BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Ligësia e njeriut dhe mirësia e Zotit
36:1 Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: “Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.
36:2 Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.
36:3 Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.
36:4 Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen”.
36:5 O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.
36:6 Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.
36:7 O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;
36:8 ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.
36:9 Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.
36:10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.
36:11 Mos më vëntë këmbën kryelarti dhe dora e të pabesit mos më marrtë me vete.
36:12 Ja, ata që kryejnë paudhësi kanë rënë; i kanë rrëzuar për tokë dhe nuk mund të ringjallen përsëri.