Mësimi 44 | Shërbesa e krishterë | nga David Dunlap
Të dëshmosh për Krishtin është mënyrë jetese. Për arsye të faktit që dikush është i krishterë, ai është një dëshmitar për Krishtin. Unë mund të mos jem një dëshmitar i mirë, megjithatë jam një i tillë. Jezusi tha: «ju do të bëheni dëshmitarët e mi» (Vep. 1:8). Dëshmia jonë është e rëndësishme. Ne mund të lëmë një ndikim të konsiderueshëm tek ata që nuk e njohin Krishtin. Pyetja nuk është kur të dëshmojmë apo ku të dëshmojmë. Nëse jemi të krishterë ne jemi dëshmitarë. Po si mund të jemi përçues më të efektshëm të ungjillit? Njohja e së vërtetës është thelbësore për dëshmim të efektshëm. «Ju do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë» (Gjo. 8:32). Ne jetojmë në kohë metodash. Ungjillëzimi ynë është përqendruar kryesisht te metodat. Shumë kanë marrë pjesë në seminare mbi metodat më të mirë të ungjillëzimit, prapëseprapë në të njëjtën kohë kisha është bërë më e dobët në të kuptuarit e saj të përmbajtjes së mesazhit dhe në aftësitë e saj për ta përçuar atë. Ne kemi harruar se Dhiata e Re e përkufizon «të ungjillëzosh» si «të tregosh/deklarosh/të shpallësh lajm të mirë». Lajm, nga vetë kuptimi i fjalës, do të thotë përmbajtje. Çdo paraqitje te të pashpëtuarit duhet të ketë përmbajtje të bazuar në Bibël.
PERËNDIA – KRIJUESI I SHENJTË DHE I DASHUR
Ne s’mund të supozojmë se njerëzit sot kanë një koncept të duhur për Perëndinë. Ne duhet t’ua bëjmë atyre të qartë se Ai ka të drejta absolute mbi jetët e tyre. Koncepti që ne duam të ngulitim fort në mendjet e tyre është zotërimi që ka Perëndia mbi secilin prej nesh. Ne duhet të flasim për një Krijues sovran që i solli të gjitha gjërat në ekzistencë nga asgjëja, që na krijoi dhe na mban nga vullneti i Tij që ne të jemi të varur tek Ai për çdo gjë (Zan. 1-2; Vep. 17:25; Isa. 40:28; Psa. 100:3). Nga ky themel vijnë dy shtyllat e mëdha të Qenies së Tij – drita dhe dashuria. Drita flet për madhështinë, të vërtetën dhe shenjtërinë e Perëndisë (1 Gjo. 1:5; 1 Tim. 6:15-16). Por Perëndia ynë është edhe Perëndi i dashurisë. Nga dashuria e Tij Ai na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij që ne të kishim përbashkësi me Të. Prandaj adhurimi mund të jetë e vetmja përgjigje e përshtatshme (LiP. 6:4-5).
NJERIU – KRIJESA MËKATARE
Njeriu nuk iu bind Perëndisë dhe u rebelua me vullnet. Bibla e quan këtë mëkat. Ne duhet t’i përkufizojmë mëkatin dhe t’i bëjmë të njohur pasojat e tij kësaj bote të humbur. Mëkati përbëhet nga dy pjesë: së pari, është qëndrimi që unë jam perëndia i vetes sime dhe kështu jetoj sikur Perëndia të mos ekzistonte. Romakëve 1:21 e portretizon këtë qëndrim kur e përcakton mëkatin si mosadhurim të Perëndisë. Në këtë mënyrë ne mohojmë gjithçka që na ka zbuluar Perëndia mbi Veten e vet. Së dyti, mëkati është rebelim kundër Perëndisë – të shkelësh ligjin e Tij. Renditja e Dhjetë Urdhërimeve në ungjillëzim i ndihmon njerëzit të ndiejnë fajin e mëkatit dhe krijon dëshirën për falje që gjendet vetëm në Krishtin (Rom. 3:12; Jak. 2:10; Jer. 17:9).
Pasoja e mëkatit është vdekja. Bibla flet për vdekjen si ndarje frymërore dhe fizike. Këto dy elemente, kur lidhen bashkë, përbëjnë thelbin e jetës. Vdekja fizike është ndarje nga trupi. Simptomat e sëmundjeve dhe të vuajtjeve fizike tregojnë se vdekja fizike është afër. Vdekja frymërore është ndarje nga Perëndia në përjetësi. Simptomat e kësaj lloj vdekjeje janë urrejtje, luftë, armiqësi, një jetë pa qëllim, faj dhe dëshpërim (Isa. 59:2; Efe. 2:1).
KRISHTI – SHPENGUESI MËSHIRËPLOTË
Kur lexon Dhiatën e Vjetër mund të shohësh qartë se Jezus Krishti erdhi që të përmbushë tre role: profet, prift dhe mbret. Gjatë njëqind viteve të fundit ungjillëzimi ka patur prirjen të flasë vetëm për rolin e Tij si Shpëtimtar. Kjo ka bërë që shumë njerëz të bëjnë «vendime për Krishtin» të përcipta. Ne duhet ta paraqesim Krishtin në të tre rolet – jetën e Tij të përsosur, vdekjen sakrifikuese dhe ringjalljen fitimtare.
Si Profet Ai bëri të njohur Perëndinë përmes mësimeve dhe jetës së Tij (LiP. 18:15-19; Gjo. 1:14-18; 7:16-24). Jeta e Tij e përsosur e kualifikoi Atë që të jetë sakrifica jonë zëvendësuese.
Prifti përfaqësonte popullin para Perëndisë. Ne duhet ta paraqesim kryqin jo thjesht si një demonstrim të mjegullt të dashurisë së Perëndisë, por si vendin në histori ku, në vdekjen e Birit të Tij, Perëndia u mor me mëkatet e tërë botës. Perëndia vazhdon të jetë i drejtë dhe i shenjtë, megjithatë na do përmes Krishtit, i cili mori mëkatet tona (1 Pje. 2:24; Heb. 7:27; 10:10).
Ne duhet të flasim për postin e Tij si Mbret. Dhiata e Re i referohet Jezus Krishtit si «Shpëtimtar» njëzet e katër herë, por e quan Atë Zot 694 herë – më shumë se njëzet e tetë herë për çdo referim si «Shpëtimtar». Të gjithë ata që do ta kenë Jezusin si Shpëtimtar duhet, mbas shpëtimit, ta kenë Jezusin edhe si Mbretin e tyre. Tani Jezusi jeton për të qeverisur popullin Tij me dashuri dhe të vërtetë (Mt. 25:24; Vep. 2:3-36; Zbu. 5).
PËRGJIGJJA JONË E DOMOSDOSHME PËR SHPËTIM
Përderisa shpresa e vetme e njeriut është që të shpëtohet përmes veprës së kryer të Krishtit, si mundet njeriu ta njohë Krishtin si Shpëtimtar? Ne duhet t’u bëjmë thirrje të pashpëtuarve të pranojnë me mendjet dhe zemrat e tyre se qëndrojnë fajtorë para Perëndisë dhe meritojnë gjykimin e Tij. Ata duhet të pranojnë rebelimin e tyre kundër Tij dhe t’i kthejnë shpinën këtij rebelimi dhe ta vënë besimin në veprën shpenguese të Krishtit. Ata duhet të kuptojnë se nuk mund të bëjnë asgjë. Ata duhet të kuptojnë se nuk mund të bëjnë asgjë që të bëhen të pranueshëm te Perëndia. Më pas ne i ftojmë ata t’i besojnë Krishtit dhe të mbështeten tek Ai si Shpëtimtar (Gjo. 1:12; 3:16; Efe. 2:8-9).
DISA PIKA KYÇ PËR TË MBAJTUR MEND
Përdor Biblën: Kërkoji personit ta lexojë vetë tekstin dhe të të shpjegojë të kuptuarit e tij të domethënies. Shumë herë kjo është pika e kthesës në paraqitjen e ungjillit. Kjo shmang sorollatjet e kota dhe i përball ata me autoritetin përfundimtar të Perëndisë.
Mëso vargje përmendsh: Mëso përmendsh vargje si dhe referimet e tyre që të mund t’i japësh atij personi pjesën e duhur nga Fjala e Perëndisë.
Lutu: Mesazhi ynë mund t’i duket marrëzi jo të krishterit, por nëse vërtet besojmë se vetëm Fryma e Shenjtë mund t’i bëjë ata të përgjigjen, ne do të lutemi – përpara, gjatë dhe mbas paraqitjes sonë të Krishtit te mëkatari.
Komuniko: Komuniko qartë konceptet biblike absolute që personi të mos krijojë idetë e tij apo të saj në ato vargje. Sigurohu të shpjegosh se po flet mbi të vërteta absolute dhe se nuk është opinioni yt. Mesazhi yt duhet të jetë besnik ndaj Fjalës së Perëndisë në përmbajtje dhe shprehje. Por ki zemër: Perëndia nuk dërgoi magnetofonë për të ungjillëzuar që të kishte «mesazhin e përsosur». Ju do të bëni gabime, pasi të gjithë gabojmë. Por nëse kërkon të jesh besnik ndaj Perëndisë dhe mesazhit të Tij, Ai do t’ju mësojë gjatë punës.
PUNO SHUMË DHE JI NGULMUES
«Le të mos ligështohemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos ligështohemi, do të korrim në kohën e vet» (Gal. 6:9). Shumë të krishterë dorëzohen shumë shpejt para punës së ungjillëzimit. Ata dalin disa herë dhe trokasin nëpër dyer në fund të një jave. Kur kanë patur disa kontakte, ata i thonë vetes: «Kjo s’është për mua. Thjesht nuk jam bërë për këtë punë». Po askush nuk është i bërë për këtë punë; ajo është punë e madhe! Satani do ta luftojë atë në çdo kthesë. Ji ngulmues, ngulmues në lutje, duke shpërndarë farën dhe Perëndia do e bëjë mundin të japë fryt.
FOL ME PUSHTET
Për Jezusin thuhej: «Ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët» (Mr. 1:22). Një dëshmitar duhet të flasë me pushtet, por jo që të jetë arrogant. Disa të krishterë dëshmojnë me një mënyrë pothuaj mbrojtjeje. Përgjithësisht kjo metodë nuk jep shumë rezultate. Të pashpëtuarit nuk do ta presin me mirëbesim atë mesazh që jepet në një mënyrë të pasigurt dhe të pavendosur. Ata kanë nevojë për një «Kështu thotë Zoti».
LËRE DERËN HAPUR
Nëse personi që po i dëshmon nuk është i i hapur, mos e detyro. Nëse personi të bën vërejtje të goditura, mos ia kthe me një vërejtje të ashpër. Kjo mund të dëmtojë të gjithë progresin që ke patur deri tani ose të bllokojë mundësitë që të tjerët mund të kenë në të ardhmen. Mos e ndiz grindjen. «Shërbëtori i Zotit nuk duhet të grindet» (2 Tim. 2:24). Ju mund të fitoni një argument, por të humbni një shpirt për Krishtin. Nëse një situatë ungjillëzimi fillon të nxehet, ndalo! Kërko ndjesë. Bëji të ditur tjetrit se nuk ke dëshirë të grindesh dhe të vjen keq për çdo gjë fyese që ke thënë a bërë. Nëse ungjilli e fyen dikë, kështu qoftë. Por nëse fyes jam unë, kjo duhet ndrequr.
MOS PËRDOR TERMA TEOLOGJIK TË VËSHTIRË
Një dëshmitar duhet të mësojë që të mendojë siç mendon një i pashpëtuar. Vendoseni veten në këpucët e tyre. Shumë e kanë dëgjuar termin «i rilindur», por nuk e dinë se çfarë do të thotë. Të flasësh për «pajtim» dhe «shfajësim» vetëm sa mund të pështjellojnë çështjen. Ata do të kuptojnë terma si «mëkat», «falje», «qiell», «ferr» dhe «gjykim». Përpiqu të jesh i thjeshtë.
MËSO TË BËSH FTESA
E vërteta jo vetëm informon, por edhe ndryshon. Shumë njerëz e pranojnë ofertën kur ajo iu jepet. Mëso t’iu japësh njerëzve mundësinë për t’u përgjigjur. Mos i manipulo apo detyro vendimet, por jepu të pashpëtuarve një mundësi t’i thonë po Perëndisë. Ju nuk e njihni zemrën kurrë. Një individ mund të jetë duke shpërthyer përbrenda nga bindja pa asnjë shenjë apo ndjenjë të jashtme. Mbasi ta kesh shpjeguar ungjillin dhe t’i jesh përgjigjur kundërshtimeve dhe pyetjeve, mund t’i thoni thjesht: «A ke dëshirë ta pranosh Krishtin sot?» Modeli biblik është t’u bësh thirrje burrave e grave që të përgjigjen mbas paraqitjes së ungjillit. Pali tha: «Ne […] ju shpallim lajmin e mirë, që ju nga këto gjëra të kota të ktheheni te Perëndia i gjallë» (Vep. 14:15). Pjetri tha: «Pendohuni, pra dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja» (Vep. 3:19).
SHMANG SOROLLATJET
Mos u fut në sorollatje të kota. Nëse Satani nuk mund të të mundi, ai do të provojë një devijim të bisedës. Nëse dikush të bën një pyetje që mund të jetë një devijim i bisedës, sugjero që më parë të mbarosh paraqitjen e planit të shpëtimit dhe pastaj t’i përgjigjesh pyetjes. Mos nis një diskutim mbi doktrinën e kishave të tjera apo rreth gabimeve të predikuesve televizivë të spikatur, rreth përkthimeve të Biblës etj. Gjëja kryesore është që gjëja kryesore të ngelet gjëja kryesore në paraqitjen e ungjillit.
SHPJEGO ÇËSHTJEN E MËKATIT
Ne duhet të paraqesim qartë dhe me guxim çështjen e mëkatit në jetët e tyre (Rom. 6:23). Ne duhet të shpjegojmë dashurinë, hirin dhe mëshirën e Perëndisë, por duhet të paraqesim edhe gjykimin dhe pasojat e mëkatit. Kjo është metoda biblike. Vini re Pjetrin duke predikuar: «Ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin dhe kërkuat që t’ju jepej një vrasës dhe vratë Princin e jetës» (Vep. 3:14-15).
JEP DËSHMI PERSONALE
Mëso se si të japësh një përmbledhje të shkurtër dhe të qartë se si u shpëtove. Thekso nevojën tënde për shpëtim për shkak të mëkatit dhe ndryshimin në jetën tënde pas kësaj. Ju mund ta hapni bisedën duke thënë: «A mund t’ju tregoj ngjarjen më mahnitëse që më ka ndodhur ndonjëherë?» Mbas një përmbledhje të shkurtër mund të thoni: «Ishte kaq e mrekullueshme të dija që të gjitha mëkatet e mia ishin falur dhe se do të shkoj në qiell. Më duhej t’u tregoja të tjerëve për këtë». Më pas mund të shtoni: «A e dini ju me siguri se do të shkoni në qiell?»
PËRDOR FJALËN E PERËNDISË
Në përgjigje të tundimeve të Satanit në shkretëtirë, Krishti përdori Shkrimin. Në predikimin e apostujve në librin e Veprave, u përdor Dhiata e Vjetër. Jeremia tha: «A nuk është fjala ime si zjarri?, thotë Zoti, «dhe si një çekiç që thyen gurin?» (Jer. 23:29).
Me suksese të mëdha, shumë kanë përdorur metoda të vlefshme të paraqitjes së shpëtimit të Perëndisë. Një nga më të mirat që njihet quhet «Rruga Romake» – 3:10; 3:23; 5:8; 6:23; 10:9. Shumë përdorin këtë plan dhe i shtojnë variante. Është mirë të kesh një plan që të ndjekësh rrjedhën e mendimit; pastaj mund të shtohen edhe vargje të tjera për t’iu përshtatur nevojës së individit. Një gabim shkatërrimtar është të jesh akuzues: «Ti duhet të kuptosh se je një mëkatar». Zakonisht ata do të kërkojnë të shfajësohen në vend që të jenë të hapur. Më mirë kërko të lexojnë: «Nuk ka asnjë të drejtë, as edhe një» (Rom. 3:10); «Sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë» (Rom. 3:23). Pastaj thuaj: «Ne të gjithë kemi mëkatuar, apo jo?»
[previous][next]