PRAKTIKA: Jeta jonë sipas Ungjillit (Romakëve 12-16)

Pjesa tjetër e Romakëve i përgjigjet pyetjes: Si duhet të përgjigjen në jetën e tyre të përditshme ata që janë shfajësuar me anë të hirit? Pali shtjellon detyrat tona ndaj besimtarëve të tjerë, ndaj shoqërisë, ndaj armiqve tanë, ndaj qeverisë dhe ndaj vëllezërve tanë më të dobët.

A. Në Shenjtëri Personale. (12:1-2)

12:1 Një konsideratë e devotshme dhe serioze e dhembshurisë së Perëndisë, siç është paraqitur në kapitujt 1-11, na çon vetëm në një përfundim – ne duhet t’i paraqisim trupat tanë si një fli i gjallë, i shenjtë, i pëlqyer nga Perëndia. Trupat tanë nënkupton gjithë gjymtyrët tona dhe për më tepër gjithë jetët tona.

Zotimi i plotë është shërbesa jonë e mençur. Është shërbesa jonë e mençur në kuptimin që: nëse Biri i Perëndisë ka vdekur për mua, atëherë e pakta që mund të bëj është të jetoj për Të. “Nëse Jezus Krishti është Perëndia edhe vdiq për mua,” tha atleti i madh anglez C. T. Studd, “atëherë asnjë sakrificë s’mund të jetë aq e madhe për t’u bërë për Të” {{46}}. Himni i madh i Isaac Watts thotë të njëjtën gjë: “Dashuri kaq e madhe, kaq hyjnore, kërkon zemrën time, jetën time, gjithçka timen.”

Shërbesa e mençur mund të përkthehet gjithashtu “adhurim shpirtëror.” Si priftërinj besimtarë, ne nuk vijmë tek Perëndia me trupat e kafshëve të vdekura, por me sakrificën shpirtërore të jetëve të cilat i nënshtrohen Krishtit. Ne gjithashtu i ofrojmë Atij shërbesën tonë (Rom. 15:16), adhurimin tonë (Heb. 13:15), dhe zotërimet tona (Heb. 13:16).

12:2 Së dyti, Pali na nxit ne të mos konformohemi me këtë botë ose siç e parafrazon atë Philips: “Mos e lini botën rreth jush t’ju shtrydhë në formën e saj.” Kur ne vijmë në mbretërinë e Perëndisë, ne duhet të braktisim mënyrat e të menduarit dhe të jetuarit të botës.

Bota (në kuptimin e drejtpërdrejtë: epoka) siç është përdorur këtu, do të thotë shoqëria apo sistemi që njeriu ka ndërtuar me qëllim që të bëjë veten e tij të lumtur pa Perëndinë. Është një mbretëri armiqësore me Perëndinë. Perëndia dhe princi i kësaj bote është Satani (2 Kor. 4:4; Gjo. 12:21; 14:30; 16:11). Të gjithë njerëzit e pakthyer janë subjektet e tij. Ai kërkon të tërheqë dhe t’i mbajë njerëzit nëpërmjet lakmisë së syve, lakmisë së mishit dhe krenarisë së jetës (1 Gjo. 2:16). Bota ka politikën e saj, artin, muzikën, fenë, kënaqësitë, mënyrat e jetës, pikëpamjet e saj, dhe kërkon të marrë secilin për t’ia përshtatur kulturës dhe zakoneve të saj. Ajo urren ata që nuk i binden [botës] – si Krishtin dhe ndjekësit e Tij.

Krishti vdiq për të na çliruar ne nga kjo botë. Bota është kryqëzuar për ne dhe ne jemi të kryqëzuar për botën. Do të ishte një tradhëti absolute ndaj Zotit nëse besimtarët do të donin botën. Kushdo që do botën është një armik i Perëndisë.

Besimtarët nuk janë nga bota më shumë sesa Krishti është prej saj. Megjithatë ata janë dërguar në botë për të dëshmuar se veprat e saj janë të liga dhe që shpëtimi është për të gjithë ata që vendosin besimin e tyre në Zotin Jezu Krisht. Ne jo vetëm duhet të ndahemi nga bota, por edhe të transformohemi me anë të ripërtëritjes së mendjes sonë, që do të thotë se ne duhet të mendojmë në mënyrën që mendon Perëndia, siç është zbuluar në Bibël. Atëherë ne mund të përjetojmë drejtimin direkt të Perëndisë në jetët tona. Dhe do të zbulojmë që, në vend të të qenurit i pakëndshëm dhe i rëndë, vullneti i Tij është i mirë, i pëlqyer dhe i përsosur.

Këtu atëherë janë tre çelësa për të njohur vullnetin e Perëndisë: i pari është një trup që i nënshtrohet Krishtit, i dyti një jetë e veçuar, dhe i treti një mendje e transformuar.

B. Në shërbesë nëpërmjet Dhuntive Frymërore. (12:3-8)

12:3 Këtu Pali flet nëpërmjet hirit që i është dhënë atij si një apostulli i Zotit Jezus. Ai do të merret me forma të ndryshme të të menduarit të drejtë dhe të shtrembër.

Së pari, ai thotë që s’ka asgjë në Ungjill që mund të inkurajojë ndonjë për të patur një kompleks superioriteti. Ai na nxit ne për të qenë të përulur në ushtrimin e dhuntive tona. Ne s’duhet të kemi kurrë ide të egzagjeruara mbi rëndësinë tonë e as nuk duhet të jemi ziliqarë për të tjerët. Për më tepër, duhet të kuptojmë që çdo njeri është unik dhe që ne të gjithë kemi funksione të rëndësishme për të përmbushur për Zotin tonë. Ne duhet të jemi të gëzuar me vendin që Perëndia na ndau secilit nga ne në Trupin e Krishtit dhe ne duhet të kërkojmë për t’i ushtruar dhuntitë tona me gjithë fuqinë që jep Perëndia.

12:4 Trupi njerëzor ka shumë gjymtyrë dhe përsëri secila ka një rol unik për të luajtur. Shëndeti dhe mbarëvajtja e trupit varet në funksionimin siç duhet të çdo gjymtyre.

12:5 Kështu është edhe në trupin e Krishtit. Ka unitet (një trup), shumëllojshmëri (shumë) dhe varësi të ndërsjelltë (gjymtyrë të njëri-tjetrit). Çdo dhunti që ne kemi nuk është për përdorim egoist apo për dukje, por për të mirën e trupit. Asnjë dhunti nuk është e vetëmjaftueshme dhe asnjë s’është e panevojshme. Kur ne kuptojmë të gjithë këtë, ne mendojmë më kthjellët (12:3).

12:6 Pali tani jep udhëzime për përdorimin e dhuntive të veçanta. Lista nuk mbulon të gjitha dhuntitë; më tepër është sugjestive sesa e plotë.

Dhuntitë tona ndryshojnë sipas hirit që na është dhënë. Me fjalë të tjera, hiri i Perëndisë shpërndan dhurata të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Dhe Perëndia jep fuqinë e duhur apo mundësinë për të përdorur çdo dhunti që ne kemi. Kështu ne jemi përgjegjës të përdorim këto dhunti të dhëna nga Perëndia si administratorë të mirë.

Ata që kanë dhuntinë e profecisë duhet të profetizojnë sipas masës së besimit të tyre. Një profet është një folës i Perëndisë që shpall Fjalën e Zotit. Mund të përfshihet parashikim, por ky nuk është një element i nevojshëm i profecisë. Në Kishën e hershme, shkruan Hodge, profetët ishin, “njerëz që folën nën ndikimin e menjëhershëm të Frymës së Perëndisë dhe shpërndanë disa komunikime hyjnore në lidhje me të vërtetat doktrinale, të detyrës së momentit, apo të ngjarjeve të ardhshme sipas rastit” {{47}}. Shërbesa e tyre është ruajtur për ne në Dh.R.. Nuk mund të ketë shtesa profetike të frymëzuara tek doktrinat e besimit të krishtere sot, përderisa besimi u është shpërndarë njëherë e përgjithmonë shenjtorëve (Juda 3). Kështu një profet sot është thjesht një që deklaron mendjen e Perëndisë ashtu siç është zbuluar në Bibël. Strong thotë:

“Gjithë profecia moderne që është e vërtetë nuk është gjë tjetër veçse publikim i mesazhit të Krishtit – shpallje dhe shtjellim i së vërtetës tashmë të zbuluar në Shkrimet.” {{48}}.

Ata nga ne që kanë dhuntinë e profecisë duhet të profetizojnë sipas masës së besimit tonë. Kjo mund të nënkuptojë, “sipas rregullit apo normës së besimit” – pra në përputhje me doktrinat e besimit të krishterë siç janë në Shkrimet. Ose mund të nënkuptojë, “në përputhje me masën e besimit tonë” – pra në atë masë që Perëndia na jep me besim. Shumica e versioneve futin fjalën “tonë” këtu, por kjo nuk gjendet në origjinal. {{49}}

12:7 Shërbesa është një term mjaft i gjerë që do të thotë t’i shërbesh Zotit. S’do të thotë zyrë, punë apo funksione të një kleriku (siç përdoret zakonisht sot). Personi që ka dhuntinë e shërbesës ka një zemër shërbëtori. Ai sheh mundësinë ku mund të shërbejë dhe i kap ato.

Një mësues është ai që është i aftë të shpjegojë Fjalën e Perëndisë dhe ta drejtojë atë në zemrat e dëgjuesve të tij. Çfarëdo qoftë dhuntia jonë, ne duhet t’ia japim vetveten me gjithë zemër.

12:8 Nxitja është dhuntia e vënies në punë të shenjtorëve për të ndaluar çdo formë ligësie dhe të rriten në suksese të reja për Krishtin, d.m.th. rritje në shenjtëri dhe në shërbesë.

Ndarja është talenti hyjnor i cili fuqizon një njeri për të qenë në dijeni të nevojave dhe të ndihmojë për t’i plotësuar ato. Ai duhet ta bëjë këtë me bujari.

Dhuntia e të kryesuarit është më tepër e lidhur me punën e pleqve (e ndoshta dhe të dhjakëve) në një Kishë lokale. Një plak është një nënbari që qëndron në krye të kopesë dhe e drejton atë me kujdes dhe zell.

Dhuntia e mëshirës është kapaciteti mbinatyror dhe talenti i të ndihmuarit të atyre që janë në hall. Ata që kanë këtë dhunti duhet ta ushtrojnë atë me gëzim. Sigurisht që ne të gjithë duhet të tregojmë mëshirë dhe ta bëjmë atë me gëzim.

