Mësimi 39 | Karakteri i Krishterë
Një pjesë e materialit në vazhdim është prekur edhe në kapitujt e mëparshëm. Ia vlen ta përsëritim. Ne e quajmë këtë përsëritje për theksim.
Perëndia e caktoi martesën në kopshtin e Edenit përpara se mëkati të hynte në botë (Zan. 2:21-24). Prandaj autori i letrës drejtuar Hebrenjve na kujton se «martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë i papërlyer» (Heb. 13:4a). Shakatë që e poshtërojnë martesën janë të papërshtatshme. Ajo është një marrëdhënie e nderuar dhe e pastër.
Në martesë, dy persona, mashkull e femër, bëhen një (Zan. 2:24; Mt. 19:5; Efe. 5:31b, 33). Qëllimi i Perëndisë është që ky bashkim të zgjatë për tërë jetën (Mt. 19:6b; 1 Kor. 7:39). Një bashkëshort pa bashkëshorten e tij është i paplotë dhe i vetëm dhe e kundërta.
Qëllimi i Perëndisë është që martesa të jetë monogami, domethënë, vetëm një grua (1 Kor. 7:2). Kjo e përjashton bigaminë dhe poligaminë. Ndonëse Perëndia shënon raste të këtyre dy shkeljeve, Ai nuk i aprovoi ato kurrë.
Martesa ka pesë synime. Ajo plotëson nevojën për shoqëri. «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm» (Zan. 2:18). Ajo është mënyra e riprodhimit. «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni» (Zan. 1:28). Ajo ka si qëllim të nxitë pastërtinë morale. «Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet» (1 Kor. 7:2). Ajo ka si qëllim të jetë e dobishme. Perëndia tha: «Unë do t’i bëj (Adamit) një ndihmë të krahasueshme me të» (Zan. 2:18). Kur martesa jetohet me bindje ndaj Fjalës së Perëndisë, ajo është një burim gëzimi dhe kënaqësie (Fja. 5:18-19).
Në marrëdhënien martesore kryesia është roli i burrit (Efe. 5:23). Ky urdhërim u caktua nga rendi i krijimit (1 Tim. 2:13), nga mënyra e krijimit (1 Kor. 7:8) dhe nga qëllimi i krijimit (Efe. 5:22). Gruaja duhet të jetë e nënshtruar ndaj burrit. Eva uzurpoi kryesinë (Zan. 3:1-6) dhe solli në botë pasojat e llahtarshme të mëkatit. Por mëkati i është ngarkuar Adamit, sepse ai është kreu i racës njerëzore. «Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë…» (Rom. 5:12).
Nënshtrimi i gruas ndaj burrit është i duhur, ngaqë kështu ka thënë Zoti (Kol. 3:18) dhe sepse kjo i pëlqen Atij. Edhe nëse ajo është më e aftë dhe më frymërore se ai, ajo duhet ta inkurajojë atë që të zërë vendin e kryesisë në shtëpi, në vend që ta marrë atë vetë.
Burri duhet ta dojë gruan e tij, sikurse e do Krishti kishën (Efe. 5:24). Ai duhet ta trajtojë atë si një zonjë. Jo vetëm kaq, pasi ai duhet ta dojë atë siç e do vetveten (Efe. 5:28, 33a). Dikush ka thënë: «Asnjë grua nuk do të kundërshtojë të jetë e nënshtruar ndaj një burri që e do atë siç e do Krishti kishën».
Kërkesa e parë në zgjedhjen e një partneri është që ai apo ajo duhet të jetë «në Zotin», domethënë, një besimtar/e (1 Kor. 7:39; 2 Kor. 6:14). Por kjo nuk mjafton. Të dy duhet të kenë unitet në bindjet biblike. Ata duhet të kenë qëllime të ngjashme në jetë. «A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë» (Amosi 3:3).
Martesa është rregulli i përgjithshëm i Perëndisë për racën njerëzore. Një përjashtim gjendet te Mateu 19:12 – ka disa që janë eunukë për mbretërinë e qiejve. Këta njerëz janë të gatshëm të heqin dorë nga martesa për t’iu përkushtuar pa shkëputje veprës së Zotit.
