Parimet e doktrinës së krishterë | Mësimi 1
«KUSH ËSHTË PËR TË VËRTETËN E DËGJON ZËRIN TIM» tha Zoti Jezus para guvernatorit romak. «Pilati i thotë: Çfarë është e vërteta?» (Gjoni 18:37-38). Përfitojmë shumë pak, zakonisht, nëse studiojmë diçka në të cilën mendojmë
(1) nuk ka asnjë të vërtetë që mund të quhet e tillë, ose në të cilën
(2) është një e vërtetë që ndryshon vazhdimisht, ose në të cilën mendojmë
(3) është e pamundur ta njohësh të vërtetën me siguri.
E vërteta është e përcaktuar si: e njëjtë me faktet apo me realitetin, pajtohet me atë që është, që ka qenë e që do të jetë: është e kundërta e rrenës, e gabimit apo e gënjeshtrës. E vërteta është e saktë dhe e pandryshueshme, pavarësisht nga historia dhe kultura; është absolute dhe e pavarur nga të gjitha gjërat e tjera. Të besosh ndryshe është shkatërruese si për mbushjen e bagazhit tonë kulturor ashtu edhe për atë moral.
Kërkimi i së vërtetës
Psalmisti thoshte: «Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso» (Psalmi 25:5). Ai besonte që kjo e vërtetë ishte e përjetshme (Psalmi 117:2). Duke parë që ajo është kaq e çmuar, na jepet një rekomandim: «Merre të vërtetën dhe mos e shit» (Fjalet e Urta 23:23). Profeti flet për «Perëndinë e së vërtetës» (Isaia 65:16). Zoti Jezus thotë: «Unë jam … e vërteta» (Gjoni 14:6) dhe «fjala jote është e vërtetë (Gjoni 17:17). Nga ana e Perëndisë është dëshira që të gjithë njerëzit «ta njohin të vërtetën» (1 Timoteut 2:4). Pastaj na thuhet që njerëzit, në përgjithësi «kanë ndryshuar të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, dhe kanë adhuruar e i kanë shërbyer krijesave në vend të Krijuesit” (Romakeve 1:25). Ata që thonë që janë në kërkim të së vërtetës shpesh nuk e duan të vërtetën (2 Thesalonikasve 2:10) kërkojnë më shumë rrugën e tyre dhe kjo rrugë nuk është rruga e drejtë. Por Jezusi atyre që me të vërtetë kërkojnë të vërtetën i ka premtuar: «Do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë» (Gjoni 8:32). Njerëzit duhet ta njohin të vërtetën rreth Perëndisë, rreth jetës dhe përjetësisë.
Burimi i së vërtetës
Ku ta kërkojmë të vërtetën? Disa e kërkojnë brenda vetes; besojnë që arsyeja e tyre, emocionet, dëshirat e tyre janë një udhërrëfyes i mjaftueshëm. Disa të tjerë e kërkojnë të vërtetën në marrëdhëniet me të tjerët; i japin shumë peshë këshillave, eksperiencave dhe mësimeve të personave të tjerë. Disa të tjerë e kërkojnë të vërtetën përtej vetes së tyre, janë të bindur që kuptimi i së vërtetës shkon përtej aftësive të kufizuara që ka intelekti e zgjuarsia njerëzore.
Duhet ndihma e Perëndisë ose e ndonjë fuqie mbinatyrore. Vepra që Perëndia kryen duke na komunikuar disa gjëra të përcaktuara, që ndryshe nuk do t’i kishim njohur, quhet zbulim. Ndërsa quhet frymëzim vepra e kryer nga Perëndia duke udhëhequr njerëzit për të shkruar një komunikim të së vërtetës që Ai do të na e zbulojë . Fakti që Perëndia ka vepruar pikërisht në këtë mënyrë për të na dhënë 66 librat e Biblës, është përcaktuar nga profetët, nga apostujt, e nga Jezu Krishti vetë.
Zbulimi i Perëndisë është quajtur «Shkrimi» ose «Shkrimet» (Marku 12:10; 12:24) duke na lënë të kuptojmë që flitet për shkrime të shenjta. Ne e quajmë bashkësinë e këtyre librave Bibla, që do të thotë librat ose më mirë, «Libri» – duke treguar për shkëlqesinë e tij qëndrueshmërinë e tij përmbi gjithë librat e tjerë. Këto shkrime më vonë do të emërohen «Fjala e Perëndisë» (Marku 7:13; Romakeve 10:17 dhe 2 e Korintasve 2:17 dhe 1 Thesalonikasve 2:13; Hebrenjve 4:12). Shprehje të tilla si «Perëndia thotë», «Zoti foli» dhe «fjala e Zotit u bë e njohur» janë përdorur vetëm në Dhiatën e Vjetër rreth 3000 herë. Në shumë raste shikojmë që Perëndia flet direkt (Eksodi 24:12; Ligji i Perterire 10:1-2). Shkrimtarët e Shkrimit thonin që Perëndia po jepte fjalët e Tij njerëzve nëpërmjet tyre. Shiko shprehjet e mëposhtme të sjella nga njerëzit e Perëndisë në Bibël:
Moisiu: «Perëndia tha: “I Përjetshmi tha”» (Eksodi 3:14-15, Ligji i Perterire 1:42)
Jozueu: «Zoti foli» (Jozueu 1:1)
Jeremia: «I Përjetshmi tha: “thotë i Përjetshmi”» (Jeremia 1:7-9)
Ezekieli: «Ai më tha» (Ezekieli 3:4)
Malakia: «Thotë i Përjetshmi» (25 herë)
Jezusi: «derisa të plotësohet gjithçka» (Mateu 5:18, duke folur për ligjin e Dhiatës së Vjetër)
«urdhri i Perëndisë» (Marku 7:8, në përputhje me ligjin e Dhiatë së Vjetër)
«Është e shkruar» (Gjoni 6:45, duke folur për profetët e Dhiatës së Vjetër)
«Kanë Moisiun dhe profetët» (Luka 16:29-31)
«të shkruara … në ligj … tek profetët dhe tek psalmet» (Luka 24:44)
Apostujt: «(profecia e Shkrimeve) e lajmëruar nga Fryma e Shenjtë» (Veprat e Apostujve 1:16)
«Dhe foli Fryma e Shenjtë» (Veprat e Apostujve 28:25)
Përveç këtyre bëhen pohime të tjera të karakterit të prerë si: «Çdo Shkrim është i frymëzuar nga Perëndia» (2 Timoteut 3:16); «njerëzit kanë folur nga ana e Perëndisë, sepse janë shtyrë nga Fryma e Shenjtë» (2 Pjetrit 1:21); «jo me fjalë të mësuara nga dija njerëzore por të mësuara nga Fryma» (1 e Korintasve 2:13).
Vula e së vërtetës
Konsideratat e mëposhtme tregojnë që përcaktimet e mësipërme janë të vërteta;
- Ata që këmbëngulnin se ishin të frymëzuar ishin njerëz me cilësi shumë të larta morale e shpirtërore. Kush guxon të akuzojë Moisiun, Palin, Isaian ose deri Zotin Jezus se janë njerëz me cilësi të diskutueshme?
- Bibla zotëron një unitet të thellë mësimi, megjithëse e shkruar nga më shumë se 40 shkrimtarë të ndryshëm, në një hark kohor që i kalon 1500 vjetët. Në ç’mënyrë tjetër mund ta shpjegojmë këtë unitet?
- Paraqitja, në Shkrimet, e një numri të madh faktesh historike ka nxitur përpilimin e volumeve në bazë të zbulimeve arkeologjike dhe të vërtetave të tyre. Në fakt janë në Bibël referime të gjëra për ngjarje e personazhe historike.
- Bibla ka vazhduar së qeni, për botimet e panumërta, për përhapjen e gjerë të saj dhe për ndikimin e madh që ka në botë, libri më i rëndësishëm i shkruar ndonjëherë. Por ka qenë edhe libri më shumë i luftuar, e megjithatë, ka mbijetuar ndaj tentativave të panumërta e të kota për të djegur çdo kopje. Kush libër tjetër, me një kundërshtim të tillë, mund të kishte mbijetuar? Dhe në fakt ka vazhduar të jetë libri më i shitur, vit mbas viti.
- Ky libër vazhdon të ndryshojë jetë njerëzish edhe sot. Kriminelë të egër, ashtu edhe njerëzit më të urtë, janë prekur e ndryshuar rrënjësisht nga mesazhi i tij. Miliona njerëz kanë marrë nga Bibla shpresë, ngushëllim e inkurajim në momentet më të trishtueshme. Kush libër ka ndryshuar për të mirë kaq shumë jetë?
- Profeci të përshkruara në çdo detaj janë përmbushur njëqind për qind. Në ç’vend tjetër gjenden dokumente profetike të plotësuara njëqind për qind?
Argumente të rëndësishme si jeta e përjetshme kane ngurtësuar pa dobi mendjen e njerëzve të mëdhenj. Vetëm në Shkrimet ato përballohen dhe zgjidhen.
