Gjenealogjia dhe lindja e Mesias Mbret (Mateu 1)

A. Gjenealogjia e Jezus Krishtit (1:1-17)

Një lexim i rastësishëm i DhR mund ta bëjë një person që të pyesë se pse ajo fillon me diçka të mërzitshme në dukje siç është pema e familjes. Dikush mund të arrijë në përfundimin se pak domethënie nxirret nga ky katalog emrash dhe kështu të hidhet aty ku fillon veprimi. Megjithatë gjenealogjia është e domosdoshme. Ajo hedh themelin për të gjithë atë që vijon pas. Po të mos tregohej që Jezusi është një pasardhës i ligjshëm i Davidit përmes linjës mbretërore, është e pamundur të vërtetohet se Ai është Mesia-Mbret i Izraelit. Mateu e fillon përshkrimin e tij aty ku ai duhet ta fillojë, me dëshminë dokumentuese se Jezusi e trashëgoi të drejtën ligjore për te froni i Davidit përmes njerkut të Tij, Jozefit. Kjo gjenealogji ndjek prejardhjen ligjore të Jezusit si Mbret i Izraelit; gjenealogjia tek Ungjilli i Lukës ndjek prejardhjen trashëgimore si Bir i Davidit. Gjenealogjia e Mateut ndjek linjën mbretërore nga Davidi përmes birit të tij, Salomonit, mbretit të ardhshëm; gjenealogjia e Lukës ndjek linjën e gjakut nga Davidi përmes Natanit, një biri tjetër. Kjo gjenealogji mbyllet me Jozefin, Biri i adoptuar i të cilit ishte Jezusi; gjenealogjia te Luka 3 ka mundësi të ndjekë origjinën e Marisë, Biri real i së cilës ishte Jezusi. Një mijëvjeçar më parë, Perëndia kishte bërë një marrëveshje të pakushtëzuar me Davidin, duke i premtuar një mbretëri që do të zgjaste përgjithmonë si dhe një linjë sundimi të përhershme (Psalmi 89:4; Psalmi 36:1 deri Psa. 37:40). Ajo besëlidhje tani është përmbushur në Krishtin: Ai është trashëgimtar i ligjshëm te froni i Davidit përmes Jozefit dhe pasardhjes aktuale të Davidit përmes Marias. Ngaqë Ai jeton përgjithmonë, mbretëria e Tij do të zgjasë përgjithmonë dhe Ai do të mbretërojë përgjithmonë si më i madhi Bir i Davidit. Jezusi njësoi në Personin e Tij dy kriteret e vetme që pretendonin për fronin e Izraelit (ligjore dhe trashëgimore); meqenëse Ai ende jeton, s’mund të ketë pretendues tjetër. 1:1-15 Formula libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, Birit të Davidit, Birit të Abrahamit është e ngjashme me shprehjen te Zanafilla 5:1 «Ky është libri i prejardhjes së Adamit.» Zanafilla bën të njohur Adamin e parë, ndërsa Mateu Adamin e fundit. Adami i parë ishte kreu i krijimit të parë ose fizik. Si Adami i fundit, Krishti është Kreu i krijimit të ri ose frymëror. Tema e këtij Ungjilli është ajo e Jezus Krishtit. Emri Jezus e paraqet Atë si Jehova-Shpëtimtar [1], ndërsa titulli Krisht («i Vajosur») si të shumëpriturin Mesi të Izraelit. Titulli Bir i Davidit është i lidhur me rolet si të Mesias ashtu edhe të Mbretit në DhV. Titulli Bir i Abrahamit e paraqet Zotin tonë si Personin që është përmbushja përfundimtare e premtimeve që i janë bërë paraardhësit të popullit hebre. Gjenealogjia është e ndarë në tre seksione historike: nga Abrahami te Jeseu, nga Davidi te Josia dhe nga Jekonia te Jozefi. Seksioni i parë të çon te Davidi; i dyti mbulon periudhën e mbretërisë; i treti mban lidhjen e prejardhjes mbretërore gjatë mërgimit (586 pK dhe në vijim) [pK=përpara Krishtit, ose p.e.s.]