SHPËTIM I PËRJETSHËM

Mësimi 22 | Jeta e Krishterë

Nëse dishepulli yt është vërtet i shpëtuar, atëherë ai duhet ta dijë se është përgjithmonë i shpëtuar. Jo vetëm kaq, por ai duhet të jetë në gjendje ta vërtetojë këtë nga Bibla.

Së pari, ka deklarata të sigurta për këtë qëllim. Për shembull, le të marrim Gjonin 10:27-29:

Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.

Jezusi tha se asnjëherë nuk do të humbasë ndonjë nga delet e Tij. Nëse kjo do të ndodhte ndonjëherë, atëherë Jezusi ka thënë diçka që nuk është e vërtetë. Nëse do të ishte kështu Ai nuk është Perëndi dhe besimi ynë është i kotë.

Ka shumë vargje të tjera që thonë se shpëtimi ynë është i përjetshëm. Ja disa prej tyre:

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme (Gjo. 3:16).

Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i beson Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të (Gjo. 3:36)

Jezusi u përgjigj dhe i tha: «Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje, por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme» (Gjo. 4:13-14).

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë (Gjo. 5:24).

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme (Gjo. 6:47).

Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezus Krishtin që ti ke dërguar (Gjo. 17:3).

Ka edhe mënyra të tjera që ne mund ta dimë se nuk do të humbasim kurrë. Në momentin që shpëtohemi ne marrim vulën e Frymës (Efe. 1:13b). Fryma e Shenjtë është vula. Ai është një shenjë ose vulë për zotërim dhe për siguri. Ai është vula tonë për ditën e shpengimit, domethënë, derisa ne të shkojmë në qiell (Efe. 4:30).

Gjithashtu Fryma e Shenjtë na është dhënë si një garanci, që ndonjëherë quhet kapar ose paradhënie (Efe. 1:14). Ai është «kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij». Kjo do të thotë se ashtu sikurse jemi të sigurt që kemi Frymën e Shenjtë, po ashtu një ditë ne do të marrim trashëgimin e plotë, duke përfshirë edhe trupin e përlëvduar.

Ja një provë tjetër e sigurisë sonë të përjetshme. Ne jemi «në Krishtin». Perëndia na sheh «në Krishtin» dhe na pranon jo për shkak të asaj se kush jemi apo se çfarë jemi, por sepse ne jemi «në Atë».

Perëndisë i duhet të gjejë ndonjë mëkat ose papërsosuri në Krishtin përpara se të na dënojë neve. Është e qartë se kjo është e pamundur.

Ne gjithashtu jemi gjymtyrë të trupit të Krishtit (1 Kor. 12:13). Është e papërfytyrueshme që Krishti ta kalojë përjetësinë në qiell me gjymtyrë që i mungojnë.

Por tani ne duhet të përballemi me pyetjen: «Çfarë ndodh kur një i krishterë mëkaton? A nuk e humbet ai shpëtimin e tij?» Për të gjetur përgjigjen ki parasysh faktet e mëposhtme:

Kur ne shpëtohemi, ne falemi për sa i përket dënimit të përjetshëm të të gjitha mëkateve tona, të kaluara, të tashme dhe të ardhme. Ato ishin të gjitha në të ardhmen kur Jezusi vdiq për ne. Perëndia nuk do t’i kujtojë më ato.

Në atë moment u formua një marrëdhënie e re. Ne bëhemi fëmijë të Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezusin. Asgjë nuk mund ta thyejë këtë marrëdhënie. Ti nuk mund të pushosh se qeni bir i atit tënd tokësor. Dhe kjo është e vërtetë edhe për atin tënd qiellor.

Kur mëkatojmë prishet përbashkësia tonë me Perëndinë. Jo marrëdhënia, por përbashkësia. Marrëdhënia është një zinxhir i pathyeshëm, ndërsa përbashkësia është një pe i dobët. Ajo fryma e gëzuar e familjes mbetet e thyer derisa ne të kemi rrëfyer mëkatet tona.

Vini re me kujdes. Ne marrim falje nga dënimi i përjetshëm për mëkatet tona kur besojmë në Zotin Jezus Krisht. Kjo është një falje që ndodh njëherë e mirë. Ne marrim falje për mëkatet tona si besimtarë kur i rrëfejmë dhe i braktisim ato (1 Gjo. 1:9). Kjo ndodh shpesh në jetën tonë të krishterë. Në Gjonin 13:10 Jezusi na mësoi se ka një larje të rilindjes dhe shumë shpëlarje.

Ka një dallim midis mëkatit rastësor dhe praktikës së mëkatit. Ne të gjithë mëkatojmë (1 Gjo. 1:8, 10; 2:2b), por ne nuk e praktikojmë mëkatin. Ne nuk jemi të pamëkatë, por mëkatojmë më pak. Mëkati mbizotëron jetën e një mëkatari (1 Gjo. 3:4-9). Në këtë pjesë Gjoni përdor kohën e tashme të vazhduar. Lexoje kështu: «Kush praktikon mëkatin, praktikon edhe shkelje të ligjit. Kush qëndron në Të nuk vazhdon të mëkatojë. Kush praktikon mëkatin nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur. Ai që praktikon drejtësinë është i drejtë. Ai që vazhdon të mëkatojë është nga djalli, sepse djalli ka mëkatuar që nga fillimi. Kush ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton rëndom».

Bibla bën dallime të cilat, nëse studiohen, nuk e lejojnë dikë të besojë se një besimtar mund të humbasë.