Në zellin që ka për Perëndinë një dishepull i ri mund të zotohet se nuk do të martohet kurrë. Ai do që t’ia përkushtojë veten pa shkëputje shërbesës së Zotit. Motivi i tij është i mirë, por do të jetë më mirë të mos zotohesh. Si mund ta dijë? Është më mirë të jetosh çdo ditë me radhë dhe ta lësh Zotin të të drejtojë. Ndoshta do të jetë vullneti i Perëndisë që ai të martohet në një datë të ardhshme.
Apostulli Pal përcakton se «edhe ata që kanë gra të jenë si të mos kishin» (1 Kor. 7:29). Kjo do të thotë se Krishti duhet të jetë i pari në përparësitë tona. Gratë duhet të zënë rolin dytësor. A do të thotë kjo se kështu gratë lihen pas dore? Jo, por kjo do të thotë se çdo grua ka burrin e duhur kur ky e fundit e vë Krishtin të parin.
Kur një burrë martohet ai duhet të lërë babanë dhe nënën e vet dhe duhet të kapet pas gruas së tij (Efe. 5:31). Kjo do të thotë se tani ajo ka përparësi mbi prindërit e tij. Por dikush duhet të ketë vendin e parë në jetën e tij apo të saj. Ai është Zotit Jezus. Burri dhe gruaja duhet të kenë rol dytësor ndaj Tij.
Shumë martesa mund të shpëtohen nëse zbatohen udhëzimet tek 1 Korintasve 7:4-7. Ajo çfarë thonë këto vargje është se akti martesor duhet të përsëritet sa herë që dëshiron njëri nga bashkëshortët. Burri ka të drejtë mbi trupin e gruas dhe po kështu gruaja në lidhje me burrin. Ky është rregulli i përgjithshëm. Kemi një përjashtim kur njëri dëshiron ta përkushtojë veten me agjërim e lutje. Sigurisht që njëri do të dojë të jetë i ndjeshëm ndaj ndryshimeve fizike dhe emocionale të tjetrit. Asnjë prej bashkëshortëve nuk duhet ta përdorë trupin si një armë duke e refuzuar atë.
Një burrë nuk duhet të jetë kurrë i hidhur me gruan e tij (Kol. 3:19), por të jetojë me të me urtësi, duke e çmuar atë si bashkëtrashëgimtare të hirit të jetës (1 Pje. 3:7). Kjo do të garantojë liri kur ata luten bashkë.
Një nga kërkesat parësore për një martesë të lumtur është përulësia. Kur njëri nga bashkëshortët ka vepruar padrejtësisht me tjetrin, ai ose ajo duhet të shprehë keqardhje dhe të kërkojë falje. Është e dhimbshme ta bësh këtë, por është më mirë se të durosh pa mbarim trajtimin e ftohtë. Do të jetë e vështirë për krenarinë tënde, por rrëfeje ata përpara se të perëndojë dielli.
Ka pyetje që çdo çift duhet të vendosë duke pritur në Zotin. A duhet të përdorin mënyra për kontrollin e lindjeve? Sa e madhe duhet të jetë familja e tyre? Nuk ka vetëm një përgjigje të drejtë ndaj këtyre pyetjeve. I takon çdo çifti që të marrin udhëheqje nga Zoti. Të krishterët e tjerë nuk duhet t’i gjykojnë ata apo t’i diktojnë pikëpamjet e tyre dogmatike si të vetmet që janë të drejta.
Ideali për martesën është «derisa vdekja të na ndajë». Megjithatë, janë dhënë dispozita për divorc kur njëri prej bashkëshortëve tregohet i pabesë (Mt. 19:9). Divorci nuk urdhërohet, por lejohet. Në atë rast, bashkëshorti i pafajshëm është i lirë të rimartohet. Kur lexojmë te Malakia 2:16 që Perëndia e urren divorcin, kjo do të thotë vetëm divorcin jobiblik, pasi Perëndia e ndau Izraelin (Jer. 3:8) dhe ishte për të njëjtën arsye – pabesi.
Misionari Karl Not (Carl Knott) sugjeroi pikat e mëposhtme kur iu kërkua të jepte 10 pika të goditura mbi martesën:
Përcaktoni drejt përparësitë! Vendosni Perëndinë të parin në çdo gjë. Që nga fillim përkushtojani martesën tuaj Zotit dhe pranoni zotërimin e Tij në shtëpinë tuaj.
Mos lundroni pa busull. Lexoni Shkrimet përditë, diskutoni për to, flisni për to dhe binduni atyre (LiP. 6:6-9; Jak. 1:22).
Bashkëshort, ti je burri. Ji i perëndishëm, jo i kësaj bote. Merr përgjegjësi të plotë për drejtimin e familjes në një mënyrë të krishterë (Zan. 3:16; 18:19; Kol. 3:19). Ji një shembull për gruan dhe fëmijët e tu.
Bashkëshorte, ti je gruaja. Karriera dhe vendi i shërbesës së dhënë nga Perëndia është shtëpia (Titi 2:3-5). Orientimi yt të jetë ndaj burrit tënd dhe ndihmoje atë. Shërbeji Zotit në shtëpi dhe nëpërmjet saj (Fja. 31).
Në qoftë e mundur mos bëj fjalë kurrë me partnerin tënd përpara të tjerëve dhe mos e kritiko kurrë partnerin tënd para të tjerëve apo të dëgjosh kritika. Çfarëdo që të nevojitet për zgjidhjen e problemit duhet bërë privatisht dhe në mënyrë të perëndishme.
Lejoni Zotin të drejtojë financat e familjes suaj. Mos mblidhni thesare në tokë (Mt. 6:19) dhe jini bujarë me atë që keni. Zoti është një dhurues bujar.
Kini një politikë të dyerve të hapura, domethënë, jini mikpritës. Kujdesuni për të tjerët dhe përdoreni shtëpinë tuaj për ta vërtetuar këtë. Mos u shqetësoni për atë që nuk keni (2 Kor. 8:12).
Punoni bashkë në mbështetje të asamblesë vendore, duke shkuar te të tjerët dhe duke u shërbyer atyre për hir të Krishtit e të ungjillit (Marku 1:28-34; Luka 18:28-30; Veprat 18:24-26).
Jini një familje që lutet. Lutuni ndërsa udhëtoni dhe udhëtoni ndërsa luteni. Lutuni përpara marrjes së vendimeve. Lutuni kur dalin probleme. Lutuni kur gjithçka shkon mirë.
Kultivoni marrëdhënien tuaj martesore. Martesa është një marrëdhënie, një miqësi dhe një bashkëpjesëmarrje. Disa njerëz janë më të zënë me punën e tyre, sesa janë me gruan e tyre. Jini shokë të ngushtë, ndërsa koha kalon. Kaloni kohë së bashku vetëm. Dilni për të ngrënë bashkë jashtë, dilni për një shëtitje, kaloni një ditë në fshat dhe flisni për gjërat që keni në zemër.
Është gjithnjë problem për ata të krishterë që vërtet dëshirojnë të martohen, por për një arsye a një tjetër nuk janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë. Ata mund të praktikojnë fisnikërimin, domethënë, të ridrejtojnë një shtysë përulësie drejt një jete shërbimi për Zotin Jezus dhe për popullin e Tij. Shembuj jetësh të frytshme të beqarisë janë Xhorxh Myller (George Mueller), Ami Karmikael (Amy Carmichael), Xhon Nelson Darbi (John Nelson Darby), Gladis Ajluard (Gladys Aylward), Korri ten Bun (Corrie ten Boon) dhe Fani Krosbi (Fanny Crosby). Askush nuk ka pse të ndihet i lënë jashtë programit të Perëndisë. Çdo besimtar mund të gjejë plotësim të vërtetë në një jetë të derdhur për Jezusin.
[previous][next]