Shërbesa e hershme galilease e Shërbëtorit (Marku 1:14–3:12)

A. Shërbëtori fillon shërbesën e Tij (1:14-15)

Marku e kapërcen shërbesën e Zotit në Jude (shih Gjoni 1:1 deri Gjoni 4:54) dhe fillon me shërbesën e madhe në Galile, një periudhë prej një viti e nëntë muajsh (Mr. 1:14-9:50). Pastaj ai merret shkurtimisht me pjesën e fundit të shërbesës në Perea (Mr. 10:1-10:45) përpara se të kalojë te java e fundit në Jerusalem. Jezusi erdhi në Galile, duke predikuar lajmin e mirë të mbretërisë{{2}} së Perëndisë. Mesazhi i Tij i veçantë ishte ky:
  1. Ishte mbushur koha. Sipas kalendarit profetik, për shfaqjen publike të Mbretit, ishte caktuar një datë dhe tani ajo kishte ardhur.
  2. Mbretëria e Perëndisë ishte afër. Mbreti ishte i pranishëm dhe po i bënte kombit të Izraelit një ofertë të vërtetë të mbretërisë. Mbretëria ishte afër në kuptimin që Mbreti ishte shfaqur në skenë.
Njerëzit ishin thirrur të pendoheshin e t’i besonin ungjillit. Që të pranoheshin për të hyrë në mbretëri, ata duhej të ndryshonin mendim në lidhje me mëkatin dhe t’i besonin lajmit të mirë në lidhje me Zotin Jezus.

B. Katër peshkatarë të thirrur (1:16-20)

1:16-18 Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin dhe Andrean që po peshkonin. Ai i kishte takuar ata më parë. Në fakt, ata ishin bërë dishepuj të Tij në fillim të shërbesës së Tij (Gjoni 1:40-41). Tani Ai i thirri ata që të ishin me Të, duke u premtuar se do t’i bënte peshkatarë njerëzish. Ata menjëherë lanë peshkimin që ishte puna e tyre fitimprurëse për ta ndjekur Atë. Bindja e tyre ishte e menjëhershme, flijuese dhe e plotë. Peshkimi është një art; kështu është edhe fitimi i shpirtrave.
  1. Kërkon durim. Shpesh duhen orë në pritje, duke qenë vetëm.
  2. Kërkon mjeshtëri në përdorimin e karremit, të ndjellëses ose të rrjetave.
  3. Kërkon mprehtësi dhe arsye të shëndoshë për të shkuar aty ku kalojnë peshqit.
  4. Kërkon ngulmim. Një peshkatar i mirë nuk shkurajohet lehtë.
  5. Kërkon qetësi. Mençuria është të shmangen trazimet dhe ta mbajmë veten në sfond.
Ne bëhemi peshkatarë njerëzish duke ndjekur Krishtin. Sa më shumë që të jemi si Ai, aq më shumë të suksesshëm do të jemi duke i fituar të tjerët për Të. Përgjegjësia jonë është të ndjekim Atë. Ai do të kujdeset për pjesën tjetër. 1:19-20 Pak më tutje, Zoti Jezus takoi Jakobin dhe Gjonin, bijtë e Zebedeut, ndërsa ata po ndreqnin rrjetat e tyre. Sapo Ai i thirri, ata i thanë mirupafshim babait të tyre dhe ndoqën Jezusin. Krishti thërret ende njerëz për të braktisur gjithçka dhe për të ndjekur Atë (Luka 14:33). As të mirat që kemi e as prindërit nuk duhen lejuar që të pengojnë bindjen.

C. Dëbimi i një fryme të ndyrë (1:21-28)

Vargjet 21-34 përshkruajnë një ditë tipike në jetën e Zotit. Mrekullia ndiqte mrekullinë ndërsa Mjeku i Madh shëronte të pushtuarit nga demonët dhe të lëngatët. Mrekullitë shëruese të Shpëtimtarit ilustrojnë se si Ai i çliron njerëzit nga rrjedhojat e llahtarshme të mëkatit. Kjo ilustrohet në tabelën e mëposhtme.
MREKULLI ÇLIRIM NGA
Shërim i njeriut me frymë të ndyrë (Mr. 1:23-26). Papastërtia e mëkatit.
Shërimi i vjehrrës së Simonit (Mr. 1:29-31). Sëmundja dhe trazimi i mëkatit.
Shërimi i lebrozit (Mr. 1:40-45). Karakteri i neveritshëm i mëkatit.
Shërimi i paralitikut (Mr. 2:1-12). Dobësia e shkaktuar nga mëkati.
Shërimi i njeriut me një dorë të tharë (Mr. 3:1-5). Padobia e shkaktuar nga mëkati.
Çlirimi i të demonizuarit (Mr. 5:1-20). Mjerimi, dhuna dhe tmerri i mëkatit.
Gruaja me rrjedhje gjaku (Mr. 5:25-34). Pushteti i mëkatit për t’i prerë jetës gjallërinë.
Ringjallja e vajzës së Jairit (Mr. 5:21-24; kapitujt 35-43). Vdekja frymërore e shkaktuar nga mëkati.
Shërimi i gruas siro-fenikase (Mr. 7:24-30). Skllavëria e mëkatit dhe e Satanit.
Shërimi i njeriut të shurdhër me një pengesë në të folur (Mr. 7:31-37). Paaftësia për të dëgjuar Fjalën e Perëndisë dhe për të folur për gjëra frymërore.
Shërimi i njeriut të verbër (Mr. 8:22-26) Verbëria ndaj dritës së ungjillit.
Shërimi i djalit të demonizuar (Mr. 9:14-29) Mizoria e sundimit të Satanit.
Shërimi i Bartimeut të verbër (Mr. 10:46-52) Gjendja e verbër dhe e rrënuar ku të çon mëkati.
Megjithëse predikuesi i ungjillit sot nuk është i thirrur që të kryejë këto akte shërimi fizik, ai është vazhdimisht i thirrur që të merret me ekuivalentet e tyre frymërore. A nuk janë këto ato mrekullitë më të mëdha që Zoti Jezus i përmendi te Gjoni 14:12: “Kush beson në mua do të bëjë dhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto?” 1:21-22 Le të kthehemi tani te tregimi i Markut. Në Kapernaum, ditën e shtunë, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësonte. Njerëzit kuptuan se nuk bëhej fjalë për një mësues të zakonshëm. Ishte një fuqi e pamohueshme e lidhur me fjalët e Tij, ndryshe nga skribët që flisnin mekanikisht. Fjalitë e Tij ishin shigjeta nga i Gjithëpushtetshmi. Mësimet e Tij ishin rrëmbyese, bindëse dhe sfiduese. Skribët përhapnin një fe të dorës së dytë. Në mësimin e Zotit Jezus nuk kishte mungesë realiteti. Ai kishte të drejtën për të thënë atë që bëri, sepse Ai e jetoi atë që mësoi. Kushdo që mëson Fjalën e Perëndisë duhet të flasë me autoritet ose përndryshe të mos flasë fare. Psalmisti tha: “Unë kam besuar dhe prandaj flas” (Psa. 116:10). Pali i jehoi këto fjalë tek 2 e Korintasve 4:13. Mesazhi i tyre kishte lindur nga bindja e thellë. 1:23 Në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar ose i banuar nga një demon. Demoni është përshkruar si një frymë e ndyrë. Ka mundësi që kjo do të thotë se fryma e manifestonte praninë e saj duke e bërë njeriun fizikisht ose moralisht të papastër. Askush të mos e ngatërrojë pushtimin demoniak me trajtat e ndryshme të sëmundjeve mendore. Këto të dyja janë të ndara e të dallueshme. Një personi i pushtuar nga demoni në të vërtetë është i banuar dhe i kontrolluar nga një frymë e ligë. Shpesh personi është në gjendje të kryejë vepra të mbinatyrshme dhe shpesh bëhet i dhunshëm ose blasfemues kur përballet me Personin dhe veprën e Zotit Jezus Krisht. 1:24 Vini re që fryma e ligë e njohu Jezusin dhe e quajti Atë Nazareasi dhe i Shenjti i Perëndisë. Vini re gjithashtu ndryshimin e përemrave nga shumësi në njëjës: “Ç’ka midis nesh dhe Teje…? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je….” Në fillim demoni foli si i bashkuar me këtë njeri. Pastaj ai flet për vetëm për veten e tij. 1:25-26 Jezusi nuk do ta pranonte dëshminë e një demoni edhe sikur ajo të ishte e vërtetë. Kështu që Ai i tha frymës së ligë që të heshte. Pastaj e urdhëroi atë që të dilte prej njeriut. Duhet të ketë qenë e çuditshme të shikoje njeriun të dridhej dhe të dëgjoje britmën e frikshme të demonit ndërsa largohej nga viktima e tij. 1:27-28 Mrekullia shkaktoi mahnitje. Ishte diçka e re dhe befasuese për njerëzit që thjesht me një urdhër një Njeri të mund të dëbonte një demon. Mos ishte ky fillimi i një shkolle të re mësimi fetar, pyesnin ata? Lajmi për mrekullinë u përhap menjëherë në mbarë Galilenë. Para se ta lëmë këtë pjesë, le t’u kushtojmë vëmendje tri gjërave:
  1. Në dukje, Ardhja e Parë e Krishtit shkaktoi një shpërthim të fuqishëm të veprimtarisë demoniake mbi tokë.
  2. Pushteti i Krishtit mbi këto frymëra të liga paralajmëron ngadhënjimin e tij përfundimtar mbi Satanin dhe të gjithë përfaqësuesit e tij.
  3. Kudo që Perëndia vepron, Satani kundërvihet. Të gjithë ata që kanë për qëllim t’i shërbejnë Zotit mund të presin kundërvënie në çdo hap të rrugës. “Beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianeve 6:12).

D. Shërimi i vjehrrës së Pjetrit (1:29-31)

“Menjëherë” është njëra nga fjalët karakteristike të këtij ungjilli dhe është me vend sidomos për Ungjillin që thekson karakterin shërbyes të Zotit Jezus. 1:29-30 Nga sinagoga, Zoti ynë shkoi në shtëpinë e Simonit. Sapo arriti, Ai mori vesh se vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe. Vargu 30 pohon se ata menjëherë i folën për të. Pa humbur kohë, ata e sollën nevojën e saj te përkujdesja e Mjekut. 1:31 Pa asnjë fjalë, Jezusi e kapi atë për dore dhe e ndihmoi të ngrihej në këmbët e saj. Ajo ishte shëruar menjëherë. Zakonisht ethet e lënë personin të dobët. Në këtë rast, Zoti jo vetëm që shëroi nga ethet, por dha menjëherë forcë për të shërbyer. Dhe ajo nisi t’u shërbejë. J. R. Miller thotë:
Çdo person i sëmurë që përtërihet, qoftë në një mënyrë të zakonshme apo të jashtëzakonshme, duhet të nxitojë që t’ia përkushtojë shërbimit të Perëndisë jetën që i është kthyer. … Një shumicë e madhe personash janë gjithnjë duke psherëtirë për mundësi për t’i shërbyer Krishtit, duke imagjinuar një lloj shërbimi të bukur e plot shkëlqim që ata do të kishin qejf ta bënin. Ndërkohë ata lënë që duart e tyre të kalojnë pikërisht gjërat në të cilat Krishti do që ata t’i shërbejnë Atij. Shërbim i vërtetë ndaj Krishtit do të thotë të bësh para së gjithash dhe mirë detyrat e tua të përditshme{{3}}.
Është për t’u shënuar që në secilën prej mrekullive shëruese, mënyra se si Shpëtimtari vepron është e ndryshme. Kjo na kujton ne se nuk ka dy kthime [shpëtime] që të jenë të njëjta. Secili duhet trajtuar mbi baza individuale. Fakti që Pjetri kishte një vjehërr tregon se një priftëri beqare ishte e huaj për atë kohë. Ajo është një traditë njerëzore që nuk gjen mbështetje në Fjalën e Perëndisë e që shkakton një grumbull të këqijash.

E. Shërimi në perëndim të diellit (1:32-34)

Lajmi se Shpëtimtari ishte i pranishëm ishte përhapur gjatë ditës. Meqenëse ishte Shabat, njerëzit nuk guxonin t’i çonin nevojtarët tek Ai. Pas perëndimit të diellit, kur Shabati kishte kaluar, pati një vërshim te dera e shtëpisë së Pjetrit. Atje të sëmurët dhe të demonizuarit përjetuan fuqinë që çliron nga çdo shkallë e trajtë mëkati.

F. Duke predikuar në të gjithë Galilenë (1:35-39)

1:35 Kur ende ishte shumë herët, Jezusi u çua dhe shkoi në një vend ku do të ishte i lirë nga shqetësimet e ku do të kalonte kohë në lutje. Shërbëtori i Jehovës i hapte veshët çdo mëngjes që të merrte udhëzime për atë ditë nga Perëndia Atë (Isa. 50:4-5). Në qoftë se Zoti Jezus ndjeu nevojën e kësaj kohe të qetë herët në mëngjes, aq më shumë ne! Vini re gjithashtu që Ai u lut kur Atij i kushtoi diçka; Ai u ngrit dhe doli kur ende ishte shumë herët. Lutja nuk është ‘kur të më vijë mbarë mua,’ por duhet të jetë një çështje vetëdisiplinimi dhe flijimi. A shpjegon kjo se pse një pjesë aq e madhe e shërbimit tonë është e paefektshme? 1:36-37 Në kohën kur Simoni dhe të tjerët u ngritën, turma ishte grumbulluar sërish jashtë shtëpisë. Dishepujt shkuan t’i thonë Zotit për rritjen e popullaritetit të Tij. 1:38 Papritmas, Ai nuk u kthye në qytet, por i mori dishepujt dhe shkoi nëpër fshatrat përreth, duke shpjeguar se Ai duhet të predikojë edhe atje. Pse nuk u kthye Ai në Kapernaum?
  1. Në radhë të parë, Ai sapo kishte qenë në lutje dhe kishte mësuar se çfarë Perëndia donte që Ai të bënte atë ditë.
  2. Së dyti, Ai kuptoi se lëvizja popullore në Kapernaum ishte e përciptë. Shpëtimtari nuk ishte kurrë i tërhequr nga turmat e mëdha. Ai vështroi poshtë sipërfaqes për të parë se ç’kishte në zemrat e tyre.
  3. Ai e njihte rrezikun e popullaritetit dhe i kishte mësuar dishepujt përmes shembullit të Tij që të kishin kujdes atëherë kur të gjithë njerëzit do të flisnin mirë për ta.
  4. Në mënyrë të qëndrueshme, Ai shmangu çdo shfaqje të përciptë emocionale që do të kishte vënë kurorën përpara kryqit.
  5. Theksi kryesor për Të ishte mbi predikimin e Fjalës. Mrekullitë e shërimit, ndërsa synonin të lehtësonin mjerimin njerëzor, kishin për qëllim gjithashtu që të tërhiqnin vëmendjen nga predikimi.
1:39 Kështu, Jezusi shkoi duke predikuar nëpër sinagoga dhe duke dëbuar demonët në të gjithë Galilenë. Ai kombinonte predikimin me praktikimin, duke thënë e duke bërë. Është interesante të shohësh se sa shpesh dëbonte demonë Ai nëpër sinagoga. A do t’i korrespondonin sinagogave kishat liberale sot?

G. Shërimi i një lebrozi (1:40-45)

Tregimi i lebrozit na jep një shembull të vlefshëm të lutjes së cilës Perëndia i përgjigjet:
  1. Ishte e vendosur dhe e dëshpëruar – duke iu lutur.
  2. Ishte plot nderim – ra në gjunj.
  3. Ishte e përulur dhe e bindur – “Po të duash.”
  4. Ishte me besim – “Ti mund.”
  5. Njihte nevojën – “të më pastrosh.”
  6. Ishte e përcaktuar qartë – jo “të më bekosh,” por “të më pastrosh.”
  7. Ishte vetjake – “të pastrosh.”
  8. Ishte e shkurtër – pesë fjalë në origjinal.
Vini re se ç’ndodhi! Jezusi, duke e mëshiruar…. Le të mos i lexojmë kurrë këto fjalë pa një ndjenjë ngazëllimi dhe mirënjohjeje. Shtriu dorën. Mendo për këtë! Dora e Perëndisë e shtrirë para në përgjigje të lutjes me përulje dhe besim. Ai e preku. Sipas ligjit, një person bëhej i papastër nga ana ceremoniale kur prekte një lebroz. Gjithashtu, sigurisht që ishte edhe rreziku i marrjes së sëmundjes. Por Biri i Shenjtë i Njeriut e njëjtësoi Vetveten me mjerimin e njerëzisë, duke e davaritur rrënimin e mëkatit pa u njollosur prej tij. Ai tha: “Po, dua.” Ai është më i gatshëm për të shëruar sesa ç’jemi ne për t’u shëruar. Atëherë: “Qofsh pastruar!” Në çast lëkura e lebrozit u bë e lëmuar dhe e pastër. Ai ndaloi që mrekullia të reklamohej derisa njeriu të dilte përpara priftit në radhë të parë e të bënte ofertën e kërkuar (Lev. 14:2). Së pari, kjo ishte një provë e bindjes së njeriut. A do të vepronte ai siç i ishte thënë? Ai nuk bëri ashtu. Ai e reklamoi një gjë të tillë dhe si rrjedhojë pengoi veprën e Zotit (v 45). Kjo ishte një provë edhe për ndjeshmërinë e priftit. A do ta perceptonte ai se Mesia i shumëpritur kishte ardhur duke kryer mrekulli të mahnitshme shërimi? Në qoftë se do të ishte tipik si kombi i Izraelit, ai s’do ta bënte atë gjë. Sërish ne vërejmë se Jezusi u tërhoq nga turmat dhe shërbeu nëpër vende të vetmuara. Ai nuk e maste suksesin me shifra.

H. Shërimi i një paralitiku (2:1-12)

2:1-4 Sapo Zoti erdhi përsëri në Kapernaum…u mblodhën aq shumë njerëz rreth shtëpisë ku Ai ishte. Fjala ishte përhapur me shpejtësi dhe njerëzit mezi prisnin të shihnin Mrekulli-Bërësin në veprim. Kurdo që Perëndia lëviz në fuqi, njerëzit tërhiqen prej Tij. Shpëtimtari u predikonte atyre Fjalën me besnikëri ndërsa ata grumbulloheshin te dera. Prapa turmës ishte një i paralizuar, të cilin po e bartnin katër veta mbi një vig të sajuar aty për aty. Turma ishte një pengesë për afrimin e tij te Zoti Jezus. Zakonisht ka pengesa për t’i shpënë të tjerët te Jezusi, por besimi është i zoti të bëjë këtë. Katër bartësit u ngjitën në çati nga shkallët e jashtme, zbuluan një pjesë të saj dhe e zbritën të paralizuarin në dysheme, ndoshta në mes të një oborri, duke e sjellë atë pranë Birit të Perëndisë. Këtyre shokëve të mirë, dikush u ka vënë nofkat Keqardhje, Bashkëpunim, Origjinalitet dhe Ngulmim. Secili prej nesh duhet të përpiqet të jetë shok që i shfaq këto cilësi. 2:5 Jezusi, i prekur nga besimi i tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!” Tani kjo dukej diçka e çuditshme për t’u thënë. Ishte një çështje paralize e jo mëkati, apo jo? Po, por Jezusi shkoi përtej simptomave, te shkaku. Ai nuk do të shëronte trupin e të shpërfillte shpirtin. Ai nuk do të jepte rrugëzgjidhjen për një gjendje të përkohshme e të linte të paprekur një gjendje të përjetshme. Kështu Ai tha: “Mëkatet e tua të janë falur.” Ishte një shpallje e mrekullueshme. Tani, në këtë tokë, në këtë jetë, mëkatet e njeriut ishin falur. Atij nuk i duhej që të priste deri në Ditën e Gjyqit. Ai kishte tani sigurinë e faljes. Kështu bëjnë të gjithë ata që vënë besimin e tyre në Zotin Jezus. 2:6-7 Skribët u kapën menjëherë pas domethënies së shpalljes. Ata ishin mjaft mirë të përgatitur në doktrinën e Biblës për të ditur se askush nuk mund t’i falë mëkatet përveç Perëndisë. Kështu, kushdo që rrëfente se falte mëkatet pohonte se ishte Perëndi. Deri në këtë pikë, logjika e tyre ishte korrekte, por në vend që ta njihnin Zotin Jezus se ishte Perëndi, ata e akuzuan Atë në zemrat e tyre se po thoshte blasfemi. 2:8-9 Jezusi i lexoi mendimet e tyre, një provë në vetvete e fuqisë së Tij të mbinatyrshme. Ai u bëri atyre këtë pyetje provokuese: “A është më e lehtë të shpallësh faljen e mëkateve të një njeriu apo shërimin e paralizës së tij?” Në të vërtetë është njëlloj e kollajtë si të thuash njërën ashtu edhe tjetrën, por është njëlloj e pamundur, duke folur nga ana njerëzore, si të bësh njërën ashtu edhe tjetrën. 2:10-12 Zoti kishte deklaruar tashmë faljen e mëkateve të njeriut. Po, po a kishte ndodhur vërtet ajo? Skribët nuk mund t’i shikonin mëkatet e njeriut të falura, prandaj ata nuk do të besonin. Në mënyrë që të demonstronte se mëkatet e njeriut ishin falur me të vërtetë, Shpëtimtari u dha skribëve diçka që të mund ta shikonin. Ai i tha të paralizuarit që të ngrihej, të merrte shtratin prej kashte e të ecte. Burri u përgjigj përnjëherësh. Njerëzit u habitën. Një gjë të tillë ata s’e kishin parë kurrë më parë. Por skribët nuk besuan, pavarësisht nga dëshmia më e fuqishme. Të besuarit përfshin vullnetin; ata nuk donin të besonin.

