BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Mosbesnikëria e Izraelit dhe çlirimet e Zotit
106:1 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
106:2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
106:3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
106:4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
106:5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.
106:6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.
106:7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.
106:8 Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.
106:9 I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.
106:10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.
106:11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.
106:12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.
106:13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.
106:14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.
106:15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.
106:16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,
106:17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.
106:18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.
106:19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,
106:20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.
106:21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,
106:22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.
106:23 Prandaj ai foli t`i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t`i shkatërronte.
106:24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,
106:25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.
106:26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t`i rrëzonte në shkretëtirë,
106:27 dhe se do t`i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t`i shpërndante në të gjitha vendet.
106:28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.
106:29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.
106:30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.
106:31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.
106:32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,
106:33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.
106:34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;
106:35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;
106:36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;
106:37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,
106:38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.
106:39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.
106:40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.
106:41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.
106:42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.
106:43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.
106:44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,
106:45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.
106:46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.
106:47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.
106:48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: “Amen”. Aleluja.