A. Përshëndetje (1:1,2)
1:1 Pali e paraqet veten në parathënien e kësaj letre si një apostull i Jezus Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë. Është e rëndësishme që ai duhet ta jepte këtë shënim që në fillim, sepse në Korint kishte nga ata që ngrinin pyetjen nëse Pali ishte autorizuar me të vërtetë nga Zoti. Përgjigjja e tij është që nuk ishte ai që e zgjodhi shërbesën me dëshirën e tij, dhe as ishte urdhëruar nga ndonjë njeri, por ishte dërguar nga Jezus Krishti nëpërmjet vullnetit të Perëndisë. Thirrja e tij për apostullim ndodhi në rrugën për në Damask. Ishte një përjetim i paharruar në jetën e tij dhe ishte ndërgjegjja e kësaj thirrjeje hyjnore që e mbajti apostullin të fortë gjatë shumë orëve të hidhura. Shpesh herë kur në shërbesën e Krishtit, ai ishte shtypur përtej mase, ai mund të kishte hequr dorë dhe të kishte shkuar në shtëpinë e tij nëse nuk do të kishte atë siguri të thirrjes hyjnore.
Fakti që Timoteu është përmendur në vargun e parë nuk do të thotë që ai ndihmoi në bërjen e letrës. Thjesht do të thotë që ai ishte me Palin në kohën që u shkrua letra. Përtej këtij fakti, ekziston një pasiguri e madhe përsa i përket lëvizjeve të Timoteut gjatë kësaj periudhe.
Letra i adresohet Kishës së Perëndisë që është në Korint dhe gjithë shenjtorët që janë në gjithë Akainë. Shprehja Kishës së Perëndisë do të thotë që ishte një asamble besimtarësh që i përkiste Perëndisë. Nuk ishte një asamble pagane, apo ndonjë grup njerëzish jofetarë, por një shoqëri besimtarësh të rilindur, të thirrur nga bota për t’i përkitur Zotit. Padyshim që kur Pali i shkroi këto fjalë, ai kujtoi se si ai kishte shkuar për herë të parë në Korint dhe kishte predikuar Ungjillin atje. Burra dhe gra të zhytur në idhujtari dhe sensualizëm, besuan Jezus Krishtin si Zot dhe ishin shpëtuar nga hiri i Tij i mrekullueshëm. Pavarësisht nga gjithë vështirësitë që kishin ardhur më vonë në Kishën e Korintit, zemra e apostullit pa dyshim që gëzonte duke menduar ndryshimin e madh që kishte ndodhur në jetët e këtyre njerëzve të dashur. Letra nuk i është drejtuar vetëm Korintit, por të gjithë shenjtorëve që janë në Akai. Akaia paraqiste gjithë pjesën jugore të Greqisë; ndërsa Maqedonia, për të cilën ne do të lexojmë në këtë letër, ishte pjesa veriore e të njëjtit vend.
1:2 Hir … dhe paqe forma e dashur përshëndetëse me të cilën ne jemi shoqëruar në letrat e apostullit të dashur Pal. Kur ai dëshiron të përshkruajë dëshirat e tij të mëdha për popullin e Perëndisë, ai nuk dëshiron për ta gjëra materiale si ar dhe argjend. Ai di shumë mirë që ato zhduken shpejt. Por për më tepër ai dëshiron bekime frymërore, që përfshijnë çdo gjë të mirë që mund të vijë për një mëkatar të mjerë në këtë anë të qiellit. Denney thotë, “Hiri është e para dhe e fundit fjalë e Ungjillit; dhe paqja – tingulli i përsosur frymëror – është vepra e përfunduar e Krishtit në frymë” {{1}}. Këto bekime burojnë nga Perëndia Ati ynë dhe Zoti Jezus Krisht. Perëndia At është burimi dhe Zoti Jezus Krisht është kanali. Pali nuk heziton të vendosë Zotin Jezus krah për krah me Perëndinë At, sepse si një anëtar i Trinitetit, Krishti është i barabartë me Atin.
B. Shërbesa e ngushëllimit në vuajtje. (1:3-11)
1:3 Nga vargu 3 deri në 11, apostulli shpërthen në falënderime për ngushëllimin që i ka ardhur atij në mes të shqetësimeve dhe brengave. Pa dyshim, ngushëllimi ishte lajmi i mirë që Titi i kishte sjellë atij nga Maqedonia. Apostulli më pas vazhdon të tregojë që nëse ai është brengosur ose i ngushëlluar, e gjitha rezulton për të mirën e besimtarëve të cilëve ai u shërben. Falënderimi i drejtohet Perëndisë Atit të Zotit tonë Jezus Krisht. Ky është titulli i plotë i Perëndisë në Dh.R.. Atij nuk i adresohet më si Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut apo Perëndia i Jakobit. Tani Ai është Perëndia At i Zotit Jezus Krisht. Ky emër nënkupton të vërtetën e madhe që Zoti Jezus është Perëndi dhe Njeri. Perëndia është Perëndia i Zotit tonë Jezus Krisht; kjo i referohet lidhjes së Tij me Jezusin, Birit të Njeriut. Por Perëndia është gjithashtu Ati i Zotit tonë Jezus Krisht; kjo i referohet lidhjes së Tij me Krishtin, Birit të Perëndisë. Plus kësaj, Perëndia është përshkruar si Ati i mëshirave dhe Perëndia i ngushëllimit. Nga Ai burojnë të gjitha mëshirat dhe ngushëllimet.
1:4 Në gjithë brengat e tij, Pali ishte i vetëdishëm për prezencën ngushëlluese të Perëndisë. Këtu ai jep një nga shumë arsyet përse Perëndia e kishte ngushëlluar atë. Kjo gjë kishte ndodhur që ai më pas të ishte në gjendje të ngushëllonte të tjerët me të njëjtin ngushëllim me të cilin Perëndia e kishte ngushëlluar atë. Për ne, fjala “ngushëllim” zakonisht do të thotë qetësim në kohë hidhërimi. Por siç është përdorur në Dh.R., ajo ka një kuptim më të gjerë. Ajo i referohet një inkurajimi dhe këshille që vjen tek ne nga dikush që është pranë nesh në kohë nevoje. Në këtë varg ka një mësim praktik për ne të gjithë. Ne duhet të kujtojmë kur jemi të ngushëlluar që duhet të kërkojmë ta kalojmë këtë ngushëllim tek të tjerët. Ne nuk duhet ta shmangim dhomën e sëmundjes apo të vdekjes, por për më tepër të fluturojmë në anën e atyre që kanë nevojë për inkurajimin tonë. Ne nuk ngushëllohemi vetëm për të qenë të ngushëlluar, por për të qenë ngushëllues.
1:5 Arsyeja që Pali mund të ngushëllojë të tjerët është se ngushëllimet e Krishtit janë të barabarta me vuajtjet që durohen për shkakun e Tij. Vuajtjet e Krishtit këtu nuk mund të nënkuptojnë vuajtjet shlyese të Shpëtimtarit. Ato janë unike dhe askush nuk mund të jetë pjesëtar i tyre. Por të krishterët mund të vuajnë dhe vuajnë për shkak të bashkësisë së tyre me Zotin Jezus. Ata vuajnë urrejtje, hedhje poshtë, mohim, tradhëti, etj.. Këto janë quajtur vuajtjet e Krishtit sepse Ai i duroi ato kur ishte në tokë dhe sepse Ai ende i vuan ato kur anëtarët e trupit të Tij i përjetojnë ato. Kur ne brengosemi, Ai brengoset (Isaia 63:9). Por synimi i Palit këtu është të thotë që ka një kompensim të pasur për të gjitha këto vuajtje, pra një pjesëmarrje në ngushëllimin e Krishtit dhe ky ngushëllim është plotësisht i mjaftueshëm.
1:6 Pali mund të shihte një përfundim të mirë si nga brengat ashtu edhe nga ngushëllimet e tij. Të dyja ishin të shenjtëruara nga kryqi. Nëse ishte i pikëlluar, kjo gjë rezultonte në ngushëllim dhe shpëtim për shenjtorët – jo shpëtimi i shpirtrave të tyre, por fuqia që do t’i përcillte ata gjatë provave të tyre. Ata do të mund të inkurajoheshin dhe nxiteshin nga durimi i Palit dhe do të arsyetonin që nëse Perëndia mund t’i jepte atij hir për të vuajtur, Ai gjithashtu do të mund t’u jepte edhe atyre hir. Kur Samuel Rutherford e gjeti veten në bodrumin e pikëllimit ose në “kantinën e mjerimit,” siç bënte shpesh, ai filloi të kërkojë të gjejë [në mënyrën figurative] disa “shishe” nga “verërat më të mira” të Zotit. Ndoshta ai mësoi ta bëjë këtë nga shembulli i Palit, i cili gjithmonë ishte në gjendje të kërkonte ylberin në mes të lotëve të tij.
Ngushëllimi që apostulli kishte marrë do të mund t’i mbushte korintasit me ngushëllim dhe t’i frymëzonte ata për të qenë të durueshëm kur ata kalonin në të njëjtat persekutime në të cilat kishte kaluar edhe ai. Vetëm ata që kanë kaluar nëpër sprova të thella dinë se si të thonë një fjalë të përshtatshme tek ata që janë duke kaluar të njëjtën gjë. Një nënë që ka humbur birin e saj të vetëm mund të ngushëllojë më mirë një nënë tjetër që është goditur nga e njëjta dhimbje zemre. Ose më e mira, një Baba që ka humbur një Bir të vetëm mund të ngushëllojë më së miri ata që kanë humbur të dashurit e tyre.
1:7 Apostulli tani shpreh besimin e tij që pikërisht ashtu si korintasit kishin njohur se çdo të thoshte të vuaje për shkak të Krishtit, ashtu ata mund të përjetonin ndihmën ngushëlluese të Krishtit. Vuajtjet për të krishterin nuk vijnë kurrë vetëm. Ato gjithmonë ndiqen nga ngushëllimi i Krishtit. Ne, gjithashtu, mund të jemi të sigurt për këtë gjë ashtu siç ishte Pali.
Bibla e Gjallë [versioni “The Living Bible”] i parafrazon vargjet 3-7 si më poshtë:
Çfarë Perëndie të mrekullueshëm që kemi – Ai është Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, burimi i çdo mëshire dhe Ai që na ngushëllon dhe fuqizon në një mënyrë kaq të përsosur në sprovat dhe në vështirësitë tona. Dhe përse e bën Ai këtë? Që kur të tjerët janë në hall, duke pasur nevojë për inkurajimin dhe simpatinë tonë ne të mund t’u kalojmë atyre të njëjtën ndihmë dhe ngushëllim që Perëndia na ka dhënë ne…. Në problemet tona Perëndia na ka ngushëlluar ne – dhe kjo, gjithashtu, për të të ndihmuar ty: për të të treguar ty nga përvoja jote personale se si Perëndia me dhembshuri do të të ngushëllojë ty kur t’i kalon të njëjtat vuajtje. Ai do të të japë fuqinë për të duruar.
1:8 Pasi ka folur në terma të përgjithshme për pikëllimin dhe ngushëllimin, Pali tani përmend një sprovë më specifike në të cilën ai kishte kaluar kohët e fundit. Ai nuk dëshiron që vëllezërit korintas të ishin të paditur për vështirësinë që u kishte ngjarë në Azi. (Fjala Azi këtu nuk nënkupton kontinentin, por një provincë në pjesën jugore të asaj që sot është Azia e Vogël). Dhe pikërisht cili ishte problemi të cilit i referohet apostulli këtu? Ndoshta i referohet kryengritjes së rrezikshme që ndodhi në Efes (Veprat e Apostujve 19:23-41). Disa sugjerojnë që ishte një sëmundje vdekjeprurëse dhe të tjerë mendojnë që ishte fjala për lajmin e keq nga Korinti. Fatmirësisht, vlera dhe gëzimi i kësaj pjese nuk varen në të diturit e këtyre detajeve.
Megjithatë, problemi ishte kaq serioz, saqë Pali ishte rënduar së tepërmi, përtej fuqive të zakonshme të të duruarit saqë ai ishte dëshpëruar edhe për jetën vetë.
Parafrazimi që i bën Philips kësaj pjese është i dobishëm: “Në atë kohë ne ishim plotësisht të dëshpëruar; barra ishte më e madhe nga ç’mund të mbanim; në të vërtetë i thamë vetes që ky do të ishte fundi.”
1:9 Pikëpamja e apostullit ishte kaq e zymtë saqë ai kishte ndjenjën e një njeriu të dënuar me vdekje. Nëse dikush do e kishte pyetur atë: “A do të ndodhë jetë apo vdekje?” ai do ishte përgjigjur “vdekje.” Perëndia e kishte lejuar shërbëtorin e Tij të çohej në një pozicion të tillë ekstrem më qëllim që ai të mos kishte besim në vetvete, por në Perëndinë që ringjall të vdekurit. Perëndia që ringjall të vdekurit, këtu është përdorur padyshim si një sinonim i Perëndisë të plotfuqishëm. Ai që mund të ringjallë të vdekurin është shpresa e vetme e një njeriu që është i caktuar të vdesë, ashtu si apostulli konsideronte veten e tij.
1:10 Në traditën e KJV (dhe në shumicën e dorëshkrimeve) Pali është duke folur për çlirimin në tre kohët e tij: e shkuara (na ka çliruar), e tashmja (na çliron), dhe e ardhmja (do të na çlirojë) {{2}}. Nëse kryengritja në Efes është ajo për të cilën flitet këtu, atëherë Pali i referohet mënyrës në të cilën ai shpëtoi (Veprat e Apostujve 20:1). Apostulli e di që i njëjti Perëndi që e çliroi atë në të kaluarën është në gjendje ta çlirojë atë çdo ditë dhe do të vazhdojë ta çlirojë deri në momentin përfundimtar kur ai do të lirohet nga mjerimet dhe persekutimet e kësaj bote.
1:11 Këtu Pali pranon zemërgjerësisht si të vërtetë që të krishterët korintas ishin lutur për atë gjatë kohës që ai kalonte këtë provë të thellë. Në të vërtetë, shumë nga besimtarët kishin kritikuar apostullin e madh, dhe mund të ekzistonte një pyetje e madhe nëse ata e kishin kujtuar atë ndonjëherë përpara fronit të hirit apo jo. Megjithatë ai dëshiron t’iu japë atyre përfitimin e dyshimit [duke qenë zemërgjerë]. Shprehja dhuntinë që do na jepet i referohet dhuntisë së çlirimit të Palit që kishte ardhur nëpërmjet lutjeve të shumë personave. Ai e sheh shpëtimin e tij si një rezultat i lutjeve të bëra nga të shenjtët për të. Ai thotë që për shkak që shumë ishin lutur, shumë njerëz tani mund të falënderonin që lutjet e tyre kishin marrë përgjigje.
C. Shpjegimi për ndryshimin e planeve të Palit. (1:12-2:17)
1:12 Arsyeja që Pali ndien se ai mund të mbështet në lutjet e besimtarëve është që ai gjithmonë ishte i sinqertë në lidhje me ta. Ai mund të mburrej për ndershmërinë e tij kundrejt tyre dhe ndërgjegjja e tij dëshmonte për faktin që sjellja e tij karakterizohej nga thjeshtësia dhe sinqeriteti i Perëndisë, pra, nga çiltërsia që vjen nga Perëndia. Ai nuk iu përkul metodave të njerëzve mishërorë, por veproi haptazi përpara të gjithëve me fuqinë e pamerituar (hirin) që Perëndia i kishte dhënë. Kjo duhet të kishte qenë e dukshme në mënyrë të veçantë tek korintasit.
1:13 Sinqeriteti që karakterizoi marrëdhëniet e tij të mëparshme me korintasit është gjithashtu i vërtetë edhe në këtë letër.
Ai është duke shkruar saktësisht ato që ai kërkon të thotë. Nuk ka nevojë që ata të mundohen për të kuptuar. Domethënia është në sipërfaqe, e thjeshtë dhe e dukshme. Është pikërisht ajo çfarë ata lexojnë apo kuptojnë, dhe ai shpreson që ata do të vazhdojnë ta shohin këtë gjë deri në fund, pra përsa kohë që ata jetojnë.
1:14 Asambleja në Korint e kishte pranuar Palin deri diku, d.m.th., disa nga besimtarët e kishin pranuar atë por jo të gjithë. Ata që ishin besnikë kishin kuptuar këto dy fakte – që ata do të ishin krenarë për të dhe ai do të ishte krenar për ta në ditën e Zotit Jezus. Dita e Zotit Jezus pret veçanërisht Fronin Gjykues të Krishtit kur shërbesa e të shpenguarve do të vlerësohet dhe shpërblehet. Kur Pali pa atë gjyq, ai pa fytyrat e atyre që ishin shpëtuar nëpërmjet shërbesës së tij. Ata do të ishin gëzimi i tij, kurora e gëzimit të tij dhe ata, gjithashtu, do të gëzonin që ai kishte qenë vegla e Perëndisë për t’i drejtuar ata tek Krishti.
1:15 Shprehja dhe me këtë siguri do të thotë me besimin që të gëzonin në të si një apostull i vërtetë i Jezus Krishtit dhe si një, sinqeriteti i të cilit ishte jashtë çdo dyshimi. Ai donte t’u vinte atyre me sigurinë e besimit të tyre, me respekt dhe dashuri. Ai donte të vinte në fillim tek ata, përpara se të shkonte në Maqedoni. Kështu ata do të kishin një vepër të mirë të dytë në kuptimin e dy vizitave në vend të njërës.
1:16 “Vepra e dytë e mirë” është shpjeguar më tepër në vargun 16. Siç është përmendur më parë, plani ishte që kur Pali të linte Efesin, ai do të kalonte nëpër Akai ku ndodhej Korinti, e më pas të udhëtonte në veri për në Maqedoni. Pasi predikoi atje ai mund t’i drejtonte hapat e tij përsëri në Korint. Ai shpresonte që besimtarët korintas do ta ndihmonin atë në rrugën për në Jude – ndoshta nëpërmjet mikpritjes dhe lutjeve të tyre, por jo me para, pasi ai më vonë shqipton vendimin e tij për të mos pranuar të ardhura nga ata (11:7-10).
1:17 Plani fillestar i Palit nuk u realizua kurrë. Ai udhëtoi nga Efesi për në Troas dhe kur nuk e gjeti Titin ai shkoi menjëherë në Maqedoni, duke hequr Korintin nga itinerari i tij. Kështu ai pyet këtu, “Kur mora këtë vendim, vallë mos kam vepruar me mendjelehtësi?” Kjo është ndoshta ajo çfarë kishin thënë ata që nuk e pranonin Palin. “Pali i paqëndrueshëm! Ai thotë një gjë dhe bën një tjetër! A mund të jetë një njeri i tillë apostull?” Apostulli i sfidon korintasit nëse ai është i pabesueshëm apo jo. Kur planifikon, a planifikon ai sipas motiveve të mishit me rezultatin që është Po një minutë dhe Jo minutën tjetër? A drejtohet ai thjesht nga konsideratat e rehatisë dhe lehtësisë? Philips ka kapur shpirtin e këtij vargu në parafrazimin e tij: “Sepse na duhej të ndryshonim këtë plan, a do të thotë që e jemi të paqëndrueshëm? A mendoni se unë planifikoj me gjuhë gënjeshtare duke thënë “Po” dhe duke nënkuptuar “Jo”?
1:18 Pali duket sikur kalon nga fjala e tij në lidhje me planet e tij të udhëtimit në predikimin e tij. Ndoshta kritikët po thoshin që nëse ai ishte i pabesueshëm në të folurën e tij të zakonshme, atëherë predikimi i tij s’duhej të besohej.
1:19 Pali argumenton që veprimet e tij nuk ishin të pabesueshme sepse Shpëtimtari që ai predikoi ishte Hyjnori dhe I Pandryshueshmi në të cilin nuk kishte ngurrime apo pasiguri. Kur ai vizitoi për herë të parë Korintin me Silvanin dhe Timoteun (Veprat 18:5), ata kishin predikuar të besueshmin Birin e Perëndisë. “Mesazhi nuk ishte i paqëndrueshëm, sepse ai ishte në lidhje me Birin e Perëndisë i cili nuk ishte i ngurrueshëm.” Argumenti është se asnjë që predikon Zotin Jezus në Frymë s’mund të veprojë në mënyrën në të cilën e akuzojnë kritikët e tij. Denney thotë, “Argumenti i Palit këtu mund të ketë qenë përdorur nga ndonjë hipokrit, por asnjë kritik nuk e ka zbuluar atë.” Si mund të predikonte ai një Perëndi besnik dhe vetë ai të ishte një mosbesnik i fjalës së tij?
1:20 Të gjitha premtimet e Perëndisë, nuk ka rëndësi sa janë ato, e gjejnë plotësimin e tyre në Krishtin. Të gjithë ata që gjejnë në Të plotësimin e premtimeve të Perëndisë shtojnë Amenin e tyre:
Ne hapim Biblat tona në një premtim, shohim drejt tek Perëndia, dhe Perëndia thotë, “Ju mund ta keni atë të gjithën nëpërmjet Krishtit.” Duke besuar Krishtin ne themi, “Amen” tek Perëndia. Perëndia flet nëpërmjet Krishtit dhe ne besojmë në Krishtin; Nga qielli Krishti shtrin poshtë dorën e Tij dhe besimi ngrihet lart, dhe çdo premtim i Perëndisë është përmbushur në Krishtin. Në Të dhe nëpërmjet Atij ne i përvetësojmë dhe i marrim ato për vete dhe themi, “Po, Zot, unë të besoj.” Kjo është “po”-ja e besimit. {{3}}
E gjitha kjo është për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh. Denney shkruan: “Ai lavdërohet kur qartësohet në shpirtrat njerëzorë që Ai ka folur mirë në lidhje me ta, përtej imagjinatës së tyre, dhe kur ajo e mirë është parë të jetë e sigurt në mënyrë të pandryshueshme në Birin e Tij.”
Dy fjalët nëpërmjet nesh, u kujtojnë korintasve që ishte nëpërmjet predikimit të njerëzve si Silvani, Timoteu dhe Pali që korintasit kishin pranuar premtimet e Perëndisë në Krishtin. Nëse apostulli ishte një mashtrues, siç e akuzonin armiqtë e tij, a mund të ishte e mundur atëherë që Perëndia kishte përdorur një gënjeshtar dhe një mashtrues për të përmbushur përfundime të tilla të mrekullueshme? Përgjigjja është, sigurisht “jo.”
1:21 Pali më pas tregon që korintasit dhe ai ishin të gjithë të lidhur në të njëjtën themel jete. Perëndia i kishte vendosur ata në besim, i kishte përshtatur ata në Krishtin me anë të shërbesës së Fjalës së Perëndisë. Ai gjithashtu i kishte vajosur ata me Frymën, duke i kualifikuar, fuqizuar dhe duke i mësuar ata.
1:22 Ai gjithashtu i kishte vulosur ata dhe u kishte dhënë Frymën në zemrat e tyre si një kapar. Këtu ne kemi dy shërbesa të tjera të Frymës së Shenjtë. Vula është shenja e zotërimit dhe e sigurisë. Fryma duke banuar në një besimtar është shenja që tregon se besimtari i takon tani Perëndisë dhe kjo është përjetësisht e sigurt. Vula, sigurisht, është e padukshme. Njerëzit nuk e dinë që ne jemi të krishterë prej ndonjë veshjeje, por vetëm nga evidenca e një jetë të mbushur me Frymë. Perëndia gjithashtu ju ka dhënë atyre Frymën në zemrat e tyre si një kapar ose garanci që tregon se pas kësaj vjen e gjithë trashëgimia. Kur Perëndia shpëton një njeri, Ai i jep atij Frymën e Shenjtë që banon në të. Në mënyrën po aq të sigurt në të cilën njeriu merr Frymën e Shenjtë, po në atë mënyrë ai do të hyjë në plotësinë e trashëgimisë së Perëndisë. I njëjti lloj bekimesh që Fryma e Shenjtë bën të vërtetë në jetën tonë do të jetë i yni në plotësinë e Tij në një ditë në të ardhmen.
1:23 Nga vargu 23 deri në vargun 4 të kapitullit të dytë, Pali i kthehet akuzës së paqëndrueshmërisë që ishte ngritur kundër tij dhe i jep një shpjegim të drejtpërdrejtë se përse ai nuk e vizitoi Korintin ashtu si ai e kishte planifikuar. Përderisa asnjeri s’mund të zbulojë motivet e brendshme të veprimit të Palit, ai e fton Perëndinë si dëshmitar mbi këtë fakt. Nëse apostulli do ta kishte vizituar Korintin në kohën që ai kishte planifikuar, atij do i ishte dashur të merrej mjaft me situatën aty. Atij do i ishte dashur të jepte një qortim personal ndaj shenjtorëve për shkak të pakujdesshmërisë së tyre në tolerimin e mëkatit në asamble. Ishte pikërisht për t’i kursyer ata në dhimbje dhe në trishtim që Pali e vonoi udhëtimin e tij për në Korint.
1:24 Por pasi apostulli tha këtë gjë, ai nuk donte që dikush të mendonte se ai po vepronte si një diktator mbi korintasit. Dhe kështu ai shton këtu, “Jo se ne kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj.” Nuk ishte që apostulli donte të ishte zot mbi besimin e tyre të krishterë. Ai nuk donte që ata ta mendonin atë si një tiran. Për më tepër, ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin thjesht ndihmues të gëzimit të tyre, pra, ai donte vetëm të bënte atë çfarë do t’i ndihmonte ata në rrugën e tyre të krishtere dhe kështu të shtonte gëzimin e tyre.
Pjesa e fundit e vargut 24 mund të kuptohet gjithashtu si “sepse në besim ju qëndroni të fortë.” Pra, nuk ishte e nevojshme që ata të korrigjoheshin për besimin e tyre, pasi në atë fushë ata qëndronin tepër të fortë. Çështjet që ai kërkonte të korrigjonte nuk ishin çështje doktrine më shumë sesa çështje të sjelljes praktike të tyre në Kishë.
2:1 Ky varg vazhdon mendimin e dy vargjeve të fundit të kapitullit 1. Pali shpjegon më tej se arsyeja për të cilën ai nuk shkoi në Korint siç e kishte planifikuar ishte se ai nuk donte t’iu shkaktonte atyre një hidhërim që do të ishte pasojë e një qortimi nga ana e tij. Fjalët kisha vendosur … të mos vij përsëri te ju me hidhërim duket se flasin për një vizitë tjetër të dhembshme dhe të hidhëruar që ai kishte bërë menjëherë pas vizitës së tij përshkruar në Veprat 18:1-17. Një vizitë e tillë mund të kuptohet edhe nga 2 Korintasve 12:14; 13:1.
2:2 Nëse apostulli do të vinte në Korint me një qortim personal ndaj të krishterëve, ai do t’i kishte trishtuar me patjetër. Në këtë rast, edhe ai do të mërzitej sepse ata ishin njerëzit tek të cilët ai kërkonte gëzim. Siç e ka komentuar Ryrie: “Nëse unë ju lëndoj ju, atëherë kush mbetet të më gëzojë mua, përveç njerëz të hidhëruar? Kjo nuk do të ishte një ngushëllim.”
2:3 Për të mos e shkaktuar këtë hidhërim të dyanshëm nëpërmjet një vizite personale, apostulli Pal vendosi te shkruante një letër. Shpresa e tij ishte që letra do ta përmbushte përfundimin e kërkuar, që korintasit do të ushtronin disiplinë në lidhje me vëllain shkelës, dhe që vizita tjetër e Palit nuk do të turbullohej nga marrëdhënie të tendosura midis këtyre njerëzve që ai i donte më shumë se vetveten.
A i referohet letra e pjesës së parë të vargut tre letrës së parë të Palit drejtuar korintasve, apo ndonjë letre që nuk ekziston më sot? Shumë besojnë që s’mund të jetë e 1 e Korintasve për shkak të përshkrimit në vargun 4, që ishte shkruar me shumë ankth zemre dhe shumë lot. Studiuesit e tjerë të Biblës mendojnë që përshkrimi këtu shkon mjaft me Letrën e parë. Ka mundësi që Pali i shkroi një letër tepër të ashpër Kishës në Korint, letër që nuk është më në dispozicion. Ndoshta ai e shkroi atë pas vizitës së trishtueshme (2 Kor. 2:1) dhe ngarkoi Titin për dorëzimin e saj. Për një letër të tillë ka referime në 2:4, 9; 7:8, 12.
Cilado pikëpamje qoftë e rregullt, mendimi në vargun tre është që Pali u shkroi atyre në atë mënyrë që kur ai t’i vizitonte, të mos kishte hidhërim mbi trishtimin e atyre që duhet t’i jepnin gëzim. Ai kishte besim që të njëjtat gjëra që i sollën gëzim atij do t’u sillnin gëzim edhe atyre. Në kontekst kjo do të thotë që trajtimi i perëndishëm i problemit të disiplinës rezulton në gëzim të dyanshëm.
2:4 Në këtë varg ne përfitojmë një vështrim të thellë në brendësi të zemrës së pastorit të madh. Pali ishte me të vërtetë në dhimbje nga fakti që mëkati ishte lejuar në asamblenë e Korintit. Kjo gjë i shkaktoi atij shumë pikëllim dhe ankth në zemër dhe lotë të nxehtë hidhërimi rrodhën nga sytë e tij. Duket që apostulli ishte më i prekur për mëkatin në Korint sesa ishin vetë korintasit. Ata nuk duhet ta interpretonin këtë letër si një përpjekje për të lënduar ndjenjat e tyre, por për më tepër si një provë të dashurisë së tij për ta. Ai shpresonte që me anë të shkrimit të tij ata do të kishin kohë te mjaftueshme për të rregulluar situatën, kështu që vizita e mëpasshme e tij të ishte një vizitë e gëzueshme. “Besnike janë plagët e një miku.” Ne nuk duhet ta hedhim poshtë atë nëse këshillohemi apo paralajmërohemi në një mënyrë të perëndishme. Për më tepër duhet të kuptojmë që çdo person që e bën këtë gjë me të vërtetë interesohet për ne. Qortimi i drejtë duhet të merret sikur është prej Zotit vetë dhe duhet të jemi mirënjohës për të.
2:5 Nga vargu 5 deri në vargun 11, apostulli i referohet në mënyrë më të drejtpërdrejtë incidentit që kishte shkaktuar vështirësinë. Vini re hirin e madh dhe konsiderimin e krishterë që ai tregon këtu. Ai nuk e përmend asnjëherë shkeljen ose shkelësin. Shprehja “nëse dikush ka shkaktuar trishtim” mund t’i referohet njeriut të letrës së parë drejtuar korintasve (1 e Korintasve 5:1), ose dikujt tjetër që ka shkaktuar probleme në asamble. Ne do të pranojmë që i drejtohet të parit. Pali nuk e shihte atë si një shkelje personale kundër vetes së tij. Ajo gjë kishte shkaktuar hidhërim tek të gjithë besimtarët deri në një pikë.
2:6 Besimtarët në Korint kishin rënë dakord për një veprim disiplinor për shkelësin. Me sa duket ata e kishin larguar atë nga Kisha. Si një përfundim i këtij veprimi, ai ishte penduar me të vërtetë dhe ishte rregulluar në Zotin. Tani Pali u thotë korintasve që ndëshkimi për atë njeri ishte i mjaftueshëm. Ata nuk duhet ta zgjasnin më atë pa qenë nevoja. Në pjesën e fundit të këtij vargu ne gjejmë shprehjen: “që iu bë nga shumica.” Disa besojnë që “shumica” do të thotë pjesa më e madhe. Të tjerët ngulin këmbë që do të thotë gjithë anëtarët me përjashtim të atij që u disiplinua. Njerëzit me këtë bindje mohojnë që një vendim i marrë nga shumica është i mjaftueshëm në çështjet e Kishës. Ata thonë që aty ku Fryma e Perëndisë lejohet të drejtojë, duhet të ketë një veprim unanim.
2:7, 8 Tani që ai njeri ishte penduar plotësisht, korintasit duhet ta falin dhe të kërkojnë ta forcojnë atë duke e marrë atë përsëri në bashkësinë e tyre. Nëse ata nuk e bënin këtë, ekzistonte rreziku që ai të gëlltitej nga trishtimi i tepërt, pra, ai mund të dyshojë realitetin e faljes së tij dhe të vazhdonte në një dekurajim dhe në një trishtim të vazhdueshëm.
Korintasit mund t’i shfaqnin përsëri dashurinë e tyre duke hapur duart e tyre dhe duke e pranuar atë përsëri me gëzim e butësi.
2:9 Duke shkruar letrën e parë Pali i kishte vënë të shenjtët në provë. Këtu ishte një mundësi për ta për të treguar nëse ata ishin të dëgjueshëm ndaj Fjalës së Zotit që u ishte dhënë atyre nëpërmjet apostullit Pal. Ai kishte sugjeruar në atë kohë që ta largonin atë njeri nga bashkësia e Kishës. Dhe pikërisht ata e bënë këtë gjë, duke provuar që ishin me të vërtetë dëgjues. Tani Pali u thoshte atyre se duhet të bënin një hap më përpara, pra, ta merrnin përsëri atë në mes tyre.
2:10 Philips e parafrazon kështu vargun 10, “Nëse ju do të falni një njeri, është e sigurt që edhe unë e fal atë. Nëse unë do të kisha diçka personale për ta falur, unë e fal atë, si përpara Krishtit.” Pali do që të shenjtët të dinë që ai është plotësisht me ta në faljen e të penduarit. Nëse ai do të kishte diçka për të falur, ai e fal për hir të korintasve dhe përpara Krishtit.
Theksi në këtë letër mbi disiplinën në Kishë është një indeks i rëndësisë së saj. E përsëri është një subjekt që lihet pas dore në shumë prej kishave ungjillore sot. Është një rast tjetër ku ne mund të pohojmë se besojmë në frymëzimin e Shkrimeve dhe përsëri të refuzojmë t’i bindemi atyre kur nuk përputhen me qëllimet tona.
2:11 Ashtu siç është e rezikshme për një asamble të mos marrë masë disiplinore kur duhet, ashtu është e rrezikshme për asamblenë të mos falë kur ka ndodhur një pendim i vërtetë. Satani është gjithmonë gati për të hyrë në një situatë të tillë me metodat e tij dinake. Në rastin e parë, ai do të prishë dëshminë e një asambleje nëpërmjet mëkatit të toleruar dhe në të dytin ai do të hidhërojë personin e penduar me më shumë trishtim, nëse asambleja nuk e rivendos atë. Nëse Satani s’mund të shkatërrojë nëpërmjet imoralitetit, ai do të përpiqet me anë të një hidhërimi të pamasë pas pendimit.
Duke komentuar mbi shprehjen “sepse ne i dimë qëllimet e tij,” J. Sidlow Baxter thotë:
Satani përdor të gjitha mënyrat e dredhisë për t’i larguar shpirtrat nga e vërteta: një sitë për t’i “situr” ata (Luka 22:31), “mjete” për të gënjyer (si në pjesën tonë), “rroba zie” për të “mbytur” (Mat. 13:22), “kurthe” për të joshur (Ef. 6:11), britmën e një luani për të tmerruar (1 Pje. 5:8), maskimin e një engjëlli për të mashtruar (2 Kor. 11:14) dhe “kurthe” për t’i penguar ata (2 Tim. 2:26). {{4}}
2:12 Pali tani përmbledh subjektin e ndryshimit të planit për udhëtim. Ai nuk kishte shkuar në Korint siç kishte thënë se do të bënte. Vargjet e mëparshme shpjeguan që dështimi i tij për të vizituar Korintin duhej për të shmangur një frymë të vrullshme qortimi. Në vargjet 12 deri në 17 Pali tregon saktësisht çfarë i kishte ndodhur atij në këtë pikë të rëndësishme të shërbesës së tij. Siç është përmendur më parë, Pali la Efesin dhe udhëtoi për në Troas me shpresë për të takuar Titin atje dhe që të merrte lajme nga Korinti. Kur arriti në Troas përpara tij u hapën disa dyer të mrekullueshme mundësie në Zotin për të predikuar Ungjillin e Krishtit.
2:13 Pavarësisht nga kjo mundësi shpirti i Palit ishte i shqetësuar. Titi nuk ishte aty për ta takuar atë. Barra e Kishës së Korintit rëndonte në zemrën e apostullit. A duhet të qëndronte në Troas dhe të predikonte Ungjillin e Krishtit? Apo duhet të vazhdonte për në Maqedoni? Vendimi i tij u mor; ai duhej të udhëtonte për në Maqedoni. Është për t’u habitur kur mendon se cilat do kishin qenë reagimet e korintasve kur lexuan këto fjalë. A kuptuan ata, ndoshta me pak turp, që ishte sjellja e tyre ajo që shkaktoi shqetësim në jetë e apostullit, dhe që rezultoi në refuzimi nga ana e tij e asaj mundësie të mrekullueshme për të predikuar Ungjillin, vetëm për të mësuar për mirëqenien e tyre shpirtërore?
2:14 Pali nuk ishte mundur. Nuk kishte rëndësi se ku shkonte, në shërbesën e Krishtit gjithmonë kishte fitore. Dhe kështu ai shpërthen në falënderime: Por faleminderit Perëndisë që na bën të ngadhënjejmë gjithnjë në Krisht. A. T. Robertson thotë:
Pa asnjë fjalë shpjegimi, Pali kërcen jashtë Batakut të Dëshpërimit dhe fluturon si një zog për në lartësitë e gëzimit. Ai ngrihet lart si një shqiponjë, me një përbuzje krenare ndaj luginës poshtë tij. {{5}}
Pali këtu përdor një figurë nga procesioni i varrimeve triumfale të luftëtarëve romakë. Duke u kthyer në shtëpi pas fitoreve të lavdishme, ata i tërhiqnin robërit e tyre nëpër rrugët e qyteteve. Njerëz që mbanin temjan ecnin në dy anët e rrugës dhe era e këndshme e tij përhapej kudo. Kështu Pali paraqet Zotin duke ecur si fitimtar nga Troasi në Maqedoni duke drejtuar apostullin. Kudo që Zoti shkon, nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, ka fitore. Era e këndshme e njohurisë së Krishtit shpërndahet nëpërmjet apostullit në çdo vend. F. B. Meyer shkruan:
Kudo që ata shkonin njerëzit e njihnin Jezusin më mirë; dashuria e karakterit të Mësuesit bëhej më e njohur. Njerëzit ndienin një aromë të hollë, që shpërndahej në ajër, aromë që i tërhiqte ato tek Njeriu i Nazaretit. {{6}}
Kështu Pali nuk ndien që ai kishte vuajtur një humbje në fushën e tij të luftës me Satanin, por Zoti kishte fituar dhe Pali e ndante fitoren me Zotin.
2:15 Në procesionin triumfues të cilit Pali i referohet, era e këndshme e temjanit do të thoshte fitore për fituesit, por ishte vdekje për robërit. Kështu apostulli thotë që predikimi i Ungjillit kishte një efekt të dyfishtë. Ai nënkuptonte një gjë për ata që ishin të shpëtuar dhe diçka krejt të kundërt për ata që humbasin. Për ata që e pranojnë, ai është një garanci e një të ardhmeje të lavdishme; për të tjerët është një shenjë vdekjeje. Por Perëndia lavdërohet në secilin prej këtyre dy rasteve, pasi për Të është era e këndshme në njërin rast dhe era e drejtësisë në rastin tjetër. F. B. Meyer e thotë mirë këtë:
Prandaj, kur na thuhet që ne mund të jemi një erë e këndshme e Krishtit për Perëndinë, duhet të kuptojmë që ne duhet të jetojmë në atë mënyrë që t’i kujtojmë Perëndisë se çfarë ishte Jezusi në karrierën e Tij të vdekshme. Është në një farë mënyre që kur Perëndia na sheh ne nga dita në ditë, Ai duhet të shohë Jezusin në ne dhe të kujtohet (duke folur sipas mënyrës së njerëzve) për atë jetë të bekuar që u ofrua si një sakrificë ndaj Perëndisë për një erë të këndshme. {{7}}
2:16 Për të shpëtuarit, pra, të krishterët janë erë jete që të çon në jetë, por për ata që humbin, era e vdekjes që të çon në vdekje. Ne jemi siç e quan Philips: “aroma e freskët e vetë jetës,” që u sjell jetë atyre që besojnë, por “aromë vdekjeje” për ata që refuzojnë të besojnë. Ky ndikim i dyfishtë është ilustruar bukur në një incident në Dhjatën e Vjetër. Kur arka e Perëndisë ishte marrë nga filistenjtë, shkaktoi vdekje dhe shkatërrim për sa kohë që ishte në mes tyre (1 Sam. 5). Por kur u kthye përsëri në shtëpinë e Obed Edomit, ajo solli bekim dhe përparim për të dhe për gjithë shtëpinë e tij (2 Sam. 6:11). Kur Pali mendon mbi përgjegjësinë e madhe të të predikuarit të mesazhit që ka një rrjedhim që arrin aq larg, ai thërret, “Dhe kush është i zoti për këto?”
2:17 Lidhja midis vargut 17 dhe 16 shihet më mirë nëse ne shtojmë fjalët “Ne jemi.” “Kush është i zoti për këto gjëra? Ne jemi, sepse ne nuk jemi … duke falsifikuar Fjalën e Perëndisë,” etj. (Por përsëri kjo gjë duhet të kuptohet në lidhje me 3:5 ku Pali thotë që fuqia e tij është nga Perëndia). Shprehja shumë të tjerë {{8}} i referohet mësuesve të Judaizmit që kërkonin t’i largonin korintasit nga apostulli. Si ishin këta njerëz? Pali thotë ata falsifikonin ose shisnin Fjalën e Perëndisë. Ata kishin motive tregtie. Ata përpiqeshin ta kthenin shërbesën në një profesion fitimprurës. E njëjta fjalë për falsifikim ishte përdorur për ata që falsifikonin verën, duke i shtuar diçka tjetër asaj. Dhe kështu mësuesit e rremë kërkonin të falsifikonin Fjalën e Perëndisë duke i shtuar asaj doktrinat e tyre. Ata kërkonin, p.sh., të përzienin ligjin dhe hirin.
Pali nuk ishte një prej atyre që falsifikonte apo shiste Fjalën e Perëndisë. Për më tepër, ai mund ta përshkruante shërbesën e tij me anë të tre shprehjeve domethënëse. E para është sinqeriteti. Kjo do të thotë “me pastërti apo me transparencë.” Shërbesa e tij ishte një shërbesë e ndershme. Në lidhje me të nuk kishte as ndonjë falsifikim as ndonjë dredhi. Çdo gjë ishte në shesh, haptazi. Robertson {{9}} e shpjegon këtë gjë me një humor të hollë: “manaferrat e Palit ishin po aq të mira si në fillim ashtu edhe në fund të shportës.”
Së dyti, ai përshkruan shërbesën e tij si nga ana e Perëndisë. Me fjalë të tjera çdo gjë që ai fliste ishte nga Perëndia. Perëndia ishte burimi i mesazhit të tij dhe ishte nga Perëndia prej nga ai merrte fuqinë për të vazhduar përpara. Më pas ai shton, përpara Perëndisë. Kjo do të thotë që apostulli i shërbente Zotit duke qenë i ndërgjegjshëm për faktin që Perëndia ishte gjithmonë duke e parë atë. Ai kishte një ndjenjë të vërtetë të përgjegjësisë që kishte përpara Perëndisë dhe kishte kuptuar që asgjë nuk mund t’i fshihej syve të Perëndisë. Dhe më në fund ai shton, ne flasim… në Krisht. Kjo do të thotë që ai fliste në emër të Krishtit, me autoritetin e Krishtit dhe një zëdhënës i Krishtit.
D. Letrat kredenciale të Palit për shërbesën. (3:1-5)
3:1 Në pjesën e fundit të 2:17, apostulli ka përdorur katër shprehje të ndryshme për të shpjeguar shërbesën e tij. Ai kishte kuptuar që kjo mund të tingëllonte tek disa, veçanërisht tek kritikët e tij, sikur ai po rekomandonte vetveten. Dhe kështu fillon kapitullin me pyetjen: A fillojmë përsëri të rekomandojmë veten tonë? Fjala përsëri nuk nënkupton që ai e kishte rekomanduar vetveten më parë. Për më tepër, ajo thjesht nënkupton që ai ishte akuzuar se kishte bërë këtë gjë dhe tani po priste për përsëritjen e së njëjtës akuze kundër tij.
Apo mos kemi nevojë si disa për letra rekomandimi për ju ose për rekomandime nga ana juaj? Fjala si disa, së cilës Pali i referohet i përket mësuesve të rremë të 2:17. Ata erdhën në Korint me letra rekomandimi, ndoshta nga Jeruzalemi. Dhe ka mundësi që kur ata u larguan nga Korinti ata morën letra rekomandimi nga asambleja aty. Letrat e rekomandimit përdoreshin në Kishën e hershme nga të krishterët që udhëtonin nga një vend në një tjetër. Apostulli nuk kërkon të dekurajojë një praktikë të tillë në këtë varg. Për më tepër ai shpall që e vetmja gjë që kishin këta mësues të rremë për të rekomanduar ishte një copë letër që ata kishin me vete! Përveç kësaj ata nuk kishin asnjë letër kredenciale për të ofruar.
3:2 Judaistët që kishin ardhur në Korint kishin vënë në dyshim autoritetin e Palit. Ata kishin mohuar që ai ishte një shërbëtor i vërtetë i Jezu Krishtit. Ndoshta ata kishin ngritur dyshime të tilla në mendjet e korintasve me qëllim që këta të fundit të kërkonin një letër rekomandimi nga apostulli Pal kur ai të vizitonte herën tjetër Korintin. Ai tashmë i ka pyetur ata nëse ka nevojë ai për një letër të tillë. A nuk kishte shkuar ai në Korint kur ata ishin idhujtarë paganë? Ai nuk i kishte drejtuar ai për tek Krishti? A nuk e kishte vendosur Zoti vulën e Tij mbi shërbesën e Palit në Korint duke i dhënë atij shpirtra të çmuar? Kjo është përgjigjja. Vetë korintasit ishin letra e Palit, shkruar në zemrën e tij, por e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit. Në rastin e tij nuk ishte nevoja për një letër të shkruar me bojë e penë. Ata ishin fryti i shërbesës së tij dhe ata ishin ruajtur nga dashuria e tij. Jo vetëm kaq, por ata ishin njohur dhe lexuar nga gjithë njerëzit në kuptimin që kthimi i tyre ishte një fakt i mirënjohur në atë zonë. Njerëzit kishin kuptuar që një ndryshim kishte ndodhur tek ata, që ata ishin kthyer tek Perëndia duke lënë idhujt dhe që ata tani ishin duke jetuar jetë të ndryshme. Ata ishin evidenca e shërbesës hyjnore të Palit.
3:3 Në shikim të parë, duket sikur vargu 3 është në kontradiktë me vargun e dytë. Pali tha që korintasit ishin letra e tij: këtu ai thotë që ata janë një letër e Krishtit. Në vargun 2, që letra është shkruar në zemrën e tij: në pjesën e fundit të vargut 3, duket tepër qartë që Krishti ka shkruar letrën në zemrat e vetë korintasve. Si mund të pajtohen këto dy të vërteta? Përgjigjja është që në vargun 2 Pali është duke thënë që korintasit ishin letra e tij e rekomandimit. Vargu 3 jep shpjegimin. Ndoshta ne mund të përfitojmë lidhjen duke bashkuar vargjet në këtë mënyrë: “Ju jeni letra jonë… sepse ju jeni manifestuar të jeni një letër e Krishtit.” Me fjalë të tjera, korintasit ishin letra e rekomandimit të Palit sepse ishte e qartë për të gjithë që Zoti kishte bërë një punë hiri në jetët e tyre. Ata ishin të krishterë në mënyrë të dukshme. Përderisa Pali kishte qenë instrumenti njerëzor që i kishte çuar ata tek Zoti, ata ishin letrat e tij kredenciale. Ky është mendimi që zë vend në shprehjen me anë të shërbesës sonë. Zoti Jezus ishte Ai që kishte bërë punën në zemrat e tyre, por Ai e bëri këtë nëpërmjet shërbesës së Palit.
Ndërkohë që letrat e rekomandimit të armiqve të Palit ishin shkruar me bojë, letra e Palit ishte shkruar me Frymën e Perëndisë së gjallë dhe ishte hyjnore. Boja, sigurisht, që është subjekt i fshirjes, i prishjes, dhe i shkatërrimit, por kur Fryma e Perëndisë shkruan në zemrat njerëzore, ajo mbetet përgjithmonë. Më pas Pali shton që letra e Krishtit nuk ishte shkruar në rasa guri, por në rasa të një zemre mishi. Njerëzit duke vizituar Korintin nuk panë letrën e Krishtit të gdhendur në ndonjë monument të madh në mes të tregut, por për më tepër letra ishte shkruar në zemrat dhe jetët e të krishterëve atje.
Kur Pali bën krahasimin e rasës së gurit dhe asaj prej mishi, mendohet se ai ka pasur ndërmend edhe ndryshimin midis ligjit dhe Ungjillit. Sigurisht që ligji ishte shkruar në rasa guri në Malin Sinai, por me Ungjillin Perëndia siguron bindje nëpërmjet mesazhit të hirit dhe dashurisë që është shkruar në zemrat njerëzore. Pali do të shtjellojë më pas këtë gjë me detaje, kështu që ai ndalon këtu.
3:4 Pasi kemi dëgjuar Palin duke folur me një siguri të tillë për apostullimin e tij dhe shërbesën që Zoti i kishte ngarkuar atij, ne mund të pyesim, “Pal, si guxoni të flisni me një siguri të tillë rreth çështjes?” Përgjigjja është dhënë në vargun 4. Mbrojtja e apostullimit të tij mund të duket si një vetaprovim, por këtu ai e mohon këtë gjë. Ai thotë që besimi i tij është në Perëndinë, besim që i bën ballë hetimit të hollësishëm të Perëndisë. Ai nuk ka ndonjë besim në vetvete apo në aftësitë e tij, por me anë të Krishtit, ai gjen provën e realitetit të shërbesës së tij. Ndryshimi i dukshëm në jetët e korintasve e rekomandonte apostullin.
3:5 Përsëri këtu Pali shpall që nuk ka asnjë mjaftueshmëri në veten e tij që do ta vërtetonte atë të ishte një apostull i Jezus Krishtit. Fuqia për shërbesën e tij nuk erdhi nga brenda, por nga lart. Apostulli nuk ishte i merakosur për të fituar lavdi për vetveten. Ai kuptoi që nëse Perëndia nuk do ta kishte bërë atë të mjaftueshëm për shërbesën, atëherë asgjë nuk do të ishte plotësuar.
E. Krahasimi i Besëlidhjes së Re me atë të Vjetër. (3:6-18)
3:6 Pasi ka diskutuar për letrat e tij kredenciale dhe për kualifikimin e tij për shërbesën, Pali tani fillon me një raport të gjerë për vetë shërbesën. Në vargjet që vijnë ai krahason Besëlidhjen e Vjetër (ligjin) me Besëlidhjen e Re (Ungjillin). Ka një arsye të fortë me të cilën ai bën këtë gjë në këtë vend. Ata që e qortonin atë aq shpesh në Korint ishin Judaistë. Këta ishin njerëzit që kërkonin të përzienin ligjin dhe hirin. Ata i mësonin të krishterët t’i zbatonin disa pjesë të ligjit me qëllim që të pranoheshin plotësisht nga Perëndia. Dhe kështu apostulli do të tregojë këtu superioritetin që ka Besëlidhja e Re ndaj asaj të Vjetrës. Ai i fillon shënimet e tij duke thënë që Perëndia e kishte bërë atë kompetent për të qenë një shërbëtor i Besëlidhjes së Re. Një besëlidhje, sigurisht, është një premtim, një rënie dakord ose një testament. Besëlidhja e Vjetër ishte sistemi ligjor i dhënë Moisiut nga Perëndia. Nën të, bekimi ishte i kufizuar mbi bindjen. Ishte një besëlidhje e veprave. Ishte një marrëveshje midis Perëndisë dhe njeriut, që nëse njeriu do të bënte pjesën e tij, Perëndia do të bënte të Tijën. Por për shkak se varej tek njeriu, nuk mund të prodhonte drejtësi. Besëlidhja e Re është Ungjilli. Nën të, Perëndia ka bërë marrëveshje për të bekuar njeriun falas me anë të hirit të Tij nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Çdo gjë në Besëlidhjen e Re varet nga Perëndia dhe jo nga njeriu. Prandaj, Besëlidhja e Re është në gjendje të plotësojë atë që s’mund ta bëjë kurrë e Vjetra.
Pali jep një seri ndryshimesh midis ligjit dhe Ungjillit. Ai fillon këtu në vargun 6 me të parën duke thënë, Jo të shkronjës, por të Frymës, sepse shkronja vret, por Fryma, ose fryma (NKJV) jep jetë. Shpesh kjo gjë është interpretuar si e tillë që nëse përpiqesh t’iu bindesh fjalëve të Shkrimit thjesht në kuptimin e tyre të jashtëm, pa dëshiruar t’i bindesh frymës së gjithë pjesës, atëherë kjo gjë më tepër të dëmton sesa të ndihmon. Farisenjtë ishin një shembull i kësaj. Ata ishin tepër të përpiktë në dhënien e së dhjetës, por nuk tregonin mëshirë dhe dashuri ndaj të tjerëve (Mat. 23:23). Edhe pse kjo është një zbatim me vlerë, nuk është interpretimi i kësaj pjese. Në vargun 6, shkronja i referohet Ligjit të Moisiut dhe Fryma i referohet Ungjillit të hirit të Perëndisë. Kur Pali thotë që shkronja vret, ai është duke folur për shërbesën e ligjit. Ligji i dënon të gjithë ata që dështojnë në zbatimin e të gjitha pikave të tij. “Me anë të ligjit arrihet njohja e mëkatit” (Rom. 3:20). “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar” (Gal. 3:10). Perëndia nuk pretendoi kurrë që ligji të ishte një mënyrë për të dhënë jetë. Për më tepër ai u projektua për të sjellë njohurinë mbi mëkatin dhe të bindte për mëkat. Besëlidhja e Re këtu është quajtur frymë. Ajo paraqet përmbushjen frymërore të llojeve dhe hijeve të Besëlidhjes së Vjetër. Ajo çfarë ligji kërkoi, por që s’mundi ta prodhonte kurrë është arritur tani nga Ungjilli.
J. M. Davies përmbledh:
Shërbesa e “shkronjës” që vret është ilustruar në 3000 të vrarët në Sinai, në inagurimin e Dhjatës së Vjetër; dhe shërbesa e Frymës, shërbesa që jep jetë është ilustruar në 3000 të shpëtuarit në ditën e Rrëshajëve. {{10}}
3:7 Vargjet 7 dhe 8 vazhdojnë krahasimin midis dy besëlidhjeve. Këtu apostulli është duke krahasuar në veçanti lavdinë që pasoi dhënien e ligjit me lavdinë që lidhet me Ungjillin. Fjalët lavdi dhe i lavdishëm gjenden në kapitujt 3 dhe 4 shtatëmbëdhjetë herë. Besëlidhja e Vjetër është quajtur shërbimi i vdekjes, gdhendur me shkronja mbi gurë. Kjo gjë mund t’i referohet vetëm Dhjetë Urdhëresave. Ato kërcënonin vdekje ndaj gjithë atyre që nuk i zbatonin ato (Eks. 19:13). Pali nuk thotë që nuk kishte lavdi në lidhje me dhënien e ligjit. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Kur Perëndia dha Dhjetë Urdhëresat në Malin Sinai, atje kishte manifestime të mëdha të fuqisë dhe prezencës hyjnore (Eks. 19). Në fakt, kur Moisiu komunikonte me Perëndinë, fytyra e tij filloi të ndriçonte, si një reflektim i shkëlqimit të Perëndisë. Kështu bijtë e Izraelit nuk mund të vështronin me sy fytyrën e Moisiut për shkak të lavdisë së pamjes së tij. Për ta ishte tepër e verbueshme të shihnin vazhdimisht fytyrën e Moisiut. Por më pas Pali shton fjalët tepër domethënëse që duhet të anulohej. Kjo do të thotë që ndriçimi që u shfaq në fytyrën e Moisiut nuk ishte i përhershëm. Ishte një lavdi e përkohshme, që kalonte. Kuptimi frymëror i kësaj është që lavdia e Besëlidhjes së Vjetër ishte e përkohshme. Ligji kishte një funksion tepër të qartë. Ai ishte dhënë për të zbuluar mëkatin. Ishte një shfaqje e kërkesave të shenjta të Perëndisë dhe në këtë kuptim ishte i lavdishëm. Por u dha deri në kohën e Krishtit, i cili është përmbushja e ligjit për drejtësi ndaj atyre që besojnë (Rom. 10:4). Ligji ishte hija; Krishti është substanca [realiteti]. Ligji ishte një pikturë e gjërave më të mira që do të vinin dhe ato gjëra gjejnë vërtetësinë e tyre në Shpëtimtarin e botës.
3:8 Tani, nëse ligji kishte këtë karakter të lavdishëm, sa më e lavdishme është shërbimi i Frymës? Shprehja “shërbimi i Frymës” i referohet Ungjillit. Fryma e Perëndisë vepron nëpërmjet predikimit të Ungjillit dhe pas kësaj Fryma e Perëndisë u shërben atyre që pranojnë lajmin e mirë të shpëtimit. Fjala do të në “do të jetë shërbimi i Frymës” nuk shpreh kohën e ardhme, por një rrjedhojë të pashmangshme. Nëse një fakt apo kusht ekziston, atëherë tjetri do ta pasojë atë me patjetër.
3:9 Këtu Besëlidhja e Vjetër është quajtur shërbimi i dënimit. Ky ishte përfundimi i saj. Ajo sillte dënim tek të gjithë njerëzit, sepse askush s’mund ta zbatonte ligjin në mënyrë të përsosur. E përsëri ekzistonte një farë lavdie në lidhje me të. Ajo kishte një qëllim të vërtetë dhe një dobishmëri të vërtetë në atë kohë. Por shërbimi i drejtësisë do të teprojë shumë më tepër. Hodge thotë: “Shërbimi i drejtësisë është ai shërbim që zbulon një drejtësi me anë të së cilës njerëzit shfajësohen dhe kështu çlirohen nga dënimi i dhënë mbi ta nga ligji” {{11}}. Lavditë e Ungjillit nuk janë të atij lloji që shfaqen me një pamje fizike, por janë lavdi të thella të një shkëlqimi të përjetshëm që i shfaqen shpirtit. Lavditë e Kalvarit i zbehin ato të Sinait.
3:10 Megjithëse nga një anë, ligji është lavdëruar, përsëri kur krahasohet me Besëlidhjen e Re ai nuk është lavdëruar fare. Vargu shpreh një krahasim të fuqishëm dhe thotë që kur dy besëlidhjet vendosen përbri njëra-tjetrës, njëra e errëson plotësisht tjetrën, pra Besëlidhja e Re e tejkalon tjetrën. A. T. Robertson thotë, “Lavdia më e madhe e zbeh më të voglën. Në një pikë duket që e Vjetra nuk ka fare lavdi, për shkak të lavdisë tepër të bollshme të Besëlidhjes së Re” {{12}}. Denney komenton: “Kur Dielli [d.m.th. Biri] shkëlqen me gjithë fuqinë e Tij, nuk ka asnjë lavdi tjetër në qiell.” {{13}}
3:11 Sepse, në qoftë se ajo që duhej të anulohej u rrethua me lavdi, ajo që mbetet do të jetë shumë më e lavdishme (më e lavdishme në lavdi). Ne duhet të vëmë re dy parafjalët, me dhe në. Mendimi është që lavdia shoqëroi ligjin, por ajo është pikërisht elementi i Besëlidhjes së Re. Lavdia ishte e pranishme kur u dha Besëlidhja e Vjetër, por Ungjilli i hirit të Perëndisë është lavdi në vetvete.
Ky varg krahason gjithashtu karakterin e përkohshëm e kalimtar të ligjit dhe karakterin e përhershëm të Ungjillit. Ajo që duhej të anulohej i referohet Dhjetë Urdhërimeve – “shërbimi i vdekjes, shkruar dhe gdhendur në gurë” (v 7). Kështu ky varg hedh poshtë atë çfarë thotë Kisha Adventiste e Ditës së Shtatë [një sekt i rremë] që ligji ceremonial [p.sh. sakrifica e kafshëve] është hedhur poshtë kurse Dhjetë Urdhëresat jo.
3:12 Shpresa së cilës i referohet Pali këtu është bindja e mprehtë që lavdia e Ungjillit nuk do të venitet kurrë. Për shkak të kësaj sigurie të fortë, ai e flet fjalën me shumë guxim. Ai nuk ka se ç’të fshehë. Nuk ka arsye për të përdorur një vel. Në shumë fe të botës sot, ka mistere të supozuara. Të sapokthyerit duhet të futen në të fshehtat e këtyre mistereve të thella. Ata kalojnë nga një rregull në një tjetër. Por nuk është kështu me Ungjillin. Çdo gjë është e qartë dhe e hapur. Ungjilli flet thjesht dhe me siguri të plotë në subjekte të tilla si shpëtimi, Triniteti, qielli dhe ferri.
3:13 Dhe jo si Moisiu, i cili vinte një vel mbi fytyrën e vet që bijtë e Izraelit të mos shihnin me sy fundin e asaj që duhej të anulohej. Sfondi për vargun 13 gjendet në Eksodi 34:29-35. Aty ne mësojmë që kur Moisiu zbriti nga Mali Sinai, pasi kishte qenë në prezencën e Zotit, ai nuk e dinte që fytyra e tij ndriçonte. Bijtë e Izraelit ishin të frikësuar t’i afroheshin atij për shkak të lavdisë së fytyrës së tij. Por ai u bëri me shenjë atyre të afroheshin dhe ata u bindën. Kështu ai u dha atyre si urdhëresa gjithçka që Zoti i kishte thënë atij. Në Eksodi 34:33 ne lexojmë: “Kur Moisiu kishte mbaruar së foluri me ta, ai vuri një vel në fytyrën e tij.” Në e 2 Korintasve 3:13, apostulli shpjegon përse e bëri këtë Moisiu. Ai e bëri këtë që bijtë e Izraelit të mos shikonin me sy fundin e asaj që duhej të anulohej. Lavdia në fytyrën e tij ishte një lavdi që shuhej. Me fjalë të tjera, ligji që Perëndia i kishte dhënë atij kishte një lavdi të përkohshme. Ishte lavdi që shuhej dhe Moisiu nuk donte që ata të shihnin fundin e saj. Nuk ishte që Moisiu donte ta fshihte lavdinë, por më tepër ishte kalimi i lavdisë. F. W. Grant ka thënë mjaft bukur: “Lavdia në fytyrën e Moisiut duhet t’i hapte rrugën lavdisë në fytyrën e Dikujt tjetër” {{14}}. Kjo gjë ndodhi me ardhjen e Zotit Jezus Krisht. Përfundimi është që shërbesa e Besëlidhjes së Re s’ka përse ta fshehë fytyrën e saj. Lavdia e Ungjillit nuk do të venitet dhe nuk do të ikë kurrë.
3:14 Por mendjet e tyre u errën. Bijtë e Izraelit nuk e kuptuan domethënien e vërtetë të asaj që Moisiu bëri. Dhe nëpër shekuj ka qenë po kështu. Edhe në atë kohë që Pali po shkruante letrën ata përsëri vareshin tek ligji si një mënyrë për të fituar shpëtimin dhe nuk do ta pranonin Zotin Jezus Krisht.
Sepse në leximin e Besëlidhjes së Vjetër, po ky vel mbetet pa u hequr. Me fjalë të tjera në kohën që apostulli shkruante, kur Judenjtë lexonin Dhjatën e Vjetër, ata nuk zbulonin sekretin të cilin Moisiu fshehu nga baballarët e tyre nën vel. Ata nuk e kuptuan që lavdia e ligjit ishte një lavdi që kalon dhe që ligji kishte gjetur plotësim në Zotin Jezus Krisht.