Njëherë një grua e krishtere tha, “Kur nëna ime u plak dhe kishte nevojë për dikë që të kujdesej për të, burri im dhe unë e ftuam atë të vinte dhe të jetonte me ne. Bëra gjithçka që të mund ta rehatoja atë. Gatuaja për të e pastroja, e nxirrja me makinë dhe kujdesesha për të gjitha nevojat e saj. Por ndërkohë që isha në lëvizje në pamjen e jashtme, brenda meje nuk isha e lumtur. Pa dijeni unë urreva ndërprerjen e jetës familjare normale që nëna solli në shtëpi. Ndonjëherë nëna më thoshte, «Ti nuk buzëqesh si përpara. Përse nuk buzëqesh më?» E shihni, unë po tregoja mëshirë, por nuk e bëja atë me gëzim.”

C. Në lidhje me Shoqërinë. (12:9-21)

12:9 Më pas Pali rendit disa karakteristika që çdo besimtar duhet të shpalosë në lidhjet e tij me të krishterët e tjerë dhe me të pakthyerit.

Dashuria duhet të jetë pa hipokrizi. Ajo nuk duhet të veshë një maskë, por duhet të jetë e sinqertë, e vërtetë dhe e pandikuar nga jashtë.

Ne duhet të urrejmë të gjitha format e ligësisë dhe duhet të ngjitemi pas çdo gjëje të mirë. Kjo ligësi me sa duket nënkupton të gjitha shkallët dhe aktet e urrejtjes dhe së keqës. E mira, në të kundërt, nënkupton çdo shfaqje të dashurisë mbinatyrore.

12:10 Në lidhjet tona me ata që janë në familjen e besimit, ne duhet ta tregojmë dashurinë tonë me një dhembshuri të ndjeshme, jo me një indiferencë të ftohtë apo me një pëlqim të zakonshëm.

Ne duhet të preferojmë t’i shohim të tjerët më të nderuar se veten tonë. Njëherë një shërbëtor i dashur i Krishtit ishte në një dhomë me njerëz të tjerë të shquar përpara një mbledhjeje. Shumë të tjerë kishin hyrë në platformë para se atij t’i vinte radha. Kur ai u dha në derë, qindra duartrokitje shpërthyen për të. Ai menjëherë bëri anash dhe duartrokiti kështu që të mos e ndante nderin që ai sigurisht mendoi se ishte për të tjerët.

12:11 Përkthimi plot ngjyra i këtij vargu nga ana e Moffatt është: “Mos e lër kurrë zellin tend të dobësohet, ushqeje zjarrin shpirtëror, shërbeji Zotit.” Këtu ne na kujtohen fjalët e Jeremias 48:10, “I mallkuar qoftë ai që kryen veprën e Zotit shkel e shko!” (NEB)

Njeriu nuk duhet të tallet;

jeta është e shkurtër dhe mëkati është këtu.

Jeta jonë s’është gjë tjetër veçse rënia e një gjetheje,

Një lot që bie.

Ne s’kemi kohë të harxhojmë kot orët;

Të gjithë duhet të jenë të zjarrtë

në një botë si kjo e jona.

– Horatius Bonar.

12:12 S’ka rëndësi se cilat janë kushtet tona, ne mund dhe duhet të gëzojmë në shpresën tonë – ardhja e Shpëtimtarit tonë, shpengimi i trupave tanë dhe lavdia jonë e përjetshme. Ne nxitemi të jemi të qëndrueshëm në shtrëngime – d.m.th., t’i kalojmë me guxim ato. Një durim i tillë është gjëja e vetme që mund të kthejë një mjerim të tillë në lavdi. Ne duhet të vazhdojmë këmbëngulshëm në lutje. Është në lutje që puna bëhet dhe që fitohen fitoret. Lutja sjell fuqi në jetët tona dhe paqe në zemrat tona. Kur ne lutemi në emër të Zotit Jezus ne vijmë më afër të Gjithpushtetshmit se ç’është e mundur për një njeri të vdekshëm. Prandaj ne i bëjmë vetes sonë një disfavor kur ne nënvlerësojmë lutjen.

12:13 Shenjtorë në nevojë ka kudo – të papunët, atyre që u është pirë gjaku nga faturat e spitaleve, predikues të harruar dhe misionarë në vende të errëta, dhe pensionistët burimet e të cilëve janë pakësuar. Jetë e vërtetë në Trup do të thotë të ndash me ata që janë në nevojë.

“Kurrë mos e kurse një ushqim apo një shtrat për ata që kanë nevojë për to” (JBP). Mikpritja është një art i humbur. Shtëpi të vogla dhe apartamente përdoren si shfajësime për mos marrjen e të krishterëve për strehim. Ndoshta ne nuk duam të ballafaqohemi me punën shtesë dhe vështirësitë. Por ne harrojmë që kur mirëpresim fëmijët e Perëndisë është njësoj sikur të mirëprisnim vetë Zotin. Shtëpitë tona duhet të jenë si shtëpia në Betani ku Jezusi kishte dëshirë të rrinte.

12:14 Ne jemi thirrur të tregojmë mirësi ndaj persekutuesve tanë në vend që të përpiqemi t’ia paguajmë atyre me të keqen. Duhet një jetë hyjnore që ta paguash ligësinë dhe dëmtimin me një mirësjellje. Përgjigjja natyrale është të mallkosh dhe të marrësh hakun.

12:15 Dashuria vëllazërore do të thotë që kemi kapacitet për të marrë pjesë në ndjenjat dhe emocionet e të tjerëve. Tendenca jonë është të jemi xhelozë kur të tjerët gëzojnë dhe të anashkalojmë kur ata vajtojnë. Rruga e Perëndisë është të hyjmë në gëzimet dhe hidhërimet e atyre që janë përreth nesh.

12:16 Të kesh të njëjtat mendime me njëri – tjetrin s’do të thotë që ne duhet t’i shohim njësoj çështjet që nuk janë esenciale. Nuk është aq uniformitet mendjeje sesa harmoni në lidhjet me njëri – tjetrin.

Ne duhet të shmangim çdo shenjë snobizmi [si krenari] dhe duhet të rrimë me të përunjurit. Kur një i krishterë i shquar mbërriti në terminal ai u prit nga liderët e Kishës ku do të fliste. Limuzina ndaloi për ta çuar atë në një hotel të mirë. “Kush i mirëpret zakonisht predikuesit vizitorë këtu?” pyeti ai. Ata përmendën një çift të moshuarish në një shtëpi modeste aty pranë. “Aty preferoj të qëndroj,” tha ai.

Përsëri apostulli paralajmëron kundër një besimtari që e mban veten për të mençur. Kur kuptojmë që ne nuk kemi asgjë që nuk na është dhënë, kjo duhet të na ruajë ne nga një ego e fryrë.

12:17 Të paguash të keqen me të keqe është praktika e zakonshme në botë. Njerëzit flasin për pagim dhëmb për dhëmb ose për t’i dhënë dikujt atë që meriton. Por kjo kënaqësi për hakmarrje s’duhet të ketë vend në jetën e atyre që janë të shpenguar. Në vend të kësaj, ata duhet të veprojnë ndershmërisht përballë abuzimeve dhe fyerjeve, ashtu si dhe në të gjitha rrethanat e jetës. Të kërkosh do të thotë të mendosh apo të jesh i kujdesshëm kur bën diçka.

12:18 Të krishterët nuk duhet të provokojnë pa qenë nevoja apo të jenë të diskutueshëm. Drejtësia e Perëndisë nuk përmbushet me zemërim apo me ndërluftim. Ne duhet ta duam paqen, të bëjmë paqen dhe të jemi në paqe. Kur ne kemi ofenduar të tjerët apo kur dikush na ka ofenduar ne, ne duhet të punojmë pa u lodhur për një zgjidhje paqësore të çështjes.

12:19 Ne duhet t’i rezistojmë tendencës për të shpaguar gabimet që na janë bërë ne. Shprehja i jepni vend zemërimit duhet të nënkuptojë “lejoheni Perëndinë të kujdeset për atë çështje për ju,” ose nënkupton “të dorëzohesh në mënyrë pasive në një frymë të jorezistencës.” Pjesa tjetër e vargut favorizon interpretimin e parë – të tërhiqesh dhe të lejosh zemërimin e Perëndisë të kujdeset për të. Hakmarrja është e drejta e Perëndisë. Ne s’duhet të ndërhyjmë në atë që është e drejta e Tij. Ai do të shpërblejë në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur. Lenski shkruan:

“Perëndia ka vendosur shumë kohë më parë të gjithë çështjen rreth drejtësisë kërkuese ndaj keqbërësit. Asnjë prej tyre nuk do të shpëtojë. Një drejtësi e përsosur do të bëhet në çdo rast dhe do të bëhet ne mënyrë të përsosur. Në qoftë se ndonjë nga ne ka ndërhyrë, ky do të jetë kulmi i mendjemadhësisë.” {{50}}

12:20 Krishterimi shkon përtej jo-rezistencës tek mirëdashja aktive. Ai nuk i shkatërron armiqtë e Tij me dhunë, por i kthen ata me dashuri. Ushqen armikun kur ai është i uritur dhe heq etjen e tij, kështu grumbullon thëngjij të ndezur në kokën e tij. Në qoftë se trajtimi i thëngjijve të ndezur duket torturues, është ngaqë kjo shprehje idiomatike [figurative] nuk kuptohet siç duhet. Të grumbullosh thëngjij të ndezur në kokën e një personi do të thotë ta turpërosh atë për armiqësinë e tij duke e çuditur atë në një mirësi të pazakontë.

12:21 Darby shpjegon pjesën e parë të këtij vargu kështu: “N.q.s. zemërimi im të ka bërë edhe ty të zemërohesh atëherë ti je mposhtur nga i ligu” {{51}}.

Shkencëtari i madh George Washington Carver njëherë tha: “S’do të lejoj kurrë që një njeri të më shkatërrojë jetën duke më bërë mua që ta urrej atë” {{52}}. Si një besimtar ai nuk do e lejojë të ligun ta mposhtë atë.

Por munde të keqen me të mirën. Është karakteristikë për mësimin e krishterë që ai nuk ndalet me moslejimet negative por ai vazhdon për tek nxitjet pozitive. E keqja mund të mposhtet me të mirën. Kjo është një armë të cilën ne duhet ta përdorim më shpesh.