Kemi dallimin midis një besimtari të vërtetë dhe një pretenduesi. Dikush mund të thotë se është i krishterë edhe sikur të mos ketë lindur kurrë përsëri. Në shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrës (Mt. 13:24-30), gruri përshkruan besimtarët e vërtetë, ndërsa egjrat është e qartë se janë pretenduesit. Egjra duket si gruri, por ato janë po aq të largëta sa janë edhe të ngjashme.

Kemi një dallim midis një të larguari dhe një femohuesi. I larguari është një fëmijë i Perëndisë i cili nuk është në përbashkësi me Zotin. Femohuesi është dikush i cili dikur shpallte se besonte, por pastaj e braktisi krejtësisht besimin e krishterë. Pjetri ishte një i larguar, por Juda ishte një femohues. Katër pjesë që përshkruajnë femohuesit janë Hebrenjve 6:4-8; 10:26-31 dhe 1 Gjonit 2:18-28; 5:16.

Ka një dallim midis përmirësimit dhe rilindjes. Dy pjesë që përshkruajnë përmirësimin janë Mateu 12:43-45 dhe 2 Pjetrit 2:18-22.

Ne duhet të jemi të matur të bëjmë dallimin midis rrënjës dhe frytit të shpëtimin. Besimi është rrënja; ne shpëtohemi duke i besuar Krishtit. Veprat e mira janë fryti.

Shumë njerëz shqetësohen nga pjesë në Bibël që kanë një «nëse / në qoftë se»:

«…nëse vuajmë më të dhe lëvdohemi me të» (Rom. 8:17).

«Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot» (1 Kor. 15:1-2).

«…tani ju pajtoi […] në qoftë se qëndroni në besim me themel dhe të patundur dhe të mos luani nga shpresa e ungjillit» (Kol. 1:22-23).

Çfarë vjen pas secilës prej këtyre [fjalëve] «nëse / në qoftë se» është një përshkrim i asaj se si janë besimtarët e vërtetë dhe jo se si ata lindin përsëri.

Por a nuk thotë Jakobi se ne shfajësohemi nga veprat? Po, ai thotë (Jak. 2:24). Por ai nuk nënkupton veprat dhe jo besimin, apo edhe besimin plus veprat. Ai këmbëngul se ne shpëtohemi nga ai lloj besimi që çon në vepra të mira. Besimi është i padukshëm. Veprat e bëjnë atë të dukshëm. Vepra e mirë e Abrahamit ishte gatishmëria për të sakrifikuar birin e tij. Vepra e mirë e Rahabit ishte gatishmëria për të tradhtuar qytetin e saj. Ato [vepra] ishin të vlefshme vetëm në atë se ato treguan besimin e vërtetë që tashmë ishte në ta. Pa besim ato do të ishin vepra të këqija.

Veç kësaj ne duhet të bëjmë dallimin nëse një pjesë flet për shpëtimin apo për shërbimin. Në 1 Korintasve 9:27 Pali po flet për shërbimin: «Madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar».

Ai nuk kishte frikë se mos humbiste shpëtimin e tij, por kishte frikë se mos shkualifikohej si një shërbëtor i Zotit. Ai nuk donte që të vendosej në raft.

Ne duhet të shohim dallimin midis shpëtimit dhe frytdhënies. Gjoni po flet për këtë të dytën në Gjonin 15:1-8. Kujdes me leximin e vargut 6. Ai nuk thotë se Perëndia e heq një të krishterë që nuk qëndron dhe e hedh atë në zjarr. Ai thotë në trajtën e pashquar «ata». Me fjalë të tjera, këtë e bëjnë njerëzit. Bota nuk jep gjë tjetër veç përbuzje për një të krishterë që nuk e jeton jetën e qëndrueshme. Ata e marrim dëshminë e një njeriu të tillë dhe e hedhin në zjarr.

Kupto dallimin midis shpëtimit dhe dishepullimit. Një dishepull mund të mos jetë i përshtatshëm që të shërbejë në mbretëri (Lu. 9:62) e megjithatë të jetë i përshtatshëm për qiellin përmes meritave të Zotit Jezus. Pjesët e mëposhtme trajtojnë dishepullimin dhe jo rrugën e shpëtimit: Luka 9:23; 14:26, 33; Gjoni 12:25.

Në Galatasve 6:8 Pali shkruan: «Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme». A mësohet këtu se një i krishterë mund të humbasë shpëtimin e tij? Aspak. Jetë e përjetshme këtu do të thotë jetë në plotësinë e saj. Do të ketë shkallë gëzimi të jetës së përjetshme në gjendjen e ardhme. Çdokush do të jetë i lumtur, por disa do të kenë një aftësi më të madhe se të tjerët për ta gëzuar qiellin. Administrimi besnik i parave është një mënyrë për të përcaktuar këtë aftësi.

Në trajtimin e temës së sigurisë së përjetshme, është e rëndësisë së parë për të mbledhur thëniet e qarta që thonë se besimtari ka jetë që është e përjetshme dhe se ai nuk do të humbasë kurrë. Ka shumë pjesë të tjera të cilat kërkojnë sigurinë e përjetshme edhe pse ato nuk e shprehin atë me kaq shumë fjalë. Së fundi, është shumë e rëndësishme që vargjet e diskutueshme t’i shohim në kontekstin e tyre. A flasin vargjet për shpëtimin apo për ndonjë temë tjetër? Përfundimisht, ne nuk duhet ta ndërtojmë doktrinën tonë nga përvoja njerëzore («Kam njohur dikë…»).

Fjala e Perëndisë është autoriteti ynë. Për një studim më të thellë mbi këtë temë, një dishepull duhet t’i referohet librit «Një herë në Krishtin, në Krishtin përgjithmonë» nga i njëjti autor.

[previous][next]