Pozicioni që ka besimatari në Krishtin (Efesianëve 1-3)

A. Përshëndetja (1:1,2)

1:1 Emri Pal do të thotë “i vogël.” Megjithëse fizikisht ai mund ta ketë përmbushur këtë përshkrim, frymërisht influenca e tij ishte tepër e madhe. Ai e paraqet veten e tij si një apostull i Jezus Krishtit. Kjo do të thotë që atij i ishte ngarkuar nga Zoti i ngritur që të përmbushë një mision të veçantë. Ky mision ishte shpallja e Ungjillit tek Johebrenjtë dhe mësimi i së vërtetës së madhe në lidhje me Kishën (3:8,9). Përderisa Efesianëve merret me Kishën dhe përderisa kjo e vërtetë iu zbulua fillimisht apostujve dhe profetëve (3:5), është e përshtatshme që apostulli ta paraqesë veten si një apostull. Nuk ishte një shenjë krenarie bërja e kësaj gjëje; për më tepër ishte një shpjegim mbi atë që ai mund të fliste me autoritet mbi këtë subjekt. Burimi i autoritetit të tij është shprehur me fjalët, me anë të vullnetit të Perëndisë. Pali nuk e zgjodhi vetë punën. Dhe asnjë njeri nuk ia caktoi atë atij. Ishte një thirrje hyjnore nga fillimi deri në fund (Gal. 1:1).

Letra u është adresuar shenjtorëve që janë në Efes dhe besimtarëve në Jezu Krishtin. Të shenjtët janë njerëzit që janë veçuar nga bota për Perëndinë. Është një emër që në DhR u dedikohet të gjithë atyre që janë të rilindur. Në themel fjala i referohet më tepër pozicionit që kanë besimtarët në Krishtin, sesa asaj që ata janë në vetvete. Në Krishtin të gjithë besimtarët janë shenjtorë, megjithëse në vetvete ata nuk janë gjithmonë të shenjtë. P.sh. Pali i drejtohet efesianëve si të shenjtët (1 Kor. 1:2), megjithëse është e qartë nga ajo që pason, që ata nuk ishin të gjithë duke jetuar një jetë të shenjtë. E përsëri vullneti i Perëndisë është që praktika jonë duhet t’i korrespondojë pozicionit tonë: shenjtorët duhet të jenë të shenjtë.

Dhe besimtarëve në Jezu Krishtin. Fjala besimtar do të thotë “ata që besojnë” dhe është një përshkrim i gjithë të krishterëve të vërtetë. Sigurisht, besimtarët duhet të jenë gjithashtu besnikë në kuptimin që ata janë të denjë për t’u besuar dhe të besueshëm. Por mendimi kryesor këtu është që ata e kishin pranuar Krishtin Jezus si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre të vetëm.

Dy nga dorëshkrimet më të vjetra nuk i kanë fjalët, në Efes, megjithëse këto dy fjalë janë në shumicën e dorëshkrimeve. Shumë shkollarë mendojnë që kjo ishte një letër që qarkullonte nëpër asambletë lokale për t’u lexuar nga të gjithë në vende të ndryshme, dhe më e dalluara ndër to ishte Kisha në Efes. Fatmirësisht kjo çështje nuk ndikon as autenticitetin e letrës dhe as vlerën që ajo ka për ne.

1:2 Më pas vjen përshëndetja e apostullit për shenjtorët. Çdo fjalë është e ngarkuar me një domethënie frymërore – ndryshe nga shumë përshëndetje boshe që përdorim ne sot.

Hir do të thotë ndihmë hyjnore për jetesën e përditshme. Lexuesit e Palit ishin të shpëtuar nëpërmjet hirit të Perëndisë, dhurata e pamerituar që Ai i bën të humburit. Por tani ata kishin nevojë për fuqi nga Perëndia për t’u bërë ballë problemeve, sprovave dhe brengave të jetës. Këtë gjë dëshiron apostulli për ta këtu.

Paqja nënkupton një shpirt të qetë në gjithë rrethanat e ndryshme që sjell jeta. Të shenjtët tashmë kishin përjetuar paqe me Perëndinë kur ata ishin kthyer në besim. Por çdo ditë ata kishin nevojë për paqen e Perëndisë, pra për qetësinë e çlodhjen që është e pavarur nga rrethanat dhe që vjen nga paraqitja e çdo gjëje përpara Perëndisë me anë të lutjes (Fil. 4:6, 7).

Ia vlen të vësh re që hiri vjen i pari e më pas paqja. Kjo është gjithmonë renditja. Vetëm pasi hiri të jetë marrë me problemin e mëkatit, mund të bëhet e njohur paqja. Dhe vetëm nëpërmjet forcës së pamerituar që Perëndia jep çdo ditë, besimtari mund të përjetojë paqe, një paqe të përsosur, në të gjitha gjendjet e ndryshme shpirtërore që mund të krijojë jeta.

Hiri (charis) ishte një fjalë karakteristike Greke. Judenjtë përdorin fjalën paqe (Hebraisht: shalom) si një përshëndetje. Duke i vendosur ato së bashku ne kemi në miniaturë ungjillin për të gjithë botën. Kur ne i bashkojmë ato ne kemi gjithashtu të vërtetën e Kishës së DhR të cilën Pali e sqaron aq plotësisht në letrën drejtuar Efesianëve – Judenjtë dhe Johebrenjtë të bashkuar në një Trup të vetëm në Krisht.

Hiri dhe Paqja vijnë nga Perëndia Ati ynë dhe Zoti Jezus Krisht. Pali nuk hezitoi ta vendoste Zotin Jezus në të njëjtin nivel me Perëndinë At: ai e nderoi Birin ashtu siç nderonte Atin. Dhe kështu duhet të bëjmë edhe ne. (Gjoni 5:23)

Le të shohim tani lidhjen e mrekullueshme të fjalëve Perëndisë Ati ynë. Fjala Perëndi, e marrë më vete mund të krijojë idenë e Njërit që është i paafrueshëm dhe pafundësisht i lartë. Emri At, në anën tjetër, flet për Një që është personalisht i afërt dhe i arritshëm. Duke i bashkuar të dyja fjalët me përemrin pronor, ynë, ne kemi të vërtetën marramendëse që tregon se Perëndia i lartë që banon përjetësinë, është Ati i dashur i kujtdo që ka lindur përsëri me anë të besimit në Zotin Jezus.

Titulli i plotë i Shpëtimtarit tonë është Zoti Jezus Krisht. Si Zot, Ai është Zotëria ynë absolut me të gjitha të drejtat mbi atë çfarë ne jemi dhe çfarë kemi. Si Jezus, Ai është Shpëtimtari ynë nga mëkati. Si Krisht, Ai është Profeti ynë hyjnor, Prifti dhe Mbreti ynë. Sa shumë gjëra shpalos emri i Tij në çdo vesh që dëgjon!

B. Lavdërimi që i bën Pali Perëndisë për Bekimet e Hirit (1:3-14)

1:3 Pas përshëndetjes së shkurtër Pali e ngre zërin në një himn të mrekullueshëm lavdërimi, duke u ngritur në disa nga lartësitë më sublime të adhurimit në DhR. Këtu ne kemi vërshimin e një zemre që adhuron Perëndinë për bekimet e hirit. Në këto vargje (3-14) Pali ndjek aktivitetin e Perëndisë në shpëtim nga përjetësia e kaluar nëpër kohë dhe në përjetësinë e ardhshme. Dhe kjo përfshin një diskutim të misterit të vullnetit të Perëndisë – besimtarët Judenj dhe Johebrenj janë bashkë-pjesëmarrës në trashëgiminë e lavdishme.

Ai fillon duke i bërë një thirrje të gjithë atyre që njohin Perëndinë që ta bekojnë Atë, pra, t’i sjellin gëzim zemrës së Tij me anë të lavdërimit dhe dashurisë së adhurimit. I Bekuari është Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezus Krisht. Disa herë Jezusi iu drejtua Perëndisë si Perëndia (Mat. 27:46). Herë të tjera Ai foli për Të si Ati (Gjo. 10:30). I Bekuari është gjithashtu Bekuesi. Ne e bekojmë Atë duke e lavdëruar. Ai na bekon ne dhe na bën të lumtur duke na ujitur me pasuritë e hirit të Tij.

Ai na ka bekuar ne me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin. Këtu kemi një piramidë të hirit:

na bekoi

bekim frymëror

çdo bekim frymëror

çdo bekim frymëror në vendet qiellore

çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin

Vini re se sa të pakufizuara janë zemra dhe dora e Tij – çdo bekim frymëror. Vini re gjithashtu, që këto janë bekime frymërore. Mënyra më e thjeshtë për të shpjeguar këtë është t’i krahasosh këto bekime me bekimet e Izraelit nën ligj. Në DhV një Jude besnik dhe i bindur shpërblehej me një familje të madhe, me prodhime të bollshme dhe me mbrojtje nga armiqtë e tij (LiP. 28:2-8). Bekimet e Krishterimit, në të kundërt, janë frymërore, pra, ato merren me thesare që nuk janë materiale, por të padukshme dhe që nuk prishen. Është e vërtetë që të shenjtët e DhR gëzonin gjithashtu disa bekime frymërore, por siç do ta shohim, i krishteri sot gëzon bekime që ishin të panjohura për kohët e shkuara.

Bekimet tona janë në vendet qiellore, fjalë për fjalë “në qielloret.” Në vend që të jenë bekime materiale në vendet tokësore, ato janë bekime frymërore në vendet qiellore. Shprehja, në vendet qiellore, është përdorur pesë herë në Efesianëve:

1:3 Fusha e bekimeve tona frymërore

1:20 Skena e kurorëzimit të tanishëm të Krishtit

2:6 Skena e kurorëzimit tonë të tanishëm në Krishtin

3:10 Vendi prej nga engjëjt dëshmojnë urtësinë e Perëndisë të shfaqur në Kishë

6:12 Sfera e cila është burimi i konfliktit tonë të tanishëm me frymërat e këqija

Kur i vendosim së bashku këto pjesë, ne kemi një përkufizim të vërtetë sipas Shkrimit për vendet qiellore. Siç e ka thënë Unger, ato janë “sfera e pozicionit të besimtarit dhe përjetimi që vjen si një rezultat i të qenurit të tij i bashkuar me Krishtin me anë të pagëzimit të Frymës.” Të gjitha bekimet frymërore janë në Krishtin. Ishte Ai që i siguroi ato për ne nëpërmjet veprës së Tij kryer në Kalvar. Tani ato janë të mundshme nëpërmjet Tij. Çdo gjë që Perëndia ka për besimtarin është në Zotin Jezus. Për të marrë këto bekime ne duhet të jemi të bashkuar me Krishtin me anë të besimit. Në çastin që një njeri është në Krishtin, ai bëhet zotërues i të gjitha atyre. Chafer shkruan, “Të jesh në Krishtin, gjë që është pjesë e gjithë atyre që janë të shpëtuar, do të thotë të jesh pjesëmarrës në të gjitha ato që ka bërë Krishti, në të gjitha që Ai është, dhe në të gjitha që Ai do të jetë.” {{2}}

Në Krishtin është një nga shprehjet kyçe të Efesianëve. Ka dy vija tepër të lidhura me njëra-tjetrën mbi të vërtetën në DhR – e vërteta e pozicionit të besimtarit dhe e vërteta e praktikës së tij.

Së pari, pozicioni i besimtarit. Çdo njeri në botë është ose në Adamin, ose në Krishtin. Ata që janë në Adamin janë në mëkatet e tyre dhe prandaj janë të dënuar përpara Perëndisë. Nuk ka asgjë që ata mund të bëjnë në veten e tyre për të kënaqur Perëndinë apo për të fituar simpatinë e Tij. Ata nuk mund të pretendojnë në Perëndinë, dhe nëse do të merrnin atë që meritonin, ata do të zhdukeshin përjetësisht.

Kur një person kthehet, Perëndia nuk e sheh më atë si një fëmijë i dënuar i Adamit. Për më tepër Ai e sheh atë si të jetë në Krishtin dhe e pranon atë mbi këtë bazë. Është e rëndësishme ta shohim këtë gjë. Mëkatari që beson nuk pranohet për atë çfarë ai është në të vërtetë, por sepse ai është në Krishtin. Kur ai është në Krishtin, ai qëndron përpara Perëndisë i veshur me gjithë pranueshmërinë e Vetë Krishtit. Dhe ai do të gëzojë dashamirësinë e Perëndisë dhe miratimin e Tij përsa kohë që Krishti e gëzon atë, pra përgjithmonë.

Pozicioni i besimtarit, pra, është çfarë ai është në Krishtin. Por është edhe ana tjetër e monedhës – praktika e besimtarit. Kjo është çfarë ai është në vetvete. Pozicioni i tij është i përsosur, por praktika e tij nuk është e përsosur. Tani vullneti i Perëndisë është që praktika e besimtarit të korrespondojë gjithnjë e më shumë me pozicionin që ai ka. Kjo gjë nuk mund të jetë përsosmërisht e plotë derisa besimtari të jetë në qiell. Por procesi i shenjtërimit, rritjes dhe ngjashmërisë me Krishtin duhet të vazhdojë pa pushim ndërkohë që ai është këtu në tokë.

Kur ne kuptojmë ndryshimin midis pozicionit të besimtarit dhe praktikës së tij, jemi në gjendje të pajtojmë disa gjëra në vargjet që në dukje janë si në kundërshtim me njëra tjetrën:

Besimtarët janë Besimtarët duhet të jenë

të përsosur (Heb 10:14) të përsosur (Mat. 5:48)

Besimtarët janë të Besimtarët duhet ta

vdekur për mëkatin konsiderojnë veten të vdekur

(Rom 6:2) për mëkatin (Rom.6:11)

Besimtarët janë një Besimtarët duhet të jenë

popull i shenjtë të shenjtë (1 Pje. 1:15)

(1 Pje. 2:9)

Kolona e parë ka të bëjë me pozicionin kurse e dyta me praktikën.

Letra e Palit për Efesianët është ndarë në dy gjysma që paralelizojnë këtë të vërtetë: (kapitujt 1-3): Pozicioni ynë – çfarë ne jemi në Krishtin; (kapitujt 4-6): Praktika jonë – çfarë duhet të jemi në veten tonë. Gjysma e parë ka të bëjë me doktrinën, gjysma e dytë me detyrën. Në tre kapitujt e parë pozicioni ynë shpesh është përshkruar nga shprehje të tilla si “në Krishtin,” “në Krishtin Jezus,” “në Të,” “në të cilin.” Në tre kapitujt e fundit fraza “në Zotin” shpesh është përdorur për të shprehur përgjegjësinë e besimtarit ndaj Krishtit si Zot. Dikush e ka thënë mjaft bukur që pjesa e parë e letrës e paraqet besimtarin në vendet qiellore në Krishtin, ndërsa pjesa e fundit e sheh atë në kuzhinë [d.m.th. praktikën e tij të përditshme].

Tani ne jemi gati të marrim në shtjellim disa nga bekimet frymërore në vendet qiellore të cilat janë tonat në Krishtin.

1:4 I pari është ajo që ne shpesh e quajmë zgjedhja. Sikurse na zgjodhi në Të përpara bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara Tij në dashuri.

Vini re së pari faktin pozitiv të zgjedhjes në fjalët, Ai na zgjodhi ne. Pastaj këtu është aspekti pozicional i së vërtetës, në Të: është në Personin dhe veprën e Zotit Jezus që realizohen gjithë qëllimet e Perëndisë për popullin e Tij. Koha e zgjedhjes së Perëndisë është treguar me anë të shprehjes, përpara se të themelohej bota. Dhe qëllimi është që ne të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara Tij në dashuri. Ky qëllim nuk do realizohet plotësisht derisa ne të jemi me Të në qiell (1 Gjo. 3:2), por procesi duhet të vazhdojë pa pushim në jetët tona këtu poshtë.

Lutje: “Zot, më bëj të shenjtë tani,

përderisa ky është

qëllimi Yt përfundimtar për mua. Amen.”

MBI ZGJEDHJEN HYJNORE

Doktrina e zgjedhjes ngre probleme serioze në mendjen njerëzore, kështu që ne duhet ta konsiderojmë më thellë atë që Bibla mëson (dhe nuk mëson) mbi këtë subjekt.

Së pari, ajo mëson që Perëndia i zgjedh njerëzit për shpëtim (2 Thes. 2:13). Ajo u drejtohet besimtarëve si ata që janë “zgjedhur sipas paranjohjes së Perëndisë” (1 Pje. 1:2). Ajo mëson që njerëzit mund të dinë nëse ata janë të zgjedhur me anë të përgjegjësisë së tyre ndaj Ungjillit: ata që e dëgjojnë dhe e besojnë atë janë të zgjedhur (1 Thes. 1:4-7)

Në anën tjetër Bibla nuk mëson kurrë që Perëndia i zgjedh njerëzit për të qenë të humbur. Fakti që Ai zgjedh disa për të qenë të shpëtuar nuk nënkupton që Ai arbitrarisht e dënon pjesën tjetër. Ai nuk dënon kurrë njerëzit që meritojnë të jenë të shpëtuar (nuk ka asnjeri të tillë), por Ai shpëton disa që duhet të dënohen. Kur Pali përshkruan zgjedhjen, ai flet për ta si “enë të mëshirës” që Ai “i përgatiti për lavdi” (Rom. 9:23); por kur i kthehet të humburit ai thjesht thotë “enë të zemërimit që qenë bërë për prishje” (Rom. 9:22). Perëndia përgatit enë të mëshirës për lavdi, por ai nuk përgatit njerëz për shkatërrim: ata e bëjnë këtë gjë vetë me anë të mosbesimit të tyre.

Doktrina e zgjedhjes e lejon Perëndinë të jetë Perëndi. Ai është sovran, d.m.th. Ai mund të bëjë atë që i pëlqen, megjithëse Ai kurrë nuk mund të bëjë diçka të padrejtë. Pa përmendur, të gjithë njerëzit do të ishin të humbur. A ka të drejtë Perëndia të tregojë mëshirë për disa?

Por ekziston edhe ana tjetër e historisë. E njëjta Bibël që mëson zgjedhjen sovrane mëson gjithashtu përgjegjësinë njerëzore. Askush s’mund ta përdorë doktrinën e zgjedhjes së një shfajësim që nuk është i shpëtuar. Perëndia bën një ofertë të vërtetë (reale) për të gjithë njerëzit kudo qofshin (Gjo. 3:16; 3:36; 5:24; Rom. 10:9, 13). Çdokush mund të shpëtohet duke u penduar për mëkatet e tij dhe duke besuar në Zotin Jezus Krisht. Prandaj, nëse një person është i humbur, është sepse ai ka zgjedhur të jetë i tillë dhe jo sepse Perëndia e dëshiron këtë gjë.

Fakti është që e njëjta Bibël mëson zgjedhjen dhe shpëtimin falas për këdo që do të pranojë atë. Të dyja doktrinat gjenden në një varg të vetëm: “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek Unë; dhe atë që vjen tek Unë, Unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë” (Gjo. 6:37). Gjysma e parë e vargut flet për zgjedhjen sovrane të Perëndisë; gjysma e fundit flet për ofertën e mëshirës që u është drejtuar të gjithëve.

Kjo krijon një vështirësi për mendjen njerëzore. Si mund të zgjedhë Perëndia disa dhe përsëri t’ia ofrojë shpëtimin falas të gjithë njerëzve? Sinqerisht, ky është një mister. Por misteri është në anën tonë, jo në atë të Perëndisë. Politika më e mirë që ne mund të ndjekim është të besojmë në të dy doktrinat sepse Bibla i mëson të dyja. E vërteta nuk gjendet diku midis zgjedhjes sovrane dhe vullnetit të lirë të njeriut, por në të dy ekstremet. W. G. Blaikie përmbledh:

Sovraniteti hyjnor, përgjegjësia njerëzore dhe oferta universale e mëshirës, të gjitha janë gjetur në Shkrimet, dhe megjithëse ne nuk jemi në gjendje t’i harmonizojmë ato me anë të logjikës sonë, ato të gjitha duhet të zënë një vend në mendjet tona. {{3}}

1:5 Bekimi i dytë frymëror nga thesari i hirit të Perëndisë është paracaktimi. Edhe pse disi i lidhur me zgjedhjen, nuk është e njëjta gjë. Zgjedhja paraqet zgjedhjen e njerëzve nga ana e Perëndisë për shpëtim. Por paracaktimi është një përparim në këtë: do të thotë që Perëndia vendosi që përpara kohëve që të gjithë që do të shpëtoheshin do të birësoheshim në familjen e Tij si bij. Ai mund të na kishte shpëtuar pa na bërë bij, por Ai zgjodhi t’i bëjë të dyja.

Shumë përkthime lidhin dy fjalët e fundit të vargut 4 me vargun 5 si më poshtë: në dashuri duke na paracaktuar.

Kjo na kujton ne dashurinë unike që e nxiti Perëndinë të merret me ne në mënyrë kaq të mëshirshme.

Ne kemi faktin e birësimit në frazën, duke na paracaktuar që të birësohemi. Në DhR birësimi është vendosja e një besimtari në familjen e Perëndisë si një bir i pjekur dhe i rritur me të gjitha privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit bir (Gal. 4:4-7). Fryma e birësimit mbjell tek një besimtar instinktin për t’iu drejtuar Perëndisë si At (Rom. 8:15).

Birësimi ynë është me anë të Jezus Krishtit. Perëndia kurrë nuk mund të na kishte sjellë në një këtë pozicion afërsie me Të derisa të ishim ende në mëkatet tona. Kështu Zoti Jezus erdhi në tokë, dhe me anë të vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes së Tij, Ai e zgjidhi çështjen e mëkatit sipas pëlqimit të Perëndisë. Është vlera e pamasë e sakrificës së Tij në Kalvar që siguron një bazë të drejtë mbi të cilën Perëndia mund të na birësojë ne si bij.

Dhe e gjitha është sipas pëlqimit të vullnetit të vet. Ky është motivimi sovran që qëndron mbrapa paracaktimit tonë. Është pikërisht përgjigjja e pyetjes “përse e bëri Ai këtë?” Thjesht sepse ishte pëlqimi i Tij. Ai nuk mund të ishte i kënaqur derisa ta kishte rrethuar veten e Tij me bij, të transformuar sipas imazhit të Birit të Tij të vetëm, me Të dhe si Ai përgjithmonë.

1:6 Për lëvdim të lavdisë të hirit të Tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të Dashurin. Kur Pali ka menduar hirin e Perëndisë së pari duke na zgjedhur ne e më pas në paracaktimin që ne të ishim bijtë e Tij, ai e thekson meditimin e tij me këtë refren që është në të njëjtën kohë një thirrje, një shpjegim dhe një nxitje. Është një thirrje – një gulçim i shenjtë mbi lavditë e pakufishme të këtij hiri. Është një shpjegim që objekti dhe përfundimi i gjithë sjelljes plot hir të Perëndisë ndaj nesh është lavdia e Tij. Adhurimi i përjetshëm është vetëm për Të, për një dashamirësi të tillë të pashoqe. Vini re kushtin e hirit të Tij – Ai (falas) na bëri të pëlqyer. Marrësit e hirit të Tij – ne. Kanali i hirit të Tij – në të Dashurin. Dhe së fundi është një nxitje. Pali thotë, “Le ta lëvdojmë Atë për hirin e Tij të lavdishëm.” Përpara se të vazhdojmë më tej le ta bëjmë këtë gjë!

Perëndi madhështor i mrekullive!

Gjithë rrugët e Tua

Shfaqin atributet e Tua hyjnore;

Por lavditë e shkëlqyeshme të hirit Tënd

shkëlqejnë mbi mrekullitë e tjera:

Kush tjetër është një Perëndi që fal si Ti?

Ose kush ka hir kaq të pasur e falas?

  • Samuel Davies

1:7 Kur ne ndjekim shtrirjen sublime të planit të përjetshëm të Perëndisë për njerëzit e Tij, ne i afrohemi faktit të shpengimit. Kjo shpjegon atë aspekt të veprës së Krishtit me anë të së cilës ne jemi liruar nga skllavëria e fajit dhe e mëkatit dhe jemi futur brenda jetës së lirisë. Zoti Jezus është Shpenguesi (Në Të ne kemi shpengimin). Ne jemi të shpenguarit. Gjaku i Tij është çmimi i shpërblimit për lirim; asgjë tjetër s’mund ta bëjë këtë.

Një nga rezultatet e shpengimit është falja e mëkateve. Falja nuk është e njëjtë me shpengimin; ajo është një nga frytet e tij. Krishtit i duhej të bënte një shlyerje të plotë për mëkatet tona përpara se ato të faleshin. Kjo gjë u bë në kryq. Dhe tani –

Drejtësia e rreptë nuk mund të kërkojë më

Dhe mëshira mund të shpërndajë nga thesari i saj.

Masa e faljes sonë është dhënë në fjalët, sipas pasurisë së hirit të Tij. Nëse ne do të mund të masnim pasurinë e hirit të Perëndisë, atëherë ne do të mund të masnim se sa plotësisht na ka falur Ai. Hiri i Tij është i pafund! Kështu është edhe falja e Tij!

1:8 Ishte në atë hir që Ai na zgjodhi ne, na paracaktoi, dhe që na shpengoi. Por kjo nuk është e gjitha. Perëndia e ka tepruar po atë hir me gjithë urtësinë dhe mençurinë. Kjo do të thotë që Ai i ka ndarë me ne në mënyrë të hirshme planet dhe qëllimet e Tij. Dëshira e Tij është që ne të kemi inteligjencë dhe mprehtësi në planet e Tij për Kishën dhe për universin. Dhe kështu Ai na ka pranuar në konfidencën e Tij dhe na ka zbuluar qëllimin e madh drejt të cilit lëviz gjithë historia.

1:9 Pali tani shpjegon mënyrën e veçantë në të cilën Perëndia ka bërë të teprojë ndaj nesh gjithë njohuria dhe maturia, fjalë për fjalë, duke bërë të njohur në ne misterin e vullnetit të Tij. Kjo është tema dominuese e Letrës – e vërteta e lavdishme në lidhje me Krishtin dhe Kishën. Është një mister, jo në kuptimin që është e mistershme, por që është një sekret i shenjtë që nuk njihej më parë por që tani u është zbuluar të shenjtëve. Ky plan i lavdishëm e ka fillimin në vullnetin sovran të Perëndisë, larg nga çdo ndikim i jashtëm: ishte sipas pëlqimit të Tij. Dhe subjekti i madh i planit të Perëndisë është Zoti Jezus Krisht; kjo tregohet nga pjesa, që Ai e kishte përcaktuar me Veten e Tij.

1:10 Tani Pali fillon një shpjegim më të detajuar mbi sekretin e planit të Perëndisë dhe në këtë kapitull ai ka menduar veçanërisht për aspektin e ardhshëm të misterit. Kapitujt 2 dhe 3 hedhin më shumë dritë mbi aspektin e tanishëm të misterit.

Koha të cilën Pali ka parasysh është treguar nga shprehja, që kur të plotësoheshin kohërat. Këtu një fjalë greke (Oikonomia) është përdorur që do të thotë administrim ose përndarje. Ne kuptojmë që kjo i referohet Mijëvjeçarit, kur Krishti të kthehet në tokë për të mbretëruar si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve. Perëndia ka një administrim apo plan të veçantë administrativ për epokën e fundit të historisë njerëzore në këtë tokë.

Plani është “t’i sjellë të gjitha gjërat në një krye të vetëm në Krishtin” (JND). Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, të gjitha gjërat në qiell dhe në dhe do të përmblidhen në Krishtin. Shpëtimtari që tani është i hedhur poshtë dhe i mohuar do të jetë i Shquari, Zoti i gjithçkaje, objekti i adhurimit universal. Ky është qëllimi i Perëndisë – ta vendosë Krishtin si kreun e çdo gjëje, qoftë qiellore apo tokësore, në mbretëri.

Gjerësia e sundimit [dominimit] të Krishtit është gjetur në fjalët, “ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.” Bellett shkruan:

Ky është një sekret që nuk dihej më parë. Në profetin Isaia ne gjejmë një pamje të bukur të tokës në Mijëvjeçar; por a i gjejmë ndonjëherë të përshkruar aty qiejt e Mijëvjeçarit me Krishtin në krye? A ishte thënë ndonjëherë nga Isaia që të gjithë gjërat në qiell dhe mbi dhe duhet të sillen në një kre të vetëm, në Njeriun e lartësuar? {{4}}

Vargu 10 është përdorur ndonjëherë për të mbështetur doktrinat e rreme mbi shpëtimin universal. Ai është shtrembëruar për të sugjeruar që në fakt çdo njeri do të rregullohet dhe do të pajtohet në Krishtin. Por kjo është tepër e huaj për këtë pjesë. Pali flet për një sundim universal dhe jo për një shpëtim universal!

1:11 Një tipar i gjallë i misterit është që besimtarët Judenj dhe Johebrenj kanë një pjesë në këtë program të madh të Perëndisë. Apostulli flet për misterin në lidhje me besimtarët Judenj në vargjet 11 dhe 12; në lidhje me besimtarët Johebrenj në vargun 13; më pasi ai i kombinon ato të dyja në vargun 14.

Përsa i përket besimtarëve me prejardhje Judenje, Pali shkruan, Në Të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi. E drejta e tyre për të marrë pjesë nuk bazohet në privilegjet e tyre kombëtare, por vetëm në bashkimin e tyre me Krishtin. Trashëgimia këtu pret për kohën kur ata dhe të gjithë besimtarët e vërtetë do t’i shfaqen botës së çuditur si Trupi i Krishtit, Nusja e Qengjit.

Nga gjithë përjetësia këta të krishterë Judenj ishin shënuar për këtë vend privilegji, me anë të vullnetit sovran të Perëndisë, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të Atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të Tij.

1:12 Qëllimi i këtij paracaktimi ishte ata të ishin për lëvdim të lavdisë së Tij. Me fjalë të tjera, ata janë trofetë e hirit të Perëndisë, që tregojnë se çfarë mund të bëjë Ai me materiale të tilla të prishura, duke i sjellë kështu lavdi Vetes.

Apostulli flet për veten dhe besimtarët e tjerë Judenj si ne që shpresuam qysh më parë në Krishtin. Ai mendon për mbetjen e perëndishme të Judenjve që iu përgjigj Ungjillit në ditët e para të Krishterimit. Lajmi i mirë iu predikua së pari Judenjve. Shumica e kombit të Izraelit e hodhi poshtë atë. Por mbetja e perëndishme besoi në Zotin Jezus. Pali ishte një nga ata.

Do të jetë ndryshe kur Shpëtimtari kthehet në tokë për herë të dytë. Atëherë kombi do ta shohë Atë që e tejshpoi dhe do të vajtojë për Të si për një bir të vetëm. (Zak. 12:10) “Dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: ‘Nga Sioni do të vijë Çlirimtari dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi’.” (Rom. 11:26)

Pali dhe shokët e tij të krishterë që vinin nga një prejardhje Judenje besuan në Mesian përpara pjesës tjetër të kombit. Prandaj ai përdor përshkrimin “ne… që kemi shpresuar qysh më parë në Krishtin.”

Ata që “shpresuan qysh më parë” në Mesian do të mbretërojnë me Të mbi tokë. Pjesa tjetër e kombit do të jenë shtetas tokësorë të mbretërisë së Tij.

1:13 Tani Pali kalon nga besimtarët që kanë lindur si Judenj tek ata që kanë lindur si Johebrenj; ai e tregon këtë duke ndryshuar fjalën “ne” në ju. Ata që janë shpëtuar nga paganizmi kanë pjesë në misterin e vullnetit të Perëndisë, njësoj si Judenjtë e kthyer. Dhe kështu apostulli tani ndjek hapat me anë të të cilëve Efesianët dhe Johebrenjtë e tjerë ishin sjellë në bashkësi me Krishtin.

Ata dëgjuan Ungjillin.

Ata besuan në Krishtin.

Ata u vulosën me Frymë e Shenjtë të premtimit.

Së pari ata dëgjuan fjalën e së vërtetës, Ungjillin e shpëtimit të tyre. Në themel, kjo i referohet lajmit të mirë të shpëtimit nëpërmjet besimit në Zotin Jezus. Por në një vështrim më të gjerë përfshin të gjitha mësimet e Krishtit dhe të apostujve.

Duke dëgjuar këtë mesazh, ata ia nënshtruan veten Krishtit me anë të një akti të vendosur besimi. Zoti Jezus është objekti i vërtetë i besimit. Shpëtimi gjendet vetëm në Të.

Sapo besuan, ata u vulosën me Frymën e Shenjtë të premtimit. Kjo do të thotë që çdo besimtar i vërtetë merr Frymën e Perëndisë si një shenjë që ai i përket Perëndisë dhe që ai do të ruhet nga Perëndia deri në kohën që do të marrë trupin e tij të përlëvduar. Ashtu si në çështjet ligjore një vulë tregon siguri dhe pronësi, kështu është edhe në çështjet hyjnore. Fryma që banon në ne na damkos ne si pronë e Perëndisë (1 Kor. 6:19, 20) dhe garanton ruajtjen tonë deri në ditë e shpengimit (Efesianeve 4:30).

Vula jonë është quajtur Fryma e Shenjtë e premtimit. Së pari, Ai është Fryma e Shenjtë; kjo është ajo çfarë Ai është në Vetvete. Më pas Ai është quajtur Fryma e Premtimit. Ai ishte premtuar nga Ati (Joeli 2:28; Veprat e Apostujve 1:4) dhe nga Zoti Jezus (Gjoni 16:7). Plus kësaj, Ai është garancia që gjithë premtimet e Perëndisë për besimtarët do të plotësohen.

Vargu 13 plotëson të parën nga shumë përmendje të Trinitetit në këtë letër:

Perëndia At (v. 3)

Perëndia Bir (v. 7)

Perëndia Frymë (v. 13)

1:14 Përsëri Pali ndryshon përemrat. Ai shkrin përemrin “ne” të vargut 11 dhe 12 me përemrin “ju” të vargut 13 për të formuar përemrin “tonë” në vargun 14. Me anë të kësaj ai paraqet një pikë të asaj që do të shpjegojë më thellë në kapitujt 2 dhe 3 – unitetin e besimtarëve Judenj dhe atyre Johebrenj për të formuar një organizëm të ri, Kishën.

Fryma e Shenjtë është një kapar i trashëgimisë sonë. Ky është një parapagim që tregon se e gjithë shuma do të paguhet. Në lloj është i njëjtë me pagimin e plotë, por në masë ndryshon.

Sapo shpëtohemi Fryma e Shenjtë fillon të na zbulojë disa nga pasuritë që janë tonat në Krishtin. Ai na jep ne një parashijim të lavdisë që do të vijë. Por si mund të jemi ne të sigurt që një ditë ne do ta marrim të gjithë trashëgiminë? Vetë Fryma e Shenjtë është kapari ynë i sigurt.

Si vulë, Ai siguron që ne vetë do të ruhemi për trashëgiminë. Si kapar, Ai siguron që trashëgimia do të ruhet e sigurt për ne.

Fryma është kapari deri në shpengimin e plotë të zotërimit të blerë. Kapari pret shpengimin e plotë, ashtu si fryti i parë pret për korrjen e plotë. Roli i Frymës si kapar do të humbë kur zotërimi i blerë të shpengohet. Por çfarë nënkupton Pali me zotërim të blerë?

  1. Ai mund të nënkuptojë trashëgiminë tonë. Gjithçka që Perëndia zotëron është e jona nëpërmjet Zotit Jezus: ne jemi trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Jezus Krishtin (Rom. 8:17; 1 Kor. 3:21-23). Vetë universi është prishur nga hyrja e mëkatit dhe ka nevojë për pastrim dhe pajtim (Kol. 1:20; Heb. 9:23). Kur Krishti kthehet në tokë për të mbretëruar, ky krijim që rënkon do të çlirohet nga skllavëria e korruptimit për një liri të lavdishme të fëmijëve të Perëndisë. (Rom. 8:19-22)

  2. Shprehja, zotërimi i blerë, mund të nënkuptojë trupin e besimtarit. Frymërat dhe shpirtrat tanë u shpenguan kur ne besuam, por shpengimi i trupave tanë është ende në të ardhmen. Fakti që ne vuajmë, plakemi dhe vdesim provon që trupat tanë nuk janë shpenguar ende. Kur Krishti kthehet për ne (1 Thes. 4:13-18), trupat tanë do të bëhen të rinj në mënyrë që të transformohen në trupin e lavdisë së Tij (Filip. 3:21). Atëherë ata do të jenë të plotë dhe përgjithmonë të shpenguar. (Rom. 8:23)

  3. Së fundi, zotërimi i blerë, mund t’i referohet Kishës (1 Pje. 2:9: “populli i Tij i veçantë”). Në këtë rast, shpengimi i saj pret Rrëmbimin, kur Krishti do ta paraqesë Kishën tek Vetja si një kishë të lavdishme pa njollë, rrudhë apo ndonjë gjë të tillë (Efesianeve 5:27). Disa besojnë që në këtë pikëpamje, zotërimi i Perëndisë mund të përfshijë gjithashtu të shenjtët e DhV.

Këdo pikëpamje që të mbrojmë, rezultati përfundimtar është i njëjtë – për lëvdim të lavdisë së Tij. Plani i mrekullueshëm i Perëndisë për popullin e Tij atëherë do të ketë arritur një konsumim të lavdishëm, dhe Ai do të jetë objekt i lëvdimit të vazhdueshëm. Tre herë në këtë kapitull Pali na ka kujtuar që qëllimi dhe përfundimi i pashmangshëm i gjithë veprimeve të Perëndisë është që Ai të lartësohet dhe të lëvdohet.

Për lëvdim të lavdisë së hirit të Tij (v. 6).

Që ne të jemi lëvdim i lavdisë së Tij (v. 12).

Për lëvdim të lavdisë së Tij (v. 14).

C. Falënderimi dhe lutja e Pali për të shenjtët (1:15-23)

1:15 Në pjesën që kaloi, nga vargjet 3 deri në 14 (në Greqisht vetëm një fjali e vetme!), apostulli ka ndjekur shtrirjen e mrekullueshme të planit të Perëndisë nga e kaluara e përjetshme në të ardhmen e përjetshme. Ai ka kaluar mbi disa nga mendimet më frymëzuese që mund të pushtojnë mendjet tona, mendime aq të larta të cilat Pali i ndan me lexuesit e tij me lutjen që ata të ndriçohen në koncepte të tilla. Dëshira e tij e madhe për ta është që ata të mund ta vlerësojnë privilegjin e lavdishëm që kanë në Krishtin dhe fuqinë tepër të madhe që ishte kërkuar për t’ia dhënë Krishtin Kishës si Krye mbi gjithë krijimin.

