TI MUND TA DISH ME SIGURI

Mësimi 21 | Jeta e Krishterë

S’është nevoja të përmendet që përpara se dikush të marrë përsipër të dishepullojë dikë tjetër, ai duhet të jetë i sigurt për shpëtimin e tij dhe duhet të jetë në gjendje të shpjegojë se si ai mund të sigurohet. Perëndia dëshiron që ata të cilët i përkasin Atij ta gëzojnë shpëtimin e tyre, por ju nuk mund ta gëzoni atë nëse nuk e dini që e keni, po ashtu ju nuk mund t’ia shpjegoni këtë siguri të tjerëve sipas mënyrës biblike.

Pali e dinte që ishte i shpëtuar (2 Tim. 1:12). Po ashtu edhe besimtarët efesianë (Efe. 2:8). Po ashtu edhe Gjoni dhe Pjetri (1 Gjo. 3:2; 1 Pje. 1:3-5). Gjithashtu edhe ne duhet ta dimë.

Le të hymë drejt e në temë. Siguria e shpëtimit vjen para së gjithash përmes Fjalës së Perëndisë. Për shembull, ne lexojmë te Gjoni 5:24 se nëse ju e dëgjoni fjalën e Tij dhe besoni tek Ai që e dërgoi Atë, ju keni jetë të përjetshme. Ju nuk do të shkoni në gjyq. Ju keni kaluar nga vdekja në jetë.

Kush është Folësi këtu?

Është Jezusi (shiko v. 19).

A mund të gënjejë Ai?

Jo.

A mund të mashtrojë Ai?

Jo.

A mund të mashtrohet Ai?

Jo.

Nëse Ai e ka thënë, a është e vërtetë?

Po.

Në rregull. Ai thotë: «Ai që e dëgjon Fjalën Time». Kjo do të thotë më shumë se të dëgjosh me veshë. Kjo do të thotë të dëgjosh dhe të përgjigjesh. Kjo do të thotë të dëgjosh dhe të besosh. Prandaj, pyete veten: «A kam besuar në Jezusin si Zotin tim në mënyrën më të mirë që di?

Ju përgjigjeni: «Po».

Çfarë tjetër thotë Jezusi?

Ai thotë që unë duhet të besoj në Atë që e ka dërguar.

Kush e dërgoi Jezusin?

Perëndia Atë.

Po përse e dërgoi?

Ai e dërgoi Krishtin të paguajë dënimin për mëkatet e mia.

A besoni ju këtë?

Po.

Çfarë tjetër thotë Zoti më pas?

Ai thotë: «ka jetë të përjetshme».

A keni ju jetë të përjetshme?

Në këtë pikë disa do të thonë jo.

Po përse ju thoni jo?

Sepse nuk ndjehem ndryshe.

Lexojeni përsëri. A thotë aty që ju do të ndjeni se keni jetë të përjetshme?

Jo.

Po çfarë thotë, atëherë?

Thotë: «ka jetë të përjetshme».

A keni ju jetë të përjetshme?

Po.

Si e dini këtë?

Sepse kështu thotë Jezusi në Bibël.

Është kaq e thjeshtë — dëgjon, beson, e ke. Perëndia dëshiron që ne ta bazojmë shpëtimin tonë mbi gjënë më të sigurt në univers — Fjalën e Perëndisë. Siguria e shpëtimit nuk vjen përmes ndjenjave. Anëtarët e kishës mormone thonë: «E di që është e vërtetë, sepse kam një zjarr brenda meje». Por ndjenja të tilla janë të pabesueshme. Ndjenjat janë të paqëndrueshme dhe të ndryshueshme. Dhe ato mund të kontrollohen nga djalli.

Pyesni keqbërësin në kryq: A jeni i shpëtuar?

Po.

A ndjeheni që jeni i shpëtuar?

Jo, gjithçka që ndiej është dhimbje.

A e dini që jeni i shpëtuar?

Po.

Si e dini këtë?

Sepse dëgjova Zotin të më thoshte: «Sot do të jesh me mua në parajsë».

Ai e mori sigurinë e shpëtimit përmes fjalëve që dolën nga Zoti Jezus. Sot ne e marrim atë përmes Fjalës së shkruar.

Një autor i panjohur ka thënë:

Perëndia nuk i kërkon shpirtit të thotë,

«Falë Zotit ndjehem kaq mirë»,

por e kthen syrin në një tjetër drejtim

te Jezusi dhe te Fjala e Tij.

Kur një i njohur e pyeti Martin Luterin nëse ai e ndjente që mëkatet i ishin falur, ai iu përgjigj: «Jo, por jam po aq i sigurt për këtë sa për ekzistencën e një Zoti në qiell».

Sepse ndjenjat vijnë e shkojnë,

dhe ndjenjat të mashtrojnë.

Siguria ime është Fjala e Perëndisë,

asgjë tjetër s’ia vlen të besojmë.

Edhe pse tërë zemra ime ndjehet e dënuar

për mungesë të ndonjë shenje engjëllore,

është Një më i madh se zemra ime,

Fjala e të Cilit është shumëshekullore.

Do t’besoj në t’pandryshueshmen fjalë të Perëndisë,

derisa shpirti dhe trupi të ndahen,

sepse edhe pse gjithçka do të kalojë,

fjala e Tij gjithmonë do të qëndrojë.           

Ishte Dr. Ajrënsajdi (Ironside) i cili tha: «Nuk e di që jam i shpëtuar, ngaqë ndjehem i lumtur, por ndjehem i lumtur, ngaqë jam i shpëtuar».

Dr. C. I. Skofildi (Scofield), autori i Biblës së famshme të studimit, «Bibla me referenca», ka thënë: «Shfajësimi ndodh në mendjen e Perëndisë dhe jo në sistemin nervor të besimtarit». Perëndia na llogarit të drejtë kur ne besojmë. Ne nuk e ndjejmë domosdoshmërisht, por ne e dimë pasi këtë e thotë Bibla.

Xhorxh Katingu (George Cutting), autori i [traktit] «Mbrojtje, siguri dhe gëzim», na ndihmon duke thënë: «Është gjaku ai që na mbron. Është Fjala ajo që na siguron».

Xhon Uesli (John Wesley) ka shkruar:

Format dhe ndjenjat luhaten.

Ato s’mund të jenë kurrë Shpëtimtari yt!

Mëso ta shohësh veten në Krishtin.

Pastaj çfarëdo qofshin ndjenjat,

Jezusi prapë është Shpëtimtari yt.

Isaku besoi se ai po ndjente krahun leshtor të Esaut, por ai ishte krahu i Jakobit. Ai u mashtrua.

Ne thamë më parë se siguria vjen para së gjithash përmes Fjalës — por jo vetëm përmes saj. Ndërsa dikush rritet në jetën e krishterë, siguria e tij vërtetohet në shumë mënyra. Ai e di që Perëndia është duke bërë ndryshime në të.

A është mendjemadhësi kur dikush thotë se është i shpëtuar? Nëse shpëtimi do të ishte nëpërmjet veprave, atëherë do të ishte mendjemadhësi. Në atë rast, shpëtimi ose do të fitohej ose do të meritohej. Por shpëtimi është një dhuratë falas. Të pranosh këtë dhuratë më anë të besimit nuk përfshin ndonjë arritje ose meritë njerëzore dhe kjo nuk lë vend për t’u mburrur.

Mendjemadhësi është kur ne e quajmë Perëndinë gënjeshtar (1 Gjo. 5:10). Perëndia thotë: «Ai që ka Birin, ka jetën» (1 Gjo. 5:12). Të mos e besosh këtë varg është njëlloj sikur të thuash se Perëndia nuk po thotë të vërtetën.

