Psalmi 101

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Davidi i premton Perëndisë të ecë ndershmërisht

101:1 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.

101:2 Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.

101:3 Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.

101:4 Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t`ia di për të keqen.

101:5 Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.

101:6 Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t`i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.

101:7 Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.

101:8 Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi.