Parathënie për Pentateukun


Kritika moderne ka guxuar të shkatërrojë dhe sulmojë gati tërë librat e shkrimit të shenjtë, por jo aq shumë me guxim sa Pentateukun, përveç profecisë së Danielit…. Le të përqendrohemi te faktet e gjera, të thella dhe përfunduese se autoriteti i Krishtit ka vendosur çështjen për të gjithë ata që e njohin Atë se është Perëndi po ashtu edhe njeri.

William Kelly

Pentateuku është një parathënie thelbësore e tërë fjalës së Perëndisë. Ai fillon atë që më pas shpaloset….

Samuel Ridout

Para se të komentojmë një për një librat e Moisiut, meqë kjo është një pjesë bazë e zbulimit biblik, duam t’ju paraqesim disa fakte rreth Pentateukut në tërësi.

I. Titujt e Pentateukut

Pesë librat e parë të Biblës quhen zakonisht «Pentateuk». Në kohët e lashta librat ishin në formë rrotullash dhe jo të lidhura si faqe të një «kodiku» (formë libri). Këto rrotulla, quajtur teuchoi1Fjala teuchos fillimisht nënkuptonte një mjet apo vegël dhe më pas një rrotull materiali për të shkruar. në greqisht, ruheshin në kuti këllëfi. Fjala greke për «pesë rrotullat» është pentateuchos, nga marrim fjalën Pentateuk.

Judenjtë i referoheshin Pentateukut si «Tora» (hebraishte Tôrāh, «ligji» apo «udhëzime») dhe e trajtonin si pjesën më të rëndësishme të Biblës së tyre.

Një titull i tretë i zakonshëm i këtyre vëllimeve është «Librat e Moisiut». Është ironike se Biblat e disa vendeve veriore evropiane, që refuzojnë gjerësisht autorësinë e Moisiut për Pentateukun, nuk i emërtojnë këto libra si «Zanafilla, Eksodi» etj., por si «Libri i parë i Moisiut», «Libri i dytë i Moisiut» etj.

Përveç Numrave, emri i të cilit është përkthimi i fjalës greke Arithmoi dhe asaj latine Numeri, ne ruajmë titujt greqisht të LXX (Septuaginta) të këtyre pesë librave, por shqipërojmë shqiptimin dhe germëzimin (Shikoni librat e veçantë te ky komentar për domethëniet e tyre).

Judenjtë zakonisht i quajnë librat nga fjalët e tyre të para në tekstin hebraik. Kështu Zanafilla quhet Berēshîth («Në fillim»).

II. Përmbajtjet e Pentateukut

Përdorimi i fjalës angleze ligj është më i ngushtë se sa domethënia e fjalës hebraike tôrā, kështu që termi «Pentateuk» është ideal për përdorimin e krishterë për të shprehur rëndësinë e madhe të këtij vëllimi pesë-librash.

A. Zanafilla

Zanafilla ka marrë këtë emër me të drejtë, meqë fjala greke përkthehet fillim. Libri i parë i Biblës flet për fillesën e gjithësisë, tokës, njeriut, martesës, mëkatit, fesë së vërtetë, kombeve, gjuhëve të ndryshme dhe popullit të zgjedhur. Njëmbëdhjetë kapitujt e parë rrëfejnë shtrirjen e gjerë të historisë njerëzore, por kapitujt dymbëdhjetë deri në pesëmbëdhjetë ngushtojnë historinë te familja e Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe bijve të tij.

B. Eksodi

Eksodi, greqisht dalja, rrëfen se si u rrit, në katër qind vjet, familja e Abrahamit në një komb nën punën e detyruar të faraonëve në Egjipt dhe shpengimi i tyre nga skllavëria nën drejtimin e Moisiut. Ligji i Moisiut dhe përshkrimi i hollësishëm i tabernakullit përbëjnë pjesën tjetër të librit.

C. Levitiku

Levitiku është një udhëzues për levitët, prej nga merr edhe emrin. Ai përshkruan ritet e domosdoshme për njerëzit mëkatarë të asaj epoke për të pasur përbashkësi me një Perëndi të shenjtë. Libri përmban figura dhe simbole të flijimit të Krishtit.

D. Numrat

Numrat, duke u nisur edhe nga vetë emri, përfshin një numërim të njerëzve, apo regjistrim: një në fillim dhe tjetri në fund të librit. Titulli hebraik i librit, «në shkretëtirë» (Bemidbār), është më shprehës, meqë Numrat rrëfejnë ngjarjet historike të përjetuara nga izraelitët në ecejaket në shkretëtirë.

E. Ligji i Përtërirë

Ligji i Përtërirë, greqisht ligji i dytë, është më tepër se një ritregim i thjeshtë i ligjit ndaj një brezi të ri, edhe pse është i tillë. Ai është lidhja me librat historikë që vijojnë, meqë flet për vdekjen e Moisiut dhe zëvendësimin e tij nga Jozueu, pasuesi i tij.

Griffith Thomas, me stilin e tij si gjithmonë të shkëlqyer dhe të saktë, përmbledh përmbajtjet e Librave të Moisiut si vijon:

Pesë librat e Pentateukut flasin për hyrjen e fesë hyjnore në botë. Çdo libër jep një fazë të planit të Perëndisë dhe së bashku përbëjnë një unitet të vërtetë. Zanafilla flet për fillesën e fesë dhe për njerëzit e zgjedhur nga Perëndia si zëdhënësit e tij. Eksodi flet për formimin e popullit në një komb dhe vendosjen e marrëdhënies së Perëndisë me të. Levitiku tregon mënyra te ndryshme me anë të të cilave ruhet kjo marrëdhënie. Numrat tregojnë se si u organizua populli për qëllimin e fillimit të jetës së fesë hyjnore në Tokën e Premtuar. Ky libër flet gjithashtu për dështimin e kombit dhe vonesën vijuese, me riorganizim. Më pas Ligji i Përtërirë tregon se si u përgatit populli, ndërsa ishin në kufijtë e Tokës së Premtuar, për hyrjen që do të ndodhte së shpejti2W. H. Griffith Thomas, The Pentateuch, f. 25..

III. Rëndësia e Pentateukut

Meqë tërë DhV, në fakt tërë Bibla, mbështetet në këto pesë libra të parë, rëndësia e Pentateukut për fenë e zbuluar mezi mund të zmadhohet. Nëse studiuesit racionalë dhe mosbesues mund të shkatërrojnë besimin në integritetin dhe vërtetësinë e këtyre librave, fillesa e judaizmit humb në një det pasigurie. Të krishterët nuk duhet të mendojmë se besimi ynë është i paprekur nga sulme të tilla, meqë DhR dhe Vetë Zoti ynë citoi Librat e Moisiut si të vërteta dhe besnike.

Dr. Merrill Unger e paraqet këtë çështje shumë troç:

Themeli i tërë të vërtetës së zbuluar dhe plani shpengues i Perëndisë mbështetet te Pentateuku. Nëse ky themel është i pabesueshëm, tërë Bibla është e pabesueshme3Merrill F. Unger, Unger’s Bible Handbook, f. 35..

IV. Autorësia e Pentateukut

Përveç disave që në kohët e hershme të krishtera zgjedhin Ezdrën4Filozofi jude Spinoza zgjedh gjithashtu Ezdrën si autor. si autorin e Torahut, kryesisht, ortodoksia judeo-kristiane ka ruajtur autorësinë nga Moisiu me kalimin e shekujve dhe e ruan akoma në ditët e sotme.

A. Autorësia nga Moisiu

Para se të shqyrtojmë shkurtimisht teorinë dokumentuese, që mohon gjerësisht autorësinë nga Moisiu, le të vëmë re provën pozitive për këtë.

1. Cilësitë e Moisiut

Kritiku gjerman i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Hartmann, mohonte autorësinë nga Moisiu mbi bazën se ishte fjalë për fjalë e pamundur, duke mos qenë i shpikur akoma shkrimi (ose, kështu mendonin shumë të tillë atëherë!). Arkeologjia ka treguar se Moisiu mund të ketë shkruar në një shkrim të hershëm hebraik, hieroglifike egjiptian, apo kuneiform akadian. Sigurisht Veprat 7:22 u thanë besimtarëve shumë kohë më parë para se ta miratonte arkeologjia, se Moisiu ishte edukuar «me gjithë diturinë e egjiptianëve». Kur themi se Moisiu «shkroi» Pentateukun, kjo nënkupton përdorimin e dokumenteve të mëparshëm në Zanafillë. Nënkupton gjithashtu përpunime botimi të frymëzuara ashtu siç ka ndryshuar me kalimin e shekujve shkrimi hebraik. Sigurisht, fakti se Moisiu mund të ketë shkruar Pentateukun nuk provon se ai e ka shkruar. Megjithatë, si babai i besimi judaik është e pashmangshme që ai mund të ketë bërë një ruajtje të qëndrueshme të zbulimit të Perëndisë për brezat e ardhshëm. Dhe kështu Perëndia e ka urdhëruar atë.

2. Pretendimet e Pentateukut

Teksti i Torahut thotë në mënyrë specifike se Moisiu shkroi me raste nën urdhrin e Perëndisë. Shikoni, për shembull, Eksodi 17:14; 24:4; 34:27; Numrat 33:2; Ligji i Përtërirë 31:19.

3. Pretendimet e mëvonshme biblike

Pjesa tjetër e Fjalës së Perëndisë pranon autorësinë e tij nga Moisiu. Shikoni, për shembull, Jozueu 1:7 dhe 1 i Mbreterve 2:3; dhe në DhR, Luka 24:44 dhe 1 Korintasve 9:9.

4. Dëshmia e Krishtit

Për të krishterët fakti se Vetë Zoti ynë pranoi autorësinë nga Moisiu duhet të zgjedhë çështjen. Nocioni se në natyrën e Tij njerëzore Jezusi ishte i paditur në fushën e shkencës dhe historisë, apo se Ai njihte më mirë, por e uli Veten në paditurinë dhe paragjykimin e bashkëkombësve të Tij është i pavlerë për t’u konsideruar nga një besimtar.

5. Arkeologjia dhe Pentateuku

Shumë zakone, fjalë, emra dhe hollësi historike dhe kulturore, për të cilat kritikët liberalë kanë thënë më parë se kanë qenë «shumë të vonshme» për të qenë të Moisiut, e paraprijnë tani Moisiun me shekuj. Ndërsa kjo nuk «provon» autorësinë nga Moisiu, përputhen më mirë me pikëpamjen tradicionale se sa me teorinë se «redaktuesit» apo botuesit që jetuan shumë shekuj më vonë i njihnin të gjitha këto (në atë kohë të humbura pjesa më e madhe) hollësi dhe i vendosën së bashku mjaft këndshëm.

B. Hipoteza dokumentare

Më 1753 Jean Astruc, një doktor francez, nxori teorinë se Moisiu përpiloi Zanafillën nga dy dokumente. Këto pjesë që përdornin emrin Jehovah në vend të Perëndi erdhën nga një burim i vetëm dhe ato që përdornin Elohim nga një tjetër. Këto burime të hamendësuara ai i emërtoi përkatësisht «J» dhe «E».

Më vonë, studiues liberalë zhvilluan teorinë më tej, duke i vendosur së bashku burimet e hamendësuara më vonë se Moisiu. Dokumente të tjerë të propozuara ishin «L» («Ligji i Përtërirë») dhe «P» («Priftërore»). Pentateuku shihej si punë duar-duar e burimeve të dala midis shekullit të nëntë dhe të gjashtë pK. Hipotezat u njohën gjerësisht si «teoria JELP» [JEDP në anglisht].

Disa gjëra e bënë tërheqëse hipotezën për studiuesit e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Para së gjithash përputhej me teorinë darviniane të evolucionit, e cila filloi të zbatohej për shumë fusha dhe jo vetëm për biologjinë. Më parë, fryma e kohës kundër mbinatyralizmit gëzohej për të hedhur Biblën poshtë në një nivel të thjeshtë njerëzor. Së treti, prirjet humaniste që zëvendësonin zbulimin hyjnor me përpjekjet e njeriut përputheshin me këtë teori.

Më 1878 Julius Wellhausen popullzoi hipotezën dokumentare në një mënyrë të zgjuar dhe të bujshme mashtruese.

Në këtë hyrje të shkurtër mund të përmendim vetëm disa nga pikat kryesore kundër teorisë5Një qasim i krishterë mund të gjendet te R. K. Harrison, Introduction of the Old Testament (Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1966). Novelisti judeo-amerikan Hermann Wouk e paraqet teorinë në This Is My God (Garden City, NY: Doubleday & Co., 1959)..

Probleme serioze me teorinë përfshijnë pikat e mëposhtme:

1. Mungesa e provës dorëshkrimore

Nuk ka asnjë provë dorëshkrimore që haset në ndonjë vepër botuese e propozuar në teorinë e «JELP»-së.

2. Shkëputja kontradiktore dhe subjektive

Studiuesit e ndajnë Pentateukun në pjesë krejt të ndryshme, bërë të ditur pikëpamjet e skajshme e personale dhe mungesë të provës konkrete e objektive për teorinë.

3. Arkeologjia

Arkeologjia është prirur të mbështesë njohjen e shkruar, të zakoneve, fetare etj., të Pentateukut si shumë i lashtë dhe përfundimisht jo të periudhës së mëvonshme të përpilimit të propozuar nga teoria Wellhausen.

4. Gjuhësia

Format e hamendësuara «të mëvonshme»gjuhësore dhe emrat personalë të gjetur në Pentateuk janë gjetur në bume të mëparshme nga koha e Moisiut. Një shembull është «pllakat Ebla» të nxjerra në dritë kohët e fundit, që përmbajnë shumë emra të Pentateukut.

5. Uniteti i Pentateukut

Nga ana redaksionale pesë librat e Moisiut qëndrojnë mirë së bashku njëri me tjetrin dhe shfaqin një unitet e koherencë që është shumë e vështirë të përputhet me origjinat «prit dhe ngjit» të pretenduara evolucionare të këtyre librave.

6. Falimentimi frymëror

Së fundi, nga një pikëpamje frymërore, teorinë dokumentare, edhe të ndryshuara nga arkeologjia dhe teori të tjera të ngjashme, janë të padenja para të vërtetave të mëdha e të mrekullueshme të paraqitura në këta libra. Nëse këto teori do të ishin të vërteta, Pentateuku do të ishte, sipas fjalëve të Dr. Unger, «i pavërtetë, jo historik dhe i pabesueshëm, një shpikje e njerëzve, jo vepra e Perëndisë»6Unger, Handbook, f. 35..

V. Data e Pentateukut

Përmbajtjet e Pentateukut na çojnë te krijimi, por ky shkrim, sigurisht, është shkruar mijëra vjet më vonë. Natyrisht, data e këtij shkrimi që zgjedhim varet nga ai që e ka shkruar.

Studiues liberalë datojnë etapat e ndryshme teorike të veprës kryesisht si vijon: I ashtuquajtur «J dokument» daton rreth 850 pK; «E dokumenti» rreth 750 pK.; «L dokumenti» rreth 621 pK7Shumë liberalë hedhin idenë si një datë të veçantë nga besimi i gabuar se Josia «gjeti (përpunoi) [për kollaj] atë që sot e quajmë Ligji i Përtërirë, për të ngritur një shenjtërore qendrore në kryeqytetin e tij, Jerusalemin».; dhe «P dokumenti» rreth 500 pK.

Studiuesit konservativë e datojnë përgjithësisht Pentateukun rreth kohës së Eksodit, në shekullin e pesëmbëdhjetë pk. Disa parapëlqejnë një datë për këtë ngjarje rreth një shekull e gjysmë më vonë.

Mbase data më e mirë për t’iu përshtatur datës biblike është diku midis 1450-1410 pK. Shikoni librat individualë në këtë komentar për më tepër hollësi.

VI. Përfundim

Përfundojmë hyrjen tonë të Pentateukut me fjalët e studiuesit të njohur kanadez të DhV:

Pentateuku është një shkrim homogjen në pesë vëllime dhe jo një trupëzim i veprave të ndara dhe mbase vetëm me raste të lidhura. Ai përshkruan, kundër një sfondi të akredituar historik, mënyrën në të cilën Perëndia zbuloi Vetveten ndaj njeriut dhe zgjodhi izraelitët për shërbesën dhe dëshminë e veçantë në botë dhe në rrjedhën e historisë njerëzore. Roli i Moisiut në formulimin e kësaj përmbledhje të fjalëpërfjalshme shfaqet e spikatur dhe nuk është pa arsye të mira që nuk duhet t’i jepet një vend nderi të lartë në rritjen e epikës së kombësisë izraelite dhe të nderohet nga judenjtë dhe të krishterët si ndërmjetësi i madh i Ligjit të lashtë8Harrison, Introduction, f. 541..


POSHTËSHËNIME

  • 1
    Fjala teuchos fillimisht nënkuptonte një mjet apo vegël dhe më pas një rrotull materiali për të shkruar.
  • 2
    W. H. Griffith Thomas, The Pentateuch, f. 25.
  • 3
    Merrill F. Unger, Unger’s Bible Handbook, f. 35.
  • 4
    Filozofi jude Spinoza zgjedh gjithashtu Ezdrën si autor.
  • 5
    Një qasim i krishterë mund të gjendet te R. K. Harrison, Introduction of the Old Testament (Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1966). Novelisti judeo-amerikan Hermann Wouk e paraqet teorinë në This Is My God (Garden City, NY: Doubleday & Co., 1959).
  • 6
    Unger, Handbook, f. 35.
  • 7
    Shumë liberalë hedhin idenë si një datë të veçantë nga besimi i gabuar se Josia «gjeti (përpunoi) [për kollaj] atë që sot e quajmë Ligji i Përtërirë, për të ngritur një shenjtërore qendrore në kryeqytetin e tij, Jerusalemin».
  • 8
    Harrison, Introduction, f. 541.