Veli anulohet në Krishtin. Fjala vel është shkruar në shkronja të pjerrëta (kjo gjë bërë nga përkthyesit), dhe disa sugjerojnë që nuk është veli, por Besëlidhja e Vjetër ajo që anulohet me Krishtin. Një kuptim tjetër i ngjashëm me këtë është që vështirësia në të kuptuarit e Dhjatës së Vjetër zhduket kur një person vjen tek Krishti. Hodge e komenton kështu këtë gjë:
Shkrimet e Dhjatës së Vjetër janë të kapshme vetëm kur kuptohen si parathënëse dhe paraqitëse të Krishtit. Njohja e Krishtit … heq velin nga Dhjata e Vjetër. {{15}}
3:15 Këtu figura ndryshon pak. Në ilustrimin e Dh.V., veli ishte mbi fytyrën e Moisiut, por tani një vel mbetet në zemrat e popullit Jude. Ata ende përpiqen të fitojnë drejtësi mbi principin e veprave, duke mos kuptuar kurrë që vepra është kryer tashmë nga Shpëtimtari në kryqin e Kalvarit. Ata kërkojnë të fitojnë shpëtim nëpërmjet meritave të tyre, duke mos kuptuar që ligji përfundimisht i dënon ata dhe që ata duhet të hidhen në duart e Zotit për mëshirë dhe hir.
3:16 Fjala Izraeli mund t’i referohet një individi Jude, ose mund t’i referohet kombit Jude. Kur kombi ose një individ kthehet tek Zoti dhe e pranon Jezusin si Mesian, veli hiqet. Atëherë, e vërteta bëhet e qartë që të gjitha tipat dhe shëmbëlltyrat e ligjit përmbushen në Birin e dashur të Perëndisë, Mesia e Izraelit. Nëse kombi flitet këtu, atëherë vargu flet për një ditë në të ardhmen kur një mbetje e Izraelit që besojnë do të kthehen tek Zoti, siç profetizohet në Rom. 11:25, 26, 32.
3:17 Pali ka theksuar që Krishti është çelësi i Dh.V.. Këtu ai e rithekson këtë të vërtetë duke thënë, Zoti është Fryma. Shumica e versioneve të Shkrimeve, përfshi edhe NKJV, shkruajnë me shkronja të mëdha fjalën Fryma, duke e interpretuar si Fryma e Shenjtë. Por konteksti sugjeron që Zoti është fryma e Dh.V. ashtu si “dëshmia e Jezusit është fryma e profecisë” (Zbu. 19:10). Të gjitha llojet e hijeve të Dh.V. gjejnë përmbushjen e tyre në Krishtin. Atje ku është Fryma {{16}} e Zotit atje është liria; do të thotë që kudo që Jezus Krishti njihet si Zot ose Jehovah, ka liri, që do të thotë, liri nga errësira në të lexuarit e Shkrimeve dhe liri për të vështruar nga fytyra e Tij pa një vel ndërmjetës.
3:18 Në Besëlidhjen e Vjetër, vetëm Moisiu u lejua të shihte lavdinë e Perëndisë. Nën Besëlidhjen e Re, ne të gjithë kemi privilegjin për të soditur … lavdinë e Zotit. Fytyra e Moisiut duhej të mbulohej pasi kishte folur me popullin, por ne mund të kemi një fytyrë të zbuluar. Ne mund të mbajmë fytyrën zbuluar duke rrëfyer dhe braktisur mëkatin, duke qenë plotësisht të sinqertë me Perëndinë dhe me vetveten. Ashtu siç tha njëherë një misionar veteran në Indi, ne duhet të “hedhim velet e mëkatit, fantazisë së kotë të mendjes, shfaqjes të një aktori, përpjekjeve për kompromise, masave të përgjysmuara.”
Hapi tjetër është të sodisim si në pasqyrë lavdinë e Zotit. Pasqyra është Fjala e Perëndisë. Kur shkojmë tek Bibla ne shohim Zotin Jezus të zbuluar në gjithë shkëlqimin e Tij. Ne ende nuk e shohim Atë ballë për ballë, por vetëm si të pasqyruar në Fjalën.
Dhe vini re që është lavdia e Zotit që ne sodisim. Këtu Pali nuk është duke menduar më tepër për bukurinë morale të Jezusit si një Njeri këtu në tokë, por për më tepër për lavdinë e tanishme të Tij, i lartësuar në të djathtë të Perëndisë. Lavdia e Krishtit, ashtu siç e përshkruan Denney, është që:
Ai është në Fronin e Atit, që Ai është Kreu i Kishës, zotëruesi dhe dhuruesi i gjithë plotësisë së hirit hyjnor, Gjykatësi i ardhshëm i botës, pushtuesi i çdo fuqie armiqësore, ndërmjetësi për të Tijët, dhe shkurt, mbajtësi i gjithë madhështisë që i përket detyrës së Tij mbretërore. {{17}}
Kur ne merremi me lavdinë e Zotit Jezus Krisht që është ringjallur, ngritur dhe lartësuar në qiell, ne transformohemi në të njëjtin shëmbëllim. Këtu, me një fjalë, qëndron sekreti i shenjtërisë së Krishtere – të merresh me Krishtin. Jo të merresh me veten tënde; kjo sjell vetëm humbje. Jo të merresh me të tjerët; kjo sjell zhgënjim. Por të jesh i zënë me lavdinë e Zotit, kështu ne bëhemi gjithmonë e më shumë si Ai.
Ky proces transformimi i mrekullueshëm ndodh nga lavdia në lavdi, pra, nga një shkallë e lavdisë në një tjetër. Nuk është çështje e një ndryshimi të menjëhershëm. Nuk ka një eksperiencë në jetën e krishtere që do të prodhojë imazhin e Tij në moment. Është një proces, jo një krizë. Nuk është si lavdia venitëse e ligjit, por një lavdi që rritet gjithmonë.
Fuqia e këtij procesi të mrekullueshëm është Fryma e Shenjtë e Perëndisë – posi prej Frymës së Zotit. Kur ne sodisim Zotin e lavdisë, e studiojmë Atë, e mendojmë Atë, vështrojmë tek Ai duke e adhuruar, Fryma e Zotit punon në jetën tonë mrekullinë e madhe kur ne rritemi gjithmonë dhe gjithmonë në përshtatje me Krishtin.
Darby tregon si u shndërrua Stefani duke soditur:
Ne e shohim këtë tek Stefani kur ai u godit me gurë, dhe ai pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusit. Krishti ka thënë, “Atë, fali se nuk dinë se ç’bëjnë”; dhe pamja e Jezusit në lavdinë e Perëndisë nxjerr nga goja e Stefanit lutjen, “O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat,” Dhe përsëri në kryq, Krishti thotë, “Atë në duart e tua po e dorëzoj frymën time,” dhe Stefani thotë, “Zoti Jezus, pranoje frymën time.” Ai është transformuar në imazhin e Krishtit. {{18}}
Konsideroni pra, lavdinë e Besëlidhjes së Re që tejkalon çdo kufi. Ndërsa në Besëlidhjen e Vjetër vetëm një njeri pati lavdi në fytyrën e tij, sot është privilegji i blerë me gjak i çdo fëmije të Perëndisë. Gjithashtu, në vend të reflektimit të lavdisë së Perëndisë në fytyrat tona, ne të gjithë në Besëlidhjen e Re transformohemi (metamorfozë) në të njëjtin shëmbëllim, nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit. Ndërkohë që fytyra e Moisiut reflektoi lavdi, fytyrat tona rrezatojnë lavdi nga brenda.
Kështu Pali përfundon ekspozimin e hollë dhe thellësisht frymëror të Besëlidhjes së Re dhe si krahasohet ajo me të Vjetrën.
F. Detyrimi për të predikuar një Ungjill të qartë. (4:1-6)
4:1 Në gjashtë vargjet e para të kapitullit 4, Pali thekson përgjegjësinë solemne të çdo shërbëtori të Krishtit për ta bërë mesazhin e Ungjillit të thjeshtë e të qartë. Nuk mund të ketë asnjë vel. Asgjë s’duhet të jetë e fshehur apo misterioze. Gjithçka duhet të jetë e qartë, e ndershme dhe e sinqertë.
Pali ka folur për mënyrën e mrekullueshme në të cilën Perëndia e kualifikoi atë të ishte një shërbëtor i aftë i Besëlidhjes së Re. Tani ai fillon fijen e mendimit nga ajo pikë. Realizimi i dinjitetit kaq të madh të shërbesës së krishtere, nuk e lejon një njeri të tillë si Pali që të ketë një zemër të lëshuar. Sigurisht, që në shërbesën e krishtere ka shumë gjëra që të dekurajojnë apo të shqetësojnë, por Zoti jep mëshirë dhe hir për të ndihmuar në çdo kohë nevoje. Kështu, nuk ka rëndësi se çfarë dekurajimesh mund të ketë, inkurajimet janë gjithmonë më të mëdha.
Palin nuk e lëshoi zemra. Ai nuk veproi në mënyrë si një frikacak, por për më tepër me kurajo duke u bërë ballë pengesave që dukeshin të pakapërcyeshme.
4:2 Philips jep një parafrazim plot ngjyrë të vargut 2:
Ne nuk përdorim asnjë truk, asnjë marifet, asnjë manipulim të Fjalës së Perëndisë. Ne flasim të vërtetën e thjeshtë dhe kështu ia besojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë.
Padyshim që apostulli këtu është duke menduar edhe njëherë për mësuesit e rremë që kishin ardhur në Kishën e Korintit. Metodat e tyre ishin ato që përdoren gjithmonë nga forcat e të ligut, joshje të turpshme drejt mëkatit, shtrembërime të së vërtetës, argumente mashtruese dhe dhunime të Fjalës së Perëndisë. Lidhur me këtë të fundit, duke mos falsifikuar aspak Fjalën e Perëndisë, Pali i referohet aktivitetit më të pëlqyer të këtyre njerëzve, d.m.th. të përziejnë ligjin me hirin.
Metoda e apostullit ishte tepër e ndryshme. Ajo është shprehur në fjalët: por duke shfaqur të vërtetën ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë. Shfaqja e së vërtetës përfshin dy forma, ne shfaqnim të vërtetën kur e themi atë në një mënyrë të hapur, të thjeshtë e të kuptueshme. Por ne gjithashtu e shfaqim të vërtetën kur ne e jetojmë atë në jetët tona, kështu që të tjerët të mund ta shohin atë me anë të shembullit tonë. Pali i përdori të dyja këto metoda. Ai predikoi Ungjillin dhe iu bind Ungjillit në vetë jetën e tij. Duke bërë kështu, ai kërkoi t’ia rekomandojë veten e tij ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë.
4:3 Apostulli ka folur kështu për kujdesin e madh që kishte treguar për ta bërë të vërtetën e Perëndisë të qartë për njerëzit, si nëpërmjet të kuptuarit ashtu edhe me anë të praktikës. Nëse Ungjilli është i mbuluar me vel apo i fshehur për dikë, sigurisht që nuk është faji i Perëndisë dhe Pali gjithashtu nuk do që të jetë faji i tij. Dhe përsëri ndërsa shkruan fjalët, ai është në dijeni të faktit që ka disa që thjesht duken që nuk e marrin dot atë. Kush janë ata? Janë ata që humbin. Përse janë ata kaq të verbër? Përgjigjja është dhënë në vargjet në vazhdim.
4:4 Satani është i pandehuri. Këtu ai është quajtur perëndia i këtij shekulli. Ai ia ka arritur të vendosë një vel në mendjen e atyre që nuk besojnë. Ai i mban ata në një errësirë të papërshkrueshme, me qëllim që drita e Ungjillit të lavdisë së Krishtit … të mos ndriçojë tek ata, për shpëtimin e tyre.
Në universin tonë fizik, dielli është gjithmonë duke ndriçuar. Ne nuk e shohim gjithmonë atë, dhe arsyeja është që diçka ndodhet midis atij dhe ne. Po kështu është dhe me Ungjillin. Drita e Ungjillit ndriçon gjithmonë. Perëndia gjithmonë kërkon të ndriçojë në zemrat e njerëzve. Por Satani vendos pengesa të ndryshme midis mosbesuesve dhe Perëndisë. Mund të jetë reja e krenarisë, ose e rebelimit, ose e vetdrejtësisë, ose një nga mijëra gjërat e tjera. Por të gjitha këto shërbejnë efektivisht për të fshehur dritën e Ungjillit nga ndriçimi brenda tyre. Satani thjesht nuk do që njerëzit të shpëtohen.
Ungjilli ka të bëjë me Krishtin në lavdi. Nuk është Marangozi i Nazaretit ai që paraqitet në sytë e besimtarit. Nuk është thjesht Krishti i kryqëzuar në kryqin e turpit. Por është Zoti Jezus Krisht që ka vdekur, që është varrosur dhe ringjallur, dhe që është tani në të djathtë të Perëndisë në qiell. Ai është objekti i besimit të besimtarit – Biri i Perëndisë i lartësuar në qiell.
4:5 Në këtë varg ne kemi së bashku temën më të varfër dhe temën më të mirë për një predikues. Tema më e varfër është “ne,” ndërsa tema më e mirë është Krishti Jezus Zoti ynë.
Me sa duket Judaistët kishin një zakon të të folurit për veten e tyre. Pali e veçon vetveten nga një shoqëri e tillë. Ai nuk do ta harxhonte kohën e njerëzve duke predikuar mbi një subjekt kaq të pavlerë. Tema e tij ishte Jezus Krishti Zoti. Ai kërkonte t’i sillte burrat dhe gratë në vendin ku ata dëshironin të gjunjëzoheshin përpara Jezus Krishtit dhe ta nderonin Atë si Zotin e jetëve të tyre.
Apostulli e paraqiti skuadrën e tij si shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit. Duke bërë këtë ai fshihte veten dhe bashkëpunëtorët e tij nga skena. Ata ishin skllevër, gati për të ndihmuar në çdo mënyrë që do t’i çonte njerëzit tek Jezusi.
4:6 Pali këtu krahason kthimin e një mëkatari në hyrjen e dritës në agimin e krijimit.
Në fillim Perëndia urdhëroi dritën të shkëlqejë në errësirë. Ai tha, “le të ndriçojë drita,” dhe drita u bë. (Zanafilla 1:3)
Tani Pali është duke thënë këtu që i njëjti Perëndi që në fillim urdhëroi dritën të ndriçonte në errësirë ka ndriçuar në zemrat tona. Kjo është shumë gjë e bukur. Në krijimin e parë Perëndia urdhëroi dritën të ndriçonte. Por në krijimin e ri, Perëndia vetë ndriçon në zemrat tona. Sa më tepër personale është kjo gjë!
Ngjarjet në pjesën e parë të Zanafillës 1 janë një shfaqje e asaj që ndodh në një krijim të ri. Perëndia në fillim e krijoi njeriun si një qenie të pafajshme. Por hyri mëkati dhe me të erdhi errësira e madhe.
Kur Ungjilli predikohet, Fryma e Perëndisë lëviz në zemrën e një personi, ashtu si Ai lëvizi në faqen e thellësisë në krijimin fillestar.
Më pas Perëndia shkëlqen në zemrën e këtij personi, duke i treguar atij që ai është një mëkatar fajtor dhe që ka nevojë për një Shpëtimtar. “Krijimi material në Zanafilla filloi me dritën dhe po kështu është edhe në krijimin frymëror. Perëndia ‘shkëlqen në zemrat tona’ nëpërmjet Frymës së Shenjtë, dhe atëherë fillon jeta frymërore.” (E zgjedhur)
Ky varg vazhdon të na shpjegojë përse Perëndia shkëlqeu në zemrat tona. Në KJV dhe në NKJV lexojmë, për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit. Duket prej kësaj që qëllimi i Tij është thjesht për të na dhënë dritë mbi njohurinë e lavdisë së Perëndisë. Por J. N. Darby sugjeron një ndryshim domethënës në këtë varg në Përkthimin e Ri: “Për shkëlqimin e njohurisë së Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit.” Me fjalë të tjera, Perëndia nuk ndriçon në zemrat tona thjesht për të na dhënë ne njohurinë, por për më tepër që nëpërmjet nesh njohuria të mund t’u ndriçojë të tjerëve. “Ne nuk jemi stacioni i fundit i bekimeve tona, por kanalet.” (E zgjedhur)
Një ilustrim për këtë nga Shkrimet gjendet në vetë jetën e Palit. Në rrugën për në Damask, Perëndia shkëlqeu në zemrën e tij. Ai kuptoi që Ai të cilin kishte urryer dhe që mendonte se ishte i varrosur në një varr Jude ishte Zoti i lavdisë. Nga ajo ditë ai shkoi për të përhapur dritën e njohurisë së lavdisë së Perëndisë që gjendet në fytyrën e Krishtit.
G. Një enë tokësore me një destinacion qiellor. (4:7-18)
4:7 Pasi ka folur për përgjegjësinë për të dhënë një mesazh të qartë, apostulli Pal tani mendon për instrumentin njerëzor të cilit i është ngarkuar thesari i mrekullueshëm i Ungjillit. Thesari është mesazhi i lavdishëm i Ungjillit. Ena prej balte, në anën tjetër, është trupi delikat njerëzor. Kontrasti midis të dyve është tepër i madh. Ungjilli është si një diamand i çmuar që vezullon shkëlqyeshëm në çdo drejtim në të cilin kthehet. Habitemi kur mendojmë që një diamand i tillë i çmuar i është besuar një ene të tillë delikate prej balte!
Enë prej balte, të dëmtuara, pa pamje,
Mbajnë pasuri që mendja se merr;
Thesar qiellor, që aq fort shkëlqen-
Krishti i zbuluar të shenjtëve!
Enë të thyera, të brishta, por që ende mbajnë
Nëpër shekuj që furishëm kalojnë,
Pasuri të dhëna nga një dorë e pakursyer,
Dhurata e madhe e Perëndisë, Biri i Tij i çmuar!
Oh, qofshin më boshe, më të ulta,
Më të thjeshta e të panjohura,
Dhe për Perëndinë enë më të shenjta,
Të mbushura vetëm me Krishtin!
Asgjë nga toka për të venitur Lavdinë!
Asgjë nga vetja që dritën të prishë!
Duke treguar të mrekullueshmen histori të Tij,
E thyer, boshe – por e mbushur me Krishtin!
- Tr. Frances Bevan.
Përse ka urdhëruar Perëndia që ky thesar duhet të jetë në enë prej balte? Përgjigjja është që epërsia e pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne. Perëndia nuk do që njerëzit të merren me instrumentin njerëzor, por për më tepër me fuqinë dhe me madhështinë e Vet. Dhe kështu Ai ia ngarkon lirshëm mesazhin e Ungjillit qenieve njerëzore që shpesh janë më të dobëta dhe më të pazakonshme. Gjithë lavdia dhe adhurimi duhet të shkojnë tek Krijuesi dhe jo tek krijesa.
Është një gëzim i fshehtë të zbulosh
Detyrën ngarkuar përtej fuqisë sonë;
Pasi kështu, nëse puna mirë kalon
Lavdia është e Tij, ajo neve s’na takon. – Houghton.
Jowett thotë:
Diçka nuk shkon kur ena vjedh lavdinë e thesarit të saj, kur kutia tërheq më shumë vëmendje sesa bizhuteria që ajo përmban. Është diçka e shtrembëruar kur korniza zë vendin e parë dhe piktura të dytin, dhe kur në një festë pijatat zënë vendin e ushqimit. Ka diçka të vdekur në shërbesën e krishtere kur “shkëlqimi i fuqisë” është e jona dhe jo e Perëndisë. Një shkëlqim i tillë është i një lloji që humb dhe thahet shpejt si bari i gjelbër që kalon në harresë. {{19}}
Nga mënyra se si Pali ka shkruar vargun 7, është më e mundshme që ai ka qenë duke menduar për një ndodhi në Gjyqtarët 7. Aty është shënuar që Gedeoni e armatosi ushtrinë e tij me trumpeta, me shtamba bosh dhe me pishtarë brenda tyre. Në kohën që sinjali i caktuar do të jepej, njerëzit e tij duhet t’u binin trumpetave dhe të thyenin shtambat. Kur shtambat u thyen, pishtarët shkëlqyen në dritë. Kjo gjë e tmerroi armikun. Ata menduan që ishte një ushtri e madhe pas tyre, në vend të treqind burrave. Mësimi është ky, ashtu si në rastin e Gedeonit kur drita shkëlqeu vetëm kur u thyen shtambat, kështu është në lidhje me Ungjillin. Vetëm kur instrumentet njerëzore thyen dhe i nënshtrohen Zotit, Ungjilli mund të ndriçojë përpara nëpërmjet nesh në gjithë mrekullinë e tij.
4:8 Apostulli tani vazhdon të shpjegojë që ngaqë thesari i është dhënë një ene prej balte, nga njëra anë duket sikur ka humbje, por përsëri është një fitore e përjetshme nga ana tjetër. Ka dobësi në gjithë pamjen e jashtme, por në realitet ka një forcë të pakrahasueshme. Kur ai thotë, ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar, ai do të thotë që ai vazhdimisht ishte në shtrëngim nga kundërshtimet dhe vështirësitë, e përsëri nuk ishte plotësisht i penguar për ta përhapur Ungjillin lirisht.
