Thirrja e Shërbëtorit dhe formimi i dishepujve të Tij (Marku 3:13 – 8:38)

A. Zgjedhja e dymbëdhjetë dishepujve (3:13-19)

3:13-18 Përballë detyrës së ungjillëzimit të botës, Jezusi caktoi dymbëdhjetë dishepuj. Nuk kishte asgjë të mrekullueshme rreth vetë njerëzve. Ishte lidhja e tyre me Jezusin që i bëri ata të mëdhenj. Ata ishin të rinj. James E. Stewart ka këtë komentim të shkëlqyer mbi moshën e re të dishepujve:

Krishterimi filloi si një lëvizje rinore. Fatkeqësisht, është një fakt që arti i krishterë dhe predikimi i krishterë shumë shpesh e kanë lënë në hije. Por është mjaft e sigurt që grupi fillestar i dishepujve ishte një grup të rinjsh. Nuk është befasuese atëherë që krishterimi hyri në botë si një lëvizje të rinjsh. Ka mundësi që shumica e apostujve të kenë qenë ende rreth të njëzetave kur ata shkuan pas Jezusit. Ne s’duhet të harrojmë që Vetë Jezusi doli në shërbesën e Tij tokësore me “vesën e rinisë” së Tij mbi Vete (Psa. 110:3 – ky Psalm i ishte aplikuar Jezusit nga Vetë Ai dhe nga Kisha e hershme). Ishte një instinkt i vërtetë ai që i udhëhoqi të krishterët e hershëm, kur ata vizatonin imazhin e mësuesit të tyre mbi muret e Katakombeve [tunele të nëndheshëm në Romë], për të mos e portretizuar Atë të vjetër, të lodhur e të dërrmuar nga dhimbja, por si një bari të ri jashtë në kodrat e mëngjesit. Versioni origjinal i himnit të madh të Isaac Watts përputhej me faktin:

Kur unë vështroj kryqin e mrekullueshëm Ku Princi i ri i Lavdisë vdiq.

Dhe askush s’e ka kuptuar ndonjëherë zemrën e të riut në gazin, fisnikërinë, bujarinë dhe shpresën e saj, vetminë e papritur të saj, ëndrrat e vrullshme, konfliktet e fshehura dhe tundimet e fuqishme. Askush s’e ka kuptuar atë nga afër aq mirë sikurse Jezusi. Dhe askush s’e ka kapur më qartë se sa Jezusi faktin që vitet adoleshente të jetës, kur mendime të çuditshme të përgjumura janë duke lëvizur dhe e gjithë bota fillon të shpaloset, janë shanset më të mira që ka Perëndia me shpirtin. Kur studiojmë historinë e Dymbëdhjetë të parëve, ne jemi duke studiuar një aventurë të rinjsh. Ne i shohim ata të ndjekin udhëheqësin e tyre në të panjohurën, duke mos ditur shumë qartë se kush është ai, pse janë duke e bërë këtë gjë, ku ka të ngjarë se është duke i çuar ai, por thjesht të magnetizuar prej Tij, të magjepsur, të rrëmbyer e të kapur nga diçka e parezistueshme në shpirtin e tij, të tallur nga shokët, me komplote kundër tyre nga ana e armiqve, me dyshime nganjëherë duke u rritur zhurmshëm në zemrat e tyre, derisa ata pothuajse dëshiruan që të ishin jashtë nga e gjithë çështja; por prapë duke u kapur qepur pas tij, duke kapërcyer rrënojat e shpresave të tyre drejt një besnikërie më të madhe dhe duke fituar ngadhënjyeshëm së fundi emrin e madh që Te Deum u jep atyre: “Shoqëria e lavdishme e apostujve.” Ia vlen t’i vrojtosh ata, në mënyrë që edhe ne të mund të marrim infektimin e frymës së tyre e të fillojmë të ecim në një hap me Jezusin [4]. Ekzistonte një qëllim i trefishtë prapa thirrjes së të dymbëdhjetëve: (1) të rrinin me Të; (2) të mund t’i dërgonte të predikojnë; (3) të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët. Së pari duhej të ishte një kohë formimi, përgatitje veçmas përpara predikimit në publik. Këtu kemi një parim themelor të shërbimit. Ne duhet të kalojmë kohë me Të përpara se të dalim si përfaqësues të Perëndisë. Së dyti, ata u dërguan që të predikojnë. Shpallja e Fjalës së Perëndisë, metoda e tyre themelore e ungjillëzimit, duhet të jetë gjithmonë kryesore. Fjala nuk duhet t’i nënshtrohet askujt. Së fundi, atyre u qe dhënë pushtet i mbinatyrshëm. Dëbimi i demonëve do t’u dëshmonte njerëzve se Perëndia po fliste përmes apostujve. Bibla nuk ishte plotësuar ende. Mrekullitë ishin kredencialet e lajmëtarëve të Perëndisë. Sot njerëzit e kanë mundësinë për ta patur të plotë Fjalën e Perëndisë. Ata janë përgjegjës që t’i besojnë asaj pa dëshminë e mrekullive. 3:19 Emri i Judë Iskariotit qëndron midis apostujve. Ka mister në lidhje me një të zgjedhur si apostull që rezulton të jetë tradhtari i Zotit tonë. Njëra nga dhimbjet më të mëdha në shërbimin e krishterë është kur shikon dikë, që ishte i shkëlqyer, i zellshëm dhe i devotshëm në dukje, që më pas t’i kthejë shpinën Shpëtimtarit dhe të kthehet te bota që e kryqëzoi Atë. Të njëmbëdhjetët dolën të vërtetë për Zotin. Përmes tyre Ai e ktheu botën përmbys. Ata e riprodhuan veten e tyre në rrathë gjithnjë e më të gjerë shtrirjeje dhe, në një kuptim, sot ne jemi fryti vazhdues i shërbimit të tyre. Nuk mund të thuhet se sa i madh mund të jetë ndikimi ynë për Krishtin.

B. Mëkati i pafalshëm (3:20-30)

3:20-21 Jezusi u kthye nga mali ku kishte thirrur dishepujt e Tij te një shtëpi galilease. U mblodh një turmë e tillë saqë Ai dhe apostujt e Tij nuk mund të hanin as bukë. Duke dëgjuar për veprimtaritë e Tij, të afërmit e Tij menduan se Ai nuk ishte në vete dhe u përpoqën ta merrnin. Pa dyshim që ata ishin në hall nga zelli i këtij fanatiku fetar në familje. J. R. Miller shkruan:
Zellin e pamposhtur të Tij, ata mund ta shpjegonin duke arritur në përfundimin se Ai ishte i çmendur. Në ditët e sotme ne dëgjojmë shumë nga e njëjta mënyrë të foluri kur ndonjë ndjekës i devotshëm i Krishtit e harron krejtësisht vetveten në dashuri për Mësuesin e Tij. Njerëzit thonë: “Ai duhet të jetë i çmendur!” Ata mendojnë se është i çmendur cilido njeri, feja e të cilit e ndez në një lloj entuziazmi të pazakontë apo që bëhet më i zellshëm sesa i krishteri i mesëm në vepër për Mësuesin. Kjo është një lloj çmendurie pozitive. Është për të të ardhur mjaft keq që është kaq e rrallë. Po të kishte më shumë prej saj nuk do të kishte aq shumë shpirtra të pashpëtuar që vdesin pikërisht nën hijen e ndërtesave tona kishtare; nuk do të ishte kaq e vështirë të kishim misionarë dhe para për të dërguar ungjillin te kontinentet e errëta; nuk do të kishte aq shumë stola bosh në kishat tona; pauza aq të gjata në takimet tona të lutjes; aq pak që japin mësim në shkollat tona të së dielës. Do të ishte diçka e lavdishme sikur gjithë të krishterët të ishin fanatikë sikurse ishte Mësuesi ose sikurse ishte Pali. Është një çmenduri shumë më e keqe që në këtë botë nuk e vret mendjen kurrë për ndonjë botë tjetër; që, duke lëvizur vazhdimisht midis njerëzve të humbur, nuk i mëshiron kurrë ata, nuk mendon për gjendjen e tyre të humbur dhe as që bën ndonjë përpjekje për t’i shpëtuar ata. Është më e lehtë të kesh një mendje të qetë dhe një zemër më të ftohtë e të mos interesohesh për shpirtra që humbasin; por ne jemi mbrojtësit e vëllezërve tanë e nuk ka mosplotësim më të keq të detyrimit se sa ai që nuk i kushton vëmendje shpëtimit të përjetshëm të tyre [5].
Është gjithmonë e vërtetë që një njeri që është i ndezur për Perëndinë t’u duket si i luajtur mendsh bashkëkohësve të tij. Sa më shumë si Krishti të jemi, aq më shumë do të provojmë edhe ne pikëllimin e të qenurit të keqkuptuar nga ana e të afërmve dhe e miqve. Në qoftë se ne synojmë të bëjmë pasuri, njerëzit do të na duartrokasin. Në qoftë se ne jemi fanatikë për Jezus Krishtin, ata do të na tallin. 3:22 Skribët nuk menduan se Ai ishte i çmendur. Ata e akuzuan Atë për dëbim të demonëve me pushtetin e Beelzebubit, princit të demonëve. Emri Beelzebub do të thotë “zot i mizave të bajgave” ose “zot i pisllëkut.” Kjo ishte një padi serioze, e ulët dhe blasfemuese! 3:23 Në radhë të parë Jezusi e hodhi poshtë atë, pastaj shprehu dënimin e atyre që e bënë. Po qe se Ai do të kishte qenë duke i dëbuar demonët me anë të Beelzebubit, atëherë Satani do të ishte duke vepruar kundër vetvetes, duke prishur vetë qëllimet e tij. Synimi i tij është që t’i kontrollojë njerëzit përmes demonëve dhe jo t’i çlirojë ata prej tyre. 3:24-26 Një mbretëri…, një shtëpi ose një njeri i përçarë kundër vetes së tij s’e ka të gjatë. Vazhdimësia e mbijetesës varet nga bashkëpunimi i brendshëm e jo nga antagonizmi. 3:27 Si rrjedhojë, akuza e skribëve ishte e paarsyeshme. Në të vërtetë, Zoti Jezus ishte duke bërë pikërisht të kundërtën e asaj që ata kishin thënë. Mrekullitë e Tij tregonin shkatërrimin e Satanit më tepër sesa aftësinë e tij. Kjo është ajo çfarë Shpëtimtari nënkuptonte kur Ai tha: “Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t’ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.” Satani është njeriu i fortë. Shtëpia është sundimi i tij. Ai është perëndia i kësaj epoke. Pasuritë e tij janë njerëzit të cilët ai ka nën zap. Jezusi është Ai që e lidh Satanin dhe ia plaçkit shtëpinë. Në Ardhjen e Dytë të Krishtit, Satani do të lidhet e do të hidhet në gropën ferrin e pafund për një mijë vjet. Dëbimi i demonëve nga Shpëtimtari gjatë shërbesës së Tij mbi tokë ishte një parashijim i lidhjes së plotë dhe përfundimtare të djallit nga ana e Tij. 3:28-30 Në vargjet 28-30, Zoti shprehu dënimin e skribëve që ishin fajtorë për mëkatin e pafalshëm. Duke e akuzuar Jezusin për dëbim të demonëve me anë të fuqisë demoniake, kur në të vërtetë Ai e bënte këtë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, në fakt ata e quajtën Frymën e Shenjtë demon. Kjo është blasfemi kundër Frymës së Shenjtë. Për çfarëdo lloj mëkati ka falje, por për këtë mëkat të veçantë nuk ka falje. Bëhet fjalë për një mëkat të përjetshëm. A mund ta bëjnë këtë mëkat njerëzit sot? Ka mundësi që jo. Ai ishte një mëkat i kryer kur Jezusi ishte në tokë duke bërë mrekulli. Meqenëse sot Ai nuk është fizikisht mbi tokë, duke dëbuar demonë, e njëjta mundësi për të blasfemuar Frymën e Shenjtë nuk ekziston. Njerëz që merakosen se mos kanë kryer mëkatin e pafalshëm nuk e kanë bërë atë. Pikërisht fakti që janë të shqetësuar tregon se ata nuk janë fajtorë për blasfemi kundër Frymës së Shenjtë.