Fjala prandaj shikon prapa në gjithçka që Perëndia ka bërë dhe do të bëjë për të gjithë ata që janë anëtarë të trupit të Krishtit, siç është përshkruar në vargjet 3-14.

Që kur dëgjova për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve. Ishte pikërisht kur ai mori këtë informacion që Pali ishte i sigurt që lexuesit e tij ishin zotërues të bekimeve frymërore të sapo shpjeguara dhe kështu ai ishte shtyrë të lutej për ta. Besimi i tyre në Zotin Jezus solli mrekullinë e shpëtimit në jetët e tyre. Dashuria e tyre për të gjithë të shenjtët tregonte vërtetësinë transformuese të kthimit të tyre.

Ata studentë biblik që nuk mendojnë se kjo letër ishte shkruar vetëm për Efesianët e tregojnë këtë varg si një fakt. Pali thotë këtu që ka dëgjuar për besimin e lexuesve të tij – sikur nuk i kishte takuar kurrë ata. Por ai kishte kaluar të paktën tre vjet në Efes (Veprat e Apostujve 20:31). Prandaj ata nxjerrin përfundimin që Letra u ishte dërguar disa asambleve lokale, nga të cilat Efesi ishte vetëm një.

Për fat të mirë çështja nuk ndikon mësimet që ne mund të marrim nga ky varg. P.sh., ne shohim që Zoti është paraqitur si një objekt i vërtetë i besimit: besimi juaj në Zotin Jezus. Ne nuk na është thënë të besojmë në një kishë, në një besim apo në të krishterët. Besimi që shpëton është në Krishtin e ringjallur dhe të lartësuar në të djathtë të Perëndisë.

Një mësim tjetër për ne është shprehja dashuria juaj për të gjithë shenjtorët. Dashuria jonë nuk duhet të kufizohet vetëm për ata që janë në bashkësinë tonë, por duhet të rrjedhë për gjithë ata që janë shpëtuar nga gjaku i Krishtit, për të gjithë shtëpinë e besimit.

Një mësim i tretë gjendet në kombinimin e besimit me dashurinë. Disa njerëz thonë që kanë besim, por në jetët e tyre është vështirë të gjesh ndonjë shenjë dashurie. Të tjerët shpallin se kanë një dashuri të madhe por janë shumë indiferentë përsa i përket domosdoshmërisë së besimit në Krishtin. Krishterimi i vërtetë kombinon doktrinën e shëndoshë me jetesën e shëndoshë.

1:16 Besimi dhe dashuria e besimtarëve e nxit Palin të lavdërojë Perëndinë për ta pa pushim. Scroggie thotë mjaft bukur:

Falënderimi është për themelin e hedhur tashmë, por ndërhyrja është për superstrukturën që vazhdon. Falënderimi është për arritjet e kaluara, por ndërhyrja është për përparimet e mëtejshme. Falënderimi është për vërtetësinë e përjetimit të tyre, por ndërhyrja është për mundësinë e qëllimit të Perëndisë për ta.

1:17 Çfarë privilegji është të kesh këtë shikim të shpejtë mbi jetën e lutjes së një njeriu të Perëndisë. Në të vërtetë në këtë letër ka dy shikime të tilla të shpejta – këtu dhe në 3:14-21. Këtu lutja është për ndriçim frymëror; atje është për fuqi frymërore. Këtu lutja i drejtohet Perëndisë; atje Atit. Por në çdo rast lutjet e Palit ishin të vazhdueshme, specifike dhe sipas nevojave të ngutshme të njerëzve. Këtu lutja i drejtohet Perëndisë të Zotit tonë Jezu Krisht, Atit të lavdisë. Shprehja, Ati i lavdisë, mund të nënkuptojë që Perëndia është edhe:

  1. Burimi apo Autori i gjithë lavdisë,
  2. Ai të cilit i përket lavdi ose

  3. Ati i Zotit Jezus, i cili është manifestimi i lavdisë së Perëndisë.

Lutja vazhdon që Ai t’ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës në njohurinë e Tij. Fryma e Shenjtë është Fryma e njohurisë (Isaia 11:2) dhe e zbulesës (1 Kor. 2:10). Por përderisa çdo besimtar është i banuar nga Ai, Pali nuk mund të lutet që lexuesit e tij të mund të marrin Personin e Frymës së Shenjtë, por për më tepër që të mund të marrin një masë të veçantë ndriçimi prej Tij.

Zbulesa ka të bëjë me kumtimin e njohurisë: dituria ka të bëjë me përdorimin e duhur të saj në jetët tona. Apostulli nuk mendon për njohurinë në përgjithësi, por për njohurinë e veçantë (Gr. Epignosis) të Tij. Ai do që besimtari të ketë një njohuri të thellë, frymërore dhe eksperimentale të Perëndisë – një njohuri që s’mund të fitohet nga aftësia intelektuale, por vetëm me anë të shërbesës së lavdishme të Frymës.

Dale shpjegon:

Këta të krishterë Efesianë e kishin tashmë ndriçimin hyjnor, ose ndryshe ata nuk ishin fare të krishterë; por Pali u lut që Fryma Hyjnore që banonte në ta të mund ta bënte vizionin e tyre më të qartë, më të mprehtë, më të fortë, që fuqia Hyjnore dhe fuqia dhe madhështia të mund të zbuloheshin tek ta më plotësisht. Dhe ndoshta në këto ditë në të cilat njerëzit janë duke bërë zbulime të shumta në sferat e mendimit [p.sh. në shkencë], që janë në fakt më të dobëta [sesa sferën e Perëndisë], por janë aq tërheqëse dhe marramendëse sa që të bëhen rivale, madje edhe për të krishterin, me shfaqjen e Perëndisë në Krishtin. Kjo do të thotë që ka një nevojë të madhe për Kishën që të lutet që Perëndia t’i sigurojë asaj një “frymë diturie dhe zbulese”; nëse Ai duhet t’i përgjigjet asaj lutjeje ne nuk duhet të shushatemi nga njohuria që ka të bëjë me “gjërat e dukshme dhe të përkohshme,” pasi ajo do të errësohej nga lavdia e pakufishme e “gjërave që nuk shihen e që janë të përjetshme.” {{5}}

1:18 Ne kemi parë që burimi i ndriçimit frymëror është Perëndia; kanali është Fryma e Shenjtë, dhe subjekti suprem është njohuria e plotë e Perëndisë. Tani ne vijmë tek organet e ndriçimit: të ndriçojë sytë e zemrave tona (NKJV {{6}}). Kjo shprehje figurative na mëson ne që kuptimi i vërtetë i realiteti hyjnor nuk varet në intelektin tonë, por për më tepër në zemrat e buta. Është një çështje dashurie ashtu si dhe mendjeje. Zbulimet e Perëndisë u janë dhënë atyre që e duan Atë. Kjo hap mundësi të mrekullueshme për çdo besimtar, sepse edhe nëse ne nuk kemi të gjithë një zgjuarsi të madhe, ne të gjithë mund të kemi zemra që duan.

Më pas Pali specifikon tre fusha të veçanta të njohurisë hyjnore që ai dëshiron për të shenjtët:

  1. Shpresa e thirrjes së Tij
  2. Pasuritë e lavdisë të trashëgimisë së Tij në shenjtorët

  3. Madhështinë e jashtëzakonshme të fuqisë së Tij ndaj nesh që besojmë.

Shpresa e thirrjes së Tij tregon të ardhmen; ajo nënkupton atë destinacion përfundimtar që Ai kishte ndërmend kur na thirri ne. Ajo përfshin faktin që ne do të jemi me Krishtin dhe do të jemi si Ai përgjithmonë. Ne do të shfaqemi në univers si bij të Perëndisë dhe do të mbretërojmë me të si Nuse pa njollë. Ne shpresojmë për këtë, jo në kuptimin që ka ndonjë lloj dyshimi për të, por për më tepër që është ai aspekt i shpëtimit tonë që është ende në të ardhmen dhe për të cilin ne presim me padurim.

Pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së Tij në shenjtorët, është hapësira e dytë tepër e madhe që besimtarët kanë për të zbuluar. Vini re mënyrën në të cilën Pali vë mbi njëra tjetrën fjalët me qëllim që të krijojë efektin e pafundësisë dhe madhështisë.

Trashëgimia e Tij

Trashëgimia e Tij në shenjtorët

Lavdia e trashëgimisë së Tij në shenjtorët

Pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së Tij në shenjtorët

Ka dy mënyra të mundshme për ta kuptuar këtë dhe që të dyja janë plot kuptim prandaj ne do t’i paraqesim të dyja. Sipas së parës, shenjtorët janë trashëgimia e Tij dhe Ai i sheh ata si një thesar të një vlere të pakrahasueshme. Në Titit 2:14 dhe 1 Pjetrit 2:9, besimtarët janë përshkruar si “populli i Tij i veçantë.” Pa dyshim që është një ekspozim i një hiri të papërshkrueshëm që mëkatarët e ligj, të padenjë, por të shpëtuar me anë të gjakut të Krishtit, mund të zënë një vend të tillë në zemrën e Perëndisë, saqë Ai flet për ta si trashëgimia e Tij.

Këndvështrimi tjetër është që trashëgimia nënkupton gjithçka që ne do të trashëgojmë. Shkurt, nënkupton gjithë universin të vendosur nën mbretërimin e Krishtit, dhe ne, Nusja e Tij duke mbretëruar me Të. Nëse ne me të vërtetë vlerësojmë pasurinë e lavdisë së gjithçkaje që Ai ka për ne, do t’i quanim një hiç gjithë kënaqësitë dhe joshjet e kësaj bote.

1:19 Lutja e tretë e Palit për të shenjtët është që ata të mund të kenë një vlerësim më të thellë të fuqisë që Perëndia angazhon për ta bërë realitet të gjithë këtë: madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së Tij ndaj nesh që besojmë.

F. B. Meyer thotë, “Është fuqi. Është fuqia e Tij. Është fuqi e madhe; asgjë tjetër s’do të mjaftonte. Është fuqi e jashtëzakonshme, përtej kufijve të mendimit.” {{7}}

Kjo është fuqia që Perëndia përdori në shpengimin tonë, ajo që Ai përdor në mbrojtjen tonë dhe që do të përdorë në përlëvdimin tonë. Lewis Sperry Chafer shkruan:

Pali dëshiron ta prekë besimtarin me madhështinë e fuqisë që është vënë në punë për të plotësuar për të çdo gjë që Perëndia ka synuar sipas veprës së Tij të zgjedhjes, paracaktimit dhe birësimit sovran. {{8}}

1:20 Për të theksuar më tepër madhështinë e kësaj fuqie, apostulli më pas përshkruan ekspozimin më të madh të fuqisë hyjnore, fuqinë që ringjalli Krishtin prej së vdekurish dhe që e uli Atë në të djathtë të Perëndisë. Ndoshta ne kemi menduar që krijimi i universit ishte shfaqja më e madhe e fuqisë së Perëndisë, ose çlirimin e mrekullueshëm që Perëndia i bëri popullit të Tij në Detin e Kuq, por jo! DhR mëson që ringjallja e Krishtit dhe ngjitja e Tij kërkuan rrjedhjen më të madhe të energjisë hyjnore.

Përse ndodhi kështu? Duket sikur gjithë ushtria e ferrit ishin grumbulluar për të prishur qëllimet e Perëndisë duke mbajtur Krishtin në varr, ose duke ndaluar ngjitjen e Tij pasi Ai ishte ringjallur. Por Perëndia triumfoi mbi çdo formë kundërshtuese. Ringjallja dhe lartësimi i Krishtit ishin një disfatë shkatërruese për Satanin dhe ushtrinë e tij dhe një spektakël i lavdishëm i fuqisë fitimtare.

Asnjë nuk është në gjendje të përshkruajë një fuqi të tillë. Kështu Pali merr hua disa fjalë nga fjalori i dinamikës [një degë e fizikës] për përshkrimin që i bën fuqisë e cila është punësuar për ne: “sipas asaj vepre fuqisë së forcës së Tij që Ai gjallëroi në Krishtin kur Ai e ringjalli prej së vdekurish.” Fjalët duken sikur përkulen përpara peshës së idesë. Nuk është tepër e domosdoshme për ne të bëjmë dallimin midis fjalëve të ndryshme; është e mjaftueshme të mrekullohemi në pafundësinë e fuqisë dhe të adhurojmë Perëndinë tonë për plotfuqinë e Tij!

Meyer thotë:

Atje ishte një ashensor i mrekullueshëm! Nga varri i vdekjes në fronin e Perëndisë së përjetshëm, që është i vetmi që ka pavdekshmëri. Nga errësira e varrit në dritën e padurueshme. Nga kjo botë e vogël në qendër dhe në metropolin e universit. Hapini busullat e besimit tuaj për të matur honin e pamasë. E më pas mrekullohuni në fuqinë që e çoi Zotin tuaj përmes këtij. {{9}}

Përsa i përket Shkrimeve, ringjallja e Krishtit ishte ngjarja e parë e tillë në historinë njerëzore (1 Kor. 15:23). Të tjerë janë ringjallur prej së vdekurish, por ata vdiqën përsëri. Zoti Jezus ishte i pari që u ringjall në fuqinë e një jete të pafundme. Pas ringjalljes dhe ngjitjes së Krishtit, Perëndia e vuri Atë të ulej në të djathtën e Tij në vendet qiellore. Dora e djathtë e Perëndisë nënkupton vendin e privilegjit (Heb. 1:13), fuqinë (Mat. 26:64), dallimin (Heb. 1:3), kënaqësinë (Ps. 16:11) dhe sundimin (1 Pje. 3:22).

Vendndodhja është përshkruar më tepër si në vendet qiellore. Kjo tregon që fraza përfshin vendin e banimit të Perëndisë. Ky është vendi ku Zoti Jezus ndodhet sot në një trup të fjalëpërfjalshëm prej mishi dhe kockash, një trup i lavdishëm i paaftë për të vdekur. Aty ku është Ai ne do të jemi së shpejti.

1:21 Lavdia e Shpëtimtarit tonë është përshkruar më tej si përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme. Zoti Jezus është mbi çdo udhëheqës apo autoritet, njerëzor apo engjëllor, tani e përgjithmonë.

Në vendet qiellore ka klasifikime të ndryshme të qenieve engjëllore, disa të këqija e disa të mira. Ato kanë shkallë të ndryshme fuqie. P.sh., disa mund të jenë presidentë, qeveritarë, majorë apo anëtarë të këshillit bashkiak. Nuk ka rëndësi se sa e madhe mund të jetë qeverisja e tyre, autoriteti, fuqia dhe zotërimi i tyre, Krishti është mbi ta.

Dhe kjo gjë nuk është vetëm në këtë epokë në të cilën ne jetojmë, por gjithashtu edhe në atë që do të vijë, pra fjalë për fjalë, në Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit në tokë. Atëherë Ai do të jetë Mbret mbi çdo mbret dhe Zot mbi zotër. Ai do të lartësohet mbi gjithë krijesat; nuk mund të bëhet asnjë përjashtim.

1:22 Plus kësaj, Perëndia ka vendosur çdo gjë të krijuar nën këmbët e Tij. Kjo nënkupton zotërimin universal, jo vetëm mbi njerëzit dhe engjëjt, por mbi gjithë pjesën tjetër të krijimit të Tij, frymërorë apo jofrymërorë. Shkruesi i Hebrenjve na kujton ne që ne nuk i shohim të gjitha gjërat të vendosura nën këmbët e Tij (Heb. 2:8). Kjo është e vërtetë. Megjithëse zotërimi i universit i përket Jezusit, Ai nuk e ushtron ende këtë gjë. Njerëzit, p.sh., ende ngrejnë krye kundër Tij dhe e mohojnë Atë. Por Perëndia ka dekretuar që Biri i Tij do të ushtrojë skeptrin e sundimit universal dhe kjo gjë është aq e sigurt sikur të ishte një realitet i tanishëm.

Ajo që pason është pothuajse e pabesueshme. Atë, dora e shpuar e të cilit do të ushtrojë autoritet sovran mbi gjithë universin – Perëndia ia ka dhënë Kishës! Këtu Pali bën një zbulesë të bujshme në lidhje me misterin e vullnetit të Perëndisë; hap pas hapi ai na ka drejtuar tek kjo shpallje kulmore. Me një aftësi grafike ai ka përshkruar ringjalljen, lavdinë dhe sundimin e Krishtit. Ndërkohë që zemrat tona janë ende të kapura nga një lloj frike kur sodisin këtë Zot plot lavdi, apostulli thotë, “Është në kapacitetin e Tij si krye përmbi çdo gjë, që Krishti i është dhënë Kishës.”

Nëse e lexojmë këtë varg pa kujdes ne mund të mendojmë se ai thotë që Krishti është Kreu i Kishës. Ndërkohë që edhe kjo është tepër e vërtetë, vargu thotë shumë më tepër. Ai thotë që Kisha është tepër e lidhur me Atë të cilit i është dhënë sundimi mbi universin.

Në vargun 21 ne mësuam që Krishti është mbi çdo krijesë në tokë dhe në qiell, në këtë epokë dhe në atë që do të vijë. Në pjesën e parë të vargut 22 ne mësuam që të gjitha gjërat ashtu si dhe të gjitha qeniet e krijuara janë të nënshtruara nën këmbët e Tij. Tani ne mësojmë që thirrja unike e Kishës duhet të lidhet me Të në këtë sundim të Tij të pakufishëm. Kisha do të ndajë me Të qeverisjen. Gjithë pjesa tjetër e krijimit do të jetë nën sundimin e Tij.

1:23 Në vargun e fundit të kapitullit të parë, ne mësojmë se sa e ngushtë është lidhja midis Krishtit dhe Kishës. Janë dhënë dy figura: (1) Kisha është Trupi i Tij; (2) Ajo është plotësia e Atij që mbush çdo gjë në të gjithë.

Asnjë lidhje s’mund të jetë më e ngushtë sesa ajo e kokës me trupin. Ata janë një në një unitet jetësor dhe banohen nga një Frymë. Kisha është një shoqëri njerëzish e thirrur nga bota që nga Dita e Rrëshajëve (Pentakost) dhe deri në Rrëmbim, shpëtuar nga hiri i mrekullueshëm dhe së cilës i është dhënë privilegji unik i të qenurit Trupi i Krishtit. Asnjë grup tjetër besimtarësh në çfarëdo epoke s’e ka pasur e s’do e ketë këtë dallim.

Përshkrimi i dytë për Kishën është plotësia e Atij që mbush çdo gjë në të gjithë. Kjo thjesht do të thotë që Kisha është plotësuesi i Krishtit, i cili është kudo dhe në çdo kohë. Një plotësues është diçka që mbush apo plotëson. Ashtu si trupi është plotësuesi i kokës, kështu Kisha është plotësuesja e Krishtit.

Por që dikush të mos e mendojë këtë si një papërsosuri apo paplotësi të Krishtit, Pali shton me shpejtësi, plotësia e Atij që mbush çdo gjë në të gjithë. Pa pasur asnjë nevojë për të plotësuar ndonjë mungesë, Zoti Jezus është Vetë Ai që mbush gjithçka në të gjithë, që përshkon universin dhe e furnizon atë me të gjitha gjërat e nevojshme.

Pa diskutim, kjo është shumë për ne për t’u kuptuar. Ne vetëm mund të admirojmë mendjen e pafundme dhe planin e Perëndisë ndërkohë që pranojmë paaftësinë tonë për ta kuptuar këtë.

D. Shfaqja e Fuqisë së Perëndisë në Shpëtimin e Judenjve dhe Johebrenjve (2:1-10)

2:1 Ndryshimi i kapitullit nuk duhet të errësojë lidhjen midis pjesës së fundit të kapitullit 1 dhe vargjeve që vijnë më pas. Atje ne pamë fuqinë e Perëndisë kur ringjalli Krishtin prej së vdekurish dhe kur e kurorëzoi Atë me lavdi dhe nder. Tani ne shohim se si e njëjta fuqi ka punuar në jetët tona, duke na ngritur ne nga vdekja frymërore dhe duke na ulur në Krishtin në vendet qiellore.

Kjo pjesë i ngjan kapitullit të parë të Zanafillës. Në secilin prej tyre ne kemi: (1) një skenë braktisjeje, kaosi dhe rrënimi (Zan. 1:2a; Efes 2:1-3); (2) paraqitjen e fuqisë hyjnore (Zan. 1:2b; Efesianeve 2:4); (3) krijimin e jetës së re (Zan. 1:3-31; Efesianeve 2:5-22).

Kur hapet kapitulli 2 i Efesianëve ne jemi frymërisht kufoma në luginën e vdekjes. Kur ky kapitull mbyllet, ne jo vetëm që jemi të ulur në Krishtin në vendet qiellore, por ne formojmë një banesë të Perëndisë nëpërmjet Frymës. Ndërmjet hapjes dhe mbylljes së librit ne kemi mrekullinë e plotfuqishme që bëri të mundur këtë transformim të paharueshëm.

Dhjetë vargjet e para përshkruajnë fuqinë e Perëndisë në shpëtimin e Johebrenjve dhe Judenjve. Asnjë Hirushe [një përrallë] nuk kaloi kështu nga lecka në pasuri të tilla!

Në vargjet 1 dhe 2 Pali i kujton lexuesit e tij Johebrenj që përpara kthimit të tyre ata ishin të vdekur, djallëzore dhe të pabindur. Ata ishin frymërisht të vdekur si rezultat i fajeve dhe mëkateve të tyre. Kjo do të thotë që ata ishin pa jetë ndaj Perëndisë. Ata nuk kishin një lidhje të gjallë me Të. Ata jetonin sikur Ai të mos ekzistonte. Shkaku i vdekjes ishin fajet dhe mëkatet. Mëkatet janë çdo formë e gabimit, qofshin ato të kryera me vetëdije apo jo, mendimet, fjalët dhe veprat që u privuan nga përsosmëria e Perëndisë. Fajet janë mëkate që janë kryer duke shkelur hapur një ligj të njohur. Në një kuptim më të gjerë ato mund të përfshijnë çdo formë të hapave të rremë apo gabimeve trashanike.

2:2 Efesianët kishin qenë të korruptuar po aq sa edhe të vdekur. Ata kishin ecur sipas ecjes së kësaj bote. Ata i ishin përshtatur frymës së kësaj epoke. Ata kishin marrë pjesë në mëkatet e kohërave. Bota ka një formë derdhje në të cilën derdh tifozët e saj. Është një formë derdhje mashtrimi, imoraliteti, paperëndishmërie, egoizmi, dhune dhe rebelimi. Me një fjalë, është një formë derdhje korruptimi. Kështu kishin qenë Efesianët.

Jo vetëm kaq, sjellja e tyre ishte djallëzore. Ata kishin ndjekur shembullin e djallit, prijësit të pushtetit të erës. Ata ishin vërtitur nga shefi i frymërave të këqija, fusha e veprimit të të cilit është atmosfera. Ata i ishin bindur me dëshirë perëndisë së kësaj epoke. Kjo shpjegon përse të pakthyerit shpesh priren tek format e këqija të sjelljes, forma që janë më të ulta sesa sjellja e kafshëve.

Së fundi, ata ishin të pabindur, duke ecur sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes. Të gjithë njerëzit e pashpëtuar janë bij të mosbindjes në kuptimin që ata karakterizohen nga mosbindja ndaj Perëndisë. Ata fuqizohen nga Satani dhe janë të prirur ndaj kundërshtimit, mosnderimit dhe mosbindjes ndaj Zotit.

2:3 Pali e ndryshon përemrin pronor nga june, gjë që tregon se tani ai është duke folur kryesisht për besimtarët Judenj (megjithëse çdo gjë që ai thotë është gjithashtu e vërtetë për çdo njeri përpara kthimit ). Tre fjalë përshkruajnë gjendjen e tyre: mishërore, të korruptuar dhe të dënuar.

Ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë. Midis këtyre njerëzve të mosbindjes kishte ecur përpara lindjes së re edhe Pali me shokët e tij të krishterë. Jeta e tyre ishte mishërore, e lidhur vetëm me plotësimin e dëshirave të mishit dhe orekset e tij. Pali vetë kishte jetuar një jetë të moralshme në përgjithësi, por tani ai kupton se sa egocentrike [përqendrimi tek vetvetja] ishte kjo jetë. Dhe ajo çfarë ai ishte në vetvete ishte shumë më keq nga ajo që ai mund të kishte bërë.

Judenjtë e pakthyer ishin gjithashtu të korruptuar, duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes. Kjo tregon një braktisje ndaj çdo dëshire natyrore. Dëshirat e mishit dhe të mendjes mund t’i çojnë orekset legjitime në forma të ndryshme imoraliteti; këtu theksi i tij është ndoshta mbi mëkatet flagrante. Dhe vini re, Pali i referohet mëkateve të mendimit njësoj si akteve mëkatare.

F. B. Meyer paralajmëron:

Të jepesh pas dëshirave të mendjes është po aq shkatërruese sa të jepesh pas dëshirave të mishit. Me anë të dhuntisë të mrekullueshme të imagjinatës ne mund të kënaqemi me fantazi që nuk janë të shenjta dhe të hedhim kapistallin në qafën e kalit të pasioneve – gjithmonë duke mos e bërë veprimin. Asnjë sy njerëzor nuk ndjek shpirtin kur vazhdon të vallëzojë me satirat apo të çajë rrugën e konfuzionit labirintik të ishujve të dëshirës. Ai shkon e vjen pa u dyshuar nga ai që i ndodhet pranë. Kredia e tij për një pastërti si bora nuk mund të konfiskohet. Ai lejohet ende për të parë mes të virgjërave që presin për ardhjen e Dhëndrit. Por nëse kjo praktikë nuk gjykohet dhe nuk rrëfehet, ajo e shënon shkelësin si një bir të mosbindjes dhe fëmijë të zemërimit. {{10}}

Ky është përshkrimi përfundimtar i Palit për Judenjtë e pashpëtuar: ata ishin nga natyra fëmijë të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët. Kjo do të thotë që ata kishin një prirje drejt zemërimit, së keqes, hidhërimit dhe nxehjes. Ata ishin kështu me gjithë pjesën tjetër të njerëzimit. Sigurisht, që është gjithashtu e vërtetë që ata janë nën zemërimin e Perëndisë. Ata janë caktuar për vdekje dhe gjykim. Vini re që tre armiqtë e njeriut janë përmendur në vargjet 2 dhe 3: bota (v. 2), djalli (v. 2) dhe mishi (v. 3)

2:4 Fjalët, Por Perëndia, formojnë një nga kalimet më domethënëse, më frymëzuese dhe më të bukura në gjithë literaturën. Ato tregojnë që ka ndodhur një ndryshim i mahnitshëm. Është një ndryshim nga dëshpërimi dhe dënimi i luginës së vdekjes në kënaqësitë e papërshkrueshme të mbretërisë së Birit të Dashurisë së Perëndisë.

Autori i ndryshimit është Perëndia Vetë. Askush tjetër s’mund ta kishte bërë atë dhe askush tjetër s’mund ta bëjë më.

Një karakteristikë e këtij të Bekuari është që Ai është i pasur në mëshirë. Ai tregon mëshirë ndaj nesh duke mos na trajtuar sipas mënyrës që ne meritojmë të trajtohemi (Ps. 103:10). Siç ka thënë Eadie, “Megjithëse është shpenzuar nga Ai për gjashtë mijëvjeçarë, dhe miliarda e miliarda kanë qenë pjesëmarrës në të, ajo është ende një minierë e palodhur pasurish.” {{11}}

Arsyeja për ndërhyrjen e Tij është dhënë në fjalët, për shkak të dashurisë së Tij të madhe me të cilën na deshi. Dashuria është e madhe sepse Ai është burimi. Ashtu si madhështia e një dhuruesi i jep madhështi dhuratës së Tij, kështu edhe shkëlqimi i pashoq i Perëndisë i shton një lustër sipërore dashurisë së Tij. Është diçka tepër e madhe të duhesh nga Sovrani i plotfuqishëm i universit sesa nga një qenie njerëzore. Dashuria e Perëndisë është e madhe për shkak të çmimit që Ai pagoi. Dashuria e dërgoi Zotin Jezus, Birin e vetëm të Perëndisë, të vdesë për ne në agoni në Kalvar. Dashuria e Perëndisë është e madhe për shkak të pasurive të pahulumtueshme që derdh mbi objektet e saj.

2:5 Dhe dashuria e Perëndisë është e madhe për shkak të pavlefshmërisë ekstreme dhe padashurisë së njerëzve që Ai i deshi. Ne ishim të vdekur në faje. Ne ishim armiq të Perëndisë. Ne ishim jashtë përdorimit dhe të degraduar. Ai na deshi pavarësisht nga të gjitha këto.

Si një rezultat i dashurisë së Perëndisë për ne, dhe si një rezultat i veprës shpenguese të Krishtit, ne: (1) na është dhënë jetë me Krishtin; (2) jemi ringjallur me Të; (3) rrimë në vendet qiellore në Të.

Këto shprehje përshkruajnë pozicionin tonë frymëror si një rezultat i bashkimit tonë me Të. Ai veproi si Përfaqësuesi ynë – jo vetëm për ne, por si ne. Prandaj kur Ai vdiq, ne vdiqëm. Kur Ai u varros, ne u varrosëm.

Kur Atij iu dha jetë, u ringjall dhe u ul në vendet qiellore, kështu bëmë edhe ne. Gjithë të mirat e veprës së Tij sakrifikuese gëzohen nga ne për shkak të lidhjes sonë me Të. Na u dha jetë bashkë me Të, do të thotë që Judenjtë e kthyer dhe Johebrenjtë e kthyer tani janë të lidhur me Të në risinë e jetës. E njëjta fuqi që i dha Atij jetën e ringjallur, na i ka dhënë edhe ne gjithashtu.

Mrekullia e kësaj e bën Palin ta ndërpresë këtë varg mendimesh dhe të thërrasë, Ju jeni shpëtuar me anë të hirit. Ai është pushtuar nga dashamirësia e pamasë që Perëndia ka treguar ndaj atyre që meritonin të kundërtën. Ky është hir!

Ne kemi përmendur që mëshirë do të thotë që ne nuk marrim dënimin që meritojmë. Hir do të thotë që ne marrim shpëtimin që nuk e meritojmë. Ne e marrim atë si një dhuratë, jo si diçka që e fitojmë. Dhe kjo vjen nga Ai që nuk u shtrëngua ta japë. A. T. Pierson thotë:

Është një ushtrim i vullnetshëm i dashurisë për të cilin Ai nuk është nën një shtrëngim. Ajo që caktoi lavdinë e hirit është dashuria e palidhur dhe e padetyruar e Perëndisë ndaj mëkatarëve të mjerë. {{12}}

2:6 Jo vetëm që na është dhënë jetë me Krishtin, por ne edhe jemi ringjallur me Të. Ashtu si vdekja dhe gjykimi janë pas Tij, ato janë edhe pas nesh. Ne qëndrojmë në anën e varrit ku gjendet ringjallja. Ky është pozicioni ynë i lavdishëm si rezultat i bashkimit tonë me Të. Dhe sepse kjo gjë është e vërtetë për ne pozicionalisht, ne duhet të jetojmë si ata që janë ringjallur prej së vdekurish.

Një aspekt tjetër i pozicionit tonë është që ne rrimë me Të në vendet qiellore. Me anë të bashkimit tonë me Të ne shihemi si të çliruar tashmë nga bota e ligë dhe si të ulur në Krishtin në lavdi. Kështu na sheh Perëndia ne. Nëse ne e vlerësojmë këtë gjë me besim, karakteri i jetës sonë do të ndryshojë. Ne nuk do të jemi më të lidhur pas botës, të zënë me kalimtaren dhe të përkohshmen. Ne do të kërkojmë ato gjëra që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë (Kol. 3:1).

Çelësi i vargjeve 5 dhe 6 është fraza në Krishtin Jezus. Është pikërisht në Të që ne na është dhënë jetë, që jemi ringjallur dhe që rrimë në vendet qiellore. Ai është Përfaqësuesi ynë; prandaj triumfet dhe pozicioni i Tij janë tonat. George Williams shprehet kështu: “Ç’mendim madhështor! Që një Mari Magdalenë dhe një vjedhës i kryqëzuar të jenë shokë në lavdi me Birin e Perëndisë.”

2:7 Kjo mrekulli e hirit transformues do të jetë subjekti i zbulesës së përjetshme. Nëpër epokat e pafundme Perëndia do të zbulojë përpara turmës qiellore sa i madh ishte çmimi që të dërgonte Birin e Tij në këtë xhungël mëkati dhe sa i lartë ishte çmimi që Zoti Jezus pagoi që të mbarte mëkatet tona në kryq. Është një subjekt që nuk do të shterohet kurrë. Pali përsëri bën një piramidë fjalësh për të treguar diçka nga pafundësia e kësaj gjëje:

Mirësia e Tij ndaj nesh.

Hirit të Tij, me anë të mirësisë ndaj nesh.

Pasurinë e hirit të Tij, me anë të mirësisë ndaj nesh.

Pasurinë e pamasë të hirit të Tij, me anë të mirësisë ndaj nesh.

Nëse Perëndia do ta shpalosë këtë në gjithë përjetësinë, atëherë ne do të jemi duke mësuar pa pushim gjatë përjetësisë. Qielli do të jetë shkolla jonë. Perëndia do të jetë Mësuesi. Hiri i Tij do të jetë lënda. Ne do të jemi studentët. Dhe semestri i shkollës do të jetë përjetësia.

Kjo duhet të na çlirojë ne nga ideja që ne do të dimë çdo gjë kur të arrijmë në qiell. Vetëm Perëndia di gjithçka dhe ne nuk do të jemi kurrë të barabartë me Të. {{13}}

Kjo ngre gjithashtu një pyetje mjaft interesante: Sa do të dimë ne kur të mbërrijmë në qiell? Dhe sugjeron mundësinë që ne mund të përgatitemi për universitetin qiellor duke zotëruar Biblën tani.

2:8 Tre vargjet e tjera paraqesin një thënie të planit të thjeshtë të shpëtimit në qartësinë që gjendet në Bibël.

Gjithçka filloi me hirin e Perëndisë: Ai merr iniciativën në sigurimin e tij. Shpëtimi u është dhënë atyre që nuk janë aspak të denjë për të, ai jepet në bazë të Personit dhe veprës së Zotit Jezus Krisht.

Ai është dhënë si një zotërim i tanishëm. Ata që janë të shpëtuar mund ta dinë këtë. Duke u shkruar efesianëve Pali tha, Ju jeni të shpëtuar. Ai e dinte këtë, edhe ata e dinin.

Mënyra me të cilën ne marrim dhuratën e jetës së përjetshme është nëpërmjet besimit. Besim do të thotë që njeriu pranon që është një mëkatar i humbur dhe fajtor dhe pranon Zotin Jezus si shpresa e tij e vetme për shpëtim. Besimi i vërtetë shpëtues është dorëzimi i një personi tek një Person.

Çfarëdo lloj ideje që thotë që njeriu mund ta fitojë apo meritojë shpëtimin, minohet përjetësisht nga fjalët, dhe kjo nuk vjen nga ju. Njerëzit e vdekur s’mund të bëjnë asgjë, dhe mëkatarët nuk meritojnë asgjë tjetër përveç dënimit.

Është dhurata e Perëndisë. Një dhuratë sigurisht që është diçka falas dhe e pakushtëzuar. Kjo është e vetmja bazë në të cilën Perëndia ofron shpëtimin. Dhurata e Perëndisë është shpëtimi me anë të hirit dhe nëpërmjet besimit. Ajo i është ofruar të gjithëve kudo qofshin.

2:9 Nuk është nga vepra, pra, nuk është diçka që një njeri mund ta fitojë nëpërmjet punës së ashtuquajtur e merituar. Nuk mund të fitohet, p.sh., nga:

  1. Pohimi fetar ose rrëfimi.

  2. Pagëzimi.

  3. Anëtarësia në kishë.

  4. Shkuarja në kishë.

  5. Meshë

  6. Përpjekja për të zbatuar Dhjetë Urdhërimet.

  7. Duke jetuar me anë të Predikimit në Mal.

  8. Duke bërë bamirësi.

  9. Duke qenë një komshi i mirë.

  10. Duke jetuar një jetë të moralshme dhe të respektueshme.

Njerëzit nuk shpëtohen nga veprat. Dhe ata nuk shpëtohen gjithashtu nëpërmjet besimit plus vepra. Ata shpëtohen vetëm nëpërmjet besimit. Në çastin që ju shtoni veprat, të çdo lloji qofshin ato, si një mënyrë për të fituar jetë të përjetshme, shpëtimi nuk është më nga hiri (Rom 11:6). Një arsye për të cilën veprat janë përjashtuar është për të shmangur mburrjen njerëzore. Nëse dikush do të mund të shpëtohej nga veprat e tij, atëherë ai do të kishte arsye për t’u mburrur përpara Perëndisë. Dhe kjo është e pamundur (Rom. 3:27).

Nëse dikush do të mund të shpëtohej me anë të veprave të tij të mira, atëherë vdekja e Krishtit ishte e panevojshme (Gal. 2:21). Por ne dimë që arsyeja për të cilën Ai vdiq, ishte sepse nuk kishte asnjë rrugë tjetër me anë të së cilës mëkatarët mund të shpëtoheshin.

Nëse dikush do të mund të shpëtohej me anë të veprave të tij të mira, atëherë ai do të ishte shpëtimtari i vetes së tij, dhe do të adhuronte vetveten. Por kjo do të ishte idhujtari dhe Perëndia e ndalon atë (Eks. 20:3).

Madje edhe sikur të mund të shpëtohej nëpërmjet besimit në Krisht plus veprat e tij, do të kishim mundësinë e dy shpëtimtarëve – Jezusit dhe mëkatarit. Krishtit atëherë do t’i duhej të ndante lavdinë e të qenurit shpëtimtar me dikë tjetër, dhe Ai nuk do ta bëjë këtë (Isa. 42:8).