Ndërdyshas, por jo të dëshpëruar. Nga këndvështrimi njerëzor, Pali shpesh nuk e dinte nëse do të kishte një zgjidhje të mundshme të vështirësive të tij, e përsëri Zoti nuk e lejoi kurrë atë të zinte vendin e dëshpërimit. Ai kurrë nuk u çua në një vend të ngushtë, nga i cili s’mund të dilte dot.
4:9 Të përndjekur, por jo të braktisur. Shpesh ai mund të ndiente frymëmarrjen e armikut të tij, mbrapa shpinës, e përsëri Zoti nuk e braktisi kurrë tek armiqtë e tij. Të rrëzuar, por jo të shkatërruar, do të thotë që Pali shpesh herë ishte “plagosur në veprim,” e përsëri Zoti e ngriti atë për të vazhduar përpara me lajmin e Ungjillit.
Komentari i Ri i Biblës parafrazon kështu vargjet 8 dhe 9: “Të rrethuar, por jo të gjymtuar: duke mos ditur çfarë të bënim, por kurrë të mbetur pa shpresa; të përndjekur nga njeriu, por asnjëherë të braktisur nga Perëndia; shpesh të rënë, por kurrë të mbaruar.”
Ne mund të pyesim veten përse Perëndia e lejoi shërbëtorin e Tij të kalonte në prova të tilla. Ne mund të mendojmë që ai mund t’i kishte shërbyer Zotit më mirë nëse rruga e tij do të ishte e hapur dhe pa probleme. Por ky Shkrim mëson krejt të kundërtën. Perëndia, në diturinë e Tij të mrekullueshme, e sheh të përshtatshme t’i lejojë shërbëtorët e Tij të preken nga sëmundje, trishtim, persekutime, vështirësi dhe hidhërime. Të gjitha janë projektuar për të thyer shtambat njerëzore me qëllim që drita e Ungjillit të mund të shkëlqejë jashtë më qartë.
4:10 Jeta e shërbëtorit të Perëndisë është një jetë që vdes vazhdimisht. Ashtu si vetë Zoti Jezus, gjatë kohës së jetës së Tij, ishte vazhdimisht i ekspozuar ndaj dhunës dhe persekutimeve, kështu ata që ndjekin hapat e Tij do të gjejnë të njëjtin trajtim. Por kjo nuk nënkupton humbje. Kjo është rruga e fitores. Bekimet vijnë tek të tjerët kur ne vdesim çdo ditë.
Është vetëm në këtë mënyrë që jeta e Jezusit mund të shfaqet në trupat tanë. Jeta e Jezusit këtu nuk do të thotë kryesisht jeta e Tij si një Njeri në tokë, por jeta e Tij tani si Bir i Perëndisë i lartësuar në qiell. Si mund ta shohë bota jetën e Krishtit kur Ai nuk është këtu fizikisht apo personalisht? Përgjigjja është që kur ne të krishterët vuajmë gjatë shërbesës së Zotit, jeta e Tij shfaqet në trupat tanë.
4:11 Ky mendim i jetës nga vdekja vazhdon edhe në vargun 11. Është një nga principet më të thella të ekzistencës sonë. Mishi që ne hamë dhe me të cilin jetojmë vjen nga vdekja e kafshëve. Kështu është edhe në fushën frymërore. “Gjaku i dëshmorëve është fara e Kishës.” Sa më shumë që persekutohet, goditet dhe ndiqet Kisha, aq më shumë përhapet Krishterimi.
Dhe përsëri është e vështirë për ne për të pranuar këtë të vërtetë. Kur dhuna vjen mbi një shërbëtor të Zotit, ne zakonisht mendojmë që një tragjedi ka ndodhur. Në të vërtetë kjo është rruga normale në të cilën vepron Perëndia. Nuk është një përjashtim. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj vdekjes për Jezusin është mënyra hyjnore në të cilën jeta e Jezusit shfaqet në trupat tanë të vdekshëm.
4:12 Këtu apostulli përmbledh ato çfarë ai kishte thënë duke u kujtuar korintasve se ishte nëpërmjet vuajtjeve të tij të vazhdueshme që jeta erdhi tek ata. Që të shkonte Pali në Korint me Ungjillin, ai duhet të kishte kaluar shumë vështirësi. Por kjo gjë vleu së tepërmi, sepse ata kishin besuar në Zotin Jezus dhe tani kishin jetën e përjetshme. Vuajtjet dhe humbjet fizike të Palit do të thoshin fitim frymëror për të tjerët. Robertson thotë, “Vdekja e vazhdueshme e tij [d.m.th. vuajtjet, etj.] bashkëvepronte për të mirën e atyre që përfitonin nga shërbesa e tij.” {{20}}
Shpeshherë ne priremi t’i thërrasim Zotit në sëmundje, duke i kërkuar Atij të na çlirojë nga ajo, që t’i shërbejmë Atij më mirë. Ndoshta ne ndonjëherë duhet ta falënderojmë Perëndinë për vuajtje të tilla në jetët tona dhe ta adhurojmë në dobësitë tona që fuqia e Krishtit të mund të jetë mbi ne.
4:13 Apostulli ka folur për një dobësi dhe brishtësi të enës njerëzore tek e cila është besuar Ungjilli. Atëherë cili është qëllimi i tij ndaj gjithë kësaj? A është ai i humbur, i dekurajuar dhe i tmerruar? Përgjigjja është jo. Besimi e mundëson atë të vazhdojë të predikojë Ungjillin, sepse ai e di që përtej vuajtjeve të kësaj jete shtrihen lavdi të papërshkrueshme.
Në Psalmin 116:10 psalmisti thotë, “Besova prandaj fola.” Ai besoi në Zot dhe prandaj ajo që ai tha ishte si rezultat i atij besimi të rrënjosur thellë. Pali është duke thënë këtu që e njëjta gjë është e vërtetë në këtë rast. Ai kishte të njëjtën frymë besimi që kishte psalmisti kur i shkroi këto fjalë. Pali thotë, “dhe ne besojmë, prandaj edhe flasim.”
Mundimet dhe persekutimet nuk ia vulosën dot buzët Palit. Kudo ku ka besim të vërtetë, duhet të ketë një shfaqje të tij. Ai nuk mund të rrijë në heshtje.
Nëse në Jezu Krisht beson,
Fol për Të, ti duhet;
Edhe pse të përul deri në tokë
Nëse e do Atë, ti fol!
Nëse në Jezus ti beson,
Dhe Shpëtimtarin ke pranuar;
E nëse s’do që Frymën ta trishtosh
Mos vono, por haptazi thuaj
4:14 Nëse ne na duket e çuditshme që Pali nuk u tund nga rreziku i vazhdueshëm i vdekjes, ne gjejmë përgjigjen në vargun 14. Ky është sekreti që tregon përse ai nuk kishte frikë në shpalljen e Ungjillit. Ai e dinte që kjo jetë nuk ishte gjithçka. Ai dinte që për besimtarin ishte siguria e ringjalljes. I njëjti Perëndi që ringjalli Zotin Jezus do të ringjallte edhe apostullin Pal me Jezusin dhe do ta paraqiste atë bashkë me korintasit.
4:15 Me shpresën e sigurt të ringjalljes përpara, apostulli ishte në gjendje të kalonte çdo vështirësi të tmerrshme. Ai e dinte që të gjitha vuajtjet e këtij lloji kishin një përfundim të dyfishtë. Ato tepronin në bekime për korintasit dhe kështu shkaktonin falënderim me tepri për lavdi të Zotit. Këto dy motive e nxisnin Palin në gjithçka që ai thoshte dhe bënte. Atij i interesonte lavdia e Perëndisë dhe bekimet ndaj njerëzve.
Pali kishte kuptuar se sa më shumë vuante ai, aq më shumë hiri i Perëndisë bëhej i mundshëm për të tjerët. Sa më shumë njerëz shpëtoheshin, aq më shumë falënderime ngjiteshin tek Perëndia. Dhe sa më shumë falënderime ngjiteshin tek Perëndia, aq më shumë lavdërohej Ai.
Bibla e Gjallë duket se ka kapur frymën e këtij vargu në këtë parafrazë:
Vuajtjet tona janë për përfitimin tuaj. Dhe sa më shumë nga ju fitohen për Krishtin, aq më shumë do ta falënderojnë Perëndinë për mirësinë e Tij të madhe, dhe kështu Zoti lavdërohet më shumë.
4:16 Pali ka shpjeguar kështu dëshirën e tij për të kaluar vuajtje dhe rreziqe sepse ai kishte përpara shpresën e ringjalljes. Prandaj nuk e lëshonte zemra. Megjithëse nga njëra anë, procesi i shkatërrimit fizik vazhdonte papushim, përsëri nga ana tjetër ishte një rinovim frymëror që e mundësonte atë të bënte përpara pavarësisht nga rrethanat në kundërshtim.
Fakti që njeriu i jashtëm shkon në shkatërrim nuk ka nevojë për një shpjegim të gjatë. Gjithçka është kaq e dukshme në trupat tanë. Por Pali këtu gëzon në faktin që Perëndia dërgon çdo ditë furnizimet e fuqisë për shërbesën e Krishterë. Kështu është e vërtetë siç ka thënë Mikelanxhelo, “Sa më shumë prishet mermeri [nga punimi me daltë], aq më shumë rritet statuja [del në pah].”
Ironside komenton:
Na është thënë që trupat tanë ndryshojnë materialisht në mënyrë komplete çdo shtatë vjet… Përsëri ne jemi në dijeni të faktit që jemi të njëjtët persona. Personaliteti ynë është i pandryshueshëm nga vitit në vit, dhe po kështu me ndryshimin më të madh që po vjen. Tek flutura është e njëjta jetë që ishte në larvë. {{21}}
4:17 Pas leximit të vuajtjeve të mëdha që apostulli Pal ka duruar, mund të jetë e vështirë për ne për të kuptuar se si ai mund të flasë për to si një trishtim i lehtë. Nga njëra anë ato nuk ishin fare të lehta. Ato ishin të hidhura dhe mizore.
Por shpjegimi shtrihet në krahasimin që bën Pali. Trishtimet të para në vetvete mund të jenë tepër të rënda, por kur krahasohen me peshën e pamasë dhe të pashoqe të amshueshme të lavdisë {{22}} që është përpara, atëherë ato janë të lehta. Gjithashtu trishtimi i lehtë është për një moment, ndërsa lavdia është e përjetshme. Mësimet që marrim gjatë trishtimeve këtu në botë do të japin fryte të pasura në botën që do të vijë.
Moorehead vëzhgon: “Pak prej gëzimit hyn tek ne kur ne jemi në botë; ne do të hyjmë në vet gëzimin kur të jemi atje. Vetëm pak pikon këtu, oqeani i tërë është atje.” {{23}}
Ekziston një piramidë në këtë varg që, siç ka thënë F. E. Marsh, nuk e lodh alpinistin e këputur, por i jep një çlodhje të papërshkrueshme dhe një ngushëllim shpirtit të tij.
Lavdi
Peshë lavdie
Peshë e pashoqe e amshueshme lavdie
Një peshë e pamasë e pashoqe e amshueshme lavdie
Akoma më e pamasë dhe e amshueshme peshë lavdie {{24}}
4:18 Në këtë varg fjala shoh nuk është një përshkrim i thjeshtë i të parit njerëzor; për më tepër ajo jep idenë e të vëzhguarit të një gjëje si të ishte diçka e rëndësishme. Për sa i përket gjërave që shihen, ato nuk janë qëllimi i ekzistencës së dikujt. Këtu ato i referohen kryesisht vështirësive, sprovave dhe vuajtjeve që duroi Pali. Këto gjëra ishin të parëndësishme në shërbesën e tij; gjëja më e madhe e shërbesës së tij ishte ajo çfarë nuk shihej. Kjo mund të përfshijë lavdinë e Krishtit, bekimin ndaj njerëzve dhe shpërblimin që pret shërbëtorin besnik të Krishtit në Fronin e Gjykimit.
Jowett komenton:
Të jesh në gjendje të shohësh të parën është shikim; të jesh në gjendje të shohësh të dytën është mprehtësi. Lloji i parë i të parit është natyror, lloji i dytë është frymëror. Organi kryesor në perceptimin e parë është intelekti, organi kryesor në perceptimin e dytë është besimi… Ne na është paraqitur nëpër gjithë Shkrimet ky kontrast midis shikimit dhe mprehtësisë, dhe kudo na është mësuar që të masim pamjaftueshmërinë dhe kopracinë e të parit dhe të lartësojmë plotësinë dhe shtrirjen e gjerë të tjetrit. {{25}}
H. Duke jetuar në dritën e Fronit Gjykues të Krishtit. (5:1-10)
Vargjet që vijojnë janë tepër të lidhura me atë çfarë është thënë më parë. Pali ka folur për vuajtjet dhe shqetësimet e momentit dhe për lavdinë e ardhshme që shtrihej para tij. Kjo gjë e çon atë në subjektin e vdekjes. Në këtë pjesë ne kemi një nga shpalosjet më të mëdha që i bëhet aspektit të vdekjes në gjithë Fjalën e Perëndisë dhe lidhjes që ka i krishteri me të.
5:1 Në vargun 1, apostulli flet për trupin tonë të tanishëm të vdekshëm si çadra apo vendbanimi ynë tokësor. Një çadër nuk është një vend banimi i përhershëm, por një diçka e montueshme për udhëtime të gjata.
Vdekja është quajtur si prishja e kësaj çadre. Çadra çmontohet në kohën e vdekjes. Trupi shkon në varr, kurse fryma dhe shpirti i besimtarit shkojnë për të qenë me Zotin.
Pali e hap këtë kapitull me sigurinë që nëse vendbanimi i tij tokësor shkatërrohet (si rezultat i vuajtjeve të përmendura në kapitullin e mëparshëm) ai di që ai ka një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme në qiej që nuk është bërë nga dorë njeriu. Vini re dallimin midis çadrës dhe godinës. Çadra e përkohshme çmontohet, por një ndërtesë e re e pret besimtarin në tokën përtej qiejve. Kjo është një godinë nga Perëndia, në kuptimin që Perëndia është Ai që na e jep atë godinë.
Për më tepër është një godinë që nuk është bërë nga dorë njeriu. Përse e ka thënë Pali këtë gjë? Trupat tanë të tanishëm nuk janë bërë me duar; duke qenë kështu përse duhet të theksojë ai që trupat tanë të lartësuar në të ardhmen nuk do të bëhen nga duar? Përgjigjja është që shprehja nuk janë bërë nga dorë njeriu do të thotë “jo nga ky krijim.” Kjo gjë është bërë e qartë në Hebrenjve 9:11, ku ne lexojmë, “Por Krishti që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer që s’është bërë me dorë, pra që nuk është i kësaj krijese.” Ajo çfarë Pali është duke thënë në 2 Kor. 5:1 është që ndërsa trupat tanë të tanishëm i janë përshtatur jetës në këtë tokë, trupat tanë të lartësuar në të ardhmen nuk do të jenë nga ky krijim. Ata do të jenë veçanërisht të krijuar për jetën në qiell.
Trupi i ardhshëm i besimtarit është përshkruar gjithashtu si i përjetshëm në qiej. Është një trup që nuk do të jetë më subjekt i sëmundjeve, prishjes apo vdekjes, por një trup që do të zgjasë përgjithmonë në shtëpinë tonë qiellore.
Mund të duket nga ky varg sikur besimtari e merr atë trup nga Perëndia që në momentin që ai vdes, por nuk është kështu. Ai nuk e merr trupin e tij të lartësuar deri në momentin që Krishti kthehet për Kishën e Tij (1 Thes. 4:13-18). Ajo që i ndodh besimtarit është kjo. Në kohën e vdekjes fryma dhe shpirti i tij shkojnë për të qenë me Krishtin ku ai është duke gëzuar në mënyrë të vetëdijshme lavditë e qiellit. Trupi i tij është vendosur në një varr. Në kohën e kthimit të Zotit, pluhuri do të ngrihet nga varri, Perëndia do t’i japë atij një formë të re, të lavdishme dhe atëherë do të bashkohet me frymën dhe me shpirtin. Midis vdekjes dhe ardhjes së Krishtit, besimtari thuhet se është në një gjendje të patrupëzuar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë gëzimit dhe dritës së qiellit. Ai është!
Përpara se ta lëmë vargun 1, ne duhet të përmendim që ka tre interpretime kryesore të godinës që nuk është bërë nga duar, por që është e përjetshme në qiej:
- Vetë qielli.
- Një trup i ndërmjetshëm midis vdekjes dhe ringjalljes.
- Trupi i lavdëruar.
Është vështirë që kjo banesë të jetë vetë qielli, sepse është thënë që godina është e përjetshme në qiej dhe “nga qielli” (5:2). Përsa i përket një trupi të ndërmjetshëm, Shkrimet nuk përmendin kurrë një trup të tillë. Për më tepër godina që nuk është bërë me duar është përshkruar si e përjetshme në qiej, gjë që s’mund të jetë e vërtetë për një trup të ndërmjetshëm. Pikëpamja e tretë – që godina është trupi i lavdëruar – duket se është ajo e sakta.
5:2 Në këtë trup të tanishëm të vdekshëm, ne shpesh jemi të detyruar të psherëtijmë për shkak të mënyrës në të cilën na kufizon dhe na pengon ne në këtë jetë. Ajo që ne dëshirojmë aq shumë është të vishemi me banesën tonë qiellore.
Në këtë varg duket sikur apostulli e ndryshon figurën nga banesë në një veshje. Një shpjegim i dhënë për këtë është që meqë Pali ishte një çadërbërës ai kishte parë që i njëjti material që përdorej për çadra përdorej edhe për veshje. Sidoqoftë, kuptimi është i qartë, ai mezi priste të merrte atë trup të lavdëruar.
5:3 Çfarë do të thotë fjala të zhveshur në këtë varg? A do të thotë që njeriu është i pashpëtuar dhe prej kësaj ai është pa asnjë mbulesë drejtësie përpara Perëndisë? A do të thotë që njeriu, edhe pse i shpëtuar, do të jetë pa shpërblim në Fronin gjykues të Krishtit? Apo mos do të thotë që njeriu i shpëtuar nuk ka një trup midis kohës së vdekjes dhe ringjalljes dhe është i zhveshur në kuptimin që ai është një frymë e patrupëzuar?
Ky shkrim nënkupton i zhveshur apo i patrupëzuar. Pali thotë që dëshira e tij e zjarrtë nuk është për vdekje dhe për gjendjen e patrupëzuar që shkon me të, por për më tepër për ardhjen e Zotit Jezus kur të gjithë ata që kanë vdekur do të marrin trupat e tyre të lavdëruar.
5:4 Vargu 4 duket që tregon se interpretimi i vargut 3 është në rregull. Apostulli thotë që ne që jemi në këtë çadër tokësore duke qenë të rënduar, dhe për këtë arsye nuk duam pra të na zhveshin, por të na veshin, që ç’është e vdekshme të përpihet nga jeta. Me fjalë të tjera, ai nuk kërkonte gjendjen midis vdekjes dhe Rrëmbimit si shpresa e përsosur e besimtarit, por atë çfarë do të ndodhë në Rrëmbimin e Kishës, kur besimtarët do të marrin një trup që nuk do të jetë më subjekt i vdekjes.
5:5 Është Perëndia … Ai që na ka formuar pikërisht për këtë qëllim, të quajtur shpengimi i trupit. Ky do të jetë kulmi i qëllimeve të Tij të lavdishme për ne. Në kohën e tanishme ne jemi shpenguar si frymë dhe si shpirt, por më pas shpengimi do të përfshijë edhe trupin. Mendoni pak për këtë – Perëndia na bëri ne duke pasur përpara këtë qëllim – gjendjen e lavdëruar – një banesë që nuk bëhet nga duar, e përjetshme në qiejt!
Dhe si mund të jemi ne të sigurt që do të kemi një trup të lavdëruar? Përgjigjja është që Perëndia … na ka dhënë ne kaparin e Frymës. Siç është shpjeguar edhe më parë, fakti që besimtari zotëron Frymën që banon në të, është një garanci që të gjitha premtimet e Perëndisë bërë besimtarit do të përmbushen. Ai është një shenjë e asaj që do të vijë. Fryma e Perëndisë është Vetë një garanci e asaj që çfarë Perëndia na ka dhënë ne në mënyrë të pjesshme, një ditë do të jetë jona në plotësinë e saj.
5:6 Ishte siguria e thellë e këtyre të vërtetave të çmuara që e mundësonin Palin të ishte gjithmonë me një guxim të fortë. Ai dinte që përsa kohë që ishte në banesën e trupit, ai ishte larg nga Zoti. Kjo nuk ishte gjendja ideale për Palin, por ai mendonte që duhet të ishte kështu sepse ai mund t’i shërbente Krishtit këtu dhe të ishte një ndihmë për popullin e Perëndisë.
5:7 Fakti që ne ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit [shikimit] është një provë e madhe që tregon që ne jemi larg nga Zoti. Ne nuk e kemi parë kurrë Zotin me sytë tanë fizikë. Ne e kemi parë gjithmonë Atë vetëm me anë të besimit. Përsa kohë që ne jemi në shtëpinë trupore, ne kemi një jetë që është më pak afer dhe më pak intime sesa jeta e shikimit [kur shohim Zotin].
5:8 Vargu 8 përmbledh dhe e kompleton mendimin e vargut 6. Pali ka një kurajo të fortë për shkak të shpresës së bekuar që gjendet përpara tij, dhe ai mund të thotë që atij i pëlqen më tepër ta lërë trupin dhe të shkojë e të banojë me Zotin. Ai ka atë çfarë Bernard e quan një çështje të “mallit për atdheun qiellor.”