C. Nëna dhe vëllezërit e vërtetë të Shërbëtorit (3:31-35)

Maria, e ëma e Jezusit, erdhi me vëllezërit e Tij për të folur me Të. Turma e pengoi afrimin e tyre tek Ai, kështu që ata i çuan fjalë se po e prisnin përjashta. Kur lajmëtari i tha se po e kërkonin nëna dhe vëllezërit e Tij, Ai vështroi rreth e qark dhe deklaroi se nëna dhe vëllezërit e Tij ishte kushdo që bën vullnetin e Perëndisë. [6] Nga kjo ndodhi dalin disa mësime për ne:
  1. Pikë së pari, fjalët e Zotit Jezus ishin një qortim ndaj mariolatrisë (adhurimit të Marisë). Nuk është se Ai nuk i dha nderimin e duhur asaj si nënë e Tij natyrore, por Ai tha se marrëdhëniet frymërore kanë përparësi mbi ato natyrore. Ishte më tepër në nderin e Marisë bërja e vullnetit të Perëndisë se sa të qenurit nënë e Tij.
  2. Së dyti, ajo hedh poshtë dogmën se Maria ishte një virgjëreshë e përhershme. Jezusi pati vëllezër. Ai ishte i parëlinduri i Marisë, por bij dhe bija të tjera i kishin lindur asaj më pas (shih Mt. 13:55; Mr. 6:3; Gjoni 2:12, 7:3, 5, 10; Veprat e Apostujve 1:14 dhe 1 e Korintasve 9:5; Gal. 1:19. Shih edhe Psalmi 69:8).
  3. Jezusi vuri interesat e Perëndisë mbi lidhjet natyrore. Ai u thotë ende ndjekësve të Tij sot: “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im” (Luka 14:26).
  4. Pasazhi na kujton se besimtarët janë të lidhur me fije më të fuqishme me bashkëbesimtarët e krishterë sesa me farefisin e tyre kur këta të afërm janë të pashpëtuar.
  5. Së fundi, ajo thekson rëndësinë që Jezusi vë mbi bërjen e vullnetit të Perëndisë. A e plotësoj unë kriterin? A jam unë nëna apo vëllai i Tij?

D. Shëmbëlltyra e mbjellësit (4:1-20)

4:1-2 Jezusi nisi përsëri të mësojë në breg të detit. Përsëri turma bëri të nevojshme që Ai të përdorte një barkë si katedër të Tij, fare pak larg nga bregu. Dhe përsëri Ai u mësonte gjëra frymërore nga bota natyrore përreth Tij. Ai mund të shikonte të vërtetën frymërore në sferën natyrore. Ajo është atje që të gjithë ne ta shikojmë. 4:3-4 Kjo shëmbëlltyrë ka të bëjë me mbjellësin, farën dhe tokën. Toka gjatë rrugës ishte shumë e fortë që fara të depërtonte. Zogjtë… erdhën dhe e hëngrën farën. 4:5-6 Gurishtja kishte një shtresë të hollë që mbulonte një taban shkëmbor. Cekëtina e dheut nuk lejonte që fara t’i lëshonte rrënjët thellë. 4:7 Toka me gjemba kishte shkurre me ferra që i ndërprisnin ushqimin dhe dritën e diellit farës, duke ia marrë frymën. 4:8-9 Toka e mirë ishte e thellë dhe pjellore me kushte të favorshme për farën. Njëra farë prodhoi tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind. 4:10-12 Kur dishepujt ishin vetëm me Të, ata e pyetën se pse Ai fliste me shëmbëlltyra. Ai u shpjegoi atyre se vetëm ata që kishin zemra perceptuese ishin lejuar të njihnin misterin e mbretërisë së Perëndisë. Në DhR, një mister është një e vërtetë deri atëherë e panjohur që mund të njihet vetëm përmes zbulimit të posaçëm. Misteri i mbretërisë së Perëndisë është që:
  1. Zoti Jezus ishte refuzuar kur Ai ofroi Vetveten si Mbret për Izraelin.
  2. Një periudhë kohore do të ndërfutej përpara se mbretëria të themelohej vërtet mbi tokë.
  3. Gjatë periudhës së përkohshme, ajo do të ekzistojë në trajtë frymërore. Të gjithë ata që e njohin Krishtin si Mbret do të ishin në mbretëri, megjithëse Mbreti Vetë nuk ishte i pranishëm.
  4. Fjala e Perëndisë do të mbillej me nivele të ndryshme suksesi gjatë periudhës së përkohshme. Disa njerëz do të ktheheshin vërtet, kurse disa të tjerë do të ishin besimtarë veç për emër. Të gjithë ata që do të deklaronin se ishin të krishterë do të ishin në mbretëri në trajtën e saj të jashtme, por vetëm të vërtetët do të hynin në mbretëri në realitetin e saj të brendshëm.
Vargjet 11 dhe 12 shpjegojnë se pse kjo e vërtetë ishte paraqitur në shëmbëlltyra. Perëndia ua zbulon të fshehtat e familjes së Tij atyre që i kanë zemrat të hapura, perceptuese e të bindura, ndërsa e fsheh të vërtetën nga ata që refuzojnë dritën që u është dhënë. Këta janë njerëzit për të cilët Jezusi e ka fjalën kur flet për ata “që janë përjashta.” Fjalët e vargut 12 mund të duken të ashpra dhe të pakëndshme për lexuesin e rastit: “Duke parë të shohin, por të mos vënë re; edhe duke dëgjuar të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen.” Por ne duhet të kujtojmë privilegjin e jashtëzakonshëm që këta njerëz kishin gëzuar. Biri i Perëndisë kishte mësuar në mesin e tyre dhe kishte bërë shumë mrekulli të pushtetshme përpara tyre. Në vend që ta njihnin e ta pranonin si Mesian e vërtetë, ata madje po e refuzonin Atë. Ngaqë kishin kundërshtuar me përçmim Dritën e botës, atyre do t’i mohohej drita e mësimeve të Tij. Këtej e tutje ata do t’i shihnin mrekullitë e Tij, por pa kuptuar domethënien frymërore, do t’i dëgjonin fjalët e Tij, por pa vlerësuar mësimet e thella në to. Ekziston edhe një mundësi e tillë që ta dëgjosh ungjillin për herë të fundit. Ekziston mundësia që të shkelësh ditën e hirit. Njerëzit shkojnë përtej pikës së shpengimit. Ka burra dhe gra që e kanë refuzuar Shpëtimtarin e që kurrë më s’do ta kenë mundësinë për t’u penduar e për t’u falur. Ata mund ta dëgjojnë ungjillin, por ai bie në veshë të rënduar dhe në një zemër të pandjeshme. Ne themi: “Sa ka jetë, ka shpresë,” por Bibla flet për disa që janë gjallë e megjithatë pa shpresë pendimi (Heb. 6:4-6, për shembull). 4:13 Duke u kthyer te shëmbëlltyra e mbjellësit, Zoti Jezus i pyeti dishepujt se si mund të prisnin ata që të kuptonin shëmbëlltyra më të ndërlikuara në rast se nuk mund të kuptonin këtë shëmbëlltyrë të thjeshtë. 4:14 Shpëtimtari nuk e njëjtësoi mbjellësin. Mund të ishte Ai Vetë ose ata që predikojnë si përfaqësues të Tij. Fara, tha Ai, është Fjala. 4:15-20 Llojet e ndryshme të tokave përfaqësojnë zemrat njerëzore dhe perceptueshmërinë e tyre ndaj Fjalës, si në vijim: Toka gjatë rrugës (v 15). Kjo zemër është e ngurtë. Personi, kryefortë e i pathyer, i thotë një “Jo!” të vendosur Shpëtimtarit. Satani, i simbolizuar nga zogjtë, e heq Fjalën. Mëkatari është i patundur dhe i patrazuar nga mesazhi. Ai është mospërfillës dhe i pandjeshëm ndaj tij pas kësaj. Gurishtja (v 16-17). Ky person ka një reagim të përciptë ndaj Fjalës. Ndoshta në emocionin e një thirrjeje entuziaste të ungjillit, ai bën një rrëfim të besimit në Krishtin, por është thjesht një miratim mendor. Nuk ka angazhim real të personit ndaj Krishtit. Ai e pranon Fjalën me gëzim. Do të ishte më mirë sikur ai ta pranonte atë me pendim dhe keqardhje të thellë. Duket sikur ecën shkëlqyeshëm për ca kohë, por kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të rrëfimit të tij, ai vendos që çmimi është tepër i lartë dhe braktis gjithçka. Ai deklaron se është i krishterë për sa kohë që është e suksesshme ta bëjë këtë, por përndjekja nxjerr në pah jorealitetin e tij. Toka me ferra (v 18-19). Edhe këta njerëz bëjnë një nisje premtuese. Nga çdo anë e pamjes së jashtme, ata duken si besimtarë të vërtetë, por pastaj ata fillojnë të shqetësohen me punët, me telashet e botës dhe me lakminë për t’u bërë të pasur. Ata humbasin interesin në gjërat frymërore derisa përfundimisht braktisin çdo pohim se janë të krishterë. Toka e mirë (v 20). Këtu kemi një pranim të qartë të Fjalës, të kushtojë sa të kushtojë. Këta njerëz janë vërtet të lindur sërish. Ata janë vartës besnikë të Krishtit Mbret. As bota, as mishi dhe as djalli s’munden ta tundin besimin e tyre tek Ai. Edhe në mesin e dëgjuesve tokë-mirë ka nivele të ndryshme frytshmërie. Një jep tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë e tjetri njëqind. Çfarë përcakton shkallën e prodhimtarisë? Jeta që është më prodhimtare është ajo që i bindet Fjalës në vend, pa e diskutuar dhe me gëzim.

