KËRKO TË JESH SI JEZUSI

Mësimi 13 | Karakteri i Krishterë

Përgjigjja ndaj shumicës së problemeve që hasim është shenjtëria ose ngjashmëria me Krishtin. Për shembull, një nga problemet tona është si të dimë vullnetin e Perëndisë. Shumica e vargjeve që i përgjigjen kësaj çështjeje kanë të bëjnë me karakterin tonë (Fja. 3:5-6; Psa. 25:9). Ne duam të dimë si të jemi të efektshëm në ungjillëzim. Përgjigjja gjendet te shenjtëria (Mt. 4:19).

Nëse duam të kemi një jetë të efektshme lutjeje, Zoti thotë: «Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet» (Gjo. 15:7). Si ushtarë që luftojnë për Zotin neve na nevojitet mbrojtje dhe rendiment. Si? Mburoja e besimtarit gjendet në Efesianëve 6:11-18. Dhe ka të bëjë me karakterin e krishterë.

Dhe kështu është me të gjitha aspektet e jetës së krishterë. Perëndia nuk na jep një grumbull të përpiktë, le të themi mbi dhjetë pika, se si të veprojmë në këtë rast dhe në atë rast. Për më tepër Ai thekson jetën tonë personale. Pjesa që mbetet do e gjejë vetë vendin që duhet.

Ne duhet të lutemi gjithmonë: «Zot, na bëj më tepër si Krishti dhe më pak si vetvetja». Asnjë i krishterë nuk do të hyjë në debat mbi faktin që ne duhet të bëhemi më tepër si Zoti Jezus. Ky është një fakt i pranuar. Nuk ka asnjë qëllim më të lartë, nuk ka asnjë ambicie më të madhe, sesa të jesh i ngjashëm me Krishtin për sa i përket karakterit. Një nga qëllimet e mëdha të Perëndisë për popullin e Tij është t’i bëjë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të Tij. Qëllimi i Perëndisë është të na bëjë si Jezusi. Kjo gjë na mësohet gjatë gjithë Dhiatës së Re dhe shpesh ne këtë e dëgjojmë në predikime.

Por mbetet përsëri pyetja: «Si?» Si mund të punojmë me Perëndinë në një mënyrë të ditëpërditshme dhe praktike për të patur një ngjashmëri gjithnjë e në rritje me Zotin tonë Jezus? Është një gjë të dish se ç’duhet të bësh dhe një gjë tjetër ta bësh atë.

«Shëmbëlltyra e Perëndisë nuk duket në formën e trupave tanë, por në bukurinë e zemrës dhe mendjes së përtërirë. Shenjtëria, dashuria, përulësia, butësia, mirësia dhe falja – janë këto ato që formojnë karakterin hyjnor» (Shënimet Ditore të Bashkimit të Shkrimeve).

Pali na thotë se ne transformohemi në ngjashmërinë e Tij duke e soditur Atë (2 Kor. 3:18). Kjo do të thotë që ne studiojmë jetën e Tij si një Njeri këtu mbi tokë si edhe jetën e Tij të tanishme për ne në të djathtën e Perëndisë dhe më pas, duke patur disiplinën e vendosmërisë, ne kërkojmë të ndjekim Atë, të ecim ashtu si eci Ai, të udhëhiqemi nga shembulli i Tij.

Gjenden dy vargje të qarta në Dhiatën e Re ku Zoti Jezus na është dhënë si një shembull që ne ta ndjekim. Ato janë Gjoni 13:15: «Unë, në fakt, ju kam dhënë shembullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju» (Ai sapo kishte larë këmbët e tyre). Gjithashtu 1 Pjetrit 2:21: «Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij».

Dëgjohet shpesh të thuhet që ne s’mund ta arrijmë kurrë përsosmërinë e Tij këtu poshtë apo që të ndajmë ato atribute që i përkasin vetëm Perëndisë. Por kjo nuk duhet përdorur si një justifikim për të qenë të kënaqur me gjendjen ekzistuese. Pavarësisht nga kjo ne duhet të përpiqemi për të ecur drejt qëllimit.

Megjithëse Vetë Krishti është shembulli ynë suprem, ne mund të mësojmë shpesh mësime të vlershme se si ta imitojmë Atë kur këtë e shohim të pasqyruar në jetët e njerëzve të Tij. A s’është e vërtetë që ndonjëherë ne mund të lexojmë për cilësitë e shkëlqyera të Tij, por ato duken disi larg nesh? Por kur takojmë një besimtar që shfaq në një mënyrë të jashtëzakonshme disa cilësi të ngjashme me ato të Krishtit, ne e shohim të vërtetën që bëhet mish. Pra, nuk është më larg apo teorike apo jo praktike. Për shembull, e gjithë tema e dishepullimit mund të mos jetë kurrë një përshkrim i gjallë derisa ta shohim atë të jetuar në jetën e një dishepulli të zjarrtë që ka një pasion për t’iu bindur urdhrave të qarta të Shkrimeve.

Kështu që kjo na sjell te pyetja qendrore. Si është Jezusi dhe si mund të jem unë më i ngjashëm me Të? Si mund të jetoj unë në një mënyrë të tillë që të tjerët të shohin Krishtin tek unë? Si mundem unë të imitoj karakterin e Tij, sjelljen e Tij dhe të folurit e Tij?

Ai ishte një Njeri i i Librit. Mendja e Krishtit ishte e mbushur me Shkrimet. Ai e vlerësoi Fjalën si autoritetin e Tij përfundimtar. Vargjet që citoi ishin gjithnjë në shenjë – ishin pikërisht fjalët e duhura për atë rast të veçantë.

Ai ishte një Njeri i mendueshëm. Ai ishte Njeriu i bekuar i Psalmit 1, kënaqësia e të cilit ishte mbi ligjin e Zotit. Mbi atë ligj Ai mendonte thellë ditë e natë.

Ai ishte një adhurues. Akti më suprem i adhurimit i bërë nga Zoti ynë ishte vdekja e Tij sakrifikuese në Kalvar si bindje ndaj vullnetit të Atit të Tij.

Ai nuk u konformua me këtë botë. A nuk tha Ai për dishepujt e Tij: «Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota» (Gjo. 17:16)? Ai nuk ishte aspak nga bota.

Ai nuk luftoi me armë prej mishi. Kur Zoti ynë ishte në gjyq para Pilatit, Ai tha: «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej» (Gjo. 18:36).

Përsosuri morale. Zoti Jezus jo vetëm që jetoi pa mëkatuar, por madje jetoi pa njohur mëkat dhe në Të nuk kishte mëkat. Ai u tundua nga jashtë, por kurrë nuk u tundua nga përbrenda. Në Të s’kishte asnjë gjë që ta bënte të mëkatonte.

Me njeriun e mjerë Ti u bëre i ngjashëm

në çdo gjë përveç mëkatit,

që ne me Ty të mund të bëhemi të ngjashëm

ne që kemi qenë kaq të pangjashëm. (Jozef Stenet)

Ai nuk mund të bëjë asgjë me kokëfortësi apo të veprojë në mënyrë të pavarur nga Perëndia Atë. Dy herë në Gjoni 5 Ai tha se nuk mund të bënte asgjë nga Vetvetja (v. 19, 30). Duke thënë këtë Ai nuk ishte duke mohuar plotfuqishmërinë e Tij, por po pohonte barazinë e Tij absolute me Atin dhe unitetin e përsosur të vullnetit të Tij me Atin.

Në librin e tij, «Shpëtimtari i pamëkatë», J. B. Uatsoni i kushtoi këtë tribun Zotit Jezus:

Ai nuk ndjeu asnjëherë ndonjë brejtje të ndërgjegjes. Ai nuk ishte kurrë i vetëdijshëm për ndonjë faj, Atij nuk iu desh kurrë të kthente mbrapsht ndonjë fjalë…. Ai nuk shpreh kurrë keqardhje për ndonjë fjalë a veprim, nuk pranon kurrë ndonjë gabim, nuk shqipton kurrë ndonjë rrokje rrëfimi apo të lejojë dikë që t’i diktojë rrugën apo veprimet e Tij. Ai e kalon ditën qetësisht, përmbush çdo orë punën që i është caktuar, kështu që në jetën e Tij nuk kishte kurrë ndonjë borxh a punë të pakryer, për më tepër në çdo mbrëmje ai ritëm me të cilin Ai e fillonte ditën ishte i panjollë dhe i pandotur.

Një admirues tjetër ka thënë: «Ai ishte po aq i i pastër si Njeri, saqë ishte edhe si Perëndi; po aq i panjollë në mes të ndotjeve të kësaj bote, saqë përditë Ai ishte gëzimi i Atit para se të bëhej bota».

Gëzimi. Gëzimi i Birit të Perëndisë ishte të bënte vullnetin e Atit të Tij dhe të çonte shumë bij në lavdi. Duke patur këtë gëzim përpara Tij, Ai duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen. Gëzimi i Tij mbeti i paprekur nga gjykimet dhe dhimbjet që njerëzit sollën mbi Të.

Paqja. Paqja dhe vetëpërmbajtja karakterizuan jetën e Shpenguesit. Pavarësisht se çfarë fatkeqësi ranë mbi Të, Ai ishte gjakftohtë dhe i qetë. Ai qëndroi i paepur përballë kërcënimeve dhe fyerjeve nga krijesat e Tij.

Durimi. Jezusi ishte i duruar me dishepujt e Tij, një «brez mosbesues dhe çoroditës» (Lu. 9:41). Ai është i duruar me njerëzimin e humbur të kësaj bote, «sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim» (2 Pje. 3:9). Cilido tjetër do të kishte hequr dorë për një njeri shumë kohë më parë.

Mirëdashja. Ne e shohim mirëdashjen e Zotit Jezus në mënyrën e dhembshur dhe dashamirëse me të cilën u soll me njerëzit. Ishte një gëzim i madh për Të që t’i bekonte ata dhe t’iu ofronte ndihmë atyre që kishin nevojë. Konsiderata e Tij për ata që takonte bëri që t’i hyjë atyre në zemër.

Mirësia. Madje edhe armiqtë e Tij e vunë në pah mirësinë e Zotit tonë, faktin që Ai tregonte mirëdashje pa anësi. Ai «e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli» (Vep. 10:38). Ai mendoi për të tjerët dhe jo për veten. Askush nuk mund ta krahasojë Atë për sa i përket shfaqjes së mirëdashjes. Ai u varfërua që të tjerët të pasurohen.

Besnikëria. Ai është besnik në mbajtjen e premtimeve që bën, në kryerjen e detyrës së Tij dhe në kujdesin e patundur dhe besnik ndaj njerëzve të Tij. Nuk ka asnjë rrezik që të vendosësh besimin tek Ai. Askush nuk është zhgënjyer ndonjëherë nga Ai.

Mirësjellja. Përmendja e kësaj fjale na çon në kohën kur dishepujt donin që të largonin fëmijët nga Jezusi. Ai tha: «I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve» (Mt. 19:14).

Dhembshuria. Krishti kishte dhembshuri për turmat dhe i dërgoi të Dymbëdhjetët në fushën e të korrave (Mt. 9:36). Ai kishte dhembshuri për turmat dhe ushqeu 5.000 veta (Mt. 14:14). Përsëri Ai kishte dhembshuri për turmat dhe ushqeu 4.000 veta (Mt. 15:32). Në sajë të dhembshurisë së Tij dy të verbërve iu erdhi drita e syve (Mt. 20:34), një lebroz u shërua (Mr. 1:41), një i pushtuar nga demoni u çlirua (Mr. 5:19) dhe një e ve që ishte në zi pa se si djali iu kthye përsëri në jetë (Lu. 7:13). Ne e shohim dhembshurinë e Tij në të qenit si Bariu i Mirë (Lu. 15:4-7), si Samaritani i Mirë (Lu. 10:33) dhe si ati i djalit të pashtruar (Lu. 15:20). Ne i shohim lotët e Tij të dhembshurisë në varrin e Llazarit (Gjo. 11:35) dhe në malin e ullinjve ndërsa qan për Jerusalemin (Mt. 23:37-39). Ne kemi një Shpëtimtar zemërdhembshur.

Sa nevojë kemi ne për këtë lloj dhembshurie? Sa nevojë kemi ne që të lutemi:

Le ta vështroj turmën ashtu si Shpëtimtari

gjersa sytë nga lotët të më erren;

Le ta shikoj me keqardhje delen bredharake

dhe t’i dua për hir të Tij. (Anon)

Zemërbutësia. Çdo portretizim i vërtetë i Zotit Jezus duhet ta paraqesë Atë si dikë që është i butë dhe i përulur nga zemra. Fjala «i butë» përmban idenë e zbutjes. Është një fjalë që përdoret për të përshkruar një kalë të ri që ka pranuar të mbajë pajimet dhe që ecën me durim, duke lëvizur kokën sa poshtë e lart dhe duke i mbajtur sytë drejt.

Zoti ynë zemërbutë na thërret të marrim zgjedhën e Tij dhe të mësojmë që të jemi si Ai. Kjo do të thotë të pranojmë pa ankesa vullnetin e Tij. Kur rrethana të padëshirueshme bien mbi ne, ne do të jemi në gjendje të themi: «Po […] sepse kështu të pëlqeu ty».

Jezusi ishte i përulur që në lindjen e Tij në një grazhd, një lindje që nuk mori aspak prej lavdisë së kësaj bote. Ai ishte i përulur në jetën e Tij, pa pasur asnjë gjurmë krenarie apo arrogance, asnjë thërrmijë vetëbesimi të tepruar. Shembulli suprem i përuljes së Tij ishte kur Ai «e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit» (Fil. 2:8).

I butë dhe i përulur ishe Ti, o Shpëtimtar,

por si mundet që një krimb si unë,

profan, i dobët dhe mëkatar,

të guxoj të ngrejë kokën lart? (H. F. Laijt)

Ai ishte një shërbëtor. Jezusi ishte skllavi i vërtetë izraelit i cili e vendosi veshin te dera dhe tha: «Unë e dua Zotërinë tim; dhe nuk dua të shkoj i lirë» (Eks. 21:5). E gjithë jeta e Tij ishte një jetë shërbimi ndaj Perëndisë dhe vëllezërve të Tij. Mahnitëse! Krijuesi dhe Mbajtësi i gjithësisë e la pallatin ku shërbehej nga një mori engjëjsh dhe erdhi këtu poshtë për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e Tij si një çmim për shpengimin e shumë vetave. Pali e përshkruan shumë gjallë përuljen e Tij. Megjithëse Ai ishte personalisht i barabartë me Perëndinë, Ai nuk e pa këtë pozitë barazie që kishte me Perëndinë Atë në qiell si diçka ku Ai duhet të mbahej me çdo kusht. Jo. Ai e zbrazi Vetveten nga ajo pozitë që kishte në qiell dhe u bë një Shërbëtor. Ai mund të thoshte: «Unë jam midis jush porsi ai që shërben» (Lu. 22:25-27). «Kishte vetëm një veprim për veten në tërë jetën e Krishtit; Ai ishte gjithmonë në shërbim të të tjerëve».

Ne me siguri do të përcillemi teksa e shohim Atë të marrë një peshqir dhe të ngjishet si një skllav dhe ndërsa kërruset për të larë këmbët e dishepujve.

Habitemi nga jotja përulësi,

dhe dëshirojmë të jemi si Ti,

të gjejmë çlodhje dhe çdo kënaqësi

duke mësuar, Zot, nga Ti.

Edhe pse ishe në trajtë Perëndie,

me lavdi qiellore kurorëzuar

Ti more një trajtë shërbëtori,

me dhimbje përqark rrethuar. (Jozef Stenet)

Ai vazhdon të thotë edhe sot, ashtu sikurse tha atë natë fatale në dhomën e sipërme: «Unë, në fakt, ju kam dhënë shembullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju» (Gjo. 13:15).

Është një tregues i vërtetë i ngjashmërisë me Krishtin kur ne përkulemi për të shërbyer.

Durimi. Ne kishim një borxh që nuk mund ta paguanim. Në vend që të kërkonte shlyerje nga ne, Zoti e mori përsipër këtë borxh dhe e pagoi plotësisht. Çfarë Shpëtimtari i mrekullueshëm!

Falja. Fjalët e Tij: «O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë», kumbojnë në rrjedhë të shekujve. Çfarë prove tjetër duhet për të vërtetuar frymën e Tij që fal? Ja ku është Perëndia-Njeri që vdes, duke u torturuar në një mënyrë të papërshkrueshme, i cili lutet që Ati do t’i falë vrasësit e Tij fajtorë.

Armiku mund të të urrejë, të të shajë, të të përçmojë; miqtë mund të dalin të pabesë.

E palodhur duke falur vazhdon, zemra jote që veçse mund të dojë. (Eduart Deni)

Por një fjalë paralajmërimi duhet shtuar këtu. Fakti që Ai kërkoi falje për sulmuesit e Tij nuk do të thotë se ata u falën automatikisht. Juda nuk u fal. Vetëm ata që vijnë tek Ai me pendim dhe besim janë ata që marrin përfitimin e asaj lutjeje.

Falja nënkupton pendimin. Jezusi u tha dishepujve:

Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale. Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: «Pendohem», fale. (Lu. 17:3-4).

Vë re se falja pason pendimin.

Ekzistojnë padrejtësi më të vogla të kryera kundër nesh që ne mund t’i falim pa vështirësi. Ato nuk jan aq të rëndësishme që ne të fillojmë diskutime për to. Por nëse bëhet fjalë për një ofendim a mëkat serioz, nuk është e drejtë të falësh nëse nuk ka patur pendim. Kjo vetëm sa e nxit fajtorin në ligësinë e tij.

Kur ka patur pendim, falja jonë duhet të jetë e pakufishme. Neve na janë falur miliona; ne duhet të jemi të gatshëm të falim çka mund të krahasohet me disa qindarka.

Sa e vërtetë është që «falja është aroma që lulja e shkelur lë në këmbën e atij që e shtypi».

Trimëria. Më pëlqen shumë përfytyrimi i Jezusit në udhëtimin e Tij të fundit për në Jerusalem dhe për në kryq. Luka na tregon se «Ai shkoi përpara» (Lu. 19:28). Ai u nis me fytyrën drejt Jerusalemit, duke qenë plotësisht i vendosur për të kryer shpengimin tonë. Ideja këtu është që dishepujt mbetën pas, që atyre iu lidhën këmbët. Ata ngurronin të shkonin.

Drejtësia. Një nga elementët e përsosurisë morale të Zotit Jezus është drejtësia e Tij. Ai është plotësisht i drejtë dhe i paanshëm. Ai nuk e ul Veten ndaj gjithçkaje që është e pandershme, me hije apo madje dhe e diskutueshme. Vendimet e Tij janë të drejta ashtu siç janë edhe veprimet e Tij.

Altruizmi. Zoti dhe Shpëtimtari ynë është Njeriu më altruist që ka jetuar ndonjëherë. E gjithë karriera e Tij ishte e mbushur me vetëflijim, ose me vendosjen e interesave të të tjerëve para interesave vetjake. Duke patur një frymë të përulur Ai i vlerësoi të tjerët më mirë se Vetveten (Fil. 2:3).

Përputhja. Shpëtimtari i botës ishte gjithmonë njëlloj. Sjellja e Tij personale shkonte në mënyrë të përkryer me mësimet e Tij të denja. Çastet e papërmbajtura të temperamentit ishin të huaja për Të. Kur ishte i zemëruar (Mt. 23:33) apo i hidhëruar (Gjo. 11:35) kjo ishte sepse e kërkonte nevoja – por asnjëherë për shkak se Ai u rrëmbye nga ndjenjat e Tij.

Vendosmëria. Jezusi kishte një qëllim të unifikuar dhe thelbësor; kjo ishte të kërkonte dhe të shpëtonte të humburit. A nuk tha Ai: «Unë kam një pagëzim me të cilin duhet të pagëzohem dhe jam në ankth deri sa të kryhet» (Lu. 12:50)? Dhe sigurisht që Ai po i referohej pagëzimin të vdekjes në Golgotë kur Ai do të vdiste për mëkatet e botës.

Cilësia. Kur ne themi se Jezusi ishte njeri me cilësi, duam të themi që Ai sillej me elegancë, shumë më tepër se ç’mund të pritet zakonisht. Megjithëse Ai ishte i gjithëdijshëm dhe mund të lexonte mendimet e njerëzve, Ai asnjëherë nuk i vuri ata në siklet kot. Për Atë çdokush ishte i veçantë dhe duhej trajtuar me dinjitet.

Njerëzia. Njerëzia (ose mirësjellja) është gjysmë kushërirë me hijeshinë. Dhe Zoti Jezus ishte i njerëzishëm. Ai nuk ishte kurrë i ashpër apo i patakt. Nuk kishte asnjë situatë që Ai të sillej në mënyrë të papërshtatshme. Ai kishte një ndjenjë të përkryer lezeti. Asnjë fjalë a veprim i Tij nuk e vuri Atë ndonjëherë në siklet. Ai ishte gjithmonë Fisniku i përsosur.

Këtu kemi një karakteristikë që të gjithë ne mund ta imitojmë. Është e vështirë për njerëzit që t’i rezistojnë një njeriu të njerëzishëm. Veprat shpirtmira, fjalët e duhura, fitojnë admirues për Atë që ne përfaqësojmë.

Liria nga lakmia për para. I pashtëpi dhe i varfër, Zoti ynë me sa duket nuk mbajti asnjëherë para vetë. Sigurisht që nuk kemi asnjë përmendje të kësaj. Kur Atij i duhej një monedhë për të mësuar një mësim frymëror, Ai e porositi Pjetrin të merrte një nga goja e peshkut të parë që do të kapte (Mt. 17:27). Askush nuk e lakmoi ndonjëherë Atë për zotërimet e Tij. Ai s’la asgjë përveçse rrobat që mbajti.

Bindja. Në rrotullën e librit është shkruar për Të; ishte një gëzim për Të të bënte vullnetin e Perëndisë, Atit të Tij (shih Psa. 40:8; Heb. 10:7).

Pasioni për shpirtrat. Për një dele të humbur, Bariu kaloi ujëra të thella, kërkoi në shkretëtirën e shkretë dhe ngjiti male shkëmbore e të zhveshur derisa e gjeti atë një dele që kishte humbur (Lu. 15:1-7).

Miku i mëkatarëve. Ky titull kishte si qëllim të ishte një fyerje, por është titulli më i bukur (Lu. 7:34). Zoti Jezus kaloi kohë me ata që ishin të braktisur dhe të përçmuar. Zoti u përkul tej mase, i vizitoi ata dhe u dha për të ngrënë. Ai iu kërkoi mëkatarëve që ta ndihmonin. Dhe të gjitha këto Ai i bëri në një mënyrë miqësore. Ata pëlqenin të ishin me Të dhe u gëzuan në shoqërinë e Tij.

Kënaqësia. Kur Shpëtimtari hasi një mosbesim titanik, Ai u kënaq me planin dhe qëllimin sundues të Perëndisë, duke thënë: «Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu ty» (Mt. 11:26).

Durim ose qëndresë. Shkruesi i letrës drejtuar Hebrenjve na kujton se si Jezusi duroi një armiqësi të tillë nga ana e mëkatarëve kundër Tij (Heb. 12:3). Më e keqja që Satani, demonët dhe njerëzit mund t’i bënin Atij nuk e bëri Atë të ndërrojë drejtimin për ku ishte nisur, pra, për në rrugën në Kalvar.

Zelli. Zelli është një fjalë që është gjetur vetëm një herë në lidhje me jetën e Zotit Jezus, d.m.th. kur Ai i dëboi këmbyesit e parave nga oborri i tempullit. Në atë kohë, një nga profecitë e Davidit për Mesian u bë e qartë për dishepujt: «Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë» (Gjo. 2:17). Me fjalë të tjera, Ai digjej nga një pasion i flaktë për gjërat e Perëndisë.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm. E tërë jeta e Tij dallohej nga një kërkim i sinqertë dhe i zjarrtë i vullnetit të Perëndisë. Kur prindërit e qortuan që kishte mbetur pas në Jerusalem kur ata menduan se duhet të kishte qëndruar me ata gjatë rrugës për në Nazaret, Ai tha: «A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?» (Lu. 2:49).

Falënderimi. Vargu që më vjen menjëherë në mendje këtu është Mateu 11:25. Ai sapo kishte shpallur mjerime mbi qytetet e Korazinit, të Betsaidës dhe të Kapernaumit. Ato kishin refuzuar ta pranonin Atë pavarësisht nga fakti që shumica e mrekullive të Tij më të fuqishme ishin kryer atje.

Pavarësisht nga ky mosbesim i madh, Ai kthehet dhe falënderon Perëndinë Atë, sepse Ai ua kishte fshehur «këto gjëra të urtit dhe të mençurit dhe ua» kishte zbuluar «fëmijëve të vegjël».

Ky është një mësim për ne. Kur gjërat janë të zymta në jetët tona, ne duhet të ngrihemi mbi rrethanat dhe të ngremë zemrat tona dhe zërat tanë në shenjë mirënjohjeje tek Ati.

Feni Krosbi humbi të parit në moshën 3 vjeçare për shkak të punës së gabuar të një mjeku. Vite më vonë, kur u pyet rreth incidentit, ajo tha:

Megjithëse mund të ishte një gabim trashanik në anën e mjekut, kjo nuk ishte gabim në anën e Perëndisë. Unë vërtet besoj se ishte synimi i Tij që unë të jetoja ditët e mia në errësirë fizike, që kështu të isha e përgatitur më mirë për të kënduar lavdet e Tij dhe të nxitja të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Nuk do të mund të kisha shkruar me mijëra himne….

Një djalë i vogël në klasën e dytë e filloi ditën duke rënë nga autobusi i shkollës dhe e goditi kokën në beton – për të cilën iu deshën tre penj për të mbyllur prerjen! Pushimi i madh doli një çikë për keq, duke qenë se ai dhe një djalë tjetër u përplasën me njëri-tjetri – rezultati: dy dhëmbë të liruara dhe një buzë e çarë. Gjatë pasdites ai ra dhe theu krahun. Drejtori vendosi ta çojë djalin menjëherë në shtëpi përpara se të ndodhte diçka tjetër. Ata po ecnin me makinë përgjatë një rrugë fshati për te shtëpia e djalit kur drejtori vuri re se djali i vogël mbante shtrënguar diçka në dorën e tij. «Çfarë është?», pyeti ai.

– «25 cent», iu përgjigj djali.

– «Ku i gjete?»

– «I gjeta sot në sheshin e lojërave», shpjegoi djali. Pastaj ai qeshi dhe me një zë të gëzuar vazhdoi: «E di çfarë, z. Çepmen, s’kam gjetur kurrë 25 cent më parë. Kjo është dita ime me fat».

Shumë gjëra varen jo mbi atë se si na duket dita – por se si e shohim ne ditën. Disa njerëz harrojnë të shohin trëndafilat prapa gardheve të rënë. Çdo ditë ka problemet e saj, por besimi mund t’i kthejë ato në bekime. Çdo flutur duket disi e qetë në fillimet e saj – por çfarë ndryshimi që bën një ditë.

Ne duhet të jemi mirënjohës për kujtesën, oreksin, shikimin, dëgjimin, shëndetin, mendjen e shëndoshë, salltanetet që Jezusi nuk i kishte këtu mbi tokë – një dyshek me sustë, ujë të ngrohtë e të ftohtë të vazhdueshëm, një frigorifer dhe një makinë.

Ai ishte burrëror. Shumë prej portretizimeve të artit modern e përshkruajnë Jezusin si një johebre të zhburrnuar. Por jo. Ai ishte lloji i njeriut të përsosur të njerëzimit. Të gjithë burrat do të ishin si Ai nëse mëkati nuk do të kishte hyrë në botë.

Ai ishte një Njeri i lutjes. Mendo për këtë! Si Njeri i varur, Ai u lut. Si Perëndia i plotfuqishëm, Ai iu përgjigj lutjeve të të tjerëve. Ai u lut kur u pagëzua nga Gjoni (Lu. 3:21). Ai e kaloi natën duke u lutur para se të zgjidhte të dymbëdhjetët (Lu. 6:12). Pas shërimit të turmave, Ai u lut (Lu. 6:15). Edhe pas shërimit dhe dëbimit të demonëve në Kapernaum (Mr. 1:35). Varri i Llazarit ishte skenë e lutjes së Tij (Gjo. 11:41-42). Ai gjeti kohë të lutej pasi kishte ushqyer 5000 veta (Mt. 14:21, 23). Kur u përball me refuzimin mosbesues të atyre për të cilët erdhi që t’i shpëtojë, Ai mori ngushëllim nga lutjet e shumta drejtuar Perëndisë sovran (Mt. 11:25-26). Si Kryeprift, Ai u lut që të tijtë të mund të mbroheshin nga i ligu, që të jetonin në ndarë nga bota, që të kualifikoheshin për të shërbyer dhe të mbërrinin në shtëpinë e tyre në qiell të sigurt (Gjo. 17). Ai u lut për Pjetrin që besimi i këtij të fundit të mos mpakej (Lu. 22:32). Ai u lut në kopshtin e Gjetsemanisë, duke ia paraqitur vullnetin e Tij atij të Atit të Tij (Lu. 22:41-44). Dhe tri nga fjalët e fundit të Tij mbi kryq ishin lutje (Lu. 23:34; Mt. 27:46; Lu. 23:46).

Ai nuk gjykoi sipas pamjes së jashtme, por gjykoi sipas drejtësisë. Ai pa përtej madhësisë prej kacidheje të ofertës të së vesë, pa përkushtimin e saj të pamasë (Lu. 21:1-4). Ai bëri dallimin midis dashurisë së penduar të një gruaje mëkatare dhe mospërfilljes së ftohtë të një fariseu të vetëkënaqur (Lu. 7:36-48). Atij nuk i la aq shumë përshtypje shërbesa grindavece e Martës, sesa i la adhurimi i qetë i Marisë (Lu. 10:41-42). Së jashtmi farisenjtë dukeshin se ishin të drejtë, por së brendshmi ata ishin plot hipokrizi dhe paudhësi (Mt. 23). Ai u ngrit mbi prirjen natyrale duke mos menduar se thjesht meqë dikush apo diçka është i/e bukur, ajo duhet me patjetër të jetë i/e mirë. Sa mirë e dinte Ai që «jo çdo gjë që ndrit është ar». Ai ishte më tepër i interesuar për cilësitë e brendshme sesa për pamjen fizike.

Ne s’mund të rrimë pa menduar për fjalët e Zotit drejtuar Samuelit në lidhje me Eliabin: «Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën» (1 Sam. 16:7).

Ai ishte kursimtar i kohës. Mësuesi nuke vriste kohën. Çdo moment ishte i çmuar për Të. A nuk tha Ai: «Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë»? Çdo ditë kishte punën e saj të caktuar. Edhe ato që mund të jenë dukur si ndërprerje ishin pjesë e vullnetit të Atit për Të.

Jezusi e uli veten për të arritur njerëzit e shtresës së ulët. Ai ishte gjithmonë i interesuar për të fundit, për më të voglën, për më të ultën. Ndarjet e klasave ishin të huaja për Të. Ai kishte një dashuri të veçantë për ata që ishin të varfër, të dobët, të ulët, të përçmuar – për ata që ishin njerëz të hiçit në sytë e botës.

Ai duroi. Ai duroi një armiqësi të patregueshme nga mëkatarët (Heb. 12:3). Asnjëherë nuk kaloi në mendjen e Tij edhe mendimi më i vockël për t’ia kthyer. Durimi nuk është pranimi fatalist i rrethanave, por vendosmëria që vazhdon deri në fund.

Na mbetet neve të mendojmë për të folurit e Shpëtimtarit. Çfarë mund të mësojmë prej Tij në këtë fushë? Si mund të jemi më të ngjashëm me Krishtin për nga fjalët që themi?

Të folurit e Tij ishte qartësisht i ndershëm. Nuk kishte asnjë mashtrim në gojën e Tij. Ai nuk gënjeu kurrë dhe as nuk e fshehu të vërtetën. Ai nuk iu drejtua as edhe një herë zmadhimit të gjërave. Dhe Ai nuk e uli asnjëherë Veten në nivelin e lajkave.

Ai ishte i hapur. Njëherë Ai i tha një gruaje: «Ti kishte pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt» (Gjo. 4:18). Në një rast tjetër Ai i tha një fariseu: «Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbë […] ti nuk më dhe as edhe një puthje […] ti nuk ma vajose kokën me vaj» (Lu. 7:44-46).

Të folurit e Tij ishte i hijshëm. Kur Ai foli në sinagogën e Nazaretit, njerëzit «mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij» (Lu. 4:22). Që prej asaj kohe njerëzit kanë qenë duke u habitur nga ato fjalë ndërsa e dëgjojnë Atë të flasë përmes Fjalës së shkruar.

Ai nuk u ankua. Zoti ynë e dinte që ankesat do të ishin një fyerje ndaj kujdesit largpamës të Perëndisë, të Atit. Kjo do të thotë se Ai nuk e di se çfarë po bën. Kjo do ta akuzonte Atë për gabim apo gjykim të gabuar.

Ne duhet të mbajmë mend këtë gjë kurdoherë kur jemi përpara tundimit për t’u ankuar. Do të jetë më mirë të heqim nga mendja këtë mendim ose të gëlltitim fjalët dhe në vend të kësaj të themi: «Sa për Perëndinë, rruga e Tij është e përsosur» (Psa. 18:30). Mbi të gjitha, Mësuesi ynë bën çdo gjë mirë.

Të folurit e Tij ishte ndërtues. Ndonjëherë këtë e bëri me një thënie të drejtpërdrejtë, ndonjëherë duke bërë pyetje. Ai na mësoi mësime frymërore duke përdorur natyrën dhe jetën e përditshme.

Ai foli për barin, erën dhe shiun,

për fiqtë dhe motin e kthjellët,

dhe ishte kënaqësi për Të

të ndërthurte qiellin dhe tokën….

Ai foli për zambakun, hardhinë dhe grurin,

për harabelin dhe korbin,

me fjalë kaq të thjeshta, por shumë të urta

të gdhendura në zemrat e njerëzve—

për bukën me maja, lirin dhe cohën,

për vezët, peshqit dhe qirinjtë.

Shiko sa mirë e përdor Ai

tërë botën e njohur.

Të folurit e Tij ia vlente ta dëgjoje. Ai foli për gjërat që ia vlenin, të rëndësishme. Nuk kishte llomotitje të kota — vetëm gjithçka që ishte e dobishme për këtë jetë dhe e rëndësishme për jetën e pastajme. Ai kurrë nuk mbajti nëpër gojë të tjerët.

Të folurit e Tij ishte i duhur. Mendja e Tij ishte e mbushur me Shkrimet dhe Ai citoi prej tyre sipas rastit. Për shembull, Ai i ktheu përgjigje tundimeve të Satanit në shkretëtirë duke përdorur tri pjesë të duhura nga Ligji i Përtërirë.

Çdo përgjigje ishte e përsosur. Heshtjet e Tij ishin shpesh më shprehëse se të folurit e Tij (Mt. 26:62-63; 27:12; Mr. 15:4-5; Lu. 23:9).

SI PËRFUNDIM…

Një autor i panjohur për mua ka lënë këta rreshta bindës:

Sa emocionuese është të mendosh që ne mund të jemi shembuj të cilësive të Krishtit për ata që janë duke e kërkuar Atë. Duke jetuar një jetë shembullore, një dishepull mund ta bëjë Zotin e tij apo të saj të hirshëm për të tjerët. Në letrën drejtuar Titit, Pali e nxiti atë që t’i mësonte skllevërit të punonin për t’i pëlqyer zotërinjve të tyre «që në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë» (Titi 2:10). Njerëzit jo vetëm që duhet të dëgjojnë të vërteta që ia vlejnë të dëgjohen, por, gjithashtu, duhet të shohin jetë që ia vlejnë të imitohen. Fjala që Pali përdor në atë varg është përkthyer zbukuroj (ose stolis) në versionin e Mbretit Xhejms – «që në çdo gjë të zbukurojnë doktrinën». Kjo fjalë përdoret për vendosjen e gurëve të çmuar në një mënyrë të tillë që të dalë në pah bukuria e tyre për leverdinë më të mirë të mundshme. Ky është privilegji ynë.

Çfarë hiri, o Zot, shkëlqeu rreth hapave të tu këtu poshtë, ç’bukuri!

në tërë jetën dhe vdekjen tënde të mjerë u duk, çfarë dashuri.

Gjithmonë zemra jote e rënduar një peshë dhimbje mbante;

edhe pse asnjë fjalë e ulët, asnjë ankesë nuk doli nga goja jote e heshtur

Armiku mund të të urrejë, të të shajë, të të përçmojë; miqtë mund të dalin të pabesë.

E palodhur duke falur vazhdon, zemra jote që veçse mund të dojë.

Oh, na jep zemra që duan si Ty, si Ty, o Zot, të brengosen

shumë më tepër për mëkatet e të tjerëve se të gjitha fyerjet që na kanosen.

Një me Ty, le të shohin sytë tanë, ata të vëllezërve të tu

atë mirësjellje, atë hir që buron nga bashkimi, Zot, me Ty.

(Eduart Deni)

Mendimet e vizitës sate në këtë luginë lotësh,

rrëfenja e dashurisë u shpalos në ato vite

vuajtjesh jo të drejta dhe hiri të durueshëm

ne të duam përsëri dhe prapë të të ndjekim.

(Autor i panjohur)

O ripërtëritje e bekuar, o mëshirë e paçmueshme

një rritje në shtatin dhe në plotësinë e Krishtit.

(Anon)

O i duruar, o i panjollë

zemrat tona stërvitim me butësi

të mbajmë tënden zgjedhë, të mësojnë nga Ti,

që ne të mund të marrim çlodhje. (C. A. Bernstein)

[previous][next]