Psalmi 67

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Perëndia do të mbretërojë mbi tërë tokën

67:1 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)

67:2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.

67:3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.

67:4 Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t`i gjykosh drejt popujt dhe do t`i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)

67:5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.

67:6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.

67:7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.

[previous][next]