MBUSHU ME FRYMËN

Mësimi 16 | Karakteri i Krishterë | EFESIANËVE 5:18

Për shumë njerëz mbushja e Frymës së Shenjtë është një temë e mjegullt dhe mistike. Ajo nuk përçon një ide të qartë e të dallueshme në mendjet e njerëzve. Dhe aq më tepër po t’i shtojmë kësaj faktin që ka kaq shumë mësime të gabuara në lidhje me këtë vepër të Frymës dhe nuk është për t’u çuditur fakti që të krishterët janë të pështjelluar.

Së pari, mbushja duhet dalluar nga shërbesat e tjera të Frymës. Mbushja nuk është:

Brendabanimi. Kjo do të thotë që Personi i Tretë i Trinisë vërtet jeton në trupin e çdo besimtari. Trupat tanë janë tempulli i Frymës.

Pagëzimi. Pagëzimi është ajo vepër e Frymës që e vendos dikë në trupin e Krishtit në çastin që ai beson. Ai bëhet një anëtar i kishës universale.

Vulosja. Vula është shenjë e zotërimit dhe sigurisë. Perëndia Frymë e shënon një besimtar për të treguar që ai i përket Zotit dhe për t’u siguruar nga Ai.

Kapari. Kjo do të thotë një paradhënie ose garanci. Disa e krahasojnë atë me unazën e fejesës. Fakti që dikush ka Frymën, është po aq e sigurt që një ditë ai do të marrë trashëgiminë e plotë.

Vajosja. Në Dhiatën e Vjetër, mbretërit dhe priftërinjtë vajoseshin me vaj si një rit përurimi. Kështu Fryma është vajosja jonë që na ka bërë priftërinj mbretërorë. Vajosja ka edhe një kuptim tjetër në 1 Gjonit 2:27. Shërbesa mësimdhënëse e Frymës na aftëson të bëjmë dallimin midis të vërtetës dhe gabimit.

Të gjitha këto shërbesa të Frymës ndodhin në çastin kur dikush shpëtohet. Ato janë automatike. Ato nuk kërkojnë ndonjë bashkëpunim nga ana e besimtarit të ri. Nuk ka kushte për t’u përmbushur. Ato janë përvoja që ndodhin njëherë e përgjithmonë.

Mbushja e Frymës është ndryshe. Në fakt gjenden dy lloje të mbushjes në Dhiatën e Re.

E para është mbushja sovrane e një besimtari për një punë të veçantë. Kështu ne lexojmë që Gjon Pagëzori ishte mbushur me Frymën e Shenjtë që në barkun e s’ëmës (Lu. 1:15b). Në këtë mënyrë Perëndia e përgatiti atë që të ishte lajmëtari i Mesias. Ndoshta kjo është mënyra se si kjo fjalë është përdorur shpesh në librin e Veprave. Kështu dishepujt ishin mbushur me Frymën si një përgatitje për ardhjen e Frymës në festën e Rrëshajave (Vep. 2:4). Pjetri ishte mbushur për t’u pajisur me mesazhin bindës drejtuar udhëheqësve dhe popullit (Vep. 4:8). Pjetri dhe Gjoni u mbushën që të mund ta flisnin Fjalën e Perëndisë me guxim (Vep. 4:31). Sauli u mbush që të mund të predikonte Krishtin në Damask (Vep. 9:17, 22). Më vonë Pali u mbush që të dënonte magjistarin Elimas (Vep. 13:9). Të paktën disa nga këto mbushje ishin të përkohshme dhe nuk kishte kushte për marrësin që të plotësonte.

Veç kësaj kemi një mbushje e cila ka kushte për ne që të mbushim. Kjo është ajo çfarë gjejmë në Efesianëve 5:18. Kjo nuk është diçka për të cilën ti lutesh, por është një urdhër për t’iu bindur. Është e qartë në gjuhën origjinale të Dhiatës së Re që kuptimi është «Mbushuni vazhdimisht». Është një proces i vazhdueshëm dhe jo një arritje. Është më shumë një jetë e vazhdueshme me shenjtëri sesa një përvojë emocionale.

Pali shkroi: «Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymën». Po përse ka përmendur ai diçka aq të keqe sa dehja bashkë me mbushjen e Frymës? Ndoshta ishte për shkak të disa ngjashmërive dhe disa dallimeve të theksuara. Së pari, ngjashmëritë. Në të dyja rastet personi është nën një kontroll të jashtëm. Në rastin e dehjes, ai është nën kontrollin e alkoolit, që ndonjëherë quhet «frymëra». Në të dyja rastet mund të duket nga mënyra se si ecën dikush. Pijaneci çapitet kuturu. Njeriu i mbushur me Frymën ecën duke qenë i ndarë nga mëkati dhe bota. Në të dyja rastet mund të duket nga mënyra se si flet dikush. Të folurit e alkoolistit është i ngatërruar dhe i përdhosur. Të folurit e besimtarit lartëson Krishtin dhe është ndërtues.

Pastaj kemi dy pangjashmëri. Me dehjen kemi humbjen e vetëkontrollit. Me mbushjen nuk kemi. Me dehjen kemi një rezistencë të ulët ndaj mëkatit. Me mbushjen rezistenca rritet.

Më kujtohen fjalët e mprehta të Xhejms Stjuartit: «Nëse është mëkat të dehesh me verë, është një mëkat më i madh të mos mbushesh me Frymën».

Siç është përmendur, mbushja e Frymës është jeta me shenjtëri. Këtë jetë e gjen në forma të ndryshme në këto pjesë:

  • Ajo është karakteri i një qytetari të mbretërisë (Mt. 5:1-16).
  • Ajo është jeta e qëndrueshme (Gjo. 1-17).
  • Ajo është jeta e dashurisë (1 Kor. 13).
  • Ajo është armatimi i të krishterit (Efe. 6:10-12).
  • Ajo është jeta e karakterit të krishterë (2 Pje. 1:5-11).

Më poshtë jepen disa elementë të domosdoshëm për të qenë i mbushur me Frymën:

  • Rrëfe dhe braktis mëkatin sapo të jesh në dijeni për të (1 Gjo. 1:9; Fja. 28:13).
  • Nënshtroju kontrollit të Zotit nga çasti në çast (Rom. 12:1-2).
  • Mbushe veten me Fjalën e Perëndisë (Gjo. 17:17). Ti s’mund të mbushesh me Frymën nëse Fjala e Krishtit nuk banon në ty me bollëk (Kol. 3:16).
  • Kalo shumë kohë në lutje dhe adhurim (Rom. 8:26; 2 Kor. 3:18).
  • Qëndro afër përbashkësisë së krishterë, shmang ngatërresat me punët e kësaj bote (Heb. 10:25; 2 Tim. 2:4).
  • Ji i zënë me punë për Zotin (Pre. 9:10).
  • Jepi një jo gjëmuese dëshirave të paligjshme të mishit (1 Kor. 9:27). Përgjigju tundimeve mëkatare ashtu siç do të bënte një njeri i vdekur (Rom. 6:11). Në çastet e një tundimi të fortë thirri Zotit (Fja. 18:10). Ndërmerr veprime të ashpra për të shmangur çdo mëkat (Mt. 18:8). Largohu dhe mos u rrëzo (2 Tim. 2:22). Ai që lufton dhe largohet, jeton për të luftuar një ditë tjetër.
  • Kontrollo mendimet në jetën tënde (Fja. 23:7; Fil. 4:8).
  • Përqendrohu te Krishti dhe jo te vetvetja (Gjo. 16:14).

Tani futju punës dhe beso që Fryma është në kontroll.

Si duket kur dikush është i mbushur me Frymën? Pjesa më e madhe e jetës së tij ndoshta do të jetë ajo puna e zakonshme, rutinë dhe e rëndomtë. Herë pas here do të ketë kreshta mali. Por do të vësh re që marshet e jetës ingranohen, që ndodhin gjëra të cilat nuk ndodhin zakonisht. Do të jesh i vetëdijshëm që Zoti po punon në ty dhe përmes teje. Jeta jote do të shkëlqejë nga ndikimi i mbinatyrshëm dhe kur prek jetët e të tjerëve diçka do të ndodhë për Zotin.

Gjithashtu do të ketë fuqi (Lu. 24:49; Vep. 1:8), guxim (Vep. 4:13, 29, 31), gëzim (Vep. 13:52), lavdërim (Lu. 1:67-75; Efe. 5:19-20) dhe nënshtrim (Efe. 5:21). Një porosi e fundit. Një njeri i mbushur me Frymën nuk e thotë kurrë këtë. Shërbesa e Frymës është të lartësojë Krishtin dhe jo besimtarin. Të mburresh që ti e ke arritur këtë është krenari.

[previous][next]