Së fundi, nëse dikush do të mund të kontribuonte në shpëtimin e tij me anë të veprave, Perëndia do t’i detyrohej atij. Edhe kjo gjë është e pamundur. Perëndia s’mund t’i detyrohet askujt (Rom. 11:35).

Ndryshe nga veprat, besimi përjashton mburrjen (Rom. 3:27), sepse ai nuk është i meritueshëm. Një njeri nuk ka arsye për të qenë krenar sepse ka besuar Zotin. Besimi në Të është gjëja më e arsyeshme, më racionale dhe më praktike që një person mund të bëjë. Të besosh Krijuesin dhe Shpenguesin është vetëm logjike dhe e arsyeshme. Nëse nuk mund t’i besojmë Atij kujt mund t’i besojmë?

2:10 Përfundimi i shpëtimit është që ne jemi vepra e Tij – puna e dorës së Perëndisë dhe jo e jona. Një besimtar i rilindur është një kryevepër e Perëndisë. Kur ne mendojmë materialet e prishura me të cilat Atij i duhet të punojë, arritja e Tij është akoma edhe më e madhe. Në të vërtetë, kjo kryevepër nuk është asgjë më pak sesa një krijim i ri që vjen si rrjedhim i bashkimit me Krishtin, sepse “nëse një njeri është në Krishtin, ai është një krijesë e re, gjërat e vjetra kanë shkuar, ja të gjitha u bënë të reja” (2 Kor. 5:17).

Dhe objekti i këtij krijimi të ri gjendet në frazën, për veprat e mira. Ndërkohë që është e vërtetë që ne nuk jemi shpëtuar me anë të veprave, është po aq e vërtetë që ne jemi shpëtuar për vepra të mira. Veprat e mira nuk janë rrënjët, por frytet. Ne nuk punojmë për t’u shpëtuar, por sepse jemi të shpëtuar.

Ky është aspekti i së vërtetës që është theksuar tek Jakobi 2:14-26. Kur Jakobi thotë që “besimi pa vepra është i vdekur,” ai nuk nënkupton që ne jemi shpëtuar nëpërmjet besimit plus veprat, por nëpërmjet atij lloj besimi që rezulton në një jetë veprash të mira. Veprat provojnë realitetin e besimit tonë. Pali me gjithë zemër thotë: ne jemi vepra e Tij, e krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira.

Renditja e Perëndisë është kjo:

Besim – Shpëtim – Vepra të mira – Shpërblim. Besimi shpie në shpëtim. Shpëtimi rezulton në vepra të mira. Veprat e mira do të shpërblehen prej Tij.

Por ngrihet një pyetje: Çfarë lloj veprash të mira pritet që të bëj unë? Pali përgjigjet, Veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to. Me fjalë të tjera, Perëndia ka një projekt për çdo jetë. Përpara kthimit tonë Ai hartoi një karrierë frymërore për ne. Përgjegjësia jonë është të gjejmë vullnetin e Tij dhe t’i bindemi Atij. Ne nuk duhet të bëjmë një plan për jetën tonë, por vetëm të pranojmë planin që Ai ka skicuar për ne. Kjo na çliron ne nga shqetësimi dhe frika dhe siguron që jetët tona do të jenë jetë të një lavdie maksimale për Të, të bekimeve të shumta për të tjerët dhe të një shpërblimi tepër të madh për veten tonë.

Për të zbuluar veprat e mira që Ai ka planifikuar për jetët tona individuale ne duhet: (1) rrëfejmë dhe braktisim mëkatin sapo ne e shohim atë në jetën tonë; (2) të jemi vazhdimisht të varur tek Ai; (3) të studiojmë Fjalën e Perëndisë për të shquar vullnetin e Tij dhe më pas të bëjmë gjithçka që Ai na thotë të bëjmë; (4) të kalojmë çdo ditë kohë në lutje; (5) të kapim mundësitë për shërbesë kur ato dalin përpara; (6) të kultivojmë bashkësinë me të krishterët dhe të pranojmë këshillën e tyre. Perëndia na përgatit ne për vepra të mira. Ai përgatit vepra të mira për t’u kryer nga ne. Më pas Ai na shpërblen kur ne i kryejmë ato. I tillë është hiri i Tij!

E. Uniteti i Besimtarëve Judenj dhe atyre Johebrenj në Krishtin (2:11-22)

Në gjysmën e parë të kapitullit 2 Pali na zbuloi shpëtimin e individëve Judenj dhe Johebrenj. Tani ai përparon nga heqja e dallimeve kombëtare midis tyre, tek uniteti i tyre në Krishtin dhe në vendosjen e tyre në Kishë, një tempull i shenjtë në Zotin.

2:11 Në vargjet 11 dhe 12 apostulli u kujton lexuesve të tij se përpara kthimit të tyre ata ishin Johebrenj nga lindja dhe prandaj ishin të dëbuar nga ana e Judenjve. Së pari ata ishin të përbuzur. Kjo tregohet nga fakti që Judenjtë i quanin ata të parrethprerë. Kjo nënkuptonte që Johebrenjtë nuk kishin në trupat e tyre shenjën kirurgjike që i shënonte Izraelitët si populli i besëlidhjes së Perëndisë. Emri “të parrethprerë” ishte një njollë etnike, e njëjtë me emrat që njerëzit përdorin sot për kombësitë e përbuzura. Ne mund të ndjejmë diçka nga thumbimi i saj kur dëgjojmë Davidin që thotë në lidhje me Goliathin Johebre, “Po kush është ky filiste i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë së gjallë?” (1 Sam. 17:26).

Judenjtë, në të kundërt, e quanin veten e tyre të rrethprerë. Ky është një emër për të cilin ata ishin krenarë. Ai i identifikonte ata si populli i zgjedhur tokësor i Perëndisë, i veçuar nga gjithë kombet e tjera të tokës. Pali duket se ka kundërshtuar disa për mburrjet e tyre duke thënë që rrethprerja e tyre ishte bërë në mish nga dora e njeriut. Ishte thjesht diçka fizike. Megjithëse ata kishin shenjën e jashtme të popullit të besëlidhjes së Perëndisë, ata nuk kishin realitetin e brendshëm të besimit të vërtetë në Zotin. “Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish; por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia.” (Rom. 2:28, 29)

Por nëse Judenjtë ishin të rrethprerë në zemër apo jo, çështja në vargun 11 është që në sytë e tyre ata ishin populli dhe Johebrenjtë ishin të përbuzur. Kjo armiqësi midis Judenjve dhe Johebrenjve ishte ndryshimi më i madh dhe më radikal fetar që bota kishte njohur ndonjëherë. Judenjtë gëzonin një pozicion të madh përpara Perëndisë (Rom. 9:4, 5). Johebreu ishte një i huaj. Nëse ai dëshironte të adhuronte Perëndinë e vërtetë në rrugën e caktuar, ai duhej të bëhej një Jude i kthyer (p.sh., Rahabi dhe Ruthi). Tempulli Jude në Jeruzalem ishte i vetmi vend në tokë ku Perëndia kishte vendosur emrin e Tij dhe ku njerëzit mund t’i afroheshin Atij. Johebrenjtë ishin të ndaluar të hynin në oborrin e tempullit. Po të hynte një johebre, do të dënohej me vdekje.

Në bisedën e Tij me një grua Johebrenje nga zona e Tirës dhe Sidonit, Zoti Jezus provoi besimin e saj duke i paraqitur Judenjtë si fëmijët në një shtëpi dhe Johebrenjtë si qentë nën tryezë. Ajo pohoi se ishte vetëm një qen i vogël, por kërkoi për thërrimet që mund të hidhnin fëmijët. S’ka nevojë të thuhet, besimi i saj u shpërblye (Marku 7:24-30). Këtu në Efesianëve 2:11 apostulli u kujton lexuesve të tij që ata ishin Johebrenj të dikurshëm dhe prandaj përbuzeshin.

2:12 Gjithashtu Johebrenjtë ishin pa Krishtin: ata nuk kishin Mesi. Ai i ishte premtuar kombit të Izraelit. Megjithëse ishte parathënë që nëpërmjet shërbesës së Mesias shumë bekime do të rridhnin për të gjitha kombet (Isaia 11:10; 60:3), përsëri Ai duhet të lindte si Jude dhe t’i shërbente kryesisht “deles së humbur të Izraelit” (Mat. 15:24). Përveç të qenurit pa Mesi, Johebrenjtë ishin të huaj në qytetarinë e Izraelit. Një i huaj është dikush që nuk “i përket.” Ai është një i huaj dhe i panjohur pa të drejtat e shtetësisë. Përsa i përkiste komunitetit të Izraelit, Johebrenjtë ishin jashtë, duke parë brenda. Dhe ata ishin të huaj për besëlidhjen e premtimit. Perëndia kishte bërë besëlidhje me kombin e Izraelit nëpërmjet burrave të tillë si Abrahami, Isaku, Jakobi, Moisiu, Davidi dhe Salomoni. Këto besëlidhje premtonin bekime për Judenjtë. Me një fjalë, Johebrenjtë ishin jashtë kufirit. Ata ishin pa shpresë, si nga kombësia ashtu edhe si individë. Kombësisht ata nuk kishin siguri që toka e tyre, qeveria e tyre apo popullsia e tyre do të mbijetonte. Individualisht perspektiva e tyre ishte e shkretë: ata nuk kishin asnjë shpresë përtej varrit. Dikush ka thënë që e ardhmja e tyre ishte një natë pa asnjë yll. Së fundi, ata ishin pa Perëndi në botë. Kjo nuk do të thotë që ata ishin ateistë. Ata kishin perënditë e tyre prej druri dhe guri dhe i adhuronin ato. Por ata nuk e njihnin Perëndinë e vërtetë. Ata ishin pa Perëndi në një botë të paperëndishme dhe armiqësore.

2:13 Fjalët, Por tani, sinjalizojnë një ndryshim të menjëhershëm (shih 2:4). Johebrenjtë efesianë ishin shpëtuar nga ai vend që i bënte ata të largët dhe të huaj, ata ishin ngritur në një pozicion të një afërsie me Perëndinë. Kjo kishte ndodhur në kohën e kthimit të tyre. Kur ata besuan Shpëtimtarin, Perëndia i vendosi ata në Krishtin Jezus dhe i pranoi ata në të Dashurin. Që nga ai moment e më tej ata ishin afër Perëndisë ashtu siç është Krishti, sepse ata ishin në Krishtin Jezus. Çmimi që bëri të mundur këtë ndryshim rrënjësor ishte gjaku i Krishtit. Përpara se këta Johebrenj mëkatarë të gëzonin privilegjin e afërsisë me Perëndinë, ata duhet të pastroheshin nga mëkatet e tyre. Vetëm gjaku i Krishtit derdhur në Kalvar mund ta bëjë këtë gjë. Kur ata pranuan Zotin Jezus me anë të një akti përfundimtar besimi, gjithë vlera pastruese e gjakut të Tij të shtrenjtë ishte atribuar në llogari të tyre.

Jezusi jo vetëm që i afroi ata, por Ai krijoi gjithashtu një shoqëri të re në të cilën armiqësia e vjetër midis Judenjve dhe Johebrenjve u zhduk njëherë e përgjithmonë. Deri në kohën e DhR e gjithë bota ishte ndarë në dy klasa – Judenjtë dhe Johebrenjtë. Shpëtimtari ynë paraqiti një të tretë – Kishën e Perëndisë (1 Kor. 10:32). Në vargjet që pasojnë, ne shohim se si besimtarët Judenj dhe besimtarët Johebrenj janë tani një në Krishtin dhe janë futur në këtë shoqëri ku nuk ka më Judenj apo Johebrenj.

2:14 Ai në fakt është paqja jonë. Vini re që nuk thuhet, “Ai bëri paqe.” Sigurisht që edhe kjo është e vërtetë, siç do ta shohim në vargun tjetër. Këtu fakti është që Vetë Ai është paqja jonë. Por si mund të jetë një person në paqe?

Është kështu: Kur një Jude beson në Zotin Jezus, ai humb identitetin e tij kombëtar; andej e tutje ai është “në Krishtin.” Me fjalë të tjera, besimtari Jude dhe ai Johebre, dikur të ndarë nga armiqësia, tani janë të dy një në Krishtin. Bashkimi i tyre me Krishtin domosdoshmërisht që i bashkon ata me njëri tjetrin. Prandaj një Njeri është paqja, ashtu si Mikea parashikoi (Mik. 5:5).

Sfera e veprës së Tij si paqja jonë është dhënë me detaje në vargjet 14-18.

Së pari është vepra e bashkimit që ne sapo kemi përshkruar. Ai ka bërë nga të dy një – pra, edhe besimtarët Judenj edhe ata Johebrenj. Ata nuk janë më Judenj apo Johebrenj, por të Krishterë. Nëse flasim ashtu siç duhet, nuk është e përpiktë as thënia të krishterë Judenj apo të krishterë Johebrenj. Të gjitha dallimet mishërore, si p.sh. kombësia, u gozhduan në kryq.

Faza e dytë e veprës së Krishtit mund të quhet shembje: Ai … ka shembur murin e ndarjes. Sigurisht që jo një mur në kuptimin fillestar të fjalës, por barrierën e padukshme vendosur nga ligji i Moisiut i urdhëresave që u përmbahej dekreteve që ndanin popullin e Izraelit nga kombet e tjerë. Kjo gjë shpesh është ilustruar me anë të murit që i kufizonte ata që nuk ishin Judenj në oborrin e Johebrenjve në zonën e tempullit. Në mur kishte shenja të “mos shkeljes” që shkruanin: “Asnjë nga kombet e tjera s’mund të hyjë brenda kufirit dhe barrierës përreth Vendit të Shenjtë. Kushdo që kapet duke bërë një veprim të tillë do të jetë përgjegjës për faktin që vdekja e tij do të vijë si rrjedhim i kësaj.”

2:15 Një aspekt i tretë i veprës së Krishtit ishte zhdukja e armiqësisë që shtrihej midis Judenjve dhe Johebrenjve dhe gjithashtu midis Perëndisë dhe njeriut. Pali e identifikon ligjin si të ishte shkaku i pafajshëm i armiqësisë, pra, ligji i urdhërimeve të përfituar nga porosi. Ligji i Moisiut ishte një kod i vetëm legjislativ; e përsëri ishte formuar nga urdhëresa formale të ndryshme; këto konsistonin në dogma apo dekrete që mbulonin shumë, në mos të gjitha, fushat e jetës. Vetë ligji ishte i shenjtë, i drejtë dhe i mirë (Rom. 7:12), por natyra mëkatare e njeriut e përdori ligjin si një rast për urrejtje. Ngaqë ligji në të vërtetë e vendosi Izraelin si populli i zgjedhur tokësor i Perëndisë, shumë Judenj u bënë arrogantë dhe i trajtuan Johebrenjtë me përbuzje. Johebrenjtë bënë hakmarrje me armiqësi të thellë, që ne e njohim sot si anti-Semitizëm. Por si e hoqi Krishti ligjin si shkakun e armiqësisë? Së pari, Ai vdiq për të paguar dënimin e ligjit që ishte shkelur. Kështu Ai plotësoi kërkesat e drejta të Perëndisë. Tani ligji nuk ka ç’të thotë më për ata që janë “në Krishtin”; për ta gjoba u pagua plotësisht. Besimtarët nuk janë nën ligj, por nën hir. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ata mund të jetojnë si të dëshirojnë; kjo do të thotë që ata tani janë nën ligjin e Krishtit dhe duhet të jetojnë ashtu siç dëshiron Ai.

Si rezultat i zhdukjes së armiqësisë që ishte nxitur nga ligji, ishte e mundshme që Zoti të krijonte një krijim të ri. Ai ka bërë në Veten e Tij nga të dy, që do të thotë, nga besimtarët Judenj dhe nga ata Johebrenj, një njeri të ri – Kishën. Me anë të bashkimit me Të, luftëtarët që ishin të tillë që nga lindja, janë bashkuar me njëri tjetrin në këtë bashkësi të re. Kisha është e re në kuptimin që ajo është një lloj organizmi që nuk kishte ekzistuar më parë. Është e rëndësishme të kuptohet kjo gjë. Kisha e DhR nuk është një vazhdim i Izraelit të DhV. Ajo është diçka krejtësisht e veçuar nga çdo gjë që ishte më parë apo që do të pasojë më vonë. Kjo duhet të jetë e qartë nga këto fjalë që vijnë më poshtë:

  1. Është diçka e re që një Johebre duhet të ketë të drejta të barabarta dhe të njëjtat privilegje me një Jude.
  2. Është e re që si Judenjtë ashtu edhe Johebrenjtë duhet të humbin identitetin e tyre kombëtar duke u bërë të krishterë.

  3. Është e re që Judenjtë dhe Johebrenjtë duhet të jenë anëtarë të Trupit të Krishtit.

  4. Është e re që një Johebre duhet të ketë shpresën e të mbretëruarit me Krishtin në vend të të qenurit një i nënshtruar i mbretërisë së Tij.

  5. Është e re që një Jude nuk duhet të jetë më nën ligj.

Kisha është krejtësisht një krijesë e re, me një thirrje të veçantë dhe një destinacion të veçantë, që zë një vend unik në qëllimet e Perëndisë. Por fusha e veprës së Krishtit nuk ndalon këtu. Ai ka sjellë gjithashtu paqe midis Judenjve dhe Johebrenjve. Ai e bëri këtë duke hequr shkakun e armiqësisë, duke kumtuar një natyrë të re dhe duke krijuar një harmoni të re. Kryqi është përgjigjja e Perëndisë ndaj diskriminimit racial, ndarjes, anti-Semitizmit, fanatizmit dhe çdo lloj lufte midis njerëzve.

2:16 Plus pajtimit që u bëri Krishti Judenjve dhe Johebrenjve, Ai i ka pajtuar ata të dy me Perëndinë. Megjithëse Izraeli dhe kombet ishin tmerrësisht në kundërshtim me njëri tjetrin, ata kishin diçka ku ishin të bashkuar – në armiqësinë e tyre me Perëndinë. Shkaku i kësaj armiqësie ishte mëkati. Me anë të vdekjes së Tij në kryq, Zoti Jezus e hoqi armiqësinë duke hequr shkakun. Ata që e pranojnë Atë llogariten të drejtë, të falur, të shpenguar dhe të çliruar nga fuqia e mëkatit. Armiqësia ka ikur; tani ata kanë paqe me Perëndinë. Zoti Jezus i bashkon besimtarët Judenj dhe Johebrenj në një trup, Kishën, dhe e paraqet këtë Trup përpara Perëndisë pa asnjë gjurmë antagonizmi.

Perëndia kurrë nuk ka pasur nevojë të pajtohej me ne; Ai kurrë nuk na ka urryer. Por ne kishim nevojë të pajtoheshim me Të. Vepra e Zotit tonë në kryq siguroi një bazë të drejtë mbi të cilën ne mund të sillemi në prezencën e Tij si miq dhe jo si armiq.