Stanton e trajtoi Abraham Lincoln-in me një urrejtje të helmatisur. Ai tha se ishte një budallallëk të shkoje në Afrikë të kërkoje një gorillë kur gorilla origjinale mund të gjendej në Springfield, Illinois [vendlindja e Lincoln-it]. Më pas Lincoln e caktoi Stanton-in ministër të luftës duke kujtuar se ai ishte më i kualifikuar për zyrë. Pasi Lincoln u vra nga një atentat, Stanton e quajti atë drejtuesin më të madh të njerëzimit. Dashuria triumfoi! {{53}}

D. Në lidhje me Qeverinë. (13:1-7)

13:1 Ata që janë shfajësuar me anë të besimit janë të detyruar t’i nënshtrohen qeverisë njerëzore. Në të vërtetë detyrimi është për të gjithë, por apostulli këtu u drejtohet në veçanti besimtarëve. Perëndia e krijoi qeverisjen njerëzore pas përmbytjes kur Ai dekretoi: “Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri” (Zanafilla 9:6). Ky dekret i dha autoritet njeriut për të gjykuar çështjet kriminale dhe për të dënuar fajtorët.

Në çdo shoqëri të rregullt duhet të ketë autoritet dhe nënshtrim ndaj atij autoriteti. Në të kundërt do të kishte një shtet anarkie dhe s’mund të mbijetohet në anarki. Çdo qeveri është më mirë sesa pa qeveri. Kështu Perëndia ka caktuar qeveri njerëzore dhe asnjë qeveri nuk ekziston jashtë vullnetit të Tij. Kjo s’do të thotë që Ai pranon çdo gjë që bëjnë drejtuesit njerëzorë. Sigurisht që Ai nuk pranon korrupsionin, brutalitetin dhe tiraninë! Por fakti mbetet që pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.

Besimtarët mund të jetojnë ngadhënjimtarë në një demokraci, në një monarki konstitucionale, ose edhe në një regjim totalitar. Asnjë qeveri tokësore nuk është më mirë sesa njerëzit që përfshihen në të. Prandaj asnjë nga qeveritë tona nuk është e përsosur. E vetmja qeveri ideale është një monarki dashamirëse me Jezu Krishtin si Mbret. Është e nevojshme të kujtojmë që Pali e shkroi këtë pjesë në lidhje me qeverisjen njerëzore kur Nero i famshëm ishte Perandor. Ato ishin ditë të zeza për të krishterët. Nero i fajësoi ata për një zjarr i cili shkatërroi gjysmën e qytetit të Romës (zjarr të cilin ai mund ta kishte urdhëruar vetë). Ai hodhi disa besimtarë në zift e më pas i ndezi si pishtarë të gjallë për të ndriçuar orgjitë e tij. Të tjerë u qepën në lëkura kafshësh e u hodhën tek qentë e tërbuar për t’u bërë copa copa.

13:2 Dhe përsëri qëndron në atë që kushdo që nuk i bindet apo rebelohet kundër qeverisë, ai rebelon edhe nuk i bindet asaj që Perëndia ka caktuar. Ai që i kundërvihet pushtetit të ligjshëm meriton dhe fiton dënimin.

Sigurisht që ka një përjashtim. Një të krishteri nuk i kërkohet të bindet nëse qeveria e urdhëron atë të mëkatojë apo të prishë besnikërinë e tij ndaj Jezu Krishtit (Veprat 5:29). Asnjë qeveri s’ka të drejtë të urdhërojë ndërgjegjen e personit. Në një rast të tillë, një besimtar duke iu bindur Perëndisë duhet të marrë mbi vete zemërimin e njeriut, dhe kështu ai duhet të jetë i përgatitur të paguajë dënimin pa kundërshtuar. Ai nuk duhet të rebelojë kundër qeverisë apo të bashkohet në përpjekje për ta rrëzuar atë.

13:3 Si një rregull, njerëzit që bëjnë atë që është e drejtë nuk kanë pse të kenë frikë nga pushtetet. Vetëm ata që thyejnë ligjin duhet të kenë frikë nga dënimi. Kështu nëse dikush do të gëzojë një jetë pa gjoba, gjyqe dhe burgime, gjëja që duhet të bëjë është të jetë një qytetar që i bindet ligjit. Atëherë ai do të fitojë miratimin e autoriteteve dhe jo censurën e tyre.

13:4 Udhëheqësi qoftë president, qeveritar, major apo gjykatës – është një shërbëtor i Perëndisë në kuptimin që ai është një përfaqësues i Zotit. Ai mund të mos e njohë Perëndinë personalisht, por ai është ende njeriu i Zotit zyrtarisht. Kështu Davidi vazhdimisht iu referua Mbretit të lig Saul si një i vajosuri i Zotit (1 Sam. 24:6, 10; 26:9, 11, 16, 23). Pavarësisht nga përpjekjet e vazhdueshme dashakeqe të Saulit kundër jetës së Davidit, ai nuk i lejoi njerëzit e tij të dëmtonin mbretin. Pse? Sepse Sauli ishte mbret e si i tillë ai ishte i caktuari i Zotit.

Si shërbëtor i Perëndisë, drejtuesit priten të sigurojnë të mirën e popullit – sigurinë e tyre, qetësinë dhe mirëqenien e përgjithshme. Nëse ndonjë njeri ngul këmbë në thyerjen e ligjit, ai mund të presë të paguajë për të, sepse qeveria ka autoritetin ta çojë atë në gjyq dhe ta dënojë. Në shprehjen nuk e mban kot shpatën ne kemi një thënie të fuqishme në lidhje me fuqinë me të cilën Perëndia vesh qeverinë. Shpata nuk është vetëm një simbol i fuqisë; një skeptër do të shërbente për atë qëllim. Shpata duket se flet për fuqinë përfundimtare të drejtuesit – d.m.th., të japë dënimin kapital. Kështu nuk do të thotë që dënimi kapital ishte vetëm për epokën e Dh.V. dhe jo për të Renë. Është një thënie në Dh.R. që bën të kuptohet që qeveria ka autoritet të marrë jetën e një fajtori. Njerëzit argumentojnë kundër kësaj duke lexuar Eksodin 20:13 në versionin King James, “Nuk do të vrasësh.” Por ky urdhërim i referohet vrasjes kriminale dhe dënimi kapital nuk është vrasje kriminale. Fjala në hebraisht e përkthyer “vras” do të thotë veçanërisht “vrasje kriminele” dhe kështu është përkthyer në versionin e ri King James {{54}}. Dënimi kapital ishte paracaktuar në ligjin e Dh.V. si dënim i kërkuar për disa fajtorë seriozë.

Përsëri apostulli na kujton ne që drejtuesi është shërbëtor i Perëndisë, por këtë herë ai shton, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen. Më fjalë të tjera, plus të qenurit një shërbëtor i Perëndisë për ne për të mirë, ai gjithashtu i shërben Perëndisë duke dënuar ata që thyejnë ligjin.

13:5 Ajo që kjo do të thotë është që ne duhet të jemi subjekte të bindur ndaj qeverisë për dy arsye – frika e dënimit dhe dëshira për të ruajtur një ndërgjegje të mirë.

13:6 Ne i detyrohemi qeverisë jo vetëm me bindje por edhe me mbështetje financiare duke paguar taksat. Është në përfitimin tonë të jetojmë në një shoqëri të ligjit dhe rregullit, me polici dhe mbrojtje ndaj zjarrit, kështu ne duhet të dëshirojmë të japin ndihmesën tonë për çmimin. Zyrtarët qeveritarë japin kohën dhe talentin e tyre për të përmbushur vullnetin e Perëndisë për mbajtjen e shoqërisë të qëndrueshme, kështu që ata meritojnë përkrahje.

13:7 Fakti që besimtarët janë qytetarë të qiellit (Fil. 3:20) nuk i përjashton ata nga përgjegjësia ndaj qeverisë njerëzore. Ata duhet të paguajnë çfarëdo takse të vënë në të ardhurat e tyre, në shtëpinë dhe tokën e tyre, dhe në pronat e tyre personale. Ata duhet të paguajnë tatimin e duhur kur kalojnë nga një shtet në tjetrin. Ata duhet të shprehin një druajtje të respektueshme ndaj qeveritarëve që kanë pushtet për të dënuar ata që shkelin ligjet e qeverisë. Dhe ata duhet të tregojnë nderim për emrat dhe zyrat e gjithë shërbëtorëve civilë (madje edhe nëse ata nuk mund të respektojnë jetët e tyre personale).

Në lidhje me këtë, të krishterët s’duhet të bashkohen kurrë në të folurit në një mënyrë arrogante për Presidentin apo Kryeministrin. Madje në nxehtësinë e një fushate politike ata duhet të refuzojnë të bashkohen në një abuzim gojor që bëhet mbi kreun e shtetit. Është shkruar, “Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tend.” (Veprat 23:5).

E. Në lidhje me të ardhmen. (13:8-14)

13:8 Kryesisht, pjesa e parë e këtij vargu do të thotë, “Paguaj në kohë faturat e tua.” Nuk është një ndalim kundër asnjë forme borxhi. Disa lloje borxhi janë të pashmangshme në shoqërinë tonë: shumica jonë ballafaqohet çdo muaj me faturat e telefonit, gazit, dritës, ujit etj. Dhe është e pamundur të mbash një biznes pa kontraktuar disa borxhe. Këshilla këtu nuk është për t’u futur në borxhe të prapambetura (llogari të tejkaluara).

Por plus kësaj këtu ka principe të caktuara të cilat duhet të na drejtojnë ne në këtë fushë. Ne nuk duhet të kontaktojmë borxhe për gjëra të padomosdoshme. Ne nuk duhet të hyjmë në borxhe kur nuk ka shpresë për t’i ripaguar ato. Ne duhet të shmangim blerjen në planin me këste [me kredi] duke marrë mbi vete çmime interesi tepër të larta. Ne duhet të shmangim huamarrjen për të blerë një produkt që zhvleftësohet. Zakonisht ne duhet të praktikojmë përgjegjësi financiare duke jetuar me thjeshtësi dhe brenda të ardhurave tona, gjithmonë duke kujtuar që huamarrësi është skllav i huadhënësit (Fja. 22:7).

I vetmi borxh që mbetet gjithmonë i papaguar është detyrimi për të dashur. Fjala e përdorur për dashuri në Romakëve, me një përjashtim të vetëm (12:10), është agape, që përfaqëson një dhembshuri të thellë, jo egoiste, mbi njerëzore që një njeri ka për një tjetër. Kjo dashuri e një bote tjetër nuk aktivizohet nga ndonjë virtyt i personit që ti e do. Përkundrazi, kjo dashuri aktivizohet pavarësisht nëse personi tjetër e meriton apo jo. D.m.th. është ndryshe çdo dashurie tjetër në atë që ajo shkon jo vetëm tek ata që janë të dashur, por edhe tek armiqtë.

Kjo dashuri tregon veten në dhënie dhe zakonisht në dhënie sakrifikuese. Kështu, Perëndia e deshi botën aq shumë sa që Ai dha Birin e Tij të vetëmlindur. Krishti e deshi Kishën dhe dha veten e Tij për të.