. Ka shumë veçori interesante në këtë regjistër. Për shembull, në këtë paragraf janë përmendur katër gra: Tamara, Rahabi, Ruthi dhe Bathsheba (ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias). Meqenëse gratë përmenden rrallë në tabelat gjenealogjike të vendeve të lindjes, përfshirja e këtyre grave është edhe më shumë habitëse për faktin që dy prej tyre ishin gra të përdala (Tamara dhe Rahabi), njëra kishte kryer tradhti bashkëshortore (Bathsheba), ndërsa dy ishin johebrenje (Rahabi dhe Ruthi). Futja e tyre në hyrjen e Mateut ndoshta është një sugjerim, nuancë e lehtë se ardhja e Krishtit do t’u sillte shpëtim mëkatarëve, hir johebrenjve dhe që në Të, pengesat e racës dhe të seksit do të shembeshin. Me interes gjithashtu është përmendja e një mbreti me emrin Jekonia. Te Jeremia 22:30, Perëndia shprehu një mallkim mbi këtë njeri:
Kështu thotë Zoti: «Regjistrojeni këtë njeri si pa fëmijë, një njeri që nuk do të begatohet në ditët e tij, sepse asnjë nga pasardhësit e tij nuk do të ketë mbarësi, duke arritur të ulet mbi fronin e Davidit dhe të mbretërojë akoma në Judë.»
Po qe se Jezusi do të kishte qenë biri real i Jozefit, Ai do të kishte qenë nën këtë mallkim. Megjithatë Ai duhej të ishte biri i ligjshëm i Jozefit në mënyrë që të trashëgonte të drejtat për te froni i Davidit. Problemi u zgjidh nga mrekullia e lindjes së virgjëreshës: Jezusi ishte trashëgimtari i ligjshëm për te froni përmes Jozefit. Ai ishte Biri real i Davidit përmes Marisë. Mallkimi mbi Jekoninë nuk ra mbi Marinë apo fëmijët e saj meqenëse ajo nuk erdhi nga Jekonia. 1:16 Nga e cila, sikurse në greqisht, është njëjës dhe në gjininë femërore, duke treguar kështu që Jezusi u lind prej Marisë e jo nga Jozefi. Por përveç këtyre karakteristikave interesante të gjenealogjisë duhen përmendur edhe vështirësitë që ajo paraqet. 1:17 Mateu i kushton vëmendje të veçantë faktit se ekzistojnë tre seksione me nga katërmbëdhjetë breza secili. Megjithatë, nga DhV ne dimë se disa emra mungojnë nga lista e tij. Për shembull, midis Joramit dhe Ozias (v 8), mbretëruan si mbretër Ashaziahu, Joasi dhe Amatsiahu (shih 2 i Mbreterve 8:1 deri 2 i Mbreterve 14:29 dhe 2 i Kronikave 21:1 deri 2 i Kronikave 25:28). Gjenealogjitë e Mateut dhe të Lukës duket se përputhen në përmendjen e dy emrave: të Salatielit dhe të Zorobabelit (Mateu 1:12-13; Luka 3:27). Është e çuditshme që origjina e Jozefit dhe e Marisë duhet të bashkohet në këta dy njerëz dhe të ndahet sërish. Vështirësia rritet kur ne vërejmë që të dy Ungjijtë ndjekin Ezdra 3:2, duke renditur Zorobabelin si birin e Salatielit, ndërsa tek 1 i Kronikave 3:19 ai është renditur si biri i Pedajahut. Një vështirësi e tretë është që Mateu numëron njëzet e shtatë breza nga Davidi te Jezusi, ndërsa Luka jep dyzet e dy. Megjithëse ungjilltarët janë duke skicuar pemë të ndryshme familjare, prapë duket e çuditshme që të ekzistojë një ndryshmëri e tillë në numrin e brezave. Çfarë qëndrimi duhet të marrë studenti i Biblës