2:17 Në vargun 14 Krishti është paqja jonë. Në vargun 15 Ai bëri paqen. Tani ne shohim që Ai erdhi për t’ju shpallur paqen. Kur dhe si erdhi Ai? Së pari, Ai erdhi personalisht në ringjallje. Së dyti, Ai erdhi duke u paraqitur nga Fryma e Shenjtë. Ai predikoi paqe në ringjallje; në fakt, paqja ishte një nga fjalët e para që Ai foli pas ringjalljes prej së vdekurish (Luka 24:36; Gjoni 20:19, 21, 26). Më pas Ai i dërgoi dishepujt në fuqinë e Frymës së Shenjtë dhe predikoi paqe me anë të tyre (Veprat e Apostujve 10:36). Lajmi i mirë i paqes ishte paraqitur tek ju që ishit larg (Johebrenjve) dhe atyre që ishin afër (Judenjve), një përmbushje e hirshme e premtimit të Perëndisë në Isaia 57:19.

2:18 Prova praktike që tregon se midis anëtarëve të një Trupi dhe Perëndisë ekziston një gjendje paqeje, është se ata kanë hyrje në çdo kohë në prezencën e Perëndisë. Kjo është në një kontrast tepër të mprehtë me sistemin e DhV, në të cilin vetëm kryeprifti mund të hynte në vendin shumë të shenjtë, vendi i prezencës së Perëndisë. Dhe ai mund të hynte aty vetëm një ditë në vit. Eadie përshkruan këtë kontrast:

Por tani Johebreu më i largët që është në Krishtin gëzon në të vërtetë dhe pa pushim atë privilegj frymëror të madh, që një njeri i një fisi të një kombësie mund ta zotëronte në mënyrë tipike dhe periodike vetëm një ditë në vit. {{14}}

Nëpërmjet lutjes çdo besimtar mund të hyjë në dhomën e fronit në qiell, të gjunjëzohet përpara Sovranit të universit dhe t’i drejtohet Atij si At.

Këtu është dhënë renditja normale që duhet ndjekur në një lutje. Së pari, ajo është përmes Tij (Zotit Jezus). Ai është Ndërmjetësi i vetëm midis Perëndisë dhe njeriut. Vdekja, varrosja dhe ringjallja e Tij hoqi çdo pengesë ligjore për pranimin tonë në prezencën e Perëndisë. Tani si një Ndërmjetës Ai jeton lart për të na mbajtur ne në një gjendje bashkësie me Atin. Ne i afrohemi Perëndisë në emrin e Tij; ne vetë nuk jemi të denjë aspak, kështu që i drejtohemi denjësisë së Tij. Pjesëmarrësit në lutje janë që të dy – besimtarët Judenj dhe ata Johebrenj. Privilegji është që ne kemi hyrje. Ndihmësi ynë në lutje është Fryma e Shenjtë – nëpër një Frymë të vetme. “Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet, por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.” (Rom. 8:26)

Ai të cilit ne i afrohemi është Ati. Asnjë nga të shenjtët e DhV nuk e njihte Perëndinë si At. Përpara ringjalljes së Krishtit, njerëzit qëndronin përpara Perëndisë si krijesat përpara Krijuesit. Ishte pas ringjalljes së Tij që Ai tha, “Shko tek vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe te Perëndia juaj” (Gjo. 20:17). Si një rezultat i veprës së Tij shpenguese, besimtarët ishin në gjendje që për herë të parë t’i drejtoheshin Perëndisë si At. Në vargun 18 të tre Personat e Trinitetit janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në lutjet e besimtarit më të përulur: ai i lutet Perëndisë At, duke iu afruar Atij përmes Zotit Jezus Krisht, në fuqinë e Frymës së Shenjtë.

2:19 Në katër vargjet e fundit të këtij kapitulli, apostulli Pal rendit disa nga privilegjet e reja që kanë besimtarët Johebrenj. Ata nuk janë më të huaj, as bujtës. Ata kurrë më s’do të jenë të huaj, qentë, të parrethprerë, të jashtëm. Tani ata janë bashkëqytetarë të shenjtorëve të periudhës së DhR. Besimtarët me një prejardhje Judenje nuk janë më lart se ata. Të gjithë të krishterët janë qytetarë të klasit të parë të qiellit (Filip. 3:20, 21). Ata janë gjithashtu pjestarë të familjes së Perëndisë. Ata jo vetëm që janë “tepër të përshtatur” në mbretërinë hyjnore, por ata janë birësuar në familjen hyjnore.

2:20 Së fundi, ata janë bërë anëtarë të Kishës, ose siç thotë Pali këtu, ata janë bërë gurë në ndërtimin e një tempulli të shenjtë. Apostulli përshkruan këtë tempull me shumë detaje – themeli i tij, guri i tij i qoshes, llaçi që lidh të gjitha pjesët, uniteti dhe simetria e tij, rritja dhe cilësitë e tjera unike të tij.

Ky tempull është ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe profetëve. Kjo i referohet apostujve dhe profetëve të DhR; nuk ka mundësi t’i jetë referuar profetëve të DhV, sepse ata nuk dinin asgjë për Kishën. Kjo nuk do të thotë që apostujt dhe profetët ishin themeli i Kishës. Krishti është themeli (1 Kor. 3:11). Por ata shtruan themelin në atë çfarë ata u mësuan të tjerëve për Personin dhe veprën e Zotit Jezus. Kisha u themelua në Krishtin kur Ai u zbulua nëpërmjet rrëfimit dhe mësimit të apostujve dhe profetëve. Kur Pjetri e rrëfeu Atë si Krisht, Biri i Perëndisë së gjallë, Jezusi shpalli që Kisha e Tij do të ndërtohej mbi atë shkëmb, në të vërtetën e patundshme që Ai është caktuar nga Perëndia dhe që Ai është Biri i vetëm i Perëndisë (Mat. 16:18). Në Zbulesa 21:14 apostujt janë lidhur me 12 themelet e Jeruzalemit të shenjtë. Ata nuk janë themeli, por janë të lidhur me të, sepse ata ishin të parët që u mësuan të tjerëve të vërtetën në lidhje me Krishtin dhe Kishën. Themeli i një ndërtese duhet të hidhet vetëm një herë. Apostujt dhe profetët e bënë këtë punë një herë e përgjithmonë. Themeli që ata ndërtuan është ruajtur për ne në shkrimet e DhR, megjithëse ata nuk janë më me ne. Në një kuptim të dytë, ka njerëz në të gjitha epokat, shërbesa e të cilëve është apostolike apo profetike. Misionarët dhe ata që ngrejnë kisha janë apostuj në një kuptim më të ulët, dhe ata që predikojnë fjalën për ndërtim frymëror janë profetë. Por ata nuk janë apostuj dhe profetë në kuptimin fillestar.

Jezus Krishti nuk është vetëm themeli i tempullit; Ai është edhe guri i tij i qoshes. Asnjë pikturë apo shkrim nuk mund ta portretizojë Atë në lavditë e Tij të shumëfishta ose në shërbesat e Tij të ndryshme. Ka të paktën tre mundësi për shpjegimin e gurit të qoshes, dhe të treja ato e paraqesin Zotin Jezus si Kreu unik, i shquar dhe i pashmangshëm i Kishës.

  1. Ne përgjithësisht e mendojmë gurin e qoshes si një që shtrihet në qoshen e përparme dhe të ulët të një ndërtese. Përderisa pjesa e tjetër e strukturës duket sikur mbahet prej tij, ai nënkupton diçka që ka një rëndësi themeltare. Kjo është e vërtetë për Zotin Jezus. Gjithashtu, ngaqë bashkon dy mure me njëri tjetrin, mund të mendohet si një bashkim midis besimtarëve Judenj dhe atyre Johebrenj në Kishë përmes Tij.
  2. Disa studentë të Biblës mendojnë që fjala e përkthyer si gur i qoshes i referohet gurit qendror të qemerit të një arku. Ky gur zë vendin më të madh në ark dhe siguron mbështetje për gurët e tjerë. Kështu Krishti është i Dalluari i Kishës. Ai është gjithashtu i Pashmangshmi: hiq Atë dhe gjithë pjesa tjetër do të bjerë.

  3. Një mundësi e tretë i shpjegimit të kësaj terme është që ai është guri qendror i qemerit të një piramide. Ky gur zë vendin më të lartë të strukturës. Është i vetmi gur i asaj përmase dhe i asaj forme. Dhe këndet dhe brinjët e tij përcaktojnë formën e gjithë piramidës. Kështu Krishti është Kreu i Kishës. Ai është unik si përsa i përket Personit ashtu edhe shërbesës së Tij. Dhe Jezusi është Ai që i jep Kishës cilësitë e saj unike. Së pari themelin e saj.

2:21 Fjalët mbi të cilin, i referohen Krishtit: Ai është burimi i jetës dhe rritjes së Kishës. Blaikie thotë:

Në Të ne i shtohemi asaj; në Të ne rritemi në të; në Të i gjithë tempulli rritet drejt plotësimit të saj, kur guri i majës të shfaqet me thirrjet “Hir, hir në të.” {{15}}

Unikshmëria dhe simetria e tempullit tregohen me anë të shprehjes, gjithë ndërtesa e lidhur mirë. Është një unitet i krijuar nga shumë individë anëtarë. Çdo anëtar ka një vend të veçantë në ndërtesë, vend të cilit ai ose ajo i përshtatet saktësisht. Gurët që janë nxjerrë nga lugina e vdekjes nëpërmjet hirit të Perëndisë janë gjetur për t’iu përshtatur njëri tjetrit në mënyrë të përsosur. Cilësia unike e kësaj ndërtese është që ajo rritet. Megjithatë, kjo cilësi nuk është e njëjtë me rritjen e një ndërtese me anë të shtimit të tullave dhe çimentos. Mendoheni më tepër si rritjen e një organizmi të gjallë, si p.sh. trupi njerëzor. Mbi të gjitha, Kisha nuk është një ndërtesë pafrymë e as një organizatë. Ajo është një realitet i gjallë me Krishtin si Kreu i saj dhe me gjithë besimtarët që formojnë trupin e saj. Ajo u lind në Ditën e Rrëshajëve, është rritur qysh atëherë dhe do të vazhdojë të rritet deri në Rrëmbim.

Kjo ndërtesë që rritet, e një materiali të gjallë, është përshkruar si një tempull i shenjtë në Zotin. Fjala që Pali ka përdorur për tempullin nuk i referohet oborreve të jashtme, por altarit të brendshëm (Gr. naos), nuk i referohet periferisë por vendit të shenjtë. Ai mendonte për ndërtesën kryesore të kompleksit të tempullit, që strehonte Vendin më të shenjtë. Atje Perëndia banonte dhe e shfaqte Veten në renë e shkëlqyeshme të lavdisë.

Këtu ka shumë mësime për ne: (1) Perëndia brendabanon Kishën. Judenjtë dhe Johebrenjtë e shpëtuar formojnë një shenjtore të gjallë në të cilën Ai banon dhe zbulon lavdinë e Tij. (2) Ky tempull është i shenjtë. Ai është veçuar nga bota dhe i është përkushtuar Atij për qëllime të shenjta. (3) Si një tempull i shenjtë, Kisha është një qendër nga e cila lavdërimi, adhurimi dhe falënderimi ngjitet tek Perëndia nëpërmjet Zotit Jezus Krisht.

Pali shpjegon më tej këtë tempull të shenjtë duke thënë që ai është në Zotin. Me fjalë të tjera, Zoti Jezus është burimi i tij i shenjtërisë. Anëtarët e tij janë të shenjtë pozicionalisht nëpërmjet bashkimit me Të dhe ata duhet të jenë të shenjtë edhe në praktikë nga dashuria për Të.

2:22 Në këtë tempull të mrekullueshëm, besimtarët Johebrenj kanë një vend të barabartë me Judenjtë. Leximi i kësaj duhet të na pëlqejë, ashtu siç duhet t’u ketë pëlqyer efesianëve dhe të tjerëve kur e kanë dëgjuar këtë për herë të parë. Dinjiteti i madh i pozicionit të besimtarëve është që ata formojnë një banesë të Perëndisë në Frymë. Ky është qëllimi i tempullit – të sigurojë një vend ku Perëndia mund të jetojë në bashkësi me njerëzit e Tij. Ky vend është Kisha. Krahasoheni këtë me pozicionin e Johebrenjve në DhV. Në atë kohë ata nuk mund të afroheshin në vendin ku banonte Perëndia. Tani ata vetë formojnë një pjesë të mirë të saj!

Dhe vini re shërbesën e çdo Personi të Plotësisë së Hyjnisë në lidhje me Kishën: (1) Në të cilin, pra, në Krishtin. Është me anë të bashkimit me Të që ne ndërtohemi në tempull. (2) Një banesë e Perëndisë. Ky tempull është shtëpia e Perëndisë At në tokë. (3) Në Frymë. Është në Personin e Frymës së Shenjtë që Perëndia brendabanon Kishën. (1 Kor. 3:16)

Dhe kështu kapitulli që filloi me një përshkrim të Johebrenjve që ishin të vdekur, djallëzorë dhe të pabindur, mbyllet me të njëjtët Johebrenj, tani të pastruar nga gjithë faji dhe ndotja dhe që janë duke formuar një banesë të Perëndisë në Frymë!

F. Një Parantezë rreth Misterit (3:1-13)

3:1 Pali fillon me një thënie në vargun 1, thënie që ndërpritet në vargun 2 dhe që nuk vazhdon deri në vargun 14. Vargjet e ndërmjetme formojnë një parantezë, tema e së cilës është misteri – Krishti dhe Kisha.

Ajo çfarë e bën këtë të një interesi të veçantë është fakti që epoka e tanishme e Kishës është vetë një parantezë në administrimin e Perëndisë. Kjo gjë mund të shpjegohet si më poshtë: Gjatë periudhës më të madhe të historisë që është shënuar në DhV, Perëndia merrej kryesisht me Judenjtë. Në fakt nga Zanafilla 12 deri tek Mikea 4 ngjarjet përqendrohen vazhdimisht mbi Abrahamin dhe pasardhësit e tij. Kur Zoti Jezus erdhi në tokë, Ai u hodh poshtë nga Izraeli. Si përfundim i kësaj Perëndia e hoqi mënjanë përkohësisht atë komb si popullin e Tij të zgjedhur tokësor. Tani ne jemi duke jetuar në Epokën e Kishës, kur Judenjtë dhe Johebrenjtë janë në të njëjtin nivel përpara Perëndisë. Pasi Kisha të jetë plotësuar dhe të jetë marrë në qiell, Perëndia do të vazhdojë programin e Tij në lidhje me kombin e Izraelit. Akrepat e orës profetike do të fillojnë të lëvizin edhe njëherë. Kështu epoka e tanishme është një lloj i një paranteze midis qëndrimit të shkuar dhe të ardhshëm të Perëndisë në lidhje me Izraelin. Është një administrim i ri në programin hyjnor – unik dhe i ndarë nga çdo gjë e mëparshme apo e mëpasshme.

Në vargjet 2-13 Pali jep një shpjegim të sinqertë dhe të detajshëm të kësaj paranteze. A është një rastësi e paparashikuar që duke bërë këtë ai përdor një parantezë letrare për të shpjeguar një parantezë hyjnore dhe dispencionale?

Apostulli fillon paragrafin me: Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Krishtit për ju johebrenjtë. Fraza, për këtë arsye, shikon pas në atë që ai kishte thënë për vendin e privilegjuar në të cilin janë sjellë besimtarët Judenj si rezultat i bashkimit të tyre me Krishtin.

Në përgjithësi njerëzit besojnë që kjo letër ishte shkruar gjatë burgosjes së parë romake të Palit. Megjithatë, ai nuk thotë si ishte një i burgosur në Romë. Kjo thënie mund të kishte shprehur një ndjenjë disfate, një ndjenjë keqardhjeje, ose një kërkesë për dashamirësi. Pali e quan veten një i burgosur i Jezus Krishtit; kjo tregon miratim, dinjitet dhe triumf. Ruth Paxon e përshkruan kështu:

Në Efesianëve nuk ka asnjë shenjë burgu, sepse Pali nuk është i burgosur në shpirt. Ai është atje si një i burgosur i Romës, por ai nuk e pranon këtë dhe shpall se është i burgosuri i Jezus Krishtit. Cili është sekreti i një fitoreje të tillë që i përket një bote tjetër? Fryma e Palit është me Krishtin në vendet qiellore, megjithëse trupi i tij ndodhet në burg. {{16}}

Ky burgim ishte përfundimisht për hir të Johebrenjve. Gjatë gjithë shërbesës së tij ai u përball me kundërshtime të egra, sepse ai mësonte që besimtarët Johebrenj tani gëzonin të drejta të barabarta dhe privilegje ashtu si besimtarët Judenj në Kishën e krishtere. Ajo çfarë solli përfundimisht arrestimin e tij si dhe gjyqin përpara Cezarit ishte një akuzë e rreme që thoshte se ai kishte futur Trofimin, një efesian, brenda zonës së tempullit që ishte e ndaluar për Johebrenjtë (Veprat e Apostujve 21:29). Por mbrapa akuzës gjendej armiqësia e egër e krerëve fetarë.

3:2 Tani Pali ndërpret vargun e mendimeve të tij dhe hidhet në një arsyetim mbi misterin që ne e quajtëm si një parantezë gjuhësore [letrare] që shpjegon një parantezë hyjnore dhe dispencionale.

Fjala nëse në vargun 2 (nëse keni dëgjuar) mund të krijojë përshtypjen që lexuesit e apostullit nuk dinin për misionin e tij ndër Johebrenjtë. Në fakt, ky varg ndonjëherë përdoret për të provuar që Pali nuk i njihte personat të cilëve po u shkruante dhe që si rrjedhim letra nuk mund t’u ishte drejtuar efesianëve të dashur. Por “nëse” shpesh ka kuptimin “duke qenë se,” “sepse” ose “përderisa.” Kështu Phillips e parafrazon kështu këtë gjë, “sepse ju duhet të keni dëgjuar.” Ata me siguri duhet ta dinin që ky mision i veçantë i ishte ngarkuar atij. Ai shpjegon atë shërbesë si një dhënie e hirit të Perëndisë. Këtu fjala dhënie i referohet një administrimi. Një administrator është ai që është caktuar për t’u marrë me çështjet e dikujt tjetër. Pali ishte administrator i Perëndisë, i ngarkuar me detyrën për të shpallur të vërtetën e madhe në lidhje me Kishën e DhR. Ishte një administrim i hirit të Perëndisë në të paktën tre kuptime:

  1. Përsa i përket atij që ishte zgjedhur. Ishte favori i pamerituar bërë Palit, një favor që e zgjodhi atë për një privilegj kaq të lartë.
  2. Përsa i përket përmbajtjes së mesazhit. Ishte mesazhi i mirësisë falas dhe të pamerituar të Perëndisë.

  3. Për sa i përket atyre që e merrnin. Johebrenjtë ishin populli më i padenjë për të qenë i favorizuar.

E përsëri kjo detyrë e hirit i ishte dhënë Palit me qëllim që ai të mund t’ua transmetonte Johebrenjve.

3:3 Ai nuk e kishte mësuar misterin nga askush, dhe as nuk e kishte zbuluar me anë të zgjuarsisë së tij. Atij i ishte bërë e njohur nga një zbulesë e drejtpërdrejtë nga Perëndia. Nuk na është thënë se ku kishte ndodhur kjo gjë, ose si kishte ndodhur; gjithçka që ne dimë është që në një mënyrë të mrekullueshme Perëndia i tregoi Palit planin e tij për një kishë të formuar nga Judenj dhe Johebrenj të kthyer. Ne e kemi thënë tashmë që një mister është një sekret i shenjtë i panjohur deri në një kohë, i panjohur nga njerëzit dhe që tani është i zbuluar në mënyrë hyjnore. Apostulli ka përmendur tërthorazi misterin në 1:9-14, 22, 23; 2:11-22.

3:4 Ajo çfarë ai ka shkruar mbi këtë subjekt ishte e mjaftueshme për t’u treguar lexuesve të tij që ai kishte pasur një zbulesë dhënë nga Perëndia për misterin e Krishtit. Blaikie e parafrazon këtë paragraf si më poshtë:

Në lidhje me atë që ju shkrova më parë: për ta bërë më të kuptueshme po ju shkruaj mbi këtë subjekt më tepër tani, kështu që ju të mund të shihni që mësuesi juaj është plotësisht i informuar në çështjen e misterit… {{17}}

Përkthimi i Darby, “misteri i Krishtit,” sugjeron që këtu bëhet fjalë për Krishtin mistik, pra, për Kreun dhe Trupin. (Për një shembull tjetër të emrit të Krishtit që përfshin si Zotin Jezus ashtu edhe njerëzit e Tij, shikoni 1 Kor. 12:12).

3:5 Vargjet 5 dhe 6 na japin ne përkufizimin më të plotë që mund të kemi mbi misterin. Pali shpjegon se çfarë është një mister, e më pas ai shpjegon se çfarë është misteri i Krishtit.

Së pari, është një e vërtetë që nuk u bë e njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve. Kjo do të thotë që është e kotë të kërkosh për të në DhV. Në të mund të ketë lloje dhe figura të tij, por vetë e vërteta nuk ishte e njohur në atë kohë.

Së dyti, është një e vërtetë që iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të Perëndisë me anë të Frymës. Perëndia ishte Ai që e nxori në shesh këtë gjë; apostujt dhe profetët ishin ata që ishin veçuar për të marrë këtë zbulesë; Fryma e Shenjtë ishte kanali me anë të së cilit kjo zbulesë erdhi tek ata.

Nëse ne nuk kuptojmë që apostujt dhe profetët ishin ata të DhR, jo të periudhës së DhV, ky varg është kontradiktor. Pjesa e parë thotë që kjo e vërtetë nuk ishte zbuluar në epoka të tjera; prandaj ishte e panjohur për profetët e DhV. Atëherë si mund të jetë bërë e njohur në ditët e Palit nga njerëz që kishin shekuj që kishin vdekur? Kuptimi është që e vërteta e madhe e Krishtit dhe e Kishës iu bë e njohur njerëzve të Epokës së Kishës, si Pali, njerëz që ishin urdhëruar nga Zoti i ringjallur për të shërbyer si zëdhënësat e Tij. (Pali nuk thotë që ai ishte i vetmi të cilit i ishte zbuluar ky sekret i shenjtë; ai ishte një mes shumë të tjerëve, megjithëse ai ishte i pari në transmetimin e së vërtetës tek Johebrenjtë e kohës së tij, dhe tek brezat e ardhshëm, nëpërmjet letrave të tij).

Duhet përmendur që shumë të krishterë kanë një pikëpamje krejt ndryshe nga ajo që u dha më lart. Ata thonë që Kisha ekzistonte në kohën e DhV; që atëherë Izraeli ishte Kisha; por që e vërteta e Kishës tani është zbuluar në mënyrë më të plotë. Ata thonë, “Në ato kohë misteri nuk ishte i njohur ashtu siç është i njohur sot. Ishte i njohur, por jo në atë shkallë që është sot. Ne kemi një zbulesë më të plotë, por ende jemi Izraeli i Perëndisë, që do të thotë, një vazhdim i popullit të Perëndisë.” Për të mbështetur argumentin e tyre ata tregojnë Veprat e Apostujve 7:38 në 1611 KJV, ku kombi i Izraelit është quajtur “kisha (NKJV, NASB,: asambleja) në shkretëtirë.” Është e vërtetë që populli i zgjedhur i Perëndisë janë quajtur si kuvendi apo asambleja në shkretëtirë, por kjo nuk do të thotë që ata kanë ndonjë lidhje me Kishën e krishtere. Pas së gjithash, fjala Greke ekklesia është një termë e përgjithshme që mund të nënkuptojë çdo asamble, kuvend apo grup të mbledhur njerëzish. Ajo nuk i është adresuar vetëm Izraelit në Veprat e Apostujve 7:38; e njëjta fjalë e përkthyer mbledhje, është përdorur në Veprat e Apostujve 19:32, 41 që tregon një grup paganësh. Ne duhet ta kuptojmë nga konteksti nëse fjala nënkupton kishë apo asamble.

Po përreth argumentit që thotë se vargu 5 do të thotë se Kisha ekzistonte në DhV megjithëse atëherë nuk ishte aq e zbuluar sa tani? Kjo e gjen përgjigjen në Kolosianëve 1:21 që thotë se misteri ishte “mbajtur i fshehtë gjatë shekujve dhe brezave, por që tani iu shfaq shenjtorëve të Tij.” Nuk është një çështje e shkallës së zbulesës, por e së vërtetës së saj.

3:6 Tani ne vijmë në të vërtetën qendrore të misterit, të quajtur, në Kishën e Zotit Jezus besimtarët Johebrenj janë bashkëtrashëgimtarë, anëtarë dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të Tij nëpërmjet ungjillit. Me fjalë të tjera, Johebrenjtë e kthyer tani gëzojnë një titull të barabartë dhe privilegje të njëjta me Judenjtë e kthyer.

Së pari, ata janë bashkëtrashëgimtarë. Përsa i përket trashëgimisë, ata kanë pjesë të barabartë me Judenjtë. Ata janë trashëgimtarë të Perëndisë, trashëgimtarë të bashkuar me Krishtin dhe bashkëtrashëgimtarë me të gjithë të shpenguarit.

Atëherë ata janë bashkëanëtarë të të njëjtit trup. Tani ata nuk janë larg apo të pafavorshëm, por kanë pjesë në një pozicion të njëjtë me Judenjtë e shpëtuar në Kishë.

Përfundimisht, ata janë bashkëpjesëtarëpremtimit të Krishtit nëpërmjet ungjillit. Premtimi këtu mund të nënkuptojë Frymën e Shenjtë (Veprat e Apostujve 15:8; Gal. 3:14), ose mund të përfshijë të gjitha ato që janë premtuar në ungjill për ata që janë në Krishtin Jezus. Johebrenjtë janë partnerë me Judenjtë në të gjithë këtë.

Asnjë nga këto nuk ishte e vërtetë në periudhën e DhV, dhe as do të jetë e vërtetë në mbretërinë e ardhshme të Krishtit.

Në DhV Izraeli zinte një vend të veçantë privilegji përpara Perëndisë. Një Jude do të kishte qeshur me të madhe nëse do të bëhej një sugjerim i cili thoshte se një Johebre kishte një pjesë të barabartë me të në premtimet e Perëndisë. Thjesht kjo gjë nuk ishte e vërtetë në DhV. Profetët e Izraelit parashikuan thirrjen e Johebrenjve (Isaia 49:6; 56:6, 7) por në asnjë vend ata as që hodhën fjalë që Johebrenjtë do të ishin bashkëpjesëtarë të një trupi në të cilin Judenjtë nuk kishin prioritet.

Në mbretërinë e ardhshme të Zotit tonë, Izraeli do të jetë kreu i kombeve (Isaia 60:3; 61:6; Zak. 8:23).

Në përgjithësi, thirrja e Izraelit ishte për bekime fizike dhe të përkohshme në vendet tokësore (LiP 28; Amosi 9:13-15). Thirrja e Kishës është kryesisht për bekime frymërore në vendet qiellore (Efesianeve 1:3). Izraeli ishte thirrur për të qenë populli i zgjedhur tokësor i Perëndisë. Kisha është thirrur për të qenë Nusja qiellore e Krishtit (Zbulesa 21:2, 9). Izraeli do të bekohet nën qeverisjen e Krishtit në Mijëvjeçarin (Hos. 3:5); Kisha do të mbretërojë me Të mbi gjithë universin, duke ndarë lavdinë e Tij (Efesianeve 1:22, 23).

Prandaj duhet të jetë e qartë që Kisha nuk është e njëjtë si Izraeli apo mbretëria. Ajo është një shoqëri e re, një bashkësi unike dhe trupi më i privilegjuar i besimtarëve që ne lexojmë në Bibël. Kisha lindi pas ngritjes së Krishtit dhe pas dhënies së Frymës së Shenjtë (Veprat 2). Ajo u formua me anë të pagëzimit me Frymën e Shenjtë (1 Kor. 12:13). Dhe ajo do të plotësohet në Rrëmbim, kur të gjithë ata që i përkasin Krishtit do të merren në shtëpi në qiell (1 Thes. 4:13-18; 1 Kor. 15:23, 51-58).

3:7 Pasi ka theksuar partneritetin e barabartë të Judenjve dhe Johebrenjve në Kishë, Pali tani fillon të diskutojë shërbesën e tij në lidhje me të (v 7-9).

Së pari, ai u bë një shërbenjës i ungjillit. Wuest shkruan, “Fjala ‘shërbenjës’ është çorientuese, pasi është fjala teknike që përdoret sot për të specifikuar pastorin e një kishe.” Ajo kurrë nuk nënkuptoi këtë gjë në DhR. Kuptimi bazë i fjalës është shërbëtor; Pali thjesht donte të thoshte që i shërbente Zotit në lidhje me misterin.

Shërbesa ishte në natyrën e një dhurate të pamerituar; sipas dhuntisë së hirit të Perëndisë që m’u dha. Dhe nuk ishte vetëm një shfaqje e hirit; ajo gjithashtu tregoi fuqinë e Perëndisë që arriti me ndikim të plotë tek fariseu krenar dhe i vetquajtur i drejtë, duke shpëtuar shpirtin e tij, duke e ngarkuar atë si një apostull, duke e fuqizuar atë për të marrë zbulesa dhe duke i dhënë forcë atij për punë. Kështu Pali thotë që dhuntia iu dha në sajë të fuqisë së Tij.

3:8 Apostulli e quan veten më të voglin e gjithë shenjtorëve. Kjo disave mund t’u duket si përulje e rremë. Në fakt është një vlerësim i vërtetë që i bën vetes një që është i mbushur me Frymën e Shenjtë. Çdo kush që e sheh Krishtin në lavdinë e Tij kupton mëkatshmërinë e vet dhe se sa i pavlerë që është. Në rastin e Palit ekzistonte kujtesa e vjetër e cila fliste për përndjekjen që i kishte bërë Zotit Jezus (Veprat e Apostujve 9:4) duke persekutuar Kishën e Perëndisë (Gal. 1:13; Fil. 3:6). Pavarësisht nga kjo, Zoti e kishte ngarkuar atë në një mision të veçantë për të çuar ungjillin tek Johebrenjtë (Veprat e Apostujve 9:15; 13:47; 22:21; Gal. 2:2, 8). Pali ishte apostulli i Johebrenjve ashtu si Pjetri ishte apostulli i Judenjve. Shërbesa e tij ishte e dyfishtë: ajo përfshinte ungjillin dhe Kishën. Së pari ai u tha njerëzve të shpëtoheshin e më pas ai i drejtonte ata në të vërtetën e Kishës së DhR. Për të ungjillizimi nuk ishte një fund në vetvete, por një hap drejt vendosjes dhe forcimit të kishave vendase të DhR.

Funksioni i parë i shërbesës së tij ishte të predikonte midis Johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit. Blaikie shprehet kështu:

Dy fjalë tërheqëse, pasuritë dhe e papërshkrueshme, që bartin idenë që gjërat që janë më të shtrenjta, janë më të bollshme. Zakonisht gjërat e shtrenjta janë të rralla; rrallshmëria rrit çmimet e tyre; por këtu ajo që është më e shtrenjtë është gjithashtu e pakufijshme – pasuritë e dhembshurisë dhe dashurisë, të meritës, të shenjtërimit, të fuqisë transformuese dhe ngushëlluese, të gjitha pa kufi dhe të aftë për të përmbushur çdo dëshirë, kërkesë dhe malli të zemrës, tani dhe përgjithmonë. {{18}}

Kur një person beson Zotin Jezus, ai menjëherë bëhet një bilioner frymëror; në Krishtin ai zotëron thesare të pafundme.

3:9 Pjesa e dytë e shërbesës së Palit ishte për t’u manifestuar të gjithëve “administrimin e misterit” (JND), me fjalë të tjera, t’i ndriçonte ata duke u treguar se si misteri vepron në praktikë. Plani i Perëndisë për epokën e tanishme është që të nxjerrë nga Johebrenjtë një popull për emrin e Tij (Veprat e Apostujve 15:14), një Nuse për Birin e Tij. Gjithçka që përfshihet në këtë plan është administrimi (kujdesje, NKJV) {{19}} i misterit. Të gjithëve këtu duhet të nënkuptojë gjithë besimtarët. S’mund të pritet që të pashpëtuarit të kuptojnë të vërtetat e thella të misterit (1 Kor. 2:14). Prandaj Pali i referohet të gjithëve në kuptimin e njerëzve të shpëtuar të të gjitha llojeve – Judenj e Johebrenj, skllevër e të lirë.

Ky mister në epokat më të lashta ishte fshehur në Perëndinë. Plani vetë ishte në mendje të Perëndisë përjetësisht, por këtu mendimi është që Ai e mbajti atë sekret nëpër epokat e historisë njerëzore. Edhe njëherë ne vëmë re se sa kujdes tregon Fryma e Shenjtë për të na prekur ne me faktin që asambleja apo Kisha universale është diçka e re, unike dhe e pashembullt. Më parë nuk ishte e njohur nga askush përveç Perëndisë. Sekreti ishte fshehur në Perëndinë që krijoi të gjitha gjërat. Ai krijoi universin material, Ai krijoi epokat dhe Ai krijoi Kishën – por në urtësinë e Tij Ai vendosi të ruante çdo njohuri përreth këtij krijimi të ri deri në Ardhjen e Parë të Krishtit.

3:10 Një nga qëllimet e tanishme të Perëndisë në lidhje me misterin është të zbulojë diturinë e shumëllojshme të Tij në engjëjt e qiellit. Pali përsëri përdor metaforën e një shkolle. Perëndia është Mësuesi. Universi është klasa. Funksionarët engjëllorë janë studentët. Mësimi është mbi “Njohurinë e shumëllojshme të Perëndisë.” Kisha është mësimi objektiv. Nga qielli engjëjt janë thirrur për të admiruar gjykimet e Tij të pahulumtueshme dhe për t’u mrekulluar në zbulimet e Tij. Ata shohin se si Perëndia ka triumfuar mbi mëkatin për lavdi të Tij. Ata shohin se si Ai ka dërguar më të Mirin e qiellit për të ligën e botës. Ata shohin se si Ai ka shpenguar armiqtë e Tij me një çmim tepër të lartë, i luftoi ata me dashuri dhe i përgatiti ata si një Nuse për Birin e Tij. Ata shohin se si Ai i ka bekuar ata me gjithë bekimet frymërore në vendet qiellore. Dhe ata shohin se nëpërmjet veprës së Zotit Jezus në kryq, më shumë lavdi ka ardhur mbi Perëndinë dhe më shumë bekime mbi besimtarët Judenj dhe Johebrenj sesa mund të kishin ardhur nëse mëkati nuk do ishte lejuar të hynte kurrë në botë. Perëndia është hakmarrë; Krishti është lartësuar; Satani është mposhtur dhe Kisha është kurorëzuar në Krishtin për të ndarë lavdinë e Tij.

3:11 Misteri vetë, fshehja e tij, zbulimi i tij i tanishëm dhe mënyra në të cilën ai paraqet urtësinë e Perëndisë janë të gjitha sipas qëllimit të përjetshëm që Ai kreu në Krishtin Jezus Zotin tonë. Përpara se të bëhej bota, Perëndia e dinte që Satani do të rrëzohej dhe që njeriu do ta ndiqte atë në mëkat. Dhe Ai kishte një strategji kundër kësaj, një plan të madh. Ky plan u përmbush në mishërimin, vdekjen, ringjalljen, ngjitjen dhe lartësimin e Krishtit. I gjithë programi i përqendruar në Krishtin u realizua me anë të Tij. Tani Perëndia mund të shpëtojë Judenjtë dhe Johebrenjtë e paperëndishëm, t’i bëjë ata anëtarë të Trupit të Krishtit, t’i përshtasë ata në imazhin e Birit të Tij dhe t’i nderojë ata në mënyrë unike si Nusja e Qengjit në gjithë përjetësinë.

3:12 Si një rezultat i veprës së Krishtit dhe bashkimit tonë me Të, ne tani kemi privilegjin e papërshkrueshëm të hyrjes në prezencën e Perëndisë në çfarëdo kohe, me një siguri të plotë që dëgjohemi nga Ai dhe pa frikën e të qenurit të qortuar (Jakobi 1:5). Mirëbesimi ynë është qëndrimi plot respekt dhe mungesa e frikës që ne kemi si fëmijët që i drejtohen Atit të tyre. Hyrja jonë është liria për t’i folur Perëndisë në lutje. Besimi ynë është siguria e një mirëseardhjeje, e një dëgjimi dhe i një përgjigjeje plot urtësi e dashuri. Dhe e gjitha është nëpërmjet besimit në Të, që do të thotë, besimi ynë Zotin Jezus Krisht.

3:13 Duke paraqitur dinjitetin e shërbesës së tij dhe përfundimet e mrekullueshme që rrodhën nga ajo, Pali i inkurajoi të shenjtët të mos i lëshonte zemra kur mendonin për vuajtjet e tij. Ai ishte i lumtur të duronte mundime gjatë përmbushjes së misionit të tij mes Johebrenjve. Në të vërtetë ai u thotë atyre të mos dekurajoheshin nga mundimet e tij, por të ishin krenarë që ai llogaritej si i denjë për të vuajtur për Zotin Jezus. Ata duhet të gëzonin kur mendonin për përfitimet e mundimeve të tij për ta dhe për Johebrenjtë e tjerë. Ata duhet ta shihnin burgosjen e tij si lavdi dhe jo si mjerim.

G. Lutja e Palit për të Shenjtët (3:14-19)

3:14 Tani apostulli kap përsëri mendimin që pati filluar në vargun e parë dhe që e kishte ndërprerë me një pjesë parantezë në lidhje me misterin. Prandaj, fjalët, Për këtë arsye, i referohen kapitullit 2 me përshkrimin e tij të asaj çfarë Judenjtë kishin qenë nga natyra dhe çfarë ishin bërë nëpërmjet bashkimit me Krishtin. Ngritja e tyre e habitshme nga varfëria dhe vdekja tek pasuritë dhe lavdia e bën Palin të lutet që ata gjithmonë do të jetojnë në kënaqësinë praktike të pozicionit të tyre të lartë.

Qëndrimi i tij në lutje është treguar kështu: po i ul gjunjët e mi. Kjo nuk do të thotë që gjunjëzimi duhet të jetë gjithmonë pozicioni i trupit, megjithëse duhet të jetë gjithmonë gjunjëzimi i shpirtit. Ne mund të lutemi kur ecim, kur jemi ulur ose kur jemi shtrirë, por shpirtrat tanë duhet të jenë të përkulur në përulësi dhe respekt.

Lutja i drejtohet Atit. Në një kuptim të përgjithshëm, Perëndia është Ati i gjithë njerëzimit, duke nënkuptuar që Ai është Krijuesi i tij (Veprat e Apostujve 17:28, 29). Në një kuptim më të kufizuar, Ai është Ati i gjithë besimtarëve, duke nënkuptuar që Ai i ka bërë ata të lindin në familjen e Tij frymërore (Gal. 4:6). Në një kuptim unik Ai është Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, duke nënkuptuar që Ata janë të njëjtë (Gjoni 5:18).

3:15 Roli i veçantë i Atit të cilin Pali ka parasysh këtu është Ai nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokën. Kjo mund të ketë këto domethënie:

  1. Të gjithë të shpenguarit në qiej dhe në tokë e shohin Atë si Kreun e familjes.
  2. Të gjitha qeniet e krijuara, njerëzore apo engjëllore, ia detyrojnë ekzistencën e tyre Atij, jo vetëm si individë, por edhe si familje. Familjet në qiell përfshijnë shkallët e ndryshme të krijesave engjëllore. Familjet në tokë janë fiset e ndryshëm që kanë ardhur nga Noeu dhe që tani janë ndarë në kombe të ndryshme.

  3. Gjithë atësia në univers e ka marrë emrin nga Ai. Atësia e Perëndisë është origjinali dhe ideali; ajo është prototipi i çdo marrëdhënie tjetër atërore. Philips e përkthen vargun kështu, “nga i cili gjithë atësia, tokësore apo qiellore, ka marrë emrin e saj.”

3:16 Ne na godet gjerësia e kërkesës së Palit: Që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së Vet. Ai do të kërkojë që të shenjtët të jenë frymërisht të forcuar. Por në ç’masë? Jamieson, Fausset dhe Brown përgjigjen: “në tepricë, në harmoni me pasuritë e lavdisë së Tij; jo ‘sipas’ ngushtësisë së zemrave tona.” {{20}} Predikuesit shpesh theksojnë që ja një dallim midis shprehjes “prej pasurisë” dhe sipas pasurisë. Një person i pasur mund të japë një sasi të vogël; ajo do të ishte prej pasurisë së tij, por jo në përpjestim me të! Pali kërkon që Perëndia do t’u japë forcë sipas pasurisë së përsosmërive të Tij. Përderisa Zoti është pafundësisht i pasur në lavdi, le të bëhen gati shenjtorët për një vërshim! Përse duhet të kërkojmë aq pak nga një Mbret kaq i madh? Kur dikush i kërkoi një favor tepër të madh Napoleonit, atij iu sigurua menjëherë ajo çfarë kërkoi, sepse Napoleoni tha, “Ai më nderoi me anë të madhësisë së kërkesës së tij.”

Kur vjen tek një Mbret

Sill me vete kërkesa të mëdha;

Sepse fuqia dhe lavdia e Tij janë të tilla,

Saqë askush s’mund të kërkojë aq.

  • John Newton

Tani ne vijmë në kërkesat specifike të Palit. Në vend të një serie me kërkesa të palidhura me njëra tjetrën, ne duhet t’i mendojmë ato si një progresion në të cilin çdo kërkesë shtron themelin e tjetrës. Mendojini ato si një piramidë: kërkesa e parë është shtresa e gurëve në themel. Ndërsa lutja përparon, Pali ndërton drejt një pike kulmore më të lartë e më të lavdishme.

Kërkesa e parë është që ata të forcohen me fuqi nëpërmjet Frymës së Tij në njeriun e përbrendshëm. Bekimi i kërkuar është fuqia frymërore. Jo fuqia për të kryer mrekulli spektakolare, por fuqia frymërore për të qenë të krishterë të pjekur, të qëndrueshëm dhe të zgjuar. Ai që jep këtë fuqi është Fryma e Shenjtë. Sigurisht, Ai mund të na japë ne fuqi vetëm kur ne ushqehemi në Fjalën e Perëndisë, kur ne thithim ajrin e pastër të lutjes dhe kur ne ushtrohemi në shërbesën e përditshme për Zotin.

Kjo fuqi përjetohet në njeriun e brendshëm, që është pjesa frymërore e natyrës sonë. Është njeriu i brendshëm që gjen kënaqësi në ligjin e Perëndisë (Rom. 7:22). Është njeriu i brendshëm që rinohet çdo ditë, edhe pse njeriu i jashtëm zhduket (2 Kor. 4:16). Megjithëse është nga Perëndia, njeriu ynë i brendshëm ka nevojë për forcim, rritje dhe zhvillim.

3:17 Hapi i dytë është që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit. Ky është përfundimi i fuqizimit të Frymës: ne forcohemi që Krishti të banojë në zemrat tona. Në të vërtetë, Krishti zë vendin e Tij personalisht në një besimtar në çastin e kthimit të tij (Gjo. 14:23; Zbulesa 3:20). Por nuk është ky subjekti i kësaj lutjeje. Këtu nuk është çështja që të jetë Ai një besimtar, por për më tepër që Ai të ndjehet në shtëpi atje! Ai është një Banor i përhershëm në çdo person të shpëtuar, por kjo është një kërkesë që Ai të mund të ketë hyrje të plotë në çdo dhomë e qilar; që Ai të mos trishtohet nga fjalë, mendime, motive dhe vepra mëkatare; që Ai të mund të gëzojë përbashkësi të pathyeshme me besimtarin. Zemra e krishtere bëhet kështu shtëpia e Krishtit, vendi ku Ai dëshiron të jetë – si shtëpia e Martës, Marisë dhe Llazarit në Betani. Zemra nënkupton qendrën e jetës frymërore; ajo kontrollon çdo aspekt të sjelljes. Në të vërtetë Pali lutet që të qenurit zot i Krishtit të mund të shtrihej në librat që ne lexojmë, në ushqimin që ne hamë, në punën që ne bëjmë, në paratë që shpenzojmë, në fjalët që ne flasim – shkurt pra, në detajet më të imta të jetëve tona.

Sa më shumë që forcohemi nga Fryma e Shenjtë, aq më shumë ne do të jemi si Vetë Zoti Jezus. Dhe sa më shumë që jemi si Ai, aq më shumë Ai do të “do të rehatohet dhe do të ndjehet plotësisht në shtëpi në zemrat tona” (KSW).

Ne hyjmë në gëzimin e banimit të Tij me anë të besimit. Kjo përfshin një varësi të vazhdueshme në Të, një nënshtrim të plotë ndaj Tij dhe një njohje të vazhdueshme të “të qenurit të Tij në shtëpi” të Tij. Është me anë të besimit që ne “praktikojmë prezencën e Tij” siç ka thënë Brother Lawrence.

Deri në këtë pikë lutja e Palit ka përfshirë çdo Person të Trinitetit. Atit i është kërkuar (v14) të forcojë besimtarët me anë të Frymës së Tij (v16) që Krishti të ndjehet plotësisht në shtëpi në zemrat e tyre (v17). Një nga privilegjet më të mëdha të lutjes është që ne mund ta zëmë me punë Plotësinë e përjetshme të Hyjnisë, për hir të të tjerëve dhe tonin.

Rezultati i hyrjes së pakushtëzuar të Krishtit është që i krishteri bëhet i rrënjosur dhe i themeluar në dashuri. Këtu Pali merr hua fjalë nga fusha e botanikës dhe e ndërtimit. Rrënja e një bime siguron ushqim dhe mbështetje. Baza e një ndërtese është themeli në të cilën ajo qëndron. Ashtu siç thotë Scroggie, “Dashuria është toka në të cilën duhet të ketë themelet jeta jonë; dhe ajo është shkëmbi në të cilin duhet të qëndrojë gjithmonë besimi ynë.” {{21}} Të jesh i rrënjosur dhe i themeluar në dashuri do të thotë të vendosësh në dashuri të gjithë jetën tënde. Jeta e dashurisë është një jetë mirësie, pa egoizëm, përulshmërie dhe thyeshmërie. Është jeta e Krishtit që shfaqet në besimtarin. (Shiko 1 Kor. 13:4-7).

3:18 Kërkesat e mëparshme bëjnë një përmbledhje të një programi të rritjes dhe zhvillimit frymëror që përgatit fëmijën e Perëndisë për të qenë plotësisht në gjendje për të kuptuar me të gjithë shenjtorët cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia.

Përpara se të marrim në konsideratë vetë dimensionet, le të vëmë re shprehjen, me të gjithë shenjtorët. Subjekti është kaq i madh saqë asnjë besimtar nuk mund të kuptojë më shumë sesa një pjesë të vogël të tij. Kështu që është e nevojshme studimi, diskutimi dhe ndarja me të tjerët. Fryma e Shenjtë mund të përdorë meditimet e kombinuara të një grupi besimtarësh të ushtruar për të hedhur një vërshim drite shtesë mbi Shkrimet.

Dimensionet zakonisht merren si t’i referoheshin dashurisë së Krishtit, megjithëse teksti nuk e thotë këtë. Në të vërtetë, dashuria e Krishtit është përmendur më vete në pjesën që pason. Nëse është folur për dashurinë e Krishtit, atëherë mund të tregohet një lidhje si më poshtë:

Gjerësia – Bota (Gjo. 3:16)

Gjatësia – Përgjithmonë (1 Kor. 13:8)

Thellësia – Deri në vdekje të kryqit (Fil. 2:8)

Lartësia – Qielli (1 Gjo. 3:1-2)

F. B. Meyer e ka shprehur bukur këtë:

Gjithmonë do të ketë aq shumë horizont përpara nesh sa edhe pas nesh. Edhe kur ne të kemi vështruar në fytyrën e Jezusit për mijëvjeçare të tëra, bukuria e saj do të jetë aq e freskët dhe mahnitëse dhe e pafundme si në momentin e parë që e pamë atë nga porta e Parajsës. {{22}}

Por këto dimensione mund t’i referohen gjithashtu misterit që zë një vend kaq të rëndësishëm në Letrën drejtuar Efesianëve. Në të vërtetë është e thjeshtë t’i gjesh këto dimensione në vetë tekstin:

  1. Gjerësia është përshkruar në 2:11-18. Ajo i referohet gjerësisë së hirit të Perëndisë në shpëtimin e Judenjve dhe Johebrenjve dhe më pas në përfshirjen e tyre në Kishë. Misteri përqafon të dyja këto segmente të njerëzimit.
  2. Gjatësia shtrihet nga përjetësia në përjetësi. Përsa i takon së kaluarës, besimtarët ishin zgjedhur në Krishtin përpara krijimit të botës (1:4). Përsa i përket së ardhmes, përjetësia do të jetë një shpalosje e vazhdueshme e pasurive të pafundme të hirit të Tij në mirësinë e Tij kundrejt nesh nëpërmjet Krishtit Jezus (2:7).

  3. Thellësia është portretizuar në mënyrë tepër të gjallë në 2:1-3. Ne ishim të zhytur në një gropë të papërshkrueshme mëkati dhe poshtërimi. Krishti erdhi në këtë xhungël pisllëku dhe korruptimi për të vdekur për ne.

  4. Lartësia shihet tek 2:6, ku ne jo vetëm që jemi ringjallur me Të, por edhe jemi ulur në Të në vendet qiellore për të ndarë me Të lavdinë e Tij.

Këto janë dimensionet e një pafundësie dhe pamatësie të vërtetë. Kur mendojmë për to, “gjithçka që mund të bëjmë,” thotë Scroggie, “është të shënojmë renditjen e këtij grumbulli fjalësh të shenjta.”

3:19 Kërkesa tjetër e apostullit është që të shenjtët të mund të njohin me anë të eksperiencës dashurinë e Krishtit që tejkalon njohurinë. Ata kurrë nuk mund ta hetojnë atë plotësisht, sepse ajo është një oqean pa brigje, por mund të mësojnë shumë e më shumë për të nga dita në ditë. Dhe kështu ai lutet për një njohuri më të thellë dhe më eksperimentale, si dhe për gëzimin e dashurisë së mrekullueshme të Zotit tonë të mrekullueshëm.

Kulmi në këtë lutje të mrekullueshme arrihet kur Pali lutet që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë. Gjithë plotësia e Hyjnisë banon në Zotin Jezus (Kol. 2:9). Sa më shumë që Ai banon në zemrat tona me anë të besimit, aq më shumë ne mbushemi me gjithë plotësinë e Perëndisë. Ne kurrë s’mund të mbushemi me gjithë plotësinë e Perëndisë, por është një qëllim drejt së cilit ne lëvizim.

Dhe tashmë pasi kemi shpjeguar këtë, ne duhet të themi se ka thellësi të domethënieve këtu që ne nuk i kemi arritur. Kur ne hetojmë Shkrimet ne jemi në dijeni të faktit që jemi duke u marrë me të vërteta që janë më të mëdha sesa mundësia jonë për t’i kuptuar apo shpjeguar. Për të hedhur dritë mbi këtë varg ne mund të përdorim ilustrime, p.sh., gishtëza e fundosur në oqean është e mbushur me ujë, por sa pak nga gjithë ai oqean është futur në gishtëz! E përsëri pasi kemi thënë gjithë këtë misteri mbetet dhe ne vetëm sa mund të qëndrojmë nën drithërimën e Fjalës së Perëndisë dhe të mrekullohemi në pafundësinë e saj.

H. Doksologjia e Palit (3:20, 21)

3:20 Lutja mbyllet me një doksologji tepër të frymëzuar. Kërkesat e mëparshme kanë qenë të një shtrirjeje tepër të gjerë, të guximshme dhe të pamundshme në dukje. Por Perëndia është në gjendje të bëjë më shumë sesa mendojmë ne. Shtrirja e aftësisë së Tij shihet në mënyrën me të cilën Pali rendit fjalët si në një piramidë për të përshkruar bekimet e pamasa:

<

p align=”CENTER”>Mund

Mund të bëjë

Mund të bëjë çfarë ne kërkojmë

Mund të bëjë çfarë ne mendojmë

Mund të bëjë çfarë ne kërkojmë ose mendojmë

Mund të bëjë sa ne kërkojmë ose mendojmë

Mund të bëjë më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë

Mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë

Mjeti me anë të të cilit Perëndia u përgjigjet lutjeve tona është dhënë në shprehjen, sipas fuqisë që vepron në ne. Kjo i referohet Frymës së Shenjtë, që punon vazhdimisht në jetët tona, duke kërkuar të prodhojë frutin e një karakteri si atë të Krishtit, duke na qortuar për shkak të mëkatit, duke na udhëzuar në lutje, duke na frymëzuar në adhurim, duke na drejtuar në shërbesë. Sa më shumë që i dorëzohemi Atij, aq më e madhe do të jetë efektshmëria në përputhjen tonë me Krishtin.

3:21 Atij i qoftë lavdia në Kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen. Perëndia është i objekti i denjë për lavdërim. Urtësia dhe fuqia e Tij janë shfaqur në qeniet engjëllore; në diellin, hënën, yjet; në kafshët, zogjtë, peshqit; në zjarrin, në borën dhe mjegullën; në erën; në malet, kodrat, pemët; në mbretërit dhe njerëzit, të rinjtë dhe pleqtë; në Izraelin dhe në të gjitha kombet. Të gjitha këto janë për të lavdëruar emrin e Zotit (Psalmi 148).

Por këtu është një grup tjetër nga i cili Perëndisë do t’i jepet përjetësisht lavdi, dhe ky grup është Kisha – Krishti Kreu dhe besimtarët, Trupi. Ky komunitet i shpenguar do të jetë një dëshmi e përjetshme për hirin e pashoq dhe të mrekullueshëm të Tij. Williams shkruan:

Lavdia e përjetshme e Perëndisë si Perëndi dhe At do të bëhet e dukshme në gjithë epokat në Kishën dhe në Krishtin Jezus. Një thënie madhështore! Krishti dhe Kisha si një Trup do të jenë mjeti i kësaj shfaqjeje të përjetshme. {{23}}

Madje edhe tani Kisha duhet të jetë duke i dhënë lavdi emrit të Tij “në shërbesat e lavdërimit, në jetët e pastra të anëtarëve të saj, në shpalljen mbarë-botërore të Ungjillit dhe në shërbesat e saj ndaj nevojës dhe hidhërimit njerëzor.” (Erdman)

Zgjatja e këtij lavdërimi është në të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Kur ne dëgjojmë thirrjen e Palit për lavdërim të përjetshëm ndaj Perëndisë në Kishën dhe në Krishtin Jezus, përgjigjja e zemrave tona është një Amen i përzemërt.

[[2]] (1:3) Lewis Sperry Chafer, The Ephesian Letter, fq 74.[[2]] [[3]] W. G. Blaikie, “Ephesians,” Pulpit Commentary, XLVI:3. [[3]] [[4]] (1:10) John G. Bellett, Brief Notes on the Epistle to the Ephesians, fq. 6, 7.[[4]] [[5]] (1:17) R. W. Dale, The Epistle to the Ephesians; Its Doctrines and Ethics, fq 133.[[5]] [[6]] (1:18) Si tekstet më të vjetra ashtu edhe më të shumta shkruajnë zemrat (kardias, njëjësi) jo mendjes (dianoias). Leximi i skajshëm është padyshim korrekt.[[6]] [[7]] (1:19) F. B. Meyer, Key Words of the Inner Life, fq 92.[[7]] [[8]] (1:19) Chafer, Ephesian Letter, fq 57.[[8]] [[9]] (1:20) Meyer, Key Words, fq 93.[[9]] [[10]] (2:3) Ibid, fq 140.[[10]] [[11]] (2:4) John Eadie, Commentary on the Epistle to the Ephesians, fq 141.[[11]] [[12]] (2:5) A. T. Pierson, “The Work of Christ for the Believer,” The Ministry of Keswick, First Series, fq. 118, 119.[[12]] [[13]] (2:7) E para e Korintasve 13:12 dhe 1 Gjonit 3:2 shpesh janë përdorur për të provuar që ne do të jemi të gjithëdijshëm në qiell. Megjithatë, referimi i parë merret vetëm me njohjen e njëri tjetrit në qiell dhe i dyti me ngjashmërinë morale dhe fizike me Krishtin.[[13]] [[14]] (2:18) Eadie, Ephesians, fq. 187.[[14]] [[15]] (2:21) Blaikie, “Ephesians” XLVI:68.[[15]] [[16]] (3:1) Ruth Paxson, The Wealth, Walk and Warfare of the Christians, fq. 57.[[16]] [[17]] (3:4) Blaikie, “Ephesians,” XLVI:104.[[17]] [[18]] (3:8) Ibid, XLVI:105, 106.[[18]] [[19]] (3:9) Fjala greke për kujdesje apo administrimi, veçanërisht në shkronja të mëdha në shkrimet e vjetra, mund të keqkuptohet lehtë me fjalën e afërt në pamje bashkësi (OIKONOMIA DHE KOINONIA). Caku i manovrimit është korrekt; leximi tradicional ka një mbështetje shumë të dobët.[[19]] [[20]] (3:16) Jamieson, Fausset dhe Brown, Commentary Practical dhe Explanatory on the Whole Bible, VI:408. [[20]] [[21]] (3:17) W. Graham Scroggie, “Paul’s Prison Prayers,” the Ministry of Keswick, Second Series, fq. 49.[[21]] [[22]] (3:18) Meyer, Key Words, fq. 53, 54.[[22]] [[23]] (3:21) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, fq. 925.[[23]]


[previous][next]