Parimet e doktrinës së krishterë- Mësimi 2
«UNË JAM PERËNDIA DHE NUK KA ASNJË TJETËR; Unë jam Perëndia dhe asnjë nuk është i ngjashëm me mua» (Isa. 46:9). Bibla flet për të vetmen Qenie Supreme. «Te Lartit, qiellorit, që banon në përjetësi» (Isa. 57:15). Përtej misterit dhe të pafundësisë së qenies së tij absolute, Ai na është paraqitur si «Perëndia i gjallë» (Psalmi 42:2; 84:2; Danieli 6:20 dhe 1 Tim. 4:10; 6:17; Heb. 9:14; 10:31). «Madhështia e Tij nuk mund të matet» (Psalmi 145:3). Madhështia e Tij është e tillë sa «tek ai jetojmë, lëvizim, dhe jemi» (Veprat e Apostujve 17:28). Vazhdimisht vihet re kjo shprehje: «O Perëndi kush është i barabartë me ty?» (Psalmi 71:19; 89:9; 113:5). Përgjigjja nuk mund të jetë veçse kjo: «Nuk është asnjë i barabartë me ty».
Besime popullore mbi Perëndinë
Autoprova e Perëndisë
Bibla nuk kërkon të provojë ekzistencën e Perëndisë, ajo merr parasysh që kjo njohje është rrënjosur në thellësitë më të mëdha të qenies dhe të ndërgjegjes së njeriut. Ajo thotë që i marri mohon ekzistencën e Tij (Psalmi 14:1; 53:1). Në përgjithësi, në arkeologji, konsiderohet si provë e pranisë së njeriut, evidenca e adhurimit të Perëndisë. Asnjë diktaturë nuk ka qenë në gjendje të shkatërrojë besimin tek Perëndia, me gjithë sforcimet e mëdha të bëra. Pjesa më e madhe e historisë tregon që njeriu ka qenë gjithmonë thellësisht i bindur për ekzistencën e Perëndisë dhe që Atij do t’i japë llogari. Kjo vetëdije është themeli i përgjegjësisë së tij ndaj Perëndisë «Në të vërtetë, ajo që njerëzit mund të dinë për Perëndinë, u është bërë e njohur. Perëndia ua ka zbuluar vetë. Askush, vërtet, nuk mund ta shohë Perëndinë; por ai u zbulohet njerëzve me anë të veprave të tij. Meqë ka krijuar botën, ata mund ta njohin fuqinë e tij të përjetshme, ashtu edhe qenësinë e tij hyjnore, n.q.s. duan të dinë për këtë çështje. Prandaj nuk kanë asnjë përligje (për mosbesim)». (Rom. 1:19-20). Bindja e qëndrueshme për ekzistencën e Perëndisë ishte e pranishme shumë kohë më parë se sa njerëzit të vendosnin së bashku argumente në favor ose kundër një besimi të tillë. Sulmet sistematike nga ana e Shtetit, e sistemi edukativ dhe mjeteve të informimit në masë janë drejtuar të gjitha për të dobësuar besimin tek Perëndia. Si rezultat, është e dukshme që si krenaria, arroganca intelektuale, mbrapshtia dhe degjenerimi shoqëror rriten, rriten edhe pikëpyetjet mbi ekzistencën e Perëndisë. Në fakt disa pyesin, «Përse duhet të besojmë tek Perëndia? Mundemi të shpjegojmë çdo gjë mbi një bazë natyraliste ose evolucioniste!» Ata të cilët e mbajnë veten se janë më të zgjuar se ata që besojnë tek Perëndia duhet të konsiderojnë që:
- ASNJË GJË NUK E KA FILLIMIN NGA VETJA. Asnjë studim shkencor nuk ka treguar që ekziston një zinxhir pa fund duke filluar nga asgjë. Në fakt, asgjë del nga asgjëja. Bibla thotë: «çdo gjë ndërtohet nga dikush; por Perëndia ka ndërtuar gjithçka» (Heb. 3:4).
- STRUKTURA TE PËRPUNUARA KËRKOJNË NJË KONSTRUKTOR OSE NJË PROJEKTUES. Pjesët më të rëndësishme të një njeriu, si p.sh.: truri ose sytë, janë më të komplikuara se një përpunues të dhënash ose se një orë. Askush nuk beson që kjo e fundit të jetë formuar rastësisht. Dhe aq më pak një sy!
VIZIONI BIBLIK I PERËNDISË
- ËSHTË VETËM NJË PERËNDI. Qoftë Dhiata e Vjetër dhe qoftë Dhiata e Re pohojnë që është një Perëndi i vetëm (Ligji i Perterire 6:4; Isa. 45:5 dhe 1 Tim. 2:5). Judaizmi dhe islamizmi puqen në këtë me besimin e krishterë. Shumë njerëz flasin për perëndi të tjerë (1 e Korintasve 8:5,6) dhe Bibla e përdor shpesh termin me një domethënie inferiore (Eksodi 7:1; Psalmi 82:6), por është vetëm një Perëndi unik i vërtetë.
- PERËNDIA EKZISTON NË TRE PERSONA. Perëndia i vetëm është një njësi «shumës», Ai është një në thelb, por i zbuluar në Shkrimin e Shenjtë si shumës në dallimin e personalitetit. Një emër i Perëndisë në Dhiatën e Vjetër është Elohim i përdorur rreth 2600 herë. Ky emër është shumës në formë megjithëse përdoret disa herë me një folje njëjës. Ligji i Perterire 6:4 është pohimi tipik hebraik sipas së cilit është vetëm një Perëndi. «I Përjetshmi, Perëndia ynë, është I Përjetshmi i vetëm». Ky varg përdor Elohim. Vërejmë, gjithashtu, që Perëndia flet shpesh për veten, gjithmonë në Dhiatën e Vjetër, duke përdorur «ne» (Zanafilla 1:26; 3:22). Asnjë mbret i Izraelit nuk ka folur me këto terma për veten e tij asnjëherë. Ka pastaj referime që tregojnë një dallim ndaj «Perëndisë dhe Perëndisë» (Psalmi 45:6,7; Heb. 1:8, ose «I Përjetshmi i tha Zotit tim», Psalmi 110:1, Mateu 22:42-46). Zbulimi i plotë i ekzistencës së Perëndisë si At, Bir dhe Fryma e Shenjtë na jepet në Dhiatën e Re, secili prej tyre quhet qartë Perëndi, edhe pse Dhiata e Re pohon qartësisht që është vetëm një Perëndi.a. Ati është Perëndi. Shiko 1 Thes. 1:1 dhe 2 Pjetrit 1:17.
b. Fryma e Shenjtë është Perëndi. Shiko Veprat e Apostujve 5:3-4 dhe 2 e Korintasve 3:17.
c. Biri është Perëndi. Shiko 1 Gjonit 5:20; Titit 2:13; Gjoni 1:1,14; 20:26-28; Rom. 9:5; Kolosianeve 2:8-9 dhe 1 Tim. 3:16; Heb. 1:8; Zbulesa 1:8,17-18.
Të gjitha atributet hyjnore i janë atribuar secilit; gjithashtu cilësi si vullneti, emocionet dhe arsyeja. At, Bir dhe Fryma e Shenjtë dallohen nga njëri-tjetri e megjithatë janë të bashkuar në një shoqate hyjnore (1 Pjetrit 1:2; Juda 1:20-21). Emrat e tyre janë bashkuar në formulën e pagëzimit (Mt. 28:19) edhe në bekimin apostolik (2 e Korintasve 13:14). Mund të identifikohen në pagëzimin e Jezusit (Mt. 3:16-17) dhe në diskutimin e tij i sjellë tek Gjoni (Gjoni 14:16-20; 15:26; 16:7-16). Uniteti vërtetohet (Gjoni 14:9; 17:22). Megjithëse quhen «personat e Perëndisë», ata ndryshojnë nga ajo që ne kuptojmë për «persona». Nuk flitet për tre perëndi të ndryshëm, as për një perëndi me tre kokë; në thelb nuk flitet për gjë tjetër vetëm për një Perëndi të vetëm. Fjala «Trini» përdoret për të përshkuar në mënyrë të përshtatshme Perëndinë megjithëse ajo nuk është në Bibël; kjo vlen edhe për shprehjen «Perëndia trini». Nga momenti që nuk kemi asgjë për ta krahasuar me Perëndinë nga ky këndvështrim, nuk kemi asnjë term në gjuhën tonë që të shprehë plotësisht këtë të vërtetë. Bibla nuk e shpjegon; dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të pranojmë pohimet drejtpërdrejta të Shkrimit, pa i diskutuar.
- PERËNDIA ËSHTË SHPIRT. Shiko Gjoni 4:24. Ai mund të marrë tipare njerëzore ose të dëgjohet nëpërmjet një zëri; mund të manifestohet, gjithashtu në ndonjë manifestim natyror si bubullimë ose vetëtimë. Përveç këtyre, Perëndia është një qenie shpirtërore e padukshme që nuk mund të lidhet nga hapësira, nga koha ose nga materia.
- 4. PERËNDIA KA PERSONALITET. Ai nuk është një parim i thjeshtë ose ide. I janë vënë karakteristika personale, si njohja (1 Gjonit 3:20), ndjeshmëria ose emocionet (Zanafilla 6:6), vullneti ose aftësia për të vendosur (Jakobit 1:18). Ai manifeston qoftë dashuri qoftë zemërim; kujton ose vendos të harrojë; bën ligje dhe shpall të ardhmen. Perëndia nuk është një makinë vetë funksionale. Është ngushëllim i madh për besimtarin të dijë që Perëndia është dashuri (1 Gjonit 4:8-16). Asnjë parim nuk do të justifikonte pohimin e 1 Pjetrit 5:7, «hidhni mbi të të gjitha shqetësimet tuaja, sepse Ai kujdeset për ju».
Fjala angleze «God» (Perëndi) rrjedh nga «good» (i mirë). Perëndia në fakt është i mirë. Ai është quajtur edhe Zoti, i Plotfuqishmi, Krijuesi, Shpëtimtari, Çliruesi dhe në shumë mënyra të tjera. Emri Jehovah rrjedh nga JHVH, një fjalë me katër shkronja që tregon Emrin Hyjnor në Dhiatën e Vjetër. Ai nuk shqiptohej asnjëherë dhe mund të bëjmë vetëm supozime mbi se cila ka qenë drejtshkrimi i saj i plotë dhe shqiptimi i saktë. Askush nuk mund të pohojë biblikisht që ekziston një emër i vetëm i pranueshëm për Perëndinë. Përkundrazi, është e rëndësishme të njohësh Perëndinë e Biblës, ai i cili na urdhëron të dëgjojmë Birin e tij Jezu Krishtin. Dhe në fakt, Ai është rruga e vetme për të arritur tek Perëndia (Gjoni 14:6).
Pyetje – Mësimi 2
Është e rëndësishme të dish se tek kush besojmë dhe është e rëndësishme ta njohësh atë person. Kujt i ngjan Perëndia? Ke ide të gabuara mbi Të?
1. Perëndia është (zgjidh një përgjigje)
a. një ide
b. një forcë
c. një njeri
d. frymë
2. Cili nga pohimet e mëposhtëm përshkruam më mirë konceptimin tënd për Perëndinë?
a. polic
b. menaxher
c. babai yt në tokë
d. një makinë
e. asnjëra prej përgjigjeve të mësipërme
3. Si do t’ia përshkruaje Perëndinë ndonjërit që nuk ka dëgjuar asnjëherë të flitet për Të?
4. A kërkon Bibla të provojë ekzistencën e Perëndisë? Apo a supozon Bibla që ekzistenca e Perëndisë është tashmë për vetveten një provë (Zanafilla 1:1)?
Si mund të dijë për ekzistencën e Perëndisë një person që nuk ka dëgjuar asnjëherë të flitet për Biblën (Psa. 19:1-4; Rom. 1:19-20)?
Përse beson që Perëndia ekziston?
5. Bibla mëson që (zgjidh një përgjigje)
a. është një Perëndi i vetëm
b. janë tre perëndi
c. janë shumë perëndi
d. të gjithë adhurojmë të njëjtin Perëndi
6. Në çfarë mënyre i konsideron Bibla «perënditë» e tjera që njerëzit i adhurojnë (1 e Korintasve 8:5-6)? Shkruaj me fjalët e tua këtë argument.
7. Si do t’ia shpjegoje ndonjërit këtë që vijon: Ati është Perëndi. Biri është Perëndi. Fryma është Perëndi. Ekziston një Perëndi i vetëm.
8. Perëndia është shpirt do të thotë (zgjidh një përgjigje)
a. Perëndinë ne nuk mund ta njohim
b. Perëndia nuk mund të shihet
c. Perëndia nuk mund të zbulohet në mënyrë të dukshme
d. Perëndia nuk është personal
9. Çfarë mendon? N.q.s. Perëndia është një person, është e mundur të kesh një raport personal me Të. Si do ta përshkruaje raportin tënd aktual me Të?
10. Çfarë mendojnë të tjerët? Tako të paktën tre persona gjatë javës dhe bëji atyre pyetjet e mëposhtme:
(1) Si do ta përcaktoje Perëndinë?
(2) Sipas jush, cila është prova më e rëndësishme e ekzistencës së Perëndisë (n.q.s. personi nuk beson tek Perëndia pyete përse nuk beson)?
(3) N.q.s. mund t’i kërkoje Perëndisë ndonjë gjë, çfarë do t’i kërkoje?