Është kryesisht një çështje vullneti sesa emocionesh. Fakti që ne jemi të urdhëruar të duam tregon që është diçka që ne mund të zgjedhim për të bërë. N.q.s. do të ishte një emocion i pakontrollueshëm që na përfshin në momente të papritura, ne me zor mund të mbaheshim të përgjegjshëm. Megjithatë, kjo nuk mohon që edhe emocionet mund të përfshihen.

Është e pamundur për një njeri të pakthyer në besim të tregojë dashuri hyjnore. Në fakt është e pamundur madje edhe për një besimtar ta tregojë atë brenda fuqive të veta. Ajo mund të shfaqet vetëm me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë që banon në besimtarin.

Dashuria gjeti shprehjen e saj të përsosur në tokë në personin e Zotit Jezu Krisht.

Dashuria jonë ndaj Perëndisë e tregon vetveten në bindjen ndaj urdhërimeve të Tij.

Njeriu që do komshiun e tij ka përmbushur ligjin ose të paktën atë pjesë të ligjit e cila mëson dashuri për shokun tonë.

13:9 Apostulli rendit një për një ato urdhërime që ndalojnë akte jo dashurie ndaj të afërmit. Ato janë urdhëresa kundër shkeljes së kurorës, vrasjes, vjedhjes, dëshmisë së rreme dhe lakmisë. Dashuria nuk e shfrytëzon trupin e dikujt tjetër, imoraliteti po. Dashuria nuk ia merr jetën një personi tjetër; vrasja po. Dashuria nuk vjedh pronën e dikujt tjetër; vjedhja po. Dashuria nuk ua mohon drejtësinë të tjerëve; dëshmia e rreme po {{55}}. Dashuria madje nuk ushqen dëshira të gabuara për zotërimet e një personi tjetër; lakmia po.

Dhe në pastë ndonjë urdhëresë tjetër. Pali mund të kishte përmendur një tjetër: “Ndero atin dhe nënën tënde.” Shkurt janë të njëjtat thënie me: “Duaje të afërmin tend porsi vetveten.” Trajtoje atë me të njëjtën dhembshuri, konsideratë dhe mirësjellje me të cilën trajton veten tënde.

13:10 Dashuria nuk kërkon kurrë t’i bëjë keq dikujt. Për më tepër ajo vazhdimisht kërkon mirëqenien dhe nderin e të gjithëve. Prandaj njeriu që vepron në dashuri në të vërtetë është duke përmbushur tabelën e dytë të ligjit.

13:11 Pjesa tjetër e kapitullit inkurajon një jetë gadishmërie frymërore dhe pastërtie morale. Koha është e shkurtër. Epoka e hirit po mbaron. Koha e fundit e orës kërkon që gjithë letargjia dhe pasiviteti të flaket tutje. Shpëtimi ynë është më afër se kurrë ndonjëherë. Shpëtimtari po vjen të na çojë ne në shtëpinë e Atit.

13:12 Epoka e tanishme është si një natë mëkati që sapo ka mbaruar. Dita e lavdisë së përjetshme është gati për të lindur për besimtarët. Kjo do të thotë që ne duhet të flakim të gjitha veshjet e ndotura të botës – pra, çdo gjë që lidhet me padrejtësinë dhe ligësinë. Dhe duhet të veshim armët e dritës, që do të thotë veshjen mbrojtëse të një jete të shenjtë. Pjesët e armaturës janë të detajuara në Efesianëve 6:14-18. Ato përshkruajnë elementet e karakterit të të krishterit të vërtetë.

13:13 Vini re që theksi është mbi ecjen tonë praktike si të krishterë. Përderisa ne jemi fëmijë të ditës, ne duhet të ecim si bij të dritës. Ç’ka të bëjë një i krishterë me mbrëmjet e rrëmujshme, grindjet e dehjes, orgjitë e seksit, teprimet e turpshme apo madje edhe me grindjet dhe urrejtjen? Asgjë.

13:14 Politika më e mirë që mund të ndjekim është, së pari, të vishemi me Zotin Jezu Krisht. Kjo do të thotë që ne duhet të adaptojmë komplet mënyrën e jetesës së Tij, të jetojmë ashtu si Ai jetoi, ta pranojmë Atë si Drejtuesin dhe Shembullin tonë.

Së dyti, ne nuk duhet të tregojmë kujdes për mishin, që t’ia kënaqim lakmitë. Mishi këtu është natyra e vjetër e korruptuar. Ajo pareshtur qan për t’u llastuar me rehati, luks, privilegje të paligjshme seksuale, argëtime boshe, kënaqësi të botës, materializëm etj.. Ne tregojmë kujdes për mishin kur blejmë gjëra që shoqërohen me tundime, kur ne ia bëjmë të thjeshtë vetes për të mëkatuar, kur ne i japim prioritet më të lartë fizikes sesa frymërores. Ne nuk duhet të privilegjojmë mishin aspak. Për më tepër ne nuk duhet “t’i japim mundësi mishit të ketë orvajtjet e tij” (JBP).

Kjo ishte pikërisht pjesa që Perëndia përdori në kthimin e të shkëlqyerit, por mishërorit, Augustinit tek Krishti. Kur ai arriti tek vargu 14 ai iu dorëzua Zotit. Ai është i njohur në histori si “Shën” Augustini.

F. Në lidhje me besimtarët e tjerë. (14:1-15:13)

14:1 Romakeve 14:1 deri 15:13 merret me principe të rëndësishme për të drejtuar popullin e Perëndisë në lidhje me çështje të një rëndësie të dytë. Këto çështje janë gjërat që shpesh shkaktojnë konflikte midis besimtarëve, por, siç do të shohim, një konflikt i tillë është krejtësisht i panevojshëm

Një i krishterë i dobët është ai që ka ngurime të pabazuara mbi çështje të rëndësisë së dytë. Në këtë pjesë, ai ishte zakonisht një Jude i kthyer që ende nguronte në disa gjëra si, p.sh., në ngrënien e ushqimeve të papastra apo për punën në ditën e shtunë.

Principi i parë është ky: Një i krishterë i dobët duhet pranuar në bashkësinë lokale, por jo me idenë për ta qortuar atë për mendimin e tij. Të krishterët mund të kenë bashkësi të lumtur pa u grindur për gjëra që nuk janë thelbësore.

14:2 Një besimtar që ecën duke gëzuar plotësisht lirinë e krishtere, ka besim të bazuar në mësimet e Dh.R. që të gjitha ushqimet janë të pastra. Ato janë të shenjtëruara me anë të Fjalës së Perëndisë dhe lutjes (1 Tim. 4:4,5). Një besimtar me një ndërgjegje të dobët mund të ketë druajtje rreth ngrënies së mishit të derrit apo të ndonjë mishi tjetër. Ai mund të jetë një vegjetarian.

14:3 Kështu principi i dytë është që duhet të ketë një vetpërmbajtje të dyanshme [të durojmë njeri-tjetrin]. I krishteri i pjekur nuk duhet ta përbuzë vëllanë e tij të dobët. Dhe as vëllai i dobët nuk duhet të gjykojë si mëkatar dikë që shijon proshutën, karkalecin e detit apo gaforren. Perëndia e ka pranuar atë në familjen e Tij, një anëtar në pozicion të mirë.

14:4 Principi i tretë është që çdo besimtar është një shërbëtor i Zotit dhe ne nuk kemi të drejtë të gjykojmë si të ishim ne i zoti. Dikush qëndron i miratuar apo i pamiratuar vetëm përpara Zotit të tij. Ndonjë mund ta shohë dikë tjetër me një denjim të akullt me një bindje të sigurt që ai do të ketë një mbytje të anijes së besimit për shkak të pikëpamjeve të tij në këto çështje. Por një qëndrim i tillë është gabim. Perëndia do t’i mbështesë ata në të dyja anët e çështjes. Fuqia e Tij për të bërë këtë gjë është e mjaftueshme.

14:5 Disa të krishterë Judenj ende e shihnin të shtunën si një ditë obligimi. Ata s’donin të bënin ndonjë punë të shtunën. Me këtë gjë, ata e vlerësonin një ditë më shumë sesa një tjetër.

Besimtarët e tjerë nuk merrnin pjesë në këto zakone judaike. Ata i çmuan të gjitha ditët njësoj. Ata nuk i shihnin gjashtë ditët si të zakonshme dhe një ditë si të shenjtë. Për ta të gjitha ditët ishin të shenjta.

Po për Ditën e Zotit, d.m.th. ditën e parë të javës? A nuk ka ajo një vend të veçantë në jetët e te krishterëve? Ne shohim në Dh.R. që ajo ishte dita e ringjalljes së Zotit tonë (Llu. 24:1-9). Në dy ditët e mëpasshme Krishti u takua me dishepujt e Tij (Gjo. 20:19,26). Fryma e Shenjtë u dha në Ditën e Rrëshajëve që ishte në ditën e parë të javës; Rrëshajët ndodhi 7 të diela pas Festës së Frytit të parë (Lev. 23:15,16; Veprat e Apostujve 2:1) e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit (1 e Korintasve 15:20-23). Dishepujt mblidheshin për të thyer bukën në ditën e parë të javës (Veprat 20:7). Pali i udhëzoi korintasit të mblidhnin një ofertë në ditën e parë të javës [1 e Korintasve 16:1-2]. Kështu Dita e Zotit spikat në një mënyrë të veçantë në Dh.R.. Por për më tepër sesa të qenurit një ditë obligimi, si Shabati, ajo është një ditë e privilegjit. Të çliruar nga punët e zakonshme, ne mund ta veçojmë atë ditë në një mënyrë të veçantë për të adhuruar dhe për t’i shërbyer Zotit tonë.

Askund në Dh.R. të krishterëve nuk u është thënë të mbajnë Shabatin. Dhe përsëri në të njëjtën kohë ne vëmë re principin e një dite ndër të shtatë ditë, një ditë pushimi pas gjashtë dite punë.

Çfarëdo pikëpamjeje të ketë për këtë subjekt, principi është ky: gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij. Tani duhet të jetë e qartë që një princip i tillë ushtrohet vetëm për çështje që janë moralisht neutrale. Kur bëhet fjalë për doktrinat themelore të besimit krishter nuk ka vend për opinione individuale. Por në këtë fushë ku gjërat nuk janë as drejt e as gabim në të vërtetë, ka vend për pikëpamje të ndryshme. Ato nuk duhet të lejohen të bëhen kritere të bashkësisë.

14:6 Ai që e çmon ditën në këtë varg është një besimtar Jude që ende ka një ndërgjegje të keqe rreth bërjes se ndonjë pune ditën e Shabatit. Nuk është se ai e sheh mbajtjen e Shabatit si një çështje për të përfituar apo ruajtur shpëtimin; është thjesht një çështje e bërjes së diçkaje që ai mendon se do të kënaqë Zotin. Gjithashtu, një njeri që nuk e çmon ditën, e bën këtë për të nderuar Krishtin, thelbin, më tepër sesa hijen e thjeshtë të besimit. (Kol. 2:16,17)

Një që ka liri të hajë ushqime të papastra ul kokën dhe falënderon Perëndinë për to. Po kështu bën edhe besimtari me ndërgjegje të dobët që ha vetëm ushqime të pastra. Të dy kërkojnë bekime nga Perëndia.

Në të dyja rastet Perëndia është nderuar dhe falënderuar, kështu përse duhet të bëhet kjo një rast për grindje dhe konflikt?

14:7 Fakti që Krishti është Zot hyn në çdo aspekt të jetës së besimtarit. Ne nuk jetojmë për vetveten po për Zotin. Ne nuk vdesim për veten, por për Zotin. Është e vërtetë që çfarë ne bëjmë dhe themi ndikon tek të tjerët, por nuk është kjo gjëja që thuhet këtu. Pali thekson që Zoti duhet të jetë qëllimi dhe objektivi i jetës së popullit të Tij.

14:8 Çdo gjë që ne bëjmë në jetë i përkulet shqyrtimit të Krishtit dhe Ai i jep miratimin përkatës po apo jo. Ne i provojmë gjërat duke i parë se si duken ato në prezencën e Tij. Madje dhe në vdekje ne dëshirojmë të lavdërojmë Zotin pasi ne shkojmë të jemi me Të. Si në jetë dhe në vdekje ne i përkasim Atij.

14:9 Një nga arsyet për të cilën Krishti vdiq, u ringjall dhe u kthye në jetë është që të jetë Ai Zoti ynë, dhe që ne të mund të jemi subjektet e Tij të dëshiruara, duke i dorëzuar me gëzim Atij devotshmërinë e zemrave tona të mbushura me mirënjohje. Fakti që Ai është Zot vazhdon madje edhe në vdekje, kur trupat tanë shtrihen në varr dhe frymërat dhe shpirtrat tanë janë në prezencën e Tij.

14:10 Ngaqë kjo gjë është e vërtetë, është marrëzi për një të krishterë Jude të mbushur me ngurime, të dënojë vëllanë që nuk zbaton kalendarin Jude dhe që nuk i vë kufi vetes përsa u përket ushqimeve të papastra. Po kështu, është gabim për vëllanë e fortë të tregojë përbuzje ndaj vëllait të dobët. Fakti është që secili nga ne do të dalë përpara gjykatës së Krishtit {{56}}, dhe ky do të jetë i vetmi vlerësim që llogaritet vërtet.

Ky gjykim ka të bëjë me shërbesën e një besimtari dhe jo me mëkatet e tij (1 e Korintasve 3:11-15). Është një kohë e një rishqyrtimi dhe vlerësimi dhe s’duhet të ngatërrohet me gjykimin e kombeve Pagane (Mat. 25:31-46) ose me gjykimin e Fronit të Bardhë (Zbu. 20:11-15). Ky i fundit është gjykimi përfundimtar i gjithë të vdekurve të liq.

14:11 Siguria e të shfaqurit tonë përpara gjykatës së Krishtit [bema në greqisht] është përforcuar me një citim nga Isaia 45:23, ku vetë Jehovah bën një afirmim të fuqishëm që çdo gju do të përkulet përpara Tij në pohim të autoritetit të Tij suprem.

14:12 Kështu pra, është e qartë që ne do të japim llogari për vetveten, jo për vëllezërit tanë, përpara Perëndisë. Ne e gjykojmë kaq shumë njëri-tjetrin dhe pa autoritetin e duhur apo diturinë.

14:13 Në vend që të ulemi duke gjykuar shokët tanë të krishterë në këto çështje të indiferencës morale, ne duhet të gjykojmë këtë që nuk do të bëjmë kurrë asgjë që e pengon një vëlla në përparimin shpirtëror. Asnjë nga këto çështje jothelbësore nuk është mjaft e rëndësishme që ne të shkaktojmë një vëlla të pengohet apo të rrëzohet.

14:14 Pali e dinte dhe ne e dimë që asnjë ushqim nuk është më në mënyrë ceremoniale i papastër, ashtu siç ishin për një Jude që jetonte nën ligj. Ushqimi që ne hamë është i shenjtëruar me anë të Fjalës së Perëndisë dhe lutjes (1 Tim. 4:5). Ai është shenjtëruar me anë të Fjalës në kuptimin që Bibla në mënyrë të qartë e vë mënjanë si të mirë. Ai është shenjtëruar me anë të lutjes kur ne i kërkojmë Perëndisë ta bekojë atë për lavdinë e Tij dhe për të forcuar trupat tanë në shërbim të Tij. Por nëse një vëlla i dobët mendon se është gabim për të, p.sh., të hajë mish derri, atëherë është gabim. Ta hajë do të thotë të dhunojë ndërgjegjen e tij të dhënë nga Perëndia.

Kur Pali thotë këtu që asnjë gjë nuk është e ndyrë në vetvete, ne duhet të kuptojmë që ai është duke folur vetëm për këto çështje indiferente. Ka aq shumë gjëra në jetë që janë të papastra, si, p.sh., literaturë pornografike, shaka të pahijshme, filma të pistë dhe çdo formë imoraliteti. Thënia e Palit duhet të kuptohet në dritën e kontekstit. Të krishterët nuk kontaktojnë ndotje ceremoniale duke ngrënë ushqime të cilat ligji i Moisiut i shënonte të papastra.

14:15 Kur ulem të ha me një vëlla të dobët, a duhet të ngul këmbë unë në të drejtën time legjitime të ha një bërxollë derri apo gaforre, kur e di që ai mendon se është gabim? Nëse unë bëj këtë, nuk jam duke vepruar me dashuri, sepse dashuria mendon për të tjerët dhe jo për veten. Dashuria i paraprin të drejtat e saj legjitime me qëllim që të sigurojë mirëqenien e një vëllai. Një pjatë me ushqim nuk është aq e rëndësishme sa mirëqenia shpirtërore e njeriut për të cilin vdiq Krishti. Dhe përsëri nëse unë me egoizëm paraqes të drejtat e mia në këto çështje, unë mund të bëj dëm të pariparueshëm në jetën e një vëllai të dobët. Nuk ia vlen kjo gjë kur ju kujtoni që shpirti i tij u shpengua në një çmim aq të lartë – gjaku i çmuar i Qengjit.

14:16 Kështu principi këtu është që ne s’duhet t’i lejojmë këto gjëra joesenciale, të cilat janë të lejueshme në veten e tyre, për t’u dhënë rast të tjerëve të na dënojnë ne për “pakujdesshmëri” apo për “mosdashuri.” Do të ishte njësoj sikur të sakrifikonim emrin tonë të mirë për një supë të kuqe [shih Zanafilla 25:34].

14:17 Ajo çfarë vlen me të vërtetë në Mbretërinë e Perëndisë nuk janë rregullimet në dietë, por të vërtetat frymërore. Mbretëria e Perëndisë është sfera ku Perëndia pohohet si Drejtuesi Suprem. Në kuptimin e saj më të gjerë, ajo përfshin të gjithë ata që madje shprehin hapur besnikëri ndaj Perëndisë. Por në realitetin e brendshëm ajo përfshin vetëm ata që kanë rilindur. Ky është përdorimi këtu.

Subjektet e mbretërisë nuk pretendohet të jenë tekanjozët e ushqimeve, qeflinjtë e të ngrënurit apo njohësit e verërave. Ata duhet të karakterizohen nga jetë të një drejtësie të praktikuar, nga prirje paqeje dhe harmonie dhe nga mendja e gëzimit në Frymën e Shenjtë.

14:18 Ajo që ka rëndësi nuk është çfarë ha apo nuk ha një njeri. Është një jetë e shenjtë që fiton nderimin e Perëndisë dhe miratimin e njeriut. Ata që vënë theksin mbi drejtësi, paqe dhe gëzim i shërbejnë Krishtit duke iu bindur mësimeve të Tij.

14:19 Kështu shfaqet një princip tjetër. Në vend të grindjeve mbi çështje të paqëndrueshme, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe harmoninë në bashkësinë e krishtere. Në vend që të pengojmë të tjerët duke ngulur këmbë në të drejtat tona, ne duhet të luftojmë e ndërtojmë të tjerët në besimin e tyre të shenjtë.

14:20 Perëndia është duke bërë një vepër në jetën e secilit prej fëmijëve të Tij. Është e frikshme të mendosh të pengosh atë vepër në jetën e një vëllai të dobët për çështje të tilla të rëndësisë së dytë si ushqimi, pija, apo ditët. Për fëmijën e Perëndisë, të gjitha ushqimet tani janë të pastra. Por do të ishte gabim për të të hante ndonjë ushqim të veçantë nëse, duke bërë këtë, ai do të ofendonte një vëlla apo ta pengonte atë në ecjen e tij të krishtere.

14:21 Është një mijë herë më mirë të heqësh dorë nga mishi, vera apo ndonjë gjë tjetër sesa të ofendoje një vëlla apo ta bëje atë të shkiste shpirtërisht. Të heqësh dorë nga të drejtat e tua të ligjshme është një çmim i vogël për t’u paguar, për t’u përkujdesur për dikë që është i dobët.

14:22 Unë mund të kem liri të plotë të marr pjesë në çdo lloj ushqimi duke ditur që Perëndia e dha atë për t’u marrë me falënderim. Por unë s’duhet të krenohem, kur s’është nevoja, me atë liri përpara atyre që janë të dobët. Është më mirë ta ushtrojmë atë liri kur jemi vetëm, kur asnjë të mos ketë mundësi të ofendohet.

Është mirë të ecësh në gëzimin e plotë të lirisë së një të krishteri, por jo të jesh i lidhur nga bindje të gabuara [p.sh. një mjekër më bën të shenjtë]. Është më mirë t’i paraprish të drejtave legjitime sesa të dënosh veten për ofendim ndaj të tjerëve. Ai që shmang pengimin e të tjerëve është njeriu i lumtur.

14:23 Përsa i përket vëllait të dobët, është gabim për të të hajë ndonjë gjë për të cilën ai ka ngurime në ndërgjegje. Ngrënia e tij nuk është një akt besimi; pra, ai ka një ndërgjegje të keqe për atë veprim. Dhe është mëkat të dhunosh ndërgjegjen tënde.

Është e vërtetë që ndërgjegjja e një personi nuk është një drejtuese e pagabueshme; ajo duhet të edukohet nga Fjala e Perëndisë. Por Merril Unger shkroi: “Pali flet në mënyrë autoritare kur thotë që një njeri duhet të ndjekë ndërgjegjen e tij madje edhe pse është e dobët; ndryshe personaliteti moral do të shkatërrohej” {{57}}.

15:1 13 vargjet e para të kapitullit 15 vazhdojnë subjektin e kapitullit të mëparshëm, duke u marrë me çështje të indiferencës morale. Pati tensione të shumta midis të kthyerve nga Judaizmi dhe atyre nga paganizmi, kështu Pali këtu kërkon lidhje harmonizuese midis të krishterëve Judenj dhe Johebrenj.

Ata që janë të fortë (pra ata me liri të plotë përsa i përket gjërave që janë moralisht të parëndësishme) nuk duhet t’i pëlqejnë vetes duke shpallur me egoizëm të drejtat e tyre. Për më tepër, ata duhet t’i trajtojnë vëllezërit e tyre të dobët me mirësjellje dhe konsideratë, duke marrë parasysh dobësitë e tyre.

15:2 Këtu principi është ky: mos jeto për t’i pëlqyer vetes, jeto t’i pëlqesh të afërmit, t’i bësh atij mirë, ta ndërtosh atë. Kjo është metoda e krishtere.

15:3 Krishti na ka dhënë shembullin. Ai jetoi për t’i pëlqyer Atit të tij dhe jo vetvetes. Ai tha, “sharjet e atyre që të shanin ty ranë mbi mua” (Psa. 69:9). Kjo do të thotë që Ai merrej aq shumë me nderin e Perëndisë saqë kur njerëzit fyenin Perëndinë Ai e merrte atë si një fyerje të bërë për vetveten.

15:4 Ky citim nga Psalmet na kujton ne që Shkrimet e Dh.V. u shkruan për mësimin tonë. Edhe pse ato nuk u shkruan direkt për ne, ato përmbajnë mësime që janë kaq të vlefshme për ne. Kur ne ndeshemi me probleme, konflikte, mjerime dhe shqetësime, Shkrimet na mësojnë ne të jemi të patundur dhe na ngushëllojnë. Kështu në vend që të fundosemi nën dallgë, ne mbahemi nga shpresa që Zoti do të na çojë ne deri në fund.

15:5 Kjo konsideratë e bën Palin të shprehë dëshirën që Perëndia, i cili jep vendosmëri dhe ngushëllim, do ta fuqizojë të fortin dhe të dobëtin, të krishterët Judenj dhe ata Johebrenj, që të jetojnë në harmoni sipas mësimeve dhe shembullit të Krishtit Jezus.

15:6 Rezultati do të jetë që të shenjtët do të jenë të bashkuar në adhurimin e Perëndisë dhe Atit të Zotit tonë Jezu Krisht. Çfarë pikture! Judenjtë dhe Johebrenjtë e shpëtuar duke adhuruar Zotin me një gojë!

Tek Romakëve ekzistojnë katër përmendje të gojës, që formojnë një vijë biografike të një “shpirti të mirë-shpëtuar.” Në fillim goja e tij ishte plot mallkime dhe ligësi (3:14). Më pas goja e tij pushoi dhe ai u soll fajtor përpara gjykuesit (3:19). Më pas ai rrëfeu me gojën e tij Jezusin si Zot (10:9). Dhe përfundimisht goja e tij është duke adhuruar dhe lavdëruar Zotin (15:6).

15:7 Një princip tjetër del nga e gjithë kjo. Pavarësisht nga çdo ndryshim që mund të ekzistojë në lidhje me çështjet dytësore, ne duhet ta pranojmë njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi ne. Këtu është baza e vërtetë për pranim në asamblenë lokale. Ne nuk pranojmë në bazë të njohjes së aftësive, pjekurisë shpirtërore apo statusit social. Ne duhet të pranojmë ata që ka pranuar Krishti me qëllim që të përkrahim lavdinë e Perëndisë.

15:8 Në gjashtë vargjet e tjera apostulli u kujton lexuesve të tij që shërbesa e Jezu Krishtit përfshin Judenjtë dhe Johebrenjtë dhe nënkuptimi është që zemrat tona duhet të jenë mjaft të mëdha për t’i përfshirë të gjithë. Sigurisht Krishti erdhi t’i shërbejë rrethprerjes – pra Judenjve. Perëndia vazhdimisht premtoi se do ta dërgonte Mesian në Izrael dhe ardhja e Krishtit konfirmoi të vërtetën e këtyre premtimeve.

15:9 Por Krishti u sjell gjithashtu bekime edhe Johebrenjve. Perëndia synoi që të gjitha kombet ta dëgjojnë Ungjillin dhe që ata popuj që besojnë të përlëvdojnë Perëndinë për mëshirën e Tij të madhe. Kjo s’duhet të jetë një e papritur për besimtarët Judenj, sepse është parathënë vazhdimisht në Shkrimet e tyre. Në Psalmin 18:49, p.sh., Davidi parashikon ditën kur Mesia do t’i këndojë lavdërime Perëndisë në mes të një numri të madh besimtarësh Johebrenj.

15:10LiP 32:43 Johebrenjtë janë paraqitur duke gëzuar në bekimet e shpëtimit me popullin e Tij, Izraelin.

15:11Psalmin 117:1 ne dëgjojmë thirrjen e Izraelit ndaj Johebrenjve për të lavdëruar Zotin në Mbretërimin Mijëvjeçar të Mesias.

15:12 Përfundimisht Isaia i shton dëshminë e tij përfshirjes së Johebrenjve në sundimin e Mesias (Isaia 11:1,10). Pika e veçantë këtu është që Johebrenjtë mund të marrin pjesë në privilegjet e Mesias dhe Ungjillit të Tij.

Zoti Jezus është një rrënjë e Jeseut në kuptimin që Ai është krijuesi i Jeseut e jo që Ai lindi nga Jeseu (megjithëse edhe kjo është e vërtetë.). Në Zbu. 22:16 Jezusi flet për veten si Rrënja dhe Pasardhësi i Davidit. Përsa i përket hyjnishmërisë së Tij, Ai është krijuesi i Davidit; përsa i përket natyrës njerëzore të Tij Ai është pasardhës i Davidit.

15:13 Kështu Pali e mbyll këtë pjesë me një bekim hirplotë duke u lutur që Perëndia, që jep shpresë të mirë nëpërmjet hirit, do të mbushë të shenjtët me çfarëdo gëzimi dhe paqeje pasi ata besojnë në Të. Ndoshta ai është duke menduar veçanërisht për besimtarët Johebrenj këtu, por lutja është e përshtatshme për të gjithë. Dhe është e vërtetë që ata që kanë mbushulli në shpresë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë s’kanë kohë të grinden rreth gjërave jothelbësore. Shpresa jonë e përbashkët është një forcë bashkuese e madhe në jetën e krishtere.

G. Në Planet e Palit (15:14-33)

15:14 Në pjesën tjetër të kapitullit 15 Pali shpall arsyen e tij të të shkruarit romakëve dhe dëshirën e tij të madhe t’i vizitojë ata.

Megjithëse ai nuk i ka takuar kurrë të krishterët Romakë, ai është i sigurt se ata do t’i mirëpresin këshillat e tij. Kjo siguri është bazuar mbi atë që ai ka dëgjuar për mirësinë e tyre. Plus kësaj, ai është i sigurt për njohurinë e tyre mbi doktrinën e krishtere e cila i kualifikon ata të këshillojnë të tjerët.

15:15 Pavarësisht nga siguria mbi përparimin e tyre shpirtëror dhe pavarësisht nga fakti që ai ishte një i huaj për ta, Pali nuk hezitoi t’i kujtonte ata për disa nga privilegjet e tyre. Çiltërsia e tij në shkrime vinte nga hiri i dhënë atij prej Perëndisë – pra, hirit që e caktoi atë si apostull.

15:16 Ai ishte caktuar nga Perëndia për të qenë një lloj prifti-shërbyes i Jezu Krishtit pranë Johebrenjve. Ai e pa punën e tij në shërbesën e Ungjillit të Perëndisë si një funksion priftëror në të cilën ai paraqiti Johebrenjtë e shpëtuar si një ofertë e pëlqyer tek Perëndia sepse ata ishin vënë mënjanë nga Fryma e Shenjtë për Perëndinë nëpërmjet rilindjes.

G. Campbell Morgan ngazëllon:

Çfarë drite rrezatuese përhap kjo gjë mbi gjithë përpjekjen tonë Ungjillizuese dhe pastorizuese! Çdo shpirt i fituar me anë të shpalljes së Ungjillit jo vetëm që sillet në një vend sigurie dhe bekimi; ai është një ofertë tek Perëndia, një dhuratë që i jep Atij gëzim, pikërisht oferta të cilën Ai kërkon. Çdo shpirt i udhëzuar me kujdes dhe durim në gjërat e Krishtit, dhe i bërë kështu në përshtatje me ngjashmërinë e Tij, është një shpirt në të cilin Ati gjen kënaqësi. Kështu ne punojmë jo vetëm për shpëtimin e njerëzve, por për të kënaqur zemrën e Perëndisë. Ky është motivi më i fuqishëm. {{58}}

15:17 Nëse Pali mburret nuk është në veten e tij që ai lavdërohet, por në Jezu Krishtin. Dhe nuk është në ato gjëra që ai ka kryer, por që Perëndia ka qenë i kënaqur të bëjë nëpërmjet tij. Një shërbëtor i përulur i Krishtit nuk e ngarkon veten në mburrje të pahijshme, por për më tepër është i ndërgjegjshëm për faktin që Perëndia është duke e përdorur atë për të përmbushur qëllimet e Tij. Çdo tundim për krenari dështon kur besimtari kupton që ai nuk është asgjë në vetvete dhe që ai nuk ka asgjë përveç asaj që ka marrë dhe që s’mund të bëjë asgjë për Krishtin përveç se me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

15:18 Pali nuk supozon të flasë për çfarë Krishti ka bërë nëpërmjet shërbesës së të tjerëve. Ai e kufizon veten në mënyrën që Zoti e ka përdorur atë të fitojë Johebrenj në bindje, si me atë që tha dhe me atë që bëri – pra, me anë të mesazhit që shpalli dhe me anë të mrekullive që kreu.

15:19 Zoti e miratoi mesazhin e apostullit me mrekulli që dhanë mësime shpirtërore dhe që frymëzuan habi dhe me anë të manifestimeve të ndryshme të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Përfundimi ishte që ai kreu shërbimin e Ungjillit duke filluar në Jeruzalem dhe duke e zgjeruar rrethin deri në Iliri (në veri të Maqedonisë, në detin Adriatik). Nga Jeruzalemi … deri në Iliri përshkruan shtrirjen gjeografike të shërbesës së tij dhe jo renditjen kronologjike.

15:20 Duke ndjekur këtë rrugë, përpjekja e Palit ishte të Ungjillizonte në territore të pashkelura. Dëgjuesit e tij ishin Johebrenj që s’kishin dëgjuar kurrë më parë për Krishtin. Kështu ai nuk po ndërtonte mbi themelet e dikujt tjetër. Shembulli i Palit në nismën e tij për të shkuar në vende të reja nuk i lidh me domosdo shërbëtorët e tjerë të Zotit për këtë aktivitet ekzakt. P.sh., disa thirren të lëvizin dhe të mësojnë pas vendosjes së kishave të reja.

15:21 Kjo punë themeltare midis Johebrenjve ishte një përmbushje e profecisë së Isaias (52:15) që Johebrenjtë të cilët nuk ishin ungjillizuar më parë të mund të shihnin dhe ata që s’kishin dëgjuar më parë lajmin e mirë të mund të kuptonin dhe të mund të përgjigjeshin me besim të vërtetë.

15:22,23 Në këtë dëshirë të tij për të pluguar territore të pashkelura, Pali kishte qenë shumë i zënë sa që s’kishte mundësi të shkonte në Romë. Por tani, themeli ishte vendosur në zonën e përshkruar në 15:19. Të tjerë mund të ndërtonin mbi atë themel. Pali ishte tashmë i lirë për të përmbushur dëshirën e tij të vjetër për të vizituar Romën.

15:24 Plani i tij ishte të ndalonte në Romë gjatë rrugës për në Spanjë. Ai s’do të mund të qëndronte shumë për të gëzuar gjithë bashkësinë me ta ashtu siç dëshironte, por dëshira e tij për t’u kënaqur nga shoqëria e tyre do të plotësohej sado pak më në fund. Ai e dinte që ata do t’i jepnin çfarëdo ndihme që i nevojitej për të përfunduar udhëtimin e tij për në Spanjë.

15:25 Por ndërkohë ai po shkonte në Jeruzalem të shpërndante ndihmat që ishin mbledhur ndër kishat Johebrenje për të shenjtët që kishin nevojë në Jude. Këto janë ndihmat e mbledhura për të cilat ne lexojmë tek 1 e Korintasve 16:1 dhe 2 Kor. 8 dhe 9.

15:26,27 Besimtarët në Maqedoni dhe Akai kishin kontribuar për një investim për të liruar shtrëngimin mes të krishterëve të varfër. Kjo gjë ishte krejt vullnetare nga ana e dhuruesve dhe gjithashtu mjaft e përshtatshme për ta për t’u dhënë. Mbi të gjitha ata kishin përfituar shpirtërisht nga ardhja e Ungjillit tek ata me anë të besimtarëve Judenj. Kështu pra ata ndanë me vëllezërit e tyre Judenj të mirat materiale.

15:28,29 Sapo të kishte kryer këtë mision, pra shpërndarjen e investimeve siç premtoi, ai do të vizitonte Romën gjatë rrugës për në Spanjë. Ai kishte çdo siguri që vizita e tij në Romë do të shoqërohej nga tërësia e bekimeve të UngjillitKrishti gjithmonë e derdh kur Fjala e Perëndisë shpallet në fuqinë e Frymës së Shenjtë.

15:30 Apostulli e mbyll këtë pjesë me një thirrje të zjarrtë për lutjet e tyre. Baza në të cilën ai bën thirrje është uniteti i tyre i dyanshëm me Zotin Jezu Krisht dhe dashuria e tyre që vinte nga Fryma e Shenjtë. Ai u kërkon atyre të jenë në agoni në lutjet te Perëndia për të. Ashtu si thotë Lenski, “Kjo kërkon lutje në të cilat dikush vë gjithë zemrën dhe shpirtin e tij, njësoj siç bëjnë spektatorët në arenë.” {{59}}

15:31 Katër kërkesa lutjesh specifike janë dhënë. Së pari, Pali kërkon lutje që ai do të shpëtojë nga të zellshmit në Jude, të cilët kundërshtonin në mënyrë fanatike Ungjillin, ashtu siç kishte qenë ai vetë dikur.

Së dyti, ai donte që Romakët të luteshin që të shenjtët Judenj do të pranonin ndihmat që vinin me hir. Paragjykime të fuqishme fetare kishin mbetur kundër besimtarëve Johebrenj dhe kundër atyre që u shpallnin Fjalën Johebrenjve. Edhe është gjithmonë mundësia që njerëzit ofendohen me idenë e të marrit “ndihmë.” Shpesh duhet më tepër hir të jesh në anën e atyre që marrin sesa të atyre që japin.

15:32 Kërkesa e tretë ishte që Zoti të mund ta shihte të përshtatshme ta bënte vizitën në Romë një vizitë të gëzueshme. Fjalët në dashtë Perëndia shprehin dëshirën e Palit për të qenë i udhëhequr nga Zoti në të gjitha gjërat.

Së fundi, ai kërkon që vizita e tij të jetë e tillë që ai të mund të freskohej në mes të një shërbese të lodhshme dhe të zhurmshme,

15:33 Dhe tani Pali mbyll kapitullin me lutjen që Perëndia i cili është burimi i paqes të jetë pjesë e tyre. Në kapitullin 15 Zoti ishte emëruar si Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit (v 5), Perëndia i shpresës (v 13) dhe tani Perëndia i paqes. Ai është burimi i çdo të mire dhe çdo gjëje që një mëkatar i mjerë ka nevojë tani dhe në përjetësi. Amen.

H. Në Vlerësimin e Njohjes së të Tjerëve. (Kapitulli 16)

Në vështrim të parë kapitulli që mbyll letrën e Romakëve duket sikur është një katalog i parëndësishëm i emrave që kanë pak ose që s’kanë fare kuptim për ne sot. Megjithatë, me një studim më të thellë ky kapitull i lënë pas dore nxjerr shumë mësime të rëndësishme për besimtarin.

16:1 Febe është paraqitur si një dhjake {{60}} e kishës në Kenkrea. Ne nuk duhet të mendojmë sikur ajo i përket ndonjë shkalle të veçantë fetare. Çdo motër që shërben në lidhje me një asamble lokale mund të jetë një dhjake.

16:2 Sa herë që të krishterët e hershëm udhëtonin nga një kishë në një tjetër ata mbanin me vete letra të paraqitjes. Kjo ishte një nderim për Kishën që vizitohej dhe një ndihmë për vizitorin.

Kështu apostulli këtu paraqet Feben dhe kërkon që ajo të mirëpritet si një besimtare e vërtetë siç u ka hije besimtarëve. Ai kërkon për më tepër që ajo të ndihmohet në çdo mënyrë të mundshme. Lavdërimi i saj është që ajo ia kishte dhënë vetveten shërbesës së ndihmesës ndaj të tjerëve duke përfshirë edhe Palin. Ndoshta ajo ishte motra e palodhur që tregonte gjithmonë mirëseardhje ndaj predikuesve dhe besimtarëve të tjerë në Kenkrea.

16:3 Më pas Pali u dërgon përshëndetje Prishilës dhe Akuilës që kishin qenë bashkëpunëtorë trima të tij shërbesën e Jezu Krishtit. Duhet ta falënderojmë Perëndinë për çifte të krishterësh që derdhnin veten e tyre në punë sakrifikuese për çështjen e Krishtit!

16:4 Në një rast Prishila dhe Akuila në të vërtetë vunë kokën në rrezik për Palin – një akt heroik për të cilin nuk janë dhënë detaje. Por apostulli është mirënjohës dhe kështu janë Kishat e Johebrenjve të kthyer të cilave ai i shërbente.

16:5 I bëni të fala dhe Kishës që është në shtëpinë e tyre. Kjo do të thotë që një bashkësi e vërtetë besimtarësh mblidhej në shtëpinë e tyre. Ndërtesat e kishave ishin të panjohura deri në fund të shekullit të dytë. Më parë kur Prishila dhe Akuila jetonin në Korint, ata kishin një kishë në shtëpinë e tyre.

Epeneti do të thotë “i denjë për t’u lavdëruar.” Pa dyshim ky i kthyer i parë në provincën e Akaisë {{61}} ishte vërtetë si emri që kishte. Pali flet për të si Efeneti im i dashur.

16:6 Mbizotërimi i emrave të grave në këtë kapitull thekson sferën e gjerë të dobishmërisë së tyre (v 1,3,6,12 etj.). Maria punonte si një trojane [shtetas i Trojes] për shenjtorët.

16:7 Ne nuk e dime se kur Androniku dhe Junia ishin shokë burgu me Palin. Ne s’mund të jemi të sigurt nëse fjala kushërinj nënkupton që ata ishin të afërt me Palin apo thjesht shokë Judenj. Përsëri, ne nuk e dimë nëse shprehja të dalluar midis apostujve do të thotë që ata respektoheshin nga apostujt apo që vetë ata ishin apostuj. Gjithçka që ne dimë është se ata qenë bërë të krishterë përpara Palit.

16:8 Më pas ne njihemi me Ampliun e dashur nga apostulli. Ne s’do të kishim dëgjuar kurrë për asnjë nga këta njerëz përveç lidhjes së tyre me Kalvarin. Kjo është gjëja më e mrekullueshme për secilin nga ne.

16:9 Urbani fiton titullin bashkëpunëtor dhe Staki është quajtur i dashur. Romakëve 16 është një miniaturë e fronit gjykues të Krishtit, ku do të ketë lavdërim për çdo rast besnikërie ndaj Krishtit.

16:10 Apoli kishte kaluar me sukses disa prova dhe kishte fituar vulën e të aprovuarit në Krishtin.

Pali përshëndet ata të shtëpisë së Aristobulit, që ndoshta do të thotë skllavë të krishterë që i përkisnin këtij nipi të Herodit të madh.

16:11 Herodioni ndoshta ishte gjithashtu një skllav. Një kushëri i Palit, ai mund të ketë qenë skllavi i vetëm Jude që i përkiste shtëpisë së Aristobulit.

Disa nga skllevërit që i përkisnin Narkisit ishin gjithashtu besimtarë dhe Pali i përfshin ata në përshëndetjet e tij. Madje ata që janë më poshtë në shkallën shoqërore nuk përjashtohen nga bekimet më të zgjedhura të krishterimit. Përfshirja e skllevërve në këtë listë emrash është një kujtesë e dashur që në Krishtin të gjitha ndarjet sociale zhduken dhe ne jemi të gjithë një në Të.

16:12 Trifena dhe Trifoza kanë emra që do të thonë “delikate” dhe “luksoze,” por ato ishin me të vërtetë punëtore në shërbesën e tyre për Zotin. Persida e dashur ishte një nga këto gra punëtore që janë kaq të nevojshme në kishat lokale por që vlerësoheshin rrallë, derisa iknin.

16:13 Rufi mund të ketë qenë djali i Simonit, i cili mbajti kryqin për Jezusin (Mat. 27:32). Ai ishte i zgjedhur në Zotin jo vetëm për shpëtimin e tij, por gjithashtu dhe për karakterin e tij të krishterë; pra ai ishte një shenjtor i zgjedhur. Nëna e Rufit kishte treguar mirësi materiale ndaj Palit dhe kjo gjë fitoi titullin e dashur “nëna ime.”

16:14,15 Ndoshta Asinkriti, Fleganti, Hermes, Patroba dhe Ermi ishin aktivë në një shtëpi kishë, si ajo në shtëpinë e Prishilës dhe Akuilës (16:3,5). Filogogu dhe Julia, Nereu dhe motra e tij Olimpia mund të kenë qenë bërthama e një shtëpie kishë tjetër.

16:16 Puthja e shenjtë ishte mënyra e zakonshme e një përshëndetjeje me dashuri midis të shenjtëve atëherë dhe praktikohet ende në disa vende sot. Ishte specifikuar si një puthje e shenjtë për t’u mbrojtur kundër sjelljeve të papërshtatshme. Në kulturën tonë, puthja është zëvendësuar në përgjithësi me një takim duarsh.

Kishat në Akai, ku po shkruante Pali morën pjesë me dërgimin e përshëndetjeve të tyre.

16:17 Apostulli s’mund ta mbyllë letrën pa një paralajmërim kundër mësuesve të liq që mund të shtrembëronin rrugën e tyre në Kishë. Të krishterët duhet të jenë të mbrojtur kundër dikujt që formon grupe rreth vetes dhe ngre kurthe për të shkatërruar besimin e atyre që s’janë të kujdesshëm. Ata duhet t’i mbajnë sytë hapur për ndonjë, mësimet e të cilit janë në kundërshtimdoktrinës që të krishterët kanë mësuar dhe duhet të largohen plotësisht nga ata.

16:18 Këta mësues të rremë nuk i janë bindur Zotit tonë Jezu Krisht. Ata i binden orekseve të tyre. Dhe ata janë të gjithë kaq të suksesshëm me anë të fjalëve të tyre të ëmbla dhe tërheqëse në mashtrimin e atyre që nuk dyshojnë.

16:19 Pali ishte i gëzuarbindja e lexuesve të tij ndaj Zotit ishte e mirënjohur. Por ende ai i donte ata të ishin në gjendje të dallojnë dhe t’i binden mësimit të mirë dhe të jenë të pandjeshëm ndaj së keqes.

16:20 Në këtë mënyrë, Perëndia i cili është burimi i paqes u jep atyre një fitore të shpejtë mbi Satanin.

Bekimi karakteristik i apostullit uron të gjithë mundësinë e duhur për shenjtorët ndërsa ata udhëtojnë drejt lavdisë.

16:21 Ne njohim Timoteun, birin në besim të Palit dhe bashkëpunëtorin besnik. Ne nuk dimë asgjë për Lucin, vetëm që ai, ashtu si Pali, ishte me prejardhje Jude. Ne mund të kemi takuar më parë Jasonin (Veprat 17:5) dhe Sosipatrin (Veprat 20:4) që ishin Judenj.

16:22 Terci ishte ai të cilit Pali i kishte diktuar letrën. Ai është i lirë të shtojë urimet e tij personale për lexuesit.

16:23 Janë të paktën katër burra me emrin Gai në Dh.R.. Ky është ndoshta ai për të cilin flitet tek 1 e Korintasve 1:14. Ai shquhej për mikpritjen e tij, jo vetëm ndaj Palit, por ndaj çdo të krishteri që kishte nevojë. Erasti ishte arkëtari i qytetit të Korintit. Por a ishte i njëjti person i përmendur edhe në Veprat 19:22 dhe 2 Timoteut 4:20? Ne s’mund të jemi të sigurt. Kuarti është përmendur thjesht si një vëlla, por mbi të gjitha, çfarë nderi, çfarë dinjiteti është titulli “vëlla”!

16:24 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë, është bekimi tipik mbyllës i Palit. Është njësoj si vargu 20 me shtesën të gjithë. Në fakt në shumicën e dorëshkrimeve të Romakëve, ky është vargu i fundit, dhe doksologjia [“doxo” – lavdi, dhe “logos” – fjalë, nga greqishtja] në vargjet 25-27 vjen pas kapitullit 14. Teksti Aleksandrian (NU) lë jashtë vargun 20. Të dyja, d.m.th. bekimi dhe doksologjia janë mënyra të mrekullueshme për të mbyllur librin. Dhe që të dyja mbarojnë me Amen.

16:25 Letra mbyllet me një doksologji. Ajo i adresohet Perëndisë që mund ta bëjë popullin e Tij të qëndrueshëm në përputhje me Ungjillin që Pali predikoi e të cilin ai e quan Ungjilli im. Është vetëm një rrugë shpëtimi, sigurisht, por iu besua atij si “apostulli i Johebrenjve” ndërsa Pjetri, p.sh., e predikoi atë tek Judenjtë. Është lajmërimi publik i mesazhit për Jezu Krishtin në lidhje me zbulesën e një të vërtete të mrekullueshme e mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur. Një mister, në Dh.R., është një e vërtetë e panjohur më parë, dhe një e vërtetë të cilën nuk mund ta zbulojë kurrë intelekti njerëzor, por një e vërtetë që është bërë e njohur tani.

16:26 Misteri i veçantë për të cilin flitet këtu është e vërteta që besimtarët Judenj dhe ata Johebrenj u bënë bashkë-trashëgimtarë, bashkë-gjymtyrë të Trupit të Krishtit, dhe bashkë-pjesëtarë të premtimit të Tij në Krishtin me anë të Ungjillit (Ef. 3:6).

Ai tani u shfaq me anë të shkrimit të profetëve – jo profetëve të Dh.V., por atyre të periudhës së Dh.R.. Ishte e panjohur në Shkrimet e Dh.V., por u zbulua në Shkrimet profetike të Dh.R. (shih Ef. 2:20; 3:5).

Është mesazhi Ungjilltar që Perëndia e urdhëroi të njihet ndër të gjitha kombet me qëllim që njerëzit t’i binden besimit dhe të shpëtohen.

16:27 Vetëm Perëndia është burimi dhe shfaqja e diturisë së mirëfilltë dhe Atij i përket lavdia me anë të Jezu Krishtit, Ndërmjetësit tonë, në përjetësi.

Dhe kështu mbaron letra mahnitëse e Palit. Sa borxhli i jemi për të Zotit! Dhe sa të varfër do të ishim pa të! Amen.

[[46]] (12:1) Norman Grubb, C. T. Studd. Cricketer and Pioneer. Fq 141[[46]] [[47]] (12:6) Hodge, Romans. Fq 613[[47]] [[48]] (12:6) A. H. Strong, Systematic Theology. Fq 12[[48]] [[49]] (12:6) Megjithatë, parafjala shquese, e përdorur këtu në origjinal, praktikisht është njësoj me një përemër në disa kontekste.[[49]] [[50]] (12:19) R. C. H. Lenski, St. Paul’s Epistle to the Romans. fq 780[[50]] [[51]] (12:21) J. N. Darby, nga citimi për Rom. 12:21 nga New Translation.[[51]] [[52]] (12:21) George Washington Carver.[[52]] [[53]] (12:21) Charles Swindoll, Growing Strong in the Seasons of Life. Fq 69-70[[53]] [[54]] (13:4) Foljet hebrenje për fjalët “vras” dhe “ther” janë qatal dhe harag. Fjala e veçantë vrasës (rahats) është përdorur në Dhjetë Urdhëresat dhe përkthimi grek është po aq i qartë.[[54]] [[55]] (13:9) Teksti NU lë jashtë urdhëresën këtu.[[55]] [[56]] (14:10) Disa dorëshkrime (NU) shkruajnë “froni gjykues i Perëndisë” dhe jo “i Krishtit.” Por ne e dimë që Krishti do të jetë Gjykuesi, pasi Ati ia ka dorëzuar Atij të gjithë gjykimin. (Gjoni 5:22)[[56]] [[57]] (14:23 Merril F Unger, Unger’s Bible Dictionary. Fq 212[[57]] [[58]] (15:16) Morgan, Searchlights. Fq 337[[58]] [[59]] (15:30) Lenski, Romans. Fq 895[[59]] [[60]] (16:1) Forma femërore e diakons (“shërbëtore” ose “dhjake”) ndoshta do të ishte përdorur nëse do të ishte përmendur një pozitë zyrtare për gratë.[[60]] [[61]] (16:5) Teksti NU shkruan Azia (por Korinti nga ku Pali po shkruante ishte në Achaia)[[61]]
BIBLIOGRAFI

Cranfield, C. E. B., The Epistle to the Romans, Vol. 1 (ICC), Edinburg: T&T Clark Ltd., 1975.

Denney, James. “St. Paul’s Epistle to the Romans,” The Expositor’s Greek Testament. Vol. 2. Grand Rapids: Wm. B. Erdmans Publishing Company. 1961.

Erdman, C. R., The Epistle of Paul to the Romans. Philadelphia: The Westminster Press 1925.

Gahan, Charles. Gleanings in Romans. Published by author.

Hodge, Charles. Commentary on the Epistle to the Romans. New York: George H. Doran Company 1886.

Kelly, William. Notes on the Epistle to the Romans. London: G. Morrish. 1873.

Lenski, R. C. H., St. Paul’s Epistle to the Romans. Minneapolis: Ausburg Publishing House, 1961., 1938.

Newell, William R., Romans Verse by Verse. Chicago: Moody Press. 1938

Rainsford, Marcus. Lectures on Romans 6. London: Charles J. Thynne, 1898

Shedd, William G. T., A Critical and Doctrinal Commentary on the Epistle of St. Paul to the Romans. Grand Rapids: Zondervan, 1967.

Stifler, James M., The Epistle to the Romans: A Commentary Logical and Historical, Chicago: Moody Press, 1960.

Wuest, Kenneth S., Romans in the Greek New Testament. Grand Rapids: Wm. B. Erdmans Publishing Company, 1964.

[previous][next]