I. Thirrja e Levit (2:13-17)

2:13-14 Ndodhi ndërsa po mësonte gjatë bregut të detit që Jezusi pa Levin duke mbledhur taksa. Ne e dimë se Levi është Mateu, që më vonë shkroi Ungjillin e parë. Ai ishte një jude, por puna e tij s’ishte fare judaike, sepse kemi parasysh se taksat ai i mblidhte për qeverinë e përçmuar romake! Njerëz të tillë nuk ishin gjithmonë të njohur për ndershmërinë e tyre. Në fakt, ata shiheshin me përçmim, sikurse dhe kurvat, si llumi i shoqërisë. Megjithatë është në llogarinë e përjetshme të Levit që kur dëgjoi thirrjen e Krishtit, ai lëshoi gjithçka dhe e ndoqi. Qoftë secili prej nesh si ai për sa i përket çastit dhe bindjes së padiskutueshme. Mund të duket si një flijim i madh për tani, por në përjetësi nuk do të shihet aspak si flijim. Sikurse ka thënë misionari dëshmor Jim Elliot: “Nuk është budalla ai që jep atë që s’mund të mbajë për të fituar atë që s’mund të humbasë.” 2:15 Në shtëpinë e Levit ishte përgatitur një gosti, në mënyrë që ai t’i prezantonte miqtë e tij me Zotin Jezus. Shumica e miqve të tij ishin sikurse ai, tagrambledhës dhe mëkatarë. Jezusi e pranoi ftesën për të qenë i pranishëm me ta. 2:16 Skribët dhe farisenjtë menduan se e kishin zënë atë në një faj serioz. Në vend që të shkonin drejtpërdrejt tek Ai, ata shkuan te dishepujt e Tij dhe u përpoqën që të minonin mirëbesimin dhe besnikërinë e tyre. Si shpjegohej që Mësuesi i tyre po hante dhe po pinte me tagrambledhës e me mëkatarë? 2:17 Jezusi, kur e dëgjoi këtë, u kujtoi atyre se njerëzit që janë shëndosh nuk kanë nevojë për doktor, por vetëm ata që janë të sëmurë. Skribët mendonin se ishin mirë, kështu që ata nuk e njihnin nevojën që kishin për Mjekun e Madh. Tagrambledhësit dhe mëkatarët e pranonin fajin e tyre dhe nevojën e tyre për ndihmë. Jezusi erdhi të thërrasë mëkatarë si ata e jo njerëz që i jepnin të drejtë vetes së tyre. Ka një mësim këtu për ne. Ne s’duhet të mbyllemi në bashkësi të krishterizuara. Më tepër duhet të përpiqemi të kemi shoqëri me të paperëndishmit në mënyrë që ti çojmë ata te Zoti dhe Shpëtimtari ynë. Duke iu bërë shok të paperëndishmit, ne s’duhet të bëjmë ndonjë gjë që do ta komprometonte dëshminë tonë dhe as nuk duhet të lejojmë që të pashpëtuarit të na zvarrisin në nivelin e tyre. Ne duhet të marrim nismën për ta drejtuar miqësinë në kanale pozitive me dobi frymërore. Do të ishte më e lehtë sikur të veçoheshim nga bota e ligë, por Jezusi nuk e bëri këtë ndaj as ndjekësit e Tij s’duhet ta bëjnë. Skribët menduan se do t’i nxirrnin namin e keq Zotit duke e quajtur mik të mëkatarëve, por fyerja e tyre e qëllimshme është bërë një nderim i pëlqyeshëm. Të gjithë të shpenguarit me ngazëllim e njohin Atë si mikun e mëkatarëve dhe do ta duan Atë përjetësisht për këtë.

J. Debat në lidhje me agjërimin (2:18-22)

2:18 Dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve praktikonin agjërimin si ushtrim fetar. Në DhV, ai ishte dhënë si një shprehje e pikëllimit të thellë. Por ai kishte humbur shumë nga kuptimi i tij dhe ishte bërë një rit i zakonshëm. Ata vunë re se dishepujt e Jezusit nuk agjëronin dhe ndoshta ekzistonte pak smirë dhe vetëkeqardhje në zemrat e tyre kur ata i kërkuan Zotit një shpjegim. 2:19-20 Duke u përgjigjur, Ai i krahasoi dishepujt e Tij me shoqëruesit e dhëndrit. Ai Vetë ishte Dhëndri. Për sa kohë që Ai ishte me ta, nuk kishte rast për një demonstrim të jashtëm pikëllimi, por do të vinin ditët kur Ai do të merrej. Atëherë do të kishin rast ata për të agjëruar. 2:21 Menjëherë Zoti shtoi dy ilustrime për të kumtuar ardhjen e një Epoke të Re që ishte e papajtueshme me të mëparshmen. Ilustrimi i parë kishte të bënte me një arnë të re të bërë me stof që nuk ishte futur në ujë. Nëse do të përdorej për të riparuar një rrobe të vjetër, ajo patjetër që do të futej në ujë dhe diçka do të ndodhte. Rroba prej stofi të vjetër do të ishte më e dobët se sa arna dhe do të shqyhej përsëri kudo që arna do të ishte e qepur me të. Jezusi ishte duke krahasuar Dispensacionin e Vjetër me rrobën e vjetër. Perëndia nuk ka patur kurrë ndër mend që Krishterimi të arnonte Judaizmin. Ai ishte një fillim i ri. Pikëllimi i Epokës së Vjetër, i shprehur në agjërim, duhet t’i hapë rrugë gëzimit të së Resë. 2:22 Ilustrimi i dytë fliste për verë të re në kacekë të vjetër. Kacekët prej lëkure e humbisnin fuqinë e tyre për t’u hapur. Nëse në ta futej verë e re, trysnia e krijuar nga fermentimi do t’i bënte kacekët të plasnin. Vera e re simbolizon gëzimin dhe fuqinë e besimit të krishterë. Kacekët që janë të vjetër përshkruajnë trajtat dhe ritet e Judaizmit. Vera e re ka nevojë për kacekë të rinj. Ishte e kotë që dishepujt e Gjonit dhe farisenjtë t’i vinin ndjekësit e Zotit nën skllavërinë e agjërimit të trishtuar, siç ishte praktikuar. Gëzimi dhe gjallëria e jetës së re duhen lejuar të shprehin vetveten. Krishterimi ka vuajtur gjithnjë nga përpjekjet e njeriut për ta përzier atë me legalizmin. Zoti Jezus mësoi se këta të dy janë të papajtueshëm. Ligji dhe hiri janë parime të kundërta.

K. Debat në lidhje me Shabatin (2:23-28)

2:23-24 Ngjarja ilustron konfliktin që Jezusi sapo kishte mësuar midis traditave të Judaizmit dhe lirisë së ungjillit. Një Shabat, ndërsa Ai po kalonte nëpër ara,…dishepujt e Tij këputën disa kallinj për t’i ngrënë. Kjo nuk dhunonte asnjë ligj të Perëndisë, por sipas traditave tepër të holla të etërve, dishepujt kishin shkelur Shabatin duke “korrur” e ndoshta edhe duke “shirë” (duke e fërkuar grurin në duart e tyre për t’i hequr lëvoret)! 2:25-26 Zoti iu përgjigj atyre duke përdorur një ngjarje në DhV. Davidi, megjithëse i vajosur si mbret, ishte refuzuar dhe në vend që të mbretëronte po ndiqej si një thëllëzë. Një ditë, kur ushqimet i kishin mbaruar, hyri…në shtëpinë e Perëndisë dhe përdori bukët e paraqitjes për të ushqyer burrat e tij dhe veten. Zakonisht kjo bukë paraqitjeje ishte e ndaluar për këdo, me përjashtim të priftërinjve. Megjithatë, Davidi nuk u qortua nga Perëndia për këtë gjë. Pse? Sepse gjërat nuk ishin mbarë në Izrael. Për derisa Davidit të mos i jepej vendi që i takonte si mbret, Perëndia e lejonte atë të bënte çfarë zakonisht do të ishte e paligjshme. I tillë ishte edhe rasti i Zotit Jezus. Megjithëse i vajosur, Ai nuk po mbretëronte. Pikërisht fakti që dishepujve të Tij i duhej të këputnin grurin ndërsa udhëtonin tregonte se gjërat nuk ishin si duhet në Izrael. Vetë farisenjtë duhej t’i kishin ofruar mikpritje Jezusit dhe dishepujve të Tij në vend që t’i kritikonin ata. Nëse Davidi kishte shkelur vërtetë ligjin duke ngrënë bukët e paraqitjes e megjithatë nuk ishte qortuar nga Perëndia, sa më të pafajshëm ishin dishepujt, të cilët, në rrethana të ngjashme, s’kishin shkelur tjetër veç traditës së pleqve. Vargu 26 thotë se Davidi i hëngri bukët e paraqitjes kur Abiathari ishte kryeprift. Sipas 1 i Samuelit 21:1, në atë kohë prift ishte Ahimeleku. Abiathari ishte babai i tij. Ka mundësi që besnikëria e kryepriftit ndaj Davidit ta ketë ndikuar atë për të lejuar këtë shmangie të pazakontë nga ligji. 2:27-28 Zoti ynë e mbylli fjalimin e tij duke u kujtuar farisenjve se Shabati ishte themeluar nga Perëndia për të mirën e njeriut, jo për skllavërinë e tij. Ai shtoi se Biri i Njeriut është Zot edhe i Shabatit. Ai e kishte dhënë Shabatin në radhë të parë. Prandaj Ai kishte autoritet për të vendosur se çfarë ishte e lejuar dhe çfarë ishte e ndaluar atë ditë. Sigurisht që Shabati nuk ishte menduar kurrë që të ndalonte veprimet e domosdoshme ose veprat e mëshirës. Të krishterët nuk janë të detyruar të mbajnë Shabatin. Ajo ditë i ishte dhënë kombit të Izraelit. Dita e veçantë e Krishterimit është Dita e Zotit, dita e parë e javës. Megjithatë ajo nuk është një ditë e veshur me legalizmat “bëj këtë” e “mos bëj atë.” Më tepër ajo është një ditë privilegji kur besimtarët, të lirë nga punët e përditshme, mund të adhurojnë, të shërbejnë e të kujdesen për kultivimin e shpirtrave të tyre. Për ne nuk është një çështje: “A është gabim ta bëj këtë në Ditën e Zotit apo jo?,” por më tepër “Si mund ta përdori më mirë këtë ditë për lavdinë e Perëndisë, për bekimin e komshiut tim dhe për të mirën time frymërore?”