ndaj këtyre vështirësive dhe mospërputhjeve në dukje? Në radhë të parë, kushti ynë paraprak themelor është që Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë, prandaj ajo s’mund të ketë gabime. Së dyti, ajo është e pafund sepse pasqyron pafundësinë e Hyjnisë. Ne mund të kuptojmë të vërtetat themelore të Fjalës, por ne kurrë s’mund të përfshijmë plotësisht gjithçka që është në të. Kështu, mënyra jonë se si u afrohemi këtyre vështirësive na çon te përfundimi se problemi shtrihet më tepër në njohjen tonë të mangët se sa në gabueshmërinë e Biblës. Problemet e Biblës duhet të na sfidojnë në mënyrë që të studiojmë e të kërkojmë përgjigjet. «Është lavdi e Perëndisë të fshehë një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetojnë atë» (Fjalet e Urta 25:2). Hetime të kujdesshme nga historianët dhe gërmime nga ana e arkeologëve nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se shpalljet e Biblës janë të rreme. Ato që ne na duken si vështirësi dhe kontradikta kanë të gjitha shpjegime të arsyeshme. Këto shpjegime janë të mbushura me vlerë dhe përfitim frymëror.

B. Jezus Krishti është lindur nga Maria (1:18-25)

1:18 Lindja e Jezus Krishtit ishte ndryshe nga secila prej lindjeve të përmendura në gjenealogji. Aty ne gjejmë formulën: «A-së i lindi B-ja.» Ndërsa tani ne kemi regjistrimin e një lindjeje pa një baba njerëzor. Faktet përreth kësaj ngjizjeje mrekulli janë të shprehura me dinjitet dhe thjeshtësi. Maria…i ishte premtuar në martesë Jozefit, por ata nuk ishin martuar akoma. Në kohët e DhR, fejesa ishte një trajtë angazhimi (por më detyruese se sa fejesa sot), që mund të ndërpritej vetëm me anë të divorcit. Megjithëse një çift i fejuar nuk jetonte bashkë deri në ceremoninë e martesës, mosbesnikëria nga ana e të fejuarit trajtohej si tradhti bashkëshortore dhe ndëshkohej me vdekje. Gjatë kohës së fejesës së saj, Virgjëresha Mari mbeti shtatzënë nëpërmjet një mrekullie nga Fryma e Shenjtë. Më parë një engjëll i kishte kumtuar Marisë këtë ndodhi të mistershme: «Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet» (Luka 1:35). Një re dyshimi dhe skandali u var mbi Marinë. Gjatë gjithë historisë njerëzore nuk kishte patur kurrë një lindje të virgjër. Kur njerëzit shihnin një grua të pamartuar që ishte shtatzënë, ata kishin vetëm një shpjegim të mundshëm. 1:19 Madje as Jozefi nuk e dinte ende shpjegimin e vërtetë të gjendjes së Marisë. Ai mund të ketë qenë i zemëruar me të fejuarën e tij për dy çështje: së pari, mosbesnikëria në dukje e saj ndaj tij; së dyti, megjithëse i pafajshëm, në mënyrë të pashmangshme ai pothuaj do të akuzohej për bashkëfajësi. Dashuria e tij për Marinë dhe dëshira për drejtësi e çuan atë të vendoste që ta ndërpriste fejesën me një divorc të heshtur. Ai dëshiroi të shmangte turpërimin publik që normalisht shoqëronte një veprim të tillë. 