Dikush mund të pyesë këtu: «Por si mund ta di nëse kam besuar në mënyrën e duhur?» Përgjigjja është e thjeshtë. Nëse beson se Zoti Jezus Krisht është shpresa jote e vetme për shpëtimin e përjetshëm, atëherë ke besuar në mënyrën e duhur dhe je vërtet i shpëtuar.

Një problem tjetër! Nuk e di ditën dhe orën se kur e vendosa fillimisht besimin në Krishtin. Ka mundësi. Disa njerëz mund të tregojnë me saktësi kohën kur e pranuan fillimisht Zotin Jezus. Të tjerët (këtu futem edhe unë) nuk e dinë. Është e rëndësishme të dish në këtë moment se Jezusi vdiq për mëkatet e tua në Kalvar dhe se e ke vendosur besimin tënd në Të si Zotin dhe Shpëtimtarin tënd. Perëndia e di momentin kur ti fillimisht zgjate dorën dhe preke cepin e rrobës së Krishtit, por nëse nuk e di dhe do ta dish, përse nuk e bën tani?

Një shpirt i ndjeshëm pyet: «Nëse shpëtohem, a do të kem po ato mendime që kam, a do të them po ato gjëra që them, apo a do të bëj po ato gjëra që bëj?» Ne akoma kemi natyrën e vjetër pasi shpëtohemi. Ajo nuk përmirësohet. Ne kemi brenda nesh farën e çdo mëkati. Por ne kemi Frymën që banon brenda nesh. Ai na bën të kuptojmë më shumë për mëkatin brenda nesh, sesa kuptonim më përpara. Megjithëse ne jemi në gjendje për çdo mëkat, ne kemi fuqinë për të mos i kryer ato. Ne nuk jemi të pamëkatë, por mëkatojmë më pak. Shpesh Satani mbjell dyshim në mendjet tona për sa i përket shpëtimit. Në këto raste, ilaçi është që të citojmë Fjalën, sikurse bëri Jezusi kur u vu në provë në shkretëtirë.

Një pyetje e fundit: I kam besuar Krishtit, por nuk kam dëshminë e Frymës. A nuk duhet ta kem dëshminë e Frymës? Po, duhet ta kesh, por çfarë mendon ti se është dëshmia e Frymës? Nëse mendon se është një ndjenjë misterioze që vjen mbi ty, ndonjë tringëllimë zilesh, ndonjë ndezje dritash a ndonjë sëmbim në sistemin nervor, atëherë e kuptoj se ku e ke hallin. Por dëshmia e Frymës nuk është një ndjenjë. Ai dëshmon nëpërmjet Fjalës së Perëndisë.

Me lejoni t’ua ilustroj këtë nga 1 Gjonit 5:13: «Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme…». Merre vargun frazë pas fraze:

«Jua shkrova». Pra, është apostulli Gjon. Por një një kuptim më të gjerë shkruesi është Perëndia, sepse Ai i frymëzoi Shkrimet. Kështu që kur lexojmë «Jua shkrova këto gjëra…» ne mund të dëgjojmë Perëndinë që po i referohet autorësisë së Tij të Biblës.

«Këto gjëra». Gjoni po i referohet kryesisht letrës së tij të parë.

«Juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë». Kur e lexojmë këtë, ne pyesim veten, «A kam besuar në emrin e Birit të Perëndisë?» Ne përgjigjemi, «Po, e kam vënë shpresën time për jetën e përjetshme vetëm në meritat e Krishtit».

«Që të dini se keni jetën e përjetshme». Nuk është çështje ndjenjash. Vargu nuk thotë «që ju të ndjeni». Zotërimi i jetës së përjetshme është diçka që ju mund ta dini. Përderisa keni besuar, Fryma të dëshmon ty me autoritetin e Fjalës së Perëndisë që ju keni jetë të përjetshme. Me fjalë të tjera, Fryma dëshmon nëpërmjet Biblës, Fjalës së pagabueshme të Perëndisë.

[previous][next]