bëjë ballë tundimit në çastin e një trsynie të skajshme. Pavarësisht se sa entuziaste mund të jetë fryma e tij, ai duhet të marrë parasysh dobësinë e mishit të tij. 14:41-42 Tri herë Zoti Jezus u kthye dhe i gjeti dishepujt në gjumë. Atëherë Ai tha: “Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.” Pas kësaj, ata u çuan si për të ecur përpara. Por nuk kishin për të shkuar larg.

I. Tradhtimi dhe arrestimi i Jezusit (14:43-52)

14:43 Juda kishte hyrë tashmë në kopsht me një grup të armatosur. Kohorta e tij mbante shpata dhe shkopinj, sikur të ishin duke shkuar për të kapur një keqbërës të rrezikshëm. 14:44-45 Tradhtari kishte një shenjë të paracaktuar. Ai do ta puthte Atë që ata duhej të kapnin. Kështu ai eci me hapa të mëdhenj për te Jezusi, iu drejtua Atij “Rabbi!” dhe e puthi plot ndjenja. Forma theksore në origjinal sugjeron puthje demonstrative dhe të përsëritura. Pse e tradhtoi Juda Zotin? Mos ishte zhgënjyer që Jezusi nuk kishte marrë në dorë frenat e pushtetit? Mos ishin shkërmoqur shpresat e tij për një vend të spikatur në mbretëri? Mos ishte pushtuar nga lakmia? Të gjitha këto mund të kenë kontribuar në veprën e tij të turpshme. 14:46-50 Ndihmësit, larot, lakejtë e armatosur të tradhtarit dolën përpara dhe e arrestuan Zotin. Pjetri nxori me shpejtësi shpatën e tij dhe ia preu veshin shërbëtorit të kryepriftit. Ishte një reagim i natyrshëm, jo një reagim frymëror. Pjetri po përdorte armë mishërore për të bërë një luftë frymërore. Zoti e qortoi Pjetrin dhe për mrekulli ia përtëriu veshin njeriut, sikurse lexojmë te Luka 22:51 dhe Gjoni 18:11. Pastaj Jezusi u kujtoi kapësve të Tij se sa e pavend ishte që ata ta merrnin Atë me forcë! Ai kishte qenë përditë midis tyre në tempull duke i mësuar. Pse nuk e kishin kapur atëherë? Ai e dinte përgjigjen: që të përmbushen Shkrimet që profetizuan se Ai do të tradhtohej (Psa. 41:9), do të arrestohej (Isa. 53:7), do të keqtrajtohej (Psa. 22:12) e do të braktisej (Zakaria 13:7). 14:51-52 Marku është i vetmi ungjilltar që e shënon këtë episod. Besohet në masë se ishte vetë Marku djaloshi që, në furinë e tij për t’ia mbathur, la në dorë të njerëzve të armatosur mbulesën me të cilën ishte mbështjellë. Rroba prej liri nuk ishte një veshje normale, por një copë pëlhurë që ai e kishte marrë me shpejtësi për t’u mbuluar aty për aty. Erdman komenton: “Ka mundësi që ky episod interesant të jetë shtuar për të demonstruar se Jezusi u braktis tërësisht në orët e rrezikut e të dhimbjes. Sigurisht që Ai e dinte se ç’donte të thoshte të vuash i vetëm.”

J. Jezusi përpara kryepriftit (14:53-54)

Përshkrimi i proçesit klerik shtrihet nga vargu 53 deri te 15:1 dhe ndahet në tri pjesë: (1) Proçesi gjyqësor përpara kryepriftit (v 53-54); (2) Takimi në mesnatë i Sinedrit (v 55-65); (3) Takimi i Sinedrit në mëngjes (15:1). 14:53 Në përgjithësi bihet në një mendje se këtu Marku përshkruan procesin gjyqësor përpara Kajafës. Gjyqi përpara Anës gjendet tek Gjoni 18:13, 19-24. 14:54 Pjetri e gjurmoi Zotin Jezus deri në pallatin e kryepriftit, duke ndjekur, sipas mendimit të tij, nga një largësi e sigurt. Dikush e ka skicuar rënien e tij si në vijim:
  1. Në fillim ai luftoi – entuziazëm i drejtuar gabim.
  2. Pastaj ai ia mbathi – tërheqje burracake.
  3. Në fund ai ndoqi nga larg – dishepullim me gjysmë zemre natën.
Ai u ul pranë zjarrit me oficerët, duke u ngrohur me armiqtë e Zotit të tij.

K. Jezusi përpara Sinedrit (14:55-65)

14:55-59 Megjithëse nuk është e përcaktuar qartë, vargu 55 duket se fillon përshkrimin e një takimi në mesnatë të Sinedrit. Trupi i përbërë nga shtatëdhjetë e një udhëheqës fetarë kryesohej nga kryeprifti. Në këtë natë të veçantë, farisenjtë, saducenjtë, skribët dhe pleqtë që përbënin Sinedrin demonstruan një shpërfillje të plotë ndaj rregullave sipas të cilave ata vepronin. Ata nuk duhej të mblidheshin natën apo gjatë ndonjë feste judaike. Ata nuk duhej të blinin dëshmitarë për të bërë dëshmi të rreme. Një vendim për dënim me vdekje nuk duhej zbatuar pa kaluar një natë. Pa u takuar në Sallën e Gurit të Latuar, në zonën e tempullit, vendimet e tyre nuk ishin të detyrueshme nga ana ligjore. Në padurimin e tyre për ta vrarë Zotin Jezus, autoritetet fetare nuk ngurruan të pranojnë thyerjen e vetë ligjeve të tyre. Përpjekjet e tyre të vendosura krijuan një grup dëshmitarësh të rremë, por ata s’arritën të prodhonin një dëshmi të bashkuar. Disa cituan gabim Zotin sikur kishte kërcënuar se do ta shkatërronte atë tempull të bërë me duar dhe brenda tre ditësh do të rindërtonte një tjetër që nuk është bërë me duar. Ajo çfarë Jezusi në të vërtetë tha gjendet te Gjoni 2:19. Ata e ngatërruan me qëllim tempullin në Jerusalem me tempullin e trupit të Tij. 14:60-62 Kur kryeprifti e pyeti në fillim, Ai nuk u përgjigj, por kur u pyet me betim (Mt. 26:62-63) nëse Ai ishte Mesia, Biri i të Bekuarit, Shpëtimtari u përgjigj se Ai ishte, duke vepruar në bindje kështu ndaj Levitikut 5:1. Pastaj, si për të hequr çdo dyshim në lidhje me atë se kush deklaroi Ai se ishte, Zoti Jezus i tha kryepriftit se megjithatë ai do ta shihte Birin e Njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke u kthyer në tokë me retë e qiellit. Me këtë Ai donte të thoshte se, megjithatë, kryeprifti do ta shikonte Atë të shfaqur haptas si Perëndi. Gjatë Ardhjes së Parë të Tij, lavdia e hyjnisë së Tij qe mbuluar në një trup njerëzor, por kur Ai të vijë sërish në fuqi dhe në lavdi të madhe, veli do të hiqet dhe secili do të dijë me saktësi se kush është Ai. 14:63-64 Kryeprifti e kuptoi se çfarë Jezusi donte të thoshte. Në shenjë zemërimi të drejtë kundër blasfemisë së paqenë, ai shqeu rrobat e tij. Izraeliti që duhej të kishte qenë më gati për ta njohur dhe pranuar Mesian ishte më këmbëngulësi në dënimin e Tij. Por jo vetëm Ai; i tërë Sinedri{{23}} ishte i një mendjeje se Jezusi kishte blasfemuar. Ata gjykuan se meritonte vdekjen. 14:65 Skena që vijoi ishte tepër absurde. Disa anëtarë të Sinedrit filluan ta pështyjnë Birin e Perëndisë, t’ia zënë fytyrën e ta sfidojnë që Ai të gjente emrat e atyre që e sulmonin. Është pothuajse e pabesueshme që Shpëtimtarit të denjë i është dashur të durojë një kundërvënie të tillë nga ana e mëkatarëve. Rojet (policia e tempullit) u përfshinë në këtë skandal duke e goditur me shuplaka.

L. Pjetri e mohon Jezusin dhe qan me hidhërim (14:66-72)

14:66-68 Pjetri ishte duke pritur poshtë në pallat. Aty kaloi një shërbëtore e kryepriftit. Ajo e shikoi atë nga afër me vëmendje dhe e akuzoi se kishte qenë një ndjekës i nazarenasit Jezus. Dishepulli, bërë për të të ardhur keq, u shti për padije të plotë në lidhje me akuzën e saj. Pastaj doli në hajat në kohë për të dëgjuar një gjel të këndojë. Ishte një çast tronditës. Mëkati ishte duke marrë haraçin e tij të tmerrshëm. 14:69-70 Shërbëtorja, duke e parë përsëri, e tregoi atë me gisht si një dishepull të Jezusit. Pjetri bëri një mohim tjetër të ftohtë dhe ndoshta u çuditej se pse njerëzit nuk e linin atë vetëm. Pastaj turma i tha Pjetrit: “Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je galileas dhe e folura jote e zbulon.” 14:71-72 Duke mallkuar dhe bërë be, me mospërfillje Pjetri pohoi se nuk e njihte atë Njeri. Sapo dolën fjalët nga goja e tij, gjeli këndoi. Në këtë mënyrë u duk se bota e natyrës protestoi kundër gënjeshtrës burracake. Sa hap e mbyll sytë, Pjetri kuptoi se parathënia e Zotit ishte realizuar. Ai s’u përmbajt dot dhe qau. Është domethënëse që mohimet e Pjetrit i kanë të katër Ungjijtë. Ne të gjithë duhet të mësojmë se besimi në vetvete të çon në turpërim. Ne duhet të mësojmë të mos i zëmë besë vetvetes, por të mbështetemi tërësisht në fuqinë e Perëndisë.

M. Procesi në mëngjes përpara Sinedrit (15:1)

Ky varg përshkruan një takim të Sinedrit në mëngjes, ndoshta të thirrur për të vlerësuar veprimin e paligjshëm të natës së mëparshme. Si rrjedhojë, Jezusin e lidhën dhe ia çuan Pilatit, guvernatorit romak të Palestinës.

N. Jezusi përpara Pilatit (15:2-5)

15:2 Deri atëherë, Jezusi kishte qenë në gjyq përpara udhëheqësve fetarë në lidhje me padinë për blasfemi. Tani Ai u nxor përpara gjykatës civile në lidhje me padinë për tradhti. Gjyqi civil u bë në tri faza: në fillim para Pilatit, pastaj para Herodit e në fund përsëri para Pilatit. Pilati e pyeti Zotin Jezus nëse Ai ishte Mbreti i judenjve. Nëse ishte i tillë, Ai ka të ngjarë të ishte përkushtuar për rrëzimin e Cezarit e kështu të ishte fajtor për tradhti. 15:3-5 Krerët e priftërinjve lëshuan një lumë akuzash kundër Jezusit. Pilati nuk mund ta kapërcente drejtpeshimin e Tij duke qenë përballë akuzave të tilla të fuqishme. Ai i kërkoi Atij se pse nuk e mbrojti Vetveten, por Jezusi refuzoi t’u përgjigjej kritikëve të Tij.

O. Jezusi apo Baraba (15:6-15)

15:6-8 Ishte zakon për guvernatorin romak që të lironte një burgosur judeas në këtë kohë feste, një lloj gjuhe politike për njerëzit e pakënaqur. Një i burgosur i tillë për t’u zgjedhur ishte Baraba, fajtor për rebelim dhe vrasje. Kur Pilati ofroi të lironte Jezusin, duke i ngacmuar krerët ziliqarë të priftërinjve, njerëzit ishin përgatitur që të kërkonin Barabën. Pikërisht ata që po e paditnin Jezusin për tradhti kundër Cezarit po kërkonin lirimin e një njeriu që ishte me të vërtetë fajtor për atë krim! Pozicioni i krerëve të priftërinjve ishte irracional dhe absurd… por i tillë është mëkati. Në thelb ata ishin xhelozë për popullaritetin e Tij. 15:9-14 Pilati pyeti se ç’duhej të bënte me Atë që ata e quanin Mbret të judenjve. Njerëzit përsërisnin papushim me egërsi: “Kryqëzoje!” Pilati kërkoi një arsye, por nuk kishte asnjë. Histeria e turmës së njerëzve sa po vinte e rritej. E bërtitura e tyre s’ishte tjetër veçse: “Kryqëzoje!” 15:15 E kështu, i squllëti Pilat bëri çfarë ata deshën: lëshoi Barabanë, fshikulloi Jezusin dhe ua dorëzoi Atë ushtarëve për kryqëzim. Ishte një vendim i llahtarshëm i padrejtësisë. E megjithatë ishte një shëmbëlltyrë e shpengimit tonë: i Pafajshmi dorëzohet të vdesë në mënyrë që fajtori të lihet i lirë.

P. Ushtarët tallin Shërbëtorin e Perëndisë (15:16-21)

15:16-19 Ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm të selisë së guvernatorit. Pasi grumbulluan gjithë kohortën, ata organizuan një kurorëzim tallës për Mbretin e judenjve. Ah sikur ta kishin ditur ata! Ishte Perëndia Bir Ai që ata veshën në purpur. Ishte vetë Krijuesi i tyre Ai që ata kurorëzuan me ferra. Ishte Mbajtësi i gjithësisë Ai që ata e tallën si Mbret judenjve. Ishte Zoti i jetës dhe i lavdisë Ai që ata e goditnin mbi krye. Ata pështynin Princin e paqes. Duke u tallur, ata përkulën gjunjtë e tyre para Mbretit të mbretërve dhe Zotit të zotërve. 15:20-21 Kur shakatë e tyre vulgare përfunduan, ata e veshën sërish me rrobat e Tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. Këtu Marku përmend se ushtarët urdhëruan një kalimtar, Simonin nga Kirena (në veri të Afrikës), që të mbarte kryqin e Tij. Ai mund të ketë qenë zezak, por ka më mundësi të ketë qenë një judeas helen. Ai kishte dy bij, Aleksandrin dhe Rufin, që ka të ngjarë të kenë qenë besimtarë (nëse Rufi është i njëjti që përmendet te Rom. 16:13). Duke mbajtur kryqin pas Jezusit, ai na dha një figurë të asaj që duhet të na karakterizojë ne si dishepuj të Shpëtimtarit.

Q. Kryqëzimi (15:22-32)

Fryma e Perëndisë e përshkruan kryqëzimin thjesht dhe pa emocion. Ai nuk ndalet në mizorinë e skajshme të kësaj mënyre apo tek vuajtja e tmerrshme që ajo sjell. Vendi me përpikmëri nuk dihet sot. Ndërsa vendndodhja tradicionale, te Kisha e Varrit të Shenjtë, është brenda mureve të qytetit, përkrahësit e saj mbrojnë pikëpamjen se ajo ishte jashtë mureve në kohën e Krishtit. Një vend tjetër i mundur është Kalvari i Gordonit [emri i një personi], në veri të mureve të qytetit e pranë një kopshti. 15:22 Golgota është emri aramaik që do të thotë “kafkë.” Kalvar është emri latin. Ndoshta zona kishte trajtën e një kafke ose e kishte marrë emrin sepse ishte një vend ekzekutimi. 15:23 Ushtarët i ofruan Jezusit verë të përzier me mirrë. Kjo do të kishte vepruar si një qetësues, duke ia mpirë shqisat. I vendosur për t’i mbajtur mëkatet e njeriut në vetëdije të plotë, Ai nuk do ta merrte atë. 15:24 Ushtarët vunë bast për teshat e atyre që ishin kryqëzuar. Kur morën rrobat e Shpëtimtarit, ata morëm pikërisht çdo gjë materiale që Ai zotëronte. 15:25-28 Ishte ora 9 e paradites kur ata e kryqëzuan. Mbi kryet e Tij, ata kishin vënë titullin “Mbreti i judenjve.” Marku nuk jep mbishkrimin e plotë, por mjaftohet me thelbin e tij (shih Mt. 27:37; Luka 23:38; Gjoni 19:19). Me Të u kryqëzuan dy vjedhës, secili nga njëra anë, pikërisht siç kishte parathënë Isaia, që Ai do të shoqërohej me kriminelët në vdekjen e Tij (Isa. 53:12){{24}}. 15:29-30 Zoti Jezus u tall nga kalimtarët (v 29-30), krerët e priftërinjve e skribët (v 31-32a) si dhe nga dy vjedhësit (v 32b). Ka mundësi që kalimtarët të kenë qenë judenj që ishin gati ta kremtonin Pashkën brenda qytetit. Jashtë ata u ndalën mjaft gjatë për t’i hedhur një fyerje Qengjit të Pashkës. Ata cituan gabim prej Tij sikur kishte kërcënuar se do ta shkatërronte tempullin e tyre të dashur e do ta rindërtonte në tre ditë. Nëse Ai ishte kaq i madh, le të shpëtojë Vetveten duke zbritur nga kryqi. 15:31 Krerët e priftërinjve dhe skribët përqeshnin pohimin e Tij për shpëtimin e të tjerëve. “Të tjerët i shpëtoi, por Veten s’mund ta shpëtojë.” Ishte tepër mizore, megjithatë, pa dashje, e vërtetë. Ishte e vërtetë në jetën e Zotit dhe tonën gjithashtu. Ne s’mund t’i shpëtojmë të tjerët duke u përpjekur të shpëtojmë vetveten. 15:32 Edhe udhëheqësit fetarë e sfiduan Atë që të zbriste nga kryqi nëse Ai ishte Mesia, Mbreti i Izraelit. Atëherë do të besonin, thanë ata. Le ta shohim dhe ne do ta besojmë{{25}}. Por rendi i Perëndisë është ky: “Besoni dhe atëherë do të shihni.” Madje edhe kriminelët e qortonin Atë!

R. Tre orët e errësirës (15:33-41)

15:33 Midis drekës dhe orës tre, i gjithë vendi u mbulua nga errësira. Në atë kohë, Jezusi po merrte gjykimin e plotë të Perëndisë kundër mëkateve tona. Ai vuajti shkretimin (mjerimin) frymëror dhe ndarjen nga Perëndia. S’ka mendje vdekatare që ta kuptojë ndonjëherë agoninë që Ai përballoi kur shpirti i Tij u bë një fli për mëkatin. 15:34 Në përfundim të agonisë së Tij, Jezusi bërtiti me zë të lartë (në aramaisht): “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” Perëndia e kishte braktisur Atë sepse në shenjtërinë e Tij Ai duhet ta shkëpusë Vetveten nga mëkati. Zoti Jezus e kishte njëjtësuar Vetveten me mëkatet tona dhe po pagonte plotësisht dënimin. 15:35-36 Disa nga turma mizore sugjeruan se Ai po thërriste Elian kur Ai tha: “Eloi, Eloi.” Si fyerje e fundit, njëri prej tyre njomi një sfungjer në uthull dhe ia dha Atij në majë të një kallami. 15:37 Jezusi lëshoi një britmë me forcë dhe ngadhënjim. Pastaj dha frymën. Vdekja e Tij ishte një akt i vullnetit të Tij, jo një dështim i pavullnetshëm. 15:38 Në atë çast, veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund. Ky ishte një akt i Perëndisë që tregonte se tani e tutje, me anë të vdekjes së Krishtit, hyrja për në shenjtoren e Perëndisë ishte privilegji i të gjithë besimtarëve (shih Heb. 10:19-22). Një epokë e re e madhe ishte përuruar. Do të ishte një epokë afërsie me Perëndinë dhe jo largësie prej Tij. 15:39 Rrëfimi i oficerit romak, sado i shkëlqyer, nuk është e thënë që ta ketë njohur Jezusin si të barabartë me Perëndinë. Centurioni pagan e njohu Atë si Bir të Perëndisë. Pa dyshim që ai e ndjeu se ishte një moment historik, por nuk është e qartë nëse besimi i tij ishte i vërtetë. 15:40-41 Marku përmend se disa gra mbetën te kryqi. Meriton të përmendet se gratë shquhen në tregimet e Ungjillit. Marrja parasysh e sigurisë vetjake bëri që burrat të fshiheshin. Devotshmëria e grave e vuri dashurinë për Krishtin përmbi mirëqenien e tyre. Ato ishin të fundit te kryqi dhe të parat te varri.

S. Varrimi në varrin e Jozefit (15:42-47)

15:42 Shabati filloi në perëndim të diellit të së premtes. Dita para Shabatit ose festa tjetër njihej si Përgatitja{{26}}. 15:43 Nevoja për të vepruar menjëherë ka mundësi që ta ketë trimëruar Jozefin nga Arimatea për t’i kërkuar Pilatit leje për të varrosur trupin e Jezusit. Jozefi ishte një judeas i devotshëm, ndoshta një anëtar i Sinedrit (Luka 23:50-51; shih gjithashtu Mt. 27:57; Gjoni 19:38). 15:44-45 Pilati besoi me vështirësi seJezusi kishte vdekur tashmë. Pasi centurioni e vërtetoi faktin, guvernatori ia la trupin Jozefit. Dy fjalë të ndryshme janë përdorur për trupin e Jezusit në këtë seksion. Jozefi kërkoi trupin e Zotit Jezus, ndërsa Pilati i dha atij kufomën. 15:46 Plot kujdes, Jozefi (dhe Nikodemi – Gjoni 19:38-39) e aromatizoi trupin dhe e mbështolli në çarçaf. Pastaj e vuri Atë në një varr të ri që ishte pronë e tij. Varri ishte një dhomë e vogël e gdhendur në shkëmb. Dera ishte e vulosur me një gur në trajtë monedhe, e cila mund të rrokullisej në një lug të gdhendur në gur. 15:47 Përsëri gratë, pra dy Maritë, janë përmendur si të pranishme. Ne i admirojmë ato për përzemërsinë e tyre të patrembur e të pashtershme. Na është thënë se shumica e misionarëve në ditët e sotme janë gra. Ku janë burrat?
[previous][next]
[[23]]14:63-64 Jozefi nga Arimatea dhe Nikodemi besohet se nuk kanë qenë të pranishëm në këtë mbledhje të paligjshme.[[23]] [[24]](15:25-28) Teksti kritik (NU) nuk e përmban këtë citim te Marku.[[24]] [[25]](15:32) Shumica e dorëshkrimeve shtojnë “Atë,” duke personalizuar premtimin e krerëve (ndoshta të rremë).[[25]] [[26]] Në greqishten moderne, fjala “përgatitje” do të thotë “e premte.”[[26]]