1:20 Ndërsa ky njeri i urtë dhe i matur po planifikonte strategjinë e tij për të mbrojtur Marinë, iu shfaq në ëndërr një engjëll i Zotit. Përshëndetja «Jozef, bir i Davidit» padyshim që synonte të nxiste vetëdijen e prejardhjes së tij mbretërore si dhe ta përgatiste atë për lindjen e jashtëzakonshme të Mesias-Mbret të Izraelit. Ai nuk duhet të ketë druajtje për t’u martuar me Marinë. Çdo dyshim në lidhje me pastërtinë e saj ishte i pabazë. Shtatzënia e saj ishte një mrekulli e Frymës së Shenjtë. 1:21 Atëherë engjëlli zbuloi seksin, emrin dhe misionin e Fëmijës së palindur. Maria do të lindte një Djalë. Ai do të quhej JEZUS, që do të thotë «Jehovah është shpëtim» ose «Jehovah, Shpëtimtari.» Në përputhje me Emrin e Vet, Ai do të shpëtonte popullin e Tij nga mëkatet e tyre. Ky Fëmijë i fatit ishte Vetë Jehovah që po vizitonte tokën për t’i shpëtuar njerëzit nga dënimi i mëkatit, nga pushteti i mëkatit dhe në fund nga vetë prania e mëkatit. 1:22 Ndërsa i regjistroi këto ngjarje, Mateu kuptoi se një epokë e re kishte aguar në historinë e sjelljes së Perëndisë me racën njerëzore. Fjalët e një profecie Mesianike, për një kohë të gjatë të fjetur, tani ishin gjallëruar. Tani profecia e fshehtë e Isaias ishte përmbushur në Fëmijën e Marisë: E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit. Mateu shpall frymëzim hyjnor për fjalët e Isaias. Zoti kishte folur me anë të profetit të paktën 700 vjet përpara Krishtit. 1:23 Profecia te Isaia 7:14 përfshinte parathënien e një lindjeje të pashembullt («Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë»), seksin e Fëmijës («dhe do të lindë një Fëmijë [bir]») dhe emrin e fëmijës («të cilin [ajo] do ta quajë Emanuel»). Mateu shton shpjegimin se Emanuel do të thotë Perëndia me ne. Nuk ekziston ndonjë shënim për Krishtin që të jetë quajtur ndonjëherë «Emanuel» sa ishte mbi tokë. Ai u quajt gjithmonë «Jezus.» Megjithatë kuptimi i emrit Jezus (shih lart v. 21) nënkupton praninë e Perëndisë me ne. Emanuel mund të jetë edhe një emërim për Krishtin që kryesisht do të përdoret në Ardhjen e Tij të Dytë. 1:24 Si rrjedhojë e ndërhyrjes së engjëllit, Jozefi e braktisi planin që kishte për ta ndarë Marinë. Ai vazhdoi të njihte fejesën e tyre deri në lindjen e Jezusit, mbas së cilës ai u martua me të. 1:25 Mësimi që Maria mbeti virgjëreshë për gjithë jetën është hedhur poshtë nga konsumimi i martesës së tyre që përmendet në këtë varg. Referime të tjera që tregojnë se Maria pati fëmijë me Jozefin janë Mateu 12:46; 13:55-56; Marku 6:3; Gjoni 7:3, 5; Veprat e Apostujve 1:14 dhe 1 e Korintasve 9:5; Galatasve 1:19. Duke marrë Marinë si gruan e tij, Jozefi mori edhe Fëmijën e saj si Birin e Tij të adoptuar. Në këtë mënyrë Jezusi u bë trashëgimtar i ligjshëm i fronit të Davidit. Në bindje ndaj vizitorit engjëllor, ai ia vuri Foshnjës emrin Jezus. Kështu Mesia-Mbret kishte lindur. I Përjetshmi hyri në kohë. I Gjithpushtetshmi u bë një foshnjë e vogël. Zoti i lavdisë e mbuloi atë lavdi në një trup njerëzor. «Tek Ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë» (Kolosianeve 2:9). [1] Jehovah është trajta e shqipëruar e emrit hebraik Yahweh, tradicionalisht përkthyer «Zot.» Krahaso situatën e ngjashme me Jezus, trajtën e shqipëruar të emrit hebraik Yeshua.[[1]]

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa