DOKTRINA: Ungjilli i Perëndisë (Romakëve 1-8)

A. Paraqitja e Ungjillit (1:1-15)

1:1 Pali paraqit veten e tij si një i blerë (nënkuptimi nga shprehja shërbëtor i Jezu Krishtit), i thirrur (në rrugën për në Damask ai u thirr për të qenë apostull, një i dërguar i veçantë i Shpëtimtarit) dhe i veçuar (i vënë mënjanë për të çuar Ungjillin tek Johebrenjtë, shih Veprat e Apostujve 9:15; 13:2). Edhe ne jemi blerë nga gjaku i çmuar i Krishtit, të thirrur për të qenë dëshmitarë të fuqisë së Tij shpëtuese dhe të veçuar për të thënë lajmin e mirë kudo që shkojmë.

1:2 Që ndonjë nga lexuesit Judenj të Palit të mos mendojë që Ungjilli është komplet i ri dhe i palidhur me trashëgiminë e tyre shpirtërore, ai përmend që profetët e Dh.V. e kishin premtuar atë me shprehje të hapura dhe të qarta (LiP. 18:15; Isaia 7:14; Habakuku 2:4) dhe me anë të tipave dhe simboleve (Arka e Noeut, Gjarpri prej bronzi dhe sistemi i sakrificave).

1:3 Ungjilli është lajmi i mirë në lidhje me Birin e Perëndisë, Jezus Krishtin, Zotin tonë, që është një pasardhës i Davidit sipas mishit (pra përsa i përket natyrës së tij njerëzore). Shprehja sipas mishit nënkupton që Zoti ynë është më shumë se një njeri. Fjalët tregojnë për natyrën njerëzore të Tij. Nëse Krishti do të ishte vetëm njeri, do të ishte e panevojshme të veçoje këtë cilësi të qenies së Tij, përderisa s’do të kishte tjetër. Por Ai është më tepër se një njeri siç tregon dhe vargu tjetër.

1:4 Zoti Jezus është deklaruar si Biri i Perëndisë në fuqi. Fryma e Shenjtë, këtu e quajtur Fryma e Shenjtërisë, deklaroi Jezusin në pagëzimin e Tij dhe gjithë shërbesën e Tij të mrekullueshme. Mrekullitë e fuqishme të Shpëtimtarit, të kryera në fuqinë e Frymës së Shenjtë {{1}}, japin dëshmi të faktit që Ai është Biri i Perëndisë. Kur ne lexojmë që Ai është deklaruar Bir i Perëndisë në fuqi… nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurish, natyrisht që mendojmë për ringjalljen e Tij. Por një lexim fjalë për fjalë këtu është, “nëpërmjet ringjalljes së personave të vdekur,” kështu apostulli mund të ketë qenë duke menduar gjithashtu për ringjalljen e të bijës së Jairit, Llazarit etj.. Megjithatë, ringjallja e vetë Zotit është e para që shqyrtohet.

Kur ne themi që Jezusi është Biri i Perëndisë, ne duam të themi që Ai është Bir si askush tjetër. Perëndia ka shumë bij. Gjithë besimtarët janë bijtë e Tij (Gal. 4:5-7). Madje edhe engjëjt janë thënë të jenë bijtë e Tij (Jobi 1:6; 2:1). Por Jezusi është Biri i Perëndisë në një kuptim unik. Kur Zoti ynë foli për Perëndinë si Ati i Tij, Judenjtë e kuptuan Atë, d.m.th. që Ai e shpallte veten të barabartë me Perëndinë (Gjoni 5:18).

1:5 Pikërisht me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë, Pali mori hir (favori i pamerituar që e shpëtoi atë) dhe apostullim. Kur Pali thotë që ne kemi marrë hir dhe apostullim, ai është duke përdorur fjalën ne, si një redaktor do ta përdorte atë fjalë “ne”, d.m.th. duke iu referuar vetëm vetvetes. Lidhja e apostullimit të Tij me kombet ose Johebrenjtë vë në dukje vetëm atë dhe jo apostujt e tjerë. Palit iu ngarkua të thërriste njerëzit nga të gjitha kombet në bindjen e besimit – që do të thotë, t’i binden mesazhit të Ungjillit me anë të pendimit e besimit në Zotin Jezu Krisht (Veprat e Apostujve 20:21). Qëllimi i kësaj shpalljeje mbarë botërore e mesazhit ishte për emrin e Tij, për ta kënaqur dhe për t’i sjellë lavdi Atij.

1:6 Ndër ata që kishin pranuar Ungjillin ishin ata që Pali i përcaktoi me titullin, “të thirrur nga Jezu Krishti,” duke theksuar se ishte Perëndia që mori iniciativën në shpëtimin e tyre.

1:7 Letra iu drejtohet gjithë besimtarëve Romë dhe jo një kishe të vetme (si në letrat e tjera). Kapitulli i fundit i letrës tregon që kishte mjaft grumbullime të besimtarëve në qytet dhe kjo përshëndetje i përqafon të gjithë ata.

Të dashur nga Perëndia, të thirrur shenjtorë. Këta dy emra të dashur janë të vërtetë për të gjithë ata që janë falur me anë të gjakut të çmuar të Krishtit. Këta të favorizuar janë objekte të dashurisë hyjnore në një mënyrë të veçantë dhe janë thirrur gjithashtu të veçohen nga bota për Perëndinë. Ky është kuptimi i shenjtorëve.

Përshëndetja karakteristike e Palit kombinon hirin dhe paqen. Hiri (charis) është një përshëndetje greke dhe paqja (shalom) është një përshëndetje tradicionale e Judenjve. Kombinimi është tepër i përshtatshëm sepse mesazhi i Palit tregon se besimtarët Judenj dhe Johebrenj janë tani një njeri i ri në Krishtin.

Hiri i përmendur këtu nuk është hiri që shpëton (lexuesit e Palit ishin tashmë të shpëtuar), por hiri që pajis dhe fuqizon për jetën dhe shërbesën e krishtere. Paqja nuk është saktësisht paqja me Perëndinë (shenjtorët e kishin atë sepse ishin të shfajësuar me anë të besimit), por paqja e Perëndisë që mbretëronte në zemrat e tyre megjithëse ata ndodheshin në një shoqëri plot shqetësime. Hiri dhe paqja që erdhën nga Perëndia, Ati ynë, Zoti Jezus Krisht, tregojnë fuqishëm barazinë e Birit me Atin. Nëse Jezusi do të ishte vetëm një njeri, do të ishte absurde ta rendisje Atë të njëjtë me Atin në dhurimin e hirit dhe paqes. Do të ishte njëlloj sikur të thuhej, “Hir dhe paqe nga Perëndia Ati dhe nga Shkënderbeu [ose nga Abraham Lincoln].”

1:8 Sa herë që ishte e mundur apostulli i fillonte letrat e tij duke shprehur vlerësim për çfarëdo gjëje që ishte e lavdërueshme tek lexuesit e tij. (Një shembull i mirë për të gjithë ne!). Këtu ai falënderon Perëndinë me anë të Jezu Krishtit, Ndërmjetësit, që besimi i të krishterëve romakë ishte shpallur në të gjithë botën. Dëshmia e tyre si të krishterë ishte folur nëpër gjithë Perandorinë Romake, që në atë kohë përfshiu gjithë botën nga perspektiva e atyre që jetonin në pjesën e Mesdheut.

1:9 Ngaqë të krishterët romakë kishin lënë dritën e tyre të ndriçonte përpara njerëzve, Pali ishte i detyruar të lutej për ta pa pushim. Ai thërret Perëndinë si dëshmitar për vazhdueshmërinë e lutjeve të tij, sepse askush tjetër s’mund ta dijë këtë gjë. Por Perëndia e di – Perëndia të cilit apostulli i shërbeu me frymën e tij nëpërmjet Ungjillit të Birit të Tij. Shërbesa e Palit ishte me frymën e tij nuk ishte e një argati fetar, që shkon nëpërmjet ritualesh të pafundme dhe reciton lutje dhe liturgji përmendësh. Ishte shërbesë e larë në lutje me zjarr dhe me besim. Ishte shërbesë me vullnet, e devotshme, e palodhur, që merrte zjarr nga një frymë që donte Zotin Jezus pa kufi. Ishte një pasion i zjarrtë që donte të bënte të njohur lajmin e mirë për Birin e Perëndisë.

1:10 Së bashku me falënderimet e Palit drejtuar Perëndisë për shenjtorët romakë, ishte lutja e tij që ai të mund t’i vizitonte ata në një të ardhme të afërt. Si për çdo gjë tjetër, ai donte që udhëtimi i tij të ishte sipas vullnetit të Perëndisë.

1:11 Dëshira që e nxiste apostullin ishte të ndihmonte shenjtorët frymërisht që ata të mund të forcoheshin më tepër në besim. Këtu nuk kalon mendimi që ai donte të jepte ndonjë “bekim të dytë” për ta dhe as pretendonte të jepte ndonjë dhunti frymërore duke vendosur mbi ta duart e tij (edhe pse e kishte bërë këtë gjë për Timoteun në 2 Tim. 1:6). Ishte thjesht një çështje për të ndihmuar rritjen e tyre frymërore nëpërmjet shërbesës së fjalës.

1:12 Ai vazhdon të shpjegojë që do të ishte një bekim i përbashkët. Ai do të ngushëllohej nga besimi i tyre dhe ata nga i tiji. Në gjithë shoqërinë që është në përmirësim, ka pasurim frymëror. “Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij” (Fja. 27:17). Vini re përulësinë dhe zemërbutësinë e tij – ai nuk hidhte poshtë ndihmën nga shenjtorët e tjerë.

1:13 Ai kishte vendosur shpesh të vizitonte Romën, por kishte qenë i penguar, ndoshta nga nevoja të ngutshme në vende të tjera, ndoshta nga pengesa e drejtpërdrejtë nga Fryma e Shenjtë, ndoshta nga kundërshtimet e Satanit. Ai dëshironte të kishte ndonjë fryt midis Johebrenjve në Romë ashtu si kishte pasur midis Johebrenjve tjerë. Këtu ai është duke folur për fryt në Ungjill ashtu si tregojnë dy vargjet e tjera. Në vargjet 11 dhe 12 qëllimi i tij ishte të shihte të krishterët romakë duke u ndërtuar në besimin e tyre. Ai dëshiron të shohë shpirtra të fituar për Krishtin në kryeqytetin e Perandorisë Romake.

1:14 Kushdo që ka Krishtin ka përgjigjen ndaj nevojës më të thellë të botës. Ai ka kurën për sëmundjen e mëkatit, rrugën për t’i shpëtuar tmerrit të përjetshëm të ferrit, dhe garancinë e lumturisë së përjetshme me Perëndinë. Kjo e vë atë nën një detyrë solemne për ta ndarë lajmin e mirë me njerëz të çdo kulture – barbarët – dhe njerëz të çdo shkolle diturie – të ditur dhe të paditur. Pali e ndiente therrshëm këtë obligim [detyrë]. Ai tha “unë jam borxhli.”

1:15 Për të larë këtë borxh, ai ishte gati t’u predikonte Ungjillin atyre në Romë me gjithë forcën që Perëndia i dha atij. Sigurisht ai nuk ishte gati t’i predikonte besimtarëve në Romë, ashtu siç mund të duket se vargu sugjeron, sepse ata i kishin pranuar tashmë lajmin e mirë. Por ai ishte gati t’u predikonte Johebrenjve të pakthyer [d.m.th. të pashpëtuar] të metropolit [Romë].

B. Përkufizimi i Ungjillit (1:16-17)

1:16 Pali nuk kishte turp ta çonte lajmin e mirë të Perëndisë në Romën e sofistikuar, edhe pse mesazhi kishte dhënë prova se ishte një pengesë për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët, sepse ai e dinte që ai është fuqia e Perëndisë për shpëtim – që do të thotë, se si Perëndia me anë të fuqisë së Tij shpëton cilindo që beson në Birin e Tij. Kjo është përhapur njëlloj mbi Judenjtë dhe Grekët.

Renditja, në fillim per Judeun e më pas Grekun ishte përmbushur historikisht gjatë periudhës së Veprave të apostujve. Megjithëse kemi një detyrim të qëndrueshëm ndaj popullit të lashtë të Perëndisë, Judenjve, ne nuk na është kërkuar t’i ungjillizojmë ata përpara Johebrenjve. Sot Perëndia punon me Judenjtë dhe Johebrenjtë mbi të njëjtat baza. Mesazhi dhe radha e shpëtimit janë të njëjtë për të gjithë.

1:17 Përderisa fjala drejtësi këtu shfaqet për herë të parë në letër, ne do të qëndrojmë pak për të konsideruar kuptimin e saj. Fjala është përdorur në shumë mënyra në Dhjatën e Re, por ne do të marrim në konsideratë vetëm tre përdorime.

Së pari, është përdorur për të përshkruar atë karakteristikë të Perëndisë me të cilën Ai gjithmonë bën atë që është e drejtë, e duhur dhe në përputhje me të gjitha atributet e tjera të Tij. Kur ne themi që Perëndia është i drejtë; ne kuptojmë që në Të s’ka gabim, pandershmëri apo anshmëri.

Së dyti, drejtësia e Perëndisë mund t’i referohet mënyrës së Tij për të shfajësuar mëkatarët e paperëndishëm. Ai mund ta bëjë këtë dhe përsëri është i drejtë sepse Jezusi, si një zëvendësues pa mëkat, ka përmbushur të gjitha kërkesat e drejtësisë hyjnore.

Së treti, drejtësia e Perëndisë i referohet pozitës së përsosur që Perëndia siguron për ata që besojnë në Birin e Tij (2 Kor. 5:21). Ata që nuk janë të drejtë janë trajtuar si të ishin të drejtë sepse Perëndia i sheh ata në gjithë përsosmërinë e Krishtit. Drejtësia është vendosur në llogarinë e tyre.

Cili është kuptimi në vargun 17? Përderisa mund të jetë ndonjë nga këto të treja, drejtësia e Perëndisë duket se i referohet veçanërisht mënyrës së Tij të shfajësimit të mëkatarëve nëpërmjet besimit.

Drejtësia e Perëndisë është zbuluar në Ungjill. Së pari Ungjilli na tregon që drejtësia e Perëndisë kërkon që mëkati të dënohet dhe dënimi është vdekja e përjetshme. Por më pas ne dëgjojmë që dashuria e Perëndisë siguroi atë që kërkoi drejtësia e Tij. Ai dërgoi Birin e Tij të vdesë si një zëvendësues për mëkatarët, duke paguar plotësisht dënimin. Tani sepse kërkesat e drejtësisë së Tij janë plotësuar plotësisht, Perëndia me drejtësi mund të shpëtojë të gjithë ata që përfitojnë nga vepra e Krishtit [d.m.th. që besojnë Ungjillin].

Drejtësia e Perëndisë është zbuluar nga besimi në besim. Shprehja nga besimi në besim mund të nënkuptojë: (1) Nga besnikëria e Perëndisë në besimin tonë; (2) nga një shkallë e besimit në një tjetër; ose (3) besimi që nga fillimi deri në fund. Ky i fundit është kuptimi më i mundshëm. Drejtësia e Perëndisë nuk është vendosur në bazë të veprave dhe nuk është bërë e mundshme për ata që kërkojnë ta fitojnë apo meritojnë atë. Ajo është zbuluar vetëm në principin e besimit. Kjo është në përputhje të përsosur me dekretin hyjnor tek Habakuku 2:4, “i drejti do të jetojë nëpërmjet besimit“, që mund të kuptohet gjithashtu si, “të shfajësuarit me anë të besimit do të jetojnë.”

Në 17 vargjet e para të Romakëve, Pali ka paraqitur subjektin e tij dhe ka dhënë shkurt disa nga pikat kryesore. Ai tani i drejtohet pyetjes së dytë kryesore: “Përse i duhet njeriut Ungjilli?” Shkurt, përgjigjja është, sepse ata janë të humbur pa të. Por kjo ngre katër pyetje të tjera: (1) A janë të humbur njerëzit që nuk e kanë dëgjuar kurrë Ungjillin? (1:18-32); (2) A janë të humbur moralistët, që e quajnë veten të drejtë, qofshin Judenj apo Johebrenj? (2:1-16); (3) A janë të humbur Judenjtë, populli i lashtë tokësor i Perëndisë? (2:17-3:8); (4) A janë të humbur të gjithë njerëzit? (3:9-20).

C. Nevoja universale për Ungjillin (1:18-3:20)

1:18 Këtu ne kemi përgjigjen e pyetjes, “Përse kanë nevojë njerëzit për Ungjillin?” Përgjigjja është që ata janë të humbur pa të, dhe që zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve që përmbysin të vërtetën në një mënyrë të padrejtë dhe nga jetët e tyre të padrejta. Por si është zbuluar zemërimi i Perëndisë? Një përgjigje është dhënë në kontekst. Perëndia ia dorëzon njerëzit papastërtisë (1:24), pasioneve të ulta (1:26), dhe mendjes së çoroditur (1:28). Por gjithashtu është e vërtetë që zemërimi i Perëndisë herë pas here shfaqet nëpër historinë njerëzore për të treguar pakënaqësinë e Tij ekstreme ndaj mëkatit të njeriut – p.sh., përmbytja (Zanafilla 7); shkatërrimi i Sodomës dhe Gomorës (Zanafilla 19); dhe dënimi i Koreut, Dathanit dhe Abiramit (Numrat 16:32).

1:19 “A janë të humbur njerëzit që nuk e kanë dëgjuar kurrë Ungjillin?” Pali tregon që ata janë të humbur, jo për shkak të dijes që nuk e kanë por për shkak të dritës që ata e kanë, por e refuzojnë! Këto gjëra që mund të njihen prej Perëndisë në krijim u janë zbuluar atyre. Perëndia nuk i ka lënë ata pa një zbulim të vetes së Tij.

1:20 Që nga krijimi i botës, dy karakteristika të padukshme të Perëndisë janë shfaqur për t’u parë nga të gjithë: Fuqia e Tij e përjetshme dhe hyjnia e Tij. Fjala që Pali përdor këtu do të thotë hyjni ose hyjnishmëri, por sugjeron më tepër karakterin e Perëndisë sesa të qenurit themelor të Tij, d.m.th., më tepër cilësitë e Tij të lavdishme sesa hyjninë e përbrendshme. Pa diskutim, hyjnishmëria [që Ai është Perëndi] është pranuar si e vërtetë.

Argumenti këtu është i qartë. Krijimi kërkon një Krijues. Projekti kërkon një projektues. Duke parë diellin, hënën dhe yjet secili mund ta dijë që ka një Perëndi.

Përgjigjja e pyetjes, “Çfarë ndodh me njerëz që nuk kanë dëgjuar kurrë Ungjillin?” është kjo: ata janë të pafalshëm. Perëndia ua ka zbuluar vetveten atyre në krijim, por ata nuk iu përgjigjën kësaj zbulese. Kështu njerëzit nuk janë të dënuar për hedhjen poshtë të një Shpëtimtari për të cilin s’kanë dëgjuar kurrë, por ngaqë janë të pabesë ndaj asaj që mund të dinë për Perëndinë.

1:21 Megjithëse e njohën Perëndinë nga veprat e Tij, ata nuk e përlëvduan Atë për çfarë Ai është dhe për ç’ka bërë. Për më tepër, ata iu kushtuan filozofive të pamenda dhe spekullimeve për perëndi të tjera, dhe si rezultat i kësaj humbën kapacitetin për të parë dhe menduar qartë. “Drita e hedhur poshtë është dritë e mohuar.” Ata që nuk duan të shohin humbin mundësinë e të parit.

1:22 Ndërsa njerëzit bëheshin akoma më shumë krenarë mbi diturinë e stiluar nga ata vetë, ata zhyteshin thellë e më thellë në padijë dhe marrëzi. Këto dy gjëra gjithmonë karakterizojnë ata që refuzojnë dijen e Perëndisë – ata bëhen shumë krenarë dhe krejtësisht të paditur.

1:23 Në vend të evolucionit nga forma më të ulta, “njeriu i lashtë ” ishte i një zhvillimi moral të lartë. Duke refuzuar të pohonte të vërtetin, të pakufishmin dhe të pakalbshmin Perëndi, ai iu dorëzua budallallëkut dhe korruptimit që shkojnë me adhurimin e idhujve. Gjithë kjo pjesë e nxjerr evolucionin një gënjeshtër.

Njeriu është instiktivisht fetar. Ai duhet të ketë diçka për ta adhuruar. Kur ai refuzoi të adhurojë Perëndinë e gjallë, ai bëri perënditë e veta prej druri e guri që përfaqësonin njeriun, zogjtë, kafshët dhe zvarranikët. Vini re progresin në rënie – njeriu, zogjtë, kafshët, zvarranikët. Dhe kujtoni që njeriu bëhet si ajo që ai adhuron. Ashtu si degjenerohet koncepti i tij i hyjnishmërisë, ashtu degjenerohet edhe morali i tij. Nëse perëndia e tij është një zvarranik, atëherë ai ndjehet i lirë të jetojë siç ka dëshirë. Kujtoni gjithashtu që një adhurues në përgjithësi e konsideron veten më të ulët se objekti që adhuron. Krijuar në imazhin dhe në ngjashmëri me Perëndinë, njeriu këtu merr një vend më të ulët se ai i gjarpërinjve!

Kur njeriu adhuron idhuj, ai adhuron frymërat e këqija (demonet). Pali thotë qartë që gjërat që paganët u sakrifikojnë idhujve, ata ua sakrifikojnë frymërave të këqija dhe jo Perëndisë. (1 e Korintasve 10:20)

1:24 Tre herë është thënë që Perëndia e dorëzoi njeriun. Ai ia dorëzoi papastërtisë (1:24), pasioneve të ulta (1:26), dhe mendjes së çoroditur (1:28). Me fjalë të tjera, zemërimi i Perëndisë u drejtua kundër gjithë personalitetit të njeriut.

Duke parë epshet djallëzore të zemrave të tyre, Perëndia i braktisi ata në papastërtinë seksuale – shkelje kurore, kurvëri, prostitucion, etj.. Jeta u bë për ta një orgji seksuale e vazhdueshme në të cilën ata çnderuan trupat e tyre në mes vetë atyre.

1:25 Kjo braktisje nga Perëndia ishte sepse ata të parët braktisën të vërtetën rreth Tij për gënjeshtrën e idhujtarisë. Një idhull është një gënjeshtër, një paraqitje e rreme e Perëndisë. Një idhujtar adhuron imazhin e krijesës dhe kështu fyen dhe çnderon Krijuesin, i cili është përjetësisht i denjë për nder dhe lavdi, e jo për fyerje.

1:26 Për të njëjtën arsye Perëndia i dorëzoi njerëzit në aktivitet erotik me anëtarë të së njëjtës gjini. Gratë u bënë lesbige, duke praktikuar seks të pa natyrshëm dhe pa pasur turp.

1:27 Burrat u bënë “sodomas,” në prishje të plotë të funksionit të tyre natyror. Duke u larguar nga marrëdhëniet martesore të urdhëruara nga Perëndia, ata u ndezënepsh për burrat të tjerë dhe praktikuan homoseksualitetin. Por mëkati i tyre solli këmbanën e vdekjes në trupat dhe shpirtrat e tyre. Sëmundje [p.sh. SIDA], faj, dhe deformim personaliteti u ngul në ta si një thumb akrepi. Kjo përgënjeshtron mendimin që një person mund ta kryejë këtë mëkat pa pasoja.

Sot disa njerëz thonë që homoseksualiteti është vetëm një sëmundje dhe një alternativë legjitime e të jetuarit. Të krishterët duhet të kenë kujdes për të mos pranuar gjykimin moral të botës, por të drejtohen nga Fjala e Perëndisë. Në Dh.V. ky mëkat dënohej me vdekje (Levitiku 18:29; 20:13). Gjithashtu, Dh.R. thotë që ata që e praktikojnë atë meritojnë vdekjen (Rom. 1:32). Bibla flet për homoseksualitetin si një mëkat mjaft serioz, i evidentuar si shkatërrimi i Sodomës dhe Gomorës nga Perëndia, ku homoseksualët agresivë u tërbuan (Zanafilla 19:4-25)

Ungjilli ofron një falje për homoseksualët ashtu siç bën me gjithë mëkatarët që pendohen dhe besojnë në Zotin Jezu Krisht. Njerëzit që kanë rënë në këtë mëkat të tmerrshëm mund të gjejnë falje dhe ripërtëritje nëpërmjet rrëfimit dhe braktisjes së mëkatit. Ka një çlirim të plotë nga homoseksualiteti për të gjithë ata që dëshirojnë t’i binden Fjalës së Perëndisë. Mbështetja këshilluese është mjaft e rëndësishme në shumicën e rasteve.

Është e vërtetë që disa njerëz duket që kanë një tendencë natyrale drejt homoseksualitetit. Kjo s’duhet të na çudisë, përderisa natyra e rënë njerëzore është në gjendje për çdo formë shthurrjeje dhe padrejtësie. Ky mëkat i madh nuk konsiston në shkarjen drejt tij, por në praktikimin e tij. Fryma e Shenjtë jep fuqinë për t’i rezistuar tundimit dhe për të patur një fitore të qëndrueshme (1 e Korintasve 10:13). Disa nga të krishterët në Korint ishin prova të gjalla që tregonin që homoseksualët nuk kishin nevojë të ishin të lidhur përfundimisht me atë lloj të jetuari. (1 e Korintasve 6:9-11).

1:28 Ngaqë njerëzit refuzuan të mbanin Perëndinë në diturinë e tyre, qoftë si Krijues, Ndihmues, apo Shpëtues, Perëndia i dorëzoi ata në një mendje të çoroditur për të bërë një katalog të formave të tjera të ligësisë. Ky varg jep një zbulesë përse evolucioni është kaq tërheqës për njeriun. Arsyeja nuk shtrihet në intelektin e tyre, por në vullnetin e tyre. Ata nuk duan ta njohin Perëndinë. Nuk është ngaqë evidenca për evolucionin është kaq në epërsi saqë ata janë të detyruar ta pranojnë atë, por për më tepër është ngaqë ata duan ndonjë shpjegim për origjinën, që ta eliminojnë komplet Perëndinë. Ata e dinë që nëse është një Perëndi, atëherë ata janë moralisht përgjegjës ndaj Tij.

1:29 Atëherë këtu është lista e zezë e mëkateve të tjera që karakterizojnë njeriun që gjendet në armiqësi me Perëndinë. Vini re që ai është i mbushur plot me to, jo vetëm një amator i rastit në to. Ai është i mësuar në mëkate që nuk janë të përshtatshme për një qenie njerëzore. Padrejtësi; kurvërim {{2}} (kurvëri, shkelje kurore, dhe forma të ndryshme të seksit të ndaluar); mbrapshtësi; lakmi (dëshirë e parreshtur për më shumë); ligësi (dëshira për t’i bërë keq të tjerëve; urrejtje); plot smirë (xhelozë për të tjerët); vrasje (vrasje e paramenduar, qoftë në grindje apo si bashkëpunëtor me të tjerët); grindje (luftë, zënie, pretendime); mashtrim (intriga, pabesi, tradhëti); poshtërsi (vullnet i sëmurë, hidhërim, armiqësi); mashtrues(shpifje në fshehtësi).

1:30 Shpifës (shpifje haptazi, ata që përgojojnë të tjerët); armiq të Perëndisë (që urrejnë Perëndinë); fyes (sharje me qëllim); krenarë (arrogantë); mburravecë (demostrues të vetvetes); trillues ligësish (krijues i të këqijave dhe formave të tjera të djallëzisë); të pabindur ndaj prindërve (kryengritës ndaj autoritetit të prindërve);

1:31 Të paarsyeshëm (ju mungon arsyeja morale dhe shpirtërore); pabesë (thyejnë premtimet, tradhtojnë, thyejnë kontratat dhe besëlidhjet sa herë që iu shërben qëllimit të tyre); pa dashuri të natyrshme (që veprojnë pa marrë parasysh lidhjet natyrore dhe obligimet e tyre); papajtueshëm {{3}} (i pathyeshëm, nuk pranon asnjë qortimin); të pamëshirshëm (mizor, hakmarrës);

1:32 Ata që abuzojnë në seks (1:24), që janë të shthurur (1:26-27), dhe që praktikojnë mëkatet e tjera të renditura (1:29-31), kanë një njohuri të lindur jo vetëm që këto gjëra janë gabim, por gjithashtu që ata vetë meritojnë vdekjen. Ata e dinë që ky është verdikti i Perëndisë, megjithatë ata kërkojnë të ligjërojnë dhe racionalizojnë këto mëkate. Por kjo nuk i frenon ata nga plotësimi i dëshirës në këto forma të paperëndishme. Në fakt, ata bashkohen me të tjerët për t’i bërë ato dhe kanë një ndjenjë shoqërie me partnerët e tyre në mëkat.

MBI NJERËZIT TEK TË CILËT UNGJILLI S’KA ARRITUR ENDE.

Atëherë, cila është përgjigjja e pyetjes: “A janë të humbur njerëzit që nuk e kanë dëgjuar Ungjillin?” Dënimi për ata është se ata nuk jetuan në dritën që Perëndia u dha atyre me anë të krijimit. Në vend të kësaj ata u bënë idhujtarë, dhe si përfundim braktisën vetveten në një jetë korruptimi dhe turpësie.

Por supozoni një njeri që me të vërtetë jeton në dritën që Perëndia i jep atij. Supozoni që ai djeg idhujt e tij dhe kërkon Perëndinë e vërtetë. Atëherë?

Ka dy grupe mendimesh midis besimtarëve Ungjilltarë mbi këtë subjekt.

Disa besojnë që nëse një pagan jeton në dritën e Perëndisë që zbulohet në krijim, Perëndia do t’i dërgojë atij dritën e Ungjillit. Korneli është cituar si një shembull. Ai kërkoi Perëndinë. Lutjet dhe përgjerimet e tij u ngjitën lart si një kujtesë përpara Perëndisë. Atëherë Perëndia dërgoi Pjetrin për t’i treguar atij si të shpëtohej (Veprat 11:14).

Të tjerët besojnë që nëse një njeri beson tek Perëndia i gjallë dhe i vërtetë siç Ai është zbuluar në krijim, por vdes përpara se të dëgjojë Ungjillin, Perëndia do ta shpëtojë atë në bazë të veprës së Krishtit në Kalvar. Edhe pse vetë njeriu nuk dinte asgjë për veprën e Krishtit, Perëndia llogarit vlerën e asaj pune në llogari të këtij njeriu kur ai beson Perëndinë në bazë të dritës që ka marrë. Ata që kanë këtë pikëpamje, thonë që kjo është mënyra që Perëndia shpëtoi njerëzit përpara Kalvarit dhe se si Ai akoma shpëton të pa aftit mendorë dhe fëmijët që vdesin përpara se të arrijnë moshën e përgjegjësisë.

Pikëpamja e parë mund të mbështetet me rastin e Kornelit. Pikëpamja e dytë ka mungesë të mbështetjes nga Shkrimet për epokën pas vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit dhe gjithashtu dobëson nevojën për një aktivitet misionar këmbëngulës.

Pali ka treguar që paganët janë të humbur dhe kanë nevojë për Ungjillin. Tani ai i kthehet një klase të dytë njerëzish, identiteti i të cilëve është i diskutueshëm. Ne besojmë që apostulli është duke folur për moralistët e vetquajtur të drejtë, qofshin Judenj apo Johebrenj. Vargu i parë tregon që ata janë njerëz të vetquajtur të drejtë nga mënyra që ata dënojnë sjelljen e të tjerëve (por ata bëjnë të njëjtat mëkate). Vargjet 9,10,12,14 dhe 15 tregojnë që Pali u flet Judenjve edhe johebrenjve. Kështu pyetja përpara gjykatës është: A janë të humbur moralistët e vetquajtur të drejtë, qofshin Judenj apo Johebrenj? Dhe përgjigjja është, “Po. Ata gjithashtu janë të humbur.”

2:1 Kjo klasë e dytë përbëhet nga ata që përçmojnë paganët, duke konsideruar veten si njerëz më të qytetëruar, edukuar apo civilizuar. Ata dënojnë paganët për sjelljen e tyre, por ata vetë janë fajtorë të barabartë edhe pse në një mënyrë më të sofistikuar. Për shkakun e natyrës mëkatare, një njeri mund t’i shohë gabimet e tjetrit më kollaj sesa ato të vetes së tij. Gjërat e liga dhe të neveritshme që ai sheh në jetën e të tjerëve duken shumë të rregullta kur ai i sheh këto në jetën e tij. Por fakti që ai mund të gjykojë mëkatet e të tjerëve tregon që ai di të dallojë të mirën dhe të keqen. Nëse ai di që është gabim për një burrë të shkelë kurorën, atëherë ai di që është gabim për të që të shkelë kurorën vet duke marrë gruan e një njeriu tjetër. Prandaj kur dikush bën të njëjtat mëkate që ai dënon tek të tjerët, ai është pa justifikim.

Mëkatet e njerëzve të kulturuar janë në thelb të njëjta me ato të paganëve. Edhe pse një moralist mund të argumentojë që ai nuk ka kryer të gjitha mëkatet e njohura, ai duhet të kujtojë faktet e mëposhtme:

  1. Ai është në gjendje t’i kryejë të gjitha mëkatet.
  2. Duke thyer një urdhërim, ai është fajtor për të gjitha (Jakobi 2:10)
  3. Ai ka kryer mëkate në mendje që s’mund t’i ketë kryer kurrë me vepra, dhe këto janë të ndaluara nga fjala. Jezusi mësoi që kush ka shikuar një vajzë për ta dëshiruar është njëlloj me një që ka kryer tradhëti bashkëshortore (Mat. 5:28).

2:2 Ajo për të cilën kanë nevojë moralistët mburravecë është një mësim për gjykimin e Perëndisë. Apostulli vazhdon ta japë atë mësim në vargjet 2-16. Pika e parë është që gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës. Ai nuk bazohet në evidenca të rreme, apo të paplota dhe të papërshtatshme. Për më tepër, gjykimi është bazuar në të vërtetën, në gjithë të vërtetën, dhe në asgjë më tepër përveç të vërtetës.

2:3 Së dyti, gjykimi i Perëndisë është i pashmangshëm për ata që dënojnë të tjerët pikërisht për mëkatet që ata i kryejnë vetë. Kapaciteti i tyre për të gjykuar të tjerët nuk i shkarkon ata nga faji. Në fakt, rrit dënimin e tyre.

Gjykimi i Perëndisë është i pashmangshëm përveçse ne të jemi të penduar dhe të falur.

2:4 Më pas ne mësojmë që gjykimi i Perëndisë ndonjëherë vonohet. Kjo vonesë është një fakt i mirësisë, durimit dhe zemërgjerësisë së Tij. Mirësia e Tij tregon që Ai është i prirur për mirë ndaj mëkatarëve, por jo ndaj mëkateve të tyre. Durimi i Tij përshkruan se si Ai përmbahet në dënimin ndaj rebelimit dhe ligësisë së njeriut. Zemërgjerësia e Tij tregon përsëri pëmbajtjen e Tij të jashtëzakonshme, megjithëse njeriu vazhdon të provokojë Perëndinë me mëkatet e tij.

Mirësia e Perëndisë e parë në mbrojtjen dhe përkujdesjen e Tij ka si qëllim ta drejtojë njeriun në pendim. Ai “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pje. 3:9).

Pendimi do të thotë që njeriu i kthen kurrizin mëkatit dhe vazhdon në drejtim të kundërt. “Është një ndryshim i mendjes që prodhon një ndryshim qëllimi dhe rezulton në ndryshime në veprim” {{4}}. Ky do të thotë që një njeri kalon në anën e Perëndisë kundër vetes dhe mëkateve të tij. Është më shumë se një miratim intelektual i faktit të mëkateve të dikujt; ai përfshin gjithashtu ndërgjegjen, siç shkroi John Newton: “Ndërgjegjja ime e ndjeu dhe mori përsipër fajin tim.”

2:5 Gjëja e katërt që ne mësojmë rreth gjykimit të Perëndisë është që ai klasifikohet sipas grumbullimit të fajit. Pali përshkruan mëkatarët e rënduar dhe të papenduar duke mbledhur për vete gjykimin, sikur të ishin duke ndërtuar një pasuri prej ari dhe argjendi. Por çfarë pasuri do të jetë në ditën kur zemërimi i Perëndisë do të zbulohet përfundimisht në gjykimin nga Froni i Madh i Bardhë (Zbulesa 20:11-15)? Atë ditë gjykimi i Perëndisë do të shihet që është absolutisht i drejtë, pa asnjë lloj anësie apo padrejtëise.

2:6 Në pesë vargjet e tjera Pali na kujton ne që gjykimi i Perëndisë do të jetë sipas veprave të secilit. Një njeri mund të lëvdohet se është mjaft i mirë. Ai mund të mbështetet fort në origjinën e tij raciale apo kombëtare. Ai mund të mbrojë faktin që të lashtët e tij ishin njerëz të Perëndisë. Por ai do të gjykohet nga sjellja e tij dhe nga asnjë nga gjërat e mësipërme. Veprat e tij do të jenë faktori përcaktues.

Nëse marrim vetëm vargjet 6-11 është e lehtë të nxjerrësh përfundimin që ato predikojnë shpëtimin me anë të veprave. Ato duket sikur thonë që ata që bëjnë të mira do të fitojnë jetën e përjetshme.

Por duhet të jetë e qartë që pjesa s’mund të nënkuptojë këtë sepse do të binte në kundërshtim me dëshminë e pjesës tjetër të Shkrimeve mbi faktin që shpëtimi është nga besimi dhe jo nga veprat. Chafer tregon që rreth 150 pjesë në Dh.R. kushtëzojnë shpëtimin vetëm me besim {{5}}. Asnjë pjesë e kuptuar drejt nuk kundërshton një dëshmi kaq të qartë.

Atëherë si duhet ta kuptojmë këtë pjesë? Së pari duhet të kuptojmë që një njeri nuk bën vepra të mira derisa është rilindur. Kur njerëzit e pyetën Jezusin, “Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?”, Ai u përgjigj: “Kjo është vepra e Perëndisë; të besoni në Atë që Ai ka dërguar”(Gjoni 6:28-29). Kështu vepra e parë e mirë që çdokush mund të bëjë është të besojë në Zotin Jezu Krisht, dhe ne duhet të mbajmë mend vazhdimisht që besimi nuk është një vepër e merituar me anë të së cilës një person fiton shpëtimin. Kështu nëse të pashpëtuarit gjykohen nga veprat e tyre ata nuk do të kenë asgjë me vlerë për t’u paraqitur si fakt. Gjithë ajo që supozohet të jetë drejtësi e tyre do të duket si rrobë e ndotur (Isaia 64:6). Mëkati i tyre i dënueshëm do të jetë që ata nuk besuan në Jezusin si Zot (Gjo. 3:18). Përveç kësaj veprat e tyre do të përcaktojnë shkallën e dënimit të tyre (Luka 12:47, 48).

Nëse besimtarët gjykohen sipas veprave të tyre, cili do të jetë rezultati? Sigurisht ata s’mund të paraqesin ndonjë vepër të mirë sipas së cilës ata mund të fitojnë apo të meritojnë shpëtimin. Të gjitha veprat e tyre para shpëtimit ishin plot mëkate. Por gjaku i Krishtit ka fshirë të kaluarën. Tani vetë Perëndia s’mund të gjejë asnjë akuzë kundër tyre që t’i dërgojë në ferr. Kur ata shpëtohen, ata fillojnë të praktikojnë vepra të mira – jo me çdo kusht vepra të mira në sy të botës, por vepra të mira sipas Perëndisë. Veprat e tyre janë rezultat i shpëtimit, jo një çështje e merituar. Në fronin gjykues të Krishtit, veprat e tyre do të vlerësohen dhe ata do të shpërblehen për shërbesat e tyre besnike.

Por duhet të kujtojmë gjithmonë që kjo pjesë ka të bëjë me të paperëndishmit, jo me besimtarët.

2:7 Duke shpjeguar që gjykimi do të jetë sipas veprave, Pali thotë që Perëndia do t’u japë jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder dhe pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira. Siç është shpjeguar më parë, kjo nuk do të thotë që këta njerëz janë shpëtuar duke ngulmuar në veprat e mira. Ky do të ishte një ungjill tjetër. Askush normalisht s’mund të jetojë këtë lloj jete pa fuqi hyjnore. Kushdo që me të vërtetë përmbush këtë përshkrim, ka qenë i shpëtuar nga hiri nëpërmjet besimit. Fakti që ai kërkon lavdi, nder dhe pavdekësi tregon që ai ka rilindur. Gjithë mënyra e jetesës së tij tregon që ai është i kthyer.

Ai kërkon lavdinë e qiellit; nderin që vjen vetëm nga Perëndia (Gjo. 5:44); pavdekësinë që karakterizon trupin e ringjallur (1 e Korintasve 15:33, 54); trashëgiminë qiellore e cila është e pazhdukshme, që nuk shuhet kurrë, e pakalbshme (1 Pje. 1:4)

Perëndia do t’i japë jetë të përjetshme të gjithë atyre që tregojnë faktin e një jete të kthyer. Për jetën e përjetshme është folur shumë në Dh.R.. Është një zotërim i tanishëm që e kemi në momentin që kthehemi në besim (Gjo. 5:24). Është një zotërim i ardhshëm që do ta kemi kur të marrim trupat tanë në lavdi (këtu dhe tek Romakeve 6:22). Megjithëse është një dhuratë që merret nga besimi. Ajo ndonjëherë shoqërohet me shpërblime për një jetë besnikërie (Mar. 10:30). Gjithë besimtarët do të kenë jetë të përjetshme, por disa do të kenë një cilësi më të madhe se të tjerët për ta shijuar atë. Kjo do të thotë më shumë se një ekzistencë e pafundme; është një cilësi e jetës, jetë me bollëk të cilën Shpëtimtari e premtoi tek Gjoni 10:10. Është vetë jeta e Krishtit (Kol. 1:27)

2:8 Atyre që kundërshtojnë dhe nuk i binden së vërtetës, por për më tepër i binden padrejtësisë, do të shpërblehen me indinjatë dhe zemërim. Ata nuk i binden së vërtetës; ata asnjëherë nuk i janë përgjigjur thirrjes së Ungjillit. Për më tepër, ata kanë zgjedhur t’i binden padrejtësisë si të ishte zoti i tyre. Jetët e tyre karakterizohen nga lufta, grindja, dhe mosbindja – prova të sigurta që ata s’kanë qenë kurrë të shpëtuar.

2:9 Tani apostulli përsërit verdiktin e Perëndisë për dy lloj njerëzish, por duke i renditur në të kundërt.

E para, verdikti është mundim dhe ankth për cilindo që bën të ligën. Këtu përsëri ne duhet të theksojmë që këto vepra të liga zbulojnë një zemër të keqe mosbesuese. Veprat janë shprehja e jashtme e mendimit të një personi ndaj Zotit.

Shprehja “Judeut më parë e pastaj Grekut” tregon që gjykimi i Perëndisë do të jetë sipas privilegjit apo dritës së marrë. Judenjtë ishin të parët sipas privilegjit si populli i zgjedhur tokësor i Perëndisë; prandaj, ata do të jenë të parët përgjegjës. Ky aspekt i gjykimit të Perëndisë do të shfaqet më tepër në vargjet 12-16.

2:10 E dyta, verdikti do jetë lavdi, nder dhe paqe cilitdo, Jude apo Grek, që bën të mirën. Dhe le të mos harrojmë që askush s’mund të bëjë të mirën nga pikëpamja e Perëndisë, përveçse së pari ai ka besuar në Zotin Jezu Krisht.

Shprehja më parë Judeut e pastaj Grekut s’mund të tregojë favorizim, sepse vargu tjetër tregon që gjykimi i Perëndisë është i paanshëm. Kështu shprehja duhet të tregojë renditjen historike në të cilën u përhap Ungjilli, si në 1:16. Ai iu shpall fillimisht Judenjve dhe besimtarët e parë ishin Judenj.

2:11 Një e vërtetë tjetër lidhur me gjykimin e Perëndisë është se ai bëhet pa anësi. Në gjyqet e njerëzve, tregohet preferencë ndaj atyre që kanë influencë, janë të veshur mirë, dhe janë të fuqishëm. Por Perëndia është tepër i paanshëm. Asnjë konsideratë race, vendi, apo fytyre nuk e influencon dot Atë.

2:12 Siç është përmendur më lart, vargjet 12-16 zgjerojnë pikën ku gjykimi i Perëndisë do të jetë sipas masës së dritës së marrë. Dy klasa janë në dukje: ata që s’kanë ligjin (Johebrenjtë) dhe ata që janë nën ligj (Judenjtë). Kjo përfshin këdo me përjashtim të atyre që janë në Kishën e Perëndisë (shih 1 e Korintasve 10:32 ku gjithë njerëzimi është ndarë në këto tre grupe).

Ata që kanë mëkatuar pa ligjin, do të humbasin gjithashtu pa ligj. Nuk thotë «do të gjykohen pa ligj», por thotë «që do të humbasin pa ligj». Ata do të gjykohen sipas cilësdo zbulese që Zoti u dha atyre, dhe, duke dështuar të jetojnë sipas asaj zbulese, ata do të humbasin.

Ata që kanë mëkatuar nën ligjin, do të gjykohen sipas ligjit, dhe nëse ata nuk e kanë zbatuar atë, edhe ata do të humbasin. Ligji kërkon zbatim të plotë.

2:13 Dija e ligjit nuk është e mjaftueshme. Ligji kërkon një zbatim të vazhdueshëm dhe të përkryer. Askush s’është llogaritur i drejtë vetëm se di atë çfarë thotë ligji. E vetmja mënyrë e mundshme të shfajësohet një njeri nën ligjin do të ishte po ta zbatoje atë plotësisht. Por përderisa të gjithë njerëzit janë mëkatarë, është e pamundur për ata të bëjnë këtë gjë. Kështu ky varg në të vërtetë vendos një kusht kaq të vështirë që përmbushja e tij është jashtë arritjes njerëzore.

Dhjata e Re në mënyrë të theksuar mëson që është e pamundur për njeriun të shfajësohet nga zbatimi i ligjit (shih Veprat e Apostujve 13:39; Rom. 3:20; Gal. 2:16, 21; 3:11). Nuk ka qenë kurrë qëllimi i Perëndisë që njeriu të shpëtohej me anë të ligjit. Madje nëse një person e zbaton atë përsosmërisht nga kjo ditë e më tej, ai përsëri nuk do të shfajësohet, sepse Perëndia kërkon atë që ka kaluar. Kështu kur vargu 13 thotë që ata që zbatojnë ligjin do të shfajësohen, ne duhet ta kuptojmë atë si të tillë që ligji kërkon bindje, dhe nëse ndokush mund të ketë bindje të plotë nga dita që është lindur, ai do të shfajësohet. Por fakti është që askush nuk mund ta bëjë këtë.

2:14 Vargjet 14 dhe 15 janë një parantezë, duke u kthyer tek vargu 12, ku ne mësuam që Johebrenjtë që mëkatojnë pa ligjin do të humbasin pa ligj. Tani Pali shpjegon që edhe pse ligji nuk iu dha Johebrenjtve, përsëri ata kanë një dije të lindur të së drejtës dhe të së padrejtës. Ata instiktivisht dinë që është gabim të gënjesh, vjedhësh, të shkelësh kurorën, dhe të vrasësh. Urdhëresa e vetme që mund të mos dinë nga intuita është ajo që lidhet me ligjin e Shabatit; ky është më tepër ceremonial sesa moral.

Kështu me një fjalë, Johebrenjtë, që s’kanë ligjin, …janë ligj për vetveten. Ata formojnë vetë kodin e së drejtës dhe gabimit nga instinktet e tyre morale.

2:15 Ata tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre. Nuk është vetë ligji i shkruar në zemrat e tyre, por vepra e ligjit. Vepra që ligji kishte synim të bënte në jetët e Izraelitëve është parë në një farë mënyre në jetët e Johebrenjve. Fakti që ata dinë që është e drejtë të respektojnë prindërit, p.sh., tregon veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre. Gjithashtu ata dinë që veprime të caktuara janë gabim. Ndërgjegjja e tyre, duke shërbyer si një fre, konfirmon këtë dijeni instinktive. Dhe mendimet e tyre vazhdimisht vendosin të drejtën apo të gabuarën të veprimeve të tyre, duke shfajësuar apo duke akuzuar, duke ndaluar apo lejuar.

2:16 Ky varg është një vazhdim i mendimit në vargun 12. Ai tregon se kur këta pa ligj dhe ata nën ligjin do të gjykohen. Dhe duke bërë këtë ai mëson një të vërtetë përfundimtare në lidhje me gjykimin e Perëndisë – duke thënë që Ai do të marrë në llogari të fshehtat e njerëzve, jo vetëm mëkatin e tyre publik. Mëkati që është i fshehur tani do të jetë një skandal i hapur në Gjykimin e Fronit të Bardhë. Gjykuesi në atë kohë solemne do të jetë Jezu Krishti, sepse Ati ia ka dorëzuar të gjithë gjykimin Atij (Gjoni 5:22). Kur Pali shton, sipas Ungjillit tim, ai nënkupton “kështu mëson Ungjilli im.” Ungjilli im do të thotë Ungjilli që Pali predikoi, i cili ishte i njëjtë me atë që shpallën dhe apostujt e tjerë.

2:17 Apostulli ka dhënë një klasë të tretë me të cilën duhet të merret, kështu tani ai i kthehet pyetjes: A janë të humbur Judenjtë, të cilëve u ishte dhënë ligji? Dhe përgjigjja është, “Po, ata gjithashtu janë të humbur!”

S’ka dyshim që shumë Judenj ndienë që ishin të mbrojtur nga gjykimi i Perëndisë. Ata menduan se Perëndia nuk do të dërgojë kurrë një Jude në ferr. Në anën tjetër, Johebrenjtë ishin lëndë djegëse për ferrin. Pali tani duhet të shkatërrojë këtë mendim duke treguar që nën disa kushte të veçanta Johebrenjtë mund të jenë më afër Perëndisë sesa Judenjtë.

Fillimisht ai rishikon ato gjëra që një Jude cilësonte se i jepnin atij një vend të privilegjuar me Perëndinë. Ai që mbante emrin e një Judeu ishte një anëtar i popullit tokësor të zgjedhur të Perëndisë. Ai bazohej mbi ligjin i cili s’ishte bërë kurrë për të dhënë siguri por për të zgjuar ndërgjegjen në një ndjenjë mëkati. Ai lëvdohej Perëndinë, të vetmin Perëndi të vërtetë, që kishte hyrë në besëlidhje unike me kombin e Izraelit

2:18 Ai njihte vullnetin e Perëndisë, sepse një vijë kryesore e atij vullneti është dhënë në Shkrimet. Ai dalloi gjërat e rëndësishme, sepse ligji i mësoi atij si të vlerësonte vlerat morale.

2:19 Ai u mburr me të qenurit prijës i të verbërve moralisht dhe frymërisht, drita e tyre janë në errësirën e padijes.

2:20 Ai u ndje i kualifikuar për të drejtuar të marrët apo të pamësuarit dhe të mësonte të miturit sepse ligji i dha atij një përmbledhje të njohurisë dhe të së vërtetës.

2:21 Por këto gjëra në të cilat u mburrën Judenjtë nuk e ndryshuan kurrë jetën e tyre. Ishte thjesht një krenari race, feje dhe njohurie pa pasur një transformim moral. Ai mësoi të tjerët, por nuk i mori mësimet në zemrën e tij. Ai predikoi kundër vjedhjes, por nuk praktikoi atë çfarë predikoi.

2:22 Kur ai ndaloi shkelje të kurorës, ishte një çështje e: “Bëj si të them unë, por mos bëj si bëj unë.” Kur kishte neveri për idhujt, ai nuk hezitoi të plaçkiste tempujt, ndoshta duke plaçkitur altaret e idhujtarëve.

2:23 Ai u krenua në zotërimin e ligjit, por çnderoi Perëndinë që e dha atë duke shkelur ligjin e shenjtë.

2:24 Kjo ndërthurje e të folurit të lartë dhe të ecurit të ulët bëri që Johebrenjtë të blasfemojnë emrin e Perëndisë. Ata gjykuan Zotin, siç bën gjithmonë njeriu, në ata që shpallën se ishin ndjekësit e Tij. Ishte e vërtetë në ditët e Isaias (Isaia 52:5), dhe është ende e vërtetë edhe sot. Secili nga ne duhet të pyesë:

Nëse vlerësimi i tyre për Jezu Krishtin,

do të jetë çfarë ata shohin prej Tij në ty,

(vendos emrin tënd), çfarë shohin ata?

2:25 Përveç ligjit, Judenjtë u mburrën me ritin e rrethprerjes. Ky është një operacion kirurgjikal i vogël bërë mbi lafshën mashkullore të një Judeu. Ishte caktuar nga Perëndia si një shenjë e besëlidhjes së Tij me Abrahamin (Zanafilla 17:9-14). Ajo shprehte veçimin e popullit të Perëndisë nga bota. Pas një farë kohe Judenjtë u mburrën aq shumë mbi këtë vepër saqë filluan t’i thërrisnin Johebrenjtë “të parrethprerë.”

Këtu Pali lidh rrethprerjen me ligjin e Moisiut dhe tregon që ishte e vlefshme si një shenjë kur ishte e kombinuar me një jetë të karakterizuar nga bindja. Perëndia nuk është një ritualist i thjeshtë. Ai nuk kënaqet me ceremoni të jashtme të cilat nuk janë të shoqëruara me një shenjë të brendshme. Kështu një Jude i rrethprerë që shkel ligjin është njësoj me një të parrethprerë.

Kur apostulli flet për zbatues të ligjit në këtë pjesë, ne nuk duhet t’i marrim fjalët në kuptimin absolut.

2:26 Kështu, nëse një Johebre i përmbahet parimeve të moralit të paraqitur nga ligji, parrethprerja e tij është më e pranueshme sesa rrethprerja e një Judeu që shkel ligjin. Në një rast të tillë zemra e Johebreut është e rrethprerë dhe kjo gjë merret në llogari.

2:27 Sjellja superiore e Johebreut dënon Judeun, i cili, me shkronjën dhe me rrethprerjen, nuk zbaton ligjin dhe nuk jeton jetën e rrethprerë, d.m.th. jetën e shenjtërimit dhe ndarjes nga bota.

2:28 Në llogarinë e Perëndisë, një Jude i vërtetë nuk është thjesht një njeri që ka gjakun e Abrahamit në venat e tij ose ai që ka shenjën e rrethprerjes në trupin e tij. Një person mund t’i ketë të dyja këto gjëra dhe të jetë moralisht zgjyra e shoqërisë. Zoti nuk ndikohet nga konsideratat sipërfaqësore të fesë apo racës. Ai kërkon sinqeritet dhe pastërti të brendshme.

2:29 Një Jude i vërtetë është ai që nuk është vetëm pasardhës i Abrahamit, por ai që jeton një jetë të perëndishme. Kjo pjesë nuk mëson që të gjithë besimtarët janë Judenj apo që Kisha është Izraeli i Perëndisë. Pali flet për ata që janë lindur nga prindër Judenj, dhe ngul këmbë që fakti i thjeshtë i lindjes dhe veprimit të rrethprerjes nuk janë të mjaftueshëm. Duhet të ketë një realitet të brendshëm.

Rrethprerja e vërtetë është një çështje e zemrës – jo vetëm një prerje e trupit por realitet shpirtëror i operacionit në natyrën e vjetër dhe të parilindur.

Ata që kombinojnë kështu shenjën e jashtme dhe hirin e brendshëm marrin lavdinë e Perëndisë, nëse jo të njeriut. Këtu është një lojë fjalësh në këtë varg të fundit që nuk duket në përkthimin. Fjala “Jude” vjen nga “Juda”, që do të thotë lavdërim. Një Jude i vërtetë është një njeri, karakteri i të cilit është i tillë, që të marrë lavdi nga Perëndia.

3:1 Pali vazhdon subjektin e fajit të Judenjve në tetë vargjet e para të këtij kapitulli. Këtu një kundërshtar Jude shfaqet dhe fillon të pyesë apostullin. Pyetja është si më poshtë:

KUNDËRSHTARI: Nëse gjithçka që ke thënë në vargjet 2:17-19 është e vërtetë, atëherë cila është përparësia e të qenurit Jude dhe cila është dobia nga rrethprerja?

3:2 PALI: Judenjtë kanë pasur shumë privilegje private. Gjëja më e rëndësishme është që atyre u ishin besuar orakujt e Perëndisë. Shkrimet e Dhjatës së Vjetër u ishin dhënë Judenjve për t’i shkruar dhe për t’i ruajtur, por si iu përgjigj populli i Izraelit këtij privilegji kaq të madh? Në përgjithësi, ata kanë treguar një mungesë të madhe besimi.

3:3 KUNDËRSHTARI: Mirë pra, e zëmë që jo gjithë Judenjtë besuan, por a do të thotë kjo që Perëndia do të anulojë premtimet e Tij? Është një fakt që Ai e zgjodhi Izraelin si popull të Tij dhe bëri besëlidhje të qartë me të. A mundet që mosbesimi i disave të shkaktojë Perëndinë të shkelë fjalën e Tij?

3:4 PALI: Kurrë mos qoftë! Sa herë që bëhet kjo pyetje, “Kush ka të drejtë? Perëndia apo njeriu?”, gjithmonë gjyko në bazë të kësaj që Perëndia është i drejtë dhe çdo njeri është gënjeshtar. Kjo është ajo që Davidi tha në Psalmin 51:4 (një parafrazë), “komplet vërtetësia e asaj që Ti thua duhet mbrojtur, dhe Ti duhet të përligjesh sa herë që thirresh në pyetje nga një mëkatar.” Mëkatet tona vetëm sa shërbejnë për të konfirmuar vërtetësinë e fjalëve të Perëndisë.

3:5 KUNDËRSHTARI: Nëse kjo është çështja, përse na dënon ne Perëndia? N.q.s. padrejtësia jonë bën që drejtësia e Perëndisë të shkëlqejë më lavdishëm, si mund të na vizitojë Perëndia me zemërim? (Pali tregon këtu se duke cituar këto fjalë, ai është duke përdorur një argument tipik njerëzor.)

3:6 PALI: Një argument i tillë nuk ia vlen të konsiderohet. Nëse do të kishte ndonjë mundësi që Perëndia të ishte i padrejtë, atëherë si do të ishte Ai i përshtatshëm për të gjykuar botën? Por të gjithë ne e pranojmë që Ai do të gjykojë botën.

3:7 KUNDËRSHTARI: Por nëse mëkati im i jep lavdi Perëndisë, nëse gënjeshtra ime tregon të vërtetën e Tij, nëse Ai e bën zemërimin e njeriut ta lavdërojë Atë, atëherë si mund të gjejë faj në mua si mëkatar?

3:8 KUNDËRSHTARI: Përse s’do të ishte e logjikshme të thuhej … [kundërshtari është ndërprerë nga Pali].

PALI: Më fal, por le të ndërhyj unë pak për të thënë që disa njerëz aktualisht na akuzojnë që ne, të krishterët, përdorim këtë argument, por ai është vetëm një shpifje.

KUNDËRSHTARI: E përse s’do të ishte e logjikshme të thuhej, “Të bëjmë të keqen që të vijë e mira?”

PALI: Gjithçka që mund të them është që dënimi i njerëzve që flasin kështu është tepër i merituar.

(Aktualisht ky argument i fundit, një budallallëk siç duket, vazhdimisht është përdorur kundër Ungjillit të hirit të Perëndisë. Njerëzit thonë: “Nëse do të shpëtohemi vetëm nga besimi në Krishtin, atëherë ju mund të shkoni e të jetoni në mëkat. Përderisa hiri i Perëndisë është shumë më tepër se mëkatet e njeriut, atëherë sa më shumë mëkatoni ju, aq më shumë tepron hiri i Tij.” Apostulli i përgjigjet këtij kundërshtimi në kapitullin 6.)

3:9 KUNDËRSHTARI: A po thua atëherëne, Judenjtë, kemi ndonjë epërsi mbi ata Johebrenj mëkatarë? Ose pyetja mund të jetë, “A jemi ne Judenjtë më të këqinj sesa Johebrenjtë? Përgjigjja në secilin rast është që Judenjtë nuk janë as më të mirë e as më të këqinj. Të gjithë janë mëkatarë.

Deri tani Pali ka treguar që paganët janë të humbur; moralistët e vetquajtur të drejtë (qofshin Judenj apo Johebrenj) janë të humbur, dhe Judenjtë janë të humbur. Tani ai i kthehet pyetjes: “A janë të humbur të gjithë njerëzit?

Përgjigjja është, “Po, tashmë ne kemi treguar që të gjithë njerëzit janë nën fuqinë e mëkatit.” Kjo tregon që Judenjtë s’janë ndryshe nga Johebrenjtë në këtë pikë.

3:10 Nëse nevojitet më shumë provë, kjo provë gjendet në Dh.V.. Fillimisht ne shohim që mëkati ka prekur secilin që ka lindur nga prindër njerëzorë (3:10-12) dhe më pas ne shohim që mëkati ka prekur çdo pjesë të një njeriu (3:13-18). Ne mund ta parafrazojmë atë si më poshtë: “S’ka asnjë njeri të drejtë” (Psalmi 14:1).

3:11 “Nuk ka asnjë që kupton drejt Perëndinë. S’ka asnjë që të kërkojë Perëndinë” (Psalmi 14:2). Përsa i përket njeriut të parilindur ai në vetveten kurrë s’do ta kërkonte Perëndinë. Është vetëm nëpërmjet Frymës së Shenjtë që dikush bën këtë gjë.

3:12 “Të gjithë kanë devijuar [nga Perëndia], janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.” (Psalmi 14:3)

3:13 “Grykët e njerëzve janë si një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka (Psalmi 5:9).” “Kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre” (Psalmi 140:3).

3:14 “Goja e tyre është plot mallkime [dhe urrejtje].” (Psalmi 10:7).

3:15 “Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqës dhe shpejtojnë të derdhin gjak të pafaj” (Isaia 59:7).

3:16 “Në shtigjet e tyre ka pikëllim dhe shkatërrim” (Isaia 59:7).

3:17 “Rrugën e paqes nuk e njohin … secili që ecën nëpër to nuk njeh paqe” (Isaia 59:8).

3:18 “Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij” (Psalmi 36:1).

Kjo atëherë është radiografia (rrezja X) e Perëndisë për racën njerëzore. Ajo zbulon padrejtësinë universale (3:10); padituri dhe pavarësi ndaj Perëndisë (3:11); të dalë nga rruga, të padobishëm, dhe nuk bëjnë të mirën (3:12). Gryka e njeriut është plot me ndyrësi, gjuha e tij është mashtruese, buzët e tij janë me helm (3:13); goja e tij është plot mallkim (3:14); këmbët e tyre i drejtohen vrasjes (3:15); shtigjet e tij janë plot me shqetësime dhe rrënime (3:16); ai nuk njeh paqen (3:17); dhe s’ka druajtjen e Perëndisë (3:18). Këtu ne shohim korruptimin total të njeriut, me anë të të cilit ne kuptojmë që mëkati ka prekur gjithë njerëzimin dhe që mëkati ka ndikuar çdo pjesë të qenies së tij. Pa diskutim, çdo njeri nuk ka kryer çdo mëkat, por ai ka një natyrë që është në gjendje t’i kryejë të gjitha mëkatet.

Nëse Pali do kishte dashur të japë një katalog më të plotë të mëkateve, ai mund të përmendte mëkatet e seksit: shkelje kurore, homoseksualitet, lezbizëm [gra me gra], prostitucion, pornografi, shthurje. Ai mund të përmendte mëkatet në lidhje me luftën: shkatërrimin e të pafajshmëve, dhomat me gaz, furrat, kampet e përqendrimit, sadizmin [vepra mizore], torturat e ndryshme. Ai mund të përmendte mëkatet e një shtëpie: tradhtinë, divorcin, rrahjen e gruas, krimin mendor, abuzim ndaj fëmijëve. Duke u shtuar këtyre krimet e vrasjes, gjymtimet, vandalizmin, vjedhjet, korrupsionin. Gjithashtu mëkatet e të folurit: profanizëm, gjuhë sensuale, gënjeshtra, blasfemi, fjalë mbrapa krahëve, shpifje, grindje dhe murmuritje. Mëkate të tjera personale janë: pija, droga, krenaria, urrejtja, lakmia, mosmirënjohja, urrejtje dhe hidhërim. Lista duket e pafundme – ndotje, racizëm, shfrytëzim, tradhëti, premtime të pambajtura, e kështu me radhë. Çfarë provë tjetër e prishjes njerëzore nevojitet?

3:19 Kur Perëndia ia dha ligjin Izraelit, Ai po e përdorte Izraelin si një shembull të racës njerëzore. Ai zbuloi që Izraeli ishte një dështim dhe Ai në mënyrën e duhur e ushtroi këtë zbulim në gjithë njerëzimin. Është e njëjta gjë sikur një inspektor i shëndetsisë merr një tub prove prej ujit të një pusi, kontrollon tubin, e gjen të papastër e më pas e përcakton të gjithë pusin të papastër.

Kështu Pali shpjegon që kur ligji flet, ai u flet atyre që janë nën ligj – popullit të Izraelit – me qëllim që çdo gojë, Jude apo Johebre, të heshtë dhe gjithë bota t’i nënshtrohet gjykimit të Perëndisë.

3:20 Asnjë s’mund të shfajësohet duke zbatuar ligjin. Ligji nuk u dha për të shfajësuar njerëz, por që të arrihej njohja e mëkatit – jo njohja e shpëtimit, por njohja e mëkatit.

Nuk mund të dinim kurrë se ç’ishte një vijë e shtrembër nëse nuk do të dinim ç’ishte vija e drejtë. Ligji është si vija e drejtë. Kur njerëzit kontrollojnë vetveten me të, ata shohin se sa të shtrembër janë.

Ne mund të përdorim një pasqyrë për të parë që faqja jonë është e papastër, por pasqyra nuk është bërë për të pastruar faqen e pistë. Një termometër na tregon që një person ka temperaturë, por gëlltitja e termometrit s’do të shërojë të sëmurin.

Ligji është i mirë kur përdoret për të bindur për mëkatin, por është i pavlefshëm si një shpëtimtar nga mëkati. Siç ka thënë Luter, detyra e tij nuk është të shfajësojë, por të turpërojë.

D. Baza dhe kushtet e Ungjillit. (3:21-31)

3:21 Tani ne vijmë në zemrën e letrës drejtuar romakëve, kur Pali i përgjigjet pyetjes: “Sipas Ungjillit, si mund të shfajësohen mëkatarët e paperëndishëm nga një Perëndi i shenjtë?”

Ai fillon duke thënë që drejtësia e Perëndisë është zbuluar pavarësisht nga ligji. Kjo do të thotë që një plan ose program është manifestuar dhe me anë të atij Perëndia drejtësisht shpëton mëkatarët e padrejtë, dhe kjo nuk bëhet duke i kërkuar atij të zbatojë ligjin. Ngaqë Perëndia është i shenjtë, Ai s’mund të kalojë pa e vënë re mëkatin ose ta lërë pa e ndëshkuar. Ai duhet ta dënojë atë. Dhe dënimi i mëkatit është vdekja. Por Perëndia e do mëkatarin dhe dëshiron ta shpëtojë atë. Këtu qëndron dilema. Drejtësia e Perëndisë kërkon vdekjen e mëkatarit, por dashuria e Tij dëshiron lumturinë e përjetshme të mëkatarit. Ungjilli zbulon si Perëndia mund të shpëtojë mëkatarët pa kompromentuar drejtësinë e Tij.

Ky plan i drejtësisë është dëshmuar nga ligji dhe profetët. Ai ishte parathënë në shëmbëlltyrat dhe hijet e sistemit të sakrificës që kërkonte derdhjen e gjakut për shlyerjen. Dhe ishte parathënë nga profeci direkte (shih Isaia 51:5, 6, 8; 56:1; Daniel 9:24).

3:22 Vargu 21 na tregoi që ky shpëtim i drejtësisë nuk përfitohet në bazë të zbatimit të ligjit. Tani apostulli na thotë se si përfitohet ai – nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin. Besimi këtu nënkupton mbështetje të plotë në Zotin e gjallë Jezus Krisht si shpëtimtar i vetëm për mëkatet dhe shpresa e vetme për në parajsë. Bazohet pra në zbulesën e Personit dhe veprës së Krishtit siç është dhënë në Bibël.

Besimi nuk është një hap në errësirë. Ai kërkon evidencën më të sigurt dhe e gjen atë në Fjalën e pagabueshme të Perëndisë. Besimi nuk është diçka e paarsyeshme apo palogjike. Cila është gjëja më e arsyeshme sesa ajo që krijesa të besojë Krijuesin e vet?

Besimi nuk është një vepër e merituar nga e cila një njeri fiton apo meriton shpëtimin. Një njeri s’mund të mburret sepse ka besuar Zotin; ai do të ishte një budalla nëse nuk do ta besonte Atë. Besimi nuk është një përpjekje për të fituar shpëtimin, por është pranimi i thjeshtë i shpëtimit që Perëndia e ofron si një dhuratë falas.

Pali vazhdon të na tregojë që ky shpëtim është për të gjithë e mbi të gjithë {{6}} ata që besojnë. Është për të gjithë në kuptimin që është i mundshëm për të gjithë, i është ofruar të gjithëve, dhe i mjaftueshëm për të gjithë. Por është vetëm mbi ata që besojnë; që do të thotë, është i efektshëm vetëm në jetët e atyre që pranojnë Zotin Jezus nga një veprim i përcaktuar besimi. Falja është për të gjithë, por bëhet e vlefshme në jetën e një individi vetëm kur ai e pranon atë.

Kur Pali thotë që shpëtimi është i vlefshëm për të gjithë, ai përfshin Johebrenjtë ashtu si Judenjtë, sepse tani nuk ka dallim. Judeu nuk ka ndonjë privilegj të veçantë dhe Johebrenjtë nuk janë në disavantazh.

3:23 Vlefshmëria e Ungjillit është aq universale [d.m.th. të gjithë njerëzit mund të shpëtohen] sa dhe nevoja për të. Dhe nevoja është universale sepse të gjithë mëkatuan {{7}} dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë. Secili mëkatoi në Adamin; kur ai mëkatoi, ai veproi si përfaqësuesi për të gjithë pasardhësit e tij. Por njerëzit nuk janë vetëm mëkatarë nga natyra; ata janë gjithashtu mëkatarë nga praktika. Ata u privuan, në vetvete, nga lavdia e Perëndisë.

MBI MËKATIN

Mëkati është çdo mendim, fjalë apo veprim që nuk arrin standardin e shenjtërisë dhe përsosmërisë së Perëndisë. Është një mos arritje objektivi. Një indian, shigjeta e të cilit nuk goditi në shenjë, ka thënë, “Oh, mëkatova.” Në gjuhën e tij {{8}} e njëjta fjalë përdorej për të shprehur mëkat dhe mosgjuajtje të shenjës.

Mëkati është shkelja e ligjit (1 Gjo. 3:4), rebelimi i vullnetit të krijesës kundër vullnetit të Perëndisë. Mëkati nuk është vetëm bërja e diçkaje që është gabim por dështim për të bërë atë që njihet si e drejtë (Jakobi 4:17). Çfarëdo që s’është nga besimi është mëkat (Rom 14:23). Kjo do të thotë që është gabim për një njeri të bëjë çdo gjë rreth së cilës ai ka një dyshim të arsyeshëm. Nëse ai nuk ka një ndërgjegje të pastër për të dhe përsëri vazhdon ta bëjë, ai është duke mëkatuar.

“Çdo paudhësi është mëkat” (1 Gjo. 5:17). Dhe synimi i pamend është mëkat (Fja. 24:9). Mëkati fillon në mendje. Kur inkurajohet dhe mirëpritet, ai vazhdon me veprim dhe veprimi të çon në vdekje. Mëkati është tërheqës kur e ke ndërmend, por i neveritshëm në prapavështrim.

Ndonjëherë Pali bën një ndarje midis mëkateve dhe mëkatit. Mëkatet i referohet gjërave të gabuara që ne kemi bërë. Mëkati i referohet natyrës sonë të keqe – që do të thotë çfarë ne jemi. Ajo çfarë ne jemi është shumë më e keqe sesa çdo gjë që ne kemi bërë. Por Krishti vdiq si për natyrën tonë të keqe ashtu si për veprat tona të këqija. Perëndia fal mëkatet tona, por Bibla kurrë nuk flet që Ai fal mëkatin tonë. Përkundrazi, Ai dënon dhe gjykon mëkatin në mish (Rom 8:3).

Gjithashtu ka një ndryshim midis mëkatit dhe shkeljes së ligjit. Shkelja është një mosrespektim i një ligji të njohur. Vjedhja është mëkat; është gabim në vetvete. Por vjedhja është gjithashtu një shkelje kur është një ligj që e ndalon atë. “Atje ku nuk ka ligj nuk ka as shkelje” (Rom. 4:15).

Pali ka treguar që të gjithë njerëzit kanë mëkatuar dhe vazhdimisht janë të privuar nga lavdia e Perëndisë. Tani ai vazhdon për të na treguar ilaçin e shërimit.

3:24 Të shfajësuar falas me anë të hirit të Tij. Ungjilli tregon se si Perëndia shfajëson mëkatarët me një dhuratë falas dhe me anë të një favori të pamerituar. Por çfarë kuptojmë ne kur flasim për një akt shfajësimi?

Fjala shfajësoj do të thotë të konsiderosh apo deklarosh që dikush është i drejtë. P.sh., Perëndia thotë se një mëkatar është i drejtë kur ky mëkatar beson në Zotin Jezus Krisht. Kjo është mënyra në të cilën fjala është përdorur më shpesh në Dh.R..

Megjithatë një njeri mund të shfajësojë Perëndinë (Luka 7:29) duke besuar dhe duke iu bindur fjalës së Perëndisë. Me fjalë të tjera, ai deklaron se Perëndia është i drejtë në gjithçka që thotë dhe bën.

Dhe sigurisht, një njeri mund të shfajësojë vetveten; ai mund të shpallë drejtësinë e tij (Luka 10:29). Kjo nuk është asgjë veçse një formë e mashtrimit të vetvetes.

Të shfajësosh s’do të thotë të bësh dikë të drejtë. Ne s’mund ta bëjmë Perëndinë të drejtë sepse tashmë Ai është i drejtë. Por ne shpallim që Ai është i drejtë. Perëndia nuk e bën besimtarin të pa mëkat apo të drejtë në vetvete. Për më tepër Perëndia vendos drejtësinë në llogari të tij. Siç A. T. Pierson tha: “Perëndia në shfajësimin e mëkatarëve aktualisht i thërret ata të drejtë kur ata nuk janë – nuk ngarkon mëkat aty ku mëkati aktualisht ekziston, dhe ngarkon drejtësi aty ku ajo nuk ekziston” {{9}}.

Një përkufizim i përhapur i shfajësimit është sikur dikush s’ka mëkatuar kurrë. Por ky përshkrim nuk është i mjaftueshëm. Kur Perëndia shfajëson mëkatarin që beson, Ai jo vetëm e çliron atë nga faji, por e vesh atë me drejtësinë e Tij dhe kështu e bën atë absolutisht të përshtatshëm për parajsën. “Shfajësimi shkon përtej çlirimit tek aprovimi; përtej faljes për gradim” {{10}}. Çlirim do të thotë vetëm që një person është çliruar nga një akuzë. Shfajësim do të thotë që i është ngarkuar drejtësia.

Arsyeja që Perëndia mund të deklarojë mëkatarët e paperëndishëm të drejtë është se Zoti Jezu Krisht ka paguar plotësisht borxhin për mëkatet e tyre, me anë të vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Kur mëkatarët pranojnë Krishtin me besim, ata janë të shfajësuar.

Kur Jakobi na mëson që shfajësimi është me anë të veprave (Jakobi 2:24), ai s’do të thotë që ne jemi shpëtuar me anë të veprave të mira, por për më tepër me anë të llojit të besimit që rezulton në vepra të mira.

Është e rëndësishme të kuptojmë që shfajësimi është një konsideratë që zë vend në mendjen e Perëndisë. Nuk është diçka që ndjen një besimtar, por ai e di që ka ndodhur sepse Bibla thotë ashtu. C. I. Scofield e ka shprehur në këtë mënyrë: “Shfajësimi është ai akt i Perëndisë me anë të të cilit Ai deklaron të drejtë të gjithë ata që besojnë në Jezusin. Është diçka që ndodh në mendjen e Perëndisë, jo në sistemin nervor apo në natyrën emocionale të besimtarit.”

Këtu në Romakeve 3:24, apostulli mëson që ne jemi shfajësuar falas. Nuk është diçka që ne mund ta fitojmë apo blejmë, por diçka e ofruar si një dhuratë.

Më pas ne mësojmë që jemi të shfajësuar … me anë të hirit të Perëndisë. Kjo thjesht nënkupton që është krejtësisht jashtë çdo merite nga ana jonë. Përsa na përket ne, ai është i pamerituar, i pablerë dhe i pakërkuar.

Për të shmangur ndonjë ngatërrim të mëvonshëm, ne duhet të ndalojmë këtu për të shpjeguar që ka gjashtë aspekte të ndryshme të shfajësimit në Dh.R.. Është thënë se ne jemi shfajësuar me anë të hirit, besimit, gjakut, fuqisë, Perëndisë, dhe veprave të mira.

Ne jemi shfajësuar me anë të hirit – që do të thotë se ne nuk e meritojmë atë.

Ne jemi shfajësuar me anë të besimit (Rom 5:1) – që do të thotë se ne duhet ta marrim atë duke besuar në Zotin Jezus Krisht.

Ne jemi shfajësuar me anë të gjakut (Rom 5:9) – kjo i referohet çmimit që shpëtimtari pagoi me qëllim që ne të shfajësoheshim.

Ne jemi shfajësuar me anë të fuqisë (Rom. 4:24, 25) – e njëjta fuqi që ngriti Zotin Jezus prej së vdekurish.

Ne jemi shfajësuar me anë të Perëndisë (Rom. 8:33) – është Ai që na konsideron të drejtë.

Ne jemi shfajësuar me anë të veprave (Jakobi 2:24) – kjo s’do të thotë që veprat e mira fitojnë shfajësimin, por që ato janë dëshmi që ne jemi shfajësuar.

Duke iu kthyer 3:24, ne lexojmë që jemi shfajësuar nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Shpengimi do të thotë të blesh duke paguar një çmim shpërblese për lirim. Zoti Jezus na bleu ne nga tregu ku ishim skllevër të mëkatit. Gjaku i Tij i çmuar ishte shpërblesë për lirim që u pagua për të plotësuar kërkesat e një Perëndie të drejtë dhe të shenjtë. Nëse dikush pyet: “Kujt iu pagua shpërblimi?” Ai s’ka kuptuar asgjë. Shkrimet në asnjë vend nuk sugjerojnë që një pagesë e caktuar iu bë Perëndisë apo Satanit. Shpërblimi për lirim nuk iu pagua ndokujt, por ishte një shlyerje abstrakte që siguroi një bazë të drejtë me anë të së cilës Perëndia mund të shpëtojë të paperëndishmit.

3:25 Perëndia ka paracaktuar Krishtin Jezus si një pajtim. Një pajtim është diçka me të cilin kënaqet drejtësia, zemërimi i Perëndisë është evituar, dhe mëshira mund të tregohet në bazë të një sakrifice të pranueshme.

Tre herë në Dh.R. Krishti është thënë se është një pajtim. Këtu në Romakeve 3:25 ne mësojmë që ata që vendosin besimin e tyre në Krishtin gjejnë mëshirë nga virtyti i gjakut të Tij të derdhur. Në 1 Gjonit 2:2 Krishti është përshkruar si një pajtim për mëkatet tona dhe për ato të të gjithë botës. Vepra e Tij është e mjaftueshme për gjithë botën, por është e vlefshme për ata që vendosin besimin e tyre në Të. Përfundimisht, në e 1 Gjonit 4:10, dashuria e Perëndisë u shfaq në dërgimin e Birit të Tij për të qenë pajtim për mëkatet tona.

Lutja e tagrambledhësit në Luka 18:13 ishte kështu, “Perëndi ji i mëshirshëm ndaj meje mëkatarit.” Ai po i kërkonte Perëndisë të tregonte mëshirë për të, jo duke i kërkuar Atij të paguante gjobën e gjithë fajit të tij.

Fjala pajtim gjithashtu shfaqet në Hebrenjve 2:17: “Prandaj Ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit.” Këtu shprehja “për t’u bërë pajtim” do të thotë, të vendosësh në vendin e vet, duke paguar gjobën.

Në Dh.V. barasvlerësi i fjalës pajtim është pajtuesi (apo froni i mëshirës). Pajtuesi (froni i mëshirës) ishte kapaku i arkës. Në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti spërkaste pajtuesin (fronin e mëshirës) me gjakun e një sakrifice. Kjo do të thotë që gabimet e kryepriftit dhe të popullit ishin shlyer apo mbuluar.

Kur Krishti u bë pajtim për mëkatet tona, Ai shkoi më tej. Ai jo vetëm mbuloi ato por i zhduku ato plotësisht.

Tani Pali na tregon ne në 3:25 që Perëndia paracaktoi Krishtin për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e Tij. Ai nuk na tregon të besojmë në gjakun e Tij sepse Krishti vetë është objekti i besimit tonë. Është vetëm Krishti Jezus i cili është i ringjallur dhe i gjallë që mund të shpëtojë. Ai është pajtimi. Besimi në Të është kushti me anë të të cilit ne përfitojmë nga pajtimi. Gjaku i Tij ishte çmimi i paguar.

Vepra e përfunduar e Krishtit deklaron drejtësinë e Perëndisë për faljen e mëkateve që janë kryer më parë. Kjo i referohet mëkateve të bëra para vdekjes së Krishtit. Nga Adami deri tek Krishti Perëndia shpëtoi ata që vendosën besimin e tyre në Të, në bazë të çfarëdo zbulese që Ai u dha atyre. P.sh. Abrahami besoi në Perëndinë dhe kjo iu numërua për drejtësi (Zanafilla 15:6). Por si mund ta bëjë këtë Perëndia drejtësisht? Një zëvendësues pa mëkat nuk ishte vrarë. Nuk ishte derdhur gjaku i një sakrifice të përsosur. Me një fjalë, Krishti nuk kishte vdekur. Borxhi nuk ishte paguar. Kërkesat e drejta të Perëndisë nuk ishin plotësuar. Atëherë si mund të shpëtojë Perëndia mëkatarët që besuan në periudhën e Dh.V.?

Përgjigjja është që edhe pse Krishti nuk kishte vdekur ende, Perëndia e dinte që Ai do të vdiste dhe Ai i shpëtoi njerëzit në bazë të një vepre në të ardhmen që Krishti do të bënte. Megjithëse të shenjtët e Dh.V. nuk dinin për Kalvarin, Perëndia dinte dhe Ai vendosi të gjithë vlerën e veprës së Krishtit në llogari të tyre kur ata besuan në Perëndinë. Në një farë mënyre, besimtarët e Dh.V. u shpëtuan me kredi. Ata u shpëtuan në bazë të një çmimi që do të paguhej më vonë. Ata pritën me padurim Kalvarin kurse ne hedhim vështrimin në të kaluarën për të. Kjo është ajo çfarë Pali thotë kur ai përmend që pajtimi i Krishtit deklaron drejtësinë e Perëndisë sepse Ai fali mëkatet që janë kryer më parë. Ai nuk po flet, si disa gabimisht mendojnë, për mëkatet që një person ka kryer përpara kthimit të tij në besim. Kjo gjë mund të çojë në sugjerime që thonë se vepra e Krishtit ishte për mëkatet para lindjes së re, por jo për ato pas lindjes së re që një njeri duhet t’i rregullojë vetë. Jo, ai është duke folur për butësinë në dukje të Perëndisë, sikur Ai nuk vë re mëkatet e atyre që u shpëtuan përpara kryqit. Mund të duket sikur Perëndia i fali ato mëkate apo pretendoi të mos i shihte ato. Pali nuk thotë kështu. Zoti e dinte që Krishti do të bënte larje të plotë të fajit, dhe kështu Ai i shpëtoi njerëzit në bazë të kësaj.

Kështu periudha e Dh.V. ishte një kohë e durimit të Perëndisë. Për të paktën 4000 vjet Ai ngadalësoi gjykimin e Tij ndaj mëkatit. Më pas në përmbushjen e kohës Ai dërgoi Birin e Tij për të qenë Mbartësi i mëkateve. Kur Zoti Jezus mori mbi vete mëkatet tona, Perëndia zgjidhi furinë e plotë të zemërimit të Tij të drejtë dhe të shenjtë mbi Birin e Tij të dashur.

3:26 Tani vdekja e Krishtit deklaron drejtësinë e Perëndisë. Perëndia është i drejtë sepse Ai ka kërkuar pagim të plotë të dënimit të mëkatit. Dhe Ai mund të shfajësojë të paperëndishmit duke mos miratuar mëkatet e tyre dhe duke mos kompromentuar drejtësinë e Tij sepse një Zëvendësues i përsosur ka vdekur dhe është ringjallur përsëri. Albert Midlane ka thënë të vërtetën në poezinë e tij:

Drejtësia e përsosur e Perëndisë

është dëshmuar në gjakun e shpëtimtarit;

Në kryqin e Krishtit ne zbulojmë

drejtësinë e Tij dhe hirin e mrekullueshëm.

Perëndia s’mund ta lërë mëkatarin të kalojë,

Mëkati i tij kërkon që ai të vdesë;

Por në kryqin e Krishtit ne shohim

se si Perëndia mund të shpëtojë e përsëri të jetë i drejtë.

Mëkati i është ngarkuar Shpëtimtarit,

Ndërsa në gjakun e Tij borxhi i mëkatit është paguar;

Drejtësia e ashpër s’mund të kërkojë më shumë,

Dhe mëshira mund të hapë dyert e saj.

Mëkatari që beson është i lirë,

Mund të thotë, “Shpëtimtari vdiq për mua”;

Mund të tregojë gjakun e shlyerjes

dhe të thotë, “Ky bëri paqen midis Perëndisë e meje.”

3:27 Ku është pra mburrja në këtë plan të mrekullueshëm të shpëtimit? Është përjashtuar, lënë jashtë, ndaluar. Nga cili princip është përjashtuar mburrja? Nga principi i veprave? Jo. Nëse shpëtimi do të ishte nga veprat, kjo do të linte shteg për çdo lloj përgëzimi ndaj vetes. Por kur shpëtimi është në principin e besimit, nuk ka shteg për mburrje.

Personi i shfajësuar thotë, “Unë bëra gjithë mëkatet, Jezusi bëri gjithë shpëtimin.” Besimi i vërtetë mohon çdo mundësi të vetë-ndihmës, vetë-përmirësimit, apo vetë-shpëtimit, duke parë vetëm Krishtin si shpëtimtar. Gjuha e tij është:

Me duart e mia s’mund të sjell asnjë çmim,

Thjesht kapem pas kryqit të Tij;

Lakuriq vij tek Ai për t’u veshur,

Pashpresë, shoh Atë për hir.

I pistë, unë fluturoj për tek burimi;

Më pastro, Shpëtimtar, ndryshe vdes.

  • Augustus M. Toplady

3:28 Pali tregon arsyen përse mburrja është përjashtuar. Fakti është që njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.

3:29 Si e paraqet Ungjilli Perëndinë? A është Ai vetëm Perëndi i Judenjve? Jo. Ai është gjithashtu Perëndia i Johebrenjve. Zoti Jezus Krisht nuk vdiq për një racë të njerëzimit, por për gjithë botën e mëkatarëve. Dhe oferta e shpëtimit falas dhe e plotë shkon tek kushdo që e dëshiron, Jude apo Johebre.

3:30 Nuk ka dy Perëndi – një për Judenjtë dhe një për Johebrenjtë. Është vetëm një Perëndi dhe vetëm një rrugë shpëtimi për gjithë njerëzimin. Ai shfajëson të rrethprerin nëpërmjet besimit dhe të parrethprerin me anë të besimit. Çfarëdo qoftë arsyeja për përdorimin e parafjalëve të ndryshme (nëpërmjet dhe me anë të) {{11}}, nuk ka ndryshim në çështjen e shfajësimit; ajo është besimi në të dyja rastet.

3:31 Një pyetje e rëndësishme mbetet. Kur ne themi që shpëtimi është nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet ligjit, a lëmë ne të nënkuptohet që ligji është i pavlerë dhe duhet nënvlerësuar? A e lë Ungjilli ligjin jashtë sikur të mos kishte vend? Në të kundërt, Ungjilli e forcon ligjin. Por, si e forcon?

Ligji kërkon bindje të plotë. Dënimi për thyerje të ligjit ka për t’u paguar. Ky dënim është VDEKJE. Nëse një ligjshkelës pagon dënimin, ai do të jetë i humbur përjetësisht. Ungjilli tregon si Krishti vdiq për të paguar dënimin e ligjit të shkelur. Ai nuk e trajtoi ligjin si diçka që duhet injoruar. Ai e pagoi plotësisht borxhin. Tani kushdo që ka thyer ligjin mund të përfitojë nga fakti që Krishti pagoi dënimin për atë që mëkatoi. Kështu Ungjilli i shpëtimit me anë të besimit ngre lart ligjin duke insistuar që kërkesat e tij duhet të plotësohen dhe janë plotësuar komplet.

E. Harmonia e Ungjillit me Dhjatën e Vjetër. (Kap. 4)

Pyetja e pestë që ngre Pali është: A përputhet Ungjilli me mësimet e Dh.V.? Përgjigjja e kësaj pyetjeje ka një rëndësi të veçantë për popullin Jude. Prandaj apostulli tani tregon që ekziston një harmoni e plotë midis Ungjillit në Dh.R. dhe asaj të vjetrës. Shfajësimi gjithmonë ka qenë nëpërmjet besimit.

4:1 Pali provon pikëpamjen e tij duke iu referuar dy njerëzve më të shquara të historisë së Izraelit: Abrahamit dhe Davidit. Perëndia bëri besëlidhje të mëdha me këta dy burra. Njëri jetoi shekuj përpara se të jepej ligji, kurse tjetri jetoi mjaft vjet më pas. Njëri u shfajësua përpara rrethprerjes dhe tjetri pas saj.

Le të konsiderojmë fillimisht Abrahamin, të cilin Judenjtë e thërrasin stërgjysh të tyre. Cila ishte eksperienca e tij sipas mishit?{{12}}. Çfarë gjeti ai në lidhje me mënyrën në të cilën një person shfajësohet?

4:2 Nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, atëherë ai duhet të kishte arsye për t’u mburrur. Ai mund të rrihte supet se kishte fituar një vend të drejtë përpara Perëndisë. Por kjo është e pamundur. Asnjë s’është në gjendje të mburret përpara Perëndisë (Ef. 2:9). Nuk flitet në Shkrimet që Abrahami pati ndonjë arsye për t’u mburrur që ishte shfajësuar me anë të veprave të tij.

Por dikush mund të argumentojë, “A nuk thuhet tek Jakobi 2:21 që Abrahami u shfajësua me anë të veprave?” Po thuhet, por kuptimi aty është krejt ndryshe. Abrahami u shfajësua me anë të besimit (Zanafilla 15:6) kur ai besoi premtimin e Perëndisë në lidhje me një pasardhje të panumërt. Ishte afërsisht 30 vjet më vonë që ai u shfajësua me anë të veprave kur ai filloi të ofronte Isakun si një ofertë e djegur për Perëndinë (Zanafilla 22). Ky akt bindjeje provoi vërtetësinë e besimit të tij. Ishte një shfaqje e jashtme që tregonte se ai ishte shfajësuar në të vërtetë me anë të besimit.

4:3 Çfarë thotë Shkrimi në lidhje me shfajësimin e Abrahamit? Ai thotë, “ai besoi në Zotin dhe Ai ia vuri në llogari drejtësisht” (Zanafilla 15:6). Perëndia ia zbuloi veten e Tij Abrahamit dhe i premtoi që ai do të kishte një pasardhje të panumërt. Patriarku besoi në Zotin dhe Perëndia vuri drejtësinë në llogari të tij. Me fjalë të tjera, Abrahami u shfajësua nga besimi. Është mjaft e thjeshtë. Veprat s’kanë të bëjnë fare me të. Ato nuk janë përmendur.

4:4 Të gjitha gjërat na çojnë ne në shprehjet më sublime në Bibël, përsa i përket kontrastit midis veprave dhe besimit, të marra këto në planin e shpëtimit.

Mendoni në këtë mënyrë: kur një njeri punon për të jetuar dhe merr pagesën në fund të javës, ai me të drejtë është shpërblyer. Ai i ka fituar ato. Ai nuk përkulet përpara padronit duke e falënderuar atë për një shfaqje të mirësisë dhe duke protestuar që ai nuk i meriton paratë. Aspak! Jo, Ai fut lekët në xhepin e tij dhe shkon në shtëpi me ndjenjën që ai është shpërblyer për punën dhe kohën e tij.

Por kjo s’është mënyra në çështjen e shfajësimit.

4:5 Për çudi, njeriu i shfajësuar është ai që para së gjithash nuk vepron. Ai mohon çdo mundësi për të fituar shpëtimin e tij. Ai mohon çdo meritë apo të mirë personale. Ai pohon që gjithë veprat e tij më të mira s’mund të përmbushnin kurrë kërkesat e drejta të Perëndisë.

Përkundrazi, ai beson në Atë që shfajësonpaperëndishmin. Ai vendos besimin e tij në Zotin. Ai e pranon Perëndinë sipas Fjalës së Tij. Siç kemi parë, ky nuk është një veprim i merituar. Merita nuk qëndron në besimin e tij, por në synimin e besimit të tij.

Vini re që ai beson në Atë që shfajëson të paperëndishmin. Ai nuk vjen me arsyen që ai ka bërë më të mirën që mund të bënte, që ka jetuar me anë të një Rregulli të Artë [bëj me të tjerët çfarë ti dëshiron ata të bëjnë me ty], që s’ka qenë aq i keq sa të tjerët. Jo, ai vjen si një i paudhë, mëkatar fajtor dhe e hedh veten e tij në mëshirën e Perëndisë.

Dhe cili është përfundimi? Besimi i tij iu llogarit për drejtësi. Sepse ai ka besuar në vend që të punonte, Perëndia vendos drejtësinë në kapar të tij. Nëpërmjet meritës të Shpëtimtarit të ringjallur, Perëndia e vesh atë me drejtësi dhe e bën të përshtatshëm për në parajsë. Që tani e tutje Perëndi e sheh atë në Krishtin dhe e pranon atë mbi këtë bazë.

Për ta përmbledhur, shfajësimi është për të paudhët – jo për njerëzit e mirë. Ai është një çështje hiri – jo borxhi. Dhe shfajësimi merret me anë të besimit, jo me anë të veprave.

4:6 Më pas Pali kthehet te Davidi për të provuar tezën e tij. Fjala sikurse në fillim të këtij vargu tregon që eksperienca e Davidit ishte e njëjtë me atë të Abrahamit. Këngëtari i ëmbël i Izraelit tha që i lumtur është mëkatari të cilin Perëndia e numëron të drejtë pa vepra. Megjithëse Davidi nuk e tha kurrë këtë gjë me kaq fjalë, apostulli e përmbledh atë nga Psalmi 32:1,2 të cilin e citon në vargjet e tjera.

4:7 Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar.

4:8 Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t’ia numërojë mëkatin.

Çfarë pa Pali në këto vargje? Para së gjithash, ai kuptoi që Davidi nuk tha asgjë për veprat; falja është një çështje e hirit të Perëndisë; jo e përpjekjeve të njeriut. Së dyti, ai pa që nëse Perëndia nuk numëron mëkatet e një personi, atëherë ky person duhet të ketë një vend të drejtë para Perëndisë. Përfundimisht, ai pa që Perëndia shfajëson të paudhin; Davidi ishte fajtor për shkelje kurore dhe vrasje, e përsëri në këto vargje ai dëshmon për ëmbëlsinë e faljes së plotë dhe falas.

4:9 Por një ide mund të vërtitet ende në mendjet e Judenjve, që populli i zgjedhur kishte një qoshe në shfajësimin që bën Perëndia, që vetëm ata që ishin të rrethprerë mund të shfajësoheshin. Apostulli i kthehet përsëri Abrahamit për të treguar që nuk është kështu. Ai bën pyetjen: “A është drejtësia vetëm për besimtarët Judenj, apo edhe për Johebrenjtë?” Fakti që Abrahami është përdorur si shembull mund të duket se sugjeron që ishte vetëm për Judenjtë.

4:10 Pali qëndron në një fakt historik që shumica nga ne nuk e kanë vënë re më parë. Ai tregon që Abrahami u shfajësua (Zanafilla 15:6) përpara se të rrethpritej (Zanafilla 17:24). Nëse ati i kombit të Izraelit u shfajësua kur ishte i parrethprerë, atëherë lind pyetja, “Përse nuk mund të shfajësohen njerëzit e tjerë që s’janë të rrethprerë?” Në të vërtetë, Abrahami u shfajësua kur ende ndodhej në tokë Johebrenje dhe kjo lë një derë të hapur për Johebrenjtë e tjerë të shfajësohen, plotësisht larg rrethprerjes.

4:11 Atëherë rrethprerja nuk ishte mjet që shërbeu në shfajësimin e Abrahamit. Ishte thjesht një shenjë e jashtme në mishin e tij që tregonte se ai ishte shfajësuar me anë të besimit. Në themel, rrethprerja ishte shenja e jashtme e besëlidhjes midis Perëndisë dhe kombit të Izraelit, por këtu kuptimi i saj zgjerohet për të treguar drejtësinë që Perëndia ia llogariti Abrahamit nëpërmjet besimit.

Përveç të qenurit një shenjë, rrethprerja ishte një vulë – një vulë drejtësie për besimin që kishte pasur kur ishte ende i parrethprerë. Një shenjë tregon ekzistencën e asaj që përfaqëson. Një vulë autentikon, miraton, çertifikon apo garanton vërtetësinë e asaj që përfaqëson. Rrethprerja i verifikoi Abrahamit që ai ishte trajtuar nga Perëndia si i drejtë nëpërmjet besimit.

Rrethprerja ishte një vulë drejtësie e besimit të Abrahamit. Kjo mund të thotë që besimi i tij ishte i drejtë ose që ai mori drejtësi nëpërmjet besimit. Kjo e fundit është e vërteta; rrethprerja ishte një vulë e drejtësisë që i përkiste besimit të tij ose ishte një vulë për çfarë ai mori [drejtësi] në bazë të besimit.

Ngaqë Abrahami u shfajësua përpara se të rrethpritej, ai mund të jetë ati i njerëzve të tjerë të parrethprerë – që do të thotë, i besimtarëve Johebrenj. Ata mund të shfajësohen në të njëjtën mënyrë që ai u shfajësua – me anë të besimit.

Kur thuhet që Abrahami është ati i besimtarëve Johebrenj, sigurisht që nuk është për pasardhje fisnike. Ajo thjesht nënkupton që këta besimtarë janë bijtë e tij sepse ata imitojnë besimin e tij. Ata nuk janë fëmijët e tij nga lindja, por duke e ndjekur atë si shembull të tyre. Pjesa gjithashtu nuk mëson që besimtarët Johebrenj bëhen Izraeli i Perëndisë. Izraeli i Perëndisë përbëhet nga ata Judenj që pranojnë Jezusin, Mesian si Zot dhe Shpëtimtar të tyre.

4:12 Abrahami mori shenjën e rrethprerjes gjithashtu për një arsye tjetër që ai mund të ishte edhe ati i atyre Judenjve që nuk janë vetëm të rrethprerë, por që gjithashtu ndjekin hapat e tij në një rrugë besimi, llojin e besimit që ai kishte kur ishte ende i parrethprerë.

Ka një ndryshim midis pasardhësve të Abrahamit dhe bijve të Abrahamit. Jezusi u tha farisenjve, “Unë e di që ju jeni pasardhës të Abrahamit” (Gjo. 8:37). Por më pas Ai vazhdoi, “nëse do të ishit bij të Abrahamit do të bënit veprat e tij” (Gjo. 8:39). Kështu Pali këtu ngul këmbë që rrethprerja fizike nuk është ajo çfarë llogaritet. Duhet besim në Perëndinë e gjallë. Ata të rrethprerë që besojnë në Zotin Jezus Krisht janë Izraeli i vërtetë i Perëndisë.

Atëherë si përmbledhje, është një kohë në jetën e Abrahamit kur ai kishte besim dhe ende ishte i parrethprerë, dhe një kohë tjetër kur ai kishte besim dhe ishte i rrethprerë. Syri i mprehtë i Palit sheh në këtë fakt që si besimtarët Johebrenj ashtu edhe ata Judenj mund ta shpallin Abrahamin si atin e tyre dhe mund të identifikohen me të si bijtë e tij.

4:13 “Argumenti vazhdon këmbëngulës kur Pali ndëshkon çdo kundërshtues të mundshëm duke përdorur Shkrimet edhe logjikën” {{13}}. Apostulli tani duhet të merret me atë që thotë se bekimi erdhi nëpërmjet ligjit dhe prandaj Johebrenjtë që nuk e njohën ligjin ishin të mallkuar. (Shih Gjo. 7:49).

Kur Perëndia i premtoi Abrahamit dhe farës së tij se ai do të ishte trashëgimtar i botës, Ai nuk e bëri premtimin të kushtëzuar në besnikëri të ndonjë kodi ligjor (ligji vetë u dha rreth 430 vjet më vonë – Gal. 3:17). Ishte një premtim i pakushtëzuar prej hirit, për t’u marrë me anë të besimit – i njëjti besim me anë të të cilit ne marrim drejtësinë e Perëndisë sot.

Shprehja trashëgimtar i botës do të thotë që ai do të ishte ati i besimtarëve Johebrenj ashtu si dhe Judenj (4:11,12), që ai do të ishte ati i shumë kombeve (4:17, 18) dhe jo vetëm i kombit Jude. Në kuptimin e plotë të tij, premtimi do të përmbushet kur Zoti Jezus, fara e Abrahamit, do të marrë skeptrin e mbretërimit universal dhe të mbretërojë si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve.

4:14 Nëse ata që kërkojnë bekimin e Perëndisë dhe veçanërisht bekimin e shfajësimit, trashëgojnë atë në bazë të zbatimit të ligjit, atëherë besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet. Besimi lihet mënjanë sepse ai është një princip krejt i kundërt me ligjin: besimi është një çështje e të besuarit, kurse ligji një çështje e të bërit. Premtimi atëherë do të ishte pavlerë sepse do të bazohej në kushte që askush s’është në gjendje t’i përmbushë.

4:15 Ligji prodhon zemërimin e Perëndisë, jo bekimin e Tij. Ai dënon ata që dështojnë t’i zbatojnë vazhdimisht edhe dështojnë t’i zbatojnë në mënyrë të përsosur urdhëresat e Tij. Dhe përderisa asnjë s’mund ta bëjë këtë gjë, të gjithë ata që janë nën ligj janë të dënuar të vdesin. Është e pamundur të jesh nën ligj pa qenë nën mallkim.

Por atje ku nuk ka ligj nuk ka as shkelje. Shkelje do të thotë mosrespektim i një ligji që njihet. Pali nuk thotë që atje ku s’ka ligj s’ka mëkat. Një veprim mund të jetë gabim edhe pse nuk ka ligj kundër tij. Por ai bëhet shkelje kur një tabelë është vendosur gjatë rrugës duke thënë, “shpejtësia maksimale 30 km për orë.”

Judenjtë menduan se trashëguan bekim nëpërmjet zotërimit të ligjit, por gjithçka që ata trashëguan ishte shkelje. Perëndia dha ligjin që mëkati mund të shihej si shkelje, ose në një mënyrë tjetër, që mëkati të shihej në gjithë mëkatshmërinë e tij. Perëndia s’kishte kurrë ndërmend që ligji të ishte rruga e shpëtimit për shkelësit mëkatarë!

4:16 Sepse ligji prodhon zemërimin e Perëndisë dhe jo shfajësimin, Perëndia përcaktoi që të shpëtojë njerëzit me anë të hirit nëpërmjet besimit. Ai jep jetën e përjetshme si një dhuratë falas dhe të pamerituar për mëkatarët e paudhë që e pranojnë atë dhuratë me një veprim të thjeshtë besimi.

Në këtë mënyrë premtimi i jetës është i sigurt për gjithë farën. Ne duhet të përmendim dy fjalë këtu – i sigurt dhe të gjithë. Së pari, Perëndia do që premtimi të jetë i sigurt. Nëse shfajësimi varej në veprat e ligjit të bëra nga njeriu, ai s’do të ishte kurrë i sigurt sepse s’do ta dinte nëse kishte bërë mjaftueshëm vepra të mira apo të drejta. Askush që kërkon të fitojë shpëtimin nuk gëzon siguri të plotë. Por kur shpëtimi paraqitet si një dhuratë që merret me anë të besimit, atëherë një njeri mund të jetë i sigurt që ai është shpëtuar me autoritetin e Fjalës së Perëndisë.

Së dyti, Perëndia do që premtimi të jetë i sigurt për të gjithë farën – jo vetëm për Judenjtë, të cilëve u është dhënë ligji, por gjithashtu Johebrenjve që vendosin besimin e tyre në Zotin, në të njëjtën mënyrë si Abrahami bëri. Abrahami është ati i të gjithë neve – që do të thotë, i gjithë besimtarëve Judenj dhe Johebrenj.

4:17 Për të konfirmuar atësinë e Abrahamit mbi gjithë besimtarët, Pali citon Zanafillën 17:5 si një parantezë: “Unë të bëj babanë e një shumice kombesh.” Zgjedhja e Izraelit nga Perëndia si populli i Tij i zgjedhur tokësor, nuk do të thotë që hiri dhe mëshira e Tij do të kufizohej në ta. Apostulli me mjeshtëri citon varg pas vargu nga Dhjata e Vjetër, për të treguar që gjithmonë ishte qëllimi i Perëndisë për të nderuar besimin kudo që Ai e gjente atë.

Fraza, para Atij që ai besoi, vazhdon mendimin nga 4:16, “… Abrahami që është ati i të gjithë neve.” Lidhja është kjo: Abrahami është ati i të gjithë neve në këndvështrimin e Atij (Perëndisë) të cilin ai (Abrahami) e besoi, madje Perëndisë që u jep jetë të vdekurve dhe flet për gjëra që nuk janë ende, sikur të ishin tashmë. Për të kuptuar këtë përshkrim të Perëndisë, ne duhet vetëm të shohim vargjet në vazhdim. Perëndia i jep jetë të vdekurve (Abrahamit dhe Sarës) që megjithëse s’ishin të vdekur fizikisht, ata ishin pa fëmijë dhe kishin kaluar moshën kur mund të kishin fëmijë (shih 4:19). Perëndia thërret ato gjëra që s’janë, sikur të ishin – që do të thotë, një pasardhje e panumërt e që përfshin shumë kombe (4:18).

4:18 Në vargjet e mëparshme Pali ka theksuar që premtimi iu bë Abrahamit me anë të besimit dhe jo me anë të ligjit që mund të ishte me anë të hirit dhe që të ishte i sigurt për të gjithë farën. Kjo të çon natyrshëm në një konsiderim të besimit të Abrahamit në Perëndinë e ringjalljes. Perëndia i premtoi Abrahamit pasardhje të panumërt si yjet dhe rëra. Sipas njerëzve, shanset ishin të pashpresa. Por në të kundërt me shpresën njerëzore, Abrahami besoi me shpresë se ai do të bëhej ati i shumë kombeve, ashtu si Perëndia i kishte premtuar në Zanafilla 15:5, “kështu do të jenë pasardhësit e tu.”

4:19 Kur premtimi i një pasardhjeje të madhe iu bë fillimisht Abrahamit ai ishte 75 vjet (Zanafilla 12:2-4). Në atë kohë ai ende ishte në gjendje të bëhej një baba, sepse pas kësaj atij i lindi Ismaeli (Zanafilla 16:1-11). Por në këtë varg Pali është duke folur për kohën kur Abrahami ishte rreth 100 vjeç dhe premtimi ishte rinovuar (Zanafilla 17:15-21). Por tani mundësia për të krijuar një jetë të re, përveç fuqisë së mrekullueshme të Perëndisë, ishte zhdukur. Megjithatë Perëndia i kishte premtuar atij një bir dhe Abrahami besoi në premtimin e Perëndisë.

Duke mos qenë aspak i dobët në besim, ai nuk i kushtoi kujdes trupit të tij {{14}}, i cili ishte pothuajse i vdekur, as barkut të vdekur të Sarës. Sipas njerëzve, ishte plotësisht pashpresë, por Abrahami kishte besim.

4:20 Pamundësia në dukje që premtimi s’do të përmbushej kurrë nuk e lëkundi atë. Perëndia e kishte thënë atë; Abrahami e besoi atë; dhe kjo e vendosi atë. Përsa i takon patriarkut kishte vetëm një mundësi dhe kjo ishte që Perëndia të gënjente. Besimi i Abrahamit ishte i fortë dhe i palëkundur. Ai i dha lavdi Perëndisë duke e nderuar Atë si një që me siguri do përmbushte premtimin e Tij duke mos përfillur të gjitha ligjet e mundësisë apo probabilitetit.

4:21 Abrahami nuk e dinte se si Perëndia do ta plotësonte premtimin, por kjo ishte e parëndësishme. Ai e njihte Perëndinë dhe kishte çdo siguri që Perëndia ishte plotësisht i fuqishëm të bënte atë që kishte premtuar. Nga njëra anë ishte një besim i mrekullueshëm, por nga ana tjetër ishte gjëja më e arsyeshme që mund të bëhej, sepse Fjala e Perëndisë është gjëja më e sigurt në univers dhe Abrahami s’kishte asnjë rrezik duke e besuar atë!

4:22 Perëndia ishte i kënaqur që gjeti një njeri i cili konsideroi Fjalën e Tij; Ai gjithmonë është i kënaqur. Dhe kështu Ai e numëroi për drejtësi në llogari të Abrahamit. Aty ku dikur kishte një llogari plot me mëkat dhe faj, tani s’kishte gjë tjetër veçse një qëndrim të drejtë përpara Perëndisë. Abrahami ishte çliruar nga dënimi dhe ishte shfajësuar nga një Perëndi i shenjtë, nëpërmjet besimit.

4:23 Ngjarja historike e shfajësimit të tij me anë të besimit nuk u shkrua vetëm për të. Sigurisht, është një mendim ku mund të thuhet që ishte shkruar vetëm për të – një kujtim i përhershëm i pafajësisë së tij dhe tani i qëndrimit të tij të përsosur përpara Perëndisë.

4:24 Por ishte shkruar gjithashtu për ne. Besimi ynë llogaritet njësoj për drejtësi kur ne besojmë në Perëndinë që ringjalli prej së vdekurish Jezusin, Zotin tonë. Ndryshimi i vetëm është ky: Abrahami besoi që Perëndia do t’i jepte të vdekurit (që do të thotë trupit të tij të dobët dhe barkut të vdekur të Sarës). Ne besojmë që Perëndia i ka dhënë jetë të vdekurit duke ringjallur Zotin Jezu Krisht.

C. H. Macintosh shpjegon:

Abrahami ishte thirrur të besonte një premtim, ndërkohë që ne jemi të privilegjuar të besojmë në një fakt të kryer. Ai ishte thirrur të shihte përpara për diçka që do të bëhej, kurse ne shohim pas në diçka që është bërë, madje një shpengim i kryer, u vërtetua nga fakti i një Shpëtimtari të ringjallur dhe të lartësuar në të djathtën e madhërisë në qiej. {{15}}

4:25 Zoti Jezus u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për shfajësimin tonë. Megjithëse parafjala për shkak (Greqisht dia) është përdorur këtu në lidhje me të dyja, fyerjet tona dhe shfajësimin tonë, teksti kërkon një domethënie të ndryshme në secilin rast. Ai u dha jo vetëm për shkak të fyerjeve tona, por me qëllim që t’i hiqte ato. Ai u ringjall për shkak të shfajësimit tonë – që do të thotë, me qëllim që të tregonte kënaqjen e plotë të Perëndisë me veprën e Krishtit me anë të së cilës ne jemi shfajësuar. Në rastin e parë, fyerjet tona ishin problemi me të cilin duhet të merrej. Në rastin e dytë, shfajësimi ynë është rezultati i siguruar nga ringjallja e Krishtit. Nuk do të kishte asnjë shfajësim nëse Krishti do të mbetej në varr. Por fakti që Ai u ringjall na tregon që vepra është kryer dhe Perëndia është përfundimisht i kënaqur me veprën e shpëtimit për shlyerjen e mëkatit.

F. Përfitimet praktike nga Ungjilli (5:1-11)

Apostulli çon përpara çështjen e shfajësimit duke ngritur pyetjen: Cilat janë të mirat e shfajësimit në jetën e besimtarit? Me fjalë të tjera, a funksionon ai? Përgjigjja e apostullit është një po kumbuese, sepse ai numëron shtatë bekime kryesore që zotëron çdo besimtar. Këto bekime rrjedhin në çdo besimtar nëpërmjet Krishtit. Ai është Ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njeriut dhe gjithë dhuratat e Perëndisë kalojnë nëpërmjet Atij.

5:1 Përfitimi i parë i madh që gëzohet nga ne që jemi shfajësuar me anë të besimit është paqja me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. Lufta ka mbaruar. Veprimet luftarake janë ndërprerë. Nëpërmjet veprës së Krishtit gjithë shkaqet e armiqësisë midis shpirtrave tanë dhe Perëndisë janë hequr. Ne jemi ndryshuar nga të qenurit armiq në miq me anë të një mrekullie të hirit.

5:2 Gjithashtu ne gëzojmë një hyrje në një pozicion të papërshkrueshëm favorizues me Perëndinë. Ne jemi të pranuar në të Dashurin; prandaj ne jemi aq afër dhe të dashur për Perëndinë sa Biri i Tij i dashur. Ati na drejton skeptrin e Tij të artë dhe na mirëpret si bij, jo si të huaj. Ky hir, apo vendi i favorizuar, përfshin çdo aspekt të pozicionit tonë përpara Perëndisë, një vend që është aq i përsosur dhe i përhershëm sa i Krishtit sepse ne jemi në Të.

E sikur të mos ishin të mjaftueshme, ne gjithashtu mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Kjo do të thotë që ne me gëzim presim kohën kur ne jo vetëm do shohim shkëlqimin e Perëndisë, por vetë ne do të shfaqemi në lavdi. (Shih Gjo. 17:22; Kol. 3:4). Ne s’mund ta kuptojmë gjithçka rreth kësaj shprese këtu në tokë, as do ta mposhtim habinë e saj nëpërmjet gjithë përjetësisë.

5:3 Bekimi i katërt që rrjedh nga shfajësimi është që ne gjithashtu mburremi edhe në shtrëngime – jo aq në shqetësimet e tanishme të shtrëngimeve sesa në rezultatet që sjellin shtrëngimet (Heb. 12:11). Është një nga paradokset më të mrekullueshme të besimit të krishterë që gëzimi ekziston bashkë me fatkeqësinë. E kundërta e gëzimit është mëkati, jo vuajtja. Një nga prodhimet e dyta të shtrëngimit është që ai sjell këmbënguljen apo vendosmërinë. Ne s’mund të zhvillonim kurrë këmbënguljen nëse jetët tona do të ishin pa probleme.

5:4 Pali tani vazhdon të shpjegojë që këmbëngulja përpunon përvojën. Kur Perëndia na sheh duke kaluar sprovat tona dhe duke drejtuar zemrat tona tek Ai që të përmbushë qëllimet e Tij nëpërmjet sprovave, Ai na shpërblen me Vulën e Tij të Mirë të Durimit për Miratim. Ne jemi provuar dhe miratuar. Dhe kjo ndjenjë e miratimit të Tij na mbush ne me shpresë. Ne dimë që Ai është duke punuar në jetët tona, duke zhvilluar karakterin tonë. Kjo na siguron që duke filluar një punë të mirë në ne, Ai do ta çojë deri në fund. (Fil. 1:6)

5:5 Shpresa nuk turpëron. Nëse ne do të shpresonim për diçka, por më vonë do të zbulonim që s’do ta kishim kurrë atë gjë, shpresa jonë do të kthehej në turp apo në zhgënjim. Por shpresa e shpëtimit tonë nuk do të na kthehet në turp. Ne nuk do të zhgënjehemi kurrë apo të zbulojmë që ne kemi qëndruar mbi një siguri të rreme. Si mund të jemi kaq të sigurt? Sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona. Dashuria e Perëndisë mund të nënkuptojë dashurinë e Tij për ne ose dashurinë tonë për Të. Këtu bëhet fjalë për të parën sepse vargjet 6-20 rrëfejnë disa nga provat më të mëdha të dashurisë që Perëndia ka për ne. Fryma e Shenjtë që na jepet në çastin kur ne besojmë, mbush zemrat tona me këto shprehje dashurie të përjetshme të Perëndisë dhe me to ne jemi të sigurt që Ai do të na përcjellë të sigurt në shtëpi në qiell. Pasi merr Frymën, do ta kuptosh që Perëndia të do. Kjo nuk është një ndjenjë mistike, e turbullt që “Dikush atje lart” kujdeset për njerëzimin, por bindja e thellë që një Perëndi personal në të vërtetë të do ty si individ.

5:6 Në vargjet 6-20, Pali argumenton nga më e pakta në më të shumtën. Logjika e tij është kjo, që nëse dashuria erdhi tek ne kur ne ishim armiqtë e Tij, a nuk do të na mbrojë akoma më shumë tani që ne i përkasim Atij? Kjo na çon ne në përfitimin e pestë që vjen nga shfajësimi ynë; ne jemi përjetësisht të sigurt në Krishtin. Duke zhvilluar këtë temë, apostulli paraqet pesë “shumë më tepër”

“Shumë më tepër” në shpëtimin nga zemërimi (5:9)

“Akoma më tepër” në shpëtimin [ose mbrojtjen] me anë të jetës së Tij të ringjallur (5:10)

“Shumë më tepër” në dhuratën e hirit (5:15)

“Akoma më shumë” në mbretërimin e besimtarit në jetë (5:17)

“Akoma më i tepër” në hirin e tepërt (5:20)

Në vargjet 6,7,8 Pali thekson çfarë ne ishim (pa fuqi, të paudhë, mëkatarë) kur Krishti vdiq për ne. Në vargjet 9, 10 ai thekson çfarë ne jemi tani (të shfajësuar me anë të gjakut të Krishtit, të pajtuar me anë të vdekjes së Tij) dhe siguria që rrjedh për atë çfarë Shpëtimtari do të bëjë për ne (çlirimi nga zemërimi, mbrojtja me jetën e Tij).

Fillimisht na kujton që ishim të dobët, pa shpresë, pa fuqi dhe që nuk ishim në gjendje të shpëtonim vetveten. Por në kohën e paracaktuar Zoti Jezu Krisht na vizitoi dhe vdiq për njerëzit. Dhe Ai nuk vdiq për të mirët, siç mund të supozojnë disa, por për të paudhin. Nuk kishte asnjë virtyt, asnjë mirësi në ne që të na drejtonte tek Perëndia. Ne ishim kaq të pavlerë, por megjithatë Krishti vdiq për ne.

5:7 Ky akt i dashurisë hyjnore ishte unik dhe i pakrahasueshëm me asgjë në eksperiencën njerëzore. Jeta e njeriut është kaq e çmuar për të dhe ai s’do të mendojë kurrë ta hedhë atë poshtë për një njeri të pavlerë. P.sh., ai s’do të vdesë kurrë për një vrasës, një shkelës kurore, apo një mëkatar tjetër. Në fakt ai s’do të kishte dëshirë të vdiste madje për një njeri “të drejtë,” një njeri të ndershëm dhe të besueshëm. Është e mundur ne një rast ekstrem që ai do të vdiste për një njeri “të mirë”, d.m.th. për një njeri mirëdashës, miqësor, dhe i dashur.

5:8 Dashuria e Perëndisë është plotësisht e mbinatyrshme dhe e një bote tjetër. Ai tregoi dashurinë e Tij të mrekullueshme ndaj nesh duke dërguar Birin e Tij të Dashur të vdiste për ne kur ne ende ishim mëkatarë. Nëse pyesim, “Përse e bëri Ai këtë?” duhet të kërkojmë një përgjigje në vullnetin sovran të Perëndisë. Nuk kishte asgjë të mirë në ne që të shkaktonte një dashuri të tillë.

5:9 Tani një pjesë tjetër kushtesh ekziston. Ne nuk llogaritemi më si mëkatarë fajtorë. Në çmimin e madh të gjakut të Shpëtimtarit, derdhur për ne në Kalvar, ne jemi konsideruar të drejtë nga Perëndia. Përderisa Ai ka paguar një çmim kaq të lartë për të na shfajësuar kur ne ishim mëkatarë, shumë më tepër a nuk do të na shpëtojë Ai nga zemërimi nëpërmjet Krishtit? Përderisa Ai ka paguar çmimin më të madh për të na çuar në favorin e Tij, a është e mundur që Ai do të lejojë që ne të humbim në fund?

Të shpëtuar nga zemërimi mund të nënkuptojë si “të shpëtuar jashtë zemërimit” ose “të çliruar nga çdo kontakt me zemërimin.” Këtu ne besojmë që parafjala (Greke apo) do të thotë – të shpëtuar nga çdo kontakt me zemërimin e Perëndisë, qoftë në kohë apo në përjetësi.

5:10 Duke u kthyer pas në atë çfarë ne ishim dhe çfarë jemi tani, mendo në këtë mënyrë. Ishte kur ne ishim armiq që ne u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes të Birit të Tij. Ne ishim armiq me Zotin dhe ishim mjaft të kënaqur nga kjo gjendje. Përsa na përket neve, ne nuk ndiemë nevojën të pajtoheshim me Të. Mendoni pak – armiq me Perëndinë!

Perëndia nuk kishte qëndrimin tonë në këtë çështje. Ai ndërhyri me një shfaqje të pastër hiri. Vdekja zëvendësuese e Krishtit hoqi shkakun e armiqësisë sonë me Perëndi – faktikisht, mëkatet tona. Me anë të besimit në Krishtin ne jemi pajtuar me Perëndinë.

Nëse Perëndia e bleu me kaq dashuri pajtimin tonë, a do të na lërë Ai të largohemi? Nëse ne u pajtuam nëpërmjet vdekjes së Birit të Tij, që është simbol i dobësisë absolute [d.m.th. vdekje], a nuk do të mbrohemi ne deri në fund nga jeta e tanishme e Krishtit në të djathtë të Perëndisë, një jetë e një fuqie të pafund? Nëse vdekja e Tij pati një fuqi të tillë që na shpëtoi, sa më tepër do të ketë fuqi jeta e Tij të na mbajë ne!

5:11 Dhe tani vijmë në përfitimin e shtatë që vjen nga shfajësimi: ne gjithashtu mburremi në Perëndinë nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht. Ne jo vetëm mburremi me dhuratat e Tij, por me Dhuruesin vetë. Përpara se të shpëtoheshim ne i gjenim gëzimet tona diku tjetër. Tani ne gëzojmë sa herë që kujtojmë Atë dhe jemi të hidhëruar kur e harrojmë Atë. Çfarë e ka prodhuar këtë ndryshim që ne tani gëzohemi në Perëndinë? Është vepra e Zotit Jezu Krisht. Ashtu si gjithë bekimet tona të tjera, ky gëzim vjen tek ne nëpërmjet Tij.

Përfitimi i shtatë që ne gëzojmë nëpërmjet shfajësimit gjendet në fjalët: Ne tani kemi marrë pajtimin {{16}}. Pajtimi i referohet vendosjes së harmonisë midis Perëndisë dhe njeriut nëpërmjet veprës sakrifikuese të Shpëtimtarit. Hyrja e mëkatit solli ndarje, largim, dhe armiqësi midis njeriut dhe Perëndisë. Duke hequr mëkatin, i cili shkaktoi largimin, Zoti Jezus i rivendosi ata që besojnë në Të në një gjendje harmonie me Perëndinë. Ne duhet të vëmë re që Perëndia nuk kishte nevojë të pajtohet. Përkundrazi, ishte njeriu që kishte nevojë të pajtohet sepse ishte në armiqësi me Perëndinë.

G. Triumfi i veprës së Krishtit mbi mëkatin e Adamit. (5:12-21)

5:12 Pjesa tjetër e kapitullit 5 shërben si një urë midis pjesës së parë të letrës dhe tre kapitujve të tjerë në vazhdim [kap. 6-8]. Ajo lidhet me pjesën e parë duke diskutuar subjektet e dënimit nëpërmjet Adamit dhe shfajësimit nëpërmjet Krishtit, dhe duke treguar që vepra e Krishtit ia tejkalon në bekim asaj që Adami bëri në humbje dhe mjerim. Kjo pjesë lidhet me kapitujt 6-8 duke kaluar nga shfajësimi në shenjtërim dhe nga veprat e mëkatit tek mëkati në natyrën njerëzore.

Adami është portretizuar në këto vargje si koka federale apo përfaqësuese e gjithë atyre që janë në krijimin e vjetër. Krishti është paraqitur si koka federale e të gjithë atyre që janë në krijimin e ri. Një kokë federale vepron për të gjithë ata që janë nën të. P.sh., kur presidenti i një shteti shënon një projekt ligj në ligjet, ai është duke vepruar për të gjithë shtetasit e atij vendi.

Kjo ndodh në rastin e Adamit. Si një rezultat i mëkatit të tij, vdekja hyri në botë. Vdekja u bë fati i përbashkët i të gjithë pasardhësve të Adamit, sepse të gjithë ata mëkatuan në të. Është e vërtetë që të gjithë ata kryen akte mëkati si individë, por kjo nuk është mendimi që ekziston këtu. Çështja që Pali paraqet këtu është ajo që mëkati i Adamit ishte një akt përfaqësues dhe gjithë pasardhja e tij është llogaritur se ka mëkatuar në të.

Dikush mund të kundërshtojë atë duke thënë që ishte Eva dhe jo Adami që kreu mëkatin e parë në tokë. Kjo është e vërtetë, por përderisa Adami ishte i pari që ishte krijuar, kryesia i ishte dhënë atij. Kështu Adami është parë si ai që ka vepruar për gjithë pasardhësit e tij.

Kur apostulli Pal thotë këtu që vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, ai i referohet vdekjes fizike, megjithëse mëkati i Adamit solli po ashtu edhe vdekjen shpirtërore (v 13 dhe 14 tregojnë që po flitet për vdekjen fizike).

Kur ne vijmë në këtë pjesë të shkrimit ngrihen pyetje të pashmangshme. A është e drejtë që pasardhja e Adamit duhet të konsiderohet mëkatare sepse ai mëkatoi? A dënon Perëndia njerëzit ngaqë kanë lindur mëkatarë, apo vetëm për ato mëkate që ata kanë kryer? Nëse njerëzit janë lindur me një natyrë mëkatare, dhe nëse ata mëkatojnë sepse kanë lindur mëkatarë, si mund të kërkojë Perëndia llogari për ato që ata bëjnë?

Studiuesit e Biblës janë ndeshur me pyetje të tilla dhe të tjera si këto dhe kanë arritur në shumë përfundime të çuditshme. Megjithatë ka disa fakte për të cilat mund të jemi të sigurt.

Së pari, Bibla na mëson që të gjithë njerëzit janë mëkatarë, si nga natyra ashtu edhe nga praktika. Kushdo që lind nga prindër njerëzorë trashëgon mëkatin e Adamit dhe gjithashtu mëkaton me zgjedhjen e tij të lirë.

Së dyti, ne dimë që paga e mëkatit është vdekja – si ajo fizike ashtu edhe ndarja e përjetshme nga Perëndia.

Por askush nuk duhet të paguajë ndëshkimin e mëkatit po të mos dojë. Kjo është pikë e rëndësishme. Me një çmim të lartë, Perëndia dërgoi Birin e Tij të vdesë si një zëvendësues për mëkatarët. Shpëtimi nga mëkati dhe nga paga e tij është ofruar si një dhuratë falas nëpërmjet besimit në Zotin Jezu Krisht.

Njeriu është i dënuar në tre fusha: Ai ka një natyrë mëkatare, mëkati i Adamit i është ngarkuar, dhe ai është një mëkatar nga praktika. Por faji që e kurorëzon njeriun është që ai refuzon çfarë Perëndia ka siguruar për shpëtimin e tij (Gjoni 3:18, 19, 36).

Por dikush mund të pyesë, “Po ata që nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë Ungjillin?” Kjo pyetje ka gjetur sadopak përgjigje në kapitullin e parë. Përveç kësaj ne mund të qëndrojmë në sigurinë që gjykimi i gjithë tokës do të bëjë drejtësi (Zanafilla 18:25). Ai s’do të veprojë kurrë padrejtësisht. Të gjitha vendimet e Tij janë bazuar në paanësi dhe në drejtësi. Edhe pse situata të caktuara paraqesin probleme në këndvështrimin tonë të turbullt, ato nuk janë probleme për Atë. Kur çështja e fundit të jetë dëgjuar dhe dyert e gjykatës të jenë mbyllur, askush s’do të ketë një bazë legjitime për të apeluar vendimin e gjyqit.

5:13 Pali tani do të demonstrojë që mëkati i Adamit preku gjithë racën. Në fillim ai tregon që mëkati ekzistonte në botë gjatë periudhës nga Adami në dhënien e ligjit në Malin Sinai. Por gjatë kësaj kohe nuk kishte një ligj të Perëndisë të zbuluar qartë. Adami kishte marrë një urdhëresë të qartë gojore nga Zoti dhe shumë shekuj më vonë 10 Urdhëresat ishin një zbulim i veçantë i shkruar i ligjit hyjnor. Por në periudhën më parë njeriu nuk kishte një kod ligjor nga Perëndia. Prandaj, megjithëse mëkati ekzistonte në atë kohë, nuk kishte shkelje sepse shkelja është moszbatimi i një ligji që njihet. Por mëkati nuk numërohet si shkelje nëse nuk ka ligj që e ndalon atë.

5:14 Por vdekja nuk pati ndonjë pushim gjatë periudhës që nuk kishte ligj. Me përjashtimin e vetëm të Enokut, vdekja sundoi mbi gjithë njerëzimin. Ju s’mund të thoni që këta njerëz vdiqën sepse kishin shkelur një urdhëresë të qartë nga Perëndia, siç bëri Adami. Atëherë përse vdiqën ata? Përgjigjja nënkuptohet: Ata vdiqën sepse kishin mëkatuar në Adamin. Nëse kjo duket e padrejtë, kujtoni që kjo s’ka të bëjë fare me shpëtimin. Të gjithë ata që vendosën besimin e tyre në Zotin ishin shpëtuar përjetësisht. Po ata vdiqën njësoj fizikisht, dhe arsyeja që vdiqën ishte nga mëkati i kreut të tyre federal, Adamit. Në rolin e tij si kreu federal, Adami ishte një figurë (simbol) e Atij që duhej të vinte – që është Zoti Jezu Krisht. Në vargjet që vijojnë Pali do të paraqesë subjektin e këtyre dy krerëve federalë, dhe më tepër kontrastet sesa ngjashmëritë. Ai do të tregojë që:

Në Krishtin bijtë e Adamit gëzojnë

më shumë bekime nga ç’humbi ati i tyre

5:15 Kontrasti i parë ishte midis shkeljes së Adamit dhe dhuratës falas të Krishtit. Nga shkelja e të parit shumë vdiqën. Fjala shumë këtu sigurisht që i referohet pasardhësve të Adamit. Fjala vdekje këtu mund të përfshijë si vdekjen shpirtërore ashtu edhe atë fizike.

Dhurata falas tepron për shumë të tjerë. Dhurata falas është manifestimi i mrekullueshëm i hirit të Perëndisë që i tepron racës së mëkatarëve. Ajo është bërë e mundur me anë të hirit të një Njeriu, Jezu Krishtit. Arsyeja që Ai vdiq për krijesat e Tij rebele ishte hiri i mrekullueshëm nga ana e Tij. Nëpërmjet vdekjes së Tij sakrifikuese, dhurata e jetës së përjetshme u ofrohet shumtëve.

Dy fjalët “shumë” që janë përdorur në këtë varg nuk i referohen të njëjtët njerëzve. E para, përfshin gjithë ata që u bënë subjekt i vdekjes si rezultat i shkeljes së Adamit. E dyta, përfshin gjithë ata që u bënë anëtarë të krijesës së re, në të cilën Krishti është kreu federal. Ajo përfshin vetëm ata të cilëve u teproi hiri i Perëndisë – pra besimtarët e vërtetë. Ndërkohë që mëshira e Perëndisë është derdhur për të gjithë, hiri i Tij përvetësohet vetëm nga ata që besojnë Shpëtimtarin.

5:16 Është një kontrast tjetër i rëndësishëm midis mëkatit të Adamit dhe dhuratës së Krishtit. Shkelja e vetme e Adamit solli një gjykim të paevitueshëm dhe vendimi i gjykimit ishte “i dënuar.” Dhurata falas e Krishtit, nga ana tjetër, ka të bëjë konkretisht me shumë shkelje, jo vetëm një, dhe rezulton në vendimin “i shfajësuar.” Pali vë në dukje ndryshimet midis mëkatit të Adamit dhe dhuratës falas së Krishtit, midis shkatërrimit të tmerrshëm që u shkaktua nga një mëkat dhe çlirimit të mrekullueshëm nga shumë mëkate [nëpërmjet veprës së Krishtit], dhe përfundimisht midis vendimit të dënimit dhe vendimit të shfajësimit.

5:17 Prej shkeljes së këtij njeriu të vetëm vdekja mbretëroi si një tiran kriminel. Por prej dhuratës së drejtësisë, një dhuratë e një hiri të bollshëm, të gjithë besimtarët mbretërojnë në jetë me anë të Atij Njeriu, Jezu Krishtit.

Çfarë hiri është ky! Ne jo vetëm që jemi të çliruar nga mbretëria e vdekjes së një tirani mbi ne, por ne mbretërojmë si mbretër, duke shijuar jetë tani dhe në përjetësi. A e kuptojmë dhe e vlerësojmë në të vërtetë këtë gjë? A jetojmë ne si anëtarë të mbretërisë apo shtrihemi midis ndyrësive të kësaj bote?

5:18 Shkelja e Adamit solli dënim për gjithë njerëzimin, por akti i drejtësisë së Krishtit solli shfajësimin e jetës për të gjithë. Akti i drejtësisë nuk ishte jeta e Shpëtimtarit apo zbatimi i ligjit nga ana e Tij, por për më tepër vdekja e Tij zëvendësuese në Kalvar. Kjo është ajo që solli shfajësimin e jetës – që do të thotë, shfajësimin që rezulton në jetë – dhe e solli atë për të gjithë njerëzit.

Dy fjalët “të gjithë” në këtë varg nuk i referohen të njëjtët njerëzve. E para, do të thotë të gjithë që janë në Adamin. E dyta do të thotë të gjithë që janë në Krishtin. Kjo është e qartë nga fjalët në vargun e mësipërm, “ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës së drejtësisë…” Dhurata duhet marrë nëpërmjet besimit. Vetëm ata që besojnë Zotin marrin shfajësimin e jetës.

5:19 Ashtu si nga mosbindja e Adamit ndaj urdhërit të Perëndisë të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e Krishtit ndaj Atit shumë që besojnë në Të janë deklaruar të drejtë. Bindja e Krishtit e çoi Atë në kryq si Mbartësi i mëkateve tona.

Është e kotë për universalistët [ata që besojnë që të gjithë njerëzit do të shpëtohen] të përdorin këto vargje për të provuar që gjithë njerëzit do të shpëtohen. Pjesa ka të bëj me dy kryesi federale, dhe është e qartë që ashtu si mëkati i Adamit preku gjithë ata që janë “në të,” kështu dhe akti i drejtësisë së Krishtit i sjell dobi vetëm atyre që “janë në Të.”

5:20 Ajo çfarë Pali ka thënë mund të ketë qenë një tronditje për kundërshtarin Jude i cili ndjen që çdo gjë rrotullohet rreth ligjit. Tani ky kundërshtar mëson që mëkati dhe shpëtimi nuk përqendrohen tek ligji por tek dy krerët federalë. Duke qenë kjo çështja, ai mund të guxojë të pyesë, “atëherë përse u dha ligji?” Apostulli përgjigjet, “Ligji ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej.” Ai nuk i dha origjinën e mëkatit, por ai zbuloi mëkatin në gjithë karakterin e tij të tmerrshëm.

Por hiri i Perëndisë provon se është më i madh se gjithë mëkati i njeriut. Aty ku mëkati është i tepruar, hiri i Perëndisë në Kalvar është akoma më i tepërt!

5:21 Tani që mbretërimi i mëkatit, i cili ndëshkonte me vdekje gjithë njerëzit, ka mbaruar, hiri mbretëron me anë të drejtësisë, duke dhënë jetë të përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. Vini re që hiri mbretëron me anë të drejtësisë. Të gjitha kërkesat e shenjtërisë së Perëndisë janë përmbushur dhe dënimi që jep ligji është paguar, kështu tani Perëndia mund t’i garantojë jetë të përjetshme gjithë atyre që pranojnë meritat e Krishtit, Zëvendësit të tyre.

Ndoshta në këto vargje ne kemi një përgjigje të pjesshme të pyetjes së zakonshme, “Përse e lejoi Perëndia mëkatin të hyjë në botë?” Përgjigjja është që Perëndia ka marrë më shumë lavdi dhe njeriu ka marrë më shumë bekime nëpërmjet sakrificës së Krishtit sesa nëse mëkati nuk do të kishte hyrë kurrë. Ne jemi shumë më mirë në Krishtin sesa do të kishim qenë në Adamin e parrëzuar. Nëse Adami s’do të kishte mëkatuar kurrë, ai do të kishte gëzuar jetë të vazhdueshme në tokë në kopshtin e Edenit. Por ai s’do të kishte perspektivën e të qenurit një bir i shfajësuar i Perëndisë, një trashëgimtar i Perëndisë apo një trashëgimtar i përbashkët me Jezu Krishtin dhe përgjithmonë si Ai. Këto bekime erdhën vetëm me anë të veprës shpenguese të Jezu Krishtit Zotit tonë.

H. Rruga e Ungjillit për një jetë të shenjtë. (Kapitulli 6)

Ajo çfarë Pali tha në mbyllje të kapitullit pesë – që hiri tepron mbi gjithë mëkatin e njeriut – ngre një pyetje tjetër të rëndësishme. A lejon apo inkurajon mësimi i Ungjillit (shpëtim nëpërmjet hirit me anë të besimit), një jetë me mëkate?

Përgjigjja, që është një mohim i theksuar, shtrihet në kapitujt 6-8. Këtu në kapitullin 6 përgjigjja përqendrohet rreth tre fjalëve kyçe: dini (v 3,6), konsideroheni (v 11), dhe jepni (paraqitni) (v13).

N.q.s. ne kuptojmë ndryshimin midis pozicionit të besimtarit dhe praktikës së tij, kjo do të na ndihmojë të ndjekim argumentin e Palit në këtë kapitull. Pozicioni është të qëndruarit e besimtarit në Krishtin. Praktika është ajo çfarë besimtari është apo çfarë duhet të jetë ai në jetën e përditshme.

Hiri na vendos ne në një pozicion, e më pas na mëson si të ecim denjësisht për të. Pozicioni ynë është absolutisht i përsosur sepse ne jemi në Krishtin. Praktika jonë duhet të përputhet gjithmonë e më shumë me pozicionin tonë. Asnjëherë s’do të përputhet përsosmërisht derisa ne të shohim Shpëtimtarin tonë në qiell, por ne duhet t’i përshtatemi shumë e më shumë imazhit të Tij gjatë kësaj kohe.

Fillimisht apostulli parashtron të vërtetën e identifikimit tonë me Krishtin në vdekjen dhe ringjalljen dhe më pas na nxit ne për një jetë në dritën e kësaj të vërtete të madhe.

6:1 Kundërshtari Jude vazhdon me çfarë ai mendon se është një argument mbërthyes. Nëse Ungjilli i hirit mëson që mëkati i njeriut siguron një shfaqje më të madhe të hirit të Perëndisë, atëherë a nuk sugjeron ky Ungjill që ne duhet të mbetemi në mëkat që hiri të mund të teprojë gjithmonë?

Një version modern i këtij argumenti është si më poshtë: “Ju thoni se njerëzit janë shpëtuar me anë të hirit nëpërmjet besimit, jo me anë të ligjit. Por nëse gjithçka që duhet të bëni për t’u shpëtuar është besimi, atëherë ju mund të shkoni të jetoni në mëkat.” Sipas këtij argumenti, hiri nuk është një motiv i mjaftueshëm për jetesë të shenjtë. Ju duhet t’i vendosni njerëzit nën kontrollin e ligjit.

Mjaft dobishëm janë sugjeruar katër përgjigje në kapitullin për këtë pyetje, “A të mbetemi në mëkat?”

  1. Ju nuk mundeni sepse i jeni bashkuar Krishtit. Arsyetimi (v 1-11)
  2. Ju s’keni nevojë sepse mbizotërimi i mëkatit është thyer nga hiri. Thirrja (v 12-14)
  3. Ju s’duhet sepse mund ta sjellë përsëri mëkatin si padronin tuaj. Urdhërime (v 15-19)
  4. Më mirë jo sepse do të përfundojë në shkatërrim. Paralajmërim (v 20-23) {{17}}

6:2 Atëherë përgjigjja e parë e Palit është që ne s’mund të vazhdojmë në mëkat sepse ne jemi të vdekur për mëkatin. Kjo është një e vërtetë pozicionale. Kur Krishti vdiq për mëkatin, Ai vdiq si përfaqësuesi ynë. Ai vdiq jo vetëm si zëvendësi ynë, d.m.th. për ne në vendin tonë, por Ai vdiq gjithashtu si përfaqësuesi ynë – pra, si ne. Prandaj kur Ai vdiq, ne vdiqëm. Ai vdiq për të gjithë çështjen e mëkatit duke e fundosur atë njëherë e përgjithmonë. Të gjithë ata që janë në Krishtin shihen nga Perëndia si të kenë vdekur për mëkatin.

Kjo s’do të thotë që besimtari është pa mëkat. Do të thotë që ai është identifikuar me Krishtin në vdekjen e Tij dhe në gjithçka që nënkupton vdekja e Tij.

6:3 Fjala e parë kyçe në paraqitjen e Palit është DI. Këtu ai paraqet subjektin e pagëzimit për të treguar që është moralisht e papajtueshme për besimtarin të vazhdojë në mëkat. Por menjëherë ngrihet pyetja: “cilit pagëzim i referohet?” Prandaj, është e nevojshme një fjalë për shpjegim.

Kur një person shpëtohet, ai pagëzohet në Jezu Krishtin në kuptimin që ai është identifikuar me Krishtin në vdekjen dhe ringjalljen e Tij. Kjo nuk është e njëjtë si pagëzimi në (ose me) Frymë, edhe pse të dyja ndodhin njëkohësisht. Pagëzimi i fundit e vendos besimtarin në trupin e Krishtit (1 e Korintasve 12:13); nuk është një pagëzim vdekje. Pagëzimi në Krishtin do të thotë që për llogari të Perëndisë, besimtari ka vdekur me Krishtin dhe është ringjallur me Të.

Kur Pali flet për pagëzimin këtu ai është duke menduar si për identifikimin shpirtëror me Krishtin ashtu edhe për simbolizimin e këtij identifikimi në pagëzimin e ujit. Por si argumenti vazhdon, Pali duket sikur e zhvendos theksin e tij në një mënyrë të veçantë për pagëzimin e ujit kur ai u kujton lexuesve të tij se si ishin “varrosur” dhe “vendosur së bashku” në ngjashmëri të vdekjes së Krishtit.

Dh.R. asnjëherë nuk ka pasur ndërmend situatën anormale të një besimtari të papagëzuar. Ajo pranon si të vërtetë atë që të kthyerit i nënshtroheshin menjëherë pagëzimit. Kështu Zoti ynë mund të flasë për besimin dhe pagëzimin në të njëjtën kohë: “ai që beson dhe është pagëzuar do të jetë i shpëtuar” (Marku 16:16). Edhe pse pagëzimi nuk është një kërkesë për shpëtimin ai duhet të jetë shenja e pandryshueshme publike e tij.

6:4 Pagëzimi në ujë është një demonstrim i dukshëm i pagëzimit në Krishtin. Ai paraqet besimtarin të zhytur në ujërat e errëta të vdekjes (në personin e Zotit Jezus) dhe paraqet njeriun e ri në Krishtin duke u ngritur për të ecur në risinë e jetës. Nga një anë, kuptimi është që besimtari ndjek funeralin e vetes së tij të vjetër kur ai pagëzohet. Kur shkon nën ujë ai thotë, “Në kryqin, gjithçka që unë isha si një bir mëkatar i Adamit u vu në vdekjen.” Kur del nga uji thotë: “Nuk rroj më unë, por Krishti rron në mua.” (Gal. 2:20)

Conybeare dhe Howson pohojnë që “kjo pjesë s’mund të kuptohet derisa të fiksohet në mendje që pagëzimi i hershëm bëhej me zhytje.”

Apostulli vazhdon duke cituar që ringjallja e Krishtit e bën të mundshme për ne të ecim në risinë e jetës. Ai thotë që Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit. Kjo thjesht nënkupton që të gjitha përsosjet hyjnore të Perëndisë – drejtësia, dashuria, gjykimi i Tij, etj., – kërkuan që Ai të ringjallte Zotin. Për çështjen e madhështisë së Personit të Shpëtimtarit, s’do të ishte në përputhje me karakterin e Perëndisë ta linte Shpëtimtarin në varr. Perëndia e ringjalli Atë, dhe, për arsye se ne jemi identifikuar me Krishtin në ringjalljen e Tij, ne mundemi dhe duhet të ecim në risinë e jetës.

6:5 Ashtu si jemi bashkuar me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të Tijën, do të jemi të bashkuar me Të në ngjashmëri të ringjalljes së Tij. Fjalët një vdekje të ngjashme me të Tijën i referohen të qenurit nën ujë të besimtarit gjatë pagëzimit. Bashkimi aktual me Krishtin në vdekjen e Tij ndodhi 2000 vjet më parë, por pagëzimi është një “ngjashmëri” e asaj çfarë ndodhi në atë kohë.

Ne jo vetëm shkojmë nën ujë por edhe ne dalim jashtë tij; një ngjashmëri e ringjalljes. Përderisa është e vërtetë që fraza «në ngjashmëri» nuk është pjesë e tekstit origjinal në pjesën e dytë të këtij vargu, duhet plotësuar për të kompensuar kuptimin.

Ashtu siç bashkohemi me Krishtin në ngjashmëri me vdekjen e Tij (zhytja në ujë), kështu ne jemi të bashkuar me Të në ngjashmëri me ringjalljen e Tij (duke dalë nga uji). Pjesa «do të jemi» nuk tregon me patjetër të ardhmen. Hodge thotë:

Referenca [do të jemi] nuk është për çfarë do të ndodhë pas kësaj, por për siguri të vazhdimësisë ose lidhje e një pjese të fjalisë. Nëse e para ndodh, tjetra me siguri e ndjek pas. {{18}}

6:6 Ne rrëfejmë në pagëzim që njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me Krishtin. Njeriu ynë i vjetër i referohet gjithçkaje që ne ishim si fëmijë të Adamit – vetja jonë e vjetër, e keqe, e papërtërirë, me gjithë zakonet dhe dëshirat tona. Në kthim ne zhveshim njeriun e vjetër dhe veshim njeriun e ri sikur të ndërronim rreckat e ndyra me veshje pa njollë (Kol. 3:9-10).

Kryqëzimi i njeriut të vjetër në Kalvar do të thotë që trupi i mëkatit është nxjerrë jashtë përdorimit. Trupi i mëkatit nuk i referohet trupit fizik. Për më tepër do të thotë mëkati që jeton brenda nesh, i personifikuar si një tiran duke drejtuar njeriun. Ky trup i mëkatit është anuluar, që do të thotë, i zhdukur apo ekzekutuar si një fuqi kontrolluese. Pjesa e fundit e fjalisë tregon që kuptimi është që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Tirania e mëkatit mbi ne është thyer.

6:7 Ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati. P.sh., është një njeri që është dënuar të vdesë në karrigen elektrike sepse ka vrarë një polic. Sapo ai vdes, ai është i lirë (i shfajësuar) nga ai mëkat. Dënimi është paguar dhe çështja është mbyllur.

Tani ne kemi vdekur me Krishtin në kryqin e Kalvarit. Jo vetëm që gjoba jonë është paguar, por edhe zinxhirët mbytës të mëkatit janë thyer. Ne nuk jemi më robër të pashpresë të mëkatit.

6:8 Vdekja jonë me Krishtin është një anë e së vërtetës. Ana tjetër është që ne jetojmë me Të. Ne vdiqëm për mëkatin; ne jetojmë për drejtësinë. Zotërimi i mëkatit mbi ne është thyer; ne ndajmë së bashku jetën e ringjallur të Krishtit tani. Dhe ne do ta ndajmë atë bashkë në gjithë përjetësinë. Lëvduar qoftë emri i Tij!

6:9 Besimi ynë është bazuar në faktin që Krishti i ringjallur s’do të vdesë kurrë më! Vdekja s’ka më pushtet mbi Të. Vdekja pati pushtet mbi Të për tre ditë e netë, por ky pushtet kaloi përgjithmonë. Krishti s’mund të vdesë më kurrë.

6:10 Kur Zoti Jezus vdiq, Ai vdiq për gjithë çështjen e mëkatit njëherë e përgjithmonë. Ai vdiq për pagën e tij dhe gjobën e tij. Ai kreu veprën dhe mbylli llogarinë kaq përsosur saqë s’ka nevojë kurrë të përsëritet. Tani që Ai jeton, jeton për Perëndinë. Në një farë mënyre, sigurisht, Ai gjithmonë jetoi për Perëndinë. Por tani Ai rron për Perëndinë në një lidhje të re, si i Ringjalluri dhe në një sferë të re, ku mëkati s’mund të hyjë kurrë.

Përpara se të vazhdojmë, le të rishohim 10 vargjet e para. Subjekti i përgjithshëm është shenjtërimi – mënyra e Perëndisë për një jetesë të shenjtë. Përsa i përket qëndrimit tonë përpara Perëndisë ne shihemi si të vdekur me Krishtin dhe të ringjallur me Të. Kjo është paraqitur në pagëzimin. Vdekja jonë me Krishtin i jep fund historisë sonë si burra dhe gra në Adamin. Gjykimi i Perëndisë kundër njeriut tonë të vjetër nuk ishte reformim por vdekje. Dhe ai gjykim u zbatua kur ne vdiqëm me Krishtin. Tani ne jemi ringjallur me Krishtin për të ecur në risinë e jetës. Tirania e mëkatit mbi ne u thye, sepse mëkati s’mund të thotë asgjë për një njeri të vdekur. Tani ne jemi të lirë të jetojmë për Perëndinë

6:11 Pali ka përshkruar çfarë është e vërtetë përsa i përket pozicionit tonë. Tani ai i kthehet praktikës së jashtme të kësaj të vërtete në jetët tona. Ne duhet ta KONSIDEROJMË veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

konsiderojmë këtu do të thotë të pranojmë atë çfarë Perëndia thotë për ne, si të vërtetë, dhe të jetosh në dritën e saj. Ruth Paxson shkruan:

[Do të thotë] Të besosh çfarë Perëndia thotë në Romakeve 6:6 dhe ta dish si fakt për shpëtimin tënd personal. Kjo kërkon një akt përfundimtar besimi, i cili rezulton në një qëllim të caktuar përsa i përket “njeriut të vjetër.” Ne do ta shohim atë, aty ku Perëndia e sheh – në kryq, të vendosur në vdekje me Krishtin. Besimi do të veprojë vazhdimisht për ta mbajtur atë aty ku hiri e vendosi. Kjo na përfshin ne shumë thellë, sepse nënkupton se e kemi miratuar me gjithë zemër dëminin dhe gjykimin e Perëndisë kundër njeriut të vjetër [d.m.th. jetës SIME, mendimit TIM, udhës SIME, etj.] si tërësisht i pavlerë per të jetuar dhe si plotësisht i zhveshur nga çdo kërkesë tjetër mbi ne. Hapi i parë në një ecje të shenjtërisë praktike është kur ti e konsideron të kryqëzuar njeriun e vjetër. {{19}}

Ne konsiderohemi të vdekur për mëkatin kur ne i përgjigjemi tundimit siç duhet të bëjë një njeri i vdekur. Një ditë Augustinit i ishte drejtuar një grua e cila kishte qenë e dashura e tij përpara kthimit në besim. Kur ai u kthye dhe u largua menjëherë ajo thirri pas tij, “Augustin jam unë! Jam unë!” Duke braktisur vendin ku ndodhej ai i foli, “Po e di, por s’jam unë më ai që isha!” {{20}}. Çfarë ai donte të thoshte ishte se ai ishte i vdekur për mëkatin dhe i gjallë për Perëndinë. Një njeri i vdekur s’ka të bëjë me imoralitetin, gënjeshtrën, shpifjen, mashtrimin ose ndonjë mëkat tjetër.

Tani ne jemi të gjallë për Perëndinë në Krishtin Jezus. Kjo do të thotë që ne jemi të thirrur për shenjtëri, adhurim, lutje, shërbesë dhe frytdhënie.

6:12 Ne pamë në 6:6 që njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me qëllim që mëkati si një tiran mbretërues të mund të shkatërrohej, kështu që ne të mos ishim më robërit e pashpresë të mëkatit. Tani nxitja praktike është bazuar në atë çfarë është e vërtetë pozicionalisht. Ne s’duhet ta lëmë mëkatin të mbretërojë në trupat tanë të vdekshëm duke iu bindur dëshirave të tij djallëzore. Në Kalvar mbretërimi i mëkatit mori fund me vdekjen. Tani ne duhet ta vëmë atë në praktikë. Duhet bashkëpunimi ynë. Vetëm Perëndia mund të na bëjë ne të shenjtë, por Ai s’do ta bëjë këtë gjë pa përfshirjen tonë të vullnetshme.

6:13 Kjo na çon ne në fjalën e tretë kyçe të këtij kapitulli – JAP. Ne s’duhet të japim gjymtyrët tona tek mëkati, për t’u përdorur si armë apo mjete të ligësisë. Detyra jonë është t’ia lëmë Perëndisë kontrollin mbi gjymtyrët tona për t’u përdorur për çështje të drejtësisë. Mbi të gjitha ne jemi ringjallur nga vdekja dhe siç jemi kujtuar në 6:4 ne duhet të ecim në risinë e jetës.

6:14 Tani është edhe një arsye tjetër pse mëkati s’duhet të ketë pushtet mbi ne si besimtarë. Arsyeja e parë ishte që njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me Krishtin (6:6). Arsyeja e dytë është që ne nuk jemi nën ligj, por nën hir.

Mëkati ka dorën e tij mbi një person që është nën ligj. Pse? Sepse ligji i tregon atij çfarë të bëjë, por nuk i jep atij fuqinë për ta bërë atë gjë. Dhe ligji trazon dëshira të fjetura në natyrën e rënë njerëzore, për të bërë çfarë është e ndaluar. Është historia e vjetër ku “fruta e ndaluar është e ëmbël.”

Mëkati nuk ka pushtet mbi personin që është nën hir. Besimtari ka vdekur për mëkatin. Ai ka marrë Frymën e Shenjtë që banon në të, si fuqi për një jetë të shenjtë. Dhe ai është i motivuar nga dashuria për Shpëtimtarin, jo nga frika e dënimit. Hiri është e vetmja gjë që në të vërtetë prodhon shenjtëri. Siç thotë Denney, “nuk është kufizimi por frymëzimi që çliron nga mëkati; jo Mali i Sinait, por Mali i Kalvarit ai që bën shenjtorë.” {{21}}

6:15 Ata që kanë frikë nga hiri ngulin këmbë që ai jep lejë për të mëkatuar. Pali vë në dukje këtë gabim duke bërë pyetjen e më pas duke e mohuar atë. Ne jemi të lirë përsa i përket ligjit, por jo pa ligj. Hir do të thotë liri për t’i shërbyer Zotit dhe jo të mëkatosh kundër Tij.

Në 6:1 pyetja ishte, “A duhet të mbetemi në mëkat?” Këtu pyetja është, “A duhet të mëkatojmë vetëm pak?” Në të dy rastet përgjigjja është një “Kështu mos qoftë.” Perëndia s’mund të kalojë pa vënë re mëkatin.

6:16 Është një fakt i thjeshtë i jetës që kur ne ia dedikojmë vetveten dikujt si padroni ynë ne bëhemi skllav i atij personi. Po kështu, nëse ne i shitemi mëkatit ne bëhemi skllevër të tij dhe vdekja e përjetshme pret në fund të asaj rruge. Por nëse në anën tjetër, ne zgjedhim t’i bindemi Perëndisë, përfundimi është një jetë e shenjtë. Skllevërit e mëkatit janë të lidhur nga faji, frika dhe tmerri, por shërbëtorët e Perëndisë janë të lirë të bëjnë atë që dëshiron natyra e re. Kështu përse të jesh një skllav kur mund të jesh i lirë?

6:17 “Lavdi Zotit që ju, që ishit njëherë e një kohë shërbëtorë të mëkatit, ndershmërisht iu përgjigjët ndikimit të mësimit të Krishtit kur ju erdhët nën ndikimin e tij.” Të krishterët romakë i ishin bindur me zemër të plotë Ungjillit të hirit, të cilit ata i ishin dedikuar, duke përfshirë gjithë mësimin që Pali mëson në këtë letër.

6:18 Një mësim korrekt duhet të çojë në një detyrë korrekte. Duke iu përgjigjur të vërtetës që ata u liruan nga mëkati si një padron i tyre, ata u bënë shërbëtorë të drejtësisë. Shprehja të lirë nga mëkati s’do të thotë që ata s’kishin më një natyrë mëkatare. As do të thotë që ata nuk kryen më akte mëkatare. Teksti tregon që i referohet lirisë nga mëkati si fuqi pushtetare në jetë.

6:19 Në vargun 18 apostulli foli për shërbëtorë të drejtësisë, por ai vë re që ata që jetojnë drejt nuk janë aktualisht në zinxhirë. “Drejtësia e praktikuar nuk është skllavëri, me përjashtim kur ne flasim sipas mënyrës së njerëzve” {{22}}. Ata që praktikojnë mëkatin janë shërbëtorë të mëkatit, por ata që Biri i çliron janë me të vërtetë të lirë. (Gjoni 8:34, 36).

Pali shpjegon që duke përdorur ngjashmërinë e shërbëtorëve dhe padronit, ai është duke folur njerëzisht; që do të thotë, ai është duke përdorur një ilustrim të njohur nga jeta e përditshme. Ai e bën këtë për shkak të dobësisë së mishit të tyre – me fjalë të tjera, për shkak të vështirësisë intelektuale dhe frymërore në të kuptuarit e së vërtetës kur ajo shpallet në terma të përgjithshme. E vërteta shpesh duhet ilustruar me qëllim që të bëhet e kuptueshme.

Përpara kthimit të tyre besimtarët kishin dorëzuar trupat e tyre si shërbëtorë të çdo lloj poshtërsie dhe të ligësive njëra pas tjetrës. Tani ata duhet t’i dedikonin të njëjtat trupa si shërbëtorë të drejtësisë, kështu që jetët e tyre të ishin vërtet të shenjta.

6:20 Kur ata ishin shërbëtorë të mëkatit, liria e vetme që ata njihnin ishte liria nga drejtësia. Kjo është një gjendje e dëshpëruar për një njeri të qëndrojë i lidhur nga çdo ligësi dhe i lirë nga çdo gjë e mirë!

6:21 Pali nxit ata dhe ne për të inventarizuar frytet e një jete të pashpëtuar, fryte në ato aktivitete nga të cilat besimtarët kanë tani turp.

Marcus Rainsford ka përshkruar një inventar të tillë si më poshtë:

  1. Aftësi të abuzuara; 2. Dashuri të shkatërruara; 3. Humbje të kota kohe; 4. Influencë e keqpërdorur; 5. Shokë të ngushtë që ke shfrytëzuar keq; 6. Je shfrytëzuar vetë keq; 7. Dashuri të fyera – veçanërisht dashuria e Perëndisë. Të gjitha të përmbledhura në një fjalë – TURP. {{23}}

Fundi i tyre është vdekja. “Çdo mëkat,” shkruan A.T.Pierson, “shkon drejt vdekjes dhe nëse vazhdohet në të, përfundon në vdekje si fryt dhe qëllim i tij.” {{24}}

6:22 Kthimi në besim ndryshon plotësisht pozicionin e një njeriu. Tani ai është i lirë nga mëkati si padron i tij; dhe ai bëhet me vullnetin e tij një shërbëtor i Perëndisë. Rezultati është një jetë e shenjtë tani dhe një jetë e përjetshmefund të udhëtimit. Sigurisht besimtari ka jetën e përjetshme edhe tani, por ky varg i referohet asaj jete në plotësinë e saj, duke përfshirë trupin e ringjallur në lavdi.

6:23 Apostulli përmbledh subjektin duke paraqitur këto kontraste të gjalla:

Dy padronë – mëkati dhe Perëndia

Dy metoda – paga dhe dhurata falas

Dy rrjedhoja – vdekja dhe jeta e përjetshme.

Vini re që jeta e përjetshme është në një Person dhe ky Person është Krishti Jezus Zoti ynë. Të gjithë ata që janë në Krishtin kanë jetë të përjetshme. Është kaq e thjeshtë!

I. Vendi i Ligjit në jetën e besimtarit (kapitulli 7)

Apostulli tani i paraprin një pyetjeje që do të ngrihet në mënyrë të pashmangshme. Cila është lidhja e të krishterit me ligjin? Ndoshta Pali në përgjigjen e kësaj pyetjeje kishte në mendje besimtarët Judenj, përderisa ligji i ishte dhënë Izraelit, por principi është po aq i vlefshëm edhe për besimtarët Johebrenj të cilët me budallallëk donin të vendosnin veten e tyre nën ligj si një rregull për jetën pasi ata ishin shpëtuar.

Në kapitullin 6 ne pamë që vdekja e përfundoi tiraninë e natyrës mëkatare në jetën e fëmijës së Perëndisë. Tani ne do të shohim që vdekja në të njëjtën mënyrë i jep fund pushtetit të ligjit mbi ata që ishin nën të.

7:1 Ky varg është i lidhur me 6:14: “Ju nuk jeni më nën ligj, por nën hir.” Lidhja është, “Ju duhet ta dini që nuk jeni nën ligj – apo jeni të pa ditur për faktin që ligji ka pushtet mbi njeriun vetëm kur ai është i gjallë?” Pali është duke u folur atyre që janë të familjarizuar me principet themelore të ligjit dhe që prandaj duhet të dinë që ligji nuk ka çfarë t’i thotë një njeriu të vdekur.

7:2 Për të ilustruar këtë, Pali tregon se si vdekja thyen kontratën martesore. Një grua është e lidhur me burrin e saj derisa ai rron por nëse ai vdes, ajo lirohet nga ai ligj.

7:3 Nëse një grua bashkohet me një burrë tjetër kur burri i saj rron, ajo është fajtore për kurorëshkelje. Nëse burri i saj vdes, ajo është e lirë të martohet përsëri pa ndonjë faj se po bën gabim.

7:4 Duke përdorur këtë ilustrim ne s’duhet të rekrutojmë çdo detaj me kuptimin e drejtpërdrejtë. P.sh., as burri dhe as gruaja nuk përfaqësojnë ligjin. Thelbi i ilustrimit është që ashtu si vdekja thyen marrëdhënien martesore, kështu vdekja e besimtarit me Krishtin thyen juridiksionin e ligjit mbi të.

Vini re që Pali nuk thotë që ligji është i vdekur. Ligji akoma ka një shërbesë të vlefshme në prodhimin e bindjes për mëkat. Dhe kujtoni që kur ai thotë “ne” në këtë pjesë, ai mendon për ata që ishin Judenj përpara se të vinin tek Krishti.

Ne jemi bërë të vdekur për ligjin me anë të trupit të Jezu Krishtit, trupi këtu i referohet dhënies së trupit të Tij në vdekje. Ne nuk jemi më të lidhur me ligjin; ne tani jemi të lidhur me Krishtin e ringjallur. Një martesë është prishur me anë të vdekjes dhe një e re është formuar. Dhe tani që ne jemi të lirë nga ligji, ne mund t’i japim fryt Perëndisë.

7:5 Kjo përmendje e frytit të sjell ndër mend llojin e frytit që jepnim kur ishim në mish. Shprehja në mish kuptueshëm nuk do të thotë “në trupin.” Në mish këtu është përshkrimi i pozitës sonë përpara se të ishim të shpëtuar. Atëherë mishi ishte baza e pozitës sonë përpara Perëndisë. Ne vareshim në atë që ishim ose çfarë mund të bënim për të fituar miratimin e Perëndisë. Në mish është e kundërta e “në Krishtin.”

Përpara kthimit tonë në besim ne ishim të drejtuar nga pasione mëkatare që ishin nxitur nga ligji. Nuk është që ligji i krijonte ato, por vetëm që duke i emëruar dhe më pas ndaluar ato ai trazon dëshira të fuqishme për t’i bërë ato!

Këto pasione mëkatare gjetën shprehje në gjymtyrët tona fizike, dhe kur ne iu dorëzuam tundimit ne prodhuam fryt të helmuar që rezulton në vdekje. Diku tjetër apostulli flet për këtë fryt si vepra të mishit: “kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia (Gal. 5:19-21).

7:6 Midis shumë gjërave të mrekullueshme që ndodhin kur ne jemi të kthyer në besim është zgjidhja [çlirimi] nga ligji. Ky është një rezultat i të vdekurit tonë me Krishtin. Përderisa Ai vdiq si Përfaqësuesi ynë, ne vdiqëm me Të. Në vdekjen e Tij, Ai përmbushi gjithë kërkesat e ligjit duke paguar gjobën e tij. Prandaj ne jemi të lirë nga ligji dhe nga mallkimi i tij i pashmangshëm. S’mund të ketë rrezik të dyfishtë.

Perëndia s’do ta kërkojë dy herë pagesën.

Njëherë në dorën e gjakosur të Garantuesit tim

dhe më pas në timen.

  • Augustus M. Toplady

Tani ne jemi të lirë për të shërbyer në risinë e Frymës dhe jo në vjetërsinë e shkronjës. Shërbesa jonë është motivuar nga dashuria jo nga frika; është një shërbesë e lirisë jo e zinxhirëve. Nuk është më një çështje e devotshmërisë së skllavërisë për të shënuar në protokoll detajet e formave dhe ceremonive, por dhënia e vetes sonë për lavdi të Perëndisë dhe bekimi i të tjerëve.

7:7 Nga gjithë kjo mund të duket sikur Pali është një kritik i ligjit. Ai ka thënë që besimtarët janë të vdekur për mëkatin dhe të vdekur për ligjin dhe kjo mund të ketë krijuar përshtypjen që ligji është mëkat. Por nuk është kështu.

Në 7:7-13 ai vazhdon të përshkruajë rolin e rëndësishëm që luajti ligji në jetën e tij përpara se ai të shpëtohej. Ai thekson që vetë ligji nuk është mëkatar, por që ai zbulon mëkatin tek njeriu. Ishte ligji që e bindi atë për korruptimin e tmerrshëm të zemrës së tij. Kur ai krahasonte veten me të tjerët ai ndjehej krejt i respektueshëm. Por sapo kërkesat e ligjit të Perëndisë iu bënë të afërta në një forcë bindëse, ai ngeli pa fjalë dhe i dënuar.

Një nga urdhëresat që zbuloi mëkatin tek ai ishte veçanërisht e dhjeta: Mos lakmo. Lakmia zë vend në mendje. Edhe pse Pali s’kishte kryer ndonjë mëkat të madh, apo mëkate më revoltuese ai tani kupton që jeta e tij e mendimeve ishte e korruptuar. Ai kuptoi që mendimet e këqija janë po aq mëkat sa dhe vetë veprat e këqija. Ai kishte një jetë të ndotur mendimesh. Jeta e tij e jashtme mund të ishte relativisht pa faje, por jeta e tij e brendshme ishte një dhomë tmerresh.

7:8 Mëkati duke marrë shkas nga ky urdhërim ngjalli në mua çdo lakmi. Kur ligji ndalon të gjitha mënyrat e lakmisë, natyra e korruptuar e njeriut ndizet akoma më shumë për ta bërë atë. P.sh., ligji thotë: “Ju s’duhet të mbillni në mendjen tuaj asnjë dëshirë seksuale. Ju s’duhet të jetoni në një botë fantazish epshore.” Ligji ndalon një jetë mendimesh që sugjerojnë papastërti, turpësi. Por për fat të keq ligji nuk jep fuqinë për ta mposhtur. Kështu rezultati është që njerëzit nën ligj përfshihen më shumë në një botë ëndrrash të papastërtisë seksuale sesa më parë. Ata kuptojnë që kur një akt është i ndaluar, natyra e rënë [njeriu i vjetër] dëshiron ta bëjë gjithmonë e më shumë. “Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është më e shijshme.”(Fja. 9:17)

Pa ligj mëkati është i vdekur. Natyra mëkatare është si një qen i fjetur. Kur ligji vjen e thotë “mos”, qeni zgjohet dhe tërbohet duke bërë çfarëdo që është e ndaluar.

7:9 Përpara se të bindej nga ligji Pali ishte i gjallë; që do të thotë natyra e tij mëkatare ishte e fjetur dhe ai ishte një i paditur i lumtur i minierës së padrejtësisë në zemrën e tij.

Por kur erdhi urdhërimi – që do të thotë, kur ai erdhi me një bindje dërrmuese – natyra e tij mëkatare u ndez plotësisht. Sa më shumë përpiqej t’i bindej, aq më keq dështonte. Ai vdiq përsa i përkiste çdo shprese të arritjes së shpëtimit me anë të karakterit apo përpjekjeve të tij. Ai vdiq për çdo ëndërr që kishte se do të shfajësohej me anë të zbatimit të ligjit.

7:10 Ai zbuloi që urdhërimi që u dha për jetë në të vërtetë i solli vdekjen. Por ç’ka dashur të thotë ai me fjalët urdhërimi që u dha për jetë? Kjo ndoshta na çon tek Levitiku 18:5, ku Perëndia tha, “do të respektosh tani statutet dhe dekretet e mia, me anën e të cilave, kushdo që i zbaton në praktikë ka për të jetuar. Unë jam Zoti.” Idealisht ligji i premtoi jetë atyre që e zbatonin atë. Shenja jashtë kafazit të një luani thotë, “Qëndroni jashtë parmakëve.” Nëse i bindesh, urdhëri sjell jetë. Por për fëmijën që nuk i bindet dhe shkon tek këmba e luanit, sjell vdekje.

7:11 Përsëri Pali thekson që ligji nuk ishte për të shfajësuar. Ishte mëkati që jeton që e shtynte atë të bënte çfarë ligji ndalonte. Mëkati e mashtronte atë ndër mendime që thoshin se fruta e ndaluar nuk ishte aq e keqe, që mund të sillte lumturi dhe që ai mund ta bëjë atë mëkat pa problem. Ai sugjeroi që Perëndia po ia ndalonte njeriut kënaqësitë që ishin për të mirën e tij. Kështu mëkati e vrau njeriun në kuptimin që ai solli vdekjen për shpresat e tij më të mira për të merituar apo fituar shpëtimin.

7:12 Vetë ligji është i shenjtë dhe çdo urdhërim është i shenjë, i drejtë dhe i mirë. Në mendjen tonë ne duhet të kujtojmë vazhdimisht që s’ka asgjë të keqe në lidhje me ligjin. Ai u dha nga Perëndia dhe prandaj është i përkryer si një shprehje e vullnetit të Tij për popullin e Tij. Dobësia e ligjit shtrihet në “lëndën e parë” me të cilën atij i duhet të punojë, d.m.th. ligji iu dha njerëzve [lënda e parë] që tashmë ishin mëkatarë. Ata kishin nevojë për ligjin për t’iu dhënë atyre njohuri mbi mëkatin, por përveç kësaj ata kishin nevojë për një shpëtimtar për t’i çliruar ata nga dënimi dhe fuqia e mëkatit.

7:13 Ajo gjë që është e mirë i referohet ligjit, siç është thënë veçanërisht në vargun më parë. Pali ngre pyetjen, “A u bë ligji vdekje për mua?” që do të thotë, “A është ligji i pandehuri që e çoi Palin (dhe gjithë ne të tjerët) në vdekje?” Përgjigjja sigurisht është, “Ashtu mos qoftë!” Mëkati është i pandehuri. Ligji nuk e krijoi mëkatin, por ai e tregoi mëkatin në gjithë mëkatshmërinë e tij. “Me anë të ligji arrihet njohja e mëkatit.”(Rom. 3:20b). Por kjo s’është e gjitha. Si përgjigjet natyra mëkatare e njeriut kur ligji i shenjtë i Perëndisë e ndalon atë të bëjë diçka? Përgjigjja dihet mirë. Ajo që ishte një dëshirë e fjetur tani bëhet një pasion i zjarrtë! Kështu mëkati nëpërmjet urdhërimit bëhet më tepër mëkat.

Mund të duket sikur ekziston një kontradiktë midis asaj që Pali thotë këtu dhe asaj në 7:10. Atje ai tha që ai zbuloi se ligji sjell vdekjen. Këtu ai mohon që ligji u bë vdekje për të. Zgjidhja është kjo: Vetë ligji s’mund të përmirësojë natyrën e vjetër në një anë dhe as s’mund ta bëjë atë të mëkatojë nga ana tjetër. Ai mund të zbulojë mëkatin, ashtu si një termometër zbulon temperaturën. Por një termometër nuk mund të kontrollojë mëkatin ashtu si një termostat kontrollon temperaturën [që e ngre ose e ul sipas dëshirës].

Por ajo çfarë ndodh është kjo. Natyra e rënë e njeriut instiktivisht dëshiron të bëjë çfarëdo që është e ndaluar. Kështu ajo përdor ligjin për të zgjuar ligësitë e fjetura në jetën e mëkatarit. Sa më shumë përpiqet njeriu, aq më keq bëhet derisa në fund ai arrin në dëshpërim të çdo shprese. Kështu mëkati përdor ligjin për të shkaktuar ndonjë shpresë përmirësimi për të vdekur në të. Dhe njeriu sheh tepri në mëkatimin e natyrës së tij të vjetër si ai s’kishte parë kurrë më parë.

7:14 Deri në këtë pikë apostulli ka përshkruar një eksperiencë të kaluar në jetën e tij, d.m.th. kriza traumatike kur ai vuajti bindje të thellë të mëkatit nëpërmjet shërbesës së ligjit.

Tani ai kalon në kohën e tashme për të përshkruar një eksperiencë që ai pati qëkur kishte lindur përsëri, d.m.th. konflikti midis dy natyrave, dhe pamundësia e të gjeturit të çlirimit nga fuqia e mëkatit të gjallë nëpërmjet fuqisë së vetvetës. Pali pohon ligji është frymëror, që do të thotë, i shenjtë në vetvete dhe i përshtatshëm për përfitim frymëror të njeriut. Por ai vë re që ai është i mishtë sepse ai nuk është duke përjetuar fitore mbi fuqinë e mëkatit që banon në jetën e tij. Ai është i shitur nën mëkat. Ai ndjehet si një skllav i shitur tek padroni i quajtur mëkat.

7:15 Tani apostulli përshkruan luftën që vazhdon në një besimtar që nuk di të vërtetën e identifikimit të tij me Krishtin në vdekje dhe në ringjallje. Është konflikti midis dy natyrave në personin që ngjitet në Malin Sinai në kërkim të shenjtërisë. Harry Foster shpjegon:

Këtu ishte një njeri duke u përpjekur të arrinte shenjtëri me orvatje personale duke luftuar me gjithë forcën e tij për të përmbushur urdhërimet “e shenjta, të drejta dhe të mira” të Perëndisë (v 12). Por ai zbuloi që sa më shumë luftonte aq më e keqe bëhej gjendja e tij. Ishte një betejë e humbur. Kjo nuk duhet të jetë një çudi për ne sepse nuk është në forcën e natyrës së njeriut të rënë të mundë mëkatin dhe të jetojë në shenjtëri. {{25}}

Vini re përparësinë e përemrave të parë vetorë – unë, mua, imja, vetja ime. Ata shfaqen mbi 40 herë në vargjet 9-25! Njerëzit që kalojnë në eksperiencën e Romakëve 7 kanë marrë një mbidozë të “vitaminës Unë.” Ata janë njerëz që kërkojnë fitore në vetvete, aty ku ajo s’mund të gjendet.

Fatkeqësisht, shumë këshilltarë psikologjikë modernë të krishterë përqendrojnë vëmendjen e pacientit mbi vetveten [që zgjedhja e problemit gjendet brenda vetvetes] dhe kështu e shtojnë problemin në vend që ta lehtësojnë atë. Njerëzit kanë nevojë të dinë që ata kanë vdekur me Krishtin dhe janë ringjallur me Të për të ecur në risinë e jetës. E kështu në vend të përpjekjes për të përmirësuar mishin, ata do t’ia paraqisin atë varrit të Jezusit.

Në përshkrimin e luftës midis dy natyrave, Pali thotë, nuk kuptoj atë që bëj. Ai është një njeri me dy personalitete – një Dr. Jekyll dhe Z. Hyde. Ai e gjen veten duke u zhytur në gjëra që s’do t’i bëjë dhe duke praktikuar gjëra që ai i urren.

7:16 Kështu duke kryer vepra të cilat gjykimi i tij më i mirë i dënon, ai pranon ligjin kundër vetvetes, sepse ligji gjithashtu i dënon ato. Kështu ai i jep një miratim të brendshëm që ligji është i mirë.

7:17 Kjo na çon në përfundimin që i pandehuri nuk është njeriu i ri në Krishtin, por natyra mëkatare dhe e korruptuar që banon në të. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm këtu. Ne nuk duhet të justifikojmë mëkatin tonë duke e hedhur mbi njeriun e vjetër duke thënë, “ky më detyron të mëkatoj.” Ne jemi përgjegjës për çfarë bëjmë dhe ne nuk duhet ta përdorim këtë varg për të justifikuar mëkatin. Thjesht, në këtë pjesë, Pali identifikon burimin e sjelljes së tij mëkatare. Në asnjë mënyrë ai nuk justifikon mëkatin në jetën e tij.

7:18 S’mund të kemi progres në shenjtëri derisa ne mësojmë atë që Pali mësoi këtu – që në mua (d.m.th. në mishin tim) nuk banon asgjë e mirë. Mishi këtu nënkupton natyrën e keqe, të korruptuar që është trashëguar që nga Adami dhe që është ende në çdo besimtar. Është burimi i çdo veprimi të lig që bën një person. Në të s’ka asgjë të mirë.

Kur ne mësojmë këtë gjë, ajo na çliron ne nga mendimi i gabuar që mund të gjejmë diçka të mire në natyrën e vjetër. Na çliron ne nga të qenurit të zhgënjyer kur ne nuk gjejmë asnjë të mirë aty. Dhe na çliron ne nga zënia me veten tonë. Nuk ka asnjë fitore në analizimin e vetes sonë. Siç tha Robert Murray McCheyne, “për çdo shikim që i hedhim vetes sonë duhet t’i hedhim dhjetë shikime Krishtit.”

Për të përforcuar gjendjen e pashpresë të mishit, apostulli pikëllohet që megjithëse ai ka dëshirën të bëjë atë që është e drejtë ai nuk ka burim në veten e tij për të kthyer dëshirën e tij në veprim. Problemi është që ai po e hedh spirancën brenda anijes.

7:19 Kështu konflikti midis dy natyrave vazhdon. Ai gjen veten duke dështuar në bërjen e mirës që dëshiron të bëjë, dhe në vend të saj bën keqen prej së cilës ai ndjen neveri. Ai është një masë e madhe kontradiktash dhe paradoksesh.

7:20 Ne mund ta parafrazojmë këtë varg si më poshtë, “Tani nëse unë (natyra e vjetër) bëj atë që unë (natyra e re) nuk dua të bëj, nuk jam më unë (personi) ai që e bëj, por mëkati që banon brenda meje.” Përsëri le të jetë e qartë që Pali nuk është duke shfajësuar veten apo duke hequr përgjegjësinë. Ai thjesht është duke shpallur që ai s’ka gjetur çlirim nga fuqia e mëkatit që jeton dhe që kur ai mëkaton, nuk është në dëshirën e njeriut të ri.

7:21 Ai gjen një princip apo ligj që punon në jetën e tij duke shkaktuar që gjithë qëllimet e tij të mira të përfundojnë në dështim. Kur ai do të bëjë atë që është e drejtë, ai përfundon duke mëkatuar.

7:22 Përsa i përket natyrës së tij të re, ai kënaqet në ligjin e Perëndisë. Ai e di që ligji është i shenjtë, dhe që është një shprehje e vullnetit të Perëndisë. Ai dëshiron të bëjë vullnetin e Perëndisë.

7:23 Por ai sheh një princip të kundërt që punon në jetën e tij duke u përpjekur kundër natyrës së re dhe duke e bërë atë një rob të mëkatit që jeton. George Cutting shkruan:

Ligji, edhe pse njeriu kënaqet në të sipas njeriut të brendshëm, nuk i jep atij fuqi. Me fjalë të tjera, njeriu është duke u përpjekur të plotësojë çfarë Perëndia ka deklaruar të jetë një pamundësi absolute – d.m.th. duke iu nënshtruar mishi ligjit të shenjtë të Perëndisë. Njeriu zbulon që mishi kujdeset për gjërat e mishit dhe vetë është kaq armik me Perëndinë dhe ligjin e Tij. {{26}}

7:24 Tani Pali lëshon rënkimin e tij të famshëm. Ai ndihet si të kishte një trup të dekompozuar të lidhur në kurrizin e tij. Ky trup, sigurisht, është natyra e vjetër në gjithë kuptimin e vet. Në fatkeqësinë e tij, Pali pohon që ai nuk është në gjendje të çlirojë vetveten nga kjo lidhje e vazhdueshme, e neveritshme. Ai duhet të ketë ndihmë nga ndonjë burim i jashtëm.

7:25 Shpërthimi i falënderimit që hap këtë varg mund të kuptohet në të paktën dy mënyra. Ai mund të nënkuptojë, “I faleminderit Perëndisë që çlirimi vjen me anë të Jezu Krishtit Zotit tonë” ose mund të jetë diçka ku Pali falënderon Perëndinë me anë të Zotit Jezus, që ai s’është më njeriu fatkeq i vargut që paraprin.

Pjesa tjetër e vargut përmbledh konfliktin midis dy natyrave përpara se të arrihej çlirimi. Me mendjen e rinuar, ose me natyrën e re, besimtari i shërben ligjit të Perëndisë, por me mishin (ose me natyrën e vjetër) ligjit të mëkatit. Ne gjejmë rrugën e shpëtimit të shpjeguar në kapitullin tjetër.

J. Fryma e Shenjtë; Fuqia për jetesë të shenjtë. (kapitulli 8)

Subjekti i jetesës së shenjtë vazhdon. Në kapitullin 6 Pali iu përgjigj pyetjes, “A lejon apo inkurajon mësimi i Ungjillit (shpëtim vetëm me anë të besimit) një jetë me mëkate?” Në kapitullin 7 ai u ndesh me pyetjen, “A u thotë Ungjilli të krishterëve të zbatojnë ligjin me qëllim që të shkojnë në një jetë të shenjtë?” Tani pyetja është: “Si i është dhënë mundësia të krishterit të jetojë një jetë të shenjtë?”

Ne menjëherë vëmë re që përemrat vetorë që dominonin në kapitullin 7 zhduken tani dhe që Fryma e Shenjtë bëhet personi dominues. Ky është një çelës i rëndësishëm për të kuptuar pjesën. Fitorja nuk është në veten tonë, por në Frymën e Shenjtë, që banon në ne. A. J. Gordon rendit shtatë ndihma të Frymës: liri në shërbesë (v 2); fuqi për shërbesë (v 11); fitore mbi mëkatin (v 13); drejtim në shërbesë (v 14); dëshmia e të qenurit bij (v 16); ndihmë në shërbesë (v 20); ndihmë në lutje (v 26).

8:1 Nga lugina e dëshpërimit dhe humbjes, apostulli tani ngjit lartësitë me një brohoritje triumfuese. Tani pra nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus! Kjo mund të nënkuptohet në dy mënyra.

E para, nuk ka dënim hyjnor përsa i përket mëkatit tonë, sepse ne jemi në Krishtin. Kishte dënim përsa kohë ne ishim në kreun e parë federal, Adamin. Por tani ne jemi në Krishtin dhe prandaj jemi të lirë nga dënimi aq sa është dhe Ai.

Por gjithashtu mund të nënkuptojë që s’ka nevojë për llojin e dënimit të vetvetes të cilën Pali e përshkruan në kapitullin shtatë. Ne mund të kalojmë në eksperiencën e Romakëve 7, në pamundësi për të përmbushur kërkesat e ligjit me përpjekjet tona, por ne s’kemi për të qëndruar aty. Vargu i dytë shpjegon përse nuk ka dënim. {{27}}

8:2 Ligji i Frymës së Jetës në Jezu Krisht na çliron nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Janë dy principe apo ligje të kundërta. Principi karakteristik i Frymës së Shenjtë është të fuqizojë besimtarët për një jetesë të shenjtë. Principi karakteristik i mëkatit që jeton brenda nesh është të tërheqë një person në vdekje. Është si ligji i gravitetit. Kur ju hidhni një gur në ajër, ai kthehet përsëri poshtë sepse është më i rëndë se ajri që ai zhvendos. Një zog i gjallë është gjithashtu më i rëndë se ajri që zhvendos, por kur ju e lëshoni atë lart në qiell ai fluturon larg. Ligji i jetës tek zogu tejkalon ligjin e gravitetit. Kështu Fryma e Shenjtë jep jetën e ringjallur të Zotit Jezus, duke e bërë besimtarin të lirë nga ligji i mëkatit dhe vdekjes.

8:3 Ligji nuk i bën dot kurrë njerëzit të plotësojnë kërkesat e tij të shenjta, por hiri ia ka fituar aty ku ligji ka dështuar. Le të shohim se si.

Ligji s’mund të prodhojë jetë të shenjtë sepse ai ishte pa forcë për shkak të mishit. Problemi nuk qëndronte tek ligji, por tek natyra e rënë njerëzore. Ligji u foli njerëzve që ishin mëkatarë dhe të pafuqishëm për t’iu bindur. Por Perëndia ndërhyu duke dërguar Birin e Tij në shëmbëllim mishi mëkatar. Vini re me kujdes që Zoti Jezus vetë nuk erdhi në mish mëkatar, por në “shëmbëllim” mishi mëkatar. Ai nuk bëri asnjë mëkat (1 Pje. 2:22). Ai nuk njihte mëkat (2 Kor. 5:21), dhe në Të s’kishte mëkat (1 Gjo. 3:5). Por me ardhjen në botë në formë njerëzore Ai shëmbëlleu njerëzimin mëkatar. Si një sakrificë për mëkatin, Krishti e dënoi mëkatin në mish. Ai vdiq jo vetëm për mëkatet që ne bëjmë (1 Pje. 3:18) por gjithashtu për natyrën tonë mëkatare. Me fjalë të tjera Ai vdiq për çfarë ne jemi ashtu si dhe për çfarë ne kemi bërë. Duke bërë këtë Ai dënoi mëkatin në mish. S’është thënë kurrë që natyra jonë mëkatare është falur, ajo është e dënuar. Janë mëkatet që ne kemi kryer ato që janë falur.

8:4 Tani drejtësia e ligjit është përmbushur në ne që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës. Kur ne ia lëmë kontrollin e jetëve tona Frymës së Shenjtë, Ai na fuqizon ne ta duam Perëndinë dhe komshiun tonë, dhe kjo, mbi të gjitha, është ajo çfarë ligji kërkon.

Në këto katër vargje të para apostulli ka mbledhur së bashku fijet e këtij argumenti nga 5:12 deri në 7:25. Në 5:12-21 ai ka diskutuar kryesitë federale të Adamit dhe të Krishtit. Tani në 8:1 ai tregon që dënimi, që ne trashëguam nga identifikimi ynë me Adamin, është hequr nga identifikimi ynë me Krishtin. Në kapitujt 6 dhe 7 ai diskutoi problemin e tmerrshëm të mëkatit në natyrë. Tani ai shpall që ligji i Frymës së jetës në Krishtin Jezus na ka bërë të lirë nga ligji i mëkatit dhe vdekjes. Në kapitullin 7 u paraqit gjithë subjekti i ligjit. Tani ne mësojmë që kërkesat e ligjit janë plotësuar nga jeta që kontrollohet nga Fryma.

8:5 Ata që rrojnë sipas mishit – pra, ata që janë të pa kthyer në besim – merren me gjërat e mishit. Ata i binden impulseve të mishit. Ata jetojnë për të përmbushur dëshirat e natyrës së korruptuar. Ata plotësojnë nevojat e një trupi që në pak vite do të kthehet në pluhur.

Por ata që rrojnë sipas Frymës – pra, besimtarët e vërtetë – ngrihen mbi mishin dhe gjakun dhe jetojnë për ato gjëra që janë të përjetshme. Ata janë të zënë me Fjalën e Perëndisë, lutjen, adhurimin dhe shërbesën e krishtere.

8:6 Mendja e kontrolluar nga mishi – që do të thotë, prirja mendore e natyrës së rënë – prodhon vdekje. Kjo mendje sjell vdekje përsa i përket si kënaqësisë së tanishme ashtu edhe fatit përfundimtar. Ajo ka të gjithë potencialin e vdekjes brenda vetes, pikërisht si një mbidozë helmi.

Por mendja e kontrolluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe. Fryma e Perëndisë është garancia e jetës e cila është jetë në të vërtetë, garancia e paqes me Perëndinë dhe garancia e një jete qetësie.

8:7 Mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje sepse është në armiqësi me Perëndinë. Mëkatari është një rebel kundër Perëndisë dhe në armiqësi aktive me Të. Nëse nevojitej ndonjë provë, ajo shihet mjaft qartë në kryqëzimin e Zotit Jezus. Mendja e mishit nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë. Ajo do vullnetin e saj, jo vullnetin e Perëndisë. Ajo do të jetë Zot i vetes, jo t’i përulet urdhërit të Tij. Natyra e saj është e tillë që s’mund t’i nënshtrohet ligjit të Perëndisë. Nuk është vetëm prirja që mungon por fuqia gjithashtu. Mishi është i vdekur për Perëndinë.

8:8 Prandaj, nuk është çudi që ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë. Mendo për këtë! S’ka asgjë që mund të bëjë një i pashpëtuar që t’i pëlqejë Perëndisë. Jo vepra të mira, jo rite fetare, jo sakrifica, absolutisht asgjë. Së pari ai duhet të marrë vendin e mëkatarit fajtor dhe të pranojë Krishtin me anë të një akti të qartë besimi. Vetëm atëherë ai mund të fitojë buzëqeshjen aprovuese të Perëndisë.

8:9 Kur një person është lindur përsëri, ai nuk është më në mish, por në Frymë. Ai jeton në një sferë tjetër. Ashtu si një peshk jeton në ujë dhe një njeri jeton në tokë, një besimtar jeton në Frymë. Ai jo vetëm që jeton në Frymë, por Fryma jeton në të. Në fakt nëse ai nuk banohet nga Fryma e Krishtit ai nuk i përket Krishtit. Megjithëse këtu lind një pyetje që nëse, “A është e njëjtë Fryma e Krishtit me Frymën e Shenjtë?” Supozimi që ato janë njësoj duket më mirë në kontekst.

8:10 Nëpërmjet shërbesës së Frymës, Krishti është aktualisht besimtarin. Është e mrekullueshme të mendosh që Zoti i jetës dhe i lavdisë banon në trupat tanë, veçanërisht kur ne kujtojmë që këta trupa i nënshtrohen vdekjes për shkak të mëkatit. Dikush mund të argumentojë që ato [trupat] s’janë ende të vdekur siç duket sikur vargu thotë. Jo, por fuqitë e vdekjes janë tashmë duke punuar në to dhe ato do të vdesin patjetër nëse Zoti nuk kthehet gjatë kësaj kohe.

Në kontrast me trupin, Fryma {{28}} është jetë për shkak të drejtësisë. Edhe pse të vdekur njëherë për Perëndinë, trupi është bërë i gjallë nëpërmjet veprës së drejtë të Zotit Jezu Krisht në vdekjen dhe ringjalljen e Tij. Gjithashtu trupi është bërë i gjallë sepse drejtësia e Perëndisë është vënë në llogarinë tonë.

8:11 Por të kujtuarit që trupi ende i nënshtrohet vdekjes s’duhet të shkaktojë as alarm e as dëshpërim. Fakti që Fryma e Shenjtë banon në trupat tanë është një siguri që ashtu siç ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë gjithashtu jetë trupave tanë vdekatarë. Ky do të jetë akti përfundimtar i shpengimit tonë – kur trupat tanë të jenë lavdëruar si trupi i Shpëtimtarit të lavdisë.

8:12 Tani kur ne shohim kontrastin e plotë midis mishit dhe Frymës çfarë përfundimi nxjerrim? Ne nuk i detyrohemi fare mishit, për të jetuar sipas diktatit të tij. Natyra e vjetër, e keqe, e korruptuar s’ka qenë gjë tjetër veçse një pengesë. Ajo nuk na ka bërë asgjë të mirë. N.q.s. Krishti nuk do të na kishte shpëtuar, mishi do të na kishte zvarritur ne në vendet më të nxehta, më të errëta dhe më të thella të ferrit. Përse duhet që të ndihemi të detyruar për një armik të tillë?

8:13 Ata që jetojnë sipas mishit duhet të vdesin, jo vetëm fizikisht por përjetësisht. Të jetosh sipas mishit do të thotë të jesh i pashpëtuar. Kjo është bërë e qartë në 8:4,5. Por përse Pali ua drejton këtë gjë atyre që ishin të krishterë? A do të thotë ai që disa nga ata mund të humbasin shpëtimin e tyre? Jo, por apostulli shpesh përfshin fjalë paralajmërimi dhe vetkontrolli në letrat e tij duke kuptuar që në çdo asamble mund të ketë disa njerëz që në të vërtetë s’kanë lindur kurrë përsëri.

Pjesa tjetër e këtij vargu përshkruan çfarë është në mënyrë karakteristike e vërtetë për besimtarët e vërtetë. Me anë të mundësimit të Frymës së Shenjtë ata i bëjnë të vdesin veprat e trupit. Ata tani gëzojnë jetë të përjetshme dhe do të hyjnë në jetë në plotësinë e saj, kur të lënë këtë tokë.

8:14 Një rrugë tjetër e të përshkruarit të besimtarëve të vërtetë është të thuash që ata janë të udhëhequr nga Fryma e Perëndisë. Pali nuk i referohet këtu rasteve të mrekullueshme të drejtimit hyjnor në jetët e besimtarëve të shquar. Për më tepër ai është duke folur për çfarë është e vërtetë për gjithë bijtë e Perëndisë – që janë të udhëhequr nga Fryma e Perëndisë. Nuk është një çështje e shkallës në të cilën ata i nënshtrohen Frymës së Shenjtë, por për një lidhje që zë vend në kohën e kthimit.

Birëria tregon pranim në familjen e Perëndisë me gjithë privilegjet dhe përgjegjësitë e bijve të pjekur. Një i sapokthyer në besim s’ka përse të presë një kohë të caktuar për të hyrë në trashëgiminë e tij frymërore; kjo është e atij në momentin që ai shpëtohet, dhe kjo është për të gjithë besimtarët, burra, gra, djem e vajza.

8:15 Ata që jetojnë nën ligj janë si fëmijët e vegjël, të drejtuar si të ishin shërbëtorë dhe të mbuluar nga frika e dënimit. Por kur një person lind përsëri ai nuk lind në një pozicion robërie. Ai nuk është sjellë në familjen e Perëndisë si një skllav. Për më tepër ai merr Frymën e birërisë; pra ai është vendosur në familjen e Perëndisë si një bir i pjekur. Me anë të një instinkti të vërtetë frymëror ai sheh Perëndinë e i thërret Atij “Aba, Atë!” Aba është një fjalë Aramaike e cila gjen vështirësi në përkthim. Është një formë intime e fjalës «babait», p.sh. baba ose babi. Megjithëse ne mund të hezitojmë të përdorim fjalë të tilla familjare kur i drejtohemi Perëndisë, e vërteta mbetet që Ai që është pafundësisht i lartë është gjithashtu shumë afër në kuptimin intim.

Shprehja Fryma {{29}} e birërisë mund të jetë një referencë për Frymën e Shenjtë si Një që e vë besimtarin në dijeni të dinjitetit të tij të veçantë si bir. Ose mund të nënkuptojë lartësinë e birërimit në kontrast me frymën e robërisë.

Birëria është përdorur në tre mënyra të ndryshme në Romakëve. Këtu ajo i referohet vetëdijes së të qenurit bir, gjë që Fryma e Shenjtë prodhon në jetën e besimtarit. Në 8:23 ajo pret me padurim atë kohë kur trupi i besimtarit so të shpengohet ose lavdërohet. Në 9:4 ajo hedh vështrimin në të kaluarën, në atë kohë kur Perëndia caktoi Izraelin si birin e Tij. (Eksodi 4:22)

Galatasve 4:5 dhe Efesianëve 1:5 fjala do të thotë “vendosja e birit” – që do të thotë, akti i vendosjes së gjithë besimtarëve si bij të rritur, të pjekur me gjithë privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit bir. Çdo besimtar është një fëmijë i Perëndisë në kuptimin që ai është i lindur në një familje, babai i së cilës është Perëndia. Por çdo besimtar është gjithashtu një bir – një lidhje e veçantë që gëzon privilegjet e dikujt që ka arritur pjekurinë si njeri.

Në Dh.R. birërimi asnjëherë nuk nënkupton atë gjë që kuptohet në shoqërinë tonë – të bësh fëmijën tënd dikë që i takon prindërve të tjerë.

8:16 Ekziston një instinkt frymëror në një besimtar të sapolindur që ai është bir i Perëndisë. Fryma e Shenjtë i tregon atij që është kështu. Vetë Fryma i dëshmon frymës së besimtarit ai është një pjestar i familjes së Perëndisë. Ai e bën këtë gjë kryesisht nëpërmjet Fjalës së Perëndisë. Kur një i krishterë lexon Biblën, Fryma përforcon të vërtetën që, përderisa ai ka besuar Shpëtimtarin, ai është tani një fëmijë i Perëndisë.

8:17 Anëtarësia në familjen e Perëndisë sjell privilegje që habisin mendjen. Të gjithë fëmijët e Perëndisë janë trashëgimtarë të Perëndisë. Me kalimin e kohës një trashëgimtar do të trashëgojë pasurinë e babait. Kjo është ajo çfarë është thënë këtu. Gjithçka që Ati ka është jona. Ne ende s’kemi arritur në zotërim dhe gëzim të të gjithë asaj, por asgjë s’mund të na pengojë ne për ta bërë këtë gjë në të ardhmen. Dhe ne jemi bashkëtrashëgimtarë me Krishtin. Kur Ai kthehet për të marrë skeptrin e qeverisjes universale, ne do të ndajmë bashkë me Të të gjitha të drejtat e pasurisë së Atit.

Kur Pali shton, nëse vuajmë me Të dhe lëvdohemi me Të, ai nuk po e bën vuajtjen heroike një kusht për shpëtim. As po përshkruan ndonjë grup besimtarësh të cilët kanë kaluar vuajtje të mëdha. Për më tepër ai i sheh gjithë të krishterët si bashkëvuajtës dhe të lavdëruar në Krishtin. Fjala nëse është e njëvlershme me “përderisa.” Sigurisht ka disa që vuajnë më shumë se të tjerët për çështjen e Krishtit dhe kjo do rezultojë në shkallë të ndryshme të shpërblimit dhe të lavdisë. Por të gjithë ata që pohojnë Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar këtu janë vlerësuar si të kenë marrë mbi vete armiqësinë e botës, me gjithë turpin dhe sharjet e botës.

8:18 Turpi më i madh që ne mund të durojmë për Krishtin këtu në tokë do të jetë një vogëlsi kur Ai na thërret ne dhe na pohon publikisht përpara pronarit të qiellit. Madje vuajtjet e tmerrshme të martirëve nuk do të duken si asnjë gjë kur Shpëtimtari zbukuron ballin e tyre me kurorën e jetës. Diku tjetër Pali flet për vuajtjet e tanishme si pikëllime të lehta që janë vetëm për një moment, por ai përshkruan lavdinë si një peshë e pamasë dhe e përjetshme (2 Kor. 4:17). Sa herë ai përshkruan lavdinë e ardhshme, fjalët e tij nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar idenë {{30}}. Nëse ne do të mundeshim vetëm të vlerësonim lavdinë që do të jetë e jona, ne do të mund t’i llogaritnim vuajtjet gjatë rrugës si të papërfillshme!

8:19 Tani në një figurë letrare Pali personifikon gjithë krijimin si një pritje e padurueshme e kohës kur ne do t’i zbulohemi një bote të mrekullueshme si bij të Perëndisë. Kjo do të ndodhë kur Zoti Jezus kthehet të mbretërojë dhe ne do të kthehemi me Të.

Ne tashmë jemi bij të Perëndisë, por bota as na njeh e as na vlerëson si të tillë. Dhe përsëri bota mezi pret një ditë më të mirë dhe kjo ditë s’do mund të vijë derisa Mbreti të kthehet të mbretërojë me gjithë të shenjtët e Tij. “Gjithë krijimi është ngritur në majë të gishtave për të parë pamjen e mrekullueshme të bijve të Perëndisë duke ardhur me Të” (JBP).

8:20 Kur Adami mëkatoi, shkelja e tij përfshiu jo vetëm njerëzimin, por gjithë krijimin, si frymërorët ashtu edhe jofrymërorët. Toka është e mallkuar. Shumë kafshë të egra përjetojnë vdekje dhunuese. Sëmundje prekin zogj dhe kafshë ashtu si peshq e gjarpërinj. Rezultatet e mëkatit të njeriut kanë dallgëzuar si valë të forta në gjithë krijesën.

Kështu si Pali shpjegon, krijimi iu nënshtrua kotësisë, ligësisë, çrregullsisë, jo me zgjedhjen e tij, por me anë të dekretit të Perëndisë për shkak të mosbindjes së kreut të parë federal të njeriut.

Fjalët me shpresë në fundin e vargut 20 lidhen gjithashtu me fjalët nga vargu 21, “me shpresë që vetë krijimi të çlirohet” (NASB).

8:21 Krijimi sheh pas në kushtet ideale që ekzistonin në Eden. Më pas ai vëzhgon shkatërrimin që u shkaktua nga hyrja e mëkatit. Gjithmonë ka qenë shpresa e një kthimi në një gjendje idilike [ideale, origjinale], ku vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të gëzuar lirinë e asaj epoke të artë kur ne si bij të Perëndisë do të zbulohemi në lavdi.

8:22 Ne jetojmë në një botë vuajtjesh, qarjesh, psherëtimash. Gjithë krijimi rënkon dhe vuan dhimbje si ato të lindjes së një fëmije. Toka është e rrënuar nga shkatërrimi. Mallkimi i vdekjes është në çdo gjë të gjallë.

8:23 Besimtarët nuk janë të përjashtuar. Megjithëse ata kanë frytet e para të Frymës që garanton çlirimin e tyre të përhershëm, ata përsëri vajtojnë në veten e tyre për atë ditë të lavdisë. Vetë Fryma e Shenjtë është fryti i parë. Ashtu si dora e parë e grurit të korrur është një shenjë e gjithë korrjes që do të vijojë, kështu Fryma e Shenjtë është shenja e garancisë që komplet trashëgimia do të jetë e jona.

Për të qenë më specifike, Fryma e Shenjtë është garancia e birërimit që do të vijë, shpengimi i trupit (Efes. 1:14). Në një farë mënyre ne tashmë jemi të birëruar, që do të thotë që ne jemi vendosur si bij në familjen e Perëndisë. Por në një kuptim më të plotë, birërimi ynë do të kompletohet kur ne do të marrim trupat tanë të lavdëruar. Kjo është thënë të jetë shpengimi i trupave tanë. Frymërat dhe shpirtërat tanë janë shpenguar tashmë, dhe trupat tanë do të shpengohen në kohën e Rrëmbimit të Kishës (1 Thes. 4:13-18).

8:24 Ne u shpëtuam në këtë pikëpamje të shpresës. Ne nuk i morëm të gjitha përfitimet e shpëtimit tonë në momentin e kthimit në besim. Nga fillimi ne pritëm me padurim çlirimin e plotë dhe përfundimtar nga mëkati, vuajtja, sëmundja dhe vdekja. Nëse ne do t’i kishim marrë këto bekime s’do të shpresonim për to. Ne shpresojmë vetëm për diçka që është në të ardhmen.

8:25 Shpresa jonë për çlirim nga prezenca e mëkatit dhe gjithë rezultatet e tij vdekjeprurëse është bazuar në premtimin e Perëndisë dhe prandaj është aq e sigurt sikur ta kishim marrë atë. Kështu ne e presim atë me durim.

8:26 Ashtu si ushqehemi nga kjo shpresë e lavdishme, ashtu Fryma na mban ne në dobësitë tona. Ne hutohemi shpesh në lutjet tona. Ne nuk dimë të lutemi ashtu siç duhet. Ne lutemi me egoizëm, padituri, kalimthi. Por përsëri Fryma na ndihmon në dobësitë tona, duke ndërhyrë për ne me psherëtima të pashpjegueshme. Në këtë varg është Fryma ajo që rënkon dhe jo ne, edhe pse kjo e fundit është gjithashtu e vërtetë.

Ka një mister këtu. Ne shohim nga afër në të padukshmen sferën frymërore ku një Person i madh dhe forca të fuqishme janë në punë në emrin tonë. Dhe megjithëse ne s’mund ta kuptojmë të gjithë atë, ne mund të marrim inkurajim të pafund nga fakti që një rënkim mund të jetë ndonjëherë lutja më e frymëzuar.

8:27 N.q.s. Perëndia heton zemrat e njeriut, Ai mund të interpretojë edhe mendjen e Frymës, megjithëse kjo mendje gjen shprehje vetëm në psherëtima. Gjëja e rëndësishme është që lutjet e Frymës së Shenjtë për ne janë gjithmonë sipas vullnetit të Perëndisë, dhe ngaqë janë gjithmonë sipas vullnetit të Perëndisë ato janë gjithmonë për të mirën tonë. Kjo shpjegon shumë gjëra, siç zbulon edhe vargu tjetër.

8:28 Perëndia është duke punuar me të gjitha gjërat së bashku për të mirën e atyre që e duan Atë, për të gjithë ata që janë thirrur sipas qëllimit të Tij. Mund të mos duket gjithmonë kështu! Ndonjëherë kur ne vuajmë thyerjet e zemrës, tragjedi, zhgënjime, dështime etj., ne çuditemi duke thënë se çfarë e mirë mund të dalë nga ato. Por vargu në vazhdim jep përgjigjen: çdo gjë që Perëndia lejon të ndodhë në jetët tona është përcaktuar për të na përshtatur me imazhin e Birit të Tij. Kur ne shohim këtë, atëherë hiqet pikëpyetja nga lutjet tona. Jetët tona nuk kontrollohen nga forca pavetore si fati apo shansi, por nga Zoti ynë i mrekullueshëm dhe personal, i cili është “tepër i dashur, prandaj si mund të jetë i keq? Dhe shumë i zgjuar, prandaj si mund te gabojë?”

8:29 Tani Pali zbulon fushën e mrekullueshme të programit hyjnor të përcaktuar për të sjellë shumë bij në lavdi.

Së pari, Perëndia na ka njohur që më parë në të kaluarën e përjetësisë. Kjo nuk ishte thjesht një njohuri intelektuale. Përsa i përket njohurisë, Ai njohu secilin që do të lindte. Por paranjohja e Tij përfshiu vetëm ata që Ai paraurdhëroi apo paracaktoi të ishin të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit. Kështu ishte një njohuri me një qëllim që s’mund të pengohet kurrë. Nuk është e mjaftueshme të thuash që Perëndia njihte që më parë ata që Ai mendoi që një ditë do të pendoheshin dhe besonin. Në të vërtetë është paranjohja e Tij që garanton pendim dhe besim.

Është një nga të vërtetat mahnitëse të zbulesës hyjnore fakti që mëkatarët e paperëndishëm një ditë do të transformohen në shëmbëlltyrën e Krishtit me anë të një mrekullie të hirit. Sigurisht, nuk është çështja që ne do të kemi ndonjëherë cilësitë e perëndishmërisë, ose që ne do të kemi ngjashmëri fytyre me Krishtin, por që ne do të jemi moralisht si Ai, absolutisht të lirë nga mëkati dhe do të kemi trupa të lavdëruar si Ai.

Në atë ditë lavdie Ai do të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. I Parëlindur këtu do të thotë i pari në rend nderi. Ai s’do të jetë Një në mes të barabartëve, por Një që zë vendin kryesor të nderit mes vëllezërve dhe motrave të Tij.

8:30 Kushdo që ishte i paracaktuar në përjetësi është gjithashtu i thirrur në kohë. Kjo do të thotë që ai jo vetëm dëgjon Ungjillin, por që edhe i përgjigjet atij. Prandaj është një thirrje e efektshme. Të gjithë janë thirrur; kjo është thirrja e përgjithshme (ende e vlefshme) e Perëndisë. Por vetëm pak i përgjigjen; e kjo është thirrja e vlefshme (ajo që sjell kthimin në besim) e Perëndisë.

Të gjithë ata që i përgjigjen janë gjithashtu të shfajësuar, pra u është dhënë një pozicion absolutisht i drejtë përpara Perëndisë. Ata janë të veshur me drejtësinë e Perëndisë me anë të meritave të Krishtit dhe janë kështu të përshtatshëm për prezencën e Zotit.

Ata që janë të shfajësuar janë gjithashtu të përlëvduar. Në të vërtetë ne nuk jemi ende të përlëvduar, por është kaq e sigurt që Perëndia mund të përdorë kohën e shkuar në përshkrimin e saj. Ne jemi aq të sigurt për gjendjen e përlëvduar sikur ta kishim marrë atë!

Kjo është një nga pjesët më të fuqishme në Dh.R. në sigurinë e përjetshme të besimtarit. Për çdo milion njerëzish që janë të paracaktuar nga Perëndia, secili i atij milioni do të jetë i thirrur, i shfajësuar dhe përlëvduar. Asnjë s’do të mungojë! (Krahasoni fjalën “të gjithë” me Gjoni 6:37)

8:31 Kur ne konsiderojmë këto lidhje të pathyeshme në zinxhirin e artë të shpengimit, përfundimi është i pashmangshëm! Nëse Perëndia është për ne, në kuptimin që Ai na ka shënuar për veten e Tij, atëherë askush s’mund të fitojë kundër nesh {{31}}. Nëse i Plotfuqishmi po punon për ne asnjë forcë më e vogël s’mund të shkatërrojë programin e Tij.

8:32 Ai që nuk e kurseu Birin, por e dha për të gjithë ne. Ç’fjalë të mrekullueshme! Ne s’duhet të lejojmë kurrë familjaritetin tonë me këto fjalë për të turbulluar shkëlqimin e tyre apo për të zvogëluar fuqinë e tyre që frymëzon adhurimin. Kur një botë e njerëzimit të humbur kishte nevojë të shpëtohej me anë të një zëvendësuesi të pamëkatshëm, Perëndia i madh i universit nuk e kurseu Thesarin më të mirë të zemrës së Tij, por e dha Atë në një vdekje të turpshme për ne.

Logjika që rrjedh nga kjo është e papërballueshme. N.q.s. Perëndia na ka dhënë ne dhuratën më të madhe, a ka ndonjë dhuratë më të vogël që s’do ta jepte Ai? N.q.s. Ai ka paguar çmimin më të lartë, a do të hezitojë Ai të japë ndonjë çmim më të ulët? Nëse Ai ka shkuar në përmasa të tilla për të siguruar shpëtimin tonë, a do të na lërë ndonjëherë ne të ikim? Qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat?

“Gjuha e mosbesimit”, tha Mackintosh, “thotë «Si do ta bëjë?». Gjuha e besimit thotë «Si do të mos e bëjë [d.m.th. Si do të mos na dhurojë të gjitha gjërat?] {{32}}.

8:33 Ne ende jemi në një dhomë gjyqi, por tani një ndryshim i dallueshëm ka ndodhur. Ndërkohë që mëkatari i shfajësuar qëndron përpara trupit gjykues, thirren akuzuesit të bëjnë një hap përpara. Por s’ka asnjë! Si ka mundësi? N.q.s. Perëndia ka shfajësuar të zgjedhurin e Tij, kush mund t’i padisë?

Argumenti i vargjeve 33 dhe 34 qartësohet n.q.s. ne vendosim fjalët «Asnjë sepse…» përpara çdo përgjigje. Kështu ky varg mund të lexohet. Kush mund t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Asnjë sepse Perëndia është Ai që i shfajëson. Nëse ne nuk vendosim këto fjalë, mund të tingëllojë sikur Perëndia do të sjellë një akuzë kundër të zgjedhurve të Tij. Një gjë që Pali është duke e mohuar!

8:34 Një sfidë tjetër dëgjohet! A ka ndonjë që dënon? Asnjë, sepse Krishti ka vdekur për të pandehurin, është ringjallur prej së vdekurish, është tani në të djathtë të Perëndisë duke ndërhyrë për ne. N.q.s. Zoti Jezus, të cilit i është dhënë gjithë gjykimi, nuk jep vendim për të pandehurin, por për më tepër lutet për të, atëherë s’ka asnjë tjetër që të mund të ketë ndonjë arsye të vlefshme për ta dënuar atë.

8:35 Tani besimi lëshon thirrjen e tij të fundit: a ka ndonjë që mund ta ndajë të shfajësuarin nga dashuria e Krishtit? Një kërkim është bërë për çdo rrethanë të pafavorshme që ka ndikuar në ndarjen në fusha të tjera të jetës njerëzore. Por asnjë s’mund të gjendet. As aftësia therrëse e ngushticës me goditjen e vazhdueshme të pikëllimit dhe hidhërimit, as përbindëshi i ankthit që sjell dhimbje të jashtëzakonshme në mendje dhe në trup, as brutaliteti i persekutimit që shkakton vuajtje dhe vdekje mbi ata që guxojnë të jenë ndryshe. As skeptri i shkretë i urisë – që bren, torturon dhe shkreton deri në skelete. As të zhveshurit, me gjithë kuptimin e saj në mënyrën e privimit, ekspozimit dhe pambrojtshmërisë. As rreziku – kërcënimi i pashmangshëm dhe rrezikshmëria e tmerrshme për jetën. As shpata – e ftohtë, e rëndë dhe vdekjeprurëse.

8:36 N.q.s. një nga këto gjëra mund ta ndajë besimtarin nga dashuria e Krishtit, atëherë ndërprerja fatale do të kishte ndodhur shumë më përpara, sepse karriera e të krishterit është një vdekje e gjallë. Kjo është ajo çfarë psalmisti la të nënkuptohej kur ai tha që, për shkak të identifikimit tonë me Zotin, ne po vritemi gjithë ditën dhe si delet jemi dënuar me therje (Ps. 44:22).

8:37 Në vend që të na ndajnë ne nga dashuria e Krishtit këto gjëra vetëm sa na çojnë ne më afër Tij. Ne nuk jemi vetëm fitimtarë, por më shumë se fitimtarë {{33}}. Nuk është vetëm që ne triumfojmë mbi këto forca të frikshme, por që duke bërë këtë ne i sjellim lavdi Perëndisë, bekim të tjerëve dhe mirësi vetes sonë. Ne bëjmë skllevër prej armiqve tanë dhe ecim mbi pengesat në rrugë.

Por e gjitha kjo nuk është me anë të fuqisë sonë, por vetëm nëpërmjet Atij që na deshi. Vetëm fuqia e Krishtit mund të sjellë ëmbëlsi nga hidhërimi, fuqi nga dobësia, triumf nga tragjedia dhe bekim nga pikëllimi i thellë.

8:38 Apostulli nuk e ka mbaruar ende kërkimin e tij. Ai rrëmon gjithë universin për diçka që mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë e më pas heq mundësitë një nga një:

vdekja me gjithë tmerret e saj;

jeta me gjithë joshjet e saj;

engjëjt apo pushtetet, të mbinatyrshëm në fuqi dhe njohuri;

fuqitë, qofshin tirani njerëzore apo engjëj kundërshtarë;

gjërat e tashme që përplasen mbi ne;

gjërat e ardhme që shkaktojnë parandjenja të frikshme.

8:39 As lartësitë, as thellësitë, ato gjëra që janë në qendër të dimensionit apo hapësirës, duke përfshirë forcat e mbinatyrshme {{34}}. E më pas për t’u siguruar që s’ka harruar asgjë, Pali shton:

As ndonjë krijesë tjetër.

Përfundimi i kërkimit të Palit është se ai s’mund të gjejë asgjë që mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, që është në Jezu Krishtin Zotin tonë.

Pa dyshim që këto fjalë triumfuese kanë qenë kënga e atyre që kanë vdekur martirë dhe rapsodia e atyre që kanë jetuar jetë martirësh!

[[1]] (Parath.) J. B. Philips, The Young Church in Action, fq. 7[[1]] [[2]] (1:5) Midis ringjalljes së Krishtit dhe ngjitjes së Tij ishin 40 ditë. Dhjetë ditë më shumë kaluan përpara Ditës së Rrëshajëve. Por Zoti nuk tha me saktësi se sa ditë, ndoshta për t’i mbajtur dishepujt në një gjendje pritjeje.[[2]] [[3]] (1:20) Ky nuk është një citim ekzakt nga Psalmi ashtu si e kemi ne në Bibël. Ka dy arsye të mundshme për këtë. (1) Shkrimtarët e Dh.R. shpesh citonin Shkrimet e Dh.V. nga Versioni Septuagint, kurse përkthimet tona u bënë nga teksti origjinal Hebre; kjo sjell disa ndryshime në fjalë. (2) Siç është shpesh rasti, Fryma e Shenjtë, që frymëzoi Dh.V., ushtron lirinë e të përshtaturit kur e citon atë në një tekst të Dh.R..[[3]] [[4]] (2:1) Të njëjtat fjalë janë përdorur për “banojnë bashkë” në versionin grek të Psalmit 133:1 siç janë përdorur këtu në Veprat për “në një vend.”[[4]] [[5]] (2:4) Shërbesa të tjera të Frymës së Shenjtë të cilat bëhen tonat kur kthehemi në besim janë: vajosja (1 Gjon. 2:27), vulosja (Efes. 1:13) dhe siguria (Efes. 1:14). Shërbesa të tjera të Frymës që kushtëzohen mbi bindjen dhe nënshtrimin tonë janë: drejtimi (Vep. 8:29), gëzimi (1 Thes. 1:6) dhe fuqia (Rom. 15:13).[[5]] [[6]] (2:22-24) Fjala e përkthyer dhimbje zakonisht i referohet brengave të punës. Ringjallja e Krishtit është përngjasuar me një lindje nga vdekja në jetë. Vuajtjet e lidhura me të gjithë procesin ishin të forta por të përkohshme. Në Psalmin 18:5 është dhënë e njëjta shprehje “ankthet e Sheolit.”[[6]] [[7]] (2:25-27) Parajsa është e njëjtë me qiellin e tretë (2 Kor. 12:2-4).[[7]] [[8]] (2:38) Charles C. Ryrie, The Acts of the Apostles, fq. 24.[[8]] [[9]] (2:39) Charles H. Spurgeon., The Treasury of the New Testament, I:530[[9]] [[10]] (2:41) Teksti kritik (NU) lë jashtë “gëzueshëm.”[[10]] [[11]] (2:44,45) F. W. Grant, “Veprat,” The Numerical Bible: Acts to 2 Corinthians, 5:25,26.[[11]] [[12]] (2:46) Kudo që lexojmë për Palin dhe të tjerët duke shkuar në tempull, nënkupton në oborret e tempullit jo në vendin e shenjtë. Vetëm prifti mund të hynte atje. Johebrenjtë lejoheshin të shkonin vetëm në oborrin e jashtëm; e shkuara më thellë dënohej me vdekje.[[12]] [[13]] Në tekstin kritik “kisha” nuk duket deri në 5:11.[[13]] [[14]] Merrill F. Unger, Unger’s Bible Handbook, fq. 586.[[14]] [[15]] E. Stanley Jones, Christ’s Alternative to Communism, fq. 78.[[15]] [[16]] G.H. Lang, The Churches of God, fq. 11.[[16]] [[17]] (4:1-4) Charles Haddon Spurgeon.[[17]] [[18]] (4:13) James A. Stewart, Evangelism, fq. 95.[[18]] [[19]] (4:14-18) J.H. Jowett, The Redeemed Family of God, fq. 137.[[19]]] [[20]] (4:27,28) Këtu “Shërbëtor” është përkthimi i preferuar i «pais», në vend të “fëmijë” si në 3:13,26; 4:30.[[20]] [[21]] (4:27,28) George Matheson, Rest By The River, fq. 75-77.[[21]] [[22]] (4:32-35) Grant “Acts,” fq 34.[[22]] [[23]] (4:32-35) F.E. March, Fully Furnished, fq 74.[[23]] [[24]] (4:32-35) Ryrie, Acts, fq 36.[[24]] [[25]] (5:40) Ryrie sugjeron që rrahja mund të ketë qenë për mosbindjen e tyre ndaj urdhëresës së mëparshme të Sinedrit (LiP. 25:2,3).[[25]] [[26]] (5:41) Ka tre variacione interesante këtu: TR: “Emri i Tij”; NU: “emri”; M: “emri i Jezusit.”[[26]] [[27]] (6:8) Stefan (greqisht Stephanos) do të thotë “kurorë dafinash” ose “kurorë lavdie.”[[27]] [[28]] (6:10-14) Renditja e fjalëve mund të tregojë që ata ishin më xhelozë për nderin e Moisiut sesa të Perëndisë![[28]] [[29]] (7:9-19) “Si versioni origjinal ashtu dhe ai grek mund të jenë të dy të vërtetë; llogaritja e këtij të fundit mbi pesë bijtë e Manasit dhe Efraimit lindur në Egjipt (1 Kronikave 7:14-27), sipas një lirie të formave të ndryshme, që nuk është një gjë e pazakonshme në renditje të tilla.” Kelly, Acts, fq 84.[[29]] [[30]] (7:9:19) Për një trajtim të mëtejshëm të këtij dhe të problemit të mëparshëm, shih Kelly, Acts, fq 84,85.[[30]] [[31]] (7:20-43) Daily Notes nga Scripture Union, 31 Maj 1969.[[31]] [[32]] (8:4-8) Është poshtë nga Jeruzalemi në lartësi.[[32]] [[33]] (8:4-8) Homer L. Payne, “What is a Missionary Church,” The Sunday School Times, 22 Shkurt 1964, fq 129.[[33]] [[34]] (8:12,13) Përderisa teksti thotë Simoni “besoi” dhe i kërkoi Pjetrit të lutej për të, (v 24), ekziston një argument që thotë që ai ishte i shpëtuar por tepër mishëror.[[34]]


[previous][next]