PYETJE: Çfarë do të thotë Bibla kur thotë që dishepujt “i lanë të gjitha dhe ndoqën atë”? A është gjithsecili i thirrur për të shërbyer me kohë të plotë? A na lejon Perëndia që të kemi zotërime? Si mundet dikush të mbajë dhe të rritë një familje ndërsa në të njëjtën kohë “të heqë dorë nga të gjitha ato që ka”? Dëshiroj që të ndjek me gjithë zemër Zotin kudo që më drejton, dhe nuk dua të zmbrapsem cilido qoftë çmimi, por gjendem në mëdyshje për atë se çfarë do të thotë kjo.
PËRGJIGJE: Ne të lavdërojmë për këtë shqetësim të sinqertë me të cilin shumë të krishterë nuk duan të përballen. Nuk duam të mpijmë tehun e Shpatës së Frymës, por as nuk duam të keqpërdorim Fjalën e Perëndisë. William MacDonald citon George Verwer: “Bibla ose do të thotë atë që thotë ose ne duhet ta flakim atë tutje”. Por çfarë do të thotë Bibla me atë që thotë? Kjo mbetet një pyetje e sinqertë jo vetëm për këtë situatë por edhe për vargje të tjera.
Siç duket, “të heqësh dorë” nuk është njëlloj me “të braktisësh” ose “të japim”. Po të ishte kështu, atëherë neve do na duhet të braktisim të gjitha rrobat dhe të ecim në rrugë lakuriq, të braktisim gjithë ushqimin dhe të mos kemi asgjë për të ngrënë, të japim çdo mobilie dhe të ngelemi pa shtretër, karrige apo tavolina, t’i japim të gjitha paratë që kemi dhe do të na duhet të mbështetemi mbi dhuratat e të tjerëve që nuk kanë “hequr dorë nga të gjitha” etj. Mirëpo, shumë do të thonë që kjo është ekstremizëm qesharak. Por si përcaktohet “ekstremizmi”? Bibla do të thotë atë që thotë – por çfarë do të thotë?
“Hiq dorë nga të gjitha!” mund të jetë një sfidë dënuese kur bashkohet me shprehjen “Të gjitha do të thotë të gjitha!” Por ai që e thotë këtë ndoshta ka diçka që nuk e ka dhënë ose braktisur: ndoshta një makinë, ose dyshekun ku fle, ose të paktën disa rroba etj. A duhet që karpentieri të japë të gjitha veglat e tij, piktori të gjithë penelat e tij, fermeri plugun e tij – dhe të mos kenë asnjë mjet për të fituar të ardhurat? Nëse jo, atëherë si mund të thonë që kanë hequr dorë nga të gjitha për të ndjekur Krishtin? Nëse dikush jep shtretër e batanije dhe përdor vetëm një thes gjumi, përsëri ai nuk ka braktisur gjithçka. Gjykimi i shëndoshë kërkohet për të kuptuar Biblën.
William MacDonald shkruan: “Urdhërimi për të hequr dorë nga të gjitha përmban vlera të mëdha tronditje. Ky urdhërim na zgjon nga ai lloj krishterimi i vakët, i pudrosur e i sheqerosur që shohim sot. [Por] të hequrit dorë nga të gjitha nuk është njëlloj për një çift me një familje të madhe siç është për një beqar. Nuk është njëlloj për pronarin e një kompanie që kërkon aktiv siç është për një nëpunës. Si beqarët ashtu dhe çiftet e martuara duhet të ulen në gjunjë dhe të pyesin: ‘Zot, çfarë do të thotë kjo në jetën time ose në jetën tonë?’ Pastaj, ndërsa Zoti fillon të vërë gishtin mbi zotërime materiale, ata duhet të jenë të gatshëm të heqin dorë nga ato dhe t’i vendosin të ardhurat e tyre në veprën e Zotit dhe për bekimin e shpirtrave të pavdekshëm”.
Duke e krahasuar Shkrimin me Shkrimin dhe duke e marrë gjithë Biblën në kontekst, ti mund të kuptosh që ne nuk duhet të mbajmë asgjë si tonën, por që gjithçka i përket Zotit për t’u përdorur siç Ai na drejton – dhe jo që të keqpërdoret ose të shpërdorohet: “përdorni nga kjo botë, sikur të mos e shpërdorni” (1 e Korintasve 7:31). Nuk janë zotërimet e gjërave ose sasia apo cilësia e tyre, por qëndrimi i zemrës. Megjithatë, William MacDonald na kujton që: “Qëndrimi i zemrës është i rëndësishëm, por … ai duhet të kthehet në veprim”. Siç ka thënë Pali: “Unë di … të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë” (Filipianeve 4:12).
Si Jezusi ashtu dhe Jakobi i dënuan të pasurit. Por çfarë do të thotë “i pasur”? “Të varfrit” e vendeve perëndimore mund të jenë “të pasur” në shumë vende. Po, Jakobi i dënoi të pasurit, por jo për sasinë e parave apo zotërimeve të tyre. Përkundrazi ishte për faktin që ata po jetonin për veten dhe kënaqësitë tyre dhe që me mashtrim ua kishin ngrënë pagën punëtorëve (Jakobit 5:1-6). Jezusi thotë: “Mjerë ju, o të pasur …” (Luka 6:24); dhe Ai shpall: “Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë” (Marku10:25). Përsëri na duhet të bëjmë pyetjen: “Sa para ose sa zotërime e bëjmë dikë të pasur? Sa e mirë duhet të jetë një shtëpi ose një makinë që të jetë tepër e mirë?” Jezusi nuk na ka lënë matje të tilla, por dënoi “ata që mbështeten te pasuria” (v. 24). Jo paraja, por “lakmia për para” është “rrënja e gjithë të këqijave” (1 Timoteut 6:10). Kujdes këtu: ne duhet t’i kërkojmë Perëndisë të hetojë zemrat tona.
Jozefi nga Arimatea është përmendur për mirë në çdo ungjill. Ai është quajtur një “dishepull” (Mateu 27:57), një “këshilltar i respektuar” (Marku15:43), një “njeri i drejtë dhe i mirë” (Luka 23:50, 51) dhe përsëri një “dishepull [i fshehtë derisa kërkoi trupin e Jezusit]” (Gjoni 19:38-42). Megjithatë ai ishte “një njeri i pasur” (Mateu 27:57) dhe nuk është kritikuar për të qenët i pasur. Nëse nuk do të kishte qenë i pasur, ai nuk do të kishte patur një varr bosh tepër për t’ia dhënë Krishtit, dhe as nuk do të ishte përmbushur ajo profeci që Krishti, kur të vdiste, do të vihej “me të pasurin” (Isaia 53:9).
Ne jemi urdhëruar të punojmë (2 Thes. 3:11-14) dhe kjo nënkupton të ardhura. Ne supozohet t’u japim të varfërve, gjë e cila do të ishte e pamundur nëse nuk do të kishim asgjë për të dhënë. Ai që nuk kujdeset për familjen e tij “e ka mohuar besimin e tij dhe është më i keq se një jobesimtar” (1 Timoteut 5:8). Pali foli për “të mbledhurit e ndihmave për shenjtorët”, gjë që duhej marrë të parën ditë të çdo jave (1 e Korintasve 16:1, 2); dhe ai nuk sugjeroi kurrë që ata të mos mbanin asgjë për veten e tyre, por i lavdëron ata për “bujarinë” e tyre (v. 3).