Mund të duket sikur ky varg kundërshton atë çfarë apostulli sapo ka thënë. Në vargjet që kaluan ai mezi priste për trupin e lavdëruar. Por këtu ai thotë që ai dëshiron më tepër ta lërë trupin dhe të banojë bashkë me Zotin, pra ai dëshiron më tepër të jetë në gjendjen jotrupore që ekziston midis vdekjes dhe Rrëmbimit.
Por këtu nuk ka asnjë kontradiktë. Ka tre mundësi për të krishterët, dhe është thjesht çështja se cila prej tyre preferohet. Është jeta e tanishme në tokë në këtë trup të vdekshëm. Është gjendja midis vdekjes dhe ardhjes së Krishtit, një gjendje pa trup, por në gjendje në të cilën fryma dhe shpirti janë duke gëzuar prezencën e Krishtit. Dhe së fundi, është plotësimi i shpëtimit tonë kur ne marrim trupat e lavdëruar në ardhjen e Dytë të Zotit Jezus. Pali në këtë pjesë është duke na mësuar ne që gjendja e parë është e mirë, e dyta më e mirë dhe e treta më e mira e të gjithave.
5:9 Besimtari duhet të përpiqet t’i pëlqejë Zotit. Ndërkohë që shpëtimi i tij nuk varet nga veprat, shpërblimi i tij në një ditë në të ardhmen do të jetë direkt në përpjesëtim me besnikërinë e tij ndaj Zotit. Një besimtar duhet të kujtojë gjithmonë që besimi është i lidhur me shpëtimin, dhe veprat janë të lidhura me shpërblimin. Ai është i shpëtuar nëpërmjet hirit me anë të besimit, jo nga veprat; por pasi ai shpëtohet ai duhet të kërkojë të kryejë vepra të mira dhe për këtë ai do të marrë shpërblim.
Vini re që Pali dëshironte t’i pëlqente Atij, qoftë duke banuar në trup qoftë duke e lënë atë. Kjo do të thotë që shërbesa e tij në tokë ishte projektuar për t’i sjellë kënaqësi zemrës së Zotit të tij, si të ishte këtu në tokë, si të ishte përpara Fronit Gjykues të Krishtit.
5:10 Një nga motivet për të qenë i pëlqyer nga Krishti është që ne duhet të dalim përpara gjyqit të Tij. Në të vërtetë nuk është thjesht një çështje e të dalit përpara atje, por çështja është që ne shfaqemi. NEB thotë në mënyrë të saktë, “ne të gjithë duhet të shfaqim jetët tona përpara gjyqit të Krishtit.” Është tjetër gjë të shkosh në dhomën e një doktori dhe krejtësisht një gjë tjetër të marrësh radiografi nga doktori atje. Gjykimi i Krishtit do të shfaqë [zbulojë] jetët tona të shërbesës për Krishtin plotësisht si ato kanë qenë. Jo vetëm sasinë e shërbesës, por gjithashtu cilësinë e saj, madje edhe motivet që e kanë nxitur atë shërbesë do të dalin aty.
Megjithëse mëkatet pas kthimit do të kenë një ndikim në shërbesën tonë, mëkatet e besimtarit si të tilla nuk do të sillen për gjykim në këtë kohë solemne. Ky gjykim ndodhi 2000 vjet më parë, kur Zoti Jezus barti mëkatet tona në atë kryq. Ai pagoi plotësisht borxhin që meritonin mëkatet tona dhe Perëndia nuk do t’i gjykojë më ato mëkate (Gjo. 5:24). Gjykimi i Krishtit ka të bëjë me shërbesën për Zotin. Nuk do të jetë një çështje e të qenurit të shpëtuar apo jo; ky është tashmë një e vërtetë e sigurt. Por është një çështje shpërblimi dhe dëmi në atë kohë.
I. Ndërgjegjja e mirë e Palit në shërbesë (5:11 – 6:2)
5:11 Shpesh kuptimi i këtij vargu merret si i tillë: që përderisa Pali ishte në dijeni të gjykimit të tmerrshëm të Perëndisë mbi mëkatin dhe të tmerreve të ferrit, ai shkonte kudo për t’i bindur njerëzit që të pranonin Ungjillin. Edhe pse e vërtetë, ne nuk mendojmë që ky është kuptimi kryesor i kësaj pjese të veçantë.
Pali këtu nuk është duke folur kryesisht për tmerrin e Zotit për njerëzit e pashpëtuar, por për druajtjen plot respekt në të cilën ai kërkonte t’i shërbente Zotit dhe ta kënaqte Atë. Përsa i përket Perëndisë, apostulli e dinte që jeta e tij është një libër i hapur. Por ai donte që edhe korintasit të bindeshin për sinqeritetin dhe besnikërinë e tij në shërbesën e Ungjillit. Dhe kështu ai thotë:
Përderisa ne e njohim frikën e Zotit, ne përpiqemi t’i bindim njerëzit për sinqeritetin dhe besnikërinë tonë si ministra të Krishtit. Por nëse i bindim me sukses apo jo, ne njihemi mirë prej Perëndisë. Dhe ne shpresojmë që kjo do të jetë e vërtetë edhe për ndërgjegjen tuaj o korintas!
Ky shpjegim duket se përshtatet mirë me kontekstin.
5:12 Menjëherë Pali kupton që ajo çfarë ai ka thënë mund të interpretohej si një vetlavdërim. Ai nuk do që asnjë të jepet pas kësaj gjëje. Dhe kështu ai shton, ne nuk e rekomandojmë përsëri veten ndaj jush. Kjo nuk do të thotë që ai e kishte rekomanduar ndonjëherë veten tek ata, por që ai ishte akuzuar se kishte bërë këtë shpesh herë dhe ai këtu kërkon të heqë nga mendjet e tyre çdo ide të tillë.
Atëherë përse ka dhënë ai një mbrojtje të tillë kaq të gjatë për shërbesën e tij? Përgjigjja e Palit është “Po ju japim rastin të krenoheni për ne, që të keni çfarë t’u përgjigjeni atyre që krenohen me dukjen dhe jo me zemrën.” Ai nuk ishte i interesuar në rekomandimin e vetvetes. Për më tepër ai kishte kuptuar që ai ishte kritikuar ashpër nga mësuesit e rremë përpara shenjtorëve të Korintit. Ai donte që besimtarët të dinin si t’u përgjigjeshin këtyre sulmeve ndaj tij, dhe kështu ai po u jepte atyre këtë informacion që ata të mund të ishin në gjendje ta mbronin atë kur ai dënohej në prezencën e tyre.
Ai i përshkruan kritikët e tij si ata që krenohen me dukjen dhe jo me zemrën (shikoni 1 Sam. 16:7). Me fjalë të tjera, ata ishin të interesuar në pamjen e jashtme dhe jo në realitetin e brendshëm, në sinqeritetin dhe në ndershmërinë. Për ta pamja fizike, të dukurit të zellshëm apo gojëtaria ishin gjithçka. “Për ata që jepeshin pas pamjes së jashtme, dukjet sipërfaqore ishin gjithçka dhe sinqeriteti i zemrës nuk vlente për asgjë.” (E zgjedhur)
5:13 Mund të duket nga ky varg që apostulli kishte qenë akuzuar edhe për fanatizëm, çmenduri apo për forma të tjera të shqetësimeve nervore. Ai nuk mohon që ai jetonte në atë çfarë Denney e quan një gjendje të “tensionit frymëror.” Ai thjesht thotë që nëse ai nuk ishte në vete, ishte për Perëndinë. Çdo gjë që mund t’u dukej si çmenduri kritikëve të tij, ishte përkushtimi i tij i thellë në zemër për Zotin. Ai përpihej nga pasioni për gjërat e Perëndisë. Nëse, në anën tjetër, ai ishte me mend në kokë, ishte për hir të korintasve. Ajo çfarë ky varg thotë shkurt është që gjithë sjellja e Palit mund të shpjegohej në një nga dy mënyrat: ose ishte zell për Perëndinë, ose ishte për mirëqenien e besimtarëve shokë të Tij. Në të dy rastet, motivet e tij ishin plotësisht jo egoiste. A mund ta thoshin këtë gjë kritikët e tij për veten e tyre?
5:14 Askush që studion jetën e apostullit nuk mund të dështojë në të menduarit së çfarë e bëri atë të shërbente në një mënyrë të tillë kaq të palodhur dhe kaq jo egoiste. Këtu, në një nga pjesët më të mëdha të letrave të tij, ai jep përgjigjen – dashuria e Krishtit.
A i referohet “Dashuria e Krishtit” dhënë këtu dashurisë së Tij për ne apo dashurisë sonë për Të? Nuk mund të ketë dyshim që është dashuria e Tij për ne. Arsyeja e vetme që ne duam është se Ai na deshi i pari. Është dashuria e Tij që na shtrëngon dhe na frymëzon. Kur Pali mendonte për dashurinë e mrekullueshme që Krishti i shfaqi atij, ishte e pamundur të mos ishte i frymëzuar duke i shërbyer Zotit të tij të çmuar.
Duke vdekur për të gjithë, Jezusi veproi si Përfaqësuesi ynë. Kur Ai vdiq ne të gjithë vdiqëm – në Të. Ashtu si mëkati i Adamit u bë mëkati i gjithë pasardhjes së tij, kështu vdekja e Krishtit u bë vdekja e atyre që besojnë në Të (Rom. 5:12-21; 1 e Korintasve 15:21, 22).
5:15 Argumenti i apostullit është i pakundërshtueshëm. Krishti vdiq për të gjithë. Përse vdiq Ai për të gjithë? Që ata që jetojnë nëpërmjet besimit në Të të mos jetojnë më për vetveten, por për Të. Shpëtimtari nuk vdiq për ne, që ne të vazhdojmë të jetojmë në ligësinë tonë, në jetët tona egoiste dhe në mënyrën në të cilën ne duam të jetojmë. Për më tepër Ai vdiq për ne që sot e tutje ne të jetojmë duke ia përkushtuar me dëshirë jetët tona Atij. Denney shpjegon:
Duke vdekur vdekjen tonë për ne, Krishti na ka bërë diçka dashurie që është e pamasë, që ne të mund të bëhemi të Tij dhe vetëm të Tij, përgjithmonë. Synimi i vdekjes së Tij ishte të na bënte ne të Tijët. {{26}}
5:16 Ndoshta Pali është duke iu referuar përsëri vargut 12, ku ai përshkroi kritikët e tij si ata që krenohen me dukjen dhe jo me zemrën. Tani ai e prek përsëri këtë subjekt duke mësuar që kur ne vijmë tek Krishti, ka një krijim të ri. Që sot e tutje ne nuk i gjykojmë njerëzit në mënyrë tokësore dhe mishërore, sipas pamjes, letrave kredenciale njerëzore apo prejardhjes kombëtare. Ne i shohim ata si shpirtra të çmuar për të cilët vdiq Krishti. Ai shtoi që edhe pse ai e kishte njohur Krishtin sipas mishit, pra si një njeri, ai nuk e njihte më Atë në këtë mënyrë. Me fjalë të tjera, ishte një gjë tjetër ta njihje Krishtin si një komshi në Nazaret apo qoftë edhe si një çlirimtar tokësor, dhe krejt një gjë tjetër ta njihje Atë si Krishtin e lartësuar në të djathtë të Perëndisë. Ne e njohim Zotin Jezus më personalisht sot, kur Ai na zbulohet me anë të Frymës në Shkrimet, sesa ata që e gjykonin Atë thjesht nga pamja e Tij e jashtme kur Ai ishte këtu në tokë.
David Smith komenton:
Megjithëse apostulli dikur kishte pasur të njëjtin ideal Jude për një Mesia tokësor, tani ai kishte arritur në një konceptim më të lartë. Krishti ishte për të Shpëtimtari i ringjallur dhe i lavdëruar, në të vërtetë jo i njohur sipas mishit, por sipas frymës; jo nga tradita historike, por nga një bashkësi e gjallë dhe e drejtpërdrejtë. {{27}}
5:17 Nëse dikush është në Krishtin, pra i shpëtuar, ai është një krijesë e re. Përpara kthimit, dikush mund t’i ketë gjykuar të tjerët sipas standardeve njerëzore. Por tani e gjitha kjo ka ndryshuar. Metodat e vjetra të gjykimit kanë kaluar; ja të gjitha gjërat u bënë të reja.
Ky varg është i preferuar nga ata që sapo kanë rilindur dhe shpesh citohet në dëshmitë personale. Ndonjëherë duke u cituar në këto raste, jep një përshtypje të rreme. Dëgjuesit janë të prirur të mendojnë që kur një njeri shpëtohet, zakonet e vjetra, mendimet e këqija, dhe vështrimet epshore kanë shkuar përgjithmonë dhe çdo gjë bëhet krejt e re në jetën e një personi. Ne dimë që kjo nuk është e vërtetë. Vargu nuk përshkruan praktikën e një besimtari, por për më tepër pozicionin e tij. Vini re fjalët “nëse dikush është në Krishtin.” Fjalët në Krishtin janë çelësi i pjesës. Në Krishtin gjërat e vjetra kanë shkuar dhe të gjitha gjërat u bënë të reja. Fatkeqësisht, “në mua” jo e gjitha kjo është plotësisht e vërtetë! Por kur unë bëj përparim në jetën e krishtere, unë dëshiroj që praktika ime të korrespondojë sa më shumë me pozicionin tim. Një ditë kur Zoti Jezus kthehet, të dyja do të jenë në një përputhje të përsosur.
5:18 Të gjitha gjërat janë nga Perëndia. Ai është Burimi dhe Autori i të gjitha atyre. Nuk ka vend për mburrje njerëzore. Është i njëjti Perëndi që na pajtoi me Veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin e pajtimit.
Kjo thënie e mrekullueshme e doktrinës së Shkrimit mbi pajtimin gjendet në A New and Concise Bible Dictionary [një fjalor i ri dhe i saktë i Biblës]:
Me anë të vdekjes së Zotit Jezus në kryq, Perëndia anuloi në hir largësinë që mëkati kishte sjellë midis Atij dhe njeriut, me qëllim që të gjitha gjërat nëpërmjet Krishtit, të mund të ishin në përputhje me Të. Besimtarët janë tashmë të pajtuar, nëpërmjet vdekjes së Krishtit, për t’u paraqitur të shenjtë, të paqortueshëm (një krijim i ri). Perëndia ishte në Krisht, kur Krishti ishte në tokë, duke pajtuar botën me Vetveten, jo duke ia ngarkuar atyre shkeljet e tyre; por tani që dashuria e Perëndisë është zbuluar plotësisht në kryq, dëshmia është shpërndarë në mbarë botën, duke kërkuar me ngulm njerëzit për t’u pajtuar me Perëndinë. Përfundimi është që Perëndia të mund të ketë kënaqësinë e Tij tek njeriu. {{28}}
5:19 Shërbesa e pajtimit këtu është shpjeguar si mesazhi që Perëndia e ka pajtuar botën me Veten në Krishtin. Ka dy kuptime të mundshme të kësaj thënieje, dhe që të dyja janë të sakta sipas Shkrimeve. Së pari, shprehja që Perëndia ishte në Krisht mund të kuptohet që Zoti Jezus është Perëndi. Kjo gjë është sigurisht e vërtetë. Së dyti, mund të kuptohet që Perëndia, në Krishtin, e ka pajtuar botën me Veten. Me fjalë të tjera, Ai ishte duke e pajtuar botën, por po e bënte këtë gjë në personin e Zotit Jezus Krisht.
Cilindo interpretim të pranojmë, është e vërtetë që Perëndia ishte duke hequr shkakun e largësisë që kishte ardhur midis Atij dhe njeriut nëpërmjet mëkatit. Perëndia nuk ka nevojë të pajtohet, por njeriut i duhet të pajtohet me Të.
Duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre. Në shikim të parë mund të duket sikur ky varg mëson shpëtimin universal, që të gjithë njerëzit janë shpëtuar nëpërmjet veprës së Krishtit. Por një mësim i tillë është plotësisht në mospërputhje me pjesën tjetër të Fjalës së Perëndisë. Perëndia siguroi një rrugë në të cilën shkeljet e njerëzve të mos u numërohen atyre, por ndërkohë që kjo rrugë është e vlefshme për të gjithë, ajo është efektive vetëm për ata që janë në Krishtin. Shkeljet e të pashpëtuarve u janë ngarkuar përfundimisht atyre, por në momentin që këta njerëz besojnë në Zotin Jezus si Shpëtimtarin e tyre, ata llogariten të drejtë në Të dhe mëkatet e tyre fshihen përgjithmonë.
Përveç veprës së Tij të pajtimit, Perëndia gjithashtu ia ka ngarkuar shërbëtorëve të Tij fjalën e pajtimit. Me fjalë të tjera, Ai u ka besuar atyre privilegjin e mrekullueshëm të të shkuarit përpara duke predikuar mesazhin e mrekullueshëm tek të gjithë njerëzit kudo që janë. Ai nuk ua dha engjëjve një detyrë kaq të shenjtë, por njerëzve të varfër dhe të dobët.
5:20 Në vargun e mëparshëm apostulli tha që atij i është dhënë mesazhi i pajtimit. Ai ishte dërguar për të predikuar këtë mesazh tek të gjithë njerëzit. Ne do të na pëlqente të sugjeronim që nga 5:20 deri në 6:2 ne kemi një përmbledhje të fjalës së pajtimit. Me fjalë të tjera, Pali na lejon ne të dëgjojmë mesazhin që ai predikoi tek të pashpëtuarit kur ai shkonte vend më vend dhe kontinent më kontinent. Është e rëndësishme ta shohim këtë. Pali nuk është duke u thënë korintasve të pajtohen me Perëndinë. Ata janë tashmë besimtarë në Zotin Jezus. Por ai është duke u thënë korintasve që ky është mesazhi që ai u shpall të pashpëtuarve kudo që ai shkon.
Një ambasador është një ministër i shtetit që përfaqëson shtetin e vet në një tokë të huaj. Pali gjithmonë flet për shërbesën e krishtere si një thirrje e lartë dhe plot dinjitet. Këtu ai e paraqit veten si një të dërguar nga Krishti në botën në të cilën jetojmë. Ai ishte një zëdhënës i Perëndisë dhe Perëndia këshillonte nëpërmjet tij. Kjo duket një gjuhë e çuditshme për t’iu drejtuar një ambasadori. Zakonisht ne nuk e mendojmë një ambasador duke këshilluar, por kjo është lavdia e Ungjillit, që në të, Perëndia është i përulur në gjunjë dhe me lotë në sy i lutet njerëzve të pajtohen me Të. Nëse ekziston ndonjë armiqësi, ajo ekziston në anën e njeriut. Perëndia ka hequr çdo pengesë për të plotësuar bashkësinë midis Tij dhe njeriut. Zoti ka bërë gjithçka që mund të bënte. Tani njeriu duhet të ulë duart e rebelimit, duhet të heqë dorë nga revolta e tij kokëfortë dhe duhet të pajtohet me Perëndinë.
5:21 Ky varg na jep ne doktrinën themelore për pajtimin tonë. Si e bëri të mundur Perëndia pajtimin? Si mund të pranojë Ai mëkatarët që vijnë tek Ai në pendim dhe me besim? Përgjigjja është që Zoti Jezus është marrë efektivisht me problemin e mëkateve tona, kështu që tani ne mund të pajtohemi me Perëndinë.
Me fjalë të tjera, Perëndia e bëri Krishtin të jetë mëkat për ne – Krishtin që nuk njihte mëkat – që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të.
Ne duhet të ruhemi nga çdo ide që thotë se në kryq të Kalvarit Zoti Jezus Krisht u bë mëkatar në vetvete. Një ide e tillë është e rreme. Mëkatet tona u vunë mbi Të, por ato nuk ishin në Të. Ajo çfarë ndodhi është që Perëndia e bëri Atë të ishte një ofertë-mëkati (një fli për mëkat) për ne. Duke besuar në Të, ne llogaritemi të drejtë nga Perëndia. Kërkesat e ligjit u plotësuan nga Zëvendësuesi ynë.
Çfarë e vërtete e bekuar është që Ai që nuk njihte mëkat u bë mëkat për ne, që ne që nuk njihnim drejtësi të bëhemi drejtësia e Perëndisë. Asnjë gjuhë njerëzore s’mund të jetë në gjendje të falënderojë Perëndinë në mënyrë të mjaftueshme për një hir të tillë të pamasë.
6:1 Disa mendojnë që në këtë varg Pali është duke iu drejtuar Korintasve dhe i inkurajon ata ta shfrytëzojnë plotësisht hirin që u është treguar atyre.
Për më tepër ne mendojmë që Pali është ende duke dhënë një llogari të mesazhit që ai u predikoi të pashpëtuarve. Ai tashmë u ka treguar jobesimtarëve rreth hirit të mrekullueshëm që u është ofruar atyre nga Perëndia. Tani ai u lutet atyre të mos e pranojnë më kot hirin. Ata nuk duhet ta lejojnë farën e Ungjillit të bjerë në vend të djerr. Për më tepër ata duhet t’i përgjigjen një mesazhi të tillë të mrekullueshëm duke pranuar Shpëtimtarin për të cilin Ungjilli na tregon.
6:2 Pali tani citon nga Isaia 49:8. Nëse ne kthehemi dhe lexojmë atë kapitull, ne shohim që Perëndia është në debat me popullin e Tij për shkak të kundërshtimit që ata i kanë bërë Mesias. Në vargun 7 ju shikoni Zotin Jezus të hedhur poshtë nga kombi, dhe ne dimë që kjo gjë çoi në vdekjen e Tij. Por në vargun 8 ne kemi fjalët e Jehovait, duke siguruar Zotin Jezus që lutja e Tij është dëgjuar dhe që Perëndia do ta ndihmonte dhe ruante Atë.
Në ditë shpëtimi të ndihmova. Kjo i referohet ringjalljes së Zotit Jezus Krisht. Koha e pëlqyer dhe dita e shpëtimit janë shpallur nëpërmjet ringjalljes së Krishtit prej së vdekurish.
Gjatë predikimit të Ungjillit, Pali kupton këtë të vërtetë të mrekullueshme dhe ia shpall atë dëgjuesve të tij të pashpëtuar, Ja pra koha e pëlqyer, ja pra dita e shpëtimit. Me fjalë të tjera, epoka për të cilën Isaia predikoi si dita e shpëtimit tashmë ka ardhur, kështu Pali u thërret njerëzve të besojnë Shpëtimtarin përderisa është ende dita e shpëtimit.
J. Sjellja e Palit në Shërbesë. (6:3-10)
6:3 Këtu Pali kalon nga mesazhi që ai predikoi në sjelljen e tij në shërbesën e krishtere. Ai kishte kuptuar që gjithmonë ka njerëz që kërkojnë një shfajësim duke thënë që nuk e kanë dëgjuar kurrë mesazhin e shpëtimit, dhe nëse ata mund ta gjejnë këtë shfajësim në jetën e paqëndrueshme të predikuesit, aq më mirë. Kështu ai u kujton korintasve që ai nuk kishte dhënë asnjë shkas për skandal, që të mos i shahej shërbesa. Siç e kemi theksuar më parë, fjala shërbesë që shkruhet këtu nuk i referohet ndonjë zyre kishtare e dinjitoze, por për më tepër shërbesës së Krishtit. Ideja e një vajosje fetare [që ti je tani një prift zyrtar] bërë nga njerëzit nuk përmendet fare këtu. Shërbesa i takon të gjithë atyre që janë të Krishtit.
6:4 Në vargjet 4 deri në 10 apostulli përshkruan mënyrën me të cilën ai u përpoq të kryente shërbesën e tij në një mënyrë që të ishte e patëmetë. Duke qenë në dijeni që ishte një shërbëtor i Më të Lartit, ai gjithmonë kërkoi të sillej në një mënyrë të denjë për një thirrje të tillë. Për këtë pjesë Denney komenton:
Burimet e thellësisë së madhe shpërthejnë me të kur ai mendon se sa e rëndësishme është kjo temë: Kur fillon [këtë pjesë] ai është në të gjitha ngushticat dhe mund të flasë vetëm me fjalë të palidhura, një pas një: por përpara se të ndalet, ai ka fituar lirinë e tij dhe derdh shpirtin e tij pa asnjë kufi. {{29}}
Vargjet 4 dhe 5 përshkruajnë vuajtjet fizike që Pali duroi dhe që e aprovuan atë si një shërbëtor të sinqertë dhe besnik të Zotit. Dy vargjet e tjera [v6-7] kanë të bëjnë me hiret e krishtere që ai shfaqi. Më pas në vargjet 8-10 ai rendit eksperiencat në kontrast që janë aq karakteristike për shërbesën e krishtere.
Në shumë vuajtje, pa dyshim që përshkruan vuajtjet e tij për individët, kishat lokale dhe gjithë shqetësimet që ishin tundime për ta lëvizur atë nga rruga e tij e qëndrueshmërisë.
Shtrëngimet, mund t’i referohet persekutimeve të asaj kohe që ai duroi për emrin e Krishtit.
Nevojat japin idenë e privimeve që ai pati gjatë vuajtjes, si, p.sh., ushqim, veshje dhe strehim.
Ngushticat, mund të përfshijnë rrethana jo të favorshme në të cilat ai e gjeti shpesh herë vetveten.
6:5 Pali vuajti mjaft rrahje siç është thënë në Veprat 16:23. Burgimet e tij janë përmendur më vonë në 2 Kor. 11:23 dhe padyshim kryengritjet i referohet atyre që ndoqën shpesh predikimin e tij. (Mesazhi që Johebrenjtë do të shpëtoheshin njësoj si Judenjtë ishte shpesh shkaku kryesor i shpërthimeve të njerëzve). Mundimet e Palit mund të përfshijnë punën e tij si çadërbërës, por edhe punëra të tjera bërë me dorë, duke mos përmendur edhe udhëtimet e tij. Të pafjeturat përshkruajnë nevojën e tij të vazhdueshme për të qenë i zgjuar ndaj sulmeve të djallit dhe përpjekjeve të tij për ta ndalur atë. Agjërimet mund të përfshijë heqjen dorë në mënyrë të vullnetshme nga ushqimi, por këtu ka më shumë mundësi të nënkuptojë urinë që shkaktohej nga varfëria.
6:6 Shërbesa e Palit ishte drejtuar me pastërti, pra me shenjtëri dhe dlirësi. Ai s’mund të akuzohej kurrë për imoralitet.
Ajo drejtohej gjithashtu nga njohuria dhe kjo gjë ndoshta i referohet faktit që nuk ishte një shërbesë injorance, por një njohuri hyjnore. Kjo është treguar shumë bukur nga gjerësia e së vërtetës hyjnore zbuluar në letrat e Palit.
Korintasit nuk duhet të kishin nevojë për një provë për durimin e tij. Durimi që kishte ai me mëkatet dhe dështimet e tyre duhet të ishte një provë e mjaftueshme! Mirësia e Palit ishte treguar në dhënien e vetes së tij për të tjerët, kjo ishte bërë në një mënyrë joegoiste, gjithashtu edhe në dashurinë e tij ndaj njerëzve të Perëndisë.
Shprehja, me Frymën e Shenjtë, padyshim nënkupton që gjithçka që Pali kishte bërë ishte bërë në fuqinë e Frymës dhe në nënshtrim ndaj Tij.
Me dashuri të sinqertë do të thotë që dashuria e cila ishte kaq e dukshme në jetën e apostullit, nuk ishte një dashuri hipokrite, por e vërtetë. Ajo karakterizonte të gjitha veprimet e tij.
6:7 Me fjalën e së vërtetës, mund të tregojë që gjithë shërbesa e Palit kryhej në bindje të plotë ndaj fjalës së të vërtetës, ose mund të nënkuptojë që ishte një shërbesë e ndershme, në përputhje me mesazhin që ai predikonte, pra ishte fjala e së vërtetës.
Me fuqinë e Perëndisë padyshim nënkupton që apostulli nuk e kryente veprën e tij në fuqinë e vet, por në varësi të fuqisë që Perëndia siguron. Disa kanë sugjeruar që kjo mund të jetë një referencë për mrekullitë që apostulli ishte fuqizuar të kryente sepse ai ishte një apostull.
Me armët e drejtësisë është përshkruar në Efesianët 6:14-18. Ajo përshkruan një karakter të lartë, të qëndrueshëm. Dikush ka thënë: “Kur një njeri vishet me drejtësi praktike, ai është i pathyeshëm.” Nëse ndërgjegjja jonë është pa shkelje kundrejt Perëndisë dhe njerëzve, djalli nuk ka çfarë të godasë.
Ka pak dyshim përsa i përket domethënies së shprehjes në të djathtë dhe në të majtë. Një nga shumë shpjegimet është që në luftimet e lashta shpata mbahej në dorën e djathtë dhe mburoja në të majtën. Shpata fliste për sulm dhe mburoja për mbrojtjen. Në këtë rast, Pali këtu ndoshta ka dashur të thotë që një karakter i mirë i krishterë është sulmi dhe mbrojtja më e mirë.
6:8 Këtu dhe në vargjet 9 dhe 10 Pali përshkruan disa nga kontrastet më të mprehta që gjenden në shërbesën për Zotin Jezus. Dishepulli i vërtetë përjeton majat e maleve dhe luginat ashtu si dhe gjithë territorin që shtrihet mes tyre. Është një jetë lavdie dhe çnderimi, fitoreje dhe humbjeje në dukje, aprovimi dhe kritike. Shërbëtori i vërtetë i Perëndisë është objekt i emrit të mirë dhe emrit të keq. Disa flasin mirë për zellin dhe për kurajon e tij ndërsa të tjerët kanë vetëm dënime për të. Ai trajtohet si një mashtrues dhe një gënjeshtar, por përsëri ai është i vërtetë. Ai nuk është gënjeshtar, por një shërbëtor i vërtetë i Më të Lartit Perëndi.
6:9 Në një mënyrë Pali ishte i panjohur, i papëlqyer dhe i keqkuptuar përsa i përket botës, e përsëri ai ishte i njohur nga Perëndia dhe nga besimtarët e tjerë. {{30}}
Ai ishte si njerëz që vdesin e përsëri jetonte! I kërcënuar, i persekutuar dhe i burgosur, ai fitoi lirinë e tij vetëm për të predikuar Ungjillin me një zell më të madh. Kjo gjë është theksuar më shumë në shprehjen si të ndëshkuar, por jo të vrarë. Të ndëshkuar këtu ka të bëjë me dënimin që ai duroi në duart e njerëzve. Ndoshta shumë herë ata menduan se e kishin sjellë jetën e tij të zhurmshme në një fund – vetëm kur dëgjonin për thëniet e tij për Krishtin në qytetet e tjera!
6:10 Kishte hidhërime në lidhje me shërbesën, e përsëri Pali ishte gjithmonë duke gëzuar. S’ka nevojë të thuhet, ai ishte në hidhërim për kundërshtimin që i bëhej Ungjillit, për dështimet e njerëzve të Perëndisë, dhe për të metat e tij. Por kur ai mendonte për Zotin dhe për premtimet e Perëndisë, kishte gjithmonë një shkak tepër të madh për të gëzuar dhe për të vazhduar përpara.
Pali ishte një njeri i varfër përsa i takon të mirave të kësaj bote. Ne nuk lexojmë në asnjë vend që ai kishte pasuri dhe prona. Dhe përsëri mendoni për jetët që ishin pasuruar nëpërmjet shërbesës së tij! Megjithëse ai nuk zotëronte asgjë, në një kuptim ai kishte gjithçka që vlente.
“Në këto fjali kulmore,” thotë A. T. Robertson, “Pali e lë të lirë imagjinatën e tij dhe ajo luan si vetëtima në re.” {{31}}
K. Thirrja e Palit për Dashuri dhe Sinqeritet. (6:11-13)
6:11 Dhe tani Pali shpërthen në një thirrje që të krishterët e Korintit të hapin zemrat e tyre për të. Ai kishte folur hapur dhe sinqerisht me ta për dashurinë e tij. Përderisa goja flet ato çfarë ka zemra, goja e hapur e Palit fliste për një zemër që ishte plot me dashuri për këta njerëz. Që ky është kuptimi themelor i vargut është treguar nga fjalët që pasojnë: zemra jonë u bë e gjerë, pra, gati për t’i pritur ata me dashuri.
Siç e ka shprehur Tozer: “Pali ishte një burrë i vogël me një jetë të brendshme mjaft të gjerë: zemra e tij e madhe ishte shpesh e plagosur nga ngushtësia e dishepujve të tij. Pamja e shpirtrave të tyre të tkurrur e lëndonte shumë atë.” {{32}}
6:12 Çdo kufizim i dashurisë midis Palit dhe korintasve ishte në ata dhe jo në Palin. Ata mund ta kishin përkufizuar dashurinë e tyre për të, duke mos qenë të sigurt për ta pranuar atë apo jo, por ai nuk ishte aspak i kufizuar në dashurinë e tij ndaj tyre. Mungesa e dashurisë ishte në anën e tyre dhe jo në të Palit.
6:13 Nëse ata dëshironin ta rikompensonin dashurinë e tij për ta (ai po u flet atyre që janë fëmijët e tij në besim), ata duhet t’i lejonin ndjenjat e tyre drejt tij për të qenë më të hapura. Pali ndihej kundrejt tyre si një baba. Ata duhet ta donin atë si babanë e tyre në besim. Vetëm Perëndia mund ta bëjë këtë gjë të mundshme, por ata duhet ta lejonin Atë të bënte një gjë të tillë në jetët e tyre.
Përkthimi i Moffett e kap mjaft bukur idenë që përshkruan vargjet 11 deri në 13:
O korintas, unë nuk po ju mbaj asgjë; zemra ime është hapur gjerësisht për ju. “Kufizim?” – ky gjendet në ju dhe jo në mua. Një shkëmbim i sinqertë tani, ashtu siç thonë fëmijët! Hapini zemrat tuaja gjerësisht për mua.
L. Thirrja e Palit për një veçim sipas Shkrimit. (6:14-7:1)
6:14 Lidhja midis vargut 13 dhe 14 është kjo: Pali u ka thënë të shenjtëve të jenë të hapur në dashurinë e tyre kundrejt atij. Tani ai shpjegon që një mënyrë për të bërë këtë është të ndahen nga çdo formë mëkati dhe padrejtësie. Padyshim ai është duke menduar, nga njëra anë, për mësuesit e rremë që kishin pushtuar asamblenë e Korintit.
Përmendja e zgjedhës së pabarabartë sugjeron LiP 22:10: “Nuk do të punosh njëkohësisht me një ka dhe me një gomar.” Kau ishte një kafshë e pastër kurse gomari i papastër, dhe hapi dhe tërheqja e tyre nuk janë të barabarta. Duke bërë një krahasim, kur besimtarët janë lidhur në një zgjedhë me Zotin Jezus, ata shohin që zgjedha e Tij është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë. (Mat. 11:29, 30)
Kjo pjesë e 2 Kor. është një nga pjesët kyçe në Fjalën e Perëndisë mbi subjektin e ndarjes apo veçimit. Është një udhëzim i qartë që besimtari duhet ta ndajë veten e tij nga jobesimtarët, errësira, papastërtia, Beliali, idhujt.
Sigurisht që i referohet marrëdhënies martesore. Një i krishterë nuk duhet të martohet me një person të pashpëtuar. Megjithatë, në rastet kur një besimtar është i martuar me një jobesimtar, kjo pjesë nuk justifikon ndarjen apo divorcin. Vullneti i Perëndisë në një rast të tillë është që marrëdhënia martesore duhet të mbahet me një pikëpamje për shpëtimin e personit të pashpëtuar (1 e Korintasve 7:12-16).
Plus kësaj, pjesa i referohet edhe biznesit. Një i krishterë nuk duhet të hyjë në shoqëri me një njeri që nuk e njeh Zotin. I drejtohet qartë shoqatave ose vëllazërive sekrete: Si mund të shkojë dikush që është besnik ndaj Krishtit vazhdimisht në një vend ku nuk mirëpritet emri i Zotit Jezus? Zbatimi në jetën sociale i këtij vargu do ishte si më poshtë: Një i krishterë duhet të mbajë lidhje me një të pashpëtuar me një përpjekje për ta fituar atë për Krishtin, por ai kurrë nuk duhet të shtrihet në kënaqësitë e tyre mëkatare apo në ndonjë aktivitet të tillë që i bën të pashpëtuarit të mendojnë që midis tyre nuk ka asnjë ndryshim. Kjo pjesë mund t’i referohet edhe çështjeve fetare: një ndjekës besnik i Krishtit nuk do të dojë të jetë anëtar i një kishe ku jobesimtarët janë pranuar në mënyrë të vullnetshme si anëtarë.
Vargjet 14 deri në 16 mbulojnë të gjitha marrëdhëniet e rëndësishme të jetës:
Drejtësia dhe paudhësia përshkruajnë gjithë sferën e sjelljes morale.
Drita dhe errësira kanë të bëjnë me inteligjencën përsa i përket gjërave të Perëndisë.
Krishti dhe Beliali kanë të bëjnë me sferën e autoritetit, me fjalë të tjera, personi ose gjëja të cilin dikush e shpall si Zot të jetës së vet.
Besimtari dhe jobesimtari kanë të bëjnë me botën e besimit.
Tempulli i Perëndisë dhe idhujt përfshijnë gjithë subjektin e adhurimit të një personi.
Drejtësia dhe paudhësia s’mund të kenë bashkësi me njëra tjetrën: ato janë të kundërta morale. Dhe as errësira s’mund të ketë afrimitet me dritën. Kur drita hyn në një dhomë, errësira largohet. Të dyja bashkë nuk mund të ekzistojnë në të njëjtën kohë.
6:15 Emri Belial do të thotë “ligësi” apo “pavlefshmëri.” Këtu është një emër për të ligun. A mund të ketë paqe midis Krishtit dhe Satanit? Sigurisht që jo! Dhe as mund të ketë bashkësi midis besimtarit dhe jobesimtarit. Të përpiqesh për të bërë këtë është tradhëti kundër Zotit.
6:16 Idhujt s’kanë të bëjnë fare me tempullin e Perëndisë. Duke qenë kështu, si mund të bëjnë tregti besimtarët me idhujt, kur vetë ata (besimtarët) janë tempulli i Perëndisë së gjallë? Idhujt këtu nuk nënkuptojnë vetëm imazhe të skalitura në gurë, por çdo objekt që vjen midis shpirtit dhe Krishtit. Ata mund të jenë para, kënaqësi ose famë ose edhe gjëra materiale.
Apostulli gjen prova të mëdha që tregojnë që ne jemi tempulli i Perëndisë së gjallë në pjesë si Eksodi 29:45, Levitiku 26:12 dhe Ezekieli 37:27. Denney thotë:
(Pali) pret që të krishterët të jenë aq të ndershëm sa janë Judenjtë në ruajtjen e shenjtërisë së shtëpisë së Perëndisë; dhe tani ai thotë që shtëpia jemi ne: jemi ne që duhet ta mbajmë atë të pastër nga bota. {{33}}
6:17 Përderisa kjo është e vërtetë, atëherë Pali dërgon një thirrje nxitëse për të dalë jashtë. Ai citon nga Isaia 52:11. Këto janë udhëzimet e thjeshta të Perëndisë për popullin e Tij në lidhje me ndarjen nga e keqja. Të krishterët nuk duhet të qëndrojnë në mes të saj, si një pjesë e saj me qëllim që ta ndreqin atë. Programi i Perëndisë është të dalin. Gjëja e papastër në këtë varg është, pa dyshim, bota pagane, por kjo gjë i referohet edhe çdo forme të së keqes, qoftë shoqërore, tregtare apo fetare.
Vargu nuk duhet përdorur për të mësuar ndarje nga besimtarët e tjerë. Të krishterët janë nxitur për t’u përpjekur “për të mbajtur unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.”
6:18 Shpesh është shumë e vështirë për të krishterët për të zgjidhur lidhje që kanë ekzistuar me vite me qëllim që t’i binden Fjalës së Perëndisë. Mund të duket që Perëndia pret një vështirësi të tillë, në vargun 18. Ai sapo ka thënë në vargun 17, “dhe Unë do t’ju pranoj,” dhe tani Ai shton, “Do të jem si një Atë për ju dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm.” Shpërblimi për të qenurit me Krishtin jashtë kampit të të ligut njihet si bashkësia me Atin në një mënyrë të re dhe më personale. Nuk do të thotë që ne bëhemi bij dhe bija të Tij me anë të bindjes ndaj Fjalës së Tij, por që ne jemi në mënyrë të qartë bij dhe bija të Tij kur ne sillemi në këtë mënyrë dhe ne do të përjetojmë kështu gëzimet dhe kënaqësitë e të qenurit bij në një mënyrë që nuk e kishim përjetuar kurrë më parë.
“Bekimi i veçimit dhe ndarjes së vërtetë nuk është më pak sesa shoqëria e lavdishme me vetë Perëndinë” (e zgjedhur).
Problemi shtrihet sot midis të krishterëve ungjillorë në kishat neo-ortodokse [ortodokse e re] dhe liberale. Ata pyesin vazhdimisht, “Çfarë do bëjmë?” Përgjigjja e Perëndisë gjendet këtu. Ata duhet të lënë një bashkësi ku Zoti Jezus nuk lartësohet dhe nuk nderohet si Biri i dashur i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Ata mund të bëjnë më shumë për Perëndinë jashtë një bashkësie të tillë sesa mund të bënin brenda saj.
7:1 Ky varg është i lidhur ngushtë me atë që është thënë më parë. Nuk fillon me një paragraf të ri, por mbyll paragrafin që filloi me 6:14.
Premtimet e përmendura në këtë varg janë ato të përmendura në vargjet 17 dhe 18 të kapitullit të mëparshëm. “Do t’ju pranoj … do të jem si një At për ju … ju do të jeni bijtë dhe bijat e mia.” Duke parë këto premtime të mrekullueshme të Perëndisë ne duhet të pastrojmë vetveten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës. Ndotje e mishit përfshin të gjitha format e papastërtisë fizike, ndërsa ndotja e frymës përfshin jetën e brendshme, motivet dhe mendimet.
Por Perëndia nuk jep vetëm anën negative, por edhe atë pozitive. Përfundimi i shenjtërisë sonë në druajtjen e Perëndisë. Ne jo vetëm që duhet të nxjerrim jashtë atë që është e ndotur, por duhet që gjithnjë e më shumë t’i ngjajmë Zotit Jezus në jetët tona të përditshme. Ky varg nuk sugjeron që ne do të jemi të përsosur gjatë kohës që jemi këtu në tokë. Shenjtërimi praktik është një proces që vazhdon në gjithë jetën tonë. Ne rritemi në ngjashmëri me Zotin tonë deri në ditën që do ta shohim Atë ballë për ballë dhe do të jemi si Ai në gjithë përjetësinë. Është pikërisht kur ne kemi një druajtje të vazhdueshme që ne kemi një dëshirë në zemër për të qenë të shenjtë. Le të mësojmë të gjithë ne ate që ky njeri i perëndishëm, McCheyne, mësoi, “Zot më bëj aq të shenjtë sa që është e mundur për një njeri të jetë në këtë anë të qiellit.”
M. Gëzimi i Palit nga lajmi i mirë ardhur nga Korinti. (7:2-16)
7:2 Na pranoni. Nuk kishte asnjë arsye që korintasit të mos e bënin këtë gjë, Pali vazhdon të thotë që ai nuk i kishte bërë padrejtësi askujt, ai nuk kishte korruptuar askënd, ai nuk ia kishte hedhur askujt. Çfarëdo që të kishin thënë kritikuesit e tij ndaj tij, apostulli Pal nuk kishte lënduar askënd, ai nuk kishte përfituar financiarisht nga askush.
7:3 Asgjë që Pali kishte thënë apo që po thoshte nuk kishte si synim të dënonte korintasit. Ai i kishte siguruar ata vazhdimisht që dashuria e tij e thellë për ta do të vazhdonte në jetë e në vdekje.
7:4 Për shkak se ndihej kaq i lidhur me shenjtorët e Korintit, apostulli ndihej i lirë të ishte i hapur me ta kur u drejtohej atyre drejtpërdrejt. Por nëse sinqeriteti i tij ishte i madh, po kështu ishte edhe mburrja e tij për ata para të tjerëve. Kështu ata nuk duhet ta keq interpretonin të folurit hapur nga ana e tij duke e quajtur një mungesë dashurie: për më tepër ata duhet të kuptonin që ai ishte me të vërtetë krenar për ta dhe që ai fliste për ta shumë lart kudo që të ishte. Ndoshta aspekti i veçantë i jetës së tyre të krishtere ishte dëshira e tyre e madhe në lidhje me mbledhjen e ndihmave për shenjtorët e varfër të Jeruzalemit. Apostulli do të flasë për këtë subjekt më pas, por këtu ai bën një përmendje të tërthortë për të.
Jam plot me ngushëllim. Jam jashtë mase i gëzuar në gjithë shtrëngimin tonë. Këto shprehje janë shpjeguar në vargjet më pas. Përse ishte Pali kaq i gëzuar pavarësisht nga gjithë shtrëngimet e tij? Përgjigjja është që Titi i kishte sjellë atij një raportim të mirë në lidhje me korintasit dhe kjo provonte se ishte një burim i një gëzimi dhe inkurajimi tepër të madh për të.
7:5 Ne kemi përmendur më parë se si Pali u largua nga Efesi dhe udhëtoi për në Troas për të takuar Titin. Duke mos e gjetur atë aty, ai shkoi për në Maqedoni. Tani ai shpjegon që as mbërritja e tij në Maqedoni nuk i dha atij prehjen që kërkonte. Ai ishte ende i shtrënguar, ende në persekutime. Jashtë, armiku godiste pa mëshirë, ndërsa brenda kishte frikë dhe ankth – lidhur, padyshim, me faktin që ai nuk e kishte takuar ende Titin.
7:6 Atëherë Perëndia e ngushëlloi Palin me anë të ardhjes së Titit. Në këtë kohë apostulli përjetoi të vërtetën e Fjalëve të Urta 27:17, “Ashtu si hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.” Imagjinoni takimin e gëzuar midis këtyre dy shërbëtorëve të devotshëm të Krishtit, pyetjet e Palit që ndiqnin njëra-tjetrën, dhe Titin duke u përpjekur t’u përgjigjej atyre sa më shpejt që të ishte e mundur. (Shiko Fja. 25:25)
7:7 Por nuk ishte vetëm takimi i gëzuar me mikun e tij ai që e gëzoi aq shumë apostullin; për më tepër ishte raportimi se sa i ngushëlluar ishte Titi me përgjigjen që i kishin dhënë korintasit letrës së Palit.
Ishte një lajm i mirë të dëgjoje që korintasit kishin mall për të parë apostullin Pal. Kjo gjë ishte pavarësisht nga përpjekjet e vendosura të mësuesve të rremë për të ftohur dashurinë e të shenjtëve ndaj Palit. Ata jo vetëm që mezi prisnin ta shihnin atë, por kishin derdhur edhe lotë. Kjo gjë mund të ishte për qëndrimin e pakujdesshëm që kishin mbajtur ata duke lejuar mëkatin në asamble, ose mund të kishte qenë për shkak të shqetësimeve që ata i kishin shkaktuar apostullit. Plus kësaj Titi kishte treguar edhe për dëshirën e tyre të madhe për ta kënaqur atë.
Kështu pra gëzimi i apostullit nuk ishte vetëm për ardhjen e Titit, por për faktin që korintasit kishin qenë të bindur ndaj udhëzimeve të Palit dhe që ata ende kishin dashuri për të.
7:8 Sepse ndonëse ju kam trishtuar me letrën time, nuk më vjen keq, ndonëse më pati ardhur keq, sepse shoh që ajo letër edhe pse për pak kohë, ju trishtoi.
Letra së cilës Pali i referohet këtu mund të jetë ajo që ne e quajmë e 1 e Korintasve, ose mund të jetë një letër e dytë, që tani nuk ekziston për ne, që i ishte drejtuar të shenjtëve në një mënyrë më të ashpër.
Duke pasur parasysh keqardhjen e Palit mbi shkrimin e letrës, kjo pikë duhet të bëhet më e qartë. Duke supozuar që ai i referohet letrës së parë (1 e Korintasve), keqardhja e tij nuk ndikon aspak subjektin e frymëzimit. Gjërat që apostulli shkroi ishin urdhëresat e Zotit; sidoqoftë Pali ishte thjesht një njeri, i prirur për dekurajimet dhe ankthet e njerëzve të tjerë. Williams komenton:
Ndryshimi midis shkrimtarit dhe burimit të frymëzimit shfaqet në vargun 8. Ai e dinte që letra e tij e parë ishte e frymëzuar. Fjalët e saj ishin “urdhëresat e Zotit,” por si një njeri i dobët, i shqetësuar, dhe i dhembshur, ai dridhej se efekti i komunikimit do t’i largonte korintasit nga ai dhe do t’u shkaktonte atyre dhembje. Kjo është një rast interesant i ndryshimit midis personalitetit të profetit dhe mesazhit të Frymës së Shenjtë dhënë atij. {{34}}
Për të përmbledhur Pali thotë këtë: Kur korintasit lexuan për herë të parë letrën e tij, ajo u erdhi si një qortim ndaj tyre, dhe ata u lënduan. Pas dërgimit të letrës apostulli parandjeu reagimin e tyre për të dhe kjo e trishtoi. Jo se ai ishte i ndërgjegjshëm se kishte bërë ndonjë gabim; ky nuk është aspak mendimi që duket këtu. Për më tepër ai ishte i trishtuar që duke kryer punën e Zotit, ishte e nevojshme që të tjerët të binin në një mërzitje të përkohshme me qëllim që qëllimet e Perëndisë të mund të plotësoheshin në jetët e tyre.
Në pjesën e fundit të vargut 8, Pali thekson që megjithëse letra i kishte trishtuar ata, përsëri kjo gjë ishte vetëm për pak. Efekti i parë i letrës ishte të shkaktonte dhimbje. Por trishtimi nuk zgjati.
I gjithë procesi që apostulli ka përshkruar këtu mund të ngjasohet me punën e një kirurgu. Me qëllim që ai të heqë diçka të rrezikshme nga trupi i njeriut, është e domosdoshme për të të presë thellë në mish. Ai nuk gëzon në shkaktimin e dhimbjes tek pacienti, por e di që duhet bërë me qëllim që pacienti të fitojë shëndetin e tij. Veçanërisht nëse pacienti është një mik i tij i ngushtë, kirurgu është plotësisht i ndërgjegjshëm për dhimbjen që është e domosdoshme për t’u shkaktuar. Por ai di që kjo vuajtje është e përkohshme dhe ai dëshiron që të jetë kështu me qëllim që ajo që do të dalë si përfundim të jetë e pëlqyeshme.
7:9 Pali nuk gëzohej që kishte shkaktuar dhimbje tek korintasit, por që trishtimi i tyre i përkohshëm i kishte drejtuar ata të vendin e pendimit. Me fjalë të tjera, trishtimi i tyre i çoi ata të ndryshonin mendjen, gjë që çoi në një ndryshim jete. Pendimi, thotë Hodge, “nuk është një ndryshim i thjeshtë i qëllimit, por ai përfshin një ndryshim të zemrës, gjë që çon në një largim nga mëkati me një urrejtje dhe pikëllim dhe tek një kthim tek Perëndia.” {{35}}
Trishtimi i korintasve ishte sipas vullnetit të Perëndisë; ishte ai lloj trishtimi që Perëndia dëshiron të shohë. Përderisa trishtimi dhe pendimi i tyre ishin të një natyre të sinqertë, të perëndishme, ata nuk vuajtën ndikime sëmundjeje të vazhdueshme nga qortimi i dhënë për ta nga apostulli Pal.
7:10 Ky varg jep kontrastin midis trishtimit sipas Perëndisë dhe trishtimit sipas botës. Trishtimi sipas Perëndisë do të thotë pikëllim që vjen në jetën e një njeriu pasi ai ka kryer një mëkat dhe është një pikëllim që të çon në pendim. Ai kupton që Perëndia po flet me të dhe kështu ai bashkohet me Perëndinë për të luftuar kundër vetes dhe kundër mëkatit të tij.
Kur Pali thotë që trishtimi sipas Perëndisë të çon në pendim për shpëtim, ai nuk është duke menduar për shpëtimin e shpirtit (megjithëse edhe kjo mund të jetë e vërtetë) sepse korintasit ishin të shpëtuar. Por fjala shpëtim këtu është përdorur për të përshkruar çlirim nga çdo lloj mëkati, skllavërie, apo hidhërimi në jetën e një njeriu.
Ekziston një pyetje nëse shprehja nuk i vjen keq i referohet pendimit apo shpëtimit. Meqë është njësoj e vërtetë që askujt nuk i vjen keq për pendimin apo për shpëtimin, ne mund ta lëmë të hapur këtë pyetje.
Trishtimi i botës nuk është një pendim i vërtetë, por thjesht një keqardhje. Ai prodhon hidhërim, vështirësi, dëshpërim dhe padyshim vdekje. Kjo gjë është treguar në jetën e Judës. Ai nuk ishte i trishtuar për rezultatet që solli mëkati i tij në jetën e Zotit Jezus, por vetëm kishte një keqardhje për shkak të asaj gjëje të tmerrshme që ai korri.
7:11 Apostulli e vë në dukje eksperiencën e korintasve si një shembull të asaj që ai tha në pjesën e parë të vargut 10. Në fakt ajo gjë që kishte treguar në lidhje me trishtimin sipas Perëndisë kishte ndodhur në jetën e tyre. Ne mund të themi sot “si një evidencë e këtij fakti që ju u pikëlluat sipas Perëndisë.” Më pas ai vazhdon të tregojë disa rezultate që vijnë nga pikëllimi sipas Perëndisë.
Para së gjithash, ai prodhoi kujdes, kujdes të sinqertë, në ta. Nëse kjo pjesë i referohet rastit të disiplinës përshkruar në letrën e parë të Korintasve, atëherë kjo shprehje do të thotë që megjithëse në fillim ata kishin qenë indiferentë, më pas ata u bënë të interesuar për gjithë çështjen.
Së dyti, ai thotë, sa fjalë për të kërkuar ndjesë. Kjo nuk do të thotë që ata u përpoqën të shfajësoheshin, por për më tepër që duke ndërmarrë një veprim të vendosur, ata u përpoqën për të pastruar veten nga çdo faj apo fajësim tjetër mbi çështjen. Ndryshimi në qëndrimin e tyre i çoi ata në këtë ndryshim në veprim.
Sa zemëratë mund t’i referohet qëndrimit të tyre ndaj mëkatarit për shkak të sharjes që solli mbi emrin e Krishtit. Por ka më tepër mundësi t’i referohet qëndrimit të tyre kundrejt vetvetes që kishin lejuar një gjë të tillë të zgjaste për një kohë të gjatë pa ndërmarrë asnjë veprim kundër Tij.
Sa druajtje, padyshim që nënkupton se ata vepruan në druajtjen e Perëndisë, por mund të përfshijë gjithashtu që ata druanin një vizitë nga apostulli, nëse atij do t’i duhet të vinte me një thupër.
Sa dëshirë të zjarrtë. Shumica e komentuesve janë të një mendimi që kjo i referohet një dëshire të sinqertë që ishte zgjuar në shpirtrat e tyre për një vizitë nga Pali. Sidoqoftë, mund të nënkuptojë gjithashtu një dëshirë të fortë për ta parë gabimin të rregulluar.
Sa zell, është shpjeguar në mënyra të ndryshme si p.sh. zell për lavdinë e Perëndisë, për restaurimin e mëkatarit, për pastrimin e tyre nga ndotja e çështjes, ose për të qenë me apostullin.
Sa kënaqësi. Mendimi është që ata ndërmorën një veprim korrigjues ndaj shkelësit në asamble. Ata ishin të vendosur që mëkati duhet ndëshkuar.
Pali më pas shton: Me çdo mënyrë ju treguat se jeni të pastër në këtë çështje. Sigurisht që me anë të kësaj ne nuk duhet të kuptojmë që ata nuk kishin qenë kurrë me faj, por thjesht që ata kishin bërë gjithçka që kishin mundësi për të ndërmarrë vendimin e duhur dhe për të vepruar siç duhet të kishin vepruar në vendin e parë.
7:12 Ka katër probleme kryesore në këtë varg. Së pari, cilës letër i referohet Pali në këtë shprehje, Ju shkrova? Së dyti, kush është ai që kishte bërë padrejtësi? Së treti, kush është ai që e pësoi? Dhe së fundi, a duhet përkthyer pjesa e fundit e vargut, kujdesi ynë për ju apo “kujdesi juaj për ne”?
Letra mund të jetë ajo që ne e njohim si e para e Korintasve, ose mund të jetë një letër e mëpasshme që nuk është ruajtur për ne. Ai që ka bërë gabimin mund të jetë ai që kishte kryer imoralitet në letrën e parë të Korintasve kapitulli 5, ose mund të jetë ndonjë rebel në Kishë. Nëse Pali është duke folur këtu për të parin, atëherë ai që ishte dëmtuar ishte babai i tij. Në anën tjetër, nëse fajtori ishte ndonjë rebel, atëherë ai që e kishte pësuar ishte vet Pali ose ndonjë viktimë e paidentifikuar.
Në KJV dhe në NKJV, pjesa e fundit e vargut shkruan: por që kujdesi ynë për ju përpara Perëndisë të mund të shfaqet ndër ju. Por shumica e versioneve moderne janë të ngjashme me NASB: “që zelli juaj për ne të njihet përpara Perëndisë.”
7:13 Pali ishte i ngushëlluar sepse kjo letër pati rezultatin e dëshiruar. Korintasit ishin penduar dhe kishin kaluar në anën e Palit. Plus kësaj, ai ishte i inkurajuar nga entuziazmi i Titit në lidhje me të shenjtët; ai ishte çlodhur nga takimi me ta.
7:14 Me sa duket përpara se apostulli të dërgonte Titin në Korint, ai i kishte folur atij në mënyrë të zjarrtë për besimtarët atje. Tani ai thotë që mburrja e tij nuk kishte qenë e kotë. Të gjitha ato që ai kishte thënë për korintasit ishin vërtetuar nga eksperienca e Titit në mes tyre. Ashtu si çdo gjë që apostulli kishte thënë për korintasit ishte e vërtetë, kështu dhe mburrja e tij tek Titi kishte dalë e vërtetë.
7:15 Me sa duket Titi nuk e dinte çfarë lloj pritjeje do të kishte ai kur të mbërrinte në Greqinë jugore. Ndoshta ai kishte menduar më të keqen. Por kur kishte shkuar atje, korintasit i dhanë atij një mirëseardhje të ngrohtë, dhe jo vetëm kaq, ata hynë në zemrën e tij pasi iu bindën udhëzimeve të Palit që ai kishte sjellë.
Kur apostulli thotë që ata e pritën Titin me frikë dhe me të dridhura, ai nuk nënkupton një frikë që i ngjan terrorit, por për më tepër një ndjenjë keqardhjeje përpara Zotit për çështjen dhe një dëshirë të madhe për ta kënaqur Atë.
7:16 Kur Pali thotë që ai kishte besim tek shenjtorët për gjithçka, ne nuk duhet t’i marrim këto fjalë me një kuptim më të tepërt nga ai që ato kërkojnë të thonë në të vërtetë. Ato nuk nënkuptojnë që ai i konsideronte korintasit përtej mundësisë së mëkatimit apo dështimit. Por për më tepër nënkuptojnë që besimi që ai kishte tek ata dhe për të cilin i ishte mburrur Titit, nuk kishte qenë i kotë. Ata kishin provuar se ishin të denjë për besimin e tij. Ndoshta përfshin edhe idenë që ngaqë ata kishin mbajtur qëndrimin e duhur për çështjen e diskutuar në letrën e parë, ai kishte të drejtë të kishte një besim të plotë në ta.
Ky varg plotëson pjesën e parë të 2 e Korintasve, një pjesë që siç e pamë i është dedikuar një përshkrimi të shërbesës së apostullit dhe një përpjekjeje të vendosur të Palit për të forcuar lidhjet që ishin midis tij dhe korintasve. Dy kapitujt e tjerë trajtojnë “hirin e të dhënit.”
[[1]] (1:2) James Denney, The Second Epistle to the Corinthians, fq. 11.[[1]] [[2]] (1:10) Teksti NU ka një kohë të shkuar dhe dy të ardhme.[[2]] [[3]] (1:20) H. W. Cragg, The Keswick Week, fq. 126.[[3]] [[4]] (2:11) J. Sidlow Baxter, Awake My Heart.[[4]] [[5]] (2:14) A. T. Robertson, The Glory of the Ministry, fq. 32.[[5]] [[6]] (2:14) Frederick Brotherton Meyer. Paul, fq. 77.[[6]] [[7]] (2:15) Ibid, fq. 78.[[7]] [[8]] (2:17) Teksti ka fjalët tepër të fuqishme “si pjesa tjetër”; pa dyshim kjo është një hiperbolë, dhe shpesh është rasti në 2 Korintasve.[[8]] [[9]] (2:17) Robertson, Ministry, fq. 47. [[9]] [[10]] (3:6) J. M. Davies, The Epistle to the Corinthians, fq. 168, 169.[[10]] [[11]] (3:9) Charles Hodge, A Commentary on the Second Epistle to the Corinthians, fq. 61.[[11]] [[12]] (3:10) Robertson, Ministry, fq. 70.[[12]] [[13]] (3:10) Denney, Second Corinthians, fq. 123. [[13]] [[14]] (3:13) F. W. Grant, “2 Corinthians,” The Numerical Bible. VI:547[[14]] [[15]] (3:14) Hodge, Second Corinthians, fq. 71.[[15]] [[16]] (3:17) Përkthimi i NKJV e merr këtë si një referencë ndaj Frymës së Shenjtë, dhe kështu e ka shkruar me shkronja të mëdha. Origjinali ishte i gjithë me shkronja të mëdha, prandaj secili rast është i mundshëm. [[16]] [[17]] (3:18) Denney, Second Corinthians. fq. 139-140 [[17]] [[18]] (3:18) J. N. Darby, Notes on 1 and 2 Corinthians, fq. 189, 190. [[18]] [[19]] (4:7) J. H. Jowett, Life in the Heights, fq. 65. [[19]] [[20]] (4:12) Robertson, Ministry, fq. 157. [[20]] [[21]] (4:16) H. A. Ironside. [[21]] [[22]] (4:17) Në Hebraisht fjala “lavdi” vjen nga fjala “të jesh e rëndë” që sugjeron fjalët e Palit.[[22]] [[23]] (4:17) William C. Moorehead, Outline Studies in the New Testament: Acts to Ephesians, fq. 191. [[23]] [[24]] (4:17) F. E. Marsh, Fully Furnished, fq. 103.[[24]] [[25]] (4:18) Jowett, Life in the Heights, fq. 68, 69.[[25]] [[26]] (5:15) Denney, Second Corinthians, fq. 199.[[26]] [[27]] (5:16) David Smith.[[27]] [[28]] (5:18) A New and Concise Bible Dictionary, fq. 652. [[28]] [[29]] (6:4) Denney, Second Corinthians, fq. 230.[[29]] [[30]] (6:9) “si i panjohur e përsëri i njohur,” është shkruar me mjaft kuptim në gurin e varrit të John Nelson Darby (1800-1882), i cili kishte një shërbesë në mbarë botën. [[30]] [[31]] (6:10) Robertson, Ministry, fq. 238.[[31]] [[32]] (6:11) A. W. Tozer, The Root of the Righteous, 1995. [[32]] [[33]] (6:16) Denney, Second Corinthians, fq. 246. [[33]] [[34]] (7:8) George Williams, Student’s Commentary on the Holy Scriptures, fq. 904.[[34]] [[35]] (7:9) Hodge, Second Corinthians, fq. 182.[[35]]