E. Përgjegjësia e atyre që dëgjojnë (4:21-25)

4:21 Llamba, në këtë rast, përfaqëson të vërtetën që Zoti u kumtoi dishepujve të Tij. Këto të vërteta nuk ishin për t’u vënë nën babunë ose nën shtrat, por jashtë që njerëzit t’i shikonin. Babuna mund të simbolizojë afarizmin, i cili, nëse lejohet, do të vjedhë kohën që duhej t’i ishte dhënë gjërave të Zotit. Shtrati mund të flasë për rehati dhe përtaci, që të dyja armike të ungjillëzimit. 4:22 Jezusi u foli turmave me anë të shëmbëlltyrave. E vërteta e nëntëshme ishte e fshehur. Por qëllimi hyjnor ishte që dishepujt t’ua shpjegonin ato të vërteta të fshehura zemrave të gatshme. Megjithatë, vargu 22 mund të dojë të thotë gjithashtu se dishepujt duhet të shërbejnë në kujtim të vazhdueshëm të një dite të ardhshme manifestimi kur do të shihet nëse afarizmi apo rehatidashja do të kishin përparësi mbi dëshminë për Shpëtimtarin. 4:23 Serioziteti i këtyre fjalëve është treguar nga paralajmërimi i Zotit: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!” 4:24 Pastaj Shpëtimtari shtoi një tjetër paralajmërim serioz: “Vini re atë që dëgjoni.” Në qoftë se dëgjoj ndonjë urdhërim nga Fjala e Perëndisë, por neglizhoj t’i bindem asaj, unë nuk mund t’ia kaloj atë të tjerëve. Çfarë i jep fuqi dhe qëllim mësimit është fakti kur njerëzit e shohin të vërtetën në jetën e predikuesit. Çfarëdo që ne ndajmë kur ndajmë me të tjerët të vërtetën, kthehet te ne me interes të shtuar. Zakonisht mësuesi di më shumë në përgatitjen e një leksioni sesa nxënësit. Dhe shpërblimi i ardhshëm do të jetë më i madh sesa shpenzimi ynë i vogël. 4:25 Sa herë që fitojmë një të vërtetë të re dhe e lejojmë atë të bëhet realitet në jetën tonë, ne jemi të sigurt se do të na jepet më shumë e vërtetë. Nga ana tjetër, neglizhimi për t’iu përgjigjur të vërtetës rezulton në një humbje të asaj që ishte siguruar më parë.

F. Shëmbëlltyra e farës që rritet (4:26-29)

Kjo shëmbëlltyrë gjendet vetëm te Marku. Ajo mund të interpretohet të paktën në dy mënyra. Njeriu mund të përshkruajë Zotin Jezus duke hedhur farën mbi tokë gjatë shërbesës së Tij publike, pastaj duke u kthyer në qiell. Fara fillon të rritet në mënyrë misterioze, pa u ndjerë, por në mënyrë të pathyeshme. Nga një fillim i vogël fitohet një e korrë besimtarësh të vërtetë. Kur fryti piqet, të korrat do të çohen te hambari qiellor. Përndryshe, shëmbëlltyra mund të kuptohet si inkurajim për dishepujt. Përgjegjësia e tyre është që të mbjellin farën. Natën dhe ditën, ata mund të flenë e të çohen, duke ditur se Fjala e Perëndisë nuk do të kthehet bosh tek Ai, por do të kryejë çfarë Ai ka patur ndër mend që ajo të bëjë. Përmes një procesi misterioz e të mrekullueshëm, krejt larg forcës dhe mjeshtërisë së njeriut, Fjala vepron në zemrat njerëzore, duke prodhuar fryt për Perëndinë. Njeriu mbjell dhe ujit, por Perëndia shkakton rritjen. Vështirësia me këtë interpretim qëndron në vargun 29. Vetëm Perëndia mund të zgjasë drapërin në kohën e korrjes. Në këtë shëmbëlltyrë, i njëjti njeri që mbjell farën i vë drapërin grurit kur është pjekur.

G. Shëmbëlltyra e farës së sinapit (4:30-34)

4:30-32 Kjo shëmbëlltyrë përshkruan rritjen e mbretërisë nga një fillim i vogël sa një farë sinapi te një pemë ose shkurre aq e madhe saqë zogjtë të zënë vend në të. Mbretëria filloi me një pakicë të vogël e të përndjekur. Pastaj ajo u përhap më shumë dhe u përqafua nga disa qeveri si fe shtetërore. Kjo rritje ishte e mahnitshme, por e pashëndetshme, ngaqë një shumicë e saj përbëhej nga njerëz që i bënin shërbim me fjalë Mbretit, por nuk ishin vërtet të kthyer. Sikurse tha Vance Havner:
Për sa kohë që Kisha mbarti vurratat, ata përparuan. Kur filluan të mbanin medalje, kauza u venit. Ishte një ditë më e madhe për Kishën kur të Krishterët ishin ushqim për luanët se sa kur ata blenë bileta dhe u ulën në koloseum si spektatorë [7].
Prandaj shkurrja e sinapit përshkruan Krishterimin që deklaron se është tillë, i cili është bërë një vend-strehim për të gjitha llojet e mësuesve të rremë. Është trajta e jashtme e mbretërisë sikurse ekziston sot. 4:33-34 Vargjet 33 dhe 34 na bëjnë të njohur një parim të rëndësishëm në mësim. Jezusi i mësoi njerëzit ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë. Ai ndërtoi mbi njohjen e tyre të mëparshme, duke u lënë kohë atyre që ta përvetësonin një mësim përpara se t’u jepte tjetrin. I ndërgjegjshëm për aftësinë e dëgjuesve të Tij, Ai nuk i mbushi ata me më shumë instruksion sesa ç’mund të thithnin (shih gjithashtu Gjoni 16:12 dhe 1 e Korintasve 3:2, Heb. 5:12): Metoda e disa predikuesve mund të na bëjë të mendojmë se Krishti ka thënë: “Ushqeji xhirafat e mia [për shkakun e qafës së gjatë që përdoret si një hinkë]” e jo “Ushqeji delet e mia!” Megjithëse mësimi i Tij i përgjithshëm ishte në shëmbëlltyra, Ai ua shpjegonte ato më vete dishepujve të Tij. Ai u jep dritë atyre që e dëshirojnë sinqerisht atë.

H. Era dhe valët i shërbejnë Shërbëtorit (4:35-41)

4:35-37 Po atë ditë, si u ngrys, Jezusi dhe dishepujt e Tij u nisën përtej detit të Galilesë drejt bregut lindor. Ata nuk kishin bërë ndonjë përgatitje të mëparshme. Barka të tjera të vogla i ndiqnin pas. Pastaj papritmas shpërtheu me furi një furtunë e madhe. Valë tepër të mëdha rrezikonin përmbytjen e barkës. 4:38-41 Jezusi po flinte në kiç të anijes. Dishepujt, të tërbuar, e zgjuan Atë duke e qortuar për mungesën e shqetësimit në dukje në lidhje me sigurinë e tyre. Zoti u zgjua, qortoi erën dhe valët. Qetësia ishte e menjëhershme dhe e plotë. Pastaj Jezusi i qortoi shkurt ndjekësit e Tij për frikën dhe mosbesimin e tyre. Ata ishin të shtangur nga mrekullia. Megjithëse e dinin se kush ishte Jezusi, ata ishin prekur rishtas nga pushteti i Atij që mund të kontrollonte forcat e natyrës. Ngjarja zbulon anën njerëzore dhe hyjnore të Zotit Jezus. Ai fjeti në kiçin e barkës; kjo është ana njerëzore e Tij. Ai foli dhe deti u fashit; kjo është ana hyjnore e Tij. Ajo demonstron pushtetin e Tij mbi natyrën, sikurse mrekullitë e mëparshme treguan pushtetin e Tij mbi sëmundjet dhe demonët. Së fundi, ajo na trimëron të shkojmë te Jezusi gjatë të gjitha stuhive të jetës, duke ditur se barka s’mund të fundoset kurrë kur Ai është në të.

Ti je Zoti që mori një sy gjumë; Ti je Zoti që zbuti detin plot furi; A ka stuhi apo tallaz që të na tundë, Nëse bashkë me ne në barkë je dhe Ti? – Amy Carmichael

I. Shërimi i gadarenasit të demonizuar (5:1-20)

5:1-5 Krahina e Gadarenasve [8]ishte në anën lindore të detit të Galilesë. Atje Jezusi ndeshi në një njeri jashtëzakonisht të dhunshëm të pushtuar nga demonët, një tmerr për shoqërinë. Çdo përpjekje për ta bërë zap kishte dështuar. Ai jetonte në varreza e nëpër male duke ulëritur vazhdimisht dhe duke e çarë veten me gurë të mprehtë. 5:6-13 Kur i demonizuari e pa Jezusin, në fillim ai veproi me respekt. Pastaj u ankua me ashpërsi. “Sa pamje e vërtetë dhe e tmerrshme është kjo: një njeri i përkulur në adhurim, kërkesë dhe besim e megjithatë urrejtës, armiqësor e i frikësuar; një personalitet i dyfishtë, duke dëshiruar fort lirinë e megjithatë pa hequr dorë nga zemërimi” (Scripture Union Notes). Renditja e përpiktë e ngjarjeve është e paqartë, por ajo mund të ketë qenë si në vijim:
  1. I demonizuari bëri një akt përkuljeje të thellë ndaj Zotit Jezus (v 6).
  2. Jezusi e urdhëroi atë frymëndyrë të dilte jashtë prej tij (v 8).
  3. Fryma, duke folur nëpërmjet njeriut, njohu kush ishte Jezusi, sfidoi të drejtën e Tij për të ndërhyrë dhe iu lut me betim që të mos e mundonte (v 7).
  4. Jezusi pyeti se cili ishte emri i njeriut. Ai ishte Legjion, që donte të thoshte se tek ai banonin shumë demonë (v 9). Në dukje kjo nuk bie në kontradiktë me vargun 2 ku thuhet se ai kishte një frymë të ndyrë (njëjës).
  5. Ndoshta ishte zëdhënësi i demonëve ai që kërkoi leje që të hynin në një tufë derrash (v 10-12).
  6. Leja u dha dhe vijoi që të dy mijë derrat morën tatëpjetën shpatit të malit dhe u mbytën në det (v 13).
Shpesh Zoti është kritikuar se ishte ai që shkaktoi fundin e këtyre derrave. Disa pika duhen vërejtur:
  1. Nuk ishte Zoti Ai që shkaktoi shkatërrimin. Ai e lejoi atë. Ishte fuqia shkatërruese e Satanit ajo që çoi në asgjësimin e derrave.
  2. Nuk shënohet ankim nga ana e pronarëve të tyre. Ndoshta ata ishin judenj për të cilët mbajtja e derrave ishte e ndaluar.
  3. Shpirti i njeriut kishte vlerë më shumë se sa të gjithë derrat e botës.
  4. Sikur të dinim aq sa Jezusi dinte, ne do të kishim vepruar pikë për pikë në të njëjtën mënyrë siç bëri Ai.
5:14-17 Ata që panë vetë fundin e derrave u kthyen me vrap në qytet duke çuar lajmin. Një turmë u kthye dhe e gjeti ish të demonizuarin ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull. Njerëzit kishin frikë. Dikush ka thënë: “Njerëzit ishin të frikësuar kur Ai fashiti stuhinë në det, ndërsa tani në një shpirt njerëzor.” Dëshmitarët ua treguan me hollësi të gjithë ngjarjen të sapombërriturve. Ishte tepër për masën. Ata iu lutën Jezusit që të largohej nga krahina. Ky fakt dhe jo shkatërrimi i derrave është pjesa tronditëse e ndodhisë. Krishti ishte tepër i shtrenjtë për të qenë një mik! “Turma të panumërta ende dëshirojnë që Krishti të jetë larg tyre nga frika se mos shoqërimi me Të mund të shkaktojë ndonjë farë humbjeje shoqërore, financiare apo vetjake. Duke kërkuar të shpëtojnë të mirat e tyre, ata humbasin shpirtrat e tyre” (E zgjedhur). 5:18-20 Ndërsa Jezusi po largohej me barkë, burri i shëruar i lutej që të bëhej shoqërues i Tij. Ishte një kërkesë për t’u lavdëruar që tregonte jetën e tij të re, por Jezusi e dërgoi atë në shtëpi si dëshmitar të gjallë të mëshirës e të fuqisë së madhe të Perëndisë. Burri u bind dhe e çoi lajmin e mirë në Dekapolis, një zonë që përfshinte dhjetë qytete. Kjo është një renditjen e drejtë për të gjithë ata që kanë përjetuar hirin shpëtues të Perëndisë: “Shko në shtëpinë tënde, te të tutë dhe u trego atyre çfarë gjërash të mëdha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty.” Ungjillëzimi fillon në shtëpi!