Po, por çfarë bëri kisha e hershme? A nuk i shiti ajo “pronat e pasuritë … të gjithë që zotëronin ara ose shtëpi i shitnin … dhe i vinin [të ardhurat] te këmbët e apostujve (Veprat 2:45; 4:34, 35)? Kjo s’mund të thotë që ata i shitën banesat e tyre dhe jetuan në rrugë, ose që i shitën fermat e tyre duke mos patur asnjë mënyrë për të siguruar të ardhurat. Ata duhet të kenë shitur toka ose shtëpi që i kishin tepër e që nuk i nevojiteshin. Një takim lutjesh për lirimin e Pjetrit nga burgu u mbajt “në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit” (Veprat 12:12). Pali jetoi si i burgosur në Romë “plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira” (Veprat 28:30). Gjoni shkruan sikur çdo familje e krishterë jeton në shtëpinë e vet (2 Gjonit 10). Fakti që të krishterët jetojnë në shtëpitë e tyre (jo medoemos të marra me qira), dhe që shpesh kisha mblidhej në shtëpitë e të krishterëve është përmendur shumë herë: Veprat e Apostujve 2:46; 5:42; 8:3; 10:6, 17, 32; 20:20; 21:8; Romakeve 16:5 dhe 1 e Korintasve 1:11 etj.
Jezusi tha: “Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë” (Mateu 6:19). Por Pali ka thënë që prindërit duhet “të mbledhin … për bijtë” (2 e Korintasve 12:14). A është Pali duke kundërshtuar Jezusin? Jo. Krishti e përkufizon një “thesar” si diçka ku është fiksuar zemra (Mateu 6:21). Dhe Pali thotë: “Kini mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianeve 3:2); kështu që nuk është vlera ose sasia e zotërimeve që është gabim por kur dikush i fikson dëshirat e tij mbi to, duke mos qenë i gatshëm për t’i dhënë. Sikurse thotë MacDonald: “Qëndrimi duhet të kthehet në veprim”. Dhe ai shton: “Ata njerëz që heqin dorë nga të gjitha nuk duhet të jenë kritikues ndaj të tjerëve. Të tjerët që nuk bien dakord nuk duhet të gjykojnë ata të cilët me një besim të thjeshtë heqin dorë nga gjithçka”.
Ju pyesni nëse a janë të gjithë të thirrur në “shërbesë me kohë të plotë”. Po sigurisht që të gjithë jemi, por nuk jemi thirrur të gjithë për të njëjtën shërbesë. Të jesh i krishterë është një thirrje me kohë të plotë. Ne duhet të përfaqësojmë Krishtin si ambasadorë të Tij kudo, në çdo moment. Pra, ne duhet të jetojmë gjithmonë për Të. Krishti jeton në çdo të krishterë; Ai është bërë jeta jonë – dhe kjo s’mund të jetë e vërtetë vetëm me kohë të pjesshme. Përcaktimi dhe të jetuarit e asaj se çfarë do të thotë kjo i takon çdo individi ndërsa studion Fjalën dhe drejtohet nga Zoti, i përulur dhe në nënshtrim të plotë ndaj vullnetit të Tij.
Është e qartë që jo të gjithë jemi thirrur të bëhemi predikues, shkrimtarë, ungjilltarë shëtitës, misionarë në një vend tjetër etj. Çfarëdo profesioni që të kemi ne duhet të jemi dëshmitarët e Tij ndërkohë që edhe jemi duke i dhënë punëdhënësit tonë përpjekjet më të mira në punën që na ka dhënë dhe për të cilën ai na paguan. Pali përdori analogjinë e një trupi. Trupi ka shumë gjymtyrë që kanë funksione të ndryshme. Ai pyet: “A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues? A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?” (1 e Korintasve 12:29, 30). Përgjigjja e nënkuptuar është qartë: “Jo”. Dështimi për të kuptuar këtë fakt të thjeshtë ka qenë shkaku i shumë gabimeve dhe shpërdorimeve midis pentakostalëve dhe karizmatikëve.
Secili prej nesh ka një shërbesë, por jo të njëjtën shërbesë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë për Krishtin dhe ungjillin, për ta lejuar Atë të jetojë jetën e Tij në ne dhe përmes nesh dhe për të dëshmuar hirin, dashurinë dhe shpëtimin e Tij me jetët dhe buzët tona. Kjo s’mund të jetë më pak se një shërbesë “me kohë të plotë”!
–Dave Hunt
(marrë nga P&P e buletinit Thirrja e Bereasve, Qershor 2006)