Qëllimi i këtyre mësimeve është të ndihmojë lexuesin të kuptojë saktësisht atë që Bibla na mëson mbi argumente si p.sh. Perëndia, njeriu, mëkati, shpëtimi, përjetësia dhe Jezus Krishti. Është e rëndësishme të dish atë që thotë Bibla para se të pranosh me atë që thuhet. Jezusi këmbëngulte fakteve që ata nuk njihnin Shkrimet (Mateu 22:29). Danieli thotë që këto ishin Shkrimet e «librit të së vërtetës» (Danieli 10:21). E njeh ti të vërtetën?
Pyetje – Mësimi 1
Njeriu zotëron një dëshirë të madhe për të njohur të vërtetën. Janë të disponueshme shumë burime për të, megjithatë nuk janë të besueshme. Bibla pohon që është e vërteta e Perëndisë e shfaqur për njeriun.
1. Cila nga frazat e mëposhtme e përshkruan më saktësisht konceptin biblik të së vërtetës? (Zgjidh një)
a. nuk ekziston asnjë e vërtetë
b. e vërteta ndryshon vazhdimisht
c. është e pamundur ta njohësh të vërtetën me siguri
d. e vërteta njihet dhe është absolute
2. Në ç’mënyrë Perëndia ia ka komunikuar të vërtetën njeriut, përpara lindjes së Krishtit (Hebrenjve 1:1)?
Çfarë theksonin profetët mbi prejardhjen e fjalëve të tyre?
3. Kush është mjeti final i përdorur nga Perëndia për të komunikuar të vërtetën (Hebrenjve 1:2; Mateu 17:5)?
Çfarë thotë Jezusi mbi të vërtetën (Gjoni 14:6; 17:17)?
4. Në ç’mënyrë Jezusi thekson autoritetin e anëtarëve të Shkrimeve të Dhiatës së Vjetër (Luka 24:44)?
Çfarë qëndrimi merr Jezusi në drejtim të ngjarjeve të mëposhtme të Dhiatës së Vjetër?
Krijimi i Adamit dhe Evës (Marku 10:6)
Jona e peshku (Mateu 12:39-40)
Noeu dhe arka (Mateu 24:37-39)
5. Përse nuk shkon të thuash që pranoj mësimet e Jezusit dhe ndërkohë refuzon mësimet e pjesëve të tjera të Biblës, p.sh. Zanafillën (Gjoni 5:46-47)?
6. Shkrimtarët e Dhiatës së Re i bënë me shkrim fjalët e mësimet e Jezusit. Çfarë qëndrimi mbajtën ata në lidhje me autoritetin e asaj që ata po shkruanin (1 e Korintasve 11:23 dhe 2 Pjetrit 1:16-21)?
7. Kush ishte një nga gabime trashanike të kryetarëve fetar në kohën e Jezusit (Mateu 22:29)?
8. Shkruaj me fjalët e tua 2 Timoteu 3:15-17.
Kush është një nga motivet e mira për të studiuar Biblën (Gjoni 5:39)?
9. Çfarë mendon? Veço pohimet që pasqyrojnë më mirë bindjet e tua mbi Biblën, duke shënuar me √ germën e alfabetit që e paraprin:
a. Besoj që Bibla është Fjala e Perëndisë drejtuar njeriut, është shkruar nga njerëz të ndryshëm në harkun e shumë viteve, është pa gabime në shkrimet e saj origjinale, është e saktë e besueshme si në faktet historike dhe në doktrinën e shprehur nga ajo vetë.
b. Besoj që vetëm fjalët e Jezusit në Bibël janë të frymëzuara.
c. Besoj që shumë tregime të Biblës, si ai i Adamit dhe Evës, Noeu dhe arka nuk duhet të merren në kuptimin e vërtetë të fjalës, megjithatë na mësojnë diçka.
d. Besoj që Bibla ka shumë kontradikta.
e. Besoj që Bibla përmban atë që duhet të di mbi Perëndinë mbi jetën e tanishme dhe të ardhmen.
f. Besoj që Bibla ka shumë mësime të mira mbi moralin, por nuk është e vërteta absolute.
g. E vërteta e Biblës është e vlefshme për të gjithë brezat, të gjithë kulturat, të gjithë racat.
10. Çfarë mendojnë të tjerët? Tako të paktën tre persona gjatë kësaj jave dhe bëji atyre këto pyetje:
(1) Po të jesh ti Perëndia dhe ke dëshirë komunikosh me njerëzit, si do të veprosh?
(2) Çfarë prove ke nevojë ti që të jesh i bindur që Bibla është Fjala e Perëndisë, mesazhi i Perëndisë?
(3) Nëse dikush të provon që Bibla është e vërtetë, a do jesh i gatshëm t’u bindesh mësimeve të moralshme që ndodhen në të?