J. Shërimi i të pashëruarës dhe ringjallja e të vdekurës (5:21-43)

5:21-23 Kur u kthye në bregdetin perëndimor të Galilesë së kaltër, Zoti Jezus u gjend shpejt ne mesin e një turme të madhe. Si i tërbuar, një baba erdhi duke vrapuar drejt Tij. Quhej Jair dhe ishte një nga krerët e sinagogës. Vajza e tij e vogël ishte duke vdekur. A do të pranonte Jezusi të shkonte e të vinte duart mbi të që ajo të shërohej? 5:24 Zoti u përgjigj dhe u nis për te shtëpia. Një mori njerëzish e ndiqte duke iu ngjeshur. Është interesante që menjëherë pas pohimit për turmën që i ngjeshet, ne kemi një përshkrim besimi që e prek Atë për shërim. 5:25-29 Një grua e shushatur e pengoi Jezusin gjatë rrugës për në shtëpinë e Jairit. Zoti ynë as nuk u mërzit dhe as nuk u bezdis nga kjo ndërprerje në dukje. Si reagojmë ne ndaj ndërprerjeve?
Mendoj se është me shumë dobi përpjekja për t’i vështruar të gjitha ndërprerjet dhe pengesat ndaj punës, që personi ka planifikuar për veten e tij, si disiplinë, si sprova të dërguara nga Perëndia për ta ndihmuar personin që të mos bëhet egoist me punën e tij. Nuk është harxhim i kotë i kohës, sikurse tundohemi të mendojmë. Ajo është pjesa më e rëndësishme e punës së ditës, pjesa që personi mund t’ia ofrojë më së miri Perëndisë (Choice Gleanings Calendar – Kalendar kallinjsh të zgjedhur).
Kjo grua kishte vuajtur nga një rrjedhje kronike e gjakut që prej dymbëdhjetë vjetësh. Mjekët e ndryshëm, tek të cilët ajo kishte shkuar, me sa duket kishin përdorur disa trajta të ashpra trajtimi, ia kishin shteruar financat dhe e kishin lënë atë jo më mirë por më keq. Kur shpresa për ta marrë veten kishte marrë fund, dikush i kishte folur asaj për Jezusin. Pa humbur kohë, ajo u nis për ta gjetur Atë. Duke i hapur rrugë vetes midis turmës, ajo preku cepin e rrobës së Tij. Rrjedhja e gjakut u ndal menjëherë dhe ajo e ndjeu veten krejt mirë. 5:30 Plani i saj ishte që të largohej pa u vënë re në heshtje, por Zoti nuk do ta linte atë që të humbiste bekimin e njohjes dhe të pranimit publik të Shpëtimtarit të saj. Ai kishte qenë i vetëdijshëm për një dalje të fuqisë hyjnore kur ajo e kishte prekur. Atij i kishte kushtuar diçka për ta shëruar. Kështu që Ai pyeti: “Kush m’i preku rrobat?” Ai e dinte përgjigjen, por pyeti me qëllim që ta bënte atë të dilte përpara turmës. 5:31 Dishepujt e Vet menduan se pyetja ishte naive. Shumë njerëz po e shtynin Atë vazhdimisht. Pse të pyetej: “Kush më preku?” Por ka një ndryshim midis prekjes së afërsisë fizike dhe prekjes së besimit të dëshpëruar. Ekziston mundësia që të jesh gjithnjë kaq pranë Tij, por është e pamundur ta prekësh Atë me anë të besimit pa dijeninë e Tij dhe pa u shëruar. 5:32-33 Gruaja doli para plot frikë e duke u dridhur. Ajo i ra ndër këmbë dhe e rrëfeu Jezusin për herë të parë publikisht. 5:34 Pastaj Ai i tha fjalë që japin siguri shpirtit të saj. Rrëfimi i hapur i Krishtit ka rëndësi të jashtëzakonshme. Pa të nuk mund të rritesh sa duhet në jetën e krishterë. Ndërsa marrim qëndrimin tonë me guxim për Të, Ai i përmbyt zemrat tona me siguri të plotë besimi. Fjalët e Zotit Jezus jo vetëm që ripohuan shërimin fizik të saj, por pa dyshim që përfshinë edhe bekimin e madh të shpëtimit të shpirtit gjithashtu. 5:35-38 Në këtë kohë kishin ardhur disa lajmëtarë me lajmin që bija e Jairit kishte vdekur. Nuk ishte nevoja të çohej Mësuesi. Plot hir, Zoti e siguroi rishtas Jairin. Pastaj mori Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin te shtëpia. Ata ndeshën në vajin e papërmbajtur karakteristik të vendeve lindore në raste pikëllimi, një pjesë e tij e bërë nga vajtues të paguar. 5:39-42 Kur Jezusi i siguroi ata se vajza nuk kishte vdekur, por po flinte, lotët e tyre u kthyen në përçmim. I paepur, Ai mori familjarët e afërt aty ku ndodhej vajza. Duke e kapur për dore, Ai i tha në gjuhën aramaike: “Vajzë, ty po të them: Çohu!” Menjëherë vajza dymbëdhjetë-vjeçare u ngrit dhe filloi të ecë. Të afërmit ishin shtangur dhe padyshim që nuk mbaheshin nga gëzimi. 5:43 Zoti i ndaloi ata që ta publikonin mrekullinë. Ai nuk interesohej që të gëzonte miratimin e masave. Ai duhej të vazhdonte me vendosmëri drejt kryqit. Në qoftë se vajza kishte vdekur me të vërtetë, atëherë ky kapitull ilustron pushtetin e Jezusit mbi demonët, sëmundjen dhe vdekjen. Jo të gjithë studiuesit e Biblës mendojnë se ajo kishte vdekur. Jezusi tha se ajo nuk kishte vdekur, por që ishte duke fjetur. Ndoshta ajo ishte në një koma të thellë. Ai mund ta kishte ringjallur nga të vdekurit po aq lehtë atë, por Ai s’do të merrte nderimin për atë gjë nëse ajo thjesht ishte e pavetëdijshme. Ne s’duhet të kalojmë pa vënë re fjalët mbyllëse të kapitullit: “Ai… urdhëroi që t’i japin vajzës të hajë.” Në shërbesën frymërore, kjo do të njihej si “punë vazhdimësie”, “çuarjeje më tej”, ose “punë e dishepullimit.” Shpirtrat që kanë njohur pulsimin e jetës së re kanë nevojë të ushqehen. Një mënyrë se si një dishepull mund të shfaqë dashurinë e tij për Shpëtimtarin është duke ushqyer delet e Tij.

K. Refuzimi i Shërbëtorit në Nazaret (6:1-6)

6:1-3 Jezusi u kthye në Nazaret me dishepujt e Vet. Ishte vendlindja e Tij ku Ai kishte punuar si një zdrukthëtar. Shabatin, Ai mësoi në sinagogë. Njerëzit habiteshin dhe nuk mund të mohonin urtësinë e mësimit të Tij apo çudinë e mrekullive të Tij. Por ekzistonte një mungesë e thellë dëshire për ta njohur dhe pranuar Atë si Birin e Perëndisë. Ata e konsideronin Atë si zdrukthëtar, që ishte i biri i Marisë, vëllezërit dhe motrat e të cilit ishin ende aty. Po të ishte kthyer në Nazaret si një hero i fuqishëm fitimtar, ata mund ta kishin pranuar Atë duke qenë më të gatshëm, por Ai erdhi i thjeshtë në hir dhe në përulësi. Ata skandalizoheshin nga kjo. 6:4-6 Ishte ky rasti kur Jezusi vërejti se një profet, në përgjithësi, pritet më mirë larg shtëpisë. Të afërmit dhe miqtë që ka janë tepër afër tij që ta çmojnë personin apo shërbesën e tij. “S’ka vend më të vështirë për t’i shërbyer Zotit se sa në shtëpi.” Vetë nazarenasit ishin një popull i përçmuar. Një opinion i përhapur ishte: “A mund të vijë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?” Megjithatë, këta njerëz të përbuzur të shoqërisë e panë me përçmim Zotin Jezus. Çfarë përshkrimi mbi krenarinë dhe mosbesimin e zemrës njerëzore! Mosbesimi e pengoi shumë veprën e Shpëtimtarit në Nazaret. Ai shëroi disa njerëz të lëngatë dhe kjo ishte e tëra. Mosbesimi i njerëzve e çuditi Atë. J. G. Miller paralajmëron:
Një mosbesim i tillë ka pasoja të pafundme për keq. Ai mbyll kanalet e hirit dhe të mëshirës, në mënyrë që vetëm një çurgë të përfundojë te jetët njerëzore në nevojë [9].
Rishtas Jezusi provoi vetminë e të qenurit i keqkuptuar dhe i shpërfillur. Shumë nga ndjekësit e Tij kanë marrë pjesë në këtë dhimbje. Shpesh shërbëtorët e Zotit kanë një paraqitje shumë të përulur. A jemi në gjendje ne që të shohim përtej pamjes së jashtme e të dallojmë vlerën e vërtetë frymërore? I patrembur nga refuzimi i Tij në Nazaret, Zoti dilte nëpër fshatrat përreth e i mësonte Fjalën.

L. Shërbëtori dërgon dishepujt e tij (6:7-13)

6:7 Kishte ardhur koha që të dymbëdhjetët të futeshin në veprim. Ata kishin qenë nën mbikëqyrjen e pashoqe të Shpëtimtarit. Tani ata do të dilnin si lajmëtarë të një mesazhi të lavdishëm. Ai i dërgoi ata dy nga dy. Kështu predikimi do të vërtetohej nga goja e dy dëshmitarëve. Gjithashtu do të kishte më forcë dhe ndihmë të ndërsjellë duke udhëtuar së bashku. Së fundi, prania e dy vetave mund të ishte e dobishme në kultura ku morali ishte i ulët. Pastaj, Ai u dha pushtet mbi frymërate ndyra. Ia vlen ta shënosh këtë. Është një gjë të dëbosh demonë; vetëm Perëndia mund ta japë këtë fuqi mbi të tjerët. 6:8 Në qoftë se mbretëria e Zotit tonë do të ishte e kësaj bote, Ai nuk do t’i kishte dhënë kurrë udhëzimet që vijojnë në vargjet 8-11. Ata janë pikërisht e kundërta e asaj që udhëheqësi i mesëm i kësaj bote do të jepte. Dishepujt do të dilnin pa pajime: as trasta, as bukë, as denar në brez. Ata do të mbështetnin besimin tek Ai që do të siguronte për këto nevoja. 6:9 Atyre u ishte lejuar që të merrnin sandalet, një shkop (ky i fundit për t’u mbrojtur nga kafshët ndoshta) dhe vetëm një tunikë. Sigurisht që askush nuk do t’i lakmonte të mirat materiale të apostujve dhe as që do të tërhiqej për te Krishterimi nga perspektiva për t’u bërë i pasur. Çfarëdo fuqie që dishepujt të kishin duhej të vinte nga Perëndia. Ata ishin tërësisht të braktisur tek Ai. Ata ishin dërguar në rrethanat më të thjeshta e megjithatë përfaqësues të Birit të Perëndisë, të mbështjellë me fuqinë e Tij. 6:10 Ata duhej ta pranonin mikpritjen kudo që ajo t’u ofrohej si dhe kishin për të qëndruar aty derisa të largoheshin nga ajo zonë. Ky udhëzim i parandaloi ata që të mos i hidhnin sytë për banesa më të rehatshme. Misioni i tyre ishte të predikonin mesazhin e Atij që nuk i pëlqeu Vetvetes, që nuk ishte egoist. Ata nuk do ta komprometonin mesazhin duke kërkuar luks, rehati apo lehtësi. 6:11 Në qoftë se në një vend, dishepujt dhe mesazhi i tyre do të refuzoheshin, ata nuk ishin të detyruar të rrinin. Të bëje një gjë të tillë do të thoshte t’u hedhje derrave perla. Duke u larguar, dishepujt do të shkundnin pluhurin nga këmbët e tyre, duke simbolizuar refuzimin nga Perëndia të atyre që refuzojnë Birin e Tij të dashur. Megjithëse disa nga udhëzimet ishin të përkohshme dhe më vonë u tërhoqën nga Zoti Jezus (Luka 22:35-36), prapë se prapë ata shprehin parime të qëndrueshme për çdo epokë për shërbëtorin e Krishtit. 6:12-13 Dishepujt shkuan dhe predikonin pendimin. Ata dëbonin shumë demonë, vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin. Ne besojmë se vajosja me vaj ishte një veprim simbolik, që përshkruante fuqinë qetësuese dhe lehtësuese të Frymës së Shenjtë.

M. Prerja e kokës së pararendësit të Shërbëtorit (6:14-29)

6:14-29 Kur te mbreti Herod erdhi lajmi se një mrekullibërës po udhëtonte në vendin e tyre, ai menjëherë nxori përfundimin se ishte Gjoni që pagëzonte, i ngjallur nga të vdekurit. Të tjerët thonin se ishte Elia ose njëri nga profetët e tjerë, kurse Herodi ishte i bindur se ishte ringjallur njeriu, të cilit i kishte prerë kokën. Gjon Pagëzori kishte qenë një zë nga Perëndia. Herodi e kishte bërë të heshte atë zë. Tani, brejtja e tmerrshme e ndërgjegjes po e therte Herodin për atë që kishte bërë. Ai do të mësonte se rruga e shkelësit është e vështirë. 6:17-20 Tregimi tani kthehet në kohën e ekzekutimit të Gjonit. Pagëzori e kishte qortuar Herodin që kishte hyrë në një martesë të paligjshme me gruan e Filipit, vëllait të tij. Herodiada, tani gruaja e Herodit, u tërbua dhe u betua t’ia merrte hakun, por Herodi e respektonte Gjonin si një njeri të drejtë dhe i pengonte përpjekjet e saj. 6:21-25 Më në fund, rasti për të erdhi. Në festën e ditëlindjes së Herodit, ku merrnin pjesë njerëz me popullaritet të zonës, Herodiana kishte planifikuar që e bija të kërcente. Kjo i pëlqeu aq shumë Herodit saqë ai i premtoi vajzës se do t’i jepte gjithçka, deri gjysmën e mbretërisë së tij. E nxitur nga nëna e saj, ajo kërkoi mbi një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit. 6:26-28 Mbreti kishte rënë në kurth. Kundër vetë dëshirës së tij dhe gjykimit më të mirë, ai e plotësoi kërkesën. Mëkati e kishte thurur rrjetën e vet përreth tij dhe mbreti vasal [i komanduar nga dikush tjetër] ishte bërë viktimë e një gruaje të ligë dhe e një kërcimi epshor. 6:29 Kur dishepujt besnikë të Gjonit dëgjuan për atë që kishte ndodhur, kërkuan trupin e tij dhe e varrosën. Pastaj shkuan t’i thonin Jezusit.

N. Të ushqyerit e pesë mijë vetave (6:30-44)

6:30 Kjo mrekulli, që gjendet në të katër Ungjijtë, ndodhi në fillim të vitit të tretë të shërbesës publike të Tij. Apostujt sapo ishin kthyer në Kapernaum prej misionit predikues të parë të tyre (shih v 7-13). Ndoshta ata ishin plot sukses, ndoshta ishin të këputur dhe i kishin këmbët copë. Duke dalluar nevojën e tyre për pushim dhe qetësi, Zoti i mori ata me barkë te një zonë e veçuar e bregdetit të Galilesë. 6:31-32 Ne shpesh dëgjojmë: “Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak” të përdorur për të justifikuar pushime luksoze për të krishterët. Kelly shkroi:
Do të ishte mirë për ne nëse do të kishim nevojë kështu që të pushonim më shumë; domethënë, sikur punët tona të ishin aq të shumta dhe sikur përpjekjet tona vetëmohuese për bekimin e të tjerëve të ishin aq të vazhdueshme saqë ne të mund të ishim të sigurt se kjo ishte fjala e Zotit për ne [10].
6:33-34 Një turmë e ndoqi Zotin dhe dishepujt e Tij duke marrë rrugën gjatë bregut të liqenit. Jezusit iu dhimbsën njerëzit. Ata po endeshin rrotull pa një udhëheqje frymërore, të uritur e të pambrojtur. Dhe Ai nisi t’u mësojë atyre. 6:35-36 Ndërsa dita po mbaronte, dishepujt e Tij u bënë merak për turmën. Kaq shumë njerëz dhe asnjë gjë për të ngrënë. Ata e nxitnin Zotin që Ai t’i lejonte ata që të shkonin. E njëjta turmë që tërhoqi dhembshurinë e Shpëtimtarit ishte ajo që mërziti dishepujt. A janë njerëzit një bezdi për ne apo janë objektet e dashurisë sonë? 6:37-38 Jezusi iu kthye dishepujve dhe u tha: “U jepni ju të hanë!” E tërë kjo dukej absurde: pesë mijë burra, plus gratë dhe fëmijët dhe asgjë përveç pesë bukëve, dy peshqve — edhe Perëndisë. 6:39-44 Në mrekullinë që vijoi, dishepujt panë një figurë të mënyrës se si Shpëtimtari do të jepte Vetveten për të qenë buka e jetës për një botë që vdes urie. Trupi i Tij do të thyhej që të tjerët të kishin jetë të përjetshme. Në të vërtetë, fjalët e përdorura të çojnë aq shumë ndër mend Darkën e Zotit që përkujton vdekjen e Tij: Ai mori; Ai bekoi; Ai theu; Ai dha. Dishepujt morën mësime të çmueshme gjithashtu në lidhje me shërbimin e tyre për Të:
  1. Dishepujt e Zotit Jezus s’duhet të dyshojnë kurrë në fuqinë e Tij që parashikon për nevojat e tyre. Në qoftë se Ai mundet të ushqejë pesë mijë burra me pesë bukë dhe dy peshq, Ai mundet të parashikojë për shërbëtorët e Tij besimplotë në çdo rrethanë. Ata mund të punojnë për Të pa u shqetësuar se prej nga do të vijë ushqimi për ta. Në qoftë se së pari ata kërkojnë mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, çdo nevojë do të plotësohet.
  2. Si mund të ungjillëzohet bota që po humbet? Jezusi thotë: “U jepni ju të hanë!” Në qoftë se ne i japim Atij atë që kemi, sado e papërfillshme të duket, Ai mundet ta shumojë atë në bekim për turmat.
  3. Ai e kapi punën në një mënyrë sistematike duke e ulur turmën në grupe prej njëqind dhe pesëdhjetë vetash.
  4. Ai i bekoi dhe i theu bukët dhe peshqit. Pa u bekuar prej Tij, ato nuk do të kishin qenë kurrë një ndihmë. Pa u thyer, ato do të kishin qenë aq të pamjaftueshme. “Arsyeja pse ne nuk jemi më bujarisht të dhënë ndaj njerëzve është se ne nuk jemi të thyer plotësisht.” (E zgjedhur).
  5. Jezusi nuk e shpërndau ushqimin Vetë. Ai lejoi dishepujt e Tij që ta bënin këtë. Plani i Tij është të ushqyerit e botës përmes popullit të Tij.
  6. Kishte mjaft për të gjithë. Në qoftë se sot, besimtarët do të vinin çdo gjë mbi nevojat aktuale në veprën e Zotit, e gjithë bota mund ta dëgjonte ungjillin në këtë brez.
  7. Copat që tepruan (plot dymbëdhjetë shporta) ishin më shumë se sa ato me të cilat Ai filloi. Perëndia është një Dhurues dorëhapur. Megjithatë vërejmë që asgjë nuk u shpërdorua. Teprica u grumbullua. Shpërdorimi është një mëkat.
  8. Njëra nga mrekullitë më të mëdha nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse dishepujt do t’i kishin qëndruar planit të tyre për të pushuar. Sa shpesh ndodh kjo me ne!