L. Shërbëtori shëron në ditën e Shabatit (3:1-6)

3:1-2 Një provë tjetër mund të ngrihet në lidhje me Shabatin. Ndërsa Jezusi hyri përsëri në sinagogë, Ai takoi një njeri me një dorë të tharë. Kjo ngriti pyetjen: “A do ta shëronte Jezusi atë në ditën e Shabatit?” Nëse Ai do ta shëronte, farisenjtë do të kishin një shkak kundër Tij (ose kështu menduan ata). Mendoni për shtirjen dhe mungesën e sinqeritetit të tyre. Ata s’mund të bënin asgjë për ta ndihmuar këtë njeri, por kishin zili për këdo që mundte. Ata kërkuan ndonjë bazë mbi të cilën të dënonin Zotin e jetës. Në qoftë se Ai do të shëronte në ditën e Shabatit, ata do të vërsuleshin te gjahu si një kope ujqërish. 3:3-4 Zoti i tha njeriut që të çohej. Atmosfera ishte ngarkuar me pritje. Pastaj Ai u tha farisenjve: “A është e lejueshme ditën e Shabatit të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?” Pyetja e Tij zbuloi ligësinë e farisenjve. Ata mendonin se ishte gabim që Ai të kryente një mrekulli shërimi në ditën e Shabatit, por për ta s’kishte ndonjë të keqe planifikimi i asgjësimit të Tij Shabatin. 3:5 Nuk është për t’u çuditur që ata nuk u përgjigjën! Pas një heshtjeje të sikletshme, Shpëtimtari e urdhëroi njeriun që të shtrinte dorën e tij. Me ta bërë këtë, atij iu kthye plotësisht forca, mishi u mbush në masën normale dhe rrudhat u zhdukën. 3:6 Kjo ishte më shumë se sa ç’mund të merrnin me mend farisenjtë. Ata dolën jashtë, u lidhën me herodianët, armiqtë e tyre tradicionalë dhe bënë këshill me ta që të vritnin Jezusin. Ishte ende Shabati. Herodi kishte shkaktuar vdekjen e Gjon Pagëzorit. Ndoshta partia e tij do të ishte njëlloj e suksesshme në vrasjen e Jezusit. Kjo ishte shpresa e farisenjve.

M. Turma të mëdha dynden te Shërbëtori (3:7-12)

3:7-10 Duke lënë sinagogën, Jezusi…u tërhoq drejt detit të Galilesë. Në Bibël, deti simbolizon shpesh paganët. Për këtë arsye, veprimi i Tij mund të ketë përshkruar kthimin e Tij nga judenjtë për te paganët. Jo vetëm nga Galilea, por edhe nga vende të largëta u grumbullua një turmë e madhe. Turma ishte aq e madhe saqë Jezusi kërkoi një barkë, në mënyrë që Ai të largohej nga bregu për të mos u shtypur nga ata që kishin ardhur për shërim. 3:11-12 Kur frymërat e ndyra në turmë bërtitën se Ai ishte Biri i Perëndisë, Jezusi i qortoi rreptësisht që të pushonin së thëni këtë. Siç është bërë e njohur tashmë, Ai nuk do ta pranonte dëshminë e frymërave të liga. Ai nuk mohoi se ishte Biri i Perëndisë, por zgjodhi që të kontrollonte kohën dhe mënyrën për t’u zbuluar si i tillë. Jezusi kishte pushtetin për të shëruar, por mrekullitë e Tij u kryen vetëm mbi ata që vinin për ndihmë. Kështu është edhe me shpëtimin. Pushteti i Tij për të shpëtuar është i mjaftueshëm për të gjithë, por është i efektshëm vetëm për ata që vënë besimin tek Ai. Nga shërbesa e Shpëtimtarit ne mësojmë se nevoja nuk përbën një thirrje. Nevojë kishte kudo. Në lidhje me ku dhe kur të shërbente, Jezusi varej nga udhëzimet e Perëndisë Atë. Kështu duhet të bëjmë edhe ne.
[previous][next]
[[2]] Teksti NU nuk e ka “mbretërisë.”[[2]] [[3]] J. R. Miller, Come Ye Apart, lexim për 28 Mars.[[3]]