O. Jezusi ecën mbi det (6:45-52)

6:45-50 Shpëtimtari mund të parashikojë jo vetëm për mbajtjen e shërbëtorëve të Tij, por edhe për sigurimin e tyre. Pasi i ktheu prapa me barkë dishepujt te bregu perëndimor i liqenit. Jezusi u ngjit në një mal për t’u lutur. Në errësirën e natës, Ai i pa ata tek po vozitnin fort përballë një ere që ishte kundër. Ai u shkoi në ndihmë duke ecur përmbi det. Në fillim, ata u tmerruan sepse menduan se ishte një fantazmë. Pastaj Ai u foli duke u dhënë siguri atyre dhe hipi në barkë. Era pushoi menjëherë. 6:51-52 Tregimi mbyllet me këtë koment: “Ata mbetën jashtëzakonisht të habitur në veten e tyre dhe u mrekulluan, sepse nuk e kishin kuptuar mrekullinë e bukëve, ngaqë zemra e tyre ishte ngurtësuar.” Duket sikur ideja është që edhe mbasi e kishin parë fuqinë e Zotit në mrekullinë e bukëve, ata prapë se prapë nuk e kuptonin që asgjë nuk ishte e pamundur për Të. Ata nuk duhej të ishin befasuar duke e parë Atë të ecte mbi ujë. Ajo nuk ishte një mrekulli më e madhe sesa ajo që ata sapo kishin parë me sytë e tyre. Mungesa e besimit shkaktoi ngurtësim zemre dhe mpirje të perceptimit frymëror. Në këtë mrekulli, Kisha ka parë një figurë të kohës së tanishme e të mbylljes së saj. Jezusi mbi mal simbolizon Krishtin në shërbesën e Tij të tanishme në qiell, duke ndërhyrë për popullin e Tij. Dishepujt simbolizojnë shërbëtorët e Tij të goditur nga stuhitë dhe sprovat e jetës. Shpejt Shpëtimtari do të kthehet te të Tijtë, do t’i çlirojë ata nga rreziku dhe ngushtica e do t’i çojë të sigurt në bregun qiellor.

P. Shërimet e Shërbëtorit në Gjenesaret (6:53-56)

Prapa, nga ana perëndimore e liqenit, Zoti ishte i rrethuar nga njerëz të sëmurë. Kudo ku Ai shkonte, njerëzit mbartnin të sëmurë nevojtarë mbi rrogozë dhe i çonin tek Ai. Sheshet u kthyen në spitale të sajuara aty për aty. Ata donin veçse t’i afroheshin aq sa të preknin cepin e rrobës së Tij. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.

Q. Tradita përballë Fjalës së Perëndisë (7:1-23)

7:1 Farisenjtë dhe skribët ishin udhëheqës fetarë judaik që kishin themeluar një sistem të gjerë traditash të imponuara me rreptësi aq të mpleksura me ligjin e Perëndisë saqë traditat kishin fituar autoritet të barabartë pothuajse me Shkrimet. Në disa raste, në të vërtetë ato ishin në kundërshtim me Shkrimet ose e dobësonin ligjin e Perëndisë. Udhëheqësit fetarë gjenin kënaqësi në imponimin e rregullave dhe njerëzit i pranonin ato pa fjalë, të kënaqur me një sistem ritesh pa realitet. 7:2-4 Këtu kemi farisenjtë dhe skribët duke e kritikuar Jezusin sepse dishepujt e Tij kishin ngrënë me duar të papastra. Kjo s’do të thotë se dishepujt nuk i lanin duart para se të hanin, por që ata nuk kalonin nëpër ritin e përpunuar të përshkruar nga tradita. Për shembull, po të mos laheshin deri te bërrylat, ata konsideroheshin ceremonialisht të ndotur. Në qoftë se ata kishin qenë në pazar, ata duhej të bënin një banjë ceremoniale. Ky sistem i ndërlikuar larjeje shtrihej deri edhe te shpëlarja e tenxhereve dhe e tiganëve. Në lidhje me farisenjtë, E. Stanley Jones shkruan:
Ata bënë gjithë atë rrugë nga Jerusalemi për ta takuar Atë dhe qëndrimet e jetës së tyre ishin aq negative dhe kritike saqë gjithçka që u ra atyre në sy ishin duart e palara. Ata s’mund të shikonin lëvizjen më të madhe të shpengimit që kishte prekur ndonjëherë planetin tonë, një lëvizje që po pastronte mendjet, shpirtrat dhe trupat e njerëzve. Sytë e tyre të mëdhenj ishin hapur fort për gjërat e vogla dhe anësore, ndërsa ishin verbuar për të mëdhatë. Kështu historia i harron ata, negativët, i harron vetëm duke i mbajtur si një sfond për këtë ndikim të fuqishëm të pozitivit Krisht. Ata lanë një kritikë; Ai la një kthim. Ata mblodhën të meta; Ai mblodhi ndjekës [11].
7:5-8 Jezusi vuri shpejt në dukje hipokrizinë e një sjelljeje të tillë. Njerëzit ishin pikërisht sikurse kishte parathënë Isaia. Ata deklaronin se kishin devotshmëri për Zotin, por brenda ishin të korruptuar. Përmes ritesh të përpunuara, ata pretendonin të adhuronin Perëndinë, por doktrinat e Biblës ata i kishin zëvendësuar me traditat e tyre. Në vend që të njihnin Fjalën e Perëndisë si të vetmin autoritet në të gjitha çështjet e besimit dhe të moralit, ata dredhonin ose kërkesat e qarta të Shkrimit i shpjegonin sipas traditës së tyre. 7:9-10 Jezusi zgjodhi një shembull për të treguar se si tradita e kishte bërë të pavlefshëm ligjin e Perëndisë. Një nga të Dhjetë Urdhërimet kërkonte që fëmijët t’i nderonin prindërit e tyre (kjo përfshinte përkujdesin për ta në rast nevoje). Dënimi me vdekje ishte dekretuar për këdo që kishte folur keq për atin ose nënën e tij. 7:11-13 Por kishte dalë një traditë judaike me emrin kurban, që donte të thoshte “i dhënë” ose “i kushtuar.” E zëmë se disa prindër judenj ishin në nevojë të madhe. Biri i tyre kishte para për t’u kujdesur për ta, por nuk donte që t’i ndihmonte. Gjithçka që duhej të bënte ishte të thoshte “Kurban,” duke nënkuptuar se paratë e tij i ishin kushtuar Perëndisë ose tempullit. Kjo e lironte atë nga çdo përgjegjësi e mëtejshme për mbajtjen e prindërve të tij. Ai mund t’i ruante paratë për një kohë të papërcaktuar dhe t’i përdorte ato në afarizëm. Nëse ato i qenë kaluar ndonjëherë tempullit, kjo s’kishte rëndësi. Kelly vëren:
Udhëheqësit kishin sajuar skemën për t’i siguruar pronat për qëllime fetare dhe për t’i qetësuar personat nga çdo shqetësim i ndërgjegjes në lidhje me Fjalën e Perëndisë… Ishte Perëndia Ai që i bëri thirrje njeriut për t’i nderuar prindërit e tij dhe që denoncoi çdo mospërfillje apo fyerje të bërë ndaj tyre. Megjithatë, nën mantelin e fesë, këtu kishte njerëz që po i shkelnin të dy këto urdhërime të Perëndisë! Këtë traditë të të thënit ‘Kurban,’ Zoti e trajton jo vetëm si një padrejtësi ndaj prindërve, por si një akt rebelimi kundër urdhërimit të shprehur të Perëndisë [12].
7:14-16 Duke filluar në vargun 14, Zoti bëri shpalljen revolucionare se jo çfarë hyn në gojën e njeriut e ndot atë (siç ishte ushqimi i ngrënë me duar të palara), por ajo që del nga njeriu (siç janë traditat që vënë mënjanë Fjalën e Perëndisë). 7:17-19 Madje edhe dishepujt ishin hutuar nga kjo. Të rritur me mësimet e DhV, disa ushqime si mishin e derrit, të lepurit e të karkalecit ata i kishin konsideruar gjithmonë të papastra dhe ndotëse. Tani Jezusi shpalli qartë se njeriu nuk ndotej nga çfarë hynte brenda tij. Në një kuptim, kjo shënonte fundin e dispensacionit ligjor. 7:20-23 Është çfarë del nga zemra ajo që e ndot një person: mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Në kontekst, ideja është që edhe tradita njerëzore duhet renditur këtu. Tradita e Kurbanit ishte njëlloj si vrasja. Prindërit mund të vdisnin urie përpara se ky zotim i lig të anulohej. Njëri nga mësimet më të mëdha në këtë pasazh është që ne duhet të vëmë vazhdimisht në provë çdo mësim dhe çdo traditë me anë të Fjalës së Perëndisë, duke iu bindur asaj që është nga Perëndia dhe duke refuzuar atë që është nga njeriu. Në fillim një njeri mund të japë mësim e të predikojë një mesazh të qartë shkrimor, duke fituar pranimin e besimtarëve biblik. Me ta fituar këtë pranim, ai fillon të shtojë ca mësim njerëzor. Ndjekësit e devotshëm të tij, që kanë arritur në pikën sa të mendojnë se ai s’mund të gabojë, e ndjekin atë verbërisht edhe nëse mesazhi i tij topit tehun e mprehtë të Fjalës apo dobëson kuptimin e saj të qartë. Në këtë mënyrë kishte ndodhur që skribët dhe farisenjtë kishin fituar autoritet si mësues të Fjalës. Por tani ata ishin duke zhvlerësuar kuptimin e Fjalës. Zotit Jezus iu desh t’i paralajmëronte njerëzit se është Fjala ajo që i akrediton njerëzit e jo njerëzit ata që akreditojnë Fjalën. Guri i madh i provës duhet të jetë gjithmonë ky: “Çfarë thotë Fjala?”

R. Një pagane bekohet për besimin e saj (7:24-30)

7:24-25 Në ngjarjen e mëparshme, Jezusi tregoi se të gjitha ushqimet janë të pastra. Këtu Ai demonstron se paganët nuk janë më të rëndomtë apo të papastër. Tani Jezusi udhëtoi në veri-perëndim të krahinës së Tiros dhe të Sidonit, gjithashtu të njohur si Sirofeniki. Ai kërkoi të hynte fshehurazi në një shtëpi, por fama i kishte paraprirë Atij, kështu që prania e Tij u mor vesh shpejt. Një grua pagane erdhi tek Ai, duke i kërkuar ndihmë për vajzën e saj të demonizuar. 7:26 Ne theksojmë faktin që ajo ishte një greke, jo një judease. Judenjtë, populli i zgjedhur i Perëndisë, zinin një vend privilegji të veçantë përpara Perëndisë. Ai kishte bërë besëlidhje të mrekullueshme me ta, u kishte besuar Shkrimet dhe kishte banuar me ta në tabernakull e më vonë në tempull. Në kontrast me këtë, paganët ishin të huaj nga e mira komuniteti të Izraelit, ishin të panjohur nga besëlidhjet e premtimit, pa Krishtin, pa shpresë, pa Perëndinë në botë (Efesianeve 2:11-12). Zoti Jezus erdhi kryesisht te kombi i Izraelit. Ai e prezantoi Vetveten si Mbret për atë komb. Ungjilli iu predikua së pari shtëpisë së Izraelit. Ka rëndësi ta kemi parasysh këtë në mënyrë që të kuptojmë marrëdhënien e Tij me gruan sirofenikase. Kur ajo i kërkoi që ta dëbonte demonin nga e bija, Ai u duk sikur po e refuzonte atë. 7:27 Jezusi i tha se më parë duhet të ngopenfëmijët (izraelitët) dhe se nuk ishte e arsyeshme që të merrej buka e fëmijëve e t’u hidhej këlyshëve të qenve (paganëve). Përgjigjja e Tij nuk ishte një refuzim. Ai tha: “Lëri më parë fëmijët të ngopen.” Kjo mund të duket e vrazhdë. Në të vërtetë ishte një provë e pendimit dhe e besimit të saj. Shërbesa e Tij në atë kohë ishte e drejtuar kryesisht te judenjtë. Si pagane, ajo s’kishte çfarë të pretendonte prej Tij apo nga të mirat e Tij. A do ta pranonte ajo këtë të vërtetë? 7:28 Ajo e pranoi në fakt, duke thënë: “Mirë po flet, o Zot. Unë s’jam veçse një këlysh qenërish paganë, por unë kam parë se konet [të vegjlit e qenve] dinë të hanë thërrimet që fëmijët hedhin nën tryezë. Kjo është gjithçka që kërkoj: disa thërrime të shtyra nga shërbesa jote te judenjtë!” 7:29-30 Ky besim ishte i pazakonshëm. Zoti e shpërbleu atë aty për aty duke e shëruar vajzën në largësi. Kur gruaja shkoi në shtëpi, e bija e kishte marrë krejtësisht vetveten.

S. Shërimi i një shurdhmemeci (7:31-37)

7:31-32 Nga bregu mesdhetar, Zoti ynë u kthye nga bregu lindor i detit të Galilesë, zona e njohur me emrin Dekapolis. Atje ndodhi diçka që është shënuar vetëm tek Ungjilli i Markut. Miq të interesuar i paraqitën një të shurdhër që mezi fliste. Ndoshta kjo e metë ishte shkaktuar nga një deformim fizik ose nga fakti që, duke mos i dëgjuar kurrë tingujt qartë, ai s’mund t’i riprodhonte ato si duhej. Sidoqoftë, ai përshkruan mëkatarin, shurdh ndaj zërit të Perëndisë dhe si rrjedhojë të paaftë për t’u folur të tjerëve rreth Tij. 7:33-34 Së pari Jezusi e mori njeriun veçmas personalisht. Ia shtiu gishtërinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën, duke i thënë njeriut, nëpërmjet këtij komunikimi me shenja, se Ai po i hapte veshët dhe po i zgjidhte gjuhën. Pastaj Jezusi vështroi nga qielli, duke treguar se fuqia e Tij ishte nga Perëndia. Psherëtima e Tij shprehte pikëllimin e Tij për vuajtjen që mëkati kishte sjellë mbi njerëzimin. Në fund Ai tha: “Effatha,” fjala aramaike që ka kuptimin: “Hapu!” 7:35-36 Njeriu fitoi menjëherë dëgjimin dhe të folurën normale. Zoti u kërkoi njerëzve që të mos e publikonin mrekullinë, por ata nuk i përfillën udhëzimet e Tij. Mosbindja nuk mund të justifikohet kurrë, pavarësisht se sa dashamirës mund të jenë personat. 7:37 Spektatorët ishin të habitur nga veprat e Tij të mrekullueshme. Ata thanë: “Ai çdo gjë e ka bërë mirë; Ai bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!” Ata nuk e njihnin të vërtetën e asaj që thonin. Po të kishin jetuar në këtë anë të Kalvarit, ata do ta kishin thënë atë me bindje dhe ndjenjë akoma më të thellë.

Që kur shpirtrat tanë mësuan dashurinë e Tij Oh çfarë mëshirash na ka bërë të provojmë Ai, Mëshira që kalojnë çdo lavdërim; Jezusi ynë çdo gjë e ka bërë mirë. – Samuel Medley

T. Të ushqyerit e katër mijë vetave (8:1-10)

8:1-9 Kjo mrekulli i ngjason të ushqyerit të pesë mijë vetave, por megjithatë vër re ndryshimet në tabelën e mëposhtme:
5000 VETAT 4000 VETAT
Njerëzit ishin judenj (shih Gjoni 6:14-15). Ka mundësi që njerëzit të kenë qenë paganë (ata jetonin në Dekapolis).
Turma kishte qenë me Jezusin një ditë (Mr. 6:35). Kjo turmë kishte qenë me Të për tre ditë (Mr. 8:2).
Jezusi përdori pesë bukë e dy peshq (Mt. 14:17). Ai përdori shtatë bukë dhe disa peshq të vegjël (Mr. 8:5, 7).
Pesë mijë burra plus gra e fëmijë qenë ushqyer (Mt. 14:21). Katër mijë burra plus gra e fëmijë qenë ushqyer (Mt. 15:38).
Dymbëdhjetë shporta dore u mbushën me çfarë teproi (Mt. 14:20). Shtatë shporta ose kanistra xunkthi u mbushën me çfarë teproi (Mr. 8:8).
Sa më pak që iu desh Jezusit të punonte, aq më shumë kreu Ai dhe aq më shumë bëri që të tepronte. Në kapitullin 7, ne pamë thërrime të bien nga tryeza te një grua pagane. Në këtë rast një shumicë paganësh ushqehet me bollëk. Erdman komenton:
Mrekullia e parë në këtë periudhë nënkuptoi se thërrimet e bukës mund të bien nga tryeza për paganët nevojtarë; në këtë rast ato mund të jenë një nënkuptim që Jezusi, i refuzuar nga vetë populli i Tij, ka për të dhënë jetën e Tij për botën dhe ka për të qenë Buka e gjallë për të gjitha kombet [13].
Ekziston rreziku i trajtimit të ndodhive si të ushqyerit e të katër mijë vetave si një përsëritje e pavlerë. Ne duhet t’i afrohemi studimit të Biblës me bindjen se çdo fjalë e Shkrimit është e mbushur me të vërtetën frymërore, edhe në qoftë se ne s’mund ta shohim atë në gjendjen tonë të sotme të kuptueshmërisë. 8:10 Nga Dekapoli, Jezusi dhe dishepujt e Vet kaluan detin e Galilesë drejt anës perëndimore, te një vend i quajtur Dalmanuta (Magdala te Mt. 15:39).

U. Farisenjtë kërkojnë një shenjë nga qielli (8:11-13)

8:11 Farisenjtë ishin duke e pritur Atë, për t’i kërkuar një shenjë nga qielli. Verbimi dhe guximi i tyre ishte tepër i madh. Duke qëndruar përballë tyre ishte Shenja më e madhe se çdo shenjë, Vetë Zoti Jezus. Ai ishte vërtet një Shenjë që kishte ardhur nga qielli, por ata nuk e kishin çmuar Atë. Ata dëgjuan fjalët e Tij të pashembullta, panë mrekullitë e Tij të mahnitshme, ranë në kontakt me një Njeri krejt të pamëkatë, Perëndia i shfaqur në mish, e megjithatë në verbërinë e tyre kërkuan për një shenjë nga qielli! 8:12-13 Pa dyshim që Shpëtimtari psherëtiu thellë! Nëse kishte ndonjë brez në historinë e botës që ishte privilegjuar, ai ishte brezi judeas, pjesë e të cilit ishin ata farisenj. Megjithatë, të verbuar ndaj dëshmisë më të qartë që Mesia ishte shfaqur, ata kërkuan një mrekulli në qiejt më tepër se sa mbi tokë. Jezusi ishte duke thënë: “Nuk do të ketë ndonjë shenjë më shumë. Ju e keni patur shansin tuaj.” Pasi hipi përsëri në barkë, ata lundruan nga lindja.

V. Majaja e farisenjve dhe e Herodit (8:14-21)

8:14-15 Gjatë udhëtimit, dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete. Megjithatë, Jezusi po mendonte ende për takimin e Tij me farisenjtë, kur Ai i paralajmëroi ata që të ruheshin nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit. Majaja në Bibël është një tip i qëndrueshëm i së keqes, që përhapet ngadalë dhe pa zhurmë e që vepron në çdo gjë që prek. Majaja e farisenjve përfshin shtirjen, ritualizmin, vetë-drejtësinë dhe fanatizmin. Farisenjtë kishin pretendime të mëdha për shenjtëri nga ana e jashtme, por nga brenda ishin të korruptuar e të pahijshëm. Majaja e Herodit mund të përfshijë skepticizmin, imoralitetin dhe natyrën materialiste. Herodianët ishin të shquar për këto mëkate. 8:16-21 Dishepujt nuk e kapën fare. Gjithçka që ata menduan ishte vetëm ushqimi. Kështu që Ai u drejtoi atyre nëntë pyetje të shpejta. Pesë të parat u hoqën atyre vërejtje për mungesë mprehtësie. Katër të fundit i qortuan ata në lidhje me shqetësimin për plotësimin e nevojave të tyre për sa kohë që Ai ishte me ta. A nuk i kishte ushqyer Ai të pesë mijtë me pesë bukë, duke bërë që të tepronin dymbëdhjetë kosha? Po! A nuk i kishte ushqyer Ai të katër mijtë me shtatë bukë, duke bërë që të tepronin shtatë kanistra të mbushur plot? Po, Ai i kishte ushqyer. Atëherë pse nuk e kuptonin ata se Ai ishte aq fort i zoti për të plotësuar nevojat e një grushti dishepujsh në një barkë? A nuk e kishin kuptuar ata se Krijuesi dhe Mbajtësi i gjithësisë ishte në barkë me ta?

X. Shërimi i njeriut të verbër në Betsaida (8:22-26)

Kjo mrekulli, që gjendet vetëm te Marku, ngre disa çështje interesante. Së pari, pse Jezusi e nxori njeriun jashtë fshatit përpara se ta shëronte? Pse nuk e shëroi thjesht duke e prekur atë njeri? Pse të përdorej një mjet aq origjinal si pështyma? Pse nuk iu kthye të parit në mënyrë të shkëlqyer menjëherë? [14]. Ky është i vetmi shërim ndër Ungjij që ndodhi në mënyrë të shkallëzuar. Së fundi, pse nuk e lejoi Jezusi njeriun që të tregonte për mrekullinë në fshat? Zoti ynë është sovran dhe nuk është i detyruar të na japë llogari për veprimet e Tij? Kishte një arsye të vlefshme për çdo gjë që Ai bëri, megjithëse ne mund të mos e perceptojmë atë. Çdo rast shërimi është i ndryshëm ashtu sikurse është çdo rast kthimi. Disa fitojnë shikim frymëror që spikat, sapo ata kthehen. Disa të tjerë shohin turbullt në fillim, pastaj më vonë hyjnë në sigurinë e plotë të shpëtimit.

Y. Rrëfimi i madh i Pjetrit (8:27-30)

Dy paragrafët e fundit të këtij kapitulli na çojnë te vija e nivelit maksimal të stërvitjes së të dymbëdhjetëve. Dishepujt kishin nevojë të kishin një vlerësim të thellë vetjak të faktit se kush është Jezusi para se Ai të mund të ndante me ta shtegun që ishte përpara dhe t’i ftonte ata që ta ndiqnin në një jetë përkushtimi dhe flijimi. Ky pasazh na shpie te zemra e dishepullimit. Ndoshta ai është fusha më e neglizhuar në mendimin dhe në praktikën e krishterë të sotme. 8:27-28 Jezusi dhe dishepujt e Tij kërkuan të rrinin të vetëm në veriun e largët. Udhës për ne Cezare të Filipit, Ai hapi bisedën duke pyetur se çfarë thoshte opinioni publik për Të. Në përgjithësi, njerëzit po e pranonin se Ai ishte një njeri i madh, njëlloj si Gjon Pagëzori, Elia dhe profetët e tjerë. Por nderimi i njerëzve në të vërtetë është çnderim. Në qoftë se Jezusi nuk është Perëndi, atëherë Ai është një mashtrues, një i çmendur ose një legjendë. Nuk ka mundësi tjetër. 8:29-30 Atëherë Zoti, me ton plot nënkuptim, u kërkoi dishepujve vlerësimin e tyre për Të. Pa ngurruar Pjetri deklaroi se Ai ishte Krishti, Mesia, që do të thotë Mesia ose i Vajosuri. Nga ana intelektuale, Pjetri e kishte ditur këtë, por diçka kishte ndodhur në jetën e tij, kështu që tani ekzistonte një bindje e thellë vetjake. Jeta s’mund të ishte kurrë e njëjta përsëri. Pjetri s’mund të ishte kurrë i kënaqur me një jetë egoiste. Nëse Krishti ishte Mesia, atëherë Pjetri duhet të jetojë për Të në braktisje të plotë.

Z. Shërbëtori parathotë vdekjen dhe ringjalljen e Tij (8:31-38)

Deri tani ne e kemi vështruar Shërbëtorin e Jehovës në një jetë shërbimi papushim për të tjerët. Ne e kemi parë Atë të urryer nga armiqtë e Tij dhe të keqkuptuar nga armiqtë e Tij. Ne kemi parë një jetë fuqie dinamike, përsosmërie morale dhe dashurie e përulësie të plotë. 8:31 Por shtegu i shërbimit ndaj Perëndisë të çon në vuajtje dhe në vdekje. Kështu Shpëtimtari ua tha sheshit tani dishepujve se Ai duhet (1) të vuajë; (2) të hidhet poshtë; (3) të vritet; (4) të ringjallet. Për Të, shtegu për në lavdi më parë do të drejtohej te kryqi dhe varri. “Zemra e shërbimit do të zbulohej në flijim” sikurse e thotë F.W.Grant. 8:32-33 Pjetri nuk mund ta pranonte idenë se Jezusit do t’i duhej të vuante e të vdiste. Kjo do të ishte në kundërshtim me imazhin e tij në lidhje me Mesian. Ai as që donte të mendonte se Zoti dhe Mësuesi i tij do të vritej nga armiqtë e Tij. Ai i hoqi vërejtje Shpëtimtarit që sugjeroi një gjë të tillë. Në atë çast Jezusi i tha Pjetrit: “Largohu nga unë, Satan, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve.” Jo se Jezusi po e akuzonte Pjetrin se ishte Satani apo sepse ai banohej nga Satani. Ai donte të thoshte: “Ti po flet sikurse Satani do të fliste. Ai gjithmonë përpiqet të na shkurajojë ne në lidhje me bindjen e plotë ndaj Perëndisë. Ai na tundon ne që të ndërmarrim një shteg të lehtë për te Froni.” Fjalët e Pjetrit ishin satanike në origjinë dhe në përmbajtje dhe kjo shkaktoi indinjatën e Zotit. Kelly komenton:
Çfarë ishte ajo që aq shumë e nxiti Zotin tonë? Pikërisht gracka para së cilës ne të gjithë jemi aq të zbuluar: dëshira për të shpëtuar veten; parapëlqimi i një shtegu të lehtë për te kryqi. Nuk është e vërtetë që në mënyrë të natyrshme ne na pëlqen t’i shpëtojmë sprovës, turpit dhe refuzimit; që ne tërhiqemi nga vuajtja, e cila, duke bërë vullnetin e Perëndisë, në një botë si kjo, do të na imponohet gjithnjë; që ne parapëlqejmë të kemi një shteg të qetë e të respektueshëm mbi tokë. Me pak fjalë: të kemi më të mirën e të dyja botëve. Sa lehtë mund të bjerë në këtë kurth një person? Pjetri s’mund të kuptonte se pse Mesia duhej të përshkonte gjithë këtë shteg pikëllimi. Po të kishim qenë ne atje, mund të kishim thënë ose menduar akoma më keq. Qortimi i Pjetrit nuk ishte pa një dashuri të fortë njerëzore. Ai e deshi përzemërsisht Shpëtimtarin gjithashtu, por pa e ditur as vetë, aty ishte fryma mosnjohëse e botës [15].
Vini re që më parë Jezusi shikoi dishepujt e Vet, pastaj e qortoi Pjetrin, si për t’i thënë: “Nëse unë nuk shkoj në kryq, si mund të shpëtohen këta dishepuj të mi?” 8:34 Atëherë Jezusi u tha atyre këtë në fakt: “Unë do të vuaj e do të vdes në mënyrë që njerëzit të shpëtohen. Nëse dëshironi të vini pas meje, ju duhet të mohoni çdo impuls egoist, me vendosmëri të zgjidhni një shteg turpi, vuajtjeje dhe vdekjeje e të më ndiqni. Ju mund t’ju duhet të hiqni dorë nga rehatia juaj, nga kënaqësitë shoqërore, lidhjet tokësore, ambiciet e mëdha, pasuritë materiale, madje dhe nga vetë jeta.” Fjalë si këto na bëjnë që të çuditemi se si ne me të vërtetë mund të besojmë se është krejt në rregull që të jetojmë në luks e në rehati. Si mund ta justifikojmë ne materializmin, egoizmin dhe ftohtësinë e zemrave tona? Fjalët e Tij na thërrasin ne të bëjmë jetë vetëmohimi, dorëzimi, vuajtjeje dhe flijimi. 8:35 Ekziston gjithmonë tundimi që të shpëtojmë jetën tonë, që do të thotë të jetojmë rehat, të sigurojmë për të ardhmen, të bëjmë zgjedhjet tona duke patur veten si qendër të çdo gjëje. Nuk ka rrugë më të sigurt për ta humbur jetën tënde. Krishti na thërret ne që ta shkrijmë jetën tonë për hir të tij dhe të ungjillit, duke ia kushtuar veten tonë Atij, frymë, shpirt dhe trup. Ai na kërkon ne të shpenzojmë e të shpenzohemi në shërbimin e Tij të shenjtë, duke i flijuar jetët tona, po të jetë nevoja, për ungjillëzimin e botës. Këtë kuptim ka të humbasësh jetën tënde. Nuk ka rrugë më të sigurt për t’i shpëtuar ato. 8:36-37 Edhe sikur një besimtar të mund të shtinte në dorë të gjithë pasurinë e botës gjatë jetës së tij, ç’të mirë do t’i sillte kjo? Ai do ta kishte humbur mundësinë për ta përdorur jetën e tij për lavdinë e Perëndisë dhe për shpëtimin e të humburve. Do të kishte qenë një pësim nga këmbimi. Jetët tona vlejnë më shumë nga gjithçka që bota ofron. A do t’i përdorim ne ato për Krishtin apo për veten? 8:38 Zoti ynë e kuptoi se disa nga dishepujt e Tij të rinj mund të pengohen në shtegun e dishepullimit nga frika e turpit. Kështu që Ai u kujtoi atyre se ata që përpiqen të shmangin turpërimin për shkak të Tij do të dalin më të turpëruar kur Ai të kthehet në tokë me pushtet. Ç’mendim! Shpejt Zoti ynë do të kthehet në tokë, këtë herë jo në përulje, por në vetë lavdinë e Tij dhe në lavdinë e Atit të Tij, me engjëjt e shenjtë. Do të jetë një skenë shkëlqimi verbues. Atëherë Atij do t’i vijë turp për ata të cilëve u vjen turp për Të tani. Le t’u flasin zemrave tona fjalët e Tij: “t’i vijë turp për mua… ne mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar.” Sa e pavend të të vijë turp për Shpëtimtarin e pamëkatë në një botë që karakterizohet nga pabesia dhe mëkati!


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (3:13-18) James E. Stewart, The Life and Teaching of Jesus Christ, fq 55-56. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (3:20-21) Miller, Come, Lexim për 6 Qershor. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (3:31-35) Teksti NU dhe teksti M shtojnë “dhe motrat e tua.” Pa dyshim, kjo është e saktë. ↵ Kthehu mbrapa
  4. (4:30-32) Cituar nga Oswald Sanders te Spiritual Maturity, fq 110. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (5:1-5) NU lexon Gerasen. ↵ Kthehu mbrapa
  6. (6:4-6) J. G. Miller, dokumentim i mëtejshëm i padisponueshëm. ↵ Kthehu mbrapa
  7. (6:31-32) William Kelly, An Exposition of the Gospel of Mark, fq 85. ↵ Kthehu mbrapa
  8. (7:2-4) E. Stanley Jones, Growing Spiritually, fq 109. ↵ Kthehu mbrapa
  9. (7:11-13) Kelly, Mark, fq 105. ↵ Kthehu mbrapa
  10. (8:1-9) Charles R. Erdman, The Gospel of Mark, fq 116 ↵ Kthehu mbrapa
  11. (8:22-26) Ka mundësi që atij njeriu t’i jetë kthyer shikimi në mënyrë të përsosur njëlloj sikurse një foshnje të sapolindur me shikim krejt në rregull i duhet ende të mësojë që t’i fokusojë ata. ↵ Kthehu mbrapa
  12. Kelly, Mark, fq 136. ↵